Të përndjekurit: Rama, shumë larg premtimeve elektorale!

    399
    Sigal

    Forum/ Flasin Kurt Kola, kreu i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë dhe Adem Allci, Mandela shqiptar për skemën e re të dëmshpërblimit

    Ish të përndjekurit janë mosbesues ndaj fjalëve dhe strategjive të paraqitura deri më tani nga qeveria “Rama” për integrimin e shtresës së tyre. Sipas tyre qeveria “Rama” është larg premtimeve të fushatës elektorale. “Unë jam njohur me ato që tha Kryeministri, por nuk janë konform premtimeve të fushatës elektorale, ku ka shprehur dhe është thënë shprehimisht se do t’i dëmshpërblejë ish të burgosurit politikë brenda mandatit të parë qeverisës”, shprehet Kryetari i Shoqatës Kombëtare të ish të dënuarve politikë dhe njëherësh Kryetari i Partisë “Rruga e Lirisë”, Kurt Kola. Ndërsa Adem Allçi, Mandela i burgjeve shqiptare shprehet për “Telegraf” se “fjalët janë të bukura, por nga e thëna në të bërë është në mes një lumë i tërë, thotë populli”. Më tej Allçi tregon se ishte prezent në inaugurimin e Institutit të të Përndjekurve dhe kishte përgatitur nja dy pyetje për Kryeministrin, por “ai hyri, pa rikonstruksionet, foli vetë dhe iku i shoqëruar nga 20 badigardë, pa na dhënë aspak kohë për të folur”. Sipas Allçit integrimi i të përndjekurve bëhet vetëm nëpërmjet dëmshpërblimit të menjëhershëm, punësimit dhe strehimit për qindra familje që jetojnë akoma në çadra. Ndërsa z. Kola i propozon qeverisë marrjen e një borxhi, ashtu siç veproi dhe për bizneset, për të dëmshpërblyer ish të përndjekurit brenda mandatit 4-vjeçar. Në përdorimin e fondit të dëmshpërblimeve prej 18 milion dollarësh, për vitin 2014, qeveria i ka dhënë prioritet atyre ish të përndjekurve që nuk kanë marrë ende asnjë këst. Ndërkohë është bërë publike tashmë dhe lista e parë e ish të përndjekurve që janë programuar të dëmshpërblehen  për këtë vit dhe që.

     Adem Allçi: Kryeministri Rama nuk begenis as të na dëgjojë

     Isha prezent kur u inaugurua Instituti i të Përndjekurve dhe fjalët i kanë të bukura shumë si Kryeministri ashtu dhe ministri Veliaj, a thua se janë vetë të përndjekur. Ata dinë në gjithçka që thonë, t’ia hedhin fajin Berishës. Të paktën ai bëri diçka, por të shohim se çdo të bëjnë këta. Se “nga e thëna në të bërë është në mes një lumë i tërë”, thotë populli. Pra nuk është se kam besim te fjalët, po pres punën e tyre. Na folën për dëmshpërblimet, por me ato që thonë janë larg atyre që na kanë premtuar në fushatë elektorale. Edhe institucioni që na përfaqëson nuk bën gjëra konkrete, ata janë aty vetëm për të marrë rrogën e tyre, ndërsa duhet të ndihmojnë njerëzit në nevojë, ata që janë pa shtëpia, pa punë. Shumë të rinj edhe pse kanë mbaruar shkolla, madje po na i heqin nga puna. Ndërsa Kryeministri erdhi, hyri, pa ato dhoma të konstruktuara, dhe iku i shoqëruar me 20 badigardë. Ndërsa ne aty që ishim të pranishëm na ngelën fjalët në grykë. Nuk na dhanë kohën as të pyesim. Unë doja t’i pyesja se çfarë po bëhet me ata 4000 persona që s’kanë varr. Ndërsa do i kërkoja që të dëmshpërblehen urgjentisht të gjallët dhe pastaj të vdekurit e me radhë. Të përndjekurit janë shumë të zhgënjyer dhe hallet vetëm se u janë shtuar. Po të kishin mundësi, ata do të grumbulloheshin dhe do të bënin demonstrata për të kërkuar të drejtat e tyre. Integrimi ynë vjen duke na dëmshpërblyer menjëherë atë çka na takon, me punësim dhe strehim se ka shumë e shumë familje që jetojnë në çadra.

    Kurt Kola: Qeveria të marrë borxh për dëmshpërblimin, si veproi për bizneset

     Unë jam njohur me ato që ka thënë Kryeministri, por nuk janë konform premtimeve të fushatës elektorale, ku ka shprehur dhe është thënë shprehimisht se do t’i dëmshpërblejë ish të burgosurit politikë brenda mandatit të parë qeverisës. Duke pasur parasysh fondin prej 18 milionë dollarësh nuk është premtues, krahasuar me premtimet elektorale. Ky fond është shumë i vogël, marrin një këst ata që s’kanë marrë asnjëherë, por ata kanë për të marrë dhe 7-8 këste, sipas rastit. Ndërkohë sipas një përllogaritjeje të thjeshtë duhen 435 milionë dollarë që të dëmshpërblehen të përndjekurit. Me këtë ritëm duhen më shumë se 20 vjet që të ndodhë dëmshpërblimi. Me sa duket do të kemi të njëjtën rrjedhshmëri si më parë. Që të shlyejë të përndjekurit, duhet që të marrë një borxh ashtu siç mori për bizneset dhe ta shlyejë pastaj avash-avash. Unë madje, duke qenë në aleancë me PS-në i kërkova Kryeministrit me shkrim që Instituti që është një forum i degraduar, të ngrihej në nivel ministrie dhe kjo do të ishte shumë pozitive, sepse do të kishte marrë një vlerë politike. Përfitimi do të ishte i shumtë. Do të kishte mundësi që me donatorë të huaj ose të brendshëm të arrinte integrimin e shtresës së ish të përndjekurve. Do të kishim një nivel më të lartë përfaqësimi si në dëmshpërblime, ashtu dhe në punësim, përndryshe siç kanë vepruar dhe kanë hequr nga puna me qindra të rinj që u përkasin shtresës së ish të përndjekurve.

    Dokumentet për ish të përndjekurit që të përfitojnë dëmshpërblim

     Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve në Ministrinë e Financave ka bërë të ditur se përfituesit e dëmshpërblimit; ish të burgosur politik apo trashëgimtarë ligjorë të tyre, që kanë mangësi të dosjet për kompensimin, duhet të postojnë dokumentacionin e kërkuar në një nga pikat e Postës Shqiptare dhe të nisin dokumentet në adresë të Ministrisë së Financave për Drejtorinë e Pagesave dhe të Dëmshpërblimeve.

    Ministria e Financave bën të ditur se, sipas rasteve dhe radhës së trashëgimisë, dokumentet e nevojshme për të përfituar dëmshpërblim janë të ndara në dy kategori, për ish-të përndjekurit që jetojnë dhe për trashëgimtarët në rastet kur përfituesit e drejtpërdrejtë kanë ndërruar jetë.

    Dokumentet e nevojshme për të përfituar dëmshpërblim:

    a) Për ish-të dënuarit që jetojnë :

    •      Dokument identifikimi

    •      Numër llogarie aktive në një bankë të nivelit të dytë

    b) Për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë më:

    •      Akt trashëgimie.

    •      Certifikatë vdekje të të dënuarit

    •      Certifikatë trungu të të dënuarit

    •      Numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose prokure

    •      Dokument identifikimi për përfituesit

    c) Në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e radhës së parë nuk jetojnë më, atëherë njëri nga trashëgimtarët në marrëveshje, do të postojë me të njëjtën adresë si në paragrafin e parë dokumentet e mëposhtëm:

    1. Akt noterial trashëgimie për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më.

    2. Certifikatë vdekje për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më.

    3. Certifikatë të trungut familjar të çdo trashëgimtari të radhës së parë që nuk jeton më.

    4. Numër llogarie aktive bankare për të gjithë trashëgimtarët  e trashëgimtarëve të radhës së parë që nuk jetojnë më.

    5. Fotokopje të Kartës së Identitetit apo Pasaportës të çdo trashëgimtari që vjen nga trashëgimtarët e radhës së parë, që i lind e drejta për dëmshpërblim.

    d) Në qoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të radhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim në bazë të ligjit Nr.9831, datë 12.11.2007 (ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë. Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë së bashku me numrin e dosjes në adresën sipas paragrafit të parë të këtij sqarimi.

    Plotësimi i dosjes

    Në rastet kur ish- i përndjekuri nuk jeton më, një dosje quhet e rregullt dhe e gatshme për tu paguar, vetëm atëherë kur të gjithë trashëgimtarët pa përjashtim, do të kenë dorëzuar (postuar) dokumentacionin e përmendur më lart për të gjitha rastet e trashëgimisë . Në të kundërt, askush nuk mund të paguhet i veçantë, derisa i gjithë dokumentacioni i dosjes të jetë i plotë për të gjithë.