Të përgjigjen penalisht, të gjithë ata që kanë tejkaluar afatet ligjore

    402
    Sigal

    Specialistët/Sipas ligjit, anëtarët e KEMP-it duhet të ndërrohen çdo 5 vjet

    Pezullimi nga puna i të gjithë anëtarëve të KMCAP-së (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë së Kufizuar) të Drejtorisë Rajonale Durrës pas rastit të mitmarrjes, denoncuar nga një emision investigativ, është vetëm maja e ajsbergut e një rruge të shtruar të korrupsionit, për pagesën e PAK, që nga komuna/bashkia deri te Ministria e Punës. Gazeta “Telegraf” nuk ka pushuar së denoncuari skandalet korruptive që bëhen në përfitimin e statusit të “të paaftëve” me qëllim përfitimi në mënyrë të padrejtë pagesën mujore. Maja e këtij korrupsioni galopant ngelet KMCAP-të qendrore në Tiranë. Shërbimi Social Shtetëror, në varësi të Ministrisë së Punës, është institucioni që merret me pagesat e personave me aftësi të kufizuar. Shpeshherë, ky institucion, gjatë kontrolleve të ushtruara, ka vërejtur një numër të konsiderueshëm  të personave që marrin pagesën e PAK padrejtësisht. Numri i përfituesve të pagesës së PAK, sipas Shërbimit Social Shtetëror kap shifrën rreth 150.000 individë, gjithsecili prej tyre mesatarisht merr 100 mijë lekë në muaj, ose rreth 100 dollarë, që do të thotë që nga buxheti i shtetit dalin rreth 15 milion dollarë në muaj për të kryer pagesat e PAK-ut dhe në vit dalin rreth 180 milion dollarë. Lista e personave me aftësi të kufizuar përpilohet nga komunat ose bashkitë, të cilët ia dërgojnë mjekut të Shërbimeve Sociale dhe pasi personat që kërkojnë të trajtohen financiarisht komisionohen në KMCAP-të e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Më pas, listat e personave që janë përcaktuar të trajtohen financiarisht, me dhe pa kujdestar, dërgohen pranë drejtorisë së Shërbimit Social dhe vendimin zyrtar e merr mjeku pranë kësaj drejtorie. Kjo është rruga që duhet të kalojë një qytetar që pretendon të përfitojë pagesën PAK, por gjithashtu kjo është dhe rruga në të cilën kalon korrupsioni deri në marrjen e pagesës nga një person që është më shumë se i aftë. Kështu, pushtetarët vendorë të lidhur me mjekët e KMCAP-ve pranë Drejtorive rajonale pranë ISSH-së, ku tashmë bën pjesë edhe mjeku i Shërbimit Social, i kanë siguruar një rrogë mujore familjarëve, apo të njohurve për arsye përfitimi. Por, gjithsesi maja e piramidës ngelet mjeku pranë drejtorisë së Shërbimit Social. I gjithë ky informalitet korruptiv me pagesat e PAK apo të invaliditetit kërkon të merren masa emergjente nga ministri Veliaj. Të hetohen të gjithë komisionet që japin paaftësinë, si dhe të kalojnë në sitë një nga një të gjitha dosjet e personave që marrin pagesat PAK.

     Korrupsioni i mjekëve të KMCAP-ve

     Pagesa e personave “gjoja” me aftësi të kufizuar është një faturë e lartë  për shtetin shqiptar dhe taksapaguesit shqiptar. Këta “persona me aftësi të kufizuar” janë fabrikim i mjekëve të korruptuar, të cilët me abuzimet në detyrë i kanë krijuar këtyre njerëzve mundësinë për të përfituar një rrogë mujore, paguar nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Puna e papërgjegjshme në vendimmarrjet e KMCAP-ve, kompromentimi i punonjësve të shëndetësisë, që për efekt përfitimi nuk kanë zbatuar procedurat e drejtimit të të sëmurëve në KMCAP, kanë pasqyruar jo saktë gjendjen shëndetësore të të sëmurit apo edhe ekzaminimet e bëra, duke krijuar mundësi për përfitime të pamerituara me efekte financiare, efekte që shkojnë në 150 milion euro dëme buxhetit të shtetit. Gjithashtu, nuk  përjashtohen nga përgjegjësia edhe mjekët e sektorit të ekspertizës pranë Drejtorisë së Shërbimit Social Shtetëror që është edhe maja e këtij ajsbergu abuzimesh në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre në kryerjen e detyrave funksionale të tyre, sipas përcaktimit të rregullores përkatëse, janë pjesë e vendimmarrjeve që mund të bien ndesh me ligjin duke dhënë përfitime të pamerituara, me efekte financiare.

     Kompania e sigurimeve hedh në gjyq kryetaren e KEMP-it

     Në çështjet e shumta të gjyqësorit Tiranë është dhe një rast i cili tregon abuzimet  në vazhdueshmëri të KMCAP-së Tiranë që i ka dhënë invaliditetin një personi, i cili ndërkohë, sipas të dhënave, jo vetëm që nuk është invalid, por jeton dhe punon në Greqi, madje është kontribuues atje në sigurime shoqërore. Komisioni që i ka dhënë invaliditetin, i ka kërkuar një shoqërie private sigurimesh në Shqipëri të paguajë deri në 200 mijë euro për këtë person. Kompania ka hedhur në gjyq një nga kryetaret e KMCAP-it, që sot është e veshur me pushtet në mjekësinë universitare. Është e paimagjinueshme që një person është dhe drejtues i një shërbimi shëndetësor në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, edhe drejtuese e mjekësisë universitare, edhe kryetare KMCAP-i.

     Reagimi i specialistëve

    Specialistët përkatës thonë se anëtarët dhe kryetarët e KMCAP-ve duhet të ndërrohen çdo 5 vjet, sipas legjislacionit. Po si shpjegohet që Dr.Mentor Petrela apo Dr. Jera Kruja kanë qëndruar në pozicionin e kryetarit të KMCAP-ve për më shumë se 5 vjet (më shumë se 10-15 vjet)? Duhet të investigohen të gjitha firmat për çdo rast (dosje) dhe për shkeljet e konstatuara, autorëve t’u vihen prangat dhe të shkojnë në burg.