Të dënohen krimet monstruoze që komunizmi ushtroi mbi popullin tonë

    412
    Sigal

    Natyrisht, procesi i dënimit të krimeve të komunizmit shqiptar, që thyen të gjitha rekordet  e ashpërsisë, në raport me ato të vendeve të tjera lindore, duke shkuar deri në gjenocid, është i pakuptimtë në qoftë se nuk dënon në radhë të parë figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe te bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, të cilët ideuan dhe ushtruan me dorë të hekurt ato krime monstruoze mbi popullin e tyre.

    Kaluan 23 vite nga rënia e komunizmit, çfarë pret akoma ky parlament, kush e pengon atë, vjen në pushtet një koalicion dhe shkon një tjetër dhe asnjëri nuk e mori iniciativën për të dënuar zyrtarisht murtajën më të keqe dhe të kobshme që ra mbi kokat e njerëzve tanë, atë të krimeve të shëmtuara të komunizmit shqiptar!

    Zotërinj Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, lërini për një moment interesat partiake, ngrini pak kokën dhe shikoni se ç’kontrast kemi me vendet e tjera ish socialiste, që me kohë e kanë dhënë dënimin e krimeve të komunizmit, ndërsa në vendin tuaj jo vetëm se nuk është bërë kjo, por në të kundërtën, qarkullojnë ide dhe tendenca për ringritjen e busteve dhe monumenteve të diktatorit më gjakatar, të pashpirt dhe anti shqiptar si Enver Hoxha. A ju vret ndopak ky kontrast i madh?!

    Si është e mundur që në këto 23 vite tranzicion nuk u caktua një seance e veçantë e parlamentit për të dënuar krimet e komunizmit, kur për më tepër kjo ka qenë, dhe është, një kërkesë e herëpashershme, bile e kushtëzuar e ndërkombëtarëve?!

    A mos vallë edhe këtu po mundohemi të thyejmë ndonjë rekord (siç e kemi zakon) për t’i qëndruar besnik deri në fund orientimeve nga Katovica?

    Udhëheqësit komunistë shqiptarë, si banditë të tërbuar me primitivizmin e tyre, ndryshe nga ato të vendeve lindore, e zhvilluan luftën e klasave me rekorde të papara duke e çuar atë deri në gjenocid të pastër. Me perde të hekurt e ndanë shqiptarin shpirtërisht dhe fizikisht nga bota e qytetëruar. Mbushën burgjet politike dhe kampet e përqendrimit me njerëz të pafajshëm që përbënin ajkën e popullit shqiptar. Torturuan dhe dërguan përpara skuadrave të pushkatimit, me gjyqe false ose pa gjyqe fare, me mijëra intelektualë të shquar dhe klerikë pa asnjë faj, thjeshtë nga paranoja e tyre dhe frika se ato mund t’u sillnin trazira!

    Injoranca dhe çmenduria e udhëheqësve komunistë shqiptarë, arriti deri aty sa në ketë  vend të vogël me fukarallëk të tejskajshëm, u ndërtuan dhunshëm me djersën, mundin dhe gjakun e këtij populli 750.000 bunkerë, për të na futur psikozën e luftës, ku një pjesë e tyre u kthyen edhe në banje publike, ndërsa ata për vete, me punë skllavëruese,  ndërtuan tunele dhe fortifikata luksoze! Dhe të gjitha këto me vlera marramendëse monetare, në një kohë që populli i shkretë vuante për të siguruar mbijetesën.

    Diktatori Hoxha, me bashkëpunëtorët e tij servilë, injorantë dhe të paskrupullt, luajtën me jetën dhe idealet e këtij populli për 46 vite, me një politikë primitive dhe djallëzore, u munduan të na mbushin mënjën se Shqipëria ishte kthyer në një kopsht të lulëzuar dhe se ne ishim populli më i lumtur në botë. Fatmirësisht, me rënien e komunizmit, kur bota u ballafaqua me anijet e tejmbushura me shqiptarë që po ja mbathnin nga ky vend “i bekuar”, kuptuan se ç’paska qenë ajo “lumturi dhe ai kopsht i lulëzuar”. Me keqardhje konstatojmë se, fatkeqësisht ka edhe sot nostalgjikë, por edhe pinjollë të asaj udhëheqjeje kriminale që s’duan ende të kuptojnë, se komunizmit i ka dalë “peta e lakrorit”. Djali i diktatorit Enver Hoxha në një intervistë të tij kohët e fundit, shprehej i indinjuar se ja paskan hequr nga varret e dëshmorëve eshtrat e të atit për t’i çuar te varrezat e zakonshme. “Nuk luhet me të vdekurit”… thoshte ai.! Si ja merr mëndja këtij pinjolli të shprehet kështu?! E konsiderojmë skandal moral të paparë dhe njëkohësisht shumë ofendues për mijëra dhe mijëra shqiptarë, daljen hapur sot me këtë tezë, kur dihet që ishte pikërisht babai i tij, diktatori Enver Hoxha, ky “fener ndriçues në Europë”, i mbushur me urrejtje klasore, që jepte urdhra të prerë që për ç’do të ekzekutuar, të vdekur në tortura hetuesie ose në burgje, trupat e viktimave të tyre të hidheshin si kafshë të ngordhura diku në vende të fshehta për të mos u gjetur më kurrë eshtra e tyre, o zot ku jemi…! A nuk është e turpshme sot që Enver Hoxha, ky diktator i çmendur së bashku me bashkëpunëtorët e tij, të mbajë akoma edhe pas vdekjes, merita dhe tituj të lartë nderi si Hero i Popullit etj. ( në një kohë që ky lloj insani se ka shkrepur asnjëherë të vetme atë të shkreten patllake në luftë…!) Kështu siç është nisur s’është çudi që Enver Hoxha të na dalë i persekutuar si viktimat e tij M.Shehu, K.Hazbiu etj., etj…

    Koha ka ardhur, dhe bile ka kaluar që këtyre njerëzve tu jepet vendi që meritojnë.

    Vetëm dy vetë deri më sot kemi dëgjuar të kërkojnë falje për krimet e komunizmit shqiptar: Bedri Spahiu dhe Liri Belishova, të cilët edhe ato vetë më vonë u bënë viktima të asaj diktature, që me plot gojë mund të thuhet se ka qenë diktatura më egër në raport me vendet e tjera ish komuniste.

    ‘Shoqata e ish te përndjekurve politikë Shkodër’ i bën thirrje të gjitha shoqatave antikomuniste të Shqipërisë që të solidarizohen me këtë thirrje, për t’i drejtuar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë që brenda këtij viti të planifikojë një rënd dite dhe në një seancë të veçante të shqyrtojë dhe të dënojë krimet e komunizmit Hoxhian shqiptar, për t’i vënë kështu, gishtin një herë e mirë kësaj plage të hapur të shoqërisë. Ndër detyrat parësore të një shteti postkomunist, që synon të ndërtojë një shoqëri demokratike, është dënimi i krimeve që kanë ndodhur në atë kohë, sepse pa këtë, nuk mund të ketë paqe të vërtetë sociale, dhe pa paqe sociale nuk mund të ketë përparim dhe zhvillim.

     Kryesia e Shoqatës së ish të përndjekurve politikë, Shkodër