Të armatosur e me maska, grabitësit “zhvatin” policinë private në Fushë-Prezë

629
Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë. Katër persona të armatosur dhe më maskuar kanë hyrë në ambientet e një firme private, polici private, dhe pasi kanë kanosur rojet e objektit, kanë arritur të marrin një shumë monetare prej 70.000 lekësh.
Kanë qenë vetë rojet e objektit ata që kanë njoftuar policinë e Tiranës rreth orës 04.23, pasi grabitësit janë larguar.

“Më datë 06.04.2017, rreth orës 04:23, ka ardhur një telefonatë tek Nr. 112, nga salla operative e një firme Sh.P.S.F.-je (polici private), se në Fushë Prezë, tek një firmë kanë hyrë 4 persona të armatosur.

Menjëherë janë nisur shërbimet e policisë ku kanë marrë kontakt me rojet e kësaj firme të cilët kanë deklaruar paraprakisht se:

Katër persona, ku dy prej tyre dyshohet të kenë qenë të armatosur kanë hyrë brenda rrethimit, ku personat e armatosur kanë arritur të neutralizojnë rojet, ndërkohë që dy personat e tjerë, kanë kontrolluar zyrat e kësaj firme. Këta shtetas kanë arritur të marrin një shumë monetare prej 70.000 lekësh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj grabitje.
Sigal