Tatimet  kanë  frikë t’i afrohen betonierëve  të Dakos

468
Sigal

Asnjë kontroll, asnjë verifikim  për  shkeljet  dhe fitimet e paligjshme

Dega e Tatim-Taksave në Durrës, ka mbi 5 vjet që nuk  i afrohet pikave  ku  “gatuhet”  betoni  i Dakos, kjo për faktin e thjeshtë se uniformat e shtetit kanë  frikë për vendin e punës. Ujdisja  është bërë  me shefat  qysh  nga  koha e qeverisjes së PD, dhe po vazhdon edhe sot. Pavarësisht  letrave, denoncimeve, akuzave, duket se pikat e betonit ku Dako shet çdo ditë betonin e tij, janë të paprekshme nga uniformat e shtetit.  Asnjë prej tyre prej vitesh nuk tenton ti afrohet bizneseve të betonit, sepse kjo do të ishte dita e fundit e tij në vendin  e punës. Asnjë firmë ndërtimi, asnjë biznes që ka lidhje me ndërtimet, por edhe persona të veçantë, nuk guxojnë të blejnë beton në pika  të tjera, veç  pikave që administron  Dako. Detyrimi  i tyre bëhet me forma dhe metoda perfekte, duke i detyruar  ata të lidhin kontrata shitje-blerje për betonin e ndërtimit të një vile, pallati apo objekti tjetër, përpara se të miratohet leja e ndërtimit. Janë mbi 118 firma dhe kompani ndërtimi që prej 7 vitesh nuk guxojnë të shkojnë në vend tjetër  për  të blerë  betonin e pallateve, veç  pikave ku ajo lëndë e parë shitet nga kompania  Dako. Ky detyrim  dhe kjo  varësi ndaj betonit, e ka kthyer Dakon në njeriun më të fuqishëm të Durrësit në fushën e ndërtimit, duke futur  shpesh  firmat dhe kompanitë  ndërtuese  në labirinthe të padukshme, nga ku e kanë të vështirë  të dalin. Por  sikur të mos mjaftonte kjo situatë denigruese ndaj firmave dhe kompanive të ndërtimit, edhe uniformat e shtetit, ata  të Tatimeve, ruajnë  distancë  të detyruar ndaj bizneseve ku mbishkruhet  “DAKO”. Durrësi  mbetet pas Tiranës qyteti ku fusha e ndërtimeve ka një shtrirje të jashtëzakonshme, në qytet dhe zonat bregdetare, dhe padyshim  shitja e betonit  firmave dhe kompanive  ndërtuese, por  edhe atyre që fitojnë tenderat e Bashkisë, mbetet një fitim  i madh. Sipas një burimi  nga dega e Tatimeve Durrës, “bizneset e Dakos nuk  ka guximin kush  ti kontrollojë, ti verifikojë, apo  të dyshojë, pasi  ai futet  tek  të paprekshmit  madje edhe kur  vjen  ndonjë denoncim  apo informacion, shefat e hedhin në koshin e plehrave”. Por  në rrugëtimin e tij Dako padyshim nuk është i vetëm. Ai  punon  sot me njerëz të politikës, me ministra dhe deputetë të afërt me kupolën qeverisëse, dhe ka marrë garanci  për  paprekshmërinë e bizneseve të tij. Ngritja e një kaste të tillë pasanikësh, që janë pasuruar me para të fituara nga pika betoni  apo  tendera  investimesh publike, mbeten një rrezik serioz për shtetin dhe të ardhmen e brezave. Kjo  pritet të ndodhë  pasi  kjo kastë, me milionat e veta ka ngritur  tashmë infrastrukturën e saj  dhe drejton  jetën  e biznesit, fushatat  elektorale, politikën,  emërimet,  shkarkimet, tregun e punës, duke  gllabëruar  fusha  të ndryshme  fitimprurëse si turizmi etj. Ndërkohë një burim i bashkisë i tha “Telegraf” se “Rama ka vendosur të mos e rikandidojë më Dakon për një mandate të tretë, dhe kjo e ka pezmatosur  shumë njeriun më të fuqishëm të fushës së ndërtimit në Durrës”. Situatën  e krijuar nga betonierët e Dakos, e njeh mirë edhe Rama, i cili në takimin më të fundit me Dakon, i ka thënë atij se “kujdes se po betonon edhe ajrin e Durrësit”. Kaq ka mjaftuar që Dako të kërkojë takim urgjent me kreun e Shëndetësisë Beqja në  plazhet e jugut , mikun e tij të vjetër, dhe  ti  kërkojë  atij  të jetë ndërmjetës  dhe zbutës  mes  tij dhe kryeministrit. Por  Dakon e shpëton as Ilir Beqja dhe as betonierët e tij, pasi tashmë Rama e ka vendosur  se cilin do të kandidojë dhe cili do të jetë fituesi i radhës për kreun e bashkisë në Durrës. Ai është një kundërshtar i deklaruar i Dakos, dhe thuhet se gjëja e parë që do të bëjë pas fitores, do të mbyllë pikat ku ish-kryetari ka shitur për 8 vjet me detyrim betonin e tij bashkiak.

***

Zef Preçi: Qeveria të na mbrojë nga kandidat-deputetët “beniaminë” të kryetarëve

 Drejtori i qendrës Shqiptare për studime ekonomike, Zef Preçi është shprehur në rrjetin e tij social, rreth biznesmenëve dhe nëpunësve publik në këtë formë: “Mos vallë ndodhin këto që ndodhin ngaqë Ministria e Drejtësisë që lëshon “certifikatën e virgjërisë” për parapolitikanë, politikanë, nëpunës publikë të vjetër të rinj, etj.. është e pavarur dhe askush nuk mund të kërkojë sqarime rreth këtyre certifikatave/indulgjencave (letrat e faljes së mëkateve që lëshonte një Papë-biznesmen në Mesjetë në këmbim të parave/arit që mblidhte nga shitja e tyre)? Shpresoj se qeveria aktuale do të ketë mirësinë të marrë një vendim të posaçëm për të botuar listën e personave që nuk mund të merren me politikë, që nuk mund të punojnë në administratën publike e pse jo, edhe që kanë problem kur merren me biznes dhe ta përditësojë atë çdo fundviti kur të miratojë buxhetin për vitin që vjen ose p.sh listën e kandidat-deputetëve beniamine të kryetarëve… Por edhe qytetarët, kur të lëvizin në qytet do të ruajnë… distancën nga “problematikët biznesmenë” apo “nëpunës publikë problematikë…” D.m.th detyrohen të respektojnë “pavarësinë” e Ministrisë së Drejtësisë mbas pavarësisë së Bankës së Shqipërisë që njohëm së fundi…Përndryshe jeta e qytetarëve që ende e duan këtë vend bëhet edhe më e vështirë…