Tasim Buzhani: Kam llustruar këpucët nga Thoma Deliana, Jashar Menzlenxhiu, Jovan Bardhi e deri te Qazim Sejdini

    586
    I ulur mbi stolin e tij të vjetër prej druri, i kërrusur nga qëndrimi i fiksuar i zanatit mbi këpucët që lyen me bojë, Tasim Buzhani, gjithmonë buzëgaz, i palodhur dhe me shumë respekt ndaj çdo klienti, tregon pjesë nga jeta e tij, puna, hallet, martesa e varfër, rritja e fëmijëve, shkollimi i pakët, martesat dhe lindjet e nipërve dhe mbesave. Njihet në Elbasan nga të gjithë si “llustraxhiu i të mëdhenjve”, që ka lyer këpucët e pothuajse çdo ish-Sekretari të Parë të Komitetit të Partisë apo edhe ish-Kryetarëve të Komitetit Ekzekutiv, pasi sipas tij “të gjithë përfshi edhe drejtorët, ushtarakët dhe të mëdhenjtë kishin besim tek unë, pasi isha familje komunisti”. 
    Si e keni nisur zanatin e llustraxhiut, sa vjet më parë?
    Kam afërsisht 60 vjet që ushtroj zanatin tim të llustraxhiut, e kam të trashëguar, plus që dora jonë sepse unë jam rom, e kemi për zakon të marrim zanatin dhe jo shkollimin. Kam hyrë në punë qysh kur isha 14 vjeç, ndiqja nga mbrapa babain tim, vëllain tim, dhe mora zanatin e llustraxhiut. E kam nisur qysh i vogël, isha i palodhur dhe qysh vitin e parë tek ish-NRSH, çdo përgjegjës dhe çdo drejtor ndërmarje më kishte nën kujdes, më mbante me hatër. (Qesh) Kjo vinte edhe sepse unë isha akoma i vogël, por punoja shumë, isha gjithë respekt ndaj të madhit dhe jo harbut, si dhe mundohesha të ndihmoja të tjerët. Gjithashtu hatrin ma mbanin sepse unë kisha patur edhe një xhaxha partizan Hajdar Shakja, qysh në 1943 me Brigadën e 6 Sulmuese. Pas 3 vitesh pune në NRSH, edhe unë u pranova si komunist. Kam shërbyer me devotshmëri të madhe, kam qenë kokëulur, nuk bëja kurrë llafe me njeri dhe kundërshtime për punën. Punën e kam nisur qysh nga viti 1959 dhe vazhdoj edhe sot e kësaj dite. Asokohe iniciativa ime i shpëtoi Ndërmarjes së Riparim Shërbimeve Elbasan plot 8 milionë lekë. Llogarit çfarë fitimi kishte, i thonë 8 milionë lekë asokohe. Shkak ishte një shqetësim i stafit drejtues për të shpëtuar qindra kilogramë bojra të cilat ishin lagur dhe ishin drejt skadimit. Unë e mora përsipër dhe i thashë drejtorit: Jo, do t’i rikthej unë bojrat në gjendjen e mëparshme, dhe ja arrita”. Kjo gjë bëri që unë pas 1 muaji të pranohesha në PPSH dhe u dekorova tre herë nga Kuvendi Popullor. Pavarësisht se kam 8 fëmijë, 5 goca dhe 3 çuna, të martuar qysh në kohën e Enverit, me punë dhe shtëpi të sistemuar qysh asokohe, unë dal në punë këtu në sheshin para Turizmit Skampa dhe lyej këpucët e njerëzve. Jam mësuar me punë dhe jo parazit. Punoj dhe ndjehem i ri. Nuk e kuptoj se si rrinë të papunë të rinjtë, vijnë vërdallë nëpër kafene dhe duan edhe para qyl. Puno dhe të fitosh, puno edhe llustraxhi, puna është nder. 
    Sigal

    Si e kujtoni periudhën kur keni punuar në ish-NRSH?

    Për mua dhe shumicën e miqve të mi, ajo kohë ka qenë e mrekullueshme. Ishim në punë, ishim të siguruar, ishim të qetë, paguheshim dhe mbanim familjet me bukë, siguronim banesa për çdo fëmijë që martohej dhe ndahej nga prindërit, kishte rend dhe qetësi, kishte shtet, kishte respekt dhe edukatë për mikun, komshiun, prindin, drejtorin, kryetarin, etj. Unë kisha patur një xhaxha partizan, u pranova edhe në PPSH dhe gjithë periudha tjetër më kaloi mrekullisht. Gruaja ime ka punuar fare pak, 9 vjet në fermë, sepse doli në pension si nënë me shumë fëmijë. Por ama më rriti fëmijët dhe u kujdes për ata dhe sot kënaqet me nipërit dhe mbesat. Gjatë asaj periudhe që sot e quajnë si “Koha e Enverit” i punësova, i martova dhe morën shtëpi femijët e mi, veç gocës së vogël, e cila ka marrë shtëpi nga Qazim Sejdini, nga kryetari Bashkisë së Elbasanit. Në atë kohë unë kisha një dyqan të vogël në qendër të Elbasanit, ma kishte dhënë vetë drejtori ish-NRSH dhe lyenin këpucët e tyre jo vetëm qytetarët, por kam lyer këpucët edhe të ish-Sekretarëve të Parë, duke nisur nga Thoma Deliana, Jashar Menzenlenxhiu, Pali Miska, Xhemal Dymylja, apo edhe ish-kryetarët e Komiteteve Ekzekutive si Feruz Mataj, Jovan Bardhi, dhe deri tek Qazim Sejdini. Kuptohet disa prej tyre vinin vetë kur dilnin në qytet për shëtitje, disa dërgonin këpucët me shoferët e tyre, madje paguanin edhe më tepër.
      

    Kishte diferencime në lyerjen e këpucëve për qytetarët dhe zyrtarët e partisë?

    Jo, fare, ato bojra dhe ato solucione që merrnim nga depot e NRSH-së dhe që siguroja vetë edhe magazinat e Tiranës, ato përdorja edhe për ish-Sekretarët e Parë, kuptohet ata i kishin këpucët të reja, të mirëmbajtura, dhe u dukeshin të lyera mirë. Mbaj mend njëherë kur isha duke u mbyllur dyqanin pasdite dhe sa bëhem gati të iki, më thërret një zë nga jashtë: “O Tasim, mos e mbyll sepse kam ardhur të lyej këpucët, apo do të më përzesh”. Ktheva kokën me nxitim dhe shikoj se ishte para derës time të vjetër të dyqanit ish-Sekretari Parë, Jashar Menzlenxhiu. Ishte njeri buzëgas, popullor, i thjeshtë dhe si mund t’ia prishja unë njeriut që e donte gjithë Elbasani. E rihapa dyqanin, hapa raftin e bojrave dhe kam qëndruar mbi 20 minuta duke lyer këpucët e tij, dhe duke biseduar si dy miq të vjetër. Ishin njerëz me zemër dhe jo fodullë si sot, ishin njerëz punëtorë dhe të ndershëm. Jashari sapo ishte kthyer nga një inspektim që kishte kryer në disa fshatra për fushatën e korrje-shirjeve. Qëndroi plot 15 vjet si Sekretar i Parë në Elbasan dhe u bë miq me gjithë banorët, të mëdhenj dhe të vegjël, por edhe ai i donte shumë elbasanasit. 
      

    Më thatë se keni patur një xhaxha partizan?

    Po kam patur një xhaxha partizan me Brigadën e 6 Sulmuese. Ka luftuar deri në Vishegrad dhe kur u kthye punoi disa vjet në një ndërmarje. Pastaj erdhi koha të martohej, por nuk kishte shtëpi, ndërkohë që Komiteti Partisë e sorrollaste dhe e gënjente. Xhaxhai im ishte kurajoz, dhe i nisi një letër Enver Hoxhës, i cili brënda 3 ditësh i kthen përgjigje “Të pres në KQPPSH”. Xhaxhai im merr të gjitha dokumentat e luftës, të martesës dhe përgjigjet negative të Komitetit të Partisë dhe niset dhe shkon në Tiranë. Afrohet tek KQPPSH, i thotë ushtarit se “kam takim me Komandantin”, kur menjëherë vjen një burrë me kollare, e takon me përzemërsi, dhe i thotë: Hajde, shoku Enver të pret për 10 minuta”. Ishte kohë dimri, dhe xhaxhai më tregonte se ishte bërë ujë në djersë nga sikleti, sepse po takonte të madhin e Shqiperisë. Por sikletin ja hoqi me dorën e tij Enveri. Ishin takuar dhe biseduar sikur të ishin njohur prej 20 vitesh. E kishte pyetur për Brigadën e 6, shokët që u vranë në Vishegrad dhe ata që ishin akoma gjallë. Pastaj kishin kaluar tek problemi, të cilin ja kishte shpjeguar në detaje xhaxhai im. Fjala e Enverit ishte e shkurtër, e prerë: “Shko nisu në Elbasan dhe brënda javës do të bëhesh me apartament”. Dhe ashtu ndodhi. Xhaxhain tim e përcolli deri tek treni një oficer i Gardës, i kishte prerë edhe biletën dhe kur kishte mbërritur në Elbasan e prisnin me padurim ish-Sekretari Parë Mustafa Pajenga, i cili i komunikoi lajmin se “Më morën nga KQPPSH, nesër hajde merr autorizimin, por nuk kishe pse shkoje deri tek shoku Enver, na ke futur në siklete, po pse o shoku Hajdar duhej të shkoje deri lart”. E tregova këtë histori të vogël të xhaxhait tim ish-partizan, për të treguar se asokohe kishe ku trokisje, ku ankoheshe dhe problemi dhe halli merrte rrugën e zgjidhjes. Kurse sot hallet dhe problemet zgjidhen ose me para, ose me mik të fortë lart në qeveri, dhe kjo vlen jo për ne, por për shtresat e tjera të larta.

    Do të vazhdosh në zanatin tend pavarësisht se ke vite që ke dalë në pension?

    Do të vazhdoj derisa të më lërë fuqia, do t’u shërbej qytetarëve dhe xhepit tim. Shpesh ka prej tyre që nuk kanë 200 lekë të vjetra në xhep për të fshirë apo llustruar këpucët dhe unë u shërbej, pasi jam rritur vetë me shumë vuajtje. Nuk rri asnjë ditë pa punë, kështu jam gatuar unë, ndoshta kështu na gatoi ai sistem, dhe bëri mirë pasi nuk na rriti dhe edukoi si parazitë apo si punëtorë të ndershëm. 
    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 14.01.2016