Tarifat në universitet, Kola: Limitohen përfituesit. Vetëm fëmijët e të përndjekurve përfitojnë 50 % ulje

    413
    Sigal

     Vijon nga numri i kaluar

     Flet z. Bilal Kola, kreu i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë për arsimimin, strehimin dhe punësimin e kësaj shtrese

     Vetëm fëmijët e ish të përndjekurve politik përfitojnë 50 % ulje nga tarifat e shkollimit. Nëse deri më tani e kanë përfituar uljen e tarifës të gjithë personat që ndiqnin universitetet publike dhe kishin statusin e e të përndjekurit politik, sot përfituesit limitohen. Këtë e bën të ditur gjatë intervistës për “Telegraf” z. Bilal Kola, kreu i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë. “Ekziston një VKM e vitit 2012, që e ka limituar listën e përfituesve të uljes së tarifës; në fëmijët e prindërve direkt të burgosur. Më parë ka qenë disi e liberalizuar, pasi përfitonin 50 % zbritje të gjithë ata që kishin statusin e ish të përndjekurit politik, duke përfshirë dhe nipërit e mbesat e të burgosurve apo të pushkatuarve” sqaron z. Kola. Drejtori i të përndjekurve pohon gjithashtu se shumë shpejt do të fillojnë tratativat me qeverinë në respekt të statusit për të përndjekurit politikë, që me pak fjalë do të thotë: Përparësi në arsimim, strehim dhe punësim

      A kanë ardhur kuotat për shtresën e ish të përndjekurve politikë nga Ministria e Arsimit?

    Për këtë vit, ende jo. Themi, që jemi pak herët, pa filluar sezoni akademik dhe nga ç’kam marrë informacion nga stafi, këto vijnë kryesisht nga shtatori. Dhe, natyrisht, do të fillojmë tratativat me Ministrinë e Arsimit për kuotat që i takojnë shtresës së të burgosurve politikë.

     Më thatë që jeni në pritje të kuotave, por ndërkohë a përfitojnë të gjithë nga ulja e tarifës shkollore me 50 % që përcakton ligji për ish të përndjekurit?

    Deri më sot, personat që kanë statusin e të përndjekurit, pra, fëmijët që kanë statusin e të përndjekurit kanë përfituar një zbritje prej 50 % nga tarifa e shkollimit. Në fakt, ekziston një VKM e vitit 2012, (nuk e kam verifikuar, është e qeverisë së shkuar), që e ka limituar listën e përfituesve të uljes së tarifës; në fëmijët e prindërve direkt të burgosur. Më parë ka qenë disi e liberalizuar, pasi përfitonin 50 % zbritje të gjithë ata që kishin statusin e ish të përndjekurit politik, duke përfshirë dhe nipërit e mbesat e të burgosurve apo të pushkatuarve. Kjo VKM e ka limituar disi numrin e përfituesve, por së paku fëmijët direkt të ish të përndjekurve e përfitojnë këtë ulje prej 50 %.

     Po për strehimin e ish të përndjekurve politikë, a ka pasur ndonjë “marrëveshje” me qeverinë?

    Këtu nuk kemi nevojë fare për marrëveshje, sepse kemi në fuqi Ligjin për Statusin e ish të Përndjekurve Politikë, që përcakton qartë edhe përparësitë që kanë ish të përndjekurit politikë në disa fusha si: në arsim, punësim dhe strehim. Gjatë kësaj kohe nuk është se kemi pasur ndonjë farë zhvillimi porsa i takon strehimit, të paktën po flas për kohën që unë jam këtu. Së shpejti do të fillojmë tratativat me qeverinë për ngritjen e këtyre problematikave.

     Si paraqitet situata në punësimin e ish të përndjekurve? Duhet të kemi parasysh këtu që shumë ish të përndjekur, pas ardhjes së qeverisë “Rama” në pushtet, janë pushuar nga vendet e tyre të punës.

     Tani, për çështjen e punësimit duhet të kini parasysh që ka zhvillime ligjore dhe ju e dini që në 2014-n ka ardhur në fuqi Ligji i ri për Statusin e Nëpunësit Civil, i cili përcakton qartazi kriteret për punësimin në administratë. Duke thënë këtë, siç e përmenda dhe më sipër, në statusin e të përndjekurve politik ka tre përparësi: e para është strehimi; e dyta është punësimi; dhe e treta është punësimi. Duke u nisur nga kjo, ne kemi të drejtë t’i kërkojmë çdo organi lokal apo qendror të shohë më përparësi çështjen e punësimit të përndjekurve politikë. Them, që ka pasur raste që ish të përndjekur mund të jenë larguar nga puna, por do të ishte tendencioze të thuhet se janë larguar nga puna, se janë ish të përndjekur. Dispozitat e këtij ligji janë të tilla që ka kritere për punësimin e administratës, kam përshtypjen se kemi të bëjmë më shumë me një çështje që është ligjore, edhe pse kemi të larguar me statusin e ish të përndjekurit politik. Disa ish të përndjekur kanë ardhur në institutin tonë dhe janë ankuar që janë larguar nga puna, por me një verifikim që i kemi bërë këtyre individëve, në fakt, na ka rezultuar se këta nuk kanë plotësuar kriteret për të përfituar statusin e nëpunësit civil. Duke thënë këtë, në çdo rast ne i kemi dërguar secilit institucion një shkresë, ku i themi që detyrimet ligjore në çdo organ janë të respektojnë statusin e ish të përndjekurit politik, të kuptohemi, në kuptimin e dhënies përparësi. Pra, nëse dy persona i plotësojnë kriteret për një vend pune, përparësi ka ai që është ish i përndjekur politik. Në këtë kontekst, ne nuk kemi reshtur së kujtuari dhe kërkuari organeve kompetente që janë të detyruar të zbatojnë ligjin për statusin e të përndjekurit politik, pavarësisht statusit të nëpunësit civil. Në këtë kontekst, ne i kemi lehtësuar këtyre personave komunikimin me institucionet përkatëse.

     Ledjana Saliu