Tanush KASO/ T’i jepet fund “ballos me maska” të spiunëve të Sigurimit!

    373
    Sigal

    Shoqatat e ish të përndjekurve: Mungon transparenca, hapja e dosjeve duhet të shoqërohet me lustracion

    Ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë të vërtetë, të cilët u ndeshën drejtpërsëdrejti me djajtë e Sigurimit të Shtetit, përbëjnë grupimin kryesor të interesit për hapjen e dosjeve të krimeve komuniste e të spiunëve të Sigurimit si edhe për lustracionin, d.m.th. për pastrimin e aparatit shtetëror, të organeve të drejtësisë, të Kuvendit të Shqipërisë dhe të mediave të shkruara e televizive, nga elementët e implikuar me të kaluarën komuniste, të cilët kanë shkaktuar dëme njerëzore. Nga vendet ish-komuniste, Shqipëria është i vetmi shtet që nuk e ka kryer këtë proces, gjë që flet qartë se këtu nuk është ndryshuar realisht sistemi politik dhe shoqëror, por ka pasur vetëm një metamorfozë të rrejshme.

    Qeveria aktuale ka premtuar se do t’i japë fund këtij turpi të kohës sonë, duke i hapur njëherë e mirë dosjet, për ta mbyllur përgjithmonë debatin që vazhdon prej 23 vjetësh. Ne e kemi kërkuar këtë nga çdo qeveri, qysh prej vitit 1991. Prandaj, e mirëpresim. Po ndërkohë, ne nuk e kemi ende të qartë se si do të kryhet ky proces kaq i rëndësishëm, për arsye se asnjëherë nuk jemi ftuar të shfaqim mendimet tona nëpër mbledhje e debate televizive, rreth kësaj teme. Persona të “Shoqërisë civile” ose politikanë, që kanë marrë përsipër këtë nismë, për hir të protagonizmit të tyre, kanë përjashtuar nga pjesëmarrja në tryezat e bisedimeve, përfaqësuesit e shoqatave të ligjshme, si kjo e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, e Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë dhe e Internim-Dëbimeve Politike. Në vend të përfaqësuesve ligjorë të këtyre shoqatave, ata kanë përzgjedhur e ftuar në bisedime formale, elementë që nuk e kanë provuar dhe as e kanë njohur kalvarin e hetuesisë komuniste, të cilët nuk kanë një persekutim të vetin ose që kanë qenë edhe bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit, të tillë si “Çiftelia”, “Çizmja”, “A-l”-shi, “Vromohori” e ndonjë tjetër; pseudonime këto, që janë bërë të njohura nga ish eprorët e tyre, “punëtorët operativë” të Sigurimit. Në këto kushte, ne shprehim dyshimet dhe rezervat tona, për një procedim të drejtë të hapjes së dosjeve dhe të lustracionit. Elementë të tillë, që “e kanë mizën në kësulë”, po kërkojnë që të mos hapen dosjet e atyre që kanë qenë “të detyruar” të bëhen spiunë, por vetëm të spiunëve vullnetarë. Ne jemi kundër kësaj dhe kërkojmë hapjen e përgjithshme të dosjeve, pa asnjë dallim. Pastaj, secili të japë shpjegimet e veta se si u rekrutua dhe se çfarë dëmesh ka shkaktuar. Por, sido që të jetë, sapo të hiqen maskat, ata duhet të largohen menjëherë nga jeta politike dhe nga veprimtaritë shoqërore.

    Po flitet se do të merret si shembull “modeli gjerman” i hapjes së dosjeve, sipas të cilit çdo njeri mund të shohë vetëm dosjen e vet. Edhe kjo është e papranueshme sipas nesh, sepse kërkojmë transparencë të plotë. T’i jepet fund “ballos me maska” të spiunëve të Sigurimit, të cilët prej 23 vjetësh kanë spekuluar dhe vazhdojnë të paraqiten si “heronj të demokracisë” e si “zëdhënës” të paautorizuar të ish të burgosurve, të internuarve dhe të përndjekurve politikë të vërtetë. Reklamohet “modeli gjerman”, po kur është fjala për lustracionin, ndryshohet qëndrimi. Siç dihet, në Gjermani, lustracioni ka qenë i tillë sa që jo vetëm spiunët nuk patën më vend në administratën shtetërore, po edhe ish-mësuesit e marksizëm-leninizmit nuk u lejuan më që të punojnë në arsim.

    Dhe gjersa diktatura komuniste në Shqipëri ka qenë më e egra e të gjitha vendeve ish-komuniste, për rrjedhojë, edhe lustracioni duhet të jetë më i thellë. Nuk ka vend për ankime e lot krokodili, se gjoja me lustracionin shkelet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe të drejtat e njeriut. Mos vallë vendet europiane si Gjermania, Çekia, Polonia, Hungaria, etj., paskan shkelur kushtetutat e tyre dhe të drejtat e njeriut?! Në të kundërt, duhet pranuar se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, aq shumë e diskutuar dhe “e arnuar”, nuk qenka një kushtetutë europiane, por një kopje e asaj kushtetutës komuniste, e cila i jepte të drejtën ish-gjyqtarëve të diktaturës, si i famshmi Fehmi Abdiu, që të dënonin shqiptarët që mendonin ndryshe, me burgim ose me vdekje, deri edhe me varje në litar. Pra, një kushtetutë e tillë, jashtëkohore e anakronike, duhet ndryshuar sa më parë, për t’i çelur rrugën hapjes së dosjeve dhe lustracionit. Këto janë disa nga mendimet tona, të cilat kërkojmë që të merren në konsideratë nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, i kësaj Shqipërie demokratike, që synon të integrohet në Europë.

    Shoqata Kombëtare e Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë

    Shoqata Kombëtare e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë

    Shoqata Kombëtare të Dëbim-lnternimeve Politike të Shqipërisë