Tanush KASO/ Ku ka ngecur amnistia e të burgosurve?

    428
    Sigal

    “Errata humanum est”, thotë një shprehje latine, që shqip përkthehet “Gabimi është njerëzor”. Ai mund të korrigjohet dhe të falet. Po kur kalon në faj, ndëshkohet sipas ligjit, me disa vite privim lirie. Në mbarim të atyre, mendohet se faji është shlyer dhe njeriu i rehabilituar i rikthehet jetës së lirë e të rregullt. Burgu, si një trashëgimi e shëmtuar e njerëzimit, për fat të keq mbetet edhe në kohën tonë, si “një e keqe e nevojshme”. Prandaj, pushtetarët që e kanë përkohësisht në duart e tyre fatin dhe jetën e të tjerëve, kohë pas kohe “venë dorën në zemër” dhe bëjnë amnisti e falje, për mëkatarët e burgosur. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, janë bërë disa falje me lista emërore dhe amnisti të përgjithshme. Zakonisht ato motivoheshin me “forcimin e shtetit socialist”, i cili “nuk kishte frikë nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm”. Gjatë këtyre 23-vjetëve të “tranzicionit demokratik”, faljet dhe amnistitë e të burgosurve kanë qenë të pakta. Këtë e justifikojnë me shtimin e krimeve dhe me paaftësinë e shoqërisë shqiptare për parandalimin dhe pakësimin e tyre. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të drejtën për amnisti e ka Këshilli i Ministrave, kurse kompetencën për falje emërore (nominale), për persona të veçantë, e ka Presidenti. Nga mbarimi i vitit të kaluar, u fol zyrtarisht për një amnisti që ishte duke u përgatitur e që do të shpallej së shpejti. Të burgosurit dhe familjarët e tyre, prisnin që kjo të bëhej me rastin e festës së Krishtlindjeve e të Vitit të Ri. Por, zyrtarët tanë, nuk e panë të arsyeshme t’ua jepnin atë kënaqësi këtyre shtetasve. Kjo nuk u realizua as gjatë janarit dhe as sot e kësaj dite. Njerëzit me të drejtë pyesin: “Ku ka ngecur amnistia e të burgosurve?!” Ç’janë ata juristë që “nuk e nxjerrin dot qimen nga qulli?” Edhe sa kohë do të vazhdojë të diskutohet se cilat nëna duhet të përfitojnë dhe cilat nëna jo? Mos vallë do të ndodhë si në rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kur u trumbetua për një “amnisti të gjerë” dhe “u katandis kokoshi një thelë”? Në Nenin 1, paragrafi 2, të asaj Amnistie, të dhënë me Ligjin Nr.107/2012, shkruhet se “Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik”. Po a paraqesin “rrezikshmëri të lartë” dhjetëra ose qindra adoleshentë, të burgosur për ndonjë zënkë, për vjedhjen e ndonjë celulari, të ndonjë bizhuterie apo të diçkaje tjetër, që nuk ka aq kosto të lartë sa për të vuajtur dy-tre vite burg? Edhe dënimi alternativ, ose lirimi me kusht, që parashikon ligji në këto raste, kohët e fundit nuk po gjen përdorim të gjerë. Kështu që burgjet janë mbushur plot e përplot me të rinj, të cilët në vend që të riedukohen, specializohen për krime, nga të burgosurit e vjetër dhe recidivistët.

    Në Nenin 3 “Kriteret për përfitimin e amnistisë”, thuhet se përfitojnë nga kjo amnisti  “personat e  dënuar me burgim deri në 2 vjet”; “personat e dënuar, ndaj të cilëve gjykata…ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim”; “personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës”; “personat e dënuar me burgim, të cilëve u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 1 vit”; “të dënuarat femra, që … janë baras ose mbi moshën 55 vjeç”; “të dënuarit meshkuj, që … janë baras ose mbi moshën 60 vjeç”; “të dënuarit me burgim, të cilët,  në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç”. “Të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret” e mësipërme, “u zbritet 1/4 e dënimit të mbetur”… Por, në fund të çdonjërit prej këtyre paragrafëve, shtohet fjalia përjashtuese “me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji”. Dhe Neni 4 “Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë”, me 15 paragrafe, përfshin pothuajse të gjithë ata që përmendëm më sipër, të cilët, në të vërtetë, nuk përfituan nga ajo amnisti dhe nuk shkuan dot në shtëpi, për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë, së bashku me lirimin e tyre të ëndërruar. Kjo na kujton ato amnistitë “e gjera” të kohës së diktaturës, kur në gazetë shkruhej me germa të mëdha se “lirohen të gjithë të burgosurit politikë, me përjashtim të atyre që janë dënuar me nenet 73 (55) “Agjitacion e propagandë” dhe 64 “Tradhti ndaj Atdheut”.”  Mirëpo, këto dy nene i kishin  pothuajse të gjithë të burgosurit politikë në akt-akuzat e tyre.
    E çuditshme ishte në atë amnisti, që hyri në fuqi më 28 nëntor 2012, edhe trajtimi  i “shpifjes” dhe i “fyerjes”, të cilat faleshin sipas neneve të Kodit Penal, por jo sipas atyre të Kodit Civil. Ndërkohë, thirrja e kahershme e përfaqësuesve të OSBE-së dhe të Këshillit të Europës, e përsëritur edhe kohët e fundit, është që “Të dekriminalizohet shpifja dhe fyerja për gazetarët!”, e cila nuk është marrë në konsideratë nga ligjbërësit tanë. Vazhdon dënimi me gjoba marramendëse, për shkrime të botuara nëpër gazeta, të quajtura “shpifje” a “fyerje”, në një kohë që sipas ligjit për shtypin, secili ka të drejtë të kundërshtojë e të shprehë lirisht mendimet dhe faktet e veta, po në atë gazetë. Flitet dhe shkruhet prej vitesh, jo vetëm nga ne shqiptarët, po edhe nga monitoruesit ndërkombëtarë, për Drejtësinë e korruptuar dhe për nevojën e reformimit të saj. Kjo do të thotë se nuk përjashtohet mundësia, që jo pak nga të dënuarit e të burgosurit, mund të jenë viktima të korrupsionit të gjyqtarëve, hetuesve, prokurorëve dhe avokatëve. Madje, mund të ketë edhe nga ata, që vuajnë dënimin pa faj. Dihet gjithashtu se shumë nga bashkatdhetarët tanë  emigrantë, të cilët kanë pasur fatin e keq që të arrestohen me akuza të ndryshme në Greqi, kanë marrë dënime maksimale, për shkak të ndjenjave raciste të disa gjyqtarëve e prokurorëve të atjeshëm. Shpesh trajtimi i tyre në burgjet e atij vendi plot urrejtje etnike, ka qenë i diferencuar dhe i egër, gjë që i ka shtyrë ata fatkeq, që të ndërmarrin veprime, të cilat kanë shkaktuar ridënimin e tyre. Të gjitha këto që parashtruam më sipër, si edhe të tjera, janë arsye të mjaftueshme, për ta shpallur sa më shpejt amnistinë e premtuar pak muaj më parë, e cila do të ishte në të mirën e përgjithshme.