Talo, thirrje Qeverisë: Përmbajuni programit tuaj!

    429
    Sigal

    Greva e të përndjekurve politikë në ditën e 11 të saj

    Greva e të përndjekurve politikë është sot në ditën e 11 të saj. Ata janë në grevë për premtimet e pambajtura të qeverisë së sotme. Janë  Agron Talo dhe Agim Kollçaku, ish- grevistët e 2012-s, të cilët organizuan këtë grevë jopolitike. “Kur erdhën në grevën e 2012-s, në suport të kauzës sonë, na thanë se, kur të vijmë ne në pushtet, do ju japim dy këste menjëherë, do ju japim strehim, punësim e shumë premtime të tjera. Ne sot u bëjmë thirrje që t’u përmbahen programit të tyre”, thotë për “Telegraf”, z. Talo. Ai tregon se, grevistët janë po ata të grevës së urisë në vitin ‘91, me qëllim marrjen e pafajësisë, të grevës së ‘94-s, të grevës së vitit 2012 dhe kjo e fundit, e cila është në vazhdim. 6 janë kërkesat e grevistëve: Dëmshpërblim financiar; Punësim ose pension për 200 ish të burgosur që nuk kanë të ardhura mujore; Futja në dëmshpërblim dhe e dosjeve që kanë aplikuar jashtë afateve; Rikthimi në punë i të burgosurve që janë shkurtuar, ose janë transferuar; Heqja e “Nenit të terrorizmit” për të burgosurit e Qaf-Barit, Spaçit dhe; Të mos mbahet 2 herë vlera e strehimit (në vitin ‘94 janë mbajtur 29 % e letrave me vlerë për strehim dhe përsëri në vlerën e dëmshpërblimit është zbritur vlera e gjithë atyre që kanë marrë shtëpia nga Enti Kombëtar i Banesave) dhe janë mbajtur nga dëmshpërblimi 12 milionë lekë. Me kërkesat e tyre është njohur dhe drejtori i Instituti i të Përndjekurve Politikë, z. Billa Kola. “Drejtori i Institutit, pasi është njohur me kërkesat tona, na është shprehur se të gjitha këto janë të zbatueshme, ndërsa për dosjet që kanë aplikuar jashtë afateve që përcakton ligji, na tha se, vendimi do të merret në janar”, tha Talo. Ndërsa tregon se ka ardhur t’i takojë edhe z.Bledar Skënderaj, i dërguari i posaçëm i Qeverisë, edhe ky i përndjekur politik. Dje ka qenë dhe afati i fundit për qeverinë, përsa i përket fatit të grevës, nëse do të mbyllet, duke plotësuar kërkesat e  tyre, apo do të vazhdojë. “Gjendja shëndetësore e shokëve është shumë e rënduar. Edhe pse shërbimi i urgjencës ka qenë 24 orë në 24, shëndeti i grevistëve është në rrezik. Nesër do të jetë shumë vonë!”, thotë Agron Talo me zërin e tij të shuar.

     Vuajtjet e familjes “Talo”

    Duke folur për të kaluarën, Agroni tregon se vuajtjet për familjen “Talo” filluan që në vitin ‘45, sapo erdhën në pushtet komunistët, me xhaxhain e babait, që kishte mbaruar. Akademinë Ushtarake në Itali dhe i kishte shërbyer Zogut. Pas vdekjes së tij, pas 9 muajsh torturash në moshën 40 vjeç, shumë nga fisi “Talo” u arratisën për t’i shpëtuar diktaturës. Pasoi me arrestime dhe internime për të ngelurit. Agron dhe Gëzim Talo, dy vëllezërit, u burgosën në vitet ‘80, ndërsa familjarët u internuan. Përndjekje dhe internime pati gjithë fisi, siç ishte rasti i djalit të xhaxhait, Adrian Talo, i cili edhe pse kishte fituar në rang kombëtar Olimpiadën e Matematikës, kur ishte maturant, nuk ia dhanë të drejtën e studimit.

    Premtimet e PS, kontestimet për qeverinë “Berisha”

     Vërejtjet dhe kundërshtitë e të përndjekurve për 21 vjet (bëhet fjalë për vitin 2012, në grevën e urisë ), sipas socialistëve, kishin rënë në vesh të shurdhër nga qeveria “Berisha”. Ja disa nga problematikat e evidentuar prej tyre dhe premtimit për zgjidhje:

    -Sorollatja që po iu bëhet ish të përndjekurve sa në një zyrë në tjetrën, për tërheqjen e dokumenteve të tyre, është një kalvar më vete dhe i qëllimshëm, për të vonuar sa më shumë procedurat dhe për ata fatkeq që nuk kanë kush t’u interesohet, ju humbet fare e drejta.

    -vlerësimi irracional i jetës së një të pushkatuari për motive politike në këtë ligj baras me 8 vite burg, është i pabazuar në asnjë të drejtë kombëtare apo ndërkombëtare.

    -mosllogaritja e kohës së paraburgimit, sipas nenit 57 të Kodit Penal (një ditë hetuesi, baras me 1 ditë e gjysmë burg).

    -mosdhënia njëherësh e dëmshpërblimit material për pafajësinë ish të dënuarve politikë nga regjimi diktatorial, por ndarja e tij në 8 këste për 8 vjet, ku sot pas 6 vjetësh rezulton të jetë ndarë vetëm gjysma e këstit të parë.

    -të përndjekurve, nuk ka pse nga shuma e dëmshpërblimit që u takon, t’u zbriten “letrat me vlerë” të llogaritura me vlerë nominale, kur këto copa letrash ose kanë mbetur stoqe, ose janë këmbyer në tregun informal, jo më shumë se 5-7 %.

    -pse duhet tu zbritet ish të dënuarve politikë vlera e shtuar e shtëpive shtetërore të privatizuara si të gjithë të tjerët, me çmime simbolike, kur atyre pak që kanë përfituar, u janë falur një herë me VKM?

    -përse ligji nr. 9831, dt.12.11.2007, duhej t’ua hiqte të drejtën e dëmshpërblimit vëllezërve dhe motrave, trashëgimtarëve të shkallës së dytë, kur i dënuari nuk ka arritur të krijojë familje dhe kur të afërmit e tij i janë gjendur pranë, e kanë ndihmuar dhe kanë pasur pasoja përndjekje për shkak të tij?

    – përse të sëmurët psikikë për shkak të përndjekjes, dëmshpërblehen vetëm për kohën e qëndrimit në institucionet psikiatrike, kur kjo kohë mund të ketë qenë vetëm disa ditë, javë, muaj, ndërkohë që, pacienti ka humbur përgjithnjë aftësitë mendore?

    Kola: Kërkesat e grevistëve, shumica janë të zgjidhura, ndërsa të tjera në rrugën e zgjidhjes

    Porsa i përket grevës, drejtori i Institutit të të Përndjekurve, z. Bilal Kola shprehet se, për shtresën e të përndjekurve politikë sensibilizimi nga ana e tij, por edhe e qeverisë është në maksimum. “Përsa kohë janë të burgosur politikë dhe paraqesin kërkesa, të cilat në një farë mënyre i bazojnë në pritshmëritë e tyre dhe pastaj në ligje të caktuara, sensibilizimi është jo i vogël”,- tha për “Telegraf”, z. Kola. Ndërsa porsa i përket nëse ka një marrëveshje mes qeverisë dhe i kërkesave të tyre ai u shpreh se, “unë jam njohur me kërkesat e tyre dhe gjykoj në një këndvështrim objektiv disa prej tyre janë të realizueshme, ndërsa disa të tjera për t’u bërë të realizueshme kërkojnë ndryshime ligjore. Unë kam pasur kontakte dhe disa takime me ta, që nga momenti që kanë filluar grevën, jo më pak se 4-5 biseda. Madje, dhe sot s’kam shumë që jam ndarë nga ata, ku mbasi kemi biseduar çfarë është e bëshme dhe çfarë mund të bëhet, kemi rënë dakord ata i konsiderojnë si të realizuar kërkesat e tyre dhe më kanë thënë që do të dalin nga greva, gjë që gjithsesi ngelet për t’u parë”. Kjo, sipas drejtorit të Institutit, për shkak të dozës së skepticizmit të tyre ndaj qeverive. “Kemi të bëjmë me një grup shoqëror që qeveritë i ka parë si problem dhe jo si institucione që janë aty për t’i zgjidhur problemet e tyre, por si institucione që u kanë ngritur stërkëmbësha”. Ai shpreh bindjen për mbylljen e kësaj greve, “pasi në përqindje të madhe kërkesat që kanë bërë kanë gjetur rrugën e zgjidhjes, jo se këto kërkesa (dhe për këtë duhet të jem i qartë) nuk janë në vëmendje të Institutit dhe natyrisht në vëmendje të Qeverisë. Nuk mund ta them kurrsesi këtë, sepse fakti që kemi marrë këto iniciativa ligjore, fakti që mendojmë të ecim shumë shpejt me këstet, faktin që çështjen e të përndjekurve nuk e shohim si problem që ka të bëjë me politikën ose votat e njerëzve që vijnë nga kjo shtresë, por si nju çështje thellësisht ligjore që në kuptimin e çështjes së të drejtës du8het zgjidhur në mënyrë permanente. Kjo për mua është e rëndësishme, sepse nuk është një trajtim sporadik që u bëhet këtyre kërkesave, por një trajtim “on -bllok” pra një trajtim që u bëhet çështjes së të përndjekurve. Në këtë kontekst besoj se edhe kërkesat e tyre,  thuajse shumica janë të zgjidhura dhe disa prej tyre në rrugën e zgjidhjes”, përfundoi Kola.

    Për 10 ditë fillojnë dëmshpërblimet për këstin e tretë

     I pyetur për dëmshpërblimet, z. Kola tha se, shumë shpejt, ndoshta brenda 10 ditësh, fillon shpërndarja e këstit të tretë i të dënuarve politikë sipas ligjit të ri. “Nëse nuk është firmosur sot, atëherë firmoset nesër urdhri nga ministri i Financave për disbursimin e fondit, ku 70 % përfitojnë të burgosurit dhe 30 % trashëgimtarët, sipas radhës të përcaktuar në ligj”, tha Kola. Ndërsa porsa i përket dokumentacionit, ajo çka ai theksoi ishte, se certifikata personale e të burgosurve që janë gjallë nuk duhet të jetë më e vjetër se  një javë nga data e dorëzimit.