Tallje me invalidët, rritje pagese me … 2 bukë në muaj!

    409
    Sigal

    Paradoksi vendimit/ Duhen 2 mijë lekë dokumente, për të përfituar rritjen 150 lekë!

     Në ditën e fundit të javës, kur qeveritarët e politikanët shkojnë për fundjavë, u njoftua një vendim që rrit pagesat mujore të kategorive të tre kategorive të personave me aftësi të kufizuara. Sipas udhëzimit të ministrisë “Veliaj”, mbështetur në vendimin e qeverisë, pagesat e invalidëve kanë pësuar ndryshim me rritje. Kjo “rritje”, nga ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është konsideruar një “arritje” social-ekonomike në trajtimin e personave me aftësi të kufizuara ose të atyre që bëjnë pjesë në kategorinë “PAK”. Këto tre udhëzime, ose më saktë, këto rritje pagesash invaliditeti, përveçse janë lëmoshë me shifra qesharake, kanë edhe paradokse.

     Kujdestari invalidit, pagë më të lartë se invalidi…!

    Sipas udhëzimit, mbështetur në pikën 4 të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 31, datë 20. 01. 2001, pagesa për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë bëhet 9900 lekë të reja muaj. Ndërsa pagesa për kujdestarinë e invalidit paraplegjikë dhe tetraplegjikë, po sipas pikës 4 të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 31, datë 20. 01.2001, bëhet 10 mijë e 400 lekë në muaj, ose 500 lekë të reja më tepër në muaj. Sipas llogarisë, ai që kujdeset për invalidin, merr pagë më të lartë se invalidi…! E sikur të mos mjaftonte ky paradoks, vendimi për këtë rritje pagesash është një tallje e plotë me këtë kategori shoqërore që vuan prej fatkeqësive fizike. Ata e kishin pagesën mujore 9750 lekë të reja në muaj dhe me këtë vendim u bëhet 9900 lekë të reja në muaj, ose 150 lekë të reja rritje në muaj, ose 700 gramë karburant në muaj.

     Rritja për invalidët e “PAK”…. 750 gramë gjizë në muaj!

    Një tjetër kategori që përfiton nga vendimi i qeverisë për rritjen e pagesave mujore të invaliditetit janë edhe kategorie e “PAK”, pra Personat me Aftësi të Kufizuara”. Edhe personave të PAK, ashtu si paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, kjo pagesë u është rritur shumë… PAK! Mbështetur në pikën 8, të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 618, datë 07. 09. 2006, pagesa mujore për personat e PAK bëhet 9900 lekë të reja në muaj. Edhe pagesa mujore e kujdestarëve të tyre, bëhet e njëjtë: 9900 lekë të reja në muaj. Edhe për këta rritja është po kaq e vogël me 150 lekë reja, ose sa 2 bukë në muaj, apo sa 750 gramë gjizë në muaj!

    Të verbrit, rritje sa 20% e vlerës së bastunit

     Jashtë vendimit të qeverisë, për rritjen e pagesës mujore të invaliditetit, nuk janë lënë as të verbrit. Në mbështetje të pikës 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 277, datë 18. 06. 1997, pagesa mujore për këtë kategori invalidësh bëhet 11 mijë e 250 lekë në muaj. Të njëjtën pagesë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. Edhe kësaj kategorie e kujdestarëve të tyre, qeveria u ka shtuar nga… 150 lekë të reja në muaj, ose sa 10% e vlerës së bastunit!

    Rritja 150 lekë, dokumentet 2 mijë lekë!

    Paradoksi tjetër me këtë vendim që duket sikur u rrit pagesat mujore invalidëve, qëndron edhe me dokumentet. Që të përfitoj rritjen 150 lekë të reja në muaj, invalidi duhet të përgatisë 2 mijë lekë të reja dokumente zyrtare të “freskëta”, të cilat lëshohen me lekë e duke ardhur rrotull nga një zyrë në tjetrën nga një cep i Tiranë, në tjetrin, duke i detyruar të shkojnë atje ku ndodhen institucionet përkatëse!

    Ja konkretisht:

    1. Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër (Spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP.

    2. Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore

    3. Epikrizë përcjellëse lëshuar nga mjekë specialistë ose konsulta, shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll, duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare.

    4. Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe;

    5. Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit.

    6. Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi).

    7. Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak;

    8. Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

    Përparim HALILI