Taip Sulko: Skandali “Alfred Peza” dhe Kryeministri Rama

707
Skandali “Alfred Peza” dhe Kryeministri Rama 
Taip SULKO 
Gazetar i pavarur
Një tjetër skandal i madh e ka përfshirë Shqipërinë. Këtë herë në qendër të tij është deputeti i PS Alfred Peza, për të cilin shtypi ka zbuluar faktin tronditës se ai dhe gruaja e tij Mirela Ndini janë aksionerë në një bankë me vlerë 1 miliard e 100 milionë lekë. Ky skandal i ka prishur gjumin madje e ka zhgënjyer dhe tronditur opinion e gjerë, ka bërë që gazetarët më në zë të japin mendimet e tyre goditëse, një pjesë e institucioneve kanë reaguar, opozita me të drejtë ngre alarmin ndërkohë që, edhe pse kalimthi, ka folur edhe Kryeministri Rama. Qytetarët shqiptarë kanë shumë të drejtë të zhgënjehen dhe tronditen. Shuma që zbulohet papritur, është një milion dollarë (rrezik më e madhe se buxheti i bashkisë së Peqinit ku A. Peza është deputet). Në të vërtetë ajo që shqetëson opinionin është se, siç thuhet, kjo shumë është fshehur, nuk është deklaruar kur A. Peza u bë deputet në 2013. A. Peza ka bërë një shpjegim qesharak mbi prejardhjen e kësaj shume të madhe. Një pjesë e njerëzve, kur z .Peza u zgjodh deputet, patën shpresë se, meqë ai vinte nga gazetaria, mbase do të ishte më i ndershëm dhe do të mbronte interesat e tyre. Tani zbulojnë se ai, jo vetëm nuk i paska mbrojtur, por paska qenë aq i pangopur sa edhe xhepat e bankës janë ndjerë ngushtë kur i janë derdhur gjithë ato para. Në fund të fundit, askujt s’i del kjo dreq llogarie e Fredit: nëse ai, me rrogat si gazetar paska arritur të kursejë 1 miliard e 100 milionë lekë atëherë i bie që, po sipas kësaj mrekullie, çdo shqiptar që jeton me asistencë sociale do të kishte në bankë të paktën 30 milionë lekë. Shqiptarët janë të zemëruar nga ky skandal, po cili është kufiri i këtij reagimi të opinionit qytetar? Përgjigjen do përpiqem ta jap në fund të këtij shkrimi. Duket se ish gazetarin dhe tani deputetin Alfred Peza, e ka habitur (të paktën në dukje) reagimi i ish kolegëve të tij gazetarë. Drejtpërdrejt apo me elegancë ish kolegët ia thonë hapur Pezës; ti duhet të japësh shpjegime, se ky i ke gjetur këto shuma marramendëse, të cilat edhe i ke fshehur nga syri i opinionit. Ata nuk e morën në mbrojtje ish gazetarin Peza, sepse, sado probleme të ketë media sot në Shqipëri, etja për të drejtën dhe për të vërtetën nuk ka vdekur. Zbulimin e këtij skandali e bëri shtypi, kolegët e tij. Ajo që është për t’u habitur është se z. Peza iu përgjigjet ish kolegëve të tij paturpësisht dhe me cinizëm; i quan ziliqarë. Duket si logjikë e kthjellët prej njeriu të korruptuar. I korruptuari sheh veten tek çdo njeri dhe sigurisht, ata, gazetarët e tjerë, ish kolegët, nuk kanë 1 milion dollarë, jo, sepse janë të ndershëm, por sepse s’kanë qenë aq të shkathët dhe me fat sa ai vetë. Dhe dikush nga gazetarët ka kapur edhe një çështje tjetër shumë të ndjeshme; ky ish drejtues mediash, ka vënë shpejt e shpejt një milion dollarë, dhe ka pasur siç thotë rrogë mujore mijëra dollarëshe. Kjo ka ndodhur në një kohë që një pjesë e gazetarëve që ai drejtonte merrnin vetëm 150 mijë lekë të vjetra në muaj dhe ndonjëherë nuk merrnin gjë për 2-3 muaj me radhë. Po a ka dorë gazetari kaq të poshtëruar që do të kishte fuqinë, të shkelte mbi veten, mbi ndërgjegjen profesionale dhe të merrte në mbrojtje një skandal si ai i Pezës miliarder? Po le të shohim, se çfarë bie në sy në vetë përgjigjen e deputetit A. Peza, përveç faktit që ai i quan ish kolegët si turmë ziliqarësh. Nuk kemi menaxhuar prona publike, thotë. Këtë arsyetim nuk ka mendje ta pranojë, është aq i pashije, saqë nuk shtyhet as me qepët dhe hudhrat e Peqinit. Çështja është fare e thjeshtë: së pari, nuk ka asfare dallim, nëse dikush vjedh nga prona e shtetit apo drejt e nga qytetarët. Dhe së dyti, ish kolegëve (të A. Pezës dhe Mirela Ndinit) iu vijnë zorrët tek fyti kur dëgjojnë shpjegime me kursime, kur ata Mirelën, (një punonjëse që qëndronte në institucionin e MPJ jo në sajë të punës, por sepse ishte nën çadrën e influencës mediatike të burrit të saj, Alfredit), e kanë dëgjuar me qindra herë të tregojë për blerje pajisjesh të shtrenjta shtëpiake, rrobash apo varësesh super të shtrenjta apo për pushime luksoze jashtë vendit. Nëse kjo është rruga e kursimeve, atëherë… Eureka! A po reagon shteti për këtë skandal? Për fat, u njoftua, se filloi hetimin administrativ ILDKP-ja. Një reagim i shumëpritur dhe në kohë, por në lidhje me këtë institucion ka një pikëpyetje të madhe- deklarimi i A. Pezës është bërë që më 2013. Pse ILDKP nuk i verifikoi pasuritë e A. Pezës dhe Mirela Ndinit qysh në 2013? Dhe për më tepër: gruaja e A. Pezës Mirela Ndini ka shumë vite që deklaron pasurinë. Pse ILDKP nuk e ka verifikuar saktësinë e deklarimit apo prejardhjen e kësaj pasurie të papërfytyrueshme për të ardhurat e një gazetari apo të një punonjëseje të MPJ? Po çështja nuk duhet të mbetet vetëm tek ILDKP-ja që deri tani vetëm emrin e ka të gjatë ndërsa punët, ose i ka të shkurtra e të pakta, ose nuk ka fare. Është interesante të vihet re se në rastin e skandalit “Alfred Peza” opozita (PD) është krejt e qartë dhe efektive në rolin e saj. Kjo mbase ndihmohet ngaqë skandali në fjalë të afron aq shumë fakte dhe të bën të arrish lehtë në përfundime domethënëse. PD, si opozitë, ka të drejtë të dyshojë dhe t’i bëjë edhe të tjerët të dyshojnë. Kështu flet çdo opozitë, në çdo vend qoftë. Duhet ta dallojmë dhe kuptojmë në thelb qëndrimin e opozitës- ajo nuk i flet Qeverisë, ajo iu flet njerëzve, iu flet votuesve , të cilët do ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votim shumë shpejt. Përpara se të flasë për qëndrimin e Qeverisë dhe të Kryeministrit Rama për skandalin “Alfred Peza”, dua, sa për plotësim të tablosë, të them shkurt mendimin tim për zhvillimet dhe çështjet përcaktuese të politikës shqiptare sot. Jemi në periudhën shumë të rëndësishme kur po bëhet reforma në drejtësi. Madje dy deputetëve dhe një kryetari bashkie iu janë hequr edhe mandatet, gjë që shënon edhe zbatimin praktik të këtij procesi. Nuk ka nevojë të themi, se kjo reformë, me anë të kalimit në sitën e drejtësisë të të zgjedhurve dhe të emëruarve në postet e larta publike, synon ta fusë vendin në një fazë, kur grabitja nuk ka më mundësi të vishet me pushtet, gjë që ka sjellë dhe sjell skamje dhe pakënaqësi për qytetarët. Shqiptarët janë të ndjeshëm tashmë ndaj këtij procesi. Qeveria dhe Kryeministri Rama kanë kontribut të padiskutueshëm, si në nisjen ashtu edhe në shtyrjen përpara të kësaj reforme jo të lehtë, e shpresoj se deri në përmbushjen e tij do të kenë po këtë vullnet. Ndërkaq, vetëm pas disa muajsh në Shqipëri, do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Nuk ka asnjë dyshim, se një nga çështjet kryesore që do të vendosë fatin e qeverisjes së mëtejshme të vendit është pikërisht perceptimi mbi reformën në drejtësi, zbatimi i saj. Qytetarët do t’ia japin votën dhe do t’i besojnë qeverisjen asaj force politike që jep më shumë siguri, se procesi i vendosjes dhe zbatimit të parimeve të drejtësisë dhe pastërtisë në klasën drejtuese shqiptare do të çohet deri në fund dhe se ky zjarr i domosdoshëm për çdo shtëpi dhe që do t’i mbajë apo kthejë shqiptarët në atdhe, do të mbahet ndezur. Nisur nga sa u tha më sipër, më duket si i vështirë për t’u zbërthyer qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama. Ai për skandalin “Alfred Peza” bën përgjegjës PD (Shqup-in) dhe me kaq kalon më tej. Nuk ka dyshim, se mendimet e sapo renditura më sipër, z.Rama i di, mbase më mirë se çdo shqiptar. Po pse nuk vepron ai? Askush nuk e beson se Kryeministrit nuk i intereson fati i reformës në drejtësi e, aq më pak, rezultati i zgjedhjeve të qershorit 2017. Ndokush thotë se Kryeministri Rama do të veprojë, por ai po pret rezultatet e hetimit të ILDKP dhe institucioneve të tjera që të ketë mundësi të marrë vendime të drejta. Kjo pranohet, madje është shenjë e një qëndrimi të urtë. Dikush tjetër thotë se z. Rama vetëm se po blen kohë dhe se ashtu si në rastet e ngjashme (Kryetari i Bashkisë së Kavajës) do të mundohet që me shkopin magjik të pushtetit ta hipnotizojë të akuzuarin dhe vetëm sa t’i japë ndjesinë, se po ngjitet kur ai po bie derisa të rrëzohet për të mos u ngritur më kurrë. Kjo sjellje është shumë e hollë dhe shumë e pëlqyer në politikë, sepse gjithkush merr të vetën, abuzuesi merr dënimin që japin institucionet, qytetarët më në fund shfrehen të lehtësuar ndërsa partia nuk ka humbje. Por unë dyshoj se këtë herë loja e hollë politike e që kërkon kohë të gjatë, do të kishte shumë vend. Zgjedhjet janë tek pragu dhe PS dhe Kryeministri Rama, nëse nuk veprojnë në kohë, mund të paguajnë një çmim shumë më të lartë, pikërisht aty dhe ku të djeg më shumë, tek kutitë e votimit. 
Sigal