Tahsin Xh. Demiraj/ Kisha dhe xhami pa leje, që përmbytën Shqipërinë

    473
    Kohë çudirash po kalojmë! Çuditërisht, kohët e fundit, një pyetje e çuditshme po qarkullon! A ka qenë Shqipëria e pushtuar nga Turqia? Natyrisht nuk do as mend as kalem për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje të trashë dhe menjëherë që Shqipëria ishte afërsisht pesë shekuj nën sundimin e hordhive osmane dhe e mori pavarësinë, atëherë kur perandoria osmane u diskreditua e mori tatëpjetën. Dhe se sa gjatë do të shkojnë pasojat e atij robërimi osman, nuk i dihet. Kush rreket ta thotë ndryshe apo ta interpretojë ndryshe e ka të kotë. Le të shohë trashëgiminë etnografike që na la këtu si xhoke, qeleshe e shallvare e le të hidhet në mbetjet folklorike që janë gërshetuar në folklorin tonë dhe po nuk i mjaftuan këto le shohë vargjet e Çajupit: Bëre dreqin e arinë/Po ç’deshe që bëre Turqinë. Dhe po nuk mjaftuan edhe këto, le të shohë aktin heroik madhor të plakut Ismail Qemal Bej Vlora që nëpër shi të marrë e nëpër baltërat që la ajo Perandori, çau dhe atë Nëntor të Madh të 1912 shpalli Shqipërinë e pavarur. Nga kush, mund të pyesë dikush që rreket të gjejë rrugë tjetër? Nga kush e shpalli të pavarur Shqipërinë, nga kush tjetër, pra përveçse Turqisë?

    Ndalimi i donacioneve fetare

    Qeveria shqiptare bën mirë të mos pranojë sponsorizime për institucione fetare nga Turqia, por të kërkojë dëmshpërblimin e dëmit nga sundimi pesë shekullor se do të ishim sot jo më pak se Austria. Me këtë rast përfitoj të shtoj edhe për investimet greke për kisha. Ç’është kjo kulturë, nga dhe si lindi që po ngrihen kishat dhe xhamitë? Po spekulohet me prishjen e institucioneve fetare në vitet 1950- 60 nga Enver Hoxha dhe jo vetëm u rindërtuan atje ku u prishën, por po ngrihen kisha e xhamia në hapësirat publike dhe po ndërron arkitektura e qyteteve tonë si në asnjë vend në Europë. Nuk jemi ne kërthiza e besimeve fetare me kaq kisha e xhamia. Konkretisht të gjitha ato që janë ndërtuar nuk frekuentohen. Dhe po të bëhej ndonjë referendum mbarëpopullor do të isha i sigurtë se nuk do të aprovoheshin. Nuk e di se çfarë kriteri ndiqet që lejohen, por do të thosha se bie erë korrupsion dhe në qoftë se është vërtetë kështu atëherë i bëj thirrje Prokurorit te Përgjithshëm të vërë para përgjegjësisë autorët e shitjes së tokës apo dhënies së lejeve të ndërtimi të këtyre institucioneve fetare. Gjithashtu të vërë dorë dhe ashtu siç korrigjohen dhe rrëzohen pallate ashtu të korrigjohet edhe në këtë fushë.
    Teprimi me kultet
    Kjo që po ndodh në vendin tonë nuk shihet të ndodhë në Francë, në Gjermani, në Itali. Atëherë pse, pse, pse kështu? Mos kemi ne hapësirë të tepërt në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër e gjetkë? Mos jemi ne bamirësit e kulteve fetare, mos kemi ne kaq shumë besimtarë sa ç’po ngremë institucione për ta? Çfarë perspektive kanë? Vetëm për të okupuar hapësira? Kujt të mirë i shërbejnë sot dhe në të ardhme? Fondamentalizmit islamik që është bërë problem botëror? Apo i shërbejnë Turqisë apo Greqisë, për ta ngritur zërin akoma më lartë se nuk ka ardhur si pushtues në Shqipëri dhe zyrtarizmit të orekseve grabitqare shtazarake, të pangopura me territore, gërr- vërreve të Agimiut të Artë, për Vorioepirin?… Grekët mbajnë ende Ligjin për gjendjen e luftës me Shqipërinë, sillen shumë keq me emigrantët tanë që po bëjnë punë të rëndomta dhe ne i krijuam gjithë ato lehtësira. Përse do të ndërtohej një kishë e stërmadhe në vendin më të bukur, në zemër të Tiranës: Kush e bën këtë, të përgjigjet. Dhe në është abuzuar të ndëshkohet dhe të bëhet mësim për të tjerët. Ne kemi trashëgimi mendime iluministe te rilindësit Vaso Pasha që e ka shkruar në qiell “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Po ne kemi Migjenin e madh… Pse nuk u bëmë një herë të vemi pas iluministëve tanë hap pas hapi, por marrim anën e atyre që na e kanë punuar me të pabesë, pas shpine, obskurantizmit që na ka hëngër shpirtin një jetë të tërë?
    Kishat dhe xhamitë, si kooperativat
    Nuk është e udhës që të jepen leje ndërtimi pa asnjë kriter, ashtu siç nuk u bë mirë edhe për ngritjen e universiteteve private, që me urdhër qeverie u mbyllën. Dhe nuk ishin pak por 17, për shkelje skandaloze duke shitur diploma. Kjo është e mjaft për të vënë mend për shumë të tjera, për shkolla të mesme private, për farmacitë, për lokalet pa numër aq sa nuk ka në vend tjetër në botë… Sikur kalova nga ajo çfarë u nisa për të thënë! Fjala që a ka ardhur si pushtuese Turqia apo si mbrojtëse e interesave shqiptare? Do t’i thoja në fillim dhe menjëherë! Akoma pa lindur internacionalizmi, Turqia paska bërë përçapje internacionale? Ç’janë këto proçka? Të mos të lejojmë të bëhen shtrembërime të tilla të trasha historike. Shqipëria jo që nuk i kërkoi ndihmë Turqisë, por tashmë e dimë të gjithë pritën 25 vjeçare që iu bëri Kastrioti hordhive osmane. E dimë fort mirë prapambetjen që morëm trashëgim prej tyre, ndalimin e gjuhës sonë dhe të shkollave shqipe. 
    Shqiptarët u ringritën si Feniksi
    Turqia erdhi për të na turqizuar dhe ne si Feniksi u dogjëm dhe u rilindën nga hiri ynë. Po, po si Feniksi rilindëm! E tani pas 100 vjetëve dalin ca historianë- amatorë apo filoturq e na e bëkan perandorinë osmane, shpëtimtare të vendit më të varfër në Europë? Dhe intensifikohen marrëdhëniet e shkëmbimet ekonomike me ta kur jemi kaq larg, kaq shumë larg sa ç’ ishim në një kohë me Azinë e me Kinën? Është subjekt shumë i bukur për humor ky vëllazërim në mes popullit tonë me Turqinë! A mos vallë Turqia, erdhi në Shqipëri se iu dogj bytha për të na mbrojtur ne? Nga kush? A mos kishim ndonjë traktat miqësie, bashkëpunimi dhe mbrojtje të njeri tjetrit në rast rreziku? Erdhi e na pushtoi dhe me dhunë instaloi fenë osmane në vendin tonë, investoi dhe ndërtoi institucionet fetare, mori shqiptarët dhe i syrgjynosi deri tutje Anadollit e mbetën nga shkonte ushtria perandorake aq sa të dridhet mishi kur kujton “Mbeçë more shokë mbeçë, përtej urës së Qabesë…”. Në ato vite të largëta kur hordhitë osmane vërshonin mbi ne. Mjaft të kujtojmë se këtej detit që nuk patën fatin e hidhur të atij pushtimi shekullor, ecnin përkrah qytetërimit, shkollimit, artit dhe kulturës dhe arritën të jenë ato që jenë sot vatrat e shkollave, akademive, universiteteve me nam në botë, ndërsa ne zvarriteshim në baltën shekullore osmane dhe patëm trashëgimi dimiqe, brekushe, xhoke dhe shallvare dhe një thes me fjalë anadollake që kanë zënë rrënjë në gjuhën tonë të bukur. A do të duhej më, për të dëshmuar që pushtimi ishte mizor dhe kurrë në mbrojtje të interesave autoktone të vendit tonë?!
    Sigal