Tahsin Demiraj: Festivali që na zhgënjeu

523

Zhgënjimi nga Festivali
i 55-të i këngës në RTSH.

Sigal

 

Regjizor
Tahsin Demiraj

Tre
net të Festivalit të këngës në RTSH edhe unë u mbërtheva në divan para ekranit
të vogël dhe pas kaq vitesh thashë, se do të kënaqem tani në moshën e tretë, me
këngëtarët e gjeneratës së re, me krijimet e një tjetër kohe, jo të kohës sime,
por a e dini se çfarë më ndodhi?… Që me të parën pësova deziluzion që kur
pashë dy prezantues ose më mirë kur pashë dy antiprezantues të paaftë, të cilët
u paraqiten duke reklamuar njeri – tjetrin si të famshëm, të ardhur nga
televizioni gjerman që për çudi, Inva na e prezantoi Kasem Hoxhën si  një aktor të famshëm që kishte habitur teleshikuesit
gjermanë, por jo publikun e sallës së Festivalit të Këngës dhe teleshikuesit
shqiptarë. Kasem Hoxha, ndoshta tek ndonjë televizion lokal (apo shumë lokal e
margjinal, do ta plotësoja unë), sepse nuk besoj të ketë mbetur Gjermania për
atë aktor që nuk më bëri fare përshtypje të mirë dhe që nuk m’u duk “djalë
zanati
”. Për më tepër që
fliste me një intonacion të thekur dialektor. Po ashtu edhe biondina  Ledina Çelo, këngëtare e nivelit të epërm,
por që ato tre net si prezantuese e uli shumë stekën. E them që në fillim edhe
për të, se nuk e kreu rolin e ngarkuar, megjithëse na tregoi trupin e një
lehone sikur ajo të ishte çupëlinkë e njomë dhe salla apo ne teleshikuesit të
afërt e të largët nëpër botë, të ishim adoleshentë e çunakë të babëzitur
për  të parë shalë e prapanica të pahekurosura
që dhe tyli nuk ia mbulonte morinë e rrudhave. Fyerje e audiencës dhe paturpësi
e paturpshme. Do t’i thosha Ledinës, se skena është e shenjtë, është tempulli i
Festivalit të këngës, të cilin ne e presim me një suspansë njëvjeçare. Festivali i këngës nuk është  sfilatë, nuk është dalje në plazh, nuk është
dhomë gjumi ku ti mund të flesh edhe pa intime rozë apo blu. Holograma e Vaçe
Zeles ishte një gjetje që na entuziazmoi ne dashamirësve të saj të moshuar si
dhe fansave të rinj edhe i vuri në vështirësi këngëtarët që do të performonin
pas saj. Edhe rezultatet finale, ishin një ngërç, një koklavitje, një gjë e
gjëzë. Dhe kënga finale u prezantua, cuasi si një funeral dhe jo si një
triumf i Festivalit. Pasqyrimi i pikëve në tabelë, më kujtoi Festivalin
e Këngës XI
  në RTSH:
“Alo Korça… e Alo Vlora… e Alo Shkodra” që nuk dilnin në çaste e që nuk
korrespondonin fjalët me daljen e numrave në tabelë, nuk pasqyroheshin qartë
pikët me jurinë qendrore. Madje  në një
mjedis modern, në një kohë të re në krahasim me Festivalin e 11-të, pikët paraqiteshin
me numra mikroskopikë që, jo vetëm ne të moshës së tretë nuk i lexonim dot, por
as ata që ishin në sallë e as teleshikuesit në shtëpitë e tyre. Spektakli i
çfarëdo zhanri qoftë, fillon me libretin e studiuar nga regjisori dhe miratohet
nga një Këshill artistik, me njerëz te zanatit, me specialistë e kompetentë.
Regjisurën, ose s’e pashë unë, ose ajo s’u duk fare në skenë.