Tahiri takon Alfanon: “Bashkëpunim kundër trafikut dhe krimit”

452
Sigal

Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm në qeverinë e ardhshme “Rama” u takua dje me ministrin e Brendshëm italian  Angelino Alfano dhe mori  mbështetjen e Italisë për Integrimin Europian të Shqipërisë në BE. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Tahiri shkruan: “Takim i shkëlqyer dhe mjaft inspirues me ministrin e Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano. Ministri Alfano shprehu mbështetjen e plotë për qeverinë e re për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Alfano u angazhua personalisht për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha strukturat e BE-së, takimet dypalëshe me homologët e tij të BE-së si dhe mbështetje të plotë për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Partive Popullore Europiane. I shpreha Ministrit Alfano shqetësimin tonë për situatën e sigurisë publike në vend, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, duke i shprehur bindjen se një Shqipëri më të sigurt, ka efekt të menjëhershëm në sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë Italisë. E sigurova gjithashtu për vullnetin e Kryeministrit Rama, Qeverisë dhe veçanërisht të Ministrisë së Brendshme për të rikonceptuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve si sfida të përbashkëta e për t’i adresuar ato me prioritet maksimal. Ministri Alfano shprehu gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Shtetit me ekspertizë profesionale, logjistike dhe infrastrukturë, duke fuqizuar urat e bashkëpunimit dhe misionet italiane që asistojnë Policinë Shqiptare sot. E konsideruam sfidë të përbashkët intensifikimin e luftës kundër trafiqeve, me synim daljen sa më shpejt të Shqipërisë nga klasifikimi “vend në vëzhgim” në renditjen e Departamentit Amerikan të Shtetit. Konsideruam të nevojshëm një takim të dytë në shtator për të rishikuar konkretisht marrëveshjet dypalëshe në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor, si dhe një plan pune konkret që do të diskutohet ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe homologut italian.