Tafaj: Për personat me aftësi të kufizuar është fatkeqësi të jetojnë në këtë kohë

    56

    Problemet dhe nevojat e para/ tetraplegjikëve. Flasin:  Bajram Tirana dhe Sinan Tafaj

    Personat me aftësi të kufizuara përballen me një gjendje të vështirë dhe diskriminuese. Çdo ditë zgjohen me shpresën se diçka e mirë do të vi dhe për ta, por realiteti është shumë i vrazhdë dhe i zymtë, pavarësisht shpresave dhe ëndrrave. Është shumë e lehtë të flasësh për këtë kategori njerëzish kur nuk je një i tillë, kur nuk kalon sprova çdo ditë dhe kur ngrihesh në mëngjes e shikon botën me ngjyra, ndryshe nga ata që njohin vetëm ngjyrën e zezë. Çfarë, këta persona duhet të ngujohen e t’i privohet dhe ajo pak lumturi që mund të ndjejnë? Ata kërkojnë që të ndihen të nevojshëm, të mbështetur nga strukturat qeveritare e sidomos shoqëria dhe të marrin pjesë në jetën e përditshme. Pamundësia e qasja në objekte, pamundësia e shkollimit, mungesa e shërbimeve adekuate, diskriminimi në punë, gjendja e vështirë ekonomike, jo financimi kundrejt tyre, sinjalistika rrugore, etj., janë vetëm disa nga problemet me të cilat ata përballen çdo ditë. Ndonëse prej vitesh ekziston ligji “për Aftësimin, Riaftësimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara”, asnjë nuk i angazhon, duke i neglizhuar dhe distancuar nga shoqëria. Kur do të kthehet, qoftë dhe njëherë të vetme vëmendja ndaj tyre dhe të bëhet diçka konkrete? Qeveritarët tanë u kanë qëndruar pranë dhe bërë premtime nga më të ndryshmet, vetëm kur u janë dashur votat, por tani mungesa e vëmendjes dhe ndërgjegjësimi i autoriteteve për t’ ju gjendur afër, nuk ekziston. Ata kanë gjithmonë pranë nevojën e një personi, që të kujdeset për ta, jo vetëm fizikisht, por dhe shpirtërisht, këtë gjë mund ta bënim fare mirë të gjithë ne, por jemi ende shumë mbrapa kësaj kulture mesa duket. Është e nevojshme për ta të dalin, të merren me një aktivitet çfarëdo e jo të ngujohen e të privohen nga kënaqësia minimale e të qenurit gjallë. Çdo ditë që kalon për ‘ta është shumë, të bëhet diçka sa nuk është vonë! Lidhur me këtë problem, kontaktuam për gazetën “Telegraf” me zotërinjtë Bajram Tirana, kreu i Shoqatës së Para/Tetraplegjikëve të Tiranës dhe Sinan Tafajin, Kreu i Shoqatës së të Verbërve, duke marrë përgjigjet e tyre për dy pyetjet e mëposhtme…

    1)Ju keni specifikat tuaja si grup në nevojë, a ka ndonjë strategji apo lehtësi përsa i përket aksesit në lëvizshmëri për këtë kategori të caktuar njerëzish?

    2)Cilat janë problematikat që hasni më tepër gjatë përditshmërisë tuaj dhe a ndiheni të përkrahur nga strukturat qeveritare?

    Bajram Tirana, Kryetar i Shoqatës së Para/Tetraplegjikëve në Tiranë

    1) Ne jemi në vargun e lobingut jo vetëm për lëvizshmërinë, por edhe për shqetësimet e tjera që nuk janë të pakta, si ajo shëndetësore, ekonomike, higjienike dhe nevoja për mjetet e nevojshme për lëvizjen, si karrigia me rrota etj., të cilat i sigurojmë me shumë vështirësi. Ka ende shumë për të bërë për këta njerëz në nevojë. Automjeti që disponojmë për nevojat tona, ka në muaj të drejtën të shpenzojë vetëm 70 mijë lekë të vjetra, gjë që është e papërballueshme dhe qesharake duke parë dhe çmimin e naftës. Paketa higjienike që duhet çdo muaj ka një shifër marramendëse, prej 1500 euro. Ata kanë nevojë të ndihen të rëndësishëm dhe të trajtohen njësoj si të tjerët në çdo institucion ku shkelin, e kemi jetën e kushtëzuar dhe duam ta jetojmë atë sot. Nuk kërkojmë luks, vetëm ndihmën e nevojshme.

    2) Secili nga personat në nevojë ka shoqëruesin e tij, i cili njihet dhe nga shteti. Por, janë të pashmangshme vështirësitë që hasim në çdo aks rrugor dhe institucion, si qendra shëndetësore, pallate, bashki etj.. Shteti duhet të jetë rregullator, pasi ka forcën dhe mundësinë për t’ i ndihmuar, duhet të bëjë më shumë për infrastrukturën, është e vetmja mundësi për të lëvizur paksa të qetë e të mbrojtur.

    Sinan Tafaj, Kreu i Shoqatës së të Verbërve në Tiranë

    1) Nuk ka asgjë, absolutisht asgjë. Sot për sot Shqipëria nuk ka asgjë dhe nuk po bën asgjë për këta persona. Është fatkeqësi të jetosh në këtë kohë me të tilla probleme. Bashkia para dy vitesh mori një nismë për trotuaret dhe sinjalistikën rrugore, por nuk u përfundua, duke i lënë këta njerëz përsëri në një gjendje të mjerueshme dhe të braktisur.

    2) Për sa i përket lëvizjes, nuk ndihemi aspak të qetë, mungon dhe sinjalistika më elementare për këtë grup njerëzish. Ata nuk kanë akses informacioni, akses të lexojnë një libër, gazetë apo revistë, mungojnë hartat. Çdo gjë e kanë të kufizuar dhe shumë të vështirë, kjo tashmë kuptohet, por ende nuk po shikojmë një dritë jeshile dhe fakte konkrete.