SYTË E TU

    419
    Sigal

    Poezi  Preç Zogaj

     

    Sytë e tu, sytë e tu…

    Sa mirë e dinë sa e bukur je,

    sidomos kur zbret bujarisht kësaj jete

    për t’u barazuar me bardët e tu.

     

    Ka qenë Afërdita, Kamadeva, Dianakëto

    gra pa varre, fantazi që prekin

    dhe u japin format e tyre të gjallave.

     

    Sytë e tu, sytë e tu…

    Misteri i tyre nuk e fsheh pemën,

    pemën tropikale ku dielli flijohet

    për puthjet e thjeshta.

     

    Misteri i tyre nuk më fsheh mua,

    sado që habitem me mirazhin tim

    në kopshtin me liana të syve të tu.

     

    Kur mbyllen ato

    unë përjashtohem

    të tokë të shkretë.

    Fjalët vdesin në një poezi

    që kam zor ta shkruaj.

     

    ____________________________________

    ZGJIMET MARSIANE

     

    Është muaji mars… Lulëzimi

    bllokon përsëri ngritjen time të kotë.

    Stacionet qiellore u shkrehën si orët,

    tani për tani nuk presin.

     

    Në fakt jam ende tokësor.

    Lidhur pas tokës dhe shtratit

    në orën tre pas mesnate.

     

    Nuk kam durim sa të zbardhë.

    Të ngryset, të zbardhë,

    të ngryset, të zbardhë

    gjersa të shfaqet në xham

    fytyra e Jezusit tjetër –

    shpërblimi i madh i durimit.

     

     

     

    ____________________________________

    KE ARDHUR TË MË MARRËSH

     

    Frangat në xhep dhe biletën,

    Bohemën në shpirt gjithashtu,

    ke ardhur të më marrësh me vete

    dhe unë s’të pyes se ku.

     

    E di se mirë është me ty

    gjithkund, gjithandej, gjithherë

    por di ndërkohë se s’do mund

    ta lë këtë vend të mjerë.

     

    Si klithëm nga pas do më vijë

    në fund të dheut po shkova

    fantazmë me mua do të rrijë

    natë e ditë po durova.

     

    Jo, jo mos m’i hidh ata sy

    ku viset vrapojnë si pulëbardha.

    E rëndë është ardhja me ty

    dhe shumë e rëndë mosardhja.

     

    Kështu mes dy fatkeqësish

    dënuar jam të jem vetëm

    mallkim dhe zëri që grish,

    mallkimi që s’jepem e s’jepem…

    Nuk do t’i frysh zjarrit

     

     

    ____________________________________

    NUK DO T’I FRYSH ZJARRIT

     

    Perëndeshë e re.

    Ashtu si trupin

    ti mbulon dhe trillet

    me një hutim fëmije.

     

    Por kur nganjëherë

    del në botë dhe ngjyhesh

    me gjithë trishtimin

    e mjerimit të sotëm.

    Dhe s’ke fuqi tjetër

    veç të marrësh plagë-

    Ti bëhesh femër

    deri në rrëzë të flokëve…

     

    Asnjë fjalë s’mbetet gjatë

    shpirtit jerm përpëlitet

    n’atë kohë shumëvjeçare

    ku veç emra trashëguam.

     

     

    ____________________________________

    KJO DASHURI

     

    Kjo dashuri vdiq papritur, pakujtuar

    në moshë të re dhe them në lulëzim.

    Po qajnë për të dhe vrasësit e saj.

     

    Era në xhama mban ritmin dhe rregullin

    e heshtjes që vjen nga kubetë e larta.

    Fjalët kësaj radhe treten në frymë,

    dita pa dashje shënon mungesën

    e qeshjeve të tua tashmë të djeshme.

     

    Djaloshi im në shpirtin tim

    vuri shallin e zi

    dhe trishtimin…