Svjetlana Marku: Një episod i bukur i jetës, por me një peng të përjetshëm

1209
73 vjetori i Brigadës së 7-të Sulmuese
Dita e shenjtë e krijimit të Brigadës së 7-të Sulmuese nuk kishte se si të mungonte një figurë nga familjet e shquara të asaj plejade ushtarake që kanë drejtuar brigadën e 7 sulmuese që nga krijimi i saj. Bëhet fjalë për vajzën e Gjeneralit Gjin Marku, Svetllana Marku , për të shprehur kujtimet e saj në këtë ngjarje të veçantë, kontributin e babait të saj në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare për çlirimin e atdheut. Pavarësisht se ngjarjet rrodhën ndryshe pas Lufte dhe familja e saj u internua, ajo përsëri thotë, se ishte një luftë e shenjtë, një luftë që u udhëhoq nga trimat dhe që babai i saj Gjenerali Gjin Marku ka një rol të rëndësishëm dhe të veçantë në historinë e kësaj Brigade Antifashiste të Luftës Nacional Çlirimtare.

Ishte data 15 mars 1994. Kisha 2 vjet që pas një dënimi politik 30 vjeçar dëbim internim, kisha filluar punë me ministrin e mbrojtjes në sektorin e përgjithshëm e përkatësisht në degën e letrave e pritjes së popullit për ministrin. Kisha detyrë instruktore (specialist) e për shkak të punës trokas në derën e ministrit Safet Zhulali për problem pune, por sa hyj ai më pyet : a do shkosh në Skrapar për përkujtimin e 50 vjetorit të krijimit të Brigadës të 7-të Sulmuese. Po, iu përgjigja- se ka kohë që më presin atje, por ngarkesa e punës më ka vonuar. Ai më thotë : Enverist është Skrapari – por unë me njëherë kundërpërgjigjem se – Skrapari nuk e ka njohur Enverin, kur ka krisur pushkën për liri e me qenë se Skrapari është mësuar që atje në të tilla ceremonira t’i shkojë udhëheqja më e lartë e shtetit, unë ju këshilloj që të vini në Skrapar! Po atë ditë shkoj me oficerin Skënder Guma (personi që merrej me problemet e veteranëve ) në shtëpinë e ish Komisarit të Brigadës së 7-të Sulmuese, z. Kadri Hoxha, i cili na priti bashkë me gruan e tij, znj Zyra. Ishin të dy shumë të kënaqur me vizitën tonë e më pas Skënderi i dha z. Kadriut të lexonte një fjalim që ishte përgatitur nga M. M, të cilin ai duhej ta mbante në Skrapar. Ai e lexoi e tha : – unë nuk mundem ta mohoj qe kam qenë komunist, pavarësisht vuajtjeve të mia! Unë do ta ndryshoj këtë fjali në mënyrën që duhet, duke shtuar disa fakte ,se ky është fjalimi im. Duhet të dini që unë jam i vjetër në moshë dhe i sëmurë dhe vetëm sa do te bëj hyrjen në lexim e më pas do të ulem në një karrige, se nuk mundem të rri gjatë ne këmbë. Pjesën tjetër do ta vazhdoj Svetlana së lexuari, jo vetëm se është vajza e Komandantit Gjin Marku, por dhe për faktin se ajo e ka ndjekur babanë e saj nga një burg në tjetrin deri sa vdiq! Në 16 mars herët në mëngjes arrin në M.M. ku na priste furgoni me shofer Gëzimin, një djalosh i bukur me flokë kaçurrela të zeza e sy jeshil, (që ishte kameramani po për fat të keq emrin nuk ia mbaj mend) e 2 vëllezërit oficerë Bilbil e Bedri Muka, të cilët kishin familjen prindërore që jetonte në Vlushë. Furgoni niset e ne arrijmë te shtëpia e z. Kadri Hoxha dhe, pasi e marrim çiftin me vete, nisemi drejt Skraparit. Rruga është e keqe, por të gjithë jemi të gëzuar. Pasdite arrijmë në Çorovodë ku, pasi lëmë atje çiftin Hoxha të lodhur shumë nga rruga e mosha, nisemi drejt Vlushës, që ishte në një rrugë me të përpjeta. Rrugës kishte pisha, e në disa prej tyre shihje degë te mbushura me rrjeta merimangash e thuhej që kjo ishte një lloj sëmundjeje që iu kishte rënë pishave. Arrijmë në Velushë ku na priste një grup njerëzish si dhe veteran Bajram Radëshi, pikërisht pranë Lapidarit ( memorialit) ku është krijuar Brigada e 7-të Sulmuese u përshëndetëm e, pasi biseduam pak me njerëzit që na uruan mirëseardhjen, filloi ceremonia. Veterani Bajram Radëshi filloi të lexonte fjalimin e tij, por pas pak një djalë me mbiemrin Satka (përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në Vëlushë) u revoltua dhe filloj t’i bërtiste veteranit B. Radëshit : – Si nuk të vjen turp ta ngresh në qiell Gjin Markun, kur ti gjatë diktaturës nuk ke lënë shpifje e fjalë të këqija pa thënë për të e po të them “largohu prej këtej!) E kapi prej krahu për ta larguar, po B. Radëshi po dridhej i tëri e ishte zverdhur kaq shumë sa u tremba se mos B. Radëshit i binte ndo një atak zemre dhe i thashë djaloshit Satka :- lëre të qetë, se është plak e ne nuk duhet te bëjmë me ata, atë qe ata kanë bërë me ne! –Jam shumë dakord – me tha ai- por ti nuk i ke përjetuar ato që kanë ndodhur këtu! Unë përsëri iu përgjigja se : – I di të gjitha se kanë përjetuar gjëra akoma më të rënda, por ta lëmë B. Radëshin te na kthehet i gjallë në shtëpi, se sa i vdekur nga tronditja e të mos mbyllet ceremonia e përkujtimit me një kufomë, por të mbyllet me dinjitet! Personat qe kishin ardhur me B. Radëshin u kthyen në Çorovodë e ne shkuam në sallën ku ishte shtruar darka. Kishin pjekur një qengj për mua e shoqëruesit dhe tavolina ishte mbushur plot me lloje të ndryshme gatimesh, te cilat kishin mbushur pjatat e pjatancat. Unë tepër e lodhur nga ngarkesa qe kisha në punë në M.M, e rruga nuk mundesha të haja asgjë, por për respekt hëngra vetëm pak salcë kosi të mrekullueshme e, pasi u urova ta gëzonin festën, shkova te shtëpia e familjes Muka, ku mamaja e Bilbilit dhe Bedriut me kishte bërt gati krevatin e rashë të fle si e vdekur. Të nesërmen, pas një gjumi të ëmbël e të qetë, të cilin nuk e kisha përjetuar prej vitesh, u zgjova herët e dola të shikoj zonën për qark. Isha ne një shtëpi ne anë të një fushe të gjelbëruar e anembanë isha rrethuar prej malesh të larta e pamja e tyre madhështore me la të menduar. Më sjell në realitet mamaja e dy vëllezërve Muka, e cila më thotë: – I sheh këto male Svetlana, dikur Gjini vinte këtu për festa, ky shesh nuk i nxinte të gjithë njerëzit që vinin për të takuar Gjinin, por sot as Gjini nuk jeton më e shumica e fshatarëve kanë zbritur nëpër qytete të mëdha ose të vogla. Këta që kanë mbetur po i shesin dhe lopët se nuk kanë se ku ta shesin qumështin e prodhimet e tij! Para nisjes mora një qese plasmasi të mbushur me dhe pranë lapidarit të Brigadës së 7-të Sulmuese si dhe një tufë me dega lulesh kumbulle që kishin çelur në një pemë pranë Lapidarit e pasi u ndamë me familjen Muka, furgoni u nis e të gjithë ishin të kënaqur nga dita e nata e kaluar. Data 17 mars po na çonte në distinacionin e dytë, Çorovodë. Arrijmë pranë fshatit Leshnje (vendlindja e Kahreman Yllit, shokut e mikut të babait tim (e gjithë familja e tij) e dy vëllezërit Muka më ndihmuan të zbres, se në anë të rrugës rriteshin disa zambakë jeshil, një lloj (specie) lulesh tipike të zonave malore me kërcell jo të gjatë, por rreth 15 cm i lartë. Mblodha dhe një tufë prej tyre dhe sa hipa në furgon, shkëputa një degë kumbulle dhe një zambak jeshil e ë vura brenda në faqe te një reviste te Ushtrisë e sipër u vura aparatin e kamerës, i cili do t’i mbante shtypur që të mos lëviznin, se i doja herbarium të thara. Arrijmë në majë të kodrës e në të majtë të rrugës kishim lënë Leshjen e të gjithë zbresin nga makina për të shijuar pamjen e bukur. Mëngjesi i freskët ku ndihej lehtë vesa që kishte pushtuar bimësinë ( përfshi dhe lulet e mija) e ku në kodër m’u duk sikur isha ulur mbi re e po fluturoja mbi to, si në një tapet fluturues e herë më dukej sikur isha në një det të qetë e retë sikur ishin dallgë të qeta që të përkëdhelin të gjithën. Dukej si kur ato ishin ulur poshtë për të na uruar “Mirëseardhjen” duke na prekur fytyrën e përkëdhelur atë. Era e lehtë gjithashtu po na përkëdhelte fytyrën me një freski të këndshme e në të njëjtën kohë, po na ngrohnin pak nga pak me nxehtësinë e tyre të këndshme, rezet e diellit që po ngrihej e po e shtonte nxehtësinë. U nisëm për rrugë se ishim vonuar duke parë ato bukuri magjepsëse (ose magjike t’i quash) duke lënë prapa retë që me përkëdhelnin fytyrën e më depërtuan në trup. Këtë ndjenjë nuk do ta harroj kurrë dhe dukej se tapeti i reve mbi të cilin isha ulur, kishte mbetur prapa duke fluturuar. Pas rrugës së keqe po ashtu në zbritje arrijmë në Çorovodë ku rrugët e sheshi ishin mbushur plot me njerëz. Ishim me vonesë e hipëm drejt në tribunën e ngritur me këtë rast e megjithëse nën inpresionin e natyrës që kisha lënë pas shikoj që në tribun mungonin znj. Parashqevi Ylli e z. Aqif Ylli ( gruaja e vëllai i të ndjerit Kahreman) e kur pyes me thonë që i kanë zbritur nga tribuna. Zbres e mezi kaloj mes turmës së ngjeshur për t’i gjetur personat që kërkoja, kur më ndalon një veterane nga Durrësi e me thotë e emocionuar : – A e di ti vajza e komandantit, se një herë gjatë luftës me ishin shkatërruar kaq shumë këpucët nga marshimet, sa këmbët më ishin bëre plagë e mezi ecja. Kalon pranë meje babai yt e pasi zbret nga kali më afrohet e me thotë: – shoqja partizane, kam kohë që ju vëzhgoj e kuptoj që këmbët i ke të vrara nga këpucët e marshimit. Për këtë unë të urdhëroj si komandant i yt që jam që ti të hipësh mbi këtë kalë. E rruga kështu vazhdoi unë mbi kalë dhe ai vazhdoi të ecte në këmbë deri në destinacionin e caktuar, ku arritëm në mbrëmje e ku më mjekuan këmbët. E lashë te takohesha me veteranen nga Durrësi, e cila dukej se ishte shumë e drejtë e dinjitoze, me qëllimin e mirë për ta takuar pas ceremonisë, për të mësuar prej saj emrin e jetën e saj familjare. Eci kur pa pritur me del përpara miku im, Enver Cakaj, i cili me tregoi se ku gjendeshin Parashqevi e Aqif Ylli. I mora e të tre hipëm në tribunë, ku vumë re se kishte ardhur ministri Safet Zhulali, disa ushtarakë e krejt drejtuesit e zonës së Skraparit. Në një karrige ishte ulur Kadri Hoxha e pranë i rrinte Zyraja, të cilët një pasdite më parë i kishim lënë në Çorovodë. Fjalën e hapjes së ceremonisë e mbajti Venetik Zajmi ( Kryetar i Këshillit të Qarkut në mos gaboj në atë periudhë ). Gjatë kësaj kohe isha takuar me Qemal Mançen, po mikun e babait tim e me mall kujtuam vitet e shkuara e filluam te dëgjonim ceremoninë. Fjala iu dha Safet Zhulalit e pa letër ai bëri përshëndetjen e tij dhe sheshi oshtiu nga brohoritjet e duartrokitjeve. Ministri Zhulali e kuptoi që ia kish vlejtur këshilla ime, të cilën ai e kishte vlerësuar. Nga karrigia ku ishte ulur u ngrit ngadalë komisar Kadri Hoxha, ku pasi lexoi shkurt fjalën e tij pas përshëndetjes hyrëse që beri, ma dha mua ta vazhdoja shkrimin e tij e sa herë ndaloja për të marrë frymë, sheshi oshtinte nga brohoritjet e shpërthente nga duartrokitjet e të gjithëve u qeshnin fytyrat. Sa mbaroi ceremonia e po flisja me Qemal Mançen, Sabri Sevranin e disa të tjerë të cilët m’i prezantuan ata të dy, vijnë e më thërrasin se u duhem urgjent. Arrita vetëm ta takoj pak vëllanë Kastriot Marku e mikun e tij Haxhi Kalluci, të cilët kishin ardhur me autobusin e Fierit të siguruar nga veteranët e Fierit ish pjesëtar te Brigadës së 7-të Sulmuese. Nisen ku më kërkojnë e në një dhomë gjej ministrin S. Zhulali, shefin e kuadrit Baki Shehi, Skënder Malindin, Venetik Zajmin, homologun e tij në Poliçanin z. Arshim Tusha, me të cilët gjatë drekës pata biseda të këndshme, çiftin Hoxha te cilëve iu kish ikur pak lodhja, se kishin fjetur të qetë natën në Çorovodë e dukeshin të qeshur. Me Venetikun e Arshinin biseduam si miq të vjetër. Ishte hera e parë që merrja pjesë në një ceremoni të tillë dinjitoze, se vet diktatura m’i kish ndaluar ato. Dollitë e para i ngritën Venetik Zajmi e pas tij Safet Zhulali, Baki Shehi etj. Erdhi radha ime e unë kurrë ne jetën time nuk kisha ngritur dolli për shkak të kushteve që kisha jetuar e këtë e thash kur ngrita dollinë. Dollia e parë qe për popullin e Skraparit. Tepër e kënaqur për festimet, dollinë e dytë e ngrita për Presidentin Sali Berisha që kish lejuar ministrin Zhulalin te vinte në këtë festë (e kjo dolli do të ishte e para dhe e fundit që ngrija për të), për ministrin Zhulali që erdhi vetë e respektoi këtë krahinë të nderuar në 50-vjetorin e B 7 S, në një kohë që zëra të ndryshëm kishin filluar mohimin e Luftës Nacional –Çlirimtare e të Ushtrisë N.Çl në të cilën u përfshin jo vetëm komunistët që drejtuan luftën e mbetën në krye të saj, por nga të gjitha rrymat politike e shtresat e popullsisë, se kur behet fjala për interesat e Atdheut, përçarjet e ndasitë politike mes tyre, bien poshtë! Nuk e takova dot më veteranen nga Durrësi, sepse ne drekuam veç, kurse të tjerët i kishin shpërndarë në familje të ndryshme në Çorovodë. Kurr u kthyem në makinë na prisnin Gëzimi e gazetari të cilëve u tregova që S. Zhulali më kish propozuar të shkoja me të me helikopter, por nuk kisha pranuar duke i thënë se ata mbrëmje unë do të isha ne varrezat e Shish Tufinës te babai. Isha ndarë me miqtë skrapallinj e rruga për kthim filloi. Isha shumë e qetë dhe e kënaqur me miqtë e mi, se sa me ekipin e Zhulalit në helikopter, në të cilin udhëtoi dhe çifti Kadri e Zyra Hoxha. Ne ora 20:00 në darkë isha në varrezat e Shish Tufinës e atje hodha dheun e Vlushës së bashku me degët e lulëzuara të kumbullës e zambakët jeshil duke i folur tim ati: – Babi, ti nuk erdhe dot në Skrapar, por erdhi ai tek ty, me dheun e lulet e tij-. Lotët me rridhnin çurg ! Ishte shumë vonë e u larguam nga varrezat, se u thashë që ishte gjynah natën të rrije në varreza. Të gjithë përpiqeshin të më ndalonin lotët që nuk pushonin deri sa erdhëm në shtëpi, ku me sforco i ndalova që të mos m’i shihte. Trokita në derë dhe ajo e lumtur doli për të më pyetur, se si ia kisha kaluar, por sapo i dhashë revistën ku kisha dhënë herbariumet për kolonelin anglez David Smiley, gjithë gëzimin që ajo pati kur më doli te dera, siç me priste gjithmonë, iku nga fytyra e qeshur e më tha : – si mundesh ti të më japësh revistën ku ke ruajtur herbariumin për kol. Smilyn e nuk e ke ruajtur një degë kumbulle e një zambak nga Vëlusha për mua. Kurrë nuk ta fal e megjithëse unë i thosha që – do të shkoj përsëri e do të të sjell- ajo më përgjigjej se mund të më sjellësh, por jo nga ky 50-vjetor i B 7 S. Ti më thua që – merre mami revistën me lulet herbarium, ku shumë mirë të kishe vënë atje dhe një degë kumbulle e zambak jeshil për mua e më thua : – kujdes se herbariumin e kam për kol. Smiley në një kohë që duhej te ishte dhe një tjetër pikërisht për mua në atë herbarium ! Ajo nuk me foli më atë mbrëmje e sot ky peng me ka mbetur për jetë, se në Vëlushë nuk do të shkoja më dhe mamaja kishte shumë të drejtë që u nevrikos e nevriku i mbeti për një kohë të gjatë. Vajta dhe herë të tjera në Skrapar e i solla lule të tjera, po kurrë me nga Vëlusha e ajo i donte shumë lulet e fushës, më shumë se ato të butat. Pak kohë pas kthimit nga Skrapari, më vjen në punë djaloshi me mbiemër Satka e më lutet t’i gjej ndonjë punë e bile më kishte sjellë si dhuratë një shishe me alkool. I them se nuk merrem me partitë e as me strukturat e PD-së – por ti pse je pa punë?, e pyes- Ai m’u përgjigj se – pas përplasjes në Vëlushë, Bajram Radëshi e kish pushuar atë nga puna e ai kishte mbetur pa punë, se B. Radëshi nuk i duronte dot ata që shanin Enver Hoxhën. Një herë tjetër që shkova në Çorovodë fjeta apostafat në shtëpinë e B. Radeshit e në mëngjes e pyeta, se pse e donte aq shumë Enver Hoxhën, ai m’u përgjigj, se kishte lexuar në një vepër të tij ku shkruante : – Popullit t’i jepet gjithçka që kërkon! e përsëri : – Populli duhej t’i plotësohej çdo dëshirë që ka! 

Kol. Davit Smilye pasi u thanë lulet, ia dërgova të qepura mbi një karton të hollë, të cilat i nisa me një zarf ekspres në Londër. Kol.Smaily i lumtur m’u përgjigj : E dashura ime Svetlana, të falënderoj shumë për lulet, por ti mos u mërzit, se shpirti i Xhinit atë ditë ka qenë në Skrapar, se fizikisht ai nuk mund të ishte atje ! Sot në Vëlushë nuk jeton më njëri, por kur u ktheva në punë do t’i propozoja ministrit Zhulali që qumështin e prodhimet e tij, t’i blinte ushtria për nevojat e saj e kështu dhe ushtria i merrte ato prodhimet me çmim të lirë e po ashtu ndihmohej popullata vendase, se bulmeti i Skraparit ishte i mrekullueshëm dhe ndihma dy palëshe ishte gjë fitim- prurëse për të dyja palët. Nuk më dëgjoi, por pak më vonë kur unë i zura në gojë një çështje të madhe korrupsioni që diskutohej në media, atij nuk i pëlqeu. Ky sinqeritet u kthye në dëmin tim dhe asgjë nga ato që i kisha kërkuar ministrit (sidomos nevojat familjare e personale) nuk do të realizohej, por të paktën unë u largova me nder e dinjitet nga M.M-ja. Nuk e mësova dot kurrë emrin e veteranes nga Durrësi, për të cilën besoj, se nuk jeton më, sepse shumica e tyre kanë vdekur. Shpresoj e besoj që fëmijët e tyre i ruajnë ato kujtime të prindërve pranë të cilëve kanë jetuar e që gjithë brezat e rinj, jo vetëm në Skrapar, por në të gjithë Shqipërinë t’i kujtojnë ngjarjet historike të vendit të tyre. Të kujtojnë që më 14 mars 1942 u krijua Çeta plakë e Skraparit me komandant Mestan Ujaniku e komisar Gjin Marku. 

P.S janë 300 partizanë të vrarë nga Brigada e 7 Sulmuese nga të cilët 138 janë vrarë brenda territorit shqiptar. 
Sigal