Suzana ZYRAKJA/ Ndryshimi nis nga stili i jetesës

    718
    Sigal

    Në fund të bulevardit “Gjergj Fishta”, te ish qendra e restaurimit të veprave të artit, vazhdon të mbetet si një përshfaqje masive dhe publike gjendja e 37 familjeve rome që jetojnë në kushte të paimagjinueshme në strehëzat e ngritura në trotuar. Vargut të gjatë të makinave në trafik, apo këmbësorëve të rastit, qoftë dhe më të pandjeshmit, nuk mund të mos i bëjë përshtypje kjo situatë, larg standardeve të qytetërimit bashkëkohor. Aq më shumë kur shikon fëmijë apo foshnja të porsalindura, që duke përjetuar këtë ekzistencë të varfër me familjet e tyre në rrugë, zor se vitet mund t’ua rikuperojnë dëmtimet emocionale e fizike. Pavarësisht vendimit të shpejtë të Qeverisë shqiptare për të nënshkruar tri zona banimi të përkohshme për këto familje, evidentimit të roleve e përgjegjësive nga ana e Ministrisë së Mirëqenies dhe Rinisë e në përgjithësi të institucioneve të kujdesit social, si dhe rolit aktiv të medias…ende këto familje rome jetojnë në rrugë. Fëmijët e varfër e të pastrehë, të dëmtuar emocionalisht, ka pak të ngjarë që të frekuentojnë shkollën e të përgatiten për mësime. Por si një dritë jeshile në mëngjeset e tyre gri buzë trotuarit, tashmë çdo mëngjes ndalon një fugon që merr fëmijët për t’i dërguar në shkollë. Fugoni e bën disa herë këtë rrugë dhe fëmijët e presin si një buzëqeshje mëngjesi. Është një risi e kujdesit në kushtet e emergjencës që i jep shpresë këtij komuniteti, se situata e tyre ekonomike dhe sociale do të ndryshojë dhe ata një ditë do të kenë statusin e qytetarit të barabartë si të tjerët. Që nga mesi i muajit gusht të këtij viti, Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare, QKSHK, në bashkëpunim me organizatat Romano-Kham dhe ARSIS, me mbështetjen financiare të Roma Education Fund është duke implementuar projektin “Mbështetje emergjente për fëmijët e komunitetit rom të dëbuar nga vendbanimi i tyre”, në fund të bulevardit, zona Selitë.

    Qëllimi kryesor i projektit është ofrimi dhe sigurimi i mbështetjes së menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët romë dhe anëtarët e këtij komuniteti. Kështu është arritur të bëhet regjistrimi i një numri fëmijësh në sistemin publik parashkollor dhe në klasë të parë në shkollat “26 Nëntori” dhe “Kongresi i Manastirit”, përmirësimi i mbarëvajtjes së vitit shkollor akademik të fëmijëve rom nëpërmjet suportit  ekstrakurrikular etj. Nga afro 67 fëmijë të këtyre familjeve që ende vazhdojnë të jetojnë në rrugë, vetëm një pjesë e tyre shkelin pragun e shkollës. Të tjerë, afro 45 fëmijë, nuk mund të shkojnë në shkollë për mungesë procedure, nuk kanë certifikata lindjeje, vendbanimi, për mungesa të theksuara materiale… Në këto kushte qendra sociale “Shtëpia e ngjyrave” ka ofruar për këta fëmijë ambientet e saj, si  një dorë e ngrohtë në kushtet e emergjencës. Kjo Qendër është pjesë e misionit ARSIS, e cila synon të krijojë një impakt pozitiv ndaj fenomenit të fëmijëve viktima të shfrytëzimit në rrugë ose të trafikuar. Kjo realizohet nëpërmjet adoptimit të masave të ndryshme parandaluese, mbrojtëse e rehabilituese të nevojshme, për t’i bërë këta fëmijë të sigurt nga ana sociale, ekonomike, edukative dhe shëndetësore. Fëmijët vijnë aty në orët e para të mëngjesit duke jetuar sadopak fëmijëri në normalitet. Higjenë, mëngjes e drekë si në një shtëpi të përbashkët dhe dita është e mbushur me aktivitete psiko-sociale për të përmirësuar zhvillimin e tyre social, emocional dhe të sjelljes. Po kështu, ekzaminim dhe ofrim të shërbimeve shëndetësore falas, duke dërguar dhe në komunitet  ambulancë e mjekë të specialiteteve të ndryshme, sigurimi i medikamenteve, ndjekja e rasteve të sëmundshmërisë, etj. Një punë e veçantë po bëhet me gratë rome, për përmirësimin e stilit të jetesës, duke e kërkuar ndryshimin e statusit si qytetar, së pari nga vetja. Pra duke zbutur dallimet e stilit jetësor, rivlerësim për shkollimin e fëmijëve, largimin e tyre nga rrisqet e rrugës, punët e rënda e të këqija etj. Gjithashtu, në grup trajnimi bashkëbisedohet për të ngritur zërin e tyre social, siç dhe kanë vepruar kohët e fundit, në mënyre kaq masive e publike, për të ndërgjegjësuar më tej shtetin e shoqërinë se ata kanë të drejta të plota të jetojnë si të barabartë në jetën urbane. Dhe jo vetëm të përpiqen për lobim, por për të patur influencë si grup social në ndryshimin, që kërkon kushte normale strehimi, sigurimi shëndetësor dhe ndihma ekonomike shtetërore social ekonomike.

    Romët të marrin vetë në dorë ndryshimin

     Në këtë mbështetje emergjente për fëmijët rom dhe familjet e tyre, të dëbuar nga vendstrehimet e mëparshme, një ndihmesë të dukshme po jep Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare. Ajo ka një vizion të saktë e me përvojë të pasur tashmë, duke asistuar dhe luajtur një rol kyç në sektorë të ndryshëm për zhvillimin dhe fuqizimin e komunitetit në fjalë. Misioni gjen shprehje në ofrimin e shërbimeve për nevoja të ndryshme të komunitetit rom, që kanë lidhje me shërbimin publik, mirëqenien sociale, ndërgjegjësimin publik, bashkëpunime me komunitete dhe familjeve për adresim të nevojave më imediate etj. Ajo që synon më shumë Qendra  Kombëtare për Shërbime Komunitare është që të arrihen ndryshime afatgjata. Këto ndryshime do të çojnë në një stil qytetar të të jetuarit të komunitetit rom. Thënë ndryshe, ta marrin së pari vetë në dorë ndryshimin, që lidhet së pari me ndryshimin e koncepteve të të  jetuarit, në higjienë, planifikim familjar, kujdesin për shkollimin e fëmijëve, duke patur e respektuar një vendbanim e duke mos pritur të mbahen nga të tjerët. Të priturit vetë nga të tjerët do të cenonte identitetin e tyre moral dhe integritetin. Integrimi i komunitetit rom si i barabartë në shoqëri nis nga shkollimi. Rastet e familjeve rome që e kanë kuptuar drejt këtë dhe që kanë rritur e arsimuar me sukses fëmijët dhe në Universitete publike e private nuk mungojnë. I kemi parë këto jetë reale të vetërealizuara dhe në dokumentarë televizivë. Ata janë shembuj që të ftojnë t’i ndjekësh pas. Prandaj, ndjehemi shpresëmirë kur shohim nënat rome të këtyre familjeve, që ndonëse jetojnë ende në trotuar, bëjnë me aq sa munden ritin e mëmësisë për të përcjellë fëmijën për në shkollë apo te Qendra “Shtëpia e ngjyrave”. Sigurisht, që ato nuk duan që fati i tyre të përsëritet në ardhmërinë e fëmijëve. Ndërsa fëmijët dëshirën për shkollë e dije e shprehin dhe në vizatimet e tyre me ngjyra afishuar në muret e Qendrës. Sigurisht, që pasi të kenë një strehë të sigurt, përmirësim të jetës sociale do synojnë të prekin ëndrrat si çdo bashkëmoshatar. Se ëndrrat nuk kanë ngjyrë! Mbështetja emergjente për fëmijët dhe familjet rome, të dëbuar nga strehimet e tyre, është menduar deri në fund të vitit. Deri atëherë shpresojmë që të jetë zgjidhur problemi i strehimit dhe të kenë ndodhur ndryshimet e dukshme në përmirësimin e situatës së tyre ekonomike e sociale.