Suzana Skeja: Kirurgë-kasapë dhe gjykata që luajnë pingpong me fatet e të dëmtuarve

    550
    Sigal

    Flet qytetarja Suzana Skeja: Mjeku i QSUT-së më operoi nga tiroidja, por më hoqi dhe zërin

    Shqipëria ndodhet ende në një situatë të nderë, ku duket sikur asgjë nuk funksionon siç duhet dhe luhet egër me fatin e njerëzve të thjeshtë. Madje, këtë lojë të shëmtuar e luajnë edhe mjekët, të cilët duhet të ushtrojnë me profesionalizëm dhe dinjitet profesionin e tyre, por edhe nga gjykatat në shqyrtimin me paanësi dhe drejtësi, duke dhënë vendime të drejta pa zvarritur çështjet, që kanë për shqyrtim. E gjitha kjo “duhet”, fatkeqësisht do të shkaktojë një nënqeshje sarkastike, por të paktën të mos heshtim ndaj padrejtësive, duke ngritur zërin të gjithë. Gazeta “Telegraf”, në numrin e saj të datës: 7 Nëntor 2014 botoi rastin e shtetases E.Roka, e cila kishte ngritur padi në Gjykatë, me objekt dëmshpërblimin për dëmin e kryer nga një Qendër Spitalore Private, gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në gjëndrën e tiroides. Por, a është ky i vetmi rast në Shqipëri?

    Një rast tjetër i ngjashëm, është ai i shtetases Suzana Skeja, por në këtë rast e paditur është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, e cila ka hyrë në një labirinth, nga i cili nuk dihet se kur dhe si do të dalë. Madje ajo është paditëse në dy çështje të ndryshme me objekt dëmshpërblimi, ku në njërën është paditur QSUT-ja dhe në tjetrën një klinikë private në Tiranë.

     QSUT dhe Suzana përballen në gjykatë

    Gjykata Civile e Shkallës së Parë Tiranë, më datë: 05.11.2013 ka regjistruar çështjen civile me Nr. 6033, me paditëse shtetasen Suzana Skeja dhe të paditur Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, me objekt dëmshpërblimin në vlerën 5 milionë Lekë të reja, si pasojë e dëmit shëndetësor, psikologjik, estetik, ekonomik dhe fitimit të munguar, të shkaktuar nga një ndërhyrje kirurgjikale në gjëndrën tiroide. Gjykata Civile e Shkallës së Parë Civile, me gjyqtar të çështjes Z. E. Pollozhani, me Vendimin Nr. 4731, datë 14.04.2014 shpall “Inkompetencën”, duke ia kaluar çështjen për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative. Kjo Gjykatë, me gjyqtare të çështjes Znj. Selvie Gjocaj, e paqartë për kompetencat e gjykatave, ia kalon çështjen Gjykatës së Lartë për të përcaktuar kompetencat e shqyrtimit të kësaj çështjeje.

     

    Historia

    Historia e paditëses Suzana Skeja nis në vitin 2010, kur kjo shtetase diagnostikohet me problem në gjëndrën tiroide, si pasojë e prodhimit të tepruar të jodit nga gjëndra tiroide dhe mjekët e QSUT-së i rekomandojnë ndërhyrje kirurgjikale. Duke besuar në fjalën e mjekut otorinolog Endri Shehu, që ndërhyrja do të ishte e thjeshtë dhe me sukses, i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Nëntor të vitit 2010, siç pasqyrohet edhe në Kartelën Mjekësore Nr. 724359. Pas operacionit, pacientja vë re problem në të folur, ku tingujt e zërit dilnin të ngjirur e të paqartë. Por, pas konsultimit me mjekun kirurg otorinolog, E.Shehu, i thuhet se është një situatë normale postoperatore dhe se gjithçka do të rregullohej pas disa ditëve. Por kaluan kohë dhe zëri nuk pati përmirësim.

    Pas disa konsultave me mjekë të tjerë, i bëjnë me dije se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale i ishte dëmtuar korda vokale e zërit dhe se zëri ishte i parikuperueshëm. Ndodhur në këtë situatë, me dëmin shëndetësor në kordën vokale, me shenjën e shëmtuar dhe të tepruar për një operacion të tillë, me gjendjen e rënduar psikologjike, e ardhur si pasojë e këtij dëmtimi, me statusin e së papunës, duke qenë se zëri e pengonte të gjente një pozicion pune në profesionin e saj si ekonomiste, madje edhe një aktivitet biznesi si subjekt fizik e mbylli pas operacioni, ngriti padi në Gjykatë, duke kërkuar dëmshpërblim në vleftën 5 milionë lekë të reja. Përveç pagesës prej 12 mijë lekë të reja, si taksë regjistrimi të padisë në Gjykatën Civile të Shkallës së Parë dhe pagesës prej 50 mijë lekë të reja si taksë e 1 % të shumës së kërkuar si dëmshpërblim për padinë, që kaloi për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative, nuk dihet se edhe sa taksa të tjera duhet të paguajë, apo mos ndoshta këto pagesa që ka kryer do t’i quhen nul.

    Ndërkohë, pritja se çdo të bëhet me fatin e çështjes së saj, mbetet pezull, si pasojë e mosprofesionalizmit të gjykatave, të cilat në vend të japin drejtësi, luajnë ping – pong me fatin dhe jetën e paditëses. Jemi të ndërgjegjshëm, që një ligj i ri, si ai për funksionimin e Gjykatave Administrative has vështirësi në adaptim, por që një gjyqtar të ketë vështirësi në kuptimin e këtij ligji, kjo tregon mungesë totale profesionalizmi. Zvarritje pafund, ndërkohë as shteti nuk mendon për raste të tilla. Madje, e dëmtuara nuk përfiton as ndonjë pagesë mujor KEMP-i, sepse sipas nëpunësve të administratës, duhej të kishte qenë mësuese ose këngëtare, që të përfitonte pagesë mujore nga shteti, për paaftësi.

    Gjykatat favorizojnë QSUT-në

     Të të operojnë në atë mënyrë kafshërore, sikur të jesh operuar nga kasapë e jo mjekë kirurgë dhe të zvarritesh në këtë mënyrë të pajustifikueshme nga gjykatat, ndërkohë që kërkon vetëm të drejtën tënde, kjo është një torturë, nga e cila nuk dihet se kur do të shpëtosh. Duket sikur Gjykatat mbajnë anën e të paditurve dhe sikur qeshin me fatkeqësinë e “viktimave” të bisturisë së kirurgëve të paaftë. Gjykatat, që duhet të japin drejtësinë dhe, në lehtësim të dëmit, t’i japin dëmshpërblimin e merituar paditëses, luajnë me njëra-tjetrën, sepse s’kanë njohuri mbi ligjet, apo se në mënyrë të tërthortë përkrahin Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë. Pagesa të njëpasnjëshme taksash e detyrimesh dhe seanca gjyqësore të zvarritura, sakrifica të cilat nuk janë vetëm ekonomike, por edhe psikologjike. Po mirë se po sakrifikon, por më e keqja është se askush nuk e di si do të jetë përfundimi. Pritje pafund, që presin çdo ndjenjë e motiv shprese, dalëngadalë, duke i venitur ato pak nga pak. Por, a duhet të ketë ende besim tek gjyqësori shqiptar? Kjo ende mbetet për t’u parë… Ndërkohë, Suzana Skeja ende mbahet pas asaj shprese, që shpresojmë të mos jetë sipas përkufizimit “Shpresa është gënjeshtra e jetës”…

    Suarda DALIPI*- Anëtare e Bordit Drejtues të “Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare”

    Shënimi i redaksisë: Qytetarja Suzana Skeja, pas zhgënjimit që pësoi, ka hapur padi, edhe për klinikat private që operojnë në Tiranë. Gazeta “Telegraf” ka investiguar dhe kontaktuar me palët e përfshira për t’i shkuar deri në fund këtij problemi. Shumë shpejt do të zbardhim çështjen, pas një ballafaqimi me të dyja palët.