Suplementi Pena Shqiptare/ Vasil Tabaku: “Një përsiatje e pambaruar”

579
Të flasësh, të krijosh jetë brenda poezisë, të bësh shpirtin dhe ëndrrën, të bësh ditën dhe natën, të bësh vështrimin dhe këngën, të bësh puthjen dhe dritën…Pak a shumë kjo është sfida e të qenit poet, sepse je padyshim një PERËNDI, je një zjarr dhe një qiell, je një dashuri pa kufij, je POET, i çiltër dhe i pastër, i ëndërrt dhe real, i prekshëm dhe njerëzor. POETI është vet magjia, i pastër, është drita dhe zëri i të gjithëve, është heshtja dhe dëshira që zgjohet, është marrëzia e sinqertë dhe bukuria e çmendurisë njerëzore. Të jesh poet, do të thotë të jesh i ndryshëm, i veçantë dhe aspak i qetë, je vetë stuhia, je fshehtësia e yjeve dhe ëmbëlsia e puthjes, je vetvetja dhe zbulues i fshehtësive të fshehta. POETI është dashuria, zgjimi i përqafimit dhe dallga e detit, furia e tufanit dhe përkëdhelia e puhizës së lehtë. POETI është aroma e lules dhe petaleve, është gjethi dhe degët e gjelbra, është rendja e mjegullës mbi shpatin e malit dhe furia e shiut të pranverës…POETI, një dashuri e pasosur dhe një mall që nuk njeh kurrë shuarje…Mes tij dhe BOTËS gjithmonë ka ca ura lidhjeje të fshehta, të padukshme nga kalon mendimi ynë dhe kënga…POETI është pasioni I ndezur dhe klithma e zogjve, fluturimi dhe rrufeja, krahu I ylberit dhe paqja qëkur nuk pushon së dashuruari. POETI është mesazhi juaj mbi buzët e ditës, është fjala ende e pathënë e vajzës ndaj dashurisë dhe dashuria ende e qelqtë që pret të thyhet mbi buzët tona. POETI është brenda jush, është gjithçka që ju ndjeni dhe doni të shprehni…POETI është Universi ende i pa eksploruar…POETI, mos harroni, asnjëherë, të gjithë e kemi brenda vetes, në thellësi të kraharorit tonë aty ku merr jetë jeta…
Sigal