Suplementi Pena Shqiptare/ Sot një vit pa Dritëroin. Kur të jesh mërzitur shumë

841
Dritëro Agolli: Pasuria gjuhësore si shprehëse e filozofisë jetësore në veprat e Agollit
Dritëro Agolli ishte poet, prozator, dramaturg, publicist dhe politikan shqiptar. Që nga viti 1973 ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë gazetar të përditshmen: “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka bashkëpunuar me organet e shtypit shqiptar, madje edhe me të përjavshmen “Hosteni”. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një semundje kronike në mushkri por, ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare.

Kur të jesh mërzitur shumë
Këtu s’ do të jem, do jem larguar; 
Në tokë i tretur si të tjerët, 
Në kafenenë e preferuar 
Nuk do më shohin kamarierët. 
Dhe nëpër udhët ku kam ecur, 
S’do ndihet kolla ime e thatë, 
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur 
Një qiparis si murg i ngratë. 
Ti do trishtohesh atëherë, 
Se s’do më kesh në dhomë gjallë, 
Dhe, kur në xham të fryjë erë, 
Do qash me erën dalëngadalë. 
Po kur të jesh mërzitur shumë. 
në raft të librave kërkomë, 
Atje do të jem i fshehur unë, 
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë 
Mjafton që librin pak ta heqesh 
Dhe unë do zbres, do vij pas teje; 
Ti si dikur me mall do qeshësh, 
Si një blerim pas një rrëkeje.
Kohë më vonë
Kohë më vonë e ndofta më shumë, 
Kur të ketë bleruar një dardhë 
Dhe kur lumi në prill të zbresë më shkumë, 
Une e di, do vij me kalin e bardhë, 
Para jush do shfaqem,-që s’patët fat të më njihni, 
Se disa nga ju vërtet u lindën më vonë 
Dhe të tjerët mbase s’e dinin 
Që mes tyre jetoja diku në një dhoëe 
Dhe shkruaja librin e fundit 
Të vështirin, korrigjuar radhë më radhë.- 
Une e di, do vij kur ju të notoni mes gjumit, 
Mos harroni, do vij me kalin e bardhë.
Mjegulli i Dashurisë
Kur ikja larg drejt teje vija, 
kur vija afër ikja larg 
për dreq më trembte largësia 
dhe afërsia bëhej çark. 
As e kuptoja si të desha 
një mjegull pus, një çmenduri 
si një poet që shkruan vjersha 
dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi. 
dhe ndoshta kjo ish dashuria 
e çakërdisur kuturu…
për dreq, më trembte largësia 
dhe afërsia gjithashtu!
Sigal