Sigal

Rexhep Meidani lindi më 17 gusht të vitit 1944 në Tiranë, është politikan shqiptar, ish president i Shqipërisë. Diplomoi në Universitetin e Tiranës (1966), Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN), dega fizikë, si dhe përfundoi me sukses studimet pasuniversitare në Universitetin e Kanës (Francë) (1974). Në fushën profesionale zoti Meidani punoi fillimisht si pedagog, si shef katedre dhe më pas si dekan i FSHN (1966-1996). Gjatë kësaj periudhe zoti Meidani botoi një numër të madh studimesh, librash dhe artikujsh brenda e jashtë vendit. Zoti Meidani mban titullin shkencor “Profesor, Doktor”. Karriera politike e zotit Meidani nisi pas viteve ’90. Ai ishte kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991 dhe anëtar i Këshillit Presidencial (1991). Gjatë viteve 1992-96 u angazhua në shoqërinë civile duke qenë edhe kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-96). Më 1996 aderoi në Partinë Socialiste duke u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i saj (1996-1997). Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit 1997 zoti Meidani u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë i drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997 me propozim të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi zotin Meidani President të Republikës, detyre te çilen e ushtroi deri me date 24 korrik 2002 kur u zëvendësua nga pasardhësi i tij, Alfred Moisiu.

Veprat

Kurthet e shtetit – komb

Të vërtetat dhe të fshehtat e entropisë

Mbi hapësirë-kohën

Politika, morali dhe shteti

Përplasja e qytetërimeve dhe përpunimi bashkëkohor në kuadrin e globalizmit

Aktualiteti i trajtimit të çështjeve bazike të tilla si ato të etnisë e kombësisë, kombit e shtetit, popullit e gjuhës, kulturës e identitetit kulturor, shtetit-komb e rendit global të sjella në vepër

Autori, në përgatitjen e kësaj vepre, të botuar prej shtëpisë botuese “Mileniumi i Ri”, krahas shfrytëzimit të një literature shumë më të bollshme e bashkëkohore, ka rikonsideruar e dimensionuar dhe mjaft ide, të trajtuara në disa botime të tij të mëparshme. Në disa kapituj është shfrytëzuar dhe një pjesë e materialit të përfshirë në botimin e mëparshëm shumë më të shkurtër, të titulluar: “Kurthet e shtetit-komb” (Toena, Tiranë, 2005), apo në variantin e tij në spanjisht: “Las trampas del Estado-nación” (Siddharth Mehta Ediciones, Madrid, 2007).  Po ashtu, për të ndihmuar lexuesin e interesuar, paralelisht me variantin aktual të librit, u përgatit nga autori dhe një material shtesë mbështetur në një leksion të Ernest Renan-it, të titulluar: “Qu’est-ce qu’une nation?” dhe të mbajtur prej tij në Sorbonë, më 11 mars 1882 (E. Renan, Ç’është kombi?, Përkthimi, parathënia, komentet dhe plotësimet nga R. Meidani, Fan Noli&Kumi,Tiranë, 2018). Aty analizohen çështje të tilla si: raca, gjuha, feja, bashkësia e interesave, gjeografia apo ajo që lidhet me kufijtë natyrorë, që kanë pjesën e vetë në copëtimin e kombeve. Pra, tek Renan-i, në përkufizimin për kombin, janë marrë në konsideratë elementë të tillë si: raca, gjuha, feja, gjeografia dhe interesat konkrete. Disa prej tyre kanë dhe përmbajtje “natyrore”, ose më saktë, mund të shihen si të tilla, në kuptimin që ato janë të lidhura me një shans kulturor (gjuha, feja) kundër të cilit njeriu i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë. E thënë ndryshe, ato janë të pavarura nga vullneti individual i njeriut. Gjithashtu, në lidhje me racën, një komb nuk mund të jetë tërësisht i pastër, pavarësisht nga ndërhyrja e njeriut. Parë me këtë sy, thjesht veçoritë fizike (gjeografia, raca) apo ato sociale (gjuha, feja) nuk mjaftojnë në përcaktimin e kornizave të përkatësisë së një kombi. Në fakt, aty duhet të përfshihet edhe veprimtaria e mëparshme njerëzore e mishëruar, në një mënyrë apo tjetrën, në vullnetin aktual, veçse një komb, ama, nuk mund të jetë, as prodhim “matematik” vullnetesh pa përmbajtje dhe thellësi historike, as thjesht një rezultante mbledhëse e interesave të përbashkëta. E thënë thjesht, aty veçohen dy elementë: 1) kujtesa (memoria) e një të kaluare të përbashkët, që magazinon fakte, aksione e vepra të rëndësishme të përbashkëta; dhe 2) rikonfirmimi i vullnetit për të jetuar së bashku, brenda të të njëjtit komunitet. Pa një memorie konkrete, nuk mund të ketë shoqërizim, një bashkim të mundshëm të njerëzve në një komb, sepse një vullnet i tillë për një jetesë të përbashkët nuk mund të manifestohet pa një të kaluar të tillë të përbashkët. Po ashtu, në mungesë të kësaj kujtese, pa ekzistencën e saj nuk mund të zhvillohet e të mbrohet më tej ky vullnet, pra dhe vetë kombi i mbështetur mbi të. E thënë më thjesht, pa atë memorie kolektive, pa krijimin e saj apo, akoma, me shuarjen e saj, as nuk mund të ndërtohet as nuk mund të mbijetojë dot dhe vetë kombi i ndërtuar mbi të. Në këtë kuptim, kombi lind e zhduket; ai nuk është i përjetshëm. Ai, siç ka lulëzimin, ka dhe degradimin e tij; siç ka ngritjen, ka dhe rënien e tij; siç ka fillimin, ka dhe fundin e tij. Pra, në këtë kuptim, kombi është i vdekshëm, ai është një kategori politike dhe historike. Çdo komb, në vetvete, ka një ekzistencë relative dhe të rastit, të varur si nga e kaluara, nga kujtesa e saj historike, ashtu dhe nga vullneti i përbashkët për ta ruajtur këtë njësi, ende të vlershme në të tashmen, pse jo dhe në të ardhmen e afërt. E thënë shkurt, kombi është një kombinim binomial i së kaluarës me të tashmen, i një politike të lindur dhe të ndërtuar nga aksioni i përbashkët, si në të kaluarën ashtu dhe të tashmen. Parë me këtë sy, kombi mund të konsiderohet dhe si një kategori dyfish politike. Nisur nga një shikim i tillë, në veprën e R. Meidanit i kushtohet një vëmendje e veçantë shtjellimit të disa ideve kryesore mbi kombin e shtetin-komb, sidomos të koncepteve themelore të lidhura me to, sa problematike po aq dhe në evolucion të vazhdueshëm në kushtet e reja të globalizmit. Ato lidhen, në një mënyrë apo tjetër, me vetë zhvillimin historik të qytetërimeve të ndryshme, që pavarësisht zigzageve bashkëshoqëruese të tij, ka qenë i lidhur ngushtë me ngritjet dhe rëniet ekonomike, në një varësi pothuajse paralele me vetë ngritjet dhe rëniet e kombeve, në një konceptim klasik të tyre. Veçse, ngritje apo rënie të tilla, krahas karakteristikave të drejtpërdrejta social-ekonomike, kanë qenë, në një mënyrë apo tjetrën, rrjedhojë edhe e faktorëve konkretë objektivë e subjektivë, rastësorë e të domosdoshëm, e veçorive gjeografike e natyrore, shoqërore e njerëzore, kulturore e gjuhësore, me vetë evolucionin e pandërprerë të dijes, të shkencës e teknikës. Me mjaft ndikim ka qenë vetë sistemi politik e qeverisës, mënyra e ndryshimit, e evolucionit të tij apo e vendimmarrjes politike, pa mohuar në atë vendimmarrje dhe rolin e përfaqësimit individual. Në përputhje me këtë zhvillim kanë pësuar ndryshim e pasurim dhe mjaft çështje bazike të tilla si ato të etnisë e kombësisë, kombit e shtetit, popullit e gjuhës, kulturës e identitetit kulturor, shtetit-komb e rendit global të bazuar në të, etj. Një veçori tjetër në libër është dhe fakti që shtjellimi i çështjeve të mësipërme, në jo pak raste, ndjek një rrugë jo lineare, me kthime e rikthime, përgjithësisht, sipas një spirale ngritjeje. Sidomos, përpunimi bashkëkohor i këtyre çështjeve, në pajtueshmëri me vetë procesin e globalizimit, bëhet më se i domosdoshëm edhe në kuadër të teorisë hantingtoniane të “përplasjes së qytetërimeve”. Aq më tepër që kjo përplasje, në gjykimin e vet autorit, në jo pak raste, është ekstremalizuar dhe ngritur në “piedestalin” e një teorie dhe praktike të politikës ndërkombëtare. Vlen të theksohet, po ashtu, se trajtesa në libër e një tematike të tillë politiko-shkencore, sa historike, po aq dhe aktuale, përgjithësisht ende delikate për kohën, nuk ka ndonjë karakter provokues për fqinjët ballkanikë, apo që të synojë dhe ushqejë ndonjë përafrim panshqiptar. Ajo është thjesht një sprovë e autorit, në vazhdën e përpjekjeve për të “medituar” në mënyrë të lirë edhe në fusha të tilla komplekse, të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me paradigmën e vazhdimësisë dhe të ndërprerjes; me korrelacionin dhe dinamikën e pjesës me të tërën. Madje, ajo, në shumë kuptime, duket larg interesave të çastit të politikës shqiptare, që kërkon shumë më shpesh gjëra të “gatshme”, pse jo dhe “fastfood”-et e radhës. E tillë ka qenë, p.sh., përgatitja e ligjit “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, sipas të cilit pakica kombëtare në Shqipëri u përcaktuan ajo greke, maqedonase, vllahe/arumune, malazeze, boshnjake, serbe, egjiptiane e rome; duke përfshirë aty si pakica etnike e kombëtare dhe ato të fundit, që janë thjesht kulturore. Pavarësisht këtij “teprimi” konkret, politika shqiptare, jo rrallë, të habit me sjelljen e saj “laramane”; sepse ajo diku sillet si pragmatike e gjoja moderne, diku imiton e bëhet servile, diku shfaq qëndrime të huazuara e “globale”, diku përpiqet të bëjë hile dhe të mashtrojë. Pra, nuk mungojnë as pozicionime kontradiktore mbi çështje me peshë në politikën kombëtare; njëherë me “shit-blerje” patriotike, njëherë tjetër me “pazare” kozmopolite. Në këtë kuptim, me gjithë neutralitetin e treguar në trajtim e analizë në përgatitjen e librit, në shembujt e ilustrimet e përfshira në të, mund të mos mungojnë reagimet e kritikat për një konservatorizëm ideologjik e tejkalim patriotik (ndoshta, dhe më keq, për një nacionalizëm të pastër), nga njëra anë, apo, nga ana tjetër, për një liberalizëm tejkombëtar (më saktë, për një theksim të tepruar të ndërvarësisë ndaj sovranitetit). Aq më tepër, që vetë libri, nën mbulesë globale apo me “fshehjen” e dobësimit gradual të shtetit kombëtar, mund të rrezatojë, me dashje ose pa dashje, dhe vetë bindjen e thellë të autorit për një ndërvarësi me tipare gjithnjë e më absolute, ndaj një sovraniteti me tipare gjithnjë e më relative, në binomin ndërvarësi-sovranitet. Së fundi, sipas autorit, mbështetur fuqishëm mbi lirinë, mbi këtë kolonë bazike në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, në respekt të të drejtave të tij, të identiteteve konkrete kolektive e individuale, kulturës, gjuhës, traditës, etj., mund të arrihet të ndërtohet një rend i ri botëror i pavarësi-ndërvarësisë dhe i shumëllojshmërisë kulturore e pasurisë gjuhësore. Krahas zhvlerësimit në vazhdimësi të “kurtheve” të shtetit-komb në betejën e tij për të shtyrë sa më gjatë “ditën e vdekjes”, ky rend mund të jetë rendi i një ideologjie të përbashkët si ajo e lirive dhe të drejtave të njeriut, por dhe i një ekonomie morale tregu, një ekonomie metakapitaliste mjaft më sociale. Është pikërisht ky rend i ri që mund të vendosë në qendër të tij qytetarin global, të lirë dhe të barabartë, që, pavarësisht përkatësisë së tij (etnike, fetare, kulturore e racës), të mund të deklarojë në çdo çast dhe në çdo vend: Civis sum! (Unë jam qytetar!)…Është pikërisht ky rend “atomik” i qytetarit të lirë e sovran, pavarësisht origjinës e përmasës konkrete të përkatësisë së tij kombëtare, që do të duhet të mishërojë të ardhmen e afërt të shoqërisë njerëzore, vetë ëndrrën e barazisë njerëzore dhe të lirisë, pra dhe rendin e vërtetë botëror, që duhet të fuqizojë më tej një përmbajtje të tillë. Por arritja e këtij niveli të zhvillimit njerëzor nuk duket aq e lehtë, për aq kohë që vetë rendi botëror aktual, me gjithë gërryerjen graduale, në kushtet e reja globale e hapësinore-kohore, vazhdon të konceptohet dhe të funksionojë si një rend i shteteve-kombe. Ky është dhe “kurthi” qindravjeçar që ky shtet-komb na ka ngritur, madje duke vazhduar të mbijetojë me konservatorizëm, diku i dobësuar si në fund të shekullit të 20-të dhe diku i fuqizuar si në vitet e fundit…