Suplementi Pena Shqiptare/ Pullumb Ahmeti: Largim mes psherëtimash

452
Sigal

Çliroi një ofshamë si i zënë në faj dhe u largua pa thënë asnjë fjalë… Silueta e tij stërzgjatej nga hija e pasdites, ku dielli ishte lëshuar tatëpjetë horizontit me turravrap si një bishë e etur për pak ujë drejt buzës së detit. E vështrova pa ia ndarë sytë deri sa kapërceu shtegun e ngushtë mes pishash të mbjella disa vite më parë, të cilat ishin rritur goxha në atë bokërrimë të pjerrët. Me dorën që më dridhej akoma, ku ruaja si relikte të veçantë shtrëngimin e fortë të tij, shtyva ngadalë deriçkën e kopshtit, e cila rënkoi nga mosha e saj e vjetër. Hodha vështrimin ngadalë rreth e rrotull bahçes dhe një ndjenjë e pakuptimtë përshkoi me të rrëqethura sa hap e mbyll sytë kurmin tim. Ndoshta, tani ai ishte duke menduar poezinë e re për mua, ashtu siç bënte gjithnjë kur ndahej prej meje:

Më prit! – të thashë, kur ika mbrëmë,
Më hënë të re do të mbërrij tek ty.
Shikoje pak, si kupë të ka rënë
Harkholla – vetull përmbi sy.

“Eh, – mendova atë çast, – si iku ashtu pa thënë asnjë fjalë… Mos u lëndua dhe nuk më tha?.. Si s’m’u dha ta pyesja, por rrija e shikoja duke përpirë sytë e tij jeshilë… Dhe në moment filloi të më kujtohej në mënyrë marramendëse tërë biseda e mëparshme… Mos dashuria, adhurimi për të, më pengoi të shihja tej asaj fytyre të qetë, ku ballit i dilnin nja dy rrudha të lehta, që syri im mezi i kapte, dhe mendimi i rëndonte në to gjatë tërë bisedës?

– Do të iki për disa kohë, – më tha.
-Pse, – e pyeta rrëmbimthi, – ku do shkosh? Dhe u preva në fytyrë ku gjaku lëvrinte me shpejtësi nga rrahjet e çrregullta të zemrës. Nuk doja që ai të ikte.
– Kam mbetur pa punë, – më foli duke ulur ngadalë kokën.
Unë, ato çaste, kërkoja ta shikoja drejt e në sy, por ai e tundte sa andej këndej dhe së fundi psherëtiu thellë:
– Nuk jetohet në këto kushte, – pushoi pakëz e përsëri foli, – e kam të zorshme t’i lutem time ëme për t’i kërkuar lekë për një kafe… më rëndon mal mbi supe… më kupton? – më pyeti ngadalë me një zë të thellë sikur dilte nga një grykë pusi. Por unë isha e sigurt, ai nuk do të më linte asnjëherë vetëm. Këtë gjë ma kishte thënë edhe përmes vargjeve:

Më dymbëdhjetë sa del e reja,
Më dil më prit, ndezur qiri,
Të hyj në shpirt s’më duhet leja
Shkallët do ngjit me dy e tri.

Por si këtë mbrëmje, nuk e kisha parë ndonjëherë aq të dëshpëruar. Nuk doja ta shihja ashtu. Si pa kuptuar iu afrova dhe mbështeta kokën në gjoksin e tij. Ai zuri të më ledhatonte e përkëdhelte flokët. Gjoksit mezi mbaja një ngashërim të thellë që nga çasti në çast mund të shpërthente, por me kujdes e pa më kuptuar e mbyta brenda vetes, ngrita kokën dhe kërkova me ngulm buzën e tij… Hezitoi për pak dhe befas, lëshoi mbi buzët e mia një rrebesh puthjesh të zjarrta të përmalluara… E lëshova krejt trupin tim në gjoksin e tij dhe i hodha dorën e majtë nën flokët e tij të gjatë dhe me gishtërinjtë e mi i fërkoja lehtë lehtë qafën e tij.

Ai më rrëmbeu dhe më shtrëngoi në kraharorin e tij, ndieja frymëmarrjen e shpeshtuar që si ndalej. Buza i përvëlonte si prush i sapondezur, nuk kisha të ngopur nga puthjet e tij, u çlirova dhe fillova t’i puthja e t’i kafshoja lehtë, butësisht, buzën e poshtme mishatake… M’u duk sikur perms heshtjes po më thoshte”

Jo, lot në sy s’dua t’ju shoh,
Pikën e vetme gishtrinjt e fshijnë,
Nga ty kërkoj një fjal’ të ngrohtë,
Si farë e grurit në shpirt t’më mbijë.

S’u përmbajta më dhe u lëshova e tëra mbi trupin e tij, ia hoqa shpejt e shpejt trikon e pambuktë dhe e flaka tej… Në ato momente nuk merrja vesh çfarë po bëja, isha ndezur e faqet më përvëlonin flakë, trupi i tij muskuloz më rrëmbeu dhe më treti brenda si një vorbull gjigante uji… ndjeja duart e tij që filluan e shkopsisnin bluzën e hollë puplini e bardhë, gjiret më dridheshin lehtë nën të si valëza deti… ai filloi të m’i përpinte me buzët e prushuara. Ishim të dy në delir. Bota në ato çaste ishte e tëra e jona, nuk u mendova gjatë; ai ishte i imi, iu dhashë e tëra… në ato momente isha e tij, ishim një, e puthja me dëshirë të zjarrtë, eh, sekondat fluturonin e minutat na dukeshin sekonda, një puthje e gjatë e tij më shkriu krejt. S’mbaj mend sa qëndruam në krahët e njëri-tjetrit, mbas disa momentesh u ngritëm dhe filluam të çapiteshim drejt kroit në fund të zabelit, u freskuam të dy. Ai mbushi pëllëmbët me ujë dhe më tha:

– Pi se nuk i dihet se kur do të jetë dita të të jap përsëri ujë, dhe më vështroi ngultas duke më zhbiruar thellë në sy… nuk e zgjata, por me buzë rrufita ujin nga pëllëmbët e tij.
– Më jep, pra! – i thashë.
Ai nuk përtoi dhe i mbushi në burimi përsëri. Unë, duke qeshur, ia kafshova lehtë mollëzat e gishtave dhe iu hodha në qafë… I dhashë një të puthur dhe u largova pak. Ai më ndoqi pas e më rrëmbeu për beli dhe filloi të më puthte në gushë, në sy, në faqe e së fundi ndali mbi buzët e mia. Unë mbylla sytë dhe ndjeja ëmbëlsinë e puthjes së tij…Më shtrëngoi fort dhe pasi më largoi pak, më tha:
– Ruaje këtë puthje të fundit kujtim, dhe më ktheu krahët e qëndroi gjatë pa folur. Unë nuk i ktheva përgjigje, më dukej se do të më ikte prej buzëve puthja e tij e përmalluar. U kthye, më pa si për herë të fundit, dhe u largua. Silueta e tij humbiste ngadalë… Dukej sikur më thoshte: Më prit e dashur, do të kthehem:

Një puthje malli do marr me vete,
Ta mbaj në gji si pjesën tënde,
T’më ngroh shpirtin vetëm mes netëve,
T’ju kem pranë përmes çdo ëndrre.