Suplementi Pena Shqiptare/ Kristaq Turtulli: Shqipëria në zgjedhjet e para demokratike

684
Kur Noli vendosi të shkruajë veprën Heroin tonë Gjergj Kastrioti-Skënderbe
Kur u bë Shqipëria, në zgjedhjet e para demokratike, deputeti i zonës Noli erdhi, kërkoi të takohej me mëmën Dhoksanën. Ishte një burrë me trup mesatar, me sy të mprehtë dhe fizionomi tërheqëse. Njeri i shkolluar, poet dhe shumë i mençur; kishte përkthyer sonetet e Shekspirit, një poeti anglez që unë i lexoja me ëndje. Veshur me rasën e priftit. Nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri, ky burrë të kujtonte modelin e kishtarëve të Përlindjes Italiane. Është e vërtetë që, edhe pse nuk ngjan si portret nga fiziku, nga lartësia e shtatit, aq i ngjashëm vjen me inteligjencën e tij natyrore dhe të kultivuar. Mëmë Dhoksana e priti me shumë ngrohtësi dhe ftoi në dhomën e pritjes. Nani Viti u shërbeu kafe dhe lëng portokalli. “More bir,- tha mëmë Dhoksana. “Më përmende historinë. Me sa di unë, shumë pak e njohim heroin tonë, të Gjergj Kastriotin Skënderbe. Hasmi në shekuj me qëllim hodhi mbi heroin tonë të madh një mal me baltë e pluhur. Si i ditur që je, shkruaj diçka me vlerë për këtë burrë të rrallë që e pjell nëna në njëmijë vjet.” Nolit i qeshi fytyra dhe e pa gruan me admirim. Burri i mençëm rrufiti kafenë ngadalë dhe foli me ton të qetë: “I ke rënë pikës, o mëmë e ndritur. Mirë e the, është e rrallë ajo nënë që lind atë burrë. Francezët në histori dhe heronj, janë shumë më të vonë se ne. Koha u kërkonte atyre një hero madhështor si ky i yni, po ku ta gjenin. Gërmuan nëpër libra dhe nuk gjetën një hero për të qenë që të frymëzonte popullin e vuajtur për një përmbysje të madhe. U mblodhën mendjet e ndritura: historianë, shkrimtarë, poetë, filozofë dhe më në fund krijuan një heroinë, një vajzë, Zhan D‘ Ark. Sa është e vërtetë ekzistenca reale e saj, një zot e di. Punë e francezëve. Ne si popull, fatmirësisht, kemi trima dhe heronj sa na teprojnë, por si popull që neglizhon, i lëmë pas dore, i harrojmë.” “Po, bir, po, ke të drejtë!” “Ne o zonjë, nuk kemi nevojë të fantazojmë si të tjerët, mbi të gjitha realisht kemi krye heroin, Gjergj Kastriot Skënderbeun, me përmasa botërore. Një lider që arrin të qëndrojë për njëzetepesë vjet në politikën aktive të kohës, që luftoi i vetëm me shpatë në dorë, udhëhoqi një popull të vogël, si rrallë herë dhe fitoi njëzet e pesë beteja të mëdha kundër perandorisë më të madhe të kohës, asaj otomane. U bë mbrojtës i popullit të vet dhe i krishtërimit. Si paraardhësi i tij, Pirroja i Epirit, shkoi në Itali, kreu heroizma, shkroi faqe të ndritura. Për fat të keq, populli i vet dhe gjithë bota shumë pak ia di madhështinë e vlerën. Tani, kur ne po përpiqemi të ndërtojmë një shtet, një komb, drita, krenaria, lavdia, madhështia këtij gjeniu është më e rëndësishme se kurrë për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare. “Ashtu është, biro, ashtu, – i tha mëma.- Të lumtë goja!| Nolin e ngacmonte pak stomaku prej punëve të shqetësimeve të shumta dhe nani Viti i mbushi një gotë me qumësht të freskët. Noli e falënderoi me kokë. Filloi të pinte qumështin ngadalë me gllënjka të vogla. Ne s’flisnim. Mami Dhoksanë merrej me prushin e mangjallit. Nani Viti qëndronte në këmbë pranë Nolit, me duart e kryqëzuara në pëqi. Noli i zgjati gotën bosh nani Vitit. U qetësua, fërkoi me kujdes mjerkën e zezë dhe pas një copë herë shtoi: ‘Mëmë, po mbledh të dhëna, të studioj Marin Barletin, Dhimitër Frangun, autorë të huaj, të shquar, letërkëmbimet me Papën, Alfonsin, Venetikun…” 
Sigal