Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 30nëntor 2015

    668
    Sigal

    Xhorxh Gordon Bajron
    Lindi në Londër, më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfër. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait të tetë, Bajroni trashëgoi titullin Lord, pallatin dhe çifligun Newstead Abbey. Në moshën madhore zuri vendin që i takonte në Shtëpinë e lordëve. Më 1801, Bajronin e dërguan në Harrow, në shkolle, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Këtu spikati ato cilësi të karakterit që i ruajti gjithë jetën: serioziteti dhe zotësia të mendohej thellë mbi ngjarjet e jetës ; dhe bashkë me këto: gëzimi, vrulli shpirtëror e temperamenti i zjarrtë. Më 1805, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixh (Cambridge). Kur ishte akoma student botoi vjershat e para lirike të tijat “Orët e Ngeses”. Revista zyrtare e shkrimtarëve “Edinburg Reviu”, i bëri një kritikë pa mëshire. Poeti i ri iu përgjigj me satirën “Këngëtarë anglezë e skocezë”, në të cilën sulmoi ashpër letërsinë angleze të asaj kohe dhe gati gjithë poetët e njohur, sidomos ata të “shkollës së liqenit”. “Shtegtimi i Çajlld Harolldit” është puna letrare më e madhja e Bajronit. Vetë autori thotë në dedikimin e këngës së katërt, se është “më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia”. Populli i Shqipërisë së Jugut e mbajti për një kohë të gjatë në kujtesën e tij vizitën e poetit anglez në sarajet e Tepelenës 150 vjet më parë dhe pleqtë tanë, shpesh herë mbrëmjeve, kur mblidheshin për bisedë te sofati i portës, i përmendnin fjalët që i tha Ali Pasha djaloshit fisnik anglez : E kuptoj që jeni vërtet nga derë e madhe, prej veshëve tuaj të vegjël, prej duarve të vogla të bardha dhe prej flokëve kaçurrela.

    – Nga Sami FRASHERI

    DITURIA PER NJERIUN
    – Korrektuar nga ana drejtshkrimore dhe përshtatur nga ana gjuhësore –
    …Gjithçka që kanë mundur të mësojnë, të kuptojnë e të shpikin njerëzit e kësaj bote që kanë jetuar përpara nesh, gjatë mijëra vjetëve e gjer më sot, gjithçka që ka ngjarë e çdo gjë që është bërë me mundimet dhe sakrificat e panumërta të njerëzve të urtë e me mëndje të madhe; gjithçka që kanë parë e kanë hequr ata që kanë vuajtur në vënde të largët e të paditur, me një fjalë gjithçka që ka ngjarë në jetë. gjithçka që është shpikur e është grumbulluar nga njeriu dhe gjithçka që është gjetur në natyrë, të gjitha këto janë të shkruara dhe përbëjnë diturinë e njeriut e cila nuk mund të fitohet veçse nëpërmjet të mësuarit. Prandaj mund të themi se dituria është mësimi dhe i pamësuari nuk mund të jetë kurrë i ditur, ndërsa i mësuari di se çfarë është bërë që nga fillimi i jetës e gjer më sot; ai di çfarë gjendet mbi tokë e nën tokë, di ç’është qielli, ç’është natyra, çfarë është ai vetë, di çdo gjë që mund të dihet dhe kupton çdo gjë që mund të kuptohet. I pa-shkolluari nuk di gjë tjetër përveç çfarë shikon me sy dhe çfarë dëgjon me veshë; për atë jeta niset dhe mbaron me gjalljen e tij; ai nuk di se ç’është bërë përpara se të vinte në këtë botë dhe as e shkon ndërmend se çfarë mund të ndodhë më pas tij; për atë dheu është aq sa e sheh me sy dhe qielli është ashtu si ç’e sheh ai.
    Të parët tanë thoshin dikur: “Mos pyet të mësuarin, por të vuarin!”. Kjo shprehje ka qenë e drejtë për atë kohë, gjatë së cilës mësimi dhe dituria nuk ishin gjë tjetër veçse mësimi i besës dhe e shumta e ndonjë gjuhe të huaj. Në se do të ishte vërtetë ashtu, padyshim që mësimi nuk do ta zinte aspak vendin e vuajtjes por sot në ditët tona mësimi dhe dituria janë shumë më të gjëra e më të forta se sa përfytyroheshin në atë kohë. Sot, në vendet e qytetëruar, dituria është si ai dielli i cili me dritat dhe me shkëndijat e tij mbulon gjithçka dhe nuk lë errësirë asgjëkund. Mësimi në ato vende nuk është vetëm për besët, as vetëm për të mësuar ndonjë gjuhë, por për të ndriçuar mendjen me gjithfarë diturish.
    Gjithçka që mësohet sot është shkruar nga njerëz jo vetëm të ditur por edhe të vuajtur. Sot nuk ka njeri më të vuajtur se i mësuari sepse ai di jo vetëm çka vuajtur vetë por edhe ato që kanë vuajtur mijëra njerëz të tjerë përpara tij. Për dy gjëra i duhet njeriut dituria: E para që të marrë vesh e të kuptojë gjithçka që i sheh syri, ç’i dëgjon veshi, ç’i zë dora, ç’i shkel këmba dhe ç’i vjen ndërmend; të dijë se ç’është, çka qenë dhe ç’do të bëhet; ku është, nga ka ardhur dhe ku do të vejë…

    E dyta: të mund të fitojë sa më tepër e të jetojë sa më mirë jo vetëm duke u bërë njeri shkresash dhe nën-urdhërues por më tepër duke nxjerrë nga dheu e nga natyra gjërat më të vyera me të cilat ai vetë dhe të gjithë njerëzit që e rrethojnë të mundin të bëjnë shumë punë, duke gjetur çdo lloj mënyre e duke krijuar çdo lloj lehtësie me qëllim që njerëzia të jetojë e të punojë mbarë e më mbarë. Mundemi të pohojmë që shërbimi i parë që pret njeriu nga dituria është jo material ndërsa i dyti është material. Në fakt njeriu normal është i mbrujtur me një natyrë e cila e shtyn të kërkojë, të pyes, të shfletojë për të kuptuar çdo gjë sepse ai priret të dijë jo vetëm për gjërat që i sjellin përfitime materiale ose monetare por edhe thjesht për të pasuruar kulturën e tij vetjake, pra vetëm për të ditur. Në këtë pikë njeriu shquhet nga kafshët e tjera; por i varfëri njeri i paditur është mësuar të mos pyesë e të mos kërkojë shumë gjëra që duhet ti pyeste e ti kërkonte më parë se çdo gjë tjetër. Kur shohim një njeri që shkon udhës në mëndje na vërtitet pyetja se cilët jemi, nga kemi ardhur dhe ku po shkojmë? Si të mos dimë se çfarë kemi brenda trupit tonë, si jemi gjallë? Ç’është ky gjak që punon nëpër rrembat e trupit tonë? Si shikojmë? Si dëgjojmë? Si të mos pyesim përse bëhet natë, përse çelet dita, ç’është dielli, ç’janë këta yje, ç’është ky shì që bie pika-pika, nga vjen gjëmimi, nga shkrepet vetëtima, nga bie rrufeja? Sikurse çdokush prej nesh kur ka qenë foshnje, sapo ka nisur të belbëzojë, më parë se çdo gjë ka bërë këto pyetje, por duke parë se të rriturit qeshnin me pyetjet e tij, e duke qenë se as ata vetë nuk i dinin, është mësuar edhe ky ti shohë e të mos pyesë më për to, ti dëgjojë e të mos i dijë se ç’janë.
    Vetëm dituria mund tu japë përgjigje të gjithave këtyre pyetjeve, të përgjigjet duke shtjelluar e rrëfyer çdo gjë. Kjo është njëra anë e diturisë. Të vijmë te ana tjetër e saj, në anën materiale si ç’thamë më sipër. Dituria sot i duhet çdo njeriu, jo vetëm që të mund të shkruajë e të lexojë një kartë apo të mbledhë pesë numra, si ç’pandehej më parë, jo vetëm të na tregojë të gjitha të vërtetat, si ç’thamë më sipër, por edhe të na ndihmojë e të na japë dorën në të gjitha punët që na shërbejnë për të jetuar normalisht. Edhe bujku që lëron arën, edhe bariu që ruan bagëtinë dhe çdo punëtor që bën një punë, kanë nevojë për dituri sepse ajo u tregon shumë rrugë për të punuar më lehtë e më mirë e për të fituar më shumë.
    Qytetërimi i sotëm i ka stërholluar aq shumë punët saqë dora e ashpër dhe mëndja e pagdhendur e të paditurit nuk mund të bëjnë asgjë të pëlqyeshme. Në qytetërimin e sotëm nuk janë vetëm shkollat për ti dhënë dritë botës por janë shpikur edhe shumë rrugë të tjera me të cilat u jepet dritë edhe atyre që nuk kanë moshën për të vajtur në shkollë; nëpërmjet tyre tregohen edhe shumë të vërteta të cilat nuk mësohen dot si dhe sa duhet në shkollë. Një nga këta urdhra janë edhe librat që flasin për dituri ashtu si edhe kjo drita e cila do të flasë për ç’do farë diturie në mënyrë që të ëmbëlsohet prej saj i madh e i vogël dhe Sicili të gjejë brenda saj një gjë që ti vlejë, prej së cilës mëson diçka ose tek e fundit zbavitet prej saj.
    Botuar në vitin 1884

    ***************************
    NJË TAKIM PËRKUJTIMOR NË DIBËR TË MADHE

    Në 70-vjetorin e lindjes së shkrimtarit FAIK BALLANCA

    Me nismën e Komunës së Dibrës së Madhe dhe “Miqve të Faikut” këto ditë u organizua në qytetin e Dibrës një takim përkujtimor me rastin e 70-vjetorin e shkrimtarit me origjinë nga Dibra, Faik Balanca, i cili ndërroi jetë 38 vjet më parë.
    Veprimtaria u zhvillua në sallën e Komunës. Në të morën pjesë kryetari i Komunës, Ruzhdi Lata, shkrimtarë e studiues vendas dhe të ardhur nga Tirana, Peshkopia e Burreli, familjarë e të afërm të Faik Balancës, mësues e nxënës të shkollës së mesme të qytetit. Zoti Ruzhdi Lata vuri në dukje traditat atdhetare e kulturore të krahinës së Dibrës dhe uroi që në të ardhmen të thellohet bashkëpunimi mbarëshqiptarë për të forcuar lidhjet e gjakut, për të qenë të denjë për emrin që kemi. Dibra do t’i mbajë përherë në kujtesë bijtë e saj të nderuar kudo që jetojnë e punojnë, -theksoi ai. Në fjalën e saj studiuesja dibrane Bleta Qormemeti paraqiti vlerat e krijimtarisë së Faik Balancës dhe vendin e saj në prozën shqipe. Studiuesi Mexhid Prençi parashtroi tiparet individuale të artit të Balancës dhe theksoi jetëgjatësinë e vlerave artistike e humane të këtij prozatori, që vdekja nuk e la ta çonte deri në fund veprën e tij. Poeti e kritiku letrar dibran Nebi Samarxhiu analizoi tiparet e stilit të prozës së Balancës si lakonizmin e thjeshtësinë sugjestive, si dhe aftësinë në gdhendjen e personazheve. Shkrimtari e studiuesi Vasil Premçi hodhi një vështrim mbi veçoritë e lirizmit, si tipar i qenësishëm në prozën e balancës. Studiuesi Hysen Uka vlerësoi lart romanin “Nomeja e largët”, i cili e pa dritën e botimit vetëm pas vdekjes së shkrimtarit. Poeti Basir Bushkashi e pa krijimtarinë e Balancës nga këndvështrimi i poetit dhe e mësuesit, se si ky shkrimtar, edhe pas kaq vjetësh, komentohet me dashuri nga nxënësit. Shkrimtari dhe kritiku letrar Pandeli Koçi foli për interesimin e vazhdueshëm të studiuesve dhe të kritikës letrare nëpërmjet shkrimeve kritike e monografive shkencore që janë shkruar për këtë shkrimtar.
    Nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori” recituan fragmente nga Krijimtaria e Faik Balancës.

    FATION PAJO

    Atë mbrëmje…
    ———————–

    Atë mbrëmje
    Ëndrra që pashë u çmend…

    Nën shiun që binte me shtrëngatë
    ne të dy rastësisht u pamë
    u shtanga një moment,
    ty të fluturoi çadra nga era,
    shumë vite tash kanë shkuar.
    Një copëz akullnaje u shkëput
    detit të kujtesës sime.
    Tepër vonë kjo stisje.
    tepër vonë ujëvarat e lotëve
    nga ata sy vitesh harruar.

    Atë mbrëmje
    prej teje ndërrova vend…

    S’iu ankova askujt

    Për fletoren e vjershave që më morën
    S’iu ankova askujt.
    Në të kisha hedhur dikur
    çapkënllëqet e adoleshencës,
    copëza jete intime,
    disa ëndrra nate,
    rendje të shfrenuara nëpër terr,
    për një fjalëz në erë,
    për një shikim pas perdesh,
    për një puthje mbrëmjes fshehur…
    Aty ishin mbledhur vitet
    që s’i torra siç duhet.
    I pafat me kujtesën
    s’riprodhoj sot asnjë varg.
    Ndaj s’kam kujt t’i ankohem
    për fletoren diku mbetur…

    I pagjumur gdhihem…

    I vetëm jam sonte
    shtëpia më duket e zbrazët
    televizori zhurmon.
    Pa praninë e gruas
    dhe zërat e bijve ndër dhoma
    ndihem i vetmuar.
    Harroj të përgatis darken,
    (ç’them dhe unë).
    Akrepat e orës në mur
    dhe fletët e ventilatorit mbi krye
    më gërryejnë shpirtin
    s’më lenë të qetë.
    Me bluashkat në vatrën e kujtesës
    i pagjumur gdhihem…

    Nënës
    —————-

    Vuajte shumë në pritje
    asnjë zë e as lot
    Dy emra veç mërmërisje
    pa na parë s’shkoje dot.

    Vuajte shumë në ikje
    ku ishte ajo forcë
    Heshtja shkëmb në rrokullisje
    nata ngricë e fortë.

    Vazhdimësi e bukur e tre librave të mëparshëm, për “zysh” Lumturi Vladin,

    Kujtim Mateli

    Libri më i ri, “Shpirti im në arsim” është vazhdimësi e tre librave të mëparshëm: “Qindra zemra në një zemër”, “Dashuri engjëjsh” dhe “Nënëmadhja e fëmijëve”. Duke qenë vazhdimësi e tyre, pra që nxënësit, por dhe të tjerët, flasin me kënaqësi, dashuri e mirënjohje për punën aq të përkushtuar të “Zyshës” Lumturi Vladi, është njëkohësisht dhe i mirëpritur nga lexuesit. Sepse lexuesi kërkon të njihet me mesazhet e reja, që nxënës e mësues, gazetarë e drejtues institucionesh përcjellin për të. Të një rëndësie të veçantë janë dhe mesazhet, që nëpërmjet intervistave të saj, na zbulon atë punë të shkëlqyer, që ajo dhe stafi mësimor, ku ka punuar, kanë bërë për ecjen përpara të shkollës sonë. Nëpërmjet këtyre intervistave, që i janë bërë asaj nga personalitete të gazetarisë shqiptare, është zbuluar bukur misioni fisnik i kësaj arsimtareje të talentuar, për ta bërë shkollën vatër të dijes, edukimit dhe kulturës.
    Ashtu si pemët, që rriten në një fidanishte, ata duhet të jenë të shëndetshëm e të drejtë, që në fillimet e tyre, sepse, nëse rriten të shtrembër, nuk drejtohen më, ashtu janë dhe fëmijët e vegjël. Ndaj shkolla është vlerësuar si fidanishtja e brezit të ri. Mësuesi është çmuar, quhet dhe do të shikohet si një prind i dytë për fëmijën. Ky mision kaq fisnik i mësuesit, siç dihet, realizohet në shkollë, gjatë procesit mësimor dhe jashtë tij. Për përmbushjen e këtij misioni të lartë, profesional e atdhetar, ka punuar në 40 vitet e punës së saj, mësuese dhe drejtuese shkolle, edhe znj. Lumturi Vladi. Po, nëse shumë mësues nuk e kanë realizuar në shkallën e duhur këtë mision, ajo e ka kryer me sukses. Jo vetëm mësuese, por edhe drejtuese e disa institucioneve arsimore, ku ajo ka punuar, ka qenë në lartësinë e detyrës së caktuar. Ja, si shkruan për atë, një nga nxënësit e saj:
    “Në fillim, shkolla jonë ishte katastrofë. Kishte nxënës, që vinin nga dritarja e kërkonin lekë ose pinin duhan! Por pastaj erdhi drejtoresha Lume, “Nënë Tereza e Lumturisë”, që i nxori jashtë ata njerëz dhe ajo u bashkua me ne, duke thënë: “Stop dhunës dhe drogës, po lumturisë!”. Kështu, që nga ajo ditë, këtu në shkollën tonë9-vjeçare “Dora d’Istria” të kryeqyteti ka pasur dhe lumturi”.
    Kushdo e kupton, se sa mundim e përpjekje, sa net pa gjumë ka kaluar Lumturi Vladi, për ta shndërruar atë shkollë në normalitet. Po sakrifica e saj ia vlejti, se u ktheu fëmijëve qetësinë, për ta vazhduar udhën e bukur të dijes. Përpjekje të kësaj natyre e bënë “zysh Lumen”, që të duket si heroinë, në sytë e fëmijëve. Shumë prej atyre nxënësve, që kanë thurur vargje për “zysh Lumen”, ndoshta, ajo vjershë e tyre ka mbetur e para dhe e fundit për ta. Sepse për atë ka thurur vargje e gjithë shkolla. “Zysh Lumja” u dha mundësinë atyre fëmijëve, që një herë në jetën e tyre, të bëhen poetë. Bukur!

    Siç do ta vërejë lexuesi, libri është ndarë në tre pjesë, për të nxjerrë më në dukje vlerat artistike dhe edukuese të tij. Në pjesën e parë, janë krijimet, vlerësimet dhe mendimet e natyrshme të nxënësve për “zyshën” e tyre. Në pjesën e dytë, janë disa personalitete të letërsisë dhe gazetarisë shqiptare, që i kanë kushtuar kohë dhe vëmendje figurës së saj. Në pjesën e tretë, janë intervistat, që Lumturi Vladi ka dhënë për disa nga gazetat kryesore, të cilat dalin në vendin tonë.
    Libri çelet me disa nga poezitë, që nxënësit kanë shkruar për “zyshën” e tyre të dashur. Janë vargje, që kanë dalë nga zemrat e tyre të vogla. Teksa shkruajnë, ata lumturohen. Lumturi që, mbase, nuk e kishin provuar më parë. Për kë po rreh këto çaste zemra e tyre? Ndërsa ata e dinë shkakun, që ua krijoi ato çaste mrekullie dhe përgjigjen:
    Kënga, që na rri në zemër,
    Është për ty, moj fjalëmbël…
    Shohin te mësuesja e tyre njeriun më të dashur dhe kanë derdhur për të fjalët më të ngrohta. Po ata nuk përshkruajnë në vargjet e tyre vetëm botën e saj të madhe shpirtërore. Për ta edhe portreti i saj fizik është më i bukuri, është modeli i femrës shqiptare:
    Sytë e tu të bukur,
    Bojë qielli si laguna
    Dhe flokët e verdhë,
    Valëviten si pëllumba…
    Në këto poezi do të gjesh portretin fizik dhe atë shpirtëror, të ndërthurur bukur, duke na dhënë pamjen e një “perëndeshe”, e cila të qortonte dhe të mbronte, njëkohësisht:
    Zysha jonë në dukje e egër,
    Veç dashuri mblidhte në zemër…
    Në këtë tufë poetike, lexuesi do ta ndiejë vetë se si ka rrahur fort zemra e fëmijëve, teksa ndodheshin në procesin e krijimit. Zemra vazhdon të rrahë ende fort, teksa lexohen e rilexohen.
    Kush nuk ka mundur ta shprehë dashurinë për mësuesen e tyre në vargje, e ka shprehur atë në disa skica e tregime të shkurtra. Aty jepet “zysh Lumja” në mjedisin shkollor e në marrëdhëniet e saj me nxënësit. Po, pse e adhurojnë kaq shumë “zysh Lumen” nxënësit e saj? Ja, si shkruan njëri prej tyre:
    “Na nxore nga humnera e thellë dhe e errët, ku ishte zhytur shkolla e u mundove, me mish e me shpirt, të na nxirrje prapë në dritë e të na dalloje nga të gjitha shkollat e Tiranës”.
    Te “zysha” e tyre, ata kanë parë jo vetëm mësuesen, që i trajton me dashuri, por edhe drejtuesen e aftë, e cila e radhiti shkollën e tyre ndërmjet shkollave më të dalluara të kryeqytetit Tiranë. Ndaj dhe, kur e kanë ndërruar vendbanimin, kanë kërkuar përsëri që shkollën ta vazhdojnë aty, ku ishin më parë, me “zyshën” e tyre, për të cilën thonë se është “yll’ bote”. Duke i lexuar këto pjesë të shkurtra, gjen edhe “çelësin” e suksesit të drejtoreshës Lumturi Vladi, kupton se nga buron gjithë kjo energji e saj e pashtershme dhe dashuri e pakufishme për nxënësit e saj.

    Besnik Caka
    Dhurata
    -tregim-
    Duhet të kem qenë rreth gjashtë vjeç atëherë. Them kështu se, kur nëna më tha të shkoja për të uruar Teto Sofinë,ishte errur dhe unë pata pakëz frikë, ndonëse shtëpia e saj ishte vetëm tri porta më tej. Ankimet dhe “rezistenca” ime për të mos shkuar, ia lanë vendin habisë, kur në dorë më lanë “dhuratën” për të: një kokërr vezë! Kureshtjes sime, nëna iu përgjigj shkurt:
    -Teto Sofia ka ditëlindjen. Po ti, thuaji vetëm “gëzuar”. Dëgjove, vetëm “gëzuar”!
    Dhe para se të hapte portën,, u sigurua se “dhuratën” e kisha ngjeshur mirë në xhep…Dy minuta më pas, u gjenda përballë Teto Sofisë:
    -Gëzuar! Gëzuar…ditëlindjen! U bëfsh 100 vjeç!
    Pa arritur t’i zgjat “dhuratën”, ajo shpërtheu në të qeshura. (Teton s’e përfytyroja kurrë të qeshur. Ndoshta e kisha këtë përshtypje ngaqë kisha dëgjuar nënën të thoshte shpesh ”Sofisë s’i qesh buza kurrë” . Ose nga im vëlla, dy vjet më i madh se unë, që thoshte “Tetka ka mustaqe” ).
    Më futën brenda. Dy fëmijët e tetos i gjeta duke bërë detyrat. Burri i saj ,pinte duhan… Isha mprehur të haja ndonjë copëz tortë, si ajo që prindërit na blinin në bonbonerinë e njohur të qytetit, por…Në vend të saj, Tetoja më dha sërish një vezë, por..të kuqe. Të tillë s’kisha parë ndonjëherë.
    -Gëzuar edhe ti!-më tha. S’po kuptoja gjë.
    -Po unë e kam ditëlindjen në nëntor-i thashë-tani jemi në prill?!
    Këtë radhë qeshi jo vetëm Tetoja, por dhe burri i saj. Duke qeshur, më përcollën tek porta, gjithnjë duke u kujdesur që “vezën e çuditshme” ta fusja në xhep…
    E harrova frikën dhe, sapo dola, në të parën dritë të rrugicës, nxora vezën për ta parë. Po, ajo më dukej e çuditshme. Prindërit s’më pyetën gjatë, ndërsa kur panë vezën e kuqe, vështruan njëri-tjetrin në sy, por pa thënë asnjë fjalë…
    Në mbrëmje u kujdesa që ta mbaja vezën pranë krevatit, me padurimin që sa të gdhihej, t’ua tregoja Arjanit dhe Romit, shokëve të mi. Merret me mend zhgënjimi që pësova në mëngjes, kur në vend të saj, pashë një vezë të zakonshme, të bardhë…Fjalëve të nënës dhe babait, se veza më ishte dukur e kuqe nga drita, s’u besova as atëherë. Por atë kohë, s’e kuptoja dot pse ata e ndërruan vezën e kuqe…Këtë kujtim të fëmijërisë më zgjoi rikthimi në këtë qytet, kjo kambanë, dhe urimet e njerëzve njëri-tjetrit:
    -Gëzuar Pashkën! Nga mot gëzuar!

    Mimoza Marko

    KUR HUMB ATDHEUN

    Kur humb atdheun
    je i mbyturi,
    që vala e nxori në breg.
    Je kthyer ne dhimbje,
    ndaj dhimbja s’të prek.
    Kërkon të gjesh fillin,
    por s’po gjen dot shteg.
    Radhit kujtimet
    i shtrydh dhe i nden,
    si sende të anijes
    që dolën mbi det.
    Me zemrën bërë gur
    godet e godet,
    te ndezësh pak zjarr,
    te ndezësh pak shpresë.
    Kërkon te gjesh veten,
    por s’ke ku e sheh.
    E gjen nëpër pellgje
    pasqyruar përmbys
    nën dritën e hënës,
    kur dita u ngrys.
    I veshur me zhele
    hipur mbi një breg
    me sytë nga deti
    shpëtimin e pret.
    Kur humb atdheun
    Ante pa fuqi,
    se veç brenda tij
    je Zot,je Njeri.

    VENDE NË KRIZË

    Gjymtyrë, që thahen
    e tkurren përditë
    prej trurit goditur
    nga hemorragjitë.
    Mendimet, llum kafeje i zi
    projektojnë shpëtimin
    rreth filxhanit ku pi.
    Ëndrrat, rroba harruar në tel
    shiu i lag dielli i terr
    mbetur nderë, boja u del.
    Shpresa arratiset,
    marrosur merr rrugën,
    në krye të saj
    mace e zezë pret udhën.
    Fati ynë nëpër vende ne krizë
    ngado që shkon e ndjekin erinitë.
    Përse kaq shumë dhimbje
    ruajte për ne Zot?
    Apo mos tu deshën
    më shumë filozofë?

    KALTËRSI

    Ja këtu buzë detit
    do doja te vdisja.
    Në një ditë të tillë të paqtë
    do doja te ik.
    Nën ritmin e valëz,
    që më lag ne breg,
    nën rrezet e arta
    te diellit,që ndrin.
    Këtë kaltërsi e dua me vete,
    këtë kaltërsi plot dritë.
    Të mund errësirën e përtejbotës,
    ta marr me vete ne amshim.
    Kur të të marrë malli për mua
    eja i dashur në këtë breg.
    Pulëbardhat do të bëjnë shoqëri,
    në njërën prej tyre
    shpirti im do jetë.
    Kur të ngashërehesh
    e të të zbresin lotët
    lëri të bien në det.
    Unë do të bëhem valëzë
    e do të vij bregut,
    ashtu si dikur të të përkëdhel.
    E di,që do të kenë munguar fjalët,
    bisedat tona pa mbarim.
    Hesht dhe dëgjoja ritmin valës
    me gjuhën e saj
    të flet shpirti im.
    Pastaj ngrihu
    e bëj një shëtitje
    kërko te mbledhësh guaska në det.
    Në njërën prej tyre,
    në atë më të shndritshmen
    do gjesh dashurinë tonë,
    të kthyer ne perlë.

    FËMIJËVE TË MI

    Më erdhët në një kohë
    tepër të vështirë,
    të shtrenjtët e mi.
    Kur shteti shpërbëhej
    e humbte çdo ditë.
    Kur mungonin ushqimet
    e mbahej shume radhë,
    kur zogjtë u bënë plumba
    e lodra gjeje rrallë.
    Kur dielli nuk ngrohte
    e bari qe tharë,
    kur pishat çlironin ankth
    e lulet u bënë plagë.
    Kur lumenjtë u kripën,
    se shiu u bë lot,
    kur dëgjohej ngado
    fjala eksod.
    Më erdhët në një kohë
    tepër të vështirë,
    por ju prisja
    me shumë kënaqësi e dëshirë,
    se jeta është e fuqishme
    në një shpirt të ri,
    sado që ta vrasësh,
    ajo lind sërish.
    Ndaj ju ishit me fat
    të shtrenjtët e mi,
    se ju priste këtej
    një det me dashuri.
    Dhe e kuptuat vendin tuaj
    në këtë jetë qysh herët,
    se s’lindët për skllevër,
    por lindët për mbretër.
    Në mundin tonë,
    në çdo sakrificë
    mësuat vlerat e jetës
    e udhën plot dritë.

    Nga Përparim Hysi
    Do t’ju them një fjalë të rëndë… *
    “Poezia është “ilaçi” që zbut politikën dhe e bën më të mirë”,
    Vaclav Havel

    Do t’ju them një fjalë të rëndë; do t’ju them një fjalë të madhe
    Dua që fjala të zërë vend, ndaj flas troç dhe ashiqare!
    Politikanët kemi pa erz (shih, pa shih si “kakarisin?!)
    Të pabrekë qenë në mëngjes, por zengjinë në darkë bitisën!!!
    Rrahin apo nuk rrahin gjoksin, mend atë e bën dhe vrimë
    Një nga ata po bën “balozin”; ai, tjetri: safi “trim!!!”
    Pa zënë zihen e stërzihen (britma e tyre shkon në qiell)
    As nuk skuqen dhe as “nxihen”, një i ndershëm sa nuk vjell!!!
    Ebropë-bota na mbyll portën (me të parë e me të bërë?!!!)
    Dhe me spango na mat kokën ( edepsëzë jini të tërë!!!)
    Na i tha mu në Bruksel; na i thanë açik fare
    Po të gjithë ezberë-ezberë si kodoshë në këtë jallane.
    Njëri hidh e tjetri prit, sikur lozin komedi
    Që të gjithë jini jezitë (a s’kanë derrat një turi?!!!)
    Po kur thonë:- Dale, prisni! Po ja “duroni edhe ca?!!!)
    Kështu tha kryeministri: bën premtime- batjava!!!
    Shkuan vite… po njësoj (asgjësend s’po duket mirë)
    Shqipëria nuk ndryshoi (tek e shoh, nuk ndjehem mirë)
    Jam i nxehur,sa s’po plas dhe për ata e shkruaj këtë vjershë
    E ngre zërin dhe bërtas:- Ju kam lënë “provim në vjeshtë!!!”

    Azilantët “politikë”
    Dhunuesit e lirisë që i shërbyen diktatorit
    Kanë ndërruar “lëkurë”, janë kthyer në të “dhunuar”
    Kapërcyen oqeanin ( e kanë bërë prej “terrorit”???)
    Kanë marrë azil se kanë qenë të “persekutuar!!!”
    Nuk flitet për një e dy (kam njohur me dhjetëra)
    Tek lëshojnë “kujën”, më mbushin me mëri
    Ah, kohë e keqe! Plot hiena e dhelpra
    A do marrësh fund, ndonjëherë, ti?!
    Se nuk ka më turp se sa nga këta”palo-azilantë”
    Që “azilin” e kan blerë, pothuaj, me ryshfet
    Tek bëjnë “paradë mode”, më zënë djajtë
    Se me”karta të rreme” sikur kanë vënë fletë

    Po kur thonë…
    Po kur thonë:- Aha, vetëm Amerikës,
    Nuk ia shkon dot “ujët nën rrogoz”
    Në këtë vend:-Dridhu prej “frikës”
    Në kujton se deti u bë kos!!!
    Deri këtu, mirë; po ja që shkoj më tej
    (se shoh gjithfarë kopilash që këtu kanë gjetur strehë)
    Jo vetëm kaq: disa syresh janë kthyer në “bej”
    Kur e kaluara e tyre është për të bërë “olele!!!”
    Nuk kam, mandej, se si të rri rehat
    Dhe them:-Po hë, kur do t’i zbulojnë?
    I persekutuar zë hiqet një xhelat
    Se me “shkresa”, ndryshe rezulton

    Të qeverisësh
    Të qeverisësh, nuk është aspak punë e lehtë
    Dhe këtë punë nuk mund ta bëj gjithkush
    Sigurisht, dikush duhet të “ngasë qetë”
    Të qeverisësh, sipas meje, rrobat të rrinë ngushtë!
    Ngjet kjo punë me atë nikoqiren
    Që është e zonja dhe shtëpinë kthen mbroth
    Nëse, ndryshe, zë e bën “dorëlirën”
    Atëherë krejt shtëpinë e kthen me kokëposhtë.
    Qeverisja është si një kalë që të hipën
    Dhe do shpinë të fortë që ta mbash mbi të
    Në s’je i tillë, nga kali të zbritën
    Dhe as bojën dhe as surratin nuk duan ta shohin më.
    Këtë le ta dijë çdo qeveritar
    Se nuk mbahet qeveria me premtime të rreme
    Nëse zë gënjen, një ditë do shkosh në djall
    Se nuk je qeveritar. por je kthyer në vemje.
    FATI YNË
    Të lindur në terr… të rritur në terr
    Na diktonin “parajsën”, po ishim në FERR!
    Ne, veç: të lumtur! Të tjerët: aspak!
    Çdonjëri qe “kungull”, besonim si “miturak”.
    Pastaj, më vonë, kur i hapëm sytë
    E pamë zhgënjimin se dolëm në dritë.
    Me sy pamë dritë dhe rendëm drejt “diellit”
    Kjo dritë na “qorrollis” ( e pësuam si të verbrit)
    Dhe mos kujtoni se po shkruaj “qesim”
    Po nisem unë nga jona “statue qo”
    Pse të jetë kaq i keq ky,FATI YNË?
    Pse vallë ne mbetëm në”vend numëro?!!!!”

    Maxhun Osmanaj
    Këshillë

    Mos ma plagosni
    mëngjesin në nisje
    mesditën ma ruani
    për fushëbetejat e ‘’ashpra’’
    muzgun ma lini të qetë
    se ai s’mund të shtyhet
    asnjëherë me rrufetë

    Molla e jetës

    Në fillim mu duk
    Si një mollë e kuqe e ëmbël
    Desha ta ha me një kafshatë
    Por s’di ! Ajo më mashtroi
    Dhëmbët qenë tepër të mprehtë..
    Tepër të njomë
    Pak u përjarga, pak u përgjaka
    Mu duk se më qëlloi një krimb…
    në atë rast diçka përpiva
    diçka më mbeti në fyt…!
    Nga gërditja më vonë
    Mollën e hodha në tokë
    S’di a ia qëllova aty për aty
    Në vend të vjelljes
    pështyva pa (drejt) këtë botë…

    Mos më vrisni edhe sonte…

    Mos më vritni edhe sonte
    Se hënën dhe terrin dua ta shoh
    Nesër diellin e kam mik të sigurt
    Çka ti them agimit ,mëngjesit
    nëse nga sonte mungoj
    kush do të më zëvendësojë
    po ç’faj i bëra luleve
    zogjve,pemëve,shiut
    që gjithnjë me ta isha mik
    ju doni t’më vrisni
    ani s’ka gjë!
    mos m’i dëgjoni lutjet
    në këtë glob ,një më pak
    por ta dini !
    qielli për mua do t’u marrë hak!

    Të prita…
    Të prita të vish në mesditë
    Se mëngjesi moti më ka tradhtuar
    Ti erdhe bashkë me stuhitë
    Pak për të më provokuar.
    Sa mirë që më gjete t’qetë
    Me forcën e urtësisë t’përthekova
    Me gjuhën e dashurisë shqelmova rrufetë
    Oazën e shpirtit përjetova.
    ‘’T’kam ardhur për të provuar besnikëri’’
    Haptas në fytyrë më the
    Unë s’pata mbjellë farën tradhti
    Ti u binde; s’mbete viktimë as pre…!
    ‘’Më fto kur të duash poet
    në mëngjes,në mesditë,në errësirë
    se besës sate iu binda vetë
    miqësia n’shekuj ka me na prirë.
    Dhe sa herë e thirra mikeshën n’takim
    N’buzët e kohës shkëmbyem ëmbëlsi
    të sotmes i dhuruam ritëm e kuptim
    e nesërmja të sythojë gjeth-jete blerim.

    Liza Ndreca

    ME JU ËSHTË BUKUR

    Udhëtova dje nën shoqërinë tuaj
    Vraponim fort të tre.. të dy ju anash
    e unë vetëm në mes,
    Ecnim, turreshim, qeshnim,
    vrenjteshim, zgërdhiheshim
    tamam si një lojë fëmijësh
    që veç neve na shkon për shtat
    dielli ecte perëndimit
    hëna sa vinte nga lindja
    e unë fanti -spathi aty
    me sytë drejt qiellit hutohesha
    harroja ku isha,
    e harroja nga po shkoja..
    gëzoja lojën e tyre (lojën tonë)
    në xham shkëlqimi i tyre
    reflektonte fytyrën time.
    Here- herë ndërronin vendet
    Unë e hutuar i shihja,
    Të lodronin me mua
    Aty gajasesha shkrihesha.
    Hidhja sytë drejt qiellit përsëri,
    ishin të njëjtët.
    Ndoshta dhe ata me raste
    të shohin vetën në pasqyrë
    Për të reflektuar.
    Ishte një lojë magjepse, ku luanin dy yje
    E unë doja të ishim tre.
    në lojën e tyre të shkurtër
    t`më bënin vend dhe mua,
    pastaj vetë largohesha i lija të lirë
    ndenja aty, deri sa njeri u struk fort në det
    e tjetra pas malesh luante kukafshehthi.
    herë fshihej e tëra e herë dilte në qiell duke vrapuar
    e madhërishme, e rrumbullakët, e shndritshme
    lozonjare si një zanë.
    E dija.. ai s`u fsheh nga ajo, u fsheh nga unë
    Me të vazhdoi të luante..përsëri
    E ndiqja lojën tyre me nge..janë kolosë
    s`i pata zili..
    110.
    NJË BOTË TË TËRË

    Detin gjithmonë e njehsoj me ty
    Ashtu, gjatë , gjerë, të pa anë.
    Ai një det, e ti në breg,
    dy kolosë
    Veç ashtu mund t’ju kujtoj
    Bashkë pllojc..

    Me flokët që kishe mbi supe
    ngjanin valët
    Me blunë, sytë
    Llërët, me tallazet
    Që dyndeshin thellësive
    E përplaseshin bregut
    me naze.

    Shkuma me rërën bashkë
    shkrinin kryqëzimin e shikimeve tona
    drithërima zemrash përzienin
    Me ta pluhur yjesh ..spërkatnin detin
    batica- zbatica përpinin..

    Ndaj
    Pa ty ai s`është me det
    Është kot!
    Pa detin ti s`je me ti..
    S`të mendoj dot!
    As jam kurrkushi, as unë
    Pa ju të dy,
    as isha dje, as jam dhe sot..
    Të tre bashkë ne përbëjmë pa frikë
    Një botë.

    AS MISH, AS PESHK

    Si në një botë
    e natyrës pa jetë,
    Për çdo mëngjes
    Më përshëndet
    Të përshëndes
    Thjeshtë: “mirëmëngjesi..”

    Si ujët e vakët e një burimi
    Gati në të shterur
    rrjedh me përtesë
    Që as të ftoh
    As nuk të ngroh
    dhe as të djeg.

    Dita drejt muzgut
    vdes me ngadalë
    strukur mes nesh
    Në pritje të së nesërmes
    Ku nis rutina
    Thjeshtë “mirëmëngjesi”
    Ngado na ndjek
    Pa zell, pa ndjenjë
    As mish as peshk..!

    Drejt rrugës së shkronjave për në Manastir
    Violeta Mirakaj

    Dy vende, Shqipëri dhe Maqedoni, përkujtojnë dhe festojnë Kongresin e Manastirit.
    Ditën e diel, më 22 nëntor, në Muzeun “Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir” u festua dhe u përkujtua Kongresi i Manastirit, Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe. Fjalën përshëndetëse për këtë ngjarje e mbajtën Zëvendëskryetari i qeverisë Maqedonase, Z. Musa Xhaferri, si dhe Nuer Arslani – Drejtor i Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe,Manastir.
    U mbajtën kumtesat shkencore nga: Prof. Dr. Nebi Dervishi: “Me rastin e 110- të vjetorit të komitetit të fshehtë për lirinë e Shqipërisë, hapi rrugën drejt bashkimit kombëtar”, Milazim Elshani: -“Mithat Frashëri ideologjia komuniste dhe ajo nacionaliste”, Dorjan Koçi : “Emigracioni politik 1944 – 1949 dhe Mithat Frashëri”, Naser Pajaziti: – “Alfabeti i Stambollit”, Afet Jashari: -“Atdhetari i shquar Mithat Frashëri”, Albnora Musa: -“Veprimtaria atdhetare e Mithat Frashërit gjatë viteve 1908-1910”, Dr. Ilmi Veliu: -“ Takimi me Ilmi Vehbi Ismailin në Amerikë dhe organizimi i ceremonisë së varrimit të Mithat Frashërit”. Në mbrëmje në teatrin e qytetit u mbajt galakoncerti : “Drejt rrugës së shkronjave për në Manastir”, nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës edhe Baletit të Republikës së Shqipërisë. Kënduan solistë Shkodran si Tolaj, tenor, Vikena Kamenica, mezosoprano, Armando Likaj,basbaritone, Shkëlzen Bahtijari, piano dhe Dirigjent, Edmond Doko. Mysafirë specialë: Pajazit Murtishi- aktor dhe Shemsi Krasniqi- Ilirët. Pjesëmarrja, si nga qeveria Maqedonase, Zëvendëskryetari Qeverisë -Z. Musa Xhaferri dhe Zëvendësministri i Kulturës së Republikës të Shqipërisë, Z. Zef Çuni, si dhe drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, të Shqipërisë, Z. Ilir Kerni, si dhe të aktivistëve kosovarë, tregon për shkëmbimin ndërkulturor midis vendeve, midis popullit shqiptar,brenda kombit shqiptar. Prania e medias, nga të dy vendet, Maqedonia si dhe TV Shqiptar, i bënë jehonë këtij aktiviteti, kësaj ngjarjeje historike, si dhe tregoi edhe njëherë se: “Përpjekja e të gjithë delegatëve të Kongresit të Manastirit për t’u ngritur mbi pikëpamjet e ngushta vetjake në të mirë të kërkimit të një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë, është edhe mesazhi më kuptimplotë, që na përcjellë Kongresi i Manastirit i vitit 1908”. Nismën për thirrjen e kongresit kombëtar për vendosjen e një alfabeti të vetëm e mori klubi shqiptar Bashkimi i Manastirit, që luante rolin kryesor midis klubeve shqiptare. Ata e kuptuan rëndësinë e madhe që kishte çështja e alfabetit të vetëm për zhvillimin e mëtejshëm të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, e shpallën atë si detyrën më të ngutshme. Me 27 gusht të vitit 1908, pas vendimit që kishte marrë që më 21 gusht, kryesia e klubit ‘Bashkimi’ të Manastirit, shpalli thirrjen e saj, me të cilën u bëri të ditur gjithë klubeve dhe shoqërive brenda dhe jashtë Shqipërisë, propozimin për mbledhjen e kongresit te alfabetit, më 14 nëntor 1908, në të cilin do të ftoheshin të gjithë shqiptarët, gegë dhe toskë, si dhe të jashtmit e çdo filologu, që interesohej për këtë çështje, për të marrë pjesë në këtë kongres të madh. Kongresi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, i vazhdoi punimet e tij deri më 22 nëntor. Morën pjese në punimet e këtij kongresi, 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Në këtë mënyrë, Kongresi i Manastirit u shndërrua në kuvend mbarëshqiptar, ku morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, si dhe nga shoqëritë shqiptare të Sofjes të Bukureshtit, të Konstancës, të Amerikës, të Egjiptit, të Italisë etj…Tridhjetë e dy delegatët me të drejtë vote ishin shkrimtarë e publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laik e klerikë, veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare si: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër Buda, Ndre Mjeda, Gjergj K. Qiriazi, Bajram F.Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor M.Cilka, Nikollë Kaçorri, fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Rrok Berisha, Thoma Avrami, Hilë Mosi, Akil Eftimiu, Adham Shkaba, Mati Logoreci, Ayis Beu (Shkodër) , Shefqet Frashëri, Simon Shuteriqi, Leonidha Naço, Zejnel Glina, Sami Pojani, Refik Toptani, Mihal Grameno, Hafiz Ibrahim efendiu (Shkup), Emin Haxhiu (Shkup), Rauf Beu ( Gjirokastër). Selahedin Beu (Manastir). Rruga që zgjodhën intelektualët e shquar për zgjidhjen e problemit të alfabetit duke thirrur një kuvend kombëtar, ishte më e drejta. Vepra e kryer në Kongresin e Manastirit i qëndroi kohës, u bë pjesë e pandarë e kulturës shpirtërore të kombit shqiptar.

    MEVLUD BUCI
    Zgalem i jetës

    Zgalem i jetës me zë stuhi,
    Ballëdjersitur,shpirtflori,
    Rrezatim drite si hana,
    Zëbilbili, Tonin Tërshana.

    Cukal mbuluar me re
    Tarabosh që shkrep rrufe
    Oshëtin Buna,vrullon Drini
    Lotoi Shkodra-u nda Tonini.

    Blerim i dhe ti skenës
    Mall, behar, zemrës
    Ike nga mërgimi erdhe tek nana
    Uragan i këngës :Tonin Tërshana…
    JEHONË LABËRIE
    Jehonë Labërie vjen tek unë,
    Nga breg i Jonit me fëshfërimë,
    Malet e Dejës e kthejnë në furtunë,
    Në strall të gurit kur shkrepëtinë.

    Jehonë Labërie seç vjen
    Aq e pastër dhe e bukur,
    Një zemër burrash dëfren
    Në mote zjarr gjyshërish strukur.

    Jehonë Labërie e burrave të zot,
    Ngjitet gjer në Veri,
    Se kënga e Mujit dhe Halilit nga mot,
    Këngës labe pranë i rri…

    EMRI YT …
    Atjon Zhitit

    Shpesh më shfaqen
    Rasatet shpirtërore,ku prehesh, o engjëll,
    Në parajsën dritëpraruar,
    Atjon,
    Sikur më flet,
    Më thërret.
    Dhe emri ka me bleruar
    Pëllumb i bardhë,
    Lot që përcëllon,
    rreze,
    Në panteon…

    UJËVARË SHKREPASH
    Në djep të këngës përkundet
    Një vrull vale.
    Rrjedhin nga shkrepat rrëkezat
    Si flokë zane.
    Varen poshtë gjithë yjësi.
    Imazh i ditënetëve
    Aty rri…

    VRULL
    Ec e ec shpejt,shpejtësive ngado,
    Një pengesë e sertë pra të ço.
    Ngrihu dhe ec,pengesën kapërce,
    Jeta s`është e sheshtë,ka të tatëpjeta,
    Humnera dhe pengesa…

    Genci Llakaj

    PRES!

    Unë pres, këtu duke pritur jam,
    mendimi të të kthehet në ndjenjë,
    pres të më ftosh afër, aty pranë…
    kur dëshira me zëmrën të flenë…

    Unë pres, ngujuar në pritje jam,
    pasionin e kam kyçur fort në zi,
    që ti ta ndiesh këtë etje që kam,
    kur buza e tharë të laget në dashuri…

    Sërish nuk do lodhem të të pres,
    sepse pritjes vetëm ti i jep kuptim,
    në djall vaftë kjo jetë plot stres,
    ditën e shkrirjes mbi trupin tim…

    UNË, PENGU YT

    Më merr peng e më lidh me sy,
    unë i hutuar po bie në grackë,
    I pafajshëm besojë në mrekulli
    Lutem që fund të mos ketë ky çast.

    Jo, i jap vetes kurajë, guxo,
    Ajo nuk është femra – rastësi
    Bëj çfarë di mirë e mos lëndo,
    Çliroje nga armiku i saj, vetmi…

    Po! Bëhu altruist në këtë çast
    Ajo të dëshiron vetëm ty,
    Kuptoje që s’është thjesht rast
    Por një pasion i ndarë në dy….

    Këngëtarët, koncertet dhe fyerja që i bëhet publikut.

    Nga Pierre-Pandeli Simsia

    Një e-mail i panjohur mbërriti në postën time elektronike. Në fillim mendova të mos e hap, ta kaloja menjëherë në delete, pasi kohët e fundit janë përhapur shumë dërgimi i e-mail të ndryshme të ngarkuar me viruse. Por, kur në subjektin e e-mail lexova diçka që shkruhej për memorien time të të mbajturit mend të shumë këngëve shqiptare, vendosa ta hap e-mail.
    Pas përshëndetjes dhe urimit, dërguesi më shkruante se ishte një i afërm i një këngëtareje të mirënjohur të muzikës popullore shqiptare, por edhe asaj të muzikës së lehtë.(Edhe pse këngëtarja i ka kaluar të 60-të vitet e jetës së saj, është e mirënjohur)
    Këngëtarja kishte ardhur për vizitë në Nju Jork tek të afërmit e saj.
    Dërguesi i e-mail më shkruante nëse do kisha mundësi të takoheshim për të pirë një kafe.
    Iu përgjigja mesazhit të tij me e-mail, madje komunikuam edhe në telefon. Takimin me këngëtaren e prita me kënaqësi, madje, duke ruajtur edhe traditën e bukur mikpritëse shqiptare, si mikeshë që këngëtarja na kishte ardhur në Nju Jork i ftova të vinin në zonën ku banoj unë edhe për të ngrënë një drekë apo një darkë. Zonat tona të banimit janë 30 minuta larg me makinë nëse trafiku nuk është i rëndomtë në autostradë. Ata nuk e pranuan kërkesën time për të ardhur në zonën ku banoj unë; dëshironin që unë të shkoja e ti takoja atje për një kafe miqësore. Pas disa ditësh, shkova dhe u takuam në një kafene në zonën e banimit të tyre. Këngëtaren e shoqëronin dy të afërmit e saj. Sigurisht, takime të tilla janë emocionant, të bukur, edhe për vetë faktin se ishte hera e parë që e shikoja dhe njihesha nga afër me këngëtaren.
    Pas përshëndetjes miqësore, këngëtarja dhe të afërmit e saj që e shoqëronin, u hodhën menjëherë në temë, duke më përmendur dhe shprehur habinë e tyre për memorien time të të mbajturit mend shumë këngë të ndryshme shqiptare nëpër vite. U krijua një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, për më tepër kur këngëtarja dhe unë, filluam të këndonim me zë të ulët disa strofa të këngëve që vetë ajo i kishte kënduar vite më parë, sepse, ndoshta për vetë moshën e saj, ka disa vite që nuk këndon këngë të reja, por në çdo koncert që mund ta thërrasin këndon po të njëjtat këngë.
    Nga mesi i bisedës, miku i saj i afërt, më shprehu atë, që unë e quajta edhe qëllimin e atij takimi midis nesh.
    – Si mund të organizojmë një koncert që këngëtarja të japë për bashkatdhetarët këtu në Nju Jork ose edhe në shtetet fqinjë? Kohën e qëndrimit këtu e ka të shkurtër. Është rast shumë i mirë për ta shfrytëzuar edhe për bashkatdhetarët të kënaqen, por edhe për këngëtaren të ketë fitime financiare – tha dhe i kaloi një buzagaz në fytyrë. Pastaj, prapë duke qeshur, vazhdoi: – të marrë një dorë me dollarë… – dhe qeshja iu shtua edhe më tepër.
    Këngëtarja rrinte me sytë e ulur përtokë, si të mos e dëshironte atë çfarë po dëgjonte nga i afërmi i saj.
    – Me shumë kënaqësi, – iu përgjigja dhe menjëherë po mendoja se me cilët orkestrantë apo grup orkestrine këtu në Nju Jork mund të bashkëpunonte për të bërë prova këngëtarja. Këtë mendim ia shpreha edhe atyre.
    Këngëtarja uli sytë përdhe si e zënë ngushtë nga ajo e “papritur” që dëgjoi. ndërsa i afërmi i saj, i cili kishte marrë edhe situatën në dorë, përsëri, duke buzëqeshur mu përgjigj: – Nuk është nevoja fare për orkestrantë; këngëtarja ka sjellë me vete CD me këngë të sajat të kënduara nëpër vite…
    Pa e lënë të vazhdonte, i ndërhyra: Ti po më thua që këngëtarja të këndojë fallco? Të dali para bashkatdhetarëve dhe të hapë gojën sipas ritmit të këngëve! Domethënë, publiku të dëgjojë këngët e regjistruara në CD, ndërsa këngëtarja fallco do hapë gojën…! Jo! Ia preva shkurt. Kjo është fyerja më e madhe që i bëhet publikut, bashkatdhetarëve.
    Nga përgjigjja e papritur e imja që dëgjuan, pash që fytyrat e tyre u ngrysën menjëherë. Sikur iu tha pështyma në gojë, po rrinin si të hutuar pa folur asnjë fjalë. Ndërsa unë mendova të vazhdoja bisedën. U tregova edhe rastin e një këngëtari të njohur të muzikës së lehtë shqiptare që sot njihet si showman dhe punon në një televizion privat në Tiranë. Të njëjtën gjë kishte menduar edhe ai të bënte me bashkatdhetarët e një shteti fqinj me Nju Jorkun. E fyeu rëndë publikun bashkatdhetar ndërsa hapte dhe mbyllte gojën sipas fjalëve të këngëve të tija që dëgjoheshin nga CD.
    Me të drejtë, publiku i mrekullueshëm kërkoi ndërprerjen e koncertit. U ngrit në këmbë i revoltuar duke u drejtuar nga dera dalëse.
    Këngëtari i ftuar showman, që priste suksesin e tij dhe dollarët e majme, u largua i turpëruar, siç thotë populli: “Me bisht ndër…” dhe, që atëherë nuk kam dëgjuar të vij e të japë “koncert” artisti showman në Sh.B.A.
    – Ti ke shumë vite larguar nga Shqipëria dhe ndoshta nuk e di, por sot gjithandej punohet me play back, – ndërhyri këngëtarja. I ke ndjekur festivalet shqiptare? Pothuajse me play back zhvillohen.
    Si të mos kisha dëgjuar atë çfarë po thoshte këngëtarja, u fola edhe për taksat që i detyrohemi të gjithë shtetit amerikan. U tregova edhe një rast tjetër të një këngëtareje shqiptare nga Mali i Zi, e cila e ka të ndaluar hyrjen në Sh.B.A. për të dhënë koncerte derisa t’i shlyejë shtetit amerikan detyrimet financiare taksore që i janë ngarkuar nga dhënia e koncerteve të ndryshme në Sh.B.A.
    Habia e tyre, sikur iu shtua në fytyrë…
    Nuk po ndjehesha shumë i kënaqur me kafenë që po pinim. Pash, që atmosfera e bukur dhe gazmore në fillimet e bisedës sonë ishte kthyer në hutim, mërzitje, mendime. Madje edhe kupat me kafe përpara tyre, sikur po harroheshin për t’u pirë. Ne shqiptarët, kemi një zakon; kur na vjen miku në shtëpi, pavarësisht kafesë që pijmë dhe bisedës së ngrohtë dhe miqësore që zhvillohet, nëse nuk shtrohemi në tavolinën e ngrënies për drekë ose për darkë, na duket, sikur nuk e kemi kënaqur mikun.
    Ashtu po ndjehesha edhe unë në atë bisedë me miqtë. Para se të ndahesha me ta, i ftova të darkojmë pas dy ditësh në një restorant luksoz në Long Island (Long Aijland) pronë e një bashkatdhetares sonë kantautore. Nuk më kundërshtuan, e mirëpritën ftesën time, ndoshta edhe me shpresë se mund të kishin bashkëpunim me artisten, meqenëse ishte edhe pronare e lokalit. E kam falënderuar shumë, shumë, pronaren e lokalit në Long Island, jo vetëm që na mirëpriti me buzagaz, ashtu siç është në tipin e saj, por në fund, para se të largoheshim na tha: – Mirësenaerdhët dhe, darkën e keni të paguar nga unë sonte. Pasi u ndava me miqtë duke u përqafuar dhe me premtimin se do takoheshim edhe herë të tjera për të pirë kafe, u duk, sikur qëllimi i takimit të tyre me mua dështoi.
    Duke u kthyer për në shtëpi, mendja po më rrinte tek ai takim dhe biseda që kishim zhvilluar. “Play back!” “Ti ke shumë vite larguar nga Shqipëria dhe ndoshta nuk e di, por sot gjithandej punohet me play back…” Fjalët që më kishte thënë këngëtarja gjatë bisedës po më tingëllonin në vesh.
    Është e vërtetë, kam pothuajse 25 vjet larguar nga Shqipëria, por gjatë këtyre viteve kam patur rastin të kem qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete muzikore, të kem ndjekur nga afër edhe këngëtarët që këndojnë live përpara bashkatdhetarëve pa iu dridhur qerpiku që “çajnë” sallat e mëdha me zërin e tyre voluminoz ,melodioz. Kam ndjekur nga afër Aurela Gaçen, për të cilën kam shkruar edhe shkrimin me titull: “Një këngë për Aurelën”, kam ndjekur nga afër këngëtarët e mirënjohur Gëzim Nikaj, Morena Reka, Merita Halili, Kino, Luljeta Pëllumbi, … duke u përballur drejtpërsëdrejti me publikun me zërin e tyre, jo me play back duke na dhënë edhe kënaqësinë e madhe. Kam ndjekur nga afër aktivitetin më të rëndësishëm kulturor artistik muzikor që zhvillohet në New York, Festivalin e përvitshëm Folklorik, organizuar nga Kisha Kalotike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” që nuk na fyejnë me play back, por këndojnë live me zërat e tyre të mrekullueshëm. Gjatë këtyre 25 viteve larguar nga Shqipëria, kam pasur rastin, nëpërmjet internetit të ndjek edhe festivalet e përvitshme të këngës në radiotelevizion, zhvilluar në fund të dhjetorit në Tiranë.
    Përveç se qesharake, ndjej dhimbje për atë çfarë shikoj tek muzikantët, tek drejtuesit e orkestrës që mbajnë kufjet në vesh ndërsa interpretojnë edhe pse pretendohet se festivali zhvillohet live me shumicën e këngëve të përzgjedhura për festival që nuk u kuptohen fjalët këngëtarëve gjatë interpretimit, që këngët e kanë jetën e shkurtër në memorien e dëgjuesve.
    “Play back”! Nëse do ti rikthehemi viteve të para 90-tës, ndjejmë kënaqësi kur i shikojmë edhe sot e kësaj dite të regjistruara. Mjeshtrit drejtues të orkestrës: Ferdinant Deda, Eno Koço, Ermir Krantja, e drejtonin orkestrën mjeshtërisht, pa kufjet në vesh siç i shikojmë sot nëpër festivale drejtuesit e orkestrës.
    Muzikantët e orkestrës para vitit 90-të nuk mbanin kufje në vesh gjatë interpretimit në shoqërimin e këngëve, siç i shohim sot në orkestrën e festivalit të këngës në radiotelevizion.

    ShPENDI TOPOLLAJ

    BOJAXHIU

    -tregim-

    Kur u sëmur shoku im Keli, mora time shoqe dhe i shkuam për një vizitë. Blemë diçka te minimarketi poshtë pallatit të tij dhe u ngjitëm në katin e tretë, ku ai banonte. Derën na e hapi e shoqja Dhurata e cila duke na drejtuar nga dhoma e pritjes ku i sëmuri rrinte i shtrirë në divan, zuri të na thotë me gëzim se analizat i kanë dalë shumë mirë. Keli po bisedonte me dikë që nuk e kisha parë ndonjëherë dhe u mundua të ngrihet, duke thënë:
    – Po kot u bëtë merak, se nuk kam gjë. Sot, siç u tha Dhurata, morëm dhe përgjigjet e analizave dhe kishin dalë negativ.
    – Epo urime, po ne për të ardhur kishim, se kemi kohë që kemi bërë mungesa.
    – U faleminderit! Njihuni dhe me këtë mikun, e quajnë Llazi dhe është andej nga anët tona.
    Llazi qeshi, na zgjati dorën dhe na pyeti:
    – Si jeni?
    Pasi zumë vend dhe shuam kureshtjen për sëmundjen e Kelit, gruaja, si gjithë gratë që vënë re ç`do ndryshim në shtëpinë e tjetrit, pyeti:
    – Paski lyer shumë bukur. Kush u ka lyer kaq mirë, se edhe ne jemi bërë që mos e pyet. Kemi kaq vjet…
    Mua që lyerja më duket një tmerr i vërtetë, nuk m`u ndenj pa kundërshtuar:
    – Nga vera kësmet.
    – Jo mor çfarë vere thua ti. Jemi bërë për turp. Më thuaj Dhurata, kush ua leu se po më pëlqen shumë. Sidomos këto tavanet me zbukurime allçije… I lumtë! Paska bërë punë të paqme.
    Keli, kur pa se ne nuk po binim dakord, ndërhyri si me shaka:
    – Për këto gjëra, duhen dëgjuar gratë. Bojaxhiu ynë është ky patrioti im Llazi.
    Llazi, një tullac, trupvogël që tregonte më i madh se ç`ishte në të vërtetë, ashtu si i zënë në faj, me zë të shtruar, tha nga ana e tij:
    – Hë mo se rregullohemi. Sa t`u bëhet mbarë dhe vi unë. Sa dhoma keni?
    – Dy dhoma e kuzhinë – u përgjigj Dhurata që po shpejtonte t`a bënte fakt të kryer. Vetëm kemi hall se mos kushton shumë.
    – Mos u mërzit moj zonjë, do mbetesh e kënaqur edhe nga çmimi.
    Pastaj nisën bisedat, si zakonisht kur mblidhen të njohur dhe të panjohur dhe Llazi tregoi se:
    – Ka qyfyre të mëdha sot. Kam nja një muaj që kam punuar te një Universitet privat. Ishte goxha lodhje, se zyrat, kabinetet dhe korridoret, nuk kishin të mbaruar. Më kuptoni: lyerja bëhej me furçë, me hidromat. Po duheshin lloj-lloj ngjyrash. Le pastaj që edhe pse ishte godinë e re, kishte nevojë për patinime dhe ata të dekanatit kërkonin punime zbukuruese si këto të Kelit, prej allçije.
    Të gjithë dëgjonim me vëmendje, për të mësuar se ku ishin qyfyret këtu. Llazi vazhdoi:
    – Kur mbarova, më çuan te Presidenti i atij Universiteti. Unë nuk e kisha takuar më parë, por duke dëgjuar në televizor dhe nëpër gazeta për veprimtaritë e atij Universiteti, e mendoja një zotni burrë, profesor të madh. Mirëpo pashë se isha gabuar. Ai ishte ulur në një kolltuk dhe po hante nja dy byreqe. Kishte mbushur me thërrime jo vetëm atë tavolinën e vogël, por edhe trikon e leshit që mbante veshur. Shishen e dhallit e kishte zbrazur dhe ashtu siç ishte rrëzuar e kishte lënë. Ca facoleta të bardha të bëra shuk, i kishte hedhur pa kujdes. Pra ishte një pamje e denjë për ne bojaxhinjtë dhe jo për një President që e priste jashtë një Fuoristradë e zezë e dalë nga kutia, më e shtrenjtë se ajo e Presidentit të Republikës.
    Keli, lëvizi nga vendi ngaqë ishte mpirë dhe tha:
    – Pastaj?
    – Pastaj. Ja, më tha, a do të porosis edhe për ty ndonjë byrek, se i bëjnë të mirë. Jo, i thashë. faleminderit. Unë erdha, se ju e dini që lyerja mbaroi dhe tani të likuidohemi. Dhe u çudita kur ai tha: Pa tjetër do likuidohemi. Por ka një problem të vogël. Ne tani për tani jemi pak si ngushtë me lek. Ti po prite deri vitin tjetër… Sa bëjnë? – pyeti pastaj. Dymijë EURO i thashë. S`janë gjë m`u përgjigj. Vetëm që do presësh ca muaj, se kemi bërë shumë shpenzime. Bo, bo! Ç`më gjeti thashë. Edhe kjo më duhej. U mundova t`a sqaroja se unë ato lek prisja, se kur jeni ngushtë ju si pronar i gjithë këtij universiteti, vajhalli, një bojaxhi i thjeshtë si unë. Mirëpo, ai nuk donte t`ia dinte. Do e gjejmë më tha një mënyrë. Edhe ty do të të bëhet mirë. Me qenë se nuk pret dot, atëherë do e bëjmë kështu: ne do të të japim një diplomë. Ti fakultetin zgjidhe vetë. Desha të them, zgjidh degën që do. Diploma bën jo pak, por nëntë mijë EURO. Kështu që ti je i fituar. Unë ngriva. Nuk po u besoja veshëve. Fillimisht pandeha se mos po tallej ky presidenti. Mos më merrte për ndonjë leshko. Ore, i nderuar! Për çfarë diploma po më thua, se unë mezi kam kryer shtatëvjeçaren. E pastaj? Kujt i plasi se ti nga shtatëvjeçarja po merr shkollën e lartë? Jo i thashë, por mua nuk më duhet gjë. Ku ta çoj? Atje, tha, ku e çojnë të gjithë. Këtë nder ne ia bëjmë vetëm ndonjë deputeti. Ky është një privilegj i madh. Jo, vazhdova të kundërshtoja me këmbëngulje unë. Dua lekët dhe asgjë tjetër. O,o… shtoi presidenti, lekët s`i kemi problem. Veç që duhet të presësh nja gjashtë muaj, kur të fillojnë regjistrimet e reja. Punë që s`bëhet, i thashë. Po ju pse e lyeni godinën pa pasur para. Është shkollë moderne kjo, m`a ktheu. Ti mban mend shkollën e kohës tënde që lyheshin me gëlqere të pashuar mirë. Ikën ato kohë. Harroje. Mor i harroj unë, por nuk mund të harroj lekët që më takojnë. Shiko tha, qenke i çuditshëm. Sidoqoftë edhe kjo e ka një zgjidhje. Ti do na gjesh një tjetër, që e do diplomën dhe atij ia merr ti dymijë EUROT. Më lirë s`ka ku shkon. I thashë se as kjo nuk ishte gjë, pasi unë nuk kam ku gjej njerëz që duan të blejnë diploma. Unë vetëm furçën kam. Pastaj, s`kam dhe kohë për të humbur.
    Si heshti një çast Llazi dhe piu dhe gllënjkën e fundit të rakisë, dhe si pa se na kishte lënë pa fjalë, shtoi si për t`i dhënë fund kësaj bisede:
    – Ja kështu. Po pres vitin tjetër që të çoni ju fëmijët në këtë universitet, që të marr lekët për një muaj punë. Ka edhe kështu.
    Dhurata i mbushi përsëri gotën bosh dhe i tha se:
    – Këta miqtë e mi, do të të paguajnë rregullisht, mos e vër në dyshim.
    – Nuk e tregova këtë histori se dyshoj tek ata. Por për t`u thënë se deri ku ka vajtur kjo puna e shkollës.
    Nuk kishte kuptim ta komentonim këtë rast i cili më mbeti në mendje gjatë.

    Luan Memisha
    Në tërësi, libri të bën përshtypje për gërshetimin e materialeve dokumentare e rrëfimeve interesante
    HEROI I GJALLË, SHEFIT LIÇAJ

    Në dekadat e fundit janë shkruar mjaft libra historikë për ngjarje, bëma dhe personazhe, të cilët kanë marrë pjesë në jetën shqiptare dhe kanë lënë gjurmë në historinë e saj.
    Libra të tillë, si ky i autorit Sulçe Çela, kushtuar luftëtarit antifashist Shefit Liçaj, me titull “Shtatë plagë e prapë në këmbë”, të bën përshtypje për faktet, detajet e tablotë e gjera të Luftës së Dytë Botërore, me idealin e lirisë në gji.
    Në tërësi, libri të bën përshtypje për gërshetimin e materialeve dokumentare e rrëfimeve interesante të atyre që morën pjesë në këtë epope të madhe çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë. Në këtë sfond të ngjarjeve e rrjedhojave të historisë, portreti i luftëtarit Shefit Liçaj nga Tërbaçi i Vlorës, jepet jo vetëm i gdhendur në karakterin e tij antifashist, por edhe me botën e gjerë njerëzore që ai fiton gjatë shtegtimit të tij në viset e ndryshme të Shqipërisë.
    Ashtu si edhe barinjtë e tjerë të Labërisë, edhe Shefit Liçaj, duke dalë nga jeta blegtorale e maleve të Shashicës e pllajat e Çikës, fillimisht si tregtar në qytetin e Vlorës dhe pastaj punëtor në firmën italiane të ndërtimit “Mona”, në moshë shumë të re nisi të punojë në guroret e Rumanisë, Kroacisë e Serbisë. Ishte pikërisht ky “shtegtim” përmes të cilit ai njohu natyrën e shfrytëzimit të kapitalit italian dhe rezistencën e popujve të Ballkanit kundër fashizmit.
    Si kundërshtar i fashizmit, ai burgoset në Kroaci e në Shkodër e në fund në Vlorë e gjetkë, ku u njoh me antifashistë të tjerë të shquar si Qemal Stafa, Perlat Rexhepi, Vehbi Hoxha e Neki Imeri, në bisedë me të cilët kuptoi më mirë rezistencën antifashiste të popullit të vet për çlirimin e Shqipërisë.
    Pjesëmarrja e tij në Çetën Plakë të Vlorës dhe aksionet kundër fashistëve në Gjorm, Selenicë e Drashovicë, plagët që mori në këto luftëra e rritën së tepërmi trimërinë e guximin e tij. Me krijimin e Brigadës I S. ashtu si qindra luftëtarë të tjerë të Labërisë, edhe Shefit Liçaj, edhe pse i plagosur, udhëtoi për në Vithkuq e u rreshtua në radhët e saj.
    Në faqet e librit “Shtatë plagë e prapë në këmbë” shpalosen mjaft ngjarje e tablo ku trimëria e partizanit Shefit Liçaj përshkruhet me nota të forta epike nga mjaft luftëtarë antifashistë si: Vehbi Hoxha, Ndreko Rino, Xhelo Faslliu, Shefit Gaçe e Xhafer Peçi, si edhe mjaft të tjerë, që e kanë njohur në betejat e ashpra me pushtuesin.
    Në mendje të mbetet leximi i tablove të tilla si: “Beteja kundër fashistëve italianë në Voskopojë, beteja në Mokër dhe beteja kundër nazifashistëve gjermanë në qytetin e Pogradecit, ku Shefit Liçaj ngriti në krahë trimin e vrarë, komisarin Hasan Mëhilli nga Dukati, derisa e varrosi në një lëndinë.
    Si kronikë e gjallë e luftës, mes borës e furtunës, shpalosen betejat e Qafës së Thanës, Librazhdit, Qafës së Kërrabës, Mesaplikut, Arbanës, Dibrës e Martaneshit, ku trupi i luftëtarit Shefit Liçaj qëndiset me plagë të tjera plumbash.
    Si një memorie e gjallë e betejave heroike, në faqet e librit shpërfaqet edhe beteja e Tendës së Qypit dhe ajo e Qafës së Kiçokut, në përballje me nazifashizmin gjerman, edhe pse trupi i tij u mbulua nga dherat e predhave e plumbave gjermanë, ai ngrihet si legjendë e lufton prapë kundër armikut. Kështu luftoi Shefit Liçaj përkrah luftëtarëve të tjerë antifashistë edhe në Mat, Tamarë e Kelmend, duke e ndjekur pushtuesin fashist deri në tokat e Kosovës e të Malit të Zi.
    Libri i Sulçe Çelës: “Shtatë plagë e prapë në këmbë” është mbrujtur me ngjarje e detaje, që ta sjellin sa më afër tablonë e madhe të Luftës së Dytë Botërore dhe kontributin e madh në luftën për çlirimin e atdheut. Këtë tablo e mbushin më së miri edhe kujtimet e antifashistëve të tjerë, bashkëluftëtarë të Shefit Liçajt, si komandanti trim Xhelo Faslliu, Vehbi Hoxha (Hero i Popullit), Ndreko Rino, Shefit Gaçe, Gjysho Kojdheli e mjaft të tjerë, të cilët luftuan krah përkrah në luftën e madhe.
    Krahas përshkrimeve, tablove e ngjarjeve, një vlerë të madhe në libër mbartin edhe dorëshkrimet e faktet e nxjerra në vitet e luftës, që janë një pasuri e veçantë dokumentare për brezat e sotëm. Ishte ky luftëtar antifashist, Shefit Liçaj, ashtu si luftëtarët e tjerë të Labërisë, të cilët i dhanë gjithçka atdheut dhe nuk kërkuan asgjë prej tij.
    Edhe pse ai u emërua oficer në Gardën e Republikës, me shtëpi e komoditet te Shallvaret e Tiranës, u kthye përsëri në Labëri e u vendos në Peshkëpi të Vlorës, te disa njerëz të afërt të tij, ku punoi me ndershmëri një jetë të tërë në bujqësi e blegtori.
    Luftëtari Shefit Liçaj, antifashist tërë jetën, kishte në trupin e tij shtatë plagë, po kurrë nuk foli për veten e tij. Në biseda e takime të ndryshme, ai fliste për shokët e rënë në beteja, për ngjarje e dëshmi që evoluonin luftën e madhe antifashiste për çlirimin e Atdheut.
    Dhe kështu vdiq në Ujin e Ftohtë të Vlorës, në vitin 2010, duke kundruar detin e qytetit të tij të lindjes si dhe ndryshimet në shoqërinë shqiptare.

    *******************************************************************
    Shqiptari rom, një artist ndërkombëtar në Angli

    Gëzim Llojdia*

    1.
    Një kulturë ku sipas studiuesve është formuar nëpërmjet një procesi të gjatë por në ndërveprim me kulturën e popullsisë përreth tyre,kultura rome ka përshkruar një udhëtim të gjatë nëpër llahtari, dimërore. Pra copëra, rrëzimi ka ngjarë. Dhimbje,lotësh midis, harrimi në fund. Romët, komuniteti ku jetojmë gjatë së bashku në të njëjtën diell. Por, gjithmonë ,në çdo regjim të përçmuar. Kush i ka njohur romët ka kuptuar se nga buron edhe shpirti artist i tyre. Ata janë mjeshtër të vërtetë muzikës dhe artit .Ata nuk krijojnë artificializma, por shpirti i tyre prodhon art,ngase vetë në thelb ata janë artistë të mirfilltë. Ata ose bëhen ose nuk bëhen artistë,ata ose bëjnë arte ose nuk bëjnë fare. Prandaj edhe kultura rome ,sipas Elena Marushiakova & Veselin Popov: përbën një variant të veçantë etnik të kulturës evropiane. Kjo është e barabartë me ato të të gjitha kombeve të tjera evropiane, dhe si i tillë është po aq unik dhe të veçantë si asnjë prej tyre. Kultura rome është një pjesë e traditës së përbashkët kulturore evropiane. Pas rivendosjen e komuniteteve rome nga Evropa në pjesë të tjera të botës, ndërveprimi i ri erdhi në ekzistencë dhe karakteristikat shtesë janë mbivendosur, në këtë mënyrë si rezultat mund të shohim një subvariant të re të pandryshueshme…
    2.
    Një artist shqiptar nga ky komunitet është Ferdiand Koci. Gypsy Roma Traveller Leeds e ka përfshirë biografinë e Ferdinandit mes artistëve të tjerë të shquar në Evropë. Eduart Koci,vëlla me Ferdinandin më ka rrëfyer për ekspozitat e hapura në disa vende të ndryshme të Evropës. Ferdinandi në hapjen e ekspozitës së tij të parë në Mbretërinë e Bashkuar në Leeds, si pjesë e festimeve . Ferdinand Koçi në Grand Finale GRTHM në LeedsHe ka përfunduar shumë vepra të ilustrim për libra dhe publikime mbi romët në veçanti. Ai siguroi të gjitha ilustrime për “Burimeve Learning tregimit” Udhëtarët e ‘mendjet e hapura -Rrugët hapur’ dhe DVD ‘Traveller pari “. Ai flet rrjedhshëm gjuhët: Romane, anglisht shqipe dhe gjithashtu, frëngjisht dhe disa gjuhë të tjera si italiane dhe polake.
    Ai ishte i pari romë i regjistruar në shkollën e artit në Tiranë ,c’praj atëherë ka studiuar në Francë dhe ka ekspozuar gjerësisht në të gjithë Evropën. Ferdinand mund të flasë për jetën e tij si një romë dhe gjithashtu ka njohuritë e tij të gjera për grupimet e ndryshme rome, komunitetet endacake rome, që ai i ka takuar në të gjithë Evropën ku ata jetojnë. Ferdinand është shumë e interesuar për të ekspozuar punën e tij. Puna e tij e sjell ne arte është një shfaqje në bibliotekë GRTAS Leeds dhe mund të shihet me takim.

    3.
    Si nisi Ferdinandi në këtë udhë të bukur ,por të vështirë të pikturës mbetet e veçantë për një djalë romë.
    Gypsy Roma Traveller: “Ferdinand Koçi filloi të bëjë imazhe në moshën katër vjeç nga një pasion për të bërë kështu .Ai i hutuar nga punët e tij të përditshme me lopët i është dashur të shikojë do të endet jashtë, ndërsa ishte tërhequr nga pasioni .. letër me lapsa apo qymyr. Ky pasion e çuan të bëhet romi i parë, për të marrë pjesë në Shkollën e Artit në Universitetin e Tiranës, dhe një artist profesionist, kështu fshihen kontradiktat e përditshme në mes të barazisë socialiste dhe moshës së vjetër margjinalizimi. E megjithatë, se pasioni është në kundërshtim me punën nga e cila ai fiton shumë nga të ardhurat e tij, puna që ai bënë dhe lëvizjet në pjesë të tjera në studion e tij me një të qeshur të vogël, duke thënë se “kjo është vetëm ilustrim.” Ky është tensioni mes “artit” dhe “ilustrim”, megjithatë , e cila i jep pickim për të copat e tij më të habitshme. “
    4.

    Ekspozita e fundit e këtij artisti rom me famë është hapur në një Galeri me pronarë Dan dhe Julie kanë varur piktura, printime dhe skulptura te bëra nga artisti Koci, përdorimin më të mirë të hapësirës dhe arriti të akomodojë mbi 40 copë, shumë prej të cilave nuk janë shfaqur më parë. Për ekspozitën Ndërkombëtare të Artistit romë në Leeds shprehet ditët e fundit dhe një gazetë:”Artisti rom me famë ndërkombëtare” .

    Themelues dhe veteranë të letërsisë shqipe për fëmijë
    ( Shënime për librin “Shkrimtarë të letërsisë për fëmijë”, të studiuesit Melaim Nelaj)

    Bardhyl Xhama
    “Mësues i Merituar”,
    Shkrimtar për fëmijë

    Melaim Nelaj këto vitet e fundit ka shpalosur e publikuar aftësitë dhe talentin e vet në studimin e letërsisë për fëmijë. Pas botimit të librit me studime “Profile letrare” në vitin 2008, me analizën e krijimtarisë për fëmijë të 20 autorëve të shquar të letërsisë së sotme për fëmijë në Shqipëri dhe në Kosovë, si Bedri Dedja, Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi, Gaqo Bushaka Petraq Zoto, Skënder Hasko, Sokol Jakova, Rasim Gjoklutaj, Agim Deva, Refat Kukaj, Vehbi Kikaj, Ymer Elshani, etj., boton më 2011 monografinë letrare voluminoze “Kur lexojmë Odhisenë” (Bëhet fjalë për shkrimtarin e shquar Odhise Grillo, autor i mbi 100 librave për fëmijë). Dhe ja, Malaim Nelaj na shfaqet përsëri me një libër të ri me titullin “Shkrimtarë të letërsisë për fëmijë” (botim i vitit 2014), ku na paraqet me aftësi hulumtuese, krijuese dhe artistike portret letrare të 16 shkrimtarëve. Sikurse thekson dhe autori në parathënie, ky libër “është disi i veçantë, pasi ngërthen në mënyrë artistike portretet letrare te disa prej shkrimtarëve themelues dhe veteranë të letrërsisë së sotme për fëmijë, duke evidentuar vlerat ideore, artistike, estetike, morale dhe edukative të krijimeve më të mira letrare të tyre”. Pa pretenduar për një studim tërësor, autori përfshin ndër “Pionierët” dhe “veteranët” e kësaj letërsie disa nga penat më përfaqësuese të saj. Duke pasur si qëllim të këtij shkrimi jo analizën kritike, por paraqitjen e përmbajtjes të këtij libri, njohjen e tij nga lexuesit, po renditim edhe karakterizimin e shkurtër që u ka bërë autori shkrimtarëve që ka përmbledhur në vepër:
    Qamil Guranjaku, “pionieri” i parë i letërsisë shqipe për fëmijë, poet dhe prozator i spikatur i saj.
    Teufik Gjyli, shkrimtari që jetoi e punoi mes fëmijëve dhe krijoi me dashuri e pasion për ta, ndër autorët e parë të letërsisë së re për fëmijë.
    Spiro Çomora, humoristi i shquar që iu përkushtua me pasion e mjeshtëri edhe poezisë për fëmijë, sidomos asaj lirike, një ndër themeluesit e kësaj letërsie.
    Zihni Sako, “pionier” i letërsisë sonë për fëmijë, krijues i spikatur, veçanërisht i prozës dhe poezisë me temë nga jeta partizane.
    Drago Siliqi, përfaqësues i denjë dhe ndër të parët i letërsisë së re për fëmijë, krijues i talentuar i poezisë fëmijërore.
    Bedri Dedja, shkrimtari, studiuesi dhe personaliteti i shquar i letërsisë për fëmijë.
    Moisi Zaloshnja, shkrimtari dhe redaktori veteran i letërsisë së re për fëmijë, poet dhe prozator i spikatur i krijimeve me tematikë realiste.
    Bardhyl Xhama, shkrimtari i detit dhe i rrëfenjave, prozatori veteran i letërsisë sonë te re për fëmijë.
    Bekim Harxhi, autori elitar i poezisë dhe prozës së shkurtër për fëmijë, krijuesi model për talentet e reja.
    Naum Prifti, prozator i shquar edhe në krijimtarinë letrare për fëmijë, një mjeshtër veteran i tregimit shqiptar.
    Odhise Grillo, shqipërimet, një risi për letërsinë tonë për fëmijë, krijues, hulumtues dhe studiues i shquar i letërsisë shqipe për fëmijë.
    Skënder Hasko, humori i këndshëm që buronte nga shpirti dhe pena krijuese e shkrimtarit.
    Xhevat Beqaraj, freskia dhe muzikaliteti i poezisë lirike për fëmijë i shkrimtarit.
    Petraq Zoto, mjeshtri veteran i prozës për fëmijë, kryesisht i tregimit dhe romanit, shkrimtari i pyllit magjik.
    Gaqo Bushaka, proza fantastike dhe humoristike për fëmijë, Çufoja, një ndër personazhet më të realizuara.
    Vehbi Kikaj, poet e prozator i mirëfilltë, krijues i talentuar dhe i suksesshëm i letërsisë për fëmijë në Kosovë. Për secilin shkrimtar autori ia ka arritur të qëmtojë veprat dhe pjesët më cilësore, të cilat janë analizuar e komentuar për vlerat ideore, artistike, edukative e gjuhësore, duke na dhënë një pasqyrë panoramike dhe realiste të krijimtarisë së tyre. Në këtë vështrim, libri “Shkrimtarë të letërsisë për fëmijë” i autorit Melaim Nelaj u shërben një grupi shumë të gjerë lexuesish. Ai lexohet me ëndje nga çdokush që dëshiron të njihet me krijimtarinë e këtyre shkrimtarëve, u shërben shkrimtarëve në tërësi, por veçanërisht të rinjve që të njohin rrugën e aftësitë e tyre krijuese, u nevojitet mësuesve të shkollave në veprimtarinë mësimore dhe edukative, por ndihmesë e veçantë u jepet edhe nxënësve, sepse shumë krijime të autorëve të këtij vëllimi kanë zënë vend edhe në tekstet mësimore. Gjithashtu, meritë e autorit është se librin e ka shkruar me një gjuhë të pastër e të kuptueshme, por dhe me një stil letrar, që e bën të këndshëm për lexuesin. Natyrisht, themi se meritë për këtë ka dhe redaktori i librit, shkrimtari i mirënjohur Pandeli Koçi. Kam bindjen se libri do të zërë vendin që meriton në bibliotekat familjare, por veçanërisht në bibliotekat e shkollave, sepse është një libër edhe në ndihmë të shkollarëve.
    Autorit i urojmë të vazhdojë këtë punë me vlerë që ka nisur prej kohësh dhe presim vëllimet e tjera me studime për shkrimtarët e letërsisë për fëmijë, që kanë qenë e janë më pranë fëmijëve, më pranë prindërve të tyre e shkollave.

    SERVET TARTARI

    1-DORA E NËNËS

    Dora e nënës, s’është e rëndë
    Edhe kur bëhet pëllëmbë!

    Dielli të zinte në lëmë,
    Ç’heroinë ishe, moj nënë!?

    Me mëngjes, në mal e arë,
    Duke mjelë, a hedhur farë.

    Vogëlushi qante në djepe,
    Burrit, i thoshe lepe.

    Nëna është rreze,
    Dielli me rrënjë

    Nëna është çerdhe,
    Deti i gjerë me këngë

    Dorë e nënës s’është e rëndë
    Edhe kur bëhet pëllëmbë!

    Nënë, s’ta dëgjoj më zënë…

    2-NJË FËRFËRIM LAJTHIE

    Atë ditë në korie,
    Frynte një puhizë e lehtë !
    Fërfërin një degë lajthie,
    Ma freskon gjoksin e nxehtë !

    Isha bashkë me miken time,
    S’pyetëm për stuhi e, thëllime
    As për gremina e humnerë
    Se do jemi bashkë për herë…

    Sa bukur kjo natë me yje,
    Përshkëndit hëna plot dritë.
    Dikur me vashën në pyje,
    Tek fërfërinin lajthitë

    3-LUANTE ERA ME FUSTANIN

    Kishe dalë në derë të stanit.
    Ç’ta tundte era fustanin!

    Nëpër faqe bënte shtigje…,
    Shega, që në vapë, piqe!

    Sa më pe u fute brenda!
    Bëre vetë, a të tha nëna !?

    Era endesh përmbi stane,
    Po s’kish më zogë e fustane!

    Mbeta tek dera i ziu,
    Ç’tallej me mua veriu!…

    4-SYTË E TU

    Sytë e tu, ah, sytë e tu,
    Herë të blertë, herë blu,
    Herë të prushtë, herë në gjumë,
    Herë si shiu në furtunë!

    Sytë e tu, ah, sytë e tu,
    Herë blu, herë të zes.
    Mos harro, të pres këtu,
    Ku zemra jonë u ndez!

    5-VETËM GURËT MË KUPTOJNË

    Kujt t’i flas!
    Jam i tëri helm’ e vrer!
    Të këmbej dy fjalë me ashkë,
    A të zhurit një zeher!

    I flas malit, ma kthen zërin,
    Sjell jehonën pa kuptim.
    Më përpin ajo të tërin…,
    I kthen shpirti- psherëtimë!

    Rrah të bëhem shok me lumin,
    Si një valë a si një dallgë…
    Levrekët bishtin ma tundin,
    Më përqesh, më tej, një ngjalë

    Thërras pranë dhe gushëkuqin,
    Të më jap ca cicërima!
    Më përtall, tek e tund bishtin
    Pastaj pushon tek lëndina!

    Kujt t’i them e kujt t’i flas…,
    Ja, tek është, politikani.
    Hall’i tij, vetëm të shvasë
    Dhe çka mbetur nga vatani…

    U bëj gurëve kudo thirrje,
    dhe ata, si unë, durojnë!
    Sot, e tutje, unë kam bindjen;
    Se, veç, gurët më kuptojnë!
    **********************************************

    Edlira Xhani Velaj
    PUTHJE
    Më duhet të mbaj ndonjëherë sekrete
    herë të thjeshta, herë të vështira .
    Për shembull, fqinja ime, Athina ,
    që bëhet tapë çdo mbrëmje ,
    ne lokalin ku unë shërbej .
    Duhet ta nxjerr përkrahu
    para se të mbyll derën
    e duke i thënë se ty të presin ashtu si mua .
    Ajo do të këpus gjysmën e borzilokut
    që është tek dera, do ti marri erë fort
    dhe pastaj do ta fus në mes të gjoksit .
    Do të pëshpëriti duke thënë se borziloku
    rritet më shumë kur ajo e masakron llahtarshëm …
    Do të thotë se të sajt flenë
    e atë nuk e pret asnjë, për be .
    Do të ngrihet mbi takat e saj dymbëdhjetë pondshe
    dhe për të humbur gjurmët,
    do të thotë :”A më shoqëroni ju vajzat e mira !”
    Mua dhe pronares sime që nxinë e sterron nga inati
    ”Deri tek vendi !.
    Jo për gjë po kështu nuk më kupton lagjja .ime .
    .’Ju e dini ! Është punë fati …
    Aman dhe ju të dyja gjithë paragjykime !”

    Ndërsa të nesërmen në mbledhjen e prindërve
    do t`më bëjë namin duke thënë :”Si guxon djali jot
    dhjetë vjeç të puthi vajzën time?!”

    NDRYSHIMI

    Unë nuk mund të ndryshoj.
    Jo se nuk dua por nuk e bëjë dot .
    Kam gjithçka dhe ndërkohë asgjë .
    Si hijet e drurëve të kopshtit,
    në një ngricë janari
    Krenare me vështrim të vëngër .
    Aq të qeta nën profilin e plotë
    të hënës, akullsi.
    Nesër bora shkrin
    dhe ti je prapë një dru i shtrembër .
    Unë prapë nuk dua të ndryshoj
    nga frika se një ditë ,
    do të ngelem vetëm .
    Si ishujt koral të pabanuar
    ku si mysafir ,
    kanë veç turist të rrjedhur .
    E tmerrshme !
    Sa shumë e duan njerëzit ndryshimin !
    Të shikojnë me ironi majmunesh,
    skërmitje dhëmbësh
    nga koka, deri në thua!
    Pastaj të kthejnë kurrizin.
    ”Mu duk leckamane, pa stil, shije,
    jo, jo nuk është ajo !
    Sa ka ndryshuar! ”
    A thua nuk po flisnin për mua .

    Agim Desku

    ÇAMËRIA

    Sonte…
    Për çfarë të shkruaj
    mbrëmjeve me zjarr lirie
    Çka i duhet pranverës ky zjarr
    që verbon sytë e nënave.
    më thuaj Ti, Atdhe
    ç`të shkruaj sonte
    për lirinë time
    pa Çamërinë
    JO.
    Nuk e nënshkruaj
    kurrë pasaportën
    pa miken çame.
    Nuk e dua lirinë i vetmuar
    pa flamurin kuq e zi
    të valëvitur me shqiponjë
    në Çamëri.
    As kokën pa tokën
    denbabaden iliro-dardane
    që ma vodhën zotnat e huaj.
    Kur fjala kishte heshtur
    diku në dhe e diku mbi të.
    Sonte
    jam zgjuar të shkruaj vargje
    që ngacmojnë heshtjen
    e njeriun tonë
    ta zgjojnë
    nga ëndrrat për pak liri.
    Që na shtrohet pallateve
    ngjyrë gri
    Gjysmëgotash herë të zbrazura
    metropoleve evropiane.
    Të dehur ngrenë dolli
    për fjalën tonë të heshtur
    Sikur edhe unë i dehur
    me shekuj
    edhe pse i robëruar
    me fjalë e me shpirt.
    Sonte
    kam të drejtë të jetoj
    e të kërkoj liri për Iliri
    ku denbabaden
    isha zot vetë,
    isha iliro-dardan
    isha Çamëri,
    isha Kosovë e Tetovë
    isha Preshevë e Malësi
    isha vetë Iliri
    isha Shqipëri.
    Sonte
    jam vetë zot e Kastriot
    jam Mic Sokol e Adem Jashar
    jam Kosovë e Rugovë.
    Sonte
    jam Preshevë e Tetovë
    jam Malësi e Çamëri
    Sonte
    jam shqiptar e jam Shqipëri.
    Fjalë e pathënë
    Në sytë e mi
    kur bie shi pranverave
    vijnë zotnat
    të luftojnë me ëndrrat
    që m`i vodhën buzëqeshjet
    e vargut të lirë
    për fjalën e pathënë
    që s`ma kthyen kurrë
    as kur isha roje
    në Kullën e bacë Ademit.
    Erdha në pritje të tim biri
    që t`i gjejnë gurët e Kosharës
    e t`i kthejnë në muret e Rozafatit
    aty ku ishin shekujt e Bogdanit
    që gostitnin miqtë
    në amfiteatrin e Apolonisë në Dyrrah
    duke shijuar tragjeditë ilire
    në skenat e Dardanisë
    aty ku nuk bie kurrë perdja
    e aktit të parë ,as të dytë.
    Më thuaj zot për aktin e tretë
    ku do të mbetem unë e ti.
    Në cilin varg do të takohemi
    me atdheun e brezave të mi.
    Po , atdheu nuk vritet bre,
    me asnjë çmim nuk matet.
    Ai jeton në secilën zemër
    të njeriut me plis të bardhë
    nëpër secilën fole të shqipeve
    deri në Çamëri,
    ku zotat do ta shkruajnë
    emrin tim
    në çdo faqe lapidari.
    Sonte
    a do të mësohem
    me buzëqeshjet çame,
    me këngët,me lotët
    për pak liri,
    për pak atdhe shqip,
    për pak Shqipëri.
    Për emrin Shqipërim
    që lind çdo ditë
    me flamur kuq e zi
    Dhe vdekjen e kërkojnë
    diku nëpër foletë e shqipeve
    Si fjalë të pathënë
    për uratën e zotave.
    Në pritje të më bekojnë
    me formulën e pagëzimit
    me emrin e bijve të mi ushtarë
    që i thyen gurët në Koshare.
    Të takohemi vetëm pranë luleve
    që nuk dinë ç`është pikëllimi,
    duke ngritur dolli
    me verë dashurie
    me miken time V(demokraci)
    Që të dytë vdesim nga pak
    për atdhe
    e për ma të bukurën e fjalës dashuri.
    Edhe për diçka
    që burimin e kanë
    të krojet e zanave
    aty ku pinte ujë
    edhe bacë Ademi.
    Ku nënëloket tona
    rrisnin burra atdheu
    e thurnin balada trimërie.
    Për lirinë u zunë
    me shekujt e djallit
    pa lot në faqe
    si shqipe mali.
    Dhe kujtojnë fjalët e pathëna
    me të vetmin emër,
    lapidar e krenar
    Nënë e Atdhe
    që mundin çdo fjalë
    e çdo dashuri.

    PASAPORTA E FLAMURIT

    Emri
    Ismajli, Isa, Iliri
    edhe unë
    Agim Desku,
    shteti
    -Jetoj,
    që nëntëdhjetë e nëntë vite
    në shtetin e coptuar
    shqiptar,
    me prindërit e farefisin tim,
    të njëjtën bukë
    e ndajmë më Shqiponjat e Butrintit.
    -Jetoj dhe vdes
    me të njëjtin flamur
    kudo në Iliri,
    nëse jetohet
    jeto me të njëjtin flamur,
    nëse vdiset
    vdis me të njëjtin flamur
    edhe në Çamëri
    me të njëjtin flamur
    Kuq e Zi.

    Petraq Kote, një identitet letrar i brezit të tij
    ALBERT R. HABAZAJ

    Letërsidashësit nga kritika letrare shqiptare janë orientuar me letërsinë e viteve ’80-’85 të shekullit të kaluar. Vetëm pak bulëza të freskëta të viteve ’90 kujtohen si vegime dhe kaq. Duke rilexuar librin me poezi “Portretin kam varur në muret e kohës” të poetit të mirënjohur fierak Petraq Kote, (për mua poetikisht më të ploti i tij), nuk e di se përse më erdhi nëpër mend një thënie e Kadaresë … “Madje krishterimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav …”. Ka mbi 40 vjet që në Pemën e Krijimit, pikërisht (me apo pa dëshirën tonë) pashë në atë Fidanishte të Gjelbër në Tiranë një syth të çelte freskët, shëndetshëm, pastër.
    Sot “portretin kam varur në muret e kohës” thotë miku im i vjetër. Unë e kundërshtoj:- Jo, Petraq, ti je tashmë një gjethe e gjelbër e pemës së krijimit që, nuk mund të thahesh asnjëherë, bile tashmë ngjyrat e gjelbra te pena jote bëhen më të dukshme, që s’ka zot t’i fshijë, me kollare a pa kollare, (edhe me “kollare prej akulli” qofshin) sepse tullumbace apo fyryfyçkë do të katandiset.
    Petraq Risto, miku ynë fisnikërisht poet, evidenton që jemi grimca të pluhurit kozmik të letrave në globin aq të vogël njerëzor. Apo jo, Peço?
    Ti, zoti Petraq Kote je një identitet letrar i brezit tënd dhe më shumë se kaq . (Ndërkohë, standardi mbi moshën 55 vjeçare është djepi i pjekurisë e përgjegjësisë qytetare për të mbajtur e rritur vlera në shërbim të njerëzve, për t’u fisnikëruar shpirtin atyre, për t’u zbukuruar ndjenjat, për t’u rrezatuar virtytet, për t’u dhënë mirënjohje e bujari bujarëve dhe mirënjohësve, për t’i bërë mirë shoqërisë, kombit e qytetërimit në tërësi).
    Edhe pse mos ekzistenca e kritikës letrare për grupmoshën tonë të krijimit ka lënë apo ka tentuar të lerë gjurmët e shpërfilljes apo të paktën të heshtjes ndaj Vlerës Letrare, ti, Petraq Kote, Nuri Plaku, Aleksandër Bardhi, Zoi Dashi, Tasi Proko, Alfred Mehmeti, Arben Velo, Maku Pone, Gentjan Banaj, Valentina Dafa, Brunilda Boçova, Eleni Liçaj e bujarë të tjerë të letërsisë me bukë të ngrohtë e të ëmbël letrare myzeqare e shqiptare, apo miq të mirë të fierakizuar fisnikërisht bukur si Fran Ukcama, Petrit Nika etj., si ju, që guxojnë me mend në krye e letërsi në shpirt, që i thatë kohës: Unë jam! Të kam pritur, o kohë të vije tek unë. Di t’i them dhe vetes më fal, se pena ime i përket të nesërmes.
    Me dhembje dhe dinjitet ti e thua veten sinqerisht, sepse “E thëna“ perëndia shqiptare e artit të fjalës është hyjnorja jonë për nesër, sepse ti di të gjunjëzosh edhe perënditë, sepse siç shkruan ti, i Miri i Penës:“Në gjunj i ulem vetëm Atdheut “…Më rritën në formë pushke/ në duart e atdheut,/ të vrisja armiq…
    Por…eh…Endërr e keqe…Realiteti ynë i ashpër…Betonizimi i ndjenjave, i gjakut, i shpirtit nuk mundi të realizohej deri barbari.
    Atëherë”nëna…”na pastroi me lotët e nderit …” e “ndoshta kam marr formën e librit “ thua ti vërtetësisht.
    Petraq Kote, ti je poet që në shfaqje. Sytë e tu burojnë vargje jete, qëndrimi yt gurgullon poezi dinjiteti, trupi yt emeton krijim ilirik të paimagjinueshëm, ndërkohë shpirti yt është gurrë qytetarie e vjershërimit elitar. Ti je poet modern, bile po e përsëris me germa të mëdha shtypi: PETRAQ KOTE ËSHTË POET MODERN NË SHQIPËRI. Libri yt me 159 faqe e mbajti, e mban dhe do ta mbajë syrin e mendjes e shpirtit tënd në harmoni ngjyrash e aromash me artin tënd e për këtë arsye, me vëllazëri poetike urimi im të vjen nga Vlora i ngrohtë: Të lumtë pena, Poet e mjaltë prodhoftë dhe pesëdhjetë e gjashtë vjet të tjera për të ëmbëlsuar në breza shqiptarët që do të vijnë, njerëzit që do të jetojnë!
    Edhe pse e lexova, unë do ta kem hapur gjithnjë librin tënd, do të lexoj një poezi, dy, tre, do ta mbyll prapë, do t’i rikthehem përsëri, por gjithmonë me kënaqësi e respekt, sepse vërej arritje në formë, edhe në përmbajtje, në figurat stilistike dhe në shëndetin e qëndrueshëm të poezive, për gjerësinë e thellësinë, për gjeografinë e hapësirat që rrok e mbi të gjitha për guximin artistik që u jep atë dinjitet të hijshëm krijimeve të tua, sa që edhe poetë me emër të përmendur do t’i kishin zili.
    O Poet! Ti s’shkruan, s’mund, do para, nuk jemi ne apo s’ka lindur akoma ajo lloj kritike pa frerë krerësh me kollare? Ndërkohë krijimi yt është shprehje kyçe e poezisë sonë, më saktë identifikimi i asaj që kritika s’flet, s’shprehet. Ti je krijues dinjitoz, më vjen mirë që po ta them disa herë këtë vlerësim apo më saktë evidentim, konstatimin tim, sepse më kujtohet E. Kanti kur shprehej: ”Individi pa dinjitet s’mund të prodhojë vepra dinjitoze.”
    Libri yt, miku im i respektuar thotë shumë gjëra, ka botë, ka jetë, ka dashuri, ka dhembje, ka vizion dhe identitet. Jep mesazhe të pastra e të mëdha njerëzore dhe qytetare. Ti asnjëherë nuk më ke folur për poezitë e tua. Interesant! Tani më vjen ndërmend. Askurrë nuk më je mburrur për çke shkruar e për çke botuar. Rrebelues je shprehur që s’pranoj më libra dhurata! Më gufosën!… Ndërkohë, unë e di që ti shkruan bukur dhe shumë miq të lartë që ke t’i kanë vlerësuar krijimet e tua. Që te “Kënga e Marrë”, “Ranë Kambanat”, “Humbja”, “Muza”, “Këngë e parrëfyer”, “Këngët e Motmotit”, “Ngjarje ndër Muzakë” (vëll.1, vëll.2), “Mirë se erdhe Lamtumirë!…”, “Gjerana”, “Nesër” apo një nga librat me cilësi artistike të lartë jo vetëm të autorit, por edhe të krijuesve të Principatës Letrare Vlorë Fier, Lushnjë, Berat, Rrogozhinë, vëllimi poetik “Portretin kam varur në muret e kohës, botuar nga Shtëpia Botuese “Globus R”, ti, Petraq Kote je cilësuar si antidogmatist që “rri zgjuar mbi vargje, ritme, figura…” Bukur ta ka gdhendur profilin artistik Prof. Agim Vinca, kritik i shquar i poezisë dhe poet i njohur kosovar, me origjinë nga Veleshta e Strugës.
    Petraq! Kur mbarova librin tënd “Mirë se erdhe Lamtumirë!”, shkrova në shënimet e mia për librat e veçantë që lexoj këto radhë: “Një shërbim i madh po i bëhet poezisë së sotme shqipe me “Mirë se erdhe Lamtumirë”.

    Punimet e Klubit Letrar “Pena e Re”

    Alketa Hoda
    – Trashëgimtare pa emër

    Oj botë e sfilitur dhe e stolisur me gënjeshtra!
    Ti që thur shpresa për njerëzimin,
    Dhe i grise pa mëshirë, tërë egoizëm.
    Ti nuk pyete për dhimbjet e një fëmije,
    Dhe mantelin e saj e shkrive …
    I more atë që ishte idhuj mbi idhuj
    Mrekullinë njerëzore, Perfeksionizmin shpirtëror,
    Por sytë e tij mbetën të paprekur ,tërë shkëlqim
    Pafundësia e mirësisë ,e dashurisë dha jetë!
    Si hije, si pëlhurë vezulluese e ngrite lart në qiell,
    Shpirti i tij heroik u nderua në botën e përtejme
    Se ti nuk qe e zonja ta vlerësoje…
    Meteorët e magjepsur bien në Tokë vetëm për të,
    Dhe atmosfera i shpërndan në natyrë,
    Si grimca yjesh plot magji.
    Ai iku me shpresa të mëdha ,
    Ndonëse kishte një peng në zemër …
    Por vonë, shumë vonë u kuptua se kishte lënë pas,
    Një trashëgimtare pa emër!

    ******************
    Eranda Allmetaj
    Iluzion

    Peng i arsyeve të pashpjeguara
    Klith në kthetrat e realitetit
    Zvarritu kohës për t’i shpëtuar
    Pa fund e krye gjithçka mbeti.

    Kurdo e njëjta qenie
    pasqyrë e kristaltë që shkëlqen
    Brenda copëza të thërrmuara
    Jashtë gjithçka vezëllen.

    Krenare ndaj botës ideale
    Kokulur në këmbë realiteti
    E ç’rëndësie është qëndrimi?!
    Shpirti i gjunjëzuar mbeti.

    Iluzioni ankthshëm përsosmërisht
    Thumbon si akrep pas çdo sekonde
    Kohë që tremb pafundësisht
    Pa vetëdije e humbur nga deziluzioni.

    Për ku vallë s’di kurrsesi
    Në ç’kah të gjesh drejtimin
    Mjegullnajë në tërësi
    Mendja prapë s’e ndal vrapimin.

    Në mundsh të kapësh fillin
    Mes një morie zhgjëndrrash
    Betejën mund ta quash të fituar,
    por as kjo nuk do mjaftonte
    jeta duhet të jetë mirësi e triumfuar.

    Fytyrën e trishton mendimi kulluar
    E veten mundoj arsyen të gjej
    Plagë që hapen për të mos u shëruar
    Hije që mbesin diku përtej.

    Koha shkon lumë pa grimcuar asgjë
    Në pritje shpresa fijeartë
    Ëndrrat lart si qiellgërvishtëse treten,
    Në mos për tek unë ku vallë?!

    Në honin e jetës përpihet gjithçka
    fuqia, shpresa, ëndrra e mite
    Në qëndron njëherë mbi gjithçka
    Të dytën here të duhet ringritje.

    ***************
    Griselda Allamani
    – Ndjenjë për ty

    S’më mbeti një kujtim një herë nga ty
    Një kujtim të vrazhdë ti nuk ma le
    Unë do iki do përmallohem,
    Por ti me vete asgjë s’më dhe.

    Do largohem nga ky qytet
    Erë veriu unë do ndjej
    Ndoshta koha larg na çon,
    Porsi ty dot nuk do gjej !

    Do të ruaj me kujdes
    Thellë në zemër do të mbaj
    Jo s’të thërras dot harresë,
    Kur koha të kish pjesë të saj

    Një kujtim ti nuk ma dhe
    Jo premtime ,as poezi
    Unë të doja pjesë të jetës
    Kur unë ika, s’erdhe ti!

    *********
    Sara Fuga
    – Më thuaj, si?

    Çdo të thotë të duash dikë me gjithë shpirt
    E të mos kesh, të largohet në heshtje pa e ditur pse
    Si është flesh me sytë e qullur në lot
    Të bërtasësh se s’paska fund kjo dhimbje
    O i madhi zot
    Si është të shpresosh për diçka pa kthim
    Të dergjesh në lot
    Se ndjen mallëngjim
    Si është të dashurosh deri në marrëzi
    E përgjigjja të jetë heshtje
    Mbushur dhimbje pa kufi
    Si është të mbyllësh sytë
    Ta kërkosh në ëndërr
    I vetmi vend ku ai është krah meje dhëndër
    Si është të puthësh çdo natë të tijat fotografi
    Ti puthësh në ekran se përball kurrsesi
    Ah më thoni si është të vuash për mollën e ndaluar
    Të harroj duke vdekur
    Apo të vdes duke e dashuruar?!!

    Sabrie Selimaj

    SYTË E SHPRESËS
    *
    Sytë e shpresës flakërijnë
    bashkë udhëtar me ne n`jetë
    dhe kur lotët n`mjekër rrinë
    në krahët e saj ndiejmë sigurinë
    *
    Fjalët e mëdha s`më përkasin
    thjeshtësia më jep hijeshinë
    çdo dëshirë që ëndrrat qasin
    sytë e shpirtit shpresuar rrinë
    *
    Jeta është një udhë magjepse
    nuk e ndjejmë ngopjen e saj
    çdo të mirë e çdo të keqe
    është me neve bashkudhëtare
    *
    Dashuria dritë hyjnore
    mrekullia në portën jetë
    është si mjalti ndër hoje
    universi me dritën shpresë
    *
    Të jesh vetvetja duhet patjetër
    kurrë të keqes mos i lakmo
    se kjo botë është gënjeshtër
    je udhëtar më kot gërmo
    *
    Udhët e jetës plotë mistere
    çdo njeri gjurmët lë pas
    sytë e shpresës kurrë nuk vdesin
    janë si yjet që ndrijnë çdo natë.

    PSE KËSHTU O TË BEKUAR
    *
    Përse dhimbjen e përtypni
    duke ikur larg më larg
    rehatinë në fole e kini
    djerr pse l`e tëndin toprag!?
    *
    Përse ikni duke vrapuar,
    toka mëmë është djepi juaj
    ëndrra pas ju ndjek rënkuar,
    nënat presin kthimin tuaj.
    *
    Përse ikni nga sytë këmbët!?
    si harroni prehrin e nënës,
    kulla mbyllur… kthimin pret,
    në vendëlinje je si mbret,
    *
    Përse kështu o të bekuar
    dheu i huaj, hidhet përpjetë,
    kjo jetë është udhëtim mbaruar,
    mos largoni, zogjtë nga foletë.
    *
    Toka mëmë mjalti i shpirtit,
    t`ushqeu me qumështin e gjirit
    pllaja lugje e fusha të gjëra
    s`janë ortegje por tuat ëndrra
    *
    Pse kështu o të bekuar
    merrni plagë në krahëruar
    malli e loti shpirtin zhuritur
    fjala në buzë, ngjitur e fikur.!?

    KUR PIKON ÇATIA E KOKËS

    Kur të pikon çatia e kokës,
    nuk të mbron ombrella e botës,
    fjalët boshe kurrë s`të ngopin
    por më keq të djallosin,

    Mëndja e lehtë është bela
    fjalë mbi fjalë s`bëhet kala
    trasta bosh barkun s`të ngop
    besë s`i zihet fjalës pa kokë.

    Një e mirë ka një të keqe .
    janë peshqeshi i kësaj jete
    ujku mjegullës përherë i qaset
    dhe dredhia me ty gajaset,

    Hapin hedhur, mate mirë,
    kurrë mos ik n`ë errësirë
    mos dëgjo trumbetat djallit
    se do biesh në pik të hallit

    Prandaj ktheje shiritin mbrapa
    mos tundo shpirtin me lajka
    ec përpara duke luftuar
    kurrë mos rri duke shpresuar…
    ***********************************************

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    Gazeta “Telegraf” ju sjell pranë suplementin letrar “Pena shqiptare” nr 21
    Datë: 18 maj, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
    02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka

    03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
    04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është i pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë, ku çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit! Redaksia e “Telegraf”.