Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 23 nëntor 2015

    655
    Sigal

    Xhejms Xhojs (James Joyce)
    Xhejms Xhojs (2 shkurt 1882-13 janar 1941) është një autor irlandez, i cili konsiderohet si një nga autorët më me influencë në fillimet e shekullit XX. Ai është i njohur me për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë diskutuar “Zgjimi i Fineganëve” (1939_), përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit në rini” (1916).
    Megjithëse pjesën më të madhe të jetës së tij e jetoi jashtë Irlandës, universi psikologjik dhe krijues i Xhojsit ishtë thelbësisht i lidhur me Dublinin e tij të lindjes, qytet i cili i krijon sfondin dhe frymëzimin për të gjitha veprat e tij. Në veçanti, marrëdhënia e tij e hershme dhe e rrëmbyer me Kishën Romane Katolike të Irlandës është pasqyruar nëpërmjet një konflikti të brendshëm të ngjashëm në alter-egon e tij, Stiven Dedalus-in

    Dritëro Agolli

    TANI DHE LARANI
    1
    Në një fshat ku bredh mbi male
    Hëna natën si ogiç
    Mama Klara lindi djalë,
    Mama Lara polli viç.

    Çdo mama e mburr të birë
    Dhe nga gazi s’mbahet dot;
    Mama Lara qesh me brirë,
    Mama Klara qesh me lot.

    Djali emrin e ka Tani,
    Vici emrin thjesht Laran.
    Edhe Tani dhe Larani
    S’blejnë qumësht në dyqan;

    Se mamatë kanë gjinjtë,
    Dy burime pa shterrim;
    Gjinjët rrjedhin në turinjtë,
    Kur i thithin me përtim.

    Mituarkët hapin gojën
    Dhe secili vetëm pi;
    Dhe një lloj e kanë bojën
    Të dy qumështet në gji;

    Veç se njërin e bën Lara,
    Kurse tjetrin teta Klara!

    2
    Sa çudira ka kjo jetë!
    Moshatarë djalë e viç,
    Vici bredh me vrap si qetë,
    Djali s’lot nga djepi hiç!

    Viçi lind e drejt në këmbë
    Tek një dardhë, tek një plep;
    Djali lind pa fjalë e dhëmbë
    Dhe pelena ka në djep.

    Sa çudira ka kjo botë,
    Një Laran dhe tjetri Tan!
    Njërin qimja e mban ngrohtë,
    Tjetri s’ngopet me jorgan!

    Sepse njërin e lind Klara,
    Kurse tjetrin e pjell Lara.

    3
    Lari shkon në djep çdo ditë
    Dhe nxjerr gjuhën e përqesh:
    -Je i vockël sa një mizë
    Dhe nga bota nuk merr vesh.

    Ka kaq dit’ që kemi lerë,
    Ti s’lëviz nga djepi hiç;
    Unë u ngrita menjëherë,
    Unë u ngrita se jam viç!

    S’ma kalon në qumësht mua!
    Ti me zor pi një filxhan,
    Kurse unë po të dua
    Mund të pi dhe një kazan.

    Vetëm sot s’kam pirë shumë,
    Një kusi edhe një tas!
    Mama Lara tha se unë
    Krejt oreksin po humbas!

    E mbaroj sa t’i ve hundën
    Atë qumësht që pi ti;
    Ti nuk fle po nuk të tundën,
    Unë fle se s’jam njeri;

    Sepse unë jam i Larës,
    Kurse ti i teta Klarës!

    4
    Mama Klara ngre të birë
    Dhe në gji me këngë e mban:
    -Shih Larani sa ka pirë,
    Ndofta, ndofta një kazanë!

    O laran, mor laraman,
    Leri Tanit një filxhan!
    Shko i thuaj mama Larës:
    Jepi qumësht teta Klarës!

    Ah, o viç që kokën kruan
    Tek një dardhë, tek një plep,
    Disa vite po kaluan
    Do ta shohësh ç’bën ky djep!

    Nga ky djep prej copash pishe,
    Ku hap sytë ky njeri,
    Pak më i gjatë se një shishe,
    Ti ç’do dalë nuk e di!

    Nga ky djep do dal burri, që do ngrerë gjer në re
    Pirgje muresh gur pas guri,
    Diga plot betonarme.

    Do të tundë mal e kodër
    Edhe tokë e oqean;
    Për atë do jesh si lodër
    Ti i bukuri Laraman!

    Po ahere do jesh plakur
    Nëpër brazda plis më plis;
    Do përtosh të hash një lakër,
    Të ngresh bishtin në kurriz.

    Ballin tënd do ta lëmojë:
    “Eh, u plake, o qyqar,
    Ti je ka e s’flet me gojë,
    Po shko çlodhu pak në bar”!

    Ah, o viç që kokën kruan
    Tek një dardhë, tek një plep,
    Disa vite po kaluan
    Do ta shohësh ç’bën ky djep!

    Nga ky djep i lashtë, i hijshëm
    Del një div i plotfuqishëm!

    1976

    Gjon NEÇAJ

    THIRRJE NË MOTIN E TRETË…

    Nëpër labirintet boshe të kësaj jete,

    Ngultas dëgjova klithmat e tua;

    Jeta qenka një hiç me të madhe,

    Sfida të mundimshme, mbase venë për mua…

    Vitet kalojnë e bota është ajo,

    Një ditë do mplakem e përçudnohem,

    Por fjala ime e parë është kjo,

    Ku ne çdo ditë të jetës veç mallohem…

    MASKAT

    Në profilin e përditshëm të kotësisë,

    Dalin si fosile prej hedhurinave shekullore,

    Për të përcjellur njerëzimit flamurin fitimtar,

    Të sfilitjes së mjeruar mbi kurrizin e mbetjeve kockore,

    Duke bërë për vete cinikët që gjithë ditën i përulen Krijuesit,

    E deri në mesnatë përbetohen si engjëj besimtarë.

    Ndërsa të nesërmen zgjohen me maskat e adhuruesit.

    RIKTHIM…

    Bardhësia mikluese e imazheve,

    kacafytet me ketërit majë bredhave kapuçbardhë,

    e malësorët e mi engjëllorë

    presin ditët e gjata të dimrit,

    për t’u kthyer sërish pranvera…

    VARGJE FSHATI

    Lart mbi bjeshkë,te retë e bardha,

    Mserr im shndrit si meteor;

    Me pemë të shumta,rrush,mollë e dardha,

    Rrinë varur maleve anës së një përroi.

    Hijeshinë ia shtojnë çikat si zana,

    Teksa hedhin farë në brezaret bredharake;

    E rrushin vjelin vjeshtave me mahana,

    Duke ngrënë kumbulla vendi Bardake…

    Gëzim Murajza

    LUHATJE

    Nata u shtriq nxitueshëm,

    erdhi e ra përmbys

    mbi shkëndijat e vakëta

    të dëlirësisë.

    Poshtë jastëkut

    përgjumen ëndrra djallëzore.

    Mëkati pati kohë

    të ngjyejë kafshatën në mua

    duke u përlyer

    deri tek veshët e joshjes.

    Jargë stinësh të ndritshme

    kullojnë në mjekrën e rreshkur pritjes

    e në parzëm

    filiza të brishtë pendimesh

    bulëzojnë…

    e luhaten…

    e tkurren….

    e dridhen…

    PA TY

    Helmuar nga vreri i mungesës
    në kambanat e zemrës
    thellë.
    Tinguj malli,
    që jehojnë flladeve të djegur
    kohe.
    Largësi,
    segmentuar nga shpresa pritjesh
    me fund të padukshëm.
    Djersitur nga spazma vërdallosjesh
    me emrin tënd grimcuar nëpër buzë,
    e sytë e mi
    me të tutë veshur.
    I tharë nga plasaritje ndjenje,
    në ditë-netët e arnuara me copa durimi
    mallin e ndjeva
    të griste e griste,
    poret
    e shpirtit të sfilitur.

    PLEQTË E PARKUT PËRBALLË

    Ulur në limitin e viteve,
    tregojnë barcaletën e fundit
    e qeshja nikotinë
    u shpërthen
    gjoksit të shtypur kohës.

    Thithin me etje
    ditët,
    e diskutojnë zë lartë politikën,
    me vështrimin lëngëzuar
    gjoksit të fryrë bindshëm,
    të gruas që ecën ballas.

    Shfryjnë rininë e ikur,
    e nguten të fshehin rënkimin,
    e kthehen e ritregojnë
    barcaletën e fundit
    e qeshin.

    STINË FJALËSH

    Ka ardhë stina me rreshtu fjalë,
    fjalë si rruazat vezulluese e vrimëngushta
    që përshkohen mundimshëm fillit delikat të kohës,
    apo ndoshta unë thjesht po ngutem
    duke u munduar me fshehë aktin,
    aktin jetim,
    bjerrë në një skutë shpirti,
    shpirti skuth.

    Çdo stinë
    aureolë të tjerave do t’u bëhej
    nëse do arrinte me e fshi
    terrin e frikës
    përplasur si gëlbazë veshtullore
    syve
    mjaftueshëm të kënaqur
    me vështrimin larg
    sa një gjatësi hunde.

    Akti,
    merr frymë nga fjala e pandryshkur
    lagështirës që ofrohet joshëse si dhuratë,
    për ta shuar me pas
    egër,
    pa grimcë mëshire
    dhe më të fundit germë.

    ****************************
    VATH KORRESHI
    «Mosmirënjohje»!

    MOSMIRËNJOHJE!

    Këto ditë poeti Faslli Haliti mbushi 70 vjeç. Një përvjetor, të cilin, siç e besoj, e ka pritur me mendimin se diçka do të bëhej e diçka do të thuhej për të. Të paktën dikush do t’i thoshte: Edhe njëqind, Faslli! Ke jetuar e ke punuar 70 vjet dhe ke jetuar e ke punuar me nder dhe me faqe të bardhë. Por asgjë dhe nga askush! As nga Lidhja e Shkrimtarëve, ajo që ka mbetur dhe ashtu siç ka mbetur, anëtari i së cilës, siç shënon vetë autori në librin e tij më të fundit «Kaq», është qysh prej vitit 1969. kurse Faslli Haliti, gjë që e dëshmojnë edhe kritika dhe lexuesi, është ndër autorët e rëndësishëm të letrave shqipe. Veç puna është te referencat. Ku t’i gjesh këto referenca në këto kohë në shkorretin e madh të jetës sonë letrare? Në Shqipërinë e ekonomisë së tregut, edhe letërsia, fatkeqësisht, nuk i ka shpëtuar dot filozofisë së kësaj ekonomie. Parimi se malli im është më i miri, pra ecni dhe blijeni, vepron dukshëm edhe në këtë fushë, duke e kthyer marrëdhënien e artit dhe të kulturës me publikun në një bakallhane. Në këtë merkato tezgash të librit ka një dendësi dhe kaos të tillë të paparë, saqë është vështirësi e jashtëzakonshme të orientohesh për të gjetur vlerat. Tashti gjithçka që shkruhet vlerësohet me superlativa. Kaosin e shtojnë edhe mënyrat që gjenden për ta shitur mallin më shtrenjtë. Tendenca është mbizotërimi i letërsisë së miqve, domethënë trumbetimi i veprës nga miq të autorit. Këta trumbetarë i gjen ndër miq të autorit këtu në Shqipëri dhe ndër miq të autorit në të katër anët e botës. Njerëz që paguajnë për propagandë e publicitet nëpër gazeta e nëpër televizione këtu në Shqipëri dhe në katër anët e botës. Autorë që të bëhen ferrë për t’i botuar, për t’i përkthyer e për t’i lançuar si talente të mëdha këtu në Shqipëri dhe në të katër anët e botës. Që mezi presin të kenë një rast për t’i shpallur «Nderi i Kombit», «Mjeshtri i madh»*, etj. dhe që pastaj të tundin dheun nëpër ekrane e nëpër gazeta me lavdinë e tyre. kurse kredoja e poetit Faslli Haliti është:

    Me autobusin e poezisë sime
    Drejtpërsëdrejti
    Po ngjisja majën e drejtësisë.
    Dikush më pa,
    Qeshi
    Dhe tha:
    Ngjitet drejtpërsëdrejti majën e drejtësisë?
    Bjeri
    Zigzag
    Me kthesa,
    Anës, anës,
    Siç i bie autobusi
    Qafës së Thanës.

    E dëgjova dhe unë
    Dhe qesha:
    Do ta ngjis, i thashë,
    Pa kthesa.

    Por ka kohë që kredo të tilla janë shkërmoqur nga shumëkush. Është shkërmoqur interesi për jetën dhe për punën e artistit, që e shikon misionin e tij si një pikë të lartë, drejt së cilës duhet synuar me ndershmëri. Është një përçarje e jashtëzakonshme kjo që na ka ndodhur, një tejskajshmëri e paparë e indiferencës ndaj njëri-tjetrit, e institucioneve të kulturës e artit, e shtetit dhe e shoqërisë ndaj artistëve dhe njerëzve të kulturës. Kjo shkërmoqje ndaj vlerave të vërteta dhe ky nënçmim ndaj artistit ka sjellë dhe sjell çdo ditë e më shumë një inondatë, së cilës i janë hapur të gjitha portat nga vërshojnë ujërat e pseudoartit dhe të pseudokulturës, e shumimit të sofistikimeve dhe mënyrave për të kapur majat me rrugë jashtëletrare, në vend që të shtojnë përpjekjet që këto maja të arrihen duke përsosur kërkimet për nivele të larta në art. Është shkërmoqur solidariteti, kohezioni shpirtëror midis njerëzve që krijojnë artin, ato janë zëvendësuar me armiqësi, me akuza denigruese karshi njëri-tjetrit,shpesh nga ata që kërkojnë t’i arrijnë qëllimet e tyre të merkatos, duke iu ngjitur të përpjetave:

    Bjeri
    Zigzag
    Me kthesa,
    Anës, anës,
    Siç i bie autobusi
    Qafës së Thanës.

    Në këtë mënyrë punët e vlerave ngatërrohen aq shumë, saqë për një poet si Faslli Haliti të mos kujtohet kush se i duhet thënë faleminderit në raste të tilla të shënuara, siç është një përvjetor i lindjes.

    *Dhe shqetësimi i shkrimtarit Vath Korreshi për nderimin e vlerësimin e poetit F. Haliti, u realizua. Me rastin e 75-vjetorit,poetit Faslli Haliti iu dha Urdhri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

    Griselda Doka vjen me librin “Të venduemit e françeskanëve të Shqipërisë “
    Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” organizoi në Tiranë promovimin e librit me poezi të autores nga Berati, Griselda Doka, një autore e re dhe premtuese për poezinë shqipe. Ky është vëllimi i dytë i saj, por i pari i shkuar në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Një libër i prezantuar suksesshëm në shtetin italian, ku aktualisht jeton, punon dhe vazhdon studimet në shkollën Doktorale për Gjuhësi dhe Letërsi Moderne Bashkëkohore në Universitetin e Kalabrisë. Po ashtu ajo bashkëpunon me katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të këtij universiteti. Botimet e saja janë kryesisht mbi autorë shqiptarë, si: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Jakov Xoxa, Jeronim De Rada, Anton Nike Berisha, Dushko Vetmo. Njëkohësisht ajo ka përkthyer “Studime historike mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun” dhe “Të venduemit e françeskanëve të Shqipërisë ” si edhe tekste poetike të autorëve të ndryshëm. Poetja shqiptare është e përfshirë në qarqe kulturore dhe letrare në shtetin italian, poezitë e saj janë botuar në revista dhe bloge italiane. Në promovimin e librit të saj “Vetëm disa pyetje të mërguara”, ku në panelin prezantues ishin studiues, kritikë letrarë dhe shkrimtarë si, Behar Gjoka, Fatime Kulli, Agim Gjakova etj e vlerësuan dhe analizuan poezinë e Griselda Doka.
    Gjithashtu ndër të tjera studiuesi Hysni Ndreu në analizën e tij vuri në dukje për poezinë e Griseldës: “… Mund të flitet pa frikë për një poetikë vetjake të kësaj autoreje, që qysh në krye kumton ngjyresa moderne, një modernitet që nuk shfaqet si ornament, por si gjendje e unit poetik. E shkruar në dy gjuhë, shqipe dhe italishte, kjo përmbledhje poetike bart shenja të shumëfishta estetike, bart dy pamje të ndryshme, të cilat kanë poezinë si vatër frymëzimi dhe kumti.
    Poetika moderne e vargut është një cilësi dhe dëshmi e vetëdijshme, e cila është shpalosur në të gjithë hapësirën e librit, në të gjitha pasazhet ndarëse dhe përbashkuese të kësaj përmbledhjeje. Ai është një modernitet gjendjeje, që nuk fsheh asgjë, përkundrazi, zbulon gjithë botën e trazuar të poetes, në marrëdhënie me veten dhe të tjerët, në marrëdhënie me familjen dhe shoqërinë. Është pikërisht kjo situatë që ndihmon për të pranuar idenë fillestare se poezia është shenjë e unit të krijuesit.
    Nga ana tjetër, kjo lloj poetike ka bërë që kumtet dhe mesazhet të jenë të hapura. Fjala nuk ka ekuivok, fjala nuk është truk për të fshehur. Fjala, në kuptimin metaforik, është një rreze drite për të zbuluar realitetin në këndvështrimin e poetit që nuk ka mëshirë as për vete. Ajo ndërton marrëdhënie të qarta me mjedisin, me realitetin natyror dhe njerëzor, me traditën dhe modernitetin, me të shkuarën e të tashmen. Në këtë pikëprerje, ku bota ndahet e përbashkohet njëkohësisht, vjen poezia që as të gëzon e as të dëshpëron, por që të lë një vragë të thellë…. ” F. Miloti

    ****************************************************
    Mendime për antologjinë e poetëve matjanë “UDHËTARE ME PRANVERËN”

    Namik Selmani, shkrimtar

    Kur po prekja, gati po e përkëdhelja këtë libër të ri me një kopertinë të bukur dhe shumë domethënëse, njëherësh më erdhi në mendje motivi i farëmbjellësit. E nuk dua të shkoj në botë për të rënë në kurthin e citatëzimit në këtë rast, ashtu siç ndodh kur duam të tregohemi më të mençur se jemi.
    Një piktor i shquar i Mesjetës shqiptare, David Selenicasi, për të cilin do të bëhej dhe një film shumë i bukur, kishte bërë një pikturë të veçantë, “Farëmbjellësi”. Ishte një pikturë ikonë, po që kishte dhe atmosfrë realiste në ‘të.
    Një bujk me duar të shtrira drejt tokës (drejt tokës së Matit, mendoja unë) hidhte grurë. Në atë çast shkova me mendje dhe tek i madhi Hasan Tahsini, i cili u kërkoi fshatarëve të tij të Ninatit, ku do të lindja dhe unë pas 150 viteve, që të hidhnin në brazdë një thes me grurë, atë që bënin në vite e shekuj. Pastaj iu tha që të përpiqeshin për të futur në thes të gjithë kokrrat e grurit, gjë që nuk është e lehtë. Do të futeshin vetëm një pjesë e vogël. Dhe ato që do të mbeteshin te brazda (dhe nuk ishin pak) do të mbinin. Një bujk i mirë do të ulej në gjunjë e do t’i shërbenin deri në kokërrzimin e tyre.
    E pra, antologjia matjane, me titullin “Udhëtare me pranverën”, hartuar nga poeti e studiuesi Hamdi Hysuka, është një lloj rizgjimi i farëmbjelljes vargërore, që është e vjetër sa dhe bota. Kam kohë që njoh këtë trevë, me befasinë me një histori të veçantë, ku veçohet prodhimi i barotit. Por me këtë antologji, ku janë vënë përkrah njëri-tjetrit, që nga ata djem e vajza, që as nuk kanë mundësi për të botuar një vëllim poetik, deri tek ata që të vënë në duar disa libra. Në ‘të janë vënë dhe poetë matjanë, që banojnë në botë.
    I prin këtij karvani një kryepoet, një maratonomak shqiptar, Pjetër Budi, për të cilin matjanët pas pak kohësh kërkojnë që të bëjnë një sofër poetike budiane. Bukur! Një komb, që vlerëson letrarët e vet, ka nderuar veten, aq më tepër Budin, që është prijatari i vargëzimit shqip dhe që është jetësuar si frymë risitare në penën e studiuesit matjan, Behar Gjoka (sërish një pranverim në emrat e poetëve).
    Antologjitë janë një luks i vërtetë në kohët që jetojmë, ku zakonisht bëhen nga një ose një ekip i tërë. Në këtë antologji kemi një autor, që në profesion është mësues. Është Hamdi Hysuka dhe aq sa e njoh unë letërsinë dhe autorët matjanë, që banojnë dhe jashtë atdheut, nuk do të kishte një konkurrent tjetër për këtë që ka bërë. Një jetë të tërë ka pasur dashuri për shkronjën, për diturinë, librin, shtypin. Edhe pse vjen me origjinë nga Shëlliu i Matit, pjesa e tij si gazetar në gazetat lokale e kombëtare, ia ka dhënë këtë përvojë e të drejtë që ta bëjë këtë gjë. Para se të vihej në faqet e kësaj antologjie, ai është një nga autorët që njihet në të gjitha mjediset kulturore të Matit.
    Kriteri i këtyre antologjive besoj se ka qenë logjik, duke nderuar e duke rreshtuar të gjithë poetët. Meqë jemi këtu, është rasti që në një kohë të caktuar, në këtë qytet të botohet dhe një libër antologji me prozën e shkurtër, apo dhe me atë të gjatën, apo dhe me dramën e me pikturën etj.
    Në të gjithë rastet asnjë nuk është i humbur, por të gjithë janë të vlerësuar. Kujtoj një vit të largët 1968, kur në Shqipëri u botua një libërth i vogël, me titull “Këngët e para”, me poezi të nxënësve të shkollave të mesme nga të gjitha rrethet e vendit. Aty kisha dhe unë një poezi “Unë, mësuesi”. Ishte gjë e bukur. E them këtë, se të gjithë ata që e kanë nisur poezinë me këtë antologji, do të jenë më krenarë për atë që nuk e kanë bërë. Nga ana tjetër poezia e më të rriturve është për ‘ta një lloj pjergullizimi, ku lisi i moçëm nuk qëndron pa pjergullën, që e mban në supet e blertë, që ajo të rritet, të kokërrzohet e të prodhojë rrushin e verës.
    Në këto poezi ka ndikim natyra, gjeografia, ka ndikim mitologjia, duke e bërë atë sa më të bukur, shprehëse dhe jetëgjatë. Në këtë poezi është Ulza e Shkopeti, Deja e Guri i Bardhë, Uraka e Burreli, Klosi, Suçi e Burgajeti, pra një toponomastikë poetike që shkrihet, ndërtohet përmes peizazheve.
    Simbolika e dytë e librit është Pranvera. Në ‘të ka poezi që sjellin pranë bukurinë e luginës së Matit, është bukuria, harmonia, brishtësia. Poezia matjane nuk anon kryesisht nga epika, aq më tepër në atë kohë kur ai, matjani, e tregon origjinën e barutit, që ka prodhuar, por nuk harron që të besojë se duhen dhe mollë, dhe dashuri, dhe shkronja. E në këtë moto, ose si ta thuash në një marrëveshje të pashkruar me veten, është dhe ai pranverim që ka poezia e Matit dhe e 67 autorëve matjanë, që e kanë gdhendur shpirtin në këtë antologji të bukur e të dobishme.
    Simbolika e tretë e këtij libri është HUMANZMI. Në pamje të parë duket pak e jashtëzakonshme, që të flitet për huamzmin, që është në çdo vepër poetike, aq më shumë të një antologjie, që mund ta quajë LIBRI i LIBRAVE. Ka një arsye, sa madhore, aq dhe të thjeshtë ky emërtim për këtë libër antologji. Është fjala për mbështetjen financiare që i duhet librave të tillë, qoftë në qytete relativisht të vegjël e qoftë dhe në ata më të mëdhenj në numër poetësh, në numër banorësh. Nuk mund t’i kërkosh një mësuesi, që aktualisht është dhe i papunë, që të marrë nismën ose më mirë aventurën, që të botojë një libër të tillë. E në këtë rast pushteti lokal në të dy bashkitë, ajo e Matit dhe e Klosit, e kanë merituar publikisht urimin e tyre, që gjetën mirëdashjen dhe mundësinë që të botojnë këtë libër. Kur motivi është kaq publik, nuk ka e nuk duhet të ketë pengesa, që të bëhet një gjë e tillë.
    Padyshim, si sukses i tillë i një antologjie, ku ka shumë qëmtim, shumë obligim, shumë dashuri për shkronjën, ku ka shumë bashkëpunim, do të ishte i mangët po qe se nuk shkonte në një stacion të duhur. E themi këtë, se ky libër nuk duhet të bëhet pre e një tradite jo të mirë, që kemi për të mos dërguar botime të tilla në shkollat e rrethit, për të mos thënë dhe në qytete të tjera. Është sëmundja moderne shqiptare, e cila nuk lejon, që të shkojnë libra të tillë dhe në rrethe të tjera, të paktën në bibliotekat e bashkive.
    Si kurorë e ndritshme të këtij libri po citojmë dy strofa Panorama s’ka të çmuar/ e stolisur me kurorë, / kohë të dytë ke ndër duar /me mandat gjithëpopullor. Më rreh zemra për të ardhmen,/ O Mat, rrugën s’e ke humbur / udhëtare ke pranverën,/ me ne je mision i mundur.
    Suksesi është i garantuar, kur mendon se libri është “bekuar“ dhe nga një studiues i shquar, Doktori i Shkencave Behar Gjoka, i cili në hyrje të kësaj antologjie ka bërë një parathënie shumë të mirë. Bukur është punuar me artin grafik nga i talentuari Artan Kurti, si dhe dezainjin e kopertinës, që është shumë funksional për tematikën e librit. Suksesi i kësaj antologjie do të ishte shumë i plotë, që në një kohë të caktuar, të bëhej dhe një antologji me kujtime, poezi të bëra nga autorë të huaj dhe nga trevat e tjera. Botimi i kësaj antologjie është një festë e bukur e librit, një model dhe për shumë qytete të tjera të vendit, që ende nuk e kanë hartuar një antologji të tillë.

    Isa Alibali
    Kur xhirohej filmi “Nëntori i dytë”
    Po xhirohej një episod i filmit “Nëntori i dytë” në Shëngjin. Rolin e Ismail Qemalit, siç dihet, e luante aktori ynë i shquar Sandër Prosi, “Artist i Popullit”. Kudo ku xhiroheshin fragmente të ndryshme të filmit, në sheshin e xhirimit mblidheshin njerëz të ndryshëm, për të parë nga afër Ismail Qemalin e vërtetë. Sandër Prosi, si njeri me autoritet, por edhe mjaft komunikues dhe i afërt me njerëzit, shpesh herë hynte në biseda të ngrohta me ta. Po xhirohej momenti i ardhjes së Ismail Qemalit nga “përtej detit”…
    Një anije e vogël me vela duket në horizont. Ajo lundron me shpejtësi. Sa vjen e anija i afrohet bregut. Turma e madhe e njerëzve, me padurim, presin ardhjen e atij “që do të ndryshojë historinë e Shqipërisë”. Shpresa për liri duket në fytyrat e ngazëlluara të njerëzve të thjeshtë të popullit, që brohorasin flamurtarin e lirisë. Vështrimi i tyre i çiltër, i qartë dhe i vëmendshëm, i hedhur andej nga deti, plotëson atë peizazh optimizmi që përfshin gjithë atmosferën e atij çasti solemn. Ardhja e anijes me vela pritej me padurim.
    Në mes të turmës është një burrë i moshuar. Kishte qenë fëmijë kur e kishte parë me sytë e vet zbritjen e Ismail Qemalit në portin e Durrësit, në nëntorin e vitit 1912. Të jetë një rastësi vallë prania e tij në këtë moment xhirimi? Jo! E kishte ndjekur grupin e xhirimit prej ditësh dhe priste me padurim këtë ditë të ardhjes së Ismail Qemalit. Ishte bërë krejt i afërt me ata që përtërinin ditët e madhërishme të Pavarësisë
    Po vjen Ismail Qemali, përbesë! – i doli nga thellësia e shpirtit këtij burri të moshuar, që ishte ngarkuar plot me ndjenja të ekzaltuara. Disa kthyen kokën. Kur panë lot në sytë e tij, nuk u përmbajtën as ata. Sa më shumë afrohej anija me vela, aq më shumë u buisnin të pranishëmve ndjenja të forta atdhetare, që i rrisnin peshën emocioneve të fuqishme që kishin përfshirë të gjithë. U dukej si ngjarje e vërtetë. Nuk kishin faj: po prisnin atë që në fakt ishte kthyer në simbol të flamurit.
    Zemrat e njerëzve të përvuajtur janë të ndjeshme ndaj çdo njeriut që u premton liri.
    – Më falni, burra, u korita! – tha i moshuari. Por kur i pa edhe ata të përlotur, sikur u qetësua. Shkëlqimi i syve iu gjallërua.
    Regjisori Viktor Gjika, Artist i Popullit, me ndjenjën e përgjegjësisë për xhirimin e këtij momenti vendimtar, u kënaq nga gjendja shpirtërore e Sandër Prosit, i cili dukej shumë i përmalluar për hapin që po hidhej. Në gjithë qenien e tij shihej qartë një forcë jetësore e fuqishme për të përballuar sfidën që do t’i dilte përpara. Në gjoks i shihej një zjarr shkëlqimtar. Kur iu afrua edhe më, Viktor Gjika pa në bebëzat e syve të artistit pasqyrimin me nuanca nga ma të ndryshme të ndjenjave që krijonte momenti.
    “- Shumë bukur! Shkëlqyeshëm “- tha me vete, i kënaqur pa masë.
    Por..kjo nuk zgjati shumë. Solli kokën nga turma e njerëzve.
    – Ah! Jo, jo kështu. Ismail Qemali nuk mund të pritet me lot – tha me zë të lartë, duke iu drejtuar atyre. Heshtje! Heshtje që flet!
    – Po ne duam të çmallemi me të?! – tha plaku, i thithur i tëri nga një pasion i çuditshëm për ta pasur pranë e përsëri të gjallë Ismail Qemalin, ashtu siç e kishte parë në fëmijëri.
    Viktor Gjika nuk dinte ç’të bënte.
    Nën dritën e qeshur të diellit, duke kuptuar gjendjen e krijuar, me zë që i kishte ndryshuar nga emocionet, Sandër Prosi filloi një bisedë të ngrohtë e të qetë, të ëmbël e miqësore me njerëzit që e rrethuan menjëherë. Ata u qetësuan dhe xhirimi rifilloi. Por…u ndërpre përsëri. Në momentin kur aktori duhej të hipte në karrocën, me të cilën “do të shkonte”në Vlorë për të realizuar ngritjen e flamurit, kthehet nga flamuri, përkulet përpara tij, e puth dhe…gati sa nuk rrëzohet.
    E dërgojnë menjëherë në spital. Xhirimet ndërpriten. Sandër Prosi po e vuante këtë gjendje të vështirë shpirtërore, më shumë se sa sëmundjen…
    Me një vendosmëri të pashoqe, me qetësinë që e karakterizonte edhe në çastet më të vështira, u ngrit nga shtrati e tha:
    – Ismail Qemali erdhi nga matanë detit për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë, prandaj unë nuk mund të rri pa e puthur atë flamur kuq e zi. Zërin e kishte të kumbueshëm, të ëmbël, por të fuqishëm. Ishte i vendosur për ta çuar deri në fund xhirimin e atij momenti solemn. Megjithëse e kishin këshilluar të mos lëvizte, u ngrit me kujdes dhe shkoi në sheshin e xhirimit. Turma e njerëzve, tashmë e dyfishuar, u pushtua nga një ndjenjë e veçantë ngazëllimi.
    Viktor Gjika, i kënaqur pa masë, tha:
    – Kjo pjesë do të jetë nga më të bukurat e filmit…
    Artistët shpesh herë vihen përpara sfidash të forta jete. Sa më i madh të jetë artisti, aq më me forcë e vullnet i përballon ato…

    Nga Petrit Malushi

    “Tregimet e Tironës”, “shtrati tiranas” i Bedri Alimehmetit

    Librarive të Tiranës, ambulante apo statike, midis titujve të shumtë lexuesit e vëmendshëm nuk e kanë të vështirë të dallojnë edhe ato të autorit Bedri Alimehmeti. “Tregimet e Tironës”, “Një mbrëmje te bar “Capriccio”, “Mbiemrat e familjeve të Tiranës”, “Mëhalla e vjetër” janë seria e fundit, e deritanishme, në brazdën e titujve të mëparshëm. Dy të parët janë të mbushur me tregime,i treti është hulumtim dhe evidentim i familjeve autoktone tiranase, bazuar mbi mbiemrat, bashkëshoqërues të përhershëm për këdo dhe, i katërti me vjersha e poema. Lexuar me kujdes, edhe pse numri i tregimeve dhe vjershave është i konsiderueshëm,autori nuk bie në përsëritje temash, ngjarjesh, situatash, personazhesh, mjedisesh, paragrafësh e ndërtime fjalish. Ky tregues të çon në sintezën që autori ka finesë e përvojë, është kërkues ndaj vetes dhe i përgjegjshëm para lexuesit. Dy titujt “Tregimet e Tironës” dhe “Një mbrëmje te bar “Capriccio” duket sikur plotësojnë njëri-tjetrin, pra janë pjesë e të njëjtës tablo, por i pari bardhë e zi dhe i dyti me ngjyra. Ngjarjet zhvillohen në Tiranën e dikurshme dhe në atë të sotme. Personazhet janë të shtresave shoqërore qytetare që veprojnë po në mjediseve qytetare. Parë në aspektin kohor dalin tre shtresëzime. Autori shtrihet nga caku i “brezit gjyshëror” tek “brezi prindëror”, ngjarje që shtjellohen tek libri i parë dhe del tek brezi i sotëm, në kohët moderne, tregime të sistemuara në librin e dytë. Por një shkrim është i pamjaftueshëm për të trajtuar vlerat e katër librave të një autori. Ndaj po ndalojmë vetëm te libri i parë. “Tregimet e Tironës” Në këtë linjë, tek “Tregimet e Tironës” : “Qyteti i kërcënuar”, Hafiz Ibrahimi dhe gjuha shqipe”, “Vdekja e berberit”, “Paja e Fitnetit”, “Një ndodhi te kafeneja e Bet Shyrbës” përcjellin te lexuesi ngjarje që autori i ka arshivuar në kujtesën e tij nga rrëfimet e gjyshërve dhe prindërve tiranas, ndërkohë te “Lasgushi dhe Tirona”, “Kur qajnë lulet për lulen”, “Takim i paharruar”, “Qortimi i lotit” janë përjetime të drejt për drejta të tij. Tregimet e titullit të dytë janë krejtësisht bashkëkohore. Qëmtimi për subjekt Për tregimin “Lasgushi dhe Tirona” autori mer ngasje nga biseda me një shok, gjatë një shëtitjeje të zakonshme. Meritat e tij qëndrojnë në faktin që edhe nga biseda fare të thjeshta di çfarë të qëmtojë për subjekt. Në këtë rast ai shpalos edhe një aftësi tjetër, kalimin e rrëfimit nga veta e tretë në vetën e parë, nga biseda e autorit me shokun e tij tek biseda-diskutim e Lasgush Poradecit me Petraq Kolevicën, për toponimin “Tironë”.”…ky popull i urtë e punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar,që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana, por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne. Unë kaq di të them, të tjerat kanë për detyrë t’i bëjnë historianët, arkeologët e gjuhëtarët, të cilët duhet të hulumtojnë, të kërkojnë e të gjejnë arsyen e vërtetë”(fq.6),i shprehet Lasgushi Kolevicëc, pas renditjes së disa argumenteve. “Qyteti i kërcënuar” flet për ngjarje të hershme, gjysma e dytë e shekullit XVIII. Në qendër janë humanizmi dhe sakrificat e një nuseje të re tiranase, Hatixhe Skënderit, përballë fatkeqësisë, rënies së kolerës, që ka pushtuar gjithë qytetin. Atmosferën e rëndë autori e jep që në fillim të tregimit për t’i dhënë lexuesit të kuptojë se ç’detyrë të vështirë merr përsipër Hatixheja. Për shpëtimin e jetëve të njerëzve ajo ka mbështetjen e plotë të gjithë pjesëtarëve të familjes dhe, ia del. E në shenjë respekti të këtij kontributit bashkëqytetarët i dhanë titullin Dervish Hatixheja. “Ashtu siç ma ka treguar im gjysh, Reshit Alimehmeti,- thotë në parantezë autori tek “Hafiz Ibrahimi dhe gjuha shqipe”. Në këtë tregim jepen përpjekjet e shqiptarëve për mësimin e gjuhës shqipe e hapjen e shkollave në luftë me reprezaljet e fundperandorisë turke. Në qendër të tregimit është Hafiz Ibrahim Dalliu, një ndër pionierët e arsimit shqiptar dhe bashkëqytetarët e tij tiranas. “Vdekja e berberit” befasinë ta jep në fund. Ka nga ata që i paragjykojnë të tjerët pa ua njohur anën shpirtërore. Berberi i lagjes që bënte jetën e vet, pa bezdisur askënd , përflitej prej disave si njeri shpirtvogël, që nuk bënte ndere e jetë shoqërore. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Kadri Berberi ishte njeri i thjeshtë, zemërbardhë e shpirtmirë që ndihmonte këdo pa interes, por pa u mburrur e pa çuar fjalë nga njëri te tjetri. Kur paragjykuesit e mësojnë këtë gjë nga shoku i tij Reshiti, ndihen të vrarë shpirtërisht, ndaj si për t’i kërkuar falje, menjëherë shkojnë t’i bëjnë nderet e fundit natën e përcjelljes për në botën tjetër. “Paja e Fitnetit” nëpërmjet dialogëve, monologëve e, veçanërisht veprimeve të personazheve dytësorë, për të ndihmuar Rexhep Lalmin në martesën e vajzës Fitnet, evokon zakonet dhe pasurinë shpirtërore të miqve, fqinjëve, të njohurve të tij dhe banorëve të gjithë qytetit. Ata pa i thënë asgjë të zotit të dasmës, përgatitin komplet pajën e vajzës dhe një mëngjes herët i trokasin te porta duke ia lënë para saj, por pa u takuar me të, për të mos e rënduar shpirtërisht,duke ruajtur anonimatin. “Një ndodhi te kafeneja e Bet Shyrbës” e çon lexuesin në vitet e Luftës së Dytë Botërore, për t’i rrëfyer se pushtuesit, në këtë rast gjermanët, nuk mund të arrijnë kurrë të ndërhyjnë në jetën e banorëve vendas. Rrema përballet grykas me armë me gjermanët te kafeneja e Bet Shyrbës, deri sa ata largohen, për të vazhduar këngën këngëtari elbasanas Isuf Myzyri. Autori tiranas e ka ngritur deri në nivelin sipëror ngarkesën emocionale tek “Kur qajnë lulet për lulen” nëpërmjet paralelizmit figurativ. Veç përshkrimit të detajuar e me kolorit të mjedisit tiranas në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar : shtëpive, rrugëve, rrugicave, dyqaneve, luleve etj, fragmente të të cilave sot mund të gjenden vetëm nëpër fotografi e filma të kohës, pasi thuajse nuk ka mbetur asnjë shenjë, jep edhe botën shpirtërore të hareshme të vajzave, grave dhe banorëve të tjerë. Por fundi është trishtues, kur pritej dasma e Nuries me Gëzimin, patriarkalizmi i kohës e detyron Nurien të abortojë me mënyra primitive një shtatzëni paramartese. Fundi është fatal. Ajo humbet jetën, Bedri Alimehmeti, falë “shtratit” të tij tiranas, në këtë vëllim i ka qëndruar besnik artistikisht qytetit të tij. Përshkrimet deri në detaje të ambienteve ku zhvillohen ngjarjet, në familje e lokale, në takime rastësore e të paracaktuara, format e ndërtesave, mobilimi i shtëpive, muret, gardhet, strehëzat,bahçet, pemët, shtrirjet e rrugëve dhe rrugicave, lulet e mbjella dhe trëndafilat, aroma dehëse e personazheve me veshjet e tyre karakteristike, zakonet, sjelljet, komunikimet, përshëndetjet e gjithçka tjetër janë vetëm tiranase.

    Adem Zaplluzha

    DEL NGA RAPSODITË

    Çdo menatë
    Atje përtej brigjeve të harresës
    Zgjohet kujtesa
    Nëpër një dhembje të pashëruar
    Dizgjinët e erës
    Kalërojnë mbi shpirtrat e mjegullave

    Një nënë disa vjet me radhë
    Nuk i ndal piskamat e gjëmave
    Diku te retë e kristalta
    Një copë mjegulle ëndërron shiun
    Ëndërron vrapin e kalorësit
    Të vetmuar
    Në drejtim të universit të humbur

    Ne ecim kah e panjohura
    Zëri i kambanës i ndez qirinjtë
    Një kërrabë e vjetër
    Del nga rapsoditë e kohërave
    Dhe me një arkivol të kaltër
    Udhëton si një somnambul
    Në një drejtim të panjohur

    DIMRAT ME TËRBIM

    Asnjëherë nuk kuptova
    Se cili ishte ai vit kur derdhej shiu
    Nga shtambat e urrejtjes
    Vendi im
    Qante si një fëmijë jetim

    Qanin edhe zogjtë nëpër çati
    Një fat i shkruar
    Ose i pashkruar nëpër libra
    Shfletohej si një histori e trishtuar

    Gishtat e holla të mjegullave
    Sa herë që i hapnin
    Po aq herë edhe i mbyllnin plagët
    E stinëve
    Që shkelnin mbi lule të vrara

    Dimrat me tërbim
    Shfryheshin nga një dhembje
    Ose heshtnin
    Nën një copë guri të murrmë
    Dhe pritnin shpirtin
    E një tufani
    Të zgjohej më në fund
    Nga ëndrrat e zgalemave

    SYTË E GURTË TË ERËS

    Ecte
    Ose ne të gjithë ecnim
    Mbi një vig të paramenduar
    Askund nuk ndaleshin hijet
    Në imagjinatën tonë të etur

    Binte një tjetër lloj shiu
    Mbi flokët e stinës
    Ngjizej po ashtu një tjetër lloj shtreze
    Në lotin e gurit

    Mali qante si kërthi
    Fatin e një fatkeqësie
    Qanin edhe degët kur thyheshin
    Për qerpikët e erës
    Me dënesje burrash qanin lisat

    Kur erdhën lejlekët
    Mbi çatitë e kafshuara prej korbave
    Filluan të mbijnë disa lloje barojash
    E dimri thahej në vetminë e shtrojerës

    Binte një shi që s’i përngjante
    Asgjëje të lëngtë
    Sytë e gurtë të erës po ashtu qanin
    Me një dënesje të paparë deri më sot

    DHE KUSH JENI SOT

    Diçka po ngjan me ëndrrën time
    Për çdo mëngjes
    I kreh flokët te buzët e erës
    Pastaj qohet peshë
    Dhe luan valsin e një shiu të largët

    Asnjëherë nuk më kujtohet
    Se kur dhe kush
    Na hyri pas portave të pasme
    Dhe ia morri krehrin e nuses
    Por dikush e bëri këtë
    Dhe kurrë më nusja nuk qeshi

    Kaluan disa dimra të rënd
    Më të rënd se vet trishtimi
    Erdhën edhe ardhacakët e egër
    I shlyen nga faqja e dheut
    Të gjitha faltoret e qytetit
    E shlyen nga faqja e dheut
    Edhe vet historinë

    2.

    Si shihni
    Kemi mbetur degë pa gjethe
    Në shtatin e plagosur të rrapit
    Asnjë qyqe më nuk ndalet
    S’ka se kë të vajtoj
    Ju degdisën në shtëpinë e rërës
    Dhe zutë një myk të verdhë
    Në një gjuhë të huaj kënduat

    Mbase nuk jeni në gjendje
    As t’i luteni Hyjit
    Në gjuhën e bukur shqipe
    Ju shndërruan në statuja
    Të një tjetër gjuhe
    Harruat se kush ishit dje
    Dhe kush jeni sot

    Çerçiz N. Myftari

    RRËNJËSI
    (Poezia e poetëve nga Tepelena)
    Është antologjia e parë e trevës së Tepelenës e qëmtuar nga poeti, shkrimtari dhe studiuesi Novruz XH. Shehu, me tirazh modest, që qarkullon mes miqsh sesa ndërmjet librarive. Kjo ndoshta si test për ribotim së afërmi.
    Ndër krijimet e autorit do të veçoja: Enciklopedia e Tepelenës, ese për Sokratin( interpretuar nga Mjeshtri i Madh dhe “Nder i Kombit”) Mirush Kabashi, disa monografi, si dhe Rrënjësi. Nuk po përmend gazetën “Tepelena”, sepse ajo ngjau si gjethe vjeshte, që u rrëzua nga era.
    Në këtë antologji vetjake (paçka se autori ka pasur konsulentë) janë lënë jashtë librit këta poetë:
    1.Rezo Çulli, me poezinë patriotike dhe të mbrojtjes të atdheut.
    2.Llukan S. Stavro, autor i disa vëllimeve me poezi për vendlindjen, për fenë ortodokse, antikomuniste.
    3.Klodiana Metushi, gjimnaziste, me vëllimin “Meteor i dhimbjes”, poezi rebeluese ndaj tutelës së shoqërisë, ndaj dhimbjeve të kohës, e ngjashme me poezinë e lire migjeniane.
    4. Murat Memalla, autor i disa vëllimeve poetike dhe përkthimeve nga gjuha ruse.
    Natyrisht antologjitë janë përzgjedhje, është ë drejtë e autorit, e shijeve të tij, por meqenëse kjo është e para, do të ishte e pakundërshtueshme të ishin dhe këta autorë.
    Në libër ndeshim pakujdesi në shkrimin e drejtë të përdorimit të emrit, babait, mbiemrit të disa autorëve( po përmend këtu mungesën e emrit të babait të Izet Çullit, Faik. S. Dedës, Çerçiz N. Myftarit, madje këtij të fundit nuk i shkruhet mbiemri Myftari, por Miftari)
    Nuk po zgjatem në gabimet e shumta drejtshkrimore.
    Për sa më lartë, nuk i është mohuar puna skruptuloze, që bën autori në studimin e tij. Kjo antologji është një pasqyrë ku Tepelena nuk shihet vetëm si trevë bujqësore e blegtorale, e minierave, por dhe e artit dhe letërsisë.

    Pullumb Ahmeti

    DALLGË DASHURIE

    Mes shtratit e ngritur shpirti furtunë
    ëndrra përplasur ,si dallgët në det
    e trupit lëshuar e mendja për gjumë
    ç’kërkon me sy ,vallë kë po më pret??

    Nga deti i egër dallgët lartuar
    hove të zemrës përplasur në gjoks
    gjiret si ishuj mes valësh zbuluar
    i shoh i malluar si detari për tokë

    Në qerpikët e tu të hedh një cimë
    të vi të mbështes anijen e shpirtit
    e gjirin e bardhë ta kem si bankinë
    e dritë të më bësh me dritën e syrit.

    Jo nuk vonova si dallgë të mbërrita
    si dallgët e tua kisha dhe unë
    buzëve ankorova buzët e mia
    shpirti më ndeshej zjarr e furtunë

    U preha te gjiri siç prehet anija
    lodhur nga dallgët lindur në shpirt
    me dallgët e forta godet dashuria
    fontanë vullkani shpirtrat na nxit.

    NJË PUTHJE

    Një puthje për ty
    e nisa mbi krahët e erës
    prisja natën në të gdhirë
    një dritë vegim
    të më ngacmoj ndjenjën.

    Shenjë i lash dy buzë të kuqe
    aromën e buzëve të mia
    aty mes saj jeton kjo puthje
    aty merr flak dhe dashuria.

    E prisja natën të kalojë
    me trokthin e një kali të hazdisur
    lart qiellit yjet numërojë
    puthjen tënde rrija duke pritur.

    Konstelacionet brodha shkelur me këmbë
    kërkoja mes tyre një ëndërrim
    sa lodhur u ktheva me një tëngë
    u shtriva fjeta ngrohtë shtratit tim

    Një erë,një fllad trupin përkëdheli
    ëndrrat me njëra tjetrën ishin zënë
    një puthje e ëmbël buzëve më ngeli
    aromë kafe shoqëruar sjell me këngë.

    SYNË MOJ SYNË

    Synë moj synë që vetëtinë
    do të desha që ta përpija
    buzë e hollë që shton lakminë
    eh,të prehem aty do t’vija.

    Eee kjo gushë e butë vashe
    më buzëqesh e fjals’më thua
    syri tinëz më shton në ngasje
    bëj të vi por ç’më mban mua.

    Perëndia moj ç’të ka hedhur
    bukurinë vash për ta shijuar
    ç’ke me sy pran të jam gjendur
    me ty shejtank jam dashuruar.

    Fol mos më vrasësh shpirtin
    zemrën mos e mbaj burgosur
    çele buzën pritmë bandillin
    nuk të shkon të jesh murosur.

    Brenda gjoksit më çan zemra
    dhe si zog eh ç’ kërkon të dalë
    qeshe buzën të largoj brengat
    merrmë,digjem në flakë e zjarr.

    S’mëdegjon se çfarë të them
    a bën vetë e ngacmon mua
    erdha vash shpirtin ç’më tret
    djegur shkrumb e prushëruar”

    “Dashuri në Kosovë”, romani i shkrimtarit Artan Mullaj, mbi një mijë kopje të shitura në panair
    Shkrimtari dhe publicisti Artan Mullaj, ka sjellë në romanin e radhës një subjekt mjaft intrigues, atë të dashurisë mes dy të rinjve, pjesëtarë të etniteteve që urrehen ndërsjelltazi, shqiptarë e serbë, më konkretisht të një student kosovar dhe shoqes së tij serbe. Romani për Majën dhe Drilonin, që dashurohen në kolerën e luftës quhet “Dashuri në Kosovë”. Një dashuri e pazakontë mes dy të rinjve studentë të Universitetit të Prishtinës lind në kohën më të keqe. Maja, një vajzë serbe, është dashuruar marrëzisht me Drilonin, djaloshin kosovar, në prag të luftës së Kosovës, kur aleanca ushtarake e Perëndimit, NATO, kish marrë vendimin të bombardonte Serbinë, në vitin 1999. Fillimi i luftës i ndau dy të rinjtë, por nuk mund të shuajë magjinë e dashurisë së tyre. Driloni largohet nga Prishtina për shkak se familja e tij kish rënë pre e masakrës së ushtrisë serbe… Maja, në përpjekjen për të gjetur të dashurin e saj, kupton se barbaritë ndaj popullit kosovar nuk ishin thjesht propagandë e kundërshtarëve dhe thashetheme, por një realitet i shëmtuar krimesh dhe abuzimesh, që po njolloste sy botës Serbinë dhe historinë e saj. E kërkoi Drilonin gjithkund, mes turmave të kosovarëve, të cilët, të zbuar nga shtëpitë e tyre, shkonin karvan drejt Shqipërisë. Rrezikoi gjithçka, edhe jetën, deri sa e gjeti më në fund dashurinë e saj, por ishte shumë vonë. Dashuria e tyre kishte sfiduar luftën, bombat, rrezikun, por jo urrejtjen e përjetshme mes dy popujve, nderur si një mallkim mes historive të tyre.. E poshtëruar, për shkak se si qytetare e Serbisë, asaj i ishte mohuar e drejta për të qenë krenare me vendin e saj, ajo shpërthen në një rebelim shpirtëror të pazakontë, kundër vetes, kundër origjinës dhe kundër vendit të saj…Një roman psikologjik, i përshkruar përmes lirikash të fuqishme dhe postulatesh filozofike, që me të drejtë tërhoqi vëmendjen e lexuesve shqiptarë dhe kosovarë. Ky subjekt, edhe pse i futur në një “ambalazh” letrar, siç është romani, i referohet një realiteti që është hasur e haset rëndom në rrethana lufte. Romani Dashuri në Kosovë që gjendej në stendat e “Moravës” në Panairin e Librit, Tirana 2015, theu të gjitha parashikimet, duke kaluar një numër rekord shitjesh, në mbi 1000 kopje që në ditët e para. Ky roman është duke u ribotuar dhe do të jetë sërish në treg për të përmbushur kërkesën e lartë të tregut.

    ***********************************
    Vullnet Mato

    Mbrëmë në gjumin e mesnatës,u përplasën retë
    dhe unë mora në dorë shpatën e vetëtimës…
    Tërë qiejt rrotulloheshin sipër meje përpjetë,
    teksa i çaja mespërmes me tehun e flakërimës.

    Ç’ke, or bir, që po vetëtin aq fort atje lart?
    më thërriste nga parajsa, nëna ime flokëbardhë.
    Me kë je zemëruar aq rëndë, or vëlla i madh?
    pyesnin tre vëllezërit, ikur nga jeta vite më parë.

    Pse e nxore nga milli shpatën e fjetur në mur?
    më qortoi motra, që shkoi në eden, pas nënës,
    ne nuk jemi më në sofër, aq sa ishim dikur,
    që e ndave në shtatë thela pjeprin e hënës?

    Pse, or babë, u zemërove me qiellin e zotit,
    klithën me lot shiu, djemtë dhe vajza e vetme,
    duke u munduar të më zbutnin me fjalë kot së koti,
    teksa shkallët e jehonave, më tundnin nënvete…

    Me cilin po zihesh aq egër, ti që nuk grindesh kurrë?…
    bubullinte gruaja e mahnitur me nervat e mia;
    Mbaje zemërimin dhe zbrit nga qielli, more burrë !
    se zgjove mëhallën në këtë orë kur flenë fëmija!…

    Nuk zbres, jo dhe jo! gjëmoja nga lart me vringëllima,
    do t’u pres fijet e shpirtit, të gjithë hajdutëve zyrtarë,
    do t’i bëj të tërë pluhur e hi, me rrufe dhe vetëtima,
    që s’na lënë të ngjitim dhe ne lartësitë e botës së mbarë!…

    Zbrit, or jahu, zbrit, se ti s’ke shokë të tjerë, je vetëm një!…
    Nuk zbres, jo dhe jo, sonte jam tërbuar e do t’ia bëj fora,
    do bëj namin, ndonëse tani gjithë burrëria rreth e rrotull flë!…
    Por, ah… dielli mëngjesit, ma rrëmbeu vetëtimën nga dora!…

    MARRRËZIA E ZHDUKJES SË POPUJVE

    Ku u burgos në vetmi Bonaparti i zhgënjyer,
    pasi gjysmën e Evropës e ktheu varr për të vdekur?
    Në cilin bodrum piu helmin Hitleri kryqe thyer,
    që bëri qiellin e botës të vjellë vetëm hekur?…

    Ku plasi dinamiti i zemrës së Millosheviçit serbomadh,
    që derdhi përrenjtë e lotëve të Bosnjës e Kosovës?
    Nga cili tunel doli i fshehur miu Sadam mustaqemadh,
    që mbolli Irakun me çelikun e predhave të botës ?

    Në ç’thellësi oqeani ushqeu peshkaqenët Bin Ladeni,
    që zbrazi damarët e gjakut arab me kamikazët e tij?
    Ku u zhvesh lakuriq për në varr kodoshi Kadaf koloneli,
    që mbolli një shkretëtirë me kufoma nëpër Libi?

    Si nuk mësojnë pasardhësit e tyre të zellshëm,
    kur popujt e pavdekshëm kërcënojnë herë pas herë,
    se kali i marrosur i revanit të tyre të tmerrshëm,
    të shpie domosdo e me siguri absolute në humnerë?…

    ARRATISJE NGA KOLERA

    Trumbetarët thanë, virusi është zhdukur,
    bashkë me varrmihësit e mortjes lindore.
    U zgjidhën fashat e filtrave të pambukut
    nga fryma e kontrolluar nëpër hundore.

    Qeshën fytyrat me lundrimin e diellit në sy,
    shpërthyen zërat e ndrydhur prej llahtarisë,
    gëluan fustanet shumëngjyrësh në lirshmëri,
    brofën peshqit nëpër kofshët e djalërisë.

    Kolera u shua në kujtesën e gjithsecilit,
    filluan të pluskojnë ëndrrat e ardhmërisë,
    erëmuan aromat e këndshme të trëndafilit,
    gjelbëruan gjethet në degët e miqësisë…

    Por papritur ndodhi zhgënjimi i tmerrshëm,
    viruse të shumuar në thelpinj fshehtësie,
    u përhapën nga zgjimi i tufanit të djeshëm,
    dhe pllakosi paniku me dridhma lemerie…

    Vdekja e ringjallur bashkë me veladonin e zisë,
    mprehu kosën e ndryshkur për viktima të tjera,
    tmerri çau shtigjet e ajrit dhe ujërat e arratisë,
    duke braktisur pragjet e infektuar nga kolera…

    Por lanë pas, blozën e kohës për fytyra fajtorësh,
    që lejuan të rikthehet kjo epidemi nga mesjeta,
    kur për vete rrëmbejnë pasuri e mbyllen dora-dorës,
    me mendimin se do shpëtojnë në kupolat e qelqta…

    TË MENÇUR DHE BUDALLENJ

    Pasi Mark Tueni,
    me fantazi krijuese,
    u priu zbulimeve
    shkencore të mëdha,
    tha, luftërat filluan
    kur i pari mashtrues,
    nxiti luftën fetare
    tek i pari budalla…

    Dhe ka qindra vjet,
    njeriu mediokër,
    vazhdon jetën
    me luftëra ndërfetare;
    kur njeriu i mençur
    provon në kozmos,
    të gjej banime të reja
    ndërplanetare;

    Që bleta e re njerëzore
    të vazhdojë shtimin,
    në zgjoje të reja
    tek të tjera planete,
    duke lënë pas
    bletët e luftimit,
    të vdesin në luftërat
    me vetveten.

    Pra, mendja ka çelësin
    e portës së qiellit,
    ose të lë të presësh
    fundin e paditurisë,
    ose të shpëton
    nga shuarja e diellit,
    duke hapur udhët
    drejt pavdekësisë…

    PUTHJA DHE GRUSHTI

    Jeta ka puthje pa fund,
    për vajzat dhe gratë.
    Puthjet më të ëmbla,
    për më të ëmblat e shpirtit.
    Puthje për krijimin
    më të bukur e më delikat,
    që ka konstruktuar
    Arkitekti i madh i njerëzimit.

    Por, kënaqësitë që sjellin
    këto krijesa të shtrenjta
    me gëzimet kulmore
    përmbi çdo ndjesi tjetër,
    ndodh i shpërblejmë
    me grushte e shkelma,
    të dhunës së trashëguar
    nga njerëzit e egër.

    Dorën e mashkullit
    nuk e bëri akulli apo guri,
    por zemra e nënës
    atë e stisi më të fortë,
    që fuqinë muskulore
    të krahut të burrit,
    ta ketë mbrojtje të sigurt,
    dhe mbështetje të plotë.

    Kjo dorë e shumë punëve
    të mëdha e të mira,
    nuk ka lindur të rrëzojë
    vetë nënën përtokë;
    Por t’i sjellë asaj,
    në acarin me dimra,
    pranverën ledhatare
    dhe verën e ngrohtë…

    Këto krijesa drite,
    me trupin e tyre si qelq,
    ndodh të rrëshqasin,
    në pjerrësi instinkti.
    Grushti i thyen ato,
    por fajin nuk e ndreq,
    vetëm puthja ua drejton
    zemrën dhe shpirtin…

    **************************************************
    PIRRO LOLI
    VAJZAT E UJIT OSE MALLKIMI HYJNOR

    ( Tregim )

    Po binte muzgu mbi Athinë e ajo mjegull a që ishte davaritur gjithë ditës mbi qytet, pak nga pak, po kthehej në një lëng të hollë të zi, që po mbështillte rrugët e zhurmshme dhe pallatet. Ecja i mbështjellë me një kapardinë nate. Në sheshin e madh para godinës së Parlamentit, në një mural të gjerë ballor, pranë shatërvanit kryesor, përposh nja njëqind shkallëve të mermerta, më zuri syri një pikturë me përmasa të mëdha, mbi të cilën binte një dritë e lagur. Dukej se ishte e re dhe, ndoshta, sot e kishin vendosur. Iu afrova të shikoja firmën e piktorit dhe për çudi lexova në cepin e majtë: Danaida.com. Në tablo: Turmë e pafund njerëzish. Ca me kova në të dyja duar e shumica me shtamba në sup, të gjithë shtrënguar e të rraskapitur njeri pas tjetrit, drejtoheshin diku në një rreth të zi, në cepin e majtë përmbi firmën e autorit, për të zbrazur ujin që mbartnin mbi shpinë. Nuk po kuptoja gjë mbi përmbajtjen e pikturës. Kureshtja ime e përqendruar nuk po e kuptonte., thelbin.. Ç’ kuptim kishte kjo turmë kaq e lodhur, disi e përthyer surrealiste, shtrembëruar dhe e deformuar në çdo individ, ngarkuar me ujë, vendoset në radhë për të zbrazur shtambat diku në një gropë pa kuptim?! Nxora telefonin dhe fillova ta fotografoja në disa anë.
    Befas pranë meje, sikur i polli nata, u dhanë katër burra veshur me kokore të zezë. Njeri më rrëmbeu telefonin nga dora.
    – Policia bashkiake, tha, – cili jeni ju, nga jeni?
    – Jam turist, u thashë pak i hutuar, ç’ dëshironi?
    – Pse e fotografuat këtë tablo?
    – Ashtu kot, thashë, më pëlqeu si kompozim, por m’ u duk e pakuptueshme…
    – Fshiji fotografitë që more këtu!… Danaida.com mund të jetë organizatë terroriste që…
    • Nuk më duket ashtu, shtova unë, këto turma janë mjerane, por jo vrasëse.
    • Paske fjalë shumë ti, hajde gligora, fshijë. Tora, katalavenis?
    Tjetri i fshiu fotot e sapo bëra me nervozizëm e ma ktheu telefonin.
    Nuk kundërshtova. Mblodha supet i hutuar. Dhe policët i përpiu nata, por ata ma fokusuan më tepër në mendje pikturën dhe piktorin anonim. Kur arrita në hotel, me një padurim prej kureshtari, hapa shpejt e shpejt laptopin, klikova në adresën virtuale të piktorit e për çudi lexova: “sekretbanc.com.gr”. (?!) Vazhdova më tej e sqarimet e para ishin disi çoroditëse e të pakuptueshme. Pa dashur isha hedhur në trojet e një miti të lashtë. Si në mjegullën e trashë në të zezën e kësaj nate.
    … Homeri tek “Iliada” emrin “Danajt” e përdor për të emëruar të gjithë fisin e vjetër grek, kjo për nder të një stërgjyshi të lashtë, mbretit Danau, që, më tepër se për merita, ka mbetur në legjendë për një ndëshkim të padëgjuar ujor. Lexim pas leximi arrita në buronjat e legjendës:

    * * *
    Ata ishin dy vëllezër mbretër. I pari, Danai, mbretëronte veç në vendin e vet edhe në Libi e Angolidë, i dyti, ishte mbret në Egjipt. Të dyja mbretëritë jetonin të kredhura në luks. Perëndia nuk ua kishte kursyer diellin dhe detin e bukur. Kishin pasuri pa fund në dy kontinente, dete, ishuj, lumenj, miniera, pyje e toka buke pambarim. Ishin martuar me shumë gra dhe nuk e di pse Zoti u kishte dhënë Danait 50 vajza dhe Egjiptit 50 djem. Të dy vëllezërit takoheshin rrallë.
    Një ditë, shoqëruar nga një skotë e madhe, Egjipti u shfaq tek oborri i Danait. Dukej pak i shqetësuar. Foli për kohët e trazuara që po vinin, krizën e bankave, tregtinë e armëve, për doganat, tregun e grurit, verës, mishit e leshit… Danai nuk po kuptonte gjë. Dukej sikur i vëllai po i raportonte për fundin e botës.
    • Pasuritë tona rrezikohen, vëlla mbret, – tha Egjipti.
    • Nuk po të kuptoj, – tha Danai.
    • Duhet të ruajmë pasuritë, vëlla- ka plasur vjedhja tek çdo rob i gjallë dhe…
    • Po, por. pse m’i thua tani këto fjalë? Vjedhje ka pasur gjithnjë. Nuk të kuptoj ku do të dalësh..
    • Ne duhet t’i kemi tonat këto pasuri sa të jemi gjallë, por dhe pas vdekjes.
    • Do t’i kemi, – tha Danai.
    • Që t’i kemi dhe pas vdekjes, duhet të bëjmë një krushqi shembullore që ta marrë vesh mirë raca jonë dhe e gjithë bota dhe të mos guxojë as skllavi as ndonjë mbret i huaj të vërë dorë mbi pasuritë tona.
    • Po të dëgjoj, Egjipt!
    • 50 djemtë e mi duhet të martohen me 50 vajzat e tua, vëlla…
    Danait i shkreptinë sytë kërceu nga vendi, ngriti krahët lart e shtangu nga habia… Ç’ thua kështu ditëzi, fëmijët tanë janë motra e vëllezër.
    • Nuk pranon?!
    • Kurrën e kurrës!
    • …
    Atëherë mbreti Egjipt i shpalli luftë vëllait të madh, Danait dhe e shpartalloi krejt ushtrinë e tij. Fundi i luftës i shkurtoi bisedat dhe pazaret. Vëllezërit mbretër u takuan përsëri kokë më kokë, por këtë herë Egjipti i kërkoi në formë urdhëruese që 50 djemtë e tij të martoheshin me 50 vajzat e të vëllait. Danai, ai burrë i fuqishëm që njihej si mbret i hekurt, që në duele trimash në arenë vishej si ujk, therte një dem, ia merrte zemrën në dorë, e tundte si flamur, e , pasi ia hante të gjallë, fillonte ndeshjen; tani, krye përdhe si skllav i poshtëruar, pranoi urdhrin e të vëllait.
    … Dasma u bë sipër, në Akropol. Thonë se odat e mermerta u mbushën me verë, athiniotët hëngrën e pinë 50 ditë rresht, por askujt nuk i shkonte në mendje se mbreti Danai përgatiste planin e vet ogurzi. Ai porositi 50 thika të mprehta dhe urdhëroi të 50 vajzat që, natën e parë të shtratit martesor, t’i thernin 50 dhëndurët e tyre. Dhe kështu u bë. 49 vajzat danaida i vranë burrat e tyre në natën e parë të martesës, i vranë që në puthjen e parë, i vranë me thikë në zemër. Shtretërit bashkëshortorë u përkuqën dhe gjaku rrodhi shkallëve të mermerta. Burra kurore i kishin, njëkohësisht të njëjtë në gjak..
    (Legjenda nuk thotë gjë se vetëm vajza e vogël, Hipermestra nuk pati zemër ta therte burrin e saj). Kjo gjëmë ishte e padëgjuar dhe ndëshkimi erdhi menjëherë. Në shtretërit e mbytur me gjak Zeusi lëshoi 50 rrufe, tri herë Akropoli mori flakë, vite të tëra nuk ra shi, u shtuan qentë e tërbuar, dhe vjedhësit gjithandej; gjethet e dafinës u thanë, ullinjtë në vend që të lidhnin kokrra pikonin gjak… Por gjëma e danajve nuk mbaroi këtu. E kishte radhën mallkimi i Zotit të nëndheut, Hadit. Në fillim ndëshkimi i tij nuk u kuptua dhe njerëzimi e quajti Hadin zemërmirë e mëshirëplotë. Ndëshkimi i tij ishte i padëgjuar. Kur diçka u kuptua, pikërisht atëherë do zinte fill të endej legjenda e famshme, ose kuptimi thelbësor i fjalës “Danaida”. Hadi i urdhëroi nuset danaida që në jetë të jetëve, në të shtatë qiejt e pasvdekjes, do mbushnin një fuçi me ujë, një fuçi pafund. Askush nuk e kuptoi se “fuçia” ishte simboli i racës dhe i mallkimit, i vjedhjeve masive dhe i gjakut të derdhur në pabesi; këtë derdhje të ujit në boshllëk nuk e kundërshtoi askush se vendimi ishte marrë nga dy zotat, Hadit të nëndheut dhe Poseidonit, të deteve.
    …Duke gërmuar në “danaida.com” dhe në …secretbank.com.gr po gjeja rrënjët e emrit “të piktorit anonim”, që për habinë time, qenkësh i lakuar në çdo cep të kontinentit e më tej. Po thuajse të njëjtat vajza si danaidat ishin pikturuar në “ndëshkimin e ujtë” edhe në vende të tjera. Mallkimi ishte kthyer në sëmundje ngjitëse. Një psikolog gjerman, shkruante se: “sinteza e diagnozës “Ndëshkimi i ujtë”rrjedh që tek një kalë prej druri që dogji Trojën. Një analist austriak lëkundej në dilema të tjera dhe theksonte se akoma në mijëra vjet kanë mbetur pa përgjigje: Cili krim rëndon më shumë, incesti i detyruar apo thika, apo zjarri…” … Ndëshkimi i mbushjes së pamundur, ia kalonte edhe atij të njohurit, Sizifit me shkëmbin enigmatik mbi shpinë; ky i danaidave ishte ndëshkim hyjnor i paparë ndonjëherë që nga krim dhe ndëshkimi personal ka kaluar në krim dhe ndëshkim mbarëpopullor. Legjenda ishte e ngarkuar me terr.
    Vajzat u sfilitën kaq shumë sa u bënë të ujta dhe flokët, dhe krahët, dhe kofshët, dhe gjinjtë…ato ngrinë e u shkrinë, por të tëra ujërat rrëshqasin në gojën humnerike të fuçisë që po gëlltiste të gjithë lumenjtë që zbrisnin nga burime të largëta nga të tëra faqet e pjerrëta të Danaidës dhe honia e shpuar e grykës së pusit gllabëronte dete të tërë dhe s’kishte të ngopur…
    … Që në shek. III p. e. re, një ene të bukur porcelani me përmasa kolosale, iu vu ky emër dhe u ekspozua në muzeun e Vatikanit, që s’kish para` të paguante as pesë rrogëtarët më të mëdhenj.
    … Këtë emër e paskan përdorur edhe armiqtë e Luigjit 16 kundër tij dhe ministrit të tij të financave, Nekreit, kur “Danaidë” quajtën bankën shtetërore të Francës, ku bënin fjalë për ndihma, borxhe e dështime të frikshme, sikur mbi Evropë do binin akullnaja kontinentale e do t’i zinin frymën kontinentit plak..
    …Vajzat e bukura si shtojzovalle të ujta të Danait ishin pikturuar në kohë krizash në çdo metropol, por në galeritë e Londrës, Parisit, Madridit, Napolit, Qipros, Petërburgut gjendeshin pikturat e skulpturat më të famshme. Danaida.com paska jetuar shekuj të tërë para kompjuterit; një piktor italian, kish pikturuar vetëm njërën, danaidën e vogël, atë që nuk e theri burrin; kjo, gjithsesi e pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë. Hamendësohej se vajza në formë shatërvani, me dy gjinj të mëdhenj si diej, afishuar në portalin e bankës qendrore të falimentuar, shpërndante gjithandej nga të dhjetë gishtat fjolla uji me drita shumëngjyrëshe, sikur donte të shpërndante të vërtetën mbi gjymtyrët e këtij ndëshkimi në të gjithë kontinentet..

    Dragua Shehu

    Dritëroi për “Kalin-Monument”

    Vuri krenar Dritëroi në piedestal
    Një kafshë fisnike e të rrallë
    Do ngre monument- tha: Për kalë
    Në vend të mbretërve tutkunë a gjeneralë.

    Kali Doruntinën pruri duke fluturuar
    E Skënderbeun në beteja si veriu
    O kalë !që s’ngordh si kafshët e tjera
    Po bën vdekjen siç e bënë njeriu

    Të udhëtoj me kalë e jo me aeroplan
    Rrugës ku bleron manushaqja a një dardhë
    Dhe e mbushur me keca laramanë
    Më prisni do vijë me kalin e bardhë!

    Falmë, Dritëro për gabimin që bëra:
    -Për në fshat rrugës shkurt i rashë
    Nxora gomarin në radhë përpara,
    E lash kalin me ngarkesë pas!

    Kalin shiti, Miro Labinoti
    Dhe u nis të blinte një qemane
    Kalë o kalë vjen të merr evgjiti
    Një kalë që plumbin se përfillte!…

    Dhe Dritëroi atëherë porositi,
    Një monument për kalin që mori evgjiti!…

    *****************************************
    MIRELA KONDI

    Kuzhina çame

    Çamëria është vendi ynë mitik. Është vendi i Dodonës pellazgjike, i Aheronit të
    famshëm, i gjuhës së perëndive siç thoshte Naim Frashëri, rilindësi i madh. Po
    edhe kuzhina çame si vetë vendi nga vjen është tepër e vjetër. Përdorimi edhe në
    kohët e tashme të enëve prej balte si kuthi, poçja, etj e vërteton këtë. Pa harruar
    këtu kurrsesi furrat, kosheret e bletëve apo lutërvitë e vajit të ullirit.
    Kuzhina jonë dallon jo thjesht për shumëllojshmërinë e saj, por mbi të gjitha
    për pastërtinë dhe kulturën në të gatuar. Ajo si pjesë e rëndësishme e kuzhinës
    shqiptare jo vetëm e ka pasuruar atë, por mbi të gjitha e ka shtuar më tej shijen
    e saj. Nëse do ndaleshim tek një element i rëndësishëm i kuzhinës sonë, që është
    furra çame duhet theksuar se në Çamëri kishte tri lloje furrash, një për bukët e
    për byreqet, një për mishin e pjekur dhe një për bakllavatë.
    Pozicioni gjeografik, me Jonin e kristaltë, aq shumë të pasur me lloje të shumtë
    peshqish, klima mesdhetare, pjelloria e pashoqe e tokës çame kanë luajtur një rol
    të rëndësishëm në mbrothësinë e krahinës sonë. Çamëria rrethohet mahnitshëm
    prej një kurore të blertë të pemëve të ullirit. Nëpër stanet e shumtë dhe kullotat
    e panumërta ndihej blegërima e deleve pa gdhirë dita mirë. Pra, Çamëria ka
    vodhisur në mijëvjeçarë dhe vodhis edhe sot e kësaj dite prej aromës së qengjit në
    hell, klumështit të freskët që përpunohen aq bukur në kos, djathë, gjalpë, arme,
    etj. Kurse vaji i ullirit dallohet për ëmbëlsinë dhe shijen e shkëlqyer që pasuron
    çdo gatim të Çamërisë sonë.
    Pranvera me lulëzimin e saj e vesh Çamërinë me një fustan të bardhë nusërie.
    Frutat e shumta, (mollët, rrushi, qershitë, dardhat, bajamet, arrat etj), glikotë
    e ndryshme të përgatitura me to zbukurojnë aq bukur tryezat çame dhe habisin
    e kënaqin këdo. Porse edhe frutat e thara janë karakteristikë e nikoqirllëkut
    të gruas çame. Në libër kemi përmendur edhe fiqtë: manuret dhe çepelet që
    përgatiten mrekullisht me to. Po si mund të lëmë pa përmendur agrumet?! Tok
    me ullinjtë shekullorë ato ja begatojnë më tej kurorën e blertë Çamërisë. Por
    mbi gjithçka shija dhe bollëku i kuzhinës sonë është i dukshëm në dasma e festa
    të mëdha. Në gëzime të tilla, kuzhina jonë e shpalos më së miri vetveten. Ja dhe
    menuja e një dasme çame gjatë drekës apo darkës së krushqisë:i
    1) Çorvë: Kjo bëhej me oriz e lëng mishi, përvëluar me gjalpë. I hidhej
    sipër moskopiper apo siç i thonë tani piper i zi.
    2) Çomlek me mish (jahni e kuzhinës çame): Mish qengji milor me qepë e
    hudhra, gatuar me mjeshtëri vetëm nga “aksheshat” me përvojë të madhe.
    3) Rigonël, përgatitur me mëlçi, zemra, veshkëla të qengjit ose shumë
    shumë të milorit. Për tu bërë e shijshme i hidhej rigon i bluar e i tharë me kujdes.
    4) Qahi (byrek me djathë në formë katrore), bërë me qumësht deleje, djathë
    të thatë të kualitetit të parë (fetë), vezë e shtruar në cep tepër të holla.
    5) Lakror me oriz e mish. Ky ishte një lloj byreku që bëhet vetëm në Çamëri.
    6) Mishi i pjekur në hell. Çamët ishin mjeshtra në pjekjen e mishit në hell
    dhe i kushtonin një rëndësi të veçantë pasi është një traditë shumë e vjetër gatimi.
    Zgjidhej vendi që të mos rrihej nga era, zgjidheshin drutë që do të përdoreshin
    etj.
    7) Ëmbëlsira lejohej të ishte vetëm bakllavaja por e gatuar siç thuhet për
    shtatë palë qejfe.
    E kush nuk ka dëgjuar për bakllavanë çame?! Në gatimin shqiptar bakllavaja
    çame zë vendin e nderit. Është vetë shpirti i Çamërisë i mbrujtur në të, është
    ëmbëlsia e vajit të ullinjve shumëshekullorë, është edhe mala e miellit të grurit
    që mbushte fushat në të bukurën Çamëri, janë arrat e bajamet të mbjella brez
    pas brezi nga të parët. Është vetë furra unikale çame që e pjek. Është fisnikëria,
    mundi i gruas çame që e gatoi. Ndërkohë që prova e bakllavasë është një
    karakteristikë e veçantë për Çamërinë. Kjo provë bëhet jo vetëm për shijen, por
    edhe për trashësinë e saj që mbetet edhe si një provë e veçantë që kryhej me
    qytën e pushkës (bakllavaja duhej të ishte më e lartë sa pëllëmbë e dorës). Ndërsa
    petalet e luleve që stolisnin secilën thelë të bakllavasë sikur merrnin edhe vetë
    hijeshinë nga nuri i vajzave dhe nuseve çame të cilat ishin me emër në të gjithë
    Epirin.
    Në fund dua të theksoj se kuzhina çame nuk përfundon me këtë libër. Ajo është
    aq e larmishme saqë të habit me shumëllojshmërinë e gatimeve që dallojnë nga
    një fshat me tjetrin. Janë mjaft e mjaft receta që ky libër nuk i ka përfshirë. Pra,
    ky libër është vetëm themeli që vendoset në ndërtesën fisnike të kuzhinës çame.
    Botime të reja veç kënaqësisë që do të na sjellin,sigurisht do ta pasurojnë edhe
    më tej atë. Çamëria dhe tok me të traditat tona nuk do të shuhen kurrë. Ato do
    kalojnë nga brezi në brez me urimin dhe shpresën për tu kthyer sërish në vendin
    e të parëve tonë.

    Monografia e Dr. Artan Xhaferaj, bulëz albanologjike, luleshqipe për fjalorin thesar të Labërisë
    Promovohet monografia “Vështrim gjuhësor mbi të folmen e Gumenicës së Vlorës” e Dr. Artan XHAFERAJ
    MSc. Albert HABAZAJ, bibliograf
    Një libër i shkruar hijshëm sapo çeli freskët, shkruar me luleshqipe në kopshtin e lulëzuar të gjuhësisë. Është libri “Vështrim gjuhësor mbi të folmen e Gumenicës së Vlorës”, monografi e përgatitur nga Dr. Artan Xhaferaj, pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Në vijë kronologjike, pas Prof. dr. Rami Memushaj, hartuesi i kësaj monografie shkencore është i dyti autor vlonjat me origjinë nga Lumi i Vlorës, që del me një botim akademik për vendlindjen (vendorigjinën). Në qoftë se botimet e Prof. Memushajt për Kurveleshin dhe Himarën janë kontribute me dritë historike, gjuhësore dhe etnologjike, që rrokin hapësira më të gjera në dy krahinëza të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, ky punim i Dr. Xhaferaj është thelluar vertikalisht ngushtë në një hapësirë të caktuar të njësisë bazë të bashkësisë njerëzore. Parë nga ky këndvështrim, Dr. Artan Xhaferaj është autori i parë me origjinë nga kjo trevë, që boton një punim shkencor për bashkësi lokale, që, në rastin konkret, është vendlindja e autorit, Gumenica e Vlorës, emërdëgjuar për kuvende e histori, për dije e kulturë. Monografia është strukturuar si një ndërtesë 9-katëshe, me dritë dhe hapësirë të plotë, në të cilën banorët e pallatit jetojnë këndshëm me dinjitet. Veçoritë gjuhësore të së folmes së Gumenicës duken në katin e dytë, të tretë dhe të katërt, parë në rrafshin fonetik, morfologjik dhe sintaksor, për të cilët janë specialistët e fushës, që kanë dhënë vlerësime të larta dhe të merituara. Ndiej kënaqësi, se e shikoj punimin e Artanit, sikur ta kisha realizuar unë, e, për këtë, falënderime të sinqerta kam për gjuhëtarin e shquar, Akademik, Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj për parathënien e librit. Po ashtu, mirënjohje shpreh për stafin e tre “supervizorëve”: Prof. dr. Enver Hysa, Akademikun vlonjat Ethem Likaj dhe patjetër, Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, i vlonjatizuar më se 49 %…, të cilët ndoqën zbatimin e punimit të ndërtesës së “ustait” Artan Xhaferaj sipas projektit. Kati i parë i pallatit është shumë i dobishëm, sepse u hap punë folkloristëve, etnografëve, etnologëve shqiptarë. Të dhënat e përgjithshme për fshatin e Gumenicës në rrethin e Vlorës i gjejmë pikërisht këtu. Në katin e parë njihemi me ritet, festat popullore e fetare; në këtë kat gëzon dasma, ndizet kënga dhe dollitë labërisht, sipas variantit gumenicjot, (nga këto vise ka dalë dhe fjala: “Fshat e zanat, derë e tabiat”). Ndjej respekt për autorin për ndershmërinë profesionale që tregon ndaj 20 subjekteve të përzgjedhur për materialin gjuhësor – dialektor të këtij studimi monografik (përfaqësues të të dy gjinive, të grupmoshave të ndryshme, të niveleve të ndryshme arsimore si dhe nga të gjitha lagjet dhe mëhallat) . Rastis bukur që paraqitja e botimit akademik “Vështrim gjuhësor mbi të folmen e Gumenicës së Vlorës” na shfaqet si prelud i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike “Urat kulturore mes Himarës dhe Diasporës Arbërore në shek. XVI-XVIII (Kronikë identitare dhe eurocentriste)”. Është një këngë e vjetër që këndohet labçe këthëna, që shqyrton studiuesi Xhaferaj: “Që në Gumenicë e lart’/ Himarë i thonë çdo fshat…”.
    Fjalët e urta, frazeologjitë, emërvendet, fjalësi i të folmes janë vlera të dukshme etnologjike, tregues i një pune të kryer me dashuri e dituri për atë hapësirë e bashkësi njerëzore, që autori njeh më mirë. Si pjesë e së tërës etnokulturore, materialet gojore të mbledhura prej Dr. Artan Xhaferaj janë visare origjinale, që i japin gjuhëtarit të ri edhe statusin e mbledhësit të palodhur e të vërtetë të traditës gojore dhe kulturës shpirtërore (jo materiale) të Gumenicës së Artanit, të “Gumenicave” të secilit studiues, që ka dëshirë e mundësi të bëjë studime të mira, të bukura, të dobishme për vendlindjen. Artan Xhaferaj për këtë monografi është mbështetur në dokumente të botuara dhe në burime arkivore, në një literaturë të pasur historike e gjuhësore, në folklorin e botuar të Gumenicës dhe të Labërisë, si dhe në folklorin burimor të gjurmuar në vendin e praktikimit me variante. Mbi të gjitha, puna e tij në terren, ekspeditat vetjake dhe, sidomos, harmonizimi i punës në terren me njohuritë teorike e kërkimet e mëparshme shkencore të autorit – është qielli i kthjellët, ku fluturon dallëndyshja e parë, që na lajmëron se po vjen pranvera edhe për botime të tjera të nivelit akademik për fshatra a zona të Lumit të Vlorës në çerdhen e Albanologjisë. Një punë të pëlqyeshme dhe mbushmendëse, duke respektuar raportet e gjuhës standarde shqipe, të dialektologjisë dhe fjalëve të huaja, bën autori për pastrimin e gjuhës shqipe. Ai e quan të panevojshëm përdorimin e emrit toponim [edhe pse ka fituar qytetari], duke e zëvendësuar me fjalën emërvend. Po kështu, përbën risi gjuhësore futja e emrit fjalësi etj., që na kujtojnë vjershën e Naimit të madh: “Gjuha jonë sa e mirë!…” Kjo monografi u vlerësua nga studiues shqiptarë, si Prof. dr. Roland Zisi, Prof. dr. Bardhosh Gaçe, Dr. Vilma Bello dhe në mënyrë të veçantë nga Prof. dr. Françesko Altimari, nga Universiteti i Kalabrisë, Prof. dr. Mateo Mandalá nga Universiteti i Palermos, nga Prof. dr. Dhori Q. Qiriazi nga Universiteti Aristotelian i Selanikut, si dhe nga kolegë e studiues të tjerë, miq të autorit.

    Reshida Çoba
    DUA TË DI PËR NUMRAT
    Dua të di më shumë për numrat
    Për lidhjen,qëllimin e tyre në univers
    Të di më shumë për Pi-në greke
    Prerjen e Artë
    Mbetur përjetshëm mister
    Të di çfarë ndodh me zeron dua
    Kur numrat bien, ngrihen si mbretëri
    Si ndihen kur futen nën rrënjën katror
    Si ndihen kur ngrihen në kubikë
    Të kuptoj dua
    A e ndjejnë numrat fjalën ndryshim
    Të qenit në rritje
    Te qenit në zero
    Te qenit në zvogëlim
    Por çfarë më ngatërron më shumë
    Të sulmuar më mban netëve
    Është fjala … Infinit!
    Sa më i madh është nga zero te njëshi
    Nga zero te njëqinda
    Po tani e tutje nga mendimi im ?
    A bëhet infiniti më i vogël
    Kur gjysmën i zbret
    A bëhet më i madh kur gjysmën i rrit ?
    KORÇA IME
    Korçë…..qyteti im !
    Më i bukuri i gjithë qyteteve
    Vitet e fundit tek ty do ti sjell
    Më beso këtë radhë
    Dhe me vdekjen kam folur
    Nuk do të vdes këtej
    Matanë oqeaneve të mëdhenj e deteve
    Nga malli që kam në krahë do vi ti marr
    Gjithë gurët e sokakëve
    Një nga një kilometra do t’i bëj
    Nuk do të harroj asnjë
    I mbaj mend mirë
    Format,pjerrtësitë,ngjyrat midis tyre
    Secilin me frymën e tij veç e veç
    Dhe malin e Moravës
    Ngarkuar mbi shpinë do ta mbaj
    Borxhin që ika e s’u ktheva
    Ndoshta kështu …e laj
    Kam fjetur me qytete të tjerë… nuk të gënjej
    Kam bërë dashuri me ta
    Se zemërimin me botën e kisha të madh
    Nuk e kishin dëgjuar kurrë emrin tënd
    I kam përcjellë perëndimet e tyre
    Me erën e mollëve të Korçës
    Dhe qirinj netëve ndeza
    Ata pyesnin për ngjyrën e flokëve,
    Syve të tu
    Shikonin ëndrra të çuditshme
    Shpesh më pyesnin
    Mos nga Korça… ishte Eva ?
    ( e morën vesh kush ishe ti
    …më thanë dhe pse me xhelozi)
    Asnjë më parë se korçarja
    Nuk kish mundur të ishte kaq grua
    Shumë gra qytetesh të mëdhenj
    Nuk kishin ditur të flisnin me ujërat
    Të preknin e puthin aq ëmbël
    Buzët e oqeaneve dhe deteve
    Unë jo pa qëllim prezantoja Korçën e mençur
    Buzëqeshje te bukur Morave shtroja mbi buzë
    Dhe fshehur nxitoja te qaja dritave fikur
    Me lot të mëdhenj sa bota vetë
    Qaja për nënën,atdheun tim..varfëritë e njerëzve
    Fshehur nxitoja të numëroja dertet
    PARA NËNËS DHE KAFES
    Para nënës dhe kafes gjithmonë shkoja e bukur
    Flokët krehur plot kujdes
    Vendosja gruan e lumtur mbi takat të nisej
    Dhe me dredhinë e bijës
    Nën një rrip te hollë, shtrëngoja dhimbjet në bel
    Sa shumë e doje ti këtë takim
    (unë sa e doja)
    Në sytë e tua bojë kafe ,shihja çdo ngjyrë
    Në duart e tua ,numëroja botët
    Dashuritë …gishtat e tu të lodhur numëroja
    Me mallin dhe kafet nëpër duar
    Zbulonim sekretin e ikjes shpejt të kohës
    Pjesëtuar me nënën…gruan…bijën
    Kafja ishte si një tokë e butë
    Ku ti dhe unë me mallin për njëra-tjetrën
    Ecnim në të djeshmet dhe të nesërmet
    Duke prekur, zbutur dhimbjet e njerëzve
    Ah …sikur të ishim dhe njëherë bashkë
    Dhe më e bukur do të bëhesha !
    Nga malli i madh që kam për ty
    Në avuj lotësh më kthehen avujt e kafesë
    Sa herë që e pi vetëm i kam në grykë
    Rrëzohem…shkundem si një vjeshtë
    Zgjohu nënë …Jam unë
    Thonë se s’ngrihesh dot
    ( thonë…thonë, se ke vdekur
    por mundem unë ta besoj )
    Kam marrë një re në duar nënë
    Dhe po ta nis me avujt e kafesë
    Nga Los Angeles… në Korçën tonë
    Zgjohu nënë … kam dhimbje sa bota e tërë
    Pse nuk flet ?
    Zgjohu të lutem …është mëngjes !

    Faruk Myrtaj

    Ne e dimë që Lushnja nuk ka mal, nuk ka majë, por duket sikur ti e zbret hundën dhe krenarinë deri në shojën e këmbëve

    TI I ZHGËNJEN TË GJITHË, FASLLI HALITI!

    Me këtë lloj vjershërimi (pa majë, pa kulm-siç shprehesh ti) duket sikur çdokush ka të drejtë të të thotë: e ku është poezia këtu?! Pse, kjo është poezia?!
    Por ja, vjen radha e një Testamenti, e një cikli të plotë testamental, dhe si mund të mos prekesh nga ky NAIVITET, nga kjo QASHTËRI, si mund të mos i thuash autorit, atij pra Faslli Halitit:
    Ne e dimë që Lushnja nuk ka mal, nuk ka majë, por duket sikur ti e zbret hundën dhe krenarinë deri në shojën e këmbëve, bën tokëzimin aty dhe pastaj poezia jote, ajo që sapo lexuam, fund e krye njerëzore, ngrihet në lartësinë e ëndërruar të lirisë.
    Edhe kur duket sikur asnjë ditë nuk kemi qenë te lirë, edhe kur duket sikur asnjë fije drite nuk ka në asnjë prej horizonteve, edhe kur duket se Majtas e Djathtas e Lart e Anash ka vetëm politikanë që sikur rrojnë vetëm për t’u qortuar prej poetit.
    Edhe kur duket sikur shprehemi në emër të jo-besimtarit, në mos (o Zot) të Ateistit, Faslli Haliti vetëm ai e di se si e kandis deri edhe Jezu Krishtin dhe e pyet nën trajtën më të rëndomtë të myzeqarit: Zoti Jezus, nga t’ia mbaj unë?! Dhe i bindet. Pa i shkuar në faltore, pa prekur me dorë tempujt dhe gurët e shenjtë që rrinë në hava!
    Nuk thotë kurrë se pyet apo se ndjehet apo mediton si Poet, jo, Faslliu ia mban ulur pa pushim kokën vetes. Por si rob allahu, si lexues, si njeri i bindet këtij Jezusi, edhe pse në faltoret ka kohe që shkojnë e bëjnë disidencën ata që e kanë shitur shpirtin për para, pushtet, lavdi dhe admirim për jonjerëzoren…ata që e mohuan Zotin vullnetarisht, ata që u kënduan ashpërsive mbi njeriun duke blatuar nderje te tepruara idhujve, në mos zotave të dheut këtu poshtë…

    Faslli Haliti duket se arriti t’i mbetej besnik vetes deri në fund.

    Këtë mund ta kemi gjetur kudo, këtë edhe mund ta kemi vënë në dyshim ndonjëherë, kur e kemi lexuar nga e Djathta apo e Majta, kur e kemi parë nga Sipër apo nga Poshtë, dhe aq me faj nuk kemi qenë, ne të pafajshmit që na duket vetja ndryshe nga të tjerët që mendojnë e ndjejnë disi ndryshe nga ne!
    Por edhe sikur vetëm poezinë “Testament” të lexojmë prej tij, e kandisim veten dashurisht t’i kërkojmë ndjesë, pa dilemë. por e bëjmë këtë mjerisht të bindur se Faslli Haliti i ka falur dhe i falë të gjithë, thjesht prej mënyrës se si nderon veten e vërtet, atë të thellën, që nuk e deshifrojnë dot as Dielli e as rrëketë, paçka se Dielli ndodh të përvëlojë dhe ndërron shpesh pamje, paçka se edhe rrëketë kërkojnë të duken si kroje burimesh të pastra: Faslli Haliti shkruan aq thjeshtësisht, aq naivisht, aq çiltër e delirshëm, diçka që arrijnë ta bëjnë vetëm ata, POETËT…

    Marjeta Musaraj

    Linda né livadhin!

    Linda né livadhin,
    Ku era frynte lirishté,
    Linda e vetme ku hëna
    Né ç’do agim lante sytë!
    Linda për mbi dallgé e valé,
    Né féminin e ëndrrave,
    E quajtur me emrin pulëbardhe!
    Né çdo hap qé unë hedhé,
    Mbledh lule kujtimesh té çmuara,
    Magjia e këngës ku unë u linda,
    Ketë naté mé paska robëruar!

    Si hëna né perëndim!
    U largova si hëna né perëndim,
    Me vete mora një shpaté,
    Ëndrrash pa kthim!
    Dita e porsalindur,
    Thinjet né stres,
    Derdh lot mallëngjimi,
    Si pika mbi gjeth!
    Jam një pik loti,
    Një yll i vetmuar,
    Zemër e lodhur,
    Né vendin e trazuar!

    Sa shumé vite

    Sa shumé vite qé mé ikën,
    Dhe unë i kujtoj me nostalgji,
    Kam kaluar vite té bukura me diell,
    Kam pasur dhe vite plot me stuhi!

    Né kështjellën e ëndrrave té mia!

    Né kështjellën e ëndrrave tè mia,
    Ndriçon për jeté o dielli im,
    Habitem dhe vete si ndodhi çudia,
    Kur papritur një errësirë nxin!

    Ky qiell ngarkuar me klithma vetëtimë,
    Pa mëshirë derdh shi e dëborë,
    Unë si e pa strehè i pres tè gjitha,
    Sa shpirtin e mjerè çdo dité më shkatërron!

    O kështjellë e ëndrrave tè mia,
    Imazhi jot mé mban ende gjallé,
    Do ta vras kohén té egrën natyrë,
    Dhe do përballoj jetën té ëmblën si mjaltë.

    FATION PAJO

    Atë mbrëmje…
    ———————–

    Atë mbrëmje
    Ëndrra që pashë u çmend…

    Nën shiun që binte me shtrëngatë
    ne të dy rastësisht u pamë
    u shtanga një moment,
    ty të fluturoi çadra nga era,
    shumë vite tash kanë shkuar.
    Një copëz akullnaje u shkëput
    detit të kujtesës sime.
    Tepër vonë kjo stisje.
    tepër vonë ujëvarat e lotëve
    nga ata sy vitesh harruar.

    Atë mbrëmje
    prej teje ndërrova vend…

    S’iu ankova askujt.

    Për fletoren e vjershave që më morën
    S’iu ankova askujt.
    Në të kisha hedhur dikur
    çapkënllëqet e adoleshencës,
    copëza jete intime,
    disa ëndrra nate,
    rendje të shfrenuara nëpër terr,
    për një fjalëz në erë,
    për një shikim pas perdesh,
    për një puthje mbrëmjes fshehur…
    Aty ishin mbledhur vitet
    që s’i torra siç duhet.
    I pafat me kujtesën
    s’riprodhoj sot asnjë varg.
    Ndaj s’kam kujt t’i ankohem
    për fletoren diku mbetur…

    I pagjumur gdhihem…

    I vetëm jam sonte
    shtëpia më duket e zbrazët
    televizori zhurmon.
    Pa praninë e gruas
    dhe zërat e bijve ndër dhoma
    ndihem i vetmuar.
    Harroj të përgatis darken,
    (ç’them dhe unë).
    Akrepat e orës në mur
    dhe fletët e ventilatorit mbi krye
    më gërryejnë shpirtin
    s’më lenë të qetë.
    Me bluashkat në vatrën e kujtesës
    i pagjumur gdhihem…

    Nënës
    —————-

    Vuajte shumë në pritje
    asnjë zë e as lot
    Dy emra veç mërmërisje
    pa na parë s’shkoje dot.

    Vuajte shumë në ikje
    ku ishte ajo forcë
    Heshtja shkëmb në rrokullisje
    nata ngricë e fortë.

    Vazhdimësi e bukur e tre librave të mëparshëm, për “zysh” Lumturi Vladin,
    nga Kujtim Mateli

    Libri më i ri, “Shpirti im në arsim” është vazhdimësi e tre librave të mëparshëm: “Qindra zemra në një zemër”, “Dashuri engjëjsh” dhe “Nënëmadhja e fëmijëve”. Duke qenë vazhdimësi e tyre, pra që nxënësit, por dhe të tjerët, flasin me kënaqësi, dashuri e mirënjohje për punën aq të përkushtuar të “Zyshës” Lumturi Vladi, është njëkohësisht dhe i mirëpritur nga lexuesit. Sepse lexuesi kërkon të njihet me mesazhet e reja, që nxënës e mësues, gazetarë e drejtues institucionesh përcjellin për të. Të një rëndësie të veçantë janë dhe mesazhet, që nëpërmjet intervistave të saj, na zbulon atë punë të shkëlqyer, që ajo dhe stafi mësimor, ku ka punuar, kanë bërë për ecjen përpara të shkollës sonë. Nëpërmjet këtyre intervistave, që i janë bërë asaj nga personalitete të gazetarisë shqiptare, është zbuluar bukur misioni fisnik i kësaj arsimtareje të talentuar, për ta bërë shkollën vatër të dijes, edukimit dhe kulturës.
    Ashtu si pemët, që rriten në një fidanishte, ata duhet të jenë të shëndetshëm e të drejtë, që në fillimet e tyre, sepse, nëse rriten të shtrembër, nuk drejtohen më, ashtu janë dhe fëmijët e vegjël. Ndaj shkolla është vlerësuar si fidanishtja e brezit të ri. Mësuesi është çmuar, quhet dhe do të shikohet si një prind i dytë për fëmijën. Ky mision kaq fisnik i mësuesit, siç dihet, realizohet në shkollë, gjatë procesit mësimor dhe jashtë tij. Për përmbushjen e këtij misioni të lartë, profesional e atdhetar, ka punuar në 40 vitet e punës së saj, mësuese dhe drejtuese shkolle, edhe znj. Lumturi Vladi. Po, nëse shumë mësues nuk e kanë realizuar në shkallën e duhur këtë mision, ajo e ka kryer me sukses. Jo vetëm mësuese, por edhe drejtuese e disa institucioneve arsimore, ku ajo ka punuar, ka qenë në lartësinë e detyrës së caktuar. Ja, si shkruan për atë, një nga nxënësit e saj:
    “Në fillim, shkolla jonë ishte katastrofë. Kishte nxënës, që vinin nga dritarja e kërkonin lekë ose pinin duhan! Por pastaj erdhi drejtoresha Lume, “Nënë Tereza e Lumturisë”, që i nxori jashtë ata njerëz dhe ajo u bashkua me ne, duke thënë: “Stop dhunës dhe drogës, po lumturisë!”. Kështu, që nga ajo ditë, këtu në shkollën tonë9-vjeçare “Dora d’Istria” të kryeqyteti ka pasur dhe lumturi”.
    Kushdo e kupton, se sa mundim e përpjekje, sa net pa gjumë ka kaluar Lumturi Vladi, për ta shndërruar atë shkollë në normalitet. Po sakrifica e saj ia vlejti, se u ktheu fëmijëve qetësinë, për ta vazhduar udhën e bukur të dijes. Përpjekje të kësaj natyre e bënë “zysh Lumen”, që të duket si heroinë, në sytë e fëmijëve. Shumë prej atyre nxënësve, që kanë thurur vargje për “zysh Lumen”, ndoshta, ajo vjershë e tyre ka mbetur e para dhe e fundit për ta. Sepse për atë ka thurur vargje e gjithë shkolla. “Zysh Lumja” u dha mundësinë atyre fëmijëve, që një herë në jetën e tyre, të bëhen poetë. Bukur!

    Siç do ta vërejë lexuesi, libri është ndarë në tre pjesë, për të nxjerrë më në dukje vlerat artistike dhe edukuese të tij. Në pjesën e parë, janë krijimet, vlerësimet dhe mendimet e natyrshme të nxënësve për “zyshën” e tyre. Në pjesën e dytë, janë disa personalitete të letërsisë dhe gazetarisë shqiptare, që i kanë kushtuar kohë dhe vëmendje figurës së saj. Në pjesën e tretë, janë intervistat, që Lumturi Vladi ka dhënë për disa nga gazetat kryesore, të cilat dalin në vendin tonë.
    Libri çelet me disa nga poezitë, që nxënësit kanë shkruar për “zyshën” e tyre të dashur. Janë vargje, që kanë dalë nga zemrat e tyre të vogla. Teksa shkruajnë, ata lumturohen. Lumturi që, mbase, nuk e kishin provuar më parë. Për kë po rreh këto çaste zemra e tyre? Ndërsa ata e dinë shkakun, që ua krijoi ato çaste mrekullie dhe përgjigjen:
    Kënga, që na rri në zemër,
    Është për ty, moj fjalëmbël…
    Shohin te mësuesja e tyre njeriun më të dashur dhe kanë derdhur për të fjalët më të ngrohta. Po ata nuk përshkruajnë në vargjet e tyre vetëm botën e saj të madhe shpirtërore. Për ta edhe portreti i saj fizik është më i bukuri, është modeli i femrës shqiptare:
    Sytë e tu të bukur,
    Bojë qielli si laguna
    Dhe flokët e verdhë,
    Valëviten si pëllumba…
    Në këto poezi do të gjesh portretin fizik dhe atë shpirtëror, të ndërthurur bukur, duke na dhënë pamjen e një “perëndeshe”, e cila të qortonte dhe të mbronte, njëkohësisht:
    Zysha jonë në dukje e egër,
    Veç dashuri mblidhte në zemër…
    Në këtë tufë poetike, lexuesi do ta ndiejë vetë se si ka rrahur fort zemra e fëmijëve, teksa ndodheshin në procesin e krijimit. Zemra vazhdon të rrahë ende fort, teksa lexohen e rilexohen.
    Kush nuk ka mundur ta shprehë dashurinë për mësuesen e tyre në vargje, e ka shprehur atë në disa skica e tregime të shkurtra. Aty jepet “zysh Lumja” në mjedisin shkollor e në marrëdhëniet e saj me nxënësit. Po, pse e adhurojnë kaq shumë “zysh Lumen” nxënësit e saj? Ja, si shkruan njëri prej tyre:
    “Na nxore nga humnera e thellë dhe e errët, ku ishte zhytur shkolla e u mundove, me mish e me shpirt, të na nxirrje prapë në dritë e të na dalloje nga të gjitha shkollat e Tiranës”.
    Te “zysha” e tyre, ata kanë parë jo vetëm mësuesen, që i trajton me dashuri, por edhe drejtuesen e aftë, e cila e radhiti shkollën e tyre ndërmjet shkollave më të dalluara të kryeqytetit Tiranë. Ndaj dhe, kur e kanë ndërruar vendbanimin, kanë kërkuar përsëri që shkollën ta vazhdojnë aty, ku ishin më parë, me “zyshën” e tyre, për të cilën thonë se është “yll’ bote”. Duke i lexuar këto pjesë të shkurtra, gjen edhe “çelësin” e suksesit të drejtoreshës Lumturi Vladi, kupton se nga buron gjithë kjo energji e saj e pashtershme dhe dashuri e pakufishme për nxënësit e saj.

    Besnik Caka
    Dhurata
    -tregim-
    Duhet të kem qenë rreth gjashtë vjeç atëherë. Them kështu se, kur nëna më tha të shkoja për të uruar Teto Sofinë,ishte errur dhe unë pata pakëz frikë, ndonëse shtëpia e saj ishte vetëm tri porta më tej. Ankimet dhe “rezistenca” ime për të mos shkuar, ia lanë vendin habisë, kur në dorë më lanë “dhuratën” për të: një kokërr vezë! Kureshtjes sime, nëna iu përgjigj shkurt:
    -Teto Sofia ka ditëlindjen. Po ti, thuaji vetëm “gëzuar”. Dëgjove, vetëm “gëzuar”!
    Dhe para se të hapte portën,, u sigurua se “dhuratën” e kisha ngjeshur mirë në xhep…Dy minuta më pas, u gjenda përballë Teto Sofisë:
    -Gëzuar! Gëzuar…ditëlindjen! U bëfsh 100 vjeç!
    Pa arritur t’i zgjat “dhuratën”, ajo shpërtheu në të qeshura. (Teton s’e përfytyroja kurrë të qeshur. Ndoshta e kisha këtë përshtypje ngaqë kisha dëgjuar nënën të thoshte shpesh ”Sofisë s’i qesh buza kurrë” . Ose nga im vëlla, dy vjet më i madh se unë, që thoshte “Tetka ka mustaqe” ).
    Më futën brenda. Dy fëmijët e tetos i gjeta duke bërë detyrat. Burri i saj ,pinte duhan… Isha mprehur të haja ndonjë copëz tortë, si ajo që prindërit na blinin në bonbonerinë e njohur të qytetit, por…Në vend të saj, Tetoja më dha sërish një vezë, por..të kuqe. Të tillë s’kisha parë ndonjëherë.
    -Gëzuar edhe ti!-më tha. S’po kuptoja gjë.
    -Po unë e kam ditëlindjen në nëntor-i thashë-tani jemi në prill?!
    Këtë radhë qeshi jo vetëm Tetoja, por dhe burri i saj. Duke qeshur, më përcollën tek porta, gjithnjë duke u kujdesur që “vezën e çuditshme” ta fusja në xhep…
    E harrova frikën dhe, sapo dola, në të parën dritë të rrugicës, nxora vezën për ta parë. Po, ajo më dukej e çuditshme. Prindërit s’më pyetën gjatë, ndërsa kur panë vezën e kuqe, vështruan njëri-tjetrin në sy, por pa thënë asnjë fjalë…
    Në mbrëmje u kujdesa që ta mbaja vezën pranë krevatit, me padurimin që sa të gdhihej, t’ua tregoja Arjanit dhe Romit, shokëve të mi. Merret me mend zhgënjimi që pësova në mëngjes, kur në vend të saj, pashë një vezë të zakonshme, të bardhë…Fjalëve të nënës dhe babait, se veza më ishte dukur e kuqe nga drita, s’u besova as atëherë. Por atë kohë, s’e kuptoja dot pse ata e ndërruan vezën e kuqe…Këtë kujtim të fëmijërisë më zgjoi rikthimi në këtë qytet, kjo kambanë, dhe urimet e njerëzve njëri-tjetrit:
    -Gëzuar Pashkën! Nga mot gëzuar!

    Mimoza Marko

    KUR HUMB ATDHEUN
    Kur humb atdheun
    je i mbyturi,
    që vala e nxori në breg.
    Je kthyer ne dhimbje,
    ndaj dhimbja s’të prek.
    Kërkon të gjesh fillin,
    por s’po gjen dot shteg.
    Radhit kujtimet
    i shtrydh dhe i nden,
    si sende të anijes
    që dolën mbi det.
    Me zemrën bërë gur
    godet e godet,
    te ndezësh pak zjarr,
    te ndezësh pak shpresë.
    Kërkon te gjesh veten,
    por s’ke ku e sheh.
    E gjen nëpër pellgje
    pasqyruar përmbys
    nën dritën e hënës,
    kur dita u ngrys.
    I veshur me zhele
    hipur mbi një breg
    me sytë nga deti
    shpëtimin e pret.
    Kur humb atdheun
    Ante pa fuqi,
    se veç brenda tij
    je Zot,je Njeri.

    VENDE NW KRIZW
    Gjymtyrë, që thahen
    e tkurren përditë
    prej trurit goditur
    nga hemorragjitë.
    Mendimet, llum kafeje i zi
    projektojnë shpëtimin
    rreth filxhanit ku pi.
    Ëndrrat, rroba harruar në tel
    shiu i lag dielli i terr
    mbetur nderë, boja u del.
    Shpresa arratiset,
    marrosur merr rrugën,
    në krye të saj
    mace e zezë pret udhën.
    Fati ynë nëpër vende ne krizë
    ngado që shkon e ndjekin erinitë.
    Përse kaq shumë dhimbje
    ruajte për ne Zot?
    Apo mos tu deshën
    më shumë filozofë?

    KALTËRSI
    Ja këtu buzë detit
    do doja te vdisja.
    Në një ditë të tillë të paqtë
    do doja te ik.
    Nën ritmin e valëz,
    që më lag ne breg,
    nën rrezet e arta
    te diellit,që ndrin.
    Këtë kaltërsi e dua me vete,
    këtë kaltërsi plot dritë.
    Të mund errësirën e përtejbotës,
    ta marr me vete ne amshim.
    Kur të të marrë malli për mua
    eja i dashur në këtë breg.
    Pulëbardhat do të bëjnë shoqëri,
    në njërën prej tyre
    shpirti im do jetë.
    Kur të ngashërehesh
    e të të zbresin lotët
    lëri te bien në det.
    Unë do të bëhem valëzë
    e do të vij bregut,
    ashtu si dikur të të përkëdhel.
    E di,që do të kenë munguar fjalët,
    bisedat tona pa mbarim.
    Hesht dhe dëgjoja ritmin valës
    me gjuhën e saj
    të flet shpirti im.
    Pastaj ngrihu
    e bëj një shëtitje
    kërko te mbledhësh guaska në det.
    Në njërën prej tyre,
    në atë më të shndritshmen
    do gjesh dashurinë tonë,
    të kthyer ne perlë.

    FEMIJËVE TË MIJ
    Më erdhët në një kohë
    tepër të vështirë,
    të shtrenjtët e mi.
    Kur shteti shpërbëhej
    e humbte çdo ditë.
    Kur mungonin ushqimet
    e mbahej shume radhë,
    kur zogjtë u bënë plumba
    e lodra gjeje rrallë.
    Kur dielli nuk ngrohte
    e bari qe tharë,
    kur pishat çlironin ankth
    e lulet u bënë plagë.
    Kur lumenjtë u kripën,
    se shiu u bë lot,
    kur dëgjohej ngado
    fjala eksod.
    Më erdhët në një kohë
    tepër të vështirë,
    por ju prisja
    me shumë kënaqësi e dëshirë,
    se jeta është e fuqishme
    në një shpirt të ri,
    sado që ta vrasësh,
    ajo lind sërish.
    Ndaj ju ishit me fat
    të shtrenjtët e mi,
    se ju priste këtej
    një det me dashuri.
    Dhe e kuptuat vendin tuaj
    në këtë jetë qysh herët,
    se s’lindët për skllevër,
    por lindët për mbretër.
    Në mundin tonë,
    në çdo sakrificë
    mësuat vlerat e jetës
    e udhën plot dritë.

    Nga Përparim Hysi
    Do t’ju them një fjalë të rëndë… *
    “Poezia është “ilaçi” që zbut politikën dhe e bën më të mirë”
    Vaclav Havel

    Do t’ju them një fjalë të rëndë; do t’ju them një fjalë të madhe
    Dua që fjala të zërë vend, ndaj flas troç dhe ashiqare!
    Politikanët kemi pa erz (shih, pa shih si “kakarisin?!)
    Të pabrekë qenë në mëngjes, por zengjinë në darkë bitisën!!!
    Rrahin apo nuk rrahin gjoksin, mend atë e bën dhe vrimë
    Një nga ata po bën “balozin”; ai, tjetri: safi “trim!!!”
    Pa zënë zihen e stërzihen (britma e tyre shkon në qiell)
    As nuk skuqen dhe as “nxihen”, një i ndershëm sa nuk vjell!!!
    Ebropë-bota na mbyll portën (me të parë e me të bërë?!!!)
    Dhe me spango na mat kokën ( edepsëzë jini të tërë!!!)
    Na i tha mu në Bruksel; na i thanë açik fare
    Po të gjithë ezberë-ezberë si kodoshë në këtë jallane.
    Njëri hidh e tjetri prit, sikur lozin komedi
    Që të gjithë jini jezitë (a s’kanë derrat një turi?!!!)
    Po kur thonë:- Dale, prisni! Po ja “duroni edhe ca?!!!)
    Kështu tha kryeministri: bën premtime- batjava!!!
    Shkuan vite… po njësoj (asgjësend s’po duket mirë)
    Shqipëria nuk ndryshoi (tek e shoh, nuk ndjehem mirë)
    Jam i nxehur,sa s’po plas dhe për ata e shkruaj këtë vjershë
    E ngre zërin dhe bërtas:- Ju kam lënë “provim në vjeshtë!!!”

    Azilantët “politikë”
    Dhunuesit e lirisë që i shërbyen diktatorit
    Kanë ndërruar “lëkurë”, janë kthyer në të “dhunuar”
    Kapërcyen oqeanin ( e kanë bërë prej “terrorit”???)
    Kanë marrë azil se kanë qenë të “persekutuar!!!”
    Nuk flitet për një e dy (kam njohur me dhjetëra)
    Tek lëshojnë “kujën”, më mbushin me mëri
    Ah, kohë e keqe! Plot hijena e dhelpra
    A do marrësh fund, ndonjëherë, ti?!
    Se nuk ka më turp se sa nga këta”palo-azilantë”
    Që “azilin” e kan blerë, pothuaj, me ryshfet
    Tek bëjnë “paradë mode”, më zënë djajtë
    Se me”karta të rreme” sikur kanë vënë fletë

    Po kur thonë…
    Po kur thonë:- Aha, vetëm Amerikës,
    Nuk ia shkon dot “ujët nën rrogos”
    Në këtë vend:-Dridhu prej “frikës”
    Në kujton se deti u bë kos!!!
    Deri këtu, mirë; po ja që shkoj më tej
    (se shoh gjithfarë kopilash që këtu kanë gjetur strehë)
    Jo vetëm kaq: disa syresh janë kthyer në “bej”
    Kur e kaluara e tyre është për të bërë “olele!!!”
    Nuk kam, mandej, se si të rri rehat
    Dhe them:-Po hë, kur do t’i zbulojnë?
    I persekutuar zë hiqet një xhelat
    Se me “shkresa”, ndryshe rezulton

    Të qeverisësh
    Të qeverisësh, nuk është aspak punë e lehtë
    Dhe këtë punë nuk mund ta bëj gjithkush
    Sigurisht, dikush duhet të “ngasë qetë”
    Të qeverisësh, sipas meje, rrobat të rrinë ngushtë!
    Ngjet kjo punë me atë nikoqiren
    Që është e zonja dhe shtëpinë kthen mbroth
    Nëse, ndryshe, zë e bën “dorëlirën”
    Atëherë krejt shtëpinë e kthen me kokëposhtë.
    Qeverisja është si një kalë që të hipën
    Dhe do shpinë të fortë që ta mbash mbi të
    Në s’je i tillë, nga kali të zbritën
    Dhe as bojën dhe as surratin nuk duan ta shohin më.
    Këtë le ta dijë çdo qeveritar
    Se nuk mbahet qeveria me premtime të rreme
    Nëse zë gënjen, një ditë do shkosh në djall
    Se nuk je qeveritar. por je kthyer në vemje.
    FATI YNË
    Të lindur në terr… të rritur në terr
    Na diktonin “parajsën”, po ishim në FERR!
    Ne, veç: të lumtur! Të tjerët: aspak!
    Çdonjëri qe “kungull”, besonim si “miturak”.
    Pastaj, më vonë, kur i hapëm sytë
    E pamë zhgënjimin se dolëm në dritë.
    Me sy pamë dritë dhe rendëm drejt “diellit”
    Kjo dritë na “qorrollis” ( e pësuam si të verbrit)
    Dhe mos kujtoni se po shkruaj “qesim”
    Po nisem unë nga jona “statue qo”
    Pse të jetë kaq i keq ky,FATI YNË?
    Pse vallë ne mbetëm në”vend numëro?!!!!”

    Maxhun Osmanaj
    Këshillë

    Mos ma plagosni
    mëngjesin në nisje
    mesditën ma ruani
    për fushëbetejat e ‘’ashpra’’
    muzgun ma lini të qetë
    se ai s’mund të shtyhet
    asnjëherë me rrufetë

    Molla e jetës

    Në fillim mu duk
    Si një mollë e kuqe e ëmbël
    Desha ta ha me një kafshatë
    Por s’di ! Ajo më mashtroi
    Dhëmbët qenë tepër të mprehtë..
    Tepër të njomë
    Pak u përjarga, pak u përgjaka
    Mu duk se më qëlloi një krimb…
    në atë rast diçka përpiva
    diçka më mbeti në fyt…!
    Nga gërditja më vonë
    Mollën e hodha në tokë
    S’di a ia qëllova aty për aty
    Në vend të vjelljes
    pështyva pa (drejt) këtë botë…

    Mos më vritni edhe sonte…

    Mos më vritni edhe sonte
    Se hënën dhe terrin dua ta shoh
    Nesër diellin e kam mik të sigurt
    Çka ti them agimit ,mëngjesit
    nëse nga sonte mungoj
    kush do të më zëvendësojë
    po ç’faj i bëra luleve
    zogjve,pemëve,shiut
    që gjithnjë me ta isha mik
    ju doni t’më vrisni
    ani s’ka gjë!
    mos m’i dëgjoni lutjet
    në këtë glob ,një më pak
    por ta dini !
    qielli për mua do t’u marrë hak!

    Të prita…
    Të prita të vish në mesditë
    Se mëngjesi moti më ka tradhtuar
    Ti erdhe bashkë me stuhitë
    Pak për të më provokuar.
    Sa mirë që më gjete t’qetë
    Me forcën e urtësisë t’përthekova
    Me gjuhën e dashurisë shqelmova rrufetë
    Oazën e shpirtit përjetova.
    ‘’T’kam ardhur për të provuar besnikëri’’
    Haptas në fytyrë më the
    Unë s’pata mbjellë farën tradhti
    Ti u binde; s’mbete viktimë as pre…!
    ‘’Më fto kur të duash poet
    në mëngjes,në mesditë,në errësirë
    se besës sate iu binda vetë
    miqësia n’shekuj ka me na prirë.
    Dhe sa herë e thirra mikeshën n’takim
    N’buzët e kohës shkëmbyem ëmbëlsi
    të sotmes i dhuruam ritëm e kuptim
    e nesërmja të sythojë gjeth-jete blerim.

    Liza Ndreca

    ME JU ËSHTË BUKUR

    Udhëtova dje nën shoqërinë tuaj
    Vraponim fort të tre.. të dy ju anash
    e unë vetëm në mes,
    Ecnim, turreshim, qeshnim,
    vrenjteshim, zgërdhiheshim
    tamam si një lojë fëmijësh
    që veç neve na shkon për shtat
    dielli ecte perëndimit
    hëna sa vinte nga lindja
    e unë fanti -spathi aty
    me sytë drejt qiellit hutohesha
    harroja ku isha,
    e harroja nga po shkoja..
    gëzoja lojën e tyre (lojën tonë)
    në xham shkëlqimi i tyre
    reflektonte fytyrën time.
    Here- herë ndërronin vendet
    Unë e hutuar i shihja,
    Të lodronin me mua
    Aty gajasesha shkrihesha.
    Hidhja sytë drejt qiellit përsëri,
    ishin të njëjtët.
    Ndoshta dhe ata me raste
    të shohin vetën në pasqyrë
    Për të reflektuar.
    Ishte një lojë magjepse, ku luanin dy yje
    E unë doja të ishim tre.
    në lojën e tyre të shkurtër
    t`më bënin vend dhe mua,
    pastaj vetë largohesha i lija të lirë
    ndenja aty, deri sa njeri u struk fort në det
    e tjetra pas malesh luante kukafshehthi.
    herë fshihej e tëra e herë dilte në qiell duke vrapuar
    e madhërishme, e rrumbullakët, e shndritshme
    lozonjare si një zanë.
    E dija.. ai s`u fsheh nga ajo, u fsheh nga unë
    Me të vazhdoi të luante..përsëri
    E ndiqja lojën tyre me nge..janë kolosë
    s`i pata zili..
    110.
    NJË BOTË TË TËRË

    Detin gjithmonë e njehsoj me ty
    Ashtu, gjatë , gjerë, të pa anë.
    Ai një det, e ti në breg,
    dy kolosë
    Veç ashtu mund t’ju kujtoj
    Bashkë pllojc..

    Me flokët që kishe mbi supe
    ngjanin valët
    Me blunë, sytë
    Llërët, me tallazet
    Që dyndeshin thellësive
    E përplaseshin bregut
    me naze.

    Shkuma me rërën bashkë
    shkrinin kryqëzimin e shikimeve tona
    drithërima zemrash përzienin
    Me ta pluhur yjesh ..spërkatnin detin
    batica- zbatica përpinin..

    Ndaj
    Pa ty ai s`është me det
    Është kot!
    Pa detin ti s`je me ti..
    S`të mendoj dot!
    As jam kurrkushi, as unë
    Pa ju të dy,
    as isha dje, as jam dhe sot..
    Të tre bashkë ne përbëjmë pa frikë
    Një botë.

    AS MISH AS PESHK

    Si në një botë
    e natyrës pa jetë,
    Për çdo mëngjes
    Më përshëndet
    Të përshëndes
    Thjeshtë: “mirëmëngjesi..”

    Si ujët e vakët e një burimi
    Gati në të shterur
    rrjedh me përtesë
    Që as të ftoh
    As nuk të ngroh
    dhe as të djeg.

    Dita drejt muzgut
    vdes me ngadalë
    strukur mes nesh
    Në pritje të së nesërmes
    Ku nis rutina
    Thjeshtë “mirëmëngjesi”
    Ngado na ndjek
    Pa zell, pa ndjenjë
    As mish as peshk..!

    *********************************************

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    Gazeta “Telegraf” ju sjell pranë suplementin letrar “Pena shqiptare” nr 21
    Datë: 18 maj, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
    02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka

    03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
    04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është i pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë, ku çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit! Redaksia e “Telegraf”.