Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 16 nëntor 2015

    626
    Sigal

    Fridrih Shiler
    Johan Kristof Fridrih Shiler lindi më 10 nëntor të vitit 1759 në Marbach am Neckar dhe vdiq më 9 maj të vitit 1805 në Weimar. Ishte poet, dramaturg dhe historian aleman dhe gjerman i shquar. Njihet pranë Goethe (Gëtes) si autori më i shquar i klasikes gjermane. Shumë pjesë teatrale të tijat i përkasin repertorit standard të teatrit të gjuhës gjermane. Baladat e tij radhiten tek më të dashurat e poemave gjermane. Lindi në Marbah (Marbach) si i djalë i një oficeri dhe një vajze bukëpjekësi. Shilerit, përderisa ishte në akademinë ushtarake të themeluar nga hercogu Karl Eugeni prej Vyrtembergut (von Wurternberg), në vitet 1773-1780, ju deshtë të studionte judikaturën dhe mjekësinë. Urdhri ushtarak i pashpirt i shkollës, shumë herët e detyrojë Shilerin që të merrte një qëndrim opozitar. Ai lexoi veprat e Zhakues Rouseseut, Gëtes, dhe Uiliam Shekspirit dhe më 1779/80 mësheftas përmblodhi veprën e parë Grabitqarët e cila u botua anonime më 1781. Suksesi sensacional i kësaj pjese që shfaq më 1782 në Manhaim, e popullarizuan shumë shkrimtarin e ri mirëpo në Vyrteberg i sollën ndalesën e shkrimeve, arrestim dhe përjashtim. Shiler iku në Manhaim dhe nga aty shkoi në rezidencën Henriete von Volcogens. Gjatë kësaj kohe ai përfundojë pjesën pikëlluese Betimi I Fieskos Së Guinesë dhe përpiloi Thashethëna E Dashuri. Më 1783 Shileri u bë shkrimtar i teatrit në Manhaim. Ai e lëshoi këtë vend pasi që kishte papajtueshmëri me itendatin e Dalbergut, i cili për dallim nga planet e Shilerit për teatrin si qendër edukative nacionale, mendonte më shumë për arkën e teatrit. Gjatë 1785-1787 Shileri gëzojë mikpritjen e familjes Kërner në Lajpcig dhe në Dresden nga ku më 1787 arriti të mbaroi pjesën Don Kalos dhe filloj që më me intensitet të merret me studimin e historisë. Pas suksesit të tij me Historia E Shkatërrimit Të Holandës Së Bashkuar Nga Qeveria Spanjolle filloj punën si profesor i historisë në Universitetin e Jenës dhe më 1790 u martua me Sharloten e Lengfeldit (Charlotte von Lengfeld). Në vitet pasuese krijoj veprat mbi historinë, si bie fjala Historia e Luftës Tridhjetëvjeçare (1792); përmbajtje rreth çështjes etike si Tuta dhe Krenaria (1793), Mbi Edukatën Etike Të Njeriut (1795) si dhe vepra me mendime lirike.

    ****************************
    Naim Frashëri
    Bagëti e Bujqësi

    O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
    Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
    Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
    Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
    Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
    O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

    Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
    Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

    Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
    Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

    Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
    Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
    Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
    E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
    Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
    Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
    Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
    Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
    Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
    Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
    Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
    Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
    Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
    Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

    Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
    Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

    Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
    E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
    Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
    Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
    Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
    Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

    Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
    Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
    Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
    Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
    Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
    Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
    Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
    – Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

    O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
    Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
    Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
    E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
    Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
    Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
    Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
    Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
    Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
    Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
    Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
    Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
    Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
    Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

    Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
    E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

    Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
    Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
    Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
    Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
    Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
    Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
    Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
    Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
    Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
    Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
    Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
    Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
    Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
    E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
    Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
    Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

    Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
    E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
    Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
    Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
    Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
    Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
    Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
    Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

    Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
    A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?

    **********************
    Mimoza Erebara
    Klithmë dashurie
    Thika i futën pamëshirshëm
    një ditë përvëluese në qershor

    Anës plagës së çelur
    Gjaku, ngrotësia, loti,
    Dielli digjte dhe qielli i rimtë ish
    Asnjë gjethe s’lëviste në qershor

    Shpirt’ i rënduar, i therrur,
    i shkelur,
    i hedhur,
    zbriste në gropën e zezë
    ngadalë…

    Kur ndjeu se iku plotësht,
    Dashuria
    Zemrën e plasi
    dhe e la të thyej copë-copë
    mbi trupin e drobitur të pajetë

    Dielli digjte frymën e shkretë
    dhe asnjë gjethe s’lëviste.
    Ish qershor…

    ****************************************

    Tregim nga Dhimitër Shtëmbari

    Vdekja e Kasemit

    Vdekja e ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Kasem Hasandeliu, u mor vesh shumë shpejt jo vetëm në bllok e në lagje, por shumë më gjerë. Disa televizione e dhanë thjesht si lajm vdekjen e tij.
    – Epo, të gjitha ia bëmë, moj grua, – i kish thënë Saimiri bashkëshortes së vetë, Danielës. – Edhe jashtë shtetit e nxorëm, por nuk qe e thënë.
    Daniela nuk i ishte përgjigjur, por pat mbushur sytë me lot të nxehtë. Me sa merrej vesh, linte të kuptohej se kish ndjerë thellë humbjen e vjehrrit të saj.
    Sakaq, oborri i shtëpisë kish nisur të mbushej me burra e gra. Veç shumë njerëzve të fisit të tij dhe të gruas së vetë, Kasua, kështu e thërrisnin shkurt, kish edhe një rrjetë të gjerë miqsh e shokësh. Ishte e kuptueshme të ndodhte kështu. I ndjeri kish qenë jo pak, por dymbëdhjetë vjet deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Paçka se nuk kish folur asnjëherë, por ndere kish bërë sa kish mundur. Mund të kish vazhduar prapë si deputet, por i pat ardhur mosha e pensionit, prandaj pat lënë kolltukun e ligjvënësit.
    Ndërsa hynin e dilnin njerëz për të ngushëlluar dy djemtë e të ndjerit Kasem, atyre çasteve u panë të vinin edhe ata të funeralit.
    Në dhomën e madhe të shtëpisë, ku ishin mbledhur mjaft njerëz, si në të tilla raste biseda vazhdonte rreth jetës dhe veprimtarisë së të ndjerit. Kush mund ta mburrte më shumë!
    Në dhomën përballë, ku qëndronin gratë, mes të tjerave njëra dëgjohej të qante me zë të lartë. Nuk përmbahej. Me sa dukej, duhej të ishte ndonjë nga tri vajzat e të ndjerit. Mbase, edhe ndonjë nga mbesat e shumta të tij.
    – Mor po kush është kjo që qanë me kaq dënesë?! – pat ngritur zërin një nga ata të krahut të miqësisë.
    – Daniela është, nusja e djalit të të ndjerit, – qe përgjigjur dikush aty pranë.
    – Si, si?! Nusja e djalit?! – kish folur sërish ai që sapo kish pyetur.
    – Po, po, – e sqaruan aty për aty, – nusja e djalit është. E donte qamet të shkretin Kasem! Por ama edhe ai lindte kokën për Danielën. Nuk ka si nusja e djalit tim! – thoshte ngaherë.
    Në kohën që kish filluar të ishte pa qejf, dikush në familje kish shprehur mendimin që të merrej në familje një punonjëse shërbimi thjesht për t’u kujdesur për Kasemin e sëmurë. Se nuk kish qenë ndonjë qamet i madh nga ana financiare. Kasemi në atë kohë merrte goxha pension, rreth tetëqindëmijë lekë.
    – Të marrim punonjëse shërbimi?! Në asnjë mënyrë! – ishte hedhur Daniela. – Kot jam unë nusja e shtëpisë! I shërbej vet babait.
    Dhe ashtu ishte lënë. Daniela shkonte në punë thjesht sa për t’u dukur dhe… shpejt te baba!
    Mirëpo, kur vjen vdekja, merr edhe vet doktorin.
    Po shkonte ora kur do të ngrihej arkivoli i të ndjerit për t’u nisur në Varreza. Burra e gra zbritën poshtë pallatit dhe morën rrugën drejt autobuzave. Të tjerë – drejt makinave të vogla, që prisnin rreth e rrotull pallatit.
    Pjesëtarët e familjes, dy djemtë dhe tri vajzat, ashtu të përlotur, mundoheshin të përmbaheshin nga ngashërimi. E vetmja që ndihej ishte Daniela. Nuk përmbahej! Madje në një çast qe dukur sikur t’i kishte rënë të fiktë. Dhe nuk qe vonuar të thirrej për ndihmë një infermiere.
    – Lum Kasemi ç’nuse paska pasur për djalin! – kish folur dikush nga ata të lagjes. – Si po e qanë kjo vjehrrin, s’po e qajnë as fëmijët e tij!
    Tjetri e kish dëgjuar të thoshte kështu dhe pat shtuar:
    – Dhe thonë, se kjo demokracia që na erdhi i prishi njerëzit! Kot thonë. E dëgjoni se si po e qan babain e burrit?! Sikur ta ketë babain e saj…
    Njerëzit vazhdonin t’i drejtoheshin varrit të hapur, që priste arkivolin, ndërsa Daniela vazhdonte kujen! Nuk qe e lehtë ta pushoje. Edhe pse e këshillonin, ishte e pamundur që të ulte zërin.
    – E ka pas dashur shumë vjehrrin kjo nusja e Saimirit, – kish folur dikush që e kishte mik shtëpie të ndjerin.
    Kur qe bërë fjalë një herë që Kasemin ta merrte nën kujdes djali tjetër, ishte bërë copë Daniela për ta mbajtur. Thonë që dy kunatat ishin kapur prej flokësh! Dhe që atëherë nuk patën folur më me njëra – tjetrën. Secila donte ta merrte në shtëpinë e saj.
    Ndërsa i qenë afruar varrit të hapur, Daniela e pat ngritur zërin edhe ca më lart. Gjithë sa kishin qenë aty kishin mbetur të çuditur. Nuk u kish ndodhur ndonjëherë kështu.
    – Kështu t’i kishim nuset e djemve, si kjo! Ia ndjen shpirti, pa qanë, – kish folur dikush që mbante në dorë një kurorë.
    Në mes të asaj heshtjeje varri, kur dëgjohej vetëm Daniela, njëri nga fqinjët i drejtohet me zë të ultë shokut pranë:
    – Nuk arriti i gjori që të plotësonte një dëshirë që e kishte shprehur që kur!
    Teksa kish dëgjuar një gjë të tillë, tjetri ish bërë kurioz të mësonte se ç’dëshirë i paskësh mbetur pa u plotësuar. Dhe i qe drejtuar:
    – Përse, iku me ndonjë pishmanllëk i shkreti?!
    Tjetri qëndroi një çast, shikoi rrotull sikur të donte të mos e dëgjonin të tjerë se ç’do të thoshte, dhe vazhdoi:
    – I pati premtuar nuses së djalit, kësaj Danielës që qanë, se me lekët që kish mbledhur dhe me pensionet e pesë muajve në vazhdim do t’i blinte një Benz të mirë, por … nuk zgjati. Iku i gjori!
    – Ashtu?! Domethënë kësaj i humbi shansi për Benz?!
    Tjetri nuk foli. Bëri përpara, kapi lopatën dhe nisi të hedh dhe në gropë.

    Kristul Minga

    NAIM FRASHËRI
    Linde në Frashër,
    Qëndron në bronz,
    Pishtar i Madh,
    Ndriçon një komb.

    Natyrë e qetë
    Dhe i trishtuar,
    Zemërbrengosur,
    I pikëlluar.

    Ballë i gjerë,
    Me rrudha shumë,
    Fytyrëhequr
    Dhe i pagjumë.

    Flokët me krela,
    Në ngjyrë ari,
    Dy sy të zezë,
    Ndriçojnë si zjarri.

    Ti thure vargje,
    Për mëmëdhenë,
    Për gjuhën shqipe,
    Për Skënder benë.

    Vargjet e tua,
    Blerim dhe këngë,
    Zemra e mbushur,
    Me mall e brengë.

    Në zemrën time,
    Ti zure vend,
    Pishtar i Madh,
    Ndriçon një vend.

    Bahri Myftari, Prozator i talentuar i kohës sonë

    Pr.Dr.Bardhosh Gaçe

    Takimet e mia me prozën e Bahri Myftarit janë të hershme, qysh atë kohë kur ai ishte një djalosh i heshtur, nëpër auditorët e Universitetit apo në sallat e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, dhe herë – herë nisi të shfaqej në faqet e gazetave e revistave të kohës me tregimet e tij interesante, në të cilat na binin në sy, detajet poetike apo vizatimet e personazheve, me koloritin e ngrohtë dhe mjedisin që i rrethonte.
    Në këto dekada, krijimtaria e tij e pasur letrare ka krijuar një individualitet të spikatur, duke lënë gjurmët e veta në prozën bashkëkohore shqiptare. Emri i prozatorit Bahri Myftari vihet natyrshëm krahas një vargu prozatorësh të tjerë si: Vath Koreshi, Nasi Lera, Koço Kosta, Preç Zogaj, Kiço Blushi, Moikom Zeqo, Teodor Laço, Zija Çela etj., të cilët edhe pas viteve ’90, në tregimet, novelat dhe romanet e tyre e kanë pasuruar më tej letërsinë shqipe.
    Në krijimtarinë letrare të Bahri Myftarit, sidomos në përmbledhjet” Lumturia e të marrëve’ “Djaj të lumtur”,”Vjedhësit e erës” apo në librin e fundit që pritet të botohet së shpejti në shtëpinë botuese ‘Onufri”, shpërfaqet një prozator me talent, i cili, siç ka vënë në dukje më pas edhe shkrimtari Vath Koreshi, në botën e tij artistike gërshetohet një realizëm i thellë i ndërthurur me realizmin e tij magjik, në kërkim të pamjes universale të jetës njerëzore, duke na sjellë ndërmend herë – herë edhe shkrimtarin e madh Markezin.
    Në mendjen e lexuesit prej kohësh kanë lënë gjurmë të thella mjaft tregime të këtij autori si: “Një varr për qenin”, “Njëmijë udhët e detit”, “Vëlla ujku”, “Diktatori”, “Doraci i Shpatit”, etj., të cilat shpirtëzojnë botën njerëzore dhe personazhet gdhendin mjaft tipare e veçori të përftuara nga realiteti shqiptar. I vetëdijshëm për vlerat e tij artistike dhe estetike, shkrimtari Bahri Myftari në prozën e vet të shkurtër shquhet për vëzhgimet e holla të mjedisit shqiptar, pasqyrimit të tij në formë metaforike, në një liri të pakufishme të imagjinatës, duke e konceptuar frymëzimin e vet si një marrëveshje midis shkrimtarit dhe lexuesit. Në mjaft tregime të tij, Bahri Myftari artikulon dilemat e njeriut shqiptar, fatin e tij dramatik dhe ekzistencën universale, moralin dhe filozofinë e tij përballë tranzicionit të gjatë dhe proceseve të integrimeve europiane. Ky këndvështrim i tij shpërfaq edhe botëpërjetime të fuqishme, skena e copëza të botës shqiptare nga një perspektivë narrative e veçantë. Duke shfrytëzuar realizmin magjik, tregimet e këtij shkrimtari përcjellin natyrshëm peizazhet dhe mesazhet shpirtërore të personazheve, me një frymë reale e disi në mënyrë origjinale, duke rrëfyer e krijuar një mbirealitet letrar ndaj atij real.
    Ndër prirjet e tregimtarisë së Bahri Myftarit është edhe pasqyrimi i fatit dramatik të jetës shqiptare, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Në vargun e tregimeve të tij bëjnë pjesë edhe tregimet “Gjyqi”, “Shurdhëria e qiellit” apo “Armiku i popullit”, nëpërmjet të cilëve proza e këtij shkrimtari përfton një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin. Raportet e lirisë me “robërinë” në përballjen e tyre në vitet e sistemit totalitar, Bahri Myftari i kundron në një kuptim të thellë alegorik në tregimin “Shurdhëria e qiellit”, ”Të bëftë mirë ambasador”, ”Darka e Berlinit”, tablotë e jetës së tre të dënuarve te tregimi “Shurdhëria e qiellit,” në një burg buzë kënetës, fluturimet e tufave të lejlekëve mbi kryet e tyre nëpër qiellin e kaltër, qëndrimet dyshuese të gardianëve dhe oficerëve për të burgosurit, rropatjet e tyre nëpër kënetë, shpalosin natyrshëm fatin dhe dramën individuale e kolektive të jetës shqiptare. Simbolika e vrasjes së lejlekëve, që u sillnin sado pak gëzim në jetën e tyre të burgosurve, i jep një alegori të thellë rrëfimit, duke e bërë situatën reale edhe më dramatike me përjetime disi surrealiste. Gjerësia dhe thellësia nga e cila e vështron jetën shqiptare shkrimtari, dëshmojnë edhe një aspekt tjetër të prozës së tij, përvojën e gjerë jetësore dhe artistike të Bahri Myftarit. Ai përzgjedh fabula e ngjarje interesante, duke na zbuluar njeriun me prikën e vet, mundimet, shqetësimet e përpjekjet e tij drejt lirisë. Këto përpjekje sizifiane përftojnë edhe një veçori tjetër në tregimtarinë e këtij shkrimtari, në mjaft tregime portretizon shqiptarin e kohëve moderne me dilemat e tij, në purgatorin e tij si mundim njerëzor, por edhe si flijim për idealin dhe aspiratat e tij. Mesazhe të tilla të raporteve të lirisë njerëzore nën diktaturë shpalosen edhe në tregimin “Armiku i popullit”. Në këtë tregim, ashtu si edhe në atë me titull “Gjyqi”, nëpërmjet një realizmi të thellë zbërthehet bota psikologjike, morale e shoqërore e personazheve, mbijetesa e tyre, të cilat na sjellin përfytyrime mbi realitetin jetësor, si dëshmi e përçudnimit të identitetit dhe vlerave shpirtërore. Shpesh herë në tregimtarinë e Bahri Myftarit, bota shqiptare shpërfaqet me aspektet e veta të hijes së diktaturës dhe sistemit të utopisë së barazisë, por herë- herë ligjërimi i tij poetik, na jep edhe tablo të gjera të tjetërsimit të njeriut dhe denatyrimit të marrëdhënieve shpirtërore me përmasa gati Migjeniane në raport me të tjerët, por edhe me veten. Shikoni me kujdes tregimet”Dëshira e drejtoreshës”, “Nëpunësi Aleks Murdaku”, ”Pelerina e rehatisë,” Rrëfimi i arushës”, “Piktori”, “Meritokracia”, se si vizatohet e skalitet me mjeshtëri koha dhe njerëzit që lëvrijnë në të! Në tërësi proza e Bahri Myftarit edhe në dekadat e fundit, krahas subjekteve, detajeve e botëpërjetimeve të freskëta, e pasuron më tej prozën shqipe me magjinë e tij të rrëfimit, portretet e skalitur të personazheve, mjediset interesante, të cilat depërtojnë në thellësinë e karaktereve.

    Enrieta SINA

    TINGËLLIMI I QINDARKAVE..
    -Tregim-
    Ishte piku i vapës. Ime bijë po më lyente kurrizin me kremin kundra diellit dhe ndihesha rehat ashtu.
    “Kujdes Olën, i thirra tim shoqi, për mbesën pesë vjeçare..Mos e mbaj shumë në diell…Ai nxitoi pas Olës së bukur dhe mbeti mes fëmijëve të tjerë që ishin pothuajse me të njëjtën moshë..
    “Babi, babi, shiko sa vajzë e bukur është.., dëgjova zërin e vogëlushit, një djali brun, jo më shumë se shtatë-tetë vjeç, që e shikonte mbesën time me dëshirë duke ia prekur kaçurrelat e verdha. Burri iu afrua tim shoqi. U përshëndetën dhe Ola mbeti në vëmendjen e të gjithëve..
    -Sikur të kishim dhe ne një mbeskë..Si të quajnë?, iu drejtua.
    -Ola..Pastaj ajo ktheu kokën nga çadra ku qëndroja unë me time bijë..Vrapoi drejt nesh..
    “Mami, nëna..do luaj me këta çunat..Kanë bërë një kështjellë të madhe rëre..Do të ndërtojnë dhe një për mua..Më jep makinën ta vendos në oborr të kështjellës…Nuk di se sa qeshëm..Ola mori makinën, lodër të kuqe dhe shkoi në breg..Im shoq po bisedonte me të atin e dy djemve..Pastaj, u përshëndetën dhe u ndanë, secili në çadrën e vet..
    “Nga ishin?, pyeta..
    -Banojnë në Greqi..Kanë ardhur me pushime në Durrës…Këtej janë…Punonte si inxhinier dhe e shoqja kishte një biznes atje, merrej me turizëm..
    “Me turizëm dhe kanë preferuar Durrësin?, pyeti ime bijë..
    “Epo, malli për vendlindjen..s’ka të krahasuar me asgjë tjetër…Pastaj, njeriu ka nevojë të takojë dhe të afërmit, miqtë, shokët..Po sikur të shkojmë në restorant..Pushojmë dhe dalim përsëri mbasdite..
    Morëm Olën që me zor u shkëput nga shoqërimi i djemve dhe iu drejtuam restorantit që nuk ishte më larg se njëqind metra..Rëra ishte tejet e nxehtë dhe ne nuk mund të lëviznim zbathur në atë nxehtësi përvëlonjëse…Dikush kish improvizuar një rrugicë të ngushtë me dërrasa dhe ne njëri pas tjetrit iu ngjitëm asaj…
    Kamarieri sapo na pa buzëqeshi. Porosinë tuaj e keni gati..T’ua sjellim? Im shoq tha se si fillim të na sillte nga një gotë birrë të ftohtë..Kamarieri u shpreh i gatshëm duke nxituar drejt banakut.
    Aty tek banaku më tërhoqi vëmendjen kurrizi i një burri. Ishin ata flokë të zezë me onde, ata supe të ngritur dhe ajo këmbë e përthyer..ai profil…Të jetë Xhimi?, i pëshpërita vetes. Im shoq nxitoi tek banaku si për të ndihmuar kamarierin dhe shkëmbeu fjalë dashamirëse me atë burrë. Erdhi dhe vendosi gotat mbi tavolinë..
    “Kush ishte ai ?, pyeta tim shoq duke parë nga banaku.
    “Babai i djemve të vegjël që luante Ola…Ai pra që ka ardhur familjarisht nga Greqia. Ja ku po i vjen dhe e shoqja me dy djemtë..Tani dhe ime bije po shikonte herë mua dhe herë ata.
    “Mami, njihesh me ta?, më pyeti vajza.
    “Po, i them..Po paskan ndryshuar..kanë ndryshuar shumë…Sa qenka shëndoshur Dona…
    Vajza po më shikonte sikur do të më “hetonte” me atë vështrim. Xhimi u kthye me shikim nga salla si për të gjetur një tavolinë më të përshtatshme..
    “Urdhëroni, këtu, tavolina është e lirë, i tha kamarieri, ai djalë i ri , simpatik dhe shumë i qeshur…Dona kaloi përpara me dy djemtë ndërsa Xhimi mbeti aty, ngjitur me banakun duke mos i ndarë sytë nga unë…Pastaj buzëqeshi..Ishte e njëjta qeshje e lehtë, e trembur si atëherë, pothuajse dymbëdhjetë vite më parë..
    Unë isha studente në filologji dhe ai në inxhinieri. Të dy ishim aktivist në radio-studenti. Xhimi kishte një zë të kthjellët, të butë, të ëmbël…Më pëlqente të bisedoja me të..Filluam të shoqëroheshin pothuajse përditë bashkë…Kisha nevojë për zërin e tij të kontrolluar në çdo fjalë që thoshte, për njohuritë e marra, xhentilesën në sjellje. Ishte djalë i një ish të burgosuri politik..E kish denoncuar shoku i ngushtë, atij që i besonte gjithçka..Kish shkuar për specializim në Pragë dhe kur ish kthyer prej andej i kish folur për bukurinë e atij vendi, për traditat e krahinave të veçantë me dialektizmat..Nuk kishin kaluar as dy muaj kur e arrestuan për agjitacion dhe propagandë..Doli prej andej vetëm pas përmbysjes së sistemit diktatorial…Ishte një njeri i mrekullueshëm babi i Xhimit..Vdiq vetëm katër vjet pas daljes nga burgu, por e përfytyroj shpesh..Sa shumë i ngjan i biri.
    ***
    Atëherë ishim të rinj, gjithë gjallëri dhe besim. E gjithë bota dukej se rrotullohej në duart tona. E kishim lënë një mbasdite për tu takuar në parkun rinia në Tiranë. U ulëm në një stol të drunjtë. Më pëlqente të kisha atë intimitet shoqëror dhe miqësor me Xhimin..Mbaja në duar disa qindarka që kishin mbetur nga udhëtimi.
    “Po luan me qindarka, më tha ai..Të pëlqen ta prishësh heshtjen me tingëllimën e tyre..Unë buzëqesha. Ai buzëqeshte ndryshe, madje dhe kur qeshte me zë dukej si një muzikë e lehtë që të zhyt në një botë të tërë të bukur. Bisedat tona ishin nga më të shumtat..Më ftoi të uleshim në restorant Drini. Zumë vend në tavolinën pranë dritares. Jashtë filluan të bien disa pika të vogla shiu që shpërndaheshin nga era e vjeshtës. Në restorant hyri një vajzë bionde, me flokë të dendura pothuajse të kuqe, e shëndetshme, kish një fytyrë të rrumbullakët dhe sy që i shkëlqenin , të rrethuar nga qerpikët e zinj..
    Pashë se si Xhimi po ndiqte siluetën e saj. Pastaj vështrimet e tyre u kryqëzuan..U përshëndetën dhe ajo duke qenë e përqendruar plotësisht tek ne, sikur e pa me xhelozi praninë time.
    “Është Pupi, më tha Xhimi. Vajza qeshi nga ky lloj prezantimi.
    “Oh, jo, tha ajo duke i vendosur dorën e saj të tultë mbi sup…Akoma me këtë emër do të më prezantosh..Jam Aurora, por Xhimi më ka quajtur Pupi, kur ishim në shkollë sepse më pëlqenin puplat e rosës..Është një histori nga fëmijëria që na pëlqen ta kujtojmë shpesh apo jo, iu drejtua ajo.
    Xhimi buzëqeshi,duke e vështruar butësisht, por nuk e ftoi të ulej me ne. Ajo tha se po priste një shoqe të saj studente në një tavolinë tjetër, diku në cep të sallës. Nuk di pse nuk më erdhi mirë që Xhimi e ndiqte me sy fytyrën e asaj vajze, por nuk e pyeta për asgjë që kish të bënte me të. Nuk e dëshiroja të ishte e vlerësuar në lidhjen tonë..Le të ishte ndryshe..Për ca kohë nuk takoheshin?!..Mu duk sikur Xhimi po më largohej..”Epo, thash me vete, kaq e kishte dhe lidhja jonë…Mësova më pas nga dy shokë se ish larguar në Greqi dhe ishte sistemuar me të ëmën atje. Unë u njoha me Dritanin. Një djalë i qetë, me edukatë dhe që tregonte shumë interes për mua. Heshtja e Xhimit më lodhi, pastaj vajzat e shumta që njihte do të ishin të pranishme përherë mes nesh.
    Një mbrëmje, bie celulari dhe dëgjoj zërin e Xhimit.
    “Alo, Xhimi jam…Kemi kohë pa folur dhe më ka marrë malli. E di që je sistemuar me punë mirë..Më bëhet qejfi…Kam dëshirë të takohemi sepse jam i mendimit që kemi lënë një bisedë përgjysmë..
    “Çfarë?, e pyeta sikur të mos e kisha dëgjuar mirë..
    “Kujtoj shpesh tingëllimin e qindarkave..Është një takim që s’e harroj lehtë…Jam marrë me pronat e gjyshit që ka këtu në Greqi..Do të jemi shumë mirë…Ai po fliste me mua sikur gjithçka të ishte e natyrshme, dhe heshtja dhe largësia, dhe vonesa..Pse, i thash vetes, ç’i duket vetja Xhimit, një djalë i përkëdhelur nga vajzat…Këto vite e kanë ndryshuar shumë..Dhe iu riktheva dashurisë së lindur me Dritanin..duke u treguar e ftohtë, e largët e harruar me të.
    Pas dy jave nga biseda e fundit me Xhimin u fejova. Xhimit iu duk e pabesueshme, e pavërtetë, e nxituar…Dhe në telefonatën e parë as që më uroni për fejesën.
    “Domethënë dashuria jonë paska qenë kot, më tha gati me një zë tjetër…Mbeta e shtangur. Ai nuk më kish folur asnjëherë për dashurinë, edhe pse të dy e ndjenim, e preknim, e shikonim se si ajo i kish marrë këmbët dhe po ecte ndofta pa u rrëzuar..Megjithatë nuk e gjeti në të vërtetë rrugën e duhur, rrugën që të na përcillte atë qeshje të duhur…

    Luljeta Gjosha Pashollari

    Të lutem mos luaj, mbaj premtimet!…

    Jemi larg, i dashur, jemi larg,
    Mbase dhe me ke tradhtuar…
    E vërtetoj me heshtjen e gjatë,
    E unë kujtimet si relikte të çmuar i ruaj.

    Eva, me një mollë Adamin gënjeu,
    Po ishim kohë të tjera atëherë,
    Interesi në kohet moderne shpërtheu,
    Me vjen keq, qe zemrën më theve…

    E tani pres, si do më justifikohesh,
    Kjo pritje e gjatë mua më trishtojë,
    E kuptoj që s’më ke dashur shume,
    Ndryshe nuk do bëjë ketë lojë.

    E trishtuar pres çdo momente,
    Në dritaren e dhomës time,
    Pritja për mua u bë gangrenë,
    Të lutem mos luaj, mbaj premtimet!…

    JAM BIJË E KËSAJ TOKE.

    Jam një bijë nga Kanina,
    aty ku kanë rënë trima,
    tre kryeministra kanë varre,
    përballe Vlorës, janë thesare.

    Jam një bijë kaninijote
    Ballkon i Vlorës ndër mote,
    Aty ku mori nuse Skënderbeu,
    Famën e tij nderon gjithë dheu.

    Jam një bije kaninijote,
    Nga e bukura ndër mote,
    Me kalanë shekullore
    Karshi detit përkrenore.

    Jam nga gjaku i shqiptarit,
    Që Sulltanit i vuri zjarrin
    Jam stërmbesë e Ismailit,
    Që flamurin lartë e ngriti.

    Jam vlonjate me besë burri,
    Aty ku u valëvit flamuri,
    Nga ai vend i praruar,
    Me dy dete duar bashkuar.

    Jam e do jem bijë kaninjote
    Bijë shqiptare e kësaj toke,
    Që më dha gjakun si flori
    Brez pas brezi ky gjak do ndri…

    *****************************************************************

    Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia
    I kujt është djali i Xhefrit?

    Kisha pothuajse një vit që isha emëruar supervajzër.
    Nga ora 4 e pasdites isha ulur në tavolinën e punës dhe po shfletoja disa shkresa. Dëgjoj tingullin e ziles së telefonit. Ngrita receptorin. Nga ana tjetër e telefonit dëgjoj zërin e punëtorit. E njoha.
    – Zoti Majk, – filloi të flasë, – kanë kaluar 17 minuta, Xhefri nuk ka ardhur akoma. Si t’ia bëj? Të lutem, dërgo një punëtor tjetër për të më zëvendësuar.
    – OK – i thash dhe me ngadalë ula receptorin.
    I nervozuar për vonesën e Xhefrit, dërgova një punëtor tjetër për ta zëvendësuar.
    Xhefri njihej nga të gjithë ne që vuante nga simptoma e harresës. Këtë e kisha vërtetuar edhe unë vetë, kur më vinte në zyrë dy apo tri herë për të njëjtën problem që i isha përgjigjur që herën e parë, madje, edhe nja dy herë të tjera kishte ardhur për të punuar në një nga dy ditët e pushimit të tij javor.
    Simptomën e harresës, siç më kishin thënë punëtorët e tjerë, ai e shpjegonte, sepse, që në moshën e tij të adoleshencës kishte filluar dhe më pas kishte qenë përdorues i lëndëve narkotike. Madje jo vetëm ai, por edhe dy prindërit e tij të divorcuar. Ndërsa vëllai i tij më i vogël ishte dënuar dy herë si përdorues dhe shpërndarës i lëndëve narkotike.
    Xhefri 44 vjeçar dhe vëllai i tij, dy vjet më i vogël ishin fryt i bashkëjetesës së një çifti të dashuruar që në bankat e shkollës së mesme.
    Pa kaluar pak minuta, dëgjoj përsëri tingullin e ziles së telefonit. Punëtori zëvendësues më njoftoi për ardhjen e Xhefrit në punë.
    I them, të mos fillojë punë, po e pres Xhefrin në zyrë.
    Po mendoja se si duhet të veproja me të në ditët në vazhdim, kur, përpara derës së zyrës u shfaq Xhefri, ashtu siç ishte çdo ditë, i rregullt në veshje, i pastër. Mustaqet dhe syzet optike që i shkonin shumë i jepnin një pamje fisnike.
    Sapo hyri brenda, pa e pyetur unë, filloi të flasë: – Më fal zoti Majk. Vonesa ime sot e ka një justifikim të fortë.
    Pa i kthyer përgjigje, i bëra shenjë me dorë që të ulej në karrigen përballë karriges sime që na ndante tavolina e punës.
    Sapo u ul, prapë, pa e pyetur unë, Xhefri filloi të flasë: Zoti Majk, pas 20-të vitesh, sot jam çliruar shpirtërisht, moralisht, ekonomikisht.
    Po e dëgjoja me vëmendje duke e parë në sy. – Po vij nga zyra e avokatit – vazhdoi të flasë, – Mora lajmin e mirë të shumëpritur; detyrimi im financiar ndaj djalit tim përfundoi njëherë e përgjithmonë. Duke filluar që nga java e ardhshme, çeku im i pagesës javore do jetë i plotë. – I doli një ofshamë e shoqëruar me një buzëqeshje. Futi dorën në cepin e brendshëm të xhaketës dhe nxori një zarf të mbyllur në ngjyrë verdhë. – Këtu është vendimi i sotëm i gjykatës – më tha dhe zgjati dorën për të ma dhënë. Nga punëtorët e tjerë kisha dëgjuar diçka për Xhefrin, por, meqenëse kisha rastin, mendova ta shfrytëzojë për ta pyetur. Xhefri, si të ishte shoku im i vjetër të njohur prej shumë vitesh, pa ngurrim, madje buzagaz filloi të flasë: – Prindërit e mi, që në njohjen e tyre në moshën e rinisë kanë qenë përdorues droge. Madje edhe tani, mamaja ime që është në moshën mbi të 60-at dhe që jeton në të njëjtin apartament me vëllain tim më të vogël, shpesh herë më merr në telefon; më kërkon para’ për të blerë drogë.
    – Ou! – i ndërhyra unë me habi. – Si ka mundësi?
    – Po!- Ma pohoi Xhefri. – Edhe unë këtë pyetje i bëj vetes sime; si ka mundësi? Nuk më kërkon para’ për të pirë kafe a diçka tjetër, por për drogë! Meqenëse prindërit tanë që asnjëherë nuk u martuan, por bashkëjetuan, u divorcuan që në fillimet e para të bashkëjetesës së tyre, mua më mori tezja, motra e mamasë; në shtëpinë e saj jam rritur. Në moshën time të adoleshencës, ishte e pamundur për mua si gjithë moshatarët e mi të mos hyja edhe unë në “vallen e mirënjohur” përdorues të lëndëve narkotike. Në moshën time 21 vjeçare, në një klub nate, u njoha me një vajzë me kombësi italiane. U dashurova shumë me atë vajzë, ishte e bukur. Më vonë, krijuam një shoqëri më të zgjeruar me djem e vajza të tjera. Në atë shoqëri u përfshi edhe vëllai im më i vogël. Atëbotë, u ndjeva djali më fatlum në jetën time, jo vetëm se vajza që doja ishte e bukur, por edhe i dhuronim dashuri si të çmendur njëri tjetrit.
    – Edhe vetë, nuk je i keq, i pashëm je Xhef, i ndërhyra unë duke buzëqeshur, si me shaka.
    Edhe ai ma ktheu buzëqeshjen dhe vazhdoi të flasë: – Në kulmin e lumturisë së dashurisë sonë, ndodhi e papritura për mua. E dashura ime më thotë se kishte ngelur shtatzëne. U hutova. Isha i ri në moshë. U gjenda i papërgatitur. Megjithatë, në qenien time filloi ndjeshmëria e të qenit baba. Po ëndërroja shumë gjëra të bukura për jetën e ardhshme që na priste. Në takimin tjetër të radhës, e dashura ime më jep një lajm tjetër të papritur, befasues, shokues, që do më trondiste shumë: “Familja ime, veçanërisht babai, nuk e dëshirojnë që ne të dy të martohemi – më tha. – Fëmija do rritet i shëndetshëm në barkun tim derisa të lindi, ndërsa lidhja jonë dashurore nuk mund të vazhdojë më”. Nuk po dija si t’i përgjigjesha, fjalët më ishin lidhur në grykë. Edhe pse u mundova ta bindë, ishte e pamundur. Në përgjigjet e saja, kuptova që familja e saj nuk e dëshironte lidhjen tonë, meqenëse unë jam me origjinë hispanike edhe pse ajo nuk ma tha drejtpërsëdrejti, ndoshta mendonte se unë do ta akuzoja për racizëm. Më vonë, lidhjet i mbanim thjesht shoqërore, miqësore, është më se normale, madje edhe gjatë ditëve të qëndrimit në spital kur lindi djalin i shkoja shpesh. Pra kishim mbetur miq të mirë, pavarësisht se unë isha babai i fëmijës së saj.
    Edhe në plotësimin e dokumenteve ligjore, në certifikatën e lindjes së djalit unë pranova që të isha babai i djalit, madje djali mban mbiemrin tim. E takoja djalin sipas vendimit të gjykatës, e merrja, e shëtisja me makinë, i blija veshje të ndryshme, pavarësisht se unë paguaja edhe detyrimin monetar që më kishte ngarkuar gjykata. Një ditë, ah! Ajo ditë ishte e diel, kisha marrë djalin një natë më parë dhe do t’ia çoja mamasë së tij. Po më priste me makinën e saj, në vendin ku edhe e mora djalin. Kur po ndahesha me djalin, pasi e putha dhe e përqafova, duke i thënë, se babi do vij prapë të të marrë pas dy javëve. Bashkë me mamanë e djalit, ish të dashurës sime, ishte edhe një shoqja e saj. – Sa i ngjan djali babait të vet – tha shoqja.
    E ëma qeshi. – I ngjan – tha, – por më shumë i ngjan xhaxhait të vet, vëllait të babit.
    Unë, si të mos i kisha dëgjuar mirë ato fjalë, menjëherë e pyeta: – Si the?
    – Po, – tha ajo, pa e ndaluar të qeshurën. Përsëriti të njëjtat fjalë. – Më shumë i ngjan vëllait tënd, – duke e shtuar të qeshurën.
    Nuk doja më ta zgjasja bisedën. U thash një mirupafshim dhe u largova. Në mendje po më vinin shumë mendime, dyshime të ndryshme. Doja të tymosja një cigare, një marijuanë. Po e ndjeja shumë mungesën e tyre në ato çaste. Po ndjeja se ajri që thithja kishte aromën e cigares, të marijuanës…
    Paratë që kisha me vete nuk më mjaftonin. Nuk dija ku të shkoja. Doja patjetër të takoja vëllain, të bisedoja me të. Dhe ashtu bëra. Me vëllain u takuam në lulishte. u ulëm në stol. Për fatin tim të mirë në ato çaste, ai kishte një cigare edhe për mua. Në bisedë e sipër i thash se ç’kisha dëgjuar nga mamaja e djalit tim. Ai, u mundua ta mbajë të qeshurën, vetëm një buzëqeshje e lehtë i shkau ndër buzë, ndërsa unë flisja i revoltuar. – Më trego të vërtetën, i bërtita, ke pasur lidhje dashurore me ish të dashurën time? – e shava edhe nga nëna edhe pse nëna e tij është edhe nëna ime biologjike. U pendova. Por, nuk po e kontrolloja dot veten se ç’po flisja. – Fol, – i thash me tonin e zërit më të ngritur dhe duart ia vura në grykë si për ta mbytur.
    – Mos më prek me dorë – më tha me qetësi. – Vetëm me dorë mos më prek, se do kesh pasoja pastaj.
    – Fool, po të them, më trego të vërtetën, këmbëngulja unë në pyetjen time.
    Ai, nuk e di se çfarë ka menduar në ato çaste, ndoshta duke parë edhe gjendjen time të jashtme tejet të acaruar, përsëri me qetësi më tha: – Po të flas, po të flas me sinqeritet. Kam fjetur dy herë me ish të dashurën tënde, por nuk jam i sigurt, nëse djali është imi.
    – Kur ke fjetur? – e pyeta pa e ulur tonin të zërit.
    Ai vazhdonte të fliste shumë qetë. – Gjatë ditëve kur ti ishe i shtruar në spital – më tha, – kur u operove nga apendiciti.
    Tunda kokën me neveri dhe urrejtje për vëllain, për ish të dashurën time, madje edhe për djalin tim të pafajshëm. Që nga ai çast, mu largua dashuria atërore ndaj tij. Nuk më bëhej ta takoja më djalin edhe pse ai ishte krejt qenie njerëzore i pafajshëm. Pa kaluar shumë ditë, kërkova të bëj analizën e ADN-së për të vërtetuar nëse djali ishte i imi apo jo.
    Në kundërshtim të asaj që unë mendoja, rezultati i analizës së ADN-së tregoi se djali është i imi.
    Pavarësisht rezultatit, gjatë viteve të rritjes së djalit më ka shoqëruar dyshimi që djali nuk është i imi edhe pse është gjaku ynë. Ky dyshim do të më shoqërojë gjithë jetën time.
    – Nuk ke pse dyshon, – i ndërhyra unë Xhefrit, – përderisa analizat e ADN-së tregojnë se ti je babai i tij.
    – Për çfarë analizash më flet zoti Majk? Unë dhe vëllai im jemi vëllezër të një gjaku me të njëjtët prindër biologjikë.
    – Pikërisht, se jeni vëllezër të një gjaku dhe përfundimi i analizës doli në favorin tënd, nuk doli në favor të vëllait tënd.
    – Ohuu, ti nuk di edhe shumë gjëra të tjera, – më foli Xhefri i nervozuar.
    – Sa vjeç është djali yt tani? – e pyeta, duke e ndërprerë rrëfimin e tij dhe si për ta qetësuar. Po më dhimbseshin të dy, edhe Xhefri edhe djali i tij i pafajshëm, ndërsa një revoltë e thellë brenda shpirtit tim po më ziente duke menduar veprimin e vëllait të tij dhe ish të dashurës së tij.
    – Hë, djali im – tha Xhefri me një buzëqeshje ironike. – tani është 21 vjeç.
    – Ti, me kë jeton tani? – e pyeta si për ta mbyllur bisedën. Kam dëgjuar se je i martuar.
    – Nuk jam i martuar zoti Majk, bashkëjetoj prej dhjetë vjetësh me një grua. Ndjehem mirë, i lumtur me dashurinë dhe nën ngrohtësinë e saj familjare. Ajo ka një djalë 26 vjeçar nga dashuria e saj e mëparshme. Nuk kemi shumë diferencë në moshë; ajo është gjashtë vjet më e madhe se sa unë, është më se normale. Djali i saj nuk jeton me ne; punon dhe jeton me dy shokët e tij në një apartament tjetër.
    – Të uroj fat në jetë, Xhef. Mund të çohesh, të fillosh punën – i thash dhe u çova në këmbë nga karrigia.
    Faleminderit zoti Majk – tha; u çua edhe ai. – Mos harro të më paguash çekun e rregullt javën e ardhshme.
    Xhefri doli nga zyra ime. Unë i përhumbur, i hutuar nga gjithë ajo çfarë kisha dëgjuar, kisha ulur sytë mbi disa dokumente sipër tavolinës dhe po i shfletoja i shpenguar. Në mendje, në veshë, më trokiste vetëm një pyetje: I kujt është djali i Xhefrit!
    ***************************************
    Idajet Jahaj

    VARGJET E POPULLIT PËR TËRËSINË ETNIKE

    Sa mallëngjim shkaktojnë vargjet e popullit për dertin e madh të kombit-atë të çështjes etnike! Me muzën e tij të madhërishme, ai i kënduar qëndresës heroike të shqiptarëve në shekuj dhe krenarisë për këtë mbijetesë. Janë shumë të njohura vargje të tilla – sintezë për Shqipërinë e flamurin:

    Ç’bën, moj Shqipëri sërmaja?
    Qysh të qiti haritaja,
    Të shoi topi e mortaja,
    Që kur është zënë dynjaja,
    Lufton shtetet e mëdhaja,
    Se kërkon flamur’ e saja…

    A nuk gjëmoi e llamburiti edhe në fundin e shekullit që shkoi, lufta legjendare e kosovarëve për pavarësi e flamur? Ai flamur e ai gjak që u derdh për ‘të, u pa me admirim nga të pesë kontinentet e botës.
    Sa aktualizim të përhershëm kanë shprehur e shprehin vargjet e famshme:

    Shqipëri, shkëmb’ e gur,
    Kështu ke qenë që kur,
    Vritu, pritu për flamur,
    Pesëqind vjet e kusur,
    Bota hiq e tinë vur…

    Jo pak përpjekje ka sot në pjesë të tjera të Ballkanit që duan ta lenë në hije, ta eklipsojnë flamurin shqiptar, i cili drithëron në vatrat e në duart e popullit të pamposhtur. Por loti i madh i shqiptarëve për ndarjen etnike (që i bënë fuqitë e mëdha më 1913) pasqyrohet edhe në folklor me një epicitet tragjik të rrallë. I derdhi lumenjtë e gjakut populli, por atdheun ia copëtuan, duke i lënë pjesën më të madhe jashtë. Këtë tragjedi muza popullore e pasqyroi me tonet më elegjiake:

    U mblodhën gjithë tok,
    Tërë njësh-gegë e toskë,
    I shtrënguan duart fort,
    Rreth shkabës me dy kokë…

    Kështu më 1878-ën, me 1912 – ën etj, por më pas gjëma e madhe ndodhi: Kosova e Çamëria mbetën jashtë trungut amtar! (Ulqini u ish dhënë të huajve më përpara).

    Ç’bën, e shkreta Shqipëri,
    Rreth e rreth si në avlli,
    Ndarë në katër sini…

    Loti ka shprehur dertin, por edhe thirrjen, kushtrimin, mbajtjen gjallë të ndjenjës së atdhetarisë:

    Qaj, Kosovë e Çamëri,
    Që kini mbetur në botë,
    Ca në Greqi, ca në Serbi,
    Jini këputur si zogjtë,
    S’është e mirë ajo zoi,
    Që jini ndarë me shokë…
    Me ne do kini bashki,
    Është’ e shkruar në Evropë.

    Poeti popull kujton, por edhe mediton: Nuk mund të ekzistojë Shqipëria ashtu e coptuar (më katërsh!) si asnjë komb tjetër në botë! Ka kombe të tjerë, që janë ndarë në dy pjesë, po jo në katër!
    Vetëm në fundin e shekullit të 20-të Shqipëria pati gëzimin e madh të çlirimit të një pjese të saj – të Kosovës. Po pjesët e tjera? Sa shekuj duhet të punojnë për ‘to, që t’i kthehen gjirit të MËMËS?
    Çamëria martire, Çamëria e përgjakur dhe e shkulur, thërret në dhjetëvjeçarë:

    -Pse po klan, moj Çamëri?
    -Ç’të mos klaj, moj Shqipëri,
    Gjithë huduti i Çamërisë
    I mbeti resto Greqisë!

    Dhe pastaj ajo vazhdon kushtrimin e mbijetesës nën dimrin e shovenëve të jugut:

    Klajn’ Preveza me Janinë,
    Klan Narta me Thesalinë,
    Kërkon Shqipja Shqipërinë
    S’rrojmë dot nën Greqinë!…

    Dhe vaji çam për kombin e coptuar është i gjatë, drithërues, lebetitës:

    …Pa shikoni varret tanë,
    Për një pikëz ujë qajnë.
    Në varret e të parëve tanë
    Lulet e bari janë tharë!…
    Aty lule duhen mbjellë,
    Kombi ujë duhet të hedhë…
    Në buzët e detit Jon,
    Ku gjaku i shqipes kullon…

    Pra, populli, nëpërmjet megafonit të madh të vargjeve kërkon vetveten, të drejtat e tij natyrore, të ligjshme. Duke prekur plagët e historisë së tij, ai evokon krenarinë e bukurinë e vetvetes, të historisë e etnisë:

    Shënëndreu trembëdhjetë,
    Më këmbë u ngrit vegjëlia.
    Ç’e gjeti Sazan’ e shkretë?
    Na e mori Italia!
    Trëndafil me katër fletë,
    E kish zili Evropia.

    Aludimi është i qartë: Kur ish e bashkuar, me të katër vilajetet e saj së bashku, Shqipëria hijeshonte në Ballkan si komb e popull i barabartë me të tjerët. Me të katër vilajetet, pra, katër fletët e lules së rrallë – trëndafilit. Evropa e kish zili. Më pas, po ajo Evropë e copëtoi, ia veçoi petalet. (Tashmë kohët kanë ndryshuar.)
    Të tilla simbolika brilante gjen folklori për të shprehur dashurinë e madhe për këtë atdhe të shumëvuajtur. Populli ynë është humanist i vërtetë, demokrat e përparimtar. Kjo nuk thuhet për propagandë. Shtetet e afërt-fqinjë, por edhe të largëtit, i kanë shumë borxhe popullit tonë.

    Skënder Lazaj

    TESTAMENTI
    Për tim bir

    Po të nis këto vargje, biri im,
    e vetmja pasuri që trashëgoj.
    T’i deshifrosh të duhet durim,
    o shtatëvjeçari im, të mundoj.

    Por do vijë një ditë, do jesh rritur,
    në mëngjes herët do nisesh diku…
    Dielli krejt botën do ketë përndritur,
    dhe trojet ku lindën të parët e tu.

    Një ditë mund t’i biesh përqark botës,
    ndofta ku s’shkeli këmba njerëzore…
    Por mos harro kurrë të bukurën e Tokës:
    trojet plot magji Arbërore!

    Pa mund të të tërheqë dritë’ e praruar,
    mundet një ditë t’ia kalërosh Hënës.
    Do bëhesh banori i saj i uruar
    po i ligjërove veç në gjuhën e Nënës.

    Një ditë mund të bëhesh edhe president,
    a kryeministër mund të bëhesh një ditë.
    Por mos harro, bir, këshillën-testament:
    – Me njerëz e gurë fol SHQIP.

    VARREZË MASIVE MESDHE

    Shpresa të pashpresa hidhen në dallgë,
    prej zjarrit të barutit që ndezi dheun.
    Foshnja të akullta që pluskojnë si algë,
    trupa të pafrymë mbushën Mesdheun.

    Ëndrra të vrara lundrojnë mbi valë,
    mbyten pa puthur anën tjetër të bregut…
    Dikush, diku, dikur i ëndërroi i gjallë,
    sot janë mbuluar me ftohtësinë e ajsbergut.

    Shpirtrat klithin të pashpirt, kujshëm,
    shkulmet kthehen në zëra që qajnë.
    Përplasen në brigjet e Mesdheut bujshëm,
    tronditet fund’ i detit, e ngrihen cunam!

    Shpresat e pashpresa, ëndrrat e vrara, shpirtrat e pashpirt
    në detin Mesdhe, në atë varr masiv, u varrosën përjetësisht!

    GËNJESHTRËS S’I DORËZOHEM!

    Ndoshta u lodha duke ju thënë të vërtetën,
    por gënjeshtrës s’i dorëzohem, jua them prerë.
    Përherë të vërtetën do të them, tërë jetën,
    edhe pse shumë prej jush e thonë rrallëherë!

    ME ERËN VIJ SË LARGU

    Mos u tremb ti, mike, mos ki frikë nga ëndrrat,
    ato ndezin zemrat, kur bota bie të flerë,
    edhe pse e di se netëve tremben femrat,
    unë do të vij e do iki pa u ndjerë!

    Mos u druaj prej puthjes, por ktheje ti, mike,
    puthjet nëpër natë ndezin diejt e fikur,
    mos më dil prej ëndrre, mos ik prej frike,
    kur të agojë dita, unë do të kem ikur…

    Mos u trishto ti, mike, kur të zgjohesh,
    asgjë mos dëgjo, se çfarë të thotë zemra
    nuk ka as kuptim, se për çfarë të pendohesh,
    sepse në gjumë njeriu shikon dhe ëndrra.

    Nëse ndien drithërima thellë në labirinte,
    në vena vërshime, që marrin përpjetë,
    nëse të bëhen zëra a jehona e një klithme,
    është shpirti im, që të kërkon ty, jetë!

    Rita Hoxha (Oxha)

    MONOLOG
    Kam mall për ty, o nënë,
    Dua të të sodis me syrin shtegtar
    Si zogjtë që sodisin tërë
    Varret e kontinenteve
    Në shtegtimin e tërë stinëve.
    Jam këtu pranë teje… vështroj
    mermerin dhe ca fjale të shkruara…
    Kam mall për bisedat tona të lëna përgjysmë
    si dy zogj pranë e pranë..
    asnjëherë të çmallura.
    Pa ty pemët janë pa gjelbërimin e duhur,
    Pranvera nuk lulëzon, kur s’të kam pranë,
    sythet e pemëve nuk kanë më atë hijeshi
    Dhe hëna s’ka bukurinë e dikurshme…
    Vë dorën në këtë mermer dhe …….
    ngadalë ngadalë të ledhatoj,
    Tek fotoja jote malli shplodh, sytë…
    Aty shoh si zgjatet dora jote,
    Ja po tundem në prehrin tënd …
    Në këngën tënde,në dashurinë tënde,
    Në mermerin e tërë deteve
    Që fshihet aty…
    Kam mall… Ëndrrat më largohen,
    Dhe malet më largohen, dhe deti më largohet,
    Dhe Dielli bën sikur s’më sheh…
    Një bilbil të këndon me zërin e tij magjepsës
    shpirtin tënd troket me cicërima
    në emër të mallit tim që shkrin ajsbergët
    Shkroi Rita Oxha

    ËNGJËLLI IM

    Një erë e lehtë në sup më prek,
    Është engjëll:
    Vjen kur duhet,
    Të zmbraps vetminë
    e të më rrijë pranë
    si nëna në netët me temperaturë
    e shndërruar në Shenjt…
    Një tis i mjegullt,
    dërguar nga qiejt,
    këtu ka ardhur
    të më shmang dhimbjet,brengën,
    të më shikoj me dhembshurinë e duhur
    të një bote tjetër…
    Engjëlli s’di të puth,
    as të filtrojë,
    por di, më mirë se kushdo,
    se çfarë është mungesa e Dashurisë
    te njerëzit e vetmuar…

    PROVOJ TE SHKRUAJ

    Provoj të shkruaj
    Ndjej fjalët me tërë ngarkesën e tyre
    Si xhirafat në fushnajën e pafund
    Në kërkim të dashurisë së egër…

    Provoj të shkruaj
    Pëshpërimat shndërrohen në vërshimin e lumenjve
    Dhe diku në det e shuajnë zemërimin
    Si të mos kenë qenë kurrë
    Me turfullimin e tmerrshëm…
    Provoj të shkruaj
    Të dashuruarit puthen
    Largohen e puthen’
    Harrojnë të puthen e kafshohen,
    e largohen
    si të mos jenë njohur
    në vorbullën e Dashurisë…

    Provoj të shkruaj
    E shkronjat më marrin si policët të pandehurin
    Që duhet ta izolojnë…

    Në shkronja izoloj vetveten
    Ndërsa provoj të shkruaj.
    Dashurinë vendos aty
    T’i them çfarë nuk munda ta thosha një herë tjetër..

    .
    ****************************************************************************

    Myrteza Mara

    ÇUDI ME KËTA POETÊT

    Vetëm një çast,
    sa një vetull vetëtime,
    i dhanë buzëqeshje poetit
    si pjastër mëshire.
    Në pikën e lotit
    e vari këngën e thyer,
    kupa e gëzimit
    u mbush me maj.

    Çudi me këta poetët,
    kur bota qesh
    ata qajnë!

    MIQVE POETË
    Të mirët miqtë mi!
    Sa ura do ishin ngritur
    me psherëtimat e vargjeve tona,
    mbi lumenjtë
    që lagin brigjet e shpirtrave?
    Edhe drita
    do kalonte pa ngrirë së ftohti,
    dhembjet do i thyenin patericat
    e Rozafat do u çonin ende
    bukë ustallarëve,
    muret dhe urat
    s’do ktheheshin në çezma gjaku!
    Ka ardhur koha,
    me vargjet tona të mbjellim
    fidanët e një legjende
    dhe frutat le t’i hanë brezat!
    Kështu ka qenë
    edhe në shekujt e vjetër:
    Themelet e urave të shpirtit
    i kanë ndërtuar poetët
    çka se mbajnë emrat e mbretërve

    NË PORTAT E ILUZIONEVE

    Trokas
    në dyert hermetike
    të iluzioneve,
    grushti thërrmohet
    si kristale akulli.
    Trokas, trokas
    deri sa një ditë të lundroj,
    qoftë dhe i ngrirë,
    në botën magjike
    të shpirtit tënd.

    Njerëz,
    po nuk u ktheva
    mos më kërkoni
    në gojën e natës,
    as në shkallët e honeve…
    Do të më gjeni
    duke trokitur atje,
    në portat e iluzioneve!

    HELMI

    Si gjuha e bukur e gjarprit,
    që ndjell viktimë,
    më joshën dhe mua
    magjitë e nxehta të premtimeve.
    Një jetë të tërë
    renda monopateve,
    ngjyrosur mashtrim, por,
    gjuha e gjarprit në thembër,
    si morsë.

    Helmi ka lëshuar rrënjë
    deri në kockë
    dhe vreri rrjedh si lumë.

    Tani!…
    Tani mjerë gjarpri
    po u kafshua nga unë!

    Poezi nga Xhevahir Cirongu

    Plisi bardhë – këngë lirie
    (Kushtuar dëshmorëve të kombit tonë me rastin e 26 vjetorit, Fahri Fazliu e Afrim Zhitisë )

    Ah moj zemër si durove
    Kodër e Diellit ndezur flakë,
    Supit derdhur petale nëntori
    Rrënjë e lisit larë në gjak.

    Vijnë nëntorët e shkojnë përherë
    Këpusin gonxhe trëndafili,
    Fahri Fazli e Afrim Zhitisë
    Këngë trimi u këndon bilbili.

    Ish nëntori i ’89 –ës
    Plisi bardhë ra në zi,
    Qante toka arbërore
    Dy djem ranë për liri.

    Dhe shqiponja në flamur
    Lotin derdhi pikëllim,
    Kodra e Diellit – dritë e nur
    Me një zë ata thanë:
    Gjak të falim ty atdhe.

    Nëpër shekuj u derdh gjak
    Vij unë sot nga Shqipëria,
    Me kurorë – lule nëntori
    Solla vargun nga Tomorri.

    Për dy djemtë që ranë si luanë
    Kishin bërë veç një betim:
    Edhe jetën s’do kursejmë
    Të jesh i lirë atdheu im.

    Dy nëntori i ’89 –ës
    Fshehën lotin e robërisë,
    Fluturoi e lirë shqiponja
    Për mbi bjeshkët e Drenicës.

    Sot krenohet mali Sharrit
    Plis i bardhë – këngë lirie,
    Ja ku është Adem Jashari
    Gjallë simbol i vegjëlisë.

    Unë poet nga Shqipëria
    Solla vargun në Kastriot,
    Kodër- Diellit, dritë e nur
    Dy nëntor shkruar në flamur.

    Durrës, 28 tetor 2015

    **********************************************

    Valter Dauti
    SHEGA.
    -Tregim-
    Mari H.shtrihej në kanapenë përballë derës, me sytë gjysmë të mbyllur,si të kërkonte diçka të imët në dritaren kundruall,diçka për të cilën ajo ishte e sigurt se ishte aty,por që mund të ishte zhdukur papritur. E ëma, si qëndroi një çast me duart kryqëzuar , këputur mbi barkun e bëshëm, u largua si hije stërmadhe nga dhoma. Fytyra i mbante të gdhendur një pikëllim të hershëm, i cili tanimë kishte marrë trajtën e fatit të pashmangshëm, që në fund të fundit lodhte edhe gurin. As që i tregoi të porsaardhuri vendin ku të rrinte, le të ulej ku të donte, për të njëlloj ishte, përderisa Mari H.s’kishte lëvizur as qerpikun nga hyrja e dikujt.
    ”Beni, mbylle derën,të lutem’’, kishte pëshpëritur vajza,pasi nga dhoma tjetër ishte dëgjuar një trokitje monotone. Pëshpërima sikur kishte dalë nga muret,një pëshpërimë si lëvizja e gjetheve vjeshtore nëpër ahishtë. Kishte brenda edhe përgjërim edhe pak përkëdheli.
    Dera që u mbyll me një gërvimë ankuese e bëri djalin të dridhej. I kishin thënë se Mari H.ishte sëmurë. Sillej çuditshëm,qante,nuk hante,kishte zënë shtratin që para dy muajsh dhe s’donte të shihte dritë me sy, veç dritares përballë, ku lozte me frutat një shegë e mbushur plot. Hera e dytë që e kërkonte Mari H. Herën e parë qëndroi fare pak, pasi mbi kokën e vajzës tridhjetëvjeçare qëndronin dy hallat dhe një teze,të ardhura nga jashtë shtetit enkas për të parë çupëzën e pamundur, që lëngonte nga një sëmundje e rëndë. Të paktën mjekët kështu i kishin thënë…
    ”Mjekët ! E ç’mjekë! Ufff!”.Mari H.dukej se ia kishte lexuar mendimet. Koka e saj ishte kthyer ngadalë drejt tij plot dhimbje.”Po të kishte mjekë, s’do isha katandisur kështu!Shiko !” Me gishtërinjtë që i dridheshin,pas një miklimi të lehtë,në dorën e saj qëndronin flokët. Një paruke u rrokullis butësisht nëpër batanijen e leshtë dhe qëndroi para këmbëve të tij, si një kafshëz që sapo pati dhënë shpirt. Beni u spraps instinktivisht. Përpara tij,Mari H. Mari H., e shpërfytyruar në një krijesë tjetër që s’mund të ishte Mari H. Pa flokë, e zvërdheme, me sytë e hirtë të egërsuar , që dukej sikur donin të arratiseshin jashtë atij burgu që i mbante të mbërthyer në trishtim e vuajtje.
    Mari H. qeshi. Qeshi çiltër.’’E mban mend,u gjallërua ajo, e mban mend, kur i futëm në sirtar atij trapit të matematikës një mi të madh.? Një mi pak më të vogël se kjo paruke që mbështjell tullën time dhe më bën të dukem femër ? Ishim në vit të tretë gjimnaz. Si i zgurdulloi sytë ! Gati i ra të fikët ! Ne qeshnim, qeshnim se ishte i bezdisur. Vetëm ai…ai… shkoi ta ndihmojë. Budallai ! I shpjegoi se ishte vetëm një mi i parrezikshëm. I kërkoi ndjesë për shakanë. Që atëherë u dashurova me të. S’e dija se mirësjellja e tij s’buronte nga shpirti, por nga diçka tjetër. E di nga ? Ishin njëlloj të dy nga shpirti! Shpirti ! Ai u bë mjek! E ç’mjek është ai ! Fytyra e Mari H.humbi në mjegullën e viteve.
    E vështronte pa lëvizur,frymëmarrjen e mbante brenda kraharorit, si të donte që ëndërrimi i saj, i shoqëruar nga një trokitje monotone përtej dhomës, të ishte në lëvizje.
    Përtej dritares, shega derdhte përskuqjen ëmësore me ca pëshpërima të lehta, delikate,si të kishte frikë nga ndonjë lëvizje e papritur plagosëse. Mari H.mori ngadalë një shishe uji dhe e rrëshqiti në korridor. Ashtu shtrirë,dhimbshëm si një njeri që përzë tutje vetes jetën. Në derë u duk e ëma.
    ‘’Më çmende me atë zhurmë, foli vajza duke rrotulluar paruken në dorë.Ke gjithë ditën që shtyp ullinj. Ç’ iu duhen gjithë ata’’?! Gruaja ngriti dorën paqshëm në ajër si të thoshte, mirë,mirë,ja e lashë,dhe humbi sërish në korridor.
    ’’Jam bërë e padurueshme’’,dënesi Mari H.’’Është e rëndë që të dish se pas pak s’do të marrësh më frymë,do të futin në një arkivol dhe, duke kërkuar një vend varri me ndërhyrje,të të përcjellin thellë dheut të ftohtë, vetëm, pa flokë, pa miq, si një qese plehu…’’Fshiu me dorën e zbehtë faqet e zverdhura dhe buzëqeshi dhimbshëm. ’’Të kërkova për diçka që s’më ndihmon dot njeri tjetër. Je i vetmi që më ke mbetur nga shokët e gjimnazit.Të kam simpatizuar gjithmonë, madje njëherë mendova se mos kisha rënë në dashuri me ty. Sa budallaqe ! Shumica e vajzave kështu janë ! Pastaj, ti e di, desha me shpirt atë,djalin me quka, siç e thërrisnin vajzat e tjera. Eh! Sa gabime bën njeriu në jetë! Po unë s’i mbaj mëri ! Jo, jo, as që mund ta mendoj ! Doja vetëm të më ishte pranë! Netëve, kur nuk kam dhimbje, më duket sikur kacavirret në degët e shegës dhe më vështron. Ku ta dish, ndoshta edhe mund të ketë ardhur ndonjëherë fshehurazi ! Sepse ..sepse…e kam vënë re që edhe shegët janë me quka ! Sepse, natën dëgjoj një pëshpërimë të lehtë, duket sikur e gjithë pema nxjerr nga thellësia emrin e tij. Vërtet që dëgjoj emrin e tij ! Dikush pëshpërit: Tori…Tori…! Ai duhet të kish ardhur!Edhe pse u martua me një tjetër, kur e mori vesh që unë isha sëmurë …! Mund të më kishte shpëtuar ! Dashuria i shëron plagët. Ja, si tani ! E di sa mirë e ndiej veten ! Më duket sikur nuk jam unë ajo që po tretem nga sëmundja e ligë,siç e quan nëna ! Ndoshta, ai, Tori im, apo Jetnori juaj, mund të më qëndronte mbi kokë ! Është mjek ! Sado probleme familjare të ketë ! Unë e kam dashur ! E kam dashur ?! Unë vazhdoj ta dua, vazhdoj ta dua, sepse e meritoj një dashuri në jetë… Mari H. ishte skuqur në fytyrë ! Mari H.i kishte faqet si një shegë e pjekur ! Mari H. nuk pëshpëriste më dhimbshëm. Pati dëshirë ta shohë me flokë. Si dikur! I zgjati paruken,duke buzëqeshur. Teksa u zgjat për ta marrë, i vuri re një çurg gjaku në hunda. Një pikë humbi në fijet e verdha të parukes, butësisht, pa u ndierë, si të donte që të fshihej prej Mari H. Ajo mori napën dhe ktheu kurrizin. Një kurriz skelet,i hollë, që dukej si dhëmbë të shtrënguar prej ankthit.’’ E di,pyeti papritur ? E di sa mund të peshoj? Më pak se dyzet kilogramë ! Ç’t’i bësh! Leuçemi akute quhet. Ha, ha, ha, kanë prekur traktin digjestiv!..Kromozonet Philadelpia…qeliza të bardha që s’kryejnë funksionin dhe hanë qelizat e kuqe…Broçkulla mjekësie. Gomarllëqe më mirë të them.E di ti miku im që gomari është e vetmja kafshë që nuk preket nga kjo sëmundje? Ha, ha, ha ! Domethënë unë jam e aftë më pak se një gomar!’’ Mari H.qeshte çapkënçe dhe tallej.Me kë tallej? Me veten? Me vdekjen ? Dikur ishte vajza më çapkëne e viteve të treta! Dikur kërkonte të dashurohej dhe u dashurua. Pse donte të dashurohej medoemos Mari H.? Mos parandienja për të gëzuar një copëz të shkurtër jete, ishte kaq e fuqishme dhe buronte nga misteri? Pastaj dy të dashuruarit u ndanë, për t’u ridashuruar…
    ’’U bëra e bezdisur,foli ankthshëm. Por të kërkova të vije për të më bërë një nder. Vetëm ti mund ta bësh. E, e,e,o,o,më ka marrë malli për Torin! S’e di pse ! Por,më ka marrë shumë! Bëji një foto fshehurazi dhe ma sill,të lutem ! Të lutem! Ju keni qenë shokë! Ti mundesh ta bësh kaq për mua ! Vetëm…,ajo vuri gishtin e tretur sipër buzëve që digjeshin nga zjarrmia,ky është sekreti ynë! Vetëm ne duhet ta dimë! U lodha duke e kërkuar brenda kraharorit të shegës! Sa herë që më merr malli, aty e kërkoj! Edhe është edhe s’është aty. Ndoshta ngaqë shegët kanë kokrra të kuqe, që iu përngjajnë rruazave të gjakut, ai mund edhe të jetë aty. I ke parë kokrrizat e shegës ? Janë si rruaza gjaku ! Sikur të ishte kështu: të haje shumë shegë dhe të shëroheshe! Të arrije në nivelin e një gomari dhe ta përqafoje sërish jetën,dashurinë…’’Tanimë ajo vetëm pëshpëriste dhe dalëngadalë, fjalët iu bënë të pa kuptueshme…
    Pas tre ditësh, tek shtrëngonte në xhep fotografinë e një burri me të cilin dikur kishte qenë shok gjimnazi,Beni këputi hapat te një shtyllë. Ishte lajmërimi i vdekjes së Mari H.

    *********************

    Liliana Shkodrani

    SILUET

    Sa ëndrra i vinë vërdallë
    gonxheve të qenies,
    sa shkronja e përbëjnë
    dëshirën e nënvizuar,
    vallen kush e hedh
    brenda shishes në oqean?

    Balluket kush përzjeu
    me lot të hidhëruar?
    … … … … … …

    Pse shoh një siluetë
    të ngjashme me mua,
    ma lanë amanet, që të
    trashëgojë
    gërmadhat e shpirtrave të copëtuar ?

    PO TË SHPLODHEM NË SHTRATIN E AVENIRIT
    Po të shplodhem në shtratin e avenirit
    e në bindjen që e kaluara
    me ngjyra më rrethojë,
    as tani s’do trembesha nga fantazmat
    që kur në mua “ penetrojnë”
    me gjykime më sfilitin
    e më torturojnë.

    Drita që atje më kalëron
    shtyn fjolla dhimbjesh , ndërsa thotë:
    përulja
    ndaj sovranitetit të shpirtit që kumbon
    s’ trukon frymëmarrjen
    po magjinë tokësore më shumë të afron.
    Prandaj i dhurohem të tashmes
    të nis tratativat me kujtimet
    që me dhëmbë më shtrëngojnë

    NW DRITW HIJE SHPALOSEN STINWT

    E qaj akoma çarmatosjen e çiltërsisë
    që me muzikë qortuese
    si çukitje guralecësh
    ndrojtjen fëminore rrëmbeu.

    Mendova se ish momenti
    të prekja pragun e rritjes,
    e shkathet shtyja kujtimin
    e ditëve që erdhën pas lindjes.

    Revolta shumëngjyrëshe e habive
    për çudi , ç’pata që s’më pëlqeu?
    Ndoshta aq pandierë
    vello e nusërisë mure kapërceu.

    O zot ,ja tek më qenke
    kështu i thirra mishrave të njomë
    që prej mendimeve përpëlitëse
    ngjisja majat e ecjes pa afsh të ngrohtë.

    Po boll, boll
    sorollatem mbi sokakë dënimesh
    yjet më nuk thyhen në sytë e shpengimit
    dhe se në dritë-hije shpalosen gjithë stinët.

    KLARINETE NË MENDJE

    U jap shpesh mendimeve
    Ritme folklorike
    Me grykë klarinete.
    Ndoshta se shkoj e vij në Shqipëri
    Kuriozitetit kërkojë t’i kuptojë
    shijen që ajo më shton,
    herë mjaltë,herë beton
    njëherë e thartë ,tjetër herë mall
    ndërsa nuk më ndahen kujtimet
    e tim eti përmatar.

    Flamur Luta

    POLITIKËS SHQIPTARE

    Prej gojës së lirisë sime,
    Kërkon me çdo kusht,
    Të dalë për ty vetëm sheqer,
    Që nga cilësia dhe sasia
    Të konkurrojë dhe fabrikën e Maliqit,
    Të kohës së diktatorit Enver.

    Që me pakot e minutave
    T’i mbështjellësh për bukuri,
    Dhe t’i dërgosh për shitje
    Në supermarketin e tëndit biznes.

    Si një mall fitimprurës
    Me një kosto shumë më të ulët,
    Se çdo kokërr vezë.

    MOSHËS SIME

    Moshë e pjekur!
    Moshë që qetësi kurrë nuk njeh,
    Hallet m’i rrite
    M’i bëre male të larta
    Sa vetë Tomori i mbuluar me re.

    Unë prej inati tënd,
    Me një ide madhështore
    Përballë halleve-male,
    Fap e fap pa përtesë.

    Krijova fushën e moskokëçarjes,
    Të gjerë sa hapësira
    E vetë Myzeqesë.

    A nuk kemi krijuar kështu të dy
    Një relief të bukur me fusha e male,
    Sipas shijes të atij që jetën e gëzon,
    Me pak bukë e me pakë kripë.

    Ku zemra plot hare
    I rreh si varg lirik!

    KRIJUESIT

    Prej shtypshkronjës së gjenit
    Të bukurisë së pashoqe
    Të racës shqiptare.

    Veprat tua të skalitura
    Sipas shëmbëlltyrës sate,
    Nga brezi në brez,
    Dalin me miliona kopje,
    Të shpërndara ndër fusha e male.

    Ndër to dhe unë,
    Midis luleve shumëngjyrëshe të majit,
    Midis bashkëqytetarëve të mi,

    Shpirtin mundohesh të ma pasqyrosh si vetja,
    Në çdo varg të thurur,
    Në çdo poezi.

    TË URITURIT

    Nën sqetullën e vargut tim
    Me tone të ashpra demaskimi,
    Kam futur kungullin
    E kërkimit të së drejtës,
    Për ty e çdo vatër e varfër të ndershme
    Që para syve s’kanë parë kurrë derdhje çeku,

    Apo pjata të mbushura me bërxolla
    E vizita të rregullta te mjeku.

    Ndërsa kungullin tjetër,
    Të dytin,
    Që nën sqetull vargu s’mund ta mbajë dot,
    Ku deliri i madhështisë
    Prapa ngado si hije e ndjek,

    Po ta jap ty, o i uruar,
    Të shuash urinë,
    Të bësh byrek.

    ***************************************

    VATH KORRESHI
    «Mosmirënjoje»!

    MOSMIRËNJOHJE?

    Këto ditë poeti Faslli Haliti mbushi 70 vjeç. Një përvjetor, të cilin, siç e besoj, e ka pritur me mendimin se diçka do të bëhej e diçka do të thuhej për të. Të paktën dikush do t’i thoshte: Edhe njëqind, Faslli! Ke jetuar e ke punuar 70 vjet dhe ke jetuar e ke punuar me nder dhe me faqe të bardhë. Por asgjë dhe nga askush! As nga Lidhja e Shkrimtarëve, ajo që ka mbetur dhe ashtu siç ka mbetur, anëtari i së cilës, siç shënon vetë autori në librin e tij më të fundit «Kaq», është qysh prej vitit 1969. kurse Faslli Haliti, gjë që e dëshmojnë edhe kritika dhe lexuesi, është ndër autorët e rëndësishëm të letrave shqipe. Veç puna është te referencat. Ku t’i gjesh këto referenca në këto kohë në shkorretin e madh të jetës sonë letrare? Në Shqipërinë e ekonomisë së tregut, edhe letërsia, fatkeqësisht, nuk i ka shpëtuar dot filozofisë së kësaj ekonomie. Parimi se malli im është më i miri, pra ecni dhe blijeni, vepron dukshëm edhe në këtë fushë, duke e kthyer marrëdhënien e artit dhe të kulturës me publikun në një bakallhane. Në këtë merkato tezgash të librit ka një dendësi dhe kaos të tillë të paparë, saqë është vështirësi e jashtëzakonshme të orientohesh për të gjetur vlerat. Tashti gjithçka që shkruhet vlerësohet me superlativa. Kaosin e shtojnë edhe mënyrat që gjenden për ta shitur mallin më shtrenjtë. Tendenca është mbizotërimi i letërsisë së miqve, domethënë trumbetimi i veprës nga miq të autorit. Këta trumbetarë i gjen ndër miq të autorit këtu në Shqipëri dhe ndër miq të autorit në të katër anët e botës. Njerëz që paguajnë për propagandë e publicitet nëpër gazeta e nëpër televizione këtu në Shqipëri dhe në katër anët e botës. Autorë që të bëhen ferrë për t’i botuar, për t’i përkthyer e për t’i lançuar si talente të mëdha këtu në Shqipëri dhe në të katër anët e botës. Që mezi presin të kenë një rast për t’i shpallur «Nderi i Kombit», «Mjeshtri i madh»*, etj. dhe që pastaj të tundin dheun nëpër ekrane e nëpër gazeta me lavdinë e tyre. kurse kredoja e poetit Faslli Haliti është:

    Me autobusin e poezisë sime
    Drejtpërsëdrejti
    Po ngjisja majën e drejtësisë.
    Dikush më pa,
    Qeshi
    Dhe tha:
    Ngjitet drejtpërsëdrejti majën e drejtësisë?
    Bjeri
    Zigzag
    Me kthesa,
    Anës, anës,
    Siç i bie autobusi
    Qafës së Thanës.

    E dëgjova dhe unë
    Dhe qesha:
    Do ta ngjis, i thashë,
    Pa kthesa.

    Por ka kohë që kredo të tilla janë shkërmoqur nga shumëkush. Është shkërmoqur interesi për jetën dhe për punën e artistit, që e shikon misionin e tij si një pikë të lartë, drejt së cilës duhet synuar me ndershmëri. Është një përçarje e jashtëzakonshme kjo që na ka ndodhur, një tejskajshmëri e paparë e indiferencës ndaj njëri-tjetrit, e institucioneve të kulturës e artit, e shtetit dhe e shoqërisë ndaj artistëve dhe njerëzve të kulturës. Kjo shkërmoqje ndaj vlerave të vërteta dhe ky nënçmim ndaj artistit ka sjellë dhe sjell çdo ditë e më shumë një inondatë, së cilës i janë hapur të gjitha portat nga vërshojnë ujërat e pseudoartit dhe të pseudokulturës, e shumimit të sofistikimeve dhe mënyrave për të kapur majat me rrugë jashtëletrare, në vend që të shtojnë përpjekjet që këto maja të arrihen duke përsosur kërkimet për nivele të larta në art. Është shkërmoqur solidariteti, kohezioni shpirtëror midis njerëzve që krijojnë artin, ato janë zëvendësuar me armiqësi, me akuza denigruese karshi njëri-tjetrit,shpesh nga ata që kërkojnë t’i arrijnë qëllimet e tyre të merkatos, duke iu ngjitur të përpjetave:

    Bjeri
    Zigzag
    Me kthesa,
    Anës, anës,
    Siç i bie autobusi
    Qafës së Thanës.

    Në këtë mënyrë punët e vlerave ngatërrohen aq shumë, saqë për një poet si Faslli Haliti të mos kujtohet kush se i duhet thënë faleminderit në raste të tilla të shënuara, siç është një përvjetor i lindjes.

    *Dhe shqetësimi i shkrimtarit Vath Korreshi për nderimin e vlerësimin e poetit F. Haliti, u realizua. Me rastin e 75-vjetorit poetit Faslli Haliti iu dha Urdhri «Mjeshtër i Madh» nga Presidenti i Republikës.

    Griselda Doka vjen me librin “Të venduemit e françeskanëve të Shqipërisë “
    Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” organizoi në Tiranë promovimin e librit me poezi të autores nga Berati, Griselda Doka, një autore e re dhe premtuese për poezinë shqipe. Ky është vëllimi i dytë i saj, por i pari i shkuar në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Një libër i prezantuar suksesshëm në shtetin italian, ku aktualisht jeton, punon dhe vazhdon studimet në shkollën Doktorale për Gjuhësi dhe Letërsi Moderne Bashkëkohore në Universitetin e Kalabrisë. Po ashtu ajo bashkëpunon me katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të këtij universiteti. Botimet e saja janë kryesisht mbi autorë shqiptarë, si: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Jakov Xoxa, Jeronim De Rada, Anton Nike Berisha, Dushko Vetmo. Njëkohësisht ajo ka përkthyer “Studime historike mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun” dhe “Të venduemit e françeskanëve të Shqipërisë ” si edhe tekste poetike të autorëve të ndryshëm. Poetja shqiptare është e përfshirë në qarqe kulturore dhe letrare në shtetin italian, poezitë e saj janë botuar në revista dhe bloge italiane. Në promovimin e librit të saj “Vetëm disa pyetje të mërguara”, ku në panelin prezantues ishin studiues, kritikë letrarë dhe shkrimtarë si, Behar Gjoka, Fatime Kulli, Agim Gjakova etj e vlerësuan dhe analizuan poezinë e Griselda Doka.
    Gjithashtu ndër të tjera studiuesi Hysni Ndreu në analizën e tij vuri në dukje për poezinë e Griseldës: “… Mund të flitet pa frikë për një poetikë vetjake të kësaj autoreje, që qysh në krye kumton ngjyresa moderne, një modernitet që nuk shfaqet si ornament, por si gjendje e unit poetik. E shkruar në dy gjuhë, shqipe dhe italishte, kjo përmbledhje poetike bart shenja të shumëfishta estetike, bart dy pamje të ndryshme, të cilat kanë poezinë si vatër frymëzimi dhe kumti.
    Poetika moderne e vargut është një cilësi dhe dëshmi e vetëdijshme, e cila është shpalosur në të gjithë hapësirën e librit, në të gjitha pasazhet ndarëse dhe përbashkuese të kësaj përmbledhjeje. Ai është një modernitet gjendjeje, që nuk fsheh asgjë, përkundrazi, zbulon gjithë botën e trazuar të poetes, në marrëdhënie me veten dhe të tjerët, në marrëdhënie me familjen dhe shoqërinë. Është pikërisht kjo situatë që ndihmon për të pranuar idenë fillestare se poezia është shenjë e unit të krijuesit.
    Nga ana tjetër, kjo lloj poetike ka bërë që kumtet dhe mesazhet të jenë të hapura. Fjala nuk ka ekuivok, fjala nuk është truk për të fshehur. Fjala, në kuptimin metaforik, është një rreze drite për të zbuluar realitetin në këndvështrimin e poetit që nuk ka mëshirë as për vete. Ajo ndërton marrëdhënie të qarta me mjedisin, me realitetin natyror dhe njerëzor, me traditën dhe modernitetin, me të shkuarën e të tashmen. Në këtë pikëprerje, ku bota ndahet e përbashkohet njëkohësisht, vjen poezia që as të gëzon e as të dëshpëron, por që të lë një vragë të thellë…. ” F. Miloti

    ****************************************************
    Çerçiz N. Myftari

    RRËNJËSI
    (Poezia e poetëve nga Tepelena)
    Është antologjia e parë e trevës së Tepelenës e qëmtuar nga poeti, shkrimtari dhe studiuesi Novruz XH. Shehu, me tirazh modest, që qarkullon mes miqsh sesa ndërmjet librarive. Kjo ndoshta si test për ribotim së afërmi.
    Ndër krijimet e autorit do të veçoja: Enciklopedia e Tepelenës, ese për Sokratin( interpretuar nga Mjeshtri i Madh dhe “Nder i Kombit”) Mirush Kabashi, disa monografi, si dhe Rrënjësi. Nuk po përmend gazetën “Tepelena”, sepse ajo ngjau si gjethe vjeshte, që u rrëzua nga era.
    Në këtë antologji vetjake (paçka se autori ka pasur konsulentë) janë lënë jashtë librit këta poetë:
    1.Rezo Çulli, me poezinë patriotike dhe të mbrojtjes të atdheut.
    2.Llukan S. Stavro, autor i disa vëllimeve me poezi për vendlindjen, për fenë ortodokse, antikomuniste.
    3.Klodiana Metushi, gjimnaziste, me vëllimin “Meteor i dhimbjes”, poezi rebeluese ndaj tutelës së shoqërisë, ndaj dhimbjeve të kohës, e ngjashme me poezinë e lire migjeniane.
    4. Murat Memalla, autor i disa vëllimeve poetike dhe përkthimeve nga gjuha ruse.
    Natyrisht antologjitë janë përzgjedhje, është ë drejtë e autorit, e shijeve të tij, por meqenëse kjo është e para, do të ishte e pakundërshtueshme të ishin dhe këta autorë.
    Në libër ndeshim pakujdesi në shkrimin e drejtë të përdorimit të emrit, babait, mbiemrit të disa autorëve( po përmend këtu mungesën e emrit të babait të Izet Çullit, Faik. S. Dedës, Çerçiz N. Myftarit, madje këtij të fundit nuk i shkruhet mbiemri Myftari, por Miftari)
    Nuk po zgjatem në gabimet e shumta drejtshkrimore.
    Për sa më lartë, nuk i është mohuar puna skruptuloze, që bën autori në studimin e tij. Kjo antologji është një pasqyrë ku Tepelena nuk shihet vetëm si trevë bujqësore e blegtorale, e minierave, por dhe e artit dhe letërsisë.

    Pullumb Ahmeti

    DALLGË DASHURIE

    Mes shtratit e ngritur shpirti furtunë
    ëndrra përplasur ,si dallgët në det
    e trupit lëshuar e mendja për gjumë
    ç’kërkon me sy ,vallë kë po më pret??

    Nga deti i egër dallgët lartuar
    hove të zemrës përplasur në gjoks
    gjiret si ishuj mes valësh zbuluar
    i shoh i malluar si detari për tokë

    Në qerpikët e tu të hedh një cimë
    të vi të mbështes anijen e shpirtit
    e gjirin e bardhë ta kem si bankinë
    e dritë të më bësh me dritën e syrit.

    Jo nuk vonova si dallgë të mbërrita
    si dallgët e tua kisha dhe unë
    buzëve ankorova buzët e mia
    shpirti më ndeshej zjarr e furtunë

    U preha te gjiri siç prehet anija
    lodhur nga dallgët lindur në shpirt
    me dallgët e forta godet dashuria
    fontanë vullkani shpirtrat na nxit.

    NJË PUTHJE

    Një puthje për ty
    e nisa mbi krahët e erës
    prisja natën në të gdhirë
    një dritë vegim
    të më ngacmoj ndjenjën.

    Shenjë i lash dy buzë të kuqe
    aromën e buzëve të mia
    aty mes saj jeton kjo puthje
    aty merr flak dhe dashuria.

    E prisja natën të kalojë
    me trokthin e një kali të hazdisur
    lart qiellit yjet numërojë
    puthjen tënde rrija duke pritur.

    Konstelacionet brodha shkelur me këmbë
    kërkoja mes tyre një ëndërrim
    sa lodhur u ktheva me një tëngë
    u shtriva fjeta ngrohtë shtratit tim

    Një erë,një fllad trupin përkëdheli
    ëndrrat me njëra tjetrën ishin zënë
    një puthje e ëmbël buzëve më ngeli
    aromë kafe shoqëruar sjell me këngë.

    SYNË MOJ SYNË

    Synë moj synë që vetëtinë
    do të desha që ta përpija
    buzë e hollë që shton lakminë
    eh,të prehem aty do t’vija.

    Eee kjo gushë e butë vashe
    më buzëqesh e fjals’më thua
    syri tinëz më shton në ngasje
    bëj të vi por ç’më mban mua.

    Perëndia moj ç’të ka hedhur
    bukurinë vash për ta shijuar
    ç’ke me sy pran të jam gjendur
    me ty shejtank jam dashuruar.

    Fol mos më vrasësh shpirtin
    zemrën mos e mbaj burgosur
    çele buzën pritmë bandillin
    nuk të shkon të jesh murosur.

    Brenda gjoksit më çan zemra
    dhe si zog eh ç’ kërkon të dalë
    qeshe buzën të largoj brengat
    merrmë,digjem në flakë e zjarr.

    S’mëdegjon se ç’far të them
    a bën vetë e ngacmon mua
    erdha vash shpirtin ç’më tret
    djegur shkrumb e prushëruar”

    *****************************************

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” Nr 21..
    DATË: 18 MAJ, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
    02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka

    03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
    04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.

    *******************