Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 15.06.2015

    537
    Lajmërim!
    Të dashur krijues, bashkëpunëtorë të gazetës “Telegraf”! Në fund të muajit korrik, gazeta “Telegraf” do të shpall fituesit “Mirënjohje e Telegraf” për, poezinë, tregimin, ese-në, kritikën letrare, fabulën, Haik-un, më të mirë, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Në fund të vitit, çmimet do të jenë të një natyre tjetër dhe me dimensione të tjera. Çmimet do të jepen nga një juri profesionale pa asnjë paragjykim. Ju lutemi dhe njëherë, që, krijimet tuaja të jenë në bazë të kërkesave që kemi paraqitur në gazetë disa numra më parë. Ju faleminderit dhe krijimtari të mbarë!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”! 
    Viktor Hygo
    • Hygoi lindi ne Bezanson tw Francws mw 26 shkurt 1802 dhe vdiq në 22 maj 1885. Vitet e para të jetës i kaloi në shumë vende të ndryshme i detyruar me familjen për shkak të punës së babait i cili ishte një gjeneral në fushatat aktive Napoleniane pas 3 vjetësh në Korsikë ; 2 në Paris dhe disa vjet në Italinë Jugore ai nisi shkollën në Spanjë dhe më vonë e vazhdoi në Paris.
    • Publikimi i tij i parë ishte një vëllim i “Odet” të cilën e publikoi vetëm kur ishte 20 vjeçar, një vepër nën influencën e shkollës klasike. Në letërsinë franceze tashme kishte filluar të përhapej romantizmi, ku Hygoi bazaur në këtë botoi pjesën e dyte të “Odet”. Gjatë viteve 1831 dhe 1841 ai shkroi shumë vepra të cilat ia rriten shumë reputacionin, dhe më pak prej këtyre arritjeve ai u be pjesëtar i akademisë franceze në moshën 39 vjeçare. Romani “Notre Dame de Paris” dhe dramat “Lucrece Borgiaa”, “Marie Tudor” dhe “Le roi s´amusë” nga e cila Verdi mori subjektin për operën e tij Rigo, patën një sukses të madh.
    • Gjatë viteve 1841-1851 Hygo shkroi pak, dhe u mor me politike, fillimisht si përkrahës i monarkisë së Lui Filipit me ide të zjarrta napoleoniane. Më vonë ai shfaq dhe mbështet Lui Napoleonin si president, por nuk përkrahu Napoleonin III, dhe kjo i kushtoi atij dëbimin nga Franca. Megjithatë vitet e mërgimit ishin shumë të frytshme, gjatë kësaj kohë shkroi dhe romanin “Te mjerët” e cila e beri të njohur edhe jashtë Francës “Punëtoret e detit”, “Njeriu që qesh” etj.
    • Me rënien e perandorisë Hygoi u kthye në Paris dhe beri një tentative pa sukses pjesërisht në pjesën politike të Francës. Vitet në vazhdim e deri në vdekje i kaloi në Paris. Në vitin 1881 u emërua senator i përhershëm. Vdiq më 22 maj 1885 dhe u varros me një ceremoni madhështore në Paris.
    *****************************
    Dimër
    Lasgush Poradeci
    Shpirti im qe sot y mbyll 
    dhe gezimin m’a perzuri. 
    neper mal e neper pyll 
    zu debora prej qekuri. 
    bjene floket nje-nga-nje 
    mi katundin e shkretuar. 
    dyke mardhur nene te 
    dheri fjet e ri mbuluar 
    flet nga-dal e shpirti im, 
    dhe ne zi pikoj si fleta, 
    pa me qit as pipelim 
    tere fili, tere jeta. 
    ne kaq heshtje-e qetesi 
    ndjej vajtimthin e nje shpesi: 
    psheretin me ze te ti 
    jet’ e trembur se mos vdesi…
    Dremit Liqeri
    Mi zall te pyllit vjeshtarak 
    Dremit liqeri pa kufi, 
    Ay ndaj fundesh u perflak 
    Posi me zjarr e me flori. 
    posi me flake u ndes e kroj, 
    E vetetiti plot magji, 
    E ylli i dites perendoj 
    Ne qetesi dhe dashuri 
    Tashi po shuhet nene mal 
    Qytet’i ngrysur ne zi. 
    Po ndizen yjte dal-nga-dal 
    Plot bukuri! plot fshehtesi! 
    Ne kete cast perendimor, 
    Ndaj po me dehen syte e mi, 
    Kuptoj si shpirtin vjershetor 
    M’a frymezon nja mall i ri.
    Filip Shiroka
    Gjyshat tonë
    Gjyshat tonë, eh paçin dritë!
    Njerz koktrashë, kurgja s’kanë dijtë:
    ………. Jan kenë t’hutuemun!…
    Ata t’mjerët s’kan dijtë athera, 
    as buon giorno, as kali spera,
    as sabah sherif teheir-ollsun!
    Na sot jem për t’u lavdue,
    dijmë me folë, me bisedue
    ………. nga mendja jem holluemun!
    Çojmë n’dhe t’huej djalin m’u msue,
    kombin tonë m’e përparue,
    ………. dhen tonë m’e nderuemun;
    rri n’shkollë djali pesë – gjashtë vjet,
    kur vjen n’Shkodër, shqyp nuk flet,
    ………. Shqypen ka harruemun!!!!
    Kur flet shqyp, asht çud m’e ndi
    Gjys-për-gjys tue e përzi
    ………. me fjalt t’gjuhve t’hueja!…
    Thotë: me thanë la verita
    ktu në Shkodër sot diçka
    ……….j an civilizuemun…
    La gioventu ka studiue
    di me folë, me ragionue
    ………. po m’vjen mirë: bravissimo!
    Veramente, n’shkolla t’hueja
    me kenë me studiue dhe grueja,
    ………. kish me u ndritë il popolo,
    Se n’dhe t’huej asht rispettata,
    grueja asht emancipata,
    ………. nuk asht schiava e burrave!…
    Dhe kah ana e Toskenis
    ku janë shkollat e Greqis,
    ………. çud asht me i ndigjuemun;
    atje Toskat t’thotë gjithehera:
    mirëmbrëma, kali mera
    ………. si ta kam, kalla mu ise?!
    Thuej: ç’po bahet nga Greqija?
    T’thotë: atje është elefterija,
    ………. bota është e gëzuarë!!!
    Nga Jakova e nga Pesrendi,
    n’Stara Serbia(?!) ku i kishteni
    ………. msohet n’shkolla t’serbëve,
    tue folë shqyp t’thotë me pahir:
    si ja brate, nadja e mirë,
    ………. dobro itro, kakoti?…
    E kshtu gjuha po shëmtohet,
    dhe kshtu kombi po mjerohet
    ………. nga shkollat e hueja!…
    Kjo poezi është shkruar ëe vitin 188
    ****************************
    NË DIVJAKË….
    -tregim-
    Niko Gjoni
    Kur kalon drejt Divjakës, në rrugën që e kërkon me sy sa të mbrish në bregdet, përherë e më shumë ndjen aromën e detit dhe fëshfëritjen e gjelbërimit. Për mua ishte e para herë që do të njihesha me atë ambient shlodhës, për të cilin më kishin folur disa herë dy të afërmit e mi Gori dhe Suzana.
    “Sa vite ka që frekuentohet ky plazh, këtu në Divjakë?, pyeta.
    “Është ende i virgjër..Nëse do të pushosh tamam, gjen gjithçka për veten:pyllin, detin, rërën e nxehtë dhe gatimet speciale tek Aliu.
    “Tek kush?, pyeta mbasi ishte një emër që po e dëgjoja për të parën herë.
    “Kështu quhet i zoti i lokalit…Ky emër i ka mbetur në breza..Në këtë zonë studimet e bëra flasin për atë që ka qenë e populluar me ortodoks..Por, ti e njeh historinë e rolit të Turqisë në vendin tonë..Në 500 vite që qëndroi sundimi osman, emrat e bukur ortodoks u kthyen në emra myslimanë dhe kështu për shumë u ndryshua feja…Tek Aliu..gatuhet sa lëpinë dhe gishtërinjtë…
    Isha duke shijuar atë natyrë vërtetësisht të bukur. Gjelbërim, rërë, det dhe qiell. Dëgjoheshin cicërimat e zogjve në degët e pemëve. Kur iu afruam lokalit, na del përpara një burrë me trup sportisti dhe me humor të mirë:
    “Këtej, i foli shoferit duke e orientuar për vendin ku duhej të parkohej makina.
    “Ju jeni për herë të parë këtu tek ne?, pyeti duke na u afruar.
    “S’po më mban mend..Unë me time shoqe kemi ardhur dhe herë të tjera. Se na pëlqen prandaj dhe rikthemi …Burri buzëqeshi duke ngritur njërën dorë në shenjë pendimi.
    “Kushëriri im e ka për të parën herë..Unë i zgjata dorën duke u prezantuar..
    “S’do të mbetesh i zhgënjyer, më tha ndërsa mu drejtua mua duke buzëqeshur..Uluni ku të doni..Ja në këtë tavolinën këtu mendoj se do të jeni më rehat..
    Dikush e thirri dhe ai u largua. Biseda mes nesh u përqendrua tek lokalet e shumtë që janë ndërtuar në vitet e fundit në bregdet. Secili ka veçorinë e tij. Ja dhe ky lokal në Divjakë është me tjetër specifik, veçanti. Aliu erdhi duke nxituar sërishmi.
    “Peshk në zgarë?, pyeti ai.
    “Është i freskët?, pyeti Gori.
    “Ti e di, derisa s’e ke për të parën herë…Peshq të zënë sot që ende janë në ujë deti. Zgjidh dhe ne jemi gati të ta shërbejmë…
    Unë u ndjeva edhe më mirë. Një shërbim i tillë të bën për vete.Porositëm peshk në zgarë dhe karkaleca.
    “Sallatën e kam merak vet, tha. Pa atë nuk hapet oreksi.
    Në të vërtetë unë me ngut po prisja të shijoja peshkun e zgarës.., megjithatë nuk fola.
    Ai burrë që na mirëserdhi ishte i veshur me rroba sportive dhe kish trup shumë të bukur. I shkathët dhe gojëmjaltë. Epo, kështu duhet të jenë pronarë dhe kamerierë, personeli i shërbimit, po thosha me vete. Jo rrallë më ka ndodhur të pres gjatë e si përfundim edhe gatimet mbeten në pjata…Po diskutonim për botimin e fundit të Janit dhe stilin e librit…
    “Nuk është më interesi i mëparshëm për librin, më tha.
    “Do të jetë sërishmi, i thash i bindur se rolin që ka të lexuarit nuk e kanë kurrë mediat.
    “Është e vërtetë, pohoi. Megjithatë kritika duhet ta thotë më me forcë fjalën e saj…
    Kish filluar të ndihej edhe më dukshëm era. Jo vetëm gjethet por dhe degët e pemëve tundeshin duke kaluar fytyrat e tyre nga bregu i detit.
    Po më pëlqente ambienti përrreth, pastërtia, rregulli, gatimet. Tavolina u shtrua me pjatat e porositura. Peshku në zgarë dhe karkalecat në tavë balte, një gatim special. Sallata me llojshmëri të shumtë dhe birra e ftohtë…
    “Mirë?, më pyeti Aliu.Shiko se ne gatuajmë edhe midhje, prodhime deti pa kufi, perime zgare dhe gjellë tradicionale…
    “Besoj se keni punë në çdo kohë…
    “Hapur e mbajmë lokalin gjatë gjithë vitit, por sigurisht vera ka shumë punë.Preferohet dhe nga turistë apo miq që vijnë nga shtetet fqinje..Kështu ne rrisim përgjegjësinë ndaj vetes për të shërbyer me sa më shumë kulturë, cilësi..Kjo është detyra jonë, të përmirësojmë shërbimet….
    Koha aty kalon pa kuptuar dhe gjithçka na shijoi.Edhe pse i boshatisëm pjatat na pëlqente të qëndronim dhe të shikonim ambjentin përrreth.
    “Ky, Ali me siguri e ka lexuar thënien e poetit persian, Sadiut:”Po të mos kisha frikë Zotin, ty do të quaja Zot”, kështu i thotë ai lekut. Të tre qeshëm dhe tashmë pija dhe kënaqësia kishin bërë të tyre. Po e shijoja në një mënyrë ndryshe këtë lokal, këtu në Divjakë, shumë të thjeshtë dhe shumë miqësore. Mënyra se si punohet dhe shërbehet në lokal, nga ky personel është për tu propaganduar tek të tjerë. Dhe që të mësosh duhet të shikosh dhe shijosh..Unë këtë bërë dhe kam arsye të tregojë këtë shërbim të cilësishëm.
    Kur ishim duke u ngritur ulet në tavolinën tonë, Aliu. Më tej, në një tavolinë me gatime të shumëllojta frutash deti, ishte Fredi, një i njohur i përbashkët. Aliu ndiqte me sy kalin e tij dhe mua mu kujtua kali i Vllashit tek filmi “Pylli i lirisë”.Folëm për këtë.
    “Kali im, është nga ajo racë arabe shumë e mirë, që ulet e ngrihet me një të parë të syrit të pronarit si me sustë. Vllashi me familjen e tij kanë ardhur dhe kanë drekuar, kështu si ju këtu. Kanë kalëruar dhe të rinj dhe mua më pëlqen se si e trajtojnë kalin..Në fund të fundit jemi të gjithë nga pak artist, apo me shpirt artisti..si thoni, ndryshe nuk do preferonit të vinit në Divjakë….Vllashi më ka konsideruar si shok..thotë se është një ndryshim. Artistin e sponsorizon shteti, ndërsa ne biznesi…dhe qesh…Do të na bëjë qejfin dhe mirë bën..Njerëzit e mirë dinë të flasin bukur…
    Retë kanë filluar të shtohen në qiell. Po janë re të bardha që bashkohen për t’i lënë vendin perëndimit të Diellit. Një perëndim i kuq në bregdetin e Divjakës që të rrëmben në frymëzim dhe s’të lë të largohesh..
    “Bukur, i them Janit.
    “Po..më përgjigjet duke qenë dhe ai i zhytur në këtë ambient frymëzues. E kush artist e shkrimtar nuk do të frymëzohej në këtë bregdet dhe nga kjo mikpritje. Aliu, shpesh na ndërpret thjesht e bukur. Dua ta shoh në sy dhe t’i them:”Ali, ti ke bërë një zgjedhje të mrekullueshme, në këtë Divjakë të vogël dhe shumë të bukur, pranë detit e pishave që nuk janë prekur, nuk janë prerë, por të bëjnë të ndjesh ajrin e pastër të detit dhe të thithësh pafund oksigjen edhe në orët e vona të natës..
    “Ej, Fred…Çfarë do të duhet..
    “Libri i përshtypje, or burrë..Të shkruaj edhe unë dy fjalë.
    “E ç’do të shkruash..Unë pa ju nuk jam asgjë..
    “Do të shkruaj:” Ali, ti je mbret i Divjakës!”
    Të qeshurit shpërthen njëherësh dhe në një farë mënyre i japim të drejtë. Ka ditur të sundoi qoftë dhe pak pjesë të bukur të këtij bregdeti të virgjër. Di të shërbejë dhe të lërë përshtypje të mira, ato të cilat të bëjnë të kthesh kokën pas dhe të bësh një betim:”Do të vijë së shpejti këtu për tu ndjerë sërishmi mirë!…
    Në rrugën kryesore dëgjoj zhurmën e fuoristradës Land-Rover të Fredit. Nxiton me shpejtësi si mbi kalin e bardhë..Shtëllunga e tymit shpërndahet dhe ne dalim prej lokalit duke iu drejtuar parkimit të makinës. Na shoqëron Aliu.
    “Jeni të mirëpritur në çdo kohë..Mos na harroni!, na thotë duke shtrënguar me ne duart si të jemi miq të mirë të njohur prej kohe.
    Poezi nga Vjollca Tiku Pasku
    PËR TY…
    Sa herë kam rilindur nga fundi i honit që hedh jeta,
    mbështjellë me qefinin e vuajtjes dhe pluhur dëshpërimi,
    fjalët e tua të holluara si litar drite, më kanë ngritur,
    të eci mes të gjallëve e fuqizuar me rrezatime besimi.
    Nuk e di nëse ti je engjëlli mbrojtës i jetës sime,
    apo reja që më jep shiun në Saharanë e ditëve të mia,
    por di që më driton në errësirë si shkrepje vetëtime,
    e më transformon si xixëllonjë në hapësira vetmie.
    O gërshet margaritash vezulluese varur në gjoksin tim,
    sa herë më pëshpërit në vesh, ti zbardhëllon mirësinë,
    nuk di pse imazhi yt më ndrin këtë çast me përdëllim,
    të them me zërin e jehonës “të dua” sa të kem frymën.
    Nëse vdes e para, do të pres krahëhapur në përjetësi,
    të kujtojmë shkulmat e ndjenjës së përgjakur në tokë,
    se dashuria që i falemi ne, është e vetmja Perëndi
    dhe në jetë e vdekje, ka veç një zemër qiellore të plotë…
    RINGJALLENI DASHURINË
    E vranë dashurinë,
    e futën njëqind pashë në dhe,
    arkivolin ia punuan xhindet e natës,
    dhe ia gozhduan me brengat e të gjallëve.
    E vranë dashurinë,
    e qefinosen me vajet e rreme,
    fronin e zemrës e rrëmbeu lakmia,
    dhe spektrin pushteti gënjeshtar.
    E vranë dashurinë,
    I ftohtit përfshiu zemër e tokë,
    ujërat ngritën dallgë e përpinë,
    jetë, toka , shtëpi , gjënë e gjallë.
    Zemra ime klith, mes zemrave të hekurta,
    e dëgjuan malet e shkërmoqën shkëmbinjtë,
    e dëgjuan detet e buçitën zërat e të mbyturve,
    teksa njerzit janë tamposur me dyllin e të vdekurve.
    O njerëz ndaloni! Ç’far bëni!
    Ngarkomëni mbi supe , dhimbje, vuajtje, zi,
    vritmëni ,le të flijohet jeta ime në duhet, 
    vetëm ringjalleni dashurinë.
    SHPRESËVENITUR
    Prita, oh sa ditë të gjata dhe vite prita,
    shpresova, oh sa horizonte shpresova ,
    se një dritëz e bukur pranvere ,
    do të lulëzonte në vendin tim.
    Besova me shpirt dhe ëndërrova
    në përgjumjet e hapësirave të qiellit,
    se ngjyra e kaltër kur ngre vështrimin,
    do ngjyente shpirtrat të shkëlqenin pranë diellit.
    U zhgënjeva oh sa u zhgënjeva,
    nga lulet artificiale pa dritë , pa aromë ,
    që lëshonin erëmime false sallave luksoze,
    me thirrjen tipike”rroftë partia jonë ”.
    Teksa stuhitë e urisë bridhnin në tokë ,
    fshikullonin trupa dhe ngashërenin sytë ,
    teksa mërmërisnin “zonjë më fal diçka… ”.
    dhe shpesh lutja mbetej thatë në fyt.
    Dhimbja më endet në shtëpinë e shpirtit,
    më zhurit zemrën e ndrydh kraharorin,
    kur me mijëra jetë u këputën rrugëve,
    apo kripë së lëngët të Adriatikut me Jonin
    Oh sa dëshiroj që burimet e ujit të ishin magjike,
    e të piheshin me ëndje nga gurmazet e etura,
    dhe atje brenda thellë labirinteve në gjokse,
    të lahej zemra nga mëkatet dhe lakmitë e fshehta.
    ***************************************************************************
    Remzi Gjika
    RRUGA E HALLAVE
    Pika kufitare ngjante si fole milingonash
    që u është prishur foleja.Qindra njerëz, gra, fëmije e pleq vraponin për në Greqi dhe jo më pak, të tjerë hallexhij me çanta e qeska te zeza ktheheshin për në vendin e tyre.Në te dy anët prisnin lloj- lloj makinash; autobuze, furgonë, vetura dhe makina të mëdha për mallra, ku shoferet bërtisnin : Vlora, Tirana , Gjirokastra, Saranda, Fieri….. 
    Ishte ditë prilli i vitit 1993, lëvizja në drejtim të Helladës kishte filluar dhe shtrëngohej.Shumica e te rinjve iknin malit, nëpër shtigje të pa njohur e të rrezikëshme duke dredhur rrugëve për tu shpetuar ndjekjeve të policisë, kurse një pjesë kalonin nga dogana me dokumenta lloj- lloj. Policia ndiqte një politikë të menduar mirë nga qëndra duke favorizuar ata që i quante vorioepirotë, si njerëzit e tyre, të tjerët, jetimët, i kalonte në sitë duke i provokuar se nga vinin e ku shkonin dhe, jo pak, edhe me dokumenta të rregullta i kthente që nuk “plotësonin kriteret” , pa dhënë shpjegime. Në këtë portë xhehenemi , i erdhi radha edhe Sotirit të shkretë.Ai kishte lënë punën, sepse paga që merrte nuk i mjaftonte as për bukë, dhe zgjidhje tjetër nuk kishte veç te dajua. Zemra i rrihte fortë, ishte hera e parë që kalonte këtë portë që s’e kish shkuar ndonjë herë në mend dhe jo të trokiste. Dokumentat i shin të ‘konsullatave’ që kishte çdo qytet. Dinte vetëm dy fjalë ‘ne’ ose “oqi”, sekur duhej thene njera ose tjetra ishte rastësi, me intuitë. Pas një radhe të gjatë, ku të gjithë ishin në ankth, të një provimi të madh, i erdhi siraja edhe atij. Dorëzoi pasaportën dhe priste në ankth. Polici shikonte herë pasaportën herë Sotirin, për të psikologjisur vërtetsinë e vizës për të kapur ndonjë detaj mosbesues. Më në fund, pyeti: ( mendohej që pyeti} Athina? Aty, i shkreti me intuitë qëlloi përgjigjen e duhur: në Athina. Dhe i shmangej të shihte policin në sy, se mos i tradhëtonte fytyra.Polici nuk e zgjati më , vuri vulën dhe e hodhi pasaportën me indiferentizëm. Sotirit i erdhi gjaku në vend, ndjeu sikur hallet i la prapa dhe zuri qiellin me dorë. Mori çantën me dy pale ndërresa dhe pak ushqim që i kishte përgatitur gruaja për rrugë. Pas asaj ndjenje gëzimi, që u venit menjëherë pasi kaloi trarin. Provoi nje ndjenje që nuk mund ta dallonte: ishte në endërr apo një realitet tejet i vrazhdët, i cili do ta ndiqte. Sytë ju errësuan, si në mjegull, para i doli gruaja dhe fëmijët që e përcillnin: Por për ku !!!? Fërkoi sytë si të ishte në një gjumë të thellë: përpara pa njerzit që ishte me ta në radhë, që prisnin te dera e autobuzit. Kishte pak dhrahmi sa për rrugë dhe u zgjat në shkallët e tij. Zuri vend, si në një planet tjetër dhe po mendonte. Kush do ta priste, në atë vend që se kishte idenë? Ç’kërkonte, pa mirë që po shkonte? Profesion, për të zënë ndonjë punë që i duhej vendit, nuk kishte. Përsëri binte në mendime, dhe pyeste vehten; çfarë pune mund te bejë një mësues, një artist, ekonomist ap tjetër.. 
    Në emigracion, më me fat ishin zanatçinjtë, hidrualik, elektricistë, muratorë etj, kurse ata që ishin nga fshati e gjeten veten në punët e bujqësisë e blegtorisë.
    Autobuzi pas pak u nis, në rrugën e asfaltuar mirë. Nga bokset dëgjohej muzika greke që Sotiri nuk i kuptonte fjalet: qanin apo vajtonin hallexhinë. Megjithëate, muzika nuk do përkthim, ajo i pëlqente kujtdo dhe meloditë melankolite i vunë udhëtarët në gjumë, sepse të gjithë kishin udhëtuar gjithe natën dhe ishin të lodhur. Pas një ore, u zgjua i trëmbur nga një ënderr e keqe. Shoku pranë, e kuptoi shqetësimin dhe i foli me zë të ultë shqip:
    -Është hera e parë që shkon ketej?
    – Po, – i u pergjegj Sotiri. 
    -Mos u mërzitni, s’ka të gjallë e të pa fat, – u fut ai me takt ne bisedë.
    Natyrshëm biseda u fut në hallet e secilit, që ata i bashkon: varferia me të cilën u përballën. Shoku i Sotirit, djalë rreth te 30- tave, i kishte kaluar këto emocione, dy vjet më parë dhe ishte ambjentuar me emigracionin. Kishte filluar punë në ndërtim dhe puna i paguhej mirë.
    -Ku do të shkosh? – e pyeti Sotirin!
    – Për në Athinë jam nisur, më tej nuk di ç’të them. 
    -Atje të pret njeri ? – vazhdoi djali.
    -Athina ! – ju përgjigj me ironi e sekelldi tjetri.
    -Mos u mërzit, të thashë, nuk ka të gjallë e të pa fat.
    Biseda mori karakter miqësor e familjar. Dhe ai i tregoi se kishte dy fëmijë, nevoja e kishte detyruar të vinte ketej.
    – Po të punosh, kursen dhe nuk është keq, – i tregonte. -Kursi i dhrahmise ishte 1 me 5 dhe këto para ne nuk kemi mundur t’i shkruajmë në letër , jo ti fitojmë në punë, – i jepte kurajë. 
    -Shyqyr na hapen dyert gjitonët e vjetër dhe me punë mbajme familjet. 
    -Kështu, edhe ti do të gjesh një punë, të gjithë i kemi kaluar këto vështirësi – qenë këto fjalë shprese.
    Autobuzi ecte me shpejtësi rrugeve përmes gjelbërimit pranveror. Mbasi u çlodhen pak, njerëzit, brënda gumzhinin si koshere bletesh nga bisedat, ca shqip , ca greqisht. Emëruesi i të gjitha bisedave ishte puna dhe hallet në Shqipëri me familjet e tyre. Kudo qe shkon njeriu thoshin, hallet i qepen mbrapa si zhguni i breshkës Muzika vazhdonte për hesap të saj, duke sfiduar hallet e këtyre njerzëve në barkun e hekurt të autobuzit.
    Pas tre orë rrugë, autobuzi ndali për një pushim, në një lokal të caktuar, ku kishin marëveshje me pranorët e tyre. Sotiri me shokun e rrugës, u ul në një tavolinë jashtë. Hapën qeset për të ngrënë ndonjë gjë nga ato që u kishin vendosur gratë..Mbas gjithë atyre orëve udhëtim natën dhe ditën, u shijoi shumë ushqimi dhe u çlodhen sikur të ishin në shtëpinë e tyre me familjen.
    – Shoku, per respekt i thotë, – a marrim edhe ndonjë birrë të na shkojë poshtë ushqimi? 
    Sotirit i erdhi zor sepse ishte holle dhe nuk donte ti mbetej borxh.
    – Faleminderit, – i tha me drojtje –kemi rrugë për të bërë.
    Djaloshi nuk priti, por thirri kamarjerin dhe porositi dy birra. Shoferi, që mbaroi së ngrëni seç fliste, por Sotiri e merrte me mend që pushimi kish mbaruar dhe e ktheu godën, duke falënderuar shokun.
    Autobuzi u nis, rruga i dukej Sotirit, se nuk do të mbaronte kurrë. Ora po shkonte 9-të e darkës dhe vendi filloi te errësohej.
    – Kur mund te arrijme? – pyeti Sotiri.
    -Sot u nisëm vonë sepse pritëm shumë do të arrijme një çik vonë në Athinë. 
    Trishtimi e pushtoi sepse do te arrinte shume vonë. Disa numura telefoni i kishte por kush mund ta priste aq vonë në mesnatë?
    Shoku e kuptoi shqetësimin e tij dhe nuk e la të zgjaste me tej, i tha:
    – Mos u shqetëso, ne jemi shqiptarë nuk e lemë shokun ne rruge në mes të natës.Gruaja me femijet ka shkuar nga motra, kështu që shtëpia është e lirë.Nuk bëhet kjameti, një natë, sikur edhe familja të jetë aty.
    Pas një lodhje e stresi të madh, kjo rrugë më në fund mbaroi.Erdhem, u dëgjuan zërat e pasagjerëve. Në stacion kishte me dhjetra familjarë që prisnin njerëzit e tyre.
    -Po mua kush më pret ? – pyeti veten Sotiri me zerin e tij të brëndshëm.
    Po shoku nuk e la të mendohej më tej, e thirri në emër, si të njiheshin me vite, dhe e zuri për dore.
    – Hajde të nxitojmë, se është autobuzi i fundit në këtë orë,po e humbëm duhet të marrim taksi dhe na vete shtrenjtë. Per fat, sa mbaruan fjalën, qytetarët u sulën për të mos humbur autobuzin e fundit.
    ‘U bëra qytetar i Athinës’ –ironizoi veten Sotiri.
    Flamur Luta –
    Mbijetesës sime
    Pas fijes së kashtës
    Së të parit pak hare në shpirt,
    Mbi të tuat ujëra plot dallgë. 
    Pa gjetur në vetvete
    Kurrë qetësi…
    Bisedë me vetveten
    Në çastin që me vullnet të printuar
    Ndër faqe ditësh, 
    Me një kthjelltësi vështrimi,
    Shfaqesh para bashkëfshatarëve të tu, 
    Si një kryefjalë 
    E çdo shëmbëllimi….
    Herë pas here 
    Para spektatorëve imagjinarë, 
    Ke për t’i rënë tërë gaz
    Violinës së harmonisë
    Së trupit me shpirtin tënd, 
    Me një mjeshtri prej Paganini….
    Kur mirësia në çdo tingull, 
    Pas proceseve të ndërlikuara shpirtërore,
    Del i pastër si floriri. 
    Delikatesë 
    Tëmthi
    I grumbullimit të ngjarjeve makabre, 
    Me një dhimbje të pamat…
    Ç’më lëshuaka
    Pikë-pikë pa pushim,
    Aq shumë helm
    Në shpirtin tim delikat…
    Po më kërkuaka 
    Të më dërgojë
    Në tjetrën botë…
    Si ambasador fuqiplotë. 
    Kujtesë 
    Te lagështia e dëshirës jetike
    Të peshqve të shkretë…
    Për fat të keq
    Sot njerëzimi ngritka 
    Thatësirën e së ardhmes së vet. 
    Elementit poetik brenda meje 
    I gjendur përballë gjërave më elementare,
    Mbi sofrën e rrumbullakët si vetë globi,
    Apo pranë çapit
    Me plot çrregullime të ritmit…
    Më luajtke aq rol parësor,
    Në stabilitetin e paqes 
    Midis botës së jashtme dhe shpirtit…
    Sa kur kthehem i lodhur nga puna,
    Në karrigen kryemistrore të famës sate,
    E shtrirë në kohë 
    Dhe në hapësirën pakufi… 
    Më ulet të çlodhet 
    Pjesa e bujkut te mua,
    Me plot dinjitet e krenari. 
    ***************************
    PETRIT DERRAJ – SMOKTHINA
    BARESHA
    Baresha shtëllungën e reve
    Do ta tjerr gjalm për llabane 
    Ta ruajë barinë e shkretë
    Nga shiu nëpër tufane. 
    Retë e zeza do ti shtrydhë
    T`i bëjë që të rrjedhin shi
    Të mbushen koritat plot
    Plot me ujë për bagëti.
    Bashkë me veriun e malit 
    Do të zbres me të në fushë, 
    Kur të ndiej havrën e zjarrit,
    Të freskojë gji edhe gushë. 
    KËNGËTARI SMOKTHINJOT
    Hysen Ruka fjalë pak
    Bash me këngën është binjak
    Ta ndes shpirtin ta bën flakë
    Kënga i ka mbirë në gjak.
    Hysen kush ta dhuroi zënë
    Që e mbrun e derdh në këngë
    Kënga jotë ç`farë s`të bën?
    -Ngjall të vdekur e të rënë. 
    O Hysen zë violinë
    Për iso zoqtë të vijnë
    Kur nis këngën ligjërimë
    “O Çipin përmbi Smokthinë”.
    Hysen Ruka zëbilbili
    Kur ia merr këngës shtruar
    Edhe zoqtë zbresin nga pylli
    Bashkë me ty për të kënduar.
    VATËR SHPRESE E STREH BESE
    Shtëpia te lisi përtej
    Ka lind e rrit burra për kuvend
    E ka stërvitur trima për betejë
    Te ajo shtëpi fidanishte
    Është mbjellë e është vjelë
    Janë prit e janë përcjellë
    Ajo shtëpi ka qënë 
    Sofërplot për të uriturit
    Portëhapur për mëndjendriturit
    Ajo shtëpi fisnike
    Ka qënë edhe vatër shprese
    Ka qënë edhe strehë bese. 
    O MOJ MAJA E DUKATE
    Këngëtares Maja Aliçkaj 
    O moj Maja e Dukate 
    Selimi të ishte gjallë
    Të ish gjallë Selimi i Brate 
    Do të mirr nuse për djalë. 
    Maja me shikim të gjallë 
    Sytë kush t`i bë të shkruar
    Apo mos deti vallë
    Bukur t`i ka pikturuar?
    Kur këndon e kërcen Maja 
    E bardhë si djathi në napë
    Magjepset e gjitë dynjaja
    Se të vdes e të ngre prapë. 
    Petrit Smokthina
    Skrimi kaligrafik i …
    (Skicë letrare)
    Nga: Përparim Hysi
    Kur marr të shkruaj këtë skicë letrare, më vjen ndërmend Arkimedi, që thoshte:”Gjemëni një pikë, ku të mbështetem dhe unë mund të lëviz tërë botën!” E bëj këtë analogji jo pa qëllim. E kishim lënë të takoheshim për një kafe miqësore me Faslli Halitin. I përpiktë, si një orë zvicerane, hyri te kafe “Ulqini”, tanimë, i shoqëruar nga zonja e tij e nderuar, Nirvana. Sa bëmë toka, pashë që nxori nga qeska një libër për t’ma dhuruar. E hapi dhe, te bënte përkushtimin për mua, më mbetëm sytë te kaligrafia (bukurshkrimi), aq unike e tij. Më mbetën sytë dhe jo pa shkak. Kam parë qindra e qindra lloj shkrimesh çfarëdo, por shkrimi i Faslliut është për t’u vënë në “kornizë”, si një model, që rrallë mund të arrihet.
    Kur shkruaj kështu, kini parasysh një ish-nxënës të Normales së Elbasanit, ku bukurshkrimi qe lëndë e veçantë. Dhe, megjithatë, unë mbeta gojëhaptë nga kaligrafia e tij. Mësuesit tanë të shkollës së mesme, që të gjithë qenë diplomuar në Perëndim, në universitetet më në zë të Evropës dhe, megjithatë, të rrallë qenë ata, që kishih shkrim, ku të mbeteshin sytë, si mua sot te i Faslliut. Për bukurshkrim, në gjithë ata mësues aq të nderuar, vetëm dy veçoheshin: profesori ynë i biologjisë, i ndjeri, Jovan Beça dhe, mësuesi i shkollës ushtrimore “Dr.Xhaferr Kongoli”, i mrekullueshmi Hysen Caushi. Bukurshkrimin na e jepte piktori i merituar, Bukurosh Sejdini, që,sado mëngjarash, në dërrasë shkruante me dorën e djathtë. Kur pashë shkrimin aq të bukur, desh bërtita: “Piktor, për piktor!” Britmën nuk e bëra dhe nga “sikleti” më nxori Faslliu. “Ky shkrim,- më tha,- jo vetëm më ka mbajtur me bukë, por ma ka zbardhur dhe faqen”.
    * * * 
    Nuk jam i zoti, që t’u ballafaqoj me shkrimin e tij aq të bukur. Por, sidoqoftë, në vija të trasha, po ua sjell këtu të fotokopjuar, që të keni një përfytyrim të përafërt . Dhe prapë një analogji: Më kujtohet një fshatar i vobektë, nga fshatrat e Fierit, i ndjeri Ahmet Gjojdeshi. Hyzmeqar ky, Ahmeti, te ca bejlerë të kohës. Pasçlirimi, bjelerët i la me gisht në gojë dhe, për t’i diskretituar para popullit, më shumë i ballafaqonin me hysmeqarët e dikurshëm. Kur i kërkuan xha Ahmetit, që t’i demaskonte zotninjtë e vjetër, ky tha: “Aha, Zoti mua më kish dhënë zërin. Ma kish dhënë dhe këndoja bukur. Por dhe këta qejflinj të mëdhenj, donin këngë. Unë kendo, ata kënaqu.Kënaqu, po më trajtonin mirë.”Vu”, pulëza e pjekur, para dhe faqorja e rakisë. Tani,xha Ahmeti, “ngordhi” fare, se i bëtë ata tohidho si unë…”.
    U shqye fshati me të qeshura, por unë, tek e sjell këtë ngjarje, që e kam parë me sytë e mi, në fshatin Petovë të Fierit, e bëj këtë analogji se shiko, se ç’ më tregoi, në vija të trasha, Faslliu:
    “… E mbarova klasën e pestë me të gjithë njësha (njëshi qe nota më e lartë, deri në vitin 1948) dhe nuk di pse mësuesi më tha:-Shumë mirë! Tani shko e ruaj lopët! Po, pse do ruaja lopët? Lopët nuk i ruajta, por fillova e plugoja tokën me qetë e mi. I vogël isha, aty te 13-vjeçar, por e kisha merak: vijën, që plugoja, e doja të drejtë. Dhe ashtu e bëja: t’i vije vizoren! Kur çlodhja qetë, lexoja. Po, 13-vjeçar lexoja “Kasollja” të Blasko Ibanjezit. Shkruaja dhe pikturoja. Dhe, shkrimin, si pikturë. E mbarova Liceun Aritistik “Jordan MIsja” dhe, kur shkova ushtar, nga shkrimi e piktura nuk kapa pushkë me dorë. Por, shkrimi i bukur më shpëtoi dhe kur më ra”dielli” mbi kokë”.
    Kur thotë kështu,e ka për atë dënim të pistë, që iu bë Poetit Faslli Haliti, për poemën ” Dielli dhe rrëketë”.Ia hoqën të drejtën e profesionit (për botime, as që bëhej fjalë, por e çuan të hapte kanale në Plug të Lushnjes. Dhe aty faqen të bardhë ia ruajti bukurshkrimi. Se ferma kish nevojë, sa për “parrulla revolucionare”,aq dhe për dizenjo gjithfarësh, ku shquhej dora e artë e Faslli Halitit.
    Këto m’u kujtuan, kur ai po bënte shënimin për mua. Unë sot u ndala te shkrimi i tij i bukur, por kjo është veç një skicë dhe aq. Se, që të flasësh për Faslli Halitin, nuk mjafton vetëm një skicë. Ai e ka të plotë profilin e tij letrar: edhe poet, edhe porzator, edhe publicist, edhe përkthyes dhe, mbi të gjitha, është “Mjeshtër i Madh”. Pra, profili i tij letrar i ka kaluar kufijtë e Kombit, duke u përkthyer në gjuhë të huaja. Jo më larg se më 13 qershor 2015, ai është i ftuar në Itali. Atje, një vëllim i tij është përkthyer në gjuhën italiane dhe vlerësuar me çmim.
    Pra, unë sot fola vetëm për shkrimin aq të bukur të Faslli Halitit. Dhe, në mbyllje, mund të them: Nuk është vetëm krijues i bukur, por dhe Njeri me zemër të madhe!
    Shitja e shpirtrave!
    Mite Tabaku
    -ese
    Na ndodh të gjithëve të jetojmë një ditë të qetë, të tejmbushur madje me lumturi. Por, papritmas një incident i vogël na bën të biem në kthetrat e trishtimit. Trishtim që si ndalesë të fundit zgjedh fytyrën tënde dhe është e pamundur që me një shkundje t’a largosh. E tillë tingëllon dhe kjo dita ime sot, gri dhe e përgjumur, nën një korte resh tekanjoze që nuk dorzohen asnjë çast. Në ajrin e ngrirë kuvendojnë mendimet e mia të përçudnuara. Nuk mjafton asgjë që të më shpërqëndrojë nga kjo gjëndje që më ka kapluar tashmë. Më mungon ajri teksa kujtesa ime prek për një fraksionë sekondi ardhmërinë e këtij realiteti që na posedon. Jetojmë në shekullin e mbimaterializimit, në kohërat ku procesi i “shit-blerjes” ka cekur majat dhe njerëzimi me pasivitetin e përditshmërisë e ushqen atë me vetvete. Kemi shkuar aq shpejt përpara (përpara për ku?) përgjatë këtyre viteve dhe as që na ka rënë në të tè ndalojmë një çast aq sa shpirti të mund të frymthith pakëz ajër e jo më të na arrijë. Mos ndoshta na ka arritur galopthi përmes një rruge qorre? Tashmë kohët kanë evoluar, një evolim i mbrapsht, i keqdeformuar ndoshta që në lindje. Jetojmë në vitet ku shumica e individëve janë në gadishmëri të plotë për të shitur shpirtin në shkëmbim të suksesit, parave, kënaqësisë së realizimit të një ëndrre apo edhe thjesht të sigurimit të një jetese më të mirë (në terma afatshkurtër) nën efektin e një indiferencë të plotë morale. Kjo tradhëti e vetvetes e cila e transformon njeriun thjesht në një qendër interesi e nevojë materiale shumohet pandalshmërisht duke asfiksuar të mirën, parajsën brenda nesh po aq sa dhe ndërgjegjen. Jemi në epokën ku nuk shiten vetëm trupat siç (dramatikisht rëndomtë) u ndodh prostitutave; por tashmë kioskat rrugore të ekzistencës njerëzore kanë nxjerrë në shitje pjesën më të shenjtë e intimime, shpirtin. Një goditje e ulët në emër të sigurimit (rëndomtë) të privilegjeve materiale dhe shijimit të këtyre të fundit. Pak shpirt në këmbim të suksesit profesional, botës televizive, asaj të shtresës së lartë apo qoftë edhe për përftesën e verdhoshkave që u rëndojnë xhepat e pangopur të etjes… Ah! Nuk ke ç’të bësh, në ditët e sotme për të jetuar “pak më mirë” të duhet të shesësh pashmangshmërisht pak shpirt. Duhet të – imponim i pakontestueshëm, pa të drejtë zgjedhjeje e pa një grimcë oportuniteti për t’ia hedhur paq kësaj meseleje…
    E çuditshme mënyra se si njerëzimi e ka shpërfytyruar brendësinë e vet, pikën e referimit të një ekzistence dinjitoze. E papranueshme, por asgjë nuk më befason më. Çdo ditë e më tepër edhe unë ndodh të jem në një luftë sfilitëse për ti bërë ballë kësaj dukurie që gjithmonë e më tepër e huajëson individin ndaj vetes. Kudo që shkel në rrugicat e jetës simë mjerake përfundoj në një përplasje ballë për ballë me të vetmen zgjidhje që më ngelet të zgjedh teksa rrethi në përzgjedhjë sa vjen e ngushtohet… Pak shpirt në shitje për do të mira materiale? Pak shpirt për një ëndërr? A ka shpirti çmim? A ka? Dilemë që pandalur më vret pjesën më të gjallë e alegre brenda meje, atë pjesë që më mban të lidhur me jetën. Çdo herë e më tepër ndjejë forcën nënshtruese të këtij realiteti të ndyrë. Në vendnumëro, copë -copë, e pafuqi dhe e pashpresë. Një përgjigje asgjë më shumë, një rrugdalje por, kurrkund! E vetme në këtë cep të ekzistencës njerëzore, në këtë vend ku qënia e gjallë ka guxim të ta vjedhë një ëndërr, shpresë, lumturi nga shpirti yt për të ushqyer egon e vet. Thërrmija shprese valviten ajrit të brendësisë sime boshe. Ku po shkojmë? Në ç’shtretër imoraliteti flemë? Ku rënkon e pafuqi njerëzorja e përbuzur nga njeriu? Ah! Kthetrat e këtij realiteti të sëmurë lënë puthjet e veta mbi naivitetin tim. Notoj në pellgje lotësh e pafuqishme përballë vrazhdësisë së ligjit të deformuar të jetës. E vetmja ëndërr, e vetmja shpresë, shpëtimi im i vetëm tanimë po kthehet në mankthin tim më të madh. Duhet të shesësh pak shpirt! Jehon brenda meje kjo klithje shpirtgërvishëse, buçet venave të mia, ligësisht, me turinjtë e saj të llongosur vesh më vesh. “Të shesës-së-s-sësh, pak-ak-ak-k, di-di-diçka, ndje-ndjenjë-jë-ë-ë-ë, shpirt-t-t-t-t, ve-ve-te-te-n-n-n…”:- ziejë brenda kësaj vorbulle dëshpëruese që e zhbën unin tim në mijëra copëza asgjëje. Si mund të paguaj njeriu një çmim të tillë për ëndrrat e veta? Kaq shtrenjtë? Si-s-s-i-i-i?! Pyes e ripyes veten por, pa përgjigje. Mijëra pyetje që më bombardojnë pjesën mirëfunksionale të trutit tim e sfilisin në të njëjtën kohë rezistencën e tij. Po ku është përsosmëria e botës? Mirësia në brendinë e njeriut ku struket? Ku po shkojmë? Ku? E ardhmja ideale që kam pas përfytyruar ka filluar tashmë të zbehet dhe ëndrrat që kisha se di ku më kanë përfunduar. E ndoshta, ndoshta ka diçka më të keqe se zhdukja e ëndrrave: mosdëshira për të ëndërruar përsëri dhe vrasja e tyre në gjakftohtësi të plotë si e vetmja zgjidhje për të mos degraduar si një shitës më shumë në tregun e ndyrë të shitjeve të shpirtrave…
    ************************************************
    Faton Mehmeti
    Faton MEHMETI
    Mallin nuk e shuan as shiu…
    Qielli i ngrysur
    me vrap strukën në skaje
    brenda mureve 
    sikur zogjtë nga dëbora
    vec t ë p ë rndjekurit 
    e dashurisë
    hapin zemrat
    për të freskuar
    dhimbjen
    Sa e dukur dukeshe
    mbi flok ë t tua
    edhe shiu gjente
    ngrohtë si
    dhimbje që tretet nga permallimi
    etje që nuk shuhet
    as me shi…!!!
    Poeti
    Si një gjeth
    që mbron bimën e vet
    nga acari, ftohti
    derisa frye të merr
    kombin e vet
    e ruan 
    poeti
    E godasin pa të drejtë
    Ai nuk hakmerret
    përulesia…falja
    në gjenet e tij
    mbart sinonimin 
    të kthyerit faqen tjetër kur e godasin
    e keqja mundet me të mirë
    Ky është poeti
    nëpërkëmbur nga njerëzimi
    ani pse i shërben njerëzimit
    filatrop
    ne kohë sketërr
    poeti
    ky shpirti i botës…!!!
    Nënës
    Shpesh ndermend me bije
    kur thyeja pasqyrën 
    për një akullore
    më thonin se isha qapkën
    Me tregoje edhe kur isha i sëmur
    ditë e natë me ndejte tek koka
    me lot më laje mua të gjorin
    ti ike kur une u rrita
    Nuk e meritoja ikjen 
    gjithnjë besoj se do kthesh një ditë
    nga ajo ditë mik jam bërë me lotin
    më ferko ballin edhe një herë
    Si femijë qaja nga fotografisti
    s’mund ta kuptoja sa i lumtur isha
    tani që dënes jam me i vuajturi njeri
    sa peshë të madhe ka Nëna…!!!
    Recens për librin “Flota detare dhe arkivat sekrete” të ish oficerit Myfit Qorduka
    Deti dhe detarët tanë heronj
    Lirim Deda
    Kam patur fatin që fëmijërinë dhe rininë e hershme ta kaloj në shkollën “Skënderbej”, së bashku me shumë sivëllezër, të cilët që herët shkuan për studime n ëish-BS dhe u shkolluan për Flotën tonë Luftarake Detare. Ne, që mbetëm këmbësorë, jo vetëm ato mote, por dhe sot e këtë ditë, i patëm e i kemi zili ish moshatarët tanë, kuadrot e shquar të detarisë. Kuptohet se ku e ku ne këmbësorët me kuadrot e FLD, të cilët shpesh dhe netëve i vinin kryet mbi jastëkun e kaltër të dallgëve, kurse ne netëve, në stërvitje, pështesnim kokën mbi ndonjë gur, apo plis.
    Dhe vetvetiu ne kemi ndjekur herë me këmbë e më tepër me fantazi rrugëtimin e këtyre sivëllezërve, në tokë, në bregdet e në det. Po leximi i librave të botuara nga Aleko Pojani, Petrit Myftiu, Myfit Qorduka e të tjerë kuadro të FLD, jo vetëm na pasuruan botën shpirtërore me dashurinë për këta kuadro, porn a ka rritur dhe krenarinë për ta, si bij të dijtur, të kalitur, zotër të ujrave tona territoriale, si bij të lëvduar të mëmëdheut, që e mbrojtën shpesh me heroizëm, por që dhe i kënduan trojeve dhe detit.
    Myfit Qorduka, ish kapiten i rangut të parë, si kuadër i FLD, ka shërbyer me detyra të rëndësishme, jo vetëm në Sarandë, Vlorë, Sazan e Pashaliman, por dhe në Durrës e Shëngjin. Në librin: “Flota detare dhe arkivat sekrete”, autori ka hedhur jo thjeshtë kujtimet e përjetimet, nga jeta, puna, shërbimi e drejtimi në Flotën Detare. Hapësira e rrëfimit është më e gjerë, ajo përfshin ngjarje, episode, tregime e portrete për detarë të thjeshtë, për kuadro të shquar të FLD, si Abdi Mati, Zeqiri Mero, Dashamir Ohri, Petrit Myftiu, etj, ashtu siç hedh dritë e portretizon edhe drejtues të tjerë të shtetit në ato mote, si E. Hoxhën, M. Shehun, K. Hazbiun, H. Çako etj. Ndërkaq, të gjithë të përmendurit, kuadro detarë, apo drejtues e udhëheqës pasqyrohen në lidhje drejtpërdrejt me ngjarje e fenomene të marrëdhënieve, kundërshtive e ballafaqimeve, si me agjenturat e huaja, ashtu dhe ish miqtë tanë, dikur jugosllavë e më pas sovjetikë e kinezë.
    Lexuesi ndjek me interes sidomos vizitën e Nikita Hrushovit, të Malinovskit e më pas të Zhukovit, të cilët teksa marrin frymë ndjejnë etje jo thjeshtë për bukuritë e mahnitëshme të bregdetit tonë, por synojnë e nuk ngurojnë të përshpërijnë me shoshoqin ëndrrën për të gllabëruar Pashalimanin, Karaburunin, orikumin, Sazanin e pse jo edhe Vlorën! Kuptohet, siç edhe rrëfehet në libër, supërfuqia sovjetike dhe Traktati i Varshavës, veç synimeve të tjera, donte të dislokonte në Karaburun 25 anije luftarake atomike, që të “krekosej” më tepër, përballë Flotës së Gjashtë amerikane, që mbizotëronte në Mesdhe. Teksa shfletojmë fletët e librit: “Flota detare dhe arkivat sekrete”, na mbetet në mëndje ëndrra rinore e gjimnazistit të “Asim Zenelit”, i cili në një hartim të lirë çuditërisht, i vetmi pat zgjedhur një temë për detin dhe detarinë. Dhe mrekullisht ëndrra iu realizua e bashkë me moshatarë, që nga Vlora, niset me det, për të mbërritur në Odesë e më pas në Baku. Siç del bukur në librin e M. Qordukës, historia e flotës sonë nis me Ilirët, të cilët, edhe pse me mjete të thjeshta detare, zotëruan ujrat e Adriatikut e Jonit, përballë piratëve të shteteve fqinje. Por u desh që FLD në Shqipëri të krijohej vetëm në vitin 1925. Kurse më vonë, në vitet pesëdhjetë të shek. të kaluar FLD u rrit e u shtua me anije, nëndetëse, katera silurues dhe armatim bashkëkohor. Pas kthimit nga studimet, M. Qorduka tashmë kuadër i mirëpërgatitur, caktohet në anijen me komandant Spiro KOten, heroin e filmit “Duel i heshtur”, skenarin e të cilit e hartoi po aty shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili ka shkruar dhe parathënien e këtij libri.
    Me interes ndjek lexuesi Incidentin e Kanalit të Korfuzit, një ngjarje misterioze, sepse ato mote ne nuk kishim as mina, jo më specialist për t’i vendosur. Në 15 Maj 1946, dy anije luftarake britanike, hynë në ujrat tona territoriale, por u larguan. Dhe ja, ca muaj më vonë, në Tetor të atij viti, dy destojerë anglezë po në ujrat tona, ranë në mina dhe u fundosën, bashkë me to humbën dhe disa marinarë!
    Dhe dihet, fillimisht gjyqi i Hagës fajësoi shqiptarët për minimin. Do të duheshin të kalonin plotë 10 vjetë, që në marrëveshje me grekërit, të punohej 6 muaj pandërprerje derisa të çminohej krejt Kanali i Korfuzit. Në krye të këtij aksioni të pashembullt drejtonte Abdi Mati, por dhe Mark Plani, Seit Jonuzi, Selam Qejvani, Eqerem Shakaj, topograf etj.
    Në vëmendjen e autorit të librit, nga kreu në fund, janë marrëdhëniet midis kuadrove tanë të Flotës e udhëheqjes sonë, me kaudrot sovjetikë e udhëheqës të tyre. Këto marrëdhënie, nga vëllazërore në vitet 50-të, erdhë e u ftohën, derisa u acaruan keqas. Në përshtatje me këto situate, jepen në libër ngjarje, episode, ku lexuesi ndjen se agravimi i këtyre situatave do të ketë domosdo fund tragjik. Dhe ja, pas mbledhjes së Traktatit të Varshavës, për incidentete midis kuadrove sovjetikë, vjen urdhëri që baza e Vlorës të ishte vetëm me efektiv sovjetik. Atëherë, pas caktimit të general Hito Çakos, si drejtues i FLD, në Pashaliman vjen vetë edhe Mehmet Shehu, për të ngritur te kuadrot frymën atdhetare dhe qëndrimin e papërkulur përballë kuadrove rusë. Ngjarjet rrjedhin me shpejtësi sidomos pas mbledhjes në Moskë të 81 partive, ku fjala e Enver Hoxhës demaskoi krushovianët, hungërimat e të cilëve kundër vendit e udhëheqjes sonë u dëgjuan kudo në botë. Ndërkaq, në Vlorë e Pashaliman incidentet me efektivave shqiptarë e sovjetik ndjekin njëri-tjetrin, derisa ata ikin nga Pashalimani. Më 4 Qershor 1961, rusët para se të largoheshin, vodhën dhe detenatorët, gjë që sabotonte qitjet, ndaj që ato ditë një ekip u nis drejt Kinës. Me Kinën lidhjet u forcuan ca më shumë pasi forcat e Traktatit të Varshavës sulmuan Çekosllovakinë. Dhe atëherë anijet e nëndetëset tona nisën të lundronin në Mesdhe, për t’u thenë të huajve: – Ja ku jemi, zotër të ujrave tona territoriale! Në këtë periudhë kanë ndodhur ngjarje nga më të papritura, të cilat autori i sjell në libër përmes figurave konkrete, detarë e kuadro heronj, që mbrojnë teknikën e armatimin duke rrezikuar jetën e tyre. Në libër vijnë dhe një mori episodesh, nxjerrë nga arkivat sekrete, ku hidhet dritë mbi provokacione e incidente të flotave jugosllave, a greke, por përballë tyre me guxim dalin detarët e kuadrot tanë. Figura të dashura për lexuesin mbeten edhe Fran Ivanaj, Azem Ylviu, Avdulla Hoxha, Zef Deda, etj., që tregojnë heroizmë, bujari, trimëri, profesionalizëm të rrallë. Të tilla ngarkesa emocionale bartin: episodi i shpëtimit të 15 ushtarakëve shqiptarë, afër Sazanit, në një det me 9 ballë, kur anijes që furnizonte efektivat iu prish motorri: kur mbytet vaporri “Suzi”; kur shpëtohet Biga lundruese e Durrësit; kur u shpëtuan 4 alpinistë në Korab, sepse radisti ilbil Bregu dëshifroi sinjalin 505, u njoftua urgjent MMP dhe atje u nis helikopteri; kur u shpëtuan 8 marinarë spanjollë, anija e të cilëve u mbyt, etj. episode drithëruese. Dhe së fundi, lexuesi vetvetiu kur mbaron së lexuari librin e Myfti Qordukës, bie në mendime e pyet veten: – Po, sot ku është FLD, anijet e nëndetset që i mbrojtën me jetën e tyre detarët e kuadrot tanë? Si është e mundur, që në ditë me diell dhe mes të Tiranës, të firmoset aktmarrëveshja për t’i dhuruar Greqisë pjesë nga deti ynë? Gjithsesi lexuesi e ka më lehtë t’i japë përgjigje kësaj pyetje sepse e di fare mirë se mbreti Zog, që shiti troje shqiptare në Juglindje dhe në Veri të vendit, për atë tradhëti të paskrupullt, meritoi përmendore, të cilën ia ngriti Sali Berisha, po ai soj satrapi që i fali detin Greqisë.
    Tiranë më 20.05.2015 
    Glifadha, vajza shqiptare dhe deti
    Albert Z. ZHOLI
    Të nxehtit e Athinës është shumë më munduese se në Tiranë, por ja që është deti dhe sikur e rregullon frymëmarrjen e këtij qyteti gjigand .Plazhet janë të panumërt. Plazhet e ishujt e shumtë i japin mrekulli turistike gjithë Greqisë…
    Shumë shqiptarë plazhin e bëjnë në Glifadha. Autobusi u mbush plot në atë fundjavë. Njerëzit ngjiteshin duke kontrolluar veten. Aty pranë meje një grua mbi të gjashtëdhjetat mezi po mbahej, por askush nuk ia kish qejfin për t’i liriuar ndonjë vendulje… Dy djem me qime të ngrira përpjetë, mbanin nga një vajzë mbi gjunjë, duke e rritur akoma temperaturën e stinës…
    Një vajzë fytyrimtë 15-16 vjeç, u ngrit nga vendi ku qe ulur dhe pranë dhe pa nxjerrë zë e mori nga krahu gruan e moshuar për tek vendi i saj. Gruaja u ul e pasi u qetua ca pyeti vajzën:
    -Si të quajnë vajza ime?
    Vajza e pa në sy, buzëqeshi lehtë dhe ngriti supet në moskuptim.
    -Emrin, emrin dua!- e pyeti sërish gruaja në gjuhën e saj .
    Vajza u skuq e tëra, siç mund të skuqet një vajzë shqiptare e porsaardhur.
    -Shqiptare jeni ?- e pyeti dikush në shqip.
    -Po ! – tha vajza si e zënë në faj…
    -Është shqiptare dhe nuk di greqisht, – i tha ai gruas.
    Ajo e pa me çudi, bëri kryqin, u ngrit në këmbë, duke u mbajtur nga dora e vajzës, dhe e puthi në ballë…”, shumë mirë, shumë mirë shqiptare e vogël…”, asnjë vajzë greke s’do ta bënte këtë…. 
    …………… …………………. …………………
    Athina dhe kënga shqiptare
    “…marinar…marinar…”u dëgjua zëri Ema Qazimit andej nga kreu i autobusit …Ai zë i ëmbël valëzonte si valë deti e sikur freskonte paradetit të ngjeshurit e atij autobusi ne Athinë…
    Ishin dy djem në ndenjësen prapa shoferit që kishin ngritur magnetofonin tek kënga e Emës…Të gjithë dëgjonin në heshtje kënaqësie…Kur mbaroi kënga, shoferi grek, pa hequr vëmendjen nga timoni, pyeti djemtë: 
    -Çfarë kënge ishte ajo?
    Këngë shqiptare – u përgjigj njëri nga djemtë.
    -Sii?- iu habit shoferi duke i ulur gazin autobusit. Dy djemve nuk iu pëlqeu “Si-ja” e shoferit, se brenda saj ata ndjenë nënvleftësim fyes, gati sikur të kishin dëgjuar: “ Si keni dhe juve këngë ?” Njëri nga djemtë si me të qeshur ia ktheu shoferit:
    – Shqiptarët nuk janë vetëm për peshëngritje zotëri…
    Arben Shehu
    JE
    Je,
    Prej gjaku dhe mjalti,
    Anijet i hodhën spirancat,
    Në zgërdheshje të zverdhura piratësh.
    Je,
    Prej gjaku dhe mjalti,
    Klithmat bëjnë mozaikë,
    Në ikona të shkrira mjegullash.
    Je,
    Prej gjaku dhe mjalti,
    Casti ngriti si flamur paqeje,
    Këpucën që ka humbur pragun
    E manushaqes,
    Je,
    Prej gjaku dhe mjalti,
    Vena e sermës u bë gërmë
    E kripës në gur.
    Je,
    Prej gjaku dhe mjalti,
    Autoportretet e jodit zgjodhën
    Kornizat e hojeve të diellit.
    KA MË SHUMË
    Ka më shumë ditë
    Në sytë e tu të zi,
    Ka më pak brigje
    Në hijet e tua të ngrëna,
    Ka më shumë vela
    Në qerpikët e stërpikur
    Me vesë,
    Ka më pak hënëza,
    Te bebëzat e zbehta
    Në zbaticë,
    Vetëm toka mungon,
    Kur fjala nuk zbret
    Nga peshoret.
    KA GJITHNJË
    Ka gjithnjë,
    Nga një gjemb
    Në cdo “ i” të fjalës,
    Ti përtyp trëndafilin e çelur,
    Në çdo gardh të frazës.
    HËNËZA
    Hënëza-tavernë
    E gjithësisë,
    Ku yjet pijnë
    Deri në të gdhirë,
    Palcën e bajames
    Së shkundur.
    Ai i këndon me më shumë zjarr poetik dashurisë, ndjenjës më të bukur njerëzore 
    Zjarri poetik në vatrën e krijimtarisë së Agim Xhekës
    Nga DHIMITËR SHTËMBARI
    Në radhën e shkrimtarëve të ditëve tona, Agim Xheka është, padyshim, ndër ata që i këndon me më shumë zjarr poetik dashurisë, ndjenjës më të bukur njerëzore. Çdo poezi e tij është një flakëz e ndezur, përfshirë në zjarrin e madh të krijimtarisë së tij erotike. Në hyrje të vëllimit «Pse dreqin kështu!», mes të tjerave autori i drejtohet lexuesit: «Ëndërro sa të mundësh më të bukurën dhe të shëmtuarën ruaje si pikë referimi dhe fale e largoju sa më shumë prej saj. Ëndërro dhe dashuro! Dashuria të bën më të mirë, më të urtë dhe më të bukur». Kur ty, si lexues, të këshillon kështu, mendo se vet autori i këtij libri i beson ato që shpreh. Dhe, sa mirë! Në të njëqintenjë lirikat e këtij vëllimi poeti Agim Xheka ka derdhur ndjenjat e veta të dashurisë. Të dashurisë njerëzore. Në çdo varg – i vërtetë. Në çdo strofë – i ngrohtë. Gjithë dridhërimë i drejtohet lexuesit. Lexuesit të ri, por edhe atij të moshuar. Atij mashkull, por edhe atij femër. Të gjithëve:
    Ju nxora nga shpirti – pika gjaku,
    të një plaku fanatik të dashuruar.
    Ca të tjerë në dhimbje e gëzime,
    si hajmali lus t’u mbajnë në duar.
    Edhe në dashuri poeti Agim Xheka mbetet, në radhë të parë, njëri. Nuk i bëhet skllavë ndjenjës, edhe pse i djegur e i përvëluar prej saj. 
    Unë jam Unë dhe s’bëhem Ti. 
    Veten njoh për Perëndi.
    Herë – herë të bëhet sikur poeti e humb busullën e mendimit dhe varka e dashurisë e dërgon tutje, thellë detit të dashurisë, humbur mbas valëve gjithë shkumb. Dhe në kësi rastesh poetin e gjejmë vrarë shpresash dhe zvarritur qoshesh pa shpresë.
    Tani kam marrë rrugën për në atë jetë …
    Ndofta atje do të të gjejë, o dashuri e shkretë! 
    Pa e tepruar aspak, poeti Agim Xheka është mjeshtër i ndërtimit artistik të poezive. E fillon me vargun pesërrrokësh («Nuk shkulet dashuria») dhe vazhdon deri te poezia me vargun gjashtëmbëdhjetërrokësh («Kërkoje fatin!?)
    I larmishëm në strukturën e poezive, për të thyer monotoninë brënda vëllimit, herë – herë autori bëhet i beftë në poezi të veçanta, ku anën ndërtimore të poezisë e ve në funksion të idesë. («Oh, sonte!»). Kjo poezi e mbushur me pasthirrma, mbyllet dhimbshëm:
    Oh…Sonte po më shqyen mungesa jote
    Qofsha Romeoja i fundit i kësaj bote!
    Njohës shumë i mirë i stilistikës poetike, autori shfrytëzon gjithë galerinë e figurave të kuptimit, të shqiptimit e të leksikut poetik dhe të sintaksës poetike. Si për t’u dhënë melodi poezive të tij, autori përdor të gjitha llojet e rimave. Një lexues i vëmëndshëm do të diktonte në krijimtarinë e këtij poeti figura të larmishme letrare, që fillojnë nga krahasimi, pasthirrma, anafora, epifora, aliteracioni, metafora, metonimia, sinekdoka, enumeracioni, gradacioni etj. etj. Shkurt, poeti shfrytëzon tërë larminë e materialit figurativ, duke garantuar brënda çdo poezie e brënda krejt vëllimit një zjarr poetik, që veç ngroh e nuk shuhet. Agim Xheka është si dhe gjithë të tjerët, njërëzor dhe me shpirt që ia mban gjallë veç dashuria. Dhe ashtu siç thotë në krye të vëllimit «Ëndërro dhe dashuro!», në mbyllje të këtij vëllimi nuk i shkëputet kredos së vetë:
    Në shpirtërat tanë dëbora vazhdon të bjerë …
    Natyrën e ka zbardhur kudo dimri plak – gërmuq.
    Edhe stacionin tonë, edhe stolin tonë të mjerë,
    Ku me dhimbje po vendos një trëndafil të kuq.
    «Më fal, o e dashur! Nuk kam ç’të bëj më tjetër.
    Dhurimi i trëndafilit është zakoni im i vjetër». 
    *****************************************************
    Marjola Dashi
    BURRA TË TRISHTUAR
    Burra të trishtuar
    Nga gra të mërzitshme,
    Ndjejnë neveri.
    Kukullat plastike
    Lyer me buzëkuq,
    Princeshat e bizelta
    Thurin fabula.
    Skeleti i një dashurie
    Kutërbon si një kollare e vjetëruar.
    Gra të mërzitshme,
    Rrëmojnë mure kështjellash
    Ngritur në vite.
    DRITËHIJA E LOJËS SHAH
    Një xhuxh i vogël prej druri
    Është mbyllur në sarkofagun
    – kuadrat i lojës shah
    Të mbetur përgjysmë
    Në dritëhije.
    Pulsi i orës në mur
    Ngec nëpër akrepa.
    – Shah-mat !
    MIMESIS
    Karaktere mimetike,
    Si thelpinj portokalli,
    Me fara kokërrmëdha,
    Brenda një bote kuantike,
    E mbushur me ekuacione dilemash,
    Raprezdaljesh nga embrione
    Të maskuara me lëvore,
    Në pemën me trungun e trashë
    E të gjelbër të realitetit,
    Përsërisin lindjen e qelizës,
    Me veprime fiziologjike.
    Koncert recital i këngëtares shkodrane Albana Fani, e cila kishte udhëtuar nga Amerika
    JARE MAJI
    Nga RAMAZAN ÇEKA
    Kështu e kishte titulluar koncertin e saj recital këngëtarja shkodrane Albana Fani, e cila kishte udhëtuar nga Amerika e largët në qytetin e lindjes për të bashkuar zërin e saj të mrekullueshëm me atmosferen pranverore shkodrane, me lulet erëkëndshme të oborreve, për t’i kujtuar bashkëqytetarëve të saj, të afërmve dhe miqve se asnjëherë nuk i ka harruar, por i ka pasur të pranishëm në jetën e saj përmes këngëve të mrekullueshme, të cilat i ka mësuar dhe kënduar edhe atje ku jeton. Në repertorin e saj, ajo kishte zgjedhur këngë të mirëfillta popullore qytetare dhe në mënyrë të veçantë, disa nga ato që quhen “Jare shkodrane”. Për të realizuar këtë koncert recital ishte zgjedhur oborri i një shtëpie karakteristike shkodrane me vlera autentike, etnografike dhe muzeale, që sot ka të instaluar brenda saj muzeun historik të qytetit të Shkodërs dhe që njihet me emrin “Shtëpia e Oso Kukës”. Organizatorët e kishin konceptuar këtë koncert si një show larg skenave të mbyllyra, ku nostalgjia për këngët e vjetra shkodrane të freskohej nga puhiza e lehtë e mbrëmjeve të majit. Oborri i mbushur plot me miq të Albanës dhe me miq e dashamirë të këngës popullore qytetare priti me duartrokitje daljen në shkallët e kësaj shtëpie të vjetër të vajzës shkodrane që pas shumë vitesh kishte ardhur mes tyre. Një çast solemn, mondan dhe prekës ishte shoqërimi që i bëri kësaj “mbretëreshe” kavalieri i shquar i muzikës, studiuesi dhe pedagogu Ferid Bala, i cili e solli këngëtaren para atij publiku që e priti me shumë dashuri dhe respekt. Tingujt e jares shkodrane “Iptida du me fillu”, me tekst të Jonuz Zenelit dhe muzikë të Gjok Krajës, zëri melodioz i këngëtares Albana Fani shoqëruar nga një orkestër vërtet profesioniste e mbushën përnjëherë atmosferen e oborrit, duke e kthyer këtë mbrëmje maji në një mbrëmje magjike. Programi vazhdoi me këngët “Bylbyli”, “Bishtalecat palë e palë” duke vazhduar me radhë repertorin e saj në të cilin ishte edhe kënga “Lule t’bukura sjell’ pranvera”, një nga bashkëpunimet më të gjata të kompozitorit të madh Mark Kaftalli dhe autorit të shumë teksteve, të paharruarit Çesk Ndreca. Një ndër këngët e këtij repertori të bukur ishte edhe kënga “Amanet bylbyl” e krijuar nga përfaqësuesit e familjes Fani, teksti Albana Fani, muzika Ares Fani, kënduar nga Albana Fani. Na kishte marrë malli të dëgjonim këngët popullore burimore të ahengut shkodran, ndërsa përkrah saj ishin ftuar emra të njohur të këngës: Mukades Çanga, Enriketa Kuqani, Adnan Bala dhe Ilsi Ademi. Por kulmi i kësaj mbrëmje do të vinte gjatë interpretimeve me bilbilat e këngës shkodrane, ata që i dhanë jetë dhe e rritën artistikisht jaren si Bik Ndoja, Naile Hoxha dhe Gjokë Vata. Dalja në skenë e Albanës dhe pjesëmarrja e elitës së këngëtarëve shkodranë, tregoi se kënga popullore qytetare shkodrane nuk vdes kurrë, sepse sot e këndojnë edhe djem e vajza të reja si Rosela Gjylbegu, Orjeta Kelaj, Elsida Sinaj, Rezarta Smaja, Ilsi Ademi, Besmir Topçia, Xhuli Pjetraj, etj. Pikërisht kjo lidhje me trashëgëminë dhe me këngëtarët e sipërpërmendur ka bërë që Albana që në moshë të vogël të rritet dhe të edukohet me këto këngë dhe prej atëherë nuk i është ndarë këtij zhanri të muzikës qytetare të mirëfilltë, duke qëndruar besnike e këngës qytetare shkodrane. 
    Duke u nisur nga kjo, nuk kishte si të ndodhte ndryshe përveç se të ecte në rrugën e tyre të artë. 
    Në këtë mbrëmje Albana i dhuroi qytetit të saj një atmosferë të mbushur me emocione dhe interpretime brilante, duke përmbushur kështu një detyrim qytetar, si borxh për babain e vet dhe për Shkodren. 
    Ajo falendeoi edhe brezat që kanë lënë gjurmë në krijimtarinë, interpretimin dhe transmetimin e vlerave të këngës popullore qytetare shkodrane. Një falenderim dhe mirënjohje të posaçme ajo bëri për profesorin e kantos Ferid Balën, i cili e shoqëroi duke u ulur nga shkallët e shtëpisë së Oso Kukës si vajzën e tij dhe ajo duke i puthur dorën, ai e porositi që mos ta lejë kurrë këngën. 
    Për realizimin e këtij koncerti, një ndihmesë të madhe dha “Shqipëria Trikot” me Konsollin e Nderit të Republikës së Austrisë në Shkodër z.Gjergj Liqejza, falë dhe bashkëpunimit edhe me institucionet si, Muzeu, Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”, “Qendra Kulturore e Fëmijëve”, Televizioni “Star Plus” dhe “Emi Flowers” që i dhanë aromë lulesh kësaj shtëpie. 
    *********************************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” 
    DATË: 1 qershor, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Fan Noli, Përparim Hysi, Luan Meta, Agim Pipa, Zeqo Cama, Hekuran Rapaj
    02- Skica dhe tregime nga Albert Zholi, Sokrat Ndreçka, Dhimitër Shtëmbari, Bernar Kokalari
    03- Kritikë nga Prof. Pajtim Bejtja, Mihallaq Qilleri, Lirim Deda, Vjollca Koni
    04- Botime nga Pëllumb Gorica, Nevila Demi, Zaho Vasili, Edona Haliti, Odise Gremo
    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.
    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme për Pena Shqiptare, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!
    Sigal