Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 14 dhjetor 2015

    807
    Sigal

    Stephen King
    “Frika mundet vetëm të të bëjë rob, shpresa të bën të lirë”
    – Shawshank Redemption
    Stephen Edwin King (21 shtator 1947, Portland, Maine, SHBA), është një shkrimtar dhe skenarist amerikan. I dedikuar pothuajse tërësisht zhanrit horror dhe fantashkencë, në fillim të karrierës së tij ka përdorur dhe pseudonimin Richard Bachman dhe më rrallë John Swithen. Librat e tij janë shitur në më shume se 350 milionë kopje, në mbarë botën dhe pothuajse të gjithë kanë një version kinematografik. Nuk mund të lihet pa përmendur Shawshank Redemption, i cili renditet nga IMD në vend të parë mes filmave më të bukur të realizuar ndonjëherë.

    **************************************
    Gjon Buzuku

    Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur “Meshari” (1555) Kjo vepër cilësohet si vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar dhe ruajtur deri sot. Gjoni ishte prift katolik për nga besimi, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo aq larg nga vendi i botimit. Për autorin nga ishte, ku punoi, mbi ç’baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigje të plotë. Ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e tij e mësojmë vetëm nga parathënia e librit dhe gjuha e tekstit. “u Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzuku”[1] Gjon Buzuku ishte prift katolik për nga angazhimi religjioz, i Malësisë së Mbishkodrës, mendohet të ketë qënë nga Kraja.

    Për ilustrim po sjellim një pjese nga kjo vepër “Meshari”
    “…Ndë vjetët 1554 njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët 1555, ndë kallënduor 5 ditë. E se për fat në keshë kun mbë ndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, aj qi të jetë ma i ditëshim se u, ata faj e lus ta trajtojnë ndë e mirë…Përse nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë ma e para vepërë e fort e fështirë për të vepruom ndë gluhët tanë…”
    (…Ne vitin 1554 me njëzet mars e fillova dhe e mbarova në vitin 1555, në dhjetor 5 ditë. E në se, për fat, do të kem gabuar kund më ndonjë vend, unë dua, ku të jetë gabimi, ai që të jetë më i ditur se unë, atë gabim e lus ta ndreq. Sepse nuk çuditem në paça gabuar, duke qenë kjo vepër e parë e fort e vështirë për t’u punuar në gjuhën tonë).
    Ne kohën e protestantizmit në Europë – kërkesa kryesore e kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhen amtare. I ndikuar nga idetë e kësaj lëvizje, Buzuku për t’u krijuar mundësi besimtarëve katolikë shqiptarë të merrnin drejtpërdrejt në gjuhen amtare shkrimin e shenjtë. Puna e tij nuk shërbente vetëm për dëgjimin e kuptimin e përmbajtjeve te disa ceremonive fetare por edhe pikënisje për shkrimin e gjuhës. Me veprën e tij ai mundohet të afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut nuk ka vetëm meritë letrare, por edhe një hap i guximshëm kulturor, që bën pjesë në luftën e popullit shqiptar për çlirim e përparim. Ai shkruan në pasthënie:
    “…u Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gjuha jonë nukë kish gjo të të ndigluom ( që të jetë dëgjuar) nsë shkruomit shenjtë, nse dashunit nsë botësë, sanë, desha me u dedigunë përsa mujta me ditunë, me zbritunë ( me ndriçue) pak mendetë e atyne që ndiglonjinë…”
    Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, pra ky ka qenë edhe njëri nga qëllimet për të cilin e shqipëroi dhe botoi Buzuku veprën e tij. Madje Buzuku ecën edhe më përpara. Në “Meshar” gjendet edhe kjo lutje që nuk gjendet ne asnjë meshar të botës:
    “Gjithë popullsinë e krishtenë ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.” Vepra është dëshmi e një tradite të mëparshme shkrimi të shqipes kishtare, traditë që rrebeshet e kohërave të vështira që kaloi Shqipëria e kanë marrë me vete. Gjuha e veprës e ka bazën në të folmen Verilindore. Që nga botimi e deri me 1740, gati dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740 atë e zbuloi ne Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Mesharin e don Gjon Buzukut(1555) e zbuloi ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet tue jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti ne heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.

    ***********************************************************************
    Vullnet Mato
    NEPËRKA DHE NUSJA
    -Tregim-
    Thuhet se natyra ia ka dhënë helmin gjarprit, thjesht për vetëmbrojtje nga kundërshtarët e vet. Pasi në të gjitha rastet e shfaqjes para syve tanë, ai rrëshqanor i rrezikshëm nuk të sulmon, po nuk e sulmove dhe nuk të godet pabesisht, kur nuk i afrohesh befasisht. Këto konstatime unë i kam të provuara saktësisht me përvojën time jetësore, por sidomos me një ngjarje tejet rrëqethëse.
    Si fillim, është e domosdoshme të bëj të qartë, se në fëmijërinë time, shfaqja e gjarprit në rrugicën me diell, apo në shtegun ku rrëshqiste me panik për t’u fshehur, më është shoqëruar gjithmonë me një dridhmë tmerri. Nga e cila, ose më kanë shpëtuar rrëke shurre rrëzë pantallonave të shkurtra, ose më është bllokuar frymëmarrja për të ndaluar vrapin sa më larg tij. Më saktë, kam qenë një frikacak i klasit të parë. Dhe as vetë nuk e kuptova, se si pas pak kohësh, ndodhi e kundërta më e pabesueshme. U bëra miku më i ngushtë i gjarprit, aq sa t’i bëja fole, të më flinte në gji, ngjitur me lëkurën time të hollë. Dhe ja, si ndodhi kjo çudi e pazakonshme. për një djalë rreth tetë vjeç!…Në shtëpinë tonë, të trashëguar nga gjyshi, në fshatin Karahaxh, (prejardhja nga Kara Haxhi “ Haxhiu i zi “) dhjetë kilometra larg Sarandës, ku ne shkonim gjatë stinës së verës, erdhi një babush teqeje, me mjekër të bardhë e të gjatë deri afër brezit. Në vështrimin e parë, në ecje e sipër, trupi i tij të jepte përshtypjen, sikur lëvizte një mullar me kashtë gruri. Ai e njihte babanë si mësues i atyre anëve dhe i pëlqente të shkëmbenin mendime bashkë. Duke vënë re, se unë isha tepër kureshtar për atë dukuri të leshtë që mbulonte krejt pjesën e përparme të fytyrës së tij, ai më lejonte ta zija për mjekre, madje edhe ta lëmoja, njësoj sikur të ishte ndonjë cjap manar. Kështu dervishi filloi të më donte si djalin e tij, më lëmonte kokën dhe më mbante pranë vetes, duke më treguar ndodhi të çuditshme, të cilat në atë moshë nuk i kuptoja, por diçka fantazoja me mendjen time të ujshme.
    Një ditë, teksa babai ishte duke bërë disa meremetime me gozhdë e sqepar në tavan, ai më mori përdore dhe dolëm nëpër kopshtet përqark kodrës, ku ishte shtëpia jonë. Diku te një ferrë e ulët, sytë e tij të murrmë dalluan një nepërkë me cirka lara-lara, e cila e bëri mjekroshin të gëzohej si fëmijë, kurse mua prapa krahëve, t’ia mbath vrapit në çast.
    – Qëndro aty!- më bërtiti babushi befas, me një ton të rreptë, të pazakonshëm. – Unë do ta bëj këtë bukuroshe laramane, jo të na pickojë helmin e saj, po të kërcejë vallë në dorën tonë…
    Këto fjalë të pabesueshme, më bënë të kthehem i ngarkuar me kureshtje, për të parë i tendosur disa metra më tej, si do t’i bënte këto marifete të çuditshme mjekërmadhi fantastik.
    Ai mori një shkop furkaçe, nga ato që ne fëmijët bënim llastiqe për të vrarë zogj dhe me të ia ngjeshi kokën përtokë. Pastaj ia kapi kokën me dorë dhe kur e ngriti lart, nepërka iu mbështoll e gjitha rreth dorës së shpërveshur deri te bërryli. Atëherë unë ndjeva disa pika urine që njomën mbathjet e mia dhe po prisja kur babushi mjekërmadh do të këputej të binte i vdekur përtokë, si mullar kashte i përmbysur nga era.
    Kjo jo vetëm nuk ndodhi, por duke parë fytyrën time të rrudhur nga tmerri, ai qeshi me ton të lartë dhe me nepërkën përqark dorës gjithë damarë të ngritur nga shtrëngimi i saj, më tha:
    – Shikoje pa frikë, se si do ta urtësoj këtë kafshë bishtore, njësoj si atë macen me të cilën loz ti!
    – Ç’kafshë, thua ore babush, po ajo nuk ka katër këmbë si macja, dhia apo delja? – i thashë unë me zë të dridhshëm.
    – Kjo ka këmbë bishtin, që ia shtyn trupin përpara me shkathtësinë që nuk e ka asnjë kafshë tjetër. – u gjegj ai dhe vijoi: – Eja tani të shkojmë te shtëpia, ta bëjmë të nusërojë këtë zonjë pikaloshe të bukur!…
    Ai tha “zonjë” dhe unë thashë me vete, të kisha t’ia shtypja kokën me gurë asaj vrrome të pështirë.
    Kur shkuam te shtëpia, nëna ime u step, duke kundruar me sy të shqyer baba dervishin me nepërkën të mbështjellë rrotull dorës.
    – Mos u tremb, zonjë, – i tha ai nënës – nuk ha njeri kjo. Ja, do ta shohësh. Vetëm më sill një filxhan dhe një copë të vogël të leshtë, sa t’i zbut pak inatin.
    Kur dëgjova sërish fjalën “zonjë”, mendova me zemërim, se si ky njeri që hante bukë me babanë tim, përdori për nënën time të njëjtën fjalë “zonjë” që kishte përdorur edhe për nepërkën. Nëna ime që nuk vriste asnjë mizë, ishte zonjë mbi zonjat e vërteta dhe jo nepërkë e pështirë që kapte bretkosat për fyti nëpër kanale të pista dhe i kullufiste. Ai mjekrosh duhej ta lante njëqind herë gojën te burimi dhe t’i kërkonte falje nënës, që e kishte barabitur me nepërkën…
    Nëna tepër e druajtur, i solli atij mjetet që kërkoi dhe ne të dy, të shtangur te njëri-tjetri, po vështronim nga larg me habi e tmerr çdo të bënte ai çudibërës me laramanen vdekjeprurëse.
    Dervishi ia kapi kokën me dy gishtat e parë dhe ia shtrëngoi fort, sa iu hap goja. Atëherë i futi te dhëmbët cepin e copës së leshtë, duke e mbajtur pingul mbi filxhan. Nepërka kafshoi copën e leshtë dhe lëshoi nëpër fijet e saj një curril helmi të verdhë mbi filxhan. Si e mbaroi këtë punë të llahtarshme, babushi nxori me dorën tjetër nga xhepi një pincetë të vogël. Dhe duke ia shtypur gojën, sa iu hap si ndonjë fik i çarë, i shkuli dhëmbët një nga një me kujdes. Pastaj qeshi i gëzuar dhe e futi nepërkën brenda asaj këmishës së tij, më të bardhë se mjekra gri.
    Nëna klithi:
    -Auuu, ç’bëre ashtu, more derëzi, se do vdesësh!…
    Dervishi vazhdonte të qeshte. Por duke vënë re, se ne të dyve na u bë fytyra në ngjyrën e dheut dhe ndjeheshim keq nga ky veprim, ai futi dorën në gji, e nxori nepërkën dhe shkoi e lëshoi te ferrat poshtë kopshtit. Më pas erdhi në shtëpi, e hodhi helmin në një shishe të vogël me tapë, duke lënë fare pak në filxhan. Ai i kërkoi nënës një lugë sheqer dhe ujë sa për të mbushur filxhanin. Atëherë më tha mua fjalën më të tmerrshme, që na bëri të dridhemi të dy me nënën.
    – Pije, si trim, se kjo do të bëjë që të gjithë gjarpërinjtë të ndërrojnë udhën kur të të shohin ty me sy!…
    Nëna kërceu në çast:
    – Jo, jo, atë mos ia jep djalit! – briti ajo prerazi dhe më tërhoqi mua pas vetes.
    – Jo! – thashë edhe unë i vendosur të mos e pija helmin kurrsesi.
    – Unë, moj zonjë, e dua djalin tuaj të zgjuar, jo më pak se ju që i keni bërë kokën! – iu drejtua ai nënës me përulje. – Po me këtë ilaç që e kam bërë në trupin tim dhe tek shumë të tjerë, ky djalë fiton imunitet dhe nuk pëson kurrë ndonjë gjë të keqe nga helmet e gjarpërinjve. Nëna u lëkund pakëz dhe mjekërmadhi mu drejtua mua:
    – Pije si burrë, se kam folur edhe me babanë, apo do që ta zbresim nga çatia të të thotë me gojën e tij?
    Babai dëgjoi nga tavani, ku punonte dhe zbriti shkallën një çast. Ai më vështroi një grimë duke qeshur.
    – Duhet ta pish me dëshirë, biri im, se është për të mirën tënde!- më tha butësisht duke rregulluar syzet.
    Unë sërish ngurova i pavendosur dhe sakaq dervishi e ktheu vetë filxhanin, sa mu duk një çast sikur u zhduk te goja e tij e padukshme mes mustaqeve dhe mjekrës. Më tej u desh rreth një orë, pasi ai kishte mbetur ende gjallë, që ne të dy me nënën të besonim e të bindeshim, ta pija edhe unë dozën e parë të helmit me sheqer. Dhe kur e rrëkëlleva poshtë, të them të drejtën, më pëlqeu. Nuk ishte aspak i hidhur, si disa ilaçe që më jepte nëna kur ftohesha, apo kur më zinte gripi. Dhe që nga ai çast, kura kundra pickimit të gjarpërinjve vazhdoi, duke rritur dozën nga një pikë çdo ditë, derisa shishja e vogël u boshatis krejt. Atëherë baba dervishi më mori me vete dhe dolëm rrëzë kopshteve me ferra të kërkonim gjarpërinj, që unë të bëja edhe provën e tmerrshme. Por dy ditë me radhë nuk gjetëm asnjë për be. Ditën e tretë ai pikasi një nepërkë të vogël dhe pasi ia fiksoi kokën, më tha mua ta kapja me dore pa frikë. U tulata një grimë, por me gjithë frikën e zbutur, ai më kishte injektuar edhe besim në tru. E zura nga koka dhe ajo mu mbështoll te krahu. Ashtu, me nepërkën në dorë, shkuam në shtëpi dhe pasi i bëri asaj veprimet çarmatosëse, si herën e parë, ai më tha ta futja edhe unë nën këmishë. Ah, jo, këtë s’kisha guxim ta bëja kurrë, t’i jepja liri nepërkës të më sillej nëpër lëkurën e trupit si t’i donte qejfi, e po t’i tekej të shijonte tulin tim, sikur të isha ndonjë bretkosë kanalesh…U stepa për disa çaste. Por mu kujtuan kalamajtë frikacakë të fshatit greqishtfolës, sidomos nusja ime bukuroshe me fustanellë të bardhë, më te cilën më kishin martuar në lodrat dasmore të fëmijëve. Do t’i lija me gojë hapur të gjithë djemtë dhe vajzat e vogla minoritare. Do t’u tregoja të tërëve, sa trim isha dhe pasi të nxirrja nepërkën triumfalisht nga gjoksi, do ta puthja fort nusen time të dashur. Ky mendim më dha guxim të pazakonshëm dhe së fundi e futa nepërkën në gji. Ajo zvarranike e shkathët u vërtit një copë herë përqark gjoksit tim, duke më shkaktuar një kilikosje rrëqethëse të ftohtë, nga e cila pata një gaz kërcimtar të frikshëm, që e kënaqi shumë babushin mjekërmadh. Pas kësaj më tha truri dhe dola me vrap për të shkuar te lëndina, ku luanin çdo ditë kalamajtë e fshatit. Hyra mes tyre, duke i mbajtur sytë drejt “nuses time”. Pasi u tërhoqa vëmendjen, të më shihnin të gjithë me vërejtje, futa dorën në gji dhe nxora kokën e nepërkës që nga ngrohtësia e trupit tim e kishte zënë gjumi. Befas ajo mu mbështoll rreth dorës dhe vura re, se pantallonat e disa kalamajve të tmerruar, riguan shurrë tek gjunjët. Ata më shikonin me sy të shqyer, sikur të mos isha ai shoku i tyre i përditshëm, i ardhur nga qyteti, po një magjistar i zbritur nga qielli.
    Nusja ime rrudhi fytyrën dhe duke më përpirë me sy, tha greqisht:
    -O panaiamu, ti kani aftos! (O shënmëria ime ç’po bën ai!)
    Unë i thashë asaj me krenim, se këtë gjë e bëja vetëm nga dashuria e madhe për të dhe për bukurinë e saj, që ua kalonte të gjitha vajzave të fshatit. Dhe atë çast desha ta puth fort, jo si burri i saj i legjitimuar, po si trim triumfator, nga ata që mundnin kuçedrat nëpër përralla. Por ajo faqekuqe, me buzët si një qershi e ndarë më dysh, që më bindej gjithmonë si manare, nuk pati guxim të më afrohej në atë krekosje me gjarpër në dorë.
    Dhe më çuditi shumë kur ma ktheu në çast, me një greqishte aq të kthjellët:
    – Kot thua se më do mua, ti ke marrë nuse nepërkën që ke mbajtur gjithë ditën në gji, kur unë të prisja të luanim bashkë… – dhe u prish në fytyrë nga kërshëria.
    Por dhe unë u çudita shumë, që nusja imë vogëlushe ishte bërë xheloze për një copë nepërkë bishtdredhur të kanaleve… Ndoshta babushi nuk e kishte quajtur kot “zonjë” atë pikalore, kur e zumë bashkë. Dhe me pendim të thellë që e kisha lënë nusen vetëm e po merresha me të, i thashë të vinte ta shihte si do ta braktisja për hatër të saj.
    Atëherë shkuam të gjithë bashkë, e lëshuam nepërkën në një ferrë, ku i porosita kalamajtë të mos e gjuanin me gurë, nëse e shihnin prapë, se ajo nuk kishte dhëmbë për të kafshuar njerëzit. Pastaj u ktheva vrullshëm, e pushtova nusen time me të dy krahët, e putha shumë fort dhe ndjeva në buzë e mia lëngun ëmbël të buzëve të saj. Dhe këtë shpërthim dashurie e bëra fare pa druajtje, sepse ajo më përkiste vetëm mua, pasi të tjerët kishin “nuset e tyre”. Më pas, secili me nusen e vet përkrahu, hymë nëpër kasollet e vogla prej kashte që kishim ngritur në lëndinë. Aty filluam të shkëmbejmë vizita çiftesh tek shtëpitë e njëri-tjetrit, duke bërë urimet e mirëseardhjes dhe shprehëm fshatarçe dëshirat, për të pasur sa më shumë bereqet nëpër arat e katundit. Një ditë tjetër babush dervishi zuri papritmas katër gjarpërinj të ngjyrave e dimensioneve të ndryshme. Ai i mbushi mendjen babait dhe shkuam për të bërë një paraqitje publike te shëtitorja buzë detit të Sarandës. Aty im at bëri shumë fotografi dhe unë pozova duka luajtur me gjarpërinjtë në duar e në gjoks, përgjatë dy orëve, ku kalimtarët e mahnitur zgurdullonin sytë me habi.
    Kësisoj jetova disa kohë në botën e frikshme të gjarpërinjve, duke shijuar kënaqësinë euforike me krenim tejet te lartësuar. Më tej, kur iku babushi mjekërmadh, unë vijova shkollën. Dhe pak nga pak fillova të ftohem nga ajo dashuri marrëzie me rrëshqanorët helmatisës, madje edhe e të ruhem prej tyre.
    Sot kam frikë si të gjithë frikacakët ordinerë të gjarpërinjve. Por nepërkën nuk e urrej, siç nuk mund të urrehet një grua gjarpërore, të cilën e kisha futur në gjirin tim dhe nuk më kishte rrezikuar, për shkak se më deshi llahtarisht. Sakaq, ngjitja nëpër vite, më ndau edhe nga buzëqershia ime, nusja e vegjëlisë, të cilën vazhdoj ta kujtoj me nostalgji.

    Mimoza Leskaj
    KUR I LUTESH PERËNDISË

    O Zoti im ndihmomë,

    falmë pak durim e shpresë,

    të lutem dëgjomë,

    mjaft kështu, jepmë pak jetë!

    Kjo është dhimbje shumë e madhe,

    zemra ime s’duron dot,

    unë jam rritur me shumë halle

    qysh e vogël, e gjer më sot.

    Të lutem ty, moj Perëndi,

    në se vërtetë këtë botë krijove,

    shkul me forcë këtë lubi

    nga vendi im i shqiponjave!…

    Dhe si mua shumë të tjerë

    me ty flasin, kërkojnë ndihmë,

    se kjo botë ka shumë të mjerë

    po më i mjeri, vendi im.

    Ai vend ku ka erë mali,

    ku ka etje për liri,

    ku shumë kohë ka zënë vend djalli

    dhe mirësia heshtur rri.

    Më dëgjo ti Zoti im

    krahë më jep të fluturoj

    mbi majat e atyre maleve

    si shqiponjë të qëndroj!

    Se pas dimrit ka pranverë,

    dielli qesh dhe ngroh pa fjalë,

    kur lirinë e përcjell era

    Zoti kokën tund, ngadalë…

    PUTHJA E PARË

    Vërtetë, mikja ime, ke të drejtë,

    askush nuk i këndon puthjes së parë,

    por ajo është një muzikë që flet vetë,

    brenda nesh vërtitet me mall.

    Se puthja e parë ngjason me shiun e fortë

    rrëmbyeshëm futet thellë në shpirt

    merr ngjyrë ari ajo fortë ndriçon,

    bëhet fuqi e madhe si perënditë.

    Perëndi mbetet për jetë e mot,

    ndërrojnë dashuritë, bashkë me puthjet,

    po puthjen e parë e gjen kudo,

    është e pamundur të ikë, të zhduket.

    Është dritë e hënës që fort ndriçon,

    kur shpirtin dallgët e mbytin,

    yjësia e plagëve, që në jetë kalon,

    kujtimet që shpesh në të të zhytin.

    Se ajo mbetet aty e përjetshme,

    bëhet dritë e hapave të tua,

    pentagram stinësh vjeshte,

    fanar i një lumturie të shkuar…

    NJË GRUSHT NDJENJASH

    Një grusht ndjenjash mbledhur thellë,

    në një zemër tepër të lodhur,

    si një parfum natyre në pranverë,

    kohërave të brishta ndodhur.

    Zgjatur si një litar mes shkëmbinjsh,

    thurur me nyje të panumërta,

    mbledhur mes etje dashurish,

    dhe dimrave me reshje të shumta.

    E kur i ftohti vendin ia linte,

    dëborës së bardhë mrekulluar,

    grushti i ndjenjave mblidhej

    e në mes të bardhësisë futej.

    T’i rrëmbente bardhësinë donte,

    dhe nyjet t’i zgjidhte një nga një,

    në dëborën e bardhë të shpërndante,

    ndjenja të shumta, krejt pa zë.

    *****************************

    Mimoza Agalliu
    Frymë tek ti

    Në errësirrën e dhomës
    tiktaku i orës ndjek
    rrahjet e zemrës
    do të vijë një ditë
    që të dyja do të ndalen
    atehërë ti do ta mallkosh botën
    sepse ta mori dashurinë.

    Ndoshta nga ndonjë cep qielli
    unë do të të shoh rënkimshëm
    sesi shiu t’i lag flokët
    dhe do lutem mos trembesh
    nga lotët e hidhur
    që tokën freskojnë.

    Unë do të jem engjëlli
    që ter sytë me erë qiellore
    nëse do të duash të më shohësh
    te gjethja e sapoçelur
    do të më gjesh
    dhe në këngën e kanarinës
    unë do të jem
    mbi barin e porsalindur
    dhe në shkelqimin e butë të hënës
    si buzeqeshje ylberore
    do të më gjesh
    mbi lisat e gjatë që rrezet i zbusin
    mbi parkun e bulzëzuar
    pas shiut
    do të jem
    shija e këndshme e kafesë
    dhe loti yt
    kur qesh, qan, vrapon

    Oh dashuri e përjetshme
    do jem
    dhe kur peshën e mallit
    më s’do ta durosh
    puthe vendin
    ku u perqafuam për here të parë
    dhe do e ndjesh
    se unë jam kudo
    jam frymë tek ti

    2
    Mes të vërtetës dhe gënjeshtrës

    Kisha premtuar se s’do të pija më lotë
    dhe se do të bëhesha e fortë
    kur gëzimin ta fshinim bashkë,
    befas, mbëmja u dogj përfundimisht
    fjalët në kurthin e heshtjes
    nuk ngjiznin më buzë
    Atëherë mbi re
    u ngjit fjolla ime e bardhë
    dhe bota u venit nga helmi
    dhe nuk fola më asnje fjalë…

    U enda gjatë
    mes të vertetes dhe gënjeshtrës
    mes ngashërimës dhe heshtjes,
    isha unë mbi re, apo dheu mbi mua?

    Ti ike si era
    që degdis shkembinjtë honeve
    ndërsa drita ime zgjatej ta ndriçonte
    terrin tënd
    rrekesha të sillja copa yjesh endacake
    unë e kryqëzuara në Trojë

    Ajo natë kyçi çdo fjalë
    dhe hije sysh mbetën jetime
    të qiellit dhe gjurmëve të yjeve
    njëlloj, si sot dhe në lashtesi

    3
    Si një ‘Caruso’

    Këta sy të lodhur,
    arrijnë skajit fundor
    labirinthit tënd jetësor,
    ndonëse me kujdes trukuar.

    Me gjelbërim tej e kënd veshur,
    për të mos përcjellë
    asnjë pikë helm.
    Të vras vështrimin tim,
    rol të vështirë ke zgjedhur!

    Si një hero Hamletik
    në arenën e skuqur
    prej gjakut limfatik.

    Ngrihet sipari
    si qielli rrezeve përflakur.
    Në pragun e muzgjeve,
    rritem brënda teje,
    lastare…një palmë e bukur,

    Për të lëshuar hije mbi flakë.
    Kështu do të vazhdojë
    të jehojë ‘Caruso’.

    Ende shkruaj mbi pentagram:
    “Të dua si një Caruso…”
    Kështu do vazhdoj ,derisa e fundit notë
    të shuhet mbi detin,
    ku fryn vetëm erë e ngrohtë.

    4
    Rendim pas kohës

    Koha rend shpejtësisht.
    Barkun mbushur me dhimbje,
    syrit ,varur pendesën.

    Shikimin tretur në eshtra
    me duart vendosur mbi plagë,
    meridianëve zvarrit këmbët.
    Frymën mbush mallkim-lutje,
    buzëqeshjen shqyer nëpër dhëmbë.

    Rend unë pas kohës.
    Në vend të ujit,
    helm gjarpërinjsh më shuajnë etjen,
    derisa bashkë me kohën
    mbytem harresës.

    Shpirti shndërrohet në dritë me…
    një grusht zjarr,
    një grusht dhè,
    një grusht lot.
    Polet përplasen errësirrës,
    në këtë kohë të vrarë
    rendim te gjithë,por jo më kot!
    *************************************

    FETI BRAHIMI
    PRITA, PRITA S’MU DURUA
    Prita, prita s’mu durua,
    Zura shtegun në përrua,
    Ti syzezë hajde me mua,
    Kam dy fjalë e diç të dua.

    Mos u nxito, more djalë,
    Ç’janë këto fjalë që thua,
    Se unë kam nënë e babanë,
    Dërgo njerëz për të kërkuar.

    Të pash me shoqet në arë,
    Dhe ti më shikoje mua,
    Sa do që të pata pranë,
    Seç pati që mu lidh gjuha.

    Për ty, o shpirt, o xhan,
    Zemra ime rreh nxituar,
    Nga ty dashurinë se ndaj,
    Zemrat tona janë bashkuar.

    MOJ FAQEKUQE SI FLAKË
    Moj faqekuqe si flakë,
    Sa më merr malli për ty,
    Ç’ke që rri e qëndron larg,
    Ç’faj të kam të zëntë lija.

    Djalo, mos më bjer në qafë,
    Sesi di hallet e mia,
    Kam arsye që s’të flas,
    Më qortojnë nga shtëpia.

    Bejkë beronja më qafsh,
    U deha si nga rakia,
    U thava, u bëra shkarpë,
    Ç’është kështu kjo dashuria!

    Ju ngjita malit të lartë,
    Mbi një breg dola të rrija,
    Doja të rrija dhe pak,
    Deri sa të ulej hija.

    Moj flutura mbi zambakë,
    I çeli lulet lajthia,
    Lastarët kanë hedhur shtatë,
    I poqi kokrrat qershia.

    Xhane-xhane, moj xhanane,
    Me shëndet ato fustane,
    Kur del me shoqet në vallë,
    Tundesh si xhindja në male.

    SHOKË SEÇ MA KA ËNDA
    Shokë seç ma ka ënda,
    Kam dëshirë dhe ma do zemra,
    Do dal në mal, te tënda,
    Ku mërzejnë kopetë e rënda.

    Mirse vjen, moj Labëreshë,
    Mes këputura në mes;
    Trëndafili i baçesë,
    Besa-besë potë presë.

    Atje tej në atë brinjë,
    Mbi bar dhe mbi trëndelinë,
    Ka stanin bariu im,
    Ta dëgjoj kur vërshëllen.

    Moj, ti lule gjeraqinë,
    Hajde beso perëndinë,
    Shesheve me dhënë do rrimë,
    Ujë nga bora do të pimë.

    O çoban aman-aman,
    Mbaji qentë të vij në stan,
    Të të pyes, more xhan,
    Si dole sivjet me plan.

    Lum për ty, moj bukuroshe,
    E dija seç do më thoshe;
    Eja se na ka marrë malli,
    S’kalohet vetëm behari.
    Gezdar Serjani
    Rreth librit “Gurrë Trashëgimie”
    Interesant se nënëtoka jonë nuk nxjerrka vetëm minerale të dobishme deri në flori. Po nxjerrka edhe shkrimtarë e poetë. Kam lexuar libra nga njerëz që kanë punuar në nënëtokë, si Janaq Pani, Sejmen Gjokoli, Afat Serjani, Mihallaq Qilleri etj. Melodia e bukur labe është dëgjuar sipas këtij libri. Në Ismir te Ataturku në Gumenicë, në Prishtinë, në Shkup, në Athinë e shumë qytete e shtete të tjera. Folklori ynë , kënga labe ka bërë jehonë gjithandej. Ajo ka bërë histori edhe kur shqiptarët ishin analfabetë , nëpërmjet këngëve janë përmendur data dhe ngjarje në luftëra dhe beteja. Ky libër ka brenda publicistikë, folklor dhe histori. Libri është zbukuruar me 85 fotografi me këngë e valle folkloristike ,portrete këngëtarësh e grupe polifonike . Ai u ka skalitur portretet e tyre madhështore sikurse madhështore është kënga e folklori ynë lab përmendej si : Lefter Çipa, Agim Shehu, Hallil Qendro, Rexhep Qosese, Golek Jaupi, Dritëro Agolli, Shkurte Fejza 40 vjet në këngë ,Pagarusha. Në grupin “Bilbili” përmend Emrionin, Mërkur Çeleleskon, Arjan Shehun, Memet Vishën, Petrit Lulon,Sinan Gjolekën,Spiro Çinon e shumë të tjerë. Në grupin “Shushurimë Shushicë” Feti Brahimin, Kujtim Mici, Hamdi Pulon, Pelivan Bajramin , Zaho Balilin etj, që kanë dhënë kontributin e tyre si grupe dhe individë në labërishten. Në libër përmendet se si isopolifonia është bërë thesar i kulturës botërore në UNESKO. Mendoj se duke lexuar “gurë trashëgimie” të mbush me ndjenja patriotike, me kënaqësi shpirtërore, me dashuri njerëzore me dhembshuri për trevat tona. Në libër është derdhur art për pasqyrimin publicistik nga autori. Në raftin e librave të mia në shtëpi kam një libër tjetër poetik “Prush e valë”, në këtë libër ka shkruar shumë për fshatin tim të bukur dhe unë them me mendje çka ky zhulatas që shkruan kaq shumë për fshatin tim. Fshati im është vërtet i bukur , më i bukur se fshatrat e tjera. Po unë bëhem ziliqar dhe shkoj nëpër mendje çka ky me Lekdushin do të ketë ndonjë krushqi të përzemërt, mos ka qenë mësues, ose ka nusen nga Lekdushi,ose ka ndonjë dashnore .Këto nuk janë mbase të vërteta , janë vetëm mendime të miat. “Gurë trashëgimie” , do të mbetët si gur themeli për gjithë brezat që vijnë pas për vlerat që janë shkruar në të. Uroj autorit i buroftë pena si gurra e pashtershme e Progonatit e Picarit, burimet e Kaparjelit derstilat e Lekdushit dhe ujit të ftohtë Tepelenë që burojnë nga një tok malesh të Kurveleshit të Sipërm andej nga ka lindur edhe kënga e folklori lab. Urime! Falënderoj edhe Unionin e gazetarëve për promovimin e këtij libri.

    **************************************************************************
    Sinan Kërpaçi

    CIGARE ME GAZETË

    Më puth sonte ky fllad jashtë burgu
    si asnjë femër s`e bëri kurrë.
    Më puth,
    por jo si i putha të brishtat unë!
    Sa dorëzova me procesverbal
    si gardian turnin e dytë
    dhe dola nga burgu,
    ku lashë një korridor 70 metër të gjatë
    dhe vura në gjumë 22 qeli
    me 22 “pako” që përkthehen “veta”.

    Nesër pakot presin përsëri
    çakmakun tim
    t`u ndezë cigaret e dredhur me gazeta.

    Sa dëgjova që në Tiranë
    u dogj një bunker…
    Me vonesë e dëgjova,
    në fund të ditës,
    në burg, thellë, thellë!

    E ndërtova
    kur do më sulmonin superfuqitë…
    Dhe sot të tjerët lodhen kot
    më kot në dy krahë t`i japin kuptim
    në tjetër kohë bunkerit tim të diktaturës
    në ditë tymi.

    ************************
    Neki Haskoçela
    L Ë M I I HA V A S Ë

    -Tregim humoristik-

    (Një nga mënyrat e shumta të përfitimit dhe zhvillimit të pronës në demokraci)

    Tre-katër breza më parë, në një fshat të Labërisë sinoriar me fshatin tonë, rronte i ziu Shasho me gruan e tij Havanë. Jetonin me pak dhënë dhe për bujqësi përdornin disa kopshte dhe një arë të vogël dhe me kaq navasnin jetesën e tyre. Mirpo Shashua, kishte shumë fëmijë dhe vdiq shpejt sa që u thoshte shoqeve Havaja “vdiq shpejt ditëziu se po të kishte rrojtur dhe ca do ti kishte bërë ok e kokë fëmijët me dhentë”. Me vdekjen e Shashos, filluan të shtohen vështirësitë për Havanë. Fëmijët duheshin rritur, toka duhej punuar dhe bagëtitë duheshin mbajtur, e kjo është ngarkesë për një grua me një tufë kalamaj.. Për ti lehtësuar ndopak punët Havaja dhëntë i bëri dhi meqenëse dhitë kërkojnë më pak punë megjithatë ajo i pakësoi shumë duke i shitur për të plotësuar nevojat e ngutshme të shtëpisë. Një ditë në vëllazërinë e tyre vdiq një plak i moçëm, xha Rahmeti. Adeti në Labëri e do që të shkosh në vaki dhe të qash me ligje të ndjerin dhe me sebepin e te ndjerit që ka vdekur, të qash dhe hallet e brengat e tua .Me këtë rast vajti dhe Havaja dhe ja nisi ligjërimit” Korba o xha Rahmeti, që na vdiqe edhe ti – Bëni të fala ATIJ (Shashos që kishte gati një vit që kishte vdekur) korba o xha Rahmeti Thuaj dhëntë i bëmë dhi, korba o xha Rahmeti Na kanë mbetur dhe dy- korba o xha Rahmeti – Qysh do na vejë halli se di – Korba o xha Rahmeti / Őë… përfundoi Havaja me ngashërim ligjërimin në vakinë e xha Rahmetit. . Që të thuash të drejtën mallëngjeu dhe shoqet jo vetëm nga fjalët e goditura që tha por edhe nga zëri i saj melankolik,drithërues e tërheqës, shoqëruar me një mimikë të përshtatur që e bënin më simpatike nga sa ishte. Ta shikoje Havanë kur ligjëronte të shkaktonte një dhimbje deri në keqardhje dhe një respekt të thellë për të. Ndërkohë, vazhdonin peripecitë e Havasë për të rritur fëmijët. Ajo duhej ti bënte të gjitha punët vet edhe drutë për tu ngrohur dhe gatuar. Ajo pothuajse shkonte për ditë për të siguruar drutë që i nevojiteshin. Megjithëse Shashua kishte vdekur, Havaja e mbante me kujdes veten. Shamin e zi që mbante si shenjë zie, si i thonë rrëzë më rrëzë, kishte filluar ta lironte ndopak ta çonte deri në mes të kokës dhe që lejonte të dukeshin drullat e bukura të flokëve duke ja hijeshuar më tepër fytyrën dhe duke e bërë më tërheqëse. Një ditë nga ditët i doli përpara një burrë, i bëshëm mustaqe-verdhë syndritshëm zëkumbonjës duke i thënë “Hava.. të kam pikasur kur më shkon me dru ngarkuar e dëshira më rritej e rritej për të të parë vazhdimisht deri sa plasi në dashuri të papërmbajtur dhe tani më vërviti lumturisht këtu përpara ty dhe Perëndisë për të bërë atë që do ajo” dhe ju hodh tërë afsh duke mos i dhënë Havasë asnjë mundësi për reagim….Pastaj Xhezua u largua, edhe Havaja ngarkoi drutë për të shkuar në shtëpi. Vendi ku ngarkonte drutë Havaja ishte një shesh i rrethuar me pyll të përzier me dushk, përrallë e hilqe, kundruall me fshatin. Rrugës ajo mendonte për çka i ndodhi dhe dallgët e urrejtjes për Xhezon herë ja zinin frymën herë ja lironte atë. Duke ikur ajo po i peshonte mirë me drehem kur i thonë, gjërat. Ta bënte çështje atë çka i ndodhi për ta lehtësuar veten ndopak apo ta mbyllte me heshtjen e saj dhe koha do të bënte punën e vet. Fjala e parë që kishte dëgjuar për gratë e veja ishte se -ato i ngarkojnë llafet me tërkuzë-. Pra dhe ajo mendonte, cila do që të jem unë, prapë se prapë llafeve nuk ju shpëtoj dot. Por edhe shpesh përdorej shprehja “Hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë” , pra, gruaja nuk dilte dot nga halli ose ishte vet halli edhe ana tjetër thuhej se, gratë janë sherri i mavies, ose sherri vjen nga gratë. Pastaj mendonte kjo që më ndodhi mua u ka ndodhur dhe shumë grave me burra më këmbë, bile dhe me goxha burra. Ato që e kanë kaluar në heshtje, e kanë kaluar më mirë se ato që kanë ndjekur sherrin që jo rrallë kanë përfunduar me gjak. Pastaj, mendimi ishte se gratë e zonja zinin mik dhe burrat e zot zinin mike. Kështu pa dashur ju kujtua ajo që i kishte thënë një ditë nënë Avazja për të motrën Kafazen. E kishte pyetur motra nënë Avazen kur ishin të reja, se ku i kishte gjetur tërë ato stoli ? Ajo i ishte përgjigjur se, mi ka blerë miku. Ajo i kishte thënë, bëmë dhe mua një mik. Ajo ju përgjigj se ti nuk e mban dot mikun. Por Kafazja këmbënguli se e mbante mikun. Dhe kështu Avazja i gjeti një mik Kafazes.Takimin e parë Kafazja e la në shtëpinë e saj kur përcolli të shoqin me gomar për në mulli duke menduar se ishte koha e përshtatshme dhe e mjaftë, sa ti vinte radha e sa të bluante grurin. Mirëpo Kafazja harroi që koha e qejfit kërkon të zgjatet, ndërsa koha e punës të shkurtohet dhe kjo bëri që burri ta gjente mikun e Kafazes brenda. Ajo tani si e shastisur bërtiste pa pushim tërë ankth dhe frikë “Më tha ime motër e madhja më tha”. Meqenëse te dy motrat i kishim shtëpitë afër, atëherë, Zylyfi, burri i Kafazes erdhi tek unë dhe më thotë : – Eja moj e bekuar, çfarë i ke thënë sat motre që nuk ma hap derën. A e hëngrët lia -i thashë unë, i kam thënë që kur vjen burri nga mulliri të vijë tre herë rrotull shtëpisë me karroqe në kokë, se ka duk mielli, përfundova e shqetësuar për time motër. Po kjo është e kollajtë fare, tha Zylyfi dhe vuri karroqen në kokë për të bërë ritualin sipas porosisë. Ndërkohë miku doli dhe iku qetë-qetë në punën e tij. Mbasi Havaja e kaloi nëpër mënd tërë këtë histori, po tha me vete ajo – dhe kjo qenka një zotësi më vete. Pse të mos hyj pa zë dhe unë te gratë e zonja?! Pastaj që të jesh mikja e Xhezos, atij burri që i ka jo vetëm shokët të rrallë por ka dhe një grua të bukur, Xhananen që i thotë diellit del se dola, është mirë! Pastaj, thonë që miku të ndreq dhe nuk të lë të biesh në hall, pra ka një vlerë aq sa që ka ngelur në kohëra “më mirë një mik se sa një çiflik”. Kështu pasi e torri gjerë e gjatë problemin Havaja, në fund vendosi ta shijojë sevdanë e Xhezos për sa kohë që ajo do të kishte shije. Tani Xhezua herë tërthorazi dhe herë ballazi e ndihmonte Havanë për t’ia lehtësuar rritjen e fëmijëve. Sebepi ishte për nevojat që ajo kishte. Në këtë mënyrë Xhezua shërbeu si një ilaç rigjenerimi fizik dhe shpirtëror për Havanë. Ajo tani sikur rinohej, zbukurohej dhe me kujdes, dhe plot dëshirë bënte hapin për ta takuar Xhezon. Por shpesh sevdaja e tyre kishte çarmatosur kujdesin për ta lënë atë në terrin e syve të botës. Kështu vazhdoi si pa ndodhur gjë për shumë kohë. Mirëpo Zyka, që ishte si të thuash një shakaxhi, e kishte pikasur këtë punë dhe thotë si me sebep një ditë majë bregut ku rrinin zakonisht burrat dhe ishte kundruall vendit ku bënte drutë Havaja dhe që ajo për koincidencë po zbriste me drutë në atë moment:- More burra, kam një mendim që sa më ra në tru tani që shoh Havanë duke zbritur me dru dhe do t’jua them, por dua që të mos ma bëni dy, që sheshin në qafë ku ngarkon drutë Havaja, ta quajmë “Lëmi i Havasë” se i ka ngrohur fëmijët me zjarr, përfundoi ai duke ja shkelur si pa kuptuar syn Fejzos. Ashtu u bëftë ( thanë burrat e majës së bregut) se shumë emra vendesh e kanë nga një sebep dhe kjo i takon asaj. Në kuptimin figurativ fjala “lëmë” përdorej për mirë kur je ne kulmin e bollëkut si: -Hani se jemi në lëmë, ose kur bënte njeriu gjëra që nuk pëlqeheshin thuhej: e bëri lëmin! Dhe kështu për ata që se dinin e kuptonin se Havaja, atje e bënte lëmin me dru, kurse për ata që e dinin kuptohej, lëmi i Havasë me Xhezon. Dhe kështu nisi e mori rrugë përdorimi pa teklif në përditshmërinë e fshatit emri “Lëmi i Havasë “. Filluan të ndërrohen brezat dhe emri do të futej më thellë në memorien e fshatit. Në kohën e kooperativës me kuadrin e iniciativës “Tu qepemi kodrave dhe maleve ti bëjmë ato pjellore sa dhe fushat” , fshati e bëri tarraca deri në lartësinë e lëmit të Havasë, duke e bërë atë një pikë dominante e piktoreske dhe prodhimi të bollshëm agrumesh në tërë atë masiv brinjësh përkundruall detit. Por me gjithë këto ndryshime që pësoi tërë ai masiv brinjësh nuk mundën t’ia zbehin emrin “Lëmit të Havasë”, përkundrazi u bë si një pikë referimi dhe e këndshme për të punuar sidomos gjatë verës për freskinë si vend që ishte karshi detit. Ndërkohë që Zequa dhe Bequa, djemtë e Havasë që kishin ngelur nga barku Havasë, ishin ndihmuar të iknin nga fshati pa u bërë kooperativa dhe ishin bërë specialistë të zotë në profesionet e tyre dhe kështu nuk patën fatin ta përjetonin as lindjen dhe as vdekjen e kooperativës. Por kjo nuk i kishte penguar ata që të familjarizoheshin me emrin e “Lemi i Havasë” që kishte kohëra që ishte bërë simbol i sakrificave mbinjerëzore të nënës së tyre, për ti mirërritur ata dhe për këtë ata kishin arsye të ishin krenarë. Të paktën kështu e dinin ata. Me ndryshimin e sistemit, Zequa dhe Bequa dolën nga qarkullimi si kuadro nomenklature duke u marrë me përshtatjen e tyre me kushte të reja të cilat tani u dukeshin më të vështira se rritja e tyre bonjak. Gjatë kohës së përshtatjes me demokracinë, u krijuan hapësira të reja për të drejtat, për pronat, për liritë, e plot gjëra të tjera të cilat vunë në punë mendjet për së mbari i për sëprapthi nga do që ishin. Kështu plasën mënyra të shumta të pasurimit e të përfitimit në mënyrë abuzive të pronave nga të gjitha anët. Kjo gjendje turbulloi edhe mendjen e Zeqos dhe të Beqos që dhanë e dhanë dhe më në fund ja dolën. Sebepi u bënë disa përfitime pronash nga disa të njohur të tyre me gjyq dhe me dëshmitarë. Një ditë nga ditët Zequa i thotë Beqos që në të gjithë këto hapësira që u krijuan edhe ne duhet ta gjejmë veten dhe kam menduar që përveç shtëpive dhe baçave që kemi tonat në fshat do të marrim edhe “Lëmin” lëmin e nënës,”Lëmi i Havasë” që e di gjithë fshati, bile krahina. Kjo na e lehtëson shumë punën e dëshmitarëve. është natyrshme që kërkon ca shpenzime për harta, për gjyq, hipotekë etj. që kuptohet do ti përballojnë fëmija nga emigracioni. Gjyqtar do të marrim Fete Zizarin se e kemi edhe krahinor dhe është bërë mjeshtër në çështje civile , i kopsit mirë gjërat dhe ta jep vendimin në dorë .Kështu u tha dhe kështu u bë. Hartat u bënë sipas oreksit se nuk kishin kufitarë duke u legalizuar nga kryetari i fshatit. U morën certifikatat në gjendjen civile që vërtetonin lidhjen me pronarin, Havanë. U sigurua një hartë topografike ushtarake që përmbante emrin “Lëmi i Havasë” dhe të dhënat, kuotat dhe formën e relievit. Kjo kishte ndodhur kur ishte bërë azhornimi fotografiv ajror me terrenin dhe kur specialisti ushtarak kishte e pyetur si quhet ky vend një fshatar ju përgjigj “Lëmi i Havasë” kështu u përfshi emri në hartë që përbënte dhe të vetmen provë dokumentare me vlerë. Dëshmitarët ishin të shumtë. Gjyqi qe formal se vërtetohej katërçipërisht dhe me unanimitet se prona i përkiste Havasë … dhe që tani u takon djemve të saj Zeqo dhe Beqo … Fete Zizari e shpalli vendimin i cili theksoi se kundër këtij vendimi mund të ankimohet brenda pesë ditësh. Pasi kaluan afatet e nevojshme Zequa dhe Bequ morën vendimin dhe vazhduan procedurat e mëtejshme duke e çuar në zyrën e regjistrimit duke marrë certifikatën e pronësisë dhe filluan ta zhvillojnë atë. Sot “Lëmi i Havasë” është një pikë turistike shumë e preferuar, falë hapësirave demokratike të fitimit të pronës. Sigurisht që po ti tregojnë gjyqtarët rastet që kanë pajisur me certifikatë pronësie kundrejt ryshfetit ky do të ishte rasti më i bazuar ligjërisht. Shakaja thotë populli gjysma së vërtetës.

    MEVLUD BUCI

    BALADË
    RROK MIRDITA –SHQIPTARIA
    (Imzot Rrok Mirdita ishte dhe mbeti modeli i rrallë i paqëtimit dhe i vëllazërimit. Drita e shpirtit dhe veprat e tij u ngjajnë pranverave për nga hijeshia, male nga madhështia, mineraleve për nga pavdekësia
    autori
    Vjen një zë prej Ulqini
    Një ninullë nga fëmijëria
    Për ty bir o dritë bekimi
    Rrok Mirdita –shqiptaria

    Rrok Mirdita –shqiptaria
    Ti je shenjti i bashkimit
    Shpirtbehari –fisnikëria
    Geni i shqipes i vëllazërimit

    Geni i shqipes i vëllazërimit
    Rrallë si ti lind dheu
    O zgalem i përkushtimit
    O stërnip-Skënderbeu

    O stërnip-Skënderbeu
    O kryelis që bleron në bahçe
    Lum e lum që të ka atdheu
    O shenjtori që mbolle paqe

    O shenjtori që mbolle paqe
    O besniku I shenjtërimit
    Veç mirësinë ti shpërfaqe
    O ballë drita e vëllazërimit

    O ballë drita e vëllazërimit
    Je si dielli, je si drita
    O Përlati i paqëtimit
    Zëhynori-Rrok Mirdita

    Zëhynori-Rrok Mirdita
    O fjalëurti për besimin
    Në brezni të rrezaton drita
    Baritor për paqëtimin

    Shkulmon Drini e ngre valët
    Vrullojnë Vjosa, Mati e Buna
    Mal ke shpirtin, diell ke fjalët
    Rrok Mirdita –ballë fortuna .

    Të shuguroi Papa Gjon Pali
    Papa Françesku të dha nur’
    Ti vëllazërimin e ke sa malin
    Ngjan me shqipen në flamur

    -Dritë ke zotin dhe flamurin
    Shpirtin ta ndriti shenjtëria
    Veprat e besa e matin burrin
    Rrok Mirdita –shqiptaria!

    Ansambli “Çipini” Vlorë, minierë e artit dhe vlerave të shpirtit shqiptar
    Nga avokat Tartar Bazaj

    Në referim të retrospektivës mijëravjeçare deri në rrjedhat e teknologjisë të kohës së sotme moderne një nga kolonat e pathyeshme që u ka bërë ballë të gjitha kohërave të vështira jo vetëm ne aspektin e mbijetesës sonë për identitet kombëtar por edhe atë kulturor e shpirtëror, qëndron edhe polifonia labe si një fosforinë e ushqimit të pazëvendësueshëm dhe rrezatim i fuqishëm jo vetëm në tërësinë e trojeve etnike shqiptare , por edhe në diasporë e cila ndriçon përjetësisht trashëgiminë tonë kulturore dhe vlerat e larta historike , duke rifreskuar periodikisht memorien tonë kombëtare. Parë në këtë kontekst , promovimi i këtyre vlerave ishte një domosdoshmëri dhe më të drejtë ishte iniciativa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani,i cili përmes një ceremonie të veçantë në pranverën e këtij viti , ka dekoruar ansamblin Folklorik “Çipini” të Labërisë me qendër në Vlorë, me titullin “Mjeshtër i Madh”, për vlerat e spikatura që ai transmeton ,nëpërmjet këngës popullore shqiptare të krahinës së Labërisë. Dhe si të mos ndihesh krenar kur këta bilbila të këngës labe në disa dekada me sakrificën e tyre kanë ngrohur çdo tryezë shqiptare, kanë ndriçuar ndjenjën tonë kombëtare,kanë kujtuar bijtë dhe bijat e mëdhenj të trojeve etnike shqiptare të cilët kanë kontribuar ndër shekuj për mbijetesë duke mbajtur gjallë atdhedashurinë me lavdinë e thurur ndaj tyre për çdo vepër të kryer në favor të kombit tonë dhe të ruajtura fort në kujtesën e brezave.
    Por, kush është ky ansambël ?
    Folklori shqiptar që në lashtësi është shquar për origjinalitetin e tij, shumëllojshmërinë e gjinive artistike sipas zonave etnografike, ku secila prej tyre sipas zonave të veçanta ka këngët,vallet, zakonet,doket dhe traditat e saj. I tillë është dhe mbetet edhe njëri prej këtyre thesareve të paçmueshme, Ansambli Folklorik “Çipini” i Labërisë me qendër në Vlorë i cili me të gjithë elementët e tij artistik, shërben si një laborator, ku prodhon dhe promovon pafundësisht për brezat në vijim, këngë, melodi, recitime dhe lavdi duke ju adresuar vlerave më të larta historike, shpirtërore dhe kulturore kombëtare dhe rrjedhimisht edhe duke i ekzekutuar më pas me profesionalizëm dhe cilësi të lartë nëpërmjet burimeve të tyre gojore. Ansambli Folklorik “Çipini” i Labërisë me qendër në Vlorë mbetet i radhitur si një nga krenaritë më të mëdha të kombit tonë për demonstrimin e paarritshëm melodioz. duke bërë paralelisht tepër të çmueshme kulturën tradicionale shqiptare me tekst të krijimit popullor dhe përpunimit gojor, të ruajtur në kujtesën e brezave të këtij kombi. Ky ansambël folklorik patjetër që ka të lidhur në dekada si një gjerdan i artë margaritar bilbilat e vetë të cilët me të drejtë u vlerësuan nga kreu i shtetit me Titullin e Lartë “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”.
    Por, cilët janë këta bilbila ?
    -Rrahmën Nuredini , Armen Vlorë me këngën e tij “C`u mbush vendi xinxërfile”.
    -Katina Beleri e Himarës , me këngën “Thëllëza që shkel mbi vesë”.
    -Ajet Duka i Delvinës me këngën , “Maja malesh Labërie”.
    -Fatbardha Hosaj (Brahimi)Kurveleshi i Poshtëm , me këngën e “Ninullës”.
    -Nazif Çela i Lapardhasë Vlorë , me këngën , “Janinës ci panë sytë”.
    -Bexhet Mahmutaj i Treblovës Vlorë , me këngët humoristike.
    -Fatosh Likoj i këngës së Dukatit Vlorë.
    -Zeqo Hoxha, i Kallaratit Vlorë.
    -Vendim Zyka dhe Kalo Bregu , përfaqësues të këngës së ëmbël të Vezhdanishtit Vlorë.
    -Profesor Shyqyri Hysi , i Kalivaçit Tepelenë me titullin “Naim Frashëri”.
    -Arap Çeloleskaj, i Vranishtit Vlorë.
    -Arap Merua i Bratit Vlorë.
    -Syrja Hodaj i Tërbaçit Vlorë.
    -Avdi Zholi i Progonatit Tepelenë.
    -Vendim Kapaj,Mjeshtri i Madh i fyellit , laurat i të gjitha festivaleve tona kombëtare.
    -Golik Jaupi i këngës Bënçore Tepelenë ,”Artist i Merituar dhe Mjeshtër i Madh”.
    Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të kthyesve brilant dhe hedhësve Nebi Xhaka Tërbaç Vlorë, Golik Lika Lapardha Vlorë, Dervish Guma Bënçë Tepelenë, Virion Laçi Mavrovë Vlorë, Syrja Brahimi Dukat Vlorë, Ladi Sheraj Vajzë Vlorë, Simon Simoni Treblovë Vlorë, Nuri Hamzaj Delvinë, Fatbardha Hosi (Brahimi) Lapardha Vlorë, Evgjeni Kicaj (Lelo) Terbaç, Vlorë dhe të gjitha zërat e tjerë që lodrojnë në detin e isos labe që buron nga jehona e maleve tona në harmoni me dallgët e detit Jon. Të gjitha këtyre zërave brilant u paraprijnë poetët e këngës labe, mjeshtrit e mëdhenj.

    *******************************************************

    Hasan Gremi

    KUJTON…!!!
    Kujton se drejt teje vrapon lavdia.
    Kur thur vargje, vargje pa shkëlqim.
    Endur pa kolor, u mungon shija
    Si në Sahara, pa oaz,, ka lulëzim?!!!

    MOS…!
    Mos e dënoni vargun që shkruaj!
    Se shtëpinë e ka në vetëdijen e vet.
    Jeton mes njerëzve, jo në dhe të huaj,
    Por kjo nuk më bën aspak poet…

    E SOTMJA…DHE E ARDHMJA
    E sotmja, s’ merr dot fluturim,
    Qendron mes kohës së stuhishme. ,
    Në heshtje qendron, si një kodrinë.
    S’ fluturon dot drejt qiellit, e furishme.
    Çirret e armdhja mes trishtimit:
    “Në glob, mbarë më pikturoni,
    Se kudo shpirtërat e njerëzimit
    janë zhuritur, tharë, më thoni!!!”

    Petrit Malushi

    Çakalli, si ujku

    Dy, katër, tetë vjet
    Qëndroi ujku në pushtet.
    Vulë e firmë në një dorë.
    Pyllin ndau me sinorë.

    Stane, vatha, përrenj,vija,
    Ca i biri, ca e bija,
    Kotecet nën hije arre
    Ua dha dhelprave kumbare.

    Rrotacioni bëri punë,
    Në pushtet çakallin vunë,
    Ulëriti gjatë fushatës
    “Ujkun, hajdutin e natës,

    Për ç’ka dhënë e ç’ka marrë
    Ta gjykojmë sa më parë…”
    Muajt ikën një nga një,
    Dhe çakalli ujk u bë.

    Komisioni i inteligjencës

    Kryetari, në bazë të kompetencës,
    Për banorët bar e drithëngrënës,
    Dekretoi komisionin e inteligjencës,
    Dhe vendosi gomarin vulëvënës.

    Vlerësime bënte vulëtari
    Për ngarkesën e pelës, shalën e kalit,
    Plugimin e qeve te ugari,
    Ecjen e mushkës përtej kanalit.

    Gjykonte dhe këngën e bilbilit,
    Zërin e ëmbël të kanarinës,
    Qenin në strehës, poshtë trëndafilit,
    Delen dhe dhinë anës lëndinës.

    Blloqet mbushte me shënime,
    Pa vulë faqet s’i linte gomari.
    Dhe dekorime e çdekorime,
    Bashkë me të bënte kryetari.

    Kamera dhe miushi

    Ruante vreshtin, vreshtari,
    Ngarkuar plot, ishte vjeshtë.
    Në anë, majë shelgut, vari
    Një kamera të vogël, të fshehtë.

    Sa ulej mbrëmja, ja miushi,
    I pickonte frutat me radhë,
    Mollë, fiq edhe kokrra rrushi,
    Dhëmbët i ngulte përmbi dardhë.

    “Cila është më e ëmbël, më e pjekur?…”
    E pyeti ketri, kur e pa te shtegu.
    “Betohem, një kokërr s’kam prekur…”
    “More, kokën ktheje pak nga shelgu…“.

    Lepuri i droguar

    Poshtë kroit një parcelë,
    Ku rrugica ndan dy fusha,
    Me spinaq e lakra mbjellë.
    Fshihej lepuri te gëmusha.

    Një hajdut kaloi ndaj nate,
    Disa pako fshehu nën gjethe.
    U sul lepuri me nuhatje,
    U trullos, e mbuluan ethe.

    Pak më tej lehte zagari.
    Trimi lepur, mendje dhogë
    Tha “Ka frikë nga unë qyqari…”
    Pakot kishin qenë me drogë.

    ***************************
    Bedri Alimehmeti

    Lasgushi dhe Tirona
    -Tregim-
    Kisha disa ditë që puna nuk po më ecte. Ulesha në tryezë i vendosur që nuk do të ngrihesha pa i dhënë fund edhe një tregimi. Por, qe e pamundur, më kot mundohesha, gjithçka hidhja jo nuk më pëlqente, por nuk më ngjiste fare. Shkurt ndihesha i shqetësuar e i mërzitur ngaqë po vononte përfundimi i ciklit “Tregimet e Tironës”, të cilëve në këtë vëllim të parë ua kisha taks numrin nëntë. Kaq kishte qenë dëshira ime e kahershme. Ndërkohë kisha përfunduar tetë prej tyre, disa nga të cilët i kisha botuar në shtypin letrar, dhe kisha ngecur. Jo se më mungonin subjektet, përkundrazi në shënimet e mia kisha disa projekte të cilët, edhe pse i nisja, e kisha të pamundur t’i çoja deri në fund. Ndaj në shtjellën e këtij shqetësimi, sidomos ngaqë nuk po arrija ta bëja librin gati në kohën e duhur, u sorollata atë ditë nga njëra kafene në tjetrën, derisa tek po shëtisja bregut të Lanës u përballa me një shokun tim të fëmijërisë. Kishim vite pa u takuar, ndaj e patëm të pamundur të shkëputeshim nga njëri tjetri, pa ndenjur e biseduar gjatë. Zumë vend në një kafene aty pranë dhe nisëm bisedën. Ai kishte kohë që më ndiqte në shtyp, në radio e në televizor, madje i kishte lexuar të gjithë librat e mi, dhe në fund të ligjëratës më pyeti se, çfarë kisha në dorë? I tregova, madje i shpreha edhe shqetësimin, që jo pak po më mundonte ato ditë, teksa ende nuk po e çoja deri në fund atë çka i kisha vënë detyrë vetes, dhe kur i thashë për titullin e librit të ardhshëm, atij i bëri përshtypje ndaj më pyeti: “Përse ju tiranasit i thoni Tirona dhe jo Tirana qytetit tuaj?” Atëherë u detyrova t’i rrëfeja këtë histori. Të njëjtën pyetje thuajse si kjo e jotja, i thashë ia kishte bërë një ditë Lasgush Poradecit edhe miku i tij, arkitekti Petraq Kolevica, që nuk harronte ta vizitonte shpesh në atë banesën e thjeshtë në atë lagje periferike të Tiranës, ku banonte poeti ynë i madh. Për mua Lasgushi është padyshim një nga mendjet më të ndritura, që ka nxjerrë ky komb. Ai shkroi pak, por na la shumë. Lasgushi vërtet nuk ishte nga Tirana, por fakti që ai kaloi në këtë qytet një pjesë të mirë, ndoshta më shumë se gjysmën e viteve të jetës, pa thënë se gjatë gjithë kësaj kohe jetoj mes tiranasve, në një shtëpi të familjes së nderuar Mumajesi, në lagjen “Xhamia Sherif” (sot lagja nr.1), ku bashkë me ta përballoi halle e vështirësi të panumërta, teksa përkulur dite natë mbi makinën e shkrimit, për të siguruar bukën e gojës duke na sjellë në shqip poetët më të mëdhenj të botës, “ky hamall i përkthimit” siç e quante ai veten, bëri të mundur krijimin e shumë fijeve të padukshme, që e lidhën përjetësisht me banorët e kësaj treve të begatë e të pafund në vlera njerëzore. Madje, ai i deshi shumë, por edhe ata ama e nderuan dhe e respektuan pamasë. Kudo që ta shihnin e përshëndetnin, qëllonte të ishte me një trastë në dorë, sigurisht pasi kishte psonisur diçka, ia merrnin nga dora dhe ashtu duke biseduar me të e përcillnin deri te porta e shtëpisë. Kur ia ndjenin trokitjen e bastunit nëpër pllakat e trotuarit ndaleshin dhe i hapnin udhën, teksa ai u dhuronte pambarimisht buzëqeshje të këndshme. Mahniteshin sidomos nga pamja e tij ngazëlluese në ditët e para të pranverës, kur pemët çelnin lule, zogjtë cicëronin gazmorë dhe mimozat të dehnin me kundërmimin e tyre, teksa Dajti dukej sikur i afrohej edhe ca më shumë qytetit, tek e shihnin të ecte i rinuar brigjeve të Lanës me kapelën karakteristike dhe pardesynë e hirtë shtrënguar në mes. Në raste të tilla nuk i afroheshin, e linin ashtu të qetë në përjetimin e atij meditimi poetik. Sigurisht e ndjenin që poetin tashmë se ndalte kush nga shuarja e atij përvëlimi të pakrahasueshëm malli për liqenin dhe qytetin buzë tij. Madje, e dinin që edhe pak ditë, ja sa të ngrohej ca moti, ai do të merrte rrugën për të mbërritur sa më parë atje. Dihet nga të gjithë, Lasgushi gjashtë muajt e dimrit i kalonte në kryeqytet, kurse gjashtë muajt e verës buzë “gjolit” në Poradecin e tij të dashur, të cilit i tha gjithnjë kështu dhe kurrë Pogradec. Gjatë kohës kur ishte në Tiranë e vizitonin herë pas here shokët e miqtë e tij të pendës: Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Eqerem Çabej, Andrea Varfi, Petro Marko, Mustafa Greblleshi, Sterjo Spasse dhe Petraq Kolevica. Këta ishin miqtë e ngushtë të Lasgushit, të tjerë nuk qaste në shtëpi. Kur puqeshin të gjithë tok dhe biseda ngrihej në nivele të atillë, që do t’ia kishin zili edhe profesorë të shquar universitetesh, tiranasi Mustafa Greblleshi, të cilin poeti e donte aq shumë thoshte gjithnjë: “Kjo është Akademia Lasgush Poradeci”.
    Vetëm pak pasi ishte kthyer nga një shëtitje e tillë, kishte mbërritur atë ditë Petraq Kolevica, që pasi i tregoi disa poezi të përkthyera nga gjermanishtja në bisedë e sipër i tha:
    – Ama dhe këta tiranasit, nuk ia thanë një herë tamam emrin Tiranës, qytetit të tyre, por gjithnjë Tirona, Tirona!
    Lasgushi e kishte parë gjatë në sy dhe më pas i kishte dhënë këtë përgjigje:
    – Që duhet ta kenë një arsye që i thonë Tirona e jo Tirana qytetit të tyre, unë nuk e diskutoj. Them kështu sepse, e di mirë që ky popull bujar ka qindra vite, më saktë shekuj që e quan kështu qytetin e tij. Dhe arsyeja kam mendimin se vjen pikërisht nga thellësia e shekujve.
    Arkitekti qe stepur për një çast, aq më tepër kur kishte vënë re që nga sytë e poetit kishte nisur të fekste vezullimi i një drite të paparë. Gjithçka ishte e qartë, “masati” mendjes së tij pritej të shkëndijonte sërish, madje edhe më fuqishëm. Ty të shqetëson shumë mbaresa ‘ona’, por duhet të dish që Perëndesha e lashtë e ilirëve, pra e të parëve tanë ishte Dodona. Madje, enkas për të ata ndërtuan tempullin e Dodonës, ku vinin e i faleshin për ditë. Në jug të Shqipërisë kemi një qytet shumë të bukur buzë detit, mu aty ku ndahen dy detet e mrekullueshëm Joni dhe Adriatiku. Ai qytet sot quhet Vlora, por emri i tij i lashtë është Aulona. Po të shkojmë në veri dhe të ngjitemi në alpe, atje mes Bjeshkëve të Namuna kemi një lumë me bukuri përrallore, që quhet Valbona. Pra, edhe këto emra me ‘ona’ mbarojnë. Dhe ne na pëlqen dhe i duam shumë. Por nuk mbaron këtu llafi im. Po të kalosh detin Adriatik dhe të zbresësh në brigjet italiane ke një qytet mjaft të bukur, që mban emrin Ankona. Kurse në veri të Italisë gjendet një qytet tjetër me emrin Verona, qyteti i Romeos dhe i Zhuljetës. Dhe italianët me sa di deri më sot, nuk janë jo shqetësuar por, as ankuar që emri i qytetit të tyre të mrekullueshëm mbaron me ‘ona’. Pas kësaj Lasgushi e ndali fjalën dhe mori frymë thellë. Kundërmimi i aromës së selfijonit ose borzilokut të sapoçelur, siç i thoshte ai nëpër vazot e radhitura me kujdes anës murit, ia zgjeroj edhe më shumë kraharorin. Arkitekti i zënë disi ngushtë pandehu se poeti kishte mbaruar dhe desh të shtonte diçka, por ai ia bëri me dorë të priste.
    – Nuk kam mbaruar, kam edhe më. – shtoi poeti – Po të përmend edhe dy emra qytetesh nga më të bukurit në Europë. Madje, njëri prej tyre është kryeqytet, Lisbona dhe tjetri Barcelona. Po gjithsesi këtë herë do të jemi sërish në Shqipëri në dheun e Arbrit, ku plot vajza të bukura quhen Elona, Bleona, Jona, Edona, Emona, Ermiona etj. Gjithë këta emra bukurish të rralla vijnë nga lashtësia dhe mbarojnë me ‘ona’. Dhe neve na vjen mirë, dhe i gëzohemi pamasë yllësisë së tyre. Ndaj dhe ky popull i urtë e punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana, por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne. Unë kaq di të them, të tjerat kanë për detyrë t’i bëjnë historianët, arkeologët e gjuhëtarët, të cilët duhet të hulumtojnë, të kërkojnë e të gjejnë arsyen e vërtetë. Kaq kishte nxjerrë nga “masati” Lasgush Poradeci dhe kishte heshtur.
    Brënda pak çastesh, në mënyrë të habitshme perceptimi i tij qe zhytur në thellësi të paimagjinueshme e të mistershme të shekujve, duke vërtetuar kësisoj edhe një herë potencën e pakrahasueshme që karakterizonte analizën e tij zhbiriluese prej gjeniu.
    – Tregim i bukur shumë! – foli bashkëbiseduesi im.
    – Cili!? – i thashë i habitur.
    – Ky që sapo më tregove. Dhe kot e vret mendjen për të shkruar tregim tjetër. Ja tek e ke. Siç ma tregove, shko e hidhe në letër. Madje, me të do të parandalosh kundërvëniet, me që ke përdorur në vend të Tirana, Tirona. Shoku kishte plotësisht të drejtë. Ndaj dhe unë, merreni si të doni e vendosa këtë histori si në vend të një “parathënie”, në krye të këtyre tregimeve për Tironën. Por, pa harruar kurrsesi t’i përulem në këtë rast me respekt madhështisë së fjalës lasgushiane. Faleminderit poet i liqenit. Nderim për ty Lasgush Poradeci “shterg i fundit” i poezisë së vërtetë shqipe, që aq shumë i deshe tiranasit e mi.

    Isa Alibali

    PREMTIMI I MADH I NJË FËMIJE
    Kush ka qenë në Edrene të Turqisë, pa tjetër ka ndier emocione të veçanta kur ka kujtuar apo ka marrë vesh se aty, në atë qytet, kanë jetuar e studiuar Skënderbeu e Fan Noli…
    Xhamia e madhe e Edrenesë (Adrianopoja e dikurshme), me 999 dritare, me 4 minare të vendosura në mënyrë të atillë, që prej së largu, në rrugën e drejtë, të duken dy, është ndërtuar nga mjeshtrit muratorë shqiptarë nga Qyteza e Kolonjës. Pasi e përfunduan, muratorët shkuan me banim në fshatin Ibrik-Tepe dhe mbetën aty brez pas brezi, duke vazhduar ta quanin gjithnjë “Qytezë”. Në këtë fshat, në vitin 1882, lindi Theofan Stilian Noli, një nga figurat më të shquara të historisë, kulturës e letërsisë sonë kombëtare…
    Ishte viti 1890. Noli ishte 8 vjeç. Nuk kishte as dëshirën më të vogël të shkonte në shkollë, jo pse i mungonte zelli, por sepse nuk dinte asnjë fjalë greqisht, ndërsa mësimi bëhej krejtësisht në këtë gjuhë. Apo s’ishte mësuesi, një njeri i egër, që të shtinte frikën aq shumë, saqë ta bënte shkollën tepër të padurueshme.
    – Theofan, shko në shkollë të them, nuk të lë unë pa vajtur atje. – i thoshte gjithnjë e ëma. Ai bënte sikur nisej, fshihej nëpër rrugët apo livadhet e fshatit, por në shkollë nuk shkonte. Kur e ëma e mori vesh këtë, u zemërua shumë. Ia dinte zgjuarsinë dhe nuk kishte ndër mend ta linte pa shkollë e të bëhej bari dhensh. Po si t’ia bënte? Si ta detyronte?I shoqi, Stiliani, nuk kishte kohë të merrej me fëmijët, nga punët e shumta që kishte për të siguruar kafshatën e gojës, si i thonë fjalës. Gjithë barra e edukimit të fëmijëve i kishte rënë së ëmës së Nolit. Djali i madh, Dhimitri ishte rritur ca dhe kishte marrë qerren e ndihmonte të atin. ”Po me këtë tjetrin çfarë do të bëjmë?” – mendonte.
    Shpesh i dilte gjumi natën dhe mendja i shkonte te i vogli, Fani: “Si ta detyroj të shkojë në shkollë?” pyeste veten. I kishte provuar të gjitha mënyrat, por pa dobi. Një ditë i shkrepi në kokë një mendim. “Po, po, kështu do të bëj!”- tha me vete e vendosur. Mori një thes dhe e detyroi të birin të futet brenda. E ngriti thesin mbi shpinë dhe, ashtu e ngarkuar, u nis për në shkollë.
    – Ja, zoti mësues, e solla Fanin – i tha ajo mësuesit të rreptë – por ju lutem mos e rrihni, se nuk kam fuqi ta sjell çdo ditë mbi kurriz…
    Mësuesi e pa i habitur, por nuk bëri zë. Duke e ditur natyrën e Theofanit, tha:
    – Zonjë! Qëndroni edhe ju me të në klasë.
    Nënë e bir u ulën në një bankë.
    Ajo ishte tepër e lodhur. Kishte kaluar një natë plot shqetësime. Dhe ja tashti, të sillte të birin ashtu mbi kurriz…E të qëndronte në klasë e të dëgjonte fjalët e mësuesit, që shumicën nuk i merrte vesh. E zuri gjumi në klasë. Fani i vogël e pa të ëmën në atë gjendje. U prek shumë. Iu dhimbs pa masë, aq shumë, sa që mori një vendim:
    -Mama, shko në shtëpi më mirë, – i tha me një zë lutës, sapo e zgjoi lehtë e me ëmbëlsi.
    – Shko, mos kij merak, do të rri edhe pa ty. Të jap fjalën. Do të bëhem nxënës i mirë. Shko tani…
    Ka qenë ndoshta premtimi më solemn që është marrë ndonjë herë nga ndonjë fëmijë.
    Fan Noli e mbajti fjalën. Ai mbeti një nxënës i përjetshëm, sa që edhe në moshën 82-vjeçare kreu një kurs të gjuhës aramaike në Universitetin e Bostonit…
    “Duke mësuar jetën e një autori, mund të kuptosh më mirë veprën e tij” – shkruan më vonë vetë Fan Noli.
    …Kaluan vite. Noli dëshironte të vazhdonte gjimnazin. Po ku?! Në fshatin e vet nuk kishte shkollë të mesme. Vetëm në Edrene. Po ai qytet ishte larg, shumë larg. Duhej bërë sakrifica. Pak në këmbë, pak me tren, rruga duhej kaluar dy herë në ditë. Shpesh udhëtonte vetëm. Ku s’i shkonte mendja. Por kur prej së largu shihte qytetin ku kishte studiuar e jetuar i madhi Skënderbe, zemra i mbushej me dashuri e nderim për njeriun e shquar të kombit. Në ato momente, tregimet e gjyshit për Skënderbeun i vinin në mendje aq të gjalla, sa nuk ishte në gjendje të çlirohej prej tyre.
    Në shkollë u bë një grevë. Fani qe një nga më aktivët. I dinte pasojat që do të kishte. Prandaj vendosi të veprojë: Të largohej sa më parë nga Turqia.
    I zhytur në mendime të turbullta të pasigurisë, me shpresën të gjejë rrugëdaljen apo vetëshpëtimin, një shkëndijë drite apo shkëlqimin e shpresës, ai vendosi të vihej në kërkim të botës shqiptare!
    Filloi përgatitjet, i palëkundur për hapin vendimtar. Por, një ditë më përpara e zunë ethet. Ethe të forta. Ç’të bënte?! Të qëndronte ishte e pamundur. “Vallë, si do të bënte Skënderbeu në një rast të tillë?!” – pyeti shpirtin e tij të shqetësuar. Ndërgjegjja e tij prej të riu u përgjigj: “Atë nuk mund ta ndalonte asgjë!”. Dëshironte ta imitonte prijësin legjendar. Por ndryshe. Me sa dukej e ndiente se kishte lindur për tjetër gjë. Vetëdija e tij prej të riu, ndonëse e tensionuar, e ftonte të ishte më i vendosur e më këmbëngulës se kurrë…
    Të nesërmen, megjithëse i sëmurë, u nis. Gjithë fshati doli ta përcillte. Pse?! Mos vallë kishin parandier se po përcillnin njeriun e së ardhmes?!
    – Mos qëndro gjatë në Athinë, hidhu pastaj në Shqipëri – i tha një nga luftëtarët më të shquar të Ibrik-Tepesë, Gjergj Kapidani, kur po e përcillte.
    – Shqipëria është atdheu ynë i vjetër, ajo ka nevojë edhe për ne! Shko atje dhe bëj ç’të mundësh për të mirën e këtij vendi, e vendit tonë…
    Dhimitri, i vëllai, nuk mund të përmbahej nga ngashërimet e kësaj ndarjeje tepër mallëngjyese.
    – Shpejt tani, hip në qerre, sepse treni nuk pret, – i tha ai me sy të përlotur.
    Tundi kamxhikun e qerrja niset. Skena prekëse e nisjes së Fanit nga njerëzit e afërt u kapërcye. E pushtoi të tërin ëndrra dehëse e ikjes, e largimit…Për sa kohë vallë?
    Fan Noli kurrë më nuk u kthye në Qytezë, në Ibrik-Tepe.

    Pajtim Graci Kolonja

    Unë dhe ti
    Unë çaloj dhe ti hedh valle
    dhe sikur të mos mjaftojë
    për këtë kuje të madhe
    zoti madh të me dëgjojë

    Unë i shtrirë, dhe ti ne këmbë
    më godet fortë, pa mëshirë
    dhe sado që të më dhëmbë
    ti gëzohesh, të vjen mirë

    Unë rënkoj, e ti po qeshë
    pa menduar sa po vuaj
    sado katil që të jesh
    me plagën time mos luaj

    Unë kam ftohtë, ti hedh ujë
    dhe sikur të mos shikoj
    vdekjen ime pa shumë bujë
    lutesh dhe shume do ta doje….! .

    Gjirokastra jonë
    Qyteti i gurtë, gjithnjë rrezaton
    Përballë Çajupi, si kështjellë qëndron
    Mbartë me vete, histori e legjenda
    Çdo gur të lëvizësh, xhevahir gjen brenda
    Çajupi sërish qeleshen e vuri
    Ftoi Nemërçkën, dhe vallen e zuri
    Mali i gjerë, si mburojë qëndron
    Me një zë të ëmbël labçe këndon
    Në iso hyjnë malet e tjerë
    E nga dëbora s’kanë qeder
    Kështjella e lashtë, krahët i shkundi
    Hyri ne valle dhe shaminë e tundi….

    Kush mi vrau ëndrrat!

    Shpesh herë pyes veten
    A kam të drejtë
    Që ëndrrat më treten
    Papritur kaq shpejtë ?!

    Ëndërr kjo si gjithë të tjerat
    Për të qenë dhe ne si gjithë Europa
    Aty ku bashkohen kulturat dhe vlerat
    Si çdo shqiptar, premtime u ngopa !

    Kush është fajtorë për ëndrrat e mia
    Banditë e horrë, plot Shqipëria
    Kush më ndau mua prej saj
    Dhe sot premton të më bashkojë !

    Nuk kam ndërmend fare ta shajë
    Por kam nevojë, sot ta dëgjojë
    Kush e shiti shpesh herë vendin tim
    Kush u bê pjesë me ta në pazare ?!

    Jam kurioz të di, a mori ndëshkim
    E nëse po, ku janë ato varre
    Kush e shkatërroi sërish vatanin
    Edhe këta 25 vjet
    Kush gjeti, e ndëshkoi tiranin ?!

    Që balta kurrë mos ta tret
    Kush për ëndrrat tona është fajtorë
    I vret çdo ditë pak nga pak
    Askush s’ka guxim të ngrejë dorë !

    Edhe pse i mbushur i gjithë me gjak
    Mos vallë ai që lotët ti fshinë
    Mban në dorë thikën maskuar
    Që lutët e përgjërohet për perëndinë
    Me gjakun tënd është krijuar….?!

    Niko Gjoni
    ANKESAT E DESIT
    -Tregim-
    Desi ankohet për çdo gjë, por më tepër ankohet për Lefterin. Vitet e para të martesës ishin mirë, por më vonë ai afrimitet mes tyre sikur s’ishte më i pari. Desi punonte si mjeke psikiatrie, por sëmundjes së Lefterit s’po ia merrte fillin. “Si u bë ky burrë kështu. I iku burrëria, thoshte Desi. E vizitoi tek shumë mjek, por nga të gjitha analizat që bëri doli se nuk kishte asgjë.
    -Ndopak stres. Jepi ushqim me proteina që të ketë forcë. Burri është burrë, i tha një kolege.
    -Pa shiko se mos shkon me ndonjë tjetër dhe kur vjen tek ty të kthen kurrizin, i foli si mënjanë një tjetër mjeke që këtë problem xhelozie e kishte me burrin e saj”.
    -S’është Lefteri im nga ata burra. Është njeri i ndershëm. po dhe ta lër aktiviteti seksual në këtë moshë sikur nuk është parë e dëgjuar…”.
    Në shtëpi të Desit filloi trajtimi me mish viçi, koka dashi lë pjekura, veshka e bole dashi të pjekura. Nga këto përveçse u shëndosh dhe e zinte gjumi shpejt, nuk kish parë ndonjë ndryshim.
    -Moj Desi, çoje tët shoq tek Dervish Hatixheja se mos e kanë lidhur nga poshtë hijet e Tolomatit dhe nuk ka faj i shkreti. Ka ndodhur dhe me të tjerë dhe kanë gjetur derman në vende të mira. Një shoqja ime i çoi mbathjet dhe kanotierat te Kisha e Laçit, i la aty për disa ditë… Nuk ke pse ta lësh tët shoq të plakur para kohe…Kaluan dy e tre vite e gjendja e Lefterit e njëjtë. Ku nuk shkoi Desi, sa andej-këtej nëpër doktorë edhe fallxhore, famulli e kisha katolike dhe ortodokse, tek njerëz me zë të fesë myslimane dhe budiste, deri dhe tek hebre, dhe priste të jepnin rezultat.
    -Boje synet se ai më duket është kaur. Mbase lafsha i jep siklet dhe synetllëku mbase e lehtëson”. Edhe Lefteri u bind për këtë. U bë synet nga një mjek kirurg i njohur i familjes. E ndezën magnetofonin që llamburiste duke shpërndarë zërin e Bledi Xhomllëkut si fillim dhe më pas u shtrua sixhadeja dhe u derdh birra dhe rakia lumë. Një muaj i bën hysmet të paparë. Ia mjekonin “rrushin” dita-ditës, ia lanin me permanganat dhe i bënin masazh. U duk se filloi të rigjenerohesh pak nga pak.
    Duke biseduar me dy shoqe farmaciste, Desit iu duk se halli i mori fund.
    -Për këtë e vret mendjen ti… Po ka zgjidhje shumë here më të mira. As siklet, as infeksion, as peshë. E bën rehat, rehat…
    Këtu biseda mes tyre u ndërpre sepse Desin e thërret e kunata dhe ajo largohet.
    -Sikur jam mirë moj grua. Ta bëjmë një here… Të dy kemi nevojë për orgazëm… i tha Lefteri.
    Desi e shikonte me mëdyshje.
    -Je i pashëruar mirë more burrë…
    -Epo s’është plagë plumbi…
    Hëngrën bërxolla mishi e pinë vera, sa erdhën të dy në qejf. Pastaj u rrokullisën në krevat dhe mes përqafimesh dhe puthjesh, arritën deri në seks. Nga plaga ende e pambyllur doli gjak por Lefteri as që desh t’ia dinte për këtë. Lëngu i vaginës po i digjte po ai bëri ç’bëri, duroi derisa arriti në orgazëm…
    Iu desh dhe një muaj për tu mbyllur plaga. Shkoi në farmaci për të blerë ilaçe për këtë, por shoqja e saj farmaciste i tha:
    -Më dëgjo. Të thash se ke zgjidhje të rehatshme, pa dhimbje e pa telashe. E fillova këtë muhabet para dy muajve por ti s’je dukur që atëherë. Burrat janë më të mëdhenj në moshë, janë zbardhur dhe rrudhosur, janë pjerdhur nga veshët, nuk shohin nga sytë, me dy-tre lloje syzesh shikojnë, por ama seksin nuk e lënë pa bërë… Tani ta mundëson mjekësia.
    Desi po e shikonte e habitur dhe nuk u besonte veshëve.
    -Ka penis artificial. Të paktë, por të saktë… Si ia bën kur vjen në qejf….?
    -Si ia bëj…? Masturbohem… dhe sa më shumë masturbohem, aq më shumë më rritet dëshira për seks… dhe qeshën. Farmacistja po e shikonte me vëmendje: Si s’më beson. Janë me dimensione të ndryshme dhe me pompime lartë e poshtë, majtas e djathtas që të sjellin në orgazëm disa herë…
    Desi përsëriti se një gjë të tillë s’e kish dëgjuar.
    -S’e ke dëgjuar sepse s’ia ke pasur nevojën… Po mos kij as turp dhe as frikë… Është më i mirë se origjinali… Eja pas dy ditësh ta marrësh…
    Desi nuk mund ta diskutonte me të afërt këtë problem, por shkoi tek një nga shoqet e saja të hershme dhe i fola hapur.
    -Po shkojmë bashkë… Më duket një zgjidhje e mirë. Hë, se po të shkoi ty mirë do t’i bëjmë pazar farmacistes tënde dhe të mirë. Pak gra ka që nuk bëjnë dot seks, se burrat kanë mbaruar, dhe qeshi.
    Atë mëngjes të dyja krah për krah u nisën për në farmaci. Papritur filloi një shi i rrëmbyer.
    -Kthehemi, shkojmë-një ditë-tjetër, tha- Desi.
    -Jo, nuk i dihet. Do të ketë apo jo… Ti e ke porositur dhe sikur gurë të bien nga qielli do shkojmë ta marrim. Të shohim si është ky artificial!. Se po të shkoi për mbarë do të blej dhe unë një ta kem… Kur më teket, e kam në shtëpi… Kështu i bëj dhe naze burrit. Ka lezet apo jo…Desi buzëqeshi. Kish të drejtë shoqja… Ç’të priste më…! Ndalën para një shitësi ambulant dhe blenë nga një çadër.
    -Do t’i kemi kujtim dhe këto çadra. nga dita kur blemë atë që na duhet më shumë, tha Desi.
    Nxituan dhe pas pak u ndodhën në farmaci. Farmacistja, shoqe e Desit i mirëseardhi.
    -Edhe për shoqen?,-pyeti.
    -Tani për tani, nuk e di të shikoj se si ndihesh me këtë timin…
    Farmacistja zgjati një kuti ku ai ishte i ambalazhuar.
    -Shko në dhomën e provës në fund. Ndiz dritën për të qenë më mirë.
    Desi e merr dhe futet në atë dhomë. Zhvishet nga poshtë dhe e lyen atë me xhel. E fut në vaginë dhe avash-avash kur i shkon deri në fund, ajo ndez çelësin. Aty fillojnë veprimet e programuara…
    “Oh… oh. Lefter, vdiqa fare. Sa qejf, sa qejf. Kam kohë pa e shijuar këtë”… U dëgjua një pasthirrmë e fortë.
    -Po kjo ç’është ?-pyeti shoqja farmacisten.
    Farmacistja e vështroi duke buzëqeshur.
    -Është ajo që kalojmë të gjitha kur bëjmë seks me burrat tani, orgazma…
    Pas pak Desi del nga dhoma e provës duke thënë se ishte një zgjidhje e mrekullueshme. Pagoi, falënderoi përsëri dhe të dyja dolën nga farmacia.
    -Këtë aparat nuk duhet ta mësojnë vajzat e reja… Harrojnë pastaj për të krijuar familjen, tha shoqja.
    -Familja është familje,qejfi është qejf…
    -Nejse, unë kështu mendoj… Nuk është dhe i shtrenjtë. Zgjidh punë për të gjitha gratë… Eh, ku ka arritur shkenca, sa përpara është bota…Kur janë të dy me Lefterin në shtëpi dhe i duhet të përdorë aparatin, futet në tualet apo kyçet në dhomë dhe ndez çelësin. Dëgjohet zhurma karakteristike e tij. Kur del që andej Lefteri pyet:
    -Po kjo zhurmë nga vjen, moj Desi?
    -Është fshesa e re me korent. Është zhurmë e ëmbël apo…
    Kaluan ditë dhe muaj. Desit filluan t’i skuqen faqet dhe jeta i mori kuptim nga ai vibrator që zëvendësoi shumë mirë Lefterin për seks. Për atë Desi kujdesej shumë. Të ishte i pastër dhe i dezinfektuar. I vendoste në kuti në një nga sirtarët e komodinës pranë shtratit të fjetjes. Desi i tha Lefterit se do të ishte më mirë të flinin në dy dhoma. Kjo do të bënte që secili të flinte rehat. U dobësua Desi nga harxhimi i kalorive. Hoqi brenda dy-tre muajve dhjamin e tepërt. Shoqet dhe të afërmet filluan ta pyesin:
    ” Çfarë diete përdor moj Desi. Je bërë si njëzetë vjeçe. Të ka rënë një nur si në nusëri…
    “Asgjë, thoshte Desi, ndofta mosha, geni im…
    Po kish nga ato gra në lagje që e dinin se Lefteri ishte me problem, duke hyrë në thashetheme thoshin: – E shkreta. Vuri merak për burrin. Kjo e ka dobësuar.
    Dhe thashethemet shkonin më larg.
    “E di unë. Ka shkuar në vende të mira ajo dhe i ka bërë derman burrit. Nuk thonë kot, seksi të rinon. Kjo do të jetë e vërteta…Desit i vinin në vesh të gjitha këto fjalë dhe mendonte e lumtur.
    -Rëndësi ka që unë e kam një Lefter të vogël që më sjell në qejf… pa gratë le të mendojnë si të duan…”.
    ***************************************************************
    Adem Zaplluzha

    TI KOT PRET TE URA

    Kot po pret ura
    Ajo nuk do të kthehet
    Por as ai
    Ne do ecim nëpër zbrazëtirën e etjes
    Do të ecim me ëndrra prej oreoli

    Nëse mbërrimë deri atje
    Për ku jemi nisur
    Ku nuk na pret askush
    Do gjejmë dromcat e grimcuara
    Të një zhgjëndrre
    E cila më nuk dihet
    Se si jeton

    Ti kot pret te ura kotësinë tënde
    Njerëzit shumë herët kanë ikur
    Nga ky qytet
    Edhe të vegjlit po e marrin
    Dynjanë në sy

    Ti kot e pret Godonë
    I cili kurrë nuk është nisur
    Për në takim me vetveten
    Ti kot po pret te ura e Gurit
    Urën e fëmijërisë
    Miku im i moçëm.

    POR NE PRAPË SE PRAPË JETONIM

    Ishte koha kur vitet i fshihnim
    Pas buzëve të pa puthura
    Dhe loznim me guralecët e larmë
    Si me duart e thyera të erës.

    Mbi kokat tona perënditë pagane
    Si sogjetar të palodhur
    Na shikonin me lakmi
    Perëndimi vdiste deri sa lindja
    Zuri të vuante nga shtërzimet.

    Vitet kalonin si uji i kthjelltë
    Nën urat e Lumëbardhit
    Po ashtu edhe nuk ktheheshin pas
    Joni mbytej në stërkala lotësh
    Ngufatej me makthet e trishtimeve.

    Dimrat ishin të gjatë
    Kurse netët pa bukë përbiroheshin
    Nëpër vrimat e ndryshkura të gjilpërave
    Ulliri i verdhë thahej në degë
    Pjepri i papjekur çahej në shtatë pjesë.

    SHPIRTI I KUJT KËNDON SONTE?

    Edhe sonte si netëve të tjera
    S’kisha mundësi me mbërri
    Me i ndezë të gjithë qirinjtë
    Që ishin shukur
    Në varret e vjetra.

    Nata ishte e gjatë
    Si ajo natë e dikurshme
    E thikave të çmendura
    Por unë sërish nuk isha në gjendje
    T’i ndezi qirinjtë e shukur.

    Sa herë që ndizja një copë eshke
    Në njërin varr
    Shuhej në varrin tjetër
    Kjo ishte një lojë e pashmangshme
    Mes flakës së verdhë dhe njeriut.

    Poshtë te pemët si një selvi
    Më pret një qiri i ndezur
    Shpirti i kujt i këndoi sonte
    Psalmet tona sa arkaike
    Po aq edhe pagane.

    SI BYKU I KALLIRIT, NOTOVE NË JETË

    Miku im kurrë nuk kemi qenë
    Më afër njëri – tjetrit
    Unë këndej murit
    Pranë një kove të vjetër urinimi
    Kurse ti andej pasqyrës
    I kreh flokët e tua të pispillosura.

    Të kujtohet kur ishim në bankat e shkollës
    Atëherë patëm një qëllim
    Mendimet tona në secilën ecje
    Puqeshin me ditët që i ëndërronim
    Kurse sot
    Na ndan një mur i akullt.

    Unë këndej dritareve të ftohta
    E ti andej kangjellave
    Të ndryshkura
    Një botë e tërë me poshtërsi
    Shtrihet mes nesh.

    Si të turpëruar po i fshehim mendimet
    Unë mbeta si përherë
    Po ai adoleshent kokëfortë
    Kurse ti miku im
    Si byku i kallirit të kalbur
    Notove në jetën tënde të pshurrtë.

    Namik Selmani
    Pranvera e fjalës matjane
    Duke shfletuar antologjinë poetike “ Udhëtim me pranverën” me poetët matjanë hartuar nga poeti Hamdi Hysuka

    Ata janë aty,
    Me thinja, me kaçurrela a me fjongo vajzërore
    Në stacione bote shkojnë ku iu vulosen pasaporta
    Me Matin e tyre me vete që iu jep një frymë shenjtërore
    Me kurora lulesh të tij që nuk ua jep as bota

    Ata janë aty,
    Me ca fjalë ëmbëltore, të brezave mençurorë të shkronjës
    Me një Testament të pashkruar nga Budi i thinjur
    Me Matin në zemër ecin si udhëtarë të palodhur të kohës
    Me një trastë kujtimesh a me një ëndërr të palodhur.

    Ata janë aty,
    Shëmbëlltyra e Luginës ku gëlon kënga, vallja e jeta
    Ku skuqen mollët e fytyrat bukuroshe të vajzave
    Ku ëndrrat janë si prozhektorë ndër zemra
    Ku djersa e bujkut çurgon e ndershme mes brazdave.

    Ata janë aty,
    Jo si udhëtarë me plumba a me shpatë në dorë
    Jo si Magelanë që zbulojnë një kontinent të ri
    Janë matjanët e urtë që jetën kaq shumë e duan
    Janë gurra me rreze që buron në çdo poezi

    Aty do të mbeten,
    Filizë të një pranvere që ka vetëm aromë matjane
    Filizë të një kënge që është binjake me diellin
    Që nga pragu i nënës gjer tek Bota e Madhe
    Mbeten pjesa e SOFRËS që matet me qiellin

    Kozeta Zavalani (Qirjo)

    Në krijim

    Përtej botës magjike të dashurisë
    e shformuar në trajta të përçudnuara,
    zvarritem nëpër pragje portash
    pa e prishur drejtpeshimin e jetës,
    ku nuk ekziston asgjë e lëndët,
    veç një bote eterike,
    ku çelin gonxhet e imagjinatës.
    Në pllajën e grimcuar të fjalëve,
    gjykimet thërrmohen,
    ndjesitë shumëfishohen.
    Si plagë e hapur
    shuhet në lëngatë papunësia
    kësaj dite të mekur,
    të turbullt, si vegimet.
    Unë çohem errësirës së horizontit,
    ngjyej në jeshile shprese
    konturet e petkut të trishtimit,
    duke kthyer dhimbjen e thellë,
    në një simbiozë përthithëse
    të logjikës së përçartur,
    në erën e lehtë nanuritëse,
    që luan simfoninë magjike
    në virgjërinë e përjetshme të krijimit.

    Porta e shpirtit

    Ndonjëherë më ndodh
    të jem me sy të përhumbur,
    por, jo të përgjumur.
    Një shpresë drite ka regëtirë tek unë.
    Asgjë s’më ka mundur.
    Gjithmonë,
    njerëzve të mirë u jap çelësin,
    për të hapur portën e shpirtit,
    ku pëshpëritin valët e kaltra,
    ku lahen yjet dhe mjellmat…
    Jam herë blerim,
    herë frymore e thjeshtë.
    Krejt hije kthehem
    herë stuhi në vjeshtë.
    Përplasen mendimet në mur të arsyes
    kur shkruaj, jo më kot,
    me shpirtin mbushur plot.
    Ngre kokën në qiellin e kaltër,
    pa dashur të humbas,
    në orbitën e një dite…
    Dhe ndërtoj një varkë ajrore shpëtimi
    për të mbyturit,
    që s’dinë not…

    Shpesh në vetminë e pangjyrshme
    të shpirtit,
    përleshen ëndrra të masakruara.
    Këngë të varrosura shpërthejnë
    si vullkane me llavë.
    Lule-shpresat,
    në shpirtin e trazuar,
    me tjetër aromë bulëzojnë,
    sikur kërkojnë të më dehin.
    Mes tyre ndjehem e lirë.
    Si bletët luleve fluturoj,
    endur në flladin pranveror.
    Lule-shpresat mbjell në kufijtë e ditës
    Në prag-pranvere për të lulëzuar
    me katër stinët e shpirtit
    dhe ëndrrën e fundit i jap jetës.
    Lart në qiell të furtunës vozis,
    ardhur me një grusht uji nga e djeshmja
    lule-shpresat të ujis,
    në portën e shpirtit.

    Gëzuar!

    Shtruar tryezash kudondodhur,
    livadhesh luledele, lëndinash përmbi bar,
    mërguar larg vatrës, a diku misionar,
    vera, shpirtin ma burgos në qiell.
    Aty, karvane yjesh shkelin sytë,
    që për ne ndriçojnë, luajnë në orbitë
    që shtegtojnë, nisen,
    herë humbin toruan, tej honesh gremisen.
    Gotën e ngre me të kuqen verë.
    Ngjyra mbetet buzëve të mia e faqeve të saj, s
    i gjaku i Krishtit,
    që mbet kryqëzuar në erë…
    I dashur,
    Ti plot ëndje pi verë, të bardhë e të kuqe.
    E di,
    me të dyja këto circe më tradhton mua.
    Kënaqesh, tek shtrydh gjinjtë e hardhisë,
    por unë të fal dhe më shumë të dua!
    Ndonjëherë xhelozohem me to,
    ndaj i fsheh me vite në bodrume,
    në errësirë.
    Sa më tepër mplaken,
    aq më tepër hijeshohen.
    E pas tyre të gjithë marrëzisht dashurohen.

    Ne pimë e bëjmë dashuri në errësirë.
    Shijojmë verën vetëm a mes shoqërisë.
    Kur është e vjetër,
    ty vera seç të ngjan si grua
    që i ka, oh, kaq të ëmbla,
    nazet e dashurisë.

    Për hatrin tënd i dashur
    e ngre gotën përplot,
    me shpirtin mbushur plot.
    Dhe përkëdhel buzën e gotës,
    në emër të gjysmëbotës.
    Eh, ky shpirt i harlisur nuk ka kufi
    ndaj derdh vargje të lira,
    në ditët plot diell dhe në stinët e ngrira.
    Gëzuar dashuria ime!
    Gëzuar!
    *****************************
    Elbasani, djep personalitetesh të kulturës sonë kombëtare

    Mustafa BERATI

    Prej vitesh, të etur për kulturë dhe dije, elbasanasit kanë kënduar e vazhdojnë ende së kënduari:
    Elbasan i bukur,/ Në kërthizë të Shqipërisë./ Djemtë dhe vashat porsi flutur/ Rrokin librat e ditunisë…
    Elbasani, nga vetë pozita gjeografike kaq qenë dhe është një qendër e shkëmbimit kulturor e artistik të shqiptarëve. Pikërisht ky faktor ka ndikuar ndjeshëm në brumosjen e njerëzve më të shquar të tij, që kanë lënë gjurmë të spikatura në letërsi, mësuesí, art, shkencë, politikë e kudo.
    Emrat e personaliteteve të nderuara si patrioti e mësuesi i shquar Dhaskal Todri; babai i gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhi; gjuhëtari i shquar Aleksandër Xhuvani; veprimtari i lëvizjes kombëtare dhe studiuesi Lef Nosi. Ky i fundit, që përfshihet në plejadën e rilindësve të mëdhenj shqiptarë, nuk është i shpalosur si e sa duhet nga regjimi i kaluar diktatorial. Aktiviteti i tij është sa politik aq edhe shkencor e hulumtues në fushën etnografike dhe në atë folklorike. Biblioteka e tij përmbante mbi 10 mijë volume librash me vlerë albanologjike e ballkanologjike. E vjen më pas, për nga rëndësia tragjediani i spikatur, i quajtur Eskili i Shqipërisë, Et’hem Haxhiademi, i cili zë kryet e vendit për artin dramatik. Po kaq të shquar mbeten bij të kësaj treve, të njohur në fushën e shkencave gjuhësore e të letrave shqipe, figura të tjera, si Prof. Dr. akademiku Mahir Domi, shkrimtari dhe historiani i shquar i letërsisë shqipe, akademiku Dhimitër S. Shuteriqi etj. Mjaft i rëndësishëm është kontributi i elbasanasve edhe në fushën e albanologjisë, të historisë dhe arkeologjisë, duke filluar me të madhin, kreun e Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Akademikun Aleks Buda; ndjekësin e tij më të afërt, akademikun Kolë Popa; kreun e arkeologjisë shqiptare, themeluesin e kësaj shkence, të mirënjohurin Hasan Ceka, rrugën e të cilit e ndoqi i biri, arkeologu dhe politikani i mirënjohur, Neritan Ceka. Elbasani i ka dhënë mbarë vendit studiuesin e mbledhësin e shquar të folklorit shqiptar, profesorin e pashpallur, por plotësisht të merituar për fushën e folkloristikës, etnomuzikologjisë dhe etnografisë, Qemal Haxhihasani; prof. e shkencave mjekësore, kirurgun Kolë Paparisto; profesorin dhe kirurgun e mirënjohur në rang Republike, kardiologun Petrit Gaçe, apo për diagnozat tuberkulare, Dr. Stilian Nosi etj.
    Nuk mund të lë pa përmendur një figurë tjetër të shquar të arsimit kombëtar, botanistin më të madh shqiptar, doktorin dhe profesorin e asociuar Mustafa Demiri. Ky ishte i pari që hapi parcelën eksperimentale studimore për të zhvilluar praktikën mësimore studentët e Shkencave të Natyrës dhe më pas na la Kopshtin Botanik në qendër të Tiranës. M. Demiri ishte autori i parë i librit për florën shqiptare dhe i disa botimeve të tjera shkencore në këtë fushë, deri te kryevepra e tij “Flora ekskursioniste e Shqipërisë”. Këtu përmendim edhe botanistin tjetër të shquar, Xhafer Qosja etj.
    Me krenari përmendim edhe njerëzit e fushës së artit e të muzikës, të krijimtarisë popullore e artistike me përmasa kombëtare Artistin e Popullit, Isuf Myzyri e duke vazhduar më pas me Mustafa Bodinin dhe Aleks Vinin. Së bashku, tre kolosët e këngës dhe muzikës popullore elbasanase, kanë krijuar, kompozuar e kënduar mbi 400 këngë – perla të kësaj fushe. Këngët e tyre këndohen edhe sot në mbarë trevat e Shqipërisë, por edhe në diasporë, ku shqiptarët e hershëm dhe ata të sotmit me nostalgji i kujtonin e i kujtojnë, i këndonin e i këndojnë në koncerte e festivale.
    “I kënduam me shpirt e zemër Elbasanit/ I kënduam të bukurës lule/ I kënduam bujarisë,/ Bukurisë elbasanase/ Portës së kalasë e selvive të namazgjasë”…
    Elbasani përmend me nderim Thanas Meksin, etnografin, etnologun, publicistin dhe autorin e disa botimeve serioze, të vlefshme për kohën dhe për brezat e ardhshëm, menaxherin e artit dhe krijuesin e ansamblit “Isuf Myzyri” dhe të ansamblit “Elbafolk”. Përmes të tyre ky intelektual shumë dimensional ka nxjerrë në pah vlerat e veçanta shpirtërore dhe artistike të popullit elbasanas, duke e ruajtur dhe forcuar emrin e këtij qyteti si “vatër e pashuar” e folkut shqiptar. “Elbafolku” është fitues i Çelësit të Artë në Moskë, si dhe i disa çmimeve në Francë, Holandë, Turqi, Bullgari, Rumani, Gjermani etj. Elbasani nuk mbahet vetëm si qyteti i Ditës së Verës, me ballokumet e mrekullueshme të tij, por edhe si qyteti i mirësisë, i arsimit, i kulturës, i shkencës, i tolerancës, i vetëpërmbajtjes, i korrektesës, i paqes dhe i kontributeve të jashtëzakonshme të mendjeve të zgjuara, që kanë rrezatuar në qytet e në çdo krahinë si dhe në të gjitha qytetet e krahinat e mbarë vendit, e më tej.
    Elbasani ka qenë vatra ku lindën, jetuan e kontribuuan me artin dhe aftësinë e tyre piktori dhe ikonografi i madh i Mesjetës, Onufri, bashkë me djalin, Nikolla si dhe nipin e tij, Konstandin Shpataraku, të tre ikonografë të mëdhenj të shkallës botërore; ikonografi e studiuesi me vlera të veçanta në fushën e studimeve të këtij arti Theofan Popa; vëllezërit Shpataraku; arkitekti Sadefqar Biçakçiu, piktori i mirënjohur Bukurosh Sejdini… (Artist i merituar). Lista e personaliteteve kulturore, letrare dhe artistike elbasanase mund të vazhdojë me shkrimtarin e publicistin e mirënjohur, Filip Papajani (Lipi – emër në krijimtarinë e tij letrare); me shkrimtarët Ali Abdihoxha e Dhimitër Xhuvani; aktorët Demir Hyskja (Artist i Popullit), Shpëtim Shmili (Artist i merituar), me muzikantin Mit’hat Stringa (Artist i merituar), kitaristin më të madh shqiptar e muzikantin ekselent Alfons Balliçi (Artist i merituar), i cili u nda nga jeta disa muaj më parë, violinistin virtuoz Ibrahim Madhi (Artist i Popullit)…Në këtë listë përfshihen me meritë dhe dinjitet shkrimtarët dhe poetët e mirënjohur Musa Vyshka, Behxhet Çerma, Shefki Karadaku, Beatriçe Balliçi, Milianov Kallupi, Lirim Deda, Astrit Bishqemi e shumë të tjerë. Me krijimet e tyre ata pasurojnë pa reshtur gjerdanin e bukur me perlat e qytetit, duke ruajtur edhe qenien si krenarí e këtij qyteti dhe duke shtuar numrin e adhuruesve e të lexuesve në mbarë vendin e përtej.
    Elbasani ka nxjerrë edhe këngëtarë të mëdhenj e me auditor, jehonë dhe pëlqyeshmëri shumë të gjerë. Nga kjo fushë mund të përmenden Artistja e merituar Marie Dhama, Tahir Gurakuqi, Albert Tafani, vëllezërit Mehdi e Demir Zena, Zina Zdrava, Zeliha Sina, Suzana Qatipi, Mustafa Mehja, Kastriot Tusha, Eglantina Toska e mjaft të tjerë. Unë si autor i këtij shkrimi e mjaft shokë të mi të fushave të ndryshme, i kujtojmë ata me plot dashuri, mall e dëshirë teksa këndojmë, ashtu, nën zë, këngët e tyre.
    **************************************************************

    Petrit Ruka

    POEZIA E FUNDIT E VASIL DEDES
    Poezia e fundit e poetit Vasil Dede, që në shtëpinë e tij ma vuri para Moza, e shoqja e tij ta lexoja. Poeti ka parandjerë ikjen e tij dhe vini re klimën e saj të zezë, taman për një mort, me breshër të pabesë, mjegulla, llucë, korba dhe kërcunj të trashë që sjell lumi…
    Ja, me shkrimin e tij të bukur!
    Drithëruese, po aq sa magjike!.
    Lexojeni!

    *************************

    Partizan Myftari

    Trishtimit
    Kur
    i këndoja trishtimit,
    thellë
    në shpirt
    shpresat mbanin
    iso…
    Nuk ishte
    vajtimi i fatit
    i buzëve të pjekura,…
    as lodhja,
    as mundimi…
    Trishtimi im,
    nuk ka lidhje
    me mjerimin
    tënd.
    Nuk mundem
    ta shpëtoj
    një zbrazëti
    që nuk ndjen
    dhimbje…

    Ëndrrat
    Vetëm
    po zbres
    me këmbë ëndrrash
    të lodhura…
    Erdha tek ti
    nga porta e shqyer
    e shpirtit
    të pastër…
    Vendosa
    gishtat mbi qerpikët
    e lagur…
    Ke etje?!…
    U fsheha
    brenda syve
    sepse kisha ftohtë!…

    Lutje qiellore

    Amshove
    shpirtin
    në lutje qiellore
    e ndeze
    qirinj
    planetëve
    gjimnastikuar fjalën
    në balerinë
    sintaksash…
    Toka
    helmuar prej nesh
    nuk e kuptoi
    afshin
    e fjalës pruruar
    as
    dremitjen tende
    duke ecur
    mbi një
    moçal të thatë…
    Nuk
    kishte mbetur asgjë.
    Fuqia
    për pushtet,
    ishte ëndrra e fundit….
    Hanove në një
    hotel
    ku parajsa ishte
    dy hapa larg.
    Në çastin
    e fundit
    zgjodhe derën
    e gabuar…
    Aty,
    aq pranë,
    ishte edhe ferri…

    Kur dashuria
    Kur dashuria,
    të ndjehet e braktisur,
    vështrimeve
    të largëta,
    pa shpresë,
    ejani,
    më ngushëlloni
    për së gjalli:
    kam filluar
    të vdes!
    ******************

    Artan Ballgjini

    Në gjysmë ikje

    Në gjysmëikje, ti qëndroje.
    Në gjysmëardhje pastaj e menduar.
    Në gjysmëardhje unë nguroj.
    Të hedh një hap për të të përqafuar.

    Detaje

    Tani që më mungon heshtja jote.
    Unë me boshllëqe jam pafund.
    Shfaqu të lutem dhe pa detaje.
    Të tjerat i formoj unë.

    Mëngjesi

    Unë diçka desha t’i vidhja mëngjesit.
    Dhe kaltërsinë e tij të ta jepja ty..
    Por sakaq, kuptova gjithnjë më tepër.
    Se mëngjeset freskinë e merrnin nga ti.

    Profetësi poetesh

    Shpesh më duket sikur kam vdekur.
    Né funeralin tim edhe ti ke marrë pjesë.
    Ishe aty duke qeshur.
    (Por kjo le të mbetet midis nesh)

    Shpesh më duket sikur kam vdekur.
    Ashtu siç kërkon tè vdes çdo poet.
    Shumë, shumë miq mediokër kishin ardhur.
    Sa pak, sa pak ishin të sinqertë.

    Do nisin pak dhe t’më hedhin.
    Veç nëna do t’më mbulojë me lot.
    Për çudi dhe lule do t’më vendosin.
    Dhe ata që dhimbjen ma bënë shosh.

    Pastaj shoh se si njerëzit largohen.
    Ashtu siç largohen nga çdo funeral.
    Miqtë duke folur për batutën.
    Veç nëna duke m’pçrkedhelur ngadalë.

    Shpesh më duket sikur kam vdekur.
    Né funeralin tim edhe ti ke marrë pjesë
    Ishe aty duke qeshur.
    (Por kjo le të mbetet midis nesh.)

    Pak atdhe

    Pak atdhe unë kërkoja.
    Pak atdhe asgjë më shumë.
    Por çdo pjese që i përshkoja
    Gjeja një Afrikë të pafund.

    Pak atdhe unë kërkoja.
    T’më donte edhe si njerkë.
    Por pranë tij ulur shikoja
    Veç sharlatan dhe derbederë.

    Sa më shumë që e doja.
    Më shikonte me sy tjetër.,
    Dhe brenda tij gjeja.
    Çakej, hiena dhe ndonjë dhelpër.

    Shikoja se si zgërdhiheshin.
    Se si shaheshin dhëmb për dhëmb.
    Se si maskat i nderonin
    Tek uleshin në një kolltuk.

    Në çdo hap që hidhja,
    Më dukej si një tokë e premtuar,
    Por një gjysmat dhe gjeja.
    Gjysma tjetër ishte e shpërfytyruar.

    Pak atdhe të imagjinar.
    Me ëndrra jam ushqyer
    Por atdheun ishte degraduar
    Si një relikte e thyer.

    *************************************************
    Çerçiz N. Myftari

    PËRGJIGJE SHKRIMIT “KUR NJE VEPËR GJYKOHET PA E LEXUAR” TË STUDIUESIT, POETIT DHE PUBLIÇISTIT NOVRUZ XH. SHEHU

    Kritika të mëson, lëvdata të deh

    Librin “Rrënjësi” (poezi e poetëve tepelenas) hartuar nga Novruz Xh. Shehu ma dha poeti dhe mësues i letërsisë Luan Meta, kundrejt pagesës ( rekomanduar nga autori: për ne pensionistët 1000 lekë të reja, për të punësuarit 2000 lekë).
    Kur ishte në Memaliaj më kërkoi 5 poezi, për antologjinë. Më tregoi se mbesa ime, në Athinë të Greqisë, Flutura Katiraj, i kish dhuruar 200 euro për botimin e librit autobiografik ( vëllimi i parë) të titulluar “Jeta në skaner”. I thashë se poetët tepelenas duhet ta marrin falas antologjinë, por ai ma kthen – Më gjej sponsor, që t’ua jap falas. Puna ime duhet paguar.
    E bleva, e lexova brenda orës. Nxitova t’i telefonoj duke i dhënë dhe opinionin tim. Në News 24, në studion e gazetarit Rezart Xhaxhiu. Nokja (kështu i thërrisnin familjarët dhe miqtë e tij) dha intervistën mbi përmbajtjen e librit, studimin e bërë, u ndal me detaje te balada e Komitës dhe bejten e Qullapites, te disidenca e Pjetër Arbnorit dhe heshtja e sotme për të, etj. Unë e ndiqja mes ekranit dhe sa doli nga dera e studios, i telefonova. Faleminderit mu përgjigj.
    Ku qëndron akuza se unë gjykova pa e lexuar veprën?! Ende nuk e gjej shkakun e rebelimit ndaj shkrimit tim. Ende nuk e gjej shkakun e rebelimit ndaj shkrimit tim! Është në të drejtë të kujtdo të shprehet lirshëm për perceptimin e çdo vepre, atë që pëlqen e nuk pëlqen dhe për atë që kundërshton. Dhe unë i kam pëlqyer: Enciklopedia e Tepelenës, Ese për Sokratin( interpretuar nga Mjeshtri i Madh dhe Nderi i Kombit, Mirush Kabashi), disa monografi dhe veprën e fundit, “Rrënjësi”. Mos i ngeli hatëri që gazetën “TEPELENA”, që është vepër autentike e tij, nuk e përmenda për mirë?
    Në atë gazetë pasqyroi me vërtetësi ditëzinë e vdekjes së Enver Hoxhës: incizoi gratë e moshuara, shtëpi më shtëpi, të qanin me ligje, si studiues konstatoi uljen në shifra minimale të konsumit të bukës, në Gjirokastër lëshoi zemërimin për largimin në Francë të shkrimtarit Ismail Kadare.
    Kur kam dorëzuar teserën e Partisë së Punës, parti e cila e mbaroi misionin historik, ai shkroi artikullin” Iku jashtëqitja e partisë”, (emrin nuk ma përmendi, por nënkuptohej se unë, në atë kohë, kam qenë i zgjedhur: Anëtar Plenumi, N/Kryetar i Frontit Demokratik te Rrethit, Anëtar i Këshillit dhe Drejtor i Spitalit të Memaliaj.
    Mos I ka mbetur hatri se unë i konstatova disa gabime drejtshkrimore, që dhe mund t’i ketë bërë shtëpia botuese? Kurrë nuk e besoj në shkrimin e drejtë të emrit, mbiemrit, emrit të babait të poetëve tepelenas!
    Nuk ka njeri që nuk gabon. Kritika të mëson, lëvdata të deh. Edhe ti pranon opinionin tim se duhet ta ribotosh, se poetin Murat Memalla do ta futësh në antologji. Çudi o studiues, mos kandari që ke peshuar poetët tepelenas, ka qenë difektoz? Në shkrimin tënd ti thua se unë jam i braktisur nga shteti. Se vetëm unë! Janë gjithë pensionistët, ushtarakët në rezervë, të gjithë njerëzit që trajtohen me përkrahje sociale, etj.
    Noke, edhe pse jam i moshuar, leximin nuk e kam ndërprerë. Edhe në mungesë të kompjuterit, internetit, që nuk i bleva kur isha në punë, ngaqë rogën e kisha më të ulët se mjekët e tjerë, se pagesa bëhej në bazë të numrit të popullsisë.
    Ti do shkosh, siç shkruan, me një grup intelektualësh në Nju-Jork(Manhatan). Unë kam shkuar turist në maj 2007, me motër Hanon, i ftuar nga im vëlla, Hazizi. Janë çaste të paharrueshme . Vizitova, i shoqëruar nga Edmond Ismailati, dhe Statujën e Lirisë. Mbresat i hedhur në librin ”Çaste të jetës time”, që ta kam dhuruar.
    Është puna jote, në na quan apo jo poet tepelenas, është në shijen tënde të përzgjedhësh cilindo në antologji, por si studiues, nuk të nderon të mohosh atë që ke pohuar.

    Martin Cukalla

    1. Apo thahen burimet?

    Ca emra të çuditshëm më ngatërrohen nëpër këmbë
    Spaç
    reps
    kollë
    ka rënë e ka ngecur aty pikëllimi

    Një curril uji del nga shkëmbi si të qe loti i tij
    më bie në grushte e diç më mërmërit
    nuk ia kuptoj gjuhën trishtohem
    e për ti dhënë diçka nga vetja ngrohtësi ndoshta
    e hedh mbi fytyrë

    Ai bie në shkarrëzirë e më flet më shqip:
    “kështu jeni ju njerëzit të jepni zhulin
    më duhet të ngjitem sërish në qiell për tu pastruar”
    dhe humb

    2. Them në këtë festë

    I zemëruar
    një ujk i plagosur kishte kapërcyer rrugën
    dhe buzëqeshte.
    Unë përshëndesja diellin mbi autostradën
    e lirisë.

    Mos! –klitha, – Mos!
    Zbrazëti e vetmi
    qielli i Prishtinës qe errur
    dhe rrugët e festës ishin zbrazur,
    përplot policë trotuaret e kryqëzimet e rrugëve,
    i kërcisnin eshtrat dhimbjes së hershme.

    Një prerje e freskët kishte lënë njolla gjaku në shesh.
    Flamujt ishin ulur e lexonin një libër të grisur.
    Një sy i gjelbër
    një sy i verdhë
    shkelmonin të bardhën e dëborës
    e qeshnin.

    A e keni ende në shitje lirinë?
    Zinxhirë çeliku baltëra rropamë lodhje
    tru të çrregulluar
    ënjtje dhe qelb sy të përsosur si tehë të përgjakur shpatash.
    Fantazma e vjetër falënderonte që ishte gjallë
    e mund të lumturohej tashmë.

    Të fishkura pemët kërkonin një orkestër
    dhe një fishkëllime ere tu trazonte degët.
    Unë mendoja se kisha ardhur në shtëpi
    të pija një gotë xhin e të zhurmoja me zë të lartë
    përmes të kuqes së flamujve.
    Zhgënjimi më ra ndër këmbë,
    nuk e shkela…

    3. Çfarë të them

    Kam mbështetur pëllëmbët e plasaritura në fytyrën e saj
    dita është e lodhur heshtja do të ishte ndoshta drita e të vërtetës
    por dhe ajo është burg
    bomba dhe burg flakërima urrejtje janë meridianët dhe paralelet
    nata e zemëruar dita e paplotë kërkon dritën e të vërtetës
    e unë çfarë të them

    Çfarë të them

    të gjithë kanë një njollë dhe qielli nuk mund të them më: është qielli
    dhe yjet që brohorasin me gëzim ata që dua janë të zemëruar
    të zemëruar janë dhe ata që nuk i dua nuk e shoh më në duart e tyre qëllimin
    as në vështrimin e miqve një thatësi shkretimi ecën lakuriq ngado
    dhe buzëqesh

    Çfarë të them

    poeti Hasan i miri nga Siria pyeti kështu ia prenë gjuhën
    dhe besonte tek njerëzit për ata këndonte ushqyer në diellin e Mesdheut
    si Lorka vdekja kish gjithë jetën që jetonte për një gënjeshtër
    poezia nuk besohej as fjala parimet kërkojnë përgjigje në erë
    poetet vriten dhe u vra poeti Hasan nga Siria
    i miri

    Zjarri i kërcen zjarrit lëndohen plagët e pikëllimit urat shemben
    e rrugët nuk bashkojnë më ku vemi ku vemi ku vemi
    kambanë e përjetësisë klith kështu mëngjesi i nesërm mbledh rraqet
    dhe harron të buzëqeshë në të vërtetë ne jemi të gjithë parisienë
    në të vërtetë ne jemi të gjithë arabë
    dhe unë jam disi poeti Hasan i miri

    Kam mbështetur pëllëmbët e plasaritura në fytyrën e saj
    dita është e lodhur heshtja do të ishte ndoshta drita e të vërtetës
    por dhe ajo është burg

    4. Më buzëqeshi sot, bjeshkë e Valbonës

    Nga dalin ujërat këtyre majave e këtyre lartësive?
    arkitekturë e qiellit përmbys shkruan legjendat e hershme,
    bardhësi e dëborës më vështron në sy,buzëqesh,
    fëshfërijnë krahët e zogjve. ata nuk duken,
    përshëndetja e tyre më rri mbi supe…
    nga dalin ujërat këtyre majave e këtyre lartësive?

    Gurgullon Valbona. shumë mllef ka shpëlarë,shumë mbetet
    deri sa lulet të marrin ngjyrën e tyre
    e shkëmbi të bëhet i brishtë e i bardhë…
    është qetësuar balli, fjala e malësorëve ka marre peshën e burrit,
    gjallëria e vajzave gris hapësirat e mëdha të ndrojtjes.
    agimi ka dalë, shëtit nëpër lulet ngjyrëmarramëndëse të dritës.
    Gurgullon Valbona…

    Strukturat e shkreta të varfërisë si blegërima të vetmuara
    sundojnë shkrepat,
    një durim shekullor
    tinëzisht hedh vështrime të hidhura mbi kalimtarët e panjohur:
    këtu na ke këtu na ke këtu na ke nuk ikim
    jemi rrënjët dhe brinjët e alpeve.

    Një shqiponjë. një fluturim madhështor pret me krahët e vet
    kaltërsitë e paana. poshtërimi dhe prangat klithin
    ndrydhen nëpër ca shpella si neveri e ngjarjeve. i përcolli furtuna
    e kërkojnë të ujitin fidanë ulliri për të trembur frikën…
    Unë kërkoj rrënjët e ujit dhe çuditë e majave këtu…

    Milazim F. KADRIU

    NË DITËN E FLAMURIT

    Në sytë tu
    Pash se po vjen dita e lirisë
    E pash Flamurin kuq e zi
    Duke valëvit i lirë në tokën e Arbërisë.

    Na u ngroh shpirti
    E zemra ndjeu gëzim
    Kur u shporrën hordhitë e egra
    Nga atdheu im.

    Fluturuan shqipet
    Mbi qiellin e zi
    Dhe pas fluturimit të tyre
    Mbi tokë e qiell pati shkëlqesi.

    E sot në Ditën e Flamurit
    Të kujtojmë dhe të kemi lakmi
    Se nuk ka vdekje më të mirë
    Se rënia për liri.

    LUFTËTARIT TË LIRISË

    Shkelje nëpër borë
    Nëpër male e bregore
    Me këpucë të grisura
    Në luftë për fitore.

    Se ndjejë të ftohtit
    Nëpër gjithë atë stuhi
    Luftoje robëruesin
    Që vendin të ketë liri.

    Errësirën shekullore
    Doje me e largua
    Gjeneratat e reja
    Të lirë me jetua.

    DËSHMORËVE

    Koha juaj
    Ka veç lindje
    Kurrë nuk perëndon.

    Gjeneratat që vijnë
    Nuk ju harrojnë
    Në përvjetorë gjithë ju kujtojnë.

    Jetoni në zemrat e popullit
    Se ratë në lulet e rinisë
    E Kosova sot i këndon lirisë.

    LAPIDARËT KRENAR QËNDROJNË

    Në luftë me bishat e tërbuara
    Dhe e gurë u lanë me gjak
    Nuk ishte e lehtë
    Por për liri jeta nuk ju dhimbsej aspak.

    E sot kudo në vendin tonë
    Trimat e lirisë i kujtojmë
    Afër rrapit, pranë shkëmbit,
    Maje kodrës, … lapidarët krenar qëndrojnë.

    Ata na kujtojnë atë kohë
    Luftën me armikun shekullor
    Fituan pavdekësinë
    Bijtë e këtij vendi, kurrë s’do ti harrojmë.
    ************************************************************

    ÇAMËT U MASKRUAN NGA GJENOCIDI GREK, U PERSEKUTUAN EDHE NGA REGJIMI KOMUNIST NË SHQIPËRI

    (Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, roman, ShB “ILAR”, Tiranë, 2013)

    Shkruan: Adil FETAHU

    Pas plot njëzet vjetëve, autori kthehet në Mëhallën e Muhaxhirëve në Tiranë, ku gjen shtëpi të braktisura, strehëprishura, porta e shtëpisë së vet, si porta e ferrit, që kur hapet i “kërcasin kockat prej dhimbjes”. Fushën e sportit, ku dikur luanin fëmijët e shkollës, e paskan copëtuar e ndërtuar godina të larta. Në moment i kujtohen shokët e shoqet e klasës e të lojës ( Gimi, Timi, Moza, Abi) dhe zyshja (mësuesja) Mynavere, prindët, motra, vëllai, gjyshja, fqinjët e mirë. Autori përmallohet nga gjendja që sheh dhe kujtimet e fëmijërisë, sa që lotët i pikojnë, si pikat e çezmës në oborrin e mbetur shkret.

    Kështu disi, nisë romani i shkrimtarit Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, që është një roman historik, për historinë e banorëve çamër e dibranë të asaj lagjeje. Duke vazhduar romanin, në kapitullin e parë tregon trajtimin dhe persekutimin që pushteti komunist u bënte muhaxhirëve çamë, si të ishin spiunë amerikanë, anglezë e grekë. Nëse për dy të parat mund të “hahej” disi, ai grek nuk mund të arsyetohej kurrsesi, ngase çamët prej gjenocidit grek kishin lënë atdheun e tyre – Çamërinë, dhe ishin bërë muhaxhir në Shqipëri. Po edhe regjimi komunist në Shqipëri i persekutoi keqas. Si shembull, real, të persekutimit, shkrimtari Kondi e trajton gjykimin me pushkatim të grupit të Teme Sejkos, dhe internimin e familjes së tij, e shumë të tjerëve. Si roman historik që është, natyrisht që disa personazhe në te janë të jetës reale. Për ata që nuk e dinë, Teme Sejko (1922-1961), në realitet ishte admiral dhe komandant i Flotës Detare të Shqipërisë. Në korrik të vitit 1960, Teme Sejko, Tahir Demi dhe një grup i madh, prej 63 vetash, që ishin elita e çamëve, u arrestuan, të akuzuar si komplotist e spiunë të imperializmit amerikanë, revizionizmit jugosllav dhe monarko-fashizmit grek. Teme u akuzua si udhëheqës i grupit, dhe me disa prej tyre u pushkatuan më 30 e 31 maj 1961. Shumë prej tyre u gjykuan me pushkatim dhe u ekzekutuan, pas torturave çnjerëzore që iu bënë gjatë dhjetë muajve në hetuesi. Të tjerët vuajtën 1250 vjet burgim, ose “u vetëvranë” në burg. Dhe jo vetëm ata që u pushkatuan ose vuajtën burgun, por u persekutuan edhe familjet e farefisi i tyre. Ky është konteksti real dhe historik i romanit të Arben Kondit, i cili në mënyrë artistike-letrare shtjellon ngjarjet dhe krajatat e çamëve dhe të fqinjëve të vet nga Mëhalla e Muhaxhirëve. Është emocionues momenti i shpërnguljes nga shtëpia dhe internimi i familjes se Teme Sejkos. Kryepersonazhi i romanit, Pirro, asokohe ishte nxënës i klasës së parë. Në familjen e Sejkëve, që ishin fqinjë të afërt, kishte dy shokët më të mirë të shkollës e të lojës: Gimi e Timi. Kur ata u shpërngulën, me dhunë, për t’u internuar, Pirro u mërzit shumë, ua hodhi topin në kamionin me plaçka, por i ati i Gimit e Timit, xhaxhi Naimi ia ktheu topin, që ta mbajë për kujtim të shokëve. Të nesërmen, në shkollë kur mësuesja Mynavere mori vesh për shkakun e mungesës së Gimit e Timit dhe se ata kurrë më nuk do vinin në shkollë, e lëshuan këmbët dhe u ul në bankën e tyre boshe. Fqinja e tyre Nu-ja, që ishte një grua e mire, e vuajtur dhe e sjellshme, e cila jetonte e vetme ngase djalin (Kudretin) e kishte ushtar, çdo mbrëmje ndizte qiri para derës së mbyllur të familjes Sejko. Nga bisedat e gjyshes me Nu-jën, Pirro kishte dëgjuar se asaj grekët ia kishin vrarë e masakruar burrin, ndërsa vajzën katër muajshe në djep, e kishin shkuar në bajonetë e ngritur lart si flamur. Gjyshja e Pirros, Teuta, të cilën e quanin Tetua, i tregonte Nu-jës se si edhe kësaj ia kishin vrarë burrin (Ademin), ndërsa babain e paralizuar ia kishin djegë, bashkë me shtëpinë.
    Edhe prindërit e Mozës, shoqes së bankës të Pirros, ishin fqinjë të mirë. Ata (Donika e Tomorri) ishin profesorë universiteti, e donin Pirron dhe komunikonin me familjen. Por në mesin e fqinjëve kishte edhe njerëz të këqij, siç ishte kapteri Feridi, dhe i biri i tij (Beqiri), një djalë i mbrapshtë e grindavec, por edhe disa të tjerë të lidhur me pushtetin.
    Në shtëpinë e boshatisur të Gimit e Timit, ishin vendosur nëndrejtoresha e shkollës (Dita) me të shoqin (Vironin) dhe dy fëmijët e tyre. Nëndrejtoresha ishte një grua e pështirë dhe ishte sekretare e organizatës bazë të partisë. Ajo bashkë me kapter Feridin dhe disa tjerë, gati i përjashtuan prej shkolle Pirron dhe Turin, për shkak të një ngatërrese me djalin e Feridit. Motra e Pirros (Ela) që ishte gjimnaziste, shoqërohej me djalin e nëndrejtoreshës (Pandin) që ishte student. Kjo e kishte xhindosur Pirron dhe gjyshen e tij, dhe e kishte prishur harmoninë në familje, sa që gjyshja kërkonte që Elën ta mbyllnin në shtëpi, kurse Pirro nuk fliste, nuk hante dhe shihte ëndrra të këqija. Për ta qetësuar situatën, e ëma e Pirros bashkë me tre fëmijët, gjatë pushimit dimëror, vajti për dy javë te e motra (teta Sheqo) në Markat të Konispolit. Në ndërkohë, i ati i Pirros (Didi) dhe i ati i Pandit (Vironi), ishin marrë vesh që Ela e Pandi, pasi ta kryejnë shkollën, të fejohen e martohen dhe të jetojnë të veçuar, sepse familja e burrit do kishte telashe prej pushtetit, dhe e ëma e djalit, nëndrejtoresha Dita nuk donte që djali i saj të martohej me një vajzë çame.

    Basir Bushkashi

    SHKËMB KU SHKREPIN VETËTIMA…
    -Poetit Lirim Deda

    Trete shpirtin nëpër vargje
    Kaq vjet
    Eh, kaq vjet!
    Nëpër gaz e nëpër dhembje
    Miku im i rrallë, poet.

    Zemrën prush
    Dhe vargun prush
    Nëpër kohëra të vështira…
    S’të përgjunji dot askush
    Gurë stralli me shkëndija…

    Fisnikëron si mal me borë…
    Tutje larg
    Ik pleqëria…
    Lab i madh, këngëtor
    Shkëmb ku shkrepin vetëtima…

    ANKTH, A DASHURI?!

    Fle dhe zgjohem
    Me ty
    Në qepalla…

    Kaq net,
    Në zjarrmi.
    Për ty…

    Po ç’dreqin
    Po ngjet,
    Ankth, a dashuri?!

    QOFTË DHE NJË FJALË

    Qoftë dhe një fjalë
    Një buzëqeshje,
    Po dhe thumbim
    si ç di ti…
    m’bëjnë djaloshar
    e gjaku m’lëvrin
    kur nëpër shpirt
    ti vetëtin…

    SYRI TJETËR

    Nëpër jetë
    Na ndodh
    Herë-herë,
    Ta mbyllim
    Njërin sy…
    Po, syri
    Tjetër,
    Mashtruar keqas,
    Sa s’pëlcet
    Nga kjo mashtri…

    PA TURP

    Ndjehem me fat:
    Sorra,
    S’m’i hëngri trutë,
    Që të bëhesha politikan
    I egër a i butë,
    Si t’donte mushka
    Drutë…

    E mbi popullin
    E mjerë
    Pa turp
    Me përmjerrë…

    ******************************
    Valter Dauti
    BRENDA VAJZËS QË DESHA TË PUTHJA
    -1-
    (Ti bën sikur s’do të puthesh…)

    Ti,sërish do ta derdhësh shikimin,
    Brenda,buza ,një puthje mban peng,
    Urë e heshtjes,përsërit kërcënimin;
    ‘’Në një moshë,puthja tinëz, të djeg’’.

    Është një stinë,kur ylberet të etur,
    S’mund të rrinë pa u puthur me re,
    Puthja-peng,nëpër etje është tretur,
    O,po ti,sigurisht, je atje !

    Ti,sërish sheh dhe grindesh me veten,
    Ç’po të ndodh?Etje e puthjes të mund!
    Aty lindën ca zjarre dhe fjetën,
    E të dogjën,të bënë hi gjer në fund…

    Mbrëmja ime ndez yj të çuditshëm,
    A e do një që të përvëlon ?
    Të më vish,qetësisht,madhërishëm,
    Hi dhe prush ,është ai që kërkon!

    …Urë e heshtjes përsërit kërcënimin,
    Aty brigjesh,ti më puth edhe qesh,
    …Aty Brenda kërcëllin, dhe ndëshkimin,
    …Je i fundit…veç në fund, po të jesh…!

    Puthje 2.
    Bryma bren brenda gjethesh çfarë gjen,
    Ti je gjeth që në vjeshtë përskuq.
    Kur të fryn një e puthur, e ndjen,
    Një të puthur pa shkak,e nxjerr huq…

    Ti je pema me gjethet si buzë,
    Ti je pemë që ke buzë pa fund…
    Në çdo buzë heshtur fle dhe një muzë,
    Dhe në erë vetëm puthjet i tund…

    Gjethet-buzë shtrihen,ah,nëpër vjeshtë,
    Buzën tënde e shkelin,e shtrydhin…
    Vetëm unë e rrëmbej,e bëj vjershë,
    Dhe pse vargjet-ushtarë,pak më ndrydhin.
    Buza jote,sivjet u bë pleh…
    E pa puthur,regëtimë i jep rrënjës,
    Stinës tjetër,ti sërishmi e sheh,
    çfarë i bën buza-gjethe,times, zëmrës…
    Puthje 3.
    Trëndafilat kanë buzë,shumë buzë,
    Petal-purpur,dashurojnë marrëzisht,
    Është e mundur që një puthje-zjarr-shpuzë,
    Nëpër stinë t’i qetësojnë ndershmërisht ?

    Trëndafilat duan puthje pa fund,
    Çdo petal brenda mban dashuri,
    …unë s’e di…jo nuk mundem…nuk mund…
    Në ç’petal,buzët peng ke lënë ti…

    Stinët tallen,çelin gjethe-buzë pemësh,
    Që harlisen nëpër re,sipër trungjesh…
    …ti s’harron, dhelpërisht të më qeshësh,
    …dhe pse bën… sikur s’do që të puthesh…

    Brenda vajzës që desha të puthja,
    Qenkan dy dhe nuk di kë të zgjedh…
    Eh,asnjërën s’do doja të humbja,
    Dhe pse buzët i kanë si një gjeth.

    ANKESË NËNËS !

    Më ke mbajtur, mbështjellë në shpërgenjtë e një reje,
    Lart, atje, te sqepi i shkëmbit puthte Zotat.
    Sillje muzat me ylbere, përqafuar me pranverën,
    Një ninullë prej ëndrre më këndonin shqiponjat.

    Unë jam ky tani, prej mishi dhe gjaku,
    Shpirtciklon si poetët, kokëfortë si shkëmbinjtë.
    Rri e qesh kur pranvera ledhatohet te pragu,
    Rri e pres të bëj sfidë me rrufetë dhe stuhitë.

    Jam Jezu, kryqëzuar madhërisë shkëmbore,
    Vetë më rrite e mira, në pelena prej resh!
    (Pak mëlçi le ta hajë si në mit,një shqiponjë,
    Mjaft që luftë me Zotat, pak përditë të kesh.)

    Veç…tani , ti je larg…në mëndafsh të një reje,
    Më jep zjarr e më thua se askush s’do më mposhtë.
    Qielli i ndezur këtu,zbret demonë rrufeje,
    Paskam frikë! Qenka ferr i vërtetë në tokë !

    APOLOGJI ANALOGE.

    I hipnim të gjithë qershisë së butë,
    Në hyrje të qytetit kishte mbirë si mikpritje.
    E skuqur prej turpit si një nuse e urtë,
    Çuditërisht, na mbante brenda të gjithëve.

    I thyenim dhe krahët, fëmijërisht,pa inate,
    I pështynim bërthamat, e rrihnim dhe me shkop,
    Ajo, çuditërisht, përtërihej pas çdo nate,
    Nëpër diellditët, sërish ishte rob.

    Nëpër stinë, e vetme, prushëronte prej turpit,
    Dhe sigurisht; na mbante brenda të gjithëve…
    …Ka qenë një qershi në hyrje të qytetit,
    Që përdhunohej keq nga moskujdesja e fëmijëve…

    …tek ecën e ndrojtur në trotuaret e ngushtë,
    Dëgjon pëshpërimat spërkatur me pështymë:
    “…kjo biondja?! Eh,ç’mbahet! Dikur ka qenë kurvë!
    Të bënte të dridheshe…të linte pa frymë…”!

    …unë hesht!Fëmijërisht dua në dorë një shkop,
    Jo për të qëlluar si dikur, qershinë e qytetit.
    Një faj të dikurshëm s’di a mund ta ndreq dot:
    -Të rrah kur pështyjnë:-demonët e qejfit!

    VELLO NUSËRIE…

    Nga AGIM JAZAJ

    *Me nallane veshur,
    Zgjon nga gjumi fshatin.
    Çupa fytyrë qeshur,
    Në thua të atin!

    Me gjymin në dorë,
    Fët ia bën dhe hënës.
    E gjitha gatuar,
    Si me duart’e nënës!

    Në buzët e çupës,
    Kosherja e bletës.
    Ëmbëlsire buzës,
    Aroma e jetës!

    Dola një mëngjes,
    Të prita në krua,
    U zgjata serbes,
    Këputa një “ftua”!

    Poezitë ke hedhur,
    Vello nusërie.
    Ylber përmbi “Tartar”,
    Diell- Labërie!…

    NËPËR ËNDËRRA

    Ecëm nëpër vite,
    Nëpër tramundanë.
    Ëndrrat a i trete,
    Po lotët u thanë?

    Erës fortë i folëm.
    Ku shkuan ata zëra?
    Bisqe në shpirt mbollëm,
    A u zunë të tëra?

    Shkuan kaq vjet,
    S’u pamë e dëgjuam.
    E kishim të lehtë,
    Vallë, kë mallkuam?

    Para iknin shokët,
    Në qëndronim mbrapa.
    Rrugët mbajtën lotët,
    Nuk i thahu as vapa.

    Kë nuk kam pyetur,
    Dhe erës i thash.
    Pëllumbat kam ndjekur,
    Letër për ty dhashë!

    Engjëlli më foli,
    Kur u pamë në sy.
    Prapë të re e solli,
    U puthëm të dy.

    Në sy gjumë s’vura,
    Edhe t’i besoj.
    Plotë vargje thura,
    Shpirti t’i këndoj!

    Nëpër rrugë të gjata,
    Ecëm nëpër hone.
    Sikur me vjen mbrapa,
    Më qepesh si kone.

    Të të puth në buzë,
    Se nuk më zë gjumi,
    Janë ndezur shpuzë.
    Nuk i shuan as lumi!

    BUZË TRËNDAFIL

    Mbi kokën tënde,
    Ka folenë bilbili.
    Në buzët e tua,
    Çelur trëndafili.

    Mbi gjoksin tënd,
    Ka kosheren bleta.
    Në gjuhën mjaltë,
    Mer ymër jeta.

    Nga fryma jote,
    Jetën e shijoj.
    Në zërin e dridhur,
    Botën e shikoj.

    Në çdo tregim,
    Lëndon e vërteta.
    Ti tek shpirtit im,
    Tek shpirti yt mbeta.

    KARTOLINA

    Një bilbili po i lutem,
    Ta dërgojë korrier tek ty,
    Sikur jam ai unë dukem
    Një natë të flini të dy.

    Pëllumbi tek koks guis,
    Ai kupton brengën time.
    Më nxjer gjumin s’më bezdis,
    Me të shpleks jetën intime!

    Një tufë lule ty t’i sjell,
    Ky e sos këtë amanet.
    Dhe në shpirt do t’i mbjellë,
    Të çelin në gjithë senet!

    Pëllumbi zogu, simbol,
    Le të flejë me pëllumbeshën.
    Unë qiri e pres në mol,
    Që andej të sjell peshqeshin!

    Dhuratë pëllumbi të shpjerë,
    Nga e imja një copë zemër.
    Dhe një bisk andej të bjerë,
    Nga ajo me të njëjtin emër!

    DIL…

    Dil moj dil, atje te shkalla,
    Dil të të shikoj nurin,
    Ke frikë se të sheh mëhalla,
    Dil moj, se më luajte trurin….

    Luljeta Pashollari

    MBILLNI, O NJERËZ, VETËM DASHURI !
    Kam shumë miq që mua më rrethojnë,
    Vargjet m’i lexojnë dhe komentojnë,
    Thonë: të duam të qeshur si gjithmonë,
    Se impulse pozitive ti na transmeton…
    Po të isha zanë mali me shkopin magjik,
    Kudo do të mbillja si lule dashurinë,
    Kurrë s’do të lëndoja asnjë njeri,
    Se kam etikën time e rritur me dashuri.
    Do krijoja parqe me lule plot aromë,
    Kush të kish nevojë plagët t’u mjekoj,
    Do të mbillja kudo vetëm mirësi,
    Më shume se sot globi të kish harmoni…
    Hallet s’më lodhin më shumë më forcojnë,
    Festen, siç i takon, në koke ia vë kujtdo.
    Para ca kohe kam bërë një poezi,
    Virtytet e mija i kam rreshtuar një për një.
    Unë jam bije Kanine, bijë Labërie,
    Jam shqiponjë mali, që fluturoj në qiell lirie.
    Nga tallazet e jetës s’kam frikë kurrsesi,
    Mbillni, o njerëz në këtë tokë vetëm dashuri.

    Ç’PO NDODH KËSHTU NË GLOB
    Pse po ndodhin në glob gjithë këto çudi?
    pse u shkatërrua në masë çdo dashuri?
    Pse njerëzit e sotëm janë tjetërsuar,
    në përbindësha të çmendur janë shndërruar?
    Të gjitha ndodhin nga injoranca e tyre,
    dhe gjaku i tyre është bërë pa ngjyrë.
    Për ta kuptuar nuk duhet shumë filozofi,
    Kur njerëzit jetojnë pa ligje e pa dashuri.
    Shumica nocionin e jetës asnjë nuk e di,
    Jetojnë vetëm për një copë buke si bagëti.
    Harrojnë çdo gjë, veç mashtrojnë e gënjejnë,
    Por Zoti në derë ua çon e jeta ua shpërblen…
    Gënjeshtra këmbët të shkurtra i ka,
    mos u gëzoni që njeriun e bëtë fukara,
    zemra juaj me faj e gjynahe është ngarkuar,
    Dhe Zoti në derë ligësinë ka për t’ua çuar…
    ************************************

    Risi të një tranzicioni poetik në përthyerje të befta poetike
    ( Mbi vëllimin “Herbariume dashurie” të Nazmi Rolit)
    “Kur poezia nuk ka zhvillime, por ndryshime”
    Ernesto Sabato

    Vladimir Muça

    Në vitet ’80 lexoja poezitë e një poeti të ri kavajas në gazetën “Drita”, “Zëri i rinisë” dhe revistën ”Nëntori”. Ngaherë e ngatërroja me një shkodran me mbiemrin “Rjolli”, ndoshta nga që poezitë e tij kishin një frymë moderniteti rreshpian dhe migjenian.
    Aso kohe më pëlqente ai koncept i të bërit poezi. Edhe sot mbas dyzet viteve kur në dorë mora njëra pas tjetrës librat poetikë ”Sibemol”, “ Tanka me sandalle pluhuri” dhe “Herbariume dashurie” u përfshiva nga të njëjtat perceptime, ndoshta dhe më të forta.
    Jam i sigurt se këto libra me poezi, pas një heshtjeje të gjatë akumuluese e përpunuese të poetit, janë arritja më e lartë poetike në këto dy jetë krijuese.
    Në to lexuesi do të ndjejë rilindje emocionesh në tema universale, me risi të reja moderniste, çka poezitë i ngre në një nivel të lartë, u jep vlera përjetimi, duke tejkaluar cakun informativ që e përjeton në poezi për ngjarje dhe fenomene.
    Poezia vjen e gatuar në magjen e universialitetit. Poeti Roli, tashmë i formatuar me këto nocione të reja, si ato manushaqet e para në dimrin e acartë, me koncepte të qarta, me vizion e stil, erëzon në hapësirat tematike të një lirizmi, me valenca të larta të një metaforizmi shumë funksional.
    Padyshim në vlerësimet e mia vëzhguese Nazmi Rolin e radhis në atë grup poetësh të cilët në luftë me vetveten ( se me dogmën po se po ), luftuan për të sjellë në poezinë shqipe nocione të reja moderne nëpërshtatje me realitetin shqiptar.
    Vëllimi “Herbariume dashurie” por edhe cikli “Herakliti i vonuar”, një buqetë prej tridhjetë poezish në vëllimin “ Tanka me sandale pluhuri”, më mbushën me refleksione. Kjo më bëri që t’i rilexoj, të merrem mëseriozisht me produktet poetike të “shkodranit” Nazmi Roli.
    Në një sentencë në prapaballinë të librit poeti definon “Poezia është frymë, është personale dhe orientohet gjithnjë me të paqenën.” Unë do të shtoj se për të ajo është ushqim shpirtëror, ndryshe autori s’do të kish mbërritur në këto nivele artistike në shumëllojshmëri, inovative, me shumë të fshehta, sepse siç e sintetizon poezinë Ernesto Sabato “Poezia nuk ka zhvillime por ndryshime”.
    Krahas këtij mendimi estetik unë do të definoja se për poetin Roli poezia është dhe lojë, mjet njohjeje, angazhim sociologjik, diçka hyjnore, zotërim apo kontroll i shpërthimit të ndjenjave.
    Në këto këndvështrime të shprehura me çiltërsi nga liriku ynë “ i përndjekur i dashurisë” fshihet në të vërtetë diçka më shumë përcaktuese. Fshihet ai koncept artistik, ku sindromi i kompleksitetit poetik i kërkuar me ngulm nga çdo poet, nuk ka vend në personalitetin poetik të Nazmi Rolit.
    Këtë poezi që rrjedh nga ky shpirt e mendje, nga ndërthurja e talentit me punën e lavdërueshme estetiko- stilistike, zgjedhjen dhe punimin e fjalës në rifinitura, do ta quaja poezi të thjeshtëzës në kuptueshmëri, format, natyrale e komunikuese me lexuesin, që përcjell shumë ndjenjë, mesazhe dhe ide.
    Në këto poezi, të vërtetat shpirtërore të tij, autori orvatet t’i bëjë pjesë shpirtërore të të gjithë të tjerëve. Këtë dëshirë autori e shpreh me zë të lartë, me qëllim që gjithkush ta njohë e ta presë me dyer të hapura të shpirtit si në poezinë “Po vjen ti”, ku: “ Ti nuk e di pse hëna u fsheh tutje/ Dhe gjithë kaçubet mbrëmë i ndezi zjarr/ Po ikte vjeshta e bukur pa një ngutje/ Dhe udhës gjer përtej i shtronte ar.”
    Këto burime ndjenjësore do të rrjedhin rrëke – rrëke në ekzistencën e përditshme duke e bërë vargun më autentik, më të qartë poetikisht, më të bukur artistikisht, duke notuar në një det dramacitetit sa lirik aq dhe shoqëror.
    Poeti, duke vëzhguar thelbin e imtësirave jetësore, i bën thirrje lexuesit për të njohur me thellë veten tonë, por njëkohësisht dhe botën e të tjerëve. Kjo përçapje poetike lind si një dëshirë e përbashkët: ta shtyjë secilin që të zbulojë përvetësinë e rrënjëve dhe botën e tij të brendshme.
    Në konceptin estetiko- stilistik, në tërësinë e produkteve, Nazmi Roli qëndron mbi dy rryma estetikisht si një domosdoshmëri e sotme në poezinë bashkëkohore: një rrymë që pranon vazhdimësinë e traditës, ku ai gjen farën dhe imputet artistike në ekstraktet popullore, orvatet t’u jap një konfiguracion të ri në kontekst të substancës të re kohore dhe rryma tjetër që të çon drejt horizonteve të reja artistike, drejt një moderniteti të natyralizuar, me brum- ardhje shqiptare, që s’janë ato” të qiejve që pikojnë yje”, as të liqeneve melankolikë me ngjyrë të gjelbër apo të trishtimit të maleve me borë e të katarakteve të akullt.
    Autori vjen me surealin e tij të dëshirueshëm, me vullnetin që spikat për të rendur një hap me substancialen e re kohore, duke çliruar poezinë nga vulgariteti i soc- dogmatizmit dhe nga arkaizmi trandeshent, nga hermetizmi vulgar, lënien e saj të lirë në ligjërimin shpirtëror, duke iu përgjigjur imazheve të reja shkaktuar nga ankthi i dramacitetit shoqëror.
    Në këto poezi zen vendin e vet koncepti i filozofëve të vjetër: “se filozofia e jetës dhe poetika e saj janë të pandara, udhëtojnë në bashkësi”. Ky filozifikim, në trajtimin artistik të poezisë është një domosdoshmëri që vjen natyrshëm si një reaksion protonik i vetë bërthamës së jetës!

    Gezim Llojdia
    Humbën zogjtë
    1.
    Në rrëzë të borshe është Shën Prokopi
    Iku njerëzia. Humbën zogjtë nëpër pisha.
    U kyçën dyert. U vodh kryqi te kisha.
    Fener i ndezur në Qafë të Mbretes,
    Gurët e kroit lotohen,kristale drite në sy.
    2.
    U plak lumi duke pritur vashat.
    Faqekuqja nuk vjen më në Gjomitë
    të mbledhë shegët.
    3.
    Cullufe lëshuara iku e fundit.
    Në kanistër kishte vjelë mërzinë.
    U brengos mëhalla.

    4.
    Gërshetat e pa pleksur mbi supe,
    këmisha e vjetër rënë mbi hardhi,
    plakat e mëhallës në vivar,
    shuanin kongjij për ty.
    5.
    Në xhivarin tonë rrëzohen meteor,
    plakat e mëhallës me mandile të bardha,
    thurin për dasmë me grep dantella nusërie,
    ç’nur ka marrë sot Amanda!

    Ndërmjetëse
    1.
    Në Kunjovën tonë ,mëhalla e largët s’ka kufij real,
    pylli i ahishtës është atje ku ishte shekuj më parë,
    busulla,fluturon në erë nga degët e ferrës,
    pika e vesës në ag rrëshqet , rrjedhshëm në lugun e gjethes,
    hojet e bletëve janë në strehë të strehës ,përgjysmë me ar,
    zhaurima e cinxurëve dhe e korit të pyllit, një stinë zgjatë,
    një oktav e zgjatur e bulkthit të natës,jo vetëm ndajë natë,
    të tregon pasqyrën, këtej është drejtimi i parajsës.

    Poezia Nr2

    1.
    Frymëmarrja ime e gjitha në mjegull,
    këmisha ime e grisur e varur në këtë pjergull.
    2.
    Një zë i largët gris vetmin,
    një qiri i ndezur diku shuhet në shi,
    një thëngjill i ndezur mbetur nga ky prush
    plakat e kanë mbuluar me hi.
    3.
    Më kishin thënë pleqtë e moçëm,
    në mëhallën tonë,vashat në verë flenë jashtë në lëmë,
    më kishin thënë gjithashtu, ato se ndjejnë erën e kashtës së djegur ,
    as kuajt e zgjidhur si ndjejnë , që shkrofëtijnë këmbët në tendë.

    Remzi Gjika

    KUPONI TATIMOR

    Kanë vite që njerëzit hyjnë e dalin nëpër njësit e shitjes për të marrë mallrat e nevojës së parë. Sipas hallit, ca blejnë më shumë dhe ca më pak.Kjo është normale. Po cila ishte jo normale në ato marrëdhënie? Arka hapej më pak dhe fletorja e shënimeve më shumë. Si ndodh, kjo? Arka hapet e mbyllet sa herë bëhet llogaria, zhurma e monedhave bëjnë zhurmë kur përpjekin kokën me njëra-tjetrën, tingëllojnë. Shitësi gëzohet dhe klienti merr mallrat i shoqëruar nga një “faleminderit” ose “t’i hani gëzuar”! Ndodh ndryshe: shitësi bën llogarinë për çantat që janë mbushur deri në grykë me ushqime, pastaj merr bllokun ose fletoren dhe i shkruan… Ndahen nga njeri –tjetri në heshtje si në vaki. Ky ritual vijon, sirtari i arkës ka zënë shtrat merimange. Në ato skena u ndodh një turist i huaj, i shoqëruar nga një mik shqiptar, i cili do të merrte pak djathë. Shitësi nuk e njohu dhe në fund i kërkoi emrin. I huaji u çudit dhe iu drejtua shqiptarit:
    -Si është puna i kini hequr lekët dhe shpërndani sipas nevojave? Ne në vendin tonë paguajmë, pastaj marrim mallrat.
    Shqiptari, u zu ngushtë dhe po mendohej ç’përgjigje t’i jepte, për të dalë nga situata e trishtueshme.
    -Edhe ne me lekë i marrim, me çfarëdo monedhe që ka në botë, por shitësi regjistron klientët.
    -OK, – i ra shkurt turisti, – domethënë, unë duhet të vij vetëm këtu?…
    Ai na qenkësh gazetar dhe i bënte përshtypje ai sistem shpërndarjeje. Shkroi një shkrim me gjithë përshtypjet e mira të tij për tregtimin e mallrave në mënyrë shumë sociale.
    “Mirë, mirë, por i zoti e di ku i pikon çatia” – mendonte shitësi, që u kishte një barrë me borxhe tregtarëve nga merrnin mallra me shumicë. Telashi nuk ishte me kaq: Listat në fletore qenë pa fund dhe po bëheshin më volume. Kur dorëzonin ndonjë lekë klientët duhej të thoshin edhe numrin e volumit. Shitësit ishin bërë si punonjës të gjendjes civile. Gjithë dita u kalonte hap e mbyll volumet (fletoret) për të gjetur emrat e klientëve. Ajo punë nuk kalonte edhe aq qetë. Kishte shumë raste që konfliktoheshin: “Ato lekë i kam paguar atë ditë që ishte zonja juaj. Të lutem, fukarenj jemi , por jemi të ndershëm” – ishin dialogë të zakonshme. Shitësi nevrikosej, sepse nuk bindej dhe llogaria nuk i dilte mirë. Dhe, takoheshin me shoqi-shoqin e qanin hallet. Njeri thoshte më kanë aq lekë, tjetri : “ aq lekë unë ua fal për kafe”. “Me gjithë ato fletore stivë nuk gjejmë dot as emrat. Përditë bëjmë llafe për mallin tonë e për lekët tona”. As ne as klientët nuk ua gjenim dot fillin borxheve, që kishin zënë njëra-tjetrën. Musait, që është tregtar i vjetër, i shkrepi një mendim dhe ua tha dhe shokëve:
    -Për të zgjidhë problemin, unë kam menduar të futim kuponin e pagesës.. Shokët u hutuan, se kupon duhet t’u jepnin ata , jo klienti.
    -Po ua them unë, – këmbënguli Musai, – në çdo blerje klienti do na japë një biletë, a kupon, me vlerën e mallit. Ne do ti mbajmë, deri sa t’i shlyejnë, pastaj i grumbullojmë dhe bëjmë bilancin dhe i grisim.
    -Oh, uua! Kjo është zgjidhje, do të shpëtojmë nga telashet! – brohoritën tregtarët e zinxhirit të borxheve .
    Po shija e ëmbël e atij propozimi u tret shpejt. Njërit nga tregtarëve, i vajti mendja tek e keqja:
    – Po me tregtarët e shumicës si do ia bëjmë, edhe atyre do tu japim bileta? Ata duan lekët e mallit, pa një pa dy! Të gjithë mbetën si kamerdare e shfryrë, kur merr ndonjë gozhdë. Kishin të drejtë, gozhda u ishte futur thellë. As e hiqnin, por kujt t’ia ngulnin? Klientëve u ishin grisur me kohë xhepat.Më keq ishte shteti. Kishte vite që tregtarëve u kërkohej të lëshohej kupon tatimor. “Si do të bëhej”? Tregtarët merrnin kupona nga klientët dhe duhej të lëshonin kupon tatimor klientëve. Fjala lekë nuk përmendej në atë marrëdhënie. Në fund të fundit, në një shtet ligjor, do të veprohet si ka vendosur shteti. Dara u shtrëngua, duhej bërë si gjithë bota: Të vendosen kasa fiskale, të jepen kupona tatimor klientëve! Në rast të kundërt, klienti të mos paguaj! Klientët, edhe më parë ashtu kishin bërë, as kanë paguar dhe as kupon nuk kanë marrë. Koha ndryshoi. Një ngjarje bëri bujë! Pa lëre, ç’solli ndryshimi.Një klient kishte dëgjuar , nëse tregtari nuk jep kupon-tatimor, merr mallin dhe nuk paguan. Klienti në fjalë bëri një listë të gjatë, pa pasur asnjë lekë në xhep dhe u nis te supermarketi. Mblodhi mallrat që ishin të shtrenjta dhe kaloi te arka.
    – Dua kuponin!- i thotë me gjysmë zëri. – Ju e keni shkruar me germa të mëdha:”LUTEM MERRNI KUPONIN TATIMOR PARA SE TË LARGOHENI”! Ishte si pushka bosh që tremb dy veta. Në xhep nuk kishte asnjë monedhë…Arkëtari, bëri sikur nuk dëgjoi dhe këmbëngulte për lekët, kurse klienti këmbëngulte për kuponin. Njeri thoshte lekët, tjetri kuponin!Priti pak blerësi dhe mori mallrat që kushtonin jo pak dhe u nis jashtë me nxitim. Arkëtari u zu ngushtë. Preu një kupon dhe formoi numrin e policisë. Policia u nis në gjurmë të klientit. Dhe e zunë në një qoshe dhe e ndaluan si rebel.
    -Çfarë keni?-reagoi klienti që e dinte mirë përse e kishin ndaluar.
    -Nuk ke marrë kuponin-tatimor , lajmëroi arkëtari!
    -Unë e kërkova kuponin, por nuk ma dha njeri. Mora mallrat dhe u nisa për në shtëpi. Cili është gabimi im!
    Arkëtari arriti me një frymë, duke tundur kuponin.
    -Zotëri! Veprimi yt është i dënueshëm, pa kuponin gjobitesh rëndë.
    -Po mua nuk ma dha njeri kuponin, e kërkova vet dhe u largova ,si ka porositur qeveria. Ndërhyri arkëtari që mbante kuponin në dorë:” Po si do ta jap kuponin pa më dhënë lekët? Ja kontrollojeni në ka një kokërr leku në xhep!
    -Unë i thashë, shkruaje në fletore si kemi bërë gjithmonë.
    -Shko në market dorëzo mallin ose paguaj lekët! Mallin e kuponin e merr kushdo, që më parë paguan !
    Unazat e metalta të policit shkëlqyen verbueshëm para syve të klientit.

    SHKRIMTARI SHPENDI TOPOLLAJ OSE ENCIKLOPEDIA QË ECËN

    (Rreth librit “Stile & Lapsa” – kritika letrare dhe portrete)
    SHEFKI STUBLLA

    Mendoj se lexuesit tonë të nderuar nuk mund t`i japim informacion më të saktë sesa parafjala në hyrje që i bëri Luan Memishaj (Lepenica) librit “Stile dhe Lapsa”.
    Që në fillim të këtij shkrimi po deklaroj: se pas kësaj fjale të hyrjes, nuk e ndiej veten të kualifikuar që të jap ndonjë vlerësim më shumë për veprën e Shpendi Topollajt. Por, për këtë vepër të shkëlqyer, vetëm po shfaq disa mendime dhe përshtypje personale.
    Autori i librit, Shpendi Topollaj, emër i përveçëm, i cili lakohet në të gjitha rasat, përveç rasës emërore ku mbetet përherë në trajtën e shquar, si njeri dhe krijues me dije të madhe. Sipas meje, ky shkrimtar është enciklopedi që ecën. Është autor i dyzet veprave të ndryshme; nga të cilat, secila për vete tërheq lexuesin dhe inspiron se si duhet analizuar një çështje e caktuar nga jeta.
    Falë kulturës së gjerë të leximit dhe shkathtësisë së gjykimit gjakftohtë, lexuesit shqiptar i ofroi edhe librin “Stile dhe Lapsa”, në të cilin shkurt e shqip jep mesazhin e vështrimit kritik objektiv. Qasja ndaj shqyrtimit analitik të tematikës kam përshtypjen sikur Shpendi, bashkëpunon me autorin e veprës për të cilin flet dhe atë e konsideron si partner me të cilin kuvendon dhe haptas ia thotë anët e mira po edhe të metat eventuale të krijimit gjegjës. Askujt nuk ia fashit, përkundrazi, gjithsecilit ia ngjall dëshirën për t`u marrë me shkrime. Më pëlqen shumë mendimi i kualifikuar i shfaqur, me bazë. Po ashtu, më pëlqen që Shpendi nuk e shfaq mendimin me fjalë të rrumbullakosura. Flet duke mos eksperimentuar. Andaj, kjo qasje e trajtimit të çështjeve jep rendiment të lartë mendimesh të shëndetshme, dobiprurëse, të cilat motivojnë. Është një kallëzues i veçantë i vlerësimit. Shkruan pa zjarrmi. Asnjë mendim nuk e lë pezull. Përdor me vend mendimet e njerëzve të mëdhenj në armaturën e mendimit shqip, duke përforcuar shtyllat e vështrimit nga pika e vrojtimit objektiv.
    Tematika e kritikave letrare “Stile & Lapsa” është shumë e larmishme: në qendër ka vendosur trajtimin dialektik me të gjithë universalitetin e tij, për tematikën që analizon, si: dashuria nuk ka moshë, të krijosh duke krishtëruar, komunikimi muzeor, flakadanët e lirisë, në krah dhe përballë, Labëria në Kuvende, këtu bie erë, familja e atridëve, mall për Ulqinin në këngë, simboli i shpirtit të pastër strugan, më thuaj diçka të bukur, poeti i dashurisë pasionante, midis dy dashurive, njëqindenjëzet ekstra fabula, merr jetë ëndrra e përkthyesit të shquar, hapat e fitores së madhe, Moisi Elezi – një gjeneral i madh popullor, etj.
    Personazhet për të cilat flet Shpendi rrezatojnë dije, edukim, motivim, për ta shpënë lexuesin përpara dhe për ta nxitur për lexim. Gjuha e tij është e pasur, e stolisur me fjalë të bukura shqip, simfoni e shfaqjes së mendimit. Fjalëve u jep shpirtin, emocionin, ngrohtësinë, dhe afron lexuesin me autorin e veprës të cilën e shtjellon. Është një këshillë e mirë se si duhet lexuar dhe analizuar një roman, novelë apo tregim. Është një sprovë e leximit krijues.
    Tërë ky spektër temash të analizuara i shërbejnë misionit që ka kritika letrare për të prezantuar dhe ndriçuar të vërtetën e jo t`i përgjigjesh pyetjeve të përgatitura më parë, por të rievokosh një shikim të përgjithshëm të problemeve të mëdha të estetikës që shtrohet në tekst. Të ndriçosh çështje, që nga ana e tyre, të çojnë në ndriçimin e të tjerave. Të arrish një analizë të tillë të tekstit që janë shpjeguar edhe problemet e veçanta që përmbahen në të.
    Thënë shkurt, stili i Shpendit më bëri për vete. Më frymëzoi që edhe unë t`i kuptoj veprat që i ka lexuar ai. Më bindi me fakte dhe argumente, sinqerisht dhe përfundimisht. Ndezi tek unë kandilin e ndjeshmërisë reale, pa teprime. Më ngjalli botën e mendimit me qasjen didaktike, Kjo aftësi e tij për të depërtuar te lexuesi me vlerën e kritikës që bën ai, të përligj parapëlqimet, duke bindur lexuesin se nuk është fjala thjesht për këtë apo atë preference, por për vlera dhe forcën e shprehjes së mendimeve në një vepër letrare. Krejt këtë Shpendi e bën nga qëndrimi i tij i pavarur, sepse kemi të bëjmë me një njeri që nuk bie pre e ndonjë debati. Kjo është kompetencë e njeriut të ditur, si përfaqësues të një opinioni që punon pa hile apo dhe pa inat ndaj askujt. Është kompetencë e njeriut të lindur me këtë dhunti.

    ******************************************************
    Artan Ballgjini

    Trishtim

    Vështrimin kalimthi e hodha drejt teje.
    E hodha i ndrojtur ashtu si dikur.
    Dhe shoh se midis meje e teje.
    Hapësira e heshtjes shtrihet pafund.

    Pa nis t’i prek mendimet e tua.
    Siç preken fosilet e rrallë.
    Dhe shoh se midis ne të dyve,
    Ka shumë urrejtje, ka shumë mall.

    Nata krahët hap drejt meje.
    E errët , e errë dhe me shi.
    Në stukat e saj për pak çaste,
    Shfaqet një buzëqeshje si një mrekulli.

    Kujtimet e mia shfletoj në mëdyshje
    Ku flet të bardha gjej si diçitur.
    Midis nesh shtrihet kjo heshtje.
    Sa gjëra aty thuheshin,por s’i kuptuam kurrë

    Kemi qarë

    Kemi qarë shpesh pas një ikje.
    E kemi ndjerë veten fatkeq.
    Me lot kemi ndërtuar tempuj.
    Dhe mallin kemi strukur në atë vend.

    Kemi grisur ëndrra pas ëndrre,
    Një zemër kemi plagosur diku larg.
    Kemi notuar në një det dhimbjeje.
    Por dallgët në atë zemër na hodhën prapë.

    Vjeshta

    S’më foli vjeshta si dikur.
    Dhe gjethet s’më përshëndetën.
    Si sot i vetë s’jam ndjerë kurrë,
    Kur as heshtja jote. s’më tha mirëmëngjesi.

    Më kot i ndeza dhe cigaret.
    Tek tymi ti nuk mu shfaqe.
    Mendova të flas me valët.
    Por deti s’ mi hodhi sytë fare.

    Pa nis retë t’i zhubravis.
    Të paktën shiu t’më lagte.
    Por dhe ai nga një inat sigurisht.
    Tek dhimbja ime s’dëgjoi të binte.

    Me mall e prita këtë vjeshtë.
    E prita dendur ditë pas dite.
    Ajo me vello erdhi sigurisht.
    Por dikë tjetër nisi të puthte.

    Rrëfim dashurie

    Shumë herë jam rrëfyer tek heshtja.
    Ashtu siç rrëfehem tek një shenjtor.
    Vetveten me gjyqe kam dënuar.
    Nga që s’munda si të të harroj.

    Ti ikje gjithnjë pa ndonjë arsye.
    Pa ndonjë arsye u ktheje prapë
    Unë u mësova me këto braktisje.
    Ti u mësove duke të të fal.

    Brenda vetmisë sa ndryshe duken gjërat.
    Sa ndryshe duket një gabim.
    Unë rrëfehem tek heshtja.
    S’po mësohem me këtë harrim.

    Brenda meje ti vije dhe ikje.
    Por arsyet s’i mësova kurrë,
    Dhe mbeta duke u rrëfyer pas teje
    Herë si i dashur, herë si një murg.

    Petrit Malushi

    “Livadhet e dashurisë”, shpirttrazimet e Përparim Hysit
    Krijimtaria e deritanishme e Përparim Hysit është një mozaik ku mund t’i gjesh të gjitha ngjyrat, nuancat e vezullimet. Shprehem kështu duke patur parasysh tematikën që ai rrok në prozë e poezi, me tregimet, esetë dhe vjershat e botuara në shtypin e shkruar (veçanërisht elektronik , “Fjala e lirë” zë vendin e parë), apo titujt e vëllimeve të përmbledhura herë pas here. Është vështirë dhe e pamundur që në një shkrim të analizohet e gjithë krijimtaria e këtij krijuesi që për çdo “fidan në parcelat e vreshtit të tij” punon me shumë merak, nga përzgjedhja e “varietetit” (temës, fjalorit, figurave letrare, elementet e metrikës, kuptimin gramatikor e funksionin stilistik) e deri në vjeljen e frytit të pjekur mirë (kompozimin e të gjithë elementeve), për t’ia servirur lexuesit. Të pretendosh diçka të tillë do ishte një sipërmarrje dhe modesti e tepruar. Shpirti krijues i Përparim Hysit mbresohet , regëtin e pulson edhe ndaj një vegimi, çasti, situate, mjedisi, personazhi apo gjithçkaje rreth tij, që për dikë tjetër nuk del mbi nivelin e të zakonshmes. Çdo lexues që ka patur rastin t’i përkushtojë pak kohë dhe vëmendje një tregimi, një vjershe, një vëllimi të këtij autori e vëren lehtësisht këtë veçori. Të tjerë , që nuk u është fashitur pasioni për letërsinë dhe ia kanë lexuar të gjitha titujt, mbase do të kenë të njëjtit mendim me mua, se lajtmotiv ka dashurinë, jo në kuptimin e ngushtë por në atë universal. Kështu, veç të tjerash, gjashtë vëllimeve të mëparshëm : “Rektimat e dashurisë”, “Prush i dashurisë”, “Më piku dashuria”, “Luftë me dashurinë”, “Mbeta dashurive”, “Eh, si qenka dashuria” , ai këto ditë u ka shtuar të shtatin, titulluar “Livadhet e dashurisë”, redaktuar nga Duro Mustafaj dhe botuar nga shtëpia botuese “ILAR”. Larmi çastesh e përjetimesh Këtë herë, brenda “vijës së verdhë” të livadheve të dashurisë së Papit, lexuesi gjen ngasje e përjetime emocionale të buisura, çelura, lulëzuara a të penduara gjatë një “Mbrëmje pranverore”, kur “Shikoj tënden fotografi”, “Mbrëmjen pres me frikë”, “Zë e zihem unë me vjershat”,kur e ha egërsisht “Një mendim”, tek “E, çfarë pastaj?!!!”, “Llamburit”, “Është me fat”, “Ky shtat”, “Më duket”, “Kur…”, “A…”, “Ja !”, “Një palë sy”, “E dashur”, “Diçka…”, ”Soditje”, “Më tërbove”, “Të dy vetëm”, “Si ?!!!”, “X”, “Kokë ! Moj kokë!”, “Dashuria”, “Je e bukur”, “Pllaja”, “Ku je sot?!!!?”, “Sa bukur kur ke të dashur”, “Mikja në klub”, “…dhe më thonë”, “Në dhomën time”, “A më lë ?!!!”, “Ti”, “Flladi I majit”, “Sa kam pritur !”, “Si s’mu ndave, o moj mike ?”, “E dashura ime”, “Dashuroj” “Letër për një mike të vjetër”, “Dalldi” , “Sa herë të kujtoj”, “Sa vendos …” (që të mos shkruaj…) f.82 “Dal e pres”, “Sytë e blertë”, “Livadhet e dashurisë” etj. Tërheqja e lexuesit Përparim Hysi në këtë vëllim arrin ta mbajë ndezur kureshtinë e lexuesit e ta tërheqë atë me ëndje nga faqja 3 deri në të 94-n, me të 86 vjershat duke e zbuluar “sekretin” e krijimit të tyre vetën në pesë strofat e vjershës së fundit, “Livadhet e dashurisë”, ku shprehet: “Livadhet e dashurisë I kullota/ atëherë kur qeshë djalë/ duket me dashuri nuk u ngopa/ dhe tash që jam kokëbardhë (strofa e parë)…. Tani I moshuar jam me thinja / Livadhet që kullota I kujtoj/ Oh, asnjëherë me dashuri nuk u nginja/ dhe, përmes vargjesh ,rënkoj ”. Pra atë që ndjen ai e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë , me individualitetin e tij, pa stërhollime e artifica. Situatat janë të besueshme e jetësore , se gjithkujt ia ka ënda të jetë pak Përparim, para syve të bukur , buzëve të ëmbla, flokëve të farfuritur, fytyrës së pastër, trupi të hajthëm, të ëndërrojë, meditojë, të ahojë… Mesazhe të kapshëm Në këto poezi ritmi është I shpejtë, nuk ka stërzgjatje dhe lexuesi arrin pa u sforcuar e lodhur në thellësi të fabulës për të marrë mesazhin. “Nga larg … a më sheh ? Bëhem trim/ dua të më japësh një mundësi/ fale “adoleshentin” Përparim !/ se nuk ka trimëri në dashuri” (E kotë f.4), “E rivë fotografinë prapë në album/ e shpirti më dhemb si t’më bien me plumb” (Shikoj tëndej fotografi f.5), “Mëkat nuk është ; nuk dua ta besoj/ kjo ndjenjë lind si vetvetiu/ më jep të drejtë kush di të dashuroj/ se vjen papritur, tek ti çilimiu” (Më duket f.12) “ Zë këndoj bilbil gjyzar, me ngadalë e shtruar-shtruar/ dreq-o plak e mallpashuar; përjetësisht, I dashuruar” (Mos më thoni f.13), “Ky shtat hirëplot, ky shtat i derdhur/ dhe syri që kullot azat duke bredhur “ (Ky shtat f.18), “Se zogun e pata ndër duar/ dhe, sakaq atë e lëshova/ këtë vjershë për ty e kam shkruar/ moj mikja ime nga Drenova” (Kur…f.20), “Ja e hape kraharorin / ja e hape po tani ?” (Ja! F.24), “Pa hapi krahët moj e dashur/ hapi dhe zgjati nga unë… Po nëma atë buzën e nxehtë/ mbi të të vë buzën time…Zbërtheje të lutem fustanin/ ku fshihet gjiri i bardhë… Ah malli yt se ç’më bëri / Më çmende e dashur !Më çmende…” ( E dashur f.26). Pasuri figurash letrare dhe elementet e metrikës Nëpër vargje dhe strofa intensiteti i veprimit rritet duke i ngarkuar fjalët emocionalisht apo nëpërmjet kontrastit. “Mu afrove , mu afrove/ U tërbofsh! Më tërbove” (Më tërbove ?!!! f.33), “Fshatari me kokën si shpellë/ Përbri e shoqja si hënë” ( E shoqja e fshatarit !!! f. 46). Figura letrare mbizotëruese është epiteti që i përzgjedhur me kujdes e shije të hollë, në çdo rast i bën vargjet të lehtë dhe forcon muzikalitetin së bashku me aliteracionin, qoftë asonanca apo konsonanca. “Ti ke një nur mu si hënë e plotë/me buzët e kuqe e vetullat e harkuara” (Je e bukur f.52), “Hundë të hollë e buzë të plota/ dhëmbë të bardhë e krejt fildish” (Ku je sot ?!!! f.55). Në këtë vëllim autori nuk ka përdorur strofa monokolon, por ka punuar me vjersha me strofa katërvargëshe. Vargu më i pëlqyer është ai tetërrokësh, ndërkohë që ka edhe gjashtërrokësh p.sh te “Llamburit”f.16 (Qe si vetëtimë/ mu në mes të territ), dhjetërrokësh te “Më duket” f.19 (Më duket sikur kam shkelur një xhind/ dhe ky tanimë me mua po hakmerret), dymbëdhjetërrokësh te “Soditje” (Afrohem ngadalë mos të zgjoj nga gjumi/ tani më s’jam gjallë ika unë malumi) e gjashtëmbëdhjetërrokësh te “Është me fat” f.17 (Kush të sheh ty përditë, besë e Zotit, është me fat/se ti je porsi drita, të sheh ty dhe s’ka më natë). Ashtu si në titujt e mëparshëm apo ciklet e herë pas hershëm autori u qëndron besnik rimave të alternuara ABAB , emërore , foljore, mbiemërore, ndajfoljore dhe të harmonizuara midis tyre. ( Mu drodh zemra nga një flutur/ nga një flutur të kem frikë?/jo moj jo qe ti e bukur / ti më drodhe …edhe pikë) “Letër për një mike të vjetër “ f.72. Ka edhe elemente të tjerë si, puna e bërë me përzgjedhjen e fjalëve, sinonimet e antonimet e përdorura, mosrënia në përsëritje etj. Por mendojmë se, ndoshta lexuesi do të arrijë ta kapë mesazhin nëpërmjet “Fjalës së lirë” për të mos e humbur rastin të marrë në dorë “Livadhet e dashurisë”, të Përparim Hysit, ndërkohë që autorin e urojmë të mos e ul ritmin e krijimtarisë.

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe Word.
    – Kritikat letrare, ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe Word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    Gazeta “Telegraf” ju sjell pranë suplementin letrar “Pena shqiptare” nr 21
    Datë: 18 maj, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
    02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka

    03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
    04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është i pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë, ku çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit! Redaksia e “Telegraf”.