Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 08.06.2015

    604
    Lajmërim!
    Të dashur krijues, bashkëpunëtorë të gazetës “Telegra”! Në fund të muajit korrik, gazeta “Telegraf” do të shpall fituesit “Mirënjohje e Telegraf” për, poezinë, tregimin, ese-në, kritikën letrare, fabulën, Haik-un, më të mirë, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Në fund të vitit, çmimet do të jenë të një natyre tjetër dhe me dimensione të tjera. Çmimet do të jepen nga një juri profesionale pa asnjë paragjykim. Ju lutemi dhe njëherë, që, krijimet tuaja të jenë në bazë të kërkesave që kemi paraqitur në gazetë disa numra më parë. Ju faleminderit dhe krijimtari të mbarë!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”! 
    Xhek London
    Pseudonim i John Griffith Chaney London (1876-1916) ishte shkrimtar i shquar amerikan i fillimit të shek. XX.
    Lindi në San Francisco, Kaliforni, më 12 janar 1846. Sipas disa biografëve ishte biri i paligjshëm i një astrologu ambulant irlandez i cili nuk e njohu asgjëherë. E ëma, Flora Wellman, e bija e një shpikësi nga Ohio, kur ai ishte akoma 8 muajsh u martua me një fshatar të ve. Jack (Xheku), u rrit prej nënës së tij dhe njerkut, John London (Xhon London) nga i cili mori dhe mbiemrin që përdori përgjithmonë. Mbaroi shkollën fillore më 1889 dhe në pak vite ndërroi dhe kreu shumë lloj punësh shpesh dhe jolegale në molet e Oaklandit dhe rrugët e San Franciskos. Shumë shpejt u gjend i përzier me shoqëri kondrabandistësh dhe hajdutësh. Punoi si llustraxhi, si gazetashitës trotuaresh, si gjuetar fokash dhe si marinar në anije balenash. U kthye pastaj në Oakland për të vazhduar studimet në Oakland High School, ku dhe mori pjesë në redaksinë e gazetës shkollore “The Aegis”. Më [1896] arriti të hyjë në Universitetin e Kalifornisë të cilin e braktisi pastaj një vit më vonë për arësye financiare. Në korrik të po atij viti u nis për Klondike, me ekspeditat legjendare të floririt.Në këtë rajon të Alaskës, Jack London shkruajti pastaj tregimet e tij të para të suksesshme. London arriti të shkruajë, në një periudhë 15 vjeçare, 49 vëllime librash të çdo lloji, duke u bërë kështu shkrimtari më i famshëm dhe gjithashtu edhe më i paguari i atij pesëmbëdhjetëvjeçari (1904-1916). Por veprat që e bënë të pavdekshme famën dhe stilin e tij janë romanet me aventura: “Kushtrimi i të parëve”,(1903), “Ujku i Detit”, (1904), “Dhëmbi i Bardhë”, (1906); romani autobiografik: “Martin Eden” dhe ai fantastiko-politik: “Thembra e Hekurt”. Vdiq, (mendohet të jetë vetëvrarë i shkatërruar nga alkooli), në moshën 40-vjeçare në Glen Ellen, Sonoma County, Kaliforni më 22 nëntor 1916. 
    Martin Camaj
    Mbramja ashtë larg
    Mbramja ashtë larg
    e ti je atje mbi kodër të blerueme
    ku gurzit që bashin zhurmë
    i përpiu dheu.
    Ti je atje me të bijën e heshtjes
    e me shoqe tjera e mendon për mue.
    Unë jam në detin e tingujve
    e ndër gjujt e mij ndieva
    peshen e tramit tue u ndalue me turr.
    Mandej i lëshova vendin një të vjetri
    e mes tallazit të krahve thashë:
    mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
    Heshtja prek qiellin me dorë
    E ti atje mbi kodër të blerueme
    njeh gjurmët e diellit npër qiell.
    Lule
    Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
    Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
    Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
    Kur andej gardhit fluturojnë
    Shëgjetat e akullit.
    Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
    Se dy shpata tu për tu
    Me teha përjashta
    Ideja e sosjes, Lule,
    kur je ti pranë ik si shpend i egër
    andej kah vjen terri.
    Drekë Malsore
    Sot ashtë marrë një gjak.
    Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
    Sot ashtë marrë një gjak.
    Nën tunin e spatës
    Pëlset rrashta e kaut te prroni.
    (Drekë të mëdha po bahen sot!)
    Sot ashtë marrë një gjak.
    Gjama e burrave tërbueshëm
    Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
    E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
    Ndë tryeza, jashtë
    Natë. Në vorrezat mbi kodër
    Tokë e re, hanë e re.
    Ujqit janë ulë prej malesh
    E pijnë gjak në përrue.
    Fill i Gjetun
    Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
    qyteti në terr deri n’agim.
    Amvisat kërkuen llampat vojguri
    e s’i gjetën në terr.
    Në nadje ra dielli e zbeu
    faqet e rrokaqiellëve.
    Në nadje vrejta rrethin e andrrave
    në truell
    e gjeta fillin e tretun
    në pikën e ndaljes së dritës.
    • 
    IZET SHEHU
    PIRAMIDA
    A e ke parë piramidën e kafshatës,
    Më thuaj, të lutem, a e ke parë?
    Mbi të rënkon pesh’ e mëkatit,
    Rënkojnë shpirtëra të vrarë.
    Një qiell i tërë me ulurima,
    Një grigje e çalë e uritur,
    Një curilë lotësh bie mbi rima,
    Bie mbi vargun tim të dridhur.
    Një grigjë e tërë shurdhmemece,
    Një grigjë e tërë e pagojë,
    Në vend të barit përtyp gurë,
    Dhe qiellin heshtur blasfemon.
    A e ke parë piramidën e dhimbjes,
    Kafshatën e mbetur metaforë?
    Rëndon mbi të rëndesë e gjindjes,
    Në shi, në breshër e në borë.
    Pa titull
    Mbi boshllëk të vjetër
    Fle boshllëk i ri.
    Treten mijëra shekuj,
    Mbi mijëra të rinj.
    Më kot e rrah gjoksin,
    Burgun e boshllëkut.
    Ata që të joshin,
    Lajkat lirë i shesin.
    Mbi boshllëk shaluar
    Kot trokoj në erë.
    Flluskë e mallkuar
    Plasëm pa u ndierë?
    *****************************
    Natasha Lako
    Tregim për këpucët e përbaltura 
    Nga këpucët e përbaltura, 
    trupi niste përpjetë, 
    atje lëkura jote e bardhë, 
    përkundte si në djep 
    një copë lëkure të vrarë, të zezë. 
    Ti heshtje, 
    unë zhvishja baltën shpejt e shpejt, nuk shihja 
    më këpucë, por dy kafshë të vogla, të therura. 
    që nuk flisnin më. 
    O, i kam dashur më shumë se ty, 
    ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas. 
    Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga hamshor i zi, 
    ka mbetur diçka te ti prej të gjithë centaurve. 
    Tani më kanë mbetur prej teje 
    vetëm ata dy këlyshë të heshtur, të vegjël. 
    -Një hop i ri cilësor në tematikën bashkëkohore për figurën e gruas
    – „SYTË E ERRËSIRËS“ roman provokues i shkrimtares Mimoza Bici
    – 
    Enrieta Sina-shkrimtare
    Një roman që më rrëmbeu në faqet e tij, nga mënyra e kompozicionit, stili i veçantë dhe vërtetësia jetësore. Qysh në faqet e para njihesh me botën femërore që shtrihet dhe depërton në një fushë të gjërë marrëdhëniesh kohore.Personazhet e shumtë të romanit, ku evidentohet më tepër figura e femrës, duket se vijnë rrotull personazhit kryesor, Maritës figurë e cila është e ndrojtur në qytezën Vulëhumbura dhe del e zgjeruar dhe e plotësuar, pas viteve 90’të, në Tiranë, me vullnetin e saj për të qënë vetvetja.Në roman zhbirohen aspekte të ndryshme të sjelljes sociale që në një farë mënyre të njohin me tipa dhe karaktere të pranueshëm apo jo.Gjithçka, nga pena e saj realizohet me një narracion të endur bukur përmes episodeve, ku gjejmë të reflektuar botën e brendshme të femrës.Stili lakonik, lirizmi, gjuha poetike të bëjnë të mbushesh me emocione pozitive por dhe të reagosh ndaj fenomeneve negative që gërryejën shoqërinë tonë.Tek pena e Mimozës gjen magjinë e rrëfimit nëpërmjet thellësisë së ndjenjës e cila tjerrë bukur labirinthet e misterit njerëzor.
    Raportet Marit-Ismet, Marit-Sokol, Marit-Sed,Marit-Rifar shfaqen në faqet e romanit me nuancat e vërteta shpirtërore, me cektësinë, e thellesinë ndjesore, me dëshirat, pafundësinë e tyre në atë që kërkon të mësosh tek të shfaqet si personazh real dhe që si lexues të duket se diku je takuar dhe e ke njohur atë.Të dashur dhe real me botën e tyre janë i biri, Maili, motrat, prindërit, Eva e largët dhe e afërt…Personazhet i përshtaten ambjenteve dhe duke qënë një prozë e reflektimit shpirtëror romani bëhet shumë i afërt , jetik, i dashur dhe i prekshëm për secilin dhe për më tepër për femrat.Personazhet arrijnë të kapërcejnë veten kur është fjala për mëdyshjet e ndjenjës, për realen dhe të imagjinuarën.
    Kompozicioni është i thjeshtë, i kapshëm dhe atë e bën të plotësuar mënyra se si e kalon rritjen e tij autorja.Personazhi kryesor pas së cilës duket se vijnë reflekset për tu takuar dhe njohur me personazhet e tjerë të romanit, është një grua me iniciativë, që lufton të keqen, vulgaren, kërkon të evidentohet me vlerat e saj,di të mbroj dashurinë e vërtetë të saj, duke i pasqyruar situatat nga të çastit, të shtrira në kohë e deri tek panairet e organizuara, ku ajo pasqyron dhe biznesin e saj.
    Romani sjell tek lexuesi një subjekt interesant që të rëmben faqe pas faqeje për të parë të ngritur në art, me kulturë, jetën reale, përpjekjet që bëhen për të sjellë atë përvojë jetësore që është e dukshme.Duke qënë dhe një poete e talentuar, Minoza Bici me forcën e një lirizmi të thellë fluturon hapësirave të shpirtrave njerëzore, duke i parë ato në mjedise ku jetohet dhe punohet.Përshkrimet e gjalla bëjnë që t’i njohësh këta personazhe, t’i parafytyrosh në lagjen ku banon, në qytet apo dhe në pallat nga kati në kat.I ka lënë vend në roman shumë problemeve duke përfshirë dhe atë të fushës humane, ndihmës që u jepet njerëzve në nevojë.
    Zgjerimi që i bën përmasave shpirtërore të ndjenjës së dashurisë së vërtetë, bukurisë së tyre e bën këtë roman të lexohet me emocion dhe kënaqësi.Mendoj se forca ideore e trajtuar dhe e shkruar me aq mjeshtëri nga shkrimtarja, tregon jo vetëm talentin e vërtetë por dhe përvojën në rrëfimet e drejtëpërdrejta, të ngritura në art të çështjeve që sundojnë sot jetën social-shoqërore.Në roman shfaqet gjithësecili në vazhdimësinë e jetës, sepse vetëm kështu ata mund të ekzistojnë.Në luftë me fatin, të gjithë përpiqemi të marrin atë që duam.Sado e vogël kërkojmë ta bëjmë tonën.E madhe është vetëm ëndrra. Këto përcjellin zhvillimet, luftojnë të keqen, njerëzit e korroptuar, drogmenët dhe karieristët, manjakët, dhunuesit dhe intrigantët.Përdorimi i gjërë i dialogut mes personazheve na i lehtëson njohjen e tyre dhe bëjnë të respektojmë talentin shkrirë në art të shkrimtares Mimoza Bici.
    Në roman spikatet dhe dramaciteti në portretizimin e personazheve dhe krijiminin e situatave specifike, në të cilat lindin dhe rriten personazhet me botën e tyre.Mendoj se boshti kryesor i romanit është afirmimi i shprehjeve shpirtërore të femrës, aftësitë e tyre për të gjetur rrugën e pastër në mjediset para të cilave përplasen.Spirualiteti është një tjetër ngjyrim që jep autorja në përmbushjen e vlerave artistike.Në roman, çdo grua që ka jetuar dy regjimet, të djeshmen dhe të sotmen, qytezën dhe kryeqytetin jeton atë tranzicion që të jep errësirën dhe dritën, të bukurën dhe të shëmtuarën.Njihesh me gra të dhunuara, vajza që e marrin lehtë jetën, gra që luftojnë për ta jetuar atë ndershmërisht dhe përball tyre me meshkuj, burra apo djem që spekullojnë në raportet ndjesore, që kërkojnë të “blejnë”, “dashuri” në rrugë të qorta.Arti i fjalës të bën për vete dhe ndofta të kërkon të rilexosh paragrafe të tëra, për të patur në vetvete atë emocion që të tërheq me një ngrohtësi dritësore.Janë zbërthyer mjaft bukur tiparet e personazheve nëpërmjet figurave të ndryshme letrare, përfshi këtu jo rrallë dhe monologun.Analiza sintezë e ngjarjeve shoqërore hap derën kryesisht tek personazhet kryesore të romanit, Marita, Mirela,Vjollca,Romina, Silvi,etj.Një mbyllje e romanit me forcë të evidentshme emocionale, bën që të kërkosh të lexosh edhe fjalën e fundit.”Shpirti i pastër, do ta rilind botën e shkatërruar.Është më e madhe bota e të lënduarve.Jo vetëm kjo tokë nuk mund t’i rezistojë kësaj britme, por i gjithë universi.Janë shumë..shumë.Ikonat tona lëvizëse gjallojnë..Kohët po ndryshojnë…Forca ideore dhe përballja me problemet bëjnë që të ndihet evolimi i tyre nga ndërgjegja dhe optimizmi për jetën.
    Mprehtësia, guximi, këmbëngulja për të qënë vetvetja e bën Maritën të dashur deri në fund të romanit”Sytë e errësirës” .Të gjitha këto bëjnë të mendosh se sa gra dhe vajza janë brenda fatit të saj.
    Flutura Maçi
    KOMPOZIM
    Mbi letër ka bojë,
    mbi letër ka shkronja,
    mbi letër ka fjalë,
    mbi letër ka ndjenja.
    Kur ti ikën larg
    e metrat bëhen kilometra,
    të dashuroj më fort,
    më thellë.
    Të përcjell
    me rrezen e ngrohtë të dashurisë:
    je brenda meje,
    jam brenda teje.
    Mbi letër vallzojnë shkronjat,
    mbi letër shkëpus vetëm pesë,
    mbi letër kompozoj si grua –
    Të dua!
    MIKUT TIM POET
    Eh poet, poet!
    Më qerase dhe sot
    me kafenë e zakonshme
    edhe pse në ikje
    i the zotërisë në vesh:
    “Shtoje dhe këtë faturë
    në listën e gjatë!”
    Të falenderoj poet
    me zemrën e gjerë det,
    më dhimbsesh poet!
    E kthehem 
    në shtëpinë pa drita,
    ndez një qiri
    të shkruaj për Ty.
    AUTOPORTRET
    E heshtur si heshtja,
    e qetë si qetësia,
    e plotë si të dyja bashkë.
    Befas rebelohem,
    marr ngjyrat e mia
    pikturoj mbi heshtjen,
    mbi qetësinë e gjithësisë…
    Pertef Lici
    JASHTË BINTE DËBORË, ISHTE VETMI…
    Ajo shkoi mespërmes betejës me topa dëbore, 
    Asnjë djalë se goditi ne trup, 
    Askush se mori në shenjë’ për të vrarë. 
    Ngjiti shkallët, hapi derën, U kthye në shtëpi 
    U ul pranë dritares. 
    Jashtë beteja vazhdonte me furi 
    Plot klithma dhe “mos,mos”, vajzash. 
    Nga mos goditja e saj, 
    Nga një goditje në zemër, 
    Pastaj natyrisht, rrodhën lot Qau… 
    Jashtë binte dëborë … 
    Ajo ishte vetëm…ishte dimër. 
    MUZEU 
    Në këtë dhomë të vetmuar, 
    Xhaketa varur në mur, 
    Pantallonat poshtë, 
    Formojnë një kryq 
    Në gozhda 
    Si zogjtë të vrarë në pyje, 
    Si gjethe të prera. 
    Si balsamosje,
    Si herbarium, 
    Si Jezu Krisht. 
    Kush do e shpjegoi 
    Në një shkollë fshati; 
    Rininë time martire, 
    Fëmijëve?! 
    TI ERDHE… 
    – Kushtuar M… – 
    Imagjino sa e bukur je ti; 
    Ti që linde e u rrite mes shëmtimit, 
    Duke përballur kafshimin kanibal 
    Të ideologjive. 
    Këmbët e tua të bukura u krodhën 
    Në leksikun banal të rrugës së kthimit.
    Oh! 
    Ti erdhe që unë të përballoj vdekjen, 
    Ta shtyjmë me buzët tona deri në breg, 
    Si ujin e qelbur, 
    Këtë tmerr. 
    Edhe kur të mbytemi të zënë për dore 
    Do ngelen përkohësisht në sipërfaqe 
    Ca flluska ngjyrë trëndafili: 
    Fryma jonë.
    Mos u tmerro ! 
    E tillë është jeta e milionave në botë: 
    Vijnë dallgë të pafundme drite, 
    Në ekstramasën e saj, 
    Trupi ynë vazhdon. 
    AJO NJË HERË HUMBI 
    Ajo nuk ishte atje, 
    Atje ku duhet të priste. 
    Andej nga drejtimi I detit, 
    Perëndimi i diellit, s’më tha ndonjë fjalë. 
    Kishte një polip të kuq në laring. 
    Ajo po mungonte, 
    A po tha përfundimisht kish humbur?! 
    Kur bota rreth meje u zhvesh 
    Ajo dallohej veshur me të bardha, 
    Mbështetur pas një kolone mermeri. 
    Sikur po jetonte çastin e një shekulli të kaluar, 
    Çastin e një ekzekutimi. 
    Tashmë ishte larg. 
    Ne humbëm realitetin e nisjes. 
    Ajo për një çast humbi solucionin, 
    Oh, humbja është solucion i tmerrshëm 
    E përzien sensing 
    E të tria kohëve të njerëzimit. 
    ****************************
    ________________________________________________________________________________
    Si përfundim Majakovski dhe Esenin, dy poetët rivalë, kaq të ndryshëm midis tyre, për ironi të fatit u lidhën nga një vdekje e çuditshme.
    _________________________________________________________________________________
    SERGEJ ESENINI DHE MAJAKOVSKI DY GJENI PWRBALLW NJERI-TJETRIT
    ESE 
    Nga Paolo Statuti
    Vladimir Majakovski dhe Sergei Yesenini – dy poetë të mëdhenj, në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, dhe nuk mund të ishte ndryshe: i pari – anëtar themelues i Lefit (Frontit të majtë të Arteve), këngëtar i proletariatit, i quajtur “gjiganti i brishtë”, i devotshëm në dashuri , modest dhe i sjellshëm në marrëdhëniet njerëzore, revolucionar autentik që përpiqej për lirinë totale të individit nga çdo oligarki ; i dyti – poet gjenial fshatar , që nuk i toleronte rivalët, “hero” bohem i Moskës, biseksual me një jetë të trazuar dhe të çrregullt si pak kush …Qëndrimi negativ i Eseninit, ndaj Majakovskit u theksua nga disa shkrimtarë të rrethit të këtij të fundit. Kritiku dhe historiani i letërsisë V.B. Shklovsky, për shembull, thekson se “Esenini nuk e pëlqente Majakovskin dhe i griste librat e tij, po t’i gjente në shtëpi.” Poeti V.S. Rozhdestvensky i quan të “të çuditshme” marrëdhëniet midis dy poetëve: “Kishte mes tyre një armiqësi që nuk shterte kurrë. Për Majakovskin Esenini ishte një “lirik i keq” në mënyrë të dukshme. Duke polemizuar me këtë të fundit dhe me audiencën e tij entuziaste i cili i gjykonte me ironi takimet poetike të rivalit. Kolerik që prekej deri në ekstrem, Esenini nuk ia fali kurrë “. Dhe ja një dëshmi e poetit proletar N. Poletaev: “Një herë, gjatë një pritje në Shtëpinë e Shtypit, natën e Vitit të Ri, pasi piu me bollëk, Esenin i binte më qafë Majakovskit, duke i bërtitur, pothuajse duke qarë:” Rusia është imja, e kupton? – Imja, dhe ju … ju jeni amerikan! Rusia është imja ” Menjëherë pas kësaj, Majakovski iu përgjigj qetësisht:” Ju lutem, merre, pra! Haje me bukë. “Nuk është sekret për askënd se Majakovski mbahej një gjeni, dhe për këtë arsye i konsideronte krijimet e poetëve të tjerë, duke përfshirë edhe klasikët e letërsisë ruse, me një farë përçmimi. Disa i kritikonte hapur, të tjerët i përqeshte, të tjerë akoma i fajësonte si grafomanë, ndërsa veprat e tyre nuk kishin asnjë vlerë për brezat e ardhshëm. Qëndrimi i tij ndaj Eseninit ishte shumë kontrovers, ia njihte talentin letrar , por nuk mund të pranonte mungesën e ideve dhe parimeve të këtij “zejtari pijanec të njohur”, duke menduar se Esenini duhej ta përdorte talentin e tij, jo për të përshkruar bukuritë e natyrës ruse, por për të mirën e revolucionit. Megjithatë, pas vdekjes tragjike të Eseninit, Majakovski e rishikoi mendimin e tij mbi jetën dhe krijimtarinë e poetit fshatar, aq sa në pranverën e vitit 1926 ai shkroi poezinë e famshme “Sergei Eseninit”, nga e cila burojnë ndjenja të ndryshme: keqardhjeje , druajtje, mirëkuptim …, por unë nuk mendoj të bëj këtu një analizë të kësaj poezie, por do të kufizohem të risjell në vëmendje strofën e fundit të saj e cila është një polemikë parafrazë e fjalëve të famshme të poezisë së fundit të Eseninit: “Në këtë jetë të vdesësh nuk është e re/ por më e re nuk është edhe të jetosh. ” Kur Majakovski shkroi këtë poezi, versioni zyrtar i vdekjes së Eseninit ishte vetëvrasja, dhe ai nuk mund të parashikonte se një ditë kjo vetëvrasje do të vihej në dyshim. Ai ishte i bindur se Esenin ia kishte marrë jetën vetes vullnetarisht, për shkak se ai nuk kishte mundur të zinte vendin e tij në shoqërinë e re. Sot, pas publikimit të dokumenteve të GPU, ku duket se poeti u vra, edhe vërtetësia e letrës famshme të shkruar nga Esenini me gjakun e vet, në mungesë të bojës, para se të vdiste, vihet në diskutim , dhe mendohet se ka qenë sajesë, për të vërtetuar tezën e vetëvrasjes. Esenini me jetën e tij, jo të rregullt, me kritikat ndaj pushtetit sovjetik, me zemërimin e tij në mbështetje të popullsisë fshatare e cila ndjente veten të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga revolucioni – ishte bërë një personazh shumë i papërshtatshëm për regjimin. Shkurt, disa detaje të trupit të tij të varur në tubin ngrohjes, e favorizojnë tezën e vrasjes: dora ishte në një pozicion të panatyrshëm, sikur të kishte kërkuar të ngrihej që të mos mbytej, laku nuk ishte i shtrënguar shumë, gërvishtjet në krahun e djathtë dhe një kontuzion nën syrin e majtë, bënin të mendohej për një kacafytje, përleshje, të dëshpëruar me vrasësit e tij, edhe pse, mbase, ishte i dehur. Autopsia do të zbulonte gjithashtu se kolona vertebrore e tij ishte këputur, sikur dikush e kishte kapur nga këmbët dhe e kishte tërhequr poshtë me forcë, ndërsa ishte ende i varur.
    Sergei Yesenin në arkivol
    Po “vetëvrasje” e Majakovskit? Dyshimet dhe misteri e kanë rrethuar përherë vdekjen e tij. Sipas tezës më të besueshme, ai qe nxitur për t’u “vetëvrarë” nga policia politike e Stalinit, por nuk u trajtua si një vrasje e vërtetë. Drejtori Aleksandr Dovzhenko i cili ishte me Majakovskin në prag të vdekjes së tij, kujton: “Ne ishim ulur së bashku në kopsht, që të dy të prerë , ai i rraskapitur nga nuliteti, pafuqia, nga rufjanët, tutorët, nga kanibalët dhe spekulatorët …” Me sulmet e tij mbi burokratët që sipas tij, “mbysnin” revolucionin, në vitin 1930 Majakovski i kishte humbur të gjitha beneficet e mëparshme të regjimit stalinist. Midis gjërave të tjera mbetet si një mister, furnizimi i poetit me një pistoletë nga GPU. Ai u befasua dhe donte t’ia kthente pistoletën , por agjentët këmbëngulën që ai ta mbante atë, duke i lënë të kuptojë se të tilla ishin “dispozitat”. Si përfundim Majakovski dhe Esenin, dy poetët rivalë, kaq të ndryshëm midis tyre, për ironi të fatit u lidhën nga një vdekje e tillë.
    Përgatiti dhe përktheu: Faslli Haliti
    ***************************************************
    Maxhun Osmanaj
    Datëlindjes sime
    Kur u linda në ’58 tën 
    Dy kohë t’acarta mbështillnin
    Qenien time , trupin kërthi
    Kohërat me dhëmbë helmues 
    Kafshonin fatin tim të ardhshëm
    Stina e armëve dhe përndjekja për në Anadoll
    Thonë se babi për mua 
    Ishte gëzuar shumë
    Por s’kishte shtie pushkë n’ajër
    S’kishte thënë asnjë fjalë
    Vec heshtja i kishte folë
    Se korbat silleshin karvan
    Nga të katër anët mbi foletë tona
    Më vonë në rrugëtimin tim
    Unë I padjallëzuar me kohën
    Jetën e kuptova si lojë
    Por, hajnisht ajo më mashtroi
    Dikush vazhdimisht diellin 
    Provonte të të ma rrëmbejë
    Jeta m’u shndërrua n’betejë
    Edhe sot nga dita në ditë
    Nga viti në vit 
    Gjelas dyluftoj me kohën
    Tani zogjtë dhe shqiponjat 
    Nga qielli dhe toka, më shikojnë me kënaqësi
    Por dyluftimin me kohën do ta vazhdoj 
    Deri në përjetësi
    Fjala
    Kur e merrte penën në dorë
    Veten e shkrinte në varg
    Dheut për t`I dhënë faunë e floreë.
    Kur e jepte fjalën
    Tufanët s`mund t`ia thyenin 
    Vec toka e qielli ta zinin.
    Kur ngulte në zemër betimin 
    Rrënjët në thellësi për atdhenë
    Korbave mes netëve ua thyente shpresën.
    Kur puthte dashurinë e tokës vet
    për të gjithë këta njerëz bëhej mbret.
    Në sytë e tu…
    Në sytë e tu…
    dëshiroj të pushoj
    si luftëtar i betejave të pareshtura
    nga agu deri në muzg
    shpatën ta var në fushën shikim
    etjen ta shuaj nga ujëvara
    e kroit t’pashtjerrur-shpirt
    e ti, mike, mos me merr
    si Gjergj Elez Ali
    as si Mujë Sokol e Halil
    por me prano vec si luftëtar urtak
    udhëtar i përjetshëm drejt Trojës
    me armët-shpresa të pathyera për shtegtim
    në sytë e tu nis mëngjeset
    dhe diellin e jetës
    kurrë s’e pranoj perëndim…
    në sytë e tu,më mirë
    se askund tjetër, rri zgjuar prore
    edhe humbjet i kthej në fitore!
    Nëse digjem..
    Nëse digjem në zjarr
    Mos ma farkoni shpirtin
    Nëse digjem për etje
    Gjakun e kam lëng –shpëtim
    Nëse digjem për këngë
    Melodija e hirit më ringjall
    Nëse digjem për diell s’pranoj
    përvëlimin e shpirtit
    s’mund kush të ma shërojë
    Nëse digjem në dashuri
    Si do ta shoh botën pa sy..
    *****************************
    Nevila Demi
    ATY
    Ne takohemi aty …
    ku Hëna i dorëzon çelësat Diellit,
    (unë lindja jote, e ti perëndimi im).
    Aty… Ku dita e nata sfumohen mes tyre vec në disa caste maramendëse.
    Aty… Ku gjilpëra e busullës përshkon parreshtur 360 gradë.
    Aty… ku koha humbet, zhduket, nuk ekziston më.
    Aty… ku magjia shtrin krahët në mbretërinë e saj.
    Aty… ku shpirtrat takohen e shkrihen si eter në një.
    Aty… ku jeta dhe vdekja prekin përjetësinë.
    Aty… ku gjithcka e përzier mishërohet në lindjen e një krijese-mrekulli-ndjenje…
    Aty… ku bota ëdërron të përvetësojë qoftë edhe një grimcëz të vetme.
    Aty… ku ekzistenca jonë zotëron mbi mijëra universe.
    Ne të dy.
    Unë e ti.
    Ne takohemi… pikërisht ATY !
    METAMOFROZ
    Dikur…
    Ti ishe ti.
    Unë isha unë.
    Dhe koha na bëri ne.
    Tani…
    Ti je prapë ti.
    Dhe unë prapë unë.
    Të kohës pre…
    MES HESHTJES, BUKURISË DHE VETES
    Në heshtjen e natës, se ngrohtë mesdhetare,
    Ku dallga e detit me nanurit,
    Ku hëna e plotë ne qiell varet
    Si llampe gjigande plote dritë,
    Ku hijet e murmura zvarriten, lëpihen,
    Si gjuhe zvarranikesh mbi tokë,
    Ku mendja ime në të thella bie,
    E gjumi syte s’m’i mbyll dot.
    Diku mes heshtjes, bukurisë dhe vetes,
    Në krahët e eterta të lumturisë,
    Papritur vegimi yt më shfaqet,
    Fytyra e vetë dashurisë !
    MË LER
    Më ler kokën në prehërin tënd ta mbështes i dashur,
    Sikurse fëmija në prehërin e nënës…
    Më krih flokun me gishtat e tua të nxehtë,
    Mes çastesh ëndjeje nën dritën e Hënës.
    Largo prej tyre mallin gri që krijoi pritja jote,
    Si gjethe zverdhur një ëndrre harruar…
    E unë të bulëzojë si syth pranvere,
    Kur ti më ringjall me ato duar…
    Dhe ti botë mizore, më ler ta dua,
    Ashtu sic unë di, me gjithë qënien time…
    Veç ai ma shpalos ndjenjën si pallua,
    Kur llogjika shkërmoqet e bëhet thërrime !
    Milazim F. KADRIU
    ME RREZET E DIELLIT NË PËRQAFIM
    Zgjati duart nga lindja
    Ta dëgjoi zërin në perëndim
    Kthehem andej
    S’të gjeta
    Shikoi lart në qiell
    Me rrezet e diellit
    Të shoh në përqafim.
    ECI
    Po eci,
    Për te ti jam nisur
    Në këtë rrugë të gjatë
    Janë shumë i molisur.
    Pas teje
    Janë duke ardhur
    Ti ik me nxitim
    Ik nëpër rrugët e vendit tim.
    NUK MUNDËM MË
    Kur ra një terr i zi
    Pushoi kënga e bilbilit
    Një re e dendur
    I zuri rrezet e diellit.
    Nuk mundem më
    Terrin e zi ta durojë
    Deshëm sërish
    Këngën e bilbilit ta dëgjojmë.
    E grisëm terrin e zi
    Bilbili ia tha këngës përsëri
    U shpërndanë retë e zeza
    Dielli lëshoi rrezet e tij.
    GISHTAT E MOLISUR
    Edhe pse të molisur
    Gishtat një ditë
    Grusht janë bashkuar
    Atë që i molisu me shekuj
    E kanë shkatërruar.
    TAKIMI SY NË SY
    Një ditë patjetër
    Do të takohesh më vetveten
    Sy më sy.
    Andaj në atë takim
    Ashtu si ke punuar
    Ose do ta puthësh
    Pse do ta pështysh
    Vetëm në sy.
    RRUGËT 
    Rruga ime me tënden
    Herët a vonë
    Ka për tu bashkuar.
    Siç bashkohet lumi me lum
    Ashtu do të jemi ti dhe unë
    Secili vrapojmë rrugës sonë
    Dhe mendjen e kemi
    Se ku kjo rrugë na bashkon.
    Më mirë është herët sesa vonë
    Rrugët me u bashkua.
    ******************************************
    E NEMURA
    Elisabeta Kurti
    N
    ehemia kishte vdekur! Më erdhi, vërtet keq, për atë plakë të gjorë, të vetmuar dhe shumë të pafat, të cilën vdekja e kishte ndjekur këmba- këmbës, duke i kositur njerëzit më të dashur… Mbase duhet të shpresoj që ajo tani të ketë gjetur, me të vërtetë, paqe pranë fëmijëve të saj… Këtë plakë e takova për herë të parë nëntorin e vitit të shkuar në spital. Kisha gjyshen sëmurë dhe rastisi që edhe ajo, Nehemia, të ishte e shtruar në të njëjtën dhomë, për të njëjtën diagnozë; ftohje e rëndë. Ishte e vetme dhe gjatë 10-diteve ka ardhur ta shohë vetëm një grua e moshuar, që siç mësova prej Nehemisë, ishte motra e saj, Kelita. Meqë të shumtën e kohës ishte vetëm, fillova ta pyes gjatë e gjerë dhe ajo nuk u kursye aspak në përgjigjet e saj… çdo njeri i ngjason një libri që përmban një histori, pjesë e së cilës janë bërë çaste nga jeta. Historia e kësaj plake ishte tronditëse, pafundësisht e dhimbëshme… 
    ….
    -U martova në moshën 18-vjeçare,-vazhdoi të fliste ajo:-burri im, Sibraimi, më donte shumë.” Ndërkohë që ajo fliste, unë shikoja fytyrën e saj që ishte e përshkuar nga rrudha të thella gjatësore në ballë dhe tërthore në faqe, që të jepnin përshtypjen e një muri të tejlodhur nga koha dhe të plasaritur nga tërmeti. Sytë e saj të vegjël blu ngjasonin me dy oaze në mes të shkretëtirës. Ngjasonte me një kufomë që vetëm sytë i jetonin. Ato sy të vegjël shërbenin si burim jete edhe ishin si dëshmi që ai trup akoma s’kishte vdekur. -Jetoja me burrin dhe prindërit e tij. Zoti deshi që të kisha gjashtë femijë: tre djem dhe tre vajza… Pashë që mori frymë thellë si të bëhej gati për t’u zhytur në fund të oqeanit, pastaj vazhdoi të fliste:- “Të pestë fëmijët e parë më vdiqën në një moshë fare të vogël…. S’mund ta shpjegoj sepse…. Atëherë ishte kohë tjetër dhe doktorë nuk kishte. Ne fund linda një vajzë, Shaelin. Ajo ishte për mua si dielli që del pas një stuhie të fortë shkatërrimtare. Ajo është gjallë edhe tani. Te paktën kështu më kanë thënë. Kur Shaeli mbushi dy vjeç, burri im u sëmur dhe vdiq…” I shikoja kraharorin që i ngrihej lehtë teksa merrte frymë, shikoja duart e saj dhe e përfytyroja duke ledhatuar të pesë foshnjat që do ta kishin jetën e shkurtër. Pas një heshtje disa sekondëshe, Nehemia filloi të fliste prapë, por fytyra e saj nuk kishte asnjë shprehje. Siç dukej ajo fliste mekanikisht, pa ndjenja. Mbase për shkak se tani ajo e kishte mësuar dhe e kishte pranuar fatin e saj. -Vëllezërit më morem në shtëpi, ndërsa vajzën e lashë tek kunata. Bëra gabimin më të madh të jetës sime të mjerë. U martova për herë të dytë, isha 29-vjeçe. Im shoq… Fjalinë ia ndërpreu një kollitje e gjatë, saqë me zor arrinte të mbushej me frymë. U bëra gati te dilja të thërrisja infermieren, por plaka më ndaloi dhe duke zgurdulluar sytë më tha:-“S’kam gjë!” Në dhomë vinte një erë eufiline që të shponte hundët. U çova dhe hapa dritaren. Brenda hyri aroma gudulisëse e ajrit që ishte shpërlarë nga një shi i butë ,por dhe i ftohtë. Vështrimi i Nehemisë ishte i përqëndruar diku larg, shumë larg, tamam si ai vështrimi i të verbuarit, që përpin gjithçka dhe nuk shikon asgjë. -Po pastaj ,ç’ndodhi me burrin e dytë?-e pyeta unë nga padurimi. -Pas një viti edhe ai vdiq. Me sa kuptuam nga tuberkulozi. Vendosa t’i kërkoj kunatit një djalë, duke i premtuar se do ta kisha djalë për shpirt, do ta rrisja si fëmijën tim, por ai s’pranoi.
    Khh, khh khh,- filloi të kollitej! Sa herë kollitej i dridhej i tërë trupi dhe ngjyra herë i vinte herë i ikte. -Unë e mjera ç’faj kisha që s’më lejuan ta shoh kurrë vajzën time. E gjora Shaeli edhe po të më shikojë s’do më njohë… Pashë që i rrodhën ca lotë dhe shprehja e fytyrës nuk ishte më e akullt si në fillim. -Khh khh,khh,-filloi të kollitej përsëri. Pastaj filloi të fliste:-“U martova për herë të tretë me një burrë me moshë shumë më të madhe se unë, s’mund të pretendoja për tjetër ,apo jo? Por pas disa vitesh edhe ai vdiq dhe unë nuk munda të kisha një fëmijë.” Fytyra e saj ishte përsëri ajo e para ,pa shprehje. Sikur nuk po fliste për vete, por për një person tjetër. -Vendosa të shkoja të jetoja me motrën time të vetme, Kelitën. Atë vit që shkova i vdiq djali në moshën 30-vjeçare, sepse nuk e di. Kur i thirrëm në mëngjes që të çohej, nuk u çua… A nuk duhet të mendoj se jam e mallkuar? Unë që nuk i kam bërë keq njeriu në jetën time, nuk duhet të isha e dënuar në këtë mënyrë nga Ai. Megjithatë nuk i mbaj mëri. Do të gjej lumturi në botën tjetër. Jo çdo gjë mbaron me vdekjen e trupit. Trupi është i përkohshëm , ndërsa shpirti i përjetshëm. Mbaje mend, njeriu nuk mund të dalë kundër fatit. Nuk dija ç’t’i thoja. Megjithë vuajtjet e shumta,akoma besonte te lumturia e përjetshme. Nuk thonë kot që shpresa vdes e fundit. Por shpresa e kësaj të gjore i kalonte kufijtë hapësinore, ishte nje shpresë për lumturi në një botë tjetër. Në një botë që ndoshta nuk ekziston. Ajo e konsideronte vdekjen si një mënyrë për të arritur tek lumturia. Dhe ishte kapur pas kësaj ideje ,ashtu siç kapet një njeri që po mbytet, pas një litari. Unë mbeta e shtangur. Në kokë më kaplonin gjithçfarë mendimesh , përfytyrimesh… dhe e pashë që filloi të qeshte. Bëri një të qeshur që i nxori në pah ca dhëmbë të shkatërruar, si të kishte ngrënë me to gurë. Po qeshte me reagimin që kisha bërë unë, kur kisha dëgjuar atë. Ishte një e qeshur e çiltër, aspak djallëzore. Megjithatë fillova të mendoja se mos ,ndoshta, ajo vuante edhe nga skizofrenia. Një herë në çdo dy ditë vinte ta shikonte e motra, Kelita ishte vizitorja e vetme. Ajo ishe një grua e moshuar, që kujdesej me aq sa mundej për të. Ditën e dhjetë që gjyshja doli nga spitali, Nehemisë i cova një tufë me lule. Ndoshta, ishte e vetmja që kishte marrë gjatë jetës së saj. Më tha disa fjalë fetare dhe më falenderoj. Isha e kënaqur, sepse u zbulova syve të saj një shkëlqim nga lumturia. I lashë lamtumirën. Ishte hera e fundit që e pashë. Edhe shkallët e spitalit i zbrita si nëpër tym… Ajo i ishte nënshtruar fatit ashtu siç i nënshtrohet një qen besnik padronit të tij… Kam besuar që nuk ka njeri plotësisht fatkeq ,ashtu siç nuk ka njeri plotësisht të lumtur. Por a nuk mund të quhet kjo grua plotësisht fatkeqe…?!
    FABULA NGA KASTRIOT HADËRI
    XHUPI
    (nastradiniane)
    S’kishte drita korridori, 
    s’punonte as ashensori.
    Njëri në terr të pa parë 
    zbriti gjer në kat të parë. 
    – Si zbrite, ku të çon koka? – 
    e pyet Dikush te porta. 
    – Po ja, zbrita dalëngadalë, 
    më ra xhupi shkallë më shkallë! 
    – Uaa, si t’u shkëput prej trupit? 
    – Joo, unë isha… brenda xhupit!
    FAQJA
    Pyeti Nastradini: 
    – Përse qan ky djalë?
    Ndoshta ju e dini, 
    ç’hall të ketë vallë? 
    – Qan kot, – i shpjegoi 
    Njëri nëpër dhëmbë, – 
    dikush që kaloi 
    i dha dy pëllëmbë! 
    – Ç’kot thua zotrote, 
    kjo s’ka by..ë të rrijë?!
    Ishte faqja jote 
    apo e atij…
    NGUTJE
    Përmbi Gomar Nastradini, 
    vithesh valonte thuprimi.
    Pyet Njëri në këmbim: 
    – Për ku ngutesh, Nastradin? 
    – Jo, jo hiç me ngut s’e kam, 
    po kot s’e vë në revan!
    Mos të ketë kohë, ky qyqar, 
    të mendojë… që është Gomar… 
    NASTRADINI MBI GOMAR
    E cyt Njëri në Pazar: 
    – Nastradin, o i paparë, 
    pse e mban atë Gomar? 
    Nastradini qesh a s’qesh: 
    – Për ndonjë që s’më mban vesh, 
    le ta bindë, ky Pallavesh…
    “ËNDRRA”
    (nastradiniane)
    Pela nuk ia varte Kalit 
    dhe ky si t’ia bënte hallit: 
    – O Gomar, jam prekur thellë, 
    më del në ëndërr kjo Pelë! 
    Po ti, more i përdalë, 
    sheh ëndrra për Pelën vallë!?
    Dhe Gomari me lezet: 
    – Sot pashë ëndërr të vërtetë…!
    *************************************************
    FABULA NGA IZET ÇULLI
    GJUHËTARI 
    (Eqrem Çabejt)
    I dhanë një shkrim për ta parë 
    Bilbilit kryegjuhëtar.
    Dhe ky Akademinë tundi: 
    “Mungon një presje nga fundi!”
    GAFORRJA
    Mblidhen Kafshët në kuvend, 
    të dëgjojnë kush kish mend.
    Një Gaforre teksa mbërriti, 
    desh të fliste gishtin ngriti.
    – Ku di ti, – tha një Luan, – 
    duhen fjalë me taban! 
    – Prit, – tha Dhelpra pak si vëngër, – 
    kjo flet drejt se ecën shtrembër!
    PADITJE
    Qen Ballani paska hall, 
    i ka hyrë Ujku në stallë, 
    i ka çarë nja dy Dhi.
    Ngre padi në polici; 
    për një shef mustaqespic 
    pa pikë turpi i lyp gic.
    Avokati, një qafir, 
    do shelegun më të mirë.
    Ky Çakalli prokuror 
    kërkon dashin me këmborë.
    Qeni s’di se ku ka kokën: 
    -Po gjyqtarit ç’t’i jap, lopën?!
    Namik Selmani
    • 
    1.Nata në Olimp
    Rrufetë nga Olimpi ma thyen zemrën qelqore 
    Atë natë me hënë dëgjova lehtë jehonën e brigjeve 
    Atë natë kur hëna hidhte kurora mbretërore 
    kur shuaja etje malli që më dha për jetën njw zemwr relike e
    Ndoshta doja t`i mbyllja sytë përgjithmonë
    Me dy puthje doja të prisja natën e ditën në agim
    Doja të belbëzoja për lamtumirën e fundit që më trishton 
    Me zemër të ngrirë doja të pyesja valën që ecte me nxitim
    Nga dashuria pyeta valët kur do të më godisnin 
    Përgjigjja u përzie e tëra me jehonën e brigjeve
    Cunam u bëra pas emrit të përmendur që pëshpërisnin
    Në gjurmët e ngjyrave që zgjonin brigjet mitike
    E dua ngjyrën e bardhën, të kaltrën shumë e dua
    Të kuqen e dua si pjesë e ngjyrave të ylberit 
    Dhe puthjen e dua që ka ngrirë në buzën e shkrumbuar
    Që nuk e shkrin dot as hëna as rrezja e fundit e diellit
    • 
    2.Sonte
    Ah, sonte dua ta kap për fyti me litarë ligësinë e botës
    Atë trimoshen, llafazanen, atë që të zë rrugën me gurë
    Atë drizanen që të sjell borën dhe në mes të odës
    Atë që kërkon të të verbojë dhe në gjumë
    Sonte 
    Dua që ta vë në gijotinë Botën e egër, të errët
    Atq që të shuan semaforët e blertë me të frikshmet sirena
    Që të ngrin këngën pa e nisur në buzën e rreshkët
    Që të vret nja dashuri të re që ia do zemra
    Sonte
    Dua që t’ia heq kallajin kësaj bote kaq të shtirur
    Me thonj, me dhëmbë me mijëra vargje e fjalë
    Se boll na kanë vjedhur diellin që e kanë lënë dhe pa lindur
    Se boll na e kanë vjedhur dritën e hënës drapërartë
    Sonte
    Dua ta mund këtë botë me zemrën si shatërvan mirësie
    Me zemrën që buron rreze drite engjëllore që më ka lumturuar
    Në gjunjë , o botë, kudo që ti hedh shigjeta ligësie 
    Në gjunjë, të them se sot jam vetë fitimtarja kurorë kristaluar
    Ah sonteee, në këtë mbrëmje tetori
    Më erdhi ligësia 
    Po sërish nga dera e mundur doli
    22 tetor 2014
    Përralla e pambaruar
    Asnjëherë s’ma mbaroi përrallën gjyshja ime
    Sytë e mi ndrisnin e butësisht ulnin qepallat
    E muzgu ia linte vendin përherë agimeve
    E ditës së zhurmshme ia zinte vendin Nata.
    Këndezët krekoseshin duke kënduar këngë te kasollja
    Ca mbretër e qerosë hynin e dilnin nga përralla
    E gjyshja me furkë më dukej e vjetër sa bota
    Dhe rrudhat në duar e në ballë dukeshin si brazda.
    …Tani jam vetë gjyshe e s’harroj kurthin e vjetër
    Që përrallën ta lë gjithmonë të pambaruar
    Për të në varrin mes qiparizëve kam vënë një emër
    Dhe pranë saj rizgjoj fëmijërinë time të trazuar
    Anita Hoxha
    Kur digjet një letër dashurie
    Lamtumirë letër e dashurisë time
    Sot me dhimbje ndahemi vërtetë
    Aty harruar është gjithë rinia ime
    E ditët që s’do të vijnë më në jet
    Eh puthje pa fund ka aty brenda
    Dhe lotë pritjesh netëve të gjata
    Aty u shuan dhe t’bukurat ëndrra
    E agimeve pasionet tona t’zjarrta
    Shoh flakët mes duarve që dridhen
    Dhe me të po digjet fati im i shkretë
    Reve t’errëtat ditë i shoh si shkrihen
    Veç si kujtim unë do ta kem përjetë
    Lamtumirë o letra ime e dashurisë
    Sot më duhet nga ti të shkëputem
    Lamtumirë ju them viteve të rinisë
    Në një tjetër jetë unë sot po futem
    Më dhuro një lule
    Më dhuro një lule të bukurin mëngjes
    Nëse vetmuar më sheh ti duke qarë
    Ska gjë nëse petalet nuk i ka më vesë
    Ska gjë edhe nëse vjeshta e ka tharë
    Më dhuro një lule manushaqe pranvere
    Kur t’më shohësh hapat hedh mërzitur
    Ska gjë se janë fishkur nga e ftohta erë
    S’ka gjë e nëse ca gjethe i janë prishur
    Më dhuro një lule ti këtë buzëmbrëmje
    Kur me hënën flas e me zemër i lutem
    Kur jeta të më tund në një marramëndje
    Kur unë si lastar i dobët peme këputem
    Më dhuro një lule këtë ditë të bukur sot
    Kur të kuptosh që shpirti s’ka më shpres
    S’ka gjë se e pa erë është akull e ftohtë
    S’ka gjë dhe sikur në duar të më mbesë
    Më dhuro një lule dhurom tënden dashuri
    Shpirtit tënd mbushur plot dritë të vërtetë
    Dhe pse e vetmuar në shpirtin tim do t’rri
    Fryma ime do ta mbaj gjithmonë në jetë
    Kjo pemë qershie
    Celi e fundit pemë qershie në oborrin tim
    Degët hapur dritaren mbuloi gjerë e gjatë
    E lulëzuar e shoh e mbushur mallengjim
    Për ty miku im, për ty që ndodhesh larg
    Dhe dritaren hapa e dehur luleve plot erë
    Frymë thellë mora e u ndjeva kaq e lumtur
    Kjo qershi sot çeli si urim për këtë pranverë
    Që ti të kthehesh për mua një ditë të bukur
    Ku je mes mendimit e mallit me lot t`kërkoj
    Ditët pa mua ngjyrë gri për ty thuam që janë
    Një dallandyshe e lumtur kaltërsive fluturoi
    Qiellit në thellësi atje ku folen e tyrë e kanë
    Celi dhe qershia e fundit sot në oborrin tim
    Mes degëve e gjetheve më bën melankolikë
    Atë histori kujtova që tashmë s’ka më kthim
    Ditën kur trishtuar një mëngjes pranvere ike
    *************************************************************
    Skrimi kaligrafik i …
    (Skicë letrare)
    Nga: Përparim Hysi
    Kur marr të shkruaj këtë skicë letrare, më vjen ndërmend Arkimedi, që thoshte:”Gjemëni një pikë, ku të mbështetem dhe unë mund të lëviz tërë botën!” E bëj këtë analogji jo pa qëllim. E kishim lënë të takoheshim për një kafe miqësore me Faslli Halitin. I përpiktë, si një orë zvicerane, hyri te kafe “Ulqini”, tanimë, i shoqëruar nga zonja e tij e nderuar, Nirvana. Sa bëmë toka, pashë që nxori nga qeska një libër për t’ma dhuruar. E hapi dhe, te bënte përkushtimin për mua, më mbetëm sytë te kaligrafia (bukurshkrimi), aq unike e tij. Më mbetën sytë dhe jo pa shkak. Kam parë qindra e qindra lloj shkrimesh çfarëdo, por shkrimi i Faslliut është për t’u vënë në “kornizë”, si një model, që rrallë mund të arrihet.
    Kur shkruaj kështu, kini parasysh një ish-nxënës të Normales së Elbasanit, ku bukurshkrimi qe lëndë e veçantë. Dhe, megjithatë, unë mbeta gojëhaptë nga kaligrafia e tij. Mësuesit tanë të shkollës së mesme, që të gjithë qenë diplomuar në Perëndim, në universitetet më në zë të Evropës dhe, megjithatë, të rrallë qenë ata, që kishih shkrim, ku të mbeteshin sytë, si mua sot te i Faslliut. Për bukurshkrim, në gjithë ata mësues aq të nderuar, vetëm dy veçoheshin: profesori ynë i biologjisë, i ndjeri, Jovan Beça dhe, mësuesi i shkollës ushtrimore “Dr.Xhaferr Kongoli”, i mrekullueshmi Hysen Caushi. Bukurshkrimin na e jepte piktori i merituar, Bukurosh Sejdini, që,sado mëngjarash, në dërrasë shkruante me dorën e djathtë. Kur pashë shkrimin aq të bukur, desh bërtita: “Piktor, për piktor!” Britmën nuk e bëra dhe nga “sikleti” më nxori Faslliu. “Ky shkrim,- më tha,- jo vetëm më ka mbajtur me bukë, por ma ka zbardhur dhe faqen”.
    * * * 
    Nuk jam i zoti, që t’u ballafaqoj me shkrimin e tij aq të bukur. Por, sidoqoftë, në vija të trasha, po ua sjell këtu të fotokopjuar, që të keni një përfytyrim të përafërt . Dhe prapë një analogji: Më kujtohet një fshatar i vobektë, nga fshatrat e Fierit, i ndjeri Ahmet Gjojdeshi. Hyzmeqar ky, Ahmeti, te ca bejlerë të kohës. Pasçlirimi, bjelerët i la me gisht në gojë dhe, për t’i diskretituar para popullit, më shumë i ballafaqonin me hysmeqarët e dikurshëm. Kur i kërkuan xha Ahmetit, që t’i demaskonte zotninjtë e vjetër, ky tha: “Aha, Zoti mua më kish dhënë zërin. Ma kish dhënë dhe këndoja bukur. Por dhe këta qejflinj të mëdhenj, donin këngë. Unë kendo, ata kënaqu.Kënaqu, po më trajtonin mirë.”Vu”, pulëza e pjekur, para dhe faqorja e rakisë. Tani,xha Ahmeti, “ngordhi” fare, se i bëtë ata tohidho si unë…”.
    U shqye fshati me të qeshura, por unë, tek e sjell këtë ngjarje, që e kam parë me sytë e mi, në fshatin Petovë të Fierit, e bëj këtë analogji se shiko, se ç’ më tregoi, në vija të trasha, Faslliu:
    “… E mbarova klasën e pestë me të gjithë njësha (njëshi qe nota më e lartë, deri në vitin 1948) dhe nuk di pse mësuesi më tha:-Shumë mirë! Tani shko e ruaj lopët! Po, pse do ruaja lopët? Lopët nuk i ruajta, por fillova e plugoja tokën me qetë e mi. I vogël isha, aty te 13-vjeçar, por e kisha merak: vijën, që plugoja, e doja të drejtë. Dhe ashtu e bëja: t’i vije vizoren! Kur çlodhja qetë, lexoja. Po, 13-vjeçar lexoja “Kasollja” të Blasko Ibanjezit. Shkruaja dhe pikturoja. Dhe, shkrimin, si pikturë. E mbarova Liceun Aritistik “Jordan MIsja” dhe, kur shkova ushtar, nga shkrimi e piktura nuk kapa pushkë me dorë. Por, shkrimi i bukur më shpëtoi dhe kur më ra”dielli” mbi kokë”.
    Kur thotë kështu,e ka për atë dënim të pistë, që iu bë Poetit Faslli Haliti, për poemën ” Dielli dhe rrëketë”.Ia hoqën të drejtën e profesionit (për botime, as që bëhej fjalë, por e çuan të hapte kanale në Plug të Lushnjes. Dhe aty faqen të bardhë ia ruajti bukurshkrimi. Se ferma kish nevojë, sa për “parrulla revolucionare”,aq dhe për dizenjo gjithfarësh, ku shquhej dora e artë e Faslli Halitit.
    Këto m’u kujtuan, kur ai po bënte shënimin për mua. Unë sot u ndala te shkrimi i tij i bukur, por kjo është veç një skicë dhe aq. Se, që të flasësh për Faslli Halitin, nuk mjafton vetëm një skicë. Ai e ka të plotë profilin e tij letrar: edhe poet, edhe porzator, edhe publicist, edhe përkthyes dhe, mbi të gjitha, është “Mjeshtër i Madh”. Pra, profili i tij letrar i ka kaluar kufijtë e Kombit, duke u përkthyer në gjuhë të huaja. Jo më larg se më 13 qershor 2015, ai është i ftuar në Itali. Atje, një vëllim i tij është përkthyer në gjuhën italiane dhe vlerësuar me çmim.
    Pra, unë sot fola vetëm për shkrimin aq të bukur të Faslli Halitit. Dhe, në mbyllje, mund të them: Nuk është vetëm krijues i bukur, por dhe Njeri me zemër të madhe!
    MITI SHQIPTAR DHE ALBANOFOBIA 
    Nga VASIL TABAKU
    Shqiptarët janë një mit, një legjendë e vërtetë dhe madhështore e mbijetesës dhe ekzistencës solide në Ballkan dhe me gjerë. Në pesëqind vjetë robëri të otomanëve turq, Shqipëria jo vetëm mbijetojë dhe u konsolidua por ajo nuk u asimilua asnjë grim nga kultura, gjuha, politika dhe ekspansioni i otomanizmit. Kjo gjë më vonë ndodhi me sulmet sllave të Serbisë në Veri të Shqipërisë dhe sulmet e ekstremistëve grekë në Jugë të vendit. Po kjo rezistencë u konstatua edhe në Kosovë dhe në Çamëri. Një rezistencë heroike e paparë, e paimagjinueshme dhe madhështore…dhe të mos harrojmë në ato shekuj dhe vite të rënda shqiptarët dhe Shqipëria nuk ishin të organizuar në ndonjë qeveri të konsoliduar apo shtet sovran. Shpesh ata ndodheshin përballë altervativave të shpërbërjes dhe shkatërrimit total. Por rezistenca e shqiptarëve mund të themi se ishte e pashembullt, e pakrahasuar me asnjë shtet, me asnjë komb apo popull në Botë. Dhe pikërisht kjo rezistencë heroike, e pashembullt dhe tejet e fuqishme e plot dinjitet i trembte shtetet fqinje me tendenca të theksuara shoviniste dhe asimiluese ndaj Shqipërisë. Dhe pikërisht këtu e ka zanafillën dhe e ashtuquajtura “ALBANOFOBI” e këtyre shteteve dhe ndonjë shteti tjetër ndoshta edhe ne Europë. Gjithsesi ne tashmë jetojmë në një realitet tjetër shumë më të ndryshëm dhe dinamik, më demokratik dhe më të ekuilibruar, më paqësor dhe më të mirëkuptuar, ku dhe Albanofobia, nuk duhet të jetë më një FOBI, aq më tepër që shqiptarët e kanë vërtetuar katërçipërisht se janë një popull miqësor, paqësor dhe tejet i negocueshëm për dialog, mirëkuptim, marrëveshje dhe pse jo edhe për një zgjidhje të artë të Çështjes së madhe Kombëtare Shqiptare. Shqiptarët më tepër se kurrë apelojnë sot për mirëkuptim,dialog dhe zgjidhje reale paqësorë të çështjes së tyre të madhe. Nuk mund të heshtet, apo të tërhiqen pafundësisht shqiptarët sepse dikush, diku na paska një sindromë të përjetshme të ALBANOFOBISË dhe luan me këtë kartë duke abuzuar rëndshëm se gjoja shqiptarët kërcënojnë më një shtet të madh…. Është pikërisht koha dhe momenti i madh historik për zgjidhjen e shumë çështjeve që për vite të tëra presin një zgjidhje të drejtë dhe domethënëse, sikundër është Çështja e madhe Çame dhe unifikimi i shtatë milion shqiptarëve në një Shqipëri të vërtetë e të vetme, pa ndarjet tragjike dhe të padrejta, të cilat jo vetëm diskriminojnë shtatë milion shqiptarë por dhe i mbajnë ata pa asnjë argument të ndarë dhe të përçudnuar kombëtarisht. Ka ardhur koha që të gjitha këto të zgjidhen ashtu sikundër e meritojnë shqiptarët, ky komb I mrekullueshëm, solid, paqësor, liridashës dhe fisnik. Shqiptarëve iu duhet dhënë e drejta e mohuar shekullore e unifikimit dhe dinjitetit të tyre si një nga kombet më të vjetra dhe të qytetëruara në Ballkan dhe Europë…
    Ligor Shyti
    ME NJË YLL DASHURUAR
    U enda nëpër natë si i dehur 
    Me aromën e saj parfumuar 
    Më thoshte zoti: ç’të ka ndodhur? 
    I thashë: me një yll jam dashuruar!
    E shpura yllin jashtë nga qyteti 
    U enda bashkë me të në errësirë 
    Ky yll i bukur ma ndriçoi rrugën 
    O zot, sa i bukur qe dhe sa i mirë!
    ME KOKRA QERSHIE 
    Me kokra qershie, 
    bëhen likotë më të shijshme të qytetit tim. 
    Me kokra qershie, 
    Dy zemra mund të pikturoj. 
    Me kokra qershie, 
    mund të thur edhe emrin tënd, 
    Por buza jote, si qershi, …
    o Zot, më çmend.
    VETËM PËR TY
    Vetëm për ty do këndoja si bilbili, 
    Do udhëtoja gjatë për tek ty,
    Por, nëse për ty do të bëja gjithçka, 
    Mos më kërko, që vetëm për ty të shkruaj poezi.
    Më kërko, për ty të shkoj dhe në Hënë, 
    Me not do të kaloj edhe detin,
    Por, nëse për ty, do të rrotulloja edhe Globin, 
    Mos më kërko, që për ty të nis kurbetin.
    Poet i mirë, apo i keq 
    Ti mund të thuash çfarë të duash 
    Por, nëse për ty un’ veç do shkruaj
    Për poezinë, jam i huaj.
    Të shkojmë një ditë të festojmë, 
    Në fushë, në det, apo në mal 
    Një shishe verë, një laps dhe letër 
    Vetëm për ty, nuk shkruaj tjetër.
    Vetëm për ty pranë një burimi 
    Në një lëndinë me lule shumë
    Ditlindjen tënde do festojmë 
    Vetëm për ty do shkruaj unë.
    Fragment nga monodrama: “ Qeni bir… i një qeni” nga Ferdinand Hysi
    Në fakt unë jam një qen… ose më sakte një qen… bir i një qeni! Sepse nuk është e rëndësishme si më shikoni ju, por çfarë mendon ti vetë që je! Ju siguroj që unë mendoj seriozisht që jam një qen! Dhe jo siç kam dëgjuar njëherë në një konsultë mjekësore… se gjoja unë qenkam një njeri i sëmurë qe ka psikozën e të qenit qen! Përkundrazi unë jam tamam një qen… që ndonjëherë kam psikozën e të qenit njeri! Por jo shpesh… rrallë… kur më kujtohet ndonjë fjalë nga njerëzishtja… apo kur i detyruar nga njerëz te tërbuar, për t’ju shmangur kafshimit te tyre, detyrohem ti gënjej duke ju thënë qe dhe unë jam një fare njeriu!
    Se në përgjithësi njerëzit ofendohen kur dikush i thërret qen… apo dhe qen bir qeni… por askush nuk ka pyetur se sa tërbohemi ne qentë kur dikush do të na thërrasë… njeri… dhe më keq akoma… njeri bir njeriu! Nuk po më kuptoni? E qartë! Nuk kini si të më kuptoni! Sepse vetëm unë qeni, i biri i një qeni të nderuar mund t’ju tregoj të vërtetën e të qenit qen! Dhe e dini pse e bëj këtë? Pikërisht se jam një qen i ndershëm… biri i një qeni po të ndershëm! Dhe vetëm ne qentë mund të tregojmë ndershmërisht atë që ndjejmë brenda nesh… sepse tek ju njerëzit ndershmëria ka vdekur miqtë e mi! Dëgjoheni këtë… po ju a thotë një qen… bir i një qeni! (Ulurin si qen) Natyrisht edhe kjo është një nga të drejtat tona, ulërijmë kur duam, jo kur na detyrojnë te ulërijmë, si ndodh shpesh tek ju!
    Me që erdhi fjala tek lehja, më lejoni te nënvizoj një gjë. Nuk është e vërtetë ajo fjala e urtë që thotë: qeni që leh nuk të kafshon! Nuk është e vërtetë! Po të ishte kështu… do mendohej që çdo qen që leh nuk kafshon! Kafshon zotërinj e zonja, kafshon! Natyrisht… o para o pasi leh… por kafshon! Këtë fjalë e kanë shpikur njerëzit për ne qentë… për të justifikuar faktin që mes njerëzve ka që flasin shumë, por nuk të kafshojnë! Dhe këtë ja u thotë një qen që e di çdo me thënë të lehësh dhe të kafshosh… natyrisht dhe të kafshohesh nga njerëzit… të cilët me lehje… pa lehje… kafshojnë brenda llojit më shumë se ç’bëjmë ne qentë me njeri tjetrin…
    ………………………………
    Dhe pikërisht… kur mendoja se punët po shkonin pak a shumë mirë… morra vesh… se unë… pikërisht unë… isha i prekur! (I bie xhazit fort) por shumë i prekur ama! (I bie më fortë) Isha me njollë! (Bie aq forte sa shpërndahen pjatat në dysheme. Ka një muzike të dhimbshme) Pikërisht me një njollë! (Nga objektet që kanë rënë në dysheme merr një tigan dhe një si lugë të madhe e përdor si violinë) Pra, unë xhazbandisti diletant… në atë periudhë të moshës, që quhet dhe moshë e muzikës… fillova të mësoj t’i bije një simfonie të re… Simfonia e njollës! (Ekzekuton me pasion) Unë, që kisha dëgjuar për një simfoni të nëntë të Betohvenit… po mësoja të luaja simfoninë time të parë… atë të njollës! (Përsëri ekzekuton)
    Pra unë isha me njollë! E madhe… e vogël… me ngjyrë… pa ngjyrë… nuk ka rëndësi! Unë isha me një njollë… që përveç madhësisë, apo ngjyrës… më e rëndësishmja qëndronte në faktin që kjo ishte një njollë e trashëguar dhe e trashëgueshme! Unë e kisha të trashëguar nga prindërit… mbase dhe ata nga të tyret… dhe unë kisha detyrim biologjik, shoqëror dhe me karakter të detyruar biografik ta lija trashëgim fëmijëve të mi! Pra kjo njollë biografike… pra kjo bionjollë… duhet të më shoqëronte jo vetëm në rininë time… por dhe në të qenit prind, gjysh… apo stër- stërgjysh! (Lë violinën. Shikon me vëmendje këmishën e vet me njollë). Dhe nuk lahej miqtë e mi! Nuk hiqej! (Heq këmishën)… dhe po ta hiqje atë njollëmbajtësen, ajo të shpifej tek tjetra… tek tjetra! (deri sa heq të gjitha) Dhe nuk kish si të hiqej! (Qesh në mënyrë histerike) Sepse ajo nuk ishte vetëm në lëkurë… (kruan trupin me forcë) ajo ishte brenda teje… thellë… në shpirt… në zemër… në gjoks… në stomak! E kisha provuar dhe me të vjella të detyruara… por përsëri nuk kish ikur! Jo! Jo! Ajo ishte me ty! Kudo! Ti ecje dhe të dukej se të gjithë të shikonin ty, në fakt shikonin njollën tënde!
    ………………….
    Ato njolla ma ndryshuan komplet jetën time të mëtejshme, tashmë të njollosur! (Ulet, fillon të qaj, duket si një e qarë qeni) Dhe xhazit nuk më lanë më ti bija, se njollosja xhazin! Dhe ajo përsëri nuk po ma varte më! Unë isha me njollë… dhe një pa njollë është e vështirë të afrohej me një të njollosur… për vetë rrezikun e njollosjes!
    …………………………..
    Pra i rritur me njollë kalova një pjesë të jetës sime! Kur shokët e mi pa njollë shkuan në universitet, mua më çuan të bëja ushtrinë dhe ku thoni ju? Larg shumë larg! Kur u ktheva… kërkova përsëri të shkoja në shkollë… insistova edhe pse im atë… dhe ai i njolluar… më thoshte ta lija atë punë… se nuk ishte për fëmijë të njollprodhuesve! Më së fundi… pasi punova për disa vjet tokat e një ferme bujqësore, më dhanë të drejtën të bëja një shkollë… nga ato tre vjeçare… për mësues… natyrisht për mua do ish: mësues fshati… pasi vetëm atje… njolla ime… mund të mos prishte shumë punë. Dhe përfundova… në një vend të largët… në një fshat pa emër, mësues i një shkolle me dy klasa të vetme, ku bënin mësim 13 nxënësit e atij fshati… që bënin mësim bashkë në një dhomë!
    Nga ARTUR VREKAJ
    MELODI E JETËS
    Me këngën e jetës gjall ditën,
    Ison hedhur dhe nga ky shi,
    ngjyrën prushin trëndafilët
    të ndezur siç e pëlqen ti.
    Tingujt e dhimbjes së mallit
    e shtrëngojnë shiun me erë,
    dallgëron liqen i mardhur
    dhe rrugën rrëke në verë.
    Kthjellon qiellin Dielli im,
    ëndrrat pleksur fill ftillohen,
    me një dritë të vetëtimtë
    u qesh fati horizontesh.
    PARA NJË LULEJE TË VOCKËL 
    Lisi kurorën shkund, përshkund,
    ti bëjë shteg Diellit përmes një reje,
    resë që shkon e qiellin plumb,
    të kujdeset për lulen e vetme.
    Lulja që ka çelur buzë zgavrës,
    kupëvocklës sa bebja e syrit,
    syve përshëndetjet mi hark’
    dekoltehapur, lulëzuar gjirit.
    Një bletë këngën këput në mes
    ulet në të e mbledh nektarin;
    Trupimta kokën vë mbi dhe’,
    mbi kërcellthin-urë qan flladi…
    E gjitha kjo ndodh në sekondë,
    lulja të pijë Diell kryet prapë ngre,
    sa ikën bleta shoqeve tu tregojë
    për lulen dhe mua që i vura re…
    Shpirtin ma qeshi kjo lule që pashë,
    tash syve vallëzon lulja-shembëllim,
    thashë ca fjalë, rrugës bletës ja dhashë,
    gjakvrullur ngrohur me pranverim.
    ATDHE QË FLAMUR BALLKAN-Ë
    Bëhesh plagë në shtrat plage,
    rrugë bëhesh të shkel bota,
    bota që ngul kryqe varresh
    zotin pis, piset dhe Vjosa…
    Bëhesh lot dhe Dielli yt
    far bëhet përmbi Barketë,
    bëhesh zot tu plasësh sytë,
    kush për ty i ndez rrufetë.
    Bëhesh lule, bletëron
    trupa, shpirtra në të gjallë,
    Bëhesh shi në mua rigon,
    fjalë-fjalë mbushur mall.
    Bëhesh, zhbëhesh përsëri
    sa të vjen një fat i mirë,
    djajtë të zjarrin sy më sy
    dhe të djegin pa mëshirë.
    Pranveron dhe me një fjalë
    bëhesh lumë e derdhesh det,
    Atdhe që flamur Ballkan-ë
    rron me zotin e vërtetë.
    Sazani, ishulli i perëndive
    Sulejman Abazi
    Më ra fati që të jetoja në Ishull, prej korrikut të vitit 1986-të, deri në korrik të vitit 1992, me familjen pranë. Ishulli më jepte ndjesinë e fortë, pasi më mbante shumë afër të lidhur me vendlindjen time, qytetin e Vlorës. Isha vetëm 33 vjeç. Ditën që më komunikuan detyrën para efektivit të oficerëve, u shkaktua habi tek disa prej tyre, që ishin mësuar ta shikonin komandantin në moshë “të vjetër”. Ishte bërë traditë, në Ishull komandanti apo komisari duhet të ishin mbi moshën 45 apo 50 vjeçare. Ndoshta përvoja dhe veçanërisht mosha, për një detyrë kaq të rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë, më mungonte, por bindja, energjia dhe përkushtimi ishin diçka tjetër. Më kujtohet biseda e komisarit të Ishullit në atë kohë. Disa ditë më vonë, duke qeshur riprodhoi fjalët që kishte shkëmbyer me zëvëndës sekretarin e byrosë së partisë, Sali Shirkën, një oficer nga Korça, që kishte 7 vite që jetonte në Sazan. Më kishte përcaktuar në pamjen e parë me një “çunak, djalë të ri”, duke shprehur habinë dhe pasigurinë për detyrën e komandantit. Atëherë të tjera gjëra më shkonin ndërmend. 
    Muajin e parë në detyrë vendosa të mos “përzihesha” në punët e drejtimit. Lëvizja kudo, në çdo repart e nënrepart, vëzhgoja dhe nuk flisja, duke dhënë përshtypjen e një “memeci”. “Memec” më quajtën, “çunak”, e po “djalë i ri”, “ishulli kërkon burra”. Pas një muaji mora drejtimin e shtabit. Fola pak, detyra të paracaktuara dhe kohën e raportimit. Kisha kuptuar se duhej ndryshuar metodologjia në organizimin dhe drejtimin konkret të punëve. Disa oficerë të shtabit këtë ndërhyrje e morën lehtë. Po atë ditë, pasdite vonë, në zyrë u komunikuan disa vendime, krejt ndryshe nga më parë. Ditë më vonë, kaluam kompani më kompani dhe në çdo bateri. Ballë për ballë me problemet e disiplinës dhe të jetesës. Vetëm pas 7 muajsh punë intensive, nën përgjegjësinë e komandave dhe shtabeve, arritëm sëbashku të stabilizonim gjendjen dhe të përcillnim një opinion krejt tjetër në udhëheqjen e lartë të Ushtrisë. Ndoshta ndikuan edhe rrethana të tjera.
    Historia e dhimbëshme e Ishullit në vitet e paraçlirimit, më sillte përherë ndërmend një lidhje shumë të fortë shpirtërore, që kishte të bënte me të kaluarën e familjes time. Kur shikoja se si ishin të ndërtuara rrugët dhe objektet me gurë të skalitur mirë, që në kohën e pushtimit Italian, mendja më shkonte tek shfrytëzimi i punës së të burgosurve politikë shqiptar, të strehuar për vuajtje dënimi në ishull. Gjyshja ime, hanko Sadua, më kishte treguar më herët, se në kohën “kur ishulli ishte i pushtuar nga italianët, një dajo, vëlla i nënës time, (Sejdi Murraj, sot dëshmor i atdheut), në një moment, kur po ngarkonin çimento në portin e Vlorës, arriti të arratisej dhe ju bashkua çetës së Ali Demit në fshatin Kaninë.
    Eh,…ishulli i Sazanit, ishulli i Shpresës, i Perëndive, ishulli ynë, ishulli i shqiptarëve, sot ka përpara dilemën e historisë dhe të perspektivës; ose t’i kthehet dinjiteti, duke e vlerësuar për atë çfarë mund t’i dhurojë popullit shqiptar, ose të lihet në harrësën e tij historike, për të cilën ndoshta të tjerë breza do ta vlerësojnë. Me një ndjesi të lartë në gjithçka të mirë që ofron historia dhe realiteti në planin moral në këtë pjesë enigmatike të vendit, në përkushtimin dhe përgjegjësinë e ushtarakëve dhe civilëve, për shërbimin tonë të përbashkët në Ishull, sot pas kaq vitesh, kujtojmë me nostalgji atë kohë të sakrificës njerëzore, kujtojmë të gjithë banorët, vartësit, miqtë dhe shokët, pothuajse të gjithë fëmijët që u lindën dhe u rritën aty, duke rezervuar për ta ndjenjën më të lartë të respektit dhe të mirënjohjes njerëzore. 
    Të gjithë bashkë, bëmë më të mirën e mundëshme, u larguam nga Ishulli me krenarinë e “ishullarit” dhe njerëzve fisnikë e atdhetarë, që plotësuam me nder detyrën në një vend të vështirë. Rrallëkush sot, mund të kuptojë thelbin e krenarisë tonë të përbashkët për kohën që jetuam në atë vend, në këtë “kështjellë” të mbrojtjes shqiptare, për të cilën, ne “ishullarët”, do ta kujtojmë në çdo kohë me nostalgji dhe respekt. 
    Fatmira Loci
    Fletës së bardhë
    Qendrova larg fletës së bardhë
    larg realitetit, për ditë qendrova
    Dhimbjes nuk desha më t’i flas
    por, as lumturinë s’e përqafova!
    E si ta vrisja trishtimin e mjerë,
    në ç’lumenj ta hedh këtë merzi?
    Kur s’e mbajnë; dete, as oqeane
    kokëulur, gjithnjë kthehem aty!
    Shpeshherë, ndjehem keq para saj
    para lapsit, që më dridhet nder duar
    Mendoj; kë duhet të bëj me faj
    për vargun tim, të dëshpëruar!?
    Edhe sot, ju afrova e turpëruar
    mbas kaq ditësh lënë në “harresë”
    E putha, si dashurinë e munguar
    dhe prapë e njollosa, me bojë të zezë!
    Një kafshatë
    Një kafshatë të hidhur sot më dhanë
    e kapërdiva, ju buzëqesha!
    Ndonjëherë duron fort ky shpirt’ i ngratë
    që nuk pëlcët, kur i ngërdheshët jeta!
    Një kupë me hidhërim, plot ma mbushen
    pa e trazuar me ujë a diçka tjetër!
    Nuk munda të flas, e kisha të humbur luftën,
    s’e mendova dy herë, e piva atë zeher!
    Dhe mora rrugen time drejt dëshpërimit,
    si një mëkatare, e denuar pa shkak!
    Çuditërisht s’i urreva as në gllënjkën e helmit,
    përqafova trishtimin, që më ish ulur mbi prag!
    Të mjerë
    E megjithatë, vazhdojmë të shkruajmë,
    guxojmë të flasim për dashurinë!
    Sa herë qajmë ikjen e diellit muzgjeve,
    nën perden e natës, lotët i fshijmë!
    Fillojmë dialogun me Hënën dhe Yjet,
    me heshtjen, në netët e vrenjtura me shi.
    Zhubrosim çarçafët, të errëtat mendimet
    e në orët më të vona, dorëzohemi të dy.
    Me lindjen e diellit, zgjojmë krenarinë,
    ecim kryelartë, si Zotat e Olimpit!
    I dhurojmë qytetit, të ëmblën, mirësinë,
    dhembjen e fshehim, ne skutat e shpirtit!
    Botës i dhamë, ç’është për t’i dhënë
    nder shekuj ritet, i ndoqem brez pas brezi.
    Para Perëndisë, ne mbetem të njëjtë, 
    të ftohtë na zë mbrëmja, të akullt mëngjësi!
    E megjithatë, Ne vazhdojmë t’i shkruajmë
    në pusullë pa adresë, e hedhim ndonjëherë.
    Ndoshta, përjetësisht jemi denuar të vuajmë
    dhe vetë dashuria, ndoshta na quan; “të mjerë”!
    Ermentila Guci
    Në Ëndérr
    Erdhi nata,kurse ti jo
    Do të trokas gjumi,mbi qepallat ëndrrat do të hedhin rrjetën,
    Unë hënës do t’i kërkoj
    një nder,
    rrugën ty té t’a ndriçoj.
    Në ëndërr të lutem të vish…
    Ndoshta e me imazhe
    bardhe-zi,
    por veç eja…
    …merre e mallin me vete,
    të tokemi fort në pérqafim.
    Të qerasim natën
    me qeshje e trishtim
    Unë do té pres në
    ëndërr,
    Ti si njê ëngjëll
    do të vish,
    lehtë në krah të tu,
    do të marrësh historinë
    ta ndajmë bashkë mallin ne të dy!
    Shok …
    Shok me diellin
    që ngroh e djeg
    Shok me valén
    që mendimet m’i rrëmben
    Shok me shkëmbin
    ku trishtim ngushëllim
    gjen
    Shok me zogjét
    kënga e tyre,
    ci-ci-ci…
    melodi e ëmbel
    për veshët.
    Shok me yjet
    ku numërohen déshira
    e përqafojmë ëngjéll
    Shok…!
    Po, po njerinë?!
    Njerézit qëndrojné më shumë pas krahéve tané!
    -Ah… Njerëzité!
    Bisedim i vështiré ku njeri duhet të hesht e tjetri të flas!
    1 Qershori
    Qyteti zgjohet 
    nga zërat féminjor,
    Dielli përkeledh fytyrat
    ylberi mbéshtjellê êndrrat.
    Fémijt zgjasin duartë
    qiellin e duanë pranë.
    Vrapojnë,këndojné,luajnë si zogjtë në fluturim,
    duke sjellë gjallëri.
    Midis kumbimit të gëzimit,
    tê kësaj dite.
    Heshtja zgjaté duarté,
    të vret,
    disa fémij këtë ditë
    nuk e gëzojnë.
    E rrëmbyer nga atmosfera
    heq make-up
    takat e larta,
    mendimet e një té
    rriture,
    eci zbathur mes fémijve
    me shpirtin e veshur
    ku ëndrrat féminjore,
    falin buzëqeshje naive
    që sjellin gëzim.
    Në sytë e fémijeve,
    celet urim:
    Dashuri,hare e suksese
    në lundrimin e jetës!
    Natyra e veshur me blerim
    në harmoni me botën
    fëmijnore gëzon,
    me fustanin e saj jeshill valle hedh rreth tyre!
    *********************************
    Petraq Pali
    Ike e hajde për çdo mot..
    Ç’më qajnë sytë ç’më qajnë
    Edhe zëmra zë më dhëmb
    C’më pik malli nostalgjia
    Det i dhimbjes po më çmënd !
    *
    Të huaj veten e ndjej
    Megjithse linda këtu
    Jam prej mishi e prej gjaku
    Tharë shpirti bërë dru !
    *
    Ka zëra që më bezdisin
    Më pyesin pa të keq…
    Pse nuk ri në Amerikë,
    Ç’të pëlqen ky vend lanet ?
    *
    O bobo si e ndiej veten
    Më ther zëmra vuaj,heq
    Det i mallit dhe i dhëmbjes
    Nuk zbutet në kurbet..!
    *
    Lërmëni të shuaj mallin
    Në vare lule të vendos
    Se aty është fikë qiriri
    Dhe një amanet të sos..!
    *
    Gjithsesi dekadat shkojnë
    Kur larg vëndit vegjetoj
    Asnjë here se shova mallin
    Ikë e hajde për çdo mot…
    Afër detit….
    Ndezur dritat xixëllonja
    Bregut detit flladitndritur
    Nga një blu e blujtë fare
    Përmbi dallgë shkëmbqëndisur!
    Fëshfërin e mjera valë…
    Fesh e fesh në mot e vjet…
    Porsi amanet shkumëbardhe
    Përmbi rërën ze rrëshket!
    Përmbi rërën ngjyra ndezur
    Si floriri vetëtin…
    Në syprinë të vetë detit
    Si pasqyrë veçse ndrin!
    Aty jeta s’ka të sosur
    Aty jeta është jetë
    Kur përzihen ngjyrat bashkë
    Dhe kur zemra është e qetë!
    Pa dhe shpirti lumturinë
    Si parajsë e ka të shkruar
    Afër detit kemi thënë
    Si një mbret jeton… “malluar”!
    **************************************************
    Valter Dauti
    EMIGRANTI
    Pata këtu një copë tokë,
    Që kur u linda ma dha vetë Zoti,
    Dhe pasi linda,mbeta trokë,
    Nga që ti mik qe më i forti.
    Ma more tokën me grushte dheu,
    Nga pak përditië…unë heshtja fisshëm,
    Gjer fryu tufan e më mbërtheu,
    Gjer erërat tutje më degëdisën…
    Tani,mbi glob,endem i mjerë,
    I gjithë uri,pa ëndrra fati,
    Më ndodh,takoj dhe plot të tjerë,
    Mbi shpinë,pak glob-torbë refugjati.
    E pata një grusht dheu këtu,
    Që grimca-grimca ma rrëmbeve…
    Po dale…ç’është…mor,ç’ndodh kështu…?
    Unë qenkam veç banor i reve…?
    Unë s’paskam lindur te ky truall?
    Unë qenkam pjellë galaktike,
    …mbi shpinë,një trastë e mbaj si zhguall,
    Dhe endem globit…hije frike…
    ÇMENDURI.
    Varre të vjetër,
    varre të rinj,
    varre të heshtur,
    të zinj.
    Varre të varfër,
    varre të pasur,
    afër e afër,
    të qasur.
    Varre të bukur,
    varre të shëmtuar.
    Varrezë e strukur,
    hutuar.
    Çmenduri njerëzore!
    …të varfër…të pasur…
    edhe në varreza!
    Ç’ çmenduri…çmenduri…
    Të gjithë kemi lindur nga veza!
    SHTËPIZA IME,ME SHPIRT TË FLIRTË.
    U ngri shtëpiza ime e drunjtë,
    Mes drurëve pa një gjeth…
    E,zëri kurrë mos i humbtë,
    Mes dimrit që të ngjeth. 
    I ngathët ec miu hirosh,
    Kasolles,cep më cep,
    Sikur më thotë ky bukurosh:
    -‘’Po miu…është poet…?
    Sepse lodron në ngricë-acar,
    Në tapë shishen gërvish,
    Te bota tej dremit e bardhë,
    Një gotë mund ta pish…’’
    Shkreti e bardhë derdh nur të hirtë,
    E shkuara nis vdes…
    Shtëpiza ime me shpirt të flirtë,
    Merr frymë… dhe zjarr më ndez.
    Kështu gjallon gjithçka në botë,
    Plot jetë…përjetësisht.
    …shtëpiza ime, si shpirt i ngrohtë,
    Merr frymë paqshmërisht…
    U vesh me borë shtëpiza ime,
    Si nuset në përralla…
    Tani,dhe vjershat plot mendime,
    Zënë bëhen më të rralla.
    TEK HUMBIN VITET…
    Më humbën vitet e dikurshme,
    Sa keq! S’e di se ku më humbën,
    S’di ku u fsheh një moshë e vrullshme,
    Tani,dhe unë kam humbur rrugën.
    M’u tretën vitet me aq komente…
    Sa ndonjëherë dhe vetë përskuqesha.
    Buzë pyjesh,mbrëmja ngjyrë mente,
    Më ftonte brenda që të futesha.
    Tani…krejt pylli humbi drurët,
    Dhe veç dremit fytyrë plakur…
    Përgjumshëm krejt,i humbi udhët,
    Me njolla diegieje spërkatur.
    Më ikën vitet…hiri I mbrëmjes,
    Lëshon mbi shtigje ngjyra muzgu…
    Dhe s’di pse mblidhem brenda meje,
    Në veladonin e një murgu.
    Nëpër kujtimet e kristalta,
    Të blertat udhë u mbushën vjeshtë…
    Veç ndizen prapë drita të largëta,
    Unë-manastir që hesht të heshtë…
    ***********************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” 
    DATË: 1 qershor, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Martin Camaj, Izet Shehu, Natasha Lako, Flutura Maçi, Pertef Lici, Nevila Demi, 
    02- Botime dhe tregime nga Mimoza Bici, Elisabeta Marku, Maxhun Osmanaj, Namik Selmani, Artur Vreka, Vasil Tabaku
    03- Fabula dhe kritikw nga Kastriot Hadëri, Izet Çulli, Ferdinand Hysi, Sulejman Abazi, Anita Hoxha, Ligor Shyti
    04- Botime nga Pëllumb Gorica, Nevila Demi, Zaho Vasili, Edona Haliti, Odise Gremo
    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.
    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme për Pena Shqiptare, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!
    Sigal