Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 07 dhjetor 2015

    624
    Sigal

    Friedrich Schiller

    Lindi në Marbah (Marbach) si djali i një oficeri dhe një vajze bukëpjekësi. Shileri, përderisa ishte në akademinë ushtarake të themeluar nga hercogu Karl Eugeni prej Vyrtembergut (von Wurternberg), në vitet 1773-1780, ju desh të studionte judikaturën dhe mjekësinë. Urdhri ushtarak i pashpirt i shkollës, shumë herët e detyroi Shilerin që të merrte një qëndrim opozitar. Ai lexoi veprat e Zhakues Rouseseut, Gëtes dhe Uiliam Shekspirit dhe më 1779/80 mësheftas përmblodhi veprën e parë Grabitqarët, e cila u botua anonime më 1781. Suksesi sensacional i kësaj pjese që shfaq më 1782 në Manhaim, e popullarizuan shumë shkrimtarin e ri mirëpo në Vyrteberg i sollën ndalesën e shkrimeve, arrestim dhe përjashtim. Shiler iku në Manhaim dhe nga aty shkoi në rezidencën Henriete von Volcogens. Gjatë kësaj kohe ai përfundoi pjesën pikëlluese Betimi i Fieskos Së Guinesë dhe përpiloi Thashethëna e Dashuri. Më 1783 Shileri u bë shkrimtar i teatrit në Manhaim. Ai e lëshoi këtë vend pasi kishte papajtueshmëri me itendatin e Dalbergut, i cili për dallim nga planet e Shilerit për teatrin si qendër edukative nacionale, mendonte më shumë për arkën e teatrit. Gjatë 1785-1787 Shileri gëzojë mikpritjen e familjes Kërner në Lajpcig dhe në Dresden nga ku më 1787 arriti të mbaroi pjesën Don Kalos dhe filloj që më me intensitet të merret me studimin e historisë. Pas suksesit të tij, me Historia e Shkatërrimit Të Holandës Së Bashkuar Nga Qeveria Spanjolle filloj punën si profesor i historisë në Universitetin e Jenës dhe më 1790, u martua me Sharloten e Lengfeldit (Charlotte von Lengfeld). Në vitet pasuese krijoj veprat mbi historinë, si Historia e Luftës Tridhjetëvjeçare (1792); përmbajtje rreth çështjes etike si Tuta dhe Krenaria (1793), Mbi Edukatën Etike të Njeriut (1795) si dhe vepra me mendime lirike. Miqësinë me Gëten e filloi më 1794. Ndërsa më 1799 u shpërngul në Vaimarë, ku realizojë disa preokupime rreth teatrit në teatrin e oborrit të Vaimarës. Përpos përpunimit të pjesëve të autorëve tjerë ai krijoj edhe veprat e mëdha, dramën historike të tij Valenshtain-trilogji (1798/99), Maria Stuart (1800), E Virgjëra e Orleansit(1801), dhe Uiliam Tel (1804). Me dramën Nusja e Mesinës (1803) Shileri provoj që të zgjonte për gjeneratat e tij, formën e tragjedive të grekëve antikë. Vepra e tij e fundit Demetrius – një tragjedi rreth një kandidati të rrejshëm për fronin rus – mbetet një fragment.

    Kasëm Trebeshina
    Kasëm Trebeshina, lindi më 8 gusht 1926 në Berat. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua gjallërisht në Luftën Nacionalçlirimtare, prej së cilës i kanë mbetur disa plagë. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski”, të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacional-çlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist, të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet.

    AJO QË NUK MUND TË KUPTOHET

    Ishte një ditë e bukur vere kur dëgjova në shtëpinë e zotnisë ku shërbeja, se atje në anën tonë kishte plasur një kryengritje kundër mbretit. Pastaj u fol se kryengritja u shtyp, kryengritësit u kapën, u burgosën dhe u vranë dhe njërin e varën. Se ata, kryengritësit, kishin vrarë edhe një gjeneral!
    Mua më dukej çudi. Mbreti nuk ishte më i fortë se prifti i fshatit! Njërin e qëllonin me armë, kurse tjetrit nuk ia kthenin kurrë fjalën…
    Dhe iku vera me këto ngjarje… Dhe me të tjera si këto.
    Po pastaj?… Ku kishte shkruar vera e vitit të mëparshëm?!…
    Nuk e kuptoja ku kishin shkuar ato ditë dhe ç’kishte qenë për mua ajo periudhë e jetës sime.
    Kaloi vjeshta, dimri… Vera tjetër… Dhe vitet njëri pas tjetrit…
    Erdhën ushtri të huaja… Dhe mua mu duk se u rrita dhe u bëra më i mençur. Vura edhe një pozitë në shoqëri, por nuk guxova më të kthehesha në fshatin tim, në fshatin e vegjëlisë sime.
    Pse?!…
    Gjatë luftës kisha kujtuar se bota po rikrijohej, se unë i rilindur po shkoja drejt diçkaje të ndritur dhe shumë më të mirë. Por fundi i të gjitha tregoi se çupat më të bukura u martuan me komisarët më të fortë… Sigurisht më të fortë në llafe!…
    Një ditë disa shokë të ministrisë ku punoja, fill pas luftës më morën gati me zor për të shkuar në festën e përvjetorit të luftimit të parë kundër gjermanëve. Vajtëm dhe na lanë të fyer sikur të kishim shkuar për të lypur.
    Tashti kishin dalë disa njerëz të aftë që dinin ta meremetonin bukur historinë!…Kështu në historinë dhe gjeografinë e ribërë nga ata që kishin qenë më të aftë për këto punë nuk të bënte zemra të ndërmerrje një shëtitje… Dhe unë nuk u ktheva kurrë në fshatin e vegjëlisë sime.
    Në largësi dhe i pushtuar nga një mall dhe një brengë e fshehtë, u mundova të kthehesha përsëri atje ku kisha qenë një stinë të vetme… Atje ku i kisha tradhtuar dhe ku më kishin tradhtuar… U mundova në ëndërrimet e mia të kthehesha tek vendi i humbur i stinës së vetme të jetës sime, tek ai vend që nuk ishte më dhe nuk mblodha veç një grumbull kujtimesh për t’i hedhur në letër.
    Duket njeriu jeton me të vërtetë vetëm njëzet vjetët e parë, dhe në ata njëzet vjet ka një stinë vere plotësisht të tijën… Dhe unë e pata verën time atëherë me manastirin, me varrezat dhe vajzat që u sollën rrotull meje dhe fluturuan.
    Ajo që ikën nuk kthehet më dhe ne nuk mund të kemi një stinë tjetër vere.

    KUSH JAM UNË DHE KUSH NUK JAM UNË

    Jo!… Unë isha tek ai vend atje poshtë dhe kisha një emër. Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër… Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirrur me një emër. Dhe tashti jam…
    Po, mua më quajnë…
    Ata qeshin se mua më quajnë…
    Ç’ka këtu për të qeshur?
    Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë… Më quajnë Odin Mondvalsen. Ç’punë u prish atyre se mua më quajnë kështu?… Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tashti! Si?… Nuk doni ta dëgjoni? Pse?… Se nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj?… Nuk e keni dëgjuar më parë, dëgjojeni tashti.
    Njerëz me bluza të bardha vijnë vërdallë, më bëjnë inxheksione dhe ikin. Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan të dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokë e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!…
    Jo!… Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. Pastak zbritëm në Hënë ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.
    Bre! Sa u bënë qiqrat atë vit!… Ne hëngrëm sa u dendëm dhe pastaj unë dola përjasht tek nata dyjavëshe e Hënës, ngaqë doja të vështroja Tokën në dritën e hënës. Ose dreqi e di në dritën e kujt…
    Ishte një gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.
    Zot i Madh, si u ngatërruan punët!… Duket Harizit të Dajlanit i kishte humbur gomari dhe ne u nisëm për në Mars që ta gjenim. Pesë vetë për një gomar!… Dhe ne ishim që të pestë komisarë!… Po ata të katër vdiqën në Hënë dhe unë i varrosa atje. Pastaj vetëm u nisa për në Mars për të gjetur gomarin e Harizit. Duket dikush më thërriste nga pas:
    – More, kthehu!… Se gomari erdhi në shtëpi!…
    Mirë e kishte ai, po ku dëgjoja unë?! Isha nisur për një gomar dhe duhej patjetër ta gjeja!… Duhej patjetër të gjeja një gomar me shalë ose samar.
    Djalli e mori atë punë…
    Sa zbrita në Mars më diktuan, më arrestuan, më pyetën, më shanë, më rrahën dhe pastaj erdhën këta njerëzit me bluza të bardha. Këta e kanë punën me inxheksione dhe, kur heqin dorë nga ato, vinë ata të tjerët pa bluza dhe të gjitha fillojnë nga e para…

    Libri i presidentit të Uruguait, Jose Pepe Mujica prezantohet në Muzeun Historik Kombëtar
    Sot më datë 7 Dhjetor 2015, ora 19.00, në Muzeun Historik Kombëtar do të zhvillohet prezantimi i librit “La felicita al potere” e ish presidentit të Uruguaiit Jose Pepe Mujica. Ky libër vjen nën bashkautorësinë e Cristina Guarnieri dhe Massimo Sgroi. Do të prezantojnë librin, krahas autorëve edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Melsi Labi, z.Florian Salaj dhe znj. Silvia Marzoli. Ky organizim vjen si bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar dhe shoqatës “ShqipOn”.
    Ju presim, ditën e hënë, ora 19.00, në sallën Unesco të muzeut.

    Kuriozitet për presidentin më të njohur dhe varfër në botë
    Quhet Jose ‘Pepe’ Mujica, president i Uruguait, i njohur ndryshe si kryetari i shtetit më i varfër në botë. Mujica, 78 vjeç, anëtar i grupit të armatosur Tupamaros në vitet ’60 dhe president prej 2010-2015, ishte i njohur për stilin më se modest të jetesës. Ai zotëron vetëm një “Volkswagen” të vjetër dhe jeton me bashkëshorten, senatoren Lucia Topolansky, në një fermë të vogël në rrethinat e Montevideos.
    Presidenti uruguaian është bërë i famshëm edhe sepse hapi dyert e rezidencës zyrtare për të pastrehët, për t’u mbrojtur nga i ftohti gjatë stinës së dimrit.
    Gjithashtu, në rast nevoje ai ka vënë në dispozicion për endacakët edhe një pjesë të pallatit presidencial Suarez y Reyes.
    24 majin e kaluar një nënë me fëmijën e saj ishin të parët që përfituan nga bujaria e kreut të shtetit, edhe pse më vonë atyre iu gjet një sistemim tjetër.
    Mujica e ka futur rezidencën presidenciale në një listë ndërtesash publike për t’u përdorur në raste emergjencash, pasi në dimrin e 2011-ës pesë të pastrehë humbën jetën nga i ftohti.
    Gjithashtu, ai mban për vete vetëm 10 për qind të rrogës prej 800 eurosh, duke ua dhënë pjesën tjetër lëvizjeve apo shoqatave që ndihmojnë të varfrit.

    Agim Hushi

    Në Golem
    Atje, në Golem ku pishat puthen,
    Me detin dhe valët si balerina,
    Atje, në Golem vij shpesh e ulem,
    Me mallin dhe ëndrrat e mia.

    Atje, në Golem ku bashkë me qershitë,
    Pjek grurin dhe lëkurën e vajzave vera,
    Atje, në Golem ku unë digjem përditë,
    Me mallin e largët dhe pishat e vjetra.

    Atje ne Golem kam mbetur diku,
    Dhe klith shpirti im me zë pulëbardhash,
    Me kohën siç duket nuk matet askush,
    Atje, në Golem ku më nanurisin valët…!

    Kali i prillit

    Kali i bardhë që rend në prill,
    Përtej kohës e legjendave,
    Kali i bardhë, i rënë si yll,
    Me qumësht larë mëngjeseve!

    Kali i bardhë që zgjon prillin,
    Me turrin vrik e rrjedhë përrenjsh,
    Rrufe ujëvarash që hingëllijnë,
    Kali i prillit rënë prej qiejsh!

    Kali i bardh me prill mbi shpinë,
    Jargavanë të dehur vere,
    Flakë sythesh e jelesh ndrijnë,
    Kali i prillit Zot prej ere…!

    Melodi trishtimi
    Mbi tela ti sonte loz i vetmuar,
    Një melodi të trishtuar e plot vaj,
    Kështu kjo botë për ne e gatuar ,
    Dikush të gëzohet e një tjetër të qajë!

    Mbi tela ty sonte ca lot po të bien,
    Dhe zëri të dridhet ndryshe këtë natë,
    Pran teje ca zogj të trembur ngrihen,
    pafajshëm ti por dhe këta trumcakë.

    Mbi tela ti sonte një dhimbje po luan,
    Zogj të plagosur gishtërinjtë e tu,
    Në zërin e dridhur dhe lotët u shtuan,
    U ngritën trumcakët nëpër natë kuturu…

    Mbi tela ti sonte i lodhur vare kokën,
    Dhe kënga pushoi e mbytur me ngashërim,
    Trumcakët si postierë yjeve ia përcollën,
    Këngën e këputur, në mes, me trishtim…

    Murgu i vjetër
    Diku larg në një monastir,
    Një murg i vjetër, çonte jetën,
    Mes lutjesh t’shenjta e qirinjsh,
    Shenjtori plak me Zotin i vetëm..

    Larg botës e syve, i harruar,
    Lidhur shpirtin me një kryq,
    I lumtur ish, a i pikëlluar?
    A rrugëtar në një udhëkryq!

    I panjohur, murgu i vjetër,
    Mbuluar me veladon te zi,
    Peshën e botës hedhur mbi vete,
    Botës të cilës i fshihej ai..

    Murg pa emër, ç’fat ty të solli,
    Të mbyllesh vitet e tua kështu,
    Mes hënës së largët e shtratit të ftohtë,
    Kryqi dhe bibla, të vetmit miq’ të tu!

    Murg i vjetër, ti shenjtor,
    Ç’forcë të ketë vallë shpirti yt?!
    Ç’magji fsheh ti, ç’vullnet hyjnor, J
    e ti mëkat, apo virtyt?!

    Murg i vjetër, përjetë ngujuar
    Tretur ne lutje, virtyt a mëkat,
    Me botën gjithë, ti i dashuruar,
    Nën veladonin…fillikat!

    Kënga e Danubit

    Gri e heshtur ndënë brigje,
    Mit i vjetër qe s’gjen qetësi,
    Qielli vete si pe tërhiqet,
    Edhe tretet në pafundësi.

    Gri e heshtur sy lotues
    Pranë urash malli të mëdha
    Një biondine e trishtuar
    Shkoi këtej e më s’u pa.

    Gri e heshtur bukuri
    Ç’më mbulove te terin sot,
    Bëmë një dallgëz po deshe,
    Në s’më merr me vete dot.

    Gri e heshtur sy trishtuar,
    Nën krah harqesh të mëdha,
    Dikur një bionde e magjepsur,
    Eja, të bëhemi zgalem, më tha!

    Karafilat e Shkodrës

    Me flakë vere u ndezën karafilat në Shkodër
    E prej syve të mijë ranë ca pika lot,
    Tretur si ylle, shtegtimit në mote,
    Karafil si ty nuk ndesha në botë.

    U ndezën në Shkodër karafilat e bardhe
    E tash, nuk jam më djalosh i ri,
    Me erën tende vetmisë i bëra ballë,
    E askund në botë nuk gjeta si ty.

    U ndezën karafilat e purpurt ne Shkodër,
    E unë prej tyne si hoqa sytë,
    Nuk jam më djalosh, si kthej dot motet…
    Tash një karafil atje, më mbeti kryet!

    Këpucët e mia të vogla

    Dua të çmallem me këpucët e mia të vogla,
    Ka vite q ës’rendin e i ka zënë pluhuri,
    Po do ti ve sonte pranë shtratit te koka,
    Të më nanurisin gjersa të më marrë gjumi.

    Të më çojnë me magji në kopshtet gjithë diell,
    Të përshëndetem me cinglat, të shkrihem mbi abetare
    Të shëtis me Dinpakun dhe gjyshin tim të mirë,
    Të takohem me djaloshin që rend pas pëllumbave.

    Këpucët e mija te vogla, udhëza plot mirësi
    U grisët së renduri për ëndrra që kurrë’ si gjetët,
    Më merrni përdore, le të mbetem fëmijë,
    Le te ndjekim ëndrra si zogj, gjithë jetën…!

    Kam kohë që të pres…

    Kam kohë që të pres, nën strehë të kësaj vjershe,
    Me mall ta ve, një hënëz si kurore mbi kokë,
    Të ndjekim yje, të dehemi me musht vjeshte…
    Kam kohë që të pres, ka shume kohë.

    Por ah pritje e kotë, shkuan të gjitha stinët,
    U ndërrua hëna dhe bari, përroi…
    Pyjet u zhveshën,, çerdhet nga vetmia,
    Me hëne mbi shpinë, gjithë jeta më shkoi…

    Vjershat e humbura
    Vargje rinie si dashnore te marre
    Arratisur bashke me ëndrrat në ishuj të largët
    Diku në mes detit, me një anije fantazmë,
    Me vela të shqyera edhe drurë të kalbët…

    Unë lexoj librin tim rralluar në breg,
    Dhe mes fletësh shndrit një velë e bardhë shprese,
    Anija fantazme ngarkuar me vargje
    Do vijnë të me marrin përgjithmonë me vete..

    ***************************
    Agim Desku

    ÇAMËRIA

    Sonte…
    Për çfarë të shkruaj
    mbrëmjeve me zjarr lirie
    Çka i duhet pranverës ky zjarr
    që verbon sytë e nënave.
    më thuaj Ti, Atdhe
    ç`të shkruaj sonte
    për lirinë time
    pa Çamërinë
    JO.
    Nuk e nënshkruaj
    kurrë pasaportën
    pa miken çame.
    Nuk e dua lirinë i vetmuar
    pa flamurin kuq e zi
    të valëvitur me shqiponjë
    në Çamëri.
    As kokën pa tokën
    denbabaden iliro-dardane
    që ma vodhën zotnat e huaj.
    Kur fjala kishte heshtur
    diku në dhe e diku mbi të.
    Sonte
    jam zgjuar të shkruaj vargje
    që ngacmojnë heshtjen
    e njeriun tonë
    ta zgjojnë
    nga ëndrrat për pak liri.
    Që na shtrohet pallateve
    ngjyrë gri
    Gjysmëgotash herë të zbrazura
    metropoleve evropiane.
    Të dehur ngrenë dolli
    për fjalën tonë të heshtur
    Sikur edhe unë i dehur
    me shekuj
    edhe pse i robëruar
    me fjalë e me shpirt.
    Sonte
    kam të drejtë të jetoj
    e të kërkoj liri për Iliri
    ku denbabaden
    isha zot vetë,
    isha iliro-dardan
    isha Çamëri,
    isha Kosovë e Tetovë
    isha Preshevë e Malësi
    isha vetë Iliri
    isha Shqipëri.
    Sonte
    jam vetë zot e Kastriot
    jam Mic Sokol e Adem Jashar
    jam Kosovë e Rugovë.
    Sonte
    jam Preshevë e Tetovë
    jam Malësi e Çamëri
    Sonte
    jam shqiptar e jam Shqipëri.
    Fjalë e pathënë
    Në sytë e mi
    kur bie shi pranverave
    vijnë zotnat
    të luftojnë me ëndrrat
    që m`i vodhën buzëqeshjet
    e vargut të lirë
    për fjalën e pathënë
    që s`ma kthyen kurrë
    as kur isha roje
    në Kullën e bacë Ademit.
    Erdha në pritje të tim biri
    që t`i gjejnë gurët e Kosharës
    e t`i kthejnë në muret e Rozafatit
    aty ku ishin shekujt e Bogdanit
    që gostitnin miqtë
    në amfiteatrin e Apolonisë në Dyrrah
    duke shijuar tragjeditë ilire
    në skenat e Dardanisë
    aty ku nuk bie kurrë perdja
    e aktit të parë ,as të dytë.
    Më thuaj zot për aktin e tretë
    ku do të mbetem unë e ti.
    Në cilin varg do të takohemi
    me atdheun e brezave të mi.
    Po , atdheu nuk vritet bre,
    me asnjë çmim nuk matet.
    Ai jeton në secilën zemër
    të njeriut me plis të bardhë
    nëpër secilën fole të shqipeve
    deri në Çamëri,
    ku zotat do ta shkruajnë
    emrin tim
    në çdo faqe lapidari.
    Sonte
    a do të mësohem
    me buzëqeshjet çame,
    me këngët,me lotët
    për pak liri,
    për pak atdhe shqip,
    për pak Shqipëri.
    Për emrin Shqipërim
    që lind çdo ditë
    me flamur kuq e zi
    Dhe vdekjen e kërkojnë
    diku nëpër foletë e shqipeve
    Si fjalë të pathënë
    për uratën e zotave.
    Në pritje të më bekojnë
    me formulën e pagëzimit
    me emrin e bijve të mi ushtarë
    që i thyen gurët në Koshare.
    Të takohemi vetëm pranë luleve
    që nuk dinë ç`është pikëllimi,
    duke ngritur dolli
    me verë dashurie
    me miken time V(demokraci)
    Që të dytë vdesim nga pak
    për atdhe
    e për ma të bukurën e fjalës dashuri.
    Edhe për diçka
    që burimin e kanë
    të krojet e zanave
    aty ku pinte ujë
    edhe bacë Ademi.
    Ku nënëloket tona
    rrisnin burra atdheu
    e thurnin balada trimërie.
    Për lirinë u zunë
    me shekujt e djallit
    pa lot në faqe
    si shqipe mali.
    Dhe kujtojnë fjalët e pathëna
    me të vetmin emër,
    lapidar e krenar
    Nënë e Atdhe
    që mundin çdo fjalë
    e çdo dashuri.

    PASAPORTA E FLAMURIT

    Emri
    Ismajli, Isa, Iliri
    edhe unë
    Agim Desku,
    shteti
    -Jetoj,
    që nëntëdhjetë e nëntë vite
    në shtetin e coptuar
    shqiptar,
    me prindërit e farefisin tim,
    të njëjtën bukë
    e ndajmë më Shqiponjat e Butrintit.
    -Jetoj dhe vdes
    me të njëjtin flamur
    kudo në Iliri,
    nëse jetohet
    jeto me të njëjtin flamur,
    nëse vdiset
    vdis me të njëjtin flamur
    edhe në Çamëri
    me të njëjtin flamur
    Kuq e Zi.

    Petraq Kote, një identitet letrar i brezit të tij
    ALBERT R. HABAZAJ

    Letërsidashësit nga kritika letrare shqiptare janë orientuar me letërsinë e viteve ’80-’85 të shekullit të kaluar. Vetëm pak bulëza të freskëta të viteve ’90 kujtohen si vegime dhe kaq. Duke rilexuar librin me poezi “Portretin kam varur në muret e kohës” të poetit të mirënjohur fierak Petraq Kote, (për mua poetikisht më të ploti i tij), nuk e di se përse më erdhi nëpër mend një thënie e Kadaresë … “Madje krishterimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav …”. Ka mbi 40 vjet që në Pemën e Krijimit, pikërisht (me apo pa dëshirën tonë) pashë në atë Fidanishte të Gjelbër në Tiranë një syth të çelte freskët, shëndetshëm, pastër.
    Sot “portretin kam varur në muret e kohës” thotë miku im i vjetër. Unë e kundërshtoj:- Jo, Petraq, ti je tashmë një gjethe e gjelbër e pemës së krijimit që, nuk mund të thahesh asnjëherë, bile tashmë ngjyrat e gjelbra te pena jote bëhen më të dukshme, që s’ka zot t’i fshijë, me kollare a pa kollare, (edhe me “kollare prej akulli” qofshin) sepse tullumbace apo fyryfyçkë do të katandiset.
    Petraq Risto, miku ynë fisnikërisht poet, evidenton që jemi grimca të pluhurit kozmik të letrave në globin aq të vogël njerëzor. Apo jo, Peço?
    Ti, zoti Petraq Kote je një identitet letrar i brezit tënd dhe më shumë se kaq . (Ndërkohë, standardi mbi moshën 55 vjeçare është djepi i pjekurisë e përgjegjësisë qytetare për të mbajtur e rritur vlera në shërbim të njerëzve, për t’u fisnikëruar shpirtin atyre, për t’u zbukuruar ndjenjat, për t’u rrezatuar virtytet, për t’u dhënë mirënjohje e bujari bujarëve dhe mirënjohësve, për t’i bërë mirë shoqërisë, kombit e qytetërimit në tërësi).
    Edhe pse mos ekzistenca e kritikës letrare për grupmoshën tonë të krijimit ka lënë apo ka tentuar të lerë gjurmët e shpërfilljes apo të paktën të heshtjes ndaj Vlerës Letrare, ti, Petraq Kote, Nuri Plaku, Aleksandër Bardhi, Zoi Dashi, Tasi Proko, Alfred Mehmeti, Arben Velo, Maku Pone, Gentjan Banaj, Valentina Dafa, Brunilda Boçova, Eleni Liçaj e bujarë të tjerë të letërsisë me bukë të ngrohtë e të ëmbël letrare myzeqare e shqiptare, apo miq të mirë të fierakizuar fisnikërisht bukur si Fran Ukcama, Petrit Nika etj., si ju, që guxojnë me mend në krye e letërsi në shpirt, që i thatë kohës: Unë jam! Të kam pritur, o kohë të vije tek unë. Di t’i them dhe vetes më fal, se pena ime i përket të nesërmes.
    Me dhembje dhe dinjitet ti e thua veten sinqerisht, sepse “E thëna“ perëndia shqiptare e artit të fjalës është hyjnorja jonë për nesër, sepse ti di të gjunjëzosh edhe perënditë, sepse siç shkruan ti, i Miri i Penës:“Në gjunj i ulem vetëm Atdheut “…Më rritën në formë pushke/ në duart e atdheut,/ të vrisja armiq…
    Por…eh…Ëndërr e keqe…Realiteti ynë i ashpër…Betonizimi i ndjenjave, i gjakut, i shpirtit nuk mundi të realizohej deri barbari.
    Atëherë “nëna…”na pastroi me lotët e nderit …” e “ndoshta kam marr formën e librit “ thua ti vërtetësisht.
    Petraq Kote, ti je poet që në shfaqje. Sytë e tu burojnë vargje jete, qëndrimi yt gurgullon poezi dinjiteti, trupi yt emeton krijim ilirik të paimagjinueshëm, ndërkohë shpirti yt është gurrë qytetarie e vjershërimit elitar. Ti je poet modern, bile po e përsëris me germa të mëdha shtypi: PETRAQ KOTE ËSHTË POET MODERN NË SHQIPËRI. Libri yt me 159 faqe e mbajti, e mban dhe do ta mbajë syrin e mendjes e shpirtit tënd në harmoni ngjyrash e aromash me artin tënd e për këtë arsye, me vëllazëri poetike urimi im të vjen nga Vlora i ngrohtë: Të lumtë pena, Poet e mjaltë prodhoftë dhe pesëdhjetë e gjashtë vjet të tjera për të ëmbëlsuar në breza shqiptarët që do të vijnë, njerëzit që do të jetojnë!
    Edhe pse e lexova, unë do ta kem hapur gjithnjë librin tënd, do të lexoj një poezi, dy, tre, do ta mbyll prapë, do t’i rikthehem përsëri, por gjithmonë me kënaqësi e respekt, sepse vërej arritje në formë, edhe në përmbajtje, në figurat stilistike dhe në shëndetin e qëndrueshëm të poezive, për gjerësinë e thellësinë, për gjeografinë e hapësirat që rrok e mbi të gjitha për guximin artistik që u jep atë dinjitet të hijshëm krijimeve të tua, sa që edhe poetë me emër të përmendur do t’i kishin zili.
    O Poet! Ti s’shkruan, s’mund, do para, nuk jemi ne apo s’ka lindur akoma ajo lloj kritike pa frerë krerësh me kollare? Ndërkohë krijimi yt është shprehje kyçe e poezisë sonë, më saktë identifikimi i asaj që kritika s’flet, s’shprehet. Ti je krijues dinjitoz, më vjen mirë që po ta them disa herë këtë vlerësim apo më saktë evidentim, konstatimin tim, sepse më kujtohet E. Kanti kur shprehej: ”Individi pa dinjitet s’mund të prodhojë vepra dinjitoze.”
    Libri yt, miku im i respektuar thotë shumë gjëra, ka botë, ka jetë, ka dashuri, ka dhembje, ka vizion dhe identitet. Jep mesazhe të pastra e të mëdha njerëzore dhe qytetare. Ti asnjëherë nuk më ke folur për poezitë e tua. Interesant! Tani më vjen ndërmend. Askurrë nuk më je mburrur për çka ke shkruar e për çka ke botuar. Rrebelues je shprehur që s’pranoj më libra dhurata! Më gufosën!… Ndërkohë, unë e di që ti shkruan bukur dhe shumë miq të lartë që ke t’i kanë vlerësuar krijimet e tua. Që te “Kënga e Marrë”, “Ranë Kambanat”, “Humbja”, “Muza”, “Këngë e parrëfyer”, “Këngët e Motmotit”, “Ngjarje ndër Muzakë” (vëll.1, vëll.2), “Mirë se erdhe Lamtumirë!…”, “Gjerana”, “Nesër” apo një nga librat me cilësi artistike të lartë jo vetëm të autorit, por edhe të krijuesve të Principatës Letrare Vlorë Fier, Lushnjë, Berat, Rrogozhinë, vëllimi poetik “Portretin kam varur në muret e kohës, botuar nga Shtëpia Botuese “Globus R”, ti, Petraq Kote je cilësuar si antidogmatist që “rri zgjuar mbi vargje, ritme, figura…” Bukur ta ka gdhendur profilin artistik Prof. Agim Vinca, kritik i shquar i poezisë dhe poet i njohur kosovar, me origjinë nga Veleshta e Strugës.
    Petraq! Kur mbarova librin tënd “Mirë se erdhe Lamtumirë!”, shkrova në shënimet e mia për librat e veçantë që lexoj këto radhë: “Një shërbim i madh po i bëhet poezisë së sotme shqipe me “Mirë se erdhe Lamtumirë”.

    Punimet e Klubit Letrar “Pena e Re”

    Alketa Hoda
    – Trashëgimtare pa emër

    Oj botë e sfilitur dhe e stolisur me gënjeshtra!
    Ti që thur shpresa për njerëzimin,
    Dhe i grise pa mëshirë, tërë egoizëm.
    Ti nuk pyete për dhimbjet e një fëmije,
    Dhe mantelin e saj e shkrive …
    I more atë që ishte idhuj mbi idhuj
    Mrekullinë njerëzore, Perfeksionizmin shpirtëror,
    Por sytë e tij mbetën të paprekur ,tërë shkëlqim
    Pafundësia e mirësisë ,e dashurisë dha jetë!
    Si hije, si pëlhurë vezulluese e ngrite lart në qiell,
    Shpirti i tij heroik u nderua në botën e përtejme
    Se ti nuk qe e zonja ta vlerësoje…
    Meteorët e magjepsur bien në Tokë vetëm për të,
    Dhe atmosfera i shpërndan në natyrë,
    Si grimca yjesh plot magji.
    Ai iku me shpresa të mëdha ,
    Ndonëse kishte një peng në zemër …
    Por vonë, shumë vonë u kuptua se kishte lënë pas,
    Një trashëgimtare pa emër!

    ******************
    Eranda Allmetaj
    Iluzion

    Peng i arsyeve të pashpjeguara
    Klith në kthetrat e realitetit
    Zvarritu kohës për t’i shpëtuar
    Pa fund e krye gjithçka mbeti.

    Kurdo e njëjta qenie
    pasqyrë e kristaltë që shkëlqen
    Brenda copëza të thërrmuara
    Jashtë gjithçka vezullon.

    Krenare ndaj botës ideale
    Kokulur në këmbë realiteti
    E ç’rëndësie është qëndrimi?!
    Shpirti i gjunjëzuar mbeti.

    Iluzioni ankthshëm përsosmërisht
    Thumbon si akrep pas çdo sekonde
    Kohë që tremb pafundësisht
    Pa vetëdije e humbur nga deziluzioni.

    Për ku vallë s’di kurrsesi
    Në ç’kah të gjesh drejtimin
    Mjegullnajë në tërësi
    Mendja prapë s’e ndal vrapimin.

    Në mundsh të kapësh fillin
    Mes një morie zhgjëndrrash
    Betejën mund ta quash të fituar,
    por as kjo nuk do mjaftonte
    jeta duhet të jetë mirësi e triumfuar.

    Fytyrën e trishton mendimi kulluar
    E veten mundoj arsyen të gjej
    Plagë që hapen për të mos u shëruar
    Hije që mbesin diku përtej.

    Koha shkon lumë pa grimcuar asgjë
    Në pritje shpresa fijeartë
    Ëndrrat lart si qiellgërvishtëse treten,
    Në mos për tek unë ku vallë?!

    Në honin e jetës përpihet gjithçka
    fuqia, shpresa, ëndrra e mite
    Në qëndron njëherë mbi gjithçka
    Të dytën here të duhet ringritje.

    ***************
    Griselda Allamani
    – Ndjenjë për ty

    S’më mbeti një kujtim një herë nga ty
    Një kujtim të vrazhdë ti nuk ma le
    Unë do iki do përmallohem,
    Por ti me vete asgjë s’më dhe.

    Do largohem nga ky qytet
    Erë veriu unë do ndjej
    Ndoshta koha larg na çon,
    Porsi ty dot nuk do gjej !

    Do të ruaj me kujdes
    Thellë në zemër do të mbaj
    Jo s’të thërras dot harresë,
    Kur koha të kish pjesë të saj

    Një kujtim ti nuk ma dhe
    Jo premtime ,as poezi
    Unë të doja pjesë të jetës
    Kur unë ika, s’erdhe ti!

    *********
    Sara Fuga
    – Më thuaj, si?

    Çdo të thotë të duash dikë me gjithë shpirt
    E të mos kesh, të largohet në heshtje pa e ditur pse
    Si është flesh me sytë e qullur në lot
    Të bërtasësh se s’paska fund kjo dhimbje
    O i madhi zot
    Si është të shpresosh për diçka pa kthim
    Të dergjesh në lot
    Se ndjen mallëngjim
    Si është të dashurosh deri në marrëzi
    E përgjigjja të jetë heshtje
    Mbushur dhimbje pa kufi
    Si është të mbyllësh sytë
    Ta kërkosh në ëndërr
    I vetmi vend ku ai është krah meje dhëndër
    Si është të puthësh çdo natë të tijat fotografi
    Ti puthësh në ekran se përball kurrsesi
    Ah më thoni si është të vuash për mollën e ndaluar
    Të harroj duke vdekur
    Apo të vdes duke e dashuruar?!!

    A ka repertor shqiptar?!

    (Pasi lexon dramën “Dodona” të Xhevat Limanit)

    Nga Çelik Petriti

    Ndjesitë e përftuara gjatë leximit të librit “Dodona” të Xhevat Limanit më zhytën në meditime
    Retrospektivë

    Vite të shkuara, kur studionim në Tiranë (por edhe më pas), “statusin” e studentit sikur na e kishte qejfi ta demonstronim me shkuarjen në Teatrin Popullor ku, veç dramave dhe komedive të huaja, shijonim edhe ato shqiptare nën interpretimin e të paharruarve N.Frashëri, K.Roshi, S.Pitarka, P.Gjoka, M.Logoreci, V.Manushi, D.Pelingu, B.Çela, S.Prosi, P.Mima, V.Gjoka, M.Popi, Gj.Karma, I.Shyti, L.Vorfi, R.Trebicka, Q.Toro, A.Qirjaqi, F.Kujovska, por edhe të tjerëve si L.Filipi, M.Xhepa, E.Agolli, B.Lako, M.Kallamata, M.Bozo e më tej si R.Arbana, R.Ndrenika, R.Anagnosti, Y.Mujo, P.Mani, A.Pasha, Sh.Basha, etj, etj; madje, së voni edhe kur u duhej të interpretonin edhe pjesë skematike të repertorit të kohës, por që ata dinin t’u jepnin vlera.
    Prej shkuarjes në atë tempull arti, ndryshe nga Teatri i Estradës, që ishte “më demokratik” në përthithje dhe për rrjedhojë frekuentohej nga një spektator më i rëndomtë, veç të tjerash përfitoje edhe njohje e miqësira me njerëz elitarë të kryeqytetit, të cilët gjithashtu “statusin” e elitarit e demonstronin me shkuarje në Teatrin Popullor, i cili të impononte edhe një performancë të veçantë në të veshur e në të sjellur; natyrisht jo si në Teatrin e Operas e të Baletit, ku sqima e performancës në të veshur ishte edhe më e lartë e kësisoj ne studentët në një farë mase pa dashje “penalizoheshim” për frekuentim.

    Metamorfozë

    Por me ndryshimin e Sistemit Politik, kur gjithçka shkoi në Nivelin Zero për t’u “ringritur” sërishmi, edhe Teatri s’kishte se si të mos e përjetonte atë tronditje, madje “brinjë më brinjë”. E, kësisoj, ai që dikur përcillte tragjedi e komedi për shikuesit, tashmë do të përjetonte tragjikomedinë e vet, sfond në të cilin do të spikaste…

    …Ngjarja më paradoksale:

    Teatrit i shndërrohet përcaktori, nga “Popullor” në “Kombëtar dhe, për ironi, anashkalohet repertori kombëtar me pretekstin se nuk ka të tillë (me përjashtime të rralla të nivelit “estradesk”, apo banal), duke e mbushur me repertor të huaj (me përjashtime të rralla, edhe ky përgjithësisht i rëndomtë), duke iu rikthyer herë pas here repertorit antik, klasik, apo kontemporan, me këndshikime të reja regjisoriale (herë cilësore, herë banale).

    Por, a ka repertor shqiptar?!

    S’po përdor përcaktorin “kombëtar”, sepse tingëllon si fjalë e madhe.
    E kësisoj mu kujtua një dramë e Myslim Pashës, e titulluar “Gërdeci në motin e asteroidit”, e disa viteve të shkuara, kur ndodhi kasaphana e Gërdecit, shkruar me një nivel për t’u marrë model nga një person karizmatik i Shoqërisë Civile, me njohuri të thella, sa në fushën ushtarake e inxhinerike, aq edhe në atë të letërsisë dhe, gjatë e mbas leximit, në mënyrë tronditëse, e përfytyroja të vënë në skenë; mbase me një tekst tekniko – regjisorial (platformë) më “të shtrydhur”, sepse drama është shkruar me ndërthurje të shumta të Reales me Surealen, të Së Shkuarës me Të Sotmen e së realizueshmes skenikisht me të parealizueshmen, gjëra që i çojnë në shtratin e duhur regjisorët, por regjisorët me “R” të madhe, të cilët, për mendimin tim, tashmë, për shumë arsye, spikasin si Specie e Rrallë; nga ata që do t’i gjuanin të tilla drama e t’u jepnin jetë në Teatër, ndërkohë që përgjithësisht regjisorët e tanishëm as që dinë se shkruhen edhe drama të tilla dhe, për pasojë, ajo mbeti thjesht si libër, gjë që si i tillë ngjan si një foshnjë e bukur, por e lindur e vdekur.

    Por le të kalojmë te “Dodona”

    Ajo i prezantohet lexuesit së bashku me dramën me një akt “Muri i lotëve”, kushtuar një masakre të tmerrshme gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në një trevë shqiptare brenda kufijve administrativë të Maqedonisë, hedhur në libër mbas vënies në skenë në SHBA e kësisoj paraqitur në libër edhe me emrat e aktorëve përkatës, krahas emrave të personazheve, prej Xhevat Limanit, struganit të njohur si aktor potencial i Teatrit të Shkupit dhe njëherazi si regjisor i tillë, bashkëpunues edhe me teatrot e aktorët tanë të këtejkufirit, e cila u promovua para ca ditësh në sallën e Akademisë së Shkencave të Tiranës së bashku me romanin “Artisti pa atdhe” i po këtij autori, plotësues tematik i dramës. Fatkeqësisht para një auditori të kufizuar në numër, por fatmirësisht të përzgjedhur në cilësi. Jo nga ata që mbushin sallat për t’iu gëzuar kokteilit të mëpasmë e jo librit që promovohet si fillim.
    Si shtrirje kohore drama rrok kohëjetesën e kombit tonë që nga fillesa, për të cilën do të mburrej gjithkush tjetër po ta kishte për fat e për pjesë, deri në ditët tona kur ky komb shpërfaqet “porsi lisi i rrxuem përdhe” saqë do t’i skuqej faqja gjithkujt që është pjesë e tij.
    Dramën nga fillimi në fund e përshkon një nerv, një temporitëm, një dhimbje, një ironi, një pamfletizëm që shkon deri në sarkazëm, një duf e brengë; herë – herë një pesimizëm, por edhe optimizëm vende – vende, saqë e ndjen sikur e sheh në skenë e jo sikur e lexon në letër.
    Merre me mend ta shikoje në skenë, sepse ajo, e shkruar nga një regjisor – aktor potencial e me përvojë, është krejt e gatshme për të filluar punën në tavolinë.
    Dhëntë Zoti dhe e pafshim të tillë, në Tiranë e Prishtinë, në Shkup e në Ulqin!
    Dhe, në ndodhtë kjo (që s’ka pse të mos ndodhë) shikuesi, së paku për dy orë, do ta shohë veten jo më në llumin e pisllëkun që na ka mbuluar gjithandej, por herë në Qiell, herë në Tokë, përkrah Atit e Mëmës së parë, përkrah Lekës së Madh, Aristotelit, Zojsit, Prometeut, Kronit, Antigonës, Rozafës e Bindit e, më në vijim, përkrah Skënderbeut, Gjonit (birit), Lekë Dukagjinit, Adem Jasharit, Adiles, Hamzës, Shabanit, Kushtrimit; veçse faqebardhë përballë Evropës, Diplomacisë (së Evropës), Djallit e Urtakut, në krah të Korit e Baletit kontekstual. Sepse kështu është ndërtuar drama duke ngërthyer Të Kaluarën me Të Sotmen, realen me surealen, legjendën me historinë, duke përftuar pamje magjike, mrekullative, tragjike e komike, pesimiste dhe optimiste.

    Nëntor, 2015

    FASLLI HALITI

    TESTAMENT

    Ju lutem!
    Mos thoni për mua,
    Kur të vijë
    Ajo ditë:
    «Sot
    U shua, u fik…»,
    Sepse unë i fikur, i shuar isha…

    Se mos më lanë ju të ndizesha!

    ANKESA E LIGJIT

    Mua
    Ligjin
    Më thyejnë,
    Më shkelin.
    Unë jam hekur
    Ata më bëjnë llastik
    Për një qindarkë
    Për një Fuoristradë
    Për një drekë në Lalzë,
    Për një vilë në fshatin turistik
    Për një
    Minifund
    Për një mis,
    Për një madon.
    Dhe s’ka ligj të më dalë zot,
    Dhe s’ka ligj që mua më mbron…!

    JU POLITIKANËT…

    Ju
    Poltikanët
    S’keni
    Turp.
    Ju
    Politikanët
    Turpin e hani me bukë,
    Dhe popullin e lini të hajë me listë,
    Popullin e ngopni me shuka gënjeshtrash,
    Bukën e popullit e fyeni me ato lista, pa turp
    Popullit ia jepni bukën si qenit, kafshata, kafshata,
    Kore kore, kore,
    Thërrime, thërrime
    Si peshqve tuaj të kuq
    Në akuariume
    Luks,
    Sekondë për sekondë,
    Minutë për minutë,
    Ditë për ditë,
    Çikë,
    Çikë…

    Por
    Buka e bardhë,
    Buka ballëdjersitur e fermerit,
    Gatuar
    Me ujë të bekuar djerse,
    Me lodhje, mundime ferri,
    Edhe pse ju jeni
    Pa sy
    E pa faqe,
    Edhe pse jeni pa fytyrë;
    Ka për t’u nxirë ende më keq
    Si fytyra dhe faqja juaj e nxirë.

    Buka ballëdjersitur e popullit
    Me esencë djerse,
    Morali,
    Nderi,
    Do t’jua verbojë të dy sytë,
    Do t’jua shteri!

    PSE

    Pse s’e të flas për vdekjen?,
    Pse s’i trembem asaj?
    Pse s’e kam
    Frikë ?!
    Gjersa
    Ende nuk kam lindur,
    Ende s’i jam gëzuar hëhës e diellit në zenit
    S’kam pse t’i trembem vdekjes asnjë çikë!

    EDHE DUKE MOS QENË MAL

    Pa male s’ka maja- (popullore)

    Pa male s’ka maja.
    Gjembi
    Ka majë.
    Vetëm shpon.
    Gjilpëra ka majë.
    Edhe shpon edhe qep.
    Edhe malet kanë maja.
    Presin e groposin me to rrufetë.

    Duke mos qenë mal,
    Natyrisht
    S’kam
    Majë.

    Por edhe pse pa majë,
    Jam gjemb
    Që shpon,
    Jam
    Gjilpërë që qep.
    Edhe pse jo me majë,
    Mua prapë më më kapin,
    Mua më zenë më gjuajnë rrufetë…
    *********************************************

    Sabrie Selimaj

    SYTË E SHPRESËS
    *
    Sytë e shpresës flakërijnë
    bashkë udhëtar me ne n`jetë
    dhe kur lotët n`mjekër rrinë
    në krahët e saj ndiejmë sigurinë
    *
    Fjalët e mëdha s`më përkasin
    thjeshtësia më jep hijeshinë
    çdo dëshirë që ëndrrat qasin
    sytë e shpirtit shpresuar rrinë
    *
    Jeta është një udhë magjepse
    nuk e ndjejmë ngopjen e saj
    çdo të mirë e çdo të keqe
    është me neve bashkudhëtare
    *
    Dashuria dritë hyjnore
    mrekullia në portën jetë
    është si mjalti ndër hoje
    universi me dritën shpresë
    *
    Të jesh vetvetja duhet patjetër
    kurrë të keqes mos i lakmo
    se kjo botë është gënjeshtër
    je udhëtar më kot gërmo
    *
    Udhët e jetës plotë mistere
    çdo njeri gjurmët lë pas
    sytë e shpresës kurrë nuk vdesin
    janë si yjet që ndrijnë çdo natë.

    PSE KËSHTU O TË BEKUAR
    *
    Përse dhimbjen e përtypni
    duke ikur larg më larg
    rehatinë në fole e kini
    djerr pse l`e tëndin toprag!?
    *
    Përse ikni duke vrapuar,
    toka mëmë është djepi juaj
    ëndrra pas ju ndjek rënkuar,
    nënat presin kthimin tuaj.
    *
    Përse ikni nga sytë këmbët!?
    si harroni prehrin e nënës,
    kulla mbyllur… kthimin pret,
    në vendëlinje je si mbret,
    *
    Përse kështu o të bekuar
    dheu i huaj, hidhet përpjetë,
    kjo jetë është udhëtim mbaruar,
    mos largoni, zogjtë nga foletë.
    *
    Toka mëmë mjalti i shpirtit,
    t`ushqeu me qumështin e gjirit
    pllaja lugje e fusha të gjëra
    s`janë ortegje por tuat ëndrra
    *
    Pse kështu o të bekuar
    merrni plagë në krahëruar
    malli e loti shpirtin zhuritur
    fjala në buzë, ngjitur e fikur.!?

    KUR PIKON ÇATIA E KOKËS

    Kur të pikon çatia e kokës,
    nuk të mbron ombrella e botës,
    fjalët boshe kurrë s`të ngopin
    por më keq të djallosin,

    Mëndja e lehtë është bela
    fjalë mbi fjalë s`bëhet kala
    trasta bosh barkun s`të ngop
    besë s`i zihet fjalës pa kokë.

    Një e mirë ka një të keqe .
    janë peshqeshi i kësaj jete
    ujku mjegullës përherë i qaset
    dhe dredhia me ty gajaset,

    Hapin hedhur, mate mirë,
    kurrë mos ik n`ë errësirë
    mos dëgjo trumbetat djallit
    se do biesh në pik të hallit

    Prandaj ktheje shiritin mbrapa
    mos tundo shpirtin me lajka
    ec përpara duke luftuar
    kurrë mos rri duke shpresuar…
    ***********************************************

    Neki Haskoçela
    L Ë M I I HA V A S Ë

    Skicë

    (Një nga mënyrat e shumta të përfitimit dhe zhvillimit të pronës në demokraci)

    Tre katër breza më parë kohës që jetojmë sot, në një fshat të Labërisë sinoriar me fshatin tonë, rronte i ziu Shasho me gruan e tij Havanë. Jetonin me pak dhenë dhe për bujqësi përdornin disa kopshte dhe një arë të vogël dhe me kaq navasnin jetesën e tyre. Mirpo Shashua, kishte shumë fëmijë dhe vdiq shpejt sa që u thoshte shoqeve Havaja “vdiq shpejt ditëziu se po të kishte rrojtur dhe ca do ti kishte bërë ok e kokë fëmijët me dhentë”. Me vdekjen e Shashos, filluan të shtohen vështirsitë për Havanë. Fëmijët duheshin rritur, toka duhej punuar dhe bagëtitë duheshin mbajtur, e kjo është ngarkesë për një grua me një tufë kalamaj.. Për ti lehtësuar ndopak punët Havaja dhëntë i bëri dhi meqënëse dhitë kërkojnë më pak punë megjithatë ajo i pakësoi shumë duke i shitur për të plotësuar nevojat e ngutshme të shtëpisë. Një ditë në vëllezërinë e tyre vdiq një plak i moçëm, xha Rahmeti. Adeti në Labëri e do që të shkosh në vaki dhe të qash me ligje të ndjerin dhe me sebepin e te ndjerit që ka vdekur, të qash dhe hallet e brengat e tua .Me këtë rast vajti dhe Havaja dhe ja nisi ligjërimit” Korba o xha Rahmeti, që na vdiqe edhe ti – Bëni të fala ATIJ (Shashos që kishte gati një vit që kishte vdekur) korba o xha Rahmeti Thuaj dhëntë i bëmë dhi, korba o xha Rahmeti Na kanë mbetur dhe dy- korba o xha Rahmeti – Qysh do na vejë halli se di – Korba o xha Rahmeti / Őë… përfundoi Havaja me ngashërim ligjërimin në vakinë e xha Rahmetit. . Që të thuash të drejtën mallëngjeu dhe shoqet jo vetëm nga fjalët e goditura që tha por edhe nga zëri i saj melankolik,dritherues e tërheqës, shoqëruar me një mimikë të përshtatur që e bënin më simpatike nga sa ishte.Ta shikoje Havanë kur ligjëronte të shkaktonte një dhimbje deri në keqardhje dhe një respekt të thellë për të.Nderkohë, vazhdonin peripecitë e Havasë për të rritur fëmijët.Ajo duhej ti bënte të gjtha punët vet edhe drutë për tu ngrohur dhe gatuar.Ajo pothuajse shkonte për ditë për të siguruar drutë që i nevojiteshin. Megjithëse Shashua kishte vdekur, Havaja e mbante me kujdes veten. Shamin e zi që mbante si shënjë zie, si i thonë rrëzë më rrëzë, kishte filluar ta lironte ndopak ta çonte deri në mes të kokës dhe që lejonte të dukeshin drullat e bukura të flokëve duke ja hijeshuar më tepër fytyrën dhe duke e bërë më tërheqëse. Një ditë nga ditët i doli përpara një burrë, i bëshëm mustaqe-verdhë syndritshëm zëkumbonjës duke i thënë “Hava.. të kam pikasur kur më shkon me dru ngarkuar e dëshira më rritej e rritej për të të parë vazhdimisht deri sa plasi në dashuri të papërmbajtur dhe tani më vërviti lumtërisht këtu përpara tyj dhe Perëndisë për të bërë atë që do ajo” dhe ju hodh tërë afsh duke mos i dhënë Havasë asnjë mundësi për reagim….Pastaj Xhezua u largua, edhe Havaja ngarkoi drutë për të shkuar në shtëpi. Vendi ku ngarkonte drutë Havaja ishte një shesh i rrethuar me pyll të përzier me dushk, përrall e hilqe, kundruall me fshatin. Rrugës ajo mendonte për çka i ndodhi dhe dallgët e urrejtjes për Xhezon herë ja zinin frymën herë ja lironte atë. Duke ikur ajo po i peshonte mirë me drehem kur i thonë, gjërat. Ta bënte çështje atë çka i ndodhi për ta lehtësuar veten ndopak apo ta mbyllte me heshtjen e saj dhe koha do të bënte punën e vet. Fjala e parë që kishte dëgjuar për gratë e veja ishte se -ato i ngarkojnë llafet me tërkuzë-. Pra dhe ajo mendonte, cila do që të jem unë, prapë se prapë llafeve nuk ju shpëtoj dot. Por edhe shpesh përdorej shprehja “Hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë” , pra, gruaja nuk dilte dot nga halli ose ishte vet halli edhe ana tjetër thuhej se, gratë janë sherri i mavies, ose sherri vjen nga gratë. Pastaj mendonte kjo që më ndodhi mua u ka ndodhur dhe shumë grave me burra më këmbë, bile dhe me goxha burra. Ato që e kanë kaluar në heshtje, e kanë kaluar më mirë se ato që kanë ndjekur sherrin që jo rrallë kanë përfunduar me gjak. Pastaj, mendimi ishte se gratë e zonja zinin mik dhe burrat e zot zinin mike. Kështu pa dashur ju kujtua ajo që i kishte thënë një ditë nënë Avazja për të motrën Kafazen. E kishte pyetur motra nënë Avazen kur ishin të reja, se ku i kishte gjetur tërë ato stoli ? Ajo i ishte përgjigjur se, mi ka blerë miku. Ajo i kishte thënë, bëmë dhe mua një mik. Ajo ju përgjigj se ti nuk e mba dot mikun. Por Kafazja këmbënguli se e mbante mikun. Dhe kështu Avazja i gjeti një mik Kafazes.Takimin e parë Kafazja e la në shtëpinë e saj kur përcolli të shoqin me gomar për në mulli duke menduar se ishte koha e përshtatshme dhe e mjaftë, sa ti vinte radha e sa të bluante grurin. Mirëpo Kafazja harroi që koha e qejfit kërkon të zgjatet, ndërsa koha e punës të shkurtohet dhe kjo bëri që burri ta gjente mikun e Kafazes brenda. Ajo tani si e shashtisur bërtiste pa pushim tërë ankth dhe frikë “Më tha ime motër e madhja më tha”. Meqënse te dy motrat i kishim shtëpitë afër, atëhere, Zylyfi, burri i Kafazes erdhi tek unë dhe më thotë : – Eja moj e bekuar, çfarë i ke thënë sat motre që nuk ma hap derën.Va e hëngërt lia -i thashë unë, i kam thënë që kur vjen burri nga mulliri të vijë tre herë rrotull shtëpisë me karroqe në kokë, se ka duk mielli, përfundova e shqetësuar për time motër. Po kjo është e kollajtë fare, tha Zylyfi dhe vuri karroqen në kokë për të bërë ritualin sipas porosisë. Ndërkohë miku doli dhe iku qetë-qetë në punën e tij. Mbasi Havaja e kaloi nëpër mënd tërë këtë histori, po tha me vete ajo – dhe kjo qënka një zotësi më vete. Pse të mos hyj pa zë dhe unë te gratë e zonja?! Pastaj që të jesh mikja e Xhezos, atij burri që i ka jo vetëm shokët të rrallë por ka dhe një grua të bukur, Xhananen që i thotë diellit del se dola, wshtw mirw! Pastaj, thonë që miku të ndreq dhe nuk të lë të biesh në hall, pra ka një vlerë aq sa që ka ngelur në kohëra “më mirë një mik se sa një çiflik”. Kështu pasi e torri gjerë e gjatë problemin Havaja, në fund vendosi ta shijojë sevdanë e Xhezos për sa kohë që ajo do të kishte shije. Tani Xhezua herë tërthorazi dhe herë ballazi e ndihmonte Havanë për t’ja lehtësuar rritjen e fëmijëve. Sebepi ishte për nevojat që ajo kishte. Në këtë mënyrë Xhezua shërbeu si një ilaç rigjenerimi fizik dhe shpirtëror për Havanë. Ajo tani sikur rinohej, zbukurohej dhe me kujdes, dhe plot dëshirë bwnte hapin për ta takuar Xhezon. Por shpesh sevdaja e tyre kishte çarmatosur kujdesin për ta lënë atë në terrin e syve të botës. Kështu vazhdoi si pa ndodhur gjë për shumë kohë. Mirëpo Zyka, që ishte si të thuash një shakaxhi, e kishte pikasur këtë punë dhe thotë si me sebep një ditë majë bregut ku rrinin zakonisht burrat dhe ishte kundruall vendit ku bënte drutë Havaja dhe që ajo për koincidencë po zbriste me drutë në atë moment:- More burra, kam një mendim që sa më ra në tru tani që shoh Havanë duke zbritur me dru dhe do t’jua them, por dua që të mos ma bëni dy, që sheshin në qafë ku ngarkon drutë Havaja, ta quajmë “Lëmi i Havasë” se i ka ngrohur fëmijët me zjarr, përfundoi ai duke ja shkelur si pa kuptuar syn Fejzos. Ashtu u bëftë ( thanë burrat e majës së bregut) se shumë emra vendesh e kanë nga një sebep dhe kjo i takon asaj. Në kuptimin figurativ fjala “lëmë” përdorej për mirë kur je ne kulmin e bollëkut si: -Hani se jemi në lëmë, ose kur bënte njeriu gjëra që nuk pëlqeheshin thuhej: e bëri lëmin! Dhe kështu për ata që se dinin e kuptonin se Havaja, atje e bënte lëmin me dru, kurse për ata që e dinin kuptohej, lëmi i Havasë me Xhezon. Dhe kështu nisi e mori rrugë përdorimi pa teklif në përditshmërinë e fshatit emri “Lëmi i Havasë “. Filluan të ndërrohen brezat dhe emri do të futej më thellë në memorien e fshatit. Në kohën e kooperativës me kuadrin e iniciativës “Tu qepemi kodrave dhe maleve ti bëjmë ato pjellore sa dhe fushat” , fshati e bëri tarraca deri në lartësinë e lëmit të Havasë, duke e bërë atë një pikë dominante e piktoreske dhe prodhimi të bollshëm agrumesh në tërë atë masiv brinjësh përkundruall detit. Por me gjithë këto ndryshime që pësoi tërë ai masiv brinjësh nuk mundën t’ia zbehin emrin “Lëmit të Havasë”, përkundrazi u bë si një pikë referimi dhe e këndshme për të punuar sidomos gjatë verës për freskinë si vend që ishte karshi detit. Ndërkohë që Zequa dhe Bequa, djemtë e Havasë që kishin ngelur nga barku Havasw, ishin ndihmuar të iknin nga fshati pa u bërë kooperativa dhe ishin bërë specialistë të zotë në profesionet e tyre dhe kështu nuk patën fatin ta përjetonin as lindjen dhe as vdekjen e kooperativës. Por kjo nuk i kishte penguar ata që të familjarizoheshin me emrin e “Lemi i Havasë” që kishte kohëra që ishte bërë simbol i sakrificave mbinjerëzore të nënës së tyre, për ti mirërritur ata dhe për këtë ata kishin arsye të ishin krenarë. Të paktën kështu e dinin ata. Me ndryshimin e sistemit, Zequa dhe Bequa dolën nga qarkullimi si kuadro nomenklature duke u marrë me përshtatjen e tyre me kushte të reja të cilat tani u dukeshin më të vështira se rritja e tyre bonjak. Gjatë kohës së përshtatjes me demokracinë, u krijuan hapësira të reja për të drejtat, për pronat, për liritë, e plot gjëra të tjera të cilat vunë në punë mendjet për së mbari i për sëprapthi nga do që ishin. Kështu plasën mënyra të shumta të pasurimit e të përfitimit në mënyrë abuzive të pronave nga të gjitha anët. Kjo gjendje turbulloi edhe mendjen e Zeqos dhe të Beqos që dhanë e dhanë dhe më në fund ja dolën. Sebepi u bënë disa përfitime pronash nga disa të njohur të tyre me gjyq dhe me dëshmitarë. Një ditë nga ditët Zequa i thotë Beqos që në të gjithë këto hapësira që u krijuan edhe ne duhet ta gjejmë veten dhe kam menduar që përveç shtëpive dhe baçave që kemi tonat në fshat do të marrim edhe “Lëmin” lëmin e nënës,”Lëmi i Havasë” që e di gjithë fshati, bile krahina. Kjo na e lehtëson shumë punën e dëshmitarëve. është natyrshme që kërkon ca shpenzime për harta, për gjyq, hipotekë etj. që kuptohet do ti përballojnë fëmija nga emigracioni. Gjyqtar do të marrim Fete Zizarin se e kemi edhe krahinor dhe është bërë mjeshtër në çështje civile , i kopsit mirë gjërat dhe ta jep vendimin në dorë .Kështu u tha dhe kështu u bë. Hartat u bënë sipas oreksit se nuk kishin kufitarë duke u legalizuar nga kryetari i fshatit. U morën certifikatat në gjendjen civile që vërtetonin lidhjen me pronarin, Havanë. U sigurua një hartë topografike ushtarake që përmbante emrin “Lëmi i Havasë” dhe të dhënat, kuotat dhe formën e relievit. Kjo kishte ndodhur kur ishte bërë azhornimi fotografiv ajror me terrenin dhe kur specialisti ushtarak kishte e pyetur si quhet ky vend një fshatar ju përgjigj “Lëmi i Havasë” kështu u përfshi emri në hartë që përbënte dhe të vetmen provë dokumentare me vlerë. Dëshmitarët ishin të shumtë. Gjyqi qe formal se vërtetohej katërçipërisht dhe me unanimitet se prona i përkiste Havasë … dhe që tani u takon djemve të saj Zeqo dhe Beqo … Fete Zizari e shpalli vedimin i cili theksoi se kundër këtij vendimi mund të ankimohet brënda pesë ditësh. Pasi kaluan afatet e nevojshme Zequa dhe Bequ morën vendimin dhe vazhduan procedurat e mëtejshme duke e çuar në zyrën e regjistrimit duke marrë certifikatën e pronësisë dhe filluan ta zhvillojnë atë. Sot “Lëmi i Havasë” është një pikë turistike shumë e preferuar, falë hapësirave demokratike të fitimit të pronës. Sigurisht që po ti tregojnë gjyqtarët rastet që kanë pajisur me certifikatë pronësie kundrejt ryshfetit ky do të ishte rasti më i bazuar ligjërisht. Shakaja thotë populli gjysma së vërtetës.

    Iliriana Sulkuqi

    Mbrëmë fjeta me poetin

    Mbrëmë fjeta me Poetin
    ju betohem: për qiell e për tokë,
    nëse tradhti ky akt e ka emrin,
    shpirti juaj, shpirtin ma dënoftë…

    Po, po, mbrëmë me Poetin fjeta.
    në një shtrat-fjalëvarg,
    nënkresë,
    një krah prej shpirti. mbulesë,
    tis fryme – mërgatë…
    Fjeta, por fjeta a s’fjeta,
    s’di, a bëra dashuri?!…
    Mbi gjoks të Tij
    kokën mbështeta i brengosur
    si unë dhe ai…
    Më fal, o Zot,
    në mëkat bëra, i ngjita buzët me të Tij…
    Sikur vërtetë të ishim bashkë,
    do ishin tretur dhjetë qirinj…

    Kredo poetike…

    Bëj të fshihem te një natë,
    vjen një ag e sytë m’i hap…
    Zë të fshihem tek një gotë,
    më kujton një tjetër botë…
    Pa, kur fshihem te poetët,
    jam te Zoti me Profetët…

    Ylli Musta

    PARISI I VOGËL

    -Një mikeshës sime korçare-

    “Paris i vogël” e quan ti qytetin tënd
    Kur bredh mes qofterive dhe lakrorëve në saç,
    Kur belbëzon “agapi mu” mes avujve të birrës
    Dhe mbi stolat e lulishtes të zë gjumi
    Mbledhur si kulaç…

    “Parisin e vogël” , kështu siç e di ti
    Përveç teje zor se e njeh kush,
    Se ai ka një tjetër, të madhe histori
    Që po ta dije, do të ishe tjetërkush…

    Ai ka të parën shkollë shqipe
    Që kurrë ti s’e përmend
    dhe as e di…
    Ka çetat e lirisë dhe shqiptarizmës
    Që andartëve u vunë përjetë kufi…

    Ka një panteon ku rrinë zgjuar
    Papa Kristot edhe Petro Ninët,
    Gramenot e shndërruar në visare,
    Celulat e para të epopesë shamikuqe
    Dhe gjyshja jote me uniformën partizane…

    Janë këta, pa është “Parisi i vogël”,
    Pa pushkë dhe penë
    Paris nuk ka!
    Sado të derdhet birra lumë
    Sado buzuqet të ngjiren tra-la-la…

    Se ai Parisi i vërtetë, moj bukuroshe,
    U bë model dhe frymëzoi gjithë botën
    Jo me kërnacka, dhe as me karnavale,
    U deshën komunarët heroikë të Robespierit
    Me flamur të kuq të hidhnin valle…

    HËNA DANEZE

    Në Kopenhagë kaloi mesnata
    Vetëm dritarja ime hapur rri
    S’i heq dot sytë nga kjo hënë daneze
    Që pikëlluar hesht si Ofeli…

    E ndjek me sy
    Si ulet mbi çdo kullë,
    A kur mbi këmbanoret
    Ndalet, rri,
    Dhe princ Hamletin qan me lot e ligje…
    Si qyqet tona
    Atje në Shqipëri…

    Dhe mua si për dreq
    Më zë një mall i heshtur
    Për një tjetër Hënë diku larg…
    Që duke tundur zbret nga Mali i Gjerë
    Dhe yjet porsi bisht e ndjekin varg…

    Për një fytyrë- hënë më merr malli…
    Që kish zbritur veç për mua përmbi tokë,
    Me të rinia më shkoi në dritare
    Edhe si yll e hënë përjetë u bëmë shokë…

    Më sheh dhe buzëqesh hëna daneze:
    “O mik i largët
    Më mirë dremit e fli…
    Ti sonte mund të ndjehesh dhe Hamlet,
    Por një Hamlet
    Pa Ofeli…”

    KALAJA

    Nga mbiu kjo kala e pa gojë…
    Këtu midis dallgëve dhe tokës,
    Vithisur si një karakatinë
    Që batica e ka nxjerrë pa pritur
    Nga fundi i detit
    A i botës…

    Hesht kjo kala,
    Pa zë dhe pa emër,
    S’dallohen më bedena
    Përkrenare, frëngji,
    Gjelbërimi çdo gjë e ka pushtuar pa luftë…
    Dhe gurit kështjellar i thotë:
    “Çlodhu tani…”

    Rri po nuk çlodhet dot kalaja,
    Vështrimin mban larg
    Gjithnjë në përgjim,
    E shtrenjta kala
    Që luftove për paqen,
    Po në jetë provove
    Vetëm armëpushim…

    Ka mbetur vetmuar kalaja,
    Rrethuar nga çadrat e plazhit,
    Por kjo,
    Punë askujt nuk i prish,
    Herë deti e shtyn, e hedh drejt tokës,
    Herë toka detit ia rikthen sërish…

    FJALA E LIRË

    Fjala e lirë
    Është si pjergulla,
    Kërkon një lis të fortë që ta mbajë…
    Që botës t’i flasë
    E ajo të dëgjojë…
    Dhe frytet e ëmbla
    T’i çojë gjer në majë…

    Po fjala e lirë
    Mjerisht, si është sot,
    As barkun s’ta mbush
    As gjethen s’e lot…

    Fjala e lirë –
    Vetëm stoqe me fjalë…
    Në vargje qoftë, muzikë a pikturë,
    Se mali përballë mbetet po ai
    Mali që s’bëzan
    Dhe s’bëzajti kurrë…

    Njeriu s’ka nevojë për fjalë fluturake,
    Njeriu ka nevojë për armën e fjalës
    Që nxjerr shkëndija
    Si shpata prej millit…
    Aty zë fill liria që duam,
    Dhe ndarja nga bot’ e kërmillit…

    *********************************************
    Mina Çaushi
    -Tregim-
    Kur fluturonin tullat.
    Νë mes të fushave pa mbarim, kryesia vendosi të ndërtojë një ndërtesë të madhe që do të shërbente për grumbullimin e brigadave bujqësore të asaj zone. Për ndërtimin e sajë u organizuan të gjithë, por ajo prapë se prapë nuk po mbaronte ashtu si ishte planifikuar. Të flasim me gollobordasit, tha dikush. Ata punojnë edhe me sytë mbyllur, saktë e shpejt. Vetëm me ata ndërtesa do të mbarojë në kohë. Ata të kryesisë u panë sy më sy. Vërtet si nuk na kishte shkuar as pak në mëndje një gjë e tillë, tha njëri prej grupit. Folën me përgjegjësit e tyre dhe pa humbur kohë filluan nga e para. Ndërtesa e filluar më parë u la në mes duke e kthyer atë në një magazinë veglash. Brenda javës ata hapën themelet, i betonuan, ngritën xoklaturën, ngritjen e mureve, ndarjen e tyre në dhoma, salla, korridore, e hapësira të tjera të domosdoshme për ndërtesën në fjalë. Tullat fluturonin mbi kokat tona si zogjtë shtegtarë tufa tufa. Të thirrurat e ustallarëve gollobordas, u bënë ritmike edhe për ne fëmijët që merrnin pjesë duke ndihmuar sado pak prindërit gjatë pushimeve verore. Tulla thoshte njëri, llaç i a priste tjetri, stoko këtu, gozhdë atje, dërrasë andej, beton këtej. Neve që nuk ishim të mësuar me këtë ritmikë e shpejtësi pune, na vinte koka vërdallë, kurse ustallarët gollobordas qeshnin me hutimin tonë. Edhe për të ngrënë nuk qëndronin hanin në ,,erë’’mbi muret , mbi skelat, majë oxhaqesh e ndiheshin të lumtur me punën e tyre. Atë verë unë u njoha me Dafinën. Ajo dhe unë furnizonim punëtorët me ujë. Dafina shkonte, kurse unë vija, d.m.th. ndërroheshim që ata të mos mbeteshin as një minutë pa ujë. Ajo ishte e bukur dhe më e madhe nga unë në moshë. Atë e donin shumë të gjithë. Kur mungonte ajo, brigada ndodhej si në ethe, kur ajo kthehej ata fluturonin nga gëzimi. Çuditërisht me dafinën gjallëroheshin sidomos djemtë. Ata ëndërronin kush e kush të jetë me të për gjithmonë, d.m.th. mendonin për tu martuar. Ata prisnin me padurim që ajo të rritej edhe pak që të mbaronte shkollën. Shumica e njihnin atë që kur ishte e vogël fare kur ajo shkonte pas të atit, pastaj ajo filloi të vijë e të punojë në brigadë gjatë pushimeve verore për të ndihmuar sadopak familjen e sajë. Mes tyre ajo gjithmonë ishte e lumtur por edhe punëtorët e asaj brigade mezi prisnin që të vinte vera e bashkë me të edhe vogëlushja e tyre. Dafina rritej në sytë e tyre pa u kuptuar. Kur ajo u çonte ujë, ata jo vetëm freskoheshin me ujë por edhe me praninë e sajë, këmbët e zbathura, fustani i hollë që kur frynte flladi i lehtë i ngjitej pas kofshëve, flokët e gjatë të verdhë si kashta e grurit, që kur i mblidhte topuz, djemtë zaliseshin fare pas sajë, harroheshin duke parë qafën e hollë, atë trup të brishtë, dekoltenë e fustanit që pa folur fare u jepte të kuptonin se ajo tashmë ishte e rritur. Dafina skuqej menjëherë sapo shikimi i sajë këmbehej me shikimet e djemve. Këtë ndryshim kuptonin edhe djemtë nga ana e tyre. Brigadieri babaxhan, kishte filluar ti kuptonte sjelljet e djemve, hutimin e tyre në punë që ata kishin filluar të shohin “ëndrra me sytë hapur’’ prandaj u bërtiste me takt , eeej, forca djema, shpejt më shpejt se na erdhi dimri. Ata përmendeshin nga tulatja dhe vazhdonin punën ashtu si më parë. Atë mbrëmje, Xhela vendosi që të kalojë nga shtëpia e sajë përpara se të futet në shtëpinë e tij. Ndejti gjatë aty derisa më në fund u kujtua se duhej që të kthehej në shtëpi. Ai ishte në moshë për martesë po afrohej në të 30-at dhe ai akoma nuk kishte vendosur. Këmbët çdo mbrëmje e çonin si pa kuptuar përpara shtëpisë së sajë. Ai nuk ngopej duke e parë e duke e dëgjuar, pastaj ai brigadieri me ato të thirrurat e tij sikur u a bënte qëllimisht. Të kenë kuptuar gjë që unë e dua Dafinën?! Po ajo vallë, më do?! Po ai tjetri ç’ka? Mos vallë e do edhe ai? Se edhe ai sikur po i vjen rrotull. Po ç’na ngatërron mor Sinan, ti je i vogël akoma, na lër rehat po deshe. Kështu fliste me vete Xhela çdo mbrëmje duke u kthyer për në shtëpi. Sinanit, i pëlqente shumë Dafina, po ai nuk guxonte që ti thoshte as një fjalë, jo vetëm se ishte shumë i ri, por ai njëkohësisht priste që ajo të mbaronte shkollën pastaj të bisedonte me të për ëndrrat e tij të mëdha, duke menduar kështu për të ditë e natë në majë të skelave e në krevatin e tij të ngrohtë. Një ditë u bë ajo që nuk pritej. Xhela, sapo e pa vajzën që po vinte nxitoi që ti dalë përpara, për të fituar sado pak kohë që të jetë me të. Nga nxitimi ai ra. Nga skela. Rënia e tij nga i shqetësoi të gjithë. E çuan në spital për ndihmë të shpejtë. Mjeku tha se ai duhet të pushojë, ka shembje dhe që të kalojnë duhet të rri gjatë me raport mjekësor. Qëndro e këshilloi brigadieri babaxhan, mos u bëj merak se kudo që të shkojmë do të të njoftojmë e do të të marrim me vete. Mirë u qetësua Xhela. Sinanit vërtet i erdhi keq për të por, nga ana tjetër i erdhi mirë që për pak kohë ai nuk do të ishte pengesë për të, sipas tij ai mund ta takonte Dafinën kur të donte. Rënia e Xhelës nga skela, e turbulloi Dafinën, asaj i u mbushën sytë me lot. Ditët kalonin dhe ajo ishte bërë më e heshtur edhe me mua fliste më pak. Atë ditë ajo shpërndau ujin si gjithmonë dhe mori rrugën e kthimit. Rrugës përlotej, kur ngrinte fundin e fustanit për të fshirë sytë. Kofshët e saja të bukura zbuloheshin e dielli i a ledhatonte kalimthi edhe ai gjithë zili, donte që ti kishte për vete. Ajo ishte e vetmuar në rrugën e sajë të kthimit. Papritmas pas një gëmushe, diçka lëvizi. Ajo u tremb, ndaloi hapat. Ç’të jetë?- mendoi ajo kalimthi. Kur se priste dikush i doli para duke qeshur. Për mua po qan? Pyeti Xhela dhe doli nga ku ishte fshehur. Uuuaaa, Xhelaa-u gëzua vajza. Si je? -pyeti ajo instinktivisht. Mirë jam vogëlushe mirë, shtoi ai duke iu afruar i gëzuar sepse tashmë ishte vetëm për vetëm me të, që mund të rrinte të bisedonte e të kënaqej me të sa të donte pa ndërhyrjen e të tjerëve. Iu afrua duke i zgjatur dorën edhe ajo bëri të njëjtën gjë. Sapo duart e tyre u takuan, frymëmarja, rrahja e zemrave, shikimet djegëse, ankthi e dëshira u bënë një ëmbëlsi dehëse e therëse për të dy. Ata pa ditur ranë në krahët e njëri tjetrit. U puthën për herë të parë. Puthja vazhdoi gjatë. Malli i pakë ditëve e kish bërë të vetën. Xhela e mori në krahë, rrotulloheshin së bashku. Të dua, të dua, të dua…!- i thoshte ai pa pushim. Edhe unë, edhe unë, edhe unë, i përgjigjej ajo mes mallit. Ata u përqafuan e u puthën gjatë. Xhela nuk e linte që të shkonte në shtëpi. U çmende?!-i tha ajo. Duhet të shkoj në punë! Ç’pun moj, do të të marr që sot në shtëpinë time! Që sot?! -u çudit ajo. Që sot moj, që tani! Po enët? Po uji? Punëtorët?! Ai ia mbyllte gojën me puthjet e tij të nxehta dhe ajo i përgjigjej njësoj. U çuan më në fund për në shtëpi. Enët, u kujtua Dafina përsëri. Xhela mori enët e ujit dhe i flaku në një kanal aty pranë. Jo ashtu, i foli ajo, sepse do të na duhen prapë. S’do të të duhen më kurrë, vogëlushja ime, i pëshpëriste ai mes ledhatimeve e të puthurave. Ata nuk ngopeshin me njëri-tjetrin. Xhela mbante me kujdes Dafinën në dashurinë e tij duke soditur e shijuar fshehtësitë e trupit të saj. Orët kalonin, mbrëmja ra pa u kuptuar. Në shtëpinë e Dafinës ishin shqetësuar për vonesën e sajë. E kam unë, u dërgoi fjalë Xhela. E kam unë në dashurinë time përgjithmonë, mos e kërkoni, ne duhemi. Ata filluan muajin e mjaltit. Nuk bënë zhurmë të madhe për rrëmbimin e tyre, as në brigadë nuk thanë gjë. Babai i Dafinës tha se vajza tashmë është e rritur dhe nuk duhet që të jetë mes burrash, kurse Xhela bënte të sëmurin meqë kish rënë nga skela. Pas muajit të mjaltit ai u kthye entuziast në punë. Ku është Dafina?- pyeti ai sapo vuri këmbën në punë. Donte të provonte pulsin e shokëve. Vetë s’kishte bërë zë për martesën. E ndaluan ju përgjigj me keq ardhje Sinani. E ndaluan prindërit. Epo kanë të drejtë, ajo s’është më e vogël, u rrit. Po, po, u rrit, mërmëriti nëpër dhëmbë Sinani, ndoshta do të vejë në shkollë të lartë, ku i dihet, mërmëriste ai hera herës. Xhelës i erdhi keq për shokun e tij e vendosi që ta marrë me të mirë. Dëgjo, Sinan! A është vajzë? Po! A do të martohej një ditë? Po ! Po nuk na kanë thënë se u martua, foli me zë dridhur Sinani. Po një ditë do të na thonë qeshte me gjithë shpirt Xhela. Mos u mërzit kështu, o burrë i dheut, se vajza ka plot, i jepte kurajë Xhela. Lere Dafinën tani, po eja forca të punojmë se këto ditë do ta inaugurojmë ndërtesën. Vërtet, brenda 3 muajve të verës ndërtesa u inaugurua dhe gollobordasit u transferuan në një objekt të ri ndërtimi. Të rinjtë punonin së bashku gjithëkushi i zhytur në botën e tij. Pas një viti, Xhela e ftoi Sinanin në shtëpinë e tij për kafe.
    -Sinan!- filloi ai. Të kam një surprizë.
    -Surprizë?!
    – Po, po, surprizë, po dua në fillim, të më japësh fjalën, se nuk do të më zemërohesh dhe të më sigurosh se ke me të vërtetë një zemër të fortë , shumë të fortë.! Zemër të fortë? Përsëriti Sinani. Po, po , -tha i vendosur Xhela. Zemër të fortë! E ç’hyn këtu zemra ime? Më jep fjalën. ! Këmbënguli Xhela. E mirë, mirë, të jap fjalën se nuk do të të zemërohem dhe të siguroj se me të vërtetë kam një zemër të fortë e shumë të fortë, përsëriti fjalë për fjalë Sinani. Dakord!- e mbylli bisedën Xhela. Të dielën të pres në shtëpi, atje të pret edhe surpriza. Sinanin nuk e zinte gjumi deri sa të vinte e diela. Ç’të jetë?- vriste mendjen Sinani, por më kot. Ditën e diel ai ndaloi përpara shtëpisë së Xhelës, me entusiazëm si gjithmonë. Trokiti. Portën ja hapi Dafina, me një foshnje në krahë. Ai shtangu! Buzëqeshja i ngriu në buzë, por vogëlushi me të qarat e tij e përmendi. Sinani kaloi pragun e shtëpisë i turbulluar. Dafina i zgjati foshnjën e sajë dhe i uroi mirëseardhjen. Tani me të vërtetë që më duhet një kafe pa sheqer, shtoi nëpër dhëmbë Sinani. Ja ku e ke, i tha Xhela duke ja vënë tabakanë dhe filxhanin përpara. Dafina qeshte e lumtur që i kishte të dy shokët e sajë aq pranë. Ata të tre shijonin kafenë dhe kujdeseshin për vogëlushin si për shokun e tyre dhe më i riu i grupit. Tullat vazhdonin të fluturonin në mendjet e tyre si më parë. Ata s’kishin arsye që ti zemëroheshin njëri-tjetrit, sepse, në fund të fundit, njëri prej tyre do ta merrte Dafinën dhe ai që e mori ishte Xhela.

    ***************************************
    Kujtim Mateli
    POEZI LAMTUMIRE
    (Për Niko Tyto)
    Ike, mësuesi im Niko Tyto, ike,
    Në këto ditë të fundit të muajit Nëntor,
    Të prisnim udhëve të Tiranës me librin tënd të radhës,
    Me gazetën ” Malëshova” në dorë.

    Po ty të detyruan të ecje udhës qiellore,
    Siç detyrojnë çdo qenie të planetit Tokë,
    Po si s`e ngrite të shkretin telefon e të thoshe: Alo!
    Miq po më largojnë përgjithmonë nga kjo Botë!

    Ç`do bënim? Asgjë s`do kishim bërë,
    Veç tënden dorë do donim të shtrëngonim fort,
    Po Ti s`pate kohë. Të tilla janë rrugët kur nisesh me nxitim,
    Aq më tepër kur shkon tek tjetra Botë.

    Ike, miku im Niko Tyto, ike,
    Këlcyra, vendlindja jote, derdhi lot,
    Po Ti 40 libra na le e mijëra biseda,
    Që të lidhin përjetësisht tek kjo Botë.

    ************************************

    NATA PA HËNË, OSE NGJARJE E VITEVE 80-të
    Albert Z. ZHOLI
    Sa doli nga zyra e kryetarit të Këshillit,L.T. vendosi të arratisej. “Do ta paguash shtrenjtë!”, e kish kërcënuar kryetari. Dhe ato fjalë e kishin bishtin mbrapa. E nesërmja nuk dihej si do të vinte. Ai kishte një familje të re, një fëmijë të pambushur vitin dhe ëndrra të bukura për të jetuar. Pasi e diskutoi edhe me gruan, u përgatiten për ikjen. Planin e kishin menduar mirë për të arritur te kufirit pa rënë në duart e ushtarëve.
    Ishte prag nate. Shiu kishte heshtur, por bënte ftohtë. Në kushte të tilla ushtarët e kufirit ishin më pak vigjilentë. Piramida ku kishin zgjedhur shtegun e kalimit ishte disa kilometër nën fshatin Leshnicë dhe ata si vend e njihnin me pëllëmbë çdo gur e shkurre. L.T kaloi shtegun! Pas tij, disi më larg, vinte gruaja me fëmijën e vogël në duar. “Ja hodhëm” kaloi ai nëpër tru, duke ecur si mbi gjemba e duke dëgjuar heshtjen që i vinte nga mbrapa. Ajo heshtje ishte shpëtimtare. Çdo çast nga ajo heshtje, ishte jetë për të edhe për gruan me kopanecin në duar. Por qarja e fëmijës e tmerroi. Një qarje klithmë. Pastaj ca zëra të egër e të panjohur. Ai aq mund të dëgjonte .
    Gruaja, me fëmijën e vogël në duar, befas ishte përballur me një ushtar të patrullës. Trembja e saj ishte edhe klithma e fëmijës. Ajo mbuloi fëmijën në gjoks, me instinktin e nënës. Gryka e automatikut, dy metra para saj, ia kish ndaluar frymën, vetëm zemrën nuk i kish ndalur akoma. Nga larg ndjeheshin këmbë në hapa të shpejtë dhe zëra të pakuptimtë.
    – Hë, ç’pret?! Qëllo! –foli ajo me gjithë frymën që i kish mbetur brenda gjoksit. Këto fjalë iu dukën zgjidhja më e mirë, kur jeta matej me sekonda.
    – Largohu, largohu shpejt !- i foli ushtari gruas dhe grykën e automatikut e ngriti andej nga s’dukeshin yjet. Ajo s’po u besonte syve dhe veshëve . “ Si është e mundur !??” Por edhe këtë pyetje nuk ia bëri dot vetes, se nuk ia arrinte koha. Mori vrapin në udhën që kishte nisur. Këmbët i digjnin si të shkelte mbi gjemba, apo mbi prush të ndezur. Nga pas ndjeu një breshëri krismash. Mendoi se të gjithë plumbat i kaluan përmbi trup. Por çuditërisht ajo po ecte e ecte… Edhe fëmijën e kish futur brenda gjoksit.
    Kur krismat e zërat nuk i ndjente më e ndaloi vrapin. Tashti ishte futur thellë në tokën greke. Aty, pranë, një guve e priste burri. Pa fëmijën, ai flinte dhe merrte frymë si engjëll…
    -Çudi?!Si nuk më zunë plumbat?! Në gjithë atë qamet shpëtuam- foli ajo dhe përqafoi të shoqin.
    -Ushtari nuk qëlloi në drejtimin tënd!- foli i shoqi mes lotësh.
    -Do Zoti, një ditë e marrim vesh se kush na ndihmoi. Atij ushtari i kemi borxh jetën –foli gruaja dhe puthi me buzët që i dridheshin, fëmijën e përgjumur.
    Kjo ngjarje ka mbi tre dekada që ka ndodhur. Fëmija është rritur dhe si në ëndërr ndoshta i kujtohet ajo natë pa hënë dhe më kot mundohet të gjejë ushtarin e asaj nate….

    Shaip Bllaca
    ME FLAMUR TË SHQIPES
    Nesër do të vi
    Atë tokë te vizitoi,
    Unë biri yt
    Po digjem me mall.
    Ndryshe me mësove
    Nëna ime e dashur,
    Ëndërruam për ty
    Shqipëria ime e shenjët.
    Kaloi një shekull
    E sa do te shkojnë,
    A do i bashkojmë tokat
    Te paret qe i kanë lenë.
    Ismail Qemajl Bej
    Në Vlorën heroike,
    Erdhi Isa Boletini
    Nga Kosova kreshnike.
    Besën qe të dhamë
    S’do te shkelim kurrë,
    Në Vlorë te bashkuar
    O sot o kurrë.
    Një shekull jete shkuan
    Te ndarë nga Europa,
    Po,shumë na copëtuan
    Këto trojet tona.
    Me flamur në Krujë
    Epoka e Skënderit,
    Vazhdoi në Vlorë
    Nga Ismail Qemajl Beu.
    Në Kosovën e Isës
    U ngritën bijtë e vendit,
    Nga Bac Adem Jashari
    Me Agim Ramadanin.
    Kruja e priti Skënderin
    Vlora Ismail Qemajl Beun,
    Prekazi Adem Jasharin
    Zhegra e Gjilanit,
    Agim Ramadanin.
    Këta kolos te shqipes
    Qe kishin shumë shokë,
    Populli në trojet tona
    Kurrë s’do ti harroi.

    Fejzi Murati

    MOS E MBYLLNI KËTË FAQE INTERNETI
    (Poetit Vasil Dede që u nda nga ne para disa ditësh)
    Mos e mbyllni këtë faqe interneti!
    Lëreni,
    Me botën të komunikojë!
    Për të s’ka largim a mbyllje dritare,
    Përherë mes nesh të qëndrojë!
    Mos ia zini sytë e bukur e gjithë jetë!
    Lëreni,
    fjalën përsëri ta thotë…
    Të komunikojë me Kolonjën e Postenanin
    Me miqtë e poetët nëpër botë!
    Mos ja mbyllni atë dritare poetit!
    Lëreni,
    Poeti ka nevojë për dritë!
    Lirika të thurë me shpirtin e tij
    Të këndojë për gjithë dashuritë.
    Lëreni,
    Të jetojë përjetësisht mes miqsh!

    KALIT TË TROJËS
    Ke tre mijë vjet që thur tradhti,
    ke tre mijë vjet që rend mes detesh,
    askund nuk gjete qetësi,
    veç te ne
    gjete liman të prehesh.
    Në fakt,
    përherë ke qëndruar mes nesh,
    herë si përbindësh e herë si engjëll lajmëtar,
    kurrë nuk na le
    të bëheshim dy bashkë
    gjithë jetën u hoqëm zvarre!
    Po unë s’të vë faj,
    unë të jap hak!
    Të gjithë të paskemi në zemër,
    të gjithë të paskemi në gjak!

    NDARJE
    Do ikësh larg…
    në fatin tënd…
    pas do të të ndjek ky loti im.
    mua më le fotot e tua
    edhe dy letra, si kujtim.
    Sa herë t’i shoh a t’i lexoj
    do ndjej një dhimbje
    thellë në shpirt.
    netët me ty do rikujtoj
    që terri të më bëhet dritë.
    Nuk jam trishtuar,
    të betohem:
    për sytë e tu të zinj, me lot!
    Veç malli shumë do të më marrë
    s’kam pse ta fsheh,
    se është e kotë!
    Se s’kam se si t’jem i qetë
    kur ty o shpirt
    s’do të kem pranë,
    kur dielli qeshet në agim,
    kur terri hapet anë e mbanë.
    Të gjitha ndarjet janë të rënda…
    çdo ndarje
    thellë si thikë të shpon
    po ndarja jonë rëndoka shumë
    dhe zemra ime gjak pikon.
    Po ti shikoje fatin tënd…
    të jesh e lumtur unë kërkoj.
    në se ta shoh diellin ndër sy
    shpirtvdekjen time do pranoj

    Ky ansambël mbetet i radhitur si një nga krenaritë më të mëdha të kombit tonë për demonstrimin e paarritshëm melodioz
    Ansambli “Çipini” Vlorë, minierë e artit dhe vlerave të shpirtit shqiptar
    Nga avokat Tartar Bazaj

    Në referim të retrospektivës mijëravjeçare deri në rrjedhat e teknologjisë të kohës së sotme moderne një nga kolonat e pathyeshme që u ka bërë ballë të gjitha kohërave të vështira jo vetëm ne aspektin e mbijetesës sonë për identitet kombëtar por edhe atë kulturor e shpirtëror, qëndron edhe polifonia labe si një fosforinë e ushqimit të pazëvendësueshëm dhe rrezatim i fuqishëm jo vetëm në tërësinë e trojeve etnike shqiptare , por edhe në diasporë e cila ndriçon përjetësisht trashëgiminë tonë kulturore dhe vlerat e larta historike , duke rifreskuar periodikisht memorien tonë kombëtare. Parë në këtë kontekst , promovimi i këtyre vlerave ishte një domosdoshmëri dhe më të drejtë ishte iniciativa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani,i cili përmes një ceremonie të veçantë në pranverën e këtij viti , ka dekoruar ansamblin Folklorik “Çipini” të Labërisë me qendër në Vlorë, me titullin “Mjeshtër i Madh”, për vlerat e spikatura që ai transmeton ,nëpërmjet këngës popullore shqiptare të krahinës së Labërisë. Dhe si të mos ndihesh krenar kur këta bilbila të këngës labe në disa dekada me sakrificën e tyre kanë ngrohur çdo tryezë shqiptare, kanë ndriçuar ndjenjën tonë kombëtare,kanë kujtuar bijtë dhe bijat e mëdhenj të trojeve etnike shqiptare të cilët kanë kontribuar ndër shekuj për mbijetesë duke mbajtur gjallë atdhedashurinë me lavdinë e thurur ndaj tyre për çdo vepër të kryer në favor të kombit tonë dhe të ruajtura fort në kujtesën e brezave.
    Por, kush është ky ansambël ?
    Folklori shqiptar që në lashtësi është shquar për origjinalitetin e tij, shumëllojshmërinë e gjinive artistike sipas zonave etnografike, ku secila prej tyre sipas zonave të veçanta ka këngët,vallet, zakonet,doket dhe traditat e saj. I tillë është dhe mbetet edhe njëri prej këtyre thesareve të paçmueshme, Ansambli Folklorik “Çipini” i Labërisë me qendër në Vlorë i cili me të gjithë elementët e tij artistik, shërben si një laborator, ku prodhon dhe promovon pafundësisht për brezat në vijim, këngë, melodi, recitime dhe lavdi duke ju adresuar vlerave më të larta historike, shpirtërore dhe kulturore kombëtare dhe rrjedhimisht edhe duke i ekzekutuar më pas me profesionalizëm dhe cilësi të lartë nëpërmjet burimeve të tyre gojore. Ansambli Folklorik “Çipini” i Labërisë me qendër në Vlorë mbetet i radhitur si një nga krenaritë më të mëdha të kombit tonë për demonstrimin e paarritshëm melodioz. duke bërë paralelisht tepër të çmueshme kulturën tradicionale shqiptare me tekst të krijimit popullor dhe përpunimit gojor, të ruajtur në kujtesën e brezave të këtij kombi. Ky ansambël folklorik patjetër që ka të lidhur në dekada si një gjerdan i artë margaritar bilbilat e vetë të cilët me të drejtë u vlerësuan nga kreu i shtetit me Titullin e Lartë “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”.
    Por, cilët janë këta bilbila ?
    -Rrahmën Nuredini , Armen Vlorë me këngën e tij “C`u mbush vendi xinxërfile”.
    -Katina Beleri e Himarës , me këngën “Thëllëza që shkel mbi vesë”.
    -Ajet Duka i Delvinës me këngën , “Maja malesh Labërie”.
    -Fatbardha Hosaj (Brahimi) , Kurveleshi i Poshtëm , me këngën e “Ninullës”.
    -Nazif Çela i Lapardhasë Vlorë , me këngën , “Janinës ci panë sytë”.
    -Bexhet Mahmutaj i Treblovës Vlorë , me këngët humoristike.
    -Fatosh Likoj i këngës së Dukatit Vlorë.
    -Zeqo Hoxha, i Kallaratit Vlorë.
    -Vendim Zyka dhe Kalo Bregu , përfaqësues të këngës së ëmbël të Vezhdanishtit Vlorë.
    -Profesor Shyqyri Hysi , i Kalivaçit Tepelenë me titullin “Naim Frashëri”.
    -Arap Çeloleskaj, i Vranishtit Vlorë.
    -Arap Merua i Bratit Vlorë.
    -Syrja Hodaj i Tërbaçit Vlorë.
    -Avdi Zholi i Progonatit Tepelenë.
    -Vendim Kapaj,Mjeshtri i Madh i fyellit , laurat i të gjitha festivaleve tona kombëtare.
    -Golik Jaupi i këngës Bënçore Tepelenë ,”Artist i Merituar dhe Mjeshtër i Madh”.
    Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të kthyesve brilant dhe hedhësve Nebi Xhaka Tërbaç Vlorë, Golik Lika Lapardha Vlorë, Dervish Guma Bënçë Tepelenë, Virion Laçi Mavrovë Vlorë, Syrja Brahimi Dukat Vlorë, Ladi Sheraj Vajzë Vlorë, Simon Simoni Treblovë Vlorë, Nuri Hamzaj Delvinë, Fatbardha Hosi (Brahimi) Lapardha Vlorë, Evgjeni Kicaj (Lelo) Terbaç, Vlorë dhe të gjitha zërat e tjerë që lodrojnë në detin e isos labe që buron nga jehona e maleve tona në harmoni me dallgët e detit Jon. Të gjitha këtyre zërave brilant u paraprijnë poetët e këngës labe, mjeshtrit e mëdhenj.

    *******************************************************

    Petrit Malushi

    Çakalli, si ujku

    Dy, katër, tetë vjet
    Qëndroi ujku në pushtet.
    Vulë e firmë në një dorë.
    Pyllin ndau me sinorë.

    Stane, vatha, përrenj,vija,
    Ca i biri, ca e bija,
    Kotecet nën hije arre
    Ua dha dhelprave kumbare.

    Rrotacioni bëri punë,
    Në pushtet çakallin vunë,
    Ulëriti gjatë fushatës
    “Ujkun, hajdutin e natës,

    Për ç’ka dhënë e ç’ka marrë
    Ta gjykojmë sa më parë…”
    Muajt ikën një nga një,
    Dhe çakalli ujk u bë.

    Komisioni i inteligjencës

    Kryetari, në bazë të kompetencës,
    Për banorët bar e drithëngrënës,
    Dekretoi komisionin e inteligjencës,
    Dhe vendosi gomarin vulëvënës.

    Vlerësime bënte vulëtari
    Për ngarkesën e pelës, shalën e kalit,
    Plugimin e qeve te ugari,
    Ecjen e mushkës përtej kanalit.

    Gjykonte dhe këngën e bilbilit,
    Zërin e ëmbël të kanarinës,
    Qenin në strehës, poshtë trëndafilit,
    Delen dhe dhinë anës lëndinës.

    Blloqet mbushte me shënime,
    Pa vulë faqet s’i linte gomari.
    Dhe dekorime e çdekorime,
    Bashkë me të bënte kryetari.

    Kamera dhe miushi

    Ruante vreshtin, vreshtari,
    Ngarkuar plot, ishte vjeshtë.
    Në anë, majë shelgut, vari
    Një kamera të vogël, të fshehtë.

    Sa ulej mbrëmja, ja miushi,
    I pickonte frutat me radhë,
    Mollë, fiq edhe kokrra rrushi,
    Dhëmbët i ngulte përmbi dardhë.

    “Cila është më e ëmbël, më e pjekur?…”
    E pyeti ketri, kur e pa te shtegu.
    “Betohem, një kokërr s’kam prekur…”
    “More, kokën ktheje pak nga shelgu…“.

    Lepuri i droguar

    Poshtë kroit një parcelë,
    Ku rrugica ndan dy fusha,
    Me spinaq e lakra mbjellë.
    Fshihej lepuri te gëmusha.

    Një hajdut kaloi ndaj nate,
    Disa pako fshehu nën gjethe.
    U sul lepuri me nuhatje,
    U trullos, e mbuluan ethe.

    Pak më tej lehte zagari.
    Trimi lepur, mendje dhogë
    Tha “Ka frikë nga unë qyqari…”
    Pakot kishin qenë me drogë.

    ***************************
    Bedri Alimehmeti

    Lasgushi dhe Tirona
    -Tregim-
    Kisha disa ditë që puna nuk po më ecte. Ulesha në tryezë i vendosur që nuk do të ngrihesha pa i dhënë fund edhe një tregimi. Por, qe e pamundur, më kot mundohesha, gjithçka hidhja jo nuk më pëlqente, por nuk më ngjiste fare. Shkurt ndihesha i shqetësuar e i mërzitur ngaqë po vononte përfundimi i ciklit “Tregimet e Tironës”, të cilëve në këtë vëllim të parë ua kisha taks numrin nëntë. Kaq kishte qenë dëshira ime e kahershme. Ndërkohë kisha përfunduar tetë prej tyre, disa nga të cilët i kisha botuar në shtypin letrar, dhe kisha ngecur. Jo se më mungonin subjektet, përkundrazi në shënimet e mia kisha disa projekte të cilët, edhe pse i nisja, e kisha të pamundur t’i çoja deri në fund. Ndaj në shtjellën e këtij shqetësimi, sidomos ngaqë nuk po arrija ta bëja librin gati në kohën e duhur, u sorollata atë ditë nga njëra kafene në tjetrën, derisa tek po shëtisja bregut të Lanës u përballa me një shokun tim të fëmijërisë. Kishim vite pa u takuar, ndaj e patëm të pamundur të shkëputeshim nga njëri tjetri, pa ndenjur e biseduar gjatë. Zumë vend në një kafene aty pranë dhe nisëm bisedën. Ai kishte kohë që më ndiqte në shtyp, në radio e në televizor, madje i kishte lexuar të gjithë librat e mi, dhe në fund të ligjëratës më pyeti se, çfarë kisha në dorë? I tregova, madje i shpreha edhe shqetësimin, që jo pak po më mundonte ato ditë, teksa ende nuk po e çoja deri në fund atë çka i kisha vënë detyrë vetes, dhe kur i thashë për titullin e librit të ardhshëm, atij i bëri përshtypje ndaj më pyeti: “Përse ju tiranasit i thoni Tirona dhe jo Tirana qytetit tuaj?” Atëherë u detyrova t’i rrëfeja këtë histori. Të njëjtën pyetje thuajse si kjo e jotja, i thashë ia kishte bërë një ditë Lasgush Poradecit edhe miku i tij, arkitekti Petraq Kolevica, që nuk harronte ta vizitonte shpesh në atë banesën e thjeshtë në atë lagje periferike të Tiranës, ku banonte poeti ynë i madh. Për mua Lasgushi është padyshim një nga mendjet më të ndritura, që ka nxjerrë ky komb. Ai shkroi pak, por na la shumë. Lasgushi vërtet nuk ishte nga Tirana, por fakti që ai kaloi në këtë qytet një pjesë të mirë, ndoshta më shumë se gjysmën e viteve të jetës, pa thënë se gjatë gjithë kësaj kohe jetoj mes tiranasve, në një shtëpi të familjes së nderuar Mumajesi, në lagjen “Xhamia Sherif” (sot lagja nr.1), ku bashkë me ta përballoi halle e vështirësi të panumërta, teksa përkulur dite natë mbi makinën e shkrimit, për të siguruar bukën e gojës duke na sjellë në shqip poetët më të mëdhenj të botës, “ky hamall i përkthimit” siç e quante ai veten, bëri të mundur krijimin e shumë fijeve të padukshme, që e lidhën përjetësisht me banorët e kësaj treve të begatë e të pafund në vlera njerëzore. Madje, ai i deshi shumë, por edhe ata ama e nderuan dhe e respektuan pamasë. Kudo që ta shihnin e përshëndetnin, qëllonte të ishte me një trastë në dorë, sigurisht pasi kishte psonisur diçka, ia merrnin nga dora dhe ashtu duke biseduar me të e përcillnin deri te porta e shtëpisë. Kur ia ndjenin trokitjen e bastunit nëpër pllakat e trotuarit ndaleshin dhe i hapnin udhën, teksa ai u dhuronte pambarimisht buzëqeshje të këndshme. Mahniteshin sidomos nga pamja e tij ngazëlluese në ditët e para të pranverës, kur pemët çelnin lule, zogjtë cicëronin gazmorë dhe mimozat të dehnin me kundërmimin e tyre, teksa Dajti dukej sikur i afrohej edhe ca më shumë qytetit, tek e shihnin të ecte i rinuar brigjeve të Lanës me kapelën karakteristike dhe pardesynë e hirtë shtrënguar në mes. Në raste të tilla nuk i afroheshin, e linin ashtu të qetë në përjetimin e atij meditimi poetik. Sigurisht e ndjenin që poetin tashmë se ndalte kush nga shuarja e atij përvëlimi të pakrahasueshëm malli për liqenin dhe qytetin buzë tij. Madje, e dinin që edhe pak ditë, ja sa të ngrohej ca moti, ai do të merrte rrugën për të mbërritur sa më parë atje. Dihet nga të gjithë, Lasgushi gjashtë muajt e dimrit i kalonte në kryeqytet, kurse gjashtë muajt e verës buzë “gjolit” në Poradecin e tij të dashur, të cilit i tha gjithnjë kështu dhe kurrë Pogradec. Gjatë kohës kur ishte në Tiranë e vizitonin herë pas here shokët e miqtë e tij të pendës: Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Eqerem Çabej, Andrea Varfi, Petro Marko, Mustafa Greblleshi, Sterjo Spasse dhe Petraq Kolevica. Këta ishin miqtë e ngushtë të Lasgushit, të tjerë nuk qaste në shtëpi. Kur puqeshin të gjithë tok dhe biseda ngrihej në nivele të atillë, që do t’ia kishin zili edhe profesorë të shquar universitetesh, tiranasi Mustafa Greblleshi, të cilin poeti e donte aq shumë thoshte gjithnjë: “Kjo është Akademia Lasgush Poradeci”.
    Vetëm pak pasi ishte kthyer nga një shëtitje e tillë, kishte mbërritur atë ditë Petraq Kolevica, që pasi i tregoi disa poezi të përkthyera nga gjermanishtja në bisedë e sipër i tha:
    – Ama dhe këta tiranasit, nuk ia thanë një herë tamam emrin Tiranës, qytetit të tyre, por gjithnjë Tirona, Tirona!
    Lasgushi e kishte parë gjatë në sy dhe më pas i kishte dhënë këtë përgjigje:
    – Që duhet ta kenë një arsye që i thonë Tirona e jo Tirana qytetit të tyre, unë nuk e diskutoj. Them kështu sepse, e di mirë që ky popull bujar ka qindra vite, më saktë shekuj që e quan kështu qytetin e tij. Dhe arsyeja kam mendimin se vjen pikërisht nga thellësia e shekujve.
    Arkitekti qe stepur për një çast, aq më tepër kur kishte vënë re që nga sytë e poetit kishte nisur të fekste vezullimi i një drite të paparë. Gjithçka ishte e qartë, “masati” mendjes së tij pritej të shkëndijonte sërish, madje edhe më fuqishëm. Ty të shqetëson shumë mbaresa ‘ona’, por duhet të dish që Perëndesha e lashtë e ilirëve, pra e të parëve tanë ishte Dodona. Madje, enkas për të ata ndërtuan tempullin e Dodonës, ku vinin e i faleshin për ditë. Në jug të Shqipërisë kemi një qytet shumë të bukur buzë detit, mu aty ku ndahen dy detet e mrekullueshëm Joni dhe Adriatiku. Ai qytet sot quhet Vlora, por emri i tij i lashtë është Aulona. Po të shkojmë në veri dhe të ngjitemi në alpe, atje mes Bjeshkëve të Namuna kemi një lumë me bukuri përrallore, që quhet Valbona. Pra, edhe këto emra me ‘ona’ mbarojnë. Dhe ne na pëlqen dhe i duam shumë. Por nuk mbaron këtu llafi im. Po të kalosh detin Adriatik dhe të zbresësh në brigjet italiane ke një qytet mjaft të bukur, që mban emrin Ankona. Kurse në veri të Italisë gjendet një qytet tjetër me emrin Verona, qyteti i Romeos dhe i Zhuljetës. Dhe italianët me sa di deri më sot, nuk janë jo shqetësuar por, as ankuar që emri i qytetit të tyre të mrekullueshëm mbaron me ‘ona’. Pas kësaj Lasgushi e ndali fjalën dhe mori frymë thellë. Kundërmimi i aromës së selfijonit ose borzilokut të sapoçelur, siç i thoshte ai nëpër vazot e radhitura me kujdes anës murit, ia zgjeroj edhe më shumë kraharorin. Arkitekti i zënë disi ngushtë pandehu se poeti kishte mbaruar dhe desh të shtonte diçka, por ai ia bëri me dorë të priste.
    – Nuk kam mbaruar, kam edhe më. – shtoi poeti – Po të përmend edhe dy emra qytetesh nga më të bukurit në Europë. Madje, njëri prej tyre është kryeqytet, Lisbona dhe tjetri Barcelona. Po gjithsesi këtë herë do të jemi sërish në Shqipëri në dheun e Arbrit, ku plot vajza të bukura quhen Elona, Bleona, Jona, Edona, Emona, Ermiona etj. Gjithë këta emra bukurish të rralla vijnë nga lashtësia dhe mbarojnë me ‘ona’. Dhe neve na vjen mirë, dhe i gëzohemi pamasë yllësisë së tyre. Ndaj dhe ky popull i urtë e punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana, por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne. Unë kaq di të them, të tjerat kanë për detyrë t’i bëjnë historianët, arkeologët e gjuhëtarët, të cilët duhet të hulumtojnë, të kërkojnë e të gjejnë arsyen e vërtetë. Kaq kishte nxjerrë nga “masati” Lasgush Poradeci dhe kishte heshtur.
    Brënda pak çastesh, në mënyrë të habitshme perceptimi i tij qe zhytur në thellësi të paimagjinueshme e të mistershme të shekujve, duke vërtetuar kësisoj edhe një herë potencën e pakrahasueshme që karakterizonte analizën e tij zhbiriluese prej gjeniu.
    – Tregim i bukur shumë! – foli bashkëbiseduesi im.
    – Cili!? – i thashë i habitur.
    – Ky që sapo më tregove. Dhe kot e vret mendjen për të shkruar tregim tjetër. Ja tek e ke. Siç ma tregove, shko e hidhe në letër. Madje, me të do të parandalosh kundërvëniet, me që ke përdorur në vend të Tirana, Tirona. Shoku kishte plotësisht të drejtë. Ndaj dhe unë, merreni si të doni e vendosa këtë histori si në vend të një “parathënie”, në krye të këtyre tregimeve për Tironën. Por, pa harruar kurrsesi t’i përulem në këtë rast me respekt madhështisë së fjalës lasgushiane. Faleminderit poet i liqenit. Nderim për ty Lasgush Poradeci “shterg i fundit” i poezisë së vërtetë shqipe, që aq shumë i deshe tiransit e mi.

    Isa Alibali

    PREMTIMI I MADH I NJË FËMIE
    Kush ka qenë në Edrene të Turqisë, pa tjetër ka ndier emocione të veçanta kur ka kujtuar apo ka marrë vesh se aty, në atë qytet, kanë jetuar e studiuar Skënderbeu e Fan Noli…
    Xhamia e madhe e Edrenesë (Adrianopoja e dikurshme), me 999 dritare, me 4 minare të vendosura në mënyrë të atillë, që prej së largu, në rrugën e drejtë, të duken dy, është ndërtuar nga mjeshtrit muratorë shqiptarë nga Qyteza e Kolonjës. Pasi e përfunduan, muratorët shkuan me banim në fshatin Ibrik-Tepe dhe mbetën aty brez pas brezi, duke vazhduar ta quanin gjithnjë “Qytezë”. Në këtë fshat, në vitin 1882, lindi Theofan Stilian Noli, një nga figurat më të shquara të historisë, kulturës e letërsisë sonë kombëtare…
    Ishte viti 1890. Noli ishte 8 vjeç. Nuk kishte as dëshirën më të vogël të shkonte në shkollë, jo pse i mungonte zelli, por sepse nuk dinte asnjë fjalë greqisht, ndërsa mësimi bëhej krejtësisht në këtë gjuhë. Apo s’ishte mësuesi, një njeri i egër, që të shtinte frikën aq shumë, saqë ta bënte shkollën tepër të padurueshme.
    – Theofan, shko në shkollë të them, nuk të lë unë pa vajtur atje. – i thoshte gjithnjë e ëma. Ai bënte sikur nisej, fshihej nëpër rrugët apo livadhet e fshatit, por në shkollë nuk shkonte. Kur e ëma e mori vesh këtë, u zemërua shumë. Ia dinte zgjuarsinë dhe nuk kishte ndër mend ta linte pa shkollë e të bëhej bari dhensh. Po si t’ia bënte? Si ta detyronte?I shoqi, Stiliani, nuk kishte kohë të merrej me fëmijët, nga punët e shumta që kishte për të siguruar kafshatën e gojës, si i thonë fjalës. Gjithë barra e edukimit të fëmijëve i kishte rënë së ëmës së Nolit. Djali i madh, Dhimitri ishte rritur ca dhe kishte marrë qerren e ndihmonte të atin. ”Po me këtë tjetrin çfarë do të bëjmë?” – mendonte.
    Shpesh i dilte gjumi natën dhe mendja i shkonte te i vogli, Fani: “Si ta detyroj të shkojë në shkollë?” pyeste veten. I kishte provuar të gjitha mënyrat, por pa dobi. Një ditë i shkrepi në kokë një mendim. “Po, po, kështu do të bëj!”- tha me vete e vendosur. Mori një thes dhe e detyroi të birin të futet brenda. E ngriti thesin mbi shpinë dhe, ashtu e ngarkuar, u nis për në shkollë.
    – Ja, zoti mësues, e solla Fanin – i tha ajo mësuesit të rreptë – por ju lutem mos e rrihni, se nuk kam fuqi ta sjell çdo ditë mbi kurriz…
    Mësuesi e pa i habitur, por nuk bëri zë. Duke e ditur natyrën e Theofanit, tha:
    – Zonjë! Qëndroni edhe ju me të në klasë.
    Nënë e bir u ulën në një bankë.
    Ajo ishte tepër e lodhur. Kishte kaluar një natë plot shqetësime. Dhe ja tashti, të sillte të birin ashtu mbi kurriz…E të qëndronte në klasë e të dëgjonte fjalët e mësuesit, që shumicën nuk i merrte vesh. E zuri gjumi në klasë. Fani i vogël e pa të ëmën në atë gjendje. U prek shumë. Iu dhimbs pa masë, aq shumë, sa që mori një vendim:
    -Mama, shko në shtëpi më mirë, – i tha me një zë lutës, sapo e zgjoi lehtë e me ëmbëlsi.
    – Shko, mos kij merak, do të rri edhe pa ty. Të jap fjalën. Do të bëhem nxënës i mirë. Shko tani…
    Ka qenë ndoshta premtimi më solemn që është marrë ndonjë herë nga ndonjë fëmijë.
    Fan Noli e mbajti fjalën. Ai mbeti një nxënës i përjetshëm, sa që edhe në moshën 82-vjeçare kreu një kurs të gjuhës aramaike në Universitetin e Bostonit…
    “Duke mësuar jetën e një autori, mund të kuptosh më mirë veprën e tij” – shkruan më vonë vetë Fan Noli.
    …Kaluan vite. Noli dëshironte të vazhdonte gjimnazin. Po ku?! Në fshatin e vet nuk kishte shkollë të mesme. Vetëm në Edrene. Po ai qytet ishte larg, shumë larg. Duhej bërë sakrifica. Pak në këmbë, pak me tren, rruga duhej kaluar dy herë në ditë. Shpesh udhëtonte vetëm. Ku s’i shkonte mendja. Por kur prej së largu shihte qytetin ku kishte studiuar e jetuar i madhi Skënderbe, zemra i mbushej me dashuri e nderim për njeriun e shquar të kombit. Në ato momente, tregimet e gjyshit për Skënderbeun i vinin në mendje aq të gjalla, sa nuk ishte në gjendje të çlirohej prej tyre.
    Në shkollë u bë një grevë. Fani qe një nga më aktivët. I dinte pasojat që do të kishte. Prandaj vendosi të veprojë: Të largohej sa më parë nga Turqia.
    I zhytur në mendime të turbullta të pasigurisë, me shpresën të gjejë rrugëdaljen apo vetëshpëtimin, një shkëndijë drite apo shkëlqimin e shpresës, ai vendosi të vihej në kërkim të botës shqiptare!
    Filloi përgatitjet, i palëkundur për hapin vendimtar. Por, një ditë më përpara e zunë ethet. Ethe të forta. Ç’të bënte?! Të qëndronte ishte e pamundur. “Vallë, si do të bënte Skënderbeu në një rast të tillë?!” – pyeti shpirtin e tij të shqetësuar. Ndërgjegjja e tij prej të riu u përgjigj: “Atë nuk mund ta ndalonte asgjë!”. Dëshironte ta imitonte prijësin legjendar. Por ndryshe. Me sa dukej e ndiente se kishte lindur për tjetër gjë. Vetëdija e tij prej të riu, ndonëse e tensionuar, e ftonte të ishte më i vendosur e më këmbëngulës se kurrë…
    Të nesërmen, megjithëse i sëmurë, u nis. Gjithë fshati doli ta përcillte. Pse?! Mos vallë kishin parandier se po përcillnin njeriun e së ardhmes?!
    – Mos qëndro gjatë në Athinë, hidhu pastaj në Shqipëri – i tha një nga luftëtarët më të shquar të Ibrik-Tepesë, Gjergj Kapidani, kur po e përcillte.
    – Shqipëria është atdheu ynë i vjetër, ajo ka nevojë edhe për ne! Shko atje dhe bëj ç’të mundësh për të mirën e këtij vendi, e vendit tonë…
    Dhimitri, i vëllai, nuk mund të përmbahej nga ngashërimet e kësaj ndarjeje tepër mallëngjyese.
    – Shpejt tani, hip në qerre, sepse treni nuk pret, – i tha ai me sy të përlotur.
    Tundi kamxhikun e qerrja niset. Skena prekëse e nisjes së Fanit nga njerëzit e afërt u kapërcye. E pushtoi të tërin ëndrra dehëse e ikjes, e largimit…Për sa kohë vallë?
    Fan Noli kurrë më nuk u kthye në Qytezë, në Ibrik-Tepe.

    Pajtim Graci Kolonja

    Unë dhe ti
    Unë çaloj dhe ti hedh valle
    dhe sikur të mos mjaftojë
    për këtë kuje të madhe
    zoti madh të me dëgjojë

    Unë i shtrirë, dhe ti ne këmbë
    më godet fortë, pa mëshirë
    dhe sado që të më dhëmbë
    ti gëzohesh, të vjen mirë

    Unë rënkoj, e ti po qeshë
    pa menduar sa po vuaj
    sado katil që të jesh
    me plagën time mos luaj

    Unë kam ftohtë, ti hedh ujë
    dhe sikur të mos shikoj
    vdekjen ime pa shumë bujë
    lutesh dhe shume do ta doje….! .

    Gjirokastra jonë
    Qyteti i gurtë, gjithnjë rrezaton
    Përballë Çajupi, si kështjellë qëndron
    Mbartë me vete, histori e legjenda
    Çdo gur të lëvizësh, xhevahir gjen brenda
    Çajupi sërish qeleshen e vuri
    Ftoi Nemërçkën, dhe vallen e zuri
    Mali i gjerë, si mburojë qëndron
    Me një zë të ëmbël labçe këndon
    Në iso hyjnë malet e tjerë
    E nga dëbora s’kanë qeder
    Kështjella e lashtë, krahët i shkundi
    Hyri ne valle dhe shaminë e tundi….

    Kush mi vrau ëndrrat!

    Shpesh herë pyes veten
    A kam të drejtë
    Që ëndrrat më treten
    Papritur kaq shpejtë ?!

    Ëndërr kjo si gjithë të tjerat
    Për të qenë dhe ne si gjithë Europa
    Aty ku bashkohen kulturat dhe vlerat
    Si çdo shqiptar, premtime u ngopa !

    Kush është fajtorë për ëndrrat e mia
    Banditë e horrë,plot Shqipëria
    Kush më ndau mua prej saj
    Dhe sot premton të më bashkojë !

    Nuk kam ndërmend fare ta shajë
    Por kam nevojë, sot ta dëgjojë
    Kush e shiti shpesh herë vendin tim
    Kush u bê pjesë me ta në pazare ?!

    Jam kurioz të di, a mori ndëshkim
    E nëse po, ku janë ato varre
    Kush e shkatërroi sërish vatanin
    Edhe këta 25 vjet
    Kush gjeti, e ndëshkoi tiranin ?!

    Që balta kurrë mos ta tret
    Kush për ëndrrat tona është fajtorë
    I vret çdo ditë pak nga pak
    Askush s’ka guxim të ngrejë dorë !

    Edhe pse i mbushur i gjithë me gjak
    Mos vallë ai që lotët ti fshinë
    Mban në dorë thikën maskuar
    Që lutët e përgjërohet për perëndinë
    Me gjakun tënd është krijuar….?!

    Niko Gjoni
    ANKESAT E DESIT
    -Tregim-
    Desi ankohet për çdo gjë, por më tepër ankohet për Lefterin. Vitet e para të martesës ishin mirë, por më vonë ai afrimitet mes tyre sikur s’ishte më i pari. Desi punonte si mjeke psikiatrie, por sëmundjes së Lefterit s’po ia merrte fillin. “Si u bë ky burrë kështu. I iku burrëria, thoshte Desi. E vizitoi tek shumë mjek, por nga të gjitha analizat që bëri doli se nuk kishte asgjë.
    -Ndopak stres. Jepi ushqim me proteina që të ketë forcë. Burri është burrë, i tha një kolege.
    -Pa shiko se mos shkon me ndonjë tjetër dhe kur vjen tek ty të kthen kurrizin, i foli si mënjanë një tjetër mjeke që këtë problem xhelozie e kishte me burrin e saj”.
    -S’është Lefteri im nga ata burra. Është njeri i ndershëm. po dhe ta lër aktiviteti seksual në këtë moshë sikur nuk është parë e dëgjuar…”.
    Në shtëpi të Desit filloi trajtimi me mish viçi, koka dashi lë pjekura, veshka e bole dashi të pjekura. Nga këto përveçse u shëndosh dhe e zinte gjumi shpejt, nuk kish parë ndonjë ndryshim.
    -Moj Desi, çoje tët shoq tek Dervish Hatixheja se mos e kanë lidhur nga poshtë hijet e Tolomatit dhe nuk ka faj i shkreti. Ka ndodhur dhe me të tjerë dhe kanë gjetur derman në vende të mira. Një shoqja ime i çoi mbathjet dhe kanotierat te Kisha e Laçit, i la aty për disa ditë… Nuk ke pse ta lësh tët shoq të plakur para kohe…Kaluan dy e tre vite e gjendja e Lefterit e njëjtë. Ku nuk shkoi Desi, sa andej-këtej nëpër doktorë edhe fallxhore, famulli e kisha katolike dhe ortodokse, tek njerëz me zë të fesë myslimane dhe budiste, deri dhe tek hebre, dhe priste të jepnin rezultat.
    -Boje synet se ai më duket është kaur. Mbase lafsha i jep siklet dhe synetllëku mbase e lehtëson”. Edhe Lefteri u bind për këtë. U bë synet nga një mjek kirurg i njohur i familjes. E ndezën magnetofonin që llamburiste duke shpërndarë zërin e Bledi Xhomllëkut si fillim dhe më pas u shtrua sixhadeja dhe u derdh birra dhe rakia lumë. Një muaj i bën hysmet të paparë. Ia mjekonin “rrushin” dita-ditës, ia lanin me permanganat dhe i bënin masazh. U duk se filloi të rigjenerohesh pak nga pak.
    Duke biseduar me dy shoqe farmaciste, Desit iu duk se halli i mori fund.
    -Për këtë e vret mendjen ti… Po ka zgjidhje shumë here më të mira. As siklet, as infeksion, as peshë. E bën rehat, rehat…
    Këtu biseda mes tyre u ndërpre sepse Desin e thërret e kunata dhe ajo largohet.
    -Sikur jam mirë moj grua. Ta bëjmë një here… Të dy kemi nevojë për orgazëm… i tha Lefteri.
    Desi e shikonte me mëdyshje.
    -Je i pashëruar mirë more burrë…
    -Epo s’është plagë plumbi…
    Hëngrën bërxolla mishi e pinë vera, sa erdhën të dy në qejf. Pastaj u rrokullisën në krevat dhe mes përqafimesh dhe puthjesh, arritën deri në seks. Nga plaga ende e pambyllur doli gjak por Lefteri as që desh t’ia dinte për këtë. Lëngu i vaginës po i digjte po ai bëri ç’bëri, duroi derisa arriti në orgazëm…
    Iu desh dhe një muaj për tu mbyllur plaga. Shkoi në farmaci për të blerë ilaçe për këtë, por shoqja e saj farmaciste i tha:
    -Më dëgjo. Të thash se ke zgjidhje të rehatshme, pa dhimbje e pa telashe. E fillova këtë muhabet para dy muajve por ti s’je dukur që atëherë. Burrat janë më të mëdhenj në moshë, janë zbardhur dhe rrudhosur, janë pjerdhur nga veshët, nuk shohin nga sytë, me dy-tre lloje syzesh shikojnë, por ama seksin nuk e lënë pa bërë… Tani ta mundëson mjekësia.
    Desi po e shikonte e habitur dhe nuk u besonte veshëve.
    -Ka penis artificial. Të paktë, por të saktë… Si ia bën kur vjen në qejf….?
    -Si ia bëj…? Masturbohem… dhe sa më shumë masturbohem, aq më shumë më rritet dëshira për seks… dhe qeshën. Farmacistja po e shikonte me vëmendje: Si s’më beson. Janë me dimensione të ndryshme dhe me pompime lartë e poshtë, majtas e djathtas që të sjellin në orgazëm disa herë…
    Desi përsëriti se një gjë të tillë s’e kish dëgjuar.
    -S’e ke dëgjuar sepse s’ia ke pasur nevojën… Po mos kij as turp dhe as frikë… Është më i mirë se origjinali… Eja pas dy ditësh ta marrësh…
    Desi nuk mund ta diskutonte me të afërt këtë problem, por shkoi tek një nga shoqet e saja të hershme dhe i fola hapur.
    -Po shkojmë bashkë… Më duket një zgjidhje e mirë. Hë, se po të shkoi ty mirë do t’i bëjmë pazar farmacistes tënde dhe të mirë. Pak gra ka që nuk bëjnë dot seks, se burrat kanë mbaruar, dhe qeshi.
    Atë mëngjes të dyja krah për krah u nisën për në farmaci. Papritur filloi një shi i rrëmbyer.
    -Kthehemi, shkojmë-një ditë-tjetër, tha- Desi.
    -Jo, nuk i dihet. Do të ketë apo jo… Ti e ke porositur dhe sikur gurë të bien nga qielli do shkojmë ta marrim. Të shohim si është ky artificial!. Se po të shkoi për mbarë do të blej dhe unë një ta kem… Kur më teket, e kam në shtëpi… Kështu i bëj dhe naze burrit. Ka lezet apo jo…Desi buzëqeshi. Kish të drejtë shoqja… Ç’të priste më…! Ndalën para një shitësi ambulant dhe blenë nga një çadër.
    -Do t’i kemi kujtim dhe këto çadra. nga dita kur blemë atë që na duhet më shumë, tha Desi.
    Nxituan dhe pas pak u ndodhën në farmaci. Farmacistja, shoqe e Desit i mirëseardhi.
    -Edhe për shoqen?,-pyeti.
    -Tani për tani, nuk e di të shikoj se si ndihesh me këtë timin…
    Farmacistja zgjati një kuti ku ai ishte i ambalazhuar.
    -Shko në dhomën e provës në fund. Ndiz dritën për të qenë më mirë.
    Desi e merr dhe futet në atë dhomë. Zhvishet nga poshtë dhe e lyen atë me xhel. E fut në vaginë dhe avash-avash kur i shkon deri në fund, ajo ndez çelësin. Aty fillojnë veprimet e programuara…
    “Oh… oh. Lefter, vdiqa fare. Sa qejf, sa qejf. Kam kohë pa e shijuar këtë”… U dëgjua një pasthirrmë e fortë.
    -Po kjo ç’është ?-pyeti shoqja farmacisten.
    Farmacistja e vështroi duke buzëqeshur.
    -Është ajo që kalojmë të gjitha kur bëjmë seks me burrat tani, orgazma…
    Pas pak Desi del nga dhoma e provës duke thënë se ishte një zgjidhje e mrekullueshme. Pagoi, falënderoi përsëri dhe të dyja dolën nga farmacia.
    -Këtë aparat nuk duhet ta mësojnë vajzat e reja… Harrojnë pastaj për të krijuar familjen, tha shoqja.
    -Familja është familje,qejfi është qejf…
    -Nejse, unë kështu mendoj… Nuk është dhe i shtrenjtë. Zgjidh punë për të gjitha gratë… Eh, ku ka arritur shkenca, sa përpara është bota…Kur janë të dy me Lefterin në shtëpi dhe i duhet të përdorë aparatin, futet në tualet apo kyçet në dhomë dhe ndez çelësin. Dëgjohet zhurma karakteristike e tij. Kur del që andej Lefteri pyet:
    -Po kjo zhurmë nga vjen, moj Desi?
    -Është fshesa e re me korent. Është zhurmë e ëmbël apo…
    Kaluan ditë dhe muaj. Desit filluan t’i skuqen faqet dhe jeta i mori kuptim nga ai vibrator që zëvendësoi shumë mirë Lefterin për seks. Për atë Desi kujdesej shumë. Të ishte i pastër dhe i dezinfektuar. I vendoste në kuti në një nga sirtarët e komodinës pranë shtratit të fjetjes. Desi i tha Lefterit se do të ishte më mirë të flinin në dy dhoma. Kjo do të bënte që secili të flinte rehat. U dobësua Desi nga harxhimi i kalorive. Hoqi brenda dy-tre muajve dhjamin e tepërt. Shoqet dhe të afërmet filluan ta pyesin:
    ” Çfarë diete përdor moj Desi. Je bërë si njëzetë vjeçe. Të ka rënë një nur si në nusëri…
    “Asgjë, thoshte Desi, ndofta mosha, geni im…
    Po kish nga ato gra në lagje që e dinin se Lefteri ishte me problem, duke hyrë në thashetheme thoshin: – E shkreta. Vuri merak për burrin. Kjo e ka dobësuar.
    Dhe thashethemet shkonin më larg.
    “E di unë. Ka shkuar në vende të mira ajo dhe i ka bërë derman burrit. Nuk thonë kot, seksi të rinon. Kjo do të jetë e vërteta…Desit i vinin në vesh të gjitha këto fjalë dhe mendonte e lumtur.
    -Rëndësi ka që unë e kam një Lefter të vogël që më sjell në qejf… pa gratë le të mendojnë si të duan…”.
    ***************************************************************
    Adem Zaplluzha

    TI KOT PRET TE URA

    Kot po pret ura
    Ajo nuk do të kthehet
    Por as ai
    Ne do ecim nëpër zbrazëtirën e etjes
    Do të ecim me ëndrra prej oreoli

    Nëse mbërrimë deri atje
    Për ku jemi nisur
    Ku nuk na pret askush
    Do gjejmë dromcat e grimcuara
    Të një zhgjëndrre
    E cila më nuk dihet
    Se si jeton

    Ti kot pret te ura kotësinë tënde
    Njerëzit shumë herët kanë ikur
    Nga ky qytet
    Edhe të vegjlit po e marrin
    Dynjanë në sy

    Ti kot e pret Godonë
    I cili kurrë nuk është nisur
    Për në takim me vetveten
    Ti kot po pret te ura e Gurit
    Urën e fëmijërisë
    Miku im i moçëm.

    POR NE PRAPË SE PRAPË JETONIM

    Ishte koha kur vitet i fshihnim
    Pas buzëve të pa puthura
    Dhe loznim me guralecët e larmë
    Si me duart e thyera të erës.

    Mbi kokat tona perënditë pagane
    Si sogjetar të palodhur
    Na shikonin me lakmi
    Perëndimi vdiste deri sa lindja
    Zuri të vuante nga shtërzimet.

    Vitet kalonin si uji i kthjelltë
    Nën urat e Lumëbardhit
    Po ashtu edhe nuk ktheheshin pas
    Joni mbytej në stërkala lotësh
    Ngufatej me makthet e trishtimeve.

    Dimrat ishin të gjatë
    Kurse netët pa bukë përbiroheshin
    Nëpër vrimat e ndryshkura të gjilpërave
    Ulliri i verdhë thahej në degë
    Pjepri i papjekur çahej në shtatë pjesë.

    SHPIRTI I KUJT KËNDON SONTE?

    Edhe sonte si netëve të tjera
    S’kisha mundësi me mbërri
    Me i ndezë të gjithë qirinjtë
    Që ishin shukur
    Në varret e vjetra.

    Nata ishte e gjatë
    Si ajo natë e dikurshme
    E thikave të çmendura
    Por unë sërish nuk isha në gjendje
    T’i ndezi qirinjtë e shukur.

    Sa herë që ndizja një copë eshke
    Në njërin varr
    Shuhej në varrin tjetër
    Kjo ishte një lojë e pashmangshme
    Mes flakës së verdhë dhe njeriut.

    Poshtë te pemët si një selvi
    Më pret një qiri i ndezur
    Shpirti i kujt i këndoi sonte
    Psalmet tona sa arkaike
    Po aq edhe pagane.

    SI BYKU I KALLIRIT, NOTOVE NË JETË

    Miku im kurrë nuk kemi qenë
    Më afër njëri – tjetrit
    Unë këndej murit
    Pranë një kove të vjetër urinimi
    Kurse ti andej pasqyrës
    I kreh flokët e tua të pispillosura.

    Të kujtohet kur ishim në bankat e shkollës
    Atëherë patëm një qëllim
    Mendimet tona në secilën ecje
    Puqeshin me ditët që i ëndërronim
    Kurse sot
    Na ndan një mur i akullt.

    Unë këndej dritareve të ftohta
    E ti andej kangjellave
    Të ndryshkura
    Një botë e tërë me poshtërsi
    Shtrihet mes nesh.

    Si të turpëruar po i fshehim mendimet
    Unë mbeta si përherë
    Po ai adoleshent kokëfortë
    Kurse ti miku im
    Si byku i kallirit të kalbur
    Notove në jetën tënde të pshurrtë.

    KAPMA DORËN

    Kapma dorën ose afroje tënden
    Kjo pamje bizare
    Një kohë të gjatë
    Po dënes mbi tavolinë
    Pranë disa mollëve prej deltine.

    Thonë se ishte dita e shtatë
    Kur u krijuan yjet
    Kurse të tetën ditë njeriun
    E zuri mallkimi i erës
    Dhe derisa u fundos notoi pa vela.

    Zbraze ose mbushe miku im
    Gotën e pikëllimit sonte
    Akoma kemi kohë
    Për numërimin e mëkateve
    Kemi kohë edhe të pendohemi.

    Thonë se vdiq ai që i krijoi yjet
    Dolën në shesh frikacakët
    Dhe në një humbëtirë i gjetën perënditë
    Duke vajtuar fatet e njerëzve.

    Namik Selmani
    Pranvera e fjalës matjane
    Duke shfletuar antologjinë poetike “ Udhëtim me pranverën” me poetët matjanë hartuar nga poeti Hamdi Hysuka

    Ata janë aty,
    Me thinja, me kaçurrela a me fjongo vajzërore
    Në stacione bote shkojnë ku iu vulosen pasaporta
    Me Matin e tyre me vete që iu jep një frymë shenjtërore
    Me kurora lulesh të tij që nuk ua jep as bota

    Ata janë aty,
    Me ca fjalë ëmbëltore të brezave mençurorë të shkronjës
    Me një Testament të pashkruar nga Budi i thinjur
    Me Matin në zemër ecin si udhëtarë të palodhur të kohës
    Me një trastë kujtimesh a me një ëndërr të palodhur.

    Ata janë aty,
    Shëmbëlltyra e Luginës ku gëlon kënga, vallja e jeta
    Ku skuqen mollët e fytyrat bukuroshe të vajzave
    Ku ëndrrat janë si prozhektorë ndër zemra
    Ku djersa e bujkut çurgon e ndershme mes brazdave.

    Ata janë aty,
    Jo si udhëtarë me plumba a me shpatë në dorë
    Jo si Magelanë që zbulojnë një kontinent të ri
    Janë matjanët e urtë që jetën kaq shumë e duan
    Janë gurra me rreze që buron në çdo poezi

    Aty do të mbeten,
    Filizë të një pranvere që ka vetëm aromë matjane
    Filizë të një kënge që është binjake me diellin
    Që nga pragu i nënës gjer tek Bota e Madhe
    Mbeten pjesa e SOFRËS që matet me qiellin

    Kozeta Zavalani (Qirjo)

    Në krijim

    Përtej botës magjike të dashurisë
    e shformuar në trajta të përçudnuara,
    zvarritem nëpër pragje portash
    pa e prishur drejtpeshimin e jetës,
    ku nuk ekziston asgjë e lëndët,
    veç një bote eterike,
    ku çelin gonxhet e imagjinatës.
    Në pllajën e grimcuar të fjalëve,
    gjykimet thërrmohen,
    ndjesitë shumëfishohen.
    Si plagë e hapur
    shuhet në lëngatë papunësia
    kësaj dite të mekur,
    të turbullt, si vegimet.
    Unë çohem errësirës së horizontit,
    ngjyej në jeshile shprese
    konturet e petkut të trishtimit,
    duke kthyer dhimbjen e thellë,
    në një simbiozë përthithëse
    të logjikës së përçartur,
    në erën e lehtë nanuritëse,
    që luan simfoninë magjike
    në virgjërinë e përjetshme të krijimit.

    Porta e shpirtit

    Ndonjëherë më ndodh
    të jem me sy të përhumbur,
    por, jo të përgjumur.
    Një shpresë drite ka regëtirë tek unë.
    Asgjë s’më ka mundur.
    Gjithmonë,
    njerëzve të mirë u jap çelësin,
    për të hapur portën e shpirtit,
    ku pëshpëritin valët e kaltra,
    ku lahen yjet dhe mjellmat…
    Jam herë blerim,
    herë frymore e thjeshtë.
    Krejt hije kthehem
    herë stuhi në vjeshtë.
    Përplasen mendimet në mur të arsyes
    kur shkruaj, jo më kot,
    me shpirtin mbushur plot.
    Ngre kokën në qiellin e kaltër,
    pa dashur të humbas,
    në orbitën e një dite…
    Dhe ndërtoj një varkë ajrore shpëtimi
    për të mbyturit,
    që s’dinë not…

    Shpesh në vetminë e pangjyrshme
    të shpirtit,
    përleshen ëndrra të masakruara.
    Këngë të varrosura shpërthejnë
    si vullkane me llavë.
    Lule-shpresat,
    në shpirtin e trazuar,
    me tjetër aromë bulëzojnë,
    sikur kërkojnë të më dehin.
    Mes tyre ndjehem e lirë.
    Si bletët luleve fluturoj,
    endur në flladin pranveror.
    Lule-shpresat mbjell në kufijtë e ditës
    Në prag-pranvere për të lulëzuar
    me katër stinët e shpirtit
    dhe ëndrrën e fundit i jap jetës.
    Lart në qiell të furtunës vozis,
    ardhur me një grusht uji nga e djeshmja
    lule-shpresat të ujis,
    në portën e shpirtit.

    Gëzuar!

    Shtruar tryezash kudondodhur,
    livadhesh luledele, lëndinash përmbi bar,
    mërguar larg vatrës, a diku misionar,
    vera, shpirtin ma burgos në qiell.
    Aty, karvane yjesh shkelin sytë,
    që për ne ndriçojnë, luajnë në orbitë
    që shtegtojnë, nisen,
    herë humbin toruan, tej honesh gremisen.
    Gotën e ngre me të kuqen verë.
    Ngjyra mbetet buzëve të mia e faqeve të saj, s
    i gjaku i Krishtit,
    që mbet kryqëzuar në erë…
    I dashur,
    Ti plot ëndje pi verë, të bardhë e të kuqe.
    E di,
    me të dyja këto circe më tradhton mua.
    Kënaqesh, tek shtrydh gjinjtë e hardhisë,
    por unë të fal dhe më shumë të dua!
    Ndonjëherë xhelozohem me to,
    ndaj i fsheh me vite në bodrume,
    në errësirë.
    Sa më tepër mplaken,
    aq më tepër hijeshohen.
    E pas tyre të gjithë marrëzisht dashurohen.

    Ne pimë e bëjmë dashuri në errësirë.
    Shijojmë verën vetëm a mes shoqërisë.
    Kur është e vjetër,
    ty vera seç të ngjan si grua
    që i ka, oh, kaq të ëmbla,
    nazet e dashurisë.

    Për hatrin tënd i dashur
    e ngre gotën përplot,
    me shpirtin mbushur plot.
    Dhe përkëdhel buzën e gotës,
    në emër të gjysmëbotës.
    Eh, ky shpirt i harlisur nuk ka kufi
    ndaj derdh vargje të lira,
    në ditët plot diell dhe në stinët e ngrira.
    Gëzuar dashuria ime!
    Gëzuar!
    *****************************

    Petrit Malushi

    “Livadhet e dashurisë”, shpirttrazimet e Përparim Hysit
    Krijimtaria e deritanishme e Përparim Hysit është një mozaik ku mund t’i gjesh të gjitha ngjyrat, nuancat e vezullimet. Shprehem kështu duke patur parasysh tematikën që ai rrok në prozë e poezi, me tregimet, esetë dhe vjershat e botuara në shtypin e shkruar (veçanërisht elektronik , “Fjala e lirë” zë vendin e parë), apo titujt e vëllimeve të përmbledhura herë pas here. Është vështirë dhe e pamundur që në një shkrim të analizohet e gjithë krijimtaria e këtij krijuesi që për çdo “fidan në parcelat e vreshtit të tij” punon me shumë merak, nga përzgjedhja e “varietetit” (temës, fjalorit, figurave letrare, elementet e metrikës, kuptimin gramatikor e funksionin stilistik) e deri në vjeljen e frytit të pjekur mirë (kompozimin e të gjithë elementeve), për t’ia servirur lexuesit. Të pretendosh diçka të tillë do ishte një sipërmarrje dhe modesti e tepruar. Shpirti krijues i Përparim Hysit mbresohet , regëtin e pulson edhe ndaj një vegimi, çasti, situate, mjedisi, personazhi apo gjithçkaje rreth tij, që për dikë tjetër nuk del mbi nivelin e të zakonshmes. Çdo lexues që ka patur rastin t’i përkushtojë pak kohë dhe vëmendje një tregimi, një vjershe, një vëllimi të këtij autori e vëren lehtësisht këtë veçori. Të tjerë , që nuk u është fashitur pasioni për letërsinë dhe ia kanë lexuar të gjitha titujt, mbase do të kenë të njëjtit mendim me mua, se lajtmotiv ka dashurinë, jo në kuptimin e ngushtë por në atë universal. Kështu, veç të tjerash, gjashtë vëllimeve të mëparshëm : “Rektimat e dashurisë”, “Prush i dashurisë”, “Më piku dashuria”, “Luftë me dashurinë”, “Mbeta dashurive”, “Eh, si qenka dashuria” , ai këto ditë u ka shtuar të shtatin, titulluar “Livadhet e dashurisë”, redaktuar nga Duro Mustafaj dhe botuar nga shtëpia botuese “ILAR”. Larmi çastesh e përjetimesh Këtë herë, brenda “vijës së verdhë” të livadheve të dashurisë së Papit, lexuesi gjen ngasje e përjetime emocionale të buisura, çelura, lulëzuara a të penduara gjatë një “Mbrëmje pranverore”, kur “Shikoj tënden fotografi”, “Mbrëmjen pres me frikë”, “Zë e zihem unë me vjershat”,kur e ha egërsisht “Një mendim”, tek “E, çfarë pastaj?!!!”, “Llamburit”, “Është me fat”, “Ky shtat”, “Më duket”, “Kur…”, “A…”, “Ja !”, “Një palë sy”, “E dashur”, “Diçka…”, ”Soditje”, “Më tërbove”, “Të dy vetëm”, “Si ?!!!”, “X”, “Kokë ! Moj kokë!”, “Dashuria”, “Je e bukur”, “Pllaja”, “Ku je sot?!!!?”, “Sa bukur kur ke të dashur”, “Mikja në klub”, “…dhe më thonë”, “Në dhomën time”, “A më lë ?!!!”, “Ti”, “Flladi I majit”, “Sa kam pritur !”, “Si s’mu ndave, o moj mike ?”, “E dashura ime”, “Dashuroj” “Letër për një mike të vjetër”, “Dalldi” , “Sa herë të kujtoj”, “Sa vendos …” (që të mos shkruaj…) f.82 “Dal e pres”, “Sytë e blertë”, “Livadhet e dashurisë” etj. Tërheqja e lexuesit Përparim Hysi në këtë vëllim arrin ta mbajë ndezur kureshtinë e lexuesit e ta tërheqë atë me ëndje nga faqja 3 deri në të 94-n, me të 86 vjershat duke e zbuluar “sekretin” e krijimit të tyre vetën në pesë strofat e vjershës së fundit, “Livadhet e dashurisë”, ku shprehet: “Livadhet e dashurisë I kullota/ atëherë kur qeshë djalë/ duket me dashuri nuk u ngopa/ dhe tash që jam kokëbardhë (strofa e parë)…. Tani I moshuar jam me thinja / Livadhet që kullota I kujtoj/ Oh, asnjëherë me dashuri nuk u nginja/ dhe, përmes vargjesh ,rënkoj ”. Pra atë që ndjen ai e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë , me individualitetin e tij, pa stërhollime e artifica. Situatat janë të besueshme e jetësore , se gjithkujt ia ka ënda të jetë pak Përparim, para syve të bukur , buzëve të ëmbla, flokëve të farfuritur, fytyrës së pastër, trupi të hajthëm, të ëndërrojë, meditojë, të ahojë… Mesazhe të kapshëm Në këto poezi ritmi është I shpejtë, nuk ka stërzgjatje dhe lexuesi arrin pa u sforcuar e lodhur në thellësi të fabulës për të marrë mesazhin. “Nga larg … a më sheh ? Bëhem trim/ dua të më japësh një mundësi/ fale “adoleshentin” Përparim !/ se nuk ka trimëri në dashuri” (E kotë f.4), “E rivë fotografinë prapë në album/ e shpirti më dhemb si t’më bien me plumb” (Shikoj tëndej fotografi f.5), “Mëkat nuk është ; nuk dua ta besoj/ kjo ndjenjë lind si vetvetiu/ më jep të drejtë kush di të dashuroj/ se vjen papritur, tek ti çilimiu” (Më duket f.12) “ Zë këndoj bilbil gjyzar, me ngadalë e shtruar-shtruar/ dreq-o plak e mallpashuar; përjetësisht, I dashuruar” (Mos më thoni f.13), “Ky shtat hirëplot, ky shtat i derdhur/ dhe syri që kullot azat duke bredhur “ (Ky shtat f.18), “Se zogun e pata ndër duar/ dhe, sakaq atë e lëshova/ këtë vjershë për ty e kam shkruar/ moj mikja ime nga Drenova” (Kur…f.20), “Ja e hape kraharorin / ja e hape po tani ?” (Ja! F.24), “Pa hapi krahët moj e dashur/ hapi dhe zgjati nga unë… Po nëma atë buzën e nxehtë/ mbi të të vë buzën time…Zbërtheje të lutem fustanin/ ku fshihet gjiri i bardhë… Ah malli yt se ç’më bëri / Më çmende e dashur !Më çmende…” ( E dashur f.26). Pasuri figurash letrare dhe elementet e metrikës Nëpër vargje dhe strofa intesiteti i veprimit rritet duke i ngarkuar fjalët emocionalisht apo nëpërmjet kontarstit. “M’u afrove , m’u afrove/ U tërbofsh! Më tërbove” (Më tërbove ?!!! f.33), “Fshatari me kokën si shpellë/ Përbri e shoqja si hënë” ( E shoqja e fshatarit !!! f. 46). Figura letrare mbizotëruese është epiteti që i përzgjedhur me kujdes e shije të hollë, në çdo rast i bën vargjet të lehtë dhe forcon muzikalitetin së bashku me aliteracionin, qoftë asonanca apo konsonanca. “Ti ke një nur mu si hënë e plotë/me buzët e kuqe e vetullat e harkuara” (Je e bukur f.52), “Hundë të hollë e buzë të plota/ dhëmbë të bardhë e krejt fildish” (Ku je sot ?!!! f.55). Në këtë vëllim autori nuk ka përdorur strofa monokolon, por ka punuar me vjersha me strofa katërvargëshe. Vargu më i pëlqyer është ai tetrrokësh, ndërkohë që ka edhe gjashtërrokësh psh te “Llamburit”f.16 (Qe si vetëtimë/ mu në mes të territ), dhjetërrokësh te “Më duket” f.19 (Më duket sikur kam shkelur një xhind/ dhe ky tanimë me mua po hakmerret), dymbëdhjetërrokësh te “Soditje” (Afrohem ngadalë mos të zgjoj nga gjumi/ tani më s’jam gjallë ika unë malumi) e gjashtëmbëdhjetërrokësh te “Është me fat” f.17 (Kush të sheh ty përdita, besë e Zotit, është me fat/se ti je porsi drita, të sheh ty dhe s’ka më natë). Ashtu si në titujt e mëparshëm apo ciklet e herë pas hershëm autori u qëndron besnik rimave të alternuara ABAB , emërore , foljore, mbiemërore, ndajfoljore dhe të harmonizuara midis tyre. ( Mu drodh zemra nga një flutur/ nga një flutur të kem frikë?/jo moj jo qe ti e bukur / ti më drodhe …edhe pikë) “Letër për një mike të vjetër “ f.72. Ka edhe elemente të tjerë si, puna e bërë me përzgjedhjen e fjalëve, sinonimet e antonimet e përdorura, mosrënia në përsëritje etj. Por mendojmë se, ndoshta lexuesi do të arrijë ta kapë mesazhin nëpërmjet “Fjalës së lirë” për të mos e humbur rastin të marrë në dorë “Livadhet e dashurisë”, të Përparim Hysit, ndërkohë që autorin e urojmë të mos e ul ritmin e krijimtarisë.

    Partizan Myftari

    Trishtimit
    Kur
    i këndoja trishtimit,
    thellë
    në shpirt
    shpresat mbanin
    iso…
    Nuk ishte
    vajtimi i fatit
    i buzëve të pjekura,…
    as lodhja,
    as mundimi…
    Trishtimi im,
    nuk ka lidhje
    me mjerimin
    tënd.
    Nuk mundem
    ta shpëtoj
    një zbrazëti
    që nuk ndjen
    dhimbje…

    Ëndrrat
    Vetëm
    po zbrez
    me këmbë ëndrrash
    të lodhura…
    Erdha tek ti
    nga porta e shqyer
    e shpirtit
    të pastër…
    Vendosa
    gishtat mbi qerpikët
    e lagur…
    Ke etje?!…
    U fsheha
    brenda syve
    sepse kisha ftohtë!…

    Lutje qiellore

    Amshove
    shpirtin
    në lutje qiellore
    e ndeze
    qirinj
    planetëve
    gjimnastikuar fjalën
    në balerinë
    sintaksash…
    Toka
    helmuar prej nesh
    nuk e kuptoi
    afshin
    e fjalës pruruar
    as
    dremitjen tende
    duke ecur
    mbi një
    moçal të thatë…
    Nuk
    kishte mbetur asgjë.
    Fuqia
    për pushtet,
    ishte ëndrra e fundit….
    Hanove në një
    hotel
    ku parajsa ishte
    dy hapa larg.
    Në çastin
    e fundit
    zgjodhe derën
    e gabuar…
    Aty,
    aq pranë,
    ishte edhe ferri…

    Kur dashuria
    Kur dashuria,
    të ndjehet e braktisur,
    vështrimeve
    të largëta,
    pa shpresë,
    ejani,
    më ngushëlloni
    për së gjalli:
    kam filluar
    të vdes!
    ******************

    Artan Ballgjini

    Në gjysmë ikje

    Në gjysmëikje, ti qëndroje.
    Në gjysmëardhje pastaj e menduar.
    Në gjysmëardhje unë nguroj.
    Të hedh një hap për të të përqafuar.

    Detaje

    Tani që më mungon heshtja jote.
    Unë me boshllëqe jam pafund.
    Shfaqu të lutem dhe pa detaje.
    Të tjerat i formoj unë.

    Mëngjesi

    Unë diçka desha t’i vidhja mëngjesit.
    Dhe kaltërsinë e tij të ta jepja ty..
    Por sakaq, kuptova gjithnjë më tepër.
    Se mëngjeset freskinë e merrnin nga ti.

    Profetësi poetesh

    Shpesh më duket sikur kam vdekur.
    Né funeralin tim edhe ti ke marrë pjesë.
    Ishe aty duke qeshur.
    (Por kjo le të mbetet midis nesh)

    Shpesh më duket sikur kam vdekur.
    Ashtu siç kërkon tè vdes çdo poet.
    Shumë, shumë miq mediokër kishin ardhur.
    Sa pak, sa pak ishin të sinqertë.

    Do nisin pak dhe t’më hedhin.
    Veç nëna do t’më mbulojë me lot.
    Për çudi dhe lule do t’më vendosin.
    Dhe ata që dhimbjen ma bënë shosh.

    Pastaj shoh se si njerëzit largohen.
    Ashtu siç largohen nga çdo funeral.
    Miqtë duke folur për batutën.
    Veç nëna duke m’pçrkedhelur ngadalë.

    Shpesh më duket sikur kam vdekur.
    Né funeralin tim edhe ti ke marrë pjesë
    Ishe aty duke qeshur.
    (Por kjo le të mbetet midis nesh.)

    Pak atdhe

    Pak atdhe unë kërkoja.
    Pak atdhe asgjë më shumë.
    Por çdo pjese që i përshkoja
    Gjeja një Afrikë të pafund.

    Pak atdhe unë kërkoja.
    T’më donte edhe si njerkë.
    Por pranë tij ulur shikoja
    Veç sharlatan dhe derbederë.

    Sa më shumë që e doja.
    Më shikonte me sy tjetër.,
    Dhe brenda tij gjeja.
    Çakej, hiena dhe ndonjë dhelpër.

    Shikoja se si zgërdhiheshin.
    Se si shaheshin dhëmb për dhëmb.
    Se si maskat i nderonin
    Tek uleshin në një kolltuk.

    Në çdo hap që hidhja,
    Më dukej si një tokë e premtuar,
    Por një gjysmatdhe gjeja.
    Gjysma tjetër ishte e shpërfytyruar.

    Pak atdhe të imagjinar.
    Me ëndrra jam ushqyer
    Por atdheun ishte degraduar
    Si një relikte e thyer.

    *************************************************
    Çerçiz N. Myftari

    PËRGJIGJE SHKRIMIT “KUR NJE VEPËR GJYKOHET PA E LEXUAR” TË STUDIUESIT, POETIT DHE PUBLIÇISTIT NOVRUZ XH. SHEHU

    Kritika të mëson, lëvdata të deh

    Librin “Rrënjësi” (poezi e poetëve tepelenas) hartuar nga Novruz Xh. Shehu ma dha poeti dhe mësues i letërsisë Luan Meta, kundrejt pagesës ( rekomanduar nga autori: për ne pensionistët 1000 lekë të reja, për të punësuarit 2000 lekë).
    Kur ishte në Memaliaj më kërkoi 5 poezi, për antologjinë. Më tregoi se mbesa ime, në Athinë të Greqisë, Flutura Katiraj, i kish dhuruar 200 euro për botimin e librit autobiografik ( vëllimi i parë) të titulluar “Jeta në skaner”. I thashë se poetët tepelenas duhet ta marrin falas antologjinë, por ai ma kthen – Më gjej sponsor, që t’ua jap falas. Puna ime duhet paguar.
    E bleva, e lexova brenda orës. Nxitova t’i telefonoj duke i dhënë dhe opinionin tim. Në News 24, në studion e gazetarit Rezart Xhaxhiu. Nokja (kështu i thërrisnin familjarët dhe miqtë e tij) dha intervistën mbi përmbajtjen e librit, studimin e bërë, u ndal me detaje te balada e Komitës dhe bejten e Qullapites, te disidenca e Pjetër Arbnorit dhe heshtja e sotme për të, etj. Unë e ndiqja mes ekranit dhe sa doli nga dera e studios, i telefonova. Faleminderit mu përgjigj.
    Ku qëndron akuza se unë gjykova pa e lexuar veprën?! Ende nuk e gjej shkakun e rebelimit ndaj shkrimit tim. Ende nuk e gjej shkakun e rebelimit ndaj shkrimit tim! Është në të drejtë të kujtdo të shprehet lirshëm për perceptimin e çdo vepre, atë që pëlqen e nuk pëlqen dhe për atë që kundërshton. Dhe unë i kam pëlqyer: Enciklopedia e Tepelenës, Ese për Sokratin( interpretuar nga Mjeshtri i Madh dhe Nderi i Kombit, Mirush Kabashi), disa monografi dhe veprën e fundit, “Rrënjësi”. Mos i ngeli hatëri që gazetën “TEPELENA”, që është vepër autentike e tij, nuk e përmenda për mirë?
    Në atë gazetë pasqyroi me vërtetësi ditëzinë e vdekjes së Enver Hoxhës: inçizoi gratë e moshuara, shtëpi më shtëpi, të qanin me ligje, si studiues konstatoi uljen në shifra minimale të konsumit të bukës, në Gjirokastër lëshoi zemërimin për largimin në Francë të shkrimtarit Ismail Kadare.
    Kur kam dorëzuar teserën e Partisë së Punës, parti e cila e mbaroi misionin historik, ai shkroi artikullin” Iku jashtëqitja e partisë”, (emrin nuk ma përmendi, por nënkuptohej se unë, në atë kohë, kam qenë i zgjedhur: Anëtar Plenumi, N/Kryetar i Frontit Demokratik te Rrethit, Anëtar i Këshillit dhe Drejtor i Spitalit të Memaliaj.
    Mos I ka mbetur hatri se unë i konstatova disa gabime drejtshkrimore, që dhe mund t’i ketë bërë shtëpia botuese? Kurrë nuk e besoj në shkrimin e drejtë të emrit, mbiemrit, emrit të babait të poetëve tepelenas!
    Nuk ka njeri që nuk gabon. Kritika të mëson, lëvdata të deh. Edhe ti pranon opinionin tim se duhet ta ribotosh, se poetin Murat Memalla do ta futësh në antologji. Çudi o studiues, mos kandari që ke peshuar poetët tepelenas, ka qenë difektoz? Në shkrimin tënd ti thua se unë jam i braktisur nga shteti. Se vetëm unë! Janë gjithë pensionistët, ushtarakët në rezervë, të gjithë njerëzit që trajtohen me përkrahje sociale, etj.
    Noke, edhe pse jam i moshuar, leximin nuk e kam ndërprerë. Edhe në mungesë të kompjuterit, internetit, që nuk i bleva kur isha në punë, ngaqë rogën e kisha më të ulët se mjekët e tjerë, se pagesa bëhej në bazë të numrit të popullsisë.
    Ti do shkosh, siç shkruan, me një grup intelektualësh në Nju-Jork(Manhatan). Unë kam shkuar turist në maj 2007, me motër Hanon, i ftuar nga im vëlla, Hazizi. Janë çaste të paharrueshme . Vizitova, i shoqëruar nga Edmond Ismailati, dhe Statujën e Lirisë. Mbresat i hedhur në librin ”Çaste të jetës time”, që ta kam dhuruar.
    Është puna jote, në na quan apo jo poet tepelenas, është në shijen tënde të përzgjedhësh cilindo në antologji, por si studiues, nuk të nderon të mohosh atë që ke pohuar.

    MartinCukalla

    1. Apo thahen burimet?

    Ca emra të çuditshëm më ngatërrohen nëpër këmbë
    Spaç
    reps
    kollë
    ka rënë e ka ngecur aty pikëllimi

    Një curril uji del nga shkëmbi si të qe loti i tij
    më bie në grushte e diç më mërmërit
    nuk ia kuptoj gjuhën trishtohem
    e për ti dhënë diçka nga vetja ngrohtësi ndoshta
    e hedh mbi fytyrë

    Ai bie në shkarrëzirë e më flet më shqip:
    “kështu jeni ju njerëzit të jepni zhulin
    më duhet të ngjitem sërish në qiell për tu pastruar”
    dhe humb

    2. Them në këtë festë

    I zemëruar
    një ujk i plagosur kishte kapërcyer rrugën
    dhe buzëqeshte.
    Unë përshëndesja diellin mbi autostradën
    e lirisë.

    Mos! –klitha, – Mos!
    Zbrazëti e vetmi
    qielli i Prishtinës qe errur
    dhe rrugët e festës ishin zbrazur,
    përplot policë trotuaret e kryqëzimet e rrugëve,
    i kërcisnin eshtrat dhimbjes së hershme.

    Një prerje e freskët kishte lënë njolla gjaku në shesh.
    Flamujt ishin ulur e lexonin një libër të grisur.
    Një sy i gjelbër
    një sy i verdhë
    shkelmonin të bardhën e dëborës
    e qeshnin.

    A e keni ende në shitje lirinë?
    Zinxhirë çeliku baltëra rropamë lodhje
    tru të çrregulluar
    ënjtje dhe qelb sy të përsosur si tehë të përgjakur shpatash.
    Fantazma e vjetër falënderonte që ishte gjallë
    e mund të lumturohej tashmë.

    Të fishkura pemët kërkonin një orkestër
    dhe një fishkëllime ere tu trazonte degët.
    Unë mendoja se kisha ardhur në shtëpi
    të pija një gotë xhin e të zhurmoja me zë të lartë
    përmes të kuqes së flamujve.
    Zhgënjimi më ra ndër këmbë,
    nuk e shkela…

    3. Çfarë të them

    Kam mbështetur pëllëmbët e plasaritura në fytyrën e saj
    dita është e lodhur heshtja do të ishte ndoshta drita e të vërtetës
    por dhe ajo është burg
    bomba dhe burg flakërima urrejtje janë meridianët dhe paralelet
    nata e zemëruar dita e paplotë kërkon dritën e të vërtetës
    e unë çfarë të them

    Çfarë të them

    të gjithë kanë një njollë dhe qielli nuk mund të them më: është qielli
    dhe yjet që brohorasin me gëzim ata që dua janë të zemëruar
    të zemëruar janë dhe ata që nuk i dua nuk e shoh më në duart e tyre qëllimin
    as në vështrimin e miqve një thatësi shkretimi ecën lakuriq ngado
    dhe buzëqesh

    Çfarë të them

    poeti Hasan i miri nga Siria pyeti kështu ia prenë gjuhën
    dhe besonte tek njerëzit për ata këndonte ushqyer në diellin e Mesdheut
    si Lorka vdekja kish gjithë jetën që jetonte për një gënjeshtër
    poezia nuk besohej as fjala parimet kërkojnë përgjigje në erë
    poetet vriten dhe u vra poeti Hasan nga Siria
    i miri

    Zjarri i kërcen zjarrit lëndohen plagët e pikëllimit urat shemben
    e rrugët nuk bashkojnë më ku vemi ku vemi ku vemi
    kambanë e përjetësisë klith kështu mëngjesi i nesërm mbledh rraqet
    dhe harron të buzëqeshë në të vërtetë ne jemi të gjithë parisienë
    në të vërtetë ne jemi të gjithë arabë
    dhe unë jam disi poeti Hasan i miri

    Kam mbështetur pëllëmbët e plasaritura në fytyrën e saj
    dita është e lodhur heshtja do të ishte ndoshta drita e të vërtetës
    por dhe ajo është burg

    4. Më buzëqeshi sot, bjeshkë e Valbonës

    Nga dalin ujërat këtyre majave e këtyre lartësive?
    arkitekturë e qiellit përmbys shkruan legjendat e hershme,
    bardhësi e dëborës më vështron në sy,buzëqesh,
    fëshfërijnë krahët e zogjve. ata nuk duken,
    përshëndetja e tyre më rri mbi supe…
    nga dalin ujërat këtyre majave e këtyre lartësive?

    Gurgullon Valbona. shumë mllef ka shpëlarë,shumë mbetet
    deri sa lulet të marrin ngjyrën e tyre
    e shkëmbi të bëhet i brishtë e i bardhë…
    është qetësuar balli, fjala e malësorëve ka marre peshën e burrit,
    gjallëria e vajzave gris hapësirat e mëdha të ndrojtjes.
    agimi ka dalë, shëtit nëpër lulet ngjyrëmarramëndëse të dritës.
    Gurgullon Valbona…

    Strukturat e shkreta të varfërisë si blegërima të vetmuara
    sundojnë shkrepat,
    një durim shekullor
    tinëzisht hedh vështrime të hidhura mbi kalimtarët e panjohur:
    këtu na ke këtu na ke këtu na ke nuk ikim
    jemi rrënjët dhe brinjët e alpeve.

    Një shqiponjë. një fluturim madhështor pret me krahët e vet
    kaltërsitë e paana. poshtërimi dhe prangat klithin
    ndrydhen nëpër ca shpella si neveri e ngjarjeve. i përcolli furtuna
    e kërkojnë të ujitin fidanë ulliri për të trembur frikën…
    Unë kërkoj rrënjët e ujit dhe çuditë e majave këtu…

    Valter Dauti
    BRENDA VAJZËS QË DESHA TË PUTHJA
    -1-
    (Ti bën sikur s’do të puthesh…)

    Ti,sërish do ta derdhësh shikimin,
    Brenda,buza ,një puthje mban peng,
    Urë e heshtjes,përsërit kërcënimin;
    ‘’Në një moshë,puthja tinëz, të djeg’’.

    Është një stinë,kur ylberet të etur,
    S’mund të rrinë pa u puthur me re,
    Puthja-peng,nëpër etje është tretur,
    O,po ti,sigurisht, je atje !

    Ti,sërish sheh dhe grindesh me veten,
    Ç’po të ndodh?Etje e puthjes të mund!
    Aty lindën ca zjarre dhe fjetën,
    E të dogjën,të bënë hi gjer në fund…

    Mbrëmja ime ndez yj të çuditshëm,
    A e do një që të përvëlon ?
    Të më vish,qetësisht,madhërishëm,
    Hi dhe prush ,është ai që kërkon!

    …Urë e heshtjes përsërit kërcënimin,
    Aty brigjesh,ti më puth edhe qesh,
    …Aty Brenda kërcëllin, dhe ndëshkimin,
    …Je i fundit…veç në fund, po të jesh…!

    Puthje 2.
    Bryma bren brenda gjethesh çfarë gjen,
    Ti je gjeth që në vjeshtë përskuq.
    Kur të fryn një e puthur, e ndjen,
    Një të puthur pa shkak,e nxjerr huq…

    Ti je pema me gjethet si buzë,
    Ti je pemë që ke buzë pa fund…
    Në çdo buzë heshtur fle dhe një muzë,
    Dhe në erë vetëm puthjet i tund…

    Gjethet-buzë shtrihen,ah,nëpër vjeshtë,
    Buzën tënde e shkelin,e shtrydhin…
    Vetëm unë e rrëmbej,e bëj vjershë,
    Dhe pse vargjet-ushtarë,pak më ndrydhin.
    Buza jote,sivjet u bë pleh…
    E pa puthur,regëtimë i jep rrënjës,
    Stinës tjetër,ti sërishmi e sheh,
    çfarë i bën buza-gjethe,times, zëmrës…
    Puthje 3.
    Trëndafilat kanë buzë,shumë buzë,
    Petal-purpur,dashurojnë marrëzisht,
    Është e mundur që një puthje-zjarr-shpuzë,
    Nëpër stinë t’i qetësojnë ndershmërisht ?

    Trëndafilat duan puthje pa fund,
    Çdo petal brenda mban dashuri,
    …unë s’e di…jo nuk mundem…nuk mund…
    Në ç’petal,buzët peng ke lënë ti…

    Stinët tallen,çelin gjethe-buzë pemësh,
    Që harlisen nëpër re,sipër trungjesh…
    …ti s’harron, dhelpërisht të më qeshësh,
    …dhe pse bën… sikur s’do që të puthesh…

    Brenda vajzës që desha të puthja,
    Qenkan dy dhe nuk di kë të zgjedh…
    Eh,asnjërën s’do doja të humbja,
    Dhe pse buzët i kanë si një gjeth.

    ANKESË NËNËS !

    Më ke mbajtur, mbështjellë në shpërgenjtë e një reje,
    Lart, atje, te sqepi i shkëmbit puthte Zotat.
    Sillje muzat me ylbere, përqafuar me pranverën,
    Një ninullë prej ëndrre më këndonin shqiponjat.

    Unë jam ky tani, prej mishi dhe gjaku,
    Shpirtciklon si poetët, kokëfortë si shkëmbinjtë.
    Rri e qesh kur pranvera ledhatohet te pragu,
    Rri e pres të bëj sfidë me rrufetë dhe stuhitë.

    Jam Jezu, kryqëzuar madhërisë shkëmbore,
    Vetë më rrite e mira, në pelena prej resh!
    (Pak mëlçi le ta hajë si në mit,një shqiponjë,
    Mjaft që luftë me Zotat, pak përditë të kesh.)

    Veç…tani , ti je larg…në mëndafsh të një reje,
    Më jep zjarr e më thua se askush s’do më mposhtë.
    Qielli i ndezur këtu,zbret demonë rrufeje,
    Paskam frikë! Qenka ferr i vërtetë në tokë !

    APOLOGJI ANALOGE.

    I hipnim të gjithë qershisë së butë,
    Në hyrje të qytetit kishte mbirë si mikpritje.
    E skuqur prej turpit si një nuse e urtë,
    Çuditërisht, na mbante brenda të gjithëve.

    I thyenim dhe krahët, fëmijërisht,pa inate,
    I pështynim bërthamat, e rrihnim dhe me shkop,
    Ajo, çuditërisht, përtërihej pas çdo nate,
    Nëpër diellditët, sërish ishte rob.

    Nëpër stinë, e vetme, prushëronte prej turpit,
    Dhe sigurisht; na mbante brenda të gjithëve…
    …Ka qenë një qershi në hyrje të qytetit,
    Që përdhunohej keq nga moskujdesja e fëmijëve…

    …tek ecën e ndrojtur në trotuaret e ngushtë,
    Dëgjon pëshpërimat spërkatur me pështymë:
    “…kjo biondja?! Eh,ç’mbahet! Dikur ka qenë kurvë!
    Të bënte të dridheshe…të linte pa frymë…”!

    …unë hesht!Fëmijërisht dua në dorë një shkop,
    Jo për të qëlluar si dikur, qershinë e qytetit.
    Një faj të dikurshëm s’di a mund ta ndreq dot:
    -Të rrah kur pështyjnë:-demonët e qejfit!

    *****************************************

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    Gazeta “Telegraf” ju sjell pranë suplementin letrar “Pena shqiptare” nr 21
    Datë: 18 maj, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
    02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka

    03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
    04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është i pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë, ku çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit! Redaksia e “Telegraf”.