Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 05 Janar 2015

    527
    Filip Shiroka
    Filipi përfundoi shkollen françeskane të Shkodrës. Më vonë punoi si libralidhës. Njëri nga mësuesit e tij ishte poeti arbëresh Leonardo De Martino (1830-1923), ndikimi i të cilit ndjehet në vargjet e Shirokës. Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi ! (Në Shqipëri, në armë, në armë !), një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin, pa vlera të veçanta letrare, e cila u shkrua në Italisht dhe u publikua në Obsservatore Cattolico të Milanos më 1878; ashtu si miku i tij nga i njejti qytet Pashko Vasa, ai do te shkonte per per te ndjekur studimet e larta ne Itali. Si shumë intelektualë shqiptarë të shekullit të 19-të, Filip Shiroka e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë Shqipërisë.
    Më 1880, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai u vendos në Egjipt dhe Liban ku punoi si inxhinier në konstruksionin e hekurudhave. Aty kaloi pjesën më të madhe të jetës, u lidh me lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe filloi të shkruante vjersha. Disa vjet punoi në Bejrut të Libanit, me përkrahjen e Pashko Vasës. Me Çajupin e lidhte një miqësi e ngushtë. Vjershat e tij, të shkruara në vitet 1896-1903 u botuan në gazetat shqiptare të kohës, kryesisht në ‘Albania’ të drejtuar nga Faik Konica. Ato u përmblodhën më vonë nga historiani i njohur Dom Ndoc Nikaj dhe u botuan në vëllimin me titullin Zani i zemrës, Tiranë 1933. Shiroka, i cili po ashtu përdori pseudonimet Gegë Postriba dhe Ulqinaku, është autor i së paku 60 poemave, tri tregimeve të shkurta, artikujve dhe disa përkthimeve, veçanërisht të veprave për liturgjinë katolike. Pseudonimi i tij letrar do te ishte Geg Postriba, preferuar kjo përkundër përzgjedhjes që kishte bërë Luigj Gurakuqi, i cili në poezitë e tij nënshkruante Leke Gruda.
    Dallëndyshe eja
    Mirë se vjen, me krahë te letë, 
    Dallndryshë, tui fluturue! 
    Mirë se vjen! M’ket ânë te xetë 
    T’dheut t’Misirit me dimnue: 
    Eja, pra, ktu fluturim, 
    M’gzo me at zâ gjith âmbëlcim!
    Kur jé nisë t’kam porositun 
    Atje larg t’shkojsh kah Shqypnija; 
    M’difto pra, kur ké shetitun 
    A t’kan ra n’mend fjalt e mija, 
    Me m’shkue n’Shkoder fluturim, 
    Me m’j’u falë gjytetit t’im?!
    Atje malet n’i paç pa, 
    Janë prej boret nalt zbardhue: 
    N’ato fushat ne paç ra, 
    Janë me lule lulëzue 
    Atje n’paç vojtë fluturim 
    Aty âsht gjyteti i im!
    Barit t’njomë gjith atje veshen 
    Çuka e kodra, e atje ndinë 
    Tue këndue blegtoreshe 
    Qi kullotë rreth bagtinë; 
    Atje n’paç vojt fluturim, 
    Aty asht gjyteti i im!
    N’Shkodren t’ime të Shqypnisë 
    Burrat lejnë qi s’dijnë ç’âsht friga, 
    Çupat e bukra t’urtisë 
    Atje lejnë qi s’dinë ç’âsht flliga; 
    Atje n’paç vojt fluturim 
    Aty âsht gjyteti i im!
    Dishroj shum, por…nuk po dij 
    A kam prap fàt t’mirë me shkue 
    Nji herë tjetër ne Shqypni, 
    N’Shkodren t’ime me kalue… 
    Atje dù t’shkoj fluturim, 
    T’vdes aty n’gjytetin t’im!
    T’kam pas thânë… se n’Fushë t’Rmajit 
    Kam dy vorre t’dashtunisë, 
    Nânë e babë kàm n’at vend vajit, 
    Qi m’kanë lânun t’vorfenisë; 
    Me zanë t’and t’përmâllshëm shqim, 
    A m’ke ba mbi’ ta vajtim?!
    A u ke thanë se un t’kam çue 
    Prindët e dashtun me m’i qa?! 
    A u kè thânë sà kam lotue 
    Kur t’kam nisë vorrin m’e pâ?! 
    A e kè thânë, t’përmallshme shqim, 
    Kângen t’ânde gjithë vajtim?!
    A u ke thânë se zêmra e ime 
    N’ dhenë t’hueja keq u shkri, 
    Se s’ka gzim, as s’ka ngushllime 
    Se po digjet për Shqypni?! 
    Me zânë t’and t’përvajshëm shqim, 
    A e ke qamun fatin t’im?! 
    Prà dallndryshë, kah ke shetitun 
    Gjytetin t’im a e ke pa?! 
    N’ato vende kû kè rritun, 
    N’mênd për mue a te ka ra, 
    Me m’shkue n’Shkodër fluturim, 
    Me m’j’u falë gjytetit t’im?!
    Nga Natasha Bega
    Ëndërr profetike
    ( 2 janar 2016
    Kushtuar Ismail Kadares
    si një borxh shpirtëror)
    Ishim të dy
    në dimensionin pa distancë
    Midis reales
    Dhe ireales që merr fuqi
    Egzistencat tona
    Ishin bërë nji
    Si bërthama në qelizë.
    2.
    Të mbështolla
    Me krahët e mi
    E të shtrëngova fort, fort
    Si një lumturi e brendshme
    Që të bën të bukur dhe të fortë
    Nuk kishe as trup
    As zemër
    As gjymtyrë.
    Kishe veteëm sy.
    Të vendosur
    E të tendosur
    në ndodhitë e Botës
    që kërkon ndihmë.
    3.
    Më vështrove cuditshëm
    Pa kundërshtim
    Nuk di në të jepja
    A më jepje më shumë
    Atë çast
    Brenda nesh
    Ishin të gjitha jetët
    E jetuara
    Dhe të pajetuara ende,
    Si një profeci e artë
    4.
    U tkurrëm aq shumë
    Sa u bëmë gjymtyrë
    E njëri tjetrit
    nga e para.
    Unë ecja si të ishe ti
    Ti ecje si të isha unë.
    Në të vërtetë
    Unë nuk egzistoja
    As si qënie
    As si femër
    As si emër
    Isha vetëm një Frymë përshkyese
    Që shndrohet në Dritë
    Në castin më të përshtatshëm
    Kur japin urdhër të gjitha Perënditë
    Të cilat,
    gjithashtu,
    Ashtu si edhe ti
    nuk egzistojnë më vete
    Sepse bota
    është vetëm Nji
    si një Pikë e Lartme
    në reflektim
    ku mblidhen të gjitha dashuritë
    këtu,
    tani,
    pa distancë
    pa kusht
    pa kohë
    me emrin Zot.
    Anjtshtanji e quajti thjesht
    E= MC në katror
    5.
    Kaq ishim dhe mbetëm
    Para dhe pas ëndrrës
    FRYMË dhe DRITË
    Çmimet
    Bota ia jep Vetes
    Që t’i mbushi mëndjen Njeriut
    Se ekziston
    Në formën më komode për të gjithë
    6.
    Më beso, i dashur Kadare
    Për mua
    Asgjë nuk ka ndryshuar
    Dhe nuk ndryshon
    Para dhe pas medaljes
    Më të bukur se një yll,
    Komandant i Legjionit të Nderit
    Është bukur
    Dhe është shumë mirë
    Francës, i takon nderi
    Dhe Napolonit,
    Që asnjëherë nuk hoqi dore
    Së qëni i lavdishëm
    Edhe kur s’jeton
    7.
    I nderuari im,
    Me dhe pa çmim
    Ti je materja e paasgjesueshme shqiptare
    Që ndriçon ndër shekuj
    më shumë se
    Qiellin e Shqipërisë.
    Na duhet thjesht
    të shohim së brendshmi,
    në përqëndrim
    te pranojmë
    te besojmë
    dhe te duam
    Të vërtetën
    për të cilën kemi lindur.
    Dhe jemi
    Për veten dhe për të gjithë.
    Çfarë nuk shkon:
    Dhe gabojmë gjithmonë
    I veshim
    Çorapet mbrapsht
    Dhe fillojmë e vuajmë
    shajmë dhe qajmë
    Kjo nuk është e jona.
    Ndriçohuni Shqipëtarë!
    ***********************************
    ROBERT MARTIKO, shkrimtar
    – Rreth vëllimit me lirika “Syri i fjalws” i poetes Enrieta Sina
    VARGJE SI GUASKA MARGARITARËSH 
    Gjithmonë më ka preokupuar ideja për të mundur të konsideroj artet, në përgjithësi, në aspektin e tyre iluminist në lidhje me efektet që ato arrijnë të përcjellin në shoqërinë njerëzore. Sigurisht, një këndvështrim i tillë nuk do të mungojë as këtë radhë, nga ana ime, përderisa bëhet fjalë për tu shprehur rreth vëllimit poetik të autores së talentuar, Enrieta Sinës, tashmë të njohur në Shqipëri apo gjetkë.
    Paraprakisht më duhet të vë në dukje se poetët nuk arrijnë dot, të shpëtojnë botën nga e keqja. Por, duke filluar nga Homeri i panjohur dhe duke përfunduar te nobelisti anglez, Harold Pinter, mund të thuhet se, poetët, arrijnë të shpëtojnë fisnikërinë e shpirtit. Këta, brenda kufijsh të kufizuar, bëjnë gjithashtu të mundur, të shkëlqejë inteligjenca pozitive kudo në botë. Për më tepër, duke penetruar në labirintin e errët të politikave të mbrapshta dhe të politikanëve në përgjithësi, edhe sipas mendimit të një presidenti të shquar amerikan, si Xhon Ficxherald Kenedi, më duhet të vë në dukje se, kur pushteti shtyn njeriun në arrogancë, poezia të bën të kujtosh mrekullinë e të qenit në jetë. Kur pushteti korrupton, poezia purifikon shpirtin e njeriut.
    Megjithatë, kur një lexuesi i bie në dorë një libër poezie, nuk mund të pretendohet kurrsesi që ai do të arrijë të zbulojë diçka konkrete në vargjet e lexuara. Por, prej një poezie me vlera estetike, lexuesi ka për të ndier sigurisht, diçka të bukur dhe fisnike e cila do ta bëjë atë, vetë, të dallojë aq shumë prej pjesës tjetër të shoqërisë. Qiejt bëhen për të akoma më të bukur dhe të ndritshëm, kur të bien në dorë, për të lexuar vjershat plot hijeshi të Enrieta Sinës. Pra, poezinë ne vetëm mund ta ndiejmë. Nuk mundemi kurrsesi ta shpjegojmë atë. Mbasi është vetë natyra e kësaj lloj gjinie të veçantë të letërsisë e tillë, që nuk na jep neve kurrfarë mundësie apo shtegu, për ta diskutuar atë në thellësi. Në fund të fundit, në një tufë me vjersha, përse do të na duhej të pretendonim, për të mundur të kuptonim histori të caktuara të jetës njerëzore, përderisa vetë jeta është njësoj si poezia: e pazbërthyeshme, misterioze, enigmatike. Dhe, për më tepër, aq shumë e vendosur për t’i mbajtur sekretet të fshehura përjetësisht. Ndoshta, të mbyllura me çelësa të padukshëm, hyjnorë…
    Nuk do të mund të ndodhte ndryshe edhe me vëllimin poetik të Enrietës. Nëpërmjet vargjeve të saj të mrekullueshme, ku dallohen tingujt ekzistencialistë të jetës njerëzore, lexuesi arrin të admirojë lirizmin, përsosmërinë ideale të kërkuar në një bote jo reale, rikthimin pas në të kaluarën, me kaq shumë hije dyshimi dhe ëndrra të parealizuara, në një përpjekje ndoshta diçka të suksesshme, për të shkarkuar nga supet një pjesë të barrës shpirtërore të grumbulluar nga jeta. Duke lexuar poezitë e Enrietës, jo pak herë mu duk se gjendesha duke dalluar ato shkallët e larta, tepër të çuditshme, transparente, magjike, në përpjekje të vijueshme, për të rrethuar kështjella të larta, të shtrira madje ne pafundësinë e vet universit. Dhe, si në të gjitha poezitë me vlera shpirtërore, akoma më e çuditshme mu shfaq ideja në kokë, kur mendoja se këto shkallë magjike përpiqet t’i hedhë poeti, i cili, në fund të fundit, nuk është asgjë tjetër përveçse njeri. Diçka që do të thotë se ai është gjithashtu një produkt material, me një afat të caktuar skadimi jetësor mbi tokë.
    Duke lënë mënjanë konsideratat rreth karakteristikave formale të poezisë: siç janë ritmi, rima, rreshta dhe strofa, unë munda të admiroj gjithashtu te libri i Enrietës atë amplifikimin perfekt, përherë me një natyrë të spikatur poetike, që poetesha arrin tu bëjë me sukses sinjaleve, sado të vogla, të cilat kanë lindur në shpirtin e saj. Gjen aty prova të jetës njerëzore më shumë se në çfarëdo etyd me karakter sociologjik. Autorja na ndihmon për të kapur fillin e dhjetëra përfytyrimeve fantastike. Ajo na krijon mundësinë për t’i stimuluar ato nga pikëpamja mendore. Na lejon të futemi në të njëjtën valë ndjeshmërie me botën e civilizuar të poetëve cilësorë, duke u ndarë njëkohësisht nga verbëria klasike e turmave njerëzore, që aq shumë u gjendën të stimuluara negativisht prej poetësh me një të kaluar të përbindshme, fatale, për vetë vëllezërit, bashkëkombësit e tyre, pa përjashtim: të frikësuar, varfëruar e poshtëruar deri në palcë. Pra, poezia moderne e autores në fjalë mëson lexuesin edhe për të qenë i ndershëm dhe human.
    Në aspektin filozofik, poezia e Enrietës nuk mungon së mbajturi në dialog pothuajse të përhershëm hapësirën dhe kohën. Qoftë edhe për disa çaste, ajo sikur kërkon të shkëpusë, të xhvasë njeriun nga koha, e cila rend përherë e pamëshirshme, për këdo. Poezitë e Enrietës përherë dinë të prodhojnë sensacione të këndshme për lexuesin. Duke gëzuar në vetvete cilësinë apo atë vatrën e ngrohtë, të mrekullueshme, të mendimit pozitiv, vjershat ndihmojnë edhe në aspektin e vlerave morale. Ndeshemi me gjithfarë vargjesh me karakter të dallueshëm intensiv, me një vijim të pafund imazhesh, që nuk e lënë të qetë mendjen dhe ca më shumë zemrën e lexuesit. Dhe kjo, për hir të kreshendos së emocioneve. Në poezinë e Enrietës gjen të shprehur gjuhën e ndjenjave të pastra, të lirisë dhe atë të një lloj paqeje të bukur filozofike, me karakter etik, e cila lidhet edhe me fisnikërinë e shpirtit të vet autores, e cila ka arritur të përshkojë një jetë dinjitoze. Është diçka që nuk mungon të reflektohet edhe në vargjet e librit.
    Kjo lloj poezie e sinqertë, nuk mund të mos marrë përsipër funksionin e saj të rëndësishëm në rrugën e civilizimit bashkëkohor. Sot, më shumë se kurrë, vjershat e autores në fjalë mbrojnë vlera njerëzore, duke luftuar të keqen. Poezia e Enrietës, përveç faktit që di të godasë në shpirt, është gjithashtu edhe balsam. Ndërkohë që, në fund të librit vargjet, si guaska margaritaresh, detesh apo oqeanesh të ngrohtë jugorë, vetvulosen, siç ndodh me të gjitha poezitë cilësore, për të mos arritur të mësosh prej tyre asgjë konkrete. Vetëm të thithësh fisnikërinë e shpirtit të vargut…
    Në përfundim do të dëshiroja të shtoja se rreshtat poetikë të Enrietës, edhe për hir të faktit se kemi të bëjmë me një grua poeteshë, përbëjnë një poezi të dyfishtë. Do të përbëjë një rast i papërsëritshëm për këdo, mundësia për t’i lexuar këto vjersha…
    Suksese të mëtejshme në letërsinë tënde të mrekullueshme Enrieta…
    ******************************************************
    MYRTEZA MARA SHKRIMTARI I VITIT NË GREQI
    Gëzim Llojdia
    1.
    Shkrimtari dhe poeti nga qyteti i Vlorës Myrteza Mara është shpallur shkrimtari i vitit në Greqi,ndonëse jeton dhe krijon në Shqipëri .Shtëpia botuese “Kaskanidis” me qëndër në Athinë ,Greqi i jep Myrteza Mara çmimin: “shkrimtari i vitit ” për novelën “Lisiana”.Në fakt në 30 janar do të bëhet promovimi i tre librave të shkrimtarit dhe poetit vlonjat Myrteza Mara nga shtëpia botuese” Kaskanidis” në Athinë me shkrimtaret grek te Athinës, përfaqësues nga ambasada dhe krijues shqiptare që jetojnë në Greqi.Është kjo shtëpi botuese do të realizoj dhe do të hedhi në botim në anglisht,frëngjisht,turqisht tre libra të autorit vlonjat M.Mara. Pas një sërë suksesesh të shumë krijuesve vlonjatMyrteza Mara, mbetet një shkrimtar që po plotëson kuadrin e plotë të tij me botimet e fundit. Prej një periudhe 15 vjeçare ai sjell rreth 25 botime, që janë libra në gjinitë e prozës, poezisë. Shfaqet edhe romani,novelat apo gjinia e shkurtër tregimit. Myrteza Mara aktualisht është kryetar i një ndër klubeve më të gjallëruara në jug të vendit me emrin e shquar të shkrimtarit Petro Marko.
    2.
    Myrteza Mara merr çmim e madh ndër fund vitit 2015, me një një ndër romanet e botuar në Shqipëri në gjuhën e prozës, siç është romani ’Lisiana” dhe me dy botimet e tjera në prozë si dhe një përmbledhje me poezi. Përkthyesja e talentuar, Dr. Anna Ballabani (Balanou) e cila bëri të flas në disa gjuhë të Evropës prozën dhe poezinë e M.Marës,kA përkthyere dhe disa autorë të tjerë shqiptarë .Ç’është proza. Përkufizimi i saj tash prej vitesh gjendet në librat teorik të letërsisë shqipe. Mirëpo poetja M.Ahmeti ka bërë një përcaktim të shkëlqyer për të treguar se çfarë është në të vërtetë .Poezia e keqe është prozë dhe se proza e mirë është poezi.
    Kryetari i klubit ‘Drita” në Athinë ,shkrimtari Nase Jani shkruan kështu për novelën Lisiana. Novela “Lisjana”, e botuar më 2007 dhe e ribotuar nga Shtëpia Botuese “Toena” më 2008, është dëshmia më e mirë e një proze të bukur poetike. Të bësh një përcaktim të tillë për një libër të tërë me 88 faqe, nuk është e lehtë. Duhet një artist i mirë i mendimit dhe i fjalës, që të arrijë të mbajë një novele të tërë me dallgë poetike brenda. Mund të them se është novelë e tipit Çehovjane, por e kohëve moderne të shekullit të XXI. Shkrimtari tregon në vetën e parë, komunikon me personazhet, ashtu siç do ai e ashtu siç di ai, ndërton marrëdhënie njerëzore të pranueshme nga lexuesi, por edhe të pa pranueshme nga lexuesi, (se ndryshe s’kishim pse të shkruanim për këtë shkrimtar) thyen “tabunë” e ndarjes së brezave me kryefjalën “dashuria nuk njeh moshë”, e respekton jetën në të gjitha etapat e saj, duke i dhënë asaj kuptim…“Gjëja më e mirë shkruhet kur je i dashuruar”-shkruan Ernest Hemiguej. Dua ta besoj Hemiguejn! Por shkrimtari nuk dashuron si njeriu i zakonshëm. Vetëm kur dashuria kthehet dhimbje dhe vuajtje, ai mund të jetë i sigurt për atë që shkruan. Dhe vepra e tij letrare gjen lexuesin që meriton. Novela “Lisiana”është bërë më tepër pronë e rinisë, duke kaluar nga njëra dorë tek tjetra, bile edhe duke e fotokopjuar. Kur ndodh kështu, në kohën që lexuesit i janë larguar shumë librit, është një sukses i kuptimtë i shkrimtarit dhe një mësim për shumë shkrues, që pandehin se bëjnë çudinë duke nxirë fletët me germa, pa bërë dot letërsi të vërtetë. Le të lexojnë “Lisjanën” edhe ata që të mësojnë si shkruhet bukur proza”.
    Proza e Myrteza Marës është një poezi e bukur. Proza e Myrteza Marës në përgjithësi karakterizohet nga rrëfimi i sinqertë. Çdo tregim apo novelë e kësaj përmbledhje të fundit si te Lisian apo te Muzeu i dhimbjes ,ka një fabul ku shtrihen të gjitha linjat kryesore. Autori i përmbahet rregullit gjuhësor .Duke analizuar vëllimin Muzeu i dhimbjes . Dallon nga kjo krijimtari novela:”Rrëfimi i Havasë” te Muzeu. Ka një fabul të qëndisur si nure .Ka të stile bukuri fjale, çdo fjali është në vendin vet. Në thelb kjo novelë sjell fabulën e mentalitetit të vjetruar në katundet tona malore,në vitet e para të pasçlirimit.”Lënda e parë” me të cilën autori ka mbrujtur bukën është një rrëfim interesant dhe prej kësaj shtjellohen disa linja njëherësh të cilat përfundojnë në një pikë të vetme. Besa e dhënë dhe ajo e pa mbajtur. Novela ka në epiqendër Havanë, që nis të tregojë një ngjarje, që si zanafillë ka vitet pas çlirimit të vendit. Një djalë deli djalë por që ishte qeros,nuk gjente dot nuse. Një mblesë që për hir të përfitimit arrin të përmbush misionin e tij duke gjetur një nuse në një fshat të thelle dhe të largët .Ngjarjet zhvillohen në një kohë të zymtë. Në përmasat e kohës,kur erdhi në jetë, dasma e qerosit u gjet në një terren të përshtatshëm, gati prush e flakë mund të quhet në gjuhën vendase. Një “kohë e urie”,për shpirtin varfanjak,ndihej në ajër, atmosfera e dasmës. Nëse instrument e dasmës kanë nisur vallen tradicionale, duke shqyrtuar fillimin e një procesi të hareshëm, autori ka nisur të shqyrtojë një mundësi tjetër , atë të mos rrjedhjes normale të dasmës jo me dasmorë qejfprishur nga trutë por nga një problem gati madhor, mospasja flokë e djalit, që vishej dhëndër për të përjetuar me të vërtetë një traditë të bukur. Mirëpo autori e “gris” pikërisht këtë rrjedhë normale të damës .Autori si në kohë pritje të gjëmës, paralajmëron se diçka e zezë po avitet që të grish atmosferën. Që nga rrëfimi Havasë deri në fjalinë fundit, për autorin mbetet përcaktuese qëllimi .Kohë pritja si malli i nuses për burrin, ishte të vetmet lotët, që ajo fare bukurie , njomëzake përfundoi në derën e qerosit . Përmes atij terri, një burim drite. Shpëtimi dhe largimi nga shtëpia qerosit dhe përfundim i kameriere në vilat e qeveritarëve. E gjitha fabula e kësaj novele mbetet brilante për nga gjetja dhe realizmi me teknikat e të shkruarit.
    *****************************************
    GJUHA E KUMTIT POETIK
    (Mbi eseistikën e shkrimtarit Pirro Loli)
    Nga ZIMO KRUTAJ
    “Drama e shprehjes” është libri më i ri i shkrimtarit, poetit e eseistit të njohur Pirro Loli, i botuar së fundmi nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tashmë ky autor ka një kontribut të spikatur në eseistikën tonë. “Drama e shprehjes” është, me gjasë, vepra përmbyllëse e triptikut me përmbledhje esesh letrare, që nisi me librin “Duumvirati i një stine që shkoi” (2006) dhe “Sirenat” (2007). Libri i ri me tridhjetë ese është konceptuar si “tre libra në një” jo vetëm për lehtësi strukturimi e leximi (janë thuajse 340 faqe) por, më së pari, për të harmonizuar një tërësi trajtesash, ide, dukuri, vepra e autorë të ndryshëm, nën këndvështrimin e mëvetësishëm të një sivëllai të tyre të letrave. Të tria pjesët e librit, bashkë me një intermexo poetike në mes, “Për mësuesit e mi”, i bashkon harmonia e ndryshimit, përpjekja e njëkohshme dhe e përhershme për të hulumtuar thellësive të shprehjes letrare e poetike të materializuar në gjuhë, “mundësive dhe pamundësive të saj”, siç do të shprehej Borhesi. Në “Parafjalë”, poeti Stefan Martiko shënon se “pena e Pirro Lolit i ngjan një shpate të mprehur mirë, për një betejë jo të zakontë letrare”. Dhe shton se puna e këtij autori për të nxjerrë në pah vlerat e letërsisë i “ngjan një piedestali ku ai ngre tërë statujat e të tjerëve.” Pra, flitet për guxim dhe përunjësi njëherësh. Të dyja vijnë prej dhuntisë dhe prirjes krijuese, por kjo nuk mjafton. Sidomos kur jemi në zhanrin e esesë, kaq nazike, kaq e vështirë për t’u rrokur, e mbajtur në kufirin e hollë të shkrimit në zgrip: krijim-studim-mbresë-vramendje-sprovë-, qoftë për një strofë a për një varg; qoftë për një vepër a për një autor; qoftë për një dukuri, shkollë a kahje letrare. Esetë e “Dramës së shprehjes”, në më të shumtën e tyre, janë larg kuturisjeve, janë guxim i mirëfilltë krijues. Këto ese janë, gjithashtu, larg përsiatjeve e panegjirikëve që gëlojnë në botimet e faqet kulturore letrare të shtypit tonë të përditshëm a periodik. Pirro Loli duket se ka gjithnjë parasysh pohimin e Konicës se “kur më pëlqen a më çpëlqen një vepër, nuk arrin të këcej, a të shfryj; duhet të shfaq arsyet e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të shokëzoj këndonjësit me mua”. Ndaj vlerësimet, analizat e përfundimet e këtyre eseve kanë në thelb argumentimin, kriteret estetike e artistike, zotërimin e lëndës e fuqinë e fjalës së profesionistit që, edhe nëse nuk na bind deri në fund, më së paku na vë në mendime e na fton për debat të një niveli jo të zakonshëm. Punimet eseistike të këtij autori dëshmojnë edhe për njohje, edhe për kulturë, edhe për ndjeshmëri të lartë estetike. Dëshmojnë para së gjithash për nderimin, përkushtimin dhe dashurinë me të cilat autori i qaset letërsisë, të vërtetave jetësore dhe artistike, sublimimit të lirisë dhe njeriut si ashti dhe fryma e krijimit, gjuhës poetike si lëndë, si mjet dhe si shenjë identifikuese. Dekada më parë, në esenë “Mbi komunikimin poetik” Anton Pashku shkruante: “Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike.” Duke pranuar këtë të vërtetë të njohur, Pirro Loli nuk ngurron të pohojë se drama e shprehjes është e lidhur ngushtë me dyzimin e krijuesit dhe fatalitetin e ekzistencës, duke na sjellë “urtësinë agresive që Pesoa la pas: “Arti na çliron në mënyrë mashtruese nga ajo gjë e ndyrë që është fakti i ekzistuarit”. Në mënyrë të përmbledhur, mund të themi se, edhe pse në dukje kontradiktore, dy pohimet e mësipërme konvergojnë në esetë ku autori bën objekt të analizës dhe vëzhgimit të tij shkrimtarë e poetë “të sertë”e vepra “të rënda”, me ndikim të pazakontë në letërsinë shqiptare e botërore. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për Eliotin e Kazanxaqisin (dy dashuri të hershme të autorit) as për esetë origjinale për Borhesin e Kafkën, por për trajtesat e veçanta për krijimtarinë e shkrimtarëve “të vështirë” si Marsel Prust, Xhojs, F. Ponge apo edhe Martin Camaj. Për Pirro Lolin, akti i krijimit letrar dhe fati i shkrimtarit nën diktaturë kanë vetëm një shteg për të mbërritur atë përmasë të domosdoshme të lirisë individuale që i kapërcen kufijtë e mosthënies: “Shtegun e lirisë, gjuhën e figurshme, ligjërimin artistik si shprehje e lirisë së brendshme që në esencë është kundër gjuhës së çdo diktature”. Në këtë këndvështrim autori, në esenë “Përfaqësuesi” trajton rishtas veçori të krijimtarisë së Ismail Kadaresë, ku gjuha artistike është sa shprehje e energjisë shprehëse të shqipes, aq edhe çështje estetike, etike e filozofike. Në një ese tjetër i rikthehet trajtimit të real-soc-it në letërsinë e shekullit XX dhe heq paralele te guximshme mes autorëve si Aragoni dhe Agolli; më tej zhytet në detin e simboleve dhe metaforave të “Dranjes madrigale” të Martin Camajt për të nxjerrë që andej perlat e “atdheut poetik”, të munguar. Një vend të veçantë zë, në pjesën e parë të librit, eseja për krijimtarinë e Moikom Zeqos, njëherësh sendërtim dhe personifikim i shkrimtarit që rri gjithmonë zgjuar, me shumë vepra që në thelb janë vetëm një, libri i hapur fletëshumë me peshën e metaforës, të fjalës që “përçon një prani të re qenies njerëzore”. Nga këndvështrime të tjera, por gjithnjë nën suazën e mëvetësishme të gjuhës e të shprehjes poetike e artistike autori shkruan për vepra e cilësi të autorëve të tjerë shqiptarë si F. Myrtaj, Xh. Spahiu, M. Meksi, S. Martiko etj. Krejt më vete tingëllon eseja “Vazhdimi i qytetit tim” ku autori ndërton një rilexim të romanit të tij “Qyteti me dy kate” një rravgim brenda procesit krijues, një raport vetjak dhe i ndërsjellë me miq, kritikë e lexues, përmes një dialogu a interviste sa reale aq edhe imagjinare… Kërkimi e zbulimi i elementeve të fshehtë, thuajse të mistershëm, të shprehjes artistike e të magmës poetike, që mund të njëjtësohet me “Alefin” e Borhesit”, me “çastin magjik” të Prustit, me “shkarjen” a rrëgjimin tonë në “Tokën e shkretë” të Eliotit, me “Procesin” e Kafkës, sinonim i shpirtit krijues “si një send në lëvizje” dhe me “ankthin e fjalës” (lexo: drama e shprehjes) të F. Ponge, është filli përbashkues i eseve të librit të dytë. Ndërsa, në librin e tretë, autori ndalet në çështje thelbësore të letërsisë e të kulturës bashkëkohore, të klasikes e modernitetit në poezi, të qëllimit e filozofisë së krijimit, të thelbit dramatik të kuptimësisë e pamundësisë së shprehjes poetike. Na duken veçanërisht të arrira esetë “Poetët me shenjë”, “Dhimbja e atij Kali (Pegasi)”, “Gjethja e fikut” si dhe eseja e thukët “Kapërcimi i të vdekurve”. Këto ese do të mjaftonin, përpos të tjerash, për të ripohuar pa frikë kontributin e mëvetësishëm të Pirro Lolit në eseistikën dhe kritikën letrare shqiptare. Duket se parapëlqimi për shprehjen e ligjërimin poetik (trajtesat për poetët e poezinë zënë kryet e vendit në librin ”Drama e shprehjes”) e ka shtyrë autorin të ndërkallë ndërmjet eseve një tufë poezish të vetat (“Intermexo” mes librit të dytë e të tretë) kushtuar mjeshtërve të mëdhenj të fjalës që ai i quan Mësues: Nga Zhak Preveri e Aragoni te Ungareti e Montale, nga Kavafis e Borhesi te Lorka e Octavio Paz… Këto poezi nuk janë psherëtima patetike, janë si një frymëmarrje e thellë pas ca fjalëve të ndjera përpara magjisë së artit të madh e të pavdekshëm. Përpara poetëve të ndritur, që sipas Isuf Luzajt, krijojnë “botë imagjinare dhe fisnikërojnë ndërgjegjen me ndjenja të reja bukurie, harmonie, dhe vërtetësie…”.
    Pirro Loli është poet dhe kjo nuk mund të mos shënjonte edhe gjuhën e figurshme, përqendrimin e dendurinë e kumteve, sintaksën e ethshme, si dhe ritmin e vrullshëm të eseve të librit “Drama e shprehjes”. Sa për stilin, na duket fort i qëlluar përcaktimi i Moikom Zeqos, në shënimin që shoqëron librin: “Stili i Pirro Lolit është sinteza e guximshme e përsiatjeve, pa koncepte dogmatike apo arketipa të formalizuara, por thjesht dhe pandalshëm, si një shtysë dhe kërkesë e lirisë parake krijuese”. 
    Flamur Luta
    Thirrje zemre 
    Ejani, t’i mbledhim kohës dashuri lule më lule,
    Që vetë fjala urrejtje do të pikonte mjaltë.
    Besimet e njëri-tjetrit ngujuar në vetvete,
    Si test do të na pastronte nga keqkuptimet tërë baltë.
    Boll jemi të shpërndarë –mbledhur rreth unit me vese,
    Të bëhemi të tërë –të shpërndarë te halli i vendlindjes,
    Dashuria si hark ylberi i një dite pranvere,
    Le të na harkohet nga plaku deri te përlotja e fëmijës. 
    Para ndodhive makabre, para një luleje të vyshkur,
    Zemrat tona le të bluajnë çdo gur ftohtësie,
    Kemi për të parë edhe tek e rëndomta e papërfillur 
    Të na dalin para syve nimfat si çudi bukurie.
    Boll folën burrat nga qerpiku tërë dhimbje,
    Nga lotët, boll folën shamizezat nëna!
    Boll folën midis nesh bombat egoiste,
    Boll, pra, po bëjmë të përlotet vetë hëna! 
    Ejani, t’i mbledhim kohës dashuri lule më lule,
    Që vetë fjala urrejtje do të pikonte mjaltë.
    Besimet e njëri-tjetrit ngujuar në vetvete,
    Si test do të na pastronte nga keqkuptimet tërë baltë.
    Këngë mjerimi 
    Me ca para të mbledhura së shituri luledielli, 
    Pas kaq kohe blej në treg pak djathë tërë shije,
    Vrimëzat e kaçkavallit mbushur prej meje me pika loti,
    Mikroliqene – bazareliev i një kopshti gjeografie. 
    Nga thellësia e xhepit nxjerr të fundit qindarkë,
    Të blej të freskëtin peshk me luspat tërë shkëlqim,
    Pas çantës sime i tiji bisht përplaset si lopatë
    Të më nxjerr varkën e buzëqeshjes nga lluca – mjerim.
    E vështira
    Sa e vështirë qenka të jesh i shkujdesur, i gëzuar, 
    Zotëri i mirë para syve të së bukurës,
    Ku në parvazin e një thënie të deformuar,
    Nuancat e shpirtligësisë duken e prej gazit të fluturës.
    Sa e vështirë qenka të jesh i ngrohtë para një akulli,
    Dhe para një katrahure që bredh kodër më kodër,
    Ku hobi i katandisje si mos më keq një spektakli,
    Në duart e një ecurie breshkore prehet si lodër. 
    Prag pleqërie 
    Shqetësimet e ditës i zë prehja që na dhuron nata,
    Kështu një e nga një ikin vitet deri tek e zymta pleqëri.
    Mbi orët e ikura të shndërruara në gjethe të thata,
    Lëvrijnë ecejaket insektore të simes nostalgji.
    Më kot pres ardhjen e çdo viti të më shfaqet si flori,
    Gjithnjë hidhërimet farmak më kanë trokitur në derë,
    Në mes të sheshit të pragmbrëmjes mbushur plot me vetmi,
    Të miat dëshira s’i kamikaz hedhin veten në erë.
    Të tjerëve u dhuroj dritë, ndërsa vetë jam në terr,
    Mëngjesin e një bamirësie me gjithë shpirt e përshëndes,
    Nga frika e minave të hedhura prej banalit sherr, 
    Midis shkurreve të fundjavës hapin e hedh me kujdes. 
    Kështu më kalojnë vitet një e nga një si në mjegull,
    Me një peng të madh në zemër e ndjej se do të vdes,
    Me ndotje e prapësi njeriu e filloi dhe ky shekull,
    Siç duket kështu do të mbarojë, siç e nisi, ters. 
    Shqetësimet e ditës i zë prehja që na dhuron nata,
    Kështu një e nga një ikin vitet deri tek e zymta pleqëri.
    Mbi orët e ikura të shndërruara në gjethe të thata,
    Lëvrijnë ecejaket insektore të simes nostalgji.
    Udha 
    Ec, bir!
    Mos më pyet 
    Sa e gjatë është kjo udhë!
    Ajo matet me përshëndetjet njerëzore,
    Ose mbaron këtu,
    Ose s’përfundon kurrë…
    * * * * 
    Si mund të të fal dashuri pa marr prej saj asnjë gram,
    Krishti të më shfaqet para syve gjithnjë si tejdurim,
    Ku algat e kotësisë grindjesh të së përditshmes dramë
    T’i shoh t’u përkushtohesh si të ishin prej grurit bimë. 
    Ylli Musta
    SILUETË GLOBALE
    Jeta rend si e marrë
    Sigal