Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 04.07.2015

    677
    Lajmërim!
    Të nderuar krijues, bashkëpunëtorë të gazetës “Telegraf”. Për shkak të pushimeve të verës dhe angazhimit të gazetës me “Suplementin Vetor”, rubrika “Pena Shqiptare” do të ndërpritet deri në fund të muajit gusht. Gjatë kësaj kohe ne mirëpresim krijimet tuaja, duke u bazuar në kriteret e vazhdueshme që kemi publikuar në gazetë. Pushime të mbara!
    Stafi i gazetës “Telegraf”
    Franz Kafka 
    Franz Kafka (i lindur më 3 korrik, 1883 në Pragë të Austro-Hungarisë, sot Republika Çeke; vdiq më3 qershor, 1924 në Vjenë të Austrisë) ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, dhe romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX, trupi i shkrimit i të cilit ishte i vetëm në llojin e tij. Shumica e shkrimeve të tija mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së tij, megjithëse dëshira e tij ishte që ato të asgjësoheshin – janë bërë ikona në letërsinë e Perëndimit.
    Pjesa e tij më e njohur përfshin një tregim të shkurtër me emërtimin Die Verwandlung (Metamorfoza, Shëndërrimi) dhe romani i tij i pambaruar Der Prozess (Procesi) dhe Das Schloß (Kështjella). Mbiemri “kafkor” ka hyrë në përdorim të shënojë rrethanat e rëndomta te llojit absurd dhe surrealzakonisht të gjetura në veprat e Kafkës. Disa nga veprat që mund të shtjellohen dhe të përkthyera në shqip janë: “Procesi”, “Metamorfoza”, “Kështjella” në formën e romanit por dhe nga proza e tij e shkurtër në formën e tregimit. Disa nga tregimet e tij janë “Një Leksion Akademik”, “Populli i Minjve”, “Barbarët”, etj. Fatkeqësisht veprat e tij janë në shumicën e tyre të humbura dhe për më tepër nga vet dëshira e autorit për ti asgjësuar ato. Kryesorja çka mund të fillojë një analizë për ketë shkrimtar është vënia re e një ndryshimi rrënjësor të formës në veprën e tij dhe në përmbajtje. Ai shpesh përdor një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj., pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar bujtinën tokësore në formën e saj më reale. Ky konstatim mund të duket kontradiktor në vetvete por nis nga një simbolikë surreale që të kërkon vëmendje për problemet e mëdha universale që prezanton Kafka.
    Esad Mekuli
    Esad Mekuli është poeti i parë dhe më i njohur i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë më 1993. Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga Nokshiqi. Babi i Esad Mekulit, edhepse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar. Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi nëPejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936. Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë nëUniversitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia. Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959. Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë. 
    Mbramja
    Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërten shami, 
    n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra në borë- 
    flakron përëndimi…Retë mbi krye prorë 
    ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi. 
    …Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë: 
    cipa e natës shtrihet mbi fushat e përhime, 
    malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime, 
    si të humbet jeta-xho gja u nxi, u zhduk. 
    N’ajri ndihen klithmat e natës që ra- 
    drujt pran rrugës era i përkund… 
    Ndërsa drita e bardh, e tretun dikund, 
    shigjeta të flakta mpreh errësinës me i ra. 
    Terri sundon botën. Katundet e shtrime 
    në mes të natës prehen n’lugin me andrrime.
    ***********************************
    Zhuliana G. Jorganxhi
    S’ISHTE HERO, ISHTE VETËM NJERI
    Profesor Kristaq Venetiku, vdekur në burgun e Burrelit
    S’ishte hero, ishte vetëm njeri!
    Dhe shok nuk kishte një të dytë.
    Foli kur heshtëm un’ e ti,
    sa çeli zemrën i mbyllën sytë.
    Dhe thanë: “Vdiq i harruar,
    në burg të errët në vetmi…”
    A kish më të vdekur të pambuluar
    se të pagojët si unë dhe ti?
    S’ishte hero, ish vetëm NJERI!
    SHPIRTIT TONË MBLODHE NEKTAR
    Artistes së ndritur Vaçe Zela “NDERI I KOMBIT”
    Ku gëzon blerimi fushën
    “veshur diell, mbathur hënë”
    flladi shall i bëhet gushës,
    ty të lindi drit’ e këngës.
    Ku ngre kokën një val’ gëzimi
    Ku tremb zemrën thellë një brengë,
    Ku harron të flerë kujtimi,
    Ndeze ti, zjarrin e këngës.
    Ku pikojn’ yjet e qiellit,
    trëndelina,. tokës rënë,
    ku me rrezet luan dielli,
    përkëdhele buzëve këngën.
    Ku takim pret dashuria,
    Ku qorton me fjal’ t’ëmbël,
    Zëri yt-zog hapësirash,
    Dashurohet nëpër këngë.
    Ku loton vesë trëndafili,
    Flenë trimat nën një ëndërr…
    Zëri yt prek pikëllimin,
    Bëhet lot në sy të këngës.
    Ku harruam ëndërrimin,
    Ku një shpresë s’ngrihej më këmbë,
    Zëri yt shkeli harrimin,
    U bë dhembje e vet këngës.
    Ku dëgjohet një kitarë,
    Ulen zogjë nëpër tela,
    Shpirtit tanë mblodhe nektarë,
    ZË I KOMBIT- VAÇE ZELA 
    TRUPI YT
    Ishull i panjohur mbetet
    sa herë e prek syri im.
    Buzët e miangjitenqafës tënde,
    si mbinjë kodër rreze dielli në perëndim.
    Në pyllin e kraharorit tënd humbas,
    në krahët-degë pemësh, kapem,
    Prek me buzë qershi të pjekura.
    Lëngu i tyre m’i skuqi buzët.
    Në luginën e barkut tënd drithëron një yll.
    Më spërkat fytyrën me pluhur ari.
    Venave ngrihet një shtërngatë e vrullshme,
    mbetem pa frymë prej saj.
    Nga drurët e këmbëve të tua
    lëshohen zogj të bardhë.
    Kaq i prekshëm kur të kam pranë,
    aq i pakapshëm kur të kam larg.
    I pafund mbetet përherë,
    i pazuluar si një thesar. 
    ****************************************
    Sabrie Selimaj
    Kohë e koklavitur
    Kohë e vështirë më duket gjithandej,
    Planeti tokë nga padrejtësitë rrëshqet,
    Dhimbja buzëqeshjen largoi më tej,
    Loti nga çatia e pamundësisë zbret,
    Koha koklavitur përherë nga babëzitë,
    Njerëzia vijnë vërdallë sa andej këtej,
    Kur do mbarojnë ndonjeherë prapsitë
    T`i shijojmë ditët dhuruar gjithandej.
    Kohë e trazuar rëndon pamundësinë,
    Në sytë e vuajtjes lexoj trishtimin,
    A do ndryshoj vallë ndonjëherë në jetë
    Kursin Anija e padrejtësive drejtimin!!
    Koha ka ardhur të shikojmë ndryshim,
    Jeta nuk kalohet me vuajtje e përçmim,
    Nën kupen e qiellit t`gjithë kemi strehimin
    Vuajtjet duhet të ket njëherë mbarim….!!
    MOS NXITONI
    Mos lëndo, mos të lëndohesh,
    mos varpo, mos të rrëzohesh,
    çdo gjë, në jetë është shkruar
    shijo jetën është e çmuar …
    Mos lësho fjalën, vesh m`vesh,
    çfarë shef syri s`mund t`i kesh,
    gjuha e gjatë përherë bela,
    korrë ku s`mbjell,e ha ku s`ka ?
    Mos i thuaj kurrë fatit tutje,
    vjen një kohë, do t`i bësh lutje,
    sytë e shpirtit mos i errëso
    fjalët e zemrës pëherë dëgjo!
    Mos ik vrap, kur t`japin këshilla
    përherë prindërit duhet dëgjuar,
    për ty kurrë s`mendojnë ligësira,
    janë si dielli në udhën vazhduar
    Mos qortoni vargjet shkruar,
    janë leksioni dhuruar jeta,
    në këtë udhë jam sprovuar
    si gënjeshtra dhe e vërteta !
    MËNGJES ËNDRRIMTAR
    Ky mëngjes i përlotur ,
    zgjonë kujtimet në harresë
    një trokitje zemra shpejtuar
    hap ditaren e udhës shpresë 
    Një fjalë nuk është asgjë,
    por një fjalë përmbysë trishtimin
    zgjon nga gjumi ëndrrën që fle
    sytë e shpresës puthin agimin
    Në lëndinën e buzëqeshjeve
    loz me erën, puth kujtimet
    përmbi supet e dëshirave
    çelë e rritet,ëndrra ime …
    Një puhizë e lehtë freskie
    përkëdhelë shpirtin e vrarë,
    një ëndrrim në kohën hije
    por si gjethja zbritë ngadalë
    Në të ikur si oretek bore
    shkrij e ngrij lotin pikuar
    kreh mendimet thyej gishtrijt
    qortoj fatin e kohën shkuar 
    Vargu shkruar është si era
    ledhaton kohën e ikur
    qielli i shpirtit pikon përhera
    mjaltë e helem t`dyja ngjitur
    Lulja shpres përherë lulëzuar
    duke grisur perden trishtimit
    sytë e dijes përherë ndriçuar
    janë pishtarët e mbar njerzimit ,
    Mendime, rreth librit të Miltiadh Muçi, “Lelkëljotët të lashtë sa Lekli”
    Lekëljotët arsimdashës 
    – Nga Besnik Shehu
    Ndonëse nuk jam lindur e rritur në Tepelenë, prej nga kam origjinën, i kam të freskëta kujtimet e tim Ati për vendlindjen e tij dhe gjithë fshatrat e krahinat e saj, të cilat i kishte shkelur me këmbë, si gjatë luftës ashtu dhe pas Çlirimit të vendit. Më kujtohet fare mirë se, kur ai fliste për Leklin dhe Dragotin thoshte: “Janë zona me banorë arsimdashës dhe kulturëdashës”. Dhe sapo përfundova së lexuari librin e mikut dhe kolegut tim Miltiadh Muçi, “Lelkëljotët të lashtë sa Lekli”, më erdhën në mend këto fjalë, të cilat besoj se përbëjnë tiparet më thelbësore që i dallojnë banorët e Leklit nga ata të zonave tjera të Tepelenës. Këto tipare për mendimin tim janë të zhvilluara në popujt që kanë një qytetërim të lashtë, që ndonëse mund të jenë banime aktuale të tkurrura për shkaqe social-ekonomike në fshatra apo njësi dhe më të vogla banimi, ruajnë në vetëdije origjinën e tyre të qytetarisë. Ashtu siç dhe argumenton Miltiadhi në librin e tij, edhe unë pajtohem me idenë se, Lekli që në lashtësi kur njeh fillimet e veta duhet të ketë qenë një qendër administrativo-ushtarake në formën e qytezës apo qytetit, gjë që përforcohet nga zbulimet arkeologjike autodidakte të Miltiadhit, siç janë muret e kalasë së lashtë; ujësjellësat; ura me harqe që lidh qendrën e fshatit me lagje të tjera; numëri i madh i kishave; mbetjet e prodhimeve qeramike, të cilat dëshmojnë më mirë se çdo historian që aty ka lëvruar jetë tipike qytetare. Sikur të marrim vetëm faktin se në këtë vendbanim gjenden gjurmët e një ujësjellës të hershëm të nëndheshëm apo sipërfaqësore dhe me qyngje prej qeramike, kuptohet se aty ka pasur një zhvillim social-ekonomik tipik për një qytet, ku zejet dhe jeta e banorëve konsumojnë ujë me shumicë. Pushtimet e shumta që ndodhën në gjithë Shqipërinë dhe sidomos ndryshimi i rrugëkalimeve tregtare, mbas rënies së Pashallëkut të Ali Pash Tepelenës (shënim – B. Sh.), sigurisht ja zbehën rëndësinë këtij vendbanimi të lashtë urban, duke e shndërruar atë gradualisht në një abitat të vetëm pak njerëzve autoktonë, që për mbijetesë ju kthyen zejeve të fshatit, bujqësisë dhe blegtorisë. Por lekljotët nuk mund të harronin origjinën e tyre qytetase, prandaj u përkushtuan drejt dijes, që të hap portat e jetës në çdo vend të globit. Ata që u larguan përkohësisht apo emigruan nga Lekli, ju përkushtuan me zell arsimimit dhe kulturimit të tyre, duke bërë emër në diasporë dhe në gjithë Shqipërinë. Kështu nuk mund t’i mungonin Rilindjes figura nga Lekli si Anastas Byku, Jani dhe Kristaq Vaja, etj.; nuk mund t’i mungonin as mësuesve të parë të shkollës shqipe si basho Thomai (Papapano), që fitoi respektin e brezave brenda dhe jashtë Gjirokastrës; nuk mund t’i mungonin Luftës për Çlirimin e Atdheut luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e Atdheut lekëljotë si: Polo Bezhani, partizania Areti, krye mitraljeri Gogo Mati, komandant Thimjo Muçi, etj.; nuk mund t’i mungonin as kulturës, shkencës dhe sportit lekëljotë si: Vangjel Gjikondi, Pirro Goda, Andon Suli, Anthulla Qëndri, Asimo Sirmia, Gaqi Vishi, Vaso Goda, Llazo Koçi, etj. Të gjitha ngjarjet, faktet, rrethanat dhe figurat historike të Leklit janë pasqyruar me shumë dashuri e krenari nga autori, Miltiadh Muçi, në librin e sipër cituar, por dhe me një saktësi e skrupulozitet pak të habitshëm për ne kolegët e tij, që e njohim si një personalitet të kriminalistikës dhe si një nga profesionistët më të kulturuar të Policisë në vite. Unë personalisht, duke pasur parasysh reputacionin që akoma gëzon në fushën e kriminalistikës Shqiptare, pata fillimisht drojën se mos kishte gabuar, që i ishte futur punës për të shkruar një libër jashtë specialitetit të tij. Kjo mëdyshje nga ana tjetër më nxiti kureshtjen për të lexuar librin menjëherë, fillimisht si një detyrim ndaj një kolegu, por faqe pas faqe me një tërheqje magnetike, gjë që ndodh vetëm kur lexon diçka të re, interesante dhe të pëlqyeshme. U befasova fillimisht nga kultura e gjerë e Miltiadhit jo vetëm mbi historinë e vendit të tij të origjinës, por edhe për njohuritë mbi arkeologjinë, etnografinë, historinë në tërësi. Ana tjetër me vlerë ishte gjuha e tij lakonike pa shumë perifrazime e stërhollime, por duke u përqendruar vetëm në fakte dhe interpretime shkencore të tyre. Ndërsa sistemimi i kapitujve të lëndës me nëntituj të veçantë për ngjarje, episode, personalitet, etj. ta lehtëson dhe e bënë më të këndshëm leximin. Dhe e gjitha kjo me një modesti të pashoqe, që vetëm Miltiadhi mund ta demonstroj, që për mua është një tipar i njohur dhe i vlerësuar prej kohësh nga ana ime në personalitetin e tij.
    *************************************************
    Enrieta Sina
    MOS MË PREK…
    Dëgjova fëshfëritjen e tërfilit të sapombirë
    Tek bisedonte me erën, i hutuar
    “Mos më prek..mos më prek..
    Dua të jem i blertë, i lulëzuar…!
    Dëgjova shushërimin e lumit në dimër
    Tek bisedonte me acarin e tërbuar
    “Më lerë në shtratin tim, mos më prek
    Dua të ndjej se jam duke jetuar..!
    Dëgjova dallgën që përplasej në shkëmb
    Tek bisedonte me të, bardhëzuar
    “Pritëm të të shoh, por mos më mbaj
    Drejt bregut do të nisem e valëzuar..
    Dëgjova Hënën e sapo dalë n’perëndim
    Tek bisedonte me Diellin duke u larguar
    “Mos më prek…jo s’ke si më prek
    Në mijëra jetë kështu kemi qëndruar..
    Të dëgjova dhe ty me zërin e ngrohtë
    Tek dëshiroje diçka për të më treguar
    “Mos më prek..të lutem mos më prek
    S’kemi qënë asnjëherë të dashuruar…!
    Si mund të largoj këto fjalë të ftohta
    Kur dua ta prek gjithë gjithësinë
    Dhe me zërin tim të plotë t’u them:
    “Unë jetoj vetëm për dashurinë!…
    JAM MIDIS…
    Jam midis tokës dhe ajrit 
    Shpesh fije bari që gjelbëron
    Shkurre apo plep që fëshfërin
    Ku fole dikush tek unë kërkon
    Jam midis të bardhës dhe të zezës
    Në dritë dielli dhe errësirë nate
    Re që lëvizshëm lart qëndron
    Në çast kur shikon gjurmë balte 
    Sa herë një peshë ndjej në trup
    Apo një cimbim hidhshëm në zemër
    Gjej forcë dhe veten e shkund 
    Dhe askënd në jetë s’lë pa emër
    Le të jetë dhimbja sa një mal
    Emri dashuri e shkrin aq shpejt
    Përsëri mbetem re e badhë
    Apo fije bari a gjethe e blert’
    Jam midis të mirës dhe të keqes
    E vetmuar ndodh të derdh lot 
    Vet e mira del nga shpirti im
    Mbi vështrim shumë do t’më thotë
    Atëherë qeshet zemra butë
    Gjen një vend mes rrezesh në agim
    Përqafuar qesh e qesh aq fort
    Sa gaz shkrihet i gjithë shpirti im
    Cicërima mbushet jeta ime
    Zogj edhe fëmijë rendin lehtë
    Nuk po pyes më aspak për vitet
    Mes këtyre zërash ka veç jet’
    DY UNAZAT
    Me dy rrugë, krijuam një udhëkryq takimesh
    Orën , minutin , sekondat i vendosëm mbi puthje
    I lagën me lotët vezullues të dashurisë
    Nën një pemë, afruam dy degëza gjelbëruar
    Këputëm gjethe të skelëtuar si pëllëmbët
    Ndjemë kundërmimim e luleve akacje
    Më the, se shikoje vetëm sytë e mi
    Të thash, të hidhje shikimin qiellit
    Fjalët tona i morën dallandyshet
    Me ato fije fjalësh ndërtuan foletë
    Dhe thurrën dy unaza të arta kashte
    Na i dhuruan një natë të ftohtë dimri
    Kujdesesha të mos digjeshim
    Kujdeseshe të mos humbisnin
    Dy unazat një ditë i pamë në qiell
    MELODI TË LARGËTA
    Sytë e një nëne, mbushur vezullim.Asnjë fëmijë pranë
    Larguar dy djemtë janë në mërgim.Zemra lot i mban
    Merr një grush dhe’, do ta nis larg.Dhuratë për ata
    Malli i djeg shpirtin, vitet e lënë shkret. Djemtë ku i la
    Ky mërgim mallkuar, larg tokës mëmë, qumështit bekuar
    “Oh, pëshpërit gjatë…Dheu është ar, për bijtë e tij
    Ejani!!!… o zemër, këtë mal malli, shëmbe përgjithnji
    Melodi dëgjon, si një fëshfërim gjethesh pyllit tharë
    Del në prag të derës, po nuk sheh njeri, kur do t’vijnë vallë
    Kur kjo zemër lodhur nga pritja e gjatë, do të hesht, pushojë
    Kush lakmon mërgimin, ka dhe mallkimin, nënën e dënoi
    Po çahet dhe guri, kjo dashuri nëne, qënka zjarr dhe flakë
    Ulet dhe dëgjon, melodinë kërkuar, nëna në atë prag
    Një mëngjes po mbrijnë zogjtë nëpër degë, po ngrenë fole
    I shikon nëna, e dëgjon dhe toka, bir, ti ku je
    “Eja, shuaj mall, eja të shoh sytë që të mos verbohem
    Eja porsi zogu, në folenë tënde, unë pres të gëzohem
    Se në vatër, janë buka dhe kripa, është dhe dashuria
    Toka jonë prush, është e bekuar nga vet Perëndia…
    GUR I THYER…
    Në portën e shtëpisë së vjetër
    Ishte një gurë i madh ngjyrë hiri
    Aty uleshim mbrëmjes dhe bisedonim
    Për ngjarjet e ditës dhe ëndrrat
    Kështu kaluan vitet dhe u rritëm
    Mbi atë gur lamë shumë mendime
    Dhe dëshirat ai na i mbante brenda
    Për të na i kujtuar sa herë e shihnim
    Guri i rritjes..guri i dhembjes, i dashurisë
    Sa herë takimet aty i linim dhe prisnim
    Të shpërthente prej tij lule e shpirtit
    Ai heshtëte..heshte guri dhe shiu e lante
    Ne e vishnim me fantazinë tonë
    Një ditë..pas shumë vitesh guri u thye
    Më thanë se një vetëtimë kish qëlluar aty
    Ishin tërbuar retë dhe bubëllimën dërguan
    Qëlluan në zemër të gurit për ta vdekur
    Ai ish ndarë në dy pjesë dhe thërrmija
    Si buka në sofrën e ngrohtë për miqtë
    E prej aty sa shumë lule ëndrrash çelën…
    *****************************************
    *****************************************************
    Elisabeta Marku
    Shpirti
    -tregim-
    Mendova se ishte ëndërr. Sepse në të kundërt si shpjegohej që po flisja me një shpirt.Gjendesha në një vend që s’e njihja, por mbi të gjitha përpara një hijeje që përpiqej të komunikonte me mua. -Pse vdiqe? e pyeta. Edhe pse ishte vetëm një shpirt m’u duk sikur po i mbusheshin sytë e tejdukshëm me lot. E doja jetën shumë, po aq shumë sa e urreja. Gjithmonë mendoja se s’do të vdisja kaq shpejt. Kisha ëndrra shumë… aq shumë ….por u rrokullisën gjërat në mënyrë të paimagjinueshme. E di pse më vjen me të vërtetë keq?….sepse nuk realizova as edhe një nga tëre ato ëndrra që kisha. Akoma s’po e kuptoja se ç’doja unë përpara një shpirti ,në vend që të isha buzë lumit ku kisha shkuar me qëllim që të kthjelloja mendimet e mia. Ajo filloi të këndonte vargjet e një poezie 
    the world may say,you’re just a sentimental fool….
    tear drops and roses,will be my legacy
    Po mendoja se ku e kisha dëgjuar një këngë të tillë….mu kujtua, ishin vargjet e James Eliott-it. -Kur ke vdekur ?-e pyeta nga padurimi. Po mendoja mbase ajo kishte jetuar në të njëjtën kohë me Xhordano Brunon, ose në të njëjtën kohë me Wolfgang Goethen, mbase mund të kishte luftuar krah për krah me Zhan’Dark, ose mund të kishte takuar Fidrih Nietzchen në kohën që ai jepte mësin në universitet….mbase mbase ka jetuar në të njëjtën kohe me mua. Po ajo ku i ka dëgjuar poezitë e Eliottit? Kam vdekur që nga momenti kur filluam të flisnim bashkë. Hahahaha ia filloi një të qeshure të pafajshme, por pse ajo e qeshur më kujtonte veten time kur qeshja edhe kur s’ishte për të qeshur. Sa kisha vuajtur kur ajo e qeshura s’kuptohej nga të tjerët. Gjithmonë i kam konsideruar njerëzit përreth meje fantazma dhe tani po flisja me të vërtetë me një fantazëm. çfare ironie. Cdo gjë mund të ndodhë në këtë botë përderisa nuk ekziston asnjë qenie e mbinatyrshme që të vendosë rregull.
    -E di ti-më tha-që edhe kur një trup lëviz prapë nuk lëviz? U habita. Ajo kishte qenë një nga temat e mia më të preferuara për të biseduar me ndonjë njeri jofantazmë. Këtë teori kishte hedhur Zenoni nga Elea për t’iu kundërvënë mbështetësve të Parmenidit që thoshte se NJESHI është i pandarë. 
    -Nga e ke degjuar këtë? I thashë. Prapë ia dha një të qeshure , por këtë herë tallëse.
    -Sapo kam vdekur , a s’e shikon që akoma emetoj energji, ose më saktë nxehtësi, sepse nxehtësia është një formë e energjisë.
    Tani më doli që shpirti me të cilin po flas paska idetë e mia. 
    -Pse vdiqe?- U vetëvrava, sepse edhe nëse do t’ia arrihet në kënaqjen e të gjitha kërkesave të dëshiruara me vullnet, përseri njeriu do të jetë i vuajtur, i trishtuar dhe jo i lumtur.
    Kjo ishte teza e Shopenhaurit për jetën. Sipas tij jeta ishte vuajtje. U futa në mendime sepse ajo po thoshte të njëjtat gjëra që kisha thënë unë dikur. E prekja fytyrën por nuk ndjeja gjë prej gjëje. Mos po çmendesha. Ndihesha shumë e lehtë dhe….Më vjen keq për ty Luja:-më tha ajo duke më parë me keqardhje.
    Po ti nga e di emrin tim?-e pyeta e nervozuar.
    Unë di çdo gjë për ty. Cdo gjë. A të kujtohet pse erdhe e trishtuar pranë lumit? A të kujtohet çfarë kishe pirë? A të kujtohet fytyra e…?
    Pusho ! s’dua të dëgjoj asgjë. S’është e mundur………jo s’mund të jetë e vërtetë.
    – Unë jam ti Elisa . Unë jam shpirti yt.
    Dicka brenda meje u thye në miliarda copa dhe këto copa i mori era….i çoi larg, në një vend që unë s’do të kisha kurrë më mundësi t’i merrja mbrapsht. Po qaja, u afrova pranë trupit tim që qëndronte i shtrirë buzë lumit. Isha unë, e pajetë në një botë plot jetë. Pranë meje notonin peshqit, këto krijesa të vogla që mbanin mend vetëm dy minuta. Gumëzhinin gjingallat në pemët e larta, disa zogj fluturonin si shigjeta në ajrin e ngrohtë. Përreth meje ecnin pa pushim milingonat e vogla, të cilat tani ishin 1000herë më të mëdha se unë ,për të vetmen arsye se ato ishin gjallë ndërsa unë e vdekur. Po tmerrohesha se në qoftë se të afërmit e mi nuk e gjenin trupin tim shpejt, dekompozuesit,krimbat do ta gllabëronin mishin tim. Po zgjohu, moj idiote! I thashë vetes time, por trupi im ishte aty përpara meje , nuk lëviste dhe as nuk do të lëviste kurrë më..
    Kondi Ilia
    Mëngjes
    Rrëshqiti rreze e diellit në Tokë
    mes njerëzish,
    Shumë e përthithën, 
    si bleta ndër lule pjalmin,
    Të tjerë nuk e deshën, 
    Shumë e urryen
    Shpirtin me mjegull e veshën. 
    Mëngjes i ri,
    Rreze e diellit, dhuratë e Zotit,
    Si një buzëqeshje…
    Si një deshirë përrallore Aladini,
    Në ketë mëngjes,
    Une e ti.
    Pranë, 
    Me rrezen tonë…
    Dashuri.
    Këtë natë pa ty
    Më mbërthen vetmia pa ty,
    Luleve nuk ua kuptoj ngjyrat larg teje,
    Nuk i këpus dot gonxhet e pacelura
    S’kam kujt t’ia dhuroj,
    Aromën e tyre në shpirt e mbaj,
    Për ta nxjerrë nga buzet kur ty të të takoj. 
    Më mbërthen vetmia pa ty,
    Bota përreth gumëzhin e jeton,
    Veç shpirti im i trazuar
    Me valë malli për tek ty vrapon.
    Më gërryen zemrën dashuria
    larg teje, 
    Trupi im shkërrmoqet si një mal përmbi lumë,
    Kërkon universin ndër kujtime
    Edhe këtë natë pa ty… 
    Poezia do të më lërë pa gjumë.
    Elona Tabaku
    E TETA MREKULLI
    Syri yt i bukur, 
    perlë e zezë e çmuar. 
    Diell përvëlues, 
    kristal i kulluar. 
    Agim i artë dielli. 
    Dritë plot verbim. 
    Pamje dehëse qielli, 
    në të ëmblin perëndim. 
    Një erë e tërbuar. 
    Një det në stuhi. 
    Një qiell i përvëluar. 
    E teta mrekulli. 
    DET I KALTËR, I ZI 
    Vala puth bregun ngadalë. 
    Qielli puth detin në ballë. 
    Shumë njërëz qajnë mbi valë. 
    Qajnë plot dhimbje, plot mallë. 
    Shpirtra rënkojnë në fund. 
    Anijet shkelin mbi varre. 
    Njërzit vajtojnë pafund. 
    Qajnë ngea dhimbja e madhe. 
    Det i kalter i zi, 
    Ke eshtra dhe shpirtra në fund. 
    I more shpirtrat në gji, 
    Dhe eshtrat ngadalë i tund. 
    Në gjunjë ty të përulem, 
    Këngë vaji të thur,
    S’dimë ku të mbjellim një lule, 
    S’dimë ku të vëmë një gur. 
    Ujë dhe kripë ke plot, 
    Ç’tu deshën lotët tanë? 
    Mbi ty u derdhën shumë lot,
    Mbi ty shumë njerëz qanë. 
    RËNKIMI I TOKËS
    E zezë nata pis, rrëshket 
    Mbi sipërfaqen e qiellit blu 
    Si boja në ujë, dhe qielli nxihet. 
    Në një heshtje vdekje, qyteti fle 
    Nën pelerinën e zezë 
    Të natës, që çahet 
    Nga i vetmi meteor i zjarrtë i qiellit. 
    Dhe heshtja e brishtë, thyhet 
    Si kristal i çmuar 
    Nga i tmerrshmi rënkim i tokës. 
    LULËZIM DASHURIE 
    Dhe zemra bëhet shpend, 
    E nis shtegëton mes reve. 
    Dhe jeta vite derdh,
    Ndez zjarre prej rrufeve. 
    Dhe shpirti im buçet,
    Vullkan që llavë lëshon. 
    Kjo llavë mbi trup rrëshket,
    Dhe zemrën ma përvëlon. 
    Dhe zemra digjet zjarr, 
    Zjarri shpirtin ma shkrin, 
    Ma shkrin dhembjen acar, 
    Dhembjen e shpirtit tim. 
    Dhe zemra troket prap, 
    Dhe shpirti nis jeton, 
    Nga trungu i pemës së thar,
    Një degë e re lulëzon. 
    DALLGA E JETËS 
    Dallga e jetës më përplasi 
    Në shkëmbinj e nëpër gurë. 
    Por dot s’arriti të më vrasi, 
    Nuk më gjunjëzojë kurrë. 
    Edhe pse nëpër moçale, 
    Shkëlqimi kurrë nuk m’u shua. 
    Ja tek jam ende e gjallë, 
    Floriri në tunxh nuk u shndërrua! 
    DY LOTË
    Qiriri jep shpirt, 
    Në një dhomë të nxirë. 
    Derdh lotë e drit, 
    Mbi trupin e ngrirë. 
    Një fëmi i mitur, 
    Gris heshtjen e ftohtë. 
    Derdh lotin e ndritur, 
    Derdh lotin e ngrohtë. 
    Zjarri vdiq ngadalë,
    Ngadalë u bë hi, 
    Erë fryn mbi vale, 
    Mbi valë bie shi. 
    Qan fëmija i mitur, 
    Qiriri i bën shoqëri. 
    Shket loti i ndritur, 
    Loti i nënës së tij. 
    Dy lotë dëshpërimi, 
    Dy lotë plot trishtim, 
    Qan nëna nga mjerimi,
    Qan foshnja për ushqim. 
    ********************************
    STATUSI AKTUAL I KRITIKËS LETRARE. 
    A KA KRITIKË TË MIRFILLTË SOT PËR SOT
    Nga VASIL TABAKU 
    Nëse do të flasim për kritikë lëtrare të mirfilltë, mendoj se kjo kritikë në Shqipëri, aktualisht mungon. Në vend të saj ka disa “qoka” të miqëve apo disa njerëzve të interesuar për autorin që bëjnë vetëm ca shënime me lëvdata. Në ndonjë rat këto lëvdata e kalojnë sensin e masës dhe e paraqesin autorin sikur të jetë një gjeni, një zbulim në fushën e letrave shqipe, kur në të vërtetë është thjeshtë një krijues I rëndomtë pse jo dhe mediokër. Mungesa e kritikës profesioniste si për letërsinë ashtu dhe për artin në përgjithësi, mendoj se ka sjell një pështjellim të madh tëk qëndrimi estetik dhe vlerësues I lexuesit të mirwfillt. Nuk flas këtu për lexuesin e kualifikuar, pasi ai di mirë ta bëjë vlerësimin e veprës së lexuar, unë flas për ata qindra mijëra lexuës të thjeshtë qe manipulohen nga gjithfarë lloj grafomanësh.E meqë jam në këtë pikë, do të bëja apel për një qendrim më korrekt dhe racional të atyre që marrin mundimin të bëjnë shënime për librat, pse jo dhe më të përgjegjëshëm në vlerësimet që bëjnë për autorë të ndryshëm.Në kohëzgjatjen e karrierës sime krijuese, ka patur disa raste keqkuptimesh, nëse do ti etiketoja kështu.Përgjithësisht këto keqkuptime kanë ardhur nga mediat e shkruara apo audiovizive. Këto media e kanë shëndruar në biznes lancimin e mediokritetit në letërsi dhe në art duke marrë shuma të konsiderueshme lekësh…dhe padyshim që kjo përvecëse është e trishtueshme për të gjithë krijuesit serioz dhe të talentuar, por mbi të gjitha është një superfyerjë dhe shkelje e cdo etike qytetare dhe mediatike.Por c’t’I bësh ja që kjo ndodh dhe është mjaft refraktare ndaj cdo vrejtje që ne bëjmë për këtë fenomen sa grotesk aq dhe të papranueshëm.Praktika të tilla ndaj letërsië dhe artit në Shqipëri duhet të marrin fund, pasi këto lloj praktikash dëmtojnë rëndë imazhin e vërtetë të Letërsisë dhe Artit.
    ********************************************
    Valter Dauti.
    KOHË ZGJEDHJESH.
    Zbrazi butë një zog stomakun përmbi posterin që qesh,
    I pafajshëm çau retë, për të ikur tej ndër re,
    Kandidati që shkëlqente,me gëlasën përmbi vesh,
    Dukej bukur me natyrën, që ca gjëra brenda fsheh.
    Fryu erë,u çorr stuhia,tej e tej shplau gjithçka,
    Gjithëngjyrëshit flamuj u tulatën nën neonë,
    Në qytet,krejt hijerëndë,fuqiplotë qetësia ra,
    Më flamujt s’u valëvitën, nëpër mbrëmje,ishte vonë.
    Hesht tribuna me dërrasa,mesqytet si arkivol,
    Ç’turmë do vijë sërish ta shkelë, me premtime e brohërima,
    Orë e heshtur,lart selie,tani s’kryen asnjë rol,
    Ky qytet gërhet në dhimbje,përpëlisje,regëtima,
    Shpirt i dhembshur i njeriut që lëviz i çoroditur,
    Varet flamujsh të reckosur edhe duket se s’ka frymë.
    Kur të heshtë në përtëritje, brohorima që ka nisur,
    Krejt i thinjur është qyteti, për simbol ka vetëm brymë.
    GJENEZË.
    Te ky vend,ku mullinjtë bluajnë sëprapthi,
    Ngaqë edhe erërat së prapthi fryjnë,
    Mua edhe ty,na paska qëlluar fati,
    Të vrapojmë,të zvarrisemi,të marrim frymë…
    Dhe sigurisht,së prapthi hiqemi ndër rrugë,
    Zvarrisemi së prapthi,të arrijmë ku s’qemë,
    Në teproftë…përtypim një koriçkë bukë,
    Në na lënçin të qetë,një copë herë dhe flemë…
    Te ky vend i bekuar, me gjenezë gaforresh,
    Për çudi,edhe deti,po ikën së prapthi…
    Ne zvarrisemi të dy,në territor toreadorësh,
    Ku me ligj të ndalohet, të provosh ç’është vrapi.
    TI, NESËR KE DITËLINDJEN…
    Do t’i shkul të gjithë trëndafilët e planetit,
    Për t’i mbjellë sërish,në puthjen tonë të parë.
    Ti,zemra ime, që sigurisht ke lindur ditën e qejfit,
    Je përjetësisht, me vezullime vese e larë.
    Ti,zemra ime,më ke ndjekur me hapin tënd të shkurtër,
    Tek jam arratisur nëpër arratira të pa para poetësh…
    Dhe,çuditërisht,duke qeshur,më je shfaqur e bukur,
    Me buzëqeshje trëndafilash nga të gjithë planetët.
    Ti nesër,ke ditëlindjen,e dashura ime e praptë,
    Ndaj…do t’i shkul të gjithë trëndafilët e planetit!
    Dhe,do të dal…i dehur… vetëm…nëpër mesnatë…
    T’ia hedh në fytyrë,atij që s’na deshi…qytetit…!
    LASGUSH PORADECI.
    S’është monument.Është Perëndi,
    Se qesh, këndon edhe sfidon,
    Mbi valën-prush-ngrihet Ai,
    Ndrit mbi Liqen si Posejdon.
    Si ëndërr mbi sy-Kaliopi,
    Eratoja, ledhet ndër muzg,
    …ndër ëndrra roit Poradeci,
    Tej,Mal’ i Thatë,dremit si murg.
    Pa,Apoloni (Muzagjeti !)
    I rri mbi varg,si profeci,
    Hap gjoksin-shpirt-e-zjarr-Poeti,
    Një Afërditë-përkund në gji.
    Është shpirt poetësh I florinjtë,
    Që mbron,këndon dhe thur lavdi,
    Është muzë e lindur nga Hyjnitë,
    S’ka asnjë tjetër,ku është Ai.
    Ndaj s’ka nevojë të ketë muzera,
    Të ngritur nga ca të pamendtë,
    Muze shpalos ,teksa fryn era,
    Për të,Liqeni i Argjendtë.
    Muze shpalos krejt Perëndimi,
    Tek digjet lehtë mbi Pogradec,
    Me një firomë frymëzimi,
    Rend Mal’ i Thatë si një kasnec.
    Muze janë pulëbardhat-ëngjëj
    Me retë në krahë, në argjendim,
    Muze është bregu që qesh ëmbël,
    Te ,valëza, puth me lajkatim.
    Te,…trak e trak,bastun i sertë,
    Ndjek ëmbël mbrëmjet ngjyrë bruz…
    Është bronz,mermer,është i etertë,
    Është Zog i Qiejve!Është Zeus !
    Petrit Shehu
    Mall i Vendlindjes
    Kaq shumë larg teje kam ikur,
    Sa malli çdo ditë më këput!
    Ta njoh çdo shteg, ta dish
    Dhe natën ta gjej çdo skutë…
    Dhe gurët e kalldrëmit t’i njoh,
    Që netëve t’I kujtoj aq shumë
    Sa here në to gjunjët përplasur,
    Kujtohem, por jo s’gjej gjurmë
    Nga këtu ku jam, aq shumë të ndiej, 
    Çamarroku yt që shpinën s’ta kthej,
    S’e fsheh dot lotin për ty,
    Ndonëse burrëruar, fëmijë vij te ti….
    Arma dhe paraja
    Njëra prej hekuri, 
    Tjetra prej letre, 
    Njësoj vrasin!
    Arma mbart zjarrin,
    Paraja i fryn zjarrit,
    Njëra pjellë e njeriut, 
    tjetra e djallit!
    Arma të shuan ëndrrat
    Paraja s’të le 
    të shohësh ëndrra.
    Shkëmbi dhe dallga
    Si gjithmonë dhe këtë herë 
    Dallga shkëmbin se le të flerë
    Utërin dhe përplas flatrat blu
    Për të thënë se jam këtu.
    Shkëmbi i motshëm thotë e ka kot
    Se mua nga vendi s’më loz dot
    Veç më freskon sa here vjen e shkon
    Shfryn inatin me mua
    Se tutje dot s’kalon
    Monolog për detin
    Pushimet mbaruan shpejt
    Dhe më duhet të largohem nga ti,
    E di që s’thua kurrë ik
    Se ke zemër të madhe
    Pastaj:
    Më zure, e të zura…mik
    Një gjë veç ta premtoj
    Se do kthehem sërish tek ti
    Për kujtim s’di ç’të jap
    Veç me vete po të marr
    Kaltërsinë tënde, në sytë e mi…!
    Mbesës Time
    Ti vjen tek unë
    Si puhizë e mbrëmjes,
    Si fllad mëngjesi.
    E zhurmshme ngaherë
    Sikur enkas
    Kërkon të na prishësh
    Të padëshiruarën “Qetësi”
    Dhe befas si me magji,
    Të na heqësh vitet mbi supe
    Ku të gjithë, papritur
    Bëhemi si…fëmijë
    Një Gardelinë, që kam në kafaz,
    Kur vjen ti, bëheni dy…
    Zarët…
    Zarët e vegjël, në numër shumë…
    Vendosën të ankohen se mbetën 
    Pa punë.
    Të paktën thane ta dime kush na zbras
    Kuletën
    Dhe ta marrim vesh, njëherë e mire, të vërtetën
    Bashkë si ishin bletë e mizëri
    Na i shkuan gjyjatësit drejt e në shtëpi
    Sa i pa gjykatësi tek dera u foli, 
    Ju të tjerët shkoni, 
    Me mua ka punë, vetëm…kaqoli
    SA HERË PËRPLASET DERA
    Nga NIKO GJONI
    Në të vërtetë natyra e një shtëpie duhet të jetë e lidhur me faktin që të shërbejë si vend qetësie, strehimi, por dhe për tu mbrojtur nga çdo padrejtësi, nga çdo frikë e dyshim…Këto kisha mësuar me kohë sa isha beqare.Për shumë vite, derisa u njoha dhe u dashurova me Nduen, mendoja se isha një vajzë e lumtur.Tek harmonia e prindërve të mi gjenim qetësinë të tre ne fëmijët.Vitet kaluan dhe vëllai e motra tani jetojnë me familjet e tyre jashtë shtetit.Unë isha e vogla.U njoha me Nduen, ardhur prej vitesh në Tiranë dhe që merret me biznes.Mu duke tip interesant.Sa herë që vinte nga rrugët që bënte për zhvillimin e biznesit të tij më sillte dhurata…Epo, thash.Edhe unë këtu nuk jam pa fat.Ajo që më shqetësonte ishte komunikimi me prindërit dhe vëllain e Nduen.Konceptet e tyre, trajtimin me konservatorizëm i jetës më bënte të mendoja se akoma tek ta jetonte mentaliteti për të sunduar, për ta trajtuar gruan si një pronë të tyre, me të cilën mund të bëjnë ç’të duan.
    “Epo, mendoja.Ndueja është tjetër.Ai ka pesëmbëdhjetë vite në emigrim dhe di të dallojë konceptimet për të sjellë në jetën bashkëshortore një harmoni të duhur dhe për të krijuar lumturi në çift.
    Është e vërtetë që lumturitë ngjajnë me njëra-tjetrën, por fatkeqësitë kanë natyrën e tyre të veçantë.Nuk e kisha menduar asnjëherë që pas martese gjithçka në shpirtin tim do të errësohej.Dhe ndodhi shpejt.Pa mbushur akoma një vit martesë nisën debatet.
    “Ne kemi zakonet tona..Në shtëpi komandon burri, më bërtiti Ndueja ndërsa ishim ulur për të ngrënë drekën. Deri atëhere s’e kish aparë asnjëherë të sillej në këtë mënyrë.Tek ne kishte tre-katër ditë që kish ardhur e ëma dhe ndofta dëshironte të dukej “burrë” në sy të saj.U trondita shumë.Hapa sytë, jo që s’e prisja, sepse po dalloja tek ai se nuk ndryshonte shumë nga i vëllai,( kur bëheshin bashkë dhe bisedonin me të afërm) por nuk e mendoja të fliste ashtu të më poshtëronte pa tëdrejtë.AjE ëma, si triumfatore, u ngrit nga vendi ku ishte ulur, hoqi shamin e zezë që mbante në kokë, regulloi dy gërshetat e holla që i lidhte pas, dhe më vështroi duke shtrembëruar buzët.
    “Të gjithë ne gratë e dimë…Burri është burrë në shtëpi..
    “Sigurisht, thash.Burri është burrë dhe gruaja grua…
    Nënë e bir u panë në sy.Ndueja doli duke përplasur derën e apartamentit, ndërsa e ëma mbasi bërë dy-tre rrotullime nëpër shtëpi, zuri vënd në kolltuk dhe po shikonte në televizor një telenovelë turke.
    “Të pëlqejnë filmat turk?, e pyeta si për të regulluar ambjentin.
    “Më pëlqejnë, më pëlqejnë, por edhe këta i kanë prishur zakonet…
    “S’ka më zakone tani.Secili përpiqet të regulloi jetën e vet…
    “Po..po një grua pa burrë nuk bën asgjë..Prandaj dhe martohet..
    Nuk e pashë me vend të debatoja sepse s’do të fitoja asgjë nga biseda me të që kish banuar prej gjashtëdhjetë viteve në fshatin malor, veçse do të acaroja nervat e mia.
    Në mbasdite erdhi tek ne mamaja për të respektuar vjehrrën time .”Do të vijë të takohem me krushkën”, më kish thënë dy ditë më parë.Nëna e Ndues as që lëvizi nga vendi.U ngjit më sipër në kolltukun e madh duke krijuar vend dhe për mamin duke iu drejtuar me sy..
    “Po Ndueja?, më pyeti mami.
    “Doli…E dielë sot dhe duhet të shlodhet…Një javë të gjithë duke punuar…, iu përgjigj nëna e tij.
    Mami lëvizi pak nga vendi dhe e pashë që u vërejt në fytyrë.
    “Edhe Ledia punon..apo jo…Pse nuk dolët të tre bashkë?
    Mes nesh ra heshtja.I thash mamit të qëndronte për drekë mbasi ora po shkonte një.
    “Mirë do të bëje, u hodh nëna e Ndues.Jemi bashkë..llafosemi…
    Mami më vështroi dhe unë iu luta të qëndronte.Biseda për fëmijët kalonte nga një problem në tjetrin.
    “U mbush viti që janë martuar dhe nusja s’ka akoma gjë. Dukej se po ankohej vjehërra ime.
    “Mirë është të kenë fëmijë..por sot janë të gjitha mundësitë të lindin në çdo moshë..Pas nëntë vitesh lindi nusja e tim biri..
    Nëna e Ndues u ngrit pa folur.Tundi fundin e zi me rrudha dhe kaloi në dhomën e gjumit.Nuk e kuptova përse duhet të shkonte atje.U ul para pasqyrës dhe regulloi sërishmi shaminë e zezë.
    Në mbasdite mami u largua.Më pyeti përse Ndueja po vonohej kaq shumë dhe i thash sekohët e fundit kjo është e zakontë për të.
    “Nuk më ke thënë gjë…?, tha mami tek pragu i derës e mërzitur.
    “Njësoj është..Mendon t’i japësh këshilla një tridhjetë e pesëvjeçari.
    Mami i Ndues ndenjë dhjetë ditë me ne, dhe nga ajo nuk pata asnjë lloj kënaqësie.Vetëm urdhëtonte dhe përsëriste se gruaja prandaj ka lindur, t’i shërbej burrit.Pas sistemimit tonë në Tiranë dhe blerjes së apartamentit, Ndueja nisi të lidhej edhe më shumë me të afërmit e tij.Ftonte kohë e pa kohë të vinin nga shtëpia.Shtrohej tryeza me meze e raki dhe unë shërbeja për tu bërë qejfin atyre.Desh tu tregonte të afërmve se jeta e tij kish ndryshuar..Po a kish ndryshuar në të vërtetë?!
    Ditët me Nduen po bëheshin gjithnjë dhe më të mërzitshme.Mbrëmjeve, ndodhte të vinte në shtëpi kur mua më kish zënë gjumë.Zgjohesha pasi dëgjoja të përplasurën e derës.Bënte dushin dhe shtrihej shpesh duke gulçuar dhe nxjerr atë erë rakia që më turbullonte. Në këto kushte ngrihesha dhe shtrihesha për gjumën në kolltukën e madh tek salloni i pritjes.
    “Unë s’mund ta duroj më!, i thosha vetes sa herë që Ndueja kthehej vonë dhe i skuqur flakë në fytyrë nga pija, shtrihej pa shkëmbyer asnjë fjalë dhe jargosej.Por kur e shikoja ashtu në dhomë, më dukej si një mashkull i pambrojtur nga jeta e bërë.Ndofta do të ndryshojë, ngushëlloja veten.
    Një mbrëmje të vonët iu luta Ndues të uleshim dhe të bisedonim.I thash se nëse vazhdonte kështu do t’i kërkoja divorcin..Ai u shpërfytyrua dhe më qëndroi si shqiponjë përballë gati për të më sulmuar:
    “Çfarë të mungon..Më duket se të kanë zënë sytë të mirat…Këto fjalë i thoni ju nga Jugu, por dhe ne nga malësia.Po të ushqej me qumësht dallandyshe.Mëngjesi, qumësht, çaj, mjaltë, vezë,gështenja, arra..Për drekë frigoriferin e ke plot me të gjithë llojet e mishit e sallamra nga më të mirët….Nuk të lodhet koka për asgjë..Në darkë shikon dhe ha çfarë të duash…
    E vështrova gjatë Nduen.
    “Sigurisht që s’më mungojnë..asnjë shtëpie që punojnë burrë e grua nuk u mungojnë komodimet, veshja dhe ushqimet..Për këto paske pasur nevojë që të jetosh me grua…Ushqimi i vërtetë i njeriut është gjendja shpirtërore..Një vit martesë dhe ti kthehesh në shtëpi në mes të natës..dhe nuk më thua asgjë se ku ishe dhe me cilë..
    Ndueja u tërbua.U ngrit në këmbë dhe më drejtoi gishtin tregues:
    “Ti më duket s’je mirë.Je dhe xheloze..Pa shiko…Jam burrë a si?Tek ne këndon këndezi..jo pula..Shiko shtëpinë dhe mos dil shumë sa tek mami dhe motra..I marr vesh të gjitha…
    Më erdhi për të qeshur dhe nuk po e besoja që ai i kishte seriozisht këto fjalë.
    “Po mirë..Ndahemi, gjej ndonjë pulë që të pres këngën e këndezit në mesnatë, i thash dhe u shkreha në vaj…
    “Dale-dale, mos i merr të gjitha seriozisht më tha…Jemi mirë, pse të ndahemi..Një fjalë goje..po është më e rëndë për ty…Dyert e gjyqeve aty janë.…Edhe kryetarët e shteteve nuk hanë më mirë se ne…Dhoma e gjumit, shiko…Kolltukë e gjithë komoditetet që e bëjnë jetën e gruas shumë të lehtë…I ke rrobat palë –palë…Po edhe mua nuk më mungon asgjë..Po shkoj në palestër dy herë në javë ta kem trupin në formë..Edhe në dashuri nuk jam keq..Kur bëjmë seks të kënaq apo jo..Përse të mendosh divorcin..Sa herë të duash seks më ke gati…Oh , harrova..Të kam sjellë dhe një krem për vaginën tënde..Ta tkur dhe të sjell në qejf për pak sekonda…Na bën mirë të dyve…dhe qeshi duke me hedhur pëllëmbën e madhe në sup…
    “Apo, mase s’i meriton të gjitha këto…
    E ndjeva veten shumë të vogël…Deri atëhere nuk e kisha kuptuar Nduen apo s’i kisha marrë seriozisht sjelljet e dyshimta të tij..Tani që jetonim në një apartament, shumë herë më dukej i huaj.
    Kështu debatet mes nesh bëheshin edhe më të dukshme.Ndueja zgjeroi biznesin duke dalë ditët më të shumta të javës jashtë shtetit.Kur hynte në apartament përplaste fort derën.
    “Këtu je?, më thosh.
    “Besoj se këtë apartament e kemi të dy, iu përgjigja.
    Ai kalonte sa në dhomën e gjumit, në koridor, më shikonte dhe tundte kokën.
    “Ti je dhe shterp, më tha…Kemi dy vite dhe asgjë..Unë kam blerë një apartament tjetër..S’ka pse ta dish..U mbush kupa…Ai tërhoqi nga dollapi rrobat e tij dhe i hodhi në dy valixhe të mëdha…Nuk e di nëse do të kthehem ndonjëherë…bërtiti duke mos i hedhur sytë fare nga unë.
    “Kokën thefsh copa-copa, ti o njeri i pagdhendur, i parregullueshëm, i pariparueshëm, ti..ti mor prototip maloku…thosha brenda vetes…Sa mirë të mos takohemi më, të ndahemi përgjithmonë.
    Ka kaluar kohë që atëhere..Më kanë thënë se Ndueja bashkëjeton me një vajzë nga Malësia…Sa herë që përplaset dera kur fryn erë, më duket sikur akoma në apartament është ai, duke gulçuar dhe treguar se është burrë dhe se ai duhet të vendos për të gjitha..Sa mirë që ky është vetëm një imazh. 
    Kujtim Mateli
    More Naim Shqipëria
    Jetove larg Shqipërisë,
    Bota donte Naim Beun,
    Ti s`mendoje për ofiqe,
    Ti mendoje për Atdheun.
    Shqipëria për Naimin,
    Ishte shpirti, ishtejeta,
    Ishte zë që del nga zemra,
    Ishte rrugë tek e vërteta.
    Në udhëkryq të historisë,
    Fjala jote qe fanar,
    Ishte frymë e ishte shpresë,
    Ishte prush e ishte zjarr.
    Fjala jote u bë dritë,
    Që të zhdukej robëria,
    Fjala jote u bë udhë,
    Ku do ecte Shqipëria.
    Filloi kombi të gjallohet,
    Kish një diell e kish një emër,
    Tani kishte Naim Frashërin,
    Në çdo vatër, në çdo zemër.
    Tek çdo shkronjë e fjalës tënde,
    Kish burimin mirësia,
    Kish fuqinë e kish bashkimin,
    Një e vetme Shqipëria.
    Fjala jote, fjalë e ëmbël,
    I mbush zemrat me blerim,
    Siç e mbush stin` e pranverës,
    Plotë me lule një lëndinë.
    Ndër beteja emri yt,
    Qe qëndresë, simbol lirie,
    Qe shqiponjë, qe flamur,
    Qe ikonë ardhmërie.
    Dhe në çastin më fatlum,
    Kur trokiti or`ezgjimit,
    Profe tmbete për shqiptarët,
    U the: shkoni perëndimit!
    Ecëm ne, ku na drejtove,
    Fjalë zjarrtë e mendje rrallë,
    Ishit Ju që na mësuat,
    Si të mbahet kombi gjallë.
    Nga Presheva, Mitrovica,
    Ku krahët përpjek shqiponja,
    Ku lagin brigjet dy dete, 
    Je e rron në zemrat tona.
    Në Përmet, vendlindjen tënde,
    Je kudo, je midis nesh,
    Tek vështrimi i një nëne, 
    Tek një foshnjë që buzëqesh.
    Mes kallzave
    Shkrova një vjershë
    Për grurin në arë, 
    Vjershën e vura në xhep,
    Një tufë me pëllumba
    Pranë më kaluan,
    Me kokrra gruri në sqep.
    Kur grunjrat do jenë korrur, 
    Vjershën do të nxjerr
    Të shmallem pak me kalli verdhin,
    Pëllumbat mbi kokë
    Prapë do kalojnë,
    Grurin flori do më hedhin.
    Në anë të fshatit
    Në anë të fshatit shtrihet pyll i bukur,
    Tek-tuk për vizitë i shkon ndonjë flutur.
    Një bletë la parkun dhe bëri lart,
    Ta mbushë një bli me dyllë dhe me mjaltë.
    Bletë rritsi e ndjek dhe ajo pendohet,
    Bajamja tund degën dhe ajo i afrohet.
    Nye melodi e ëmbël, ashtu nga pylli çohet,
    Pushon një cast bletërritsi një këngë e re i zgjohet.
    Pushon muzikë e ëmbël dhe zogjtë në pritje rrinë,
    Një djalë i vogël tej po luan mbiviolinë.
    Takim me pranverën
    Në një stol u ula me pranverën, 
    Çfarë më tha? 
    Për çfarë munda ta pyes?
    Dimri shumë plagë kishte hapur atë vit :
    Një peme i ishte shqyer një degë,
    Bokërimës i kishin dalë damarët mavi.
    Megjithatë unë e pyeta pranverën: 
    Si po shkonte me mbjelljet e para, 
    Ku e ngritën zogjtë folenë,
    Si u prit ardhja e dallëndysheve ?
    Druhem ta pyes pranverën më tepër.
    Pse s`më thotë ajo për vjollcat 
    që këputi një i ri për të dashurën?
    Pse s`mëthotë ajo për një tufë qingjash që 
    s`lanë pëllëmbë të livadhit pa shëtitur?
    Pse s`mëthotë ajo për ylberët 
    që luanin në kopësht ?
    Pse s`më thotë ajo për hënën 
    që varej matanë bregut të lumit?
    Pse s`mëthotëpra?
    Po unë,
    A i thashë asaj se do të vij në 
    mbrëmje me të dashurën?
    Ai thashë se kam lënë takim me yjet në male?
    A i thashë të mos flinin lule 
    shqerrat pa perënduar dielli,
    se do të vinte vajzai me e vogël?
    Ai thashë pra?
    Ndenja në një stol me pranverën,
    Nuk mbaj mend atë mbasdite si u ndamë.
    Me asnjës`kasha folur e njerëzit thoshin:
    Është kthyer nga takimi me pranverën.
    Isha fllad që vija nga livadhet,
    Isha fllad që rendja s`dihet se ku,
    Pse më shikonin njerëzit ashtu?
    Një petal qershije e bënte të artë kopsën e xhaketës,
    Dy sy të qeshur-burim i vetëm i dritës.
    Për ku vrapoja?
    Ç`flakëronte së largu?
    Mos digjet pllaja nga zjarret e barinjve?
    Pse u mbush ajri me shkëndija?
    C`po ndodhte kështu dhe unë s`e dija?
    Isha në takim me pranverën
    Basir Bushkashi
    JE TI…
    Nga gjithë parfumet,
    Që ka bota,
    Më i këndshmi parfum,
    Doemos, je ti…
    E ç’duhen më tepër
    Fjalë të kota?
    Për ty që më mbyte
    Me dashuri…
    NJË RE E BARDHË
    Një re e bardhë
    Vetmitare,
    Nga grigja
    Ndarë.
    Rend e përhumbur
    Nëpër qiellin blu.
    Dhe s’di pse
    Mu kujtove ti.
    Mes qiellit
    E tokës
    Në vraprendje,
    Humbur, diku…
    PASQYRË E JETËS
    Pasqyrë e jetës
    Është e çuditshme:
    Gjithçka e ruan
    Gjer në imtësi…
    Doemos, e shtrenjtë
    Për çdo njeri.
    Veç vjen një çast,
    Një çast fatal
    Që gjithçka thyhet
    Copë e çikë…
    O Zot, e largët
    Qoftë ajo ditë!
    -Po ç’mbetet, -do thoni,
    -Ç’mbetet, vërtet,
    Nga jeta e tërë?!
    Veç pasqyrimit
    Që le te të tjerët
    E më pas, një vërrë…
    THIRRJA E AGIMIT
    Buzët
    E agimit
    Puthin majëmalet.
    Po dita,
    Pas maleve,
    Ende s’është zgjuar.
    Aherë agimi,
    Flatradrithëruar
    I bën zë ditës:
    -Po zgjohu, moj e uruar!
    SYKALTRA
    Ç’më erdhi në mendje
    E kaltra rini…
    Dhe një vajzë sykaltër
    Me gërshet të zi.
    Ai vështrim i ëmbël,
    Ai gaz nëpër buzë
    Ende s’më është tretur
    Jetës, nëpër rrugë…
    Eh, si nëpër mjegull,
    S’di si m’humbi larg!
    Veç gjurmës kujtimeve
    Vjen e ikën prap…
    *******************************
    POEZI NGA BAJRAM CANAMETI
    IKËN…IKËT..IKËM
    Si zogjtë shtegtarë ikën bijtë,
    Krahëthyer ,shpirtplagosur,
    Plot mallëngjim.
    Sypërlotur ,foleprishur,të uritur,
    Të uritur e grabitur,
    O ç`mallkim.
    Ikëm,
    Tufa çakejsh,hiena kërleshur,
    Thonjshqyes dhëmbëpërveshur
    E grisën,e zhveshin,
    Atdheun gllabëruan
    Ata që sunduan.
    Ikën,
    Se idealet janë shkrirë,
    Ëndrrat mes dimrit kanë ngrirë,
    Shtegtojnë në mërgim,
    Plagë pa shërim,
    Për një tjetër jetë
    Pa ide të shtypura,
    Pa ngrica të mykura,
    Një diell pa djaj,
    Të shërojnë ëndrrat e thërmuara.
    Ikët nga toka shqiptare,
    Me vete morët
    Mallin e atdheut 
    Me dhimbjen vrastare…
    MËSUESVE
    Do këndoja për ju, mësues,
    Udhëtarë të universit,
    Një këngë të thjeshtë me duf,
    Një himn për të thjeshtët.
    Uji ,ajri dhe dielli
    Vijnë tek ju me forcën e zgjimit,
    Dhe çelsa horizonti shpërthejnë
    Dyert e mendimit.
    Kur burimi i shkretëtirës
    Del papritur prej fjalës,
    Urtësia që del prej së mirës
    I ngjet një planeti të afërt.
    Atë ju e bini pranë
    Ta vizitojnë mendjet e njoma,
    Në zjarr ndjenje të paanë
    Ngrohet për ju kënga…
    GJUHA SHQIPE
    Kur u krijua Kopshti i Edenit
    Lindi gjuha shqipe,
    Dhe ylberi mbi të ecte
    Duke e rritur.
    Nëpër udhë hëne erdhi,
    Erdhi nëpër rrugë Dielli,
    Dhe sa zjarr me të ndezi
    Fishta dhe Naimi.
    Lumë me yje shtegtoi,
    Kjo gjuhë martire,
    Dhe me gjak germat shkroi
    Nga kohrat ilire.
    Statujë pritje me ar malesh,
    Nanë e gjuhëve të dijes,
    Herë merr ajo hov dallgësh,
    Herë buzëqeshje fëmije.
    Bedena hijesh rrëzoi,
    Kjo gjuhë perëndie,
    Genin shqiptar lartësoi
    Siç i ka hije…
    POETI
    Cigarja digjet,
    Buzë e plasur piqet,
    Mendimin tjerr,
    Poeti.
    A thua ka globin në shpinë
    Kur vrapon ta gjejë njerinë,
    Gris një copë qiell
    Merr një pash diell,
    Në fjalë e mbjell.
    Dhe ura fjalësh ngre
    Për ndasitë njerëzore,
    Nuk fle gjëkundi, në fjalë zgjohet e fle,
    Me dhimbjen madhështore…
    MJERIMI
    Zinxhir i rëndë,
    Det i thellë,
    Thikë në zemër,
    Mjerimi.
    Breshër i çmendur
    Dimër i tërbuar,
    Thërrmi ëndrre në duar.
    Greminë e thellë,
    Vjen shpresa
    Një lule në të të mbjellë…
    KAMBANA KUMANOVË,
    Kambana Kumanovë
    Kobin s`e pranon,
    Pëllumbi me flatra diellore
    Në zemrën e saj rron.
    Me kob gjahtarët mizorë
    Gjak derdhën.
    Kambana Kumanovë 
    Ia jep tingullin jetës.
    Kumanovë Dardane,
    Nuse iliriane,
    Për ty flasin muret,
    Rrugicat flasin,
    Egërsirat erë gjaku
    Nuhasin.
    Lagja e Trimave
    Kobin se pranon,
    Tradhti e vrimave,
    Mjeron.
    Pëllumbat me rreze diellore
    Flatrojnë tingujt si Kambanore…
    FLAMUJ
    Flamuj partiake,
    Portrete, postera,
    Ca njerëz tek dera,
    Dhe dyer të mbyllura.
    Në kazanë gërmojnë lypsarët,
    Flamur i partive s`u jep shpresë,
    Përpëlitet jeta mos vdesë.
    Farë gënjeshtrash rriten
    Pemë e helmuar mbin,
    Flamuj partiakë mbështjellin ditën
    Si qefin…
    Gjon Necaj
    Dy hapa përpara, tre hapa prapa…
    Njëzet e ca vite kështu kam ecur,
    Për të çvarrosur marrosjen historike të rrëjshme;
    Më në fund arrita aty,
    Ku gjyshi im nën hijen e kullës ,
    Me shekuj kish mbetur…
    Shtatë dekika sa shtatë shekuj…
    Shtatë dekika u deshën ,
    Të përmbysej Troja e lashtë;
    Për shtatë dekika malësorët e mi,
    Ngrehën kullat e përjetshme 
    Murthatë,
    E u përjetësuan në histori…
    Etje…
    Etje të përhershme im gjysh,
    Etje të pashuar im atë,
    Etje të pangijshme unë,Gjoni I kullës,
    Etje biri im 20 vjeçar,
    As tasi me tamelborë,
    As bojlia bregarës,
    As molla gjylave bregudhës,
    As kalaveshi i rrushit,
    Etjen nuk e shuan…
    Ujë akullborë veç kroni i Nikushit…
    **************************************************
    Disa mendime mbi përkthimin e komedisë në tri akte dhe në prozë të Honore dë Balzakut “Merkadet” ( Afaristi ), e përkthyer nga Çlirim Gega
    Komedia e Balzakut
    Nga Dhimo Tarusha
    Kjo komedi e Balzakut është padyshim nga më brilantet e letërsisë botërore dhe konkretisht e asaj frënge.. Po kaq me elegancë është shqipëruar nga përkthyesi Çlirim Gega. Janë pak personazhë që vërtiten në këtë komedi: Merkadeti, Zonja Merkadet, Zhylia-vajza e tyre, Minardi- i dashuri i saj, miq të familjes dhe kreditorët. Qysh në skenat e para autori na fut me mjeshtëri në botën e egër të parasë, e cila shpesh herë është e dhunshme dhe agresive. Kjo botë është një tigër zullumqar, që ushqehet me kartmonedha. Aty fillon e mbaron jeta e saj, sepse afaristët, siç thotë Balzaku, e kanë zemrën në kuletën e tyre. Mirëpo si rrjedhin ngjarjet?
    Në qendër të komedisë vendoset Merkadeti, i mbytur në borxhe. E bija, Zhylia është në prag të martesës. Për Merkadetin jeta e saj dhe e të tjerëve s’është gjë tjetër veçse një huazim i përjetshëm, e cila nuk të ofron atë që do. Që këtu kuptojmë sesa i paskrupullt është ky njeri. Ai, që të dalë nga skamja, ka një mundësi: të fejojë Zhylinë me një të pasur, prandaj, kur i thotë se dashuron Minardin, ia pret shkurt:-Moj bijë, kjo dashuri s’ka asgjë serioze”. Merkadeti e ka mendjen te paraja, Ai e hedh fatin e Zhylisë si në një qendër bixhozi. Edhe pse në borxhe të mëdha luan me të gjithë kreditorët një lojë mjaft të lezetshme. Ai është matrapaz, finok, i shkathët, dredharak i pashoq, i paturpshëm si askush tjetër, kameleon me eksperiencë në kësi punësh, mashtrues i pamëshirshëm aqsa arrin deri aty saqë aferat i quan veprime të zgjuara, normale të jetës së përditshme njerëzore. Merkadeti harron Minardin, djalin që dashuron të bijën dhe e këshillon vajzën e tij të fejohet me kontin dë la Brivë, vetëm se ai është i pasur. Në fakt Konti dë la Brivë është një mashtrues ordiner i llojit të Merkadetit, xhepshpuar, hileqar, dembel. Prandaj Merkadeti e quan martesën shpikje të mrekullueshme. Shtiret, intrigon me fantazi me hatashme, luan rolin e djallit siesi të fitojë 1000 eky për dasmën e të bijës. Në lojë shfaqet sërish një tjetër kreditor: Pierkënin. Merkadeti, ky marifetçi i regjur, në vend që t’ia shlyejë borxhin atij, i merr përsëri para të tjera. E bija fatkeqe përplaset sa te Minardi se te konti dë la Brivë. Zonja Merkadet shfaet sa andej e sa këndej, për të ekuilibruar situatat. Në mes janë ethet e parasë. Babai luan me vajzën si me letrat e bixhozit. Gjithmonë etja për para. Në fund e shpëton Godoi, që vjen me kacafortën e parave nga Hindia. Këtu e ka zanafillën shprehja “duke pritur Godoin”. 
    Komedia jep mesazhe kuptimplote edhe për ditët tona, ku korupsioni dhe pastrimi i parasë janë evidente në shoqërinë shqiptare. Disa shqiptarë, që u pasuruan shumë shpejt me afera të pandershme, janë sot zyrtarë të lartë, deputetë dhe sivëllezër të Merkadetit. Ata e quajnë jetën një det të begatë, ku mund të peshkohet lirisht. Mendojmë se Çlirim Gega, përkthyei i veprës, ka marrë përsipër një barrë të rëndë. S’i thonë shaka të sjellësh në shqip aq bukur e aq pastër komedinë e vetme të njërit nga romancierët më të mëdhenj francezë të shekullit XIX, të Honore dë Balzakut. Ky shqipërues i zellshëm elbasanas ka përkthyer edhe nga turqishtja si : 100 poezitë e zgjedhura të Orhan Veliut, poashtu Antologjinë e poezisë turke. Nga frëngjishtja para kësaj komedie ka përkthyer “Horlën” e Gi dë Mopasanit, një cikël me 13 tregime botuar te Ombra gvg, gjithashtu romanin “Zemra jonë” e po këtij shkrimtari, botuar te Uegeni.
    Nga Sharl Bodleri ka përkther e botuar librin Fishekzjarre”, një libër filozofik. Ka sjellë nga shqipja në frëngjisht librin me Haiku të Milianov Kallupit “Drurët kërxejnë striptizë”.
    Pra, mund të themi me gojën plot se Çlirim Gega është një nga përkthesit më të mirë të kohës dhe si vazhdim i plejadës elitare të përkthyesve shqiptarë. Po, ku qëndron suksesi i këtij shqipëruesi shumë prodhimtar? Ja disa nga arsyet: Gega punon parreshtur, pa u ndalur, ditë e natë. Zotëron shkëlqyeshëm shqipen dhe gjuhën frënge. Përpara se të vendosë fjalën në letër, e rrotullon atë si gjethe në mendje, e fisnikëron në shpirt dhe e bën njerëzore në zemër. Konkluzioni është i qartë: ai e njeh shumë mirë kulturën e fjalës pa të cilën, kushdo qoftë shkrimrari a krijuesi nuk do të bënte dot.
    Duke lexuar përkthimet e Çlirim Gegës, mendja na shkon te Gi dë Mopasani fantastik, i madh që shëtit në pyll me të rinjtë e dashuruar dhe te zogjtë e dashuruar, apo te “ngatërresat” filozofike të Bodlerit. Këtu konstatojmë orvajtje trimërore të shqipëruesit tonë, i cili ia del me sukses. Në saj të tij Mopasani flet një shqipe të kulluar standarte, të larmishme, poashtu Balzaku, Orhan Veliu dhe Bodleri i mistershëm. Në tërë gamën e përkthimeve, Çlirim Gega na kujton Vrionin e madh, Kokonën, Nolin, Paskon. Vallë s’është si ata, me zemër e shpirt artisti? Ne mendojmë se po. Që këtu dalim në përfundimin se puna si përkthyes i Çlirim Gegës është një punë e vyer në kulturën e qytetit tonë dhe një kontribut poaq i vyer edhe për kulturën tonë kombëtare. Ai i ka dhuruar Bibliotekës Publike “Qemal Baholli”, Bibliotekës Kombëtare, Bibliotekave të shkollave të mesme e asaj të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” libra nga përkthimet e tij.
    Nën pushtetin e një ëndrre fatale
    TREGIM
    Hyqmet Hasko
    Atë ditë pasdite, në kafenë e njohur Luks, ku ndodh të pimë zakonisht kafe me disa miq të mi poetë, gazetarë e tranierë futbolli, unë, Landi dhe Besarti po bënim një bisedë interesante, që po hynte në hullinj të panjohur.
    Në kulmin e muhabetit, më telefoni Ariana, një poete nga qyteti N.,Ajo vinte rrallë në Tiranë, por meqë unë e kisha mike facebook-u, e kisha ftuar për kafe, sepse do të më jepte dhe një libër të saj të porsabotuar, një vëllim i ri me tregime e novela për të rritur. Nga ana tjetër, I pata premtuar për një shkrim kritik në gazetë, ndaj ajo kishte ardhur dhe unë I tregova vendin se ku mund të më gjente. 
    Landi, trainer në një skuadër të rinjsh në kryeqyet, po fliste për një ëndërr të çuditshme që kishte parë mbrëmë, ndërkohë që Besarti, analist i njohur në një të përditshme të Tiranës, po thoshte se bota e ëndrrave, parandjenjave, e ashtuquatura nga psikologjia moderne “shqisa e gjashtë” e njeriut, ishte një botë interesante, që përcaktonte shumëçka në jetën dhe fatin e njeriut.
    Atë çast, ndërsa biseda po hynte në shtigje të çuditshme, plot fshehtësira e mister dhe secili nga ne po tregonte diçka nga përvoja e tij ose nga rrëfimet etë tjerëve, erdhi Ariana, ashtu simpatike, zeshkane, me një profil të hajthëm, si të një vajze të vogël, megjithëse i kishte mbushur të dyzetat. Ajo ishte në humor të mirë, na fali nga libër të cilin sapo e kishte tërhequr nga shtypshkronja dhe na u lut të vazhdonim bisedën aty ku e ndërpremë, për shkak të ardhjes së saj, sepse ajo qe mjaft interesante.
    Folëm të gjithë, vetëm Ariana kishte heshtur dhe po dëgjonte gjithë sy e veshë rrëfimet tona, që s’kishin të sosur.
    Më në fund, kur na u mbaruan fjalët dhe ishim gati të ndërronim bisedë, ajo ndërhyri duke thënë:
    -Më falni, nuk fola, se doja të dëgjoja mendimet tuaja rreth kësaj teme shumë enigmatike, interesante dhe të beftë deri në mrekulli apo çudi unikale. Ëndrrat janë një vizion në botën e njeriut, në gjendjen e gjumit, që do të thotë një gjendje gati e pavetëdijshme. Por ka ëndrra që përcaktojnë dhe definojnë në mënyrë të pashmangshme jetën e njeriut. Kjo që do t’iu tregojë mund të ju duket si përrallë, por ka ndodhur realisht. Ka ndodhur në një rreth timin farefisnor dhe unë jam dëshmitare e asaj që ka ndodhur. A mund t’ua tregoj?
    -Po të dëgjojmë me kënaqësi,-fola unë, si gjithmonë i interesuar për të rrokur anën mistike të këtyre gjërave, për të marrë ndonjë “lëndë të parë” për tregimet, novelat e pse jo romanet e mia.
    -Unë e di që padurimi yt ka të bëj me artin dhe letërsinë, me rrëfimet estetike që shkruan, proza të shkurtëra apo të gjata, por kjo nuk është një histori e zakonshme. Kjo është një histori shokuese, tronditëse, fatale, por që ia vlen ta dëgjosh e pse jo, nëse mundesh, ta shkruash.
    -Fol se mezi po pres të të dëgjoj, – i fola unë duke e parë rrëfyesen drejt e në sy, sikur në ato sy po kërkoja enigmën e atyre që ajo do të tregonte pak më vonë… 
    -Kjo ka ndodhur para dy viteve në qytetin tim, në qytetin N, në lagjen e vjetër të vendalinjve. Ma ka treguar vetë personi që ka parë ëndrrën, e cila është një vajzë e mrekullueshme, e quajtur Lesila, me të cilën unë kam mbaruar shkollën e mesme dhe kemi ruajtur lidhjen, të cilën e vazhdojmë edhe sot që unë po tregoj këtë histori.
    Lesila, para se të ndodhte kjo ngjarje, ka qenë për disa kohë e sëmurë, me dhimbje të vazhdueshme koke dhe me një gjendje jermi, të papërcaktuar, që e pati dobësuar aq shumë sa mezi njihej. Patëm pirë disa herë kafe bashkë dhe më thoshte se, megjithë vizitat e shpeshta tek mjekët, askush nuk po i jepte një diagnozë të saktë, ndërkohë që gjendja e saj përkeqësohej gjithnjë e më shumë. Kjo gjendje e saj do të arrinte një cak dhe kthesa për mirë do të vinte vetë, gradualisht, pa asnjë kurë, sikur nuk kishte pasur kurrë ndonjë gjë shqetësuese në shëndetin dhe gjendjen e saj shpirëtore. Por kjo është hitori tjetër.
    Tani dua të kthehem tek ngjarja që më ka treguar ajo vetë, me gojën e saj dhe të cilën e di gjithë qyteti N., madje kanë shkruar dhe gazetat, por kush i lexon ato!
    Një natë, Lesila sheh në ëndërr që vëllai i saj do të martohej brenda një viti dhe ditën e parë të martesës do të shkonte të merrte një sy gjumë nën hijen e fikut, ku do ta kafshonte gjarpri dhe do të vdiste. Ajo qe ngritur nga gjumi e djersitur, e tromaksur dhe me shijen e keqe të një ëndrre të fortë, imazhin e së cilës nuk e shlyente dot nga kujtesa. Kjo ëndërr i rrinte në tru e palëvizur, këmbëngulëse, si një makth.
    Pas disa muajsh, i vëllai ra në dashuri me një studente të vitit të parë histori-gjeografi, nga një fshat i Devollit. Lesila u përpoq shumë ta largonte të vëllanë prej saj, jo se kishte ndonjë kundërshtim për vajzën, e cila ishte shumë e bukur dhe mjaft e zgjuar, por nën presionin e asaj ëndrrës së keqe, donte që i vëllai të mos martohej, për të parandaluar të keqen.
    Por zemra e vëllait qe e mbushur me atë vajzë të hijshme, që kishte buisur me jone kënge e gëzimi shpirtin e trishtuar të tij. Deshi s’deshi e motra, ata vazhduan lojën e dritëhijeve të dashurisë, duke thurur në shpirtin e tyre rinor ëndrrat më të bukura për jetën dhe ardhmërinë.
    Dhe ja, dita e martesës erdhi. Nusja e bukur vezullonte me qindra dritëza ngazëllimi dhe dhëndrri simpatik, i veshur mrekullisht, dehej në një oaz lumturie. Lesila vuante nga brenda, por nuk e shfaqte.
    -Ti diçka ke, -i thoshte i vëllai, i shqetësuar nga ajo vuvosje e Lesilës, e cila kishte qenë gjithmonë një vajzë e çiltër, e qeshur dhe plot hove e vrulle rinore. Por ajo nuk donte t’ia prishte gëzimin e asaj dite të shenjtë, që është dita më e bukur e njeriut në jetën e tij. Por thellë në shpirt, ajo ëndërr e para një viti, e mbante nën presion dhe ankth të vazhdueshëm… 
    E motra i rrinte të vëllait para e prapa, nuk e linte të bënte asnjë hap pa praninë e saj, e acaruar dhe në stres sindromik, për shkak të asaj ëndrrës përndjekëse.
    Aty nga ora dymbëdhjetë, i vëllai i tha Lesilës se ndihej i këputur nga lodhja dhe do të shkonte tek Ara e Dëshirës të merrte një sy gjumë.
    -Jo, -klithi e motra, -nuk do të shkosh atje! Kurrë nuk do të shkoshë, nuk të lë të shkosh në atë vend të mallkuar!
    I vëllai e pa i habitur, por nuk e bëri të gjatë. Deshi s’deshi Lesila, i vëllai vajti të flinte nën hijen e fikut.
    E motra, nën pushtetin e ëndrrës ankthioze, i vajti pas…
    Sapo mbërriti tek fiku, pa të vëllain të shtrirë për të fjetur dhe një gjarpër të madh, të zi me pikëza të kuqe, që po qarkonte trupin e tij.
    E tmerruar, por me zemër të fortë, iu vërsul gjarprit, e zuri nga koka dhe duke shtrënguar fort, mori tutje drejt vendit ku po gatuhej buka e dasmës, ku me shpejtësinë e vetëtimës e lëshoi gjarprin në zjarrin, ku po valonte ujë në kazan.
    Ndërkohë që gjarpri po digjej, duke u përpëlitur në zjarr, i vëllai nën hije të fikut ndiente një shtrëngim të tmerrshëm, që bëhej më rëndues, sa më shumë digjej gjarpri. Kur gjarpri u bë shkrumb e hi, i vëllai i Lesilës sikur pëlciti, ashtu në mënyrë të beftë, duke dhënë shpirt nën hijen e fikut,
    Kjo histori, vazhdoi rrëfimin e saj Ariana, nuk është një trillim apo fantazi e sajuar nga ndonjë shkrimtar apo regjisor filmash, por një realitet i jetuar, që ma ka treguar me gojën e saj shoqja ime, Lesila, dhe këtë ndodhi e di gjithë qyteti im.
    Unë dhe dy shokët e mi kishim mbetur gojëhapur, duke dëgjuar rrëfimin e çuditshëm të Lesilës.
    -Unë po marr dhe një kafe tjetër, -foli Landi, i cili i kërkoi dikujt tek një tavolinë ngjitur nesh një cigare, ngaqë nuk mbante paketë, se nuk e pinte.
    -Lere, -fola unë, -po dal të blej një paketë, se po më pihet dhe mua një cigare. 
    -Mirë do të bësh, -tha Besarti, -dhe unë do t’ia nxjerr tymin një cigareje, se m’u bë koka tym nga kjo historia që na tregoi poetja…
    Pozaet QOSE 
    DREKA E PAPRANUAR
    -Dale të të hedh një fall,- i tha romja sybajame Arsen Koshnicës, kur ai po kalonte pranë piramidës.-Dy mijë leka dhe t’i gjej të gjitha.
    -Më ler rehat me gjitha fall,- i tha Arseni, i cili në momentin e fundit e kishte modifikuar në një thënie pa ngjyresë fyese shprehjen “Pirdhu me gjithë fall”, që kishte pasur më mendje t’i thoshte.
    -Ti je i mërzitur se dje ke ftuar per drekë disa miq dhe ata nuk kanë pranuar të vijnë,- i foli ajo duke e ndjekur bosin me veshje firmato.
    -Ç’ia fut kot! E ku e di ti se çfarë më ka ndodhur mua dje?- i foli Arseni, duke ngadalësuar hapat.
    -E di se ma thotë falli mua,- fjalosi prapë romja.
    Arseni tundi kokën, sikur donte të thoshte: “Po kjo punë kështu?! Do ti që i ka rënë pikës!”.
    -Po mirë, pra, meqë qenke kaq e zonja, gjeje pse nuk kanë pranuar të drekojnë me mua miqtë e mi. Po e gjete, ja ku e ke dy mijë lekëshin.
    Në të vërtetë kartmonedha që nxori nga portofoli ishte dyqindlekëshe, por Arseni, si të gjithë shqiptarët, ia dhjetëfishonte vlerën, pa e ditur pse.
    -Dëgjo këtu gaxhio,- fjalëtoi më tej fallxhorja. –Ti je mërzitur se ata nuk të erdhën për drekë, por më shumë je mërzitur se nuk arrin të marrësh vesh pse ta dhien kështu. Ti më the se do të m’i jepje lekët, që të kërkova për fallin. Unë e di të vërtetën, por nuk jam duke ta thënë jo për kaq lekë sa po më jep ti, se ti ke një hale me para, por edhe për më shumë se kaq. Qenke njeri i keq, plako dhe fajin e kërkoke sa herë te të tjerët e asnjëherë te vetja! Prapa diellit shkofsh!- e mbylli ligjërimin e saj romja dhe i ktheu krahët, duke e parë me neveri.
    Arsen Koshnica pështyu me zemërim në trotuar, sepse asnjëherë s’i kishte ndodhur t’i mbetej dopio gjashta në dorë nga njerëz, të cilët ai i shihte si miza. Por zemërimin ia bënte më të skajshëm fakti që ia kishte futur një rome, një hiç, që e kishte zhbërë brenda një sekonde të gjithë fodullëkun e pordhalitetin e tij prej pasaniku e dituraku, si e mendonte ai veten. Pike e zezë! Kjo ishte t’ia hiqje vetes. “Varja”,- tha me vete, por s’po mundej ta harronte çfarë i ndodhi. U kthye dhe njëherë te fundjava e shkuar. U përpoq ta sistemonte sa më mirë që të mundej radhën e ndodhive. Kishte ardhur në qytezën, ku kishte njërin nga bizneset e tij, atë të fillimit, për të saktësuar ca gjëra, që i dukej sikur nuk e ecnin, sipas dëshirës së vet. Kishte marrë në punë aty njëzetë punëtorë, por asnjëri prej tyre nuk punonte me kontratë pune e nuk ishte i siguruar. Që kur ishte vendosur me banim në kryeqytet, vinte rrallë në qendrën e atij rrethi, në të cilin ndodhej fshati, ku kishte bërë hije për herë të parë mbi tokë. Hapej bythësh, kur ecte në bulevardin e vetëm të qytetit të tij dhe fliste e fliste paprerë me njerëzit që e shoqëronin, duke e shoqëruar të folurën me lëvizje të shpeshta të duarve, për t’u dukur sa më interesant para të tjerëve dhe për të qenë ai në çdo moment në qendër të vëmendjes së tyre.
    Edhe atë fundjavë gjërat kishin rrjedhur me të njëjtën rutinë, si herët e tjera të ardhjeve të tij të rralla në vendlindje. Ditën tjetër, aty afër mesditës, ai mendoi t’i mblidhte bashkë në një drekë pune nja dhjetë burra, që i duheshin për të mbyllur hallet e biznesit e punë të tjera, që i dilnin vend e pa vend, ku e kur s’i priste.
    Takoi të parin kryetarin e këshillit të Bashkisë dhe, pa e zgjatur, ia plasi ftesën. Ai e falenderoi jo vetëm me zë, por edhe me figurë për nderin që i bënte, por me një fytyrë, që s’bëhej më e pikëlluar se aq, i tha se s’mund t’ia plotësonte dëshirën, pasi do të shkonte në spital të takonte baxhanakun, që ishte operuar një ditë më parë nga fshikëza e urinës. Arsen Koshnica ia ndjeu erën që larg gënjeshtrës, por bëri sikur e besoi. Të dytin takoi inspektorin e tatimeve. Edhe ai, si i pari, e falenderoi thellë për respektin, por e mbylli frazën me keqardhjen për pamundësinë që të drekonte me të, duke i sjellë si shkak analizat e së shoqes për ca probleme grash. Të gjithë kandidatët e tjerë për drekëtarë bënë të njëjtën gjë, si dy të parët; falenderuan e shkuan, duke mos e pranuar ftesën e tjetrit për të drekuar me të, sikur ai të kishte zgjeben. Secili prej tyre u përpoq të sillte arsye sa më bindëse, për t’iu shmangur, por Arseni e dallonte qartë në tonin e zërit të tyre se ata e po e gënjenin shqeto.
    Arseni tundi kokën i menduar për sa i kishte ndodhur, se kishin qenë po ata, që vite më parë, pa e mbaruar mirë fjalën për të ngrënë e pirë me të, i thoshnin se në ç’orë e në ç’lokal do të mblidheshin. Dhe aty ai, tëk e tëk, ua ripte duke qeshur lëkurën, duke u kërkuar nderet e rastit; u jepte një thelë e u merrte një pelë, siç i pëlqente të thoshte me mburrje në biseda të ndryshme, për të treguar shkathtësinë e vet në këto kohëra, ku, po të mos ishe i shkathët si ai, ta rrëmbenin bukën prej dorës. Mirëpo dhe ata nuk kishin harruar asgjë nga këto bëma të këtij bujari, ndaj ia kishin djegur asin nën mëngë; ia kishin lënë drekën pa ngrënë.
    Atë që ai e kishte harruar ose kishte bërë sikur e kishte harruar, ia kishte sjellë si një gozhdë në kujtesë romja fallxhore, pa pranuar asgjë si shpërblim. Dhe ajo, rastësisht, i ishte shtuar grupit të tyre të çuditshëm, që nuk po i pranonin më të mirat që dëshironte t’u bënte ai, Arsen Koshnica…
    Valter Dauti
    KOHË ZGJEDHJESH.
    Zbrazi butë një zog stomakun përmbi posterin që qesh,
    I pafajshëm çau retë, për të ikur tej ndër re,
    Kandidati që shkëlqente,me gëlasën përmbi vesh,
    Dukej bukur me natyrën, që ca gjëra brenda fsheh.
    Fryu erë,u çorr stuhia,tej e tej shplau gjithçka,
    Gjithëngjyrëshit flamuj u tulatën nën neonë,
    Në qytet,krejt hijerëndë,fuqiplotë qetësia ra,
    Më flamujt s’u valëvitën, nëpër mbrëmje,ishte vonë.
    Hesht tribuna me dërrasa,mesqytet si arkivol,
    Ç’turmë do vijë sërish ta shkelë, me premtime e brohërima,
    Orë e heshtur,lart selie,tani s’kryen asnjë rol,
    Ky qytet gërhet në dhimbje,përpëlisje,regëtima,
    Shpirt i dhembshur i njeriut që lëviz i çoroditur,
    Varet flamujsh të reckosur edhe duket se s’ka frymë.
    Kur të heshtë në përtëritje, brohorima që ka nisur,
    Krejt i thinjur është qyteti, për simbol ka vetëm brymë.
    GJENEZË.
    Te ky vend,ku mullinjtë bluajnë sëprapthi,
    Ngaqë edhe erërat së prapthi fryjnë,
    Mua edhe ty,na paska qëlluar fati,
    Të vrapojmë,të zvarrisemi,të marrim frymë…
    Dhe sigurisht,së prapthi hiqemi ndër rrugë,
    Zvarrisemi së prapthi,të arrijmë ku s’qemë,
    Në teproftë…përtypim një koriçkë bukë,
    Në na lënçin të qetë,një copë herë dhe flemë…
    Te ky vend i bekuar, me gjenezë gaforresh,
    Për çudi,edhe deti,po ikën së prapthi…
    Ne zvarrisemi të dy,në territor toreadorësh,
    Ku me ligj të ndalohet, të provosh ç’është vrapi.
    TI, NESËR KE DITËLINDJEN…
    Do t’i shkul të gjithë trëndafilët e planetit,
    Për t’i mbjellë sërish,në puthjen tonë të parë.
    Ti,zemra ime, që sigurisht ke lindur ditën e qejfit,
    Je përjetësisht, me vezullime vese e larë.
    Ti,zemra ime,më ke ndjekur me hapin tënd të shkurtër,
    Tek jam arratisur nëpër arratira të pa para poetësh…
    Dhe,çuditërisht,duke qeshur,më je shfaqur e bukur,
    Me buzëqeshje trëndafilash nga të gjithë planetët.
    Ti nesër,ke ditëlindjen,e dashura ime e praptë,
    Ndaj…do t’i shkul të gjithë trëndafilët e planetit!
    Dhe,do të dal…i dehur… vetëm…nëpër mesnatë…
    T’ia hedh në fytyrë,atij që s’na deshi…qytetit…!
    LASGUSH PORADECI.
    S’është monument.Është Perëndi,
    Se qesh, këndon edhe sfidon,
    Mbi valën-prush-ngrihet Ai,
    Ndrit mbi Liqen si Posejdon.
    Si ëndërr mbi sy-Kaliopi,
    Eratoja, ledhet ndër muzg,
    …ndër ëndrra roit Poradeci,
    Tej,Mal’ i Thatë,dremit si murg.
    Pa,Apoloni (Muzagjeti !)
    I rri mbi varg,si profeci,
    Hap gjoksin-shpirt-e-zjarr-Poeti,
    Një Afërditë-përkund në gji.
    Është shpirt poetësh I florinjtë,
    Që mbron,këndon dhe thur lavdi,
    Është muzë e lindur nga Hyjnitë,
    S’ka asnjë tjetër,ku është Ai.
    Ndaj s’ka nevojë të ketë muzera,
    Të ngritur nga ca të pamendtë,
    Muze shpalos ,teksa fryn era,
    Për të,Liqeni i Argjendtë.
    Muze shpalos krejt Perëndimi,
    Tek digjet lehtë mbi Pogradec,
    Me një firomë frymëzimi,
    Rend Mal’ i Thatë si një kasnec.
    Muze janë pulëbardhat-ëngjëj
    Me retë në krahë, në argjendim,
    Muze është bregu që qesh ëmbël,
    Te ,valëza, puth me lajkatim.
    Te,…trak e trak,bastun i sertë,
    Ndjek ëmbël mbrëmjet ngjyrë bruz…
    Është bronz,mermer,është i etertë,
    Është Zog i Qiejve!Është Zeus !
    ***************************************************
    Hekuran Halili
    Unë dhe deti Jon
    Unë dhe deti Jon
    Prej kohrash 
    Këto brigje bëjmë…
    Mos u mërzisni ndonjëherë
    Kur Jonin se gjeni në vend
    Hera herës,
    E bëj trëndafil të bardhë,
    Ja fal gruas, Bardhës.
    E bëj shall të kaltër,
    Ja vë në qafë Onës, vajzës.
    E bëj kostum sporti,
    Ja vesh Gonit, djalit.
    E dërgoj brigjeve thesprote,
    Pyjeve me ullinj e portokalle,
    Të m’i përkëdhelë e shkundë,
    Të më rregullojë varret e të parëve,
    Dhe pastaj në kupën e vet të zerë vend…
    Dhe kur Ju të takoheni me Jonin,
    Sigurisht do ta gjeni,
    Me bardhësinë e Bardhës,
    Me aromën e gushës së Onës,
    Me vrullin djaloshar të Gonit,
    Me fletë pemësh nga vendet e mia, 
    Me ngjyrën e Dheut Thesprot,
    Me thellësinë e zemrës time…
    … Mos u bëni xheloz 
    Kështu e kanë miqësitë e mëdha…
    Djalë i ri mustaqe dirsur
    (Për djalin e S. Ahmetit)
    Djalë i ri mustaqe dirsur,
    Me qylafin sa një malë.
    Atdhetar qejfli i krisur,
    Hënë e diell përmbi ballë.
    Labëri vendi me derte,
    Djemtë e t’u gjokset nga strrallë
    Për Shqipëri gjakun s’kurseve,
    Edhe këngën bëre armë.
    Djali ri mustaqe dirsur
    Kur tund supet dridhet mali
    Zëri shtatë birbila nisur
    Vajzërinë e treti malli
    Labëri vendi me derte
    Djemtë e t’u gjokset nga strrallë
    Për Shqipëri gjakun s’kurseve
    Edhe këngën bëre armë
    Miqësia
    Këtë mëngjes befasisht
    Nuk dija ç’ta bëja miqësinë
    Për një njeri që deri dje
    E kisha gati Perëndi.
    Unë s’jam nga ata
    Që miqësitë i flak pa dhimbje,
    Si gjë pa vlerë.
    Më dhembin humbjet pafundësisht,
    Sikur mishin ma ke prerë.
    Këtë mëngjes e gjithë këtë ditë,
    Me miqësinë në dorë shëtita,
    Ia bëra varrin thellë në shpirt.
    Ta kujtoj me psherëtima…
    BAJRAM CANAMETI
    IKËN…IKËT..IKËM
    Si zogjtë shtegtarë ikën bijtë,
    Krahëthyer ,shpirtplagosur,
    Plot mallëngjim.
    Sypërlotur ,foleprishur,të uritur,
    Të uritur e grabitur,
    O ç`mallkim.
    Ikëm,
    Tufa çakejsh,hiena kërleshur,
    Thonjshqyes dhëmbëpërveshur
    E grisën,e zhveshin,
    Atdheun gllabëruan
    Ata që sunduan.
    Ikën,
    Se idealet janë shkrirë,
    Ëndrrat mes dimrit kanë ngrirë,
    Shtegtojnë në mërgim,
    Plagë pa shërim,
    Për një tjetër jetë
    Pa ide të shtypura,
    Pa ngrica të mykura,
    Një diell pa djaj,
    Të shërojnë ëndrrat e thërmuara.
    Ikët nga toka shqiptare,
    Me vete morët
    Mallin e atdheut 
    Me dhimbjen vrastare…
    MËSUESVE
    Do këndoja për ju, mësues,
    Udhëtarë të universit,
    Një këngë të thjeshtë me duf,
    Një himn për të thjeshtët.
    Uji ,ajri dhe dielli
    Vijnë tek ju me forcën e zgjimit,
    Dhe çelsa horizonti shpërthejnë
    Dyert e mendimit.
    Kur burimi i shkretëtirës
    Del papritur prej fjalës,
    Urtësia që del prej së mirës
    I ngjet një planeti të afërt.
    Atë ju e bini pranë
    Ta vizitojnë mendjet e njoma,
    Në zjarr ndjenje të paanë
    Ngrohet për ju kënga…
    GJUHA SHQIPE
    Kur u krijua Kopshti i Edenit
    Lindi gjuha shqipe,
    Dhe ylberi mbi të ecte
    Duke e rritur.
    Nëpër udhë hëne erdhi,
    Erdhi nëpër rrugë Dielli,
    Dhe sa zjarr me të ndezi
    Fishta dhe Naimi.
    Lumë me yje shtegtoi,
    Kjo gjuhë martire,
    Dhe me gjak germat shkroi
    Nga kohrat ilire.
    Statujë pritje me ar malesh,
    Nanë e gjuhëve të dijes,
    Herë merr ajo hov dallgësh,
    Herë buzëqeshje fëmije.
    Bedena hijesh rrëzoi,
    Kjo gjuhë perëndie,
    Genin shqiptar lartësoi
    Siç i ka hije…
    POETI
    Cigarja digjet,
    Buzë e plasur piqet,
    Mendimin tjerr,
    Poeti.
    A thua ka globin në shpinë
    Kur vrapon ta gjejë njerinë,
    Gris një copë qiell
    Merr një pash diell,
    Në fjalë e mbjell.
    Dhe ura fjalësh ngre
    Për ndasitë njerëzore,
    Nuk fle gjëkundi, në fjalë zgjohet e fle,
    Me dhimbjen madhështore…
    MJERIMI
    Zinxhir i rëndë,
    Det i thellë,
    Thikë në zemër,
    Mjerimi.
    Breshër i çmendur
    Dimër i tërbuar,
    Thërrmi ëndrre në duar.
    Greminë e thellë,
    Vjen shpresa
    Një lule në të të mbjellë…
    KAMBANA KUMANOVË,
    Kambana Kumanovë
    Kobin s`e pranon,
    Pëllumbi me flatra diellore
    Në zemrën e saj rron.
    Me kob gjahtarët mizorë
    Gjak derdhën.
    Kambana Kumanovë 
    Ia jep tingullin jetës.
    Kumanovë Dardane,
    Nuse iliriane,
    Për ty flasin muret,
    Rrugicat flasin,
    Egërsirat erë gjaku
    Nuhasin.
    Lagja e Trimave
    Kobin se pranon,
    Tradhti e vrimave,
    Mjeron.
    Pëllumbat me rreze diellore
    Flatrojnë tingujt si Kambanore…
    FLAMUJ
    Flamuj partiake,
    Portrete, postera,
    Ca njerëz tek dera,
    Dhe dyer të mbyllura.
    Në kazanë gërmojnë lypsarët,
    Flamur i partive s`u jep shpresë,
    Përpëlitet jeta mos vdesë.
    Farë gënjeshtrash rriten
    Pemë e helmuar mbin,
    Flamuj partiakë mbështjellin ditën
    Si qefin…
    Feriz Ukshini
    NDARJA
    Kur fjala lamtumirë shtanget në fyt
    shfryhet në duf, zemra e përgjysmuar
    në degëzime të reja rrugësh gjarpërore
    Veshët mpihen nga zëri i shurdhuar,
    e sytë verbohen nga shikimi i ngrirë
    re të dendura dhembjesh derdhen në rrëke lotësh
    Vullneti i ligështuar paloset i nënshtruar
    kërruset e përkulet para kohës
    bëhet kompromis mes realitetit dhe iluzioneve…
    SONTE
    Sonte, desha të shoh me sytë e botës,
    kujtimin e fshehur në skutë,
    ku heshtja e pashuar dremitet por s’fle !
    Sonte, desha t’i bëj thirrje arsyes
    ti ngushëlloj dhimbjet e së kaluarës, 
    ndjenjat e zhgënjimit t‘ i fundos në lumin e dashurisë.
    Sonte, desha të flas e bërtas,
    t’i dridh portat që si bëzajnë të zotit shtëpisë
    ndarjen ta mbërthej dhe kryqëzoj përgjithmonë .
    Sonte jamë vet stuhi, në brendinë e së vërtetës..!
    E VËRTETA SOT
    Sot është plasaritur lëkura e së vërtetës
    mendja ka rënë në amulli nga egoizmi personal,
    shtrembërohet në dyluftim me ndërgjegjën e vyshket dita ditës…
    E vërteta,sot flet pa zë,
    nëpërkëmbet mblidhet e rrudhet në plogështi
    zhvatet pa mëshire, deri në pezmatim.
    Të vertetës, sot i vëhet bisht
    dredhet e përdredhet sikur leshi nëpër furkën kohë
    e jeta thurret plot me paftyrësi.
    E vërteta është bërë lëmsh, kur intrigat po vënë nishan !!!
    *****************************************************
    Gëzim Murajza 
    DALLGA
    U përqafua me shkëmbin,
    Sikur u grindën.
    U pleks me rërën,
    Sikur u dashuruan.
    Para meje u përgjunj,
    Këmbët m’i puthi me përulësi:
    Je tiran,njeri!
    EPOKË MODERNE
    Kënaqësi
    Hipur kalë
    Mbi shpatullat e dhimbjes.
    Dehur ndër avuj përbuzje
    Për gotën boshe
    Të tryezës përballë,
    Shtyrë në qoshe të moskokëqarjes
    Qytetërim krenar,
    Në të sotmen e lustruar 
    Në pasqyrën e ndritshme
    Të moralit të pastër,
    Vajzë e çiltër
    Kurvërisht. 
    NUK HARROJ TË TË DUA
    Unë bëhem i hidhët
    kur mbulohem
    prej vrugut të trishtimit,
    por nuk harroj të të dua
    dhe pse mbetemi pa fjalë
    para se të mbyllim kapakët e syve
    të ditës në fashitje.
    Ti qan
    Për heshtjen time
    Kur thua se braktisja është
    kopili
    Mbetur në derën
    E zemrës së zhuritur ndjenjash,
    Por jo gjithmonë kush hesht
    Nuk ka çka të thotë.
    Nuk harroj të të dua 
    Dhe pse shpesh dehem
    Ndër kabare ëndrrash
    Ku kërcehet gjithnjë e më lodhshëm.
    Mund të mos jem 
    kur jam,
    mund të jem 
    kur s’jam
    por të të dua
    nuk harroj kurrsesi 
    ********************************************
    Besnik Bedollari
    VALA DHE SHKËMBI
    Valët e detit ngatëruar hapave, faqen copëtuan në ashpërsinë e shkëmbinjve. Lëshuar trup prej dhimbjeje e ndalën valën, heshti dhe shkëmbi,rrinte pa fjalë… Përkëdheljet ishin harruar me lotët që i la vala, kishte luajtur një jetë pranë shtatit të saj.
    DIKU, SI DIKUR….
    Erdha pranë, diku me ty të isha,diku,si dikur… 
    Me mallin e pashuar shpirtit, 
    me lotin si krua bjeshkëve 
    erdha me heshtjen time mbetën shpirtit dy kujtime. 
    E jetës i thurëm dramën që luajtëm aq kohë.
    STINËVE TË JETËS
    Fjala mbeti zhveshur trotuareve të braktisura. Ndjenja u fsheh… diku me kohën nën gjethet e kafta,lakuriqësinë që sjell vjeshta. Puthjet u heshtën në fundditët e saj.
    MALLI I VONËT
    Nëse eci kalldrëmeve si një plak i kërrusur, 
    mos mendo se zemra ime është plakur!
    Nëse dhimbja dhe malli më ndjek nga mbrapa, 
    mos mendo se do të thahem si lulja vjeshtës së vonë! 
    Dikur dhe malli ty do të të ketë rrokur, nëse… do thuash por do të jetë vonë.
    PRITJES
    Zbehtësia e kësaj nate buzëqesh përmbi valë, 
    thyhet bregut në copëza si pasqyrë, 
    ne të përqafuar prej fatit paqësonim ndjenjën. 
    Dikur prej ëmbëlsisë,prej orëve të vona nën hënë.
    Milazim F. KADRIU
    JETA
    Ëndrrën e bukur të natës
    Ma dogji rrezja e diellit
    Këngën e kënduar në fushë
    Ma fshiu era
    Fjalën e shkruar në letër
    Ma lagu shiu
    Hapin e hedhur në tokë
    Ma ndali balta
    E çka më meti
    Ku është jeta?!!
    ATA QË PËR LIRI U FLIJUAN
    Ata na i hapën shtigjet
    Nëpër të cilat na vijnë rrezet e diellit.
    Ata na sollën pranverën e lulëzuar
    Bilbilat të lirë tash kanë për të kënduar.
    Ata nuk kursyen asgjë nga vetja
    Që për ne të jetë e ëmbël jeta.
    Ata që për liri u flijuan
    Nuk vdiqën, pavdekësinë fituan.
    DO TË TAKOHEMI
    Patjetër një ditë
    Me vetveten do të takohemi
    Sy më sy.
    Punën që kemi bërë
    Do të shihet si në pasqyrë
    Prandaj ose do ta duam veten
    Ose fytyrën kemi për ta pështy
    ************************************
    Xhorxha Osmani
    Në qytetin tim-tënd
    Dëgjoj të flasin, zhurma, klithma,
    qenër të jargosur, zgjebarak!!
    Smog qyteti, naftë me litra ,
    e vota që gjithmonë duken pak!!
    Dëgjoj moralin nga nder’nëperkëmburit.
    Leksione dëgjoj nga të pavlerë.
    Dëgjoj tek ironizohen “të tremburit”,
    pa i patur përballë flasin për të tjerë.
    Ndjej alkolin tek derdhet lokaleve, 
    burra qe i shkojnë nga pas!!
    Kuletën zbrazin kazinove,
    ANKOHEN FAJIN E KANË GRATË!
    Zgjohet e fle qyteti,
    aromë mëkati bie në mesnatë!
    Aty ku i tepërt bëhet i treti,
    ku zhurmen më të ëmbël e bëjnë veç paratë!!!
    Loti i hyjnis!
    Përmbyset bota prej lotit tënd,
    minierë brenda syve të tu të thellë.
    Përmbytet bota prej lotit tënd,
    ta fshij dot s’mundem, ndjehem në faj!!
    Përmbytet bota prej lotit tënd,
    zjarrin t’ia vë le të digjet flakë!
    Sytë , flokët ti prek , ti ndjejë ,
    hënën të të ofroj do t’me duket pak!
    Oaz zanash të të ofroj,
    ftohtë të mos ndjesh e as shi,
    kur romantizmi të të pushtoj,
    zhytu të lutem brenda syve të mi!
    Të dhurojë buqet, kristale e yje,
    taka hirushe në këmbë të vesh.
    Vendin ta gjej aty mes hyjnive,
    Të rrethohesh nga ëngjej ,
    të jesh mbretëresh!!!
    Luljeta Gjosha Pashollari
    JETOJMË ME IMAZHIN E NJËRI-TJETRIT
    Të mendoj e nga kujtimet e mia nuk të fshin njeri, 
    Të dashuroj, sa në zemrën time s’ka vend për asnji. 
    Të adhuroj e kjo pritje e gjatë me ka lënë pa gojë, 
    Në çdo cep të dhomës, me kujtimet e tua jetoj.
    Të dua ty gjersa fryma të më shkojë në qiell, 
    Aroma jote e ëmbël, si mantel më ka mbështjellë.
    Në këto dite acari, nuk po gjej fare qetësi, 
    Vallë si do më vejë halli pa ty, këtë nuk e di?!…
    Ndoshta me vështrimin nderur nga rruga qëndron, 
    Më duket se nga çasti në çast po më përqafon… 
    Do më kërkosh falje për këtë pritje të gjatë, 
    Do me pëshpëritësh në vesh, mos më qorto këtë natë!
    Kjo është nata jonë, nata e ndjenjave fitimtare, 
    Preludin e dashurisë këndojmë, si zogj në dritare. 
    Dhe vazhdimisht me sy njeri-tjetrin kërkojmë, 
    Zemra na rreh fortë e me imazhin tonë jetojmë…
    PËR TY S’DI Ç’TË SHKRUAJ MË PARË
    Ndoshta të kam thënë se për mua ishe gjithçkaja 
    Apo jam shprehur se të kish dërguar perëndia, 
    Se mes nesh elementi lidhës nuk ishte paraja, 
    Por çdo ditë më shumë të kristalizohej dashuria…
    Mundohem të shkruaj për ty, por ç’të shkruaj më parë, 
    Se ishin aq të shumta gjurmët që le në përjetësi… 
    Ti përherë më pushton ndjenjat sa bëhem si e marrë, 
    Dhe lodroj ende në krahët e tu, siç lodron një fëmi…
    Prandaj i dua vargjet, ndonëse shpesh janë të brishta, 
    Madje as një presje të mos u lëvizë vargjeve të mi, 
    Ato për mua janë shprehje shpirtërore të fildishta, 
    Janë përmbajtja e plotë e dashurisë pa fund për ty.
    E dua këtë jetë, kështu siç në pjesë më ka rënë, 
    Ndonëse detyrën si prind s’e kam përfunduar, 
    Pavarësisht se ditët e mia, në veprim i kam vënë,
    Mendoj se oksigjeni jetësor për mua ka mbaruar…
    SA MË MUNGON FJALA JOTE
    Sa më mungon fjala jote, vetëm ajo më qetëson e s’më le bosh, 
    Sa kam nevojë të më përqafosh, mërzinë time të ma largosh, 
    Sa shumë e ndjej vetminë, që ma kthen gëzimin në hidhërim , 
    Sa më mungon, sa më mungon, si do ta largoj këtë trishtim?!…
    Thonë se dhe Hëna jeton vetëm, gjithashtu edhe dielli, 
    Jo, nuk është e vërtetë, se janë bashkë në gjithësinë e qiellit’ 
    Yjet u sillen rrotull, duke i puthur ato në gushë, si jo më mirë, 
    Kurse unë e ti në dy botë të ndarë, unë krejt në shkretëtirë…
    Ti në dritën parajsore, ndërsa unë në terr, lundrojmë të ndarë, 
    Ti në botën e drejtë, unë në të gënjeshtërt e pushtuar nga një zjarr, 
    Zjarri i dashurisë për ty, më djeg dëshirën të jetojmë të dy bashkë, 
    Nga kjo jetë gënjeshtërt të largohem, sa më parë të dal jashtë…
    Lutjet e mia pse nuk i dëgjon, pse e bëre zemrën gur?! 
    Vallë, rrugën kush ta preu, që më le në pritje në këtë mur? 
    Zjarrin që ndezëm bashkë, përse e fike, e me ke harruar?
    Jo, jo, nuk më largon dot, se unë si krisje të kam pushtuar!
    S’dua të thur gjithmonë vargje për ty, por mendja tek ti më rri, 
    Dua mërzinë ta tres e diku tutje të ndez një zjarr krejt të ri,
    Por, jo, jo, këtë nuk e bej dot, se zjarri yt nuk është shuar, 
    Është kthyer në vullkan e gjithë shpirtin tim e ka përvëluar…
    ILIRIANA SULKUQI
    1.Poetëve
    Psherëtimat e kohës
    lotojnë mbi vargun tuaj…
    Pranverën,
    ku e mërguat?
    2.Kredo poetike…
    Bëj të fshihem tek një natë,
    vjen një ag e sytë m’i hap…
    Zë të fshihem tek një gotë,
    më kujton një tjetër botë…
    Pa, kur fshihem te poetët,
    jam te Zoti me profetët…
    3.Fjala si fillim
    Fillimi i fjalës,
    dhurata e fundit e Zotit…
    Pas meje e teje,
    pas Adamit dhe Evës…
    Fillimi i fjalës,
    mëkati i botës…
    1. 4.Gjethëza e fundvjeshtës
    Ra
    gjethja 
    e fund-vjeshtës,
    shpirti m’u shtrydh nga dridhma…
    hapa gjksin drejt erërave,
    tek unë mbeti era,
    s’ranë gjethe të tjera… 
    *****************************
    FATION PAJO
    1. Dikur…
    Dikur…
    Fjala “Heshtje”
    Më dukej ves i huaj
    S’e përtypja dot
    Sot…me të endem pa u ndarë
    E duroj gjer në dhimbje
    Stinët ndër sy shpesh më dyzohen
    Dhe vuaj…
    2. Atë mëngjes në ikje
    Atë mëngjes në iklje
    Në vend të Lamtumirës
    Breshëri lotësh ranë
    nga sytë e Tu
    Në shpirtin tim
    Megjithëse mallkova vitet
    Dhe pritja m’u lodh
    Ato kurrë s’u thanë… 
    3. Mos më thoni…
    Mos më thoni…
    Ku shkoj
    Ku përcjell ditët
    Ku trokas
    Ku gdhihem.
    Jam mes jush
    Nga lindja e ditës
    në lindjen tjetër
    Brenda dhimbjes suaj
    përfshihem.
    4. Psherëtimë…
    Kur numuroj
    vitet e dashurisë
    ndjej lehtësim
    përtërihem.
    Kur mendoj
    vitet e pleqërisë
    ndjej thëmbim
    mpihem. 
    ******************************
    Nikolin DELIAJ
    Çdo ditë është një Prilli
    Për t’vërtetën malli m’ka marrë
    Se t’gjithë janë kthyer në gënjeshtarë
    Dikush rren edhe për interes
    Shumë të tjerëve u është kthye në ves…
    Është politika, kjo që po na tërbon
    Gënjeshtrat kjo i ka kthye në profesion
    Natën s’bëjn pushim, as dhe kur del dielli
    Për politikën tonë, çdo ditë është një Prilli…
    Ndonëse ne, fort mirë e dimë 
    Se politikanët tanë na mashtrojnë
    Por prap nuk zëmë mend
    Dhe për ta sërish votojmë…
    Feja e shqiptarit është kthy leverdia
    Këto fjalë pikë së pari…
    Le të shkojnë në vesh të çdo shqiptari
    Ta dëgjojnë plaku dhe fëmija
    Se feja e shqiptarit është kthyer leverdia…
    Shkojnë jashtë shtetit për me punue
    Në punë të rënda tu ju thye brinjtë
    I ndërrojnë emrat fare pa u shqetësue
    Krejt familja: – Burri, gruaja dhe fëmijtë…
    Vjen ai tjetri nga jashtë shtetit
    Edhe na hiqet si garip
    Si vjen turp atij prej vetit
    Fëmisë dhjetë vjeç si ka mësue shqip…
    Vaj medet ku jem tu shku…
    T’gjitha gjanat i kemi ndrru
    Asht prish krejt kjo njerëzia
    Tuj shku veç nga leverdia…
    Zoti e di se si ne rrojmë
    N’qiell kanë shku taksat, çmimet dhe qiraja
    Me fjalë të tjera, s’ka vlerë hiq paraja
    Rrogat janë të vogla e nuk mjaftojnë
    Zoti e di e vetë se si ne rrojmë…
    Me i pague dritat nuk mjafton mujori
    Shpresa e vetme, ka mbet veç emigracioni
    Varfëria dhe papunësia janë tu rritë përditë
    Veç me groshë pa vaj, po i ushqejmë femijtë
    Për një copë mish, shumë po kemi rreshk
    Na ka humb nga mendja edhe fjala peshk
    Me rroba t’vjetra ka kohë që jemi të veshur
    Mos me qenë gabi, kem qenë tu mbet zhveshur
    Fëmijët kanë lënë shkollat
    Dhe përditë dalin n’ pazar
    Tuj kërku bukën e gojës
    Janë kthyer në lypsarë….
    Mallkoj Zotin pse bie shi
    Hap dugaja e ban mejhane
    Ndërto shtëpi e avulli
    Blloko rrugë dhe kanale
    Mallkoj Zotin pse bie shi…
    Fajin e ka ky hyqmeti
    Hyqmeti kjoftë mallkue
    Kur jem shëndoshe s’dona shtet
    Por kur biem ngusht, rrimë tuj vajtu
    Shteti n’tokë e Zoti n’qiell
    Populli s’ka tjetër kismet
    Jena ba ma e keqja pjellë
    Nuk e dimë kur do të bëjmë shtet.. 
    Qershor 2015
    *****************************************************
    Poezi nga Martin DEDAJ
    Ftesa e detit… 
    Pafundësi kaltërsie
    Të josh e të qetëson sytë…
    T’i merr lotët dhe dhimbjen
    Dhe në dallgët e tij i mbyt…
    Ngadalë të merr për dore
    Dhe loz me flokët e tua…
    Të pëshpërit në vesh, e të thotë
    Eja e jeto dhe ti me mua…
    Herë me dallgë,
    Dhe herë me qetësi…
    Jeto siç jetoj unë
    Në të pafundmen kaltërsi… 
    Dje, sot, nesër…
    Dikur!…
    Ankth, pritje, vetmi…
    Pasi nuk e dija
    Se ekzistoje ti…
    Sot,…
    Rrahje zemrash,
    E lot në sy…
    Dhe poezi të shkruara
    Vetëm për Ty.
    Nesër!…
    Ndoshta ndarje…
    Vuajtje dhe kujtime.
    Na presin Ty dhe Mua
    Por mos harro…
    Se të kam dashur
    Dhe prap të dua.
    Ndjenja dashurie… 
    Dy pika loti, ranë mbi faqet e mia
    Pse ndodhi kjo, nuk e di ?!…
    E pyeta lotin, dhe ai më tha:
    Rashë mbi faqet e tua, veç për dashuri…
    Tik-take të shpeshta, pushtuan zemrën time…
    Pse ndodhi kështu, nuk e kuptova?!…
    E pyeta shpirtin, dhe ai më tha:
    Ndodhi kështu se për herë të parë dashurova…
    Edhe vuajtje udhëtuan, në shpirtin tim.
    Dhe as këto, nuk’ arrita t’i kuptoj…
    I pyeta ndjenjat e tua, pse po ndodh kështu…
    E ato mu përgjigjën: Zemrat tona, janë dashuruar.
    Përse ?!!… 
    Sa shumë përse ?!!!
    Janë të fshehta si thesaret.
    Dhe kurrë përgjigje, s’kanë marrë!
    Që kur kanë lindur të parët…
    Unë kam pak “Përse”?…
    Të thjeshta, sa dhe vetë jeta…
    Këto janë:
    Përse vdes njeriu, 
    Dashuria, 
    dhe ndjenja…
    Mall…
    Në mendje më vijnë,
    fjalët e tua.
    Para syve të mi, 
    fytyrën tënde kam…
    A mos vallë ky është,
    Një vegim…
    Apo mos ndoshta
    është vetëm një mall…
    Martin DEDAJ
    ********************************************
    Fabula nga Gjikë Kurtiqi
    Ndershmëria dhe Korrupsioni
    Një i pasur nga pushteti,
    Me sejmenë rrethe qark.
    Takon në një rrugë qyteti.
    Një të ndershëm varfanjak.
    E pa nga koka në këmbë
    Dhe foli me qesëndi:
    – Nga mbinë këta varfanjakë
    Që të ngjallin neveri?!
    – Ne kemi mbirë nga dheu
    Që gjithë jetën gjallëron,
    Kurse ju mbitë nga plehu
    Që ka emrin KORRUPSION!
    Deputeti dhe e ëma e Zeqos
    Një deputet në Parlament
    Në çdo seancë ngrihet e flet.
    Flet nga podiumi në krye të sallës
    Si e ëma e Zeqos nga maja e thanës.
    Flet e flet e s’din të ndalet
    Dhe fshati qeshet dhe bota tallet.
    Engjëjt dhe djajtë
    Engjëjt dhe djajtë u ballafaquan
    Në një debat ku lanë nam.
    Nuk qe debat por qe shamatë
    Me sharje pa doganë.
    Ata që i panë e i dëgjuan,
    Shtangën pas kësaj.
    Se s’morën vesh e s’e kuptuan
    Cilët qenë ëngjëj e cilët djaj?!
    Komisioni dhe Korrupsioni
    Komisioni ad’hok 1)
    I luftës kundër Korrupsionit,
    Mori vendim kokë më kokë,
    Të përdorin gjuhën e presionit:
    – Korrupsion e mbushe kupën,
    Gjete shesh në Shqipëri,
    Hodhe rrënjë në çdo fushë
    Dhe na bëre lesh e li.
    Për gjithça duhet pagesë,
    Pagesë për të lyer rrotën…
    Shkurt na je bërë pengesë
    Për tu bashkuar me Europën.
    Ndaj vendosëm të gjithë tok,
    Deri në fund të shënëndreut
    Do të bëjmë copë-copë,
    Të zhdukesh nga faqe dheut.
    Dhe përgjigjet Korrupsioni,
    Buzagaz me këto falë:
    – Mua Europa më ma lindur
    Dhe Europa më mban gjallë.
    Komision ti lodhesh kot,
    Për ndarjen tuaj nga Europa
    Unë s’jam shkaku, jam sebepi!
    1) At;hok – i posaçëm
    VËSHTRIM PËR LIBRIN “PERANDORIA E ZOGJVE” TË BARDHYL MALIQIT, PËRKTHYER NË GJUHËN KROATE NGA SHAHIN HASANI SHKOZA, BOTUAR NGA “AUGUST SHENOA” ZAGREB 2013 –
    Bard i poetikës së krahasimit
    Shkruar nga: Senahid Neziroviq (Senahid Nezirović), Tuzlla, Bosnje e Hercegovinë 
    (Marrë nga revista “RIJEČ” nrR 1-2, 2015, f. 345-346)
    Emri i autorit shqiptar, Doktor Bardhyl Maliqit, është mjaft i njohur për opinionin e gjerë letrar, pasi që bëhet fjalë për një eseist të shkëlqyer, autor novelash dhe i studimeve shkencore nga fusha e veprimtarisë pedagogjike dhe e poezisë. Po ashtu vlen të theksohet se është fitues i dhjetëra çmimeve letrare, të të gjitha niveleve: rajonale, nacionale dhe ndërkombëtare. 
    Përzgjedhja hapet me titullin “e goditur” poetik, sipas të cilit u titullua krejt përmbledhja “Perandoria e zogjve”, që të jep përshtypjen e një poeme tepër të bukur. Gjithsesi është e rëndësishme të theksohet sintagma e titullit, ku poeti e sublimon mallin e vet për t’i fokusuar gjërat nga perspektiva e zogjve, duke ëndërruar për mundësitë e udhëtimit pa pasaportë dhe procedura të tjera administrativo-burokratike. Tek ai, zogjtë janë simbol i lirisë, në kuptimin e plotë të fjalës, ashtu si e vërteta e lashtë për zogjtë e parajsës që bartin shpirtrat e luftëtarëve të lirisë, e në atë mënyrë kurorat e tyre finë janë poetët si Bardhyl Maliqi! (Veç zogjtë e shpirtit fluturojnë në hapësira mendimi, / e pafundësisht rendin, vrapojnë në kaltërsi / dhe kur thelbi ynë ekzistencial është tronditur, / kjo mërgatë e zgjatur zogjsh është e vetmja qetësi”, f. 108-109: BISEDË ME VETEN DHE ME TË TJERË).
    Tipari thelbësor i mënyrës si ai e koncepton poezinë është gjerësia, të menduarit e thellë dhe empatia. Po të ishte e nevojshme që të përzgjidhej njëra prej figurave dominuese stilistiko-gjuhësore e poezisë së tij, atëherë do të mund të ishte komparacioni (krahasimi). Në atë mënyrë ai e zgjeron shtresën semantike të ligjërimit të vet poemik-galdues dhe fut krahasime të përkryera që lexuesin nuk e lënë indiferent. Gati nuk ka poemë ku nuk shfaqet një krahasim i përkryer që ta merr frymën me bukurinë e vet! Perandorinë e tij nuk është kollaj ta rrënosh, sepse e mbrojnë krahasim të realizuara në mënyrë të përkryer që i kontribuojnë, në çdo aspekt, konkretësisë, figurshmërisë dhe harmonisë. Patjetër që krahasimet përbëjnë thelbësoren e poetikës së tij…
    AMARDA
    Ti kundërmon e gjitha aromë virgjërie
    si një aromë e lehtë mollësh në shtegun e gjinjve (f.24)
    MIMOZA
    Një emër si qiell
    Plot dritë dhe diell
    Shkulm në kypërcyell
    Mimoza, Mimoza! (f.36)
    FARËZAT E GRURIT
    Poemë për nënën
    O nënë, 
    ku je fshehur që dot s’po të gjej?
    Ku është buzëqeshja jote e bardhë si zambak,
    po puthja mëngjesore si aromë luleftoi,
    Po zëri melodioz në ç’hapësira hepoi? (f. 53)
    LETËR NË HAD
    (Kushtuar njërit prej njerëzve të mi të dashur, Robert Sheros, vrarë në kufij në dhjetor 1991)
    Dhe s ‘mund të ndodhte ndryshe,
    Gjersa vrasësit e tu gjallojnë mbi dhe,
    Gjersa vrasja tënde mbeti enigmë (f. 58
    Kjo poemë dëshmon në mënyrë universale për rastet tronditëse të vuajtjeve të poetëve si: mr. Abdullah Kovaçeviq ose profesorit dr. Shpiro Matijeviq (në Bosnje dhe Hercegovinë)…
    JON, I DËSHIRUARI IM
    Unë, bard i lashtë i kësaj toke,
    bir i diellit,
    i përveçuar,
    Ndër mote. 
    Njohës i rrallë i historisë, i përshkuar nga malli për vendlindjen e humbur, që e gërsheton me nostalgjinë për rininë e ikur dhe përshkrime brilante, ky poet elokuent na shfaqet në dritën më të mirë. Dhe, mu siç është rrënja e emrit të tij, ajo sugjeron se bëhet fjalë për një BARD të poeziës shqiptare, që flatron me krahët e penës së vet në gjakimin për të arritur sfera më të larta. Në anën tjetër, prapë, duke luajtur me një fonemë të rrënjës së emrit të tij nxjerrim një domethënie të re, që ndërthuret me obsesionin tematik-motivor të zogjve që fluturojnë kaltrisë së qiellit. Pra, nëse në rrënjën e emrit të tij ndryshohet vetëm një fonemë “a” › ”i” dhe fitojmë një fjalë të re në gjuhën angleze: BIRD (zogu, vërejtje e autorit)! Prandaj, botuesi ka bërë gjënë e duhur kur ka botuar përzgjedhjen me vlerë të poezisë së profesorit-poet, Dr. sc. Bardhyl Maliqit, duke i gëzuar në këtë mënyrë të gjithë ata të cilët përmes shumështresshmërisë në vargje kremtojnë bukuritë të cilat është e vështirë të maten… 
    (përktheu: Anton Gojçaj) 
    Box
    Bardhyl Maliqi, është poeti shqiptar, që ka marrë dy çmime të rëndësishme letrare në Bosnjë: çmimin e Maratonës Poetike të Sarajevës në mars 2012 dhe çmimin e poetit më të mirë të huaj të botuar në revistën “ Rjeç”- Fjala, në vjeshtën e vitit 2014. (shënim i redaktorit)
    **********************************
    Hysen Grajçevci
    HUMBËTIRË
    Një lot shpesh se ç’më tradhëton
    Vjen e rrjedh prej zemrës vale,
    Si ta shtrydhë këtë emocion
    Pa shkruar shkronjë e pa thënë fjalë?
    Një drithërimë më përshkon shtatin
    Netëve t’gjata pa dritë hëne,
    Është Kalvar i dhimbjes së madhe,
    Dhimbë rrënqethëse nga zemër nëne.
    Është një ndarje që më trishton 
    Kur mendoj agun n’Pranverë,
    Si humbëtirë më duket Dielli
    N’kërkim shtigjesh pa gjetur derë
    Si ortek një zë nga Qielli
    Vjen si heshtë, ndaç thuaj shigjetë,
    M’kot bleron e lulëzon Natyra
    Krejt, pa ju më duket shkret!
    Përtej…
    Hënë moj e uruar,
    Që ndrinë natën me bilur,
    E zhduk frikën, largon terrin,
    Ringjallë shpresën përmbi tmerrin.
    Përtej prangave, thash e thëmave,
    Përtej shtegut mbi kanun,
    Hyn si zanë në kullat tona,
    Sy shqiponjë përmbi furtunë.
    Unë shtegëtar i kohëve t’reja,
    Që mbledhë hojet n’plasa gurit,
    Maje shkrepave ku lind agimi,
    Mbjellë te renë përbri flamurit.
    Unë ti dhe poezia
    Bredharakja ime poezi,
    Sonte në tavolinë
    Dua të jem i vetëm me Ty.
    Nën tingujt e kitarës
    Do i thurim metaforën vargut,
    Unë dhe Ti,
    Duke pirë verë të kuqe
    Dhe duke ngritur dolli.
    E imja , e dashura Poezi!
    Çfarë më fsheh sonte n’qepallë?
    Një rubin të rrjedhë poshtë faqes
    Ç’të ka njomur buzën e tharë?
    Fol moj mike, fol mos hesht,
    Fjala dhimbjen se fsheh dot,
    Nën këta tinguj melodie
    Nuk është mkat të derdhësh lot.
    A s’më thua moj muza ime?
    Pranë kësaj gote në tavolinë
    Çfarë t’i dhuroj poezisë sonte
    Përveç fjalës dhe dollinë !?
    Mevlud Buci
    Petale kënge ndez flamuri
    (kushtuar Nikaj- Mërturit)
    Nikaj Mërturi me xhamadan ari,
    në shtigje malesh bedenë mbi gur
    balli i tij me prushe ari 
    “Ku çel lulja përmbi gur”
    Në hone,gryka edhe thepaja 
    sikur e puthin flladet e Valbonës
    zëri i Tanushës ushton në ograja
    dhe nusërimi i Liridonës.
    Na flet me piskamë oshëtimë e luftës
    riten këtu veç thëllënxa e petrita
    sikur kanë lindur në telat të lahutës 
    artistët Kolë Susaj e Gëzim Nika
    Stërkalat derdhin fllade lirie
    Shkulma malli vrullon dhe guri
    Në Nikaj-Mërtur, gen Dardanie
    Petale kënge ndez flamuri
    2 Flasin Sytë…
    Trup e shpirt sikur blerojnë
    shtati mbledh gjithë bukuritë
    zërat e honit fort ushtojnë
    duart e bardha tregojnë hijeshijtë
    në këngë te dhimbshme
    kujet e Ajkunës të trishtojnë
    në jetën e përditshme 
    mirësitë jetën ta gjatësojnë
    hënëza i kundron bardhësitë 
    o njerëz,eh , sa flasin sytë!
    3 Triumf…
    Nata sjell muzgun e sertë
    në jetën e dritësuar, të rreptë
    njerëzit sikur bëjnë çudi
    koha sikur thur komedi
    Të mëdhenjtë , shtetarë,cinikë
    sikur nga jeta marrim pakëz dritë
    koha thur balada,tragjedi
    në jetë fiton më e madhja dashuri
    4 Rrezatim 
    Ndëgjoje fjalën ,vëlla 
    është më i çmuari margaritar 
    një fjalë e mirë 
    është sa një kala
    kur rrezatojnë fjalët 
    ke fituar mijra thesarë
    balli të shëndrit fortë
    dhe ke shëmbëllimin 
    e diellit rrezear
    5 Prehje
    Mbi kurorën e sertë 
    një legjendë epike
    ti kalon ti zgalemi
    tek retë
    kur vezullojnë plot rreze drite
    përjetësisht
    nusërojnë zanat
    perëndia sikur parajsat na i fali 
    Prehen, o njerëz
    ta japin mirësitë dhe mali …
    6 Në shpellën e një ariu…
    Në shpellën e arushës,akulli
    gjithnjë ngrin kujtime 
    po ku të lë ariu
    ta prekësh me ledhatime?!
    në ngricë të akullt
    sikur viojnë dragonjtë
    ulurimat të drithërojnë 
    lisat i shkul me thonjtë
    ngrica sikur shkriu 
    po s’të lë në shpellë ariu…
    Oltjona Selimaj
    Zemra pikon vesë…!
    Varur rënkojnë zemrat
    të vogela e të mëdha
    Zemrat e mirësisë…
    Dikush i la pa vaditur 
    Dikush i shkeli me këmbë
    Dikush në mes
    ua preu ëndërrat e fëminisë…!
    Varur renkojne,
    por të kuqe flakë flakërojnë sërish…!
    Nuk ka dhimbje që i mposht as gërvisht.
    Varur, si një ujëvarë diamantesh 
    zemrat e mirësisë,
    Rënkojnë prej habisë, e thikës së pabesisë…!
    Rënkojnë zemrat varur në degen e jetës
    Kërkojnë mbrojtje nga dora e miqësisë.
    Le ti përkëdhelim zemrat,
    mos ti lemë varur,
    të kalben, vyshken, 
    zemrat pikojnë vesë parajse…!
    Zemrat jane kulti i harmonisë,
    Fryt i dashurisë!
    Djepi i mirësisë!
    Autorja:Oltjona Selamaj 
    Kush botën ngjyrosi…?!
    Misteri i jetës,
    Mbushur plot larmi,
    Ngjyrosur kaq ëmbël
    Me kaq hijeshi….
    Më thuaj ti mike, 
    Kush botën e ngjeu..?!
    Kush kaq mrekullisht 
    Gjithçka bukur leu?!
    E lyer, e ngjyer,
    Plot aromë shpërthyer,
    Çel lulja plot jetë,
    Gjithkund në planet
    Më thuaj edhe ti qeës’ beson në ZOT,
    Kush mi sjell mendimet
    Që më vijnë në kokë?!…..
    Kush zërin e shpirtit, ma zgjon në agim,
    Kush poezisë sime, i jep muzë e rimë?!
    Unë nis edhe shkruaj çfarë zëri më thotë,
    As ngjyrë e as bojë lules s’ i jap dot….
    Ama gërmës, fjalës, zë, i jap kuptim,
    Kur shikoj një botë,
    Që ndjell shpirtin tim…
    E marr shpejt unë lapsin
    E ngutem, nxitoj…
    Çdo fjalë që më vjen, dua t’u tregoj…
    Nuk jam unë që thur e shkruaj poezi…
    Por është dora ime, e fryma e tij…….
    *******************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” Nr 21..
    DATË: 18 MAJ, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
    02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka
    03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
    04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi
    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.
    ÇERÇIZ N. MYFTARI
    DRAGOTI
    Fshati im mes dy malesh si brenda në kështjellë
    Vjosa me buçimë ecën, në zemrën time shtjellë.
    Dielli, hëna, mal më mal duken sikur rrokullisen,
    shkrepin kreshtëza me strrall, aty gacullina ndizen.
    Grykave përrenjtë kumbojnë e me brirë rrahin shkëmbinjtë
    vajzat, nuset, vijës kroit freskojnë vapës gushët, gjinjtë.
    Dhe varret me trëndafila, bozilokë e zambak,
    Mugullojnë nëpër llohë nga shtrëngata loti grash.
    Me fije bari në sqep erë e malit thëllezë vjen
    krahësh gjethet pupëlore monopateve i bien…
    Qiellit të kaltër në net vere zogjtë çukasin yje
    në kopështe me portokalle hëna shkon pas dashurive.
    FYTYRËN LUMI E LË NË DET
    Ku shkoi rinia ime flokëkaçurele,
    shkëmbimi i bilbilit rrugicës në mbrëmje,
    vrapi i syve
    nga akrepat e orës së qytetit
    tek një shteg,
    takikardia trëndafilishtes
    për një takim zemre.
    Ku shkoi tufa e dallëndysheve të ëndrrave,
    buçima e gjoksit nga deti i këngëve?
    Kush vallë i thirri,
    ç’dashuri i trokiti?
    Të jetë fshehur diku
    bën lojë mbyllasyzi?
    A peshën e viteve nuk duroi mbi supe
    Dhe iku si drita pa u ndjerë tutje?
    Më la ca rrudha si udhë te lëkura,
    flokë si bari mbuluar nga bryma…
    Tik – takun e zemrës e bëra borie,
    Vërtet nuk dëgjoje,
    a s’doje të vije?
    Mbrëmje për mbrëmje, mëngjes për mëngjes
    Në fytyrë të fëmijëve, si pasqyrë, qesh.
    Dhe lumturohem që jam aty vet,
    Si lumi që lë fytyrën në det.
    JAM I GJITHI LËNG DHEMBJE
    Te dhembja e njerëzve
    Gjendem mjek-poet.
    Dhe mjekoj
    me ilaçe dhe fjalë.
    Po tani, në moshë të tretë,
    Jam i gjithi lëng dhembje
    që kërkon të dalë.
    Unë e mbaj, e mbaj,
    Jam bërë durimtar.
    Lotët,
    s’i lë të ikin
    çurkaja syve,
    Vrushkuj të nxehtë
    brenda shpirtit
    i zbraz.
    Jam bërë pus…
    Kova me çikrik,
    vetëm unë këtu mbush.
    Gjon Neçaj
    1.Dy hapa përpara,tre hapa prapa…
    Njëzet e ca vite kështu kam ecur,
    Për të çvarrosur marrosjen historike të rrëjshme;
    Më në fund arrita aty,
    Ku gjyshi im nën hijen e kullës ,
    Me shekuj kish mbetur…
    2.Shtatë dekika sa shtatë shekuj…
    Shtatë dekika u deshën ,
    Të përmbysej Troja e lashtë;
    Për shtatë dekika malësorët e mi,
    Ngrehën kullat e përjetshme 
    Murthatë,
    E u përjetësuan në histori…
    3.Etje…
    Etje të përhershme im gjysh,
    Etje të pashuar im atë,
    Etje të pangijshme unë,Gjoni I kullës,
    Etje biri im 20 vjeçar,
    As tasi me tamelborë,
    As bojlia bregarës,
    As molla gjylave bregudhës,
    As kalaveshi i rrushit,
    Etjen nuk e shuan…
    Ujë akullborë veç kroni I Nikushit…
    Gjon Necaj
    Valter Dauti.
    JAM E SHËMTUAR, AJO MË THOSHTE…
    Jam e shëmtuar, thoshte trishtuar,
    O Zot, po kishte, ç’kishte Eva!
    Dy sy të blertë, të dashuruar,
    Secili, plot, një pyll me bredha!
    Jam e trishtuar, thosh, edhe heshtte,
    Unë veten shihja si Adami,
    Poshtë gjethes së fikut, ethshëm qeshte,
    një sy prej Zanash,që botën ngjalli.
    Po ti, i thashë… dhe e rrëmbeva,
    Me krahë Adami, m’u në gjoks,
    Po ti…po ti…po ti…je Eva…
    Të jesh pa ty, është paradoks!
    Qeshi mëkati me buzë epshesh,
    U tall, a s’di në qe serioz…!
    Vetëm mbaj mend, në dredhka qeshjesh,
    Dy trupa, puthur, ranë përposh…!
    …jam e shëmtuar, në jerm më thoshte,
    Tek mbaja duarve dy mollë…
    Një ëngjëll-shpirt-e flirt më joshte,
    t’ia bëj unazë, belin e hollë…
    Por, pyje bredhash turfulluan,
    Me cicërima zogjsh çamarrokë,
    Dhe sytë, rrufe hyjnish lëshuan,
    Mëkatet, s’i mbaka kjo tokë… 
    XHELOZI PRINDËRORE.
    (Vajzave të mia.)
    U bënë ditë që ju s’jeni këtu pranë, me mua,
    Edhe unë s’jam më, i mrekulluar si më parë.
    Gërryej veten brenda shpirtit, si përrua,
    Dhe sytë më përpëlisen, sikur t’i kem vrarë.
    E…po…s’jeni,them …më mire, po të vinit,
    Sepse…janë rebeluar peshqit në akuarium.
    Kukullave, sikur u është venitur drita e syrit,
    Kolltuku, rri më sheh, i habitur si tutkun.
    Muret janë pa shpirt, pa grindjet me ju,
    Tenxherja me gjellë, fryn barkun pangopësisht,
    Edhe llampat, se ç’lëshojnë ca kristale flu,
    Që m’i vrasin sytë, shumë armiqësisht.
    Se si më ngjan zëri, të flas me nënën tuaj,
    Sikur s’më dëgjojnë, sikur më shajnë burrërinë!
    Rri shoh veten në pasqyrë…më duket jam i huaj,
    Sigurisht që pa dashur… kam ngatërruar shtëpinë!?
    U bënë ditë që fluturuat…s’qenkëshit aq krahëbrishtë,
    Unë e dija se gjithë jetën do t’iu mbaja në krahë!
    E,tani,sigurisht, fsheh fytyrën e trishtë,
    Edhe grindem …si burrë..me ç’të dalë përballë!
    FRYMËRIM PRANVEROR.
    Përkëdhelet pranvera e llastohet si foshnjë,
    Mërmërin nëpër ajër, përmbi ujëra qesh butë,
    Bulëzon ndrojtshmërisht rrëzë shkëmbinjve thinjoshë,
    Mes zabelesh të hirshëm, frymërohet krejt urtë.
    Si një ëndërr shfaq qeshjen nëpër tym të një reje,
    Mugëllon sytë e fjetur teksa çel një ylber,
    Një mimoze të hijshme, i fal hiret prej femre,
    Pas një shiu të ngadaltë,avuj afshesh zë nxjerr.
    Brenda, zjen bukuroshja, provokon, përvëlon,
    Nga shpërgenjtë e një peme, derdh aromë, flirte ndez,
    Shembëllim adoleshence-si hyjneshë qesh mbi fron,
    Me parfum erotik çorodit në univers.
    Është mëkat që të flesh, kur gjithçka zgjuar rri,
    Kur gjithçka frymëron,zjarr e epsh jep e merr,
    …veç një natë do të të vij…do të ndez lumturi,
    Te ty vajzë…dhe pastaj…le të ndrij dhe në Ferr…
    SHPIRT KALLDRËMESH.
    Shkëputur shkëmbinjsh,rrëmujshëm dhe heshtur,
    Përqafe njëri tjetrit.
    Në rënien rrëmet; rrokopujë dhe të fjetur,
    -Ushtarë të shtetit !
    I mori dikush, i vuri në rradhë,
    Mbi buzë-buzëqeshje.
    Veç taka trokasin mbi qeshjen e bardhë,
    Që qeshet në heshtje.
    Kështu përjetësisht, të shtypur, të shkelur,
    Me zemër të ndrydhur.
    E do ekzistenca të shfaqen të qeshur,
    Nga rrahjet të shrydhur.
    Këta gurë kalldrëmi (dikur qenë male!).
    Dënimin e qeshin.
    O mik, që me taka, godet e nxjerr stralle,
    Veç shpirtrat nuk vdesin…
    1
    Nga Azem Stroka
    Nënë moj merak’ më mbeti !…
    Dridhet toka, gjëmon deti,
    kujë e nadhe sot ka ngjarë,
    tragjedi vjen nga bregdeti,
    bien yjet në Himarë.
    Çfar ka deti që rënkon,
    dhe dallgët janë fashitur,
    si nga hera deti “JON”,
    për jetë njerzish i uritur.
    Oh! Ju nëna, baballarë,
    që Zoti sot ju dënoi,
    nuk ngeli shqiptar pa qarë,
    kur tragjedin e mësoi,
    Kush e pa e s’u marros,
    kush rënkimin nuk e ndieu,
    cili sy nuk u përlot,
    për ato jetë që preu?
    Oh ju nëna, ju të mjera,
    që sot kujën kini vënë
    dhe dilni prisni tek dera,
    arkëmortet hije rëndë!
    Mami, sot nisem për ekspeditë,
    udhetim me shkollën shkoj.
    Nëna del e i puth sytë,
    udhë të mbarë i uroj.
    “Nënë!” – kthehet bija prapa
    dhe e puth e përmalluar,
    pasi hedh nja dy – tri hapa,
    sytë lotë I kanë kulluar.
    Udhëtimi përgjat jugut
    për nga Vlora në Sarandë,
    në një kthesë prit gojë e ujkut,
    kthesa që bëri hatanë.
    Mallkuar, o ditë e vajit,
    se këpute ato lule,
    vajzat si gonxhet e majit
    porsi përbindshi i shkule.
    Këngët në buzë u ngelën,
    as të rënkonin s’arritën,
    si filizat që sa çelën,
    honet, grykat, i gëlltitën.
    Nënë, malli do më marrë,
    që s’të putha dot në ballë,
    kokën tek shkëmbi kam vrarë,
    ndaj s’pe dot bijën të gjallë.
    Këtu pranë detit të kaltër,
    përgjithmonë i mbylla sytë,
    nuk do të të vij në vatër,
    siç më prisje, vet i dytë.
    Baba! Sa shumë të desha!
    Lotin për mua ta ruash,
    rrobat e bardha s’i vesha,
    ndaj më shumë të më duash.
    Baba ziu dot s’duron,
    kokës me grushta I bie,
    puthjet e vajzës kujton,
    për të jeta s’ka më shije.
    Nga Azem Stroks më 21 maj 2012.
    2
    Vuaj, siç vuan dhe ti!…
    Aty mes buzëve të tua,
    gjeta mjalt dhe dashuri,
    por sot vuaj që si prek,
    vuaj, siç vuan dhe ti.
    Aty mes buzëve të tua,
    gjeta shpresë, gjeta jetë,
    ashtu siç vuan dhe ti,
    vuaj unë, vuaj vërtetë.
    Aty mes buzëve të tua,
    gjeta ëndrra, gjeta lotë,
    lotët që të rrodhën ty,
    i vuaj vërtetë unë sot.
    Aty mes buzëve të tua,
    lindte diell çdo mëngjesë,
    ai diell sot s’del më,
    ndaj vuaj e rroj me shpresë.
    Aty mes buzëve të tua,
    ka rënë akull dhe dëborë,
    u tha lulja dhe u vyshk,
    që në prill, pale qershorë.
    Aty mes buzëve të tua,
    u tha dashuria jonë,
    ashtu siç vuan dhe ti,
    do vuaj dhe unë gjithmonë !…
    Nga Azem Stroka
    3
    Muzgu i dashurisë!…
    Ti ike, në jetën time s’bën më pjesë,
    shkele dikur në gjurmët e mia,
    lehtë – lehtë, si trëndafil me vesë.
    Veç sot s’je më, kam kohë pa të pare,
    në jetën time, le një mal me kujtime,
    ndaj sot mua malli më ka marrë.
    Sado që ike në errësirë të plotë,
    pa folur, pa thënë një fjalë,
    në sytë e mi, loti krijoi një ujvarë.
    Sado që loti i njomi qerpikët e mi,
    dhe zemren e mbuloi një muzg’ i errët,
    s’është ironi, por një shkëmb në zemër.
    Sepse zemra ime është e madhe,
    duron dallgë, fortunë, stuhi e kiamet,
    por vlen më shum se thesaret nënë det.
    Ti ike bashkë me muzgun në errësirë,
    dhe zemrës sime i mungon ç’do ditë,
    po jeta ime ka ende shpresë e dritë.
    ***********************************************
    Avni Azisi
    AVNI AZIZI
    FONEMAT E DASHURISË
    Kur fëmijët të kenë buzëqeshur
    Nëpër ëndrra e fjalët tharë nga dhembja
    E asnjë pikë gjak më nuk pikojnë
    Shtrëngoje fort dashurinë time
    Në përqafimin tënd të ngrohtë
    Se në kështjellën e fatit tim
    Veç nepërkat helm kanë hedhur
    Kur hëna si drapër gdhendur nga retë
    Ballin tënd ka lëmuar
    Si pelerinë e artë e syve të zi
    Bashkë me dashurinë e fonemave
    Unë të vjedh një puthje në sy
    E nisem si ëndërrimtari që shtegton
    E diku në fundajë shpirti
    Shoh se çdo qelizë më lumturon
    Kur ta mendoj lëkurën e plagën
    Ngjethem sikur prek zjarrin
    Dhe dua qiellit t’ia rrëmbej gjerësinë
    Për ta vënë në ballin e ngritur
    Si medaljon
    Kur shushurima e detit me stuhi
    Më grishë qiellin plagën e fatin
    Në njëmijë gurgullima lumenjsh
    Thërras emrin tënd Shqipëri
    PËR TOKËN
    Ata që vdiqën për tokën
    I kanë varret e thjeshta
    Por lavdinë e madhe
    Ata që u munduan për lavdi
    Kanë tokë për shumë varre…
    ZINXHIRËT
    Kur ta lidhin fjalën
    Arterien e frymëmarrjen
    Të mashtron kaltërsia
    Po nuk të këndoi
    Zogu në kraharor
    Kur ta lidhin shpresën
    Kalorësin e bebëzën
    Të verbon mugëtira
    Po nuk u azdise
    Si kali hamshor
    Kur ta lidhin ylberin
    Lahutën e ninullën
    Të kafshon nepërka
    Po nuk u përpëlite
    Si në ëndërr të keqe
    Kur ta helmojnë lumin
    E urën ta rrënojnë
    Tek burimi kërkoje
    Legjendën e ujit
    Dhe harkun e urës
    EPOKA
    Pasi të përfundojë portreti i epokës
    Diku afër apo përtej kufirit të kornizës
    Derdhet peizazhi dhe rrugë për këmbësorët
    Plagët bëhen rreze e rëniet kristale për pyje
    Dikush mund të mos njoh kohën dhe vendin
    Kjo do na vjen si ai momenti në rënie të pritës
    Pak rëndësi ka në cilat beteja do jemi
    Në fillim të jetës apo në fillim të ditës
    SHPATA E DËSHPËRIMIT
    Nga shpirti të rrjedhin lumenj
    Por dhembjet nuk ti shpërlajnë
    As mal i njomë i kësaj pranvere
    Nuk ta bleron fatin e gozhduar
    Asnjë ujëvarë e rrëmbyer
    Nuk të kthen tek burimi i bekuar
    I dëshirave të dikurshme
    Për mëngjeset me kurora lulesh
    Fodullët e spikatshëm çmendurisht
    Zjarrin e fonemat ti përtallin
    Në këtë muzg të hijeve të gjata
    Në këtë ditënatë si infarkt
    As lumenj që rrjedhin paqësisht
    Me ujë të trazuar e të kulluar
    Nuk ta shërojnë zemrën e plagosur
    Nga shpatë e ftoftë e dëshpërimit
    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe ëord.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe ëord).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!
    Sigal