Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 01 Shkurt 2016

    635
    Sigal

    Xhensila Mirashi

    – Me dasht’
    Me dashtë asht art?
    E me kanë art, artist duhet me le?
    E me le artist, kurrkush artin s’po ta kuptojke.
    Me dashtë’ asht luftë’ ?
    E në luftë’ shigjetar i mir’ duhesh me kanë !
    Shigjetën bash n’loçkë t’zemrës me e lanë.
    Me dasht’ asht me u tranu ?
    Me u tranu krejt…
    Syni me pa Hanë e Diell t’përqafum.
    Me pa borë t’përflakun n’zjarr.

    Xheni Kapllani
    –Gështenjë


    Kërcëllin acari
    Ma fort se dhamt e mia
    Vjellun ka era tërbimin e saj
    Plasaritës deri n’deje ,
    Dimrue po kam unë në strofullën time
    Kallama akullin prej lotëve ,
    Ushqye në vatër
    Me ndjenjën e bame thërrime .
    Shoh hijen tanë në at’ mur të plasaritun
    A ti je babë ? S’vonove dhe më erdhe ?
    Ç’paske sjell o bab ? A gështenja a ?
    Apo thjesht gështenjat e dimrit të shku te sollën ty ?
    Fryn o bab jashtë
    E unë përmallim po shqepem tu i hëngër ,
    e buke me nostalgji gështenje ly .
    Se nuk është’ ma vjeshtë’
    Siç qe dikur
    Atëherë kur shiu kërciste me nge
    Qanim dhe atëherë’ ma shumë se kurrë
    Por, ma pak se tashti
    Shumë më pak
    Se me nostalgji qemë mbuluar
    E tash që kjo batanije m’ka ma mbet mu, rreckë e vjetër
    Hajde o babë se jam t’u fërgëllu !
    Po ti nuk vjen…
    Dhe unë pjek gështenja
    Dhe unë pjek kujtime
    Në zjarrminë e shpirtit tem.

    Milazim F. KADRIU

    Plisi

    Plisi
    Është lashtësia jonë
    Është gjuha jonë
    Është historia jonë.

    Duke ruajtur plisin
    Ruajmë kujtimet për të parët tanë
    Ruajmë kujtimet për babën,
    Gjyshin,…të gjithë me radhë.

    Që nga ilirët e pellazgët
    Plisi brez pas brezi
    Qëndroi me shumë krenari
    Si kala madhështore.

    Mbulesë tradicionale
    Në kokat shqiptare
    Plisi dhe Flamuri
    Janë komb e fe për ne!

    Në të gjitha kohët
    Trimat me shumë krenari
    E bartën nëpër beteja
    Bashkë me Flamurin Kuq e Zi.

    Plisin tonë të bardhë
    Do ta bartim gjithmonë
    Gjersa të ketë
    Shqipëri e shqiptar!

    Flakë vullkani për liri
    ( Adem Demaçit )
    Akrostik

    Baca qysh i ri ngriti zërin për liri
    As s’u tretë e as nuk humbi
    Cijatje gjarpërinjsh silleshin rreth tij
    Ëndrrën e kamotshme e bëri realitet
    Simbol qëndrese mbeti për jetë

    Atdheun e kishte mbi të gjitha
    Digjej si qiriri, që të tjerëve tu bëjë dritë
    Edhe pse 28 vite kaloi në burg
    Mbeti mendje e lirë

    Duroi shumë dhe kurrë s’u nënshtrua
    Edhe para egërsirave kokën lart, në sy duke i shikua
    Me ditë, muaj e vite pa mbarim
    Ai gjithmonë eci vertikalisht
    Çlirimin e vendit herët e projektoi
    Ishte dhe mbeti flakë vullkani për liri
    Të gjitha tokat shqiptare, një Shqipëri!

    Yjet e kosovës, që nuk shuhen kurrë
    (Kushtuar Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës)

    Ju zgjodhët vetëm një rrugë
    U flijuat për Kosovë – Përherë bëni Dritë
    Simbole përjetësie do tu kemi gjithnjë
    U vrau dora gjakatare e Serbisë
    Fjala dhe vepra juaj mbeti në histori

    Kush ju vrau iu thaftë dora
    Atdheun ende nuk e bëmë si ju deshët
    Duhet hequr robërinë thatë, vendi meriton LIRINË!
    Rinia shqiptare lirinë solli por ende ka punë
    Ishit dhe gjithmonë do jeni mes nesh

    Betimi juaj ishte i qartë
    Askush s´mund t´na ndalë,vetën kombit ia kemi falë
    Rrugës tejet të mundimshme shkuat, ne ju pasojmë
    Dhe prapë rritemi,dhe prapë luftojmë
    O ka Nënëlokja Sokola prapë Kosovës Zot për t´i dalë
    Shtriga famëkeqe këtu më kurrë s’ka për të ardhur

    **************************
    Luljeta Pashollari
    Unë e di që ti më do…

    Zemrën e plagosur askush nuk ma ngroh,
    Vetëm ti, i dashur, në hapësirën bosh,
    S’e paskam ditur sa mirë më ke edukuar,
    Erdha te ty e vogël, s’më le për të gabuar.

    Mësimet e tua, i kam vënë në jetë përherë,
    Po për jetën time pse s’mendove njëherë?
    Fëmijët u rritën, në çerdhet e tyre cicërojnë,
    Kafazi im ka mbetur pa ty përgjithmonë…

    Ditët ikin, muajt dhe vitet fluturojnë,
    Zemra ime dhe ndjenjat ty të kërkojnë.
    Unë e di që ti më do, këtë unë mirë e di,
    Po detyrën që të lashë mbaroje në dashuri.

    Dashuria jote e zjarrtë me djeg si vullkan,
    Afrohu, i dashur, të të kem gjithmonë pranë,
    Nga kjo botë mizore, dua të më shpëtosh,
    Se njerëzit janë bërë ujqër dua të më mbrosh.

    Kur këto vargje të lexosh, s’dua lotë në sy,
    Dashuria jonë të jetojë gjer në përjetësi.
    Mbase jam e lodhur e ty te kërkoj gjithmonë
    Të më shtrëngosh fort, të ndezim zjarrin tonë.

    Ç’shembull do japim tek brezi që vjen…

    Ike shumë larg, por prej meje s’largohesh,
    Unë çdo ditë end për ty pëlhurën e bardhë.
    Zemrat tona më shumë po dashurohen,
    Stërkala vullkani shpërthejnë në çdo skaj.

    Ik, po kokën pas mos kthe në këtë katrahurë,
    Kur në piedestal të pamoralshmen po ngrenë.
    Minat i kanë venë gjithë artit në çdo punë,
    Nuk di ç’shembull do japim te brezi që vjen.

    Lexoja dhe syve të mi nuk po u besoja
    Thashë mos vallë jam qorruar, o miqtë e mi,
    Apo mos në shkrim janë ngatërruar shkronjat,
    ose numri i syzeve më është ndryshuar tani?…

    S’ka si vendi ynë por duhet te ndryshojë,
    Si të merren pushtetarët me punët bosh,
    Ne presim shumë punë nga ata, jo vetëm gojë,
    Dhe të krekosen nëpër ekrane si gjelkokosh…

    Të mori lumi, o vendi im, si arritëm në këtë pikë?
    Ah, sikur të frynte një tajfun, e mbeturinat t’i tresë.
    Në vend të forcojmë familjet, divorcet rriten përditë,
    Shoqëria u kalb, mes të gjallëve që jetojnë me ves.

    Larg dua të degdisem e veshët t’i zë me pambuk,
    Të jetoj në planet tjetër, mos dëgjoj çudira të tilla.
    Hallet që kemi si komb, s’i zgjidhim dot me të butë,
    Se janë shtuar sherret dhe hajdutët ndërtojnë vila…

    Valter Dauti

    Moshë e çmendur

    Unë shuhem… brenda buzës tënde,
    Tulatem,vdes…dhe më, s’marr frymë,
    Ma more moshën dhe ma çmende,
    Më ndeze brenda veç furtunë.

    Si dreqin është kjo punë kështu?
    Po ti,nga hyre,nga ç’derë,nga ç’ cep?!
    Unë te kam puthur…mbi retë flu,
    Të kam ngacmuar,s’di në ç’planet.

    Krejt kot, çapkënçe, ta shkela syrin,
    Reflekset bionde, ishin ngacmim.
    Ti,si një xhind, derdhe vështrimin,
    Dhe më përpive, si një xhind.

    …Tulatem brenda buzës tënde,
    dhe drithërohem, nuk nxjerr dot zë…
    Ma more moshën dhe ma çmende,
    Dhe se kush jam, s’e gjej.. dot më…

    Pikojnë lulet

    Pikojnë lulet dëshira të ëmbla,
    Nga petalet e brishtë, që po i preke,
    Çvirgjërohen dhe harlisin ëndrra,
    Të vdekura deri në përtejvdekje.

    Pikojnë lulet mjaltë nusëror,
    Nga veli i pëshpëritjeve të fshehta…
    Ti,etja e pashembullt e nepsit njerëzor,
    Honet e nënvetes,i ke puthje të lehta.

    Pikojnë lulet. Çelje –vyshkje, pikojnë.
    Pakstinën e tyre e zhveshin nudo.
    Ashtu…të hijshme, shumëdritash lodrojnë,
    Zhvirgjërinë heshtje-vdekje kanë kredo.

    Dhimbja e ullinjve

    Kanë ulur kokën,
    heshtin ullinjtë e mi.
    S’janë as Muhamet,
    s’janë as Moisi…
    Prej dhimbjes,
    nga sytë,
    u kullon lëng floriri
    që thërrmohet në tokë,
    deri në bërthamë,
    Të ndezin pak magmë
    me lotë….

    Kanë ulur kokën
    e fërfërijnë,
    pak erë
    nga malet Nablis,
    në Palestinë…
    (që andej nga vijnë!)
    Në trup
    kanë Topuzin e Herkulit,
    Krevatin e Penelopës,
    Syrin e Polifemit,
    “Kantikën e kantikave’’
    Dhe…
    Zjarrin e Diellit.

    Kanë ulur kokën
    ullinjtë e Planetit tim…
    Dhe Paqja qan…
    Si sheikë të lashtë:
    -mjekrën derdhur
    drejt qendrës së botës,
    dhe Turpin
    Në ‘’Mouse du Louvre’’,
    Në teatrin “Bataklan…’’

    Në restorantin “Rue Albert’’,
    “Le Korillon’’,
    një francez,
    dhe një negre,
    Vinin
    kurorë martese.

    U përgjak kurora,
    Gjethe ullinjsh,
    u rrëzuan përdhe
    Të vrara…
    U shkërmoqën
    Dishepujt e Jezusit,

    Ulliri në malin e Sinait,
    mallkoi ullinjtë,
    Rënkoi me të qara.
    Hyjneshat Irenë dhe Athina,
    I fikën llambat,
    që digjnin lëng të florinjtë,
    Parisi përgjakej nga nata…!
    …në bulevardin ‘’Volter’’,
    Presidentët e shteteve ,
    duartrokisnin paqen
    dhe,
    Shtypnin ullinjtë nën taka…!

    **************************
    Mevlud Buci

    Baladë: Trimi i rrallë r lirisë

    (Kushtuar birit të Lurës, ish-ushtarakut të nderuar të kombit, Dulejman Loka, ish-partizan i Brigadës së 4-ët Sulmuese, gen i burrërisë dhe vëllazërimit lurian e kombëtar)
    1
    Shkreptimë e kreshtës
    Zë i tabanit
    Kurorë e bjeshkës
    Kullë e Lurianit
    2
    Kullë e Lurianit
    KU barot mbin toka
    Trim i mejdanit
    Dulejman Loka
    3
    Dulejman Loka
    Ku të ka Lura ?
    Të nderon epoka
    Burrë përmbi burra
    4
    Burrë përmbi burra
    Shpirti i lirisë
    Azgan të ka Lura
    Provë e trimërisë
    5
    Provë e trimërisë
    Shqipe me flatër
    Bir i Arbërisë
    N’Brigadë të katër ….
    6
    O zë kushtrimi
    O duf shtrëngata
    Të ndriçon betimi
    Dhe plot dekorata
    7
    Dhe plot dekorata
    Gjoksin t’hijeshojnë
    Fjalët e zjarrta
    HOVIN shqiponjë
    8
    HOVIN shqiponjë
    Lurian vëllazërie
    Brezat s’të harrojnë
    O prijs lirie
    9
    O prijës lirie
    Nuk të tret toka
    Sokol Arbërie
    Dulejman Loka
    10
    Dulejman Loka
    Gen i burrërisë
    Rron në epoka |
    Trim i Lirisë

    11
    O zë vetëtimë reje
    O gen bir Luriani
    Me kushërinj dritë beteje
    Si Bajrami e Asllani
    12
    Si Bajrami e Asllani
    Nuk iu tutën Nemcelisë
    SI luan xhaxha Xhetani
    Mejdan i burrërisë
    13
    Mejdan i burrërisë
    Porsi shqipja me fletë
    Përballë Nemcelisë
    “E tanë Lura 108-të”
    14
    “E tanë Lura 108-të”
    Në këmbë për lirinë
    Të tanë porsi anteu
    Bash binjak me stuhinë
    15
    Bash binjak me stuhinë
    SI viganët nëpër shqota
    Për atdhenë , për lirinë
    Luftoi ky Dule Loka
    16
    Luftoi ky Dule Loka
    Luriani i mirësisë
    Burrë i thjeshtë në epoka
    Trim i rrallë I lirisë .

    Krenari jete …
    Eci i qetë
    Si pëllumbi
    Në beharë
    Për gati
    Gjysmë shekulli
    Mësova
    Nxënësit e mi
    Të ndritur
    E krenar ..
    S’më hëngrën
    Smogu
    I ministrive
    Marrëzitë
    E partive..
    Eca e eca
    Pendë vigan
    Udhëve
    Të fisnikërive …
    Mirësitë
    Më rrezatojnë
    Si I thonë :
    Me pashë
    Karrieristët
    Partiakë
    Ngjyracakë
    Shpifacakë
    Në shenjtërinë e tyre
    I lashë …
    Nuk më mposhtën
    lanet
    As lanetë
    Si Runja ime
    Kam
    Krenari jete …

    Kam mall…

    Kam mall, malli më djeg në sy
    Të përmallohem me ty , me ty
    Kam mall, malli më ndez flakë
    Të të vendos te flokët një zambakë
    ….
    Kam mall dhe malli më fisnikëron
    Të të flas me zjarr si gjithmonë
    Kam mall, malli më jep gëzime
    Besnikja, e zgjuara gruaja ime
    Ti rrezaton çiltërsi të rrallë
    Për ty kam mall, kam mall …

    Epos…
    Sa tinguj të kristaltë
    Ngrenë honet
    Kur oshtijnë
    Si ortekët në shpatet
    E kumbueshme
    Si retë kur vetëtijnë …
    Peizazhet që nusërojnë
    Grykave
    SI kaltërsi
    Detesh …
    Përcjellin madhështi
    Dhe plot ninulla
    Djepash …

    Geni dhe dëshira ime …

    S’ kam shkruar kurrë
    Për tre gjyshat
    E mi
    Që ranë për atdhe
    Për flamurë
    E për liri
    Nën runjë
    Lukanjak
    Jam krenar
    Se nip më ka
    Luznia
    Me Luznak …
    Për nga gjyshet
    E mia
    Qe ishin si lisnajat
    Në shpat
    Jam stërnip
    E kastërnip
    Në Mat …
    Një ëndërr
    Një përmallim i lashtë
    Dy Dibrat
    E mia
    Ti shoh bashkë …
    Në mote
    Në këngë
    E në jetën time :
    Këto janë geni
    E dëshira ime …

    ******************************
    Nga Kujtim Mateli

    Dashuria dhe njeriu i dashuruar në poezinë e Anila Krutit

    Anila Kruti, pas dy vëllimeve poetike “Përtej skajeve me ëndrrën” dhe “Psherëtima e gjethes” del para lexuesit me vëllimin e tretë poetik “Qielli s`pranon arna” , e cila të befason me gjetjet e saj artistike, një poezi origjinale që ka dalë nga përjetimi i thellë i realitetit të sotëm. Elementi kryesor që përbën shtyllën kurrizore të poezisë së Anila Krutit është dashuria. Kjo ndjenjë njerëzore që e çon njeriun të kuptojë jetën dhe mjedisin njerëzor ku jeton, është e shkrirë organikisht në poezitë e këtij vëllimi. Në lirikën e Anila Krutit është njeriu i ditëve të sotme, i mbushur me Dashuri në realitetin në të cilin jetojmë. Kjo dashuri nuk e ka një cak në planetin Tokë. Ajo ndjehet në çdo cep të tij. Është dashuria për njerëzit e këtij mijëvjeçari, që nga Japonia në Lindje e deri në kontinentin amerikan në Perëndim. Të gjitha këto krijesa njerëzore të planetit Tokë, dashurojnë njësoj, kanë shqetësime e problematika të njëllojta, sepse në radhë të parë duhet të ruajmë dhe të duam planetin në të cilin jetojmë, pastaj kontinentin, pastaj shtetin e më në fund atë vendlindjen që cilido e ka të shtrenjtë e të dashur. Kjo mënyrë perceptimi e poezisë së Anila Krutit e bën atë një poete të ditëve të sotme, që e ka vulosur profilin e saj poetik me mesazhet që përcjell ky Mijëvjeçar i Tretë i erës sonë. Ndaj poezia e saj do ta zhvendosë ndjenjën e dashurisë që përjeton njeriu i këtij mijëvjeçari në të gjithë hapësirën e planetit Tokë e përtej tij. Tek poezia e këtij vëllimi: “Po zgjohen ëndërrimet”, njeriu i ditëve të sotme jeton momente përtej realitetit të planetit Tokë.“Mbi prehrin e virgjër të hënës, fle qenia ime….Sytë e mi takojnë sytë e tu mes yjesh”. Kjo ëndërr njerëzore për të zbuluar botën shpirtërore të njeriut të planetit Tokë dhe ëndrrën e tij për të depërtuar në misteret e universit, kanë zënë vend artistikisht në poezinë e Anila Krutit. Janë dy nga drejtimet e njeriut të Mijëvjeçarit të Tretë. Njerëzit e këtij planetit, pavarësisht se ku ndodhen, pavarësisht se cilit besim i përkasin, jashtë çdo ngjyre e shkalle zhvillimi ekonomiko-shoqëror, kanë në fokus disa të përbashkëta që i lidhin fort me njëri-tjetrin. Të duam njëri-tjetrin si krijesa të këtij planeti, të duam njëri-tjetrin si qenie njerëzore që jetojmë në një epokë të caktuar. Ta vulosim këtë epokë me dashurinë tonë për njëri-tjetrin. T`i ndodhemi njëri-tjetrit në krahë në çdo moment të vështirë. Një komb, sado i përparuar që të jetë, sado ligje të përsosura që të vendosë, nuk mund të ecë përpara pa pjesën tjetër të botës. Poezia e Anila Krutit sjell para lexuesit pamje të mrekullueshme ku brenda natyrës së bukur lëviz një shpirt njerëzor që e bën më të gjallë pamjen, i jep jetë. Teksa lexon poezitë e saj ndihesh optimist: jeta duhet jetuar. Jo i vetëm dhe i izoluar, por në një mjedis shoqëror. Në poezitë e këtij vëllimi jeta përjetohet në të gjithë larminë e saj, veçanërisht jeta në çift. Në poezinë “Pa ty ndodh apokalips”, trajtohen marrëdhëniet bashkëshortore. Jeta njerëzore jo gjithmonë ecën ashtu siç e ëndërrojmë. Një kombinim i asaj që përgatisim vetë dhe i asaj që na është paracaktuar. I asaj që dëshirojmë dhe i asaj që na ka caktuar fati. Në këtë ndërthurje mistike, endet jeta njerëzore. Për të depërtuar në këto të fshehta që shoqëria njerëzore i ka pasur që nga fillimet e saj, autorja i drejtohet antikitetit. Edhe njeriut të sotëm Zotat ia kanë shkruar orakullin. Edhe njeriu i sotëm, ashtu si tre mijë vjet më parë, i drejtohet të dashurës së tij me fjalën “prit”. Dhe pritja nganjëherë është e gjatë. Autorja i drejtohet simbolit të kësaj pritjeje që është ajo e Odiseut dhe Penelopës. Ndërsa Odiseu i kohëve të sotme vazhdon të përmbushë misionin e zgjedhur prej tij dhe të paracaktuar nga fati, Penelopa e ditëve të sotme vazhdon pritjen e saj. Dhe ndodh që në këtë pritje ajo sakrifikohet deri në ekstrem dhe i drejtohet bashkëshortit të saj se:” Unë si pulëbardhë vdes tek ti”. Po njeriu i sotëm nuk është ai i Mijëvjeçarit të Odiseut. Kohët i kanë dhënë të tjera përmasa jetës. Tek poezia”Kumbullat po qajnë” kemi një tjetër pamje. Femra e ditëve të sotme e braktis fatin që edhe asaj i ishte shkruar si Penelopës. Miti i pritjes së gjatë është shembur. Femra e ditëve të sotme është veçse një zanë. Tani, thotë poetja: “Shpresat e reja me një fjongo të kuqe yjeshmë çojnë rrotull shtëpisë, te kumbullat e mia të fëmijërisë”. Ky kthim tek vendlindja nuk është stacioni i saj i fundit. Nga aty ajo nis një rrugëtim të ri, shikon përtej vetes. Prej aty i drejtohet botës së madhe: “Shqep një cipë të kohës dhe vë syrin jashtë”. Bota që na rrethon nuk është e huaj. Ajo është pjesë e jona. Poezitë e këtij vëllimi pasqyrojnë estetikisht lidhjen organike të njeriut me natyrën që e rrethon, përtej planetit tonë me universin e gjerë, prej nga lindin përjetime të fuqishme filozofike, mbi jetën dhe vdekjen, si pjesë të pandashme të çdo qenieje njerëzore. Në këtë segment të jetës njerëzore, që është njëkohësisht dhe segment i shoqërisë në të cilën jetojmë, njeriu kërkon të lërë gjurmën e tij, atë gjurmë të shndritshme që do të dëshironte të ndriçonte së pari, vendlindjen e vet, pastaj më gjerë: krahinën dhe atdheun dhe pse jo, të bëhet pjesë e universit të vlerave botërore.

    ***************************
    Nga Agim Jazaj

    Klonet…

    Krevatin e hapa përmbi detin,
    Detin e zotëroja unë dhe peshqit,
    Mesnata më përplasi në një kthinë,
    Edhe ujit gjeniu i ka vënë kufi,
    Peshqit si përfillin klonet dhe doganat,
    Ata e zotërojnë detin, me tapi!

    Natën me hënë fluturova mbi hapësirë,
    I rashë kryq e tërthor qiellit,
    Qielli është i imi dhe i zogjve,
    Era diku më struku në një kthinë,
    Shpendët shkelin pa viza gjithë qiellin,
    Dikush bërtiti: Kthehu, aty e ke kufirin!

    Toka, deti dhe ajri të parceluar,
    Tutje nuk futë as majën e thoit,
    Si t’u ngrejmë tatime e dogana,
    T’u ndërrojmë emrat dhe fenë,
    Pa përjashtim; peshqve dhe zogjve,
    T’i paisim me viza Shengen!

    Brenda shpirtit

    Kam përmbledhur 28 mijë km katror,
    Ruaj brenda njerëzit, delet dhe malet,
    Të mbjellë në shpirt, rriten në kraharor,
    Presheva, Ulqini dhe Gostivari!
    Këngët, dasmat, tingujt e culës,
    Në shpirt më rrojnë, çelin bisqe,
    Aroma e trëndelinës më kutërbon udhës,
    Nga djemtë e rinj, që s’kanë vënë brisqe !

    Brenda vijës së “verdhë” shpirtërore,
    Shtëpi të ngrenë serb e maqedonas pa cak,
    Ata që mbjellin palma e pisha halore,
    Ata që s’vijnë – era gjak!

    Si mina kërkues, shpirti hungëron,
    Ndjen mashtrues, kriminel e alabak,
    Të gjithë, të gjakut e sojit si veçon,
    Të pa udhëve, s’u jep kurrë hak.

    Rrotull shpirtit shlodhen njerëz pa sqimë,
    Të ç’do rrace, me fe dhe pa fe,
    Këto mi la paraardhësi trashëgim,
    I ruaj me “tapi”, Testament i le!

    Liria, refreni….

    Liria Shpirt,
    Liria Zemra,
    Liria më rrit,
    Liria ëndrra!

    Liria dritë,
    Liria art,
    Liria ditë,
    Liria natë!

    Liria at,
    Liria nënë,
    Lira fat,
    Liria hënë!

    Liria këngë,
    Liria muzë,
    Liria rëngë,
    Liria në buzë!

    Liria mit,
    Liria jetë,
    Liria sytë,
    Liria dert!

    Liria diell,
    Liria shpresë,
    Liria qiell,
    Liria vesë!

    Liria gaz,
    Liria lot,
    Liria maraz,
    Liria Pot!

    Liria Verë,
    Liria Novruz,
    Liria Ferr,
    Liria shpuzë!

    Liria brengë,
    Liria e para,
    Liria peng,
    Liria e qara!

    Liri ipotekë,
    Liri tempull,
    Lira pek,
    Lira mjegull!

    Liria zemra,
    Liria gjaku,
    Liria femra,
    Liria meraku!

    Liri të rri,
    Liri të shkoj,
    Liri të vij,
    Liri të vuaj?

    Liri të lodha,
    Duke lexuar,
    Ndoshta të shlodha,
    Duke kënduar!…

    **********************************
    Sara Fuga

    “Muzës së vjetër”

    Eci në rrugët e tua të lagëta
    Vesa e mëngjesit,
    i ka spërkatur
    Gjethet e fundvjeshtës
    kudo janë përhapur
    Tapet gjethësor i verdhë i tejpjekur
    Me bishtsyri vështroj
    Tek tuk ndonjë e portokalltë e ndezur
    Këtë fundvjeshte e adhuroj
    Pëllumbat bardh e zi ulen e ngrihen
    në pakëz bar të mbetur
    Një zymtësi e thelluar
    Kalanë e ka mbështjellur
    Është hera e par Elbasan vargje të shkruaj
    Në gjirin tënd, s’e ndjej veten të huaj! Sot…
    Të pash te zhveshur,
    siluetë e një femre lakuriqësuar
    Ti në vetvete je i heshtur
    E bukurinë ta kanë harruar!
    Psherëtin si një plak moti,
    mbi shpin shumë shifra mban
    Belbëzon si engjëll zoti
    Era rrethuese lotët t’i than
    Sot u bëre muza ime
    Shpesh të kam sharë e mallkuar
    Mbi rrugët e tua, më rrahin plot kujtime
    Jo nga sytë s’kanë për t’mu shuar
    Eci sërish duke shkuar në destinacionin tim
    Për t’u rikthyer nesër sërish,
    tek ti Elbasan!
    “Përgjigje pa tingull”
    Bie të fle
    E sytë fort shtrëngoj
    Për ty pyes se ku je
    Kam një jetë që të kërkoj
    Syu i tha ëndrrës
    “Regjisor vendose
    Të njëjtin film sërish
    E adhuroj aktorin kryesor
    E dashuroj marrëzisht
    Buza i tha kohës
    “Mike kthehu pas ca muaj
    Të ndjej në lëkurën time
    Buzën që zjarrin arrin
    Të më shuaj
    E kraharori i tha zemrës
    Mjaft u drodhe nga i ftohti
    Nuk kam ftohtë mor shok
    Mua i ftohti s’më gjen gjë
    Dridhem siç përdridhet
    mbi qerpik loti
    Për një dashuri që
    Nuk jeton më!!
    “Si lulja e bukur”!
    Do të vij një dit
    I vetëm ke për tu zgjuar
    S’do të kuptosh kurrë
    arsyet përse jam larguar
    Do të përjetosh një ëndërr
    Qe s’do të doje ta shihje kurrë
    Përkrah meje dhëndër,
    do të mbetet veç një diçitur
    E me vete do të thuash
    Ç’pati që shkoi?!
    Iku si një flutur e më harroi!
    Gjithçka bashkë kaluam
    Do të të mbeten i vetmi kujtim
    Sa herë të më kujtosh,
    të ndjesh mallëngjim
    S’do të ndjesh më puthjen time ditëve me shi
    S’do të ketë ‘më ka marr malli’
    S’do te ketë me ‘unë dhe ti’
    Do të të mungoj prania ime
    Nervat e të miat xhelozi
    Do të kërkosh karakteristikat e mia,
    tek një tjetër njeri
    Si lulja e usta Myzyrit,
    do të kthehem nostalgji
    Do të fillosh gotat,
    një nga një me pi
    Atë dite do të jem,
    për veten duke menduar
    Duke u marr me ty,
    veten e kisha harruar
    Do të zhduket egoizmi
    Do të të bie krenaria
    E në vetmi do të thuash
    ‘Sikur të ishe në krahët e mia’…!
    *******************************
    Vjollca Koni

    Jam fshatare

    Sa krenohem për origjinën time. Atje ku u linda e u rrita deri sa mbarova 8-vjeçaren, sa gjëra të mira mësova dhe sa krenare e sa mirë ndjehem me veten time. Ndjehem mirë me dashurinë për njerëzit,për natyrën, për kafshët, për çdo gjë. Tani të gjithë ata që shkruajnë e hedhin vargje i quajnë Poet, Poete dhe mua kështu më thërrasin, më pëlqen ky emërtim, po dua të them se para këtij emri jam grua, nënë e motër, hallë e teze, mike e shoqe. Kur shkruaj diçka i them nga shpirti, kam qejf ti përmbahem etikës dhe kulturës që kam arritur të marr nga aty ku u rrita e linda. Shqipëria ka Shkrimtarë e shkrimtare, ka Poetë e poete që na bëjnë krenarë për çfarë jemi .Dua të them që një Poet ka kujt i thur vargje, i thur të bukurës, të hijshmes , bukurisë së zanës Hireve të saj, faqeve si pjeshka, buzëve si Qershi, Shtatit si Selvi harlisjes si hardhi. Po ashtu dhe Poetet kanë kujt i këndojnë, bukurisë së mashkullit, fisnikërisë së tij, trimërisë shtatlartësisė si Lisa. Të dy gjinitë kanë kujt ti thurin vargje dashurisë, trishtimit, historisë, lotit, buzëqeshjes, dëshmorëve që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për Liri , ti qasen të tanishmes, aktualitetit ,korrupsionit , dhunës në familje sa shume ka për të thënë e për të shkruajtur. E po me siguri kam lënë edhe shumë gjëra pa thënë e pa përmendur ? Mbase si fshatare që jam kaq di !? Ta hajë dreqi po jetoj prej vitesh në shtetin me kulturë qytetare më të lartë në Europë e skam mësuar të shkruaj diçka ndryshe ! Them ndoshta më mirë që po ngel mbrapa nga ky modernizim apo lajthitje ku janë Futur disa që shkruajnë me emocione të harlisura e te pa kontrolluara. Po të bëjmë një analizë Njeriu si u krijua e dimë, dhe tani duam te zbulojmë atë qe dimë. Të gjitha gjërat e bukura Zoti i la dukshëm të shihen, disa i vendosi atje ku nuk mund të shihen lehtë e kollaj. Them kështu mbase pas mëkatit që u bë me Adamin &Evën! A do të dukej bota më e shpifur se sot nëse ai mëkat nuk do kishte ndodhur? Dua që ju, që e lexoni këtë shkrim të më jepni një përgjigje??? Unë për vetë e kam një mendim, ashtu si kam dhe mendimin që të ruhet Etika në shkrime. Sa bukur është kur i këndohet dashurisë.

    Dil njëherë të shoh
    Se më mori malli,
    Lule Shqipërie
    Mbirë rrezê atij Mali

    Ose kur i këndon natyrës:

    Eh ato çaire mbushur me tërfil,
    Bilbilat këndojnë Thëllëzat bejne sehir.
    Rigoni ka çelur, rreth e rreth ka mbledhur
    Fluturat edhe bletët për ta përkëdhelur.

    Po kështu këndoj vetëm unë më duket! Nuk zhvishem dot nga “fshatarizmi” Po di të këndoj dhe ndryshe. Di ta mbështjellë dashurinë me petkun e artit poetik:

    Dil të puth pak buzën
    Se më dogji malli,
    E ti me puth gushën
    Të sjellim Beharin

    . Ose;
    Manushaqe e bukur,
    Që më çel ne prill,
    Nga sevdaja jote
    Këndoj si bilbil.

    Mirëpo te ne po ndodhin gjërat pak ndryshe. Pse? Të tërheq ajo egoja sa gati të hedh në humnerë e ti se kupton. Mjafton të krijosh një bum mediatik në shoqëri Mbase kjo ndodh te disa njerëz që duan vëmendje qoftë edhe jashtë etikes morale të kohës apo shoqërisë ku jetojmë. Unë me disa gjëra që, si fshatare që jam do i quaj të neveritshme të turpshme se çfarë ndodh midis dy të dashuruarave të gjithë e dinë. Iku ajo kohe, kur e dinim qe bebi lindte nga sqetulla apo lejleku! Etika duhet të mbizotërojë në çdo shkrim. Si fshatare që kam ngelur, më mirë t’i kushtohet vëmendje shtresës se Ozonit dhe “vrimës së zezë “, që është fenomen për shkencën dhe interes për të ardhmen dhe njerëzimin, se është jeta e të gjithëve.
    *****************

    Elona Gremi

    Tregim

    Pse u turpërua albana dhe mamaja e saj…?!

    Nën rrezet e diellit të mëngjesit pranveror piklat e vesës u jepnin petaleve të luleve përpara shkollës një dritësim mahnitës ngjyrave, por nxënësit e një klase qenë indiferentë ndaj kësaj pamjeje. E kishin mendjen te testimi i gjuhës angleze që do të zhvillohej orën e parë. Nuk vonoi dhe zilja i ftoi të hynin në klasë. Në të zotëronte një gjendje e rendë, flisnin grupe-grupe dhe sa vinte shqetësimi rritej. Zëri i Irenës çau ankthin. Pse, sot e gjeti mësuesja të bëjë testimin? – Kam dëgjuar se është shumë i rëndë,- foli dikush aty pranë. -Boboo, kushedi si do të dalë!- foli Albana që dukej më e shqetësuar se të tjerët. Fjalët zhurmonin si gurët që rrokullisen dhe nuk dinë se ku do të ndalen. Zilja tingëlloi prapë dhe nxënësit dihatën me ankthe. Mësuesja u fut në klasë me shpejtësi, i përshëndeti. Nxënësve zemra u rrihte me shpejtësi, kurse Albanës i dukej se do t’i dilte jashtë kraharorit. Hapat e mësueses drejt tabelës sikur mbanin peshën e provimit. Në fjalët e bardha që endeshin në tabelë, nxënësit mundoheshin të zbulonin fshehtësinë e pyetjeve. Mësuesja ndali shkumësin dhe iu drejtua klasës me fjalët: – Këto janë pyetjet. I shtjelloni saktë dhe bukur! Disa mbetës si të ngrirë me sytë në tabelë, kurse Albanës iu duk sikur ai shkumës hodhi borë të ftohtë mbi të. Kaluan druajtjet e para, si t’i merrte me vete ai fllad pranveror. Shumë filluan të shkruanin fjalët që u vinin, disa po mendoheshin, kurse Albana me vështrim të mbërthyer mbi fletë, zgjaste dorën ngadalë të hapte librin. Mësuesja e pa rreptë dhe ajo e largoi dorën që mundohej të vidhte fjalët. Minutat kalonin, por asaj s’ po i kujtohej asgjë, ishte e turbullt, nga hutimi apo… koha ecte, ajo s’e ndalte dot dhe tingëllimi i ziles që lajmëronte mbarimin e orës, iu duk më i fortë se herët e tjera. Në klasë dëgjohej zhurma e lehtë e stilolapsave që shpejtonin, për të hedhur vërshimin e mendimeve, që përgjigjet të ishin sa më të plota. Mësuesja u çua dhe filloi nëpër rreshtat e tavolinave të mblidhte fletët. Ja erdhi dhe radha e Albanë. Asaj filloi t’i dridhej dora, sikur po mbante një copë akulli. Me krahë të mpirë ia zgjati fletën mësueses, e cila, pasi i rregulloi fletë, i futi në çantë, përshëndeti klasën dhe u largua. Klasa zhurmonte nga pyetjet që nxënësit i bënin njeri-tjetrit, kurse Albana qëndronte e vetme dhe nuk fliste. Sytë i kishte të përlotur. Në orën tjetër të mësimit, pas testimit,nuk po ndihej mirë. I mori lejë mësueses së historisë se nuk mund të qëndronte dot në mësim. Iku në shtëpi duke ngashëryer. Aty i tregoi mamit të vet gjithçka që kishte ndodhur, Ajo e qetësoi duke i thënë se do të shkonin në shtëpinë e mësueses në darkë të dyja, të bisedonin, sepse njiheshin me të. Kjo sikur i dha zemër Albanës. Në errësirë u nisën për në shtëpinë e mësueses. E ëma i ranë ziles, mësuesja hapi derën dhe i ftoi brenda, por ajo i tha se do të vinte njëherë tjetër për vizitë, por tani erdha të pyes: -Si e ka bërë Albana sot testimin? Mësuesja sikur u ndje pak ngushtë, por shpejt e mori veten dhe iu përgjigj: – Tani po i korrigjoja, ajo s’ ka bërë asgjë! Kjo përgjigje ra si bombë përpara Albanës dhe mamit të saj, e cila iu drejtua mësueses me zë të dridhur:: -Ju lutem, shikojeni edhe njëherë! -Dhe mundohej ta bindte mësuesen, e cila qëndronte e vendosur në mendimin e saj…Atëherë mami i Albanës i zgjati dorën për t’u përshëndetur me të dhe i la në dorë një 1000 lekësh. Mësuesja u skuq dhe pak e nervozuar i tha: – Zonjë, unë nuk shes nota, jap dhe vlerësoj dije! – Hodhi me shpejtësi 1000 lekëshin në tokë dhe mbylli derën. Njëmijëlekëshi qëndronte te këmbët e tyre dhe akuzonte…Lanë pas shtëpinë e mësuese dhe ecnin të heshtura në rrugë bashkë me kalimtarët e tjerë drejt shtëpisë. U dukej vetja sikur mbanin një peshë të rëndë në ndërgjegje. Ndoshta e kuptuan se padituria e Albanës çoi në një sjellje të papëlqyera dhe se mësuesja nuk ishte një lule mimozë që gënjehej nga dy ditë të ngrohta në janar…
    ………………………

    Donika Hamitaj

    Trëndafili mes dëborës

    Trëndafil i kuq me fleta,
    ç’bën aty në acar vetmuar?!
    Në dritare e hutuar mbeta!
    Kur të pash me borë mbuluar…
    Shoh ca degë si janë lëshuar,
    nga dëbora mbi gjethet ngrirë,
    s’mundem unë për të ndihmuar,
    nuk çaj dot është e vështirë…
    Por ty fletët si dielli t’ kuqojnë,
    brenda zjarrin, e kanë ndezur,
    ngricën, akullin ato përçmojnë,
    mes petaleve duke buzëqeshur

    Nepërka pika pika
    Moj nepërka pika, pika,
    i këndove, a të kënduan…?
    Dhe pse në eshtër ngulet thika,
    zvarritdhimbjet janë përshkuar!…
    Moj nepërka lëkurë ndritur,
    shigjetë helmi, gjuhë e bukuria,
    buzët e tua eshtrat kanë ngritur,
    djep ku mbërthehet viktimë fëmija.
    Nëse mes ferrash je “pagëzuar”
    do e përçmosh tempullin e vërtetë,
    dhe kur të lindësh a t’ kesh dështuar,
    ferrash do ngjishesh, mbuluar ndër fletë…!

    *********************************
    Mite Tabaku
    “Kujtimi i një nate pa jetë”!

    Sytë iu turbulluan dhe këmbët nisën t’i humbisnin drejtpeshimin. Një tërmet i lehtë sapo kishte përshkuar qytetin e brendësisë së tij. Ajo qëndronte aty, përballë, si kurrë nuk kishte rastisur të ndodhte ndonjëherë më parë. Ajo ishte aty! Iu afrua, i sigurt se me shkurtimin e distancave mes trupave, ajo do të zhdukej, si vegimi i një mbrëmje të bukur vere por… I mbylli sytë. I hapi. Më pas i fërkoi në mënyrë të tillë si për tu siguruar se gjithçka ishte pjellë e mendjes së tij të mbi-lodhur por, jo. Iu afrua edhe më. Me pamjen e dikujt që sapo kishte parë një fantazmë dhe me hapat që puqeshin aq perfekt me ato të një pijaneci kur kthehet natën për në shtëpi, ai iu afrua. I preku duart, ato duar që për çdo natë i përfytyronte përqafuar përkrah vetes. I kapi dorën e majtë, ia ledhatoj, dhe ashtu me butësinë më të madhe, sikur do t’i thyej mijëra copëzash, nga më e vogla pakujdesi, ia vendosi në kraharorin e vet, aty ku tashmë tik-tak i zemrës i kishte kaluar 240km/h, (tej normative). Çmenduri! Më pas, lehtësisht iu kaloj buzëve të veta me atë dorë që aq shumë e kishte dëshiruar. Aromë e lëkurës së saj e dehte, e turbullonte dhe ashtu sikurse një somnambul qelizat e tij i dorëzoheshin krejtësisht asaj. Një dorëzim deri në lutje. E i etur, i shkoi dorën tjetër, nxitimthi, në qafë. Ajo u drodh e tëra, e sakaq e gjeti veten papritmas të shtrënguar mbas trupit të tij të nxehtë. Asgjë përreth s’pipëtinte. Një heshtje akute mbretëronte, si shenjë respekti ndaj ulërimave të ekzaltuara të dy zemrave që lypnin dashuri. I dehur, i përhumbur, krejtësisht i hutuar ndërrmerte veprimtari pa i lënë kohë mendjes të perceptonte hiç gjë. Zemra udhëhiqte. E shtrëngoi edhe më, i puthi mollëzat, pastaj buzët humbën në gushë, e kështu i avulluan të gjitha pikat e referimit me realitetin. Ishin bashkë, më në fund bashkë. Ja, tek gjendeshin vetëm për vetëm me njeri-tjetrin dhe ashtu, të marrët:
    Shijonin shijen e njeri-tjetrit,
    Deheshin me aromën e njeri-tjetrit,
    Humbnin në zhurmën e njeri-tjetrit,
    Digjeshin nën lëkurën e njeri-tjetrit…
    Sy të çoroditur, të tejmbushur me lot, jetë e lumturi, dashuroheshin nën melodinë e asaj nate të heshtur. Shtrënguar fort mbas njeri-tjetrit, në atë dhomë që kundërmonte era vjetërsi ata kërkonin dhe eksploronin pafundësisht trupat e tyre, në çdo milimetër, ashtu si puth njeriu tokën-mëmë mbas shekujsh mërgimi. E buzët e tyre, të kuqe, flakë, delironin prej frymëmarrjeve të dendura asaj dhome sa një birucë ku mezi arrinte njeriu të mbushej me frymë. Me mos-lodhje kafshonin cepat e buzës duke i thithur, sikurse duhanxhiu tymin e cigares aq fort të lakmuar. E kështu, shtrëngoheshin, vazhdimisht shtrëngoheshin, thua se po mbyteshin…Ah! Ato buzë që ai i kishte kërkuar me mijëra shekuj dhe ishte rropatur t’i pikturonte faturave të kafes, kafeve të mëngjesit, nëpër lagjet e thinjura të qytetit në pritje. Ato buzë, buzët e saj vocërrake, që ai i kishte kërkuar në çdo vajzë, qytetit të braktisur të Tiranës. E ja, tek krejt papritur tashmë qëndronin pranë njeri-tjetrit duke u ndukur buza me buzë si shushunjëza kur noton në gjakë. Ato buzë, dy palë buzë, që ishin kthyer në objekt dëshire dhe lodra më e lakmuar e tij. Oh! Ato puthjet e saj poezi jetë-sjellëse. Ja, tashmë qëndronin aty, ngjitur, ai dhe ajo. Për mijëra vjet e kishte ëndërruar atë çast. Gjithçka dukej kaq irreale. Më në fund ishin bashkë. Ishin bashkë. Qëndronte shtrirë mbi atë dyshek që mbante erë stallash ku jetojnë bagëtia dhe ashtu në ajër të ndotur por shpirtin mbushur plot dashuri, mendja e tij fluturonte brenda një rrethi vicioz. Sa më shumë që e mendonte atë që po ndodhte aq edhe më konfuz bëhej. Hapte sytë në atë errësirë të tmerrshme, për të përcaktuar përqindjen e rrezikshmërisë që gjithçka të ishte një ëndërr. I mbyllte dhe i hapte sërish, një akt-veprim i përsëritur pambarimisht, aq sa sytë filluan t‘i dhembnin por, ajo sërish qëndronte aty, krah tij, më e gjallë se kurrë, më e bukur se kurrë… U distancua për një çast, më pas sërish e ngjiti pas vetes duke hedhur vështrimin mbi krejt qenësinë e asaj krijese përrallore, mrekullisht magjepsëse në lakuriqësin e vet, që qëndronte përbri tij. Ndjehej si i zënë në grackë, marrëzisht i tërhequr nga ekspresiviteti i atyre qerpikëve të gjatë hipnotizues dhe buzëve të saj të vockla, por tmerrësisht të ëmbla. Në t’i puthur humbisje krejtësisht. E teksa e jetonte, sikur bota t’i kishte orët e numëruara, mendonte se kjo dashuria e tyre ngjante me atë të një romani dashurie; ishin dy personazhe që në faqen e fundit të atij romani, vdisnin. Ishin një dashuri fatkeqësisht ireale… “Oh! E vogla ime”, -mendonte, “në mëngjes do të humbasim e kjo natë s’do të jetë askund, as në kujtesën tonë. Nesër, po, po, nesër do rizgjohem sërish i vetëm nën këto mbulesa era djersë e lotë.” “Unë e di që ti nuk je këtu.” -mendonte, “Kjo është e pamundur.” Por, si për dreq, prekjet e saj, e turbullonin edhe më. E ndukte, e prekte, e kafshonte, shtrëngonte për të njëmijtën herë por, si mund ta dënoje me mosekzistencë atë çast, kur prekjet e tij takonin lëkur, njëlloj si e tija, lëkurën më të butë njerëzore, lëkurën e asaj?!… Dhe ashtu mes mendimesh dhe emocionesh, përkrah njeriut që kishte pritur aq kohë, përqafuar, ai bie në përgjumje të thellë. Fytyra i shprehte lumturi dhe qetësi, si rrallë kishte ngjarë, t’i ndodhte prej shumë kohësh. Ishte ai dhe ajo, dy trupa në një shpirt, ishin ata dhe nata më e bukur e tyre! Ç’natë! Orët rrokulliseshin njëra pas tjetrës derisa papritmas një tingull shurdhues, një zhurmë depresive oshtiu në thellësitë e aparatit të tij dëgjimor. Hapi sytë, përgjysmë, dhe në të qindën e sekondës i rimbylli ato. Shkreptima e frikshme e një bubullime kishte zbritur në shtratin e tij, përmes dritares harruar hapur, atij mëngjesi dimëror. Një dritë irrituese vallëzonte përpara tij si e vetmja mënyrë për ta shkundur nga ajo përgjumje. Aromë rebelimi përzihej me atë shi të çmendur atë mëngjes. Refuzonte ai t’i rihapte sytë sepse… Oh, ajo nuk ishte më aty. Qëndroj ashtu, në palëvizshmëri totale. Veç lotëve që i rridhnin në mënyrë koherente njeri pas tjetrit, asgjë tjetër nuk shfaqte shenja jete, atij shtrati tashmë të akullt. I zgjuar në një dhomë krejtësisht të huaj për të (refuzonte ta njihte) ai ishte tmerrësisht keq. Ndodhej i vetëm, i pa shpresë dhe i zhgënjyer, me një lëmsh në stomak e çoroditje në mendje. Vallë të kishte ekzistuar ajo natë? Vallë të kishte qenë aq i dehur sa të kishte fantazuar gjithçka? Qëndroi ashtu për një kohë të gjatë, për një kohë tmerrësisht të gjatë, fatkeqësisht, deri në agimin e ditës së re në botën tjetër…

    Ermira Zhuleku

    Dashuria…!

    Dashuria nuk njeh moshë,
    as racë, dhe as fe,
    por të prek thellë, në shpirt,…
    vjen papritur, si një rrufe !

    Dashuria s’njeh, as distancë,
    e mban ndjenjën, fort në gji,
    e ruan si një thesar,
    që i përket vetë ati !

    E ç’mund të them, për dashurinë,
    Eh sa shumë e shumë, janë shkruar,
    nga poetë, e shkrimtarë,
    nga zëra të bukur, është kënduar !

    Dashuria ndjenjën ta rrëmben,
    dhe nuk pyet, për njeri,
    është zjarr, ku të gjithë janë djegur,
    ashtu si unë, edhe ti !

    Dashurinë, të gjithë e kërkojnë,
    të fal paqe, jetë, lumturi,
    lum kush vërtet dashuroi,
    njohu universin, plot magji.. !

    Dhe heshtja flet, sa njëmijë fjalë…

    Sa shumë gjëra, ndodhin në heshtje,
    sa fjalë thuhen, për atë që ndjen,
    edhe lotët, tregojnë dhimbjen,…
    ç’do dit që ikën, dhe vjen..
    Pa folur, shikoj dhe sytë e mi
    lexoj gjëra, që kurrë si kam lexuar,
    ata nuk duan t’ia dinë, as për poezitë
    as për ç’do shkrim, që kam shkruar..
    Kur strukem thellë, në mendime ,
    dhe veç heshtjen, kam shoqëri,
    pa folur, kam thënë aq shumë,
    dhe trishtimi, më mbyt përsëri..
    Dhe heshtja flet, sa njëmijë fjalë,
    këtu humbëm, unë dhe ti,
    fundin tonë, ajo më tregon,
    heshtja vret, një dashuri.. !

    Zot më beko!

    Më beko ndjenjën o zot,
    dashuri, gjithmonë të kem,
    jepi ngjyra shpirtit tim,…
    besnikja e saj, gjithmonë të jem !
    Zot, vetëm ty të përgjërohem,
    ti je shpëtimtari im,
    sa herë ndjej nevojë,
    ti lexon, brenda shpirtit tim !
    Mirësinë që dhuroj,
    kurrë mos ma largo,
    nga mëkati, dhe e keqja,
    shpirtin ma shpëto !
    Se ai që fali vetëm dashuri,
    si burim, ka mirësinë,
    të freskon, ta shuan etjen,
    të dhuron, veç lumturinë !
    Ky njeri,dua të vdes,
    ndaj zot, lutjet mi dëgjo,
    edhe kur t’më lodhet shpirti,
    durimin, më kujto.. !!

    **************
    Deri ketu eshte korrigjuar

    Tyran Prizren Spahiu
    NDALUNI DHE KUJTONI !
    Jemi të një gjaku
    Gjuhe Ilire të bukur…
    Tani më ndëgjoni
    Vëllezër
    Dhe ju motra të Nderuara
    Ne
    Frymojmë në tokën e Etërve
    Përbashkëta i kemi dasmat
    Ceremonitë fetare
    Vdekjen…
    Jemi
    Nën qiellin tonë
    Edukuar më pastërtinë e bjeshkës nënë
    Të respektojmë njeri tjetrin si Gralin e Shenjtë
    Vetëm ashtu
    Në ardhmërinë e sigurtë do lundërojmë
    Ate të Lidhjes së Prizrenit…
    Heshtur qetë në paqe beteja lufta
    Mësuar kemi shumë mësime
    Duruar erupcionin e urrejtjes
    Tani
    Jo më themi ndalu
    Nuk do ndodhë Titaniku
    Vëllazëruar jemi me drejtësinë
    Nisur shtegut të shtetpërjetësisë
    Dhe një ditë
    Do ngjallemi në tokën e Etërve.

    ELEGJI PËR POPULLIN
    Mos vajto populli im i mjerë
    Ishim pa fat posi e pafuqishmja erë
    Shumë hero janë prerë
    Në historinë tonë të gjatë përherë.
    Me shekuj të shkelur na sunduan
    Shumë herë edhe na masakruan
    Ditëve të gjata hienat na torturuan
    Netëve pa fund të dimrit na dhunuan.
    Qëndruam stoik në prag me nder
    Atdheut dolën besnik shumë krerë
    U flijuan gjeneratat pandërprerë
    Trimërisht armikut dolëm në derë.

    RRUGA E KËNAQËSISË
    …mëngjesi i hershëm më pret
    Mbledhur janë pllumbeshat e Lumbardhit
    Nën sqetullën e majtë kam ushqim
    Janë mësuar më urojnë mirëseardhjen.
    Matanë lypësi në moshë është
    Më dhuron mirënjohje të ngrohtë
    Përshëndes me dorën e shtrirë
    Kënaqur të dy themi kalofsh mirë.
    Rezervuar janë dy karriga tek Corneri
    Gazeta ditore dhe libri me poezi
    Prof- si zakonisht kafe pa plumb
    Të lutem them me shumë mirësi.
    Sytë pareshtur nën tymin e cigares
    Enden poshtë te shpezët lundërues
    Ushqyer mirë largohen të kënaqur
    Pëshpëris shihemi sërish nesër.
    Fjalët e poetit drejtohen mbretëreshës
    O Zot them je shumë sfiduese
    Erupcioni pret pashpërthyer shikjimin e saj
    Që vullkani im mistresën bjonde të mbuloj.

    ****************************
    Jorgji Sotir Moçka

    Poezi për Nënën
    Ato nënat tona
    Me shpirtin oqean
    Na futën tek zemra
    Dashuri pa anë
    Jo, të keqen nëna
    Jo t’u bëfsha kurban
    Fjala vret si pushka
    Dhe trazon dynjanë
    Zgjidhni fjalët djema
    Po edhe ju vajza
    Të jenë melhema
    Të shërohet plaga
    Me të rënda fjalë
    Dhe me hipokrizi
    Mirësi kurrë s’fal
    Mbjellë armiqësi

    BALADE PER HAMIT GUGEN

    Dil pasha se jam për udhë
    Hamit ti e Hamit unë
    Ti me det unë me lum
    Një nga ne do rroj më shumë
    Them se do të vë në gjumë.
    Popullore
    Hamit Guga një pëllëmbë
    Trim i rrallë në labëri
    Hante barutin me dhëmbë
    Luftonte për drejtësi.
    Ngjitej trimi nëpër male
    Pashallarët i luftonte
    Dhe në dasma kur hidhte valle
    Tundej vendi dhe ushtonte.
    Copa toke skërka në mal
    Labi me thonjë i punonte
    Binte djersa nëpër strall
    Çika –çika zjarr lëshonte
    Bereqetin që prodhonte
    Pashaj deshte që ta merrte
    Ç’bënte ara e kërkonte.
    S’pyeste për labin me derte
    Hapej fjala e merrte dhen
    Fukarenjë na la pashai
    Merrte dhi e merrte dhënë
    Lebërve që s’kishin faj.
    Ç’të bënin lebrit e shkretë
    Frymën mbanin tek Hamiti
    Mbetëm keqas për ibret
    Pasha qeni na grabiti.
    Hamiti kur i dëgjonte
    Nxehur thoshte disa fjalë
    Pushkën me vete e mbante
    Pashait tmerrin do t’i kall
    Dil Hamiti nëpër gryka
    Ku veç dhia andej kalon
    Bukur i këndonte pushka
    Asqerëve plumb u dhuron
    Vetëm një linte të gjallë
    I çvishte edhe poturet
    E lidhte kalit me shalë
    Vetëm brekët me ushkur
    Nisu i thoshte asqerit
    Shko kallxoi shpejt pashait
    Këtë do të bëjnë lebrit
    Po ta mbajti dil sarait.
    Në saraje priste pashai
    S’po vinin asqerët shkretë
    Shihte malet majë më majë
    Këtë herë do nisem vetë
    Me lotë ndër sy asqeri
    Tek pashai hyri brenda
    Zot o Zot pse s’më theri
    Më dha turpet më të rënda.
    Fol i tha pashaj asqerit
    Kush kështu të katandisi
    Burrë i shkurtër një Hamit
    Më la gjallë me turp më nisi.
    Vrap më tha tako pashan,
    Veç dy fjalë thuaj nga unë
    Një ditë do bëhesh pishmanë
    Them se do ta vë në gjumë
    Pashai foli i xhindosur
    Do ti vete labërisë
    Dhëmbët kam për tu shkoqur
    Jam pashai i turqisë.
    Serbes pashai po shkonte
    Plot taborri me asqerë
    Hamit Gugën gjallë e donte
    Por si kecin do ta therë.
    Po tek gryka e Salarisë
    Labëria male-male
    Kjo kala e Shqipërisë
    Pashallarët kurrë s’i fale.
    O pasha taborrin ndale
    Ç’po kërkon në këto male
    Mos kujton se unë kam gajle
    Ç’më pandeh ti Hamit hale
    Unë jam burrë Progonati
    E kam zemrën gur stralli
    Më thërrasin unë gati
    Ndaj pasha dot s’të fali.
    Ç’m kujton se ha lakrorin
    Si çunak me kupë dhallë?
    Të therë ty, e gjithe taborrin
    Me çibuk të thyej dhëmball.
    Ç’më kujton pasha ti mua
    Se kam dal për të vjedhur?
    Pse një fjalë dot se thua
    Pse fytyra të është verdhur
    Zbrit nga kali efendi
    Gjëmon grykë e Salarisë
    Si tërmeti u tund vendi
    Gjithë malet e labërisë
    Zbrit nga kali po të them
    Se jam trim nga Progonati
    Fjalën motit ta kam thënë
    Tani të erdhi sahati.
    Me çibuk t’i thyej çdo dhëmb
    Se jam burrë nga labëria
    Ku të djeg e ku të dhëmbë
    Aty janë dertet e mia.

    Klodian Kapllanaj

    Duke të pritur

    Ndoshta, duhej të ndodhte kështu.
    Ti po vonohesh kaq shumë këtë herë.
    Në kaos mendimet vërtiten në tru,
    Si gjethet e vjeshtës vërtiten në erë.

    Ankthi me thonj të zinj ma ka kapur
    shpirtin dhe çjerr si një mace e egër.
    Dera pa lloz. E lashë të hapur,
    Se ti do të vije patjetër.

    Por kush nuk troket. Po hesht citofoni,
    Hapa nuk ndihen askund nëpër shkallë.
    U ndez edhe hëna si llambë neoni.
    Jashtë u bë natë. Po, ku je, ti, vallë?

    Mjegull në tru. Rruga e lagur,
    lëvizje përcjell tej e tëhù.
    Dhe e kuptoj: Nuk ke për të ardhur.
    Duhej të ndodhte kështu.

    Mirupafshim

    Mirupafshim po të them. Sërish
    ndofta do të shihemi diku.
    Bota është e madhe, ku ta dish.
    Por nuk mundem, jo, të them se ku.

    As se kur dot nuk të them. Orakull
    më beso, s’jam ndier ndonjëherë.
    Mund të na qëllojë dimrit me akull.
    Ndofta midis lulesh, një pranverë.

    Ndofta mund të ndodhë edhe nesër,
    Në një qoshe rruge, si për dreq.
    A një jetë të tërë duhet të presësh,
    Kur të jemi bërë fare pleq.

    Ndarja është vërtet kaq e vështirë.
    Mundet që të zgjasë ajo përjetë.
    Nuk e themi fjalën “Lamtumirë”,
    Por dhe “Mirupafshim” s’është lehtë.

    Ndaj dhe kur e themi ne, ta dish,
    Mbahemi pas shpresës, ja ashtu.
    Ndofta dhe takohemi sërish,
    Por dot nuk të them as kur, as ku.
    Po bie muzgu në qytet

    Po bie muzgu në qytet,
    I lehtë si pëlhurë.
    Dritares dikush rri e pret,
    Atë që nuk vjen kurrë.

    Zjarre në qiell yjet ndezin,
    Se nata sjell të ftohtë.
    Të ngrohen pak ata që presin.
    Por pritja është e kotë.

    Nuk del prej territ, jo, askush,
    Mes shpirtit ankthi çjerr.
    Yjet thërrmuar porsi prush
    Dhe hëna si fener.

    Përmbi pëlhurën lëshon rreze,
    Që jetën t’ia ndrijë,
    Atij që natën djeg si beze,
    Dhe pret dikë të vijë.

    Por heshtje vetëm, errësirë,
    Si një mëndafsh i zi.
    Dritares deri në të gdhirë,
    I mardhur dikush rri.

    Tek ende pret të vijë që larg,
    Kush humbi nëpër botë.
    Yje të djegura në prag.
    Por pritja është e kotë.

    Përparim Hysi

    Ky të “shkrin”…
    Tregim shpotitës
    (ish-kolegëve në Drejtorinë Arsimore, Fier)
    Nga dymbëdhjetë veta që punonin në Drejtorinë Arsmore ( e kam fjalën për inspektorët që mbulonin lëndë të ndryshme në shkolla), në një zyrë të madhe punonim tetë veta. Kish qëlluar që ishim katër meshkuj dhe katër femra. Më i moshuari isha unë, se vetëm në vitet e demokarcisë kisha “basyret” që të punoja si inspektor, se gati, mbi tridhjetë e pesë vjet, fshatrave si puna e atij “shterparit” të Naim Frashërit që nuk i qasej dot stanit. Jo vetëm që ishim katër me katër, por dhe me profil qemë pak si ballë për ballë. Femrat që të gjitha qenë të martuara dhe familjare shumë të mira. Sa të mira si familjare, aq dhe të mira si pamje. Dhe, sado që mbanin vite goxha mbi supe, po të përdorja një eufemizëm, mund të thoshe pa frikë: vesa (nënkupto vitet), nuk ka se ç’i bën betonit. Eufemizma është paksa vulgare dhe, në shprehem kështu, kjo është pazotësia ime. Por, nga që jam pak si nusja që e bëj “kulaçin të shtrëmbër” gjithnjë dhe, nga që gjithmonë më “kanë rrahur”, se them të drejtën, për të qenë i drejtpërdrejtë me koleget e mia, që të katra ishin të bukura. Natyrisht, në këtë “paradë” profilesh, njëra qe përmbi shoqe. Qe si e bërë me dorë dhe unë (epo të moshuarit i lejohet të bëjë dhe ndonjë shpoti), açik në vend ta thërrisja me emrin e saj, i thosha: Ornela Muti! Epo sahanët pa kapak dhe qemë bërë aq konfidencial, që shkëmbenim dhe ndonjë shaka pa zarar mes nesh. Po dhe në këto shakatë, dashje pa dashje, sikur ua rrëmbeva “tapitë” të tjerëve dhe njëzëri (sidomos,nga ato femrat) thoshin: Ti, Papi, të shkrin!!!

    * * *
    “Ky të shkrin?!!!”. Kjo thënie qe si thikë me dy presa, se, edhe kur e kisha seriozisht, më mbeti:- Të shkrin ti, Papi.
    Tani më ndiqni me kujdes dhe më vini në kandar: të shkrij apo të “ngrij” unë. Ulur tek tavolina ime e punës dhe çiltër fare dhe pa pikën e ndrojes, sytë ia kisha ngulur asaj: Ornelës. Edhe ajo shikonte dhe, me që unë “të shkrija”, as që e kthyer nga unë, po tek më i riu nga ne: tek Vilsoni. Unë, sado që të “shkrij”, plasa nga marazi.
    Në atë kohë, sa kishte dalë në shtyp ajo “korroqyqja” që kish bërë Klintoni, President i Amerikës. Dhe, ngaqë Ornela, nuk ma vërshëlleu, ia thirra:

    ” Ballë për ballë me mua
    Sytë nga Vilsoni
    S’të bën gjë Xhorxh Bushi
    Ruhu nga Klintoni…”
    Shpotia ime ua çoi buzën vesh më vesh kolegëve, por mua, ama, më rroftë shpotia. Dhe vazhdova unë, si për ta “zbutur” marazin,mirë bën,- iu drejtova Ornelës,- se unë nga Mbrostar-Ura jam. Dhe më ka gjetur si ajo që rrëfente xha Loni, një nga bashkëfshatarët e mi.
    -Pse?- m’u drejtuan si njëzëri kolegët. Ç’rrëfente, xha Loni?
    Dhe unë, për ta “shkrirë” pak situatën, fillova të tregoj për xha Lonin.
    … Kur u bë kooperativë Mbrostari, qe fshat i vogël me gati 50-shtëpi (i kishte apo nuk i kishte) dhe vetëm tri familje (kushërinj me njëri-tjetrin, ishin orthodoksë). Kooperativa shkoi keq mos më keq dhe qeveria, për t’i ndihmuar paksa, u dhuroi disa derra. Ata ,myslimanët, jo vetëm s’e hanin mishin e derrit, po nuk i shihnin dot me sy dhe, pa dyshim, me derra shkoi një nga këta ortodoksët. Më shqeto: Xha Loni. Kooperativa ndante me kg sipas ditëve të punës dhe vetëm, xha Loni, që ruante derrat, paguhej fiks me dyzet e pesë ditë në muaj. Vetëm ai siguronte të ardhura për familjen e të tjerët mbetën, pothuaj, me gisht në gojë. Me gisht në gojë, por gojë kishin për të folur, siç po flas dhe unë tani.
    Ata:- Qysh i ke derrat, xha Loni?
    Xha Loni:- Mirë të falaminderit, zotëria juaj (shponte me bodec ai). Dhe për t’i bërë edhe më zilar ata, e zgjaste përgjigjen enkas:- Ja, unë i ruaj, po shoqëria gëzohet!!! Ç’ të gëzuar se?!!! Bereqetin xha Loni i dyzet e pesë ditëve në muaj e çonte në shtëpinë e tij, po qëllonte larg e larg, sidozot unë me këtë, Vilsonin.
    Dhe prapë:- Të shkrin ti, Papi!!!

    * * *
    Aty nga viti 2000, unë ika në Amerikë. Edhe nja dy-tre kolegë sosën po në Amerikë. Aty nga viti 2010 erdha në Shqipëri, por jo për gjithmonë. Malli më kisha marr për të gjithë dhe, pa dyshim, edhe për kolegët. Kur katër nga koleget i gjeta në një klub. M’u hodhën të gjitha në qafë dhe më puthën siç puthen miqtë e mirë. Por që të gjitha më puthën në faqe. Unë, nga që të “shkrij”, prapë e zbraza:
    – Se mos u rrëshket buza dhe më puthni në buzë? Se vetëm fëmijtë puthen në faqe.
    Dhe ato:- Akoma nuk i ke lënë shkatë? Të shkrin ti, Papi…

    Natasha Limaj

    TINGULLNJGJYRË

    As vet’ nuk e di se ç’ jam?..
    Nëpër kompozitë gjalloj,
    Them, jam tingull, më del njgjyrë,
    Them, jam ngjyr’tingull dëgjoj…

    Dhash’e mora, ta zbërtheja,
    Pyeta dhe nja pes’a gjashtë,
    Keq na vjen ,je e “dënuar”
    Të jesh, tingullngjyrë bashkë!…

    AMANET

    Përqindje, më shumë shëmtia,
    Sa e shoh, syri më ther,
    E bukura dhe e keqe,
    Ç’ma ndez gazin menjëherë…

    Doni, më paragjykoni,
    Doni, dhe më kritikoni!…
    Amanet, nëse më vrisni,
    Me bukuri më mbuloni!…
    .
    S’U ZBEHE

    Nënën të gjithë hyjnizojmë,
    Regëtijnë zemrat sa s’plasin,
    Ortek loti zjarr lëshojmë,
    Faqebuzës vrap rrëshqasin…

    S’u zbehe, nënokja ime,
    Bebz’e syirt ç’të mban gjallë,
    Aromfrymën , dorën ,zërin
    Puthledhat në gush’e ballë…

    Ç’më thotë vajza : Boll lot mami!…
    Nënëron, si mbretërshë!…
    Njomëzake … s’është njësojë,
    Me të jesh’e me të keshë!….

    HAJKE

    Jam, Drejtësia….
    Zonjë… qofshë me shëndet…
    “Gunga”… rri, më drejt !…

    Imja sythe-zë
    Sy e buzë ambrozëruar….
    Mua tejkaluar….

    LUM ME GJAK E MAL ME ZEMËR

    E hapur mbulon gjithë botën,
    Çadra jote historike,
    Skeptrin sot , ta mbajnë moj Vlorë,
    Veç ca “fije” anemike…

    Tundu – shkundu, gjoksgropuar,
    “Kaposha” që u dhe emër,
    I rënd’për ta mbajtur duhet,
    Lum me gjak e mal me zemër…

    Kur është puna , për në krye,
    Vrapin te “nënë”bojatisja”…
    Një mbi një shtresojnë “vlerat”
    Kolltukut nis kapardisja…

    Vlora ime mbretëreshë,
    Embrion , pse ngatërruar
    “Lulkat” kaktuse me gjëmba,
    “Lisat” kallam pipëzuar…

    Me durim i pres të gjitha,
    Kashturina , boshësi,
    Popullajka palca ime,
    Në u fryftë…, gjej vend dhe Tiii…

    ******************
    Namik Selmani

    Rrugët

    O rrugë pafund me lakadredha
    Në qiell, në tokë mes dallgëve mal
    Na prisni agimeve dhe netëve të errëta
    Tek hedhim të menduar çdo hap

    Presim në to mes urimit lindjen
    Diku na pret varrezë e ftohtë
    Në sup flokon dëborë në shtigje
    Diku, nga kallkani këmba rëndon.

    Ndalim një çast në portë dashurie
    Me një nxitim që na bën si të marrë
    Diku ushtarët vrapojnë pas krisme
    Një zile shkolle na fton me mall.

    Në hapat e udhës na ndalin semaforë
    Një polic kërkon bakshishin e pamerituar
    Dhe ecim, ecim mes ëndrrës që vlon
    Kur na presin të tjerë hapa të nxituar

    Në prush të ditëve na digjen putrat
    Në petale lulesh gazmojnë zemra
    Në gjethe vjeshte na ftoka rruga
    Të ecim, të ecim, sa të jetë jeta.

    **********
    Albi Lushi

    GJYSMA IME NGELI PENG
    Gjysma ime ngeli peng
    Në një gjysem shpirti tjeter
    Më ler kohë,më gjej një vend
    Ku ta qaj një mall të vjetër.
    Gjysma ime lëngoi gjatë
    Në kërkim të gjysmës vet
    Tretej loti për një natë
    Shteronte sytë në aq net.
    Gjysma ime si strofë pa varg
    Ish pa rimë,pa ndjesi
    Gjysmën tjetër kërkonte larg
    Si pa titull një poezi.
    Gjysma ime ngeli e shkretë
    Himnin e vdekjes këndoi në faj
    Shpirti im në tjetrën jetë
    Do ta gjej gjysmën e saj.

    SYTË MI LINI
    Nëse për njerëzit jam pengesë
    Në kalvar trupin ma çoni
    Mos derdhni lot me dënesë
    E si Krisht t’me kryqëzoni.
    Nëse në botë bëra mëkate
    Nuk kërkoj ndoj mëshirim
    Ma digjni trupin brenda një nate
    Diten vajtoni fatin tim.
    Nëse për shpirtrat kurrë s’u fala
    Ju lejoj të merrni hak
    Para kufomës ndoshta s’u ndala
    Ju dënomëni,dënomëni prap.
    Nëse për ëndrrat nuk luftova
    Ma ndizni trupin në torturë
    E pas epshit ndoshta vrapova
    Si Kopernikun më digjni në furrë.
    Nëse e doni vdekjen time
    Trup e shpirt po i flijoj
    Ma grini zemrën cop e thërrime
    Sytë mi lini që t’ju vajtoj.

    PAS VDEKJES
    Kur të më shihni që kam vdekur
    Thuajani këngës pas gjel kendezit
    Me uri s’do ha buken e thekur
    S’do pi as kafen e mëngjesit.
    Pas vdekjes sime mos derdhni lot
    E nese qani, dua lot gëzimi
    Unë jam i lumtur që s’jam në k’të botë
    Se lashë mbi tokë ca gjurmë kujtimi.
    Kur të kem vdekur ca do më shajnë
    Shumë që më deshën do të lëndohen
    Servilët do më qeshin, miqtë do më qajnë
    Ata që s’më deshën do të pendohen.
    Në funeralin tim do bjerë shi
    Do ngrijnë pemët, do bëjë shtrëngatë
    Do shkundë termeti, qamet i zi
    Do zhduket dita,do bëhet natë.
    S’do ketë hipokritë në vdekjen time
    Si ato urimet në raste festash
    Do ketë ciklon, shi e gjëmime
    Si djalli temjanit, pas skutash, cepash.
    E nëse toka do jetë plot baltë
    E merrni dheun të futur në trastë
    Do më ngjajnë goditjet si qypa me mjaltë
    Kur të më thoni, “ndjesë pastë”!
    Ah kur të vdes, do vdes i lumtur
    do këndojë hoxha e do bëjë moral
    do mendoni se në dhe’ kam humbur
    kur të mbushet gropa, të bëhet mal.
    Me fytyra të vrenjtura do të largoheni
    Me dorën në zemër, shpirtin e krisur
    Dhe çdo agim kur ju të zgjoheni
    Do mendoni se ju kam braktisur.
    Dhe albumin kur ta shfletoni
    S’do ketë tjere si unë të ngjashem
    Te thinjtat flokë si llambë neoni
    Do shndrijne mbi trupin tim te pashëm.
    Do më lexoni me mall e kujtime
    E s’do vëreni që është bërë natë
    Me strofat e mia do bëni urime
    Njerëzve të dashur, librin dhuratë.
    Të tjerë njerëz do më kopjojnë
    Kur i flisja popullit nëpër podiume
    Fjalëve si shkëmb asgjë s’do u shtojnë
    Në kohë zgjedhjesh a referendume.
    Emrit tim do i ndrisin vlerë
    Ata që pata kundershtarë
    Ne qytetin ku kam lerë
    Do ngrihen buste e lapidarë.
    Në testamentin e vdekjes sime
    Një amanet do e le me gojë
    Mbi varrin tim s’dua shumë shkrime
    As mermere, vec nje rrasë me bojë.
    Isha kavajas me babë nga Dibra
    Nuk desha nam, s’kerkova lekë
    Hiqmani dheun, mbulomëni me libra
    T’më duket varri si bibliotekë.
    Kur të afroheni do flisni përçart
    Do shqyeni sytë, akoma të pabindur
    Kapur pas librash do ngjitem lart
    E do më shihni që kam rilindur.
    Pastaj do bindeni që s’kam vdekur
    Do i shkoj avazit gjel këndezit
    Me uri do ha bukën e thekur
    Dhe do shijoj kafen e mëngjesit.

    **********************
    Artan Ballgjini

    Pa titull

    Një qiell me mërzitje të kam krijuar.
    E kotesh, kotesh aty gjatë.
    E di, tek ëndrrat e tua jam i paftuar.
    Asgjë më shumë.Asgjë më pak.

    Ti heshtjet i gris.I gris preshtur.
    Tek lotët gjen të vetmit mik.
    Se edhe unë si të tjerë aq dendur.
    Në dhimbje u tregova i përpiktë.

    Tani mbi heshtjet ti vë pikëpyetje.
    Dhe mallin zbrazët e përqafon.
    Unë të ndjek në hapa ikje.
    Dhe brenda vetes ndjej një hon.

    Sakaq kuptoj se s’të dua mjaftueshëm
    S’të dua me kuptimin e plotë.
    Ti more formën e një reje të kaltër.
    Dhe si tis fluturove larg.

    Ç’t’i ngas kujtimet e pëhumbura.
    Ç”t’i ngas dhimbjet ashtu më kot.
    Tek ëndrrat e tua jam i paftuar.
    Se t’i tradhtova ato lot.

    Etyd
    Unë shpesh mërzitjen e kam ngarë.
    Dh ndërtova kështjella heshtje.
    Pastaj të kam thënë më fal, më fal.
    Kam qarë në muret e dhimbjes tënde.

    Vjesht
    Një mall, një heshtje dhe një pritje.
    Asgjë tjetër në sfondin gri.
    Diku përtej binin ca gjethe.
    Me ritmin hapava që le ti.

    Pastaj pritja u bë mërzitje.
    Malli dhe heshtja u bën re.
    Diku përtej binin ca gjethe.
    Me ritmin e lotëve të mi…

    Ti ke vendopsur të heshtësh

    Ti ke vendosur të heshtësh, të heshtësh.
    Në mendimet e tua t’më fshish ngadalë.
    Unë shihem në një pasqyrë gabimesh.
    Dhe lotët e tu më dalin përballë.

    Ti ke vendosur të heshtësh sërishmi.
    Mendimet e tua të zbraztat’i lësh.
    Unë tek ëndrrat të hyj vjedhurazi.
    Portretin tim e shoh pjesërisht të çarë.

    Ti ke vendosur të hshtësh, të heshtësh.
    Të përtypësh se si të vras me fjalë.
    Unë eci mbi copëza premtimesh.
    Dhe shoh se si thërmohet një mall.

    Trillim

    Trillove një heshtje.
    Heshtja pastaj ngriti një mur.
    Të tillë ndarje.
    As poetët s’do ta thurnin kurrë.

    FERIT FIXHA

    DISA MENDIME PËR LIBRIN “LURA-PERLA E EUROPËS” TË AUTORIT GËZIM LOKA.
    Kur e përfundon së lexuari këtë libër emocionues dhe intrigues, përfshihesh në një qerthull mendimesh frymëzuese. Jo vetëm nga strukturimi, niveli artistik, gjuha e pastër letrare dhe ndërthurja ku, aq sa lejojnë konturet e një libri të tillë, ceket problematikë në disa fusha, por mbi të gjitha, nga vërtetësia dhe origjinaliteti i shpalosjes së materialit të përzgjedhur. Këtë e kanë favorizuar vlerat brilante natyrore, historike dhe etnokulturore të krahinës së magjishme të Lurës që, me të drejtë, autori e quan “Perla e Europës”. “Është e pamundur, -shkruan autori, -që të kesh lindur e të kesh jetuar, qoftë edhe për pak kohë në Lurë, e të mos jesh disi poet, pasi muzika, poezia, piktura, janë pjesë e spektrit befasues natyror e njerëzor të mjedisit lurian”.
    Ndaj edhe vetë Gëzimi gdhend për Lurën vargjet e bukur, plot tingëllimë metaforike:
    Lurë, ku dehet bari, natyra, njeriu,/ E fjala ka peshë mali e thëllësi deti,/ Ku bashkë me njeriun të drejta kërkon ariu,/ E luriani ndihet i fortë e krenar si mbreti,

    Ku dehet bari e çel lule dhe fjala,/ Ku burrat e Dheut rrojnë me Karare/ E fjala e dhënë bëhet kala në male.

    Këto vargje nuk janë thjesht një shpërthim i trysnisë së mallit e nostalgjisë për vendlindjen, por një joshje e frymëzim i bukurisë rrëzëlluese, sharmante e mbresëlënëse të natyrës luriane dhe i komponentëve të filozofisë ekzistenciale të lurianit si: trimëria, guximi, vlërësimi i mikut dhe armikut, besa, bujaria, bashkëjetesa në paqe e harmoni, nderi dhe dinjiteti. Për formën dhe stilin e të shkruarit të librit, ai me të drejtë është nëntitulluar publicistikë letraro-historike. Në këtë libër autori shkruan: “Lura ka qenë dhe mbetet Itaka ime, Toka e Premtuar, Edeni i fillesës së mallit”, prandaj ai ka gërmuar në kohë dhe në përditshmëri, që të mund të gjejë të pathënat për Lurën. Dhe ia ka arritur me këtë libër interesant. Me prirjen dhe përkushtimin që e karakterizon, Gëzim Loka ka kërkuar e hulumtuar pak si historian, pak si gjeograf, pak si etnolog, pak si folklorist, pak si kulturolog dhe na ka prezantuar një të tërë unike, një libër si ky me brum, kolorit dhe vlera për sot e të ardhmen. Tundimit frymëzues të peizazhit e mrrekullive natyrore të Lurës si dhe të virtyteve të lurianit, nuk i kanë shpëtuar krijues e studiues me emër, jo vetëm shqiptar, por dhe të huaj. Mjafton të përmendim disa prej tyre: Fan Noli shkroi në gazetën “Dielli”, në Amerikë: “Lura është një karakoll lirie ku takohet qielli me tokën, mitologja me realitetin dhe burrat e Dheut rrojnë për nderin e kullave e të fiseve krenare”.
    Faik Konica i quan lurianët “kreshnikët e maleve”.
    Eduard Lir, piktori i famshëm anglez, kompozoi dy piktura të mrekullueshme për Lurën: “Peizazhi i Lurës” dhe “Vajtimoret e Lurës”. Austriaku i famshëm Franc Baron Nopça ka shkruar: “Lura është një nga kështjellat e fundit të virtytit”. Një trainier futbolli gjerman gjatë vizitës në Lurë tha: “Isha për dy ditë në Zvicrën shqiptare, aty ku zoti ka falur shumë, por dora e nierjut ka punuar pak. Lura është një amfiteatër natyral turizmi e sporti”. Mjeku Italian Tano Savero shkruan: “Në Lurë gjenden rreth 2.400 lloj lulesh, shumica kurative”. Aleksandri i Madh i Maqedonisë u tha këshilltarëve e rojeve besnike që e shoqëronin në Lurë: “Këtu në këtë vend përrallorë kam qejf të vdes e të varrosem në thellësi të kësaj toke bujare, të këtyre druve e ujrave që rrjedhin si një muzikë parajse”. Në këtë libër, autori Gëzim Loka bën një vështrim vertikal e me kritere të qarta, që herë-herë merr formën e prozës poetike, për shtrirjen gjeografike të Lurës, për toponiminë, relievin, florën, faunën e kësaj fortifikate gjigande natyrore, kryeqytet i natyrës së kombit shqiptar, për historinë e saj të lashtë e të re, për ritet, doket, zakonet, këngët, vallet etj. Ai trajton dy dukuri unikale luriane: Kararet e Dheut, një monument shpirtëror i një qeverisje të drejtë disashekullore dhe Institucionin legjitim vajtimor, me vajtimoret aq të spikatura për fuqinë shprehëse dhe kumtet ideo-emocionale që përcjellin. Riti vajtues në Lurë të kujton edhe eposin tonë të kreshnikëve, edhe eposin e lashtë antiko-homerik. Autori trajton në libër mençurinë kolektive dhe kujtesën popullore luriane, duke u shprehur: “Kur dëgjoja fjalët me nënkuptime të burrave, fjalët “nën mutaf” hedhje-pritjet plot humor e alegori, mbushesha me emocione dhe ndihesha si në qiell të shtatë. Odat e Lurës ishin universiteti im i parë, kontakti im i parë me filozofinë e jetës dhe dashurinë njerëzore”. Në Lurë e kanë burimin formimi dhe brumosja e autorit me virtyte qysh në vogëli. Ato ia ushqeu geni i tij familjar, paraardhësit dhe prindërit si njerëz të pushkës e të fjalës së mençur, traditat patriotike dhe atdhetare të fisit, natyra brilante e vendlindjes. Ato u përsosën gjatë arsimimit të tij në punë e nëpërmjet punës, ku u dallua, përmes pjekurisë dhe përvojës në vite. Autori shkruan me dashuri e krenari për bijtë e Lurës që kanë bërë e lënë histori në luftëra e beteja kundër armiqve të shumtë në rrjedhën e kohës si: Dom Nikollë Kaçorri, thëmeluesi i Pavarësisë e nënkryetar i qeverisë së Ismail Qemalit, Gjok Doçi Hero i Popullit, Sali Çupi, Dulejman Skana, Dulejman Loka, Xhemile Gjogjegja etj. Me vërtëtësi historike, me mendime të thukëta e plot tharm, autori e evidenton Lurën si një pikëtakim me shtrirje gjithëkohore të mjaft figurave emblematike europiane dhe shqiptare. Në Lurë kanë bujtur, shkelur, kërkuar e hulumtuar, pushuar e luftuar, janë pritur me bujari e besë dhe janë mrekulluar: Aleksandri i Madh i Maqedonisë, Jul Çezari, Mbretërit arbëror, Skënderbeu, Elez Isufi, Fan Noli, Bajram Curri, Suf Xhelili, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Prokop Murra, Petrit Dume, Tit Vili, Prokopi i Çezares, Polibi, Zippel, Kromayler, Wablanak, Vukiliç, Hahn, Karl August, Jastrebov, Edit Durham, Franc Borpi etj. Pikërisht në Lurë, nën kujdesin e besën e lurianëve jetoi ditët e fundit të jetës e dha shpirt Leka i Madh. Lurianët e përcollën trupin e tij me nderet që i takonin një udhëheqësi e luftëtari të madh dhe e varrosën në Durrës.
    Me krenari të ligjshme, Gëzim Loka ka përfshirë në këtë libër edhe këtë poezi, që ia përkushton Lurës së tij:
    Tokë perandorësh, gjak Ilirie,
    S’të shkeli dhuna, as terr lakmia,
    S’të mposhti hasmi, as pabesia,
    Kështjellë virtyti, kala qëndrese
    Me burra trima, n’themele bese.

    Në këtë libër ka disa intervista dhe profile të goditura të autorit ish-ushtarak, që ka shkruar e botuar në medie të ndryshme të kohës. Libri i Gëzim Lokës “Lura-perla e Europës” të jep kënaqësi të veçantë gjatë leximit, të frymëzon dhe mund t’i shërbejë shumëkujt në punën e vet krijuese apo studimore.

    FERIT FIXHA

    DHIMITËR SHTËMBARI

    E ke gabim, o Met!

    Shpërngulur nga një rreth tjetër dhe vendosur diku në afërsi të qytetit Sh. Met Dumja kish blerë nja dy dynymë tokë. Në një anë të saj kish ngritur një goxha shtëpi. E kishin ndihmuar edhe fëmijët, emigrantë ekonomikë në Greqi. Rreth shtëpisë kish mbjellë pemë të ndryshme. Para saj kishte një dynym tokë, të cilën e mbillte kryesisht me perime. Disa metra larg shtëpisë së Met Dumes ndodhej një sipërfaqe e madhe toke, që ishte nën pronësinë e një fermeri të njohur. Për këtë pronë ai kishte bërë dhe vazhdonte të bënte investime të shumta. Shfrytëzonte mekanikë bujqësore, plehra kimike, herbicide të ndryshme etj. Ndërkohë, kish krijuar edhe një rrjetë kanalesh ujitës e kullues. Shkurt, organizonte një bujqësi vërtet bashkëkohore. Edhe pse pa ndonjë shkollë të madhe, Met Dumja e kuptonte, se bimëve u duhej edhe ujitja, edhe kullimi, edhe plehu, edhe trajtimi kimik, edhe … Mirëpo, praktikisht, nuk i kishte mundësitë për t’i siguruar të gjitha këto. Teksa shikonte nga parcelën e fermerit se si i shërbehej bimëve, i vinte zili. Teksa një ditë bënin fjalë për pronën e fermerit Dorian, Met Dumja i drejtohet gruas së tij:
    – Sonte vonë, a marrim një thes pleh kimik nga ata që gjënden matanë shtëpisë sonë dhe ia shpërndajmë pronës sonë?!
    E shoqja, Sherifja, e dëgjoi me vëmendje, por nuk arriti ta kuptojë deri në fund pyetjen që sapo ia pat drejtuar i shoqi.
    – Për çfarë thesi bën fjalë, mor burrë?! Ku ta gjejmë thesin që thua?
    Meti iu afrua fare pranë, si për t’ia thënë në intimitet:
    – Prapa shtëpisë sonë, në pronën e zotit Dorian, sonte para çdo lehe kanë vendosur nga një thes me pleh kimik. I pash vet. Me sa duket, kanë menduar që ta shpërndajnë nesër në mëngjes herët…Sherifja mbeti gojëhapur. Nuk e priti mirë këtë sugjerim të të shoqit. Asnjëherë nuk e kish dëgjuar burrin e saj të bënte të tilla plane! Ajo që i propozonte i shoqi, ishte vjedhje. Dhe vjedhjen, ajo nuk e honepste dot.
    – Do të na turpërosh, o burrë, – i qe drejtuar Sherifja.– Nuk kemi moshë ne për të tilla gjëra. Pastaj… duhet të mendojmë edhe për fëmijët ..
    Këmbëngulës në planin që kish bërë, Meti iu drejtua sërish: .
    – Nuk marrim nga këta thasët që janë afër shtëpisë sonë. Shkoj unë dhe e marrë larg; afër shtëpisë së atij …
    E shoqja nuk bëri zë. Çfarë t’i thoshte! Ajo e njihte shumë mirë burrin e saj. Po t’i shkrepej të bënte një gjë, ai nuk linte pa e realizuar. Aty afër mesit të natës Meti doli nga shtëpia dhe vazhdoi drejt parcelës së gjërë. Mendoi të bënte atë që i pat thënë të shoqes: të merte një thes me pleh kimik diku larg shtëpisë së tij. Ecte dhe shikonte për rreth se mos e diktonte njëri. Kur u sigurua se nuk e shikonte askush, kapi një thes dhe e vuri mbi sup. Mbas një gjysëm ore lëvizje Meti u kthye në familje, duke u futur në shtëpi nga një deriçkë që gjëndej prapa saj. Ndërsa të tërë flinin, pa bërë as zhurmën më të vogël u fut guzhinë. Diku aty mbas dere zhvendosi një thes dhe, në vend të tij, uli thesin që mbante në krah. Tani unë e di se ku e kam vënë thesin, kështu që në mëngjes herët këtu e gjej pa vështirësi edhe në kushtet e errësirës së plotë, mendoi me vete.
    Dhe shkoi për të fjetur.
    Sherifja, që i dëgjoi të gjitha lëvizjet e të shoqit, kureshtja e shtyu të ngrihej ngadalë dhe të mësonte pale se ç’kishte sjellë i shoqi në shtëpi. Doli nga krevati, bëri përpara, hapi lehtë derën e dhomës, përshkoi koridorin e gjatë dhe u fut në guzhinë. Aty në të djathtë, fare pranë derës, sytë iu ndalën te një thes i bardhë. Për të mos penguar hapjen e plotë të derës, e shtyjti thesin ca më tej, duke e afruar pranë një thesi tjetër. Dhe shkoi e u shtri në shtrat për të fjetur.
    Në mëngjes herët, kur nuk shikoje dot se ku mund ta hidhje këmbën, Meti u ngrit dhe shkoi në guzhinë. Ai e dinte se ku e kishte vendosur thesin, kështu që nuk iu desh ta ndizte dritën. E kapi, e vuri në krah dhe doli para shtëpisë, në kopshtin e porsapunuar. Ishte në të rënë të dritës. Gjithandej qetësi e madhe. Vetëm përfund fshatit ndiheshin disa të lehura qenësh. Me thesin gjysëm të hapur mbi sup, nisi të shpërndajë pleh. Kur të vijnë punëtorët e fermerit matanë shtëpisë sime, besoj se unë do ta kem mbaruar së shpërndari, mendoi në ato çaste. Dhe vazhdoi ta shpërndajë plehun. Ndërsa ishte duke punuar, disa pula u shkëputën nga sipër dhe nisën të zbrisnin në kopshtin para shtëpisë. “Po këto pula çfarë bëjnë kështu!” mendoi i shqetësuar Meti. “Kam merak, se do të më helmohen!” U orvat t’i trembte për t’i larguar, por nuk qe e mundur. Ato sa vinin dhe shtoheshin. Edhe një çast, kur të gjitha pulat ranë në kopësht. Teksa kishte përfunduar punë dhe Meti po shkundte thesin, u dëgjua të hapej dera kryesore e shtëpisë. Nga aty nisi të flasë Sherifja, sigurisht me zë të ultë, por tepër e shqetësuar:
    – Çfarë ke bërë, more burrë?!
    Metit iu duk pyetje e çuditshme. I inatosur, por me zë të ulët, ia ktheu:
    – Ti e di se ç’kam bërë, përse më pyet?!
    – Po fare s’kuptove gjë?! – vazhdoi të fliste ajo tepër e zemëruar.
    – E çfarë duhej të kuptoja unë i shkreti! – ia priti i shoqi.
    – Akoma nuk e ditke se çfarë ke bërë?!
    Meti ia pati me zë paksa të lartë:
    – Plehun shpërndava, ja këtë bëra …
    – Çfarë plehu ke shpërndarë, more hallemadh…
    – Plehun që mora …
    – Ke ngatrruar thasët! Dhe na ke shpërndarë trahananë! Plehu ja ku është.
    Dhe Sherifja ngriti thesin e bardhë.
    Meti rrahu dorën në ballë e, nga brënda shpirtit, i doli një psherëtimë e thellë:
    – Mooos!
    *************************

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe Ëord.
    – Kritikat letrare, ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe Ëord).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    Gazeta “Telegraf” ju sjell pranë suplementin letrar “Pena shqiptare” nr 21
    Datë: 18 maj, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
    02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka

    03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
    04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është i pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë, ku çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit! Redaksia e “Telegraf”.