Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 01.06.2015

    579
    Maksim Gorki 
    Maksim Gorki i pagëzuar si Aleksej Maksimoviç Peshkov, lindi më 28 mars të vitit 1868 në Nizhni Novgorod, Rusi, ishte shkrimtari rus, i njohur në botë me veprat: “Zgalemi”, “Makar Çudra”, “Jeta e Klim Samginit”, “Nëna”, “Vepra e Artamonovëve”, “Malva”, “Lindja e një njeriu”, etj.
    I biri i një zdrukthëtari, Gorki i cili në të vërtet quhej Aleksej Maksimoviq Peshkov që në femëri mbeti jetim dhe kreu vetëm një shkallë të ultë të shkollës. Ekzistencën e jetës së tij e fitonte si çun korrier, larës i enëve, shegert tekë ngjyrosësit e ikonave, bukëpjekës, punëtorë krahu në limane, rojtarë dhe kopshtarë. Si i ri kishte lidhje me Narodnikët, një shoqëri revolucionare para marksiste dhe u burgos më 1888 për të parën herë. Nga kjo kohë gjithnjë ishte nën përkujdesen policore. Më 1892 në një gazetë nën pseudonimin M. Gorki që d.m.th I Ithti doli vepra debutonte letrare e tij, tregimin Maka Çudra. Që nga 1895-ta, Gorki fillon të punojë si zhurnalist, shkroi numër të mirë copash, kritikash shoqërisë dhe botoi tregime të tjera. Po përsëri u burgos më 1898 dhe më 1901, mirëpo protestat publike, ndër të tjera të Tolstoit shkaktuan lirimin e tij. Më 1905, Gorki kaloi në Partin Socialdemokrate të Punëtorëve të Rusisë dhe pas Së dielës së përgjakshme në Petërburgut (9 janar 1905) u detyrua ta lëshonte Rusinë. Nga 1906-ta deri më 1913-të, jetoi në ujdhesën Kapri. Gorki e ndihmonte Leninin përgjatë kohës së Revolucionit të Tetorit më 1917-të, mirëpo kritikonte rreptë terrorin e sistemit sovjet. Më 1921 e la prapë Unionin Sovjetik dhe nga 1924-ta deri më 1932 jetoi në Sorrent. Më 1934 për herë të parë Gorki zgjidhet kryetar i Shoqatës Sovjetike të Shkrimtarëve; Ishte ndër iniciatorët e metodës së Realizmit socialist. Gorki ka shkruar më shumë se njëzet drama, ndër to shumë një aktëshe. Krahas veprave me nam botërorë Nahtasyl vlen të përmenden edhe Mysafirët e Verës (1904): konflikte të qytetarëve intelektualë, luftërat e dashurisë dhe bashkëshorteve në verë mbi Daça; Armiq (1906) kundërthëniet e klasave, mes të punë dhënësve dhe punë marrësve, grevat dhe ramjet vdekjeprurëse; Mjeshtri i Policisë (1908) skena familjare në shtëpinë e një tirani mjeshtër i policisë; Vasa Sheleznova (1910) praktika të paskrupulla të një sipërmarrësi në Volga. Gorki pjesët e shkruara të tij i quan skena. Përmbajtja e jashtme është e rëndësisë periferike, ai interesohet për analizën ekzakte të situatave dhe psikologjinë e shoqërisë si dhe karakterin e individëve. Kur ai propozon zgjidhje të problemeve, shpesh ato janë të menduara në frymën e Socializmit njerëzorë.
    Fan Noli
    Anës Lumenjve 
    Arratisur, syrgjynosur,
    Rraskapitur dhe katosur
    Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
    Anës Elbë-s, anës Spree-së.
    Ku e lam’ e ku na mbeti,
    Vaj-vatani e mjer mileti,
    Anës detit i palarë,
    Anës dritës i paparë,
    Pranë sofrës i pangrënë,
    Pranë dijes i panxënë,
    Lakuriq dhe i dregosur,
    Trup e shpirt i sakatosur.
    Se ç’e shempnë derbederët,
    Mercenarët dhe bejlerët,
    Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
    Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
    Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
    Ç’e shkretuan anembanë,
    Nënë thundrën e përdhunës
    Anës Vjosës, anës Bunës.
    Çirem, digjem i vrerosur,
    Sakatosur, çarmatosur,
    As i gjall’, as i varrosur,
    Pres një shenj’ e pres një dritë,
    Pres me vjet’ e pres me ditë,
    Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
    Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
    Lark prej vatrës dhe prej punës,
    Anës Rinit, anës Tunës.
    Çakërdisur, batërdisur,
    Përpëlitur dhe zalisur,
    Ëndëronj pa funt, pa shpresë,
    Anës Elbë-s, anës Spree-së.
    Dhe një zë vengon nga lumi,
    Më buçet, më zgjon nga gjumi,
    Se mileti po gatitet,
    Se tirani lebetitet,
    Se pëlcet, kërcet furtuna,
    Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
    Skuqet Semani dhe Drini,
    Dridhet beu dhe zengjini,
    Se pas vdekjes ndriti jeta
    Dhe kudo gjëmon trumbeta.
    Ngrehuni dhe bjeruni,
    Korini dhe shtypini,
    Katundar’ e punëtorë,
    Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
    Ky ilaç e ky kushtrim
    më bën djal’ e më bën trim,
    më jep forc’ e më jep shpresë,
    anës Elbë-s, anës Spree-së.
    Se pas dimrit vjen një verë,
    që do kthehemi njëherë,
    pranë vatrës, pranë punës,
    Anës Vjosës, anës Bunës.
    Arratisur, syrgjynosur,
    Raskapitur e katosur,
    brohoras me bes’ e shpresë,
    anës Elbë-s, anës Spree-së.
    Gëzimi i gomerëve
    Tregim nga Dhimitër Shtëmbari 
    Sekretari i Këshillit të Frontit të rrethit, Selimi, gati sa s’i lutej kryetarit, Jasharit – eprorit të tij në zyrë që të mos niseshin për kontroll e ndihmë në fshat. 
    – Përse të shkojmë?! Nuk i mobilizojmë kooperativistët, përkundrazi, i bezdisim…
    Mirëpo ku i mbushej mëndja Jasharit! 
    – Do të shkojmë! – ia foli prerë vartësit të tij. – Baza nuk mund të bëjë dot pa ne. Një fjalë e jona, ata i ngre peshë. Në fund të fundit, për këtë na paguan shteti. 
    Ishte e kotë që të flitej më shumë me Jasharin. I qe mbushur mëndja top, se do të mund të mobilizonte kooperativistët për shpejtimin e korrjes së grurit. 
    – Nesër do të nisemi që në mëngjes herët, – iu drejtua Selimit.
    Dhe u ngrit për të dalë nga zyra. Ishte e para herë që nuk i jepte dorën 
    para se të largohej. Kjo ishte një shprehje e qartë zemrimi ndaj vartësit të vetë.
    Të nesërmen qenë ngritur që herët dhe u takuan së bashku para zyrës. Ndërkohë, aty i priste shoferi i makinës. Sapo pa që i kishin ardhur shefat e vetë, shoferi u hapi derën dhe u bëri shënjë që të zinin vend mbi makinë. U nisën. Epror e vartës gjatë rrugës nuk shkëmbyen asnjë fjalë. Kuptohej; nuk ishin të një mëndjeje për këtë shërbim që do të kryenin në fshat. Mbas nja gjysëm ore udhëtim, arritën në fshatin Kollumishtaj. Ende nuk kishte shkuar ora gjashtë. Fshati sapo kishte filluar të zgjohej. 
    – Këtu do të zbresim, – i qe drejtuar Jashari Selimit. – Tani le të vazhdojmë në këmbë. Është rasti të mësojmë, se si e zbatojnë orarin e punës kooperativistët …
    Sakaq, shoferit i tha që të qendronte pak kohë aty dhe të vinte në qëndër të fshatit aty nga ora tetë. Vazhduan rrugën të dy së bashku. Nuk flisnin. Selimi mezi i hidhte hapat. Kishte qënë edhe herë të tjera në këtë fshat dhe e kishte ndjerë nga afër një lloj zemërate të kooperativistëve për këto lloj kontrollesh. Vazhdonin të ecnin drejt qëndrës së fshatit. Në oborret e shtëpive të kooperativistëve ndiheshin të lehura qenësh. Teksa po kalonin në një rrugë lagjeje, të ardhurve nga qyteti u bëri përshtypje zëri në kor i këndezave. 
    – A e dëgjon këngën e gjelave? – theu heshtjen Jashari si për ta sjell në humor vartësin e vetë.
    Selimi heshti një copë herë, pastaj ia ktheu si me një lloj mospërfilljeje: 
    – I dëgjoj, shoku shef, dhe më bëhet sikur këta gjela na qortojnë! …
    Jasharit nuk i erdhi mirë nga kjo përgjigja, prandaj nuk e la të fliste më gjatë, por ndaloi një hop hapin dhe ia ktheu. 
    – Këta gjela këndojnë. Se janë të gëzuar për ne. Kemi ardhur për punë në fshat kur këta ende nuk kanë zbritur nga kurjaku …Selimi e dëgjoi me një lloj mospërfilljeje dhe iu drejtua sërish: 
    – Nuk janë të gëzuar. Janë shumë të shqetësuar. Ajo që juve ju duket këngë, në fakt është vajtim dhe diskutim mes tyre: Ata i drejtohen njëri – tjetrit: për këta të deleguar kush e ka radhën sot për t’iu prerë koka! Jashari ndaloi hapin, i hodhi një vështrim të rëndë shokut të vetë nga koka e deri te këmbët, dhe nuk iu ndenjë pa i hequr vërejtjen: 
    – Mos do të thuash se kemi ardhur këtu për të ngrënë gjela?!
    Selimi u ndje ngushtë. Nuk duhej lejuar shefi që ta kuptonte kështu këngën e atyre këndezave. Atypëraty, iu përgjigj fare thjesht: 
    – Shaka po bëjmë, shoku shef. Ju thoni se gjelat janë të gëzuar, unë them të kundërtën; janë të shqetësuar. Jashari tundi kokën. Vazhduan drejt qëndrës së fshatit. Nëpër rrugë shikonin burra e gra që nxitonin drejt arave, ku korrej grurë, apo ku prashitej misër, pambuk …Teksa i ishin afruar zyrave të fshatit, diku u zuri syri një grup gomerësh. Njëthundrakët ishin radhitur pranë një hendeku dhe vazhdonin të hanin gjethe ferre. Në çastin që iu ishin afruar, një nga gomerët palli me zë të fortë. Në çast, ia dhanë me britma të larta edhe gomerët e tjerë. Jashari, që deri në këtë çast nuk kishte folur asnjë fjalë me vartësin e vetë, për ta thumbuar, iu drejtua: 
    – Edhe këta qënkan të shqetësuar si këndezat …
    Selimi vuri buzën në gaz dhe, pa pritur që shoku i vetë të zgjatej më tej, ia priti: 
    – Jo, këta nuk janë të shqetësuar si këndezat. Me këta ndodh krejt e kundërta: Këta janë shumë të gëzuar.
    Jashari e kapi për krahu dhe ia pat me zë të lartë: 
    – More, po sa mirë e njohke gjuhën e shpendëve dhe të kafshëeve ti! 
    Dhe vazhdoi: 
    – E nga e kupton ti se këta gomerë janë të gëzuar?
    Gjysëm i nervozuar nga kjo vizitë bezdisëse në fshat, Selimi ia qartësoi më mirë: 
    – Me këto britma që po bëjnë, gomerët shprehin gëzimin e tyre. Sepse janë duke i thënë njëri – tjetrit: sa mirë që po na vijnë edhe dy shokë të tjerë! Jashari nuk e deshi veten. Nuk foli, por bëri para drejt qëndrës së fshatit. 
    ****************************************************
    Tri poezi lirike
    Nga Përparim Hysi
    1. E bukur
    Kishe një lëkurë si prej petale trëndafilash
    Si në ato pikturat që pikturoi Botiçeli
    M’ u trallisën mendimet nga ksi bukurirash
    Trallisur jam dhe nuk mbahem nga shendi.
    E bukur si pikturë!Me lëkurë të lëmuar
    Me faqe të kuqe me ngjyrë trëndafili
    Si jashtëserie, ç’ “usta” të ka “gatuar”
    Se ndryshe s’ka si të jetë. Nuk ka se si? 
    Buzët krejt të hapura dhe sytë që lëshojnë xixa
    Si ai feneri drejt të cilit rrahin krahët qindra flutura
    Unë të pashë dhe krejtësisht u mahnita
    Nuk kam turp të them:- Më mahnit e bukura!
    Mahnitur jam dhe të ndjek me sy
    Se, gati, pusullën e kam humbur
    Sado që nuk kam moshë, se jam pleqëri
    Por më vë poshtë, një si ti: e bukur!
    2. TI
    Ti më buzëqeshe aq çiltër
    Sa më binde që të tillë nuk kam parë kurrë
    Largove nga unë mërzitjen- dimër
    Dhe ngjallë një ndjenjë që flinte qëkur.
    Sytë e kaftë më depërtuan në shpirt
    Gjoksi që hidhej m’u afrua më tepër se duhej
    Po dhe unë s’ e ha “thatë”.S’mund t’i mbyll sytë.
    E shihja se, mes nesh, diçka do “luhej”.
    Ndihesha sikur dola nga trupi im
    Dhe fare, papritur, hyra në një trup tjetër.
    Çdo qelizë e shpirtit tim ndjeu ekzaltim
    Dhe e di mirë psenë? Se jam “stekë” e vjetër.
    Secili prej nesh sikur hapi një “derë të fshehtë”
    Frymët tona sakaq u përzienë
    Tanimë, me nesh, nuk ka më “sekret”
    Dhe, tek e mbyll vjershën, jam ujem…
    3.Çaste
    Humbën buzët mbi supet e zhveshur
    Të një bukurosheje me freski pylli
    Pastaj puth buzët krejt i etur
    O çaste të bukura, rehat pse s’më lini?
    Mandej, kaluam çaste deliri
    Mbështjellë me njëri-tjetrin si të”lidhur”
    Dhe në këtë moshë, tek unë u kthye prilli
    Dashuri! Krejt më ke përtëritur…
    Dashuria djeg më shumë kur ka “pengesa”
    Dhe unë digjem brenda flakës tënde
    Eh, se sa e mirë që ishte “audienca”
    “Audiencë”, moj, më çmënde.
    Tiranë, 19 maj 2015
    Remzi Gjika
    RRUGA E HALLAVE
    Pika kufitare ngjante si fole milingonash
    që u është prishur foleja.Qindra njerëz, gra, fëmije e pleq vraponin për në Greqi dhe jo më pak, të tjerë hallexhij me çanta e qeska te zeza ktheheshin për në vendin e tyre.Në te dy anët prisnin lloj- lloj makinash; autobuze, furgonë, vetura dhe makina të mëdha për mallra, ku shoferet bërtisnin : Vlora, Tirana , Gjirokastra, Saranda, Fieri….. 
    Ishte ditë prilli i vitit 1993, lëvizja në drejtim të Helladës kishte filluar dhe shtrëngohej.Shumica e te rinjve iknin malit, nëpër shtigje të pa njohur e të rrezikëshme duke dredhur rrugëve për tu shpetuar ndjekjeve të policisë, kurse një pjesë kalonin nga dogana me dokumenta lloj- lloj. Policia ndiqte një politikë të menduar mirë nga qëndra duke favorizuar ata që i quante vorioepirotë, si njerëzit e tyre, të tjerët, jetimët, i kalonte në sitë duke i provokuar se nga vinin e ku shkonin dhe, jo pak, edhe me dokumenta të rregullta i kthente që nuk “plotësonin kriteret” , pa dhënë shpjegime. Në këtë portë xhehenemi , i erdhi radha edhe Sotirit të shkretë.Ai kishte lënë punën, sepse paga që merrte nuk i mjaftonte as për bukë, dhe zgjidhje tjetër nuk kishte veç te dajua. Zemra i rrihte fortë, ishte hera e parë që kalonte këtë portë që s’e kish shkuar ndonjë herë në mend dhe jo të trokiste. Dokumentat i shin të ‘konsullatave’ që kishte çdo qytet. Dinte vetëm dy fjalë ‘ne’ ose “oqi”, sekur duhej thene njera ose tjetra ishte rastësi, me intuitë. Pas një radhe të gjatë, ku të gjithë ishin në ankth, të një provimi të madh, i erdhi siraja edhe atij. Dorëzoi pasaportën dhe priste në ankth. Polici shikonte herë pasaportën herë Sotirin, për të psikologjisur vërtetsinë e vizës për të kapur ndonjë detaj mosbesues. Më në fund, pyeti: ( mendohej që pyeti} Athina? Aty, i shkreti me intuitë qëlloi përgjigjen e duhur: në Athina. Dhe i shmangej të shihte policin në sy, se mos i tradhëtonte fytyra.Polici nuk e zgjati më , vuri vulën dhe e hodhi pasaportën me indiferentizëm. Sotirit i erdhi gjaku në vend, ndjeu sikur hallet i la prapa dhe zuri qiellin me dorë. Mori çantën me dy pale ndërresa dhe pak ushqim që i kishte përgatitur gruaja për rrugë. Pas asaj ndjenje gëzimi, që u venit menjëherë pasi kaloi trarin. Provoi nje ndjenje që nuk mund ta dallonte: ishte në endërr apo një realitet tejet i vrazhdët, i cili do ta ndiqte. Sytë ju errësuan, si në mjegull, para i doli gruaja dhe fëmijët që e përcillnin: Por për ku !!!? Fërkoi sytë si të ishte në një gjumë të thellë: përpara pa njerzit që ishte me ta në radhë, që prisnin te dera e autobuzit. Kishte pak dhrahmi sa për rrugë dhe u zgjat në shkallët e tij. Zuri vend, si në një planet tjetër dhe po mendonte. Kush do ta priste, në atë vend që se kishte idenë? Ç’kërkonte, pa mirë që po shkonte? Profesion, për të zënë ndonjë punë që i duhej vendit, nuk kishte. Përsëri binte në mendime, dhe pyeste vehten; çfarë pune mund te bejë një mësues, një artist, ekonomist ap tjetër.. 
    Në emigracion, më me fat ishin zanatçinjtë, hidrualik, elektricistë, muratorë etj, kurse ata që ishin nga fshati e gjeten veten në punët e bujqësisë e blegtorisë.
    Autobuzi pas pak u nis, në rrugën e asfaltuar mirë. Nga bokset dëgjohej muzika greke që Sotiri nuk i kuptonte fjalet: qanin apo vajtonin hallexhinë. Megjithëate, muzika nuk do përkthim, ajo i pëlqente kujtdo dhe meloditë melankolite i vunë udhëtarët në gjumë, sepse të gjithë kishin udhëtuar gjithe natën dhe ishin të lodhur. Pas një ore, u zgjua i trëmbur nga një ënderr e keqe. Shoku pranë, e kuptoi shqetësimin dhe i foli me zë të ultë shqip:
    -Është hera e parë që shkon ketej?
    – Po, – i u pergjegj Sotiri. 
    -Mos u mërzitni, s’ka të gjallë e të pa fat, – u fut ai me takt ne bisedë.
    Natyrshëm biseda u fut në hallet e secilit, që ata i bashkon: varferia me të cilën u përballën. Shoku i Sotirit, djalë rreth te 30- tave, i kishte kaluar këto emocione, dy vjet më parë dhe ishte ambjentuar me emigracionin. Kishte filluar punë në ndërtim dhe puna i paguhej mirë.
    -Ku do të shkosh? – e pyeti Sotirin!
    – Për në Athinë jam nisur, më tej nuk di ç’të them. 
    -Atje të pret njeri ? – vazhdoi djali.
    -Athina ! – ju përgjigj me ironi e sekelldi tjetri.
    -Mos u mërzit, të thashë, nuk ka të gjallë e të pa fat.
    Biseda mori karakter miqësor e familjar. Dhe ai i tregoi se kishte dy fëmijë, nevoja e kishte detyruar të vinte ketej.
    – Po të punosh, kursen dhe nuk është keq, – i tregonte. -Kursi i dhrahmise ishte 1 me 5 dhe këto para ne nuk kemi mundur t’i shkruajmë në letër , jo ti fitojmë në punë, – i jepte kurajë. 
    -Shyqyr na hapen dyert gjitonët e vjetër dhe me punë mbajme familjet. 
    -Kështu, edhe ti do të gjesh një punë, të gjithë i kemi kaluar këto vështirësi – qenë këto fjalë shprese.
    Autobuzi ecte me shpejtësi rrugeve përmes gjelbërimit pranveror. Mbasi u çlodhen pak, njerëzit, brënda gumzhinin si koshere bletesh nga bisedat, ca shqip , ca greqisht. Emëruesi i të gjitha bisedave ishte puna dhe hallet në Shqipëri me familjet e tyre. Kudo qe shkon njeriu thoshin, hallet i qepen mbrapa si zhguni i breshkës Muzika vazhdonte për hesap të saj, duke sfiduar hallet e këtyre njerzëve në barkun e hekurt të autobuzit.
    Pas tre orë rrugë, autobuzi ndali për një pushim, në një lokal të caktuar, ku kishin marëveshje me pranorët e tyre. Sotiri me shokun e rrugës, u ul në një tavolinë jashtë. Hapën qeset për të ngrënë ndonjë gjë nga ato që u kishin vendosur gratë..Mbas gjithë atyre orëve udhëtim natën dhe ditën, u shijoi shumë ushqimi dhe u çlodhen sikur të ishin në shtëpinë e tyre me familjen.
    – Shoku, per respekt i thotë, – a marrim edhe ndonjë birrë të na shkojë poshtë ushqimi? 
    Sotirit i erdhi zor sepse ishte holle dhe nuk donte ti mbetej borxh.
    – Faleminderit, – i tha me drojtje –kemi rrugë për të bërë.
    Djaloshi nuk priti, por thirri kamarjerin dhe porositi dy birra. Shoferi, që mbaroi së ngrëni seç fliste, por Sotiri e merrte me mend që pushimi kish mbaruar dhe e ktheu godën, duke falënderuar shokun.
    Autobuzi u nis, rruga i dukej Sotirit, se nuk do të mbaronte kurrë. Ora po shkonte 9-të e darkës dhe vendi filloi te errësohej.
    – Kur mund te arrijme? – pyeti Sotiri.
    -Sot u nisëm vonë sepse pritëm shumë do të arrijme një çik vonë në Athinë. 
    Trishtimi e pushtoi sepse do te arrinte shume vonë. Disa numura telefoni i kishte por kush mund ta priste aq vonë në mesnatë?
    Shoku e kuptoi shqetësimin e tij dhe nuk e la të zgjaste me tej, i tha:
    – Mos u shqetëso, ne jemi shqiptarë nuk e lemë shokun ne rruge në mes të natës.Gruaja me femijet ka shkuar nga motra, kështu që shtëpia është e lirë.Nuk bëhet kjameti, një natë, sikur edhe familja të jetë aty.
    Pas një lodhje e stresi të madh, kjo rrugë më në fund mbaroi.Erdhem, u dëgjuan zërat e pasagjerëve. Në stacion kishte me dhjetra familjarë që prisnin njerëzit e tyre.
    -Po mua kush më pret ? – pyeti veten Sotiri me zerin e tij të brëndshëm.
    Po shoku nuk e la të mendohej më tej, e thirri në emër, si të njiheshin me vite, dhe e zuri për dore.
    – Hajde të nxitojmë, se është autobuzi i fundit në këtë orë,po e humbëm duhet të marrim taksi dhe na vete shtrenjtë. Per fat, sa mbaruan fjalën, qytetarët u sulën për të mos humbur autobuzin e fundit.
    ‘U bëra qytetar i Athinës’ –ironizoi veten Sotiri.
    Valter Dauti
    EMIGRANTI
    Pata këtu një copë tokë,
    Që kur u linda ma dha vetë Zoti,
    Dhe pasi linda,mbeta trokë,
    Nga që ti mik qe më i forti.
    Ma more tokën me grushte dheu,
    Nga pak përditië…unë heshtja fisshëm,
    Gjer fryu tufan e më mbërtheu,
    Gjer erërat tutje më degëdisën…
    Tani,mbi glob,endem i mjerë,
    I gjithë uri,pa ëndrra fati,
    Më ndodh,takoj dhe plot të tjerë,
    Mbi shpinë,pak glob-torbë refugjati.
    E pata një grusht dheu këtu,
    Që grimca-grimca ma rrëmbeve…
    Po dale…ç’është…mor,ç’ndodh kështu…?
    Unë qenkam veç banor i reve…?
    Unë s’paskam lindur te ky truall?
    Unë qenkam pjellë galaktike,
    …mbi shpinë,një trastë e mbaj si zhguall,
    Dhe endem globit…hije frike…
    ÇMENDURI.
    Varre të vjetër,
    varre të rinj,
    varre të heshtur,
    të zinj.
    Varre të varfër,
    varre të pasur,
    afër e afër,
    të qasur.
    Varre të bukur,
    varre të shëmtuar.
    Varrezë e strukur,
    hutuar.
    Çmenduri njerëzore!
    …të varfër…të pasur…
    edhe në varreza!
    Ç’ çmenduri…çmenduri…
    Të gjithë kemi lindur nga veza!
    SHTËPIZA IME,ME SHPIRT TË FLIRTË.
    U ngri shtëpiza ime e drunjtë,
    Mes drurëve pa një gjeth…
    E,zëri kurrë mos i humbtë,
    Mes dimrit që të ngjeth. 
    I ngathët ec miu hirosh,
    Kasolles,cep më cep,
    Sikur më thotë ky bukurosh:
    -‘’Po miu…është poet…?
    Sepse lodron në ngricë-acar,
    Në tapë shishen gërvish,
    Te bota tej dremit e bardhë,
    Një gotë mund ta pish…’’
    Shkreti e bardhë derdh nur të hirtë,
    E shkuara nis vdes…
    Shtëpiza ime me shpirt të flirtë,
    Merr frymë… dhe zjarr më ndez.
    Kështu gjallon gjithçka në botë,
    Plot jetë…përjetësisht.
    …shtëpiza ime, si shpirt i ngrohtë,
    Merr frymë paqshmërisht…
    U vesh me borë shtëpiza ime,
    Si nuset në përralla…
    Tani,dhe vjershat plot mendime,
    Zënë bëhen më të rralla.
    TEK HUMBIN VITET…
    Më humbën vitet e dikurshme,
    Sa keq! S’e di se ku më humbën,
    S’di ku u fsheh një moshë e vrullshme,
    Tani,dhe unë kam humbur rrugën.
    M’u tretën vitet me aq komente…
    Sa ndonjëherë dhe vetë përskuqesha.
    Buzë pyjesh,mbrëmja ngjyrë mente,
    Më ftonte brenda që të futesha.
    Tani…krejt pylli humbi drurët,
    Dhe veç dremit fytyrë plakur…
    Përgjumshëm krejt,i humbi udhët,
    Me njolla diegieje spërkatur.
    Më ikën vitet…hiri I mbrëmjes,
    Lëshon mbi shtigje ngjyra muzgu…
    Dhe s’di pse mblidhem brenda meje,
    Në veladonin e një murgu.
    Nëpër kujtimet e kristalta,
    Të blertat udhë u mbushën vjeshtë…
    Veç ndizen prapë drita të largëta,
    Unë-manastir që hesht të heshtë…
    *********************************
    FJALËT E PLUMBTA
    Albert Z. ZHOLI
    Me një shok, të porsaardhur në Athinë, hymë në një lokal vetëshërbimi. Shoku im zuri vend në një nga tavolinat e fundit, ndërsa unë u afrova në banak.
    Dy koka-kola,- i them banakierit. Banakieri hapi banakun dhe më zgjati pijet freskuese. Kur i zgjata paratë e pashë me vëmendje. Ishte Kadriu, shoku im i shkollës. Ishte shëndoshur ca, por ato vetulla të trasha e të lidhura me njëra-tjetrën, e bënin ta njihje mes njëqindave e jo më këtu, të vetëm pas banakut … Doja të bëja ndonjë shaka, si ato të shkollës, por s’mu dha në çast, vetëm i fola duke qeshur në emër.
    Ai, sikur nuk e kish dëgjuar zërin tim të gëzuar, që tha emrin e tij, pa asnjë reagim më ktheu reston e parave. 
    I fola përsëri në emër, por Kadriu i shkollës përsëri nuk reagoi. Ktheu kokën nga një burrë, që hyri në banak, nga e prapsmja e dyqanit dhe heshte si për inatin tim…E shikova në sy e s’i besoja vetes. E mendova se e gjitha ishte një shaka dhe prisja ndonjë befasi nga Kadriu. Burri tjetër që unë e përktheva si pronar të lokalit, hyri andej nga kish dalë. Kadriu dhe unë ishim vetëm. Ai, pa më parë në sy, foli: “ Dëgjo këtu ! Së pari nuk jam Kadriu, por jam Spirua. Edhe në gjendjen civile kështu e kam emrin. Dhe së dyti, në punë mos më shqetëso. Kam familje. Secili ka zgjedhur udhën e tij për të jetuar. Sot nuk ka shok…” Dhe iu drejtua një klienti tjetër. 
    “ Sot nuk ka shok!”, më buçitën veshët deri në dhimbje. Ato fjalë m’i tha Kadriu, shoku i shkollës, që kishim mësuar bashkë, duke e tërhequr zvarrë për të mos mbetur në klasë, gati në të gjithë vitet. Dhe Kadriu i shkollës ose Spirua i banakut, nuk më respektoi as sa një grek i panjohur.
    “… Sot nuk ka shok…” më godisnin fjalët dhe këmbët më nxorrën nga lokali. Dy shishet me freskuese i lashë mbi banak. Vetëm shoku, që kish këmbë më ndoqi nga pas, pa marrë vesh se ç’kishte ndodhur e pa dëgjuar ato fjalë të plumbëta : “ Sot nuk ka shok!”…
    Luan Meta
    SHIU
    Ngaqë qëllon mbi qelq ky shi
    Me ujrat rrodhi dhe pak mall.
    Gjithçka te ty më duhet gri
    Dhe krejt e largët si në përrallë.
    Dhe m’u kujtua çfarë më thoshe:
    -Nga ndarja unë humbas më shumë;
    Se ti më ngrite der’ te froni
    Dhe më çlirove gjer në fund.
    Ca pika malli ranë në rrugë,
    Perlat e dhimbjes bënë një varg,
    Se thellë mëkati, posht’, nën hi,
    Një çast u ngrit e u përflak.
    E le t’ia lëmë Afërditës,
    Se kush në faj ka më shumë peshë;
    Tani që vdiq dhe kaltërsia
    Dhe heshtin retë sipër nesh.
    Mars 2015
    VERA
    Ajo pjesë e natës,
    Që hyn në dritaren tënde,
    Sa të prek trupin,
    Bëhet verë.
    Gotën roje,
    Që një herë nuk e mbushe,
    Në mes të sheshit do ta thyej;
    Të zgjohet kjo botë e verbër,
    Kjo botë, që bën sherr vogëlinash,
    Dhe nuk vë re,
    Si gjërat e mrekullueshme
    I merr dora që s’kthen më.
    ÇADRA
    Mes çadrave ngjyra-ngjyra,
    Mungon çadra jote,
    Më e bukura e çadrave.
    Ja, vendi bosh, I rrënuar,
    Sikur dikush ka shkulur
    Lulishten e famshme.
    Çadra të tilla ka mjaft,
    Por jotja sesi më dukej:
    Sikur fliste me mua,
    Sikur më thoshte:”Erdhi”.
    KUR MËSOJ DICKA PËR DASHURINE
    Kur mësoj diçka për dashurinë,
    Më shfaqesh ti,
    Dhe gjykoj sat ë dua.
    ZJARRI ME FARË
    Jashtë është qetë, por brenda meje
    S’di era pse po fryn
    Dhe pranë zjarrit krejt të shuar
    Shoh se po del tym.
    Ke dhjetra vite e larguar,
    Në botën e paanë,
    Asnjë lajm s’më ke dërguar,
    Zjarrin këta drunj e mbajnë.
    E di si lindi dashuria,
    E di si u fashit,
    Po s’e kuptoj zjarrin e shuar
    Befas të çel një ditë.
    Tani mësoj se dashuria
    Është zjarri që ka farë,
    Ashtu si bima e harruar
    Shperthen e del në arë.
    FILOZOFIA
    Unë nuk e ndreq dot botën…
    Çdo ditë nga muri I të thënave
    Rrëzoj diçka…
    Dhe lehtësoj veten.
    Më fshiftë Zoti nga faqja e dheut,
    Nëse me gurët e rrëzuar,
    Ngre mure për të tjerët.
    BULZAT E MIA
    Asaj që kam dashur më shumë gjithnjë i kam falur,
    Bluza të lehta verore, golfe për dimrin rus,
    Bluza që kurrë s’i heq, t’i qep e t’i laj,
    Bluza që vet’ i kam thurrur me buzë.
    Bluza të sakta, që vishen në trup e në shpirt,
    Bluza të endure fort në ekztazë,
    Bluza që s’i grisin dot as tradhëtitë
    Dhe s’i shqep dot më e rënda frazë.
    Bluza të ëmbla, që flenë njera mbi tjetrën,
    Bluza që s’preken kur trupin tonë e pastrojmë,
    Bluza që shkojnë me shpirtin në botën tjetër,
    Bluza që duken kur kohën e shkuar jetojmë.
    I këndon dashurisë dhe nuk lë degë ulliri e bliri, nuk lë degë pishe e shteg ograje, nuk lë burim kroni e lule kopshti pa i dhuruar ngrohtësinë
    Vështrim poetik mbi krijimtarinë e Vjollca Ajasllari 
    Hysen Grajçevci
    Vjollca Ajasllari – Koni u lid më 17 korrik 1964 në Grevë të Skraparit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, për të vazhduar në Çerovodë e Tiranë. Vjollca me poezi merret që nga bankat e shkollës fillore, dhe si rezultat i punës së saj disa vjeçare, më 2013 boton vëllimin e parë me poezi, të titulluar “BIO”, për të pasuar në 2014 me vëllimin e dytë poashtu me poezi të titulluar “POSEIDON- KY MALLI IM”. 
    Poeteja nuk ndalon, vazhdon në kërkim të vargut. Dhe unë kësaj radhe do merrem me aktivitetin e saj poetik të botuar në disa portale poetike dhe gazeta. GREVA, fshat piktoresk rrëzë malit të shtojzovalleve, nga ku ushqehet e bredhë MUZA poetike. Mendohet, tani edhe thuhet e pohohet nga studiues të ndryshëm se, Mali i Tomorit , jo vetëm se ka qenë çerdhe e shqiponjave,po eshtë vetë Froni, ku kanë pasur selinë perënditë! Pohohet se në bukuritë e këtij mali, ka ekzistuar DODONA PELLAZGJIKE! Ku zotrat bënin lojrat në tribunat dhe podiumin e ketij teatri! Duke vështruar hartën gjeografike, bukuritë natyrore të kësaj treve, si dhe duke analizuar epokën historike të kësaj ane, deshe apo nuk deshe je i detyruer të udhëtosh drejtë të menduarit të një dhuntie! Vjollca Ajasllari-Koni pat fatin e mirë që, përveç bukurisë fizike, dhuratë nga natyra, të thithë të njëjtin ajër, të merr ngrohtësinë e të njëjtave rreze dielli, të pijë uji nga të njëjtat burime, ku u ushqye dhe shoi etjen poeti rebel i kësaj ane Xhevahir Spahiu, i cili me punën ,veprimtarinë e tij poetike dhe letrare, la gjurmë në letërsinë shqipe. Poetja , Vjollca Ajasllar-Koni sikur ndjenë një borxh moral e njerëzor ndaj Poetit, si bashkëvendëse dhe si njeri i vlerave, disa herë gjatë punës në veprimtarinë e vetë letrare i kthehet pendës së tij, figurës së tij, portretit të tij. Në poezinë “Një poezi për Ty” shprehet; 
    Ti duhet t’më mbash mend –Poet,
    Jemi nga i njëjti brum, nga i njëjti vend,
    Heshtjen natës i thyej me gërvishtje lapsi, zgjuar rri,
    Duke vijëzuar siluetën tënde në poezi.
    Apo, te poezia “ Një varg për Ty-Poet” 
    E prekur thellë për smundjen e poetit të ëndrrave te saj, ne nje moment nostalgjie shpreh dhimbjen në varg dhe shkruan;
    I trisht më vjen vargu kur shkruaj për Ty!
    Më djeg loti, dhimbë kam n’zemer,
    Nga Tomori një shkëndijë ,
    Vjen e ndalet mbi tëndin emër!
    Vjollca Ajasllari- Koni- Kjo poete e grua fisnike, talentin e trashëguar dhe të pasuruar në kohë e me kohë, me zë kanarine i këndon dashurisë dhe nuk lë degë ulliri e bliri, nuk lë degë pishe e shteg ograje , nuk lë burim kroni e lule kopshti pa i dhuruar ngrohtësinë. Fati tragjik e i hidhur që, jo rrallë herë ka goditur e di të godas popullin tim, e preku edhe Vjollcën, e preku këtë poete për ta përballur më valët e jetës në kërkim të shpresës, dhe tani përveç dhimbjes nga atëdheu me vete bart dhe mallin, për ta shprehur me lot, në varg. Poezia “AROMË SHQIPËRIE”është një nga shumë poezitë e poetes që i mundëson të pasqyruarit e ndjenjës dhe mallit për ta shfaqur në letër me një emocion te veçantë, emocion që të bënë sikur ndjen frymëmarrjen ngashëruese të poetes gjatë të lexuarit.
    Jam një copë jetë Shqipërie, Rrënjët kam lënë atje 
    Si manushaqeja që pret prillin,
    Pres kohën të jem në Atdhe.
    Me buzën shkrumb , syrin varr nga loti e zemrën djegur nga malli, Vjollca nuk resht , e gjejmë në koshere bletësh, e gjejmë në çdo pëllëmbë e në gjithë trevat shqiptare. Dhe ndjenjat e veta më mirë se në varg askund nuk shprehë ajo. Kjo poete asnjëherë nuk fsheh identitetin e saj , nuk bëhet struce , përkundrazi, nga do shkon e kudo venë, ajo me krenari e mbanë, e thotë, dhe pohon se;“JAM CUCË MALI E TANË SHQIPERISË’’ . Në poezinë “ UNË SHKRUAJ VARGJE” poetja shpreh ndjenjën e fortë për dashurinë ndaj vendit ku u lind e u rrit, dhe sikur vërteton të thënat e më lartë theksuara duke vazhduar : 
    Këndoj për fushën, lulet bagëtinë,
    Pishat gjelbëroshe dhe lisat e gjatë,
    Burimet me uji akull, plantazhat me ullinj,
    Mbi te gjitha qëndron, Tomori ballë lartë.
    Do i këndoj vargut e nuk ndal,
    Statusin e bukur të poetes synoj,
    Do hyjë në koshere dhe nga ajo të dal!
    Çdo fjalë e germë vargu me mjaltë ta mjaltoj!
    Vjollca vazhdon me ngulm në portretizimin e figurës dhe pendës së saj prej poeteje, duke ngritur artin dhe fjalën e bukur në nivelet më të larta. Poezitë e Vjollcës përveç ngrohtësisë, mallit, dhimbjes, dashurisë dhe lotit përcjellin porosi frymëzuese dhe kreative. 
    ************************************************************************************
    Agim Pipa
    1-Çmbështjellja nga shiu
    *Doja të çmbështillesha nga shiu dhe
    të vija tek ti, me rrobën e ngrohtë
    të hënës, si mëngjesin kur
    sheshi i bardhë vetëtinte 
    nga syri yt.
    Bie shi edhe sot.
    Unë puth xhamin dhe
    përqafoj nga larg retë, prapa të cilave
    janë gjurmët e fytyrës,
    që më bën të lumtur…
    Hijet e verës, që po vjen 
    mbjellin copëza poezish dhe muzikë romancash; dhe
    dhoma ime përmbytet me shira tingujsh
    si mesditën, kur bëmë kryq, 
    me ave marian.
    Bie shi fundmaji dhe toka 
    përkund lulëkuqet 
    mbi barkun e ditës.
    Shëndrrohet në sy hëne, përtej reve 
    syri yt.
    Çmbështjellja nga shiu – mit i pa mbërritshëm…
    2-*Pasdite shiu
    Ja, sapo filloi
    simfonia e tij e gjelbërt
    Ai bie, bie, bie
    duke marë trajtën e pyllit
    ndanë liqenit tim.
    Miliona njerëz lahen në ëndërrat e shiut;
    rrugët, marin forma zarfesh, që 
    mbyllin në fletët e shkruara
    imazhe lulëkuqesh, qershish dhe grunjërash
    Inlove…
    Më flihet, hahaaaa, më flihet!
    Ditën e mirë qytet mbështjellë me shi dhe
    i harruar në sirtarët e drunjtë 
    të premtimeve.
    Ai bie, bie, bie
    duke marë trajtën e pyllit
    të poezisë tënde…
    fle, bashkë me mua, liqeni im i blertë.
    3*Kundër hipokrizisë
    Në një dimër të ftohtë, ndërsa
    shirat dhe ujrat përmbytin gjithçka; unë shoh
    si tkurret zemra e një njeriu të vogël; ai
    shkund nga supet e ngushtë brymën e 
    panjohjes dhe
    shfaq krimbin e mollës së legjendës,
    ku u lind.
    Shoh mijra njerëz, si luftojnë me ujrat
    që kanë përmbytur dhjetra fshatra; 
    erdhi ora e zezë për ta.
    Është pak të thuash se
    shirat u ngjajnë katranit dhe
    në zemër të tokës, në pyjet me pisha
    ato shëndrrohen në fytyra gri, grash
    të akullta.
    Sinonimi i tyre –
    maskat, përtej natës.
    Harroj poezinë dhe
    kapem fort pas trupit të ditës, pas Njeriut; ai
    është kudo, i bukur dhe
    i plotfuqishëm.
    Kundër maskës
    unë ndez dritat e mbrëmjes dhe 
    i le vehtes takim me vëllezërit, 
    që më ngjajnë.
    Harroj poezinë dhe
    shtyj tymin e murrëm drejt valëve të liqenit, ku
    hëna e mbrëmjes do të lindë 
    pa luspa maskash.
    Duke dashuruar jetën
    unë e urrej ligësinë e bishave
    hipokrite.
    I ngre bust dritës dhe liqenit, pikërisht atje
    ku shfaqet poezia, Anteu i jetës sime.
    I ngjaj vëllezërve dhe tokës, ku jam lindur dhe
    më vjen mirë, që ti 
    je rreshtuar nga maskat e natës
    së përbindëshme.
    Drita ime, do ta mundë hipokrizinë e maskave…
    Çapaçul
    Tregim nga Sokrat Ndreçka
    Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria u mbulua me Flamurin Kuqezi cep më cep. Madje kështu ndodhi edhe në trojet shqiptare përtej vijës së kufirit shtetëror. Festa e Flamurit hapi çdo portë e derë. Dhe s`kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe në lagjen time kësisoj ndodhi.
    Familja e Rimit, personazhi im për zemër, banon në një shtëpi sa koteci i pulave. Është e improvizuar nga koha e komunizmit, kur shumë familje u shpronësuan me mendimin se do merrnin hyrje të reja. Hyrje jo vetëm që nuk morën, por pas ndërtimit të pallateve parafabrikatë ngelën në qiell të hapur. Premtimi qe një iluzion. U bënë dekada të tëra ku shumë familje e banorë ngelën në mjedise, që i ngjanin motamo getove. Vetëm njerëz nuk mund të banonin. Megjithatë banorët nuk mundën të gjenin asnjë strehë tjetër, që të quhej shtëpi. E ashtuquajtur banesë të kishte çati, mure me tulla, një dorë gëlqere në mure, dritare për ajrosje, hapësirë për të vendosur një divan, krevate, pajisje shtëpiake etj.
    Nuk e di pse me Rimin kam një afërsi të çuditshme, një afërsi magjike. Sikur ai të ketë hyrë në ndjesitë e mia, duke i gjetur portat hapur. Ai është djalë rreth 12 vjeç. Është i ndjeshëm në karakter dhe i hapur të flas për çdo gjë që shikon e dëgjon. Por është inteligjent dhe shpirtin e ka borë të bardhë. E kam parë shumë aktiv në ditët kur festa e 100 -vjetorit të Flamurit ishte në vigjilje të saj.
    Atë ditë në Qendrën Kulturore të qytetit bëhej veprimtari kushtuar ngjarjes më të madhe të njëqind vjetëve. Një nga organizatorët shpërndante flamuj dekorativ, fletë-palosje, distiktiva me Flamurin Kuqezi dhe plot dekoracione të tjera të festës.
    -Më jep dhe mua një Flamur,- iu lut Rimi atij që shpërndante në shesh prodhime të ndryshme kancelarie, në kuadrin e festës.
    -Ik, or` çapaçul, nuk kam për ty,- i tha Rimit duke iu hakërruar.
    -Mos u bëj i keq për një flamur, o xhaxhi. Më jep një për ta ngritur në qiell si shokët e mi,- iu lut sikur ky të ishte qiellor, sikur të ishte shenjtë.
    Organizatori që mbante në dorë tufën me Flamuj, as që ia fërshëlleu. Djalit nuk i kishte rënë rasti ndonjëherë të prekte një flamur, e jo më ta valëviste në një ditë të shenjtë, siç ishte 100 -vjetori i Pavarësisë. Ndiente ngazëllim teksa shikonte moshatarët e tij, që me flamuj të ngritur lart këndonin: “Xhamadani vija-vija, Është Kosova , është Shqipëria”.
    –Largohu që këtu, të thashë, çapaçul, a e more vesh që nuk kam flamur për ty?- u dëgjua sërish duke e kërcënuar, se po të mos largohej do e qëllonte me pëllëmbë.
    Rimi mbeti si dru i thatë në këmbë, gati i hutuar nga kërcënimi i atij që i thërrisnin drejtor. Ai u ul në trotuarin prej mermeri të bardhë. Gati sa nuk shpërthente në lot. 
    “Çapaçul. Jam çapaçul, pse kërkova të shpalos Flamurit tim, në këtë ditë të shënuar?
    Çapaçul, thotë. Apo ngaqë unë jam rom. Të tjerët janë çapaçulë, unë jo. Çapaçul je vet, more vesh?! Je dhe drejtor në bashki. Kush të ka vënë ty drejtor në Bashki”!
    Rimi shkarkoi zemërimin, duke parë anash, se mos e dëgjonte ndonjë. Dhe ashtu, gati në të qarë, e pashë të kalonte mes turmës së manifestuesve i inatosur, i mërzitur, por jo me kokën ulur. Nuk kishte bërë ndonjë turp. Nuk kishte fyer njeri. Të tjerët ia kishin cenuar dinjitetin. Sa shumë m`u dhimbs ai fëmijë. Unë e di mirë, ai nuk është çapaçul, ndonjë tjetër, po.
    Bernar Kokalari
    GJIROKASTRA
    Gjirokastra shkallë mali
    ndërtuar me gurë stralli, 
    me shtëpi sa një kështjellë,
    rroba GURI të mbështjellë, –
    Pesë lagje mbi një shpellë 
    të ndara nga përrenj të thellë, 
    ura guri i bashkojnë
    njerëzia mbi ‘t o kalojnë.
    Është qytet me rrugë mali, 
    pa asfalt’ e trotuarë,
    njerëzit ecin ku shkon kali 
    nga mëhalla në mëhallë.
    Turistët kur e shikojnë
    habiten nga mrekullia
    Si nuk rrënohen vallë 
    shtëpitë nga pjerrësia?
    ‘ Tërmetet që kanë rënë,
    s’kanë lënë asnjë të çarë
    në muret e shtëpive,
    vetëm me gurë e trarë?
    Kush ishin ata punëtorë
    që me çekiç në dorë, 
    pa gëlqere e pa mistri 
    ndërtuan këtë mrekulli?!
    Ky qytet i historisë
    është pjellë e Perëndisë
    Zoti vetë arqitekti 
    e ngriti si fron mbreti.
    Atje lindën pashallarë,
    komandantë legjendarë,
    lindi vajzënë princeshë 
    Argjiron trimëreshë. 
    Me kështjeliën në ballë 
    si Skëncierbeu mbi kalë
    qyteti luftoi Turqinë
    nderoi gjithë Labërinë.
    Edhe shkelës të tjerë
    Me Duçe e me Hitlerë
    Gjirokastra i luftoi 
    Kurrë sofrën s’ua shtroi.
    ‘Është qytet me vlerë ari
    Ndër shokë qëndron i pari
    Si për moshën, bukurinë
    Dhe kulturën, diturinë.
    Jam krenar që kam lerë
    Në qytetin shumë me vlerë
    Është dëshmi e historisë 
    Për lashtësinë e Shqipërisë.
    *****************************************************
    Zeqo Cama
    1. Në Atdhe
    Ndenja gjatë në Atdhe, 
    vij rallë e për mall,
    shtatë male kaptuar si Doruntina që dihet,
    mbi galopin marramendës të gjokut të bardhë,
    s’më bëjnë këmbët të ikij,
    por dhe pa ikur, s’më rrihet!
    3. Pyeta gurët
    -Pas leximit “Argjendi i Gurit” te poetit Agim Shehu-
    Pyeta gurët me gjuhë të gurit,
    i përlëmova lehtë në faqe,
    përkulur ca mbi sy të gjurit,
    siç mblidhja borzilok në bahçe.
    Hip e zbritë me mall të shtuar,
    sa nisë e sa mbaron kalldrëmi,
    ata zënë vallen brezshtërnguar,
    të lyer me një cipë argjëndi.
    Nëse me kohë u ka dalë ngjyra,
    në rrugë me drit’ a pak të trishta,
    rrinë ngulur fort n’ ato rrëpira, 
    si thonj qibar, të qelqtë, në gishta.
    Kush i shkel s’di të ankohet,
    i vetëm fill a grup së toku,
    të vijë e nesërmja s’i durohet,
    t’i ngjitë e zbres si pendë zogu.
    Përmbi sokaqet, rreth avllive,
    llamburiten jashtë e brënda,
    të grivtat pllaka majë çative,
    si delet, që mërzejnë në tënda.
    Pyeta prap po nuk m’a thanë,
    argjendin kush ua vu mbi krye,
    po gurët e qoshesë në anë, 
    i mbajnë një vënd siç i ka hije.
    4. Ankesë
    Ankova te bosat e punës , i fundit mbete Ti,
    Kryebosi i shpirtrave në tokë dhe në qiell,
    nëse unë të kërkova të jetoj si njeri,
    më thuaj ylberin, që duhet kapërcyer.
    Të tillë aventurë s’e kam bërë gjer më sot
    por nëse m’a thua, do t’a bëja, im Zot.
    Nuk jam nga ata, që i ndoqi fati me gurë,
    po lëkura edhe mua m’u regj sa më s’ka,
    përkrah të papunëve shpresëhumbur në udhë,
    ku të strehohem, a duhet të ha?..
    Nga ti pres përgjigje, s’besoj tek asnjë,
    ma thuaj, të paça, ma thuaj këtë!.
    5. Qiparisat
    Vate tek të shumtit dhe një nga të gjallët, 
    Mbi varreza mbeti heshtia
    dhe kurorat shumëngjyrshe,
    lotuar.
    Paqësisht nderojnë qiparisat, 
    me pelerinat halore mbuluar.
    6. Grerëza
    Të rashë në qafë se nuk e dija,
    s’më piu ujë asnjë xhest ndjese,
    si foleprishës tek hardhia,
    ngritur me mundime grerëze.
    Mu qepe pas me pallë sheshit,
    t’a merrje hakun siç e more,
    me një thumbim te rrëz’ e veshit,
    sikur më zuri predha qorre.
    S’më bëre gjak të t’bëja namin,
    dhe të më bëje s’ta kam ngenë,
    se je kallëp i egërshanave
    thumbon dhe pa ta prishë folenë.
    ********************************************************************
    “Përballë gjakmarrjes” ¬¬― shqetësimet dhe mesazhet e një intelektuali
    Prof. dr. Pajtim BEJTJA
    Prof. dr. Hektor Veshi
    Kohët e fundit doli nga shtypi libri “Përballë gjakmarrjes”,botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”. Autori i këtij libri është prof. dr. Hektor Veshi, i njohur kryesisht për kontributet e tij të rëndësishme në fushën e arsimit të mesëm profesional, por edhe si shkrimtar lëvrues i prozës së shkurtër, me subjekte të qëmtuara nga realiteti jetësor. Libri është një përmbledhje shkrimesh, që përfaqësojnë reagimet publike të autorit ndaj gjakmarrjes, qysh kur ajo, fatkeqësisht, u rishfaq te shqiptarët pas vitit 1990. “…e pashë të udhës, t’i përmbledh e t’i publikoj reagimet e mia, -shkruan shkrimtari, – me shpresën se do të ndihmoj sado pak në zbutjen drejt zgjidhjes së këtij problemi, plagë e shpirtit për çdo shqiptar zemërbardhë.”
    “Përballë gjakmarrjes” është një libër që bart një shqetësim e një dhembshuri të thellë dhe një thirrje publike prindërore e qytetare të autorit drejtuar shqiptarëve kundër gjakmarrjes. “Lëreni me kaq gjakmarrjen, lëreni, lëreni!”, – thërret ai. ”Siç na kanë porositur rilindësit, ‘Të prekim urtësinë, të zëmë udhën e mbarë…që kuçedra vdekje të vdesë e ne të rrojmë në dashuri mes nesh!’”. Në libër, bazuar në ngjarje dhe situata jetësore reale, sillen fakte të qëmtuara nga përvoja dhe përpjekjet e popullit, në të kaluarën dhe sot, për të shëruar gjakmarrjen, formën më të egër dhe tragjike të hakmarrjes. Ngjarjet zhvillohen në zona të ndryshme të vendit, në jug e në veri, madje edhe në Kosovë. Autori i librit nuk ka kurrfarë lidhjeje me gjakmarrjen, por duke pasur një ndjeshmëri të lartë qytetarie, ka dashur të japë ndihmesën e vet, sado modeste, për shuarjen e plagës. Ai këtë e sheh “…si dëshmi e dëshirës së zjarrtë…për t’i dhënë fund përfundimisht mendësisë obskurantiste të disa shqiptarëve që ‘zgjidhjen’ e çdo ngatërrese, keqkuptimi apo edhe problemi, akoma e shohin vetëm te ‘gryka e pushkës!’” Siç e pohon vetë, nuk synon të japë receta zgjidhjeje, por, nëpërmjet skicave a tregimeve të shkurtra të jetuara apo të dëgjuara,paraqet përvoja,shfaq ide, mendime dhe alternativa për rrugët që duhen ndjekur dhe mundësitë që duhen kërkuar në kushtet tona për ta zhdukur si mendësi gjakmarrjen e hakmarrjen. Ai na tregon se fenomeni i hak/gjakmarrjes është një problem sa individual, familjar e fisnor, po aq edhe shoqëror, “…që shërohet atje ku lind, në familje, me ndihmën edhe të opinionit shoqëror, por sidomos me ligje adekuate shtetërore, që zbatohen rigorozisht”,“… nuk luftohet dot ‘nga lart’, me leksione e mbledhje të mëdha, madje pak rezultat jep edhe ashpërsimi i ligjeve për ndëshkime”.
    Duke qenë i fushës së arsimit, autori i librit i jep, për zgjidhjen e problemit i jep rëndësi edukimit, veçanërisht në shkolla, si një nevojë që brezat e rinj të edukohen me ndjenjat më të thella të dashurisë e të respektit për të tjerët dhe me frymën e ndjenjën kundër hak/gjakmarrjes, si dukuri e një të kaluare të largët, që s`ka vend në shoqërinë e sotme shqiptare.Në tregimin tronditës nga jeta e shkollës, “Krizë mendimi në shkollë: u vra mësuesja dhe opinioni shoqëror hesht?!”mësuesi, në një bisedë me nxënësit rreth proverbit “Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët”, me zemërim vë në dukje qëndrimin e përgjithshëm indiferent ndaj kësaj ngjarjeje të rëndë (!) Autori mbështet besimin se rinia, sidomos ajo studentore, ka mundësi që të japë kontribut vendimtar për shuarjen e plagës së gjakmarrjes nga gjiri i popullit. 
    Autori shpreson se në librin e tij për gjakmarrjen “lexuesi do të gjejë ide, për t’i dhënë më shumë forcë përpjekjeve individuale për vetedukim dhe përpjekjeve shumëformëshe të bashkuara shoqërore, që çojnë në shpëtimin nga gremina, ku çon vetërrëmbimi dhe veprimi i nxituar i fajtorëve ndaj viktimave. Pa harruar edhe pasojat e rënda mbi ata vetë, të cilët, gjithsesi, nuk i shpëtojnë dot, as ndëshkimit nga ligji, as urrejtjes së pafundme të gjithë të tjerëve rreth vetes…”.
    Libri, me mesazhet që jep, është një kontribut i drejtpërdrejtë dhe i dobishëm, që ndihmon në shërimin e plagës së hak/gjakmarrjes,prandaj duhet të bëhet i njohur dhe të lexohet e përdoret gjerësisht, sidomos në “zonat e nxehta”të shfaqjes së fenomenit. Ai duhet të shfrytëzohet si një nxitje e fuqishme për shoqërinë, për shtetin e politikën dhe për institucionet arsimore e social-kulturore që, me veprime të përbashkëta e të bashkërenduara, t`i thonë më në fund ndal këtij fenomeni të rishfaqur çuditërisht pas kalimit nga diktatura në demokraci, duke shëmtuar dhe gjymtuar rëndë shoqërinë shqiptare. Mjafton të përmendim rreth gjashtëqind familje që janë sot në ngujim, sa e sa fëmijë, vajza e djem, që nuk shkojnë në shkollë dhe që e kalojnë jetën të izoluar, si të jenë të dënuar me burgim, duke ndenjur tërë frikë nga vrasësi i panjohur, i cili mund t`u vijë nga çasti në çast, për t`u marrë jetën.Nuk mund të mos ndiesh një dhembje therëse, kur lexon në libër, që pyetjes së gazetares: “Çfarë do të dëshiroje më shumë?”, vajza 10-11 vjeçare e ngujuar i përgjigjet: “Të shoh vëllezërit e mi të shëtisin të lirë…”.
    Autori nuk mund të pajtohet me atë që “…po bëjnë pushtetarët e politikanët tanë të këtyre viteve ‘tranzicion’, që pothuaj nuk e përmendin më fare plagën e gjakmarrjes edhe në fushatat elektorale, sikur nuk ekziston”. Prandaj ai ua dedikon librin “…Gjithë atyre që përpiqen me çdo fuqi e mjet, kundër gjakmarrjes…” dhe atyre që janë “…të gatshëm për t’iu bërë barrikadë çdo veprimi të verbër që rrezikon jetën e tjetrit, ose që detyron familje të tëra të veniten në ferrin e ngujimit”.
    Më në fund, duhet thënë se “Përballë gjakmarrjes” është nga ai lloj librash që lexohen me një frymë, jo thjesht se nuk është i vëllimshëm, por nga që të rrëmben dhe të zhyt gjatë gjithë kohës në botën e tij.Ajo çfarë të tërheq më shumë në këtë libër është mënyra origjinale emocionuese e trajtimit të fenomenit të hak/gjakmarrjes, bazuar në fakte dhe ngjarje reale, tendenca e autorit jo vetëm për t’i paraqitur, por edhe për t’i analizuar thellë këto e për të nxjerrë përfundime mbi shkaqet dhe mënyrat e eliminimit të fenomenit. Libri, nga njëra anë të prek dhe të trondit thellë me materialin jetësor që paraqet, kurse, nga ana tjetër, të jep forcë dhe të ngjall besim e shpresë se me përpjekje të përbashkëta, bazuar në humanizëm dhe në dashurinë për jetën,fenomeni i gjakmarrjes mund të zhduket.
    Artan Ballgjini
    Pikëllim
    Malli sodit heshtjen tënde.
    Dhe nuk guxon as të flas.
    Si një simfoni brenda meje.
    Dhimbja lotët nis t’i ngas.
    C’t’i ngas kujtimet ashtu më kot.
    Kur dhimbja luan këtë melodi.
    Nëse heshtja m’i përbuz këto lot.
    Dhe malli të flas s’mundet kurrsesi.
    Malli sodit heshtjen tënde.
    Dhe buzëqeshjen lë si autograf.
    Pse dreqin ne jetën kalimtare.
    Vetëm poetë s’paskan fat.
    09.04.15
    Një thikë
    Një thikë mbi ty gjithnjë do te ngulet.
    Sigurisht dhe nga një mik.
    Ti s’do t’i ndjesh dhimbjet e shpinës.
    Por shumë dhimbje do kesh në shpirt.
    Një thikë patjetër do të ngulet.
    Pa asnjë shenjë hakmarrje.
    Ti do t’i pyesësh të gjitha përset,
    Ku gabova,ku nuk kërkova falje.
    Do të mbyllesh vetvete më shumë.
    Jo nga frika e një thike tjetër.
    Kjo bot’ ka pasur përherë Makbeth.
    Që thikën e fshehin brenda buzëqeshjes
    Një thikë mbi ty do të ngulet.
    Dhe ti mos bëj aspak çudi.
    Veç lutu qe dora e mikut të vjetër.
    Përball të të nguli thikë ty.
    17.05.2015
    ……. ……… …….
    Ti më ke dashur
    Ti më ke dashur,dhe unë se kam ditur.
    S’kam ditur heshtjen tënde ta lexoj.
    Në mallin tim s’i stacion i braktisur.
    Vec lotët e tu kudo i shikoj.
    Ti më ke dashur,dhe unë se kam ditur.
    S’kam ditur ta ndjej vështrimin tënd.
    Përherë më shihje me sy të qeshur.
    Përherë unë bëhesha miop.
    Ti më ke dashur,dhe unë se kam ditur.
    Nuk dita t’i shoh ato lot.
    Kur një gjë të tillë s’kupton një burrë.
    Shpirti i gruas mes dhimbjesh fluturon.
    20.05.2015
    ………… ……. ……
    Ti ke vendosur të heshtësh.
    Ti ke vendosur prapë të heshtësh
    Në mendimet e tua të fshihesh nga pak.
    Unë shihem në pasqyrë gabimesh.
    Dhe lotët e tua më dalin përball.
    Ti ke vendosur të heshtësh sërishmi.
    Mendimet për mua të zbrazta t’i lesh.
    Unë tek ëndrrat të hyj vjedhurazi.
    Portretin tim aty e gjej përherë.
    Ti ke vendosur të heshtësh.
    Të përtypësh se si të vras me fjalë.
    Unë eci mbi premtime të thyera.
    Dhe shoh si thërmohet një mall.
    Myrteza Mara
    -fabul-
    KËMBËPENGUAR 
    Eh, gomari im i mjerë,
    S’të mjaftonin plagët e samarit, 
    Shkopi i thantë s’tu nda një herë, 
    Me nyjet si gurë të priste ltari.
    Të kishim të vetmin e shtëpisë:
    Kà, kal, argat dhe gomar.
    E shpuar trasta jote e tagjisë, 
    Më shumë haje gjemba se bar.
    Thundrat t’u çanë ndër gurë, 
    Dhe unë i zbathur, ashtu si ti.
    Në kasolle nuk fjete kurrë, 
    Qiellin e shurdhër kishe çati! 
    Në fud të fundit ti ishe gomar,
    Im At nuk e dinte që koka jote, 
    Emblemë në flamurin demokrat,
    Atje ku mbillen ëndrrat e botës! 
    Edhe Napoleoni i nderonte gomarët, 
    Kur çante rrethimet e egra të luftës.
    I vinte në mes, bashkë me shkencëtarët
    Dhe nuk pyeste për kuajt e për mushkat! 
    Im At s’i dinte të gjitha këto, 
    Por edhe t’i dinte ç’do bënte i gjori! 
    S’të pa në flamur, as në Vaterlo, 
    Këmbëpenguar në fund të oborrit!
    Petraq Pali
    Ike e hajde për çdo mot..
    Ç’më qajnë sytë ç’më qajnë
    Edhe zëmra zë më dhëmb
    C’më pik malli nostalgjia
    Det i dhimbjes po më çmënd !
    *
    Të huaj veten e ndjej
    Megjithse linda këtu
    Jam prej mishi e prej gjaku
    Tharë shpirti bërë dru !
    *
    Ka zëra që më bezdisin
    Më pyesin pa të keq…
    Pse nuk ri në Amerikë,
    Ç’të pëlqen ky vend lanet ?
    *
    O bobo si e ndiej veten
    Më ther zëmra vuaj,heq
    Det i mallit dhe i dhëmbjes
    Nuk zbutet në kurbet..!
    *
    Lërmëni të shuaj mallin
    Në vare lule të vendos
    Se aty është fikë qiriri
    Dhe një amanet të sos..!
    *
    Gjithsesi dekadat shkojnë
    Kur larg vëndit vegjetoj
    Asnjë here se shova mallin
    Ikë e hajde për çdo mot…
    Afër detit….
    Ndezur dritat xixëllonja
    Bregut detit flladitndritur
    Nga një blu e blujtë fare
    Përmbi dallgë shkëmbqëndisur!
    Fëshfërin e mjera valë…
    Fesh e fesh në mot e vjet…
    Porsi amanet shkumëbardhe
    Përmbi rërën ze rrëshket!
    Përmbi rërën ngjyra ndezur
    Si floriri vetëtin…
    Në syprinë të vetë detit
    Si pasqyrë veçse ndrin!
    Aty jeta s’ka të sosur
    Aty jeta është jetë
    Kur përzihen ngjyrat bashkë
    Dhe kur zemra është e qetë!
    Pa dhe shpirti lumturinë
    Si parajsë e ka të shkruar
    Afër detit kemi thënë
    Si një mbret jeton… “malluar”!
    ****************************
    Romani më i ri i shkrimtares Albina Idrizi me titull “Për një mëngjes ndryshe” shkrihet në 20 vjet ngjarje
    Bukuria femërore e letërsisë së Idrizit
    Nga Mihallaq Qilleri
    Sigurisht, letërsia nuk është vetëm një histori njerëzore e rrëfyer artistikisht. E krijuar nga mendje jo aq të zakonshme, ajo ka shprehur gjithmonë shqetësimet e bashkëjetesës së autorit me mjedisin shoqëror të vendit të vet, pse jo, edhe të vendeve të tjera. Natyrisht i gjithë rrëfimi letrar është një dashuri e madhe e shkrimtarit për krijesat e veta, ato të vërtetat, gjysmë të vërtetat, të imagjinuarat, irealet. Romani më i ri i shkrimtares Albina Idrizi me titullin “Për një mëngjes ndryshe”, shkrihet në gati 20 vjet ngjarje, por, ashtu, magjishëm, lexuesi nuk e ndjen aspak këtë lumë të furishëm të kohës, sepse lënda lidhëse që përdor autorja është shumë e padukshme, imtësisht letrare, gati-gati fine. Ema, personazhi kryesor i këtij libri, lëviz kështu lirisht para syve tanë dhe kohës, që nga fëmijëria e deri në moshën kur si grua e nënë i duhet të marr vendime të vështira për jetën e saj.
    Në kopertinën e fundit të librit prof. Rexhep Qosja shënon se: “Për një mëngjes ndryshe” është një roman për dashurinë. Me gjithë nderimin e madh dhe veneracionin për rilindësin e fundit të shqiptarëve, unë mendoj se romani i Albina Idrizit është një vepër për historinë njerëzore të kosovarëve, në periudhën e fundit para lindjes së Pavarësisë së shtetit të tyre, ashtu sikundër një grua ndjen dhimbjet e pralindjes, madje ashtu siç ndodh edhe në paslindjet e vështira, romanin e trazon si një litar i pleksur gërryerjet e para që i ndodhin kësaj robërie mbi 100-vjeçare, nga lëvizjet e fuqishme e shqiptarëve të Kosovës. Duke nisur nga ngjarjet e stuhishme të mesviteve 1980 e deri në pasluftën e “droguar”, Albina Idrizi merr përsipër të mbart te lexuesi gjithë këtë qerthull ideal për letërsinë e të vështirë për të vërtetat.
    Sigurisht, romani frymon më shumë e rritet artistikisht kur personazhet e tij, Ema dhe Guri nisin dramën e rëndë të jetës bashkëshortore. Tashmë jemi në terrenin konkret të realizmit, fantazisë, dashurisë dhe vuajtjeve, keqkuptimeve, jemi në qerthullin e kur bien gjethet e romantikës, e dashurisë pa shqetësime, kur nis të shtrëngohet ekonomia e familjes dhe, natyrisht, kur mbi mjedisin e kësaj celule intelektuale bie hija dhe helmi i drogës. Nuk e di përse, por duke e lexuar romanin pikërisht këto ditë, këto kohë, kur Kosovës po i zbrazen qytetet e fshatrat nga një ikje masive dëshpëruese, mendova se sa shumë do t’u vlente ky libër të rinjve të saj, për të pasur një pasqyrë të saktë për emigracionin, të arratisjes prej vendit pa dokumente, të vështirësive që has i huaji edhe në vendet e zhvilluara. Përmes këtij romani mund të përfytyrohet qartë se jo të gjithë ikamanët do të mund të jetojnë ndershëm e me djersën e tyre, sikundër mund të bien pre edhe të kriminalitetit e veseve të tjera, aq të kudondodhura në perëndim e në lindje të botës. Padyshim që “Për një mëngjes ndryshe”, është një roman në qendër të të cilit është një grua, Ema. Autorja e ka përmbajtur këtë afinitet, këtë “privilegj” për personazhin e saj, jo vetëm sepse përmes saj është në gjendje të shpërfaq edhe shpirtin e vet, mendimet e veta, botëkuptimin e vet ndaj botës, dashurisë e martesës si institucion, por, gati-gati, nuk e lëshon prej vendit duke e rrëfyer gjithë romanin në vetën e parë. Kjo mënyrë e njohur, sigurisht, mendoj se ka kufizimet e veta të shtrirjes së sipërfaqes së analizës së personazheve. Gjithsesi kjo është zgjedhja e autores. Ajo që Albina Idrizi ngul këmbë me forcë është ideja se mrekullia e një gruaje kalon përmes forcës dhe besnikërisë së saj, prej sakrificës deri në fund jo për atë që mund të quhet nder, a besnikëri bashkëshortore, por për të ravijëzuar një karakter njerëzor të pamposhtur prej dilemash. Ema e pret për shumë vite bashkëshortin e saj të arratisur prej familjes e të droguar, Gurin, deri në “detoksikimin” e tij përfundimtar. Dhe lexojmë kështu faqe me të vërtetë të bukura, takojmë mes tyre karaktere të spikatura, siç është ai i zezakut Zhan në Paris, ndjejmë si tërmet pragun e shkatërrimit të personalitetit e të ardhmes së një fëmije, mallëngjehemi e tkurremi njëherësh për bukurinë e shpirtit të madh e të palëkundur. Romani “Për një mëngjes ndryshe” është një hap tjetër në krijimtarinë në prozë të shkrimtares Albina Idrizi. Edhe për shumë vite të tjera historia e fundshekullit XX e Kosovës do të jetë në qendër të krijimtarisë letrare e artistike mes autorëve të atyre anëve, sikundër është ende edhe sot problematika aq e ndërlikuar e këtij shteti që, edhe 16 vite pas Luftës Çlirimtare, ende ka plagë të thella për të mjekuar…
    ZAHO VASILI 
    DËSHIRA E TRËNDAFILIT
    Filizi i trëndafilit
    hedhur shtatin tek parvazi,
    Të shihte brenda dritares
    të bukurin e haj merazi.
    Fryu erë,u hap kanati
    tufa e bardhë brenda hyri,
    Pa një vajzë të shtrirë tek shtrati
    mbi çarçaf qe shpleksur gjiri.
    U habit nga bukuria
    nga petalet pikoi mjaltë,
    Ja merrte nga hijeshia
    vajza e bukur në krevat.
    – Mbase do më mbajë në buzë
    mërmëriti trëndafili,
    Nuk vonoi,vajzës si muzë
    hop e hop i hidhej gjiri.
    Qëndroi tek buzët e njoma
    dhembët dridhmë i dhanë tek shtati,
    Ëndërroi më shumë akoma
    mes gjinjve ta linte vrapin,
    U deh nga aroma e buzëve
    nuk ngopej me kënaqësi,
    Ra nga buzët si i dehur 
    dhe mbeti sipër mbi gjinj.
    U mbështet përmbi sumbull 
    dhe zjarri i’u shtua shumë,
    Mbi dy gjokset lakuriq
    trëndafili ra në gjumë,
    Dhe s’u vyshk atë ditë
    praruar nga rreze gjiri,
    Tani le të thahem fare
    ç’desha e mora,tha i miri…
    EJA
    – Unë të puth,e ma çel ditën
    Nëpër buzë të ndez zjarre,
    – Eja se s’ta kam më frikën
    Nga ty unë nuk trembem fare.
    – Unë të puth o sylaryshe
    Dhe dy buzët t’i bëj copë,
    – Unë të pres pas gëmushe
    Të ta shoh zjarrin e fortë.
    – Unë të puth e tek ty digjem
    Siç puthet në buzë burimi,
    – Eja,ta dish,unë s’tërhiqem
    Se nuk di çështë nënështrimi.
    – Buzët e tua shpërveshur
    Si lulja në lulëzim,
    – Eja,të pres duke qeshur
    Të të mbaj në shpirtin tim.
    – Hënën do ta ndaj në mes
    Për të dy syçkat e tua,
    – Diellin e bëj pjesë-pjesë
    Puthjen me rreze ta shkruaj.
    – Eja,pse nuk vjen atëhere
    Po më rri si hëna,larg,
    – Buzët si përvëlim vere
    Nëpër buzë do vij t’i lag… 
    EVA
    Nga një brinjë burri ti dole e linde
    Për t’u bërë shtylla vertebrale e jetës njerëzore,
    Ai që sakrifikoi për ty,duke duruar dhimbje
    T’u përkul gjer në dhimbje dashurore.
    Në miliona emrat që njerëzimi thërret sot
    Ti je princesha e parë që të bëri zoti,
    Tingulli i parë,muzika me brengë e lot
    Simfonia me shumë tinguj,të ra shorti.
    Eva është syth brenda gjithë grave të botës
    Gjithë gratë e botës janë degë brenda Evës,
    Janë rritur të dyja me njera-tjetrën përmes lotësh
    Arkimedit i rrëmbyen funksionin e Levës.
    E kanë shtyrë jetën përpara drejt begatisë
    Që në gjenezë,përse dole nga vetja ?
    Satanai dinte të mbillte rrënjët e ligësisë
    Përse Eva të mposhti kureshtja?
    Eva,ah Eva…përse e dëgjove gjarpërin
    Ti ishe bija e ëmbël,e bukur e perëndisë,
    Eva,ah Eva…përse vallë e bëre mëkatin 
    Se bota vazhdoi me fytyrën e ligësisë….
    ÇDO MËNGJES
    Vjen zogu kërkon Irisin,zoçka çivit rreth shtëpisë,
    O mëngjese,ju e prisni,pret në degë e nuk lëviz.
    Vjen herët që në mëngjes,cicërin si valë në lumë,
    Zogu bujt ta përshëndes,- Prit dhe pak se është në gjumë…
    Zog,o zog,t’u bëftë nëna,ç’farë i thua,t’ja them unë,
    – Po i sjell nektar nga kënga,gjumin t’ja ëmbëlsoj shumë. 
    Jam nënëz dhe përlotem,kënga ja bën gjumin mjaltë,
    – Erdha që të takoj shoqen,le të flejë,nesër vij prap… 
    AKILI I RI
    Ne të dy ndeshemi shesh për shesh
    Fare pa përdorur asnjë pallë,
    Ta vrava ushtrinë e femrave përreth
    Tani kemi ngelur vetëm ballë për ballë.
    Ti me shigjetën e syve ma grise fustanin
    Si dy gjyle lufte,më dolën gjinjtë
    U zbuluan kofshët,derdhur në bukuri
    U gjend “thembra”dhe t’u ndezën sytë.
    U tërhoqa nga beteja dhe ti sulmove
    Dy gjijtë me pëllëmba i mbulova,
    Ti çave rrethimin dhe u zëmërove
    Sulmin e mora unë dhe u tërbova.
    Ta pushtova menjëherë “thembrën”e fortë
    Më re në gjunjë e të ra tërbimi,
    Për mua tash,ti vlen sa një botë
    Se tani u bëre i gjithi i imi…
    POEZI NGA PËLLUMB GORICA
    NË SINORIN E POEZISË
    Mëngët e kuqërremta të dritës
    më tërhoqën drejt gëzimit,
    ishin veshur nga shkëlqimi i hënës
    dhe lanë pas çastet e trishtimit.
    Natës i rrëmbeva një ëndërr
    e trazuar ajo vërtitej përqark
    dhe këndonte një këngë të vjetër,
    fjalë dhimbjesh e tinguj endacak.
    Mes heshtjes flinte fshehtas malli 
    si kalimtar me sy indifferent,
    nën qiellin e kaltër ai ndali
    dhe në sinoret e poezisë gjeti vend.
    NË TAKIMIN E POETËVE
    Nga larg, por si nga ëndrra në jetë, 
    erdha këtu ku dëshiroj, sot 
    dhe pse s’kam miq në këtë qytet,
    më duket vetja ngrohtë, ngrohtë.
    Këtu ku shpirti flatëron,
    flet fjalë Perëndie,
    nga gazi zemra cicëron
    me gjuhë poezie.
    Këtu ku ndrijnë miliona fjalë,
    s’ka terr të më mbulojë,
    pranvera më ngroh ngadalë,
    më bën të ëndërroj.
    YJET E QIELLIT KE FTUAR
    Keidës, në ditlindje
    Të gjithë yjet e qiellit sot ke ftuar
    të ulen pranë nesh në një tryezë,
    shtëpia prej dritash mbuluar
    për t’vazhduar gjer në mëngjes.
    Si bisk që çel pas dritës pranverore,
    llastohesh me urime e puthje merr,
    me hapa drejt një tjetër stine ëndërrore,
    në ëmbëlsinë e tingujve moshën gjen.
    Dritëzon në dritat e kohës së ardhme
    kjo ëndërra jote si fjongo maji, vajza ime,
    dhe pse fryjnë flladet e jetës në dritare,
    ti dhe diellin diskzjarrtë fut në ëndërrime.
    RRUGA E VENDLINDJES
    Sa herë hedh hapat në këtë rrugë
    S’di pse ndjej në shpirt kaq mall, 
    një këngë rinie më vjen në breg
    ca ledhe fëmijërie në zemër më ngjall.
    E braktisur me mëndje.
    humbur në meditime.
    kjo rrugë nën hijen tënde.
    dëshirë për të reja agime.
    Tani që ndodhem larg nga ty,
    s’kam shkelur për një kohë të gjatë,
    diçka më shtyn pa zë të vi,
    në kohë me diell dhe me baltë.
    Nga malli yt zemra troket
    si orë muri ajo më ngjason.
    kjo pritje e gjatë nga pas më ndjek
    dhe trupi drithërima më përshkon.
    GJURMË DROBITJE
    Ndjej përgjimin tënd djallëzor,
    shikimin tënd shpotitës,
    shtigjeve me sy mëngjezor
    imazhin gri të dritës.
    Diçka që s’e ke parë kurrë,
    gjysëmhije a ëndërr e vrarë
    e ngurtë, e zbehtë si një gur,
    në netë që ecin zvarrë- zvarrë. 
    Buzëqesh me ajrin, e përgjumur
    i lodhur shpirti së enduri pritje,
    nga gjoksi nxjerr ëndërrën e venitur
    dhe s’ndjen më drobitje.
    Hekuran Rapaj
    Nënës time
    Më prite, nëna ime, më prite,
    Pritje djalin tënd ushtar.
    Malluar shikoje birin ku ishte,
    Në rrugën si gjarpër plot me udhëtarë.
    Shpresoje të më shihje nga çasti në çast,
    Sytë e tu plot dritë ato rrugë shikonin. 
    Prisje stoike të dukesha në prag,
    Aty ku ne fëmijë dikur lodronim.
    Prite deri sa nata e mbështolli atë breg,
    Dhe sytë e tu nuk mund të shihnin më.
    Zemra jote rrahu nga një brengë,
    Mendoje për djalin, por oh s’e pe atë!
    Por ja papritur si krisma pushke dëgjove,
    Këpucë ushtari krraf-krruf në lagje…
    Ktheve kokën tënde dhe u befasove, 
    Pe djalin tënd me uniformë ushtarake.
    Me duart e tua magjike më preke,
    Fytyrën, gjymtyrët e flokët.
    O mëmë e dhëmshur më mbete
    Përjetësisht e ëmbël, e ngrohët.
    1973
    Shoqes time L…
    Pse u trembe mbrëmë e me nxitim, 
    Në terrin e natës u largove?
    Si zog nate ike fluturim,
    Çdo premtim për një çast harrove.
    Fjalë dashurie ne këmbyem,
    Çuçurima të ëmbla si zogj.
    Ëndërra të bukura rrëfyem,
    Në një fole do të jetonim tok.
    Si një yll mes reve buzagas,
    Qëndrove e urtë përmbi bar.
    Ah, moj Liza më le të pëlcas,
    Porsi një shkretan në ugar.
    Ike ti, po çfarë mua më mbeti?
    Veç një puthje e vakët në buzë.
    Mund të thahet edhe deti,
    Vetëm dashuria mos shteroftë kurrë.
    1974
    Rrugët e fshatit
    Si në ekran më delni para ju rrugë,
    Dhe më ngjallni kujtimet e të dashurës vendlindje.
    Ku u rrita e do bëhesha burrë,
    Thurja këngë heroike.
    Ato rrugë zig-zake të atij fshati,
    Që si gjarpërinj shtrihen mbi shpatin në mal.
    Mbi ato rrugë nëna dhe im ati,
    Më thoshin – T’i dalësh zot këtij vendi, o djalë!
    Mbi ato rrugë ku këmbëzbathur loznim,
    Gjer netëve të vona me yje e hënë.
    Çapkënë pas xixëllonjave bridhnim,
    Nuk qanim dhe pse gjembat na nguleshin në këmbë.
    Por prapë krenohemi ne për ato rrugë,
    Dhe pse gjëmbat akoma në këmbë i kemi.
    Dhe pse u rritëm i duam shumë,
    Për ata gurë malluar prap jemi.
    1973
    Mirëupafshim!
    Ika një mëngjez plot me diell,
    Monopatit duke zbritur për në fushë.
    S’ngopesha duke thithur ajrin e vendlindjes,
    Unë, biri i kësaj toke që e dua shumë.
    Nga pas lija kujtimet e fëminisë,
    Rrugët e fshatit, lodrat edhe pyjet.
    Në mëndje porositë e njerëzve të shtëpisë:
    “Me sukses dalç o bir”.
    Mirëupafshim, vendlindje dhe ti fshat,
    Mirëupafshim ju pyje dhe dhe ti lumë.
    Mirëutakofshim bashkëfshatarë që me kazmë e shat
    Derdhni djersën përmbi fushë.
    Fluturova në udhët me shërbim, 
    Por vendlindja me ndjek në çdo veprim.
    1974
    Vëllait ushtar
    (Kur për herë të parë takova vëllin tim, Qamil Rapaj, ushtar në Kamëz, Tiranë.)
    Rrëshqiste gropave makina operative,
    Rrugës për në repartin ushtarak.
    Në ledhe lodronin trumbat e fëmijëve,
    Si zogjtë në atë diellin vjeshtak.
    Zhurmën e motorrit e ndjeja si këngë,
    Këngë rreshtore që këndon vëllai im.
    E ka marrë malli për nënën,
    Për ninullat e gjyshit tim.
    Rekrut ish ai në repart,
    Me shokë të pavënë brisk në faqe.
    Te ecja më këmbë kodrës lart,
    Dëgjova befas një britmë alarmante…
    Ish me shërbim vëllai im ushtar, 
    Tek postëblloku, diku në vendroje.
    Pas urdhërit “Ndal!” do ishe i marrë
    Dy metra më tutje të shkoje.
    Ia njoha zërin: – Ndal, mos lëviz!
    Vështrimet vetëtinë në çast.
    – Këtej të mos kalojë asnjë mizë,
    Ish urdhëri i prerë luftarak.
    Ky urdhër duhej të ish për të huaj,
    Jo për mua, o i shtrenjti vëlla.
    Nga malli dhe unë jam përvëluar,
    Të ç’mallemi s’bëhet hata…
    Vështrimin e tij burrëror
    Lexoja e të qeshja më vinte.
    Çudi, për të vlente më shumë një epror,
    Se sa vëllai që si hu gardhi e priste.
    Priste të takoheshim të dy,
    Ti thoshja si ishin nga shtëpia,
    Një letër nga vajza si ylli, 
    T’ia sillja relike nga dashuria.
    Po jo kjo s’qe e thënë kurrsesi,
    Roja tha: “Ndal!” e buçitën sakaq:
    Majëmali i gurtë karshi,
    Lumi që zhurmoi me dallgë.
    Cicërronin zogjtë pandërprerë
    Që unë t’i bindesha urdhërit: – Ndal!
    Atë çast pas flladit fryu erë,
    E reja me pluhur u ngrit mbi mal.
    Më humbi nga sytë vendroja,
    A thua s’pata mbrrit në repart.
    Tani as vëllain më s’e shikoja,
    Prapa isha kthyer, ndodhesha larg.
    Ika me shpirtin të drithëruar,
    Me mallin përvëluar në buzë.
    Po vëllai ushtar ish trimëruar,
    Tani po, ai quhet burrë!
    1973
    **********************************
    ODISE GREMO
    NJË KOMPLET GOTASH
    Një komplet gotash qelqi tek dollapi,
    Qëndrojnë brenda xhamit pa marrë frymë,
    Ende asnjë dorë miku nuk i kapi,
    S’u shtruan njëherë në tavolinë…
    Më të bukurat gota në pazar gruaja zgjodhi,
    Për miqtë që presim të na vijnë,
    Por miqtë kurbeti na i vodhi,
    Dhe gotat tani qajnë vajzërinë.
    KRONIKA E NJË MALI
    Nuk pash në atë mal asnjë shqiponjë,
    Në rrugë takova vetëm një breshkë kafkëqendisur,
    Mu duk sikur më tha:
    “Zotëri, shqiponja kërkon?
    Mos u lodh kot, se përgjithmonë
    Nga ky mal kanë ikur…
    Unë jam e vetmja shqiponjë që ka mbetur,
    S’ta mbush syrin?…Nuk di të fluturoj?
    Ç’më duhen krahët?Jeta është me të ecur,
    Ndaj jam këtu dhe mbretëroj!”
    ,Unë qiellin pash e me keqardhje qesha:
    Kur s’ka shqiponja, shqiponjë bëhet breshka!
    NË MBYLLJE TË FJALËS
    Asaj s’i pëlqeu mendimi im,
    Më hëngri atë ditë me fjalë
    Dhe nisi drejt meje
    Një fyerje si shpim:
    Mos fol sikur nga pylli ke dal!…
    Unë i thash:Fyerjen tënde e pranoj,
    Nga pylli dola, por s’jam aspak i egër,
    Me ti fare nuk ngjasoj,
    Se më lindi një sorkadhe,
    Jo një zebër!
    S’DËGJUAM PROFETIN
    U zumë,
    Kemi vite që s’flasim vëlla,
    Ja harruam njëri-tjetrit shtëpinë,
    S’besuam tek fjalët e shenjtit Kozma:
    “Vëllai që s’do vëllanë nuk ka përparim.”
    Vëllezërit e vërtetë
    Bëjnë vepra të mbëdha,
    Ne kokën
    Në brirët e një lope a dhie kruajm,
    Mbetëm mbrapa një shekull e ca,
    S’dëgjuam profetin,
    Tani le të vuajm.
    UNË DHE MASHKULLI I BLETËS
    Me mashkullin e bletës,
    Kam të njëjtin fat:
    Gruaja do t’më mbyt në dimër të pleqërisë…
    Përse më do t’më mbaj në krevat,
    Kur i zoti s’jam,
    As me dorë ta gudulis?
    Bletëve,
    Ju jap të drejtë ndonjëherë,
    Bëjnë mirë që mashkullit
    Në dimër kokën ia shtypin,
    Ç’vlenë në këtë stinë ai barkgjerë?
    Vetëm sa konsumon kot ushqimin!…
    Grua,shiko
    Mos merr zemër nga kjo që them
    Dhe më vret!
    Unë veprimin e bletëve e quaj marrëzi,
    Se është mosmirënjohje në jetë…
    Harruan ato
    Që mbretëreshën e ka mbarsur ai?!
    LUTJE PËR NJË GRUA ME KANCER TË GJIRIT
    Të kam nderuar, o Zot, si më të mirin,
    Por e shoh se nuk je aq i mirë..
    Pse i godite asaj gruaje gjirin-
    Burimin ku edhe shenjtorët kanë pirë?
    Gjuaj sa të duash mbi pemët me rrufetë,
    Thaje tokën, bëje kockë në Qershor,
    Vetëm gjinjtë e grave, të lutem , mos i prekë,
    Mbi gjinjtë e tyre, Zot, mos vë dorë.
    ****************************************
    Edona Haliti
    HËNË E ÇDO MUZGU KRAHËRORIT TËND.
    Në kalldrëm më janë shtruar gjitha rrugët për në Montmartre
    Oh,
    në çdo hap sa i mendoj vetëm fjalët që kam për t’i thënë
    por dollisë fund laringut tim ato e pijnë veten
    kur arrij pranë teje mbetem ashtu, krejt e heshtur.
    Qiellit të syrit tim shfaqen ndriçime rrufeje
    kur Ti më vështron,
    më ngjan si klon Apoloni ardhur Olimpit tim
    ndjej se si dhe vargu më është marrosur pas teje!
    Ti nuk e di,
    mbi murin e dashurisë së Parisit banoj
    vetëm t’a ndjej shushuritjen e hapit si nëpër shi
    shkallëve të ëndrrës pres si e përhitura e përrallave
    aty po i thinjëroj netët për një lajm nga ti .
    Më dërgo mijëra yje si krushqi sonte
    hënë e çdo muzgu krahërorit tend bëhem
    mbëmjeve të vona ia fali mëngjeset e rrezet!
    Oh …
    Ti je shtrydhur ndjesishtë në shekuj ëndrrash
    ke pikuar si vesa e mirë në kurorë të thurur pranverave
    o’ vreshtë hyjnore për verërat e munguara!
    Oh …
    Të gjitha korsitë për në Montmartre me afshe më janë shtruar
    mes tyre rrjedhin shpirtëra detrash
    edhe pse zjarret e dashurisë aspak nuk m’i kanë shuar !
    VETMISË SË NJË TË HUAJI
    Alhambra 
    atje ku perëndon hëna
    ndizen qirinjët e vetmive të mëdha 
    bulevardeve rreth Les Halles pas nesh presin të tjera pritje
    Sonte 
    më thoni si të heshtë 
    kur i a kam vrarë unë pritjen
    një të njohuri
    Buzëvarur kam shkuar e ikjen ia kam lënë
    Po vjeshtës
    të huajit vallë ç’ t’ i dhuroj?
    Pranë shtëpive të Zotit zbarkova mëkatin duarbosh, 
    ëndrrës që i hyra në hak dua t’i përgjigjem
    e nuk i kam as 100 dërhem, as dy lutje s’i pëshpëris dot 
    Dua ta shes këmishën e ëndrrës 
    po atë këmishë të grisur poeti nuk e blenë askush 100
    Sonte
    Për të fundit herë pi një fund me pafund të etjes së syve tu. E lodhur
    guximin idhnak ma fyejnë zhgjëndrrat
    burrërreshë ma quajtën ato frikën varur nën duvak
    e derën që e ruajnë hijet
    trimëreshë po ma thërrsin.
    Heeej
    më vdiqën në duar netêt, ç’t’u bëj?
    Shkrepa në ballin e frymës që ma qëndis fytin me mall
    kënga më shkëput stinësh
    si rruza muzash që pinë ujë në djepët e zërit që s’ flet
    Sonte
    ia kam burgosur dhe engjujt qiellit
    Një ditë para të nesmëres së madhe
    ç’ ndëshkim druidesh të pafat t’ia falë guximit? 
    frikës që tremb shikimin ç’ bekim thua t’ i jap? 
    se më quajtën MADAM e mëkatit që mëkatnohet fillikat
    Ty
    s’ do të falen më net që ta mendosh ardhjen
    as jetë që i varet si etiketë numrash
    frymës së ninullës së përgjumur
    Veç tre gishtrinjë qiej me hieroglife poetesh përmbi neve
    do kesh
    e nën neve
    vrag stinësh që flejnë
    Sonte vonë kur t’ i ndajmë rrugët në dysh 
    ç’ ti falë vjeshtës së të huajit ?
    ç’ jetë t’ i jap agimit që e shuaj,
    ç’ frymë frymarrjes t’i dhuroj
    Për shtëpitë e Zotit, për eshtra mëkatesh
    nuk i gjej 100 dërhem, as pendime nuk gjej forcë t‘i përpij
    atje ku ngjizen diejtë e qiellit beta
    bie shumë shi
    ballit tënd moj Penelopë shiten hektarë me vetmi
    Veç 100 dërhem po u kushtoka “burrërreshave” nishani i fjalës?
    Nesër 
    atje ku perëndojnë të fundit herë nisje pas nisjesh
    dash – uritë
    do i fikësh ndoshta qirinjtë e fundit të madh 
    i vetëm ti
    Hallall s’ do ua bëj jo Les Halles 
    veç njëri nga ne që mbush vetminë e një të huaji
    me vetmi.
    A dëgjove 
    unë s’ kam ç’t‘i fal vetmisë së një të huaji!
    ***************************************************
    Maxhun Osmanaj
    Datëlindjes sime
    Kur u linda në ’58 tën 
    Dy kohë t’acarta mbështillnin
    Qenien time , trupin kërthi
    Kohërat me dhëmbë helmues 
    Kafshonin fatin tim të ardhshëm
    Stina e armëve dhe përndjekja për në Anadoll
    Thonë se babi për mua 
    Ishte gëzuar shumë
    Por s’kishte shtie pushkë n’ajër
    S’kishte thënë asnjë fjalë
    Vec heshtja i kishte folë
    Se korbat silleshin karvan
    Nga të katër anët mbi foletë tona
    Më vonë në rrugëtimin tim
    Unë I padjallëzuar me kohën
    Jetën e kuptova si lojë
    Por, hajnisht ajo më mashtroi
    Dikush vazhdimisht diellin 
    Provonte të të ma rrëmbejë
    Jeta m’u shndërrua n’betejë
    Edhe sot nga dita në ditë
    Nga viti në vit 
    Gjelas dyluftoj me kohën
    Tani zogjtë dhe shqiponjat 
    Nga qielli dhe toka, më shikojnë me kënaqësi
    Por dyluftimin me kohën do ta vazhdoj 
    Deri në përjetësi
    Fjala
    Kur e merrte penën në dorë
    Veten e shkrinte në varg
    Dheut për t`I dhënë faunë e floreë.
    Kur e jepte fjalën
    Tufanët s`mund t`ia thyenin 
    Vec toka e qielli ta zinin.
    Kur ngulte në zemër betimin 
    Rrënjët në thellësi për atdhenë
    Korbave mes netëve ua thyente shpresën.
    Kur puthte dashurinë e tokës vet
    për të gjithë këta njerëz bëhej mbret.
    Në sytë e tu…
    Në sytë e tu…
    dëshiroj të pushoj
    si luftëtar i betejave të pareshtura
    nga agu deri në muzg
    shpatën ta var në fushën shikim
    etjen ta shuaj nga ujëvara
    e kroit t’pashtjerrur-shpirt
    e ti, mike, mos me merr
    si Gjergj Elez Ali
    as si Mujë Sokol e Halil
    por me prano vec si luftëtar urtak
    udhëtar i përjetshëm drejt Trojës
    me armët-shpresa të pathyera për shtegtim
    në sytë e tu nis mëngjeset
    dhe diellin e jetës
    kurrë s’e pranoj perëndim…
    në sytë e tu,më mirë
    se askund tjetër, rri zgjuar prore
    edhe humbjet i kthej në fitore!
    Nëse digjem..
    Nëse digjem në zjarr
    Mos ma farkoni shpirtin
    Nëse digjem për etje
    Gjakun e kam lëng –shpëtim
    Nëse digjem për këngë
    Melodija e hirit më ringjall
    Nëse digjem për diell s’pranoj
    përvëlimin e shpirtit
    s’mund kush të ma shërojë
    Nëse digjem në dashuri
    Si do ta shoh botën pa sy..
    *****************************
    Nevila Demi
    ATY
    Ne takohemi aty …
    ku Hëna i dorëzon çelësat Diellit,
    (unë lindja jote, e ti perëndimi im).
    Aty… Ku dita e nata sfumohen mes tyre vec në disa caste maramendëse.
    Aty… Ku gjilpëra e busullës përshkon parreshtur 360 gradë.
    Aty… ku koha humbet, zhduket, nuk ekziston më.
    Aty… ku magjia shtrin krahët në mbretërinë e saj.
    Aty… ku shpirtrat takohen e shkrihen si eter në një.
    Aty… ku jeta dhe vdekja prekin përjetësinë.
    Aty… ku gjithcka e përzier mishërohet në lindjen e një krijese-mrekulli-ndjenje…
    Aty… ku bota ëdërron të përvetësojë qoftë edhe një grimcëz të vetme.
    Aty… ku ekzistenca jonë zotëron mbi mijëra universe.
    Ne të dy.
    Unë e ti.
    Ne takohemi… pikërisht ATY !
    METAMOFROZ
    Dikur…
    Ti ishe ti.
    Unë isha unë.
    Dhe koha na bëri ne.
    Tani…
    Ti je prapë ti.
    Dhe unë prapë unë.
    Të kohës pre…
    MES HESHTJES, BUKURISË DHE VETES
    Në heshtjen e natës, se ngrohtë mesdhetare,
    Ku dallga e detit me nanurit,
    Ku hëna e plotë ne qiell varet
    Si llampe gjigande plote dritë,
    Ku hijet e murmura zvarriten, lëpihen,
    Si gjuhe zvarranikesh mbi tokë,
    Ku mendja ime në të thella bie,
    E gjumi syte s’m’i mbyll dot.
    Diku mes heshtjes, bukurisë dhe vetes,
    Në krahët e eterta të lumturisë,
    Papritur vegimi yt më shfaqet,
    Fytyra e vetë dashurisë !
    MË LER
    Më ler kokën në prehërin tënd ta mbështes i dashur,
    Sikurse fëmija në prehërin e nënës…
    Më krih flokun me gishtat e tua të nxehtë,
    Mes çastesh ëndjeje nën dritën e Hënës.
    Largo prej tyre mallin gri që krijoi pritja jote,
    Si gjethe zverdhur një ëndrre harruar…
    E unë të bulëzojë si syth pranvere,
    Kur ti më ringjall me ato duar…
    Dhe ti botë mizore, më ler ta dua,
    Ashtu sic unë di, me gjithë qënien time…
    Veç ai ma shpalos ndjenjën si pallua,
    Kur llogjika shkërmoqet e bëhet thërrime !
    **********************************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” Nr 21..
    DATË: 18 MAJ, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Fan Noli, Përparim Hysi, Luan Meta, Agim Pipa, Zeqo Cama, Hekuran Rapaj
    02- Skica dhe tregime nga Albert Zholi, Sokrat Ndreçka, Dhimitër Shtëmbari, Bernar Kokalari
    03- Kritikë nga Prof. Pajtim Bejtja, Mihallaq Qilleri, Lirim Deda, Vjollca Koni
    04- Botime nga Pëllumb Gorica, Nevila Demi, Zaho Vasili, Edona Haliti, Odise Gremo
    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.
    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!
    Sigal