Suplementi Pena Shqiptare/ Ferit Metuku: Kulti i rrugëve…

846
Njerëzit në përgjithësi, veçanërisht fshatarët e malësive në shekuj, gjatë jetës së tyre, kanë bërë rrugë të gjata. Padyshim, këto rrugë i bënin në këmbë, dhe shpeshherë ishin dhe vende të papriturash, me fatkeqësi por dhe me fatmirësi. Në udhëkryqe, në qafa malesh, pranë urave të lumenjve edhe mund t’i vriste apo grabiste hajduti, gjakësori apo banditi. Duke kaluar lumenjtë në këmbë, njeriu edhe mund të mbytej në ujë, mund të ftohej e të sëmurej, mund të mbetej në vend nga lodhja e për rrjedhojë mund ta hanin edhe bishat apo kafshët e egra. Vende të caktuara në rrugë shërbenin edhe si vend-qëndrimi dhe pushimi. Përveç kushtesh e arsyesh të trashëgimisë nga lashtësia, mendojmë se edhe këto janë shkak që të ruhej kulti i rrugëve dhe i vendeve të pushimit. Në rrugë, shpeshherë, kishte edhe vende të caktuara nderimi ose edhe kurbani. Në këto vende e në pika pushimi të rrugës, në rrugë kryqe, në qafa kalimi midis maleve, në ballë të urave, mendohej se pushonin jo vetëm njerëzit por dhe “të mirat e malit”… Rruga përcaktonte edhe ”fatin” e kryerjen ose të moskryerjes së detyrës së caktuar, për të cilën ishte marrë rruga nga një person i vetëm apo disa persona të tjerë të ndryshëm. Veçanërisht të njohura janë rrugët e udhëtimeve me bagëti nga ultësirat për në bjeshkë dhe anasjelltas. Në këto udhëtime të gjata me bagëti, në vende të caktuara, dikur bënin edhe kurbane. Shpeshherë, nga rituali i tyre, pika të veçanta të rrugëve e qafë-kalimeve, dukeshin si shenja tempujsh paganë, vende nderimi, vende ku shtegtarët, me apo pa kafshët e tyre, silleshin me kujdes, bënin aty edhe ndonjë ”dhuratë”, qoftë dhe simbolike. Për të bërë që në stinën e verës të binte shi në kullotat verore, për t’u larguar bagëtive sëmundjet dhe për mbarësi, gjatë shtegtimit të tyre në male, bënin dhe kurbane. këto i bënin në vende të paprekshëm, ku pushonin udhëtarët dhe bagëtia gjatë kalimit në atë rrugë për në bjeshkë. Në pranverë, gjatë udhëtimit për në male, barinjtë me bagëti, ndalonin në këto vende të shenjta dhe bënin kurban, një apo më shumë bagëti, natyrisht disa barinj së bashku. Mishin e therur e piqnin, ndërsa kokat e bagëtive i vendosnin në një zgavër druri të vjetër, ku këtu, nuk i prekte njeri. Mishin e kurbanit e hanin bashkërisht të gjithë njerëzit, që shoqëronin tufat e bagëtive. Një njeri që kishte kaluar nga një vend ku barinjtë kishin vendosur kokat e bagëtive, ai kishte ndaluar dhe i kishte ngrënë kokat e bagëtive të bëra kurban, e më pas ai kishte vdekur. Nga barinjtë që besonin në forca të mbinatyrshme në atë vend, kjo shpjegohej si një dënim hyjnor për mëkatin tepër të rëndë që kishte bërë ai. Kurbane për shi dhe për t’u ndalur sëmundjet bagëtive bënin gjithandej nëpër fshatrat e Shqipërisë. Në shembujt e treguar kemi të bëjmë me një ndërthurje të kultit të rrugëve me kultin e vendqëndrimit për të pushuar me bagëtitë. Në këto raste duket kryqëzimi i kultit të pyllit me kulte blegtorale. Në rastet e përmendura më sipër, rezulton se ritet e besimit, kanë thjeshtë origjinë pagane. Vihet re fakti se kulti i rrugëve është ruajtur dukshëm në malësitë shqiptare, deri në gjysmën e parë të shekullit të njëzet. Në këto kurbane në vende të caktuara pushimi, del adhurimi i njeriut ndaj dukurive të pakuptueshme, të frikshme të natyrës, duket ai element vendës që ka të bëjë me jetën në male, me blegtorinë. Kurbani që i bëhej një druri, ose thjeshtë “vendit të mirë”, në origjinë ka të bëjë me kurbanin që i bëhej hyjnisë së pyllit, hyjnisë së bimësisë, po në raste të veçanta dhe “malit të shenjtë’. Këtu shkrihen bashkë kulti i rrugëve me kultin e maleve…
Sigal