Suplementi Pena Shqiptare/ Diana Skrapari: “Drita dhe errësira”

1126
Errësira u bë dritë, por prapë pas dritës së ditës vinte përsëri errësira e natës. Drita i linte vendin errësirës dhe errësira dritës. Kjo ndodhte dhe brenda qenieve njerëzore, herë vinte drita e diellit në shpirtrat e tyre, pastaj qielli mbushej me re dhe pika shiu kullonin nga sytë, kur errësira gjente strehë brenda tyre. Midis dritës dhe errësirës ndodhte gjithmonë kjo luftë e brendshme. Shumë njerëz erdhën për të zhdukur errësirën që mbretëronte në zemrat e njerëzve. Por lufta vazhdoi derisa erdhi dikush që zbukuronte shpirtrat me fjalët e tij me plot kuptim, por një ditë errësira u grumbullua nëpër shpirtrat e njerëzve derisa i verboi ata, dhe errësira vendosi: «Vetëm unë duhet të ekzistoj!» dhe errësira mendoi se po të vriste shpresën e dritës, ajo mundte të triumfonte. Dhe errësira e vrau shpresën e dritës. Ajo para se të dorëzonte shpirtin e saj në duart e Krijuesit të gjithësisë tha:

«Fali Ati im, se nuk dinë çfarë bëjnë!»
Por mbas tri ditësh, tempulli i ditës shkëlqente më shumë se më përpara. Drita e diellit u bë aq e fortë sa errësira nuk dinte ku të shkonte. Mbretërisë së saj po i vinte fundi. Ajo donte me çdo kusht të mbijetonte. Ajo zgjodhi dredhinë, poshtërsinë. Ajo ringjalli mbi të gjitha urrejtjen. Po ajo gjeti armën e saj më të fortë urrejtjen e njerëzve për njëri tjetrin. Kështu ajo mund të mbretëronte lehtësisht në shpirtrat e errësuar nga urrejtja. Njerëzit do të përçaheshin se do të urrenin njëri-tjetrin. Kështu errësira do të sundonte plotësisht. Ajo frymëzoi luftërat e padrejta për fitim, luftërat për të zhdukur tërësisht njerëzit me mendime të ndryshme, luftërat për të zhdukur mirësinë në zemrat e njerëzve. Ajo zgjodhi si aleate të saj zemërngushtësinë dhe injorancën. Të gjitha së bashku, zemërngushtësia, urrejtja, injoranca janë armët e errësirës. Ajo tashmë ishte më e fortë se drita. Njerëzit vuanin nga marrëzitë e bëra nga njerëz të tjerë. Njerëzit zhduknin, vrisnin, persekutonin njëri-tjetrin në emër të errësirës. Por as drita nuk iu dorëzua errësirës. Ajo ngriti folenë në zemrat e njerëzve të ndriçuara nga pishtari i lirisë dhe diturisë. Ajo luftonte, por e dinte se me vete kishte një forcë të madhe dhe të pavdekshme që e mbronte se drita është dashuri dhe dashuria është Perëndia. Fillimi dhe fundi, Drita është zemra e Krijuesit tonë.
Sigal