Suplementi: Pena Shqiptare” datë 28 shtator 2015

    563
    Sigal

    Nikos Kazantzakis
    Kazantzakis lindi në 30 Shkurt, 1883 ne Iraklion, Kretë (në atë kohë pjesë e Perandorisë Osmane). I jati, Mihalis, tregtar vere dhe fruta-perimesh, ishte nga Varvari (sot njihet si Muzeumi Kazantzakis) – Mihalis është përmendur më vonë, në librin “Liri apo Vdekje”. Pas rebelimeve të Kretës në vitin 1889 për të marre ishujt nga turqit, Nikos u dërgua në ishullin e Naxos. Atje u regjistrua në një shkollë drejtuar nga priftërinj francezë. Si rrjedhojë në këtë periudhë i ka fillimet dhe dashuria e tij për gjuhën franceze. Mbasi mbaroi gjimnazin në vitin 1902 lëvizi në Athinë ku filloi studimet për drejtësi. Gjatë viteve të shkollës në Athine publikoi esenë “Sëmundja e shekullit”, novelën “Gjarpri dhe Lili” si dhe pjesën teatrale “Dita po thyhet”. Në vitin 1907 “Dita po thyhet” u vu në skenë në Athinë si rrjedhoje Kazantzakis u bë i njohur “brenda ditës”. Pas studimeve në Athinë vazhdoi studimet në Paris ku dhe nuk pushoi së shkruari letërsi të mirëfilltë si dhe gazetari. Në Paris ndoqi leksionet e Henri Bergson, u njoh me shkrimet e Nietzsches si dhe përfundoi novelën “Shpirtra të thyer”. Pasi mbaroi tezën mbi Nietzschen në vitin 1909 shkroi pjesën “The Master Builder”. Gjatë luftrave në Ballkan Kazantzakis luftoi për ushtrinë greke dhe pas luftës vazhdoi udhëtimet e tij në shumë vende Europiane dhe Aziatike. Publikoi në këtë kohë libra mbi udhëtimet e tij në Spanje, Egjipt, Kinë-Japoni, Rusi, Angli etj. Kazantzakis, u ndikua në jetën e tij nga shkrimet Marksiste, ato Budiste dhe të Krishtere. Në vite vihet re ndërrthurja e ideve dhe mësimeve të marra nga këto shkrime. Krijimi më i rëndësishëm filozofik i Kazantzakis është libri “Askitiki”, publikuar në vitin 1927. Në 1938 pas ripunimit për gati 13 vjet, publikoi më në fund librin Odisea (vazhdim modern i historisë së Uliksit që nga pika ku Homeri e kish lënë historinë e tij). Ky liber epik-poetik ka 33.333 vargje.

    Mitrush Kuteli 1907-1967

    Jeta dhe vepra:Mitrush Kuteli është pseudonimi i Dhimitër Paskos, i njërit prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme. Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes.Mitrush Kuteli, si një personalitet demokrat që i shpalli hapur e me guxim pikpamjet e tij, u keqtrajtua nga shteti monist deri sa u dënua edhe me burgim. Keqtrajtimi i tij vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, kur ai u detyrua ta vazhdojë punën e tij krijuese në kushte të vështira ekonomike dhe i lënë në harresë nga shtypi zyrtar. Veprimtarinë letrare e nisi me botimin e vjershave e tregimeve, po edhe me artikuj që kishin një frymë antizogiste në gazetën “Shqipëria e re”, në Kostancë (Rumani). Vepra letrare të tij janë vëllimet: “Netë shqiptare”, “Ago Jakupi”, “Kapllan aga i Shaban Shpatës”, “Dashuria e berberit Artan”, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “Shënimet letrare”, “Sulm e lotë”, “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, “Mall e brengë”, “Havadan më havadan”, “Tregime të moçme shqiptare” etj. Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me kryevepra të letërsisë botërore si “Kujtimet e një gjahtari” të Turgenjevit, “Tregimet e Petërburgut” dhe “Shpirtra të vdekura” të Gogolit, “Zotërinj Gollovlinovë” të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj. Tregimet e Kutelit ose rrëfimet, siç i quan ai, përbëjnë në përgjithësi një prozë realiste me tërë shqetësimet e jetës së fshatit malor të Jugut. Në tregimin e tij gjejmë traditat më të mira të letërsisë sonë, përsa i përket rrymës së thellë demokratike. Personazhi i tregimit të Kutelit është fshatari shqiptar, i dhënë në marrdhënie e raporte komplekse me klasën feudale, në luftën e tij për mbijetesë në një shoqëri ku sundon anarkia. Në këto tregime pasqyrohen edhe disa plagë të rënda të shoqërisë shqiptare si: kurbeti e vëllavrasja. Materialet që ai mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, Fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi “Tregime të moçme shqiptare” etj.

    Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit,
    fragment

    U hirosnë brigjet,nisnë të ndjehen kronjtë e lumi, u ndesnë yjet.Dhe Agaj fjeti sapo unjikryet mi gur-i drejtuar nga gazet e shumta e nga era e malit,nga era e fjerit. E sapo fjeti ra në një ëndërr.Sikur nuk ish as ditë ,as natë- një gjë e përzierë- e sikur Ago Jakupi ngjitej për në mal, aty nga udha e vreshtave.Ish si pat qënë dje e nuk ish si dje- se tjatër dritë kish bota.Ecte edhe dëgjonte ai vetë çapat e veta:bumb, bumb, bumb! Aty ne shteg i del përpara një burrë i gjatë, as i hollë fort, i veshur krejt në të bardha: kësulë të bardhë, mëngore të bardhë e tirq të bardhë. Kish një qostek argjëndi derdhur gjoksit edhe mbante dorën e djathtë në silaje.Në dorën e mëngjër kish një krrabë të gjatë si të barinjëve.Reze drite si ato që të vrasin sytë kish rrotull fytyrës. Ago Jakupi që s’i trembej syri prej askujt, e pa këtë edhe u tremb se ish njeri e sikur s’ish njeri.Po e mbajti veten.I dha tunjatjeten edhe rrahu të shkojë më tej. GJUHË SHQIPE DHE LETËRSI III 73 fragment -Dale, o Ago Jakup ,se kam dy fjalë për të thënë. Ago Jakupi qëndroj dhe ju afrua mikut.
    -Bëj mirë, i tha ay në të bardha,bëj mirë,Aga e mbushe nj’atë thes me dhe. (….) Nisi të mbushë thesnë.Dheu ish i fortë edhe Agaj u lodh e nisi të gulcojë. Po për të mbushur e mbushi. -Merre tani me krahë. Ago Jakupi rrahu ta ngrehë e nuk mundi.
    -Nuk mund,o i mirë, plumb i rëndë. -Dëgjo, o Ago Jakup.- Edhe zëri i tij ish i ashpër , i rreptë. Ti s’mund të ngresh një thes tani, po si do mbash përpara zotit një shinik farë tokë që e ke zaptuar kur ke luar mezhnikët nga vendi?Më thuaj si e qysh, o Aga? Ago Jakupit iu drodhnë laqet e këmbëve. Desh të flaës e nukë mundi. I mbahej goja. Bëlbëzoi gjësend aman e derman, po ay miku nuk e dëgjon. -Patoju me njerinë , Aga, që të pajtohesh e me zotin, e zoti i sheh të gjitha, i shkruan të gjitha. Edhe si foli këto, burri në të bardha u ngrit përpjetë, lart e lart, edhe u tret si një re e bardhë. Kur hapi sytë, Agai gulçonte edhe hëna po zbirste përtej brigjeve. Kronjtë edhe era e malit e shtinë përsëri në gjumë edhe Agaj pa një tjatër ëndërr. (….) Dhe ish një shkretirë kaq e madhe sa vetë Ago Jakupi u drodh. I doli asoherë ay në të bardha, edhe i foli:
    -Kur ropi i zotit vuante e vdiste nga urija, ti Aga i kishe hambarët plot e nuk i zgjate askujt një dorë. Agaj u hidhërua shumë e foli: -Po, kështu pat qenë o i mirë. Edhe njeriu foli:
    -Mallë e gjënë që të dha zoti, amanet ta dha edhe ti nuk e kuptove.Vështro tani këtu! Agaj vështroi dhe ja se ku pa shtëpitë e tija, hambaret e tija edhe kosharet e tija ishin të gjitha plot. Atëherë i miri zgjati krabën dhe goditi shtëpinë, hambaret, kosharet edhe të gjitha, sa të mbyllësh e të hapësh sytë, u bënë shkrumb e s’mbeti azgjë. Njeriu foli:
    -Ay që t’i dha a nuk mund të t’i marrë? Edhe Ago Jakupi qau me lotë edhe foli:
    -Po, o Zot…… Edhe njeriu foli përsëri:
    -Loj nga vëndi, edhe mbaje vete!Unë sjam Zoti po ay që rri më gjunj përpara Zotit.Ti përpiqu edhe gjeje rrugën e drejtë me kaq sa ta fali zoti. Se ndryshe të pret zjarr i madh, që të djeg e nuk të tret.

    ***************************************
    Unë kam qenë tolerant për të respektuar natyrën krijuese të poetit, artistit
    Një letër e sistemit monist nga Foto Malo
    (Redaktor i librit të Sherif Balit në Shtëpinë Botuese, “N.Frahëri “’89, dërguar recensentit, poetit Faslli Haliti)

    Çfarë paradoksi! Një i burgosur politik, kohë më parë, shkruan në gazetën “X”, se në vitet 1970-1980, në Lushnje kishte krijues të tjerë të talentuar, por Faslli Haliti, trillonte për ta. Ndërsa, vetë krijuesit e asaj kohe tregojnë të kundërtëtn për ndihmën që u ka dhënë Faslliu në atë periudhë, kryesisht krijuesve të rinj. Lexoni më poshtë:
    I dashur Faslli !

    Të uroj shëndet.
    Para disa ditësh ishte këtu edhe Sherifi. ( Bali ). Për vëllimin e tij.
    Nuk po them sekret kur të bej të ditur se sh.Ilirjan e cilësoi redaktimin tim dhe recensionin tënd “me toleranca të mëdha” dhe recemsionin tënd “ me superlativa” . Natyrisht, për vlerësimet (epitetet) dhe unë mund t’i bëja vërejtje recensës.
    Unë kam qenë tolerant për të respektuar natyrën krijuese të poetit, artistit, por nuk ma do mendja se asnjë nga pesë vjershat e gjata (si punë poeme) të jenë aq pa vlerë. Krejt?!
    Së dyti: kur shtypja përmbledhjen e Sherifit i sugjerova shokut Përgjegjës të Redaksisë që kopjen e dytë të materialit t’ia dërgonte recenzentit Edor Gjergo. Sepse them përmbledhja ishte transformuar.
    Ai nuk e dërgoi dhe kjo punë duhet bërë tani. Kështu kërkova unë. Pra, të kompensohet mangësia .
    Së treti, mendoj që recenzentet dhe redaksia të diskutojnë mbi librin. Mund të ketë krijime pa nivel, por jo që të hiqet shumica e krijimeve! (?)
    Unë thashë , gjithashtu, se disa vjersha të hershme të botuara vërtet janë nën nivelin e sotëm , por ato duhen lënë sepse tregojnë piketat ku ka ecur (Janë gjithsej 4-5)
    Duke mësuar se do të vije këtu po të vë në dijeni të dish deri ku ka arritur puna, e cila duhet të dalë sa më e pjekur. Sherifin as ta dëmtojmë, as ta vonojmë.
    Dashamirësia, kombinuar me sensin kritik janë (dhe mund të kishim qenë edhe më tepër) kërkesa për cilësinë e vëllimit.
    Me Sherifin mos hyr në hollësira për sa thashë. Me kujdes e gjakftohtësi të ndjekim edhe tani mbarëvajtjen e librit që unë kam firmosur.
    Shokëve atje, Shpendit etj bëju të fala.
    Siç e sheh unë nuk jam i rreptë e dorështrënguar , siç mund të pretendojë ndonjë autor, por jam tolerant, madje duke sakrifikuar aty këtu firmën time redaktoriale.
    Mirupafshim!
    Më njofto kur ke mundësi të vish këndej.
    Shëndet Foto Mlo
    FAXSIMILE E LETRËS SË REDAKTORIT TË SHTËPISË BOTUESE «NAIM FRASËRRI», FOTO MALO

    ******************************************************
    Besnik Bedollari

    VALA DHE SHKËMBI
    Valët e detit ngatëruar hapave, faqen copëtuan në ashpërsinë e shkëmbinjve. Lëshuar trup prej dhimbjeje e ndalën valën, heshti dhe shkëmbi,rrinte pa fjalë… Përkëdheljet ishin harruar me lotët që i la vala, kishte luajtur një jetë pranë shtatit të saj.

    DIKU, SI DIKUR….
    Erdha pranë, diku me ty të isha,diku,si dikur…
    Me mallin e pashuar shpirtit,
    me lotin si krua bjeshkëve
    erdha me heshtjen time mbetën shpirtit dy kujtime.
    E jetës i thurëm dramën që luajtëm aq kohë.

    STINËVE TË JETËS
    Fjala mbeti zhveshur trotuareve të braktisura. Ndjenja u fsheh… diku me kohën nën gjethet e kafta,lakuriqësinë që sjell vjeshta. Puthjet u heshtën në fundditët e saj.

    MALLI I VONËT
    Nëse eci kalldrëmeve si një plak i kërrusur,
    mos mendo se zemra ime është plakur!

    Nëse dhimbja dhe malli më ndjek nga mbrapa,
    mos mendo se do të thahem si lulja vjeshtës së vonë!
    Dikur dhe malli ty do të të ketë rrokur, nëse… do thuash por do të jetë vonë.

    PRITJES
    Zbehtësia e kësaj nate buzëqesh përmbi valë,
    thyhet bregut në copëza si pasqyrë,
    ne të përqafuar prej fatit paqësonim ndjenjën.
    Dikur prej ëmbëlsisë,prej orëve të vona nën hënë.

    Sabrie Selimaj

    DEBAT I NDEZUAR

    Hëna me retë,fillojnë debatin,
    retë përplasen,rrufetë godasin
    tellalli çirret…hajduti, krekosur,
    e vërteta, shtat-pash varrosur,

    Faj jetim,përplaset derë më derë
    kush do ta mbaj, vallë këtë herë,
    në fushen e lojes albitri fishkëllinë
    topi jasht loje,lojtarët në vënd rrinë

    Në mjegullen e viteve debati ndizet
    e vërteta si dielli ,prapa reve fshihet
    kur ngre zërin hëna,qëllon rrufeja
    përherë ngeli e drejta,ik dhe eja !?

    E vërteta s`u pëlqen,largohi heshtur
    kacafyti me mendime,n`hirin mbetur
    ballin rrudhosur ,duke shpresuar
    një mal me halle,mbi supe qëndruar!

    BUZËQESHJE E ZBEHUR

    N`sytë e tu, lexoj,
    ëndrrën e fjetur,
    vargjet dëftejnë,
    dëshiren e etur…

    Tani e di mirë!
    ç`farë të mundon!
    buzëqeshja e zbehur,
    si zog cicëron ,

    Dhimbja, heshtur,
    pikon lotë dëshprimi
    duke frymuar
    një melodi vajtimi,

    Yjet flakëruar
    i puth përvjedhur
    si vala rëren
    duke i krehur …

    Etja s`shuhet
    duke ëndërruar
    mekati shpirtin
    t`ka pushtuar

    Buza zhuritur,
    kërkon freski
    zhurmon rënkuar
    nga loti stuhi,

    Sytë përdhe,
    kokën se ngre!.
    mbi fletën e bardhë
    shkruan ca fjalë ,

    Në vargun shkruar
    ç`frynë e frynë
    thërret piklluar
    ti dashurinë!!

    Hëna, çuditet!
    me Ty,mërzitet
    nata largohet
    etja të shtohet,

    Ndaloje hapin,
    vështroje qiellin
    yjet, ndrijnë natën,
    mëngjeset i zbehin,

    PORTRET I NGRYSUR

    Do bëj, ca hapa tutje,
    si hëna në të gdhirë
    si vjeshta në t`ikur
    si dimëri buzë-grirë,

    Ca fjalë dot si thash,
    nga dhimbja u mbyta
    duke ikur avash, avash,
    në mendime u zhyta!

    Do shkruaj ca vargje
    do gris dhe ca fletë
    do bie do ngrihem
    do qajë duke qesh,

    Në kornizën jetë
    portret i ngrysur
    si nata pa hënë
    varkë e përmbysur

    Do them një fjalë
    do pikoj një lot
    do çeli si lule
    do këndoj si zog,

    Retë grisin qiellin,
    shpirti lëshon ofshama
    në jetën kryeneçe
    dashuri dhuron nëna

    fjalën e merrë era
    hapin mbulon rëra
    koha është pikturë
    vijëzuar nga mendja

    Pranverë lulëzuar
    në sytë e lumturisë
    pëshpëritjet e zemrës
    me fjalët e dashurisë.

    ********************************************************

    Liriku i talentuar fierak Petrit Shehu, këngëtar i zjarrtë i dashurisë
    TOKA DHE QIELLI, TË SHKRIRË NË DYQINT LIRIKA

    Është pikërisht kështu. Liriku i talentuar fierak Petrit Shehu, këngëtar i zjarrtë i dashurisë, ka shkrirë bashkë të gjithë elementët figurativ të tokës dhe të qiellit, për të ndërtuar lirikat e librit të tij “LIRIKA TË PURPURTA”. Një përmbledhje poetike që të befason me fuqinë ideoemocionale, me ëmbëlsinë e vargut dhe bukurinë e stilit eseninian. Era, shiu, ylberet, zogjtë, lulëkuqet, trëndafilat, pulëbardhat, vajzat buzëqershi, sytë jeshil, qielli gri e blu, perëndimet kuq e zi etj, janë elementet shumëngjyrësh të fjalorit poetik në lirikat e tij, ku përzierja e ndjesive njerëzore me gjendjen atmosferike, harmonizohen bukur brenda logjikës së idesë që ai përcjell te lexuesi. Kjo mënyrë e ndërtimit poetik, bën që poezia të marrë përmasa hapësinore. Pasi brenda të gjitha dimensioneve të saj, merr pjesë edhe njeriu, si krijesë e natyrës. Kësisoj, gjendja shpirtërore e heroit lirik, pa asnjë dyshim, është në lidhje të ngushtë me gjendjen e përgjithshme, të krijuar herë pas here nga dukuritë e fenomeneve natyrore: “Kjo dritë që të shqetëson sytë, ky qiell i pafundmë, i tëri blu, si ti nuk ka një tjetër të dytë… Nuk e di pse më ndodh kështu, kur retë e bardha transparente, rrinë lart mbi kodër, lart mbi mal, unë ty, e dashur, të kam në mendje, dhe ndjej kurdoherë së tepërmi mall…” Femra është për autorin një qenie gati hyjnore, me një bukuri të rrallë në të gjithë qenien e saj, te flokët, buzët, sytë. Puthja e saj është shëruese, është vetë mrekullia e kësaj bote. Ku shkel ajo, çelin trëndafilat, mbushet ajri me aroma, gëzon qielli dhe retë. Autori i thotë asaj “ti magjiplota, perla, me emrin grua…” Dashurinë për të, ai e shpërthen në mjaft poezi me tone të fuqishme shpirtërore e me ndjesi te madhe emocionale: “Do të dua pakufi sa deti do tokën, e qielli do yjet, asgjë s’më ndan nga ti, as shirat e rrëmbyer, as era e bubullimat. në shpirt do të kem sytë e tu, fytyrën tënde të ëmbël. mendimet e kthjellëta të tua, buzëqeshjen diell, e buzët zjarr… Do të dua pa kufi, aromën tënde pranverë, dhe shpirtin si re e bardhë”… Kur mungon gruaja, jeta është bosh për poetin, është zbrazëti e thellë, shpirti i tij vuan nga malli i tmerrshëm, që e gërryen për së gjalli. “O mall që më brengos e më vret !” Edhe pak çaste po të iki ajo nga shtëpia, ai zbraz thirrmën: “Kur të ikësh, var një puthje në buzën time! Kur të ikësh. Ta dish, do ngelem vetëm me negativin e trupit tënd të vakët, me jehonat e zërit tënd, përthithur nga muret bojë bari…” Te femra është burimi ku mbushet me frymëzim gjoksi i poetit. Autori gjen aty muzën e zjarrtë. Kur mungon ajo, pena e tij nuk rrëshqet do as mbi letër: Ah, sot s’më bëhet për të shkruar, s’më vjen vargu, nuk kam muzë, më mungon syri yt i gjelbër, dy buzët e tua, ndezur shpuzë…” Largimi nga atdheu, për në emigrim, e bën poetin të parandjejë rreziqe të errëta për dashurinë e tij. Këtë dyshim, ai e derdh me nota të forta dhembshurie: “Do iki larg, në tokë tjetër, qiell me tjetër ngjyrë, ti mos u trishto, dhimbje mos lejo në fytyrë, e di, mall e trishtim, prapa do të lë, kur të mungoj, e dashur, mos qaj me zë!… E di, fatin dhe shpirtin, do vë në ankand, po s’di ç’sjell e nesërmja me status emigrant…” Malli dhe pasioni i flaktë për njeriun e dashur, që ka lënë në atdhe për të shkuar në emigrim derdhet në shumë poezi: “Më mori malli për ty, më mori, dua t’i shkurtoj largësitë… Kush emigrimin, kush e nxori, pas porte, ty të pres përditë… bregut të pres, aty në rërë.. pres mbrëmjeve mos bie dera, zemra copash më është bërë…” Përveç përdorimit të elementeve që përmendëm më lart, Petrit Shehu përdor shpesh edhe enumeracionin, duke renditur detaje intime nga çastet dashurore, si mjet për të krijuar vërtetësi me efekt emocional: “Kur qielli i syve të tu, të zbrazet në të druajturit sytë e mi, kur gishtat t’i kryqëzojmë bashkë e puthje të japim pa doganë… Kur ngjyrën t’ia marrim qiellit, e ditët t’i numërojmë një nga një, kur frymëmarrjet t’i bashkojmë e zemrat të rrahin me një komandë atëherë, them, do jemi bashkë…” Por poeti, në disa poezi, krijon edhe alternativën negative të ndjenjave, kur dashuria nuk ecën gjithmonë mes barit dhe luleve, sepse ka edhe raste kur ajo, për arsye të ndryshme pengohet dhe mes të dashurve ka pllakosur heshtja e ftohtë: “Asgjë s’dëgjohet, ka pllakosur heshtja, në dritare s’dëgjohet më shiu, në gjethe vjeshte përhapur vdekja, një syth i ri, në shpirt na mbiu… Të heshtura janë foletë s’ka cicërima, bari është tharë, ka ngjyrë gri, në rrugë rrëshqasin makina, në fytyrë fryn dimri i ri…” Krahas poezive me tema lirike, poeti nuk qëndron indiferent për problemet e mëdha të kohës dhe hallet e njerëzve të thjeshtë. Ai ngre zërin e tërthortë të artit, për ata që kanë veshë të dëgjojnë: “Grindet e zihet me vete poeti, e në bar me fund kthen një gotë, në fund të shpirtit një qiri ndezi, njerëzit e rrugës t’i mbaj ngrohtë. Bërtet e klith e drejta në çdo anë, po vesh s’kanë, askush s’e dëgjon kërcënimi i lirisë bie si kambanë, po askush s’çan kokën, se po mbaron… “ Kam mendimin, se këtë përmbledhje poetike të Petrit Shehut, është mirë ta ketë në bibliotekën e tij çdo poet, fillestar apo me përvojë, si shembull se si në poezi, ashtu si në pikturë, duhen përdoruar të gjitha ngjyrat e spektrit të dritës që shpërndan dielli në qiell e në tokë, për të pasur krijimi poetik, një kolorit artistik me diapazon të gjerë, por edhe për të krijuar paralelizmin figurativ dhe similitudën, (krahasimin e zgjatur) që vë përballë dy dukuri, dy sende a dy frymorë të ngjashëm nga ana e jashtme, për të ndriçuar më mirë njërin prej tyre dhe i jep poezisë bukuri e ndjesi emocionale të veçantë.
    Vullnet Mato- shkrimtar-redaktor i librit.

    Liliana Shkodrani Baçi

    IMAGJINATE E GUXIMSHME

    Eshtë si ka qënë gjithmonë

    Për imagjinatë të guxuar

    Kur bën sikur symbyllur prek

    Magjinë e flirtit të dëgjuar.

    Eshtë llogjik që s’zë vënd, se

    Njerëzit përreth nuk pranojnë ,

    Nëse se s’je burrë

    S’ dridhet shikimi në qerpik të lagur,

    … … … … … …

    Unë për këtë moment

    Në duart e vdekjes

    Lumturinë mbeshtesë.

    IN MEMORIAM

    (të dashurve të mi që u ndanë nga jeta…)

    Kur ike s’më dorëzove mbi gjoks

    Vetëm përshëndetjen finale

    Po papritur gjith universin e lotëve.

    I mbështete mbi parajsë trasparente

    Që ti shoh kur sytë e mi, të tuat të kerkojnë.

    Lëri pak qerpikët hapur,edhe

    me aq dritë ti di të shikosh

    po të xhvesh at’të vërtetë që ende sta kam thënë,

    -U përmbush qielli yt me yje të tjerë

    Ne s’ishim vigjilentë

    Errësira , ëngjëllin të solli në gji.

    Sa punëtore ishte vdekja me ne o nën

    Akoma qarje desh… jo larg

    As mbi qylym bari

    Po me furi inati—ç’pati që rrinte pas portës tonë?!

    Tët bir , të afrojë.

    Me falje infantile, me mall per ty,

    Edhe për t’ anë… dy muaj më pas i vajti pranë.

    Tash më jeni kthyer , yje xixëllonjë

    që nga larg shikojnë

    Ferrin që vazhdon…

    Maskat e hijeve të hipokrizisë
    Maskat mbi puthje e buzëqeshje
    Janë hekur i nxirë
    Ngjyejn faqet me bojë
    Me buzët e hipokrizisë.

    Maskat mbi buzëqeshje e puthje
    S’kanë ëmbëlsi
    Janë porta që çojnë, në rrugë pa shtrojë
    Ku s’çel e verdha xanë, bashkë me trëndelinë.

    Po ç’bëjmë?
    Nën urat e shikimit,
    si bindës të mirë
    Kalojmë hije të shtuara të hipokrizisë
    Stampën e buzëqeshjes kalibrojmë,
    Për çfarë?!
    Që gëzimit të rremë t’i përulim një copë
    Një tjetër
    Akoma , tjetër copë
    I mbledhim si kupë triumf rrenash
    nën ujvarën e hijeve të trasha,i lëm
    ashtu qull…

    Si ditën e lindjes ne
    Mbetemi njëllojë të pafajë.

    Fituese e çmimit të parë në Festivalin Teatror Tiranë 2005

    Fragment nga drama : “Shpirti i Ujkut”

    NOKIA – Unë nuk kam asnjë dyshim, Anest! Dikush po tallet me ne… dhe ky dikush është shoku jonë! VIKTORI – Për kë e ke fjalën ti Noke?
    NOKIA – Për atë që ka shkruar këtë letër…
    ANDREA – Dhe ti mendon se ai është pikërisht një nga ne?!
    NOKIA – Pse jo! Ja ti, do ta shkruaje një letër të tillë… natyrisht… po të kishe ndonjë gjë për të shkruar… ANDREA – Natyrisht që nuk do ta shkruaja… sepse natyrisht qe nuk kisha pse ta shkruaja
    NOKIA – Mua e gjitha kjo me duket një loje… një teatër…
    ANDREA – Dhe unë si aktor filmi e teatri të dukem si një protagonist i saj…
    NOKIA – Thashë mundet… nuk thashë se është tamam kështu…
    ANDREA – Nuk më kish vajtur nder mend, Noke! Le që harrova, një ministri i lejohet të thotë çdo gjë! Se në fund të fundit një budallallëk kur del nga goja e një ministri, nuk është më budallallëk, por një
    fjalë me peshë, një orientim, udhëzim apo direktivë…
    NOKIA – Andrea! Nuk të lejoj! Këtu nuk jemi në një skenë teatri që ti mund të luash batuta të njohura dhe të shkruara nga të tjerë!
    ANDREA – Po as në korridoret e një ministrie ku barcaletat më të bukura e banale i tregon vetë ministri…
    ALEKSI – A nuk është mire sa merremi me llafe ta fillojmë pikërisht nga autori i kësaj letre?
    LANDI – Dhe unë kështu mendoj. Të paktën kjo do të jetë një pikënisje…
    VIKTORI – Pikënisje?! Përse! Me sa shoh unë… më shumë se pikënisja… ka rëndësi pikëmbritja, miqtë e mi!
    Këtë më duket se kërkon dhe autori i letrës…
    NOKIA – Çuditërisht ti Viktor, shume di se çfarë kërkon ky që ka shkruar këtë!
    VIKTORI – I dashuri im ministër, Noke! Nuk po të them Noke fshatari, se e di që mërzitesh. Hiqe nga
    mendja se në këtë letër kam unë ndonjë rol. Nuk është në natyrën time, ja u thashë pak më parë.
    Ndryshe nuk do ti lija të gjitha dhe të ikja jashtë në emigrim… mund të rrija si ti dhe të bëhesha dhe unë një copë ministri…
    NOKIA – Ti aludon se mund ta kem shkruar unë atë letër!
    VIKTORI – Jo! Jam i sigurtë që jo! Nuk është prerje për ty! Në fakt, unë mendoj se asnjë nga ne që është këtu nuk e ka shkruar këtë letër…
    ERIONI – (Ngre kokën gjysme i dehur) Jo, pse dhe mund të jetë…
    VIKTORI – U fut dhe ky i shkreti në hallet tona… (I shtyn gotën) Pi.
    NOKIA – Mos i jep më! Dhe kështu ai si shumë po futet mes nesh! (I heq gotën)
    ERIONI – (I revoltuar) Ti! Mos ma hiq atë gotë! Nuk ke asnjë të drejtë! Asnjë! (Pas një pauze) Atë letër nuk e kam shkruar unë… ja u thashë…
    LANDI – Lere rehat atë! (Ja merr gotën Nokes dhe ja jep Erionit) E dimë që nuk e ke shkruar ti! Nuk na e ka ky fajin, jo! Natyrisht as ai që e ka shkruar! Por, do të të thoja, Viktor… A ja vlen që ne sot, pikërisht sot, ti rikthehemi një ngjarje tashmë të harruar!
    ANESTI – Edhe unë jam me gjeneralin! Ne erdhëm për një festë, e pse do merremi me një letër që shkruan për ngjarje tashmë të vjetruara!
    ALEKSI – S’ka ngjarje të vjetra apo të reja! Ka gjera që mbeten apo shuhen! Dhe ajo letër e shkruar pas kaq vitesh tregon se pasojat e asaj ngjarje, Anest, nuk janë shuar! Dhe unë më mire se kushdo nga
    ju këtu e di mirë çdo të thotë të të vrasin gjithë jetën kujtimet e hidhura!
    NOKIA – Aleks! Të gjithë ne jete kemi patur kujtime te hidhura! Mos mendon se jeta jone ka vajtur vaj!
    ALEKSI – Nuk di për çfarë vaji e ke llafin ti… por kur unë bëja burgun, ti bëje universitetin që mua ma
    ndaluan ta bëja…
    ANESTI – Ou Aleks! Burgun qe ke bere ti mos duhet ta vuajmë të gjithë!
    ALEKSI – Nuk thashë të vuajmë të gjithë, se dhe të dua unë nuk është e mundur, i dashur Anest… por
    një çikë respekt për vuajtjet e tjetrit dhe duhet!
    ANESTI – Kush tha që nuk duhet! Por të gjithë kemi vuajtur! Unë para se të arrija këtë që kam arritur…
    kam shitur qep të prishura, në mes të shiut, tek pazari i vjetër…
    ALEKSI – Ndërsa tani ke dy benza dhe nuk do tija dish të rikujtosh gjëra të vjetra as të tuat, as të ish
    shokëve të tu! Kurse mua, një certifikatë burgu më ka mbetur…
    NOKIA – Që e tund më shume se sa duhet, për të na kujtuar dhe neve që s’kemi qenë në burg të
    bashkvuajmë vitet tuaja…
    ALEKSI – Asnjë nuk ta ka kërkuar këtë, zoti ministër! As tani, as atëherë kur të duheshin firmat tona
    për të fituar atë post ministri që sot ma gëzon!
    NOKIA – Çdo të thuash me këtë ti Aleks! Që unë jam në këtë post në sajë të shokëve të tu të burgut!
    ALEKSI – Jo, i dashur Dhimitër! Kjo nuk do mjaftonte po të mos ishe dhe ti vetë ai që je!
    NOKIA – Dëgjo Aleks! Po e tepron tani më shumë se ç’duhet! (Ngre zërin) Dhe unë nuk të lejoj!
    ALEKSI – Shiko! Këtë nuk të lejoj ja the atij, po ma thua mua! Kush je ti që ju drejtohesh të tjerëve
    me këtë : nuk të lejoj! Dëgjove… (thekson qëllimisht) Noke!
    LAURA – Hej çuna! Po e teproni! Jemi në kërkim të një shpirti ujku dhe po silleni si një lukuni ujqërish!
    VIKTORI – Gabohesh vajzë! Unë jam ekspert në biologji dhe mund t’ju them me plot bindje që problemi qëndron krejtësisht ndryshe…
    LAURA – Si ndryshe?! Viktor! Të lutem!
    VIKTORI – Jo, sinqerisht! Në një kope ujqërish, asnjëherë ujqërit nuk zihen me njeri tjetrin… përkundrazi… është një kafshë shumë fisnike! Nuk të kafshon po nuk pati uri… po nuk e ngacmove vetë i pari, po nuk i trazove këlyshët apo shokët e shoqet e tij ujkonja! Pa i mendoni këto në një kope njerëzish, që kafshojnë shoku shokun thjesht për kulturë… apo për një post… apo për një karrige në radhën e parë të sallës së teatrit! Mendoni vetëm në kopenë e njerëzve ekziston ndjenja e të kafshuarit të gruas së bukur të vartësit…Pra si e shikoni tek ujqërit fisnike nuk ekzistojnë këto gjëra! Jo, vetëm tek ne njerëzit e ujqëruar!
    NOKIA – E di ti Viktor qytetari! Ky toni jot po më bezdis gjithmonë e më shumë! I ardhur nga jashtë, nga një emigrim… dhe të gjitha problemet i sheh i sheh me syrin e emigratorit! Ti vallë e sheh
    veten jashtë kësaj kopeje njerëzore që sapo shpjegove si ekspert që je?
    VIKTORI – Jo, i dashur Noke, pse jam dhe vetë brenda, jam më tepër i shqetësuar për mos kuptimin e
    diferencës së kopesë së njerëzve me atë të ujqërve! Sinqerisht, më vjen keq për ujqërit që i
    ngatërrojnë në të tilla gjëra…

    Memush Habilaj dhe “Ditë dhe net që tronditën Vlorën”
    Albert Z. ZHOLI

    Libri që keni sot në dorë “Ditë dhe net që tronditën Vlorën” i Memush Habilajt, është një ndër librat më të sinqertë të shkruar në këto 18 vjet për firmat piramidale. Autori duke qenë pjesë drejtuese e një ndër tyre, ka përcjellë me saktësi, korrektësi, inteligjencë, paanshmëri dhe detaje, se si u ngrit dhe u shemb një perandori ekonomike si ajo e firmës “VEFA”. Rënia e firmave piramidale në vitin 1997 dhe trazirat e atij viti, janë ngjarje të cilat shoqëria shqiptare vazhdon ti vuaj akoma edhe sot. Shumë është shkruar për to, por shumica e artikujve merren me anën politike duke mos vlerësuar anën ekonomike të çështjes. Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë periudhës ‘91-‘96 ishte disi e mahnitshme, por për arsye të ndryshme, (thekson Chris Jarvis i FMN) kjo rritje erdhi pjesërisht si pasojë e heqjes së kontrolleve mbi veprimtarinë ekonomike, privatizimi i hershëm i bujqësisë, tregtisë së vogël dhe disiplinës financiare nga shteti. Dirk Bezemer shton se paçka se pati suksese të dukshme si pasojë e ndjekjes së hapave të mësipërm, shkaku kryesor ishte dërgimi i sasive të mëdha të parave nga jashtë nga emigrantët dhe nga ndihmat e ndryshme për shtetin. Sipas Bezemer rritja në mirëqenien e shqiptarëve erdhi si pasojë e rritjes së importeve, por jo të veprimtarisë ekonomike, një situatë kjo, që sjell uljen e mirëqenies nëse ulen të ardhurat nga jashtë, sepse, nuk ka veprimtari ekonomike vendase që të krijojë para për të blerë mallra të huaja. Firma “VEFA” ishte një ndër firmat e para që e filloi veprimtarinë e saj në periudhën 1991. Ishte pikërisht sistemi i dobët financiar që solli rritjen e firmave, pasi bankat shtetërore e private (Bezemer përmend vetëm Bankën Italo-Shqiptare si bankë private) ishin të pazonja për të tërhequr depozitat, për shkak të shërbimeve të pakta të ofruara, por mbi të gjitha, bankat ishin të paafta për të vepruar me sukses në tregun e huadhënies. Krijimi i firmave erdhi dhe si rezultat i mungesës së bankave të reja, si një frenues i rritjes së huamarrjes në rrugë ligjore, pasi e bënte tepër të vështirë krijimin e një banke. Në atë periudhë zyrtarët shqiptarë dhe vëzhguesit e huaj, si FMN-ja, ishin të ndërgjegjshëm për praninë e tregut jozyrtar të huas në Shqipëri, por parapëlqyen të mos ndërhynin, pasi e panë këtë treg, si një përgjigje ndaj mangësive të bankave. Me gjithë rreptësinë e ligjit të bankave, firmat piramidale u lejuan të veprojnë pasi e paraqitën veten si firma prodhuese (dhe si rrjedhojë nën Kodin Civil dhe jo Ligjin për Bankat) paçka se po ndërmerrnin veprimet e një banke nëpërmjet pranimit të depozitave. Ato u lejuan të depozitonin dhe të tërhiqnin paratë e tyre në bankat shtetërore pa mbikëqyrje. Bezemer thotë që, deri diku kjo pikëpamje ishte e pranueshme, veprimtaria e disa firmave, ndryshe nga ajo e disa fondacioneve më vonë, përbënte një pjesë të rëndësishme të ekonomisë Shqiptare. Në Shkurt të 1996-tës u miratua Ligji për Sistemin Bankar (Numër 8075, datë 2/2/96) pas të cilit Banka e Shqipërisë lajmëroi firmat që po pranonin depozita nga publiku se ishin në kundërshtim me këtë ligj dhe duhet të pushonin veprimtarinë e tyre, pasi jo vetëm që s’kishin leje për të kryer veprimtari bankare, por për më tepër, Banka skish ndërmend t’u jepte leje. Në kundërshtim me Bankën, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se ligji i ri nuk kishte të bënte me firmat që pranonin depozita dhe s’kishte dëshirë të hetonte firmat për mashtrime. Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë nuk pranoi të shprehej mbi këtë çështje. Firmat mbështeteshin nga qeveria. Në Nëntor të ‘96-tës, kryetari i parlamentit dhe kryeministri pranuan medalje në 5-vjetorin e krijimit të VEFA-s. Lind pyetje, atëherë si u luftuan dhe përse u luftuan firmat piramidale? Pse “VEFA” ishte në fokusin kryesor të sulmeve? Kush ishte nxitësi kryesor? Disa shpjegime rreth këtyre pyetjeve i jep me saktësi autori në këtë libër. Dy ngjarje ndodhën në ‘96-tën, që ndikuan në ekonominë shqiptare, fundi i sanksioneve ndaj Jugosllavisë të cilat kishin krijuar të ardhura të bollshme për shqiptarët, si dhe zgjedhjet e trazuara parlamentare të Majit të cilat u fituan nga PD. Megjithëse nuk mund të provohet që firmat ishin të përziera me trafiqet në drejtim të Jugosllavisë dhe nxirrnin fitime prej tyre, kjo s’është çudi të jetë e vërtetë. Si për çudi, vetëm një muaj pas mbarimit të sanksioneve, firmat e panë të nevojshme të thithnin më shumë para (mbase sepse një burim kryesor të ardhurash ishte zhdukur) dhe ngritën interesat në 6% në muaj. Ndërkohë pasiguria e krijuar nga zgjedhjet parlamentare i ngriti interesat e firmave në 8%. Muajt e parë të ’96-tës, u pa, hyrja në skenë të disa firmave të reja. Deri atëherë tregu mbizotërohej nga firma të mëdha si “VEFA”, “Gjallica” e “Kamberi” të cilat kishin një masë të madhe veprimtarie të vërtetë ekonomike. Në të kundërt, “Xhaferi”, “Populli” dhe “Sudja” që po rritej me shpejtësi, ofruan interesa më të larta se firmat më të vjetra, por pa pasur veprimtari ekonomike. Rritja e numrit të firmave çoi në rritjen e interesave të cilat arritën në nivele të larta, në Nëntor të 1996-tës, “Xhaferri” ofroi 44% në muaj. Radhët para dyerve të kompanive u zgjatën, e njerëzit shitën shtëpi e prona për ti futur paratë në firma. Gjatë ’96-tës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i kishte dërguar çdo muaj një letër qeverisë ku paralajmëronte për natyrën piramidale të firmave dhe rreshtonte interesat e ofruara. Megjithatë, qeveria s’veproi gjatë pjesës më të madhe të vitit. FMN dhe Banka Botërore i dërguan qeverisë shqiptare një paralajmërim të fortë në Gusht të atij viti dhe pastaj çdo muaj. Në Tetor, Ministri i Financave paralajmëroi publikun për rrezikun e firmave por paralajmërimet e qeverisë ishin të ngatërruara dhe kur u përhapën fjalë që firmat po lëviznin para në emër të Mafies Italiane, Presidenti u shpreh në mbrojtje të firmave duke thënë që këto ishin firma të ligjshme dhe të suksesshme. Më 10 Janar ’97-të, Banka e Shqipërisë (me këmbënguljen e FMN-së sipas Bezemer, duke vepruar vetë sipas Jarvis) vendosi që tërheqjet ditore të firmave nga bankat s’mund ta kalonin shumën e 300 000 dollarëve Amerikanë, një kufi ky që hasi në kundërshtime nga firmat, të cilat protestuan se me kaq mund të paguanin vetëm interesat por jo borxhin. Më 26 Janar u ngrinë depozitat e “Popullit” dhe “Xhaferrit” ku u gjendën 250 milionë dollarë, të cilët ishin rreth 60% e borxheve dhe që ju ndanë më vonë huadhënësve. Në javët dhe muajt në vazhdim firmat u shkërmoqën, llogaritë e tyre u ngrinë dhe vendi u përfshi nga protestat. Por ajo që theksohet në libër është mënyra e funksionimit të “VEFA”, ndryshe nga shumë kompani të tjera. Ajo kishte investime të fuqishme. Shenja e parë kundër VEFA-s u dha në sulmin ndaj Supermarketit “VEFA” në qendër të Tiranës. Kush dhe pse e sulmoi këtë Supermarket ?! Kush fshihej pas këtij sulmi? Pse ende nuk janë gjetur autorët? Pse u hodhën hipoteza të kota ndaj emrave që nuk lidheshin me ngjarjen? Po Vlora, përse u bë qendër e goditjes së Shoqërisë “VEFA”? Këto e të tjera pyetje do ti gjeni me përgjigje të detajuara nga autori i librit i cili, në një rrëfim në formë ditari, përcjell me emocion, ditët e vështira të vitit të mbrapshtë në historinë shqiptare. Memushi në këtë libër tregon se alibitë e sulmit ndaj “VEFAS”, si zor që mund të mësohen.

    Ka ardhur koha të krijojmë degën e historisë-juridike

    Nga Kujtim Mateli

    Kemi ndër duar librin më të ri të studiuesit Xhafer Sadiku, “Shqipëria 1978-1928” një përpjekje serioze për të depërtuar në një periudhë të rëndësishme të historisë së opullit tonë siç ishte shekulli i XIX dhe fillimet e shekullit të kaluar ( XX). Për këtë periudhë historike janë shkruar dhjetra e qindra libra të autorëve të ndryshëm, tekste shkollore apo tekste zyrtare të institucioneve tona shkencore të cilat sjellin kronologjinë e kësaj periudhe me të cilën ne jemi njohur qysh në bangat e shkollës. Këndvështrimi me të cilën është parë kjo periudhë historike prej autorëve të deritanishëm ka qenë ai i historianit politikan apo i politikanit historian. Në këtë mënyrë historia është shkruar deri tani për t`i shërbyer njërës apo tjetrës forcë politike që vinte në pushtet duke e deformuar realitetin sipas interesave të caktuara. Kjo lloj historie me të cilën ne u mësuam, na bënte që t`i shihnin aktorët politikë që kanë vepruar në periudha të ndryshme historike bardhë e zi: ose atdhetarë, ose armiq e tradhëtarë. Kjo ka bërë që aktorët politikë që kanë vepruar në Shqipëri të kenë tek brezat e shqiptarëve dy qasje të kundërta emocionale: Ose të adhurohen e të hymnizohen, ose të urrehen. Këndvështrimi i studiuesit Xhaferr Sadiku është i ndryshëm. Profesioni i tij është ai i juristit. Si jurist ai e ka parë individin në optikën e profesionit të tij: ishte eprimtaria e një aktori politik në përputhje me interesat e atdheut apo nuk ishte? Në këtë këndvështrim studiuesi ai i shikon aktorët e politikës shqiptare si alternativa të ndryshme që individë apo dhe grupime njerëzish kanë përfaqësuar shtresat e shoqërisë shqiptare në periudha të ndryshme historike. Ky këndvështrim është një risi në historiografinë shqiptare. Kjo risi është dhe vlera reale që e bën këtë libër të çmuar dhe të vlerësuar. Mbase ka ardhur koha që fakulteti i Histori- Filologjisë dhe veçanërisht dega e historisë t`i shohë dhe t`i vlerësojë aktorët e politikës shqiptare të këtyre tre shekujve të fundit edhe në planin juridik, nëse veprimtaria e tyre ishte ose jo në përputhje me interesat e atdheut dhe, nisur ka ky rezultat, të bëhet vlerësimi i njërës apo tjetrës figurë politike. Studiuesi Xhafer Sadiku i ka parë me vëmendje të gjitha trevat shqiptare dhe ka sjellë për lexuesin të gjitha përpjekjet e shqiptarëve, të elitës së saj politike, që kanë punuar dhe luftuar për të ruajtur tërësinë tokësore ku banonin shqiptarët, e cila në disa kongrese dhe konferenca famëkeqe iu dha fqinjëve lakmitarë. Autori e ka përcjellë me detaje konkrete gjithë këtë luftë të pabarabartë midis copëtuesve të tokave të shqiptarëve siç ishin malazestë, serbët apo grekët dhe mbështetësve të tyre që grupoheshin nën emërtimin “Fuqitë e Mëdha”. Ajo që e bën këtë libër të besueshëm është se autori ka shfletuar disa qindra libra e dosje dhe ka marrë prej tyre 1932 citate, të cilat japin një tablo të plotë të asaj që ka ngjarë në ata dy shekujt e fundit (XIX-XX). Ato janë në radhë të parë dokumente arkivore, por është përdorur dhe shtypi i atyre viteve dhe autori për të arritur në një konkluzion sa më të drejtë ka përdoruar sa më shumë burime. Të një rëndësie të veçantë janë dhe burimet në gjuhën italiane të cilat i ka përzgjedhur me kujdes dhe i ka sjellë për lexuesin për ta parë më mirë jo vetëm qëndrimin e qeverive italiane, por edhe të atyre shteteve evropiane që kishin interesa në Ballkan dhe një plan konkret për trojet shqiptare. Ngjarjet në Shqipëri ky autor i ka parë në një plan sa më të gjerë. Aty do të gjesh marrëveshjet midis shteteve ballkanike dhe atyre evropiane, lidhjet e një shteti ballkanik me ato të kontinentit e më gjerë. E kemi patur deri më sot të paqartë se si Anglia, Franca dhe Rusia, tre shtete që kanë patur interesa të kundërta me njëra-tjetrën të bashkoheshin në një qëllim të vetëm përsa u përket interesave shoviniste të grekëve për t`u shkëputur trojeve shqiptare Shqipërinë e Poshtme. Po tek ky libër e gjen mjaft të qartë përgjigjen e cila nuk vjen nëpërmjet konkluzionit të autorit, por nëpërmjet një dokumentacioni të plotë që gjendet në arshivat e vendeve evropiane dhe që pasqyrohet dhe në këtë libër. E kemi patur të paqartë se si midis krahinës së Sulit në Çamëri dhe Ali Pashë Tepelenës që sundonte vilajetin e Janinës pati një luftë për jetë a vdekje, kur të dy kampet i përkisnin së njënjtës popullsie që ishte ajo shqiptare. Lexojeni këtë libër dhe aty do të gjeni mjaft mistere që deri tani kanë mbetur të pazbardhura dhe që ky libër hedh mjaftueshëm dritë për të zbardhur historinë e Shqipërisë dhe të parëve tanë. E kemi patur të vështirë të kuptojmë se si arsimi në gjuhën shqipe mbeti në nivele të ulta deri në Shpalljen e Pavarësisë, kur në krye të Perandorisë Osmane ka patur disa kryeministra shqiptarë, qoftë dhe ky i fundit, Ferit Pashë Vlora, i cili i shërbeu Perandorisë në vitet 1903-1908. Lexojeni këtë libër dhe do të gjeni aty përgjigjet për mjaft nga pikëpyetjet që na kanë shoqëruar deri më sot. Ky libër është një enciklopedi e aktorëve politikë shqiptarë përgjatë dy shekujve të kaluar. Ata janë parë në plane të ndryshme në të gjithë veprimtarinë e tyre. Ajo çfarë i bashkon është ngjarja historike dhe aty shohim qëndrimin e njërit e të tjetrit. Në planin kombëtar janë qëndrime të një patrioti e atdhedashësi që kërkonte lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, pavarësisht se mendimet e tyre nuk përkojnë me njëri-tjetrin apo dhe vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Kjo ndodhte se në territorin e Shqipërisë vepronte e gjithë struktura diplomatike evropiane. Në këtë kuadër nuk ka se si të mos ketë ndodhur që individë të caktuar të jenë joshur nga njëra apo tjetra fuqi evropiane dhe të jenë mbështetur prej tyre. Sot, pas një shekulli, e kemi të qartë se çfarë synonte njëra apo tjetra fuqi evropiane. Sot, pas një shekulli, mund të mos gënjehet dhe një njeri që ka minimumin e njohurive politike. Por kur në territorin e Shqipërisë vepronin shtete të fuqishme evropiane si Anglia dhe Franca, Austro-Hungaria dhe Italia, Gjermania dhe Rusia, cilido aktor i politikës shqiptare do ta kishte të vështirë të besonte se cili midis tyre ishte miku dhe cili armiku. Sot ne mund të rendisim si përkrahëse të Shqipërisë Italinë dhe Austrinë dhe deri diku Gjermaninë. Sot mund të rendisim si shkatërruese të trojeve shqiptare pjesën e mbetur, por në kushtet e pushtimit, kur qëllimi fshihet pas fjalëve të bukura, zbardhja e së vërtetës është e vështirë. Mënyra se si studiuesi Xhaferr Sadiku i ka trajtuar ngjarjet në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë gjer në vitin 1928, është një ndihmesë për historiografinë shqiptare. Disa figura politike, sidomos pas Shpalljes së Pavarësisë, që janë përbaltur deri më sot apo u janë faturuar faje, më shumë se sa ata mund të kenë kryer në realitet, ky autor i sheh në optikën e tij dhe këtyre faturime u zbret ato që u kanë ngarkuar aktorët politikë të kohës. Nuk mundet,-nënvizon autori në të gjihë veprën e tij,- që të marrësh për bazë akuzat e ndërsjella të aktorëve politikë kur dihet që ata e akuzonin njëri-tjetrin se kishin si synim marrjen e pushtetit. Për vlerësimin e një figure, autori ka patur si mbështetetje dokumentet arkivore, ndaj mund të themi se ky libër është një prurje me vlerë që duhet të zërë vend jo vetëm në bibliotekën e lexuesit, por mund t`i shërbejë dhe studiuesit e historianit për një vlerësim sa më real për ngjarjet dhe aktorët që kanë vepruar në politikën shqiptare. Do të veçoja si vlerë të veçantë dhe mënyrën se si i ka përcjellë aktorët e politikës evropiane që kanë vepruar në Shqipëri dhe sidomos Konferencën e Londrës të vitit 1913. Ky studim depërton më thellë se ajo çfarë është arritur deri tani. Mbi këto kongrese dhe konferenca evropiane që copëtuan trojet e Shqipërisë vëzhgon jo vetëm syri i historianit, por edhe ai i juristit. Vendi, i cili kërkon që Kongresi i Berlinit 1878 dhe Konferenca e Londrës 1913 duhet të rishihen, është Shqipëria. Deri tani e kanë kërkuar politikanët dhe historianët. Madje në këto 100 vitet e fundit vendimet famëkeqe të tyre janë denoncuar si nga historianët dhe politikanët, por pa sukses. Studiuesi Xhafer Sadiku ka futur me këtë libër një përmasë të re në rishikimin e këtyre ngjarjeve.

    Azem Baliaj

    FOLEJA E PARË
    Flisnin e qeshnin, harruar në ciltërsi,
    Si femijë naiv, herë pas here putheshin,
    Ngacmonin kujtimet me muzikë e poezi,
    Fërshëllenin “Margjelën”, recitonin Lasgushin.
    Belbëzonin tinguj me buzë e duar,
    Sikur mbinin lule, në palcë të dimrit,
    Herë ngjallnin Moxartin e trishtuar,
    Herë ngjallnin “çmenduritë” e Pushkinit.
    Si dy adoleshentë, që s’dinë të mplaken,
    Rinonin shpirtrat me zjarrin e syve.
    Në Olimpin e ndjenjave ndiznin flakën,
    U shpallnin sfidë gjithë perëndive…
    Nuk kish se si të ndodhte ndryshe,
    Në kulm të pasionit , dy ish moshatarë,
    Endrrat e hershme, porsi dallëndyshe,
    I kthenin ngutshëm në folenë e parë…

    PRITA…
    Me Zef Seremben
    Të dolëm në pritë
    Të dy, për ty ,
    Me nga një lirikë

    Të pëlqyen , e kuptova
    Me endje i lexove,
    Por nuk e deshifrova
    Cilin dashurove?!…

    JANE DO SHERRE…

    Janë do fjalë, fort rrallë thuhen
    Janë do ndjenja, si shpesh ndruhen
    Janë do zjarre, pak shpejt shuhen
    Janë do sherre, me sherr kruhen!

    Janë do mendje, vetë ngatrrohen
    Janë do zemra, thellë trishtohen
    Janë do kangë, me lot këndohen
    Janë do sherre, idht’ sherrohen!

    Janë do lidhje, besën harrojnë
    Janë do buzë, kot tradhëtojnë
    Janë do lule, nuk po lulëzojnë
    Janë do sherre, sherr sherrojnë!

    Janë do faje, dënim s’po marrin
    Janë do hove, gjoksin kallin
    Janë do flakë, e ndezin malin
    Janë do sherre, dreqit ia falin!

    Janë do erna, prapë fikin qirin
    Janë do vatra, gjatë ruajnë hirin
    Janë do gurë, prapë ndajnë kufirin
    Janë do sherre, vrasin ma t’mirin!

    Janë do andrra, po zhgandrrohen
    Janë do shpresa, thom’ gjallnohen
    Janë do flatra, lart flatrohen
    Janë do sherre, do zot, shterrohen…

    Raif Rexhepi

    NDJENJA E DASHURISË

    Vështrimi yt edhe larg më përcjell
    Nuk di si të të shikoj, natën pa hënë
    Zemra nis të kërkon në qiellin e pritjes
    Shpirti im rënkon dhe i lutet yjeve.

    E vështirë qenka ndjenja e dashurisë,
    Tërë trupin si në ankth ma shtrëngon.
    Mendimet brenda meje zhveshin natën
    Ti mbetesh përsëri një ëndërr që më zgjon.

    Bërtas dhe askush nuk do të më dëgjojë
    Të arrij deri tek malli yt që më ringjall
    Dhe pres sonte, se mos ndoshta vallë
    Vetëm një Zot mund të më shpëtojë…

    Ti vjen me frymën, fjalët kanë peshë
    Ndjenja e dashurisë është si shenjtëria
    Nëse planetin e saj do ta mbërrinim
    Atje, jeta e njeriut është veç dashuria…

    PËR TY

    U vyshkën fjalët duke folur për ty
    As zëri tek unë më nuk mbeti,
    Ecja duke e shkruar emrin tënd
    Në çdo gur e në çdo valë deti!

    Edhe zemra ime u bë copë
    Siç bëhet copë një pasqyrë
    Duart e mia më nuk shtrëngojnë
    Ashtu siç të shtrënguan ty!

    Në buzët e mia, buzëqeshja ngriu
    Brenda dëgjoj klithjet e zbrazëtisë ,
    Më përcjell një dashuri e humbur
    Ti ike dhe më le në hijen e vetmisë.

    Tani dridhem nga flladi i erës
    Fluturuan zogjtë dhe befas u kthyen
    Pi kupën e hidhur bashkë me dëshirën
    Dhe mik të paftuar kam errësirën.

    TI JE LARG

    Seç po më shtrëngon zemra
    E fryma do të më zihet këtu,
    Dhe sytë më janë arratisur
    Duke kërkuar sytë e tu!

    Më janë tretur mendimet
    E më nuk mund të duroj,
    Sa keq po ndjehem e dashur
    Që ty nuk të kam e të kërkoj !

    Të të puth si dielli puth hënën
    E të përqafoj si toka pranverën
    Të të them nën zjarrin e epshit
    Se vetëm ty të shikoj në ëndërr!

    Malisheva, vatër e frytshme e letërsisë së sotme shqipe
    Ose: Krijues nga Malisheva
    Komuna e Malishevës shtrihet në pjesën qendrore të Republikës së Kosovës, 50 kilometra larg kryeqytetit, Prishtinës. Arsimi shqip në këtë trevë ka nisur rrugëtimin historik në vitin 1914, në Banjë dhe tani ka 36 shkolla nëntëvjeçare, 6 shkolla paralele, si dhe tri shkolla të mesme. Kjo krahinë ka dhënë shumë për lirinë kombëtare ndër breza dhe kohëra, sidomos në luftën e fundit çlirimtare. Prej saj kanë dalë dhe pena të njohura në lëmenjtë e shkencës, të letërsisë e të artit. Krijuesit malishevas sot lëvrojnë më shumë poezinë. Në vjershat e tyre zotërojnë motivet atdhetare, ato kushtuar lirisë, pavarësisë dhe figurave të shquara historike. Ndërkaq këta autorë dallohen për konceptime poetike e stile të veçanta të shprehjes dhe të ndërtimit të poezive.
    Beqir Binishi
    Ka lindur në vitin 1963. Ka filluar të merret herët me shkrime dhe poezi. Ai ka botuar librat poetikë: Rrënjë Kosove, Malishevë 2007 dhe Zëri i rrugës, Prishtinë, 2013.
    Atdheun në pëllëmbë dore
    Të putha ballin tënd si tim eti e më fale aromën e dheut në lisa u ngjita me e prekë qiellin me kap renë që të ka mbuluar diellin secila degë dhe secili gem më veshën të tërin me këngë … tani kur marr botën në sy Amerikë, Australi, Kinë e Indonezi kudo shurdhmemecët në ballë ma lexojnë Mujin e Gjergj Elez Alinë sa herë e takoj ardhmërinë derdhi aromën e dheut në shpirt. ja krahaqafë ja lidhi një medaljon lashtësie me rite Pellazgjike e në vesh ja këndoj një këngë kreshnike kudo miqtë e armiqtë në mua ndjejnë aromën e dheut shpresën heshtur që rri në shpirt kur shpirti niset në udhën e përjetësisë dhe një këngë epike ja këndoj vetit kur deti nuk ngre valën, kur ka anemi

    Letrën që ia dërgova nënës

    Në letër zemra pikoi as edhe një fjalë nuk shënova palosa zemrën ja nisa nënës në gjallje në rrugën e mbetur në dorën e saj ndjeva dorën time hodha shikimin vite para guximshëm e shënova pikën në horizont
    Malishevës
    Ti dua rrugët si përrenjtë kur bulasin
    Kur ato mbushen me shkollarë
    Përditë të shtohet bukuria
    Ti ndërron si nuset që ndërrojnë veshjet
    E nëse gaboj pse të dua
    Mos më thuaj pashë bukurinë tënde
    Se ma prish këtë ditë me diell
    E Fatlumi që ka nxënë një rreze diell
    Pran Adem Jashasharit mërdhin
    Mirëmëngjes e dashur
    Pse të dua s’e di
    As mos pyet
    Pse nuk më shkohet tutje
    Pa dëgjuar lumin në ligjërim
    Mos e ndal hapin
    Vij pas pa u mbajtë

    **
    Fatime Imer Krasniqi
    Ka lindur në vitin 1982 në fshatin Qarrlug. Është diplomuar për mësuesi në universitetin e Prishtinës. Punon arsimtare në shkollën fillore “Imer Krasniqi”, në vendlindje. Ajo ka botuar librin poetik Vdekja nuk është fjala e fundit, Prishtinë, 2008.
    Kosovë
    Kala e lashtë Tokë Dardane
    Mburojë trimash Në istikame
    Jam Kosova Jam vetvetja Tokë Shqiptare Sa të jetë jeta
    E kam moshën Sa të diellit Ditë Lirie I jap dhe plisit
    Gjak e Asht Prej Shqiponje Jam Shqiptare Bija jote
    U Ç K- së
    Ti na solle dritën Na hoqe robërinë Ti na solle lindjen Në zemër të vegjëlisë
    Ty s’të ndali dot Shiu as dëbora Ty ajka e Atdheut Të buzëqeshi Fitorja
    Tri shkronja në ballë Ngrykë e morën Diellin Rilindi toka Çlirimtare Për liri ruaj betimin

    Nëntorët e lavdisë
    Në nëntorët e lavdisë Janë shkruar faqet e historisë Vjen kushtrimi prej Krujës së lashtë Skënderbeu i mbrojti me shpatë
    Vijnë nëntorët aq madhështorë Dallgë-dallgë në tonën Vlorë. Shtetin tonë kush e shpalli Diplomat Ismail Qemali
    Krahë e forcë e këtij trimi Gurakuqi, Isë Boletini Flamurtarët e Lirisë Dritë i dhanë gjithë Shqiptarisë
    Kurrë flamurin s’e lëshoi shqiptari Dhe të rënët ngrihen nga varri Ti shkëlqeve për Çdo vend Në Shkup, në Shkodër, në Prizren
    Të bashkuar nga ideali Kruja, Vlora dhe Prekazi UÇK-ja, Adem Jashari

    ***
    Izet Shala
    Lindi në vitin 1967. Është diplomuar në shkollën e lartë pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren. Ka punuar arsimtar dhe prej vitit 2008 është drejtor shkolle në Banjë. Ndërkohë ka kryer fakultetin e edukimit në universitetin e Prishtinës dhe studimet për master, drejtimi në arsim. Shumë poezi të tij janë botuar në antologji të ndryshme në Kosovë dhe në Shqipëri. Ka drejtuar klubin letrar “Fan Noli” në Banjë dhe tani drejton shoqatën për kulturë dhe letërsi “Tafil Kelmendi”, Malishevë. Ai ka botuar librat poetikë për fëmijë: Unë ua kthej buzëqeshjen, Malishevë, 2003. Ura magjike e Mendush Kasnecit, Malishevë, 2006. Mbretërit e së nesërmes, Malishevë, 2007. Xhepat e kohës, rumanisht- gjermanisht, Bukuresht, 2012
    Ku era ndez malin
    Në univers Ka lindje Që sjellin buzëqeshje, dhembje, Përqafime atërore. Lot që takohen diku… Ka dashuri Ku era ndez Malin Ku lumi shuan zjarrin Ku tërmeti nuk shkakton qarje. Ka vdekje Nga dashuria Nga zjarri Nga tërmeti Vdekje pa auotopsi Në univers jeta nuk vendnumëron Ajo shtegton….

    Durrësi ka tri stinë
    Durrësi ka tri stinë Kam të drejtë të ngre aktakuzë E di ku të adresoj Kërkoj Adriatikun dhe Jonin T’i veshi në të bardha Tri gjykatëset ma refuzojnë aktakuzën Për dëshmitar kam Dimrin Kundër valëzat e tij Durrësi është një vëlla Dhe tri motra ka Pse ka tri minus një Lule dhe zogj ka Por pa aromë dhe këngë Shkëmbi mbi Dajt Plisin e bardhë mban…
    ****
    Mehdi Krasniqi
    Ka lindur në vitin 1981. Ka punar mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë në dy shkollat e fshatit Qarrlug, ndërsa tani është zyrtar në drejtorinë për kulturë, rini dhe sport në komunën e Malishevës. Krijimtarinë letrare e ka nisur në vitin 1995. Ndërkohë ka botuar librat: Errësirë, poezi, Prishtinë, 2001. Flakë dhe dritë, poezi, Prishtinë, 2001. Pasqyrë e humbur, poezi, Prishtinë 2002. Thonjtë e enigmës, roman, Prishtinë, 2004. Gëzonera, Poezi, Prishtinë.
    M’ka lanë zemra
    Ka marr vesh se ja kam mashtrue
    Dhimbjen me ilaçe
    Me hajmali t’shkrume nga shkrimtar i huej
    Me uj t’prronit t’tyrbes
    E me letra t’laguna ia kam ftoh ballin
    Qe zjarmnia ia kallke si malin flaka
    E kam mashtrue si kam dit vet
    S’kam dasht me pa t’merzitun
    As me ndie tue më fol si e smur
    M’ka lan zemra
    Ka shkue n’vetmi pa me vet mue
    Me dor ka kap kryet e tuj shikue pas
    Mos po i shkoj une a dikush tjeter
    Me e lut edhe niher…
    I ka marr krejt kujtimet:
    Rrobat e librat
    S’ka kqyr mem lan asni shej
    Tuj u tut se ja preki dhimbjen
    E i shtohet dhimbja n’dit t’fundit
    Ku merzia asht ma e madhe se vdekja
    Gjoksi m’ka mbet bosh
    Si nji shpi e zbrazun
    Me der e dritare t’thyeme
    Me mall t’kambes njeriut që ta shkel pragun
    Ta ndez ndoj drit’ n’mes t’perkujtimit naten
    Prandaj jam i merzitun kaq keq
    Jam smur tuj vuejt
    Edhe pak dit muni mem pa
    Masnej kam me ik naper deti
    Kah t’muj me e kerkue ni ikje t’larget
    ZAHO VASILI

    DIALOG ME “PERËNDINË”

    Perëndi,mora guximin,jam një djalë nga Shqipëria,
    Me ty po nis bisedimin,për këto hallet e mia,
    Po të kujtoj cilësitë,popullit iu drodh gjiri
    Rrezatojnë porsi dritë,më ke parë me bisht të syrit!

    Kemi qënë trima të çartur,për t’i dhënë frymë lirisë,
    Fjalë e besë e kemi mbajtur,si djema të Shqipërisë,
    Brez pas brezi na përçanë,gjuha jonë,këmbanë buçet,
    Copë e çikë na kanë ndarë,nuk na dhe një herë të drejtë.

    Ku na kërkoi historia,atje vamë me besa besë,
    Desh të ndaheshim nga Turqia,po na bëri pjesë pjesë,
    Zemrën s’e kishim për vete,e ndamë me miq të nderuar,
    Ku ishe o zot,ku mbete,pse s’na mbrojte,me ne luan ?

    Ne e dinim o zoti ynë,se dhe ti kishe shumë halle,
    Ndaj ne nuk e mbyllëm synë,shpatë e Gjergjit qe e madhe,
    Vrarë e prerë nëpër shekuj,derdhëm lumejtë me gjak,
    Mbrapa krahëve ti ke mbetur,si s’dole t’na japësh hak?

    Ç’bëre ti për gjakun lumë,ç’bëre ti,mjerimi det,
    Ç’bëre ti,na le në gjumë,ç’bëre ti,nga pas na vret,
    Ku ishe kur të kërkova,kur dhimbnin plagët e mia,
    Kur me lot qante Kosova,kur më ikte Çamëria.

    Shqipëri,moj tungjatjeta,si shqiponjë të mbeti jeta,
    Kërkove veç të vërteta,s’të dëgjoi trembëdhjeta,
    Po nuk vjen më trembëdhjeta,m’i kthe ato që më more,
    Se lumej me gjak,ndër shkrepa,unë kam derdhur në llogore!…

    Ku ishe kur bëmë luftë,na le në duar të tjera,
    Po të qemë të lidhur ngushtë,s’do të vuanim nga hera,
    Ca na donin të përmbysur,ca na donin dhe të vdekur,
    Ca na shanë,na kanë gremisur,pse s’na dole krahë në shekuj!

    S’na deshën,dhe pse madem,na deshën pa sy,pa duar,
    S’ma nxë goja që ta them.ndihma jote ka munguar,
    Kemi mbetur pas nga bota,të na shtrydhësh kullojmë lot,
    Zoti im,Ti je Evropa,që po të drejtohem sot.

    +++

    Biri im,s’jam zoti yt,jeni zoti i vetëvetes,
    Ju nga unë i kishit syt,isha po s’kam qënë në vete,
    Edhe ne në luftra mbetëm,me shumë plagë brenda gjirit,
    E pranojmë të vërtetën,të kam parë me cep të syrit.

    Ç’të më thuash,ç’të të them,ke qënë pikë te hart’ e botës,
    S’e harrojmë Skënderbenë,i dha dritë dhe Evropës,
    Unë vet e godita rëndë,pesëqind vjet,në terr,Turqinë,
    Bismarku s’u la në këmbë,fjalën kamë për Shqipërine.

    Keni nje shprehje plot hie:“O balo,të hëngërt tënja,”
    Nuk dolët dot në krye,te keqen e kishit brenda…
    Ato shkuan,ato vanë,s’u bën gjë as perëndia,
    Përgjegjësitë,ja i thamë,tani sytë nga Shqipëria.

    Ballë për ballë burri me burrë,po ju njohim sot më mirë,
    Ato që s’i bëmë dikur,tani i kemi detyrë,
    Ndjehemi të turbulluar,jeni komb nga më të vjetrit,
    Keni marrë gurë në duar,dhe i bini njeri-tjetrit !…

    Tek ju burri e shan burrin,këtu nuk ka fund për vrerin,
    Kur njeri fillon ngre murin,vjen tjetri i heq themelin,
    Dy dekada e gjysëm shkuan,na futët dhe neve datën,
    Atë që po bëni ditën,vjen tjetri e ta prish natën.

    Këtë ta shikoni mirë,keni plagë brenda trimit,
    Plagë të vjetra që kanë mbirë,nga legjenda e murimit.
    Gjakmarrja mokërr e lashtë,që ju bloi nëpër shekuj,
    Nuk e nxorët dot jashtë,brenda shpirtit u ka mbetur.

    Shqiptari e ka të keqen,shqiptari nga vetë shqiptari,
    Ndrohen brezat,e keqja mbetet,siç qëndron posht hirit,zjarri,
    Korrupsioni,o Shqiptarë,brinjë më brinjë të godet,
    Juve u harrin një muaj,që të bëheni ekspert…

    Të gjitha gjykatat tuaja,janë veshur me mermer,
    Popullin e bëjnë të vuaj,sepse e hedhin në sherr,
    Gjuhën ju duhet ta gjeni,jo armiq,po miq e shokë,
    Keni bërë dhe po bëni,me vetëveten luftë të fortë.

    U kemi tek pragu i portës,jeni në familjen tonë,
    Ndaj po i themi botës,me ne do jeni gjithmonë,
    Por tek ne…shikoni mirë,nuk u lëmë të bëni naze,
    Tani s’ka më me dëshirë,mos filloni nga avazet !…

    Punoni të gjithë bashkë,dy koka në një shqiponjë,
    Kurrë s’do t’u lëmë më jashtë,do jeni në zemrën tonë.

    LARGIM

    Atdhe,po e lë mëmën,Atdhe,po e lë babën,
    Me dhembje po e lë zemrën,iki duke marrë shpagën.

    Unë të kërkova punë,t’ua mbaj frymën me një frymë,
    Të kërkova bukë më shumë,që me djersë ta mbaj shtëpinë.

    Të kërkova një shtëpi,ta kisha,të lija kokën,
    Të kërkova dashuri,kurse ti më ktheve lotët.

    Të kërkova veç një fjalë,si balsam t’ia vija zemrës,
    Që të mbetesha i gjallë,ndën ngrohtësinë e nënës.

    Nuk e gjeta një copë tokë,ku ta vija këmbën time,
    Të rrija me miq e shokë,një lastar plot me gëzime.

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,ata që mendojnë për vete,
    Nuk m’i dhe, se të thanë:Jam unë,e unë do mbetem…

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,ata që kanë pasurinë,
    Nuk të lanë ata që kanë,ata që gëzojnë lavdinë.

    Nuk m’i dhe,se nuk të lanë,ata që forcojnë miqësinë,
    Ata që asgjë s’të dhanë,por të morën dhe të grinë.

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,padrejtësia në sistem,
    Ata që me bulçi hanë,varfëria në ekstrem.

    Nuk m’i dhe se nuk ti dhanë,ata që kanë privilegje,
    Politikë,politikanë,që të rropën me ndërgjegje.

    Ndaj po iki i trishtuar,nëpër botë për një copë bukë,
    Ndaj po iki hidhëruar,porsi lypsi nëpër rrugë.

    Unë po ndjehem i vetmuar,brenda në pëqinë e nënës,
    I fyer dhe i dërrmuar,po më dridhet palcë e këmbës.

    Po largohem i malluar,nga kjo tokë që quhet mëmë,
    I zbrazur në të dy duart,zemrën mbrapa duke lënë.

    Merr uratën,bir, prej meje,o Atdhe, ma thuaj ti,
    Se më fute gjak në deje,të dua moj Shqipëri.

    O Atdhe,më jep bekimin,se me ty në shpirt do rroj,
    Për ty s’e humbas besimin,më mësove mos vajtoj.

    E di që do të vijë një ditë,duarplot i “pasuruar”,
    Të kenë rënë “perënditë”,të vijnë ata që të duan.

    Ti më prit me përgjërime,o Atdhe,të dy sytë,
    O Adhe i mëmës time,mbase do bëhesh një ditë…

    MONOLOGU I SHQIPONJËS

    Nuk mbaj mend se kur kam lindur,kush qe nëna ime e parë,
    Për një gjë jam veç e bindur,se jam nga sua Shqiptar.
    Nuk mbaj mend kur më dhanë vlerë,nuk e di në çfarë moti,
    Po më ngriti lart një portë,porta e fisme e Kastriotit.

    Flatrat që në trup më mbinë,syt me dritën e gjithë shekujve,
    Unë mbetem simbol e frymë,i të gjallëve dhe i të vdekurve.
    Këtë vlerë ma dha Gjergji,lart më ngriti Skënderbeu,
    Më gdhëndën në ballë të djepit,në krye të Mëmëdheut.

    U ula në supe burri,në çdo ballë luftëtari,
    Komitve,s’ju thye gjuri,ranë për mua,mbajtën zjarrin.
    Shtriu krahun Ismaili dhe iu ula në pëllëmbë,
    Më goditi turk katili,Maloja më ngriti në këmbë.

    Vërtet fluturoja e lirë,nga askush s’më trembej syri,
    Por s’e kisha pavarësinë,ma dha plaku zemërfloriri.
    Që atëhere hodha rrënjë,mbeta zonjë në fole,
    Në flamur si kryekëngë,porsi miti për Atdhe.

    Për mua sa shumë u vranë,për mua sa shumë u prenë,
    E vërtetë që ata ranë;por sërisht në këmbë u ngrenë.
    Kalova halle të rënda,po mbeta zonja e zonjës,
    Po pres që të futem brenda,te flamuri i Kosovës.

    Të bashkuar,të fituar,flamuri kërkon dy duar,
    Si dy kokë të një shkabe,Evropa na ka kërkuar.
    O shqiponja me dy krerë,ti linde në Shqipëri,
    Ti na bën e të bëjmë nder,fluturofsh në përjetësi…!

    Gjon Neçaj
    LARG JETËS
    Lindi kjo ditë fundprilli,
    Me ëndërrat e natës së shkuar;
    Çudi,nuk po duket n’horizont dielli,
    A thua dhe ai na ka harruar ?!
    Jetojmë mistershëm në hapësirë,
    E mistershëm e jetojmë këtë botë:
    Por çuditërisht s’paskemi për ta arrirë,
    Atë që ëndërrojmë çdo minut,çdo orë…
    KUR GJUMI I NATËS LUPURISH MENDJEN
    Kur gjumi i natës lupurish mendjen,
    E qepallat nuk mbyllen nga mrrolja e ditës;
    Bisedat kafeneve tërheqin vemendjen,
    Teksa çuditem me diellin e fundshtatorit rrezitës…
    MBRËMJE GRI…
    Mbrëmje gri ngarkuar me re dhe shi,
    Kohë të davaritura me horizonte trishtuese,
    Fundmarsi vetëm më ditë-netë gri,
    Magjepse do ishte një fjalë ngazëlluese…
    Shkëlzeni i bardhë na uron një natë t’lumnueme…

    KREDO PER 1 PRILLIN…
    Një prilli,dita e të paktëve,
    Që cdo vit sekretojnë zvogëlimin;
    Por mbase ishalla nuk shumëzohen,
    E kjo ditë të sfidojnë vërtetë 1 prillin…
    5.SA PAK…
    Pak diell,
    Pak prill,
    Pak pranverë,
    këtë mëngjes trillues,
    Mes cicerimave të zogjve.
    Fjalëkalim mohues
    i përditshmërisë reale
    të banorëve te mi.
    Eh,Dardani ! Dardani !

    PARADOKSE
    Natë e vonë,
    Mesenxherët mbyllin defterët e llogarive,
    E kanatat e dyerve të hekurta,
    tashmë janë mbyllur.
    Duke gërhitur në gjumë,
    Qindarkat e lypsarëve të mbetura
    Drithërojnë trumbetisht botën,
    Përzier me eksodin e dhimbshëm,
    Teksa kandidatët e përzgjedhur,
    me nxitim numërojnë votën…
    Lind agu i mëngjesit,
    E poetët herët kafeneve,
    Tinëzisht mendojnë si të ndryshojnë
    B
    0
    T
    Ë
    N….
    Gjon Neçaj

    Hajrulla Buzani
    Çka na ofron jeta.
    Jeta ka vlerë, jeta ka kuptim
    M`varet nga cili kënd e shoh
    dhe m`varet nga disponimi im
    Jeta është si një kuti katërore
    Me shumë dyer me dritare hakrore
    Duhet një vendim, duhet mjaftë burrëri
    Cilën derë ta hap e cilës ti vej dry
    Cilë derë ta zgjedh..e mos të gaboj
    Cilën derë mos ta zgjedh e jetën ta vazhdoj
    Jeta është si një film para syve tanë
    Ku secili njeri barrën e vet mbi supe e mban
    Ku duhet ditur si qeshet e duhet ditë si qahet
    Buka dhe me lot shpesh mund të hahet
    Të lodhur nga jeta shpesh pyesim veten
    A ia vlen kështu ta jetosh jetën
    A më shume na jep a më shumë na merr
    A është jeta e ëmbël a vetëm neve na duket t`merr
    Jeta është sakrificë që duhet sakrifikuar
    Prej momentin të lindjes dhe drejt vdekjes duke shkuar
    Jeta është si një lojë ku të gjithë janë fitojnë
    Por kur vie fundi të gjithë si humbës përfundojnë
    Jetën duhet ta kësh në dorë se ndryshe bëhesh horë
    Më mirë mbaje se sa të të mbaj nën kontrollë
    Po e përfundoj me një porosi që e kam dëgjuar që moti
    Unë e dua jetën ashtu siç ma ka përcaktuar, Zoti

    Ata
    Në jetë hasim në persona që rrezatojnë energji
    Aurora e tyre të verbon sytë
    Gjunjët të dridhen
    Trupi përdëllitet
    Gjuha të trathton
    Energjia e tyre të ligshton
    Në jetë hasim në persona të cilët kanë fuqi
    Të magjepsin
    Të të molepsin
    Ti dëshirosh
    Dhe tërë jetën ti kërkosh
    Në jetë hasim në persona të cilët të bëjnë
    Të u qepesh pas
    Të mos i lëshosh kurrë
    Të kesh nevojë si ke nevojë për ujë
    Ndaj kur ti takoni
    Mbledhni forcat dhe mbani fort
    Mos i lëshoni dot
    Se po u larguan prej jush
    Mungesa e tyre të bën të vujsh
    Ishte thjeshtë vetëm një gabim
    E dashur
    Ja unë u lëndova përësri
    Si duket lëndimi qenka fati im
    Unë të zgjata dorën kur kërkove mundësinë e dytë
    E dora e zgjatur më mbeti si mollë në fyt
    Unë të gjeta kur besoja se ëndërrat mund të behën realitet
    Tash ëndrrat u kthyen në vendin e tyre
    Unë i vetëm me zhgënjimin tim kam mbetë
    Mbeta peng i faljes që verbërisht ta dhashë
    E ti vazhdove me të njëjtin avaz
    Tash mbeta rob i premtimit tim
    Derisa zemra jote nuk njihte tjetër veçse mashtrim
    Ndaj dua të thyej grilat
    Mjaftë ndejta në këtë robëri
    Unë po largohem me sy hapur
    Se kurrë nuk më meritove ti

    Mikja ime
    Nëse një ditë do ndjesh vuajtjen në shpirt – më thirr
    Nuk të premtoj e do të kthej lumturinë
    Por të premtoj se do ndajmë vuajtjen bashkë
    Nëse një ditë do jesh e nervozuar – më thirr
    Nuk të premtoj se do të ulë nervat
    Por të premtoj se do jam pranë teje deri sat të qetësohesh
    Nëse një ditë do jesh mërzitur shumë – më thirr
    Nuk të premtoj se do të largoj mërzinë
    Por të premtoj se do mërzitem me ty
    Nëse nje ditë ti më thërret e unë nuk të përgjigjem
    Vrapo tek unë
    Mbase kam nevojë për ty
    Miku te miku vjen edhe pa thirr !
    ***********************************

    “Ky ishte realiteti për momentin dhe unë nuk mund tafotografoja atë ndryshe”

    “Vitet si Gjurmë” dhe Llambi Zerva

    Nga Dr. Shpëtim Cami
    Ky ishte realiteti për momentin dhe unë nuk mund ta fotografoja atë ndryshe” – shkruan autori që në hyrjetë këtij libri. Më pëlqeu dhe më ngacmoi shumë kjo fjali, ndaj preferova ta filloja parathënien duke e zgjedhur atë midis të tjerave si shumë domethënëse. Është një qëndrim për t`u konsideruar dhe promovuar. Aq më shumë kur autorin e njoh prej kohësh dhe ato që shkruan janë akoma më të besueshme . Ato janë vetë jeta e tij, të shprehura edhe në biseda të lira, në aktivitetin e tij politik e shoqëror, në angazhimet në qeverisjen vendore, në dashurinë
    dhe kujdesin për familjen, shokët, miqtë, në punën e tij ,në kontributin e vazhdueshëm
    publicistik, kontribut të cilin e kam ndjerë nga afër gjatë dy viteve të drejtimit të Njësisë
    Bashkiake nr 1, ku Llambi drejtoi me sukses gazetën “ Tribuna Qytetare”, botim i këtij institucioni vendor , bashkëpunim i cili u kurorëzua edhe me botimin e librit të përbashkët “Tribuna Qytetare”, një muze i gjallë i qeverisjes vendore, i jetës komunitare, i bashkëpunimit dhe promovimit të vlerave. Krijimtaria e autorit Llambi Zerva, është e larmishme dhe e gjerë, poezi, tregime, novela, publicistikë etj, por libri “ Vitet si Gjurmë” që tashmë, të gjithë së bashku kemi në dorë, është vetëm një pjesë e saj. Ai ka përzgjedhur nga krijimtaria e tij, një zgjedhje kjo personale e autorit, disa prej krijimeve letrare apo publicistike . Ne do ta vlerësojmë atë mbi këtë bazë. Ai na premton një fotografim të momentit të realitetit që ka përjetuar në vite, duke shprehur njëkohësisht pikëpamjet e tij mbi këtë realitet. Ai dallohet si promovues vlerash dhe figurash , mbështetës dhe vlerësues por pa e fshehur shpirtin jo konformist , jo pajtues me atë që ai e gjykon të padrejtë apo kur shikon se gjërat nuk janë në rrugën e duhur.
    Dashuria për vendlindjen janë krijimet e para të këtij botimi të ri, të shprehura me të gjitha mënyrat dhe për të gjitha fushat. E fillon kreun e dytë të librit, ku pasqyrohen pjesë nga krijimtaria e tij letrare e pas viteve 2000, me këngën lunxhiote në zemër të tregimit: Lunxhioti “anonim” dhe e madhja TeftaTashko, duke na sjell në vëmendje refuzimin e këngëtares së famshme, për ta përpunuar këngën popullore lunxhiote, ku ajo shprehet: “-Jo, jo, kjo këngë nuk mund të përpunohet, prishet po ta ngacmosh . Ajo është si kënga e këngëve.”Autori na shfaqet si mbrojtës i pakompromis i këngës dhe traditës popullore.
    Ndërprerja e pabesë e jetës së një figure lunxhiote të arsimit shqip, si Pandeli Sotiri , nëpëmjet tregimit “ Nëpërka në jastëk“ është shqetësim i autorit duke synuar që “me një gur të vrasë dy zogj”. Lartëson figurën e patriotit të madh dhe të krahinës së tij, ndërkohë akuzon qarqe të caktuara që në bashkëpunim me bashkëshorten (nepërkën) i morën jetën pabesisht në Stamboll. Ai proteston, kur bashkëfshatari i tij nga Selcka e Lunxhërisë,rilindasi dhe patrioti Pandeli Sotiri, harohet të përmendet në përvjetore të hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë si drejtori i parë i saj. Lunxhëria është frymëmarrja e autorit dhe e ka të pamundur të jetojë pa oksigjenin e saj. Ja si shkruan ai në poemthin “KTHIM NË LUNXHËRI”: Lunxhëri, o moj ikonë/O, tinur i bukurisë/Nëpër zemra bëre fron/Me hirin e perëndisë.
    Ai vazhdon të shkruaj edhe për fshatin e tij Selckë me një dashuri të paparë që rrallë e shohim në autorë të tjerë. O ti Selckë, Selcka ime/Ato kroje dhe burime/Gurgullojnë në zemrën time/Si lumenj gjithë vërshime. Dashuria e tij për fshatin e lindjes dhe Lunxhërinë, shprehet edhe në padurimin për të informuar opinionin publik se së shpejti do të botohet një libër për Selckën dhe pas botimit të librit është ndër të parët që kërkon ta promovojë atë dhe autorët e tij Dr. Jorgo Thanati dhe Theodhos Margariti. Shoqata dhe gazeta “ Lunxhëria” janë një tjetër fokus i krijimtarisë së Llambit. Ai është pjesë e pandarë e tyre duke ju përkushtuar dhe lartësuar figura të tilla si Leko Mako, të cilit i kushton “ Elegjinë lunxhiote” , në cilësinë e kryeredaktorit të parë të gazetës “Lunxheria” si dhe disa botimeve të tij të pabotuara më parë. Gjithashtu, figura të ndritura të krahinës si artisti dhe drejtori i parë i Teatrit Kombëtar, Andon Pano, Heroi i Punës socialiste Dhimitër Thanati, aktivisti i shquar Petro Ruçi e të tjerë, janë pjesë e krijimtarisë së tij.
    Autori na shfaqet edhe mjaft kurajoz ,ashtu siç është edhe në jetën e përditshme ,duke kritikuar e ngritur zërin, kur gazeta dhe shoqata shfaqin probleme të pajustifikueshme në funksionimin e tyre. Shqetësimi i autorit nuk është vetëm në nivel lokal. Me fabulën “ LISI ARTICIAL” tenton të kritikojë raste emërimesh pa proces, pa përzgjedhje, pa struktura, anonimë, ose siç thotë autori: Kështu është kur mbin një lis/Me vendim të qeverisë/Mos vallë lisi i “nderuar”/Është një pemë e klonuar? Njeriu i thjeshtë dhe punëtor nuk mund të jetë jashtë vëmëndjes së autorit dhe shkrimeve të tij. Taksisti Albert Bardhi është pjesë e krijimtarisë së Llambit duke na sugjeruar që të udhëtojmë me të sepse do të marrim shërbimin e merituar.
    Autori na paraqet në këtë botim edhe një pjesë të artikujve të botuar në organe të tjera të shtypit të përditshëm si “ Zëri Popullit” , “ Telegraf” etj, me të cilat fillon kreu i parë i librit.
    Kur themeluam së bashku me ish-kryetaren e Njësisë Bashkiake, znj Lindita Nikolla dhe shkrimtarin Zenel Anxhaku, gazetën “ Tribuna Qytetare”, në vitin 2007, Llambi u bë pjesë e pandarë e gazetës me kontributin e tij . Në këtë libër janë pasqyruar disa nga artikujt e shkruar në këtë gazetë derisa ajo përkohësisht u mbyll. Me rihapjen e saj në vitin 2013, Llambi e pranoi pa asnjë hezitim propozimin tim për t’ja besuar atij detyrën e kryeredaktorit të gazetës “ Tribuna Qytetare”, e cila e përfundoi misionin e saj informativ, me vënien në jetë të reformës së re administrative ku, në bazë të saj, njësitë bashkiake nga njësi zgjedhore u kthyen në njësi administrative, pjesë të strukturës së bashkisë Tiranë. Gjithë veprimtaria krijuese e autorit në këtë gazetë tashmë është pasqyruar edhe në libër me të gjitha gjinitë si intervista, reportazhe, kronika, opinione, ku do të veçoja veprimtarinë e gjerë të këshillit dhe të administratës së Njësisë Bashkiake si dhe vlerësimin për punën e saj të përditshme për shërbimin, informimin dhe komunikimin qytetar, Konferencën Ndërkombëtare mbi moshimin në Shqipëri, vizitën studimore në Kosovë dhe Maqedoni, kronikën e vizitës në Tetovë dhe Dibër të Madhe, artikullin mbi sigurinë në shkolla, për mbrojtjen e fëmijëve dhe shtresave në nevojë apo kontributet dhe angazhimin e vazhdueshëm të deputetit të zonës dhe Ministrit të Jashtëm, z.Ditmir Bushati.
    Gjej rastin ta falenderoj për gjithë përgjegjësinë dhe angazhimin e tij si kryeredaktor i gazetës për rreth 2 vjet dhe ti uroj suksese në veprimtarinë e tij krijuese. Nga pikëpamja letrare libri “ Vitet si Gjurmë” është një libër gjithë përfshirës, një enciklopedi e krijimtarisë personale të autorit që përmbledh poezi, tregime, fabula, kritikë , intervista, opinione, kronika , monografi duke plotësuar elemente të gjinisë epike dhe lirike, ka një pjesë të konsiderueshme letërsie dokumentare, me vlera të shumta edukative dhe informuese .
    Mund të lexohet nga të gjitha moshat dhe grupet e interesit.

    Milazim F. KADRIU

    NËSE KTHEHESH NJË DITË

    Nëse kthehesh një ditë
    Rrugës nga po shkon
    Mos u çudit nëse shtegu është mbyllur
    Dhe këtej s’ un kalon.
    Rruga nuk do të shpie
    Deri tek dera ime
    Sepse do shndërrohet në labirint
    Por rastësisht nëse shtegun kalon
    Dhe labirinti i rrugës
    Tek dera ime të sjell
    Kot troket se është mbyllur
    E shef vetëm drynin
    E ndryshkur,çelësi është hedhur
    Në humnerë,kurrë s’do ta gjesh.

    STACIONI I FUNDIT

    Fishkëllima e trenit
    Orë e çast dëgjohet
    Stacionin e ri tregon
    Dikush hip e dikush zbret
    Secili rrugës së vetë shkon.

    Unë qëndroi aty
    Më gjatë se të tjerët
    Sepse nuk do të zbres
    Deri në stacionin e fundit
    Aty ndoshta dikush më pret.

    HAPE DERËN

    Mos lejo që çelësi të ndryshket
    Që hapi derën tënde
    Duhet thithë aromën
    E luleve tua në dritare.

    Nëse dera nuk hapet
    Të hyj freski verore
    Lulet në dritare
    Do ti thajë ftohtësia dimërore

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe ëord).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” Nr 21..
    DATË: 28 shtator, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:

    Kryesore

    Mitrush Kuteli, prozatori i shquar i ushqyer me legjendat dhe baladat e jugut

    Lart 1
    Sabrie Selimaj
    Buzëqeshje e zbehur dhe debat i ndezur

    Lart 2
    Liliana Baçi
    Imagjinata e guximshme dhe koha

    01- Tregime dhe kritikë nga, Mitrush Kuteli, Kujtim Mateli, Maksim Rushi, Dhimitër Shtëmbari, Hajrulla Buzani
    02-Poezi nga Sabrie Selimaj, Zaho Vasili, Raif Rexhepi, Liliana Shkodrani, Azem Baliaj, Vladimir Muça
    03- Botime dhe ese nga Llambi Zerva, Memush Habilaj, Vullnet Mato, Faslli Haliti, Shpëtim Cami

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.