Suplementi “Pena Shqiptare”, datë 26 tetor 2015

    498
    Sigal

    Gabriel Garsia Markez
    Gabriel Garsia Markez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Marquez Iguarán.Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha. Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe. Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë. Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12-vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet. Megjithë pasionin e madh për librat Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”. Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi. Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë. Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në1962). Më 1961 u transferua në New York, ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si, (Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit. Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes (përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull (Kujtim kurvash të trishta). Aktualisht Gabriel García Márquez jeton në Mexico Disctricto Federal në Meksikë, ku shkruan autobiografinë e vet dhe lufton kancerin limfatik. Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerës, Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc,Gjenerali në labirintin e tij, Erendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc.

    **************************
    Nonda BULKA

    Nonda Bulka është një ndër shkrimtarët e para të viteve `30 që me krijimet e tij solli kritikën e protestën e hapur kundër regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale, një qëndrim të prerë antiklerikal si dhe denoncimin e politikës imperialiste të kohës, motive këto që më pas u trajtuan pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve `30 e sidomos nga Migjeni. Nëpërmjet fejtonit e skicës, Nonda Bulka arriti të bëjë përgjithësime me vlerë. Duke qenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të lëvizjes demokratike të kohës dhe i ushqyer nga idetë revolucionare, ai e mohoi të vjetrën, reaksionaren në fushën politike e shoqërore, në planin kombëtar e ndërkombëtar me anë të një satire therëse. Proza e tij ka trashëguar tiparet më të mira të satirës sonë, sidomos asaj pamfletike, duke e zhvilluar atë më tej. Me anë të humorit ky shkrimtar arrin të trajtojë shqetësimet e veta, që janë edhe ato të kohës, dhe krijon tek lexuesi emocione e nënqeshje të hidhura për probleme që lidhen me jetën e vështirë të vegjëlisë, me rrugën e zhvillimit të kulturës kombëtare, me luftën imperialiste, me klerin e fenë, me normat morale patriarkale e të vjetruara etj. N. Bulka është tipi i gazetarit që nuhat menjëherë problemet më nevralgjike të jetës së përditshme shoqërore dhe shpërthen me ironi e sarkazëm, por si një temperament i rrëmbyer, me gjaknxehtësi. Ky shpërthim jo gjithmonë mund të barazohet me revoltën ose protestën e fuqishme. Skicat, fejtonet dhe shkrimet më të mira të tij janë : “Vija e vdekjes”. “Intervistë me Shën Pjetrin, “„Kujtime tragjikomike”, “Kur piqet Muhameti me Krishtin” , “Përralla abisine” , “Gjysmë ose italian” , “Mësim gjeografie” etj. Bulka ashtu si Migjeni më vonë, do të pasqyrojë në krijimtarinë e tij mjerimin, zymtinë, e jetës së vegjëlisë shqiptare me krijime tronditëse si “Mëmë e bir” , “Lipësi” , “Njeriu misterioz” etj, duke demaskuar padrejtësinë shoqërore pa kërkuar mëshirë. Për energjinë dhe shpejtësinë, me të cilën ai iu përgjigj kërkesave të ditës, për shumëllojshmërinë, e problemeve që trajtoi, për qartësinë e mendimit ai dallohet nga shumë bashkëkohës të tij. Por disa herë ai s’arriti të shmangte përsëritjet e disa motiveve e temave dhe nuk i shpëtoi një fryme të plotë mohuese e ndonjë toni pesimist. Në tërësinë e veprës së tij publicistike ndihet e tërë koha, gjithë realiteti, por sidoqoftë ajo mbetet brenda kufijve të fejtonit e skicës, ashtu si ajo e Qemal Stafës dhe V. Stafës. Në to më tepër revoltë se konflikt artistik, por lëvrimi i tyre pati rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të prozës artistike. Kjo krijimtari, duke formuar tiparet, qoftë edhe fillestare të një letërsie militante, solli në tregim temën e ditës, ndihmesën për thellimin e realizmit kritik dhe për afrimin gjithnjë e më shumë të letërsisë me jetën, të gjuhës së saj me gjuhën e gjallë e të përditshme.

    Njëqind flamurë pa një
    Ishte ditë vere në një nga qytetet më të mëdha të Arnautistanit. Ecja filli vetëm duke menduar për hallet e kusuret e këtij vendi heroik, por shumë fatkeq. Vapa përvëlonte. Djersët më kullonin rrëke. I kredhur në të thella kapërceja nga një ngjarje në tjetrën.
    Shikoja me sytë e mendjes vendin e shkretuar prej tufanit, tërmetin që po trondit botën dhe që po kthen në shkrumb e hi atë që dora e njeriut e ka ngritur me djersë e gjak. Habitesha me shtazëritë njerëzore. Në këto të thella isha kredhur, kur… fiu, fiu… sirena. – Bum, bum, bum! – krisi topi.
    – Bobo, – thashë, – erdhën lanetërit e qenit, shpikja moderne më e mrekullueshme për të shfarosur njeriun.
    Pa e vrarë mendjen më thellë, hyra në shtëpinë e parë që gjeta aty rrotull. Mysafir i paftuar, hapa derën e rrugës, pastaj atë të brendshmen dhe instinkti vetëmbrojtës më drejtoi në një bodrum të sigurt nën tokë.
    – Ç’urdhëroni? – ma priti një zotni, i cili me grua e fëmijë ishte strukur në një cep të asaj grope të errët.
    – Hyra këtu, mbasi jashtë po bëhet festë midis qiellit e tokës. Qielli sulmon tokën dhe toka i përgjigjet. Dhe unë, që s’jam as në qiell as në tokë, hyra këtu nën tokë.
    – A janë shumë?
    – Nxin qielli katran, efendi.
    – Allahalla! Si do vejë ky halli ynë? Kur do të marrin fund kusuret?
    U ula mbi një fron gjysmë të thyer dhe po fshija djersët. Njeriu i bodrumit më lëshonte lehtë-lehtë, me kureshtje, nga një bisht syri; sikur matej të më thoshte diçka, po nuk guxonte. Më së fundi foli:
    – Si duken punët, or zotni? Ç’është ky hall i madh që na ka rënë? Kur merr fund vallë? Ç’është kjo e keqe që i ka rënë në kokë njerëzisë anembanë?
    Ndërsa ai po qante hallin e njerëzimit, unë po vërtisja sytë rreth e rrotull atij bodrumi dhe vura re diçka që më bëri përshtypje:
    – Përse i mban ende syfetin e famëmadhit Duçe dhe flamurin me lulka të Imperos? Ti e di që ajo punë mori fund njëherë e mirë.
    – Ah, mor bir (më lejo të të quaj bir), – ma priti hallexhiu i bodrumit, – një fjalë e vjetër thotë se bota është e rrumbullakët si top; njerëz si unë që nuk merren me politikë i kanë marrë masat për çdo gjë që mund të ngjasë… Sa ka parë ky qerrata vend!
    – Po ky flamuri i Anglisë, pranë atij të Duçes, ç’kërkon këtu në bodrumin tënd?
    – Ta thashë, mor bir, jam njeri esnaf dhe hallexhi. Sikur një mëngjes, papritur dhe papandehur, të kërcasë topi andej nga deti dhe të zbresin ata? Ku të gjej stof për të qëndisur flamurin anglez? Apo të ha ndonjë plumb rrugës? Kështu të paktën e kam mendjen të fjetur.
    – Po Stalini me drapër e çekan, ç’punë ka në bodrumin tënd të errët? Mos je gjë bolshevik?
    – Jo, vallahi, bilahi s’jam. Po si esnaf njeri që jam, kur të shoh se të gjithë bota do të skuqen, si mund të qëndroj unë i bardhë? Urtësia më këshillon të ngre flamurin dhe të bërtas pas berihasë: “Rroftë!”.
    – Qenke plot tru, efendi. I paske marrë masat me kohë.
    – Posi, posi, ç’të bësh? Ja! Po fitoj para me grushta, si hallexhi që jam. Kam tre djem dhe që të tre i kam ndarë në tri parti të ndryshme; kështu, ngado që ta kthesh, i kam shpatullat të ngrohta.
    – A ke ndonjë djalë në mal?
    – Jo bir, jo! E kam vërtitur punën që mishi të piqet dhe helli të mos digjet. Jam njeri i punës dhe jo i politikës. Kur ishte Zogu mbret, unë isha zogist. Kur iku, nuk i thashë as udhë e mbarë.
    Kur pllakosi ushtria e Duçes, i dola përpara me flamur dhe tashti që u largua, i dhashë munxët nga prapa. Kur erdhi gjermani, e kisha gati fytyrën e Hitlerit dhe flamurin me kryq të thyer. Kur të shkojë, edhe këtë do ta zë me gurë, për t’i bërë qejfin atij që do të vij pas tij. S’ke ç’bën, duhet të jetosh “me nder” në këtë botë.
    Mbeta si i trullosur nga predikimet morale të atij njeriu të njohur dhe të panjohur që ma hapi aq thellë zemrën; rashë në mendime duke kullotur sytë rreth e rrotull bodrumit ashtu si nëpër ëndërr.
    Në një cep më vranë syrin disa flamurë të tjerë.
    E pyes:
    – Po këta ç’janë?
    – Ky është flamuri i grekut, – më tha efendiu.
    – E mora vesh. Zotrote qenke grekoman, o efendi.
    – Jo bir, jo, nuk jam as grekoman, as djall; por, kur ushtritë e grekut hynë thellë në vendin tonë kundër italianëve, porosita shpejt e shpejt flamurin e tyre, që të mos më zinte në befasi. Ja dhe flamuri i Turqisë, që po e ruaj si kujtim të Baba Dovletit. Të thashë, or bir, se jam njeri me parime me karakter, me edukatë dhe s’ma ka ënda të prish muhabetin me asnjë kral që mund të shkelë këtë vend.
    U ngrita në këmbë, u solla dy-tri herë rreth atij muzeu origjinal që mund të pagëzohej me emrin tingëllues “muzeu i karakterit” dhe sytë mu mbërthyen mbi një flamur të çuditshëm, të bardhë si dëbora me një rreth të kuq në mes.
    – Po ky i kujt është, mor efendi?
    – Ulu, – ma preu ai, – se është punë e gjatë që të ta shpjegoj. Disa vjet më parë po rrija në kafe duke pritur një mik, ortakun tim, me të cilin dërgonim fasule në Greqi; duke pritur mikun e fasuleve, në tryezën aty pranë, disa si biçim shkollarë bisedonin për politikë. Ishte ajo kohë kur kishte nisur lufta midis Japonit dhe anglo-amerikanëve. Japoni po korrte fitime aq të vrullshme, sa asnjeri nuk mund të parashikonte se ku do ti mbanin këmbët anglezët dhe amerikanët. Një nga shkollarët hidhet e i thotë shokut: “Ashtu siç ka nisur puna, s’është çudi që një ditë t’i shohim japonezët të vijnë deri në Tiranë!”. Sa dëgjova këto fjalë, shpejt e shpejt bëra gati edhe flamurin japonez. Kështu më zuri gjumi rehat.
    Bombardimi kishte marrë fund. Sirena më lajmëroi se kishte ardhur koha për të dalë nga strofka e atij idealisti. Ndërsa po matesha që ta përshëndesja, befas më ra ndër mend diçka dhe e pyeta:
    – Të falënderoj, mor efendi, për mësimet e larta të moralit që më dhe, por as më thua, të lutem, në gjithë këtë grumbull flamujsh dhe fytyrash, si nuk ma zë syri asgjëkund Skënderbeun dhe flamurin kuqezi?
    Efendiu ngurroi pakëz si i menduar, rrotulloi sytë andej-këtej, pastaj duke m’i mbërthyer si me frikë, më thotë:
    – Ke hak, ke hak. S’më kishte shkuar ndër mend; e ku ta kesh mendjen më parë, në këtë kohë trazirash dhe përleshjesh? Pastaj me autoritet i drejtohet të birit dhe i thotë: Kujtomë, kur të vemi në dyqan të porosisim edhe një flamur të Shqipërisë, se s’dihet, edhe ai mund të na hyjë në punë!
    Hapa sytë. Isha në ëndërr. Se idealistë të tillë s’mund të ekzistojnë veçse në ëndërr.
    Botuar më 1944

    Vjollca Pasku
    Vullnet Mato, krijuesi që del mbi veten
    -ese-
    Në shumë shpirtra flenë talente. Ato herë zgjohen dhe herë flenë përjetësisht…Zbulimi i tyre nga vet i talentuari, është fat i madh. Por kur zbulohen nga profesionistët dashamirës, është një mrekulli. Që në rini kisha pasion leximin dhe një fije ndjenje më shtynte të shkruaja. Sepse leximet janë flakë të zjarrta, që herë pas here të ngrohin dëshirën për të shkruar. Në gjimnaz kam shkruar poezi dhe më pas tregime. Por ato mbetën brenda bllokut të shënimeve, pa pasur guximin të shfaqem se shkruaj dhe unë…Të gjitha mendimet, frymëzimet dhe ndjenjat e atëhershme u kyçën jo vetëm brenda atij blloku, por edhe brenda pasonit tim të ndrydhur. Kur hapa për herë të parë faqen e f.b., në internet, fillova të publikoj poezi nëpër grupe. Ky profesor i panjohur për mua, i reklamoi disa prej tyre te blogspoti “Brilant- poezia”…Kjo ishte njohja e parë me shkrimtarin Vullnet Mato, megjithëse kohë më parë kisha lexuar një nga librat e tij me poezi… Ai më inkurajoi, duke më bërë të lë mënjanë ndrojtjen, duke më ndezur një dritë të fortë inkurajimi për talentin tim e më dha një shtyse të papritur në rrugën e artit. Kështu publikimi i poezive në një grupim të fb. u bë për mua si një shtëpi letrare, ku mblidhen të gjithë shpirtrat krijues. Më pas, me sugjerimin e profesorit, me korrektimin e çdo poezie e me redaktimin e tij, botova përmbledhjen e parë poetike, duke vazhduar të shkruaj njëherësh në poezi dhe prozë. Por kritikat dhe sugjerimet për leximin e teorisë së letërsisë, njohjen dhe studimin e saj, asnjëherë nuk më munguan nga ky mësues letërsie pasionant, tek i cili pashë dashamirësinë e sinqertë të nxitjes për të dalë me botim libri. Shprehja e frymëzimit në vargjet e një libri, ishte çlirimi i asaj ndjeshmërie që më perceptonte shpirti… Ndoshta krijuesit e përjetojnë në mënyra të ndryshme botimin e librit, por unë gjeta tashmë në poezi atë që të mungonte, atë që më kërkonte shpirti e që ëndërroja prej kohësh dhe për një moment ndjeva gjithë botën e madhe në dorë time, madje një botë me plot ngjyra të larmishme. Donika Hamitaj, është një parukjere, shoqja ime prej shumë vitesh në Fier. Sa herë shkoja në floktoren e saj, bisedat tona silleshin rreth poezisë, saqë ndonjëherë, bisedonim edhe me rima. Ajo është një shpirt i mbushur me talent, që kishte nevojë vetëm për t’u drejtuar nga një mësues. Krijimi i poezive të saj u bë si një vibracion magjik, gjatë të cilit ajo shkruante dhe profesori e ndiqte, duke mbajtur ritmikën e rregullt. Prezantimi i librit të parë të Donikës, pati një sukses të madh në saje të redaktimit të profesor Vullnetit. Po ashtu veproi edhe me të i dytin dhe tani ajo përgatitet për librin e tretë. Me udhëheqjen e profesorit tonë të përbashkët, Donika arriti që librat e saj të kërkohen nga lexuesit në librari dhe internet. Po kështu ndodhi edhe me poetin Petrit Shehu, bashkëqytetar me ne, krijues që në rini dhe fitues i çmimit te dytë në festivalin e pionierëve, por pa botuar asgjë në letër. Gjatë bashkëpunimit të tij me profesor Vullnetin, që ia rekomanduam ne, shumë poezi të tij të mbyllura brenda sirtarëve të kohës, morën frymëmarrje dhe gjetën dritën e botimit, në një përmbledhje voluminoze me dyqind lirika. Pasi u interesuam për punën e këtij profesor letërsie të papërtuar, morëm vesh, se ai përgatiste poetë e shkrimtarë të rinj, jo vetëm brenda vendit por ishte i lidhur edhe me shumë krijues anembanë botës. Ky profesor letërsie, në kushtet e reja te internetit, brenda pak sekondave mund të gjendet pranë çdo krijuesi, dhe është bërë si një antenë e fuqishme, ku përplasen të gjitha valët e talenteve letrare nga Shqipëria e mbarë bota. Një bashkëpunim i frytshëm i tij, ishte edhe me krijuesen emigrante, të njohur prej nesh, Mimoza Leskaj në Itali. Zëri i saj krijonte tone të gëzueshme në internet, duke prekur të gjitha stinët brenda vargjeve dhe dirigjenti mësues, ishte gjithmonë në kërkim të cilësisë artistike për librin e parë të saj, që i dha spunto për të përgatitur të dytin. Më një atmosferë kujtimesh të hershme, erdhi tek profesori edhe krijuesja emigrante Lumturi Kodra nga Italia, e cila hapësirat e kujtimeve të saj i vargëzonte në mënyrë të thjeshtë, por origjinale, duke i bërë të ndjehen, sikur gjithçka kishin ndodhur sot. Mësuesi, përherë i kujdesur për cilësinë dhe ruajtjen e origjinalitetit të çdo krijuesi në poezi, kishte punuar disa kohë më parë edhe me krijuesen Lediana Kapaj në Francë, e me Raimonda Moisiun në Amerikë, e cila njihet tani si një nga poeteshat dhe prozatoret më në zë të kohës. Kësisoj punoi nëpërmjet internetit me Mentor Thaqin në Gjermani, për një libër poetik me teme kryesore Kosovën, me Shqiponja Axhamin në Kukës, për një roman fantastik dhe një libër për fëmijë, ku ajo derdh gjithë frymëzimin dhe fantazinë e saj prej nëne. I mirënjohuri nga emisionet në TVSh, Fuat Memeli erdhi që nga Amerika për të redaktuar te profesori një libër poetik më mbresa të vendlindjes së tij, Devollit. Miradije Gashi, mësuese në Gjermani u lidh me të online për të përjetësuar motrën e saj, duke ia skalitur në poezi zemrën e heshtur para kohe… Luljeta Gjosha Pashollari në Tiranë, kishte si aureolë të poezive të saj, yllin e dikurshëm të dashurisë së zemrës, bashkëshortin e shuar në qiell, duke bërë të ndjehet në vargje muzika e kujtimeve, me tingujt më të bukur të dashurisë, të luajtura në lirën e trishtuar të vetmisë. Zabit Sulo, emigrant në Greqi, dërgoi te profesori Mato dy libra njërin pas tjetrit, ku mbështjell të gjithë mallin për Myzeqenë e tij te paharruar. Lola Shehi, mikja ime e dashur, filloi bashkëpunimin për librin e saj të parë, pasi kishte mbledhur prej vitesh, si flutura vesën mbi lule dashurie, nëpër livadhet e jetës plot aroma të këndshme. Zyba Hysa nga Vlora, në një libër me poezi dhe një tjetër me tregime, paraqiti udhëtimin shpirtëror të saj nëpër vendlindjen e bukur të Librazhdit. Xhaferr Sula, me origjinë nga Veriu, erdhi nga Larisa e Greqisë, ku punonte në vreshta, për dy libra, me murmuritjen e burimeve, jehonat e maleve, kthjelltësinë e ajrit të pastër dhe këngët e zogjve verior. Libra të cilët, pasi afendikoi grek ia pa në dorë, u habit që ishte poet dhe e beri brigadier në vreshtarinë e tij. Mimoza Vasku në Tiranë, la në dorën e tij dorëshkrimet, për një libër me poezi dhe një roman ku përshkruan jetën e një supermodelje që arrin me sfilatat e modës deri në Amerikë. Prindërit e nxënëses emigrante, Aleksandra Adami, në Greqi kërkuan ndihmën e profesorit, për t’i përmbledhur në një libër poezitë e saj me temën e dashurisë për Shqipërinë. Xhelal Luca nga Dibra, erdhi me një libër, në faqet e të cilit, valon patriotizmi i shquar dibran… Me një bashkëpunim të frytshëm botoi romanin e saj të parë edhe mësuesja Lela Kokona Dardha, Thoma Kardhashi me dy libra historik për Aleksandrin e Madh të Maqedonisë. Po kështu Arjana Dashi, një libër në poezi, ku trajtohet marrëdhëniet familjare me ndonjë grindje, zemërim e dëshpërim që sjellin stuhinë, e më pas kthehet në kohë me diell. Pa e zgjatur më tej me hollësitë për shumë krijues të tjerë të talentuar, si Kujtim Stojku, Idriz Zaka, etj. Të gjithë këta krijues kanë vënë një gur në ndërtimin e kësaj shtëpie, duke pasur njëkohësisht edhe kolonat e saj. Ku profesori, poeti, shkrimtari dhe redaktori dhe Vullnet Mato, është bërë një nga kolonat e kësaj shtëpie. Unë nga ana ime, i dëshiroj atij jetëgjatësi të shëndetshme, krijimtari të artë dhe suksese të vazhdueshme në zbulimin dhe bashkëpunimin me krijuesit e rinj.

    Mimoza Agalliu

    1 Me gjuhën e së tërës
    Fjalët e ngjyera në verë të kuqe
    e kapërcejnë kohën
    dhe shqiptojnë urimet e lëna mënjanë
    për të kujtuar çastin fatlum.

    Ritual abstrakt
    gjuha që lidh dy kohë fjalësh
    sepse sytë e thonë më mirë
    atë çka thuhet por harrohet
    heshtja
    ajsberg ndjenjash
    flet me gjuhën e së tërës

    2 Sërish këtë natë

    Të kisha premtuar e betuar…
    për ty s’do kisha më mall,
    por zemra nuk pyet për betime.
    erdha pranë pa zhurmë e fjalë.
    Askund s’të pashë,
    qoftë dhe për një çast.
    Me muzgun largohem,
    duke tërhequr lotin e heshtur zvarrë.

    E di…
    me zemrën tënde je duke u grindur.
    Eh, sikur ta dije do të vije pranë.
    Lotin të thanim vështrimit të zjarrtë,
    jetën ta fillonim sërish këtë natë.

    3 Kur qyteti fle

    Vështrimi ndez errësirën,
    e shndërron në flakë.
    Freskia flladitëse zgjon jetën,
    i jep dimension të ri.
    Yjet kërkoj hapësirës.
    Arrij t’i mbledh ,t’i sjell në sy.

    E përhumbur mes qetësisë,
    agimin shpresëprurës pres qetë.
    Hëna nëpër natë luan me një re…
    unë, mes buzëqeshjes
    puth qytetin tim kur fle!
    4 Fëmijëria

    Poemë e mbetur sirtarëve të harruar,
    e brishtë , pa bujë e reklamë!
    Kështu ngele ti, fëmijëria ime ëndrraplot .
    Gdhendur në kohë pa fjalë!

    Kujtimet varur, mbuluar nga e gjata pritje.
    Këngë e pakënduar, poezi e ngecur në grykë.
    Fëmijëria ime!
    Buzëqeshje e ngrirë mbi vështrim pafajësie .

    U rritëm shpejt .
    Gjurmët e fëmijërisë na mbetën larg !

    Rendëm të kapnim ëndrrat ,
    siç gjurmonim dikur,
    xixëllonjat mbrëmjeve në pranverë !
    Me dhimbje në shpirt konstatova;
    kohën që kish ngelur kacavjerrë mbi manaferrë

    5 Ritmi i kohës

    Kohë e trullosur
    gënjeshtrave elegante.
    Mbi durim të vrarë
    trupin shtriq,
    pikëpyetjet…
    mbi sofër i ul këmbëkryq

    Zëri i zhytur
    pabesisë rituale,
    përcjell heshtje tinëzare.
    Mbyllet sipar premtimesh!
    Hapet sipar shpresëdrobitur
    Një tjetër start zvarritjesh,
    për njerëz me zemërtronditur

    -A do të mundemi një ditë ne…
    të rendim ritmit kohës?!

    6 Nuk e di…

    Shumë kohë nga jeta ime
    dua të të dhuroj natyrë.
    Frymën mbush mushkërive të tua.

    Kur udhëtimin nis
    drejt kraharorit tënd të gjerë,
    në tërë qenien time derdh pranverë.

    Rend pastaj fushave të blerta,
    i gëzohem ledhatimit si fëmija,
    kur bari luan me gjurmët e mia.

    Sakaq lumturia …si ujë burimi,
    vesh kristale vështrimit tim të ngazëllyer.
    Nuk e di; a quhet kjo, një dashuri e këmbyer?

    7 Dua të shkoj larg…

    Veten kam humbur
    nëpër labirintet e kohës moderne,
    që si një hije e çuditshme,
    zgjatet mbi rrudhat e mia t’i prekë.
    Diku në një skutë të saj,
    edhe ti vrapoje të gjeje strehë.

    Së bashku, lidhur kurorë
    drejt së ardhmes vrapojmë,
    por përsëri na mban të ndarë
    kjo e pamëshirshme kohë.

    Ndërsa mbi supe mbajmë
    kohën e pa kohë,
    bota ecën mbrapsht
    duke treguar gjiret shterpë të saj.
    Kam humbur veten qorrsokakëve,
    dua të shkoj larg…

    Të ndodhem dua…
    ku pihet ujë qetësisht,
    jastëku qiellor
    të më lexojë ëndrrat kaltërsisht.

    Të arratisem …
    të freskohem në ujërat e lumit ‘Jordan’,
    ku loti bëhet vesë, puthja valë
    e fryma me erën ngjan,

    Pastaj… oh pastaj të kthehem
    vetëm atëherë, kur bota të ecë mbarë.
    Kam humbur veten fjalëkryqeve pa zgjidhje,
    ndaj …dua të shkoj larg.

    8 Dashuri hyjnore
    Dashuri ndryshe
    që vjen me fuqi dinozauri
    dhe drejt së ardhmes
    zvarrit veladonin tënd të purpurt
    ke lindur në vorbullën e pafajësisë
    në terrin e mëngjër të meteorit, zbutesh
    prej lotit të dhimbjes që s’resht
    fal tokë e qiell për një vështrim
    shkëmben shpirtrat në udhën e syve
    ku kapilarët e hollë
    shtypur prej gishtërinjve
    ndezin tingujt e gjakut
    deri ne vrazhdësi
    puthja ndjek ritmin e zërave të heshtur
    të dridhur
    nga parajsa në ferr

    Dashuri që lind e heshtur
    dhe vdes zhurmshëm ndonjëherë

    Enrieta Sina

    MBRËMË…
    Mbi këllëfët e jastëkut
    Flokët po tjerrin bardhësi
    Rrënjët e tyre kërkojnë të djeshmen

    Më vjen keq t’i prek
    Mollëzat e gishtërinjve mbajnë kaçurrelat
    Larguar ndër stinët që ikën pa kuptuar

    Mbrëmë kërkova kujtime të largëta
    Trokita në dyert e tyre hermetike
    Nuk ndodhi aspak çudia

    “Fli…!më pëshpëriti heshtja
    Ndofta ëndrra do të jetë e bukur
    E për ty do të sjell tjetër jetë

    Mbrëmë, mbi këllëfët e bardhë
    Kuptova sa larg isha nga e vërteta
    Me gënjeshtër po shkoj në ëndërr…

    Në minutat e mesnatës
    Orët po sjellin një zë të ëmbël
    Engjëlli i jetës s’ më la vetëm…

    Në sa pranvera e kisha rritur
    Duke e veshur me petale trëndafili
    Mbrëmë më solli buzëqeshje yjesh…

    TI E DI….
    Nëse trëndafili hap petalet
    Në pistil të tij ulet bleta
    Duke marr nektar
    Nëse nata përcjell yje
    Mbaje yllin e fatit tek bie
    Aty gjen shpresën tonë
    Nëse dallgët ngrihen
    Për tu përplasur shkëmbit
    Zgjate dorën drejt valës
    Nëse dje s’u takuam dot
    Kërko çastin e bardhë ditës
    Shkruaj fjalët e pathëna
    Nëse mbrëmjes je vetmuar
    Duke kujtuar një takim të hershëm
    Puthe Hënën të sjell vajzën
    Ti e di jeta është e tillë
    Ndryshe si do të mbante mistere
    Për tu nderur në lot dashurie.

    E SKAJSHME
    Po rend një gjyshe kthyer në fëmijë
    Po rend dhe fëmija pengohet si një gjyshe
    Mes tyre endur është një dashuri
    E heshtur dhe e zhurmshme

    Është rritur filiza e bërë lis me degë
    Është kthyer lisi në një bisk gjelbëruar
    E skajshme në mes tyre kjo dashuri
    E hershme gjithsesi e lulëzuar

    Po rend zhurmshëm një dallgë bëhet valë
    Po rend dhe vala bregut , thotë më përqafo
    Mes tyre shkrihet një legjendë e tërë
    Në verë e dimër shkruar mirë në kohë

    Po rend një gjyshe kthyer në fëmijë
    Po rend fëmija, kudo nëpër botë
    Mes tyre lidhur është kjo dashuri
    E skajshme, e zjarrtë dhe e fortë…

    Nuk i përket vetëm historisë
    Nga Kujtim Mateli
    Monografia “Plaku i Anxhakëve” që ka për autor publicistin Gëzim Voda, është një shpalosje e vlerave që krahina e Dëshnicës në rrethin e Përmetit ka trashëguar në shekuj dhe ua transmeton ato dhe brezave që vijnë që t`i ruajnë dhe t`i pasurojnë më tej. Figura tij është përsosmëri e qenies njerëzore për t`u bërë model jo vetëm për brezat me të cilët jetoi, por dhe për brezat pas tij. Ai vazhdon të jetë shembulli i njeriut të cilit duhet t`i referohesh në momentet më të vështira të jetës. Mendimet e tij janë copëza brilantesh që ai i formuloi në odat e miqve apo pas betejave të ashpra me armiqtë. Nuk arriti t`i shkruante, por ato u ruajtën nga të afërmit dhe të njohurit e tij në formën e kujtimeve. Mbase nuk është ruajtur bukuria e shprehjes së fjalës në ato përmasa me të cilat Ai shpaloste mendimet e veta, por është ruajtur mirë filozofia me të cilën e ushqyen paraardhësit e tij. Me fjalë e me vepra, punoi dhe luftoi që shoqëria në tërësi dhe në veçanti ajo dëshnicare të mbetej e paprekur nga disa deformime si ato të viteve të Pasçlirimit, të cilat kërkonin të tjetërsonin shoqërinë në modele të reja duke prishur atë harmoni dhe mirëkuptim mijëravjeçar që shoqëria shqiptare dhe në veçanti ajo dëshnicare kishin kultivuar. Gjykimet e tij ishin si shigjetat e një busulle se nga duhet të drejtohesh në momente të vështira. Islam Anxhakut nuk iu hoq pushka nga supet për gati një gjysmë shekulli. Kjo monografi e pasqyron këtë vepër të shkëlqyer të tij në detaje konkrete. I kanë sjellë këto detaje luftëtarët dhe shokët e tij të armëve, miqtë e tij të shumtë që i kishte në të gjithë Shqipërinë, familjarët dhe të afërmit e tij. Pasi lexon këto tregime ndien se shembulli i tij është i veçantë, është shembull që duhet të ndiqet, sepse aty do të gjesh atë shtegun e ngushtë që të nxjerr në udhën e madhe plotë dritë ku ecën shoqëria njerëzore. Në moshën rinore të Islam Anxhakut koha kishte hedhur më shumë mjegull se sa sot dhe që të mbërrije në Udhën e Madhe e cila do të kurorëzohej me Shpalljen e Pavarësisë më 1912, duhej mençuri dhe guxim. Islam Anxhaku i pati këto dy cilësi që në moshë rinore dhe kjo përbën një nga vlerat e veçanta të tij për të cilat është nderuar dhe vazhdon të nderohet edhe sot. Në vitet 1910-1912 mori pjesë me çetën e Mehmet Pavarit në luftë kundër pushtuesve turq që u zhvilluan në Këlcyrë dhe në afërsi të saj, në datat 30 dhe 31 korrik të vitit 1911. Në këtë betejë mbetën të vrarë 16 ushtarë turq. Morën pjesë 200 forca shqiptare, ku djaloshi Islam Anxhaku u dallua për guxim e trimëri. Kjo betejë e futi djaloshin 21 vjeçar në një luftë të pandërprerë kundër çdo armiku që do të shkelte vendin tonë.
    Shpalljen e Pavarësisë e priti me gëzim të madh, por ky gëzim nuk zgjati shumë. Fqinji ynë jugor, Greqia, iu sul si bishë tokave shqiptare. Në luftën që bënë dëshnicarët, Islam Anxhaku e tregoi trimërinë e tij duke u përballur me armë në dorë si pjesë e çetave të Shqipërisë së jugut. Dëshnica u dogj dhe u shkatërrua, por dëshnicarët nuk u gjunjëzuan. Islam Anxhaku shkonte në çdo familje të fshatit Vinokash duke u interesuar për gjendjen e tyre ekonomike e shëndetësore. Ishin vitet kur familjet dëshnicare e shprehën solidaritetin në shkallën më të lartë. Vitet që erdhën më vonë, e zëvendësuan pushtimin grek me atë italian. Përsëri djaloshi i Vinokashit ishte në ballë të lëvizjes kundër tyre dhe Lufta e Vlorës e vitit 1920, e gjeti atë në Vlorë bashkë me shumë dëshnicarë të tjerë. Përkrahës i lëvizjeve demokratike, përkrahës i qeverisë së Fan Nolit.
    Lufta Nacional-Çlirimtare e gjeti përsëri me armë në dorë. Ka qenë ndër mbështetësit e parë të krijimit të çetës partizane “Dëshnica” në marsin e vitit 1943 dhe më pas të batalionit me të njëjtin emër. Për kontributin e tij në atë luftë, atij iu akorduan dekoratat e Trimërisë, të Kujtimit, të Çlirimit etj. Islam Anxhaku nuk ka qenë vetëm një luftëtar i shquar, por dhe një bujk i mirë. Arat e tij dalloheshin për punimin e kujdesshëm që ai i bënte tokës. Nuk kishte sipërfaqe të shumta, ishte midis atyre që mund t`i konsideroje të varfër nga sasia e tokës që zotëronte, por puna që ai u bënte parcelave të tij e renditnin atë në një fshatar të mesëm që jo vetëm siguronte bukën për gjithë vitin, por ndihmonte dhe miqtë e tij kur ndodheshin në momente të vështira. Tregimet që jepen në këtë libër se si u gjendej pranë njerëzve në nevojë, janë pamje realiste të një epoke kur shqiptari luftonte për mbijetesë. Dëshnicari punëtor e i palodhur ia arrinte të siguronte çfarë i duhej për një vit, sepse dhe dimrin e kishte të ashpër. Pas Çlirimit, edhe pse në moshë mbi 60 vjeçare, dora e tij nuk e braktisi parmendën. Kishte besim se Shqipëria do të rimëkëmbej në sajë të punës dhe kontributit të çdo individi. Në vitet `50-të, shteti shqiptar iu drejtua familjeve shqiptare për të kontribuar në fuqizimin e ekonomisë së shkatërruar nga Lufta. Çdo familje kontribuoi sipas mundësive të saj. Familja e Islam Anxhakut nuk e kishte atë shumë parash që ai dëshironte. Shiti pendën e qeve dhe e dorëzoi të gjithën për Huan Shtetërore. Ky rast ndoshta do të jetë i veçantë dhe në shkallë vendi. Njeriu që gjithë jetën kishte luftuar me armë në dorë kundër armiqve të Shqipërisë, po tregonte përsëri se Atdheut veç mund t`i shërbehej. Po Islam Anxhaku përsëri nuk po ndihej mirë. Si në të gjithë Shqipërinë edhe në Dëshnicë po përvijoheshin artificialisht dy pamje. Njëra e njerëzve krenarë që kishin luftuar për atdheun dhe tjetra ajo e njerëzve të përbuzur dhe të nënvleftësuar që nuk kishin qenë pjesë e kësaj Lufte. Njëkohësisht po ngrihej në simbol njeriu i varfër dhe po luftohej e demaskohej njeriu i pasur. Struktura e shoqërisë po goditej në embrionin e saj, që ishte familja. Madje dhe burri me gruan mateshin e vlerësoheshin mbi këtë kriter: cili prej tyre e kishte biografinë e familjes së vet më të mirë. Në rast se nuk përputheshin sipas kriterit të ri, nuk ishin të rralla rastet që familja prishej e rindërtohej përsëri sipas kritereve të reja. Ky realitet i ri e shqetësonte vazhdimisht Islam Anxhakun. Shpesh pyeste veten dhe pjesëtarët e familjes së tij: përse luftuam e sollëm lirinë e Atdheut, të përbuzim e të nënvleftësojmë miqtë me të cilët familja jonë ka qenë e lidhur në shekuj? Në libër jepen episode se si Islam Anxhaku nuk bënte asnjë dallim sipas kritereve të reja klasore. Ai nuk i braktisi miqtë e tij të vjetër edhe kur ata ishin shpallur kulak apo dhe të padëshirueshëm për pushtetin e ri popullor. Në libër jepen gjithashtu detaje se si e thirrën në Komitetin e Partisë të rrethit Përmet për t`i tërhequr vërejtje për këto veprime që ishin në kundërshtim me vijën e Partisë. Ky ballafaqim tregohet edhe sot në familjet dëshnicare, sidomos nga ato që ndien dorën e ngrohtë të Tij përballë ftohtësirës që u krijoi gjysma e dytë e shekullit të kaluar. Islam Anxhaku, në opinionin publik, ishte dhe mbetet simboli i mbrojtës së vlerave shpirtërore që krijoi populli ynë. Kjo monografi e ka dhënë thelbin e figurës së tij. Hollësi ka për të treguar dhe do të tregojë cilido që e ka njohur. Do të tregohet për të edhe pas shumë e shumë vitesh. Pikërisht këtu qëndron dhe madhështia e figurës së tij. Ai do të jetë i pranishëm në çdo vatër dëshnicare, tek çdo i njohuri i tij, pavarësisht nëse kjo monografi gjendet në bibliotekën e tij ose jo. Më shumë se sa librave, ai do t`i përkasë shpirtit njerëzor.

    FASLLI HALITI

    F.Haliti, viz. S.Kamberi, Piktor i Popullit

    TROKITJE
    .POEMTH.

    I.
    Tak,
    Tak. tak,
    Trokitje…
    Po trokasin.
    Le të trokasin po deshën,
    Le të trokasin atje pas derës,
    Mes breshrit, llohës, indiferencës,
    Mes borës, stuhisë, erës.

    II.

    Lehje.
    Po lehin.
    Lëri
    Të lehin!
    Po nuhasin.
    Lëri të nuhasin.
    Plehrat do nuhasin, bajgat,
    Hajdutët, zgrapësit, hajnat.
    Hajdutët,
    Hajnat
    Po vjedhin.
    Lëri të vjedhin.
    Tek ti
    Tek unë
    S’kanë ç’të vjedhin,
    S’kanë ç’marrin më ata?
    S’kanë ç’të klepsin,
    Atje ku nuk ka.

    III.

    Krisma.
    Dëgjohen
    Krisma.
    Dëgjohen të shtëna.
    Ç’i dëgjon krismat, të shtënat;
    Kundër njëri-tjetrin shtien,
    Me njëri -tjetrin vriten
    Me Kallash,
    Pistoleta
    «TT»
    Vriten
    Mes tyre.
    Për një copëz tokë vriten,
    Për një dekolte, për një minifund zyre.

    V.

    Britma.
    Sharje,
    Grushte, kacafytje si qentë
    Kafeneneve , trotuareve,
    Në parlament.

    VI.

    Lëri
    Të bërtasin,
    Lëri të grinden,
    Lëri të hahen tepistët,
    Lëri të shahen mes tyre,
    T’i thyejnë turinjtë, nofullat njeri-tjetrit,
    Sidomos atyre që kanë vjedhur me trena, furgona:
    Fusha, kodra, troje, toka bregdetare.
    Lëri të shahen mes tyre deputetët, partiakët,
    T’i thyejnë turinjtë njeri-tjetrit
    Hundët pinokë të pinokut,
    Hundët
    E përpjeta parlamentare;
    Sidomos atyre që kanë ndërtuar vila
    Bregdeteve të botës anembanë
    Në Londër, Paris,
    Amerikë, Spanjë,
    Në bregdetin limitrof italian…!

    VII.

    Të vjedhurit,
    Të grabiturit keq.
    Po bëjnë
    Padira me nerv pronari, fermeri
    Në prokurori, gjykatë,
    Po bëjnë kallëzime
    Po kapin avokatë.

    Po vijnë paditësit plot bindje, nerv, besim.
    Le të vijnë paditësit e grabitur,
    Le të vinë,
    Le të padisin thonjgjatët,
    Biznesmenët,
    Hetuesit,
    Gjyqtarët,
    Prokurorët,
    Avokatët, qeveritarët.

    VIII.

    Paditës!
    Paditini skriptohajdutët,
    Hajnat mes të ditës me diell,
    Bëni kundër hajdutërisë
    Kallëzime
    Penale
    Me nerv.

    Bëni
    Padi
    Të ashpra,
    Padisni, veç jo kuturu,
    Besojuni gjyqtarëve me duar të pastra.

    IX.

    Edhe pse numërohen me gishta ata këtu.
    Me prokurorë të kërkuar me qiri
    Në xhunglën juridike plot kobra
    Qoftë me fare pak drejtësi…!

    *****************************************

    ************************************
    ZAHO VASILI

    LARGIM

    Atdhe,po e lë mëmën,Atdhe,po e lë babën,
    Me dhembje po e lë zemrën,iki duke marrë shpagën.

    Unë të kërkova punë,t’ua mbaj frymën me një frymë,
    Të kërkova bukë më shumë,që me djersë ta mbaj shtëpinë.

    Të kërkova një shtëpi,ta kisha,të lija kokën,
    Të kërkova dashuri,kurse ti më ktheve lotët.

    Të kërkova veç një fjalë,si balsam t’ia vija zemrës,
    Që të mbetesha i gjallë,nënë ngrohtësinë e nënës.

    Nuk e gjeta një copë tokë,ku ta vija këmbën time,
    Të rrija me miq e shokë,një lastar plot me gëzime.

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,ata që mendojnë për vete,
    Nuk m’i dhe, se të thanë:Jam unë,e unë do mbetem…

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,ata që kanë pasurinë,
    Nuk të lanë ata që kanë,ata që gëzojnë lavdinë.

    Nuk m’i dhe,se nuk të lanë,ata që forcojnë miqësinë,
    Ata që asgjë s’të dhanë,por të morën dhe të grinë.

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,padrejtësia në sistem,
    Ata që me bulçi hanë,varfëria në ekstrem.

    Nuk m’i dhe se nuk ti dhanë,ata që kanë privilegje,
    Politikë,politikanë,që të rropën me ndërgjegje.

    Ndaj po iki i trishtuar,nëpër botë për një copë bukë,
    Ndaj po iki hidhëruar,porsi lypësi nëpër rrugë.

    Unë po ndjehem i vetmuar,brenda në pëqinë e nënës,
    I fyer dhe i dërrmuar,po më dridhet palcë e këmbës.

    Po largohem i malluar,nga kjo tokë që quhet mëmë,
    I zbrazur në të dy duart,zemrën mbrapa duke lënë.

    Merr uratën,bir, prej meje,o Atdhe, ma thuaj ti,
    Se më fute gjak në deje,të dua moj Shqipëri.

    O Atdhe,më jep bekimin,se me ty në shpirt do rroj,
    Për ty s’e humbas besimin,më mësove mos vajtoj.

    E di që do të vijë një ditë,duarplot i “pasuruar”,
    Të kenë rënë “perënditë”,të vijnë ata që të duan.

    Ti më prit me përgjërime,o Atdhe,të dy sytë,
    O Atdhe i mëmës time,mbase do bëhesh një ditë…

    MONOLOGU I SHQIPONJËS

    Nuk mbaj mend se kur kam lindur,kush qe nëna ime e parë,
    Për një gjë jam veç e bindur,se jam nga sua Shqiptar.
    Nuk mbaj mend kur më dhanë vlerë,nuk e di në çfarë moti,
    Po më ngriti lart një portë,porta e fisme e Kastriotit.

    Flatrat që në trup më mbinë,sytë me dritën e gjithë shekujve,
    Unë mbetem simbol e frymë,i të gjallëve dhe i të vdekurve.
    Këtë vlerë ma dha Gjergji,lart më ngriti Skënderbeu,
    Më gdhendën në ballë të djepit,në krye të Mëmëdheut.

    U ula në supe burri,në çdo ballë luftëtari,
    Komitëve,s’ju thye gjuri,ranë për mua,mbajtën zjarrin.
    Shtriu krahun Ismaili dhe iu ula në pëllëmbë,
    Më goditi turk katili,Maloja më ngriti në këmbë.

    Vërtet fluturoja e lirë,nga askush s’më trembej syri,
    Por s’e kisha pavarësinë,ma dha plaku zemërfloriri.
    Që atëherë hodha rrënjë,mbeta zonjë në fole,
    Në flamur si kryekëngë,porsi miti për Atdhe.

    Për mua sa shumë u vranë,për mua sa shumë u prenë,
    E vërtetë që ata ranë;por sërish në këmbë u ngrenë.
    Kalova halle të rënda,po mbeta zonja e zonjës,
    Po pres që të futem brenda,te flamuri i Kosovës.

    Të bashkuar,të fituar,flamuri kërkon dy duar,
    Si dy kokë të një shkabe,Evropa na ka kërkuar.
    O shqiponja me dy krerë,ti linde në Shqipëri,
    Ti na bën e të bëjmë nder,fluturofsh në përjetësi…!

    Luljeta Gjosha Pashollari
    MË TRISHTON KJO HESHTJA JOTE

    Dua të prehem atje ku je ti, dashuri,
    Të më falësh si dikur qetësi e ngrohtësi!
    Pa ty, e humbur lodroj në këtë botë,
    Çdo çast më përvëlon kujtimet zjarri jot…

    Kam mall, për ty, oh sa kam mall,
    Të kërkoj në çdo skaj, po ku je vallë?
    Se në ëndërr më vjen ti gjithmonë,
    Si margaritar rrugën më ndriçon…

    Kur krahët i zgjat e më pushton,
    dhoma si nën rrezet e diellit avullon…
    Ti në pëllëmbët e tua më përkund,
    E unë në ninullat e tua e tëra humb…

    Ku je tani, përse më je larguar?…
    Apo me dikë tjetër më ke ndërruar?
    Unë jam në pritje, si kurdoherë,
    Petale trëndafili pres nga ty nëpër erë…

    Eja dashuri, rri gjithmonë me mua,
    të lodroj e të endem në pafundësitë e tua,
    Dua këtë fillim tetori bashkë ta gëzojmë,
    Vjeshtën me zjarr dashurie ta mbulojmë.

    Më trishton pa reshtur kjo heshtja jote,
    Eja të shëtisim si zogjtë nëpër mote!
    Psherëtimat e tua më kanë munguar…
    Të pres të vish natë e ditë e përmalluar!

    SI ZGALEM, GATI PËR FLUTURIM

    O dallgë kaltëroshe që përplasesh në breg,
    Merre dhe zemrën time e larg ma shpjer!…
    Aty ku shpirti im lëngon gjithmonë,
    Aty ku trupin tim, ti ëmbël ma ledhaton…

    Në vesh më pëshpërit se më dashuron,
    Se me ëmbëlsinë tende mua më tundon.
    Si një zgalem jam gati ngrihem në fluturim,
    Për tek vitet e arta që më shkuan në amshim.

    Pse kam kaq shumë qejf, vitet t’i kthej pas?
    Pse harxhoj kaq kohë për nostalgjinë plot gas?
    Pse s’shkëputem dot nga ty, pse zëri më jehon?
    Dhe shpesh në gjumë tingujt më vijnë gjithmonë?

    Enigmat do t’i zbërthesh tamam si një Pitagorë,
    Ekuacioneve të jetës tu japësh zgjidhjen që u takon.
    Më pëshpërit, se ke shumë punë, aty ku gjendesh ti,
    Pasi jetën ma fale, kur bashkë ishim në aksidentin e zi…

    Më thua, barrë të rëndë të lëshova në supet e tua,
    Fëmijët t’i rritje të gëzuar, për vete dhe për mua…
    Sepse ai fat i zi, ne na trokiti të dyve në derë,
    Ndryshe zemrat tona s’do ndaheshin asnjëherë!…
    ********************************

    Interpretimi i poezisë së poetit shqiptar Faslli Haliti nën dritën e Gëtes
    Përtej përmasave të vargut të Faslli Halitit….
    Fatmir Terziu, Londër

    Përtej përmasave të vargut të Faslli Halitit…

    “Interpretimi i poezisë së poetit shqiptar Faslli Haliti nën dritën e Getes është një arsye e diktuar herët. Madje që në kohën kur atij iu hoq e drejta e botimit. Ishin ato ‘gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, që sollën dy anët e fatit të njeriut Haliti, që punoi si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale, dhe fatin e poetit Haliti që na ricikloi modelin Gete në poezinë shqipe, pa falsitete, ose më saktë siç thotë për të Kadare ka poezi ‘të freskët, origjinale, pa shabllone poetike’ (Kadare, 1970).”

    Abstrakt
    Nëse Gete është cilësuar ‘dëshmori i humanizmit’, poeti Haliti dhe poezia shqiptare e tij kanë dyfish arsye për të qenë miti i vetë jetës. Dhe nëse ‘në jetë Gete ishte subtil dhe direkt në poezi ai është edhe më i afërt, më i imponueshëm, më tepër bindës, më shumë fjalëpakë, por kuptimplotë’, në mënyrë tangentale gjejmë se poezia, jeta dhe tërë dinamika e mitit të krijimtarisë së Faslli Halitit është një rrjedhë që sintetizon parimin më të madh e më të sinqertë të jetës mes modestisë dhe sinqeritetit. Tek Getja janë vënë re ‘dashuria, paqja, mirësia, dëlirësia, drejtësia si kryetema të të gjitha poezive të tij prej a deri në zh’ në një paralele sintetike mund të kronizohet si një teoremë edhe poezia dhe jetikja e këtij poeti të mirënjohur shqiptar. Tejrëndësimi i besimit të Getes në lëvizjen njerëzore, rifunskionimi i tërë aspiratave kategorizuese, dhe ndërmarrja subsekuente në tërë produktin e tij janë marrë si konsiderata analoge në poezinë e Halitit. Temat me të cilat influencohet ajo, pra poezia e Halitit, janë konsiderata paralele me Geten, natyrshëm në funksion të disa tematikave që lidhen me motivimin e fuqisë, dhe kontekstet e besimit për të forcuar bindjen edhe tek asketicizmi aktiv në varg.
    Haliti, vargu i tij dhe asketicizmi poetik
    Faslli Haliti, padyshim është poeti që meriton respekt dhe vend të veçantë në poetikën shqiptare. Jo thjesht ‘fatit’ të tij dhe poezisë së tij të dënuar në një periudhë konvaleshence ideologjike, ku iu hoq e drejta e botimit, por për faktin se ai është vetë modeli që na dikton të kapim kohën në kohën e duhur, edhe kur për vetë kohë-poetikën e jetës asnjëherë nuk është vonë. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH-së. Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashri” të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhrin “Naim Frashri” i Artë. Është “Qytetar Nderi” i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut. Por, më parë se të bëj lëvizjen sqaruese të kësaj analize të poezisë së Halitit, dua të sqaroj disi që në fillim pse asketicizmi është i lidhur me poezinë e Halitit aq edhe me dualitetin ndjesor e perceptues me filozofinë poetike të Gëtes? Asketicizmi (nga greqishtja: ???????, ásk?sis ”, ‘ushtrimi’ ose ‘trajnimi’) përshkruan një mënyrë jetese të karakterizuar nga abstenimi i disa kënaqësive të ndryshme të kësaj bote, shpesh me qëllim të arsyetueshëm, e të diskutueshëm shpirtëror, në disa raste edhe fetar. Në poezi asketicizmi nuk është lidhje teorike me fetarizmin apo me besimin fetar, por një arsye që ndërlidh jo refuzimin e gëzimit të jetës, apo atë si një praktikim që ka si thelb një refuzim të saj, apo edhe për shkak se praktikat janë të virtytshme, por si një ndihmë në ndjekjen dhe përndjekjen shpirtërore të gjërave. Pra, asketicizmi i poetit Haliti dhe ai i poezisë së tij është dashuria, zemërgjerësia, çiltërsia dhe tërë dinamika njerëzore në funksion të talentit, ngritjes së tij dhe ndihmës ndaj tjetrit që mirëkap dhe tejçon me forcë fuqinë shpirtërore të vargut. Në disa raste kjo lidhje e këndvështruar mbi parimin e poezisë Getiane, ndodh të rreket në dimensione që kanë të bëjnë në thelb me përmbajtje të ngjizura me veprimet e trupit (gjuha e trupit), të folurit, dhe mendjen. Le të shohim si fillim poezinë e Halitit “Të dashurat e mia”. Poezia nis në kohën që ekzistenca e poetit shënon ‘sot’, shënon një ndajfolje kohore, tek e cila më pas lëvrin dhe vërtitet Homeri dhe leximi i tij. Janë pikërisht dy veprat madhore të Homerit (Iliada dhe Odisea) ato që mbushin mendjen e poetit me imazhe heronjsh. Deri këtu duket qartë se asketicizmi s’ka qasje të drejtpërdrejtë. Janë thjesht imazhe. Imazhe që krijohen si perceptim i leximit. Por, në thelb ato imazhe që krijohen tek leximi i autorit, por edhe tek vetë lexuesi i poetit, janë imazhe të lashta, të arta, janë imazhe që sjellin kultin njerëzor të trupit që fiksohet me mjeshtërinë peneluese të poetit duke filluar nga fytyra, gjoksi, dhe më tutje është ajo që përshpirt lidhjen mes gjakut të trojanëve dhe akejve. Sakaq vjen zjarri i Trojës që i përcëllon sytë dhe këtu lind Helena, pikërisht anatema me të cilën ne kuptojmë dashurinë, por edhe tradhtinë, me të cilën ne lidhim marrëveshjen e jetës dhe respektit, me të cilën ne sendërtojmë edhe metamorfozat e lidhura tek fjala ‘divorc’. Pra në këtë pikë është dimensioni i besimit, respekti njerëzor, edhe pse sfidon dhe sfidohet nga termi dhe funksioni semantik i dashurisë:
    “…Helena/Gati më divorcoi me gruan,/Penelopa ra në dashuri me mua…/Odise dinaku/Odise rivali/Më ngriti/Një kurth të drunjtë,
    Një kurth dinak kali,/Akili/Më thirri në duel,/(Më mori për Hektorin),
    Çirçja/Më kërkoi një puthje,/Kasandra me tha:Mos!”
    Këtu shihet qartë jo vetëm kuptimi i asketizmit në vargun poetik, por edhe lidhja me Geten, teksa dimë që Gete mësoi dhe shprehu tek Divani Perëndimoro-Lindor një kuptim fare të thjeshtë dhe më të drejtë të këtyre virtyteve në jetën e përditshme, jashtë kornizave të joorigjinalitetit dhe ngurtësisë. Le të vazhdojmë më tej me vetë poezinë e Halitit për të formësuar qartë deri në detaj arsyen logjike me të cilën konsiderata vjen mes faktit:
    “…Parashikoi kthimin tim në derr.
    Dhe unë s’e putha magjistricën
    I besova zonjushë Kasandrës menjëherë.
    Shpëtova…”

    Skënder Lazaj
    JEHONA E NJË SHPIRTI

    Jehona e klithmave rrëqethëse,
    përplaset honeve të thella
    shpirtit të saj
    dhe kamuflon gjithësinë
    me petkun e brymës së acartë’
    përngjan me vello nusërie
    e gjithçka në vend e ngrin!

    Sythat s’buisën më, si pranverën e kaluar
    ata kanë ftohtë…
    As zogjtë shtegtarë, s’u panë sivjet,
    si mund të fluturonin pa ajër…?!
    Ndonjë cicërimë harabeli me zërin tim dëgjohet tek-tuk!
    Retë’ janë të papërshkueshme prej rrezeve të diellit,
    trishtimi i ktheu në ajsbergë qiellorë.
    Shpresës dimërake i dëgjohet frymëmarrja e fundit
    mes rënkimesh…
    Vallë gjithë jetën do jemi kaq larg?!
    Dhe pyetjen e kapën ethet:
    Përse?
    Përse?
    Përse?!
    ÇEREKSHEKULLI I FUNDIT

    Në çerekshekullin e fundit,
    me shpresën qëndroni në pritje.
    Fytyrës së akullt
    rrokullisen lot të trishtë,
    si ortekë malli
    për bijtë’ shpërndarë, me dhe pa adresë.
    Mes klithmash tufani sjell cicërimat zëçjerrë
    dhe ti i thërret në emër një e nga një
    shpirtrat e tyre mbi e nën dhé
    dhe ata përgjigjen në një zë
    Nënë, Nënë, Nënë…

    GËZUAR DITËLINDJEN, NËNË!

    Nënë,
    altari ku lutem, ku rrëfehem, ku përgjunjem,
    Perëndeshë’ e përjetësisë, e vetmja në jetë;
    oqeani ku në mendime përhumbem,
    deti me mall, ku pret…

    E imja Nënë,
    loti yt shpirtin prek, zemrën ma mek,
    buzëqeshja jote më çon përmbi shtatë qiej!
    Thellë në mua ndiej një boshllëk, një hendek
    që kurrë s’mund t’më ngrohin as një mijë diej!

    Sot unë të uroja ditëlindjen,
    ti më përgjigjeshe: – Erdhe, bir?!
    Kjo ma shton edhe më tepër dhimbjen,
    shpirti im përshtjellohet, errësirë.

    Beqir Elshani

    DARDHAT E KALBËTA

    Një ditë shkova në bibliotekën e gjimnazit në Therandë, aty takova profesorin e gjeografisë me përvojë të madhe shkencore e pedagogjike dhe atdhetarin, Bajram Kurti, ndaj bibliotekari, Hysni Kabashi, na nderoi me kafe. Kishin kaluar dy-tri vjet që profesorin e gjeografisë për shkak të Demonstratave të Studentëve në vitin 1981 Komiteti Komunal e kishte larguar prej detyrës. Jo vetëm kaq, sepse profesor Kurti u jepte nota të larta nëse nxënësit dinin për pozitën gjeografike të Shqipërisë. Ishte një ndër profesorët e parë që aplikoi arsimin evropianoperëndimor, thoshte se mbi të gjitha duhet njohur mëmëdheun tënd – Shqipërinë. Si rrufeja u përhap lajmi se ish-kolegu i tyre Prof. Bajram Kurti gjendet në bibliotekë, ndaj disa arsimtarë hynë për ta përshëndetur. Pas pak hyn edhe një mësimdhënës i serbishtes, quhej Bora dhe ishte i moshuar, gjë që dukej i zbardhur në flokë. Profesor Kurti dhe arsimtarët e kuptuan qëllimin e serboçetnikut që hyri në bibliotekë, megjithatë përshëndetet edhe me këtë. Ndërkohë Bajrami e shfrytëzoi rastin duke “përgëzuar” kolonistin serb që puna po i ecën mbarë dhe vazhdoi duke ngritur duart:
    “Borooo!!! Unë dhe ti kemi dalë në treg për të shitur dardha. Unë po bërtas në treg: Bujrum dardha të mira!… Mirëpo myshterinjtë nuk vijnë te unë, krejt po vijnë te ti, edhe pse dardhat e tua janë të kalbëta”. Arsimtarët e pranishëm në bibliotekë po qeshnin me zë për tregimin ironik të Bajramit, për të cilën e dinin se fjala ishte për burgosjen dhe largimin e mësimdhënësve shqiptarë nga procesi mësimor. Arsimtari serb, Bora, dinte shqip, ai një kohë të gjatë ka dhënë serbisht në paralelet shqiptare: prej shkollës fillore deri në gjimnaz, ndaj së shpejti do të shkonte në pension. Kështu edhe ngjau, para se të thyente qafën në pension, flitej se ka plaçkitur eksponatet ilire në dollapin e gjimnazit, mu pranë zyrës së drejtorit dhe i ka dërguar në Muzeun e Beogradit. Prandaj doli fjala e Prof. Bajram Kurtit, i cili një vit më parë i tregoi se si çetnikëve serbë po u shiten dardhat e kalbëta – (kupto: politika).

    KU GJINDET KOMITETI KOMUNAL?

    – Ku gjendet Komiteti Komunal, zotëri? – pyeti një vizitor qytetarin vendës.
    – Komitetit vetëm minarja i mungon, …është një ndërtesë luksoze dhe mund ta gjeni shumë lehtë, – tha me ironi qytetari.
    – Unë për herë të parë vij në këtë qytet, – tregoi vizitori.
    – Ashtu, ë…! Shkoni drejtë, pastaj kthehuni në të majtë… kur të arrini te udhëkryqi i parë shkoni drejt dhe do të dilni në bulevardin e qytetit, pastaj kaloni skaj bibliotekës me xhama të thyer dhe do të dilni në krahun e djathtë të lumit. Kur të kaloni urën mbi lumë do të shihni një shtëpi të madhe me kopsht, aty mos hyni se është shtëpia e drejtorit gjeneral të kombinatit. Prej aty, hyni në rrugën e majtë dhe përballë do të keni objektin që kërkoni, – kështu i tregoi qytetari.
    – Duket se qenka larg, zotëri?! – ndërhyri vizitori.
    – Jo nuk është larg, me automobil mund të arrini për pesë minuta. Mos jeni ndonjë ministër, zotëri? – pyeti qytetari duke vështruar me habi.
    – Jo, jam bujk… Në atë ndërtesë do të hap fermën e pulave.
    – Po të dëgjojë kryetari i komitetit…, të shkon koka!
    – Atij, jo mua!… Sepse lidhja komuniste ka cofë, – tha vizitori.
    – Pasha kapuçin, kurrë nuk kam qenë brenda në komitet! Më mirë pulat të kakarisin se komiteti të na dredhë – tha qytetari duke u përshëndetur me shpendarin.
    *****************************

    Xhevahir Cirongu

    Rrënja e dashurisë

    Tinxare më vjen nëpër ëndërr
    Dhe mbrëmjeve më fshihesh diku,
    Në pasqyrën e saj u shfaqëm të dy
    Ti nuse veshur me lule të bardha
    Kurse unë trëndafilin e kuq ta lash mbi gji.

    Buzëqeshjet e tua nën hënën e qiellit
    Më thoshin fshehurazi fjalën të dua,
    Iu luta dritës së hënës atje mes yjesh
    Puthjet , ëmbëlsisht u derdhën tek ty, tek mua.

    Ti veshur nuse e unë dhëndër
    Mbi fustanin e bardhë zambaku çeli,
    Në çdo petal fjala dashuri shkruar
    Pastaj, lotgëzimi u derdhën mbi mua.

    Të dy kishim pritur gjatë nën dritën e hënës
    Egërsisë me shpirt i thamë : ’’S’të dua!’’,
    Zemrat që duhen, s’pyesin për gurë e furtunë
    Atje ngul rrënjën përjetësisht – dashuria.

    Kujtim i vjetër

    Në gjoksin eshtëror fshihet diçka
    Aty gjen gërma të arta fjalësh,
    Pas tyre pikojnë si vesë plotë kujtime
    Te lëmi i grunjtë me presje e pikash
    Nga egjri vitet ndajnë kujtime gëzimesh.

    Sënduku i vjetër kishte dhe një sirtar
    Pas kaq vitesh e hapa, aty gjeta një letër,
    E verdhë, e zbehtë letra, e vargu rënkonte
    Hapa letrën, ajo më rizgjoi kujtimin e vjetër
    Në letër te vargu, kujtimet e freskëta kishin mbetur.

    Klea Shkurti
    Arma ime më e fortë është fjala
    -ese-
    Doja të thosha që… Mu desh të shkruaja libër vet, që të kuptoja rëndësinë që kishin librat e tjerë, pasi nuk lexoja fare përveç shkrimeve të internetit dhe kjo më shndërroj të ndërtoj një fenomen dijesh, ku në mënyrën e programin ditor, shtohet tre orë një roman ,prej treqind faqesh, plus një paracetamol. Arma ime më e fortë është fjala, pasi e konsideroj kundrejt atyre që bisedoj dhe u jap shpjegime një “bakshish përrallor”..Urrej frazat e një shqiptari, kur në fill të një takimi, pyet: -ç’po bën? ,duke e ditur, që në atë moment, jam thjesht duke i dhënë përgjigje pyetjes retorike, që ti i nënshtrove, ka mbetur si një esence në fjalor ,pa harruar të them, se nuk nënvlerësoj llafollogjinë e një shqiptari, pasi ky shpirt, deri në vdekje, do të gërmëzoj shqip, duke përmendur që është një arsye e mos obligimit, marrje pjesë në një gjuhë frënge ,apo angleze, qoftë ajo. Jeta e një shkrimtari është shumë ndryshe, nga ajo e përditshmja e dikujt tjetër. Koha ikën shpejt dhe lodhja nuk ndihet masive, sepse shpirti mbushet pas frymëzimit me lumturi, ku dhe lotët, të bëjnë ngaherë të lumtur… Po,po më beso! Moto, nuk është më duaj që të të dua, sepse, nuk pres pa dhënë gjë,e aty ku shqipja mbet ngatërrestare,ku lexuesi, do ta bëjë të tillë, unë, përsëri flas shqipe të pastër, siç ka lindur dhe është ndërtuar vetë ajo,në kuptim të asaj, që nëse, nuk i di çmimin një gjëje që shet, e kotë që mundohesh të blesh. Dashuria është ndjenja më e bukur në botë dhe mos prit të dashurojnë, pa rënë ti në dashuri! Drita që del nga forca e vullnetit, ndriçon shpirtin tim,pa gjykime, por, plot sakrifica, për të arritur aty ku erdha,pa një hap galopant, por, shtruar përtej qetësi e aty ku dalloj njerëzit që në sy . Besimi në vetvete, ka mposhtur ç’do frikë në përballje dhe sundon me një dëshirë të lartë fitoreje dhe egoje, për të arritur aty ku dëshira deshte! Urrejtja gjatë njerëzve fals, bëhet dita- ditës edhe më e madhe,pasi, në shumë raste, nuk shfaqet vetvetja dhe duke pasur përballë një njeri më të dalë me jetën, negociojnë për të manipuluar intriga, të pathëna, e të padrejta, për t’u ndjerë njëlloj me ty.. Sikur ta kisha njohur veten më mirë, përpara, dhe fati, të më ecte me një rrjedhë më të furishme,detajet, do të krijonin absolutisht, krejtësinë e një jete të ëndërruar, kohe më parë. Kërkesa dhe dëshira e një jete gjithmonë në lëvizje, nuk titullohej improvizim, por, dëshirë e një manie suksesi! Ndoshta, pamundësia e një jete të lëvizshme, konsumohej përbri asaj monotonie të një qyteze,ndryshe titulluar nga të tjerët, fshat,me vendlindje dhe rritje ,ku veç fjalë pa bagazh dhe pak individë inteligjentë, shënonin fytyra të ndritura krenare,dua të të them, që jam e lodhur nga një jetë vrastare, e një popullsie të paktë, ku flasin pa të njohur dhe zilia kundërmon erë. Zhvendosja drejt Tiranës dhe shoqëria me bollëk, drejt saj, favorizuar tipit dhe shpirtit të gjerë, përcolli fatin dhe ato që ndoshta ishte e shkruar.. Sikur ta dinim, ç’kishim të shkruar për nesër… Nejse, kjo është më e pakta që mund të bëj për veten ,por, edhe hapi më i madh deri më sot. Pres shumë nga vetja, por, edhe kërkoj shumë nga jeta! Impresionuar ndofta nga njerëzit,nuk u tendosa kurrë dhe ajo ambicie, më shtyu të tejkaloj moshën,pasi pakicë tetëmbëdhjetë vjeçarësh shkruajnë.. Por, çfarë është më e rëndësishme në jetë?? Të jetosh, apo të bësh sikur ke jetuar? Sikurse, në kohën e tanishme, selfi përbën më tepër figurë sesa piktura, kur bën sikur po kalon bukur, por, faktikisht shkon në një vend për dhjetë minuta, për një copë foto, kur të pyesin si je dhe pa pyetur zemrën, pohon se dukesh mirë. Jeta është plot sfida,të jep tepër alternative, por, mos vepro pa ditur ti zgjidhësh kuptimin e arsyen e ekzistencës të vetë fjalës!Megjithëse, qenia njerëzore mund të durojë, një javë pa ujë, ca ditë më shumë pa bukë ,disa vjet pa çati, por, nuk arrin të përballoj dot vetminë, duke pasur frikë ndaj saj!Nga jeta, nuk kërkoj vetëm një gjë dhe bëj pauze,duke ditur që ka shumë gjëra të bukura, që ndjek në zbulim e sipër,ashtu sikurse dhe e zeza, në çdo kohë mbetej klasike, por, provova të gjitha ngjyrat e tjera .. I druhem vdekjes,kam aq frikë prej saj, ndoshta, se bien të dyja në kundërshtim me jetën, të bukurën dhe dëshirën për të qene ekzistente, drejt motiveve që janë hasur me synimet madhore. Ndonjëherë edhe pse thonë, që heshtja flet më shumë se fjalët,kur i vjen radha debatit e konfliktit dy palësh ,unë prapë nuk qëndroj dot, në atë vetmi. Dua që ulërimat dhe asgjë tjetër, që nuhas drejt shpirtit, mos i mbaj të kyçur brenda, derisa të shterojnë në plagë të therrshme, por, të jetë drejt një shpërthimi vullkanik, që thyen jo shkëmbinj, por, zemra njerëzish dinjitozë, me vlera ,sepse, jo të gjithë, ti ofron Zoti rreth teje. Është dikush që ka shansin, mundësia ti ofrohet më tepër, sesa ,atë qe e rrethojnë,për këtë nuk pyetem unë.. Në kokë mund të hasen pikëpyetje, por, vërehet sa herë rreh e madhja zemër, kur ti prek ,shkruan, apo kalon ,mua apo cilëndo femër.. Jetën, nuk e kërkoj të ecë vaj, sepse edhe e keqja apo e shëmtuara, nuk ka faj,por s’ka më mirë ,kur mbështet kokën tek to!…

    Krisa Ruli
    Uiliam Blleik 1757-1827 (William Blake)

    Përktheu nga origjinali: Krisa Ruli
    Poet, skalitës, piktor anglez, me frymëzim romantik, ishte autor i teksteve të reja dhe vizionare dhe i poezive mistike-simbolike që i ilustroi, ai vetë: Këngët e pafajësisë (1789), Martesa e Parajsës dhe Ferrit (1790), Këngët e përvojës (1794) . Ilustroi, gjithashtu, Biblën, veprat e Miltonit dhe të Jungut dhe Komedinë hyjnore të Dantes. Blleik ishte piktor dhe poet: si poet i lidhur me zbulimin e Homerit, të Biblës, Dantes, Miltonit, në të cilët, ai shihte si bartësit e mesazheve hyjnore.
    Për Blleikun nuk ekzistojnë më “artet” (pikturë, skulpturë, etj). Por “” Arti”, veprimtaria e pastër shpirtërore e cila mënjanohet nga materia: gjithë vepra e Blleikut përbëhet nga vizatime me stilolaps, akuarele me ngjyra të lehta dhe transparente. Arti në mendimin e tij, është njohuri intuitive, tashmë jo i gjërave të veçanta, por i forcave individuale dhe mbinjerëzore të krijimit.
    Buzëqeshja
    Ka Buzëqeshje Dashurie,
    dhe Buzëqeshje Gënjeshtre,
    ka Buzëqeshje Buzëqeshjesh
    ku takohen dy Buzëqeshjet .

    Dhe ka Shikim Urrejtjeje,
    dhe ka Shikim Përbuzjeje,
    ka një Shikim të Shikimeve,
    që ju përpiqeni më kot ta harroni;

    Sepse ajo mbillet në thellësi të Zemrës,
    dhe mbillet në thellësi të Shpinës,
    asnjë Buzëqeshje që s’qe Buzëqeshje,
    por vetëm Buzëqeshje

    që midis Djepit edhe Varrit
    mund të Buzëqeshet vetëm një herë,
    por, kur është Buzëqeshje një herë,
    ka një fund i gjithë Ankthi.

    Një Imazh Hyjnor
    Mizoria ka Zemër Njerëzore
    Fytyrë Njerëzore ka Xhelozia,
    Formë Njerëzore Hyjnore, ka Llahtaria
    Veshje Njerëzore ka Fshehtësia
    Veshja Njerëzore, Hekur i farkëtuar
    Forma Njerëzore, Farkë inkandeshente,
    Fytyra Njerëzore, Furrë e bllokuar
    Zemra Njerëzore Gryka e pangopur.

    Imazhi hyjnor

    Hir, Dashuri, Paqe e Mëshirë
    Ai që është në ankth lutet,
    Dhe për këto virtyte që çlirojnë
    Kthehet mirënjohës shpirti.

    Hir, Dashuri, Paqe e Mëshirë
    Është Zoti, Ati i dashur,
    Hir, Dashuri, Paqe dhe Mëshirë
    Është njeriu, fëmija i tij dhe mendimi i tij.

    Hiri ka zemër njerëzore;
    Fytyrë njeriu, Mëshira;
    Formë humane hyjnore, Dashuria,
    Dhe rroba njerëzore, Paqja.

    Çdo njeri i çdo klime,
    Nëse falet në ankthin e tij,
    Kërkon formën njerëzore të hyjnores,
    Dashuri dhe Falje dhe Mëshirë dhe Paqe.

    Qoftë e dashur nga të gjithë forma njerëzore,
    U tregoftë në turq e në hebrenj;
    Aty ku gjen Mëshirë, Dashuri dhe Falje
    Aty e ka shtëpinë Perëndia

    Përjetësi

    Kush lidh pas vetes një Gëzim,
    Shkatërron jetën me krah,
    Por kush puth Gëzimin në fluturim
    Jeton në agimin e Përjetësisë pa pra.

    Urimet e Pafajësisë

    Të shohësh në grimcën e rërës Botën,
    Të shohësh qiellin në një lule të egër,
    Të mbash Përjetësinë dhe Pafundësinë
    Në pëllëmbë të dorës.

    Mos kërko kurrë t’ia thuash të dashurës sate …

    Mos kërko t’ia tregosh kurrë të dashurës
    dashurinë që s’mund të tregohet kurrë;
    sepse era lëviz me fisnikëri, e heshtur,
    e padukshme.

    I tregova sē dashurës, sē dashurës sime i tregova,
    I hapa zemrën krejt;
    drithëruese, e ftohtë, me frikë të tmerrshme,
    ah, ajo iku, u zhduk.

    Por pa ikur, pa u zhdukur ende mirë nga unë
    kaloi rastësisht një i huaj
    i padukshëm, i heshtur,
    ah, ajo, s’e refuzoi.

    KËNGA E NJË BARIU
    Mirë se erdhe, o i huaj, në këto vende
    ku gëzimi pushon mbi çdo degë
    dhe zbehtësia ikën nga çdo fytyrë;
    atë që s’e mbjellim, s’e korrim.

    Si trëndafili çel Pafajësia
    Në çdo xigomatikë të vajzave;
    nderi mbi qerpikët e tyre dridhet,
    shëndeti si brilant
    u stolis qafat atyre.

    *************************************
    Artan Ballgjini

    Kam parë një flamur

    Kam parë një flamur duke qarë.
    Gjysmë të grisur,gjysmë të palarë.
    Qëndronte aty në gjysmështizë.
    Nderonte heronjtë që e bënë pis .

    Kam parë një flamur ngritur diku.
    Që valëvitej pareshtur gjysmëkuturu.
    Që vendbanim kishte një anije piratësh
    Në vend të shqiponjës kishte një bishë.

    Kam parë një flamur si banderolë.
    Shkruar me premtime bosh
    Orvatej të fluturonte diku lartë.
    Në një gjysmëqiell,ne një gjysmësahara.

    Kam parë një flamurë që kërkonte një atdhe..

    Gri
    Për pak kohë mos të flasim.
    Më vonë,nesër s’di deri kur.
    Si dy të panjohur mallit do endemi.
    S’di do t’i themi njëri-tjetrit hyrë.

    Për pak kohë të mos shihemi.
    Derisa nga sytë t’na largohet kjo furtunë.
    Dikur dimrit me puthje zemrat ngrohnim.
    Tani hiri aty shtrihet pafund.

    Për pak kohë t’i shmangemi heshtjes.
    Të gjitha keqkuptimet lindin aty.
    Dhe po të kërkojmë në atë format gabimesh.
    Do themi,s’është gabimi im është gabimi yt.

    Për pak kohë mos të duhemi.
    Të bëjmë sikur harrohemi nga pak.
    Ndoshta diku ku të shihemi.
    Do të ndezim sërishmi atë mall.
    Tani po hesht

    Tani po hesht, po hesht edhe unë.
    Dhe fjalët po i përtyp ngadalë.
    Besomë asnjë dhimbje s’vret më shumë.
    Kur malli mbetet pa fjalë.

    Tani po qaj, po qaj edhe unë.
    I strukur brenda vetmisë,
    Ti ndoshta ke një arsye më shumë.
    Të më kryqëzosh me urrejtje pafundësisht.

    Tani po iki,po iki edhe unë.
    E gjithë jeta ime është një braktisje.
    Besomë asgjë s’vret më shumë.
    Sesa te bësh të flasë një heshtje.

    Letër e padërguar

    Mikja ime përshëndetje.
    U bë kohë që s’të kam shkruar.
    Ndoshta gjatë ke pritur në heshtje.
    Dhimbjen time se ke harruar.

    Unë vazhdoj të flas me natën.
    Time lotët flet e di.
    Brenda mallit kërkoj gjatë.
    Ndoshta aty gjë gabimin tim.

    Unë vazhdoj të flas me natën.
    Dhe lexoj lotët e tu.
    Fjalë dashuri janë lotët
    Ah kjo letër më mbeti këtu.

    E përpiktë

    Në zbrazësinë e heshtjes time.
    Ti erdhe,erdhe përsëri.
    Në të njëjtën stinë vjeshte.
    Në të njëjtën ditë dhe orë për çudi.

    Dhe hapat ishin po te njëjtë
    E njëjte ishte dhe buzëqeshja.
    Unë ulur aty në park
    Luaja me një gjethe te rene nga pema.

    Nuk fola unë,as ti nuk fole.
    Veç sytë diçka donin te thoshin
    Dhe te dy ashtu ne çast.
    Me puthje thamë atë,qe fjalët s’thoshin.

    Pastaj u tregove prapë e përpiktë.
    Dhe ike tek po afrohej nata.
    Unë ulur aty në park.
    Luaja me gjethet e rënë nga pema.

    PREND UKAJ

    TESTAMENTI IM

    Testamenti im
    Fletë e bardhë.
    Djemve të mi

    Çka t`u marr.
    Çka t`u lë.
    Pos një emër…

    PLAGA MË DJEG
    Plaga më djeg
    Në shpirt.
    Kush jam për ty
    Pavarësisht…
    Në qiell të mrrolët
    Vetëmohohem.
    Shkrumbin ndjej
    Si më përzhit.

    Në re të kthjellët
    Vret një kokërr rrufe,
    Gështenjë e vjetër,

    Pirat i vobektë
    Me dorë pa grep,
    Sall peshq të mbytun..

    në mos sapo qave
    Më nëmi nëna një herë
    S`pat çka të më ushqejë..

    NUK MË TROKITE
    Erdhe
    Derës nuk më trokite.
    Më le
    Në gjethe dushku.
    Ike.
    Me kaq
    Gjithçka,a thua
    Mori fund.
    Gjethe e tharë
    Në herbarium.
    +++
    Palcakun e qafës
    ta ka thye me aq afsh
    Epshit të ndeshjes.
    ++
    gjalloj në kohë
    Rrepinash,mes honesh
    Fole gjarpërinjsh

    Cili kësaj bote
    Që e pat falë zoti
    I bije pre tundimesh…

    SUZANA BOGDANI ALIMANI
    ERDHI ORA
    Erdhi ora
    të rri larg teje besnike,
    sepse,
    shpirti i keq
    që nuk pushon,
    që nuk fle,
    nuk dremit.
    frikë ka..
    miqësitë lidhur në dhimbje,
    dashuritë që fitojnë betejat.
    Erdhi ora
    ta vëmë nën tokë
    gjithçka që ujitëm-mëkuam,
    edhe lulet e paçelura.
    Nga frika e syrit të keq…
    Ora erdhi,
    të shpresojmë në Zot
    jo për atë që humbëm
    por për atë që kemi fituar,
    duke shpresuar që thesari ynë
    prej gjethesh, erëra, lot
    të mos zbulohet nga njerëzia.
    Oh, besnikja ime,
    në ç’ orë kemi lindur,
    për të jetuar larg dhe mbuluar?!
    Nën vello,
    dëshirojmë vështrimin e dëlirë
    që thotë:
    Të dua të mirën,
    më do edhe ti.

    KUJDESTARËT

    Aromë familjeje
    historitë e tij
    të luftës,
    në sponde të ndryshme
    ti-e okupuar,
    ai-pushtues.
    Pleqëria e tij
    të prek zemrën.
    Duke dëgjuar
    jeton rinitë e vjedhura
    e tija-nga lufta,
    jotja-nga emigracioni.
    Aromë familjeje;
    një faqe muri e pronësuar
    mbushur me fotografi;
    e tija-tokë e djegur,
    jotja-fëmijë të larguar.
    Me pensionin e luftës
    mund “të ketë” ty,
    kujdesin, përkëdheljet e tua.
    Te kujdesesh për të
    nuk të garanton pension.
    Parfum familjeje,
    net të pagjumë;
    ti rri zgjuar për të
    Zoti mbi të tutë.
    BREZIT TIM…EMIGRANT

    Më kujtohet si lëbyreshim dikur
    në pellgje ëndrrash
    si tani,
    në ulluqe kujtimesh.
    Jemi të njëjtët NE
    me ëndrrën,
    të njëjtët NE
    që para se të ndaheshim
    diçka për të nesërmen
    linim pa thënë.
    NE
    që para se të flinim
    ëndrrën e së nesërmes
    dikujt, si kujtim,
    ia kishim dhënë.
    Jemi të njëjtët NE,
    që postave bridhnim për një pullë
    (NE, koleksionistët e ardhshëm
    60-vjeçar)
    Jemi NE,
    që lëbyreshim
    në ëndrra varfanjake
    të qeshur,
    që dashuritë përherë ju quajtën
    herezi
    frymëmarrja e frymënxjerrja
    marrëzi.
    Brezit tim varfanjak,
    që det,qiej,kufij
    i theu për lirinë.
    Brezit tim,
    të damkosur për jetë
    Emigrantë….

    PJELLË KURBETI

    Ma ndolli shpirti….
    kësaj here ish’ ndryshe.
    Me mllef përplase portën
    e çelësat nuk i fshehe nën vazon me begonjë.
    E irrituar dritaren gozhdove,
    mëngjesi mos hyjë dhe drita e re.
    Më tërhoqe zvarrë si shkakun e dhimbjes,
    “Ndërrojmë jetë”- më the.
    Ma ndolli shpirti,
    në atë portë, më s’do të prisja
    trokitjen e një miku
    dhe hapat e zharguar të babait.
    Kopshti ku luaj
    s’do quhet më kopshti Jon
    por pak të intereson historia e kopshtit
    nga dhimbja jote, të dalësh kërkon.
    Çdo gjë ka emër tjetër
    të padëgjuar dhe për ty,
    kthimi mbrapa s’ekziston,
    jemi “të huaj” që të dy…
    Begonja i shtriu rrënjët,
    por çelësa nuk gjeti,
    si unë, prag, udhëve të botës
    si unë, pjellë kurbeti.

    Milazim F. KADRIU

    MOLLA E KUQE

    Mollën e kuqe
    Ta ha ma ndaluan
    Në trupin e sajë
    U vendos gjarpri helmues.

    Erdhi nga Karpatet
    Dhe çdo gjë e helmoi
    Nuk më la vend
    Në truallin e të parëve të jetoi.

    Por nuk u ngop me aq
    Ai gjarpër helmues
    Me shekuj më ndoqi pas
    Deshi që të më shuajë.

    Sado që vuajta
    Unë prapë ekzistojë
    Gjithnjë më i fortë jam
    E Mollën e kuqe se harroi.

    NJËMIJË E NËNDË QIND E….
    Luftë, furtunë, tmerr e gjak…
    Acar e stuhi
    Qëndresë e krenari.

    Ngadhënjimi mbi armikun shekullor
    Dëshmorët tanë lisa të pa rrëzuar
    Emri i tyre gjerdan i praruar.

    IU PËRGJIGJA THIRRJES SË ATDHEUT

    Iu përgjigja thirrjes së atdheut
    Se ishte thirrje e zërit të nënës
    Iu përgjigja thirrjes së atdheut
    Se ishte urdhër i fjalës së babës
    Iu përgjigja thirrjes së atdheut
    Se ishte kujtim i gjyshit plak.

    Iu përgjigja thirrjes së atdheut
    Se më kujtoi tregimet e gjyshes plakë
    Iu përgjigja thirrjes së atdheut
    Se mu kujtua vuajtjet e të parëve tonë
    Iu përgjigja thirrjes së atdheut
    Se ky vend më s’mundi të duroi.
    ***********************************************************
    Mimoza Çekiçi Rista

    NATË
    Kësaj errësirës idhnake,
    i mungon hëna dhe yjet,
    Liqeni turfullon
    dhe dallga bregut përplaset.
    Si të shkarkojë mllefin e mbledhur ditë-udhës
    Përzierë me blirët e akaciet.
    Në faqen e gjolit vetëm peshqit frymojnë,
    Varkat të parkuara ngarkuar me rrjeta
    . Flenë dhe lopatat, guzat dhe shqipkat,
    Luajnë melodi të Çajkovskit me mjellmat.

    NOKTURN
    Le t’ia vjedhim magjinë mbrëmjes i dashur,
    Të çikim buzët të pimë me dolli.
    Si kulpër do të lidhemi këmbë e duar,
    Sepse dhe burgu mund të jetë liri.
    Mos u çudit me bëmat e mija çapkëne,
    Dije, je i burgosuri im këtë natë të gjatë.
    Kjo hënë e shkruar ngjyer me bojë këne
    Na bën të thurim përrallën tonë të artë.

    ΜAGJI QIELLORE
    Yje sa shumë yje po ndrijnë këtë mbrëmje
    Secili prej tyre ka fytyrën tënde.
    Mbeta e pa gjumë duke i soditur
    Qielli asnjëherë s’ka qenë kaq i ndritur.
    Zëra misterioze më shtynë të guxoj
    disave t’ju çoj puthje, ca t’i përqafoj.
    Një libër dëshirash ua nxora nga gjiri
    dhe ata më veshën një fustan floriri .
    Por asnjë s’guxova që ta prek me duar
    Kisha frikë mos prishej magji e krijuar.
    Atë natë magjie e sjell nëpër mëndje
    Qielli kishte veshur yllësin tënde.

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.