Suplementi “Pena Shqiptare” datë 21 shtator 2015

    582
    Sigal

    Mikhail Lermontov

    Mikhail Yurevich Lermontov është një nga shkrimtarët rus që mbetet i pavdekshëm në historinë e letërsisë ruse dhe atë botërore. Lindi në Moskë në 1814 në një familje fisnike. Në krijmtarinë e tij, ai pati shumë ndikim nga vepra e Pushkinit dhe Bajronit, sidomos në fushën e poezisë. Ashtu si dhe Pushkini, Lermontovi ra viktime e një dueli të provokuar me qëllim. Kështu, ne 1841, në moshën 27 vjeç, u ndërpre nga jeta dhe krijimtaria një artist i madh.
    Ndërmjet veprave të tij të përkthyera në shqip janë romani “Një hero i kohës sonë” si dhe poema “Demoni”. Për këtë poemë ai punoi 12 vjet. E filloi që kur ishte në kolegj dhe e ripunoi deri pak përpara se të vritej. Në fillim ai mendoi ta shkruajë poemën mbi Demonin, i cili dashurohet pas murgeshës së bukur dhe “ajo më në fund e dashuron”. Demoni e vret atë, nga cmira dhe nga urrejtja për ëngjellin e saj. Në versionin përfundimtar, murgesha imagjinare u kthye në bukuroshen Tamara – bijën e princit plak Gudal. U ndërrua subjekti i poemës, rivali i Demonit u bë i fejuari i Tamarës – “Sunduesi i Sinodalit”. Ai e mbaroi poemën në 8 Shtator 1838. Por poema pa dritën e publikimit vetëm pas vdekjes së autorit dhe u publikua në vitin 1856.
    Megjithëse nuk jetoi gjatë, Lermontov la mbrapa krijime që frymëzuan dhe artistë të tjerë. Në poemën e tij “Demoni” u mbeshtet Rubinshtejni, i cili krijoi operën me të njëjtin titull. Vrubel i mishëroi vargjet e Lermontovit në një nga pikturat e tij, ku në sfondin e horizonteve të kuqërremtë del fytyra e stërmadhe e Demonit. Tolstoi e quante “farën” e veprës së tij “Lufta dhe paqja”.
    Përmbledhja e pjesës me pak fjalë është që Demoni pa një vajzë të bukur (Tamarën) dhe për herë të parë ra në dashuri. Ditën e dasmës së Tamarës me princin, ky i fundit ra në pritë dhe vritet. Nga mërzitja Tamara vendos të futet murgeshë, por përsëri ajo nuk gjen qetësi dhe herë pas here i shfaqet imazhi i princit. Në një nga këto netë asaj i shfaqet Demoni që i shpreh ndjenjat e tij.

    ******************

    Martin Camaj
    Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik1927 (Mynih, 12 mars 1992) në vendin e quajtur Telumë. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ama ishte nga Prekali, lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2[0] korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

    Mbramja ashtë larg
    Mbramja ashtë larg
    e ti je atje mbi kodër të blerueme
    ku gurzit që bashin zhurmë
    i përpiu dheu.
    Ti je atje me të bijën e heshtjes
    e me shoqe tjera e mendon për mue.
    Unë jam në detin e tingujve
    e ndër gjujt e mij ndieva
    peshen e tramit tue u ndalue me turr.
    Mandej i lëshova vendin një të vjetri
    e mes tallazit të krahve thashë:
    mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
    Heshtja prek qiellin me dorë
    E ti atje mbi kodër të blerueme
    njeh gjurmët e diellit npër qiell.
    Lule
    Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
    Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
    Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
    Kur andej gardhit fluturojnë
    Shëgjetat e akullit.
    Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
    Se dy shpata tu për tu
    Me teha përjashta
    Ideja e sosjes, Lule,
    kur je ti pranë ik si shpend i egër
    andej kah vjen terri.

    Drekë Malsore
    Sot ashtë marrë një gjak.
    Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
    Sot ashtë marrë një gjak.
    Nën tunin e spatës
    Pëlset rrashta e kaut te prroni.
    (Drekë të mëdha po bahen sot!)
    Sot ashtë marrë një gjak.
    Gjama e burrave tërbueshëm
    Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
    E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
    Ndë tryeza, jashtë
    Natë. Në vorrezat mbi kodër
    Tokë e re, hanë e re.
    Ujqit janë ulë prej malesh
    E pijnë gjak në përrue.

    Fill i Gjetun
    Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
    qyteti në terr deri n’agim.
    Amvisat kërkuen llampat vojguri
    e s’i gjetën në terr.
    Në nadje ra dielli e zbeu
    faqet e rrokaqiellëve.
    Në nadje vrejta rrethin e andrrave
    në truell
    e gjeta fillin e tretun
    në pikën e ndaljes së dritës.

    Aty si tash para se me ardhë Fiset
    Aty si tash para se me ardhë fiset
    Ishe
    Me tambël në plasaritjen e currave
    e me themele në ujin e njelmë.
    Të dhanë vetëm një emën: Shkodra.
    E të thirrën qytet me kunora
    E të hodhën përkrye gur e hekurat e para.
    U zgjove e përgjakun sa herë
    E u kqyre në pasqyrën tande.
    Me emën grueje u lave ndër ujna
    T’lumenjve dhe ndeje me petka të reja
    Në shkamb
    E ndritun ballë diellit mbi fusha.

    SEJMEN GJOKOLI

    1. ANËS DETIT, NË HIMARË

    Anës detit, në Himarë
    Hapet vallja, valë – valë.

    Piluriotët zënë në valle
    Filiza, të vegjël fare.

    Porsi pëllumba të bardhë
    Fustanella, palë – palë.

    U ka hije, këng’ e grykës
    Nipërve të Lefter Çipës

    Bregdeti me Labëri
    Hedhin valle, në sini…

    2. MORE BURRË I BARDHË…

    poetit Agim Shehu

    More burrë i bardhë,
    Ku më ke qëndruar,
    Me bor’ Këndrevice,
    I tëri mbuluar.

    Vallë qysh duron,
    Për malet e tua,
    Për zogj e bilbila,
    Krojet, në radhua.

    More burr’ i penës,
    Lar’ me ujë bore,
    Për vendet e serta,
    Vallë si durove.

    Për vale, për lugje,
    Për majat në re,
    Çaj e trëndelinë,
    Lule, menekshe.

    More burrë i sertē,
    Që nuk qase hie,
    Dhe pse kishe gjunjë,
    Në gjunjë nuk bije.

    More burrë i vargut,
    Derdhur në lirika,
    Stolisur me rima,
    Mbushur me metrika.

    Me diell mëngjezi,
    Fllade Labërie,
    Një jetë këndove,
    Këngë Shqipërie.

    Prap s’të pushon pena,
    Dhe pse shkojnë mote,
    Buzëve muzikë,
    Metafora Jote.

    3. GJIROKASTËR…

    Mbushur shtati me bedenë
    Kudo rënë bukuria
    Nëpër udhët me kalldrëme
    Të rri hapur, historia.

    Udhët me dritë të lara
    Qylim shtruar me kalldrëme
    Obelisku në kodrinë
    Përcjell historinë tënde.

    Sofër burrash që luftuan
    Nëpër kohë, me pushkë e penë
    Nëpër vite zemër zjarrtë
    Punuan për mëmëdhenë.

    Në Kala, ashtu, mbështetur
    Shtrirë krahët faqe mali
    Kush të pa e se mahnite
    Kë nuk zhurite nga malli…

    4. BUZË KËNGËVE

    Nëpër këngë shpesh kam ecur,
    Që nga jugu, në veri,
    Tinguj cule, isua valë,
    Përzier me çifteli.

    Labërishtja rrjedh e shtruar,
    Çiftelia nëpër tela,
    Një me tirqe e xhubleta,
    Tjetra zbardh nga fustanella…

    Vendi im buronjë kënge,
    Me të bukurat visare,
    Kush tek to e vuri buzën,
    Dhe prej tyre s’u deh fare.

    Vjollca Koni

    Nënë të ngrejmë dolli

    Nuk di ku iku gjysëm shekulli?
    E kërkoj e se gjej dot!
    Veç thinjat përzier me flokët,
    Mbi fytyrë ndonjë rrudhë e fort!

    Isha në largësi nënë,
    Ti mënd e mban
    Kur më solle në jetë,
    Si një lule të bardhë.

    Më uro çfarë zemra ty të thotë,
    Veç mos më thuaj ku je?
    Se më rrjedhin lot!

    Nuk i trëmbem kohës,
    Që mua më plak,
    Për ditët e tua që ikin,
    Zemra m’kullon gjak.

    Të dua o nënë,
    Deri në pafundësi.
    Botën e “vogël” nuk do njihja,
    Sikur mos të ishe Ti!

    Pra do ngrejmë dolli nënë,
    Ta mbushi një gotë?
    Unë po e pi përzier timen
    Me ca pika lot!

    Dua të jetoj me ju

    Sa dua të jetoj midis jush
    Veshur me fustanellë të bardhë
    Të dëgjoj blegërimën e shqerrave
    Të shoh sythet kur çelin në maj

    Dua të jetoj larg asfaltit
    Nga smogu ku thith çdo ditë
    Larg benzit e limuzinës
    Nga sfilatat ku shoh lakuriqësinë.

    Të mbledh rigon e tërfil
    T’më flladiti flokët era trëndelinë
    Të degjoj melodine e fyellit
    Aromën e pishave perzier ne dafinë.

    Unë dhe ti

    Nën një pjesë qielli ndodhem unë
    E nën një pjesë tjetër ndodhesh ti,
    Më thonë atje po shkëlqen dielli
    E këtu tek mua gjithçka është gri e shi.

    Tek-tuk shoh çifte trumcakësh
    Mbi degë pemësh presin të vijnë andej,
    Më dergo të lutem veç një rreze dielli
    Disa pika shiu të dashuruar po të përcjell.

    Si perri do te vij

    Si perri do të vij një ditë drejt teje
    Apo si hirushja në pėrrallë,,
    Do lë buzëqeshjen si Relikë
    Ta kujtosh nëse ke mall.
    Do të shfaqem ëndërr e çmendur
    Si xixëllonjë natën me hënë
    Si doruntinë hipur mbi kalë
    Aromë trëndafili do të fal.

    HARALLAMB KOTA
    IM ATÉ

    Më kujtohet im atë
    Me ballin e gjerë, me flokë të thinjur,
    Me sytë si xixa, si thëngjij në vatër,
    Me trup të mpakur, ende me gjallëri.

    Unë isha i ri dhe shkoja në shkollë,
    Ai vinte në shtëpi,me qëndronte pranë,
    Në heshtje më kundronte kur studioja,
    Pika loti i binin kishte shumë mall.

    Qëkur isha i vogël, në klasë të parë,
    Më mirte për dore, sikur të isha i madh,
    Të kam quajtur me emrin e babait tim,
    Më thoshte dhe unë ndjeja shumë mall.

    Jorgji, kështu quhej im atë,
    Lindi në 1909, në lagjen Goricë, në Berat,
    Ndërsa Llambi, babai i tij,
    Lindi në 1878 në Partha, në Kala.

    Shumë histori më tregonte,
    Legjenda, gojëdhëna dhe të thëna,
    Për pellazgët, ilirët dhe Arbërinë,
    Për Parthën, Tomorin dhe Shpirag.

    Im atë, thoshte për babanë e tij,
    Ka qenë në Aleksandri, në Egjipt,
    Ishte tregtar dhe kishte flori,
    Kishte dyqane, në Korçë dhe Berat

    Kur i vdiq e shoqja, Elena-mëma ime,
    Më mirte përdore dhe më thoshte:
    E shikon atë kala atje lart,
    Nga andej është origjina jon.

    Në ditët e ftohta dimërore,
    Kur ndizej zjarri për mrekulli,
    Mindereve të kuzhinës ne rraseshim,
    Ambienti ngrohej nga bisedat e tij.

    Të mëdhenjtë bashkëbisedonin,
    Ne të vegjlit të kotur dëgjonim,
    Dikur mirte mandolinën dhe këndonte,
    Tashmë me zë të ulët, kuvendonte.

    Të parët e tij kishin qenë patriotë,
    Antiosmanë dhe të përndjekur,
    Tashmë i rrethuar me fëmijët e tij,
    Ngryste ditët dhe gdhinte netët.

    Më kujtohet im atë,
    Ishte një Beratas i vjetër,
    Pellazg kemi qenë, më thoshte ai,
    Shqiptar jemi sot, ja ktheja unë.

    Më kujtohet im atë,
    I lodhur i kërrusur,
    Erdhi në jetë plot vrull,
    Iku i heshtur ………..

    NÉNA IME

    Mamaja është vet shtëpia,
    Ajo gatuan bukën në magje,
    Ajo ndez zjarrin dhe ngroh shtëpinë.

    Erdhi në Tiranë nga Gjirokastra,
    Mori me vete zakonet e atij qyteti,
    Diturinë, pastërtinë dhe nikoqirllëkun.

    Lika, kështu quhej nëna ime,
    Për mos e përzier me lëngra gjuhën shqipe,
    Nuk e foli kurrë greqishten.

    Në Tiranë lindi tetë herë,
    I dha familjes katër vajza,
    I dha Kotave katër djem.

    Lika, ishte shumë e heshtur,
    E mbaj mend në kujtesë,
    Me gëzime dhe me derte.

    Djali, i thoshin për mua,
    Është me trup pak i shkurtër,
    Por i hijshëm dhe i pashëm.

    I ngjan gjyshit dhe të atit,
    Është nga xhinsi i Beratit,
    Qytetërim 2500 vjeçar.

    E kujtoj nënë Likën,
    Si një film jeta e saj,
    Lindi në Gjirokastër,
    U shua në Tiranë.

    AKSIONISTÉT

    Pas provimeve të shkollës,
    Shkonim në aksion,
    Të ndërtonim udhë të hekurta,
    Të ndërtonim vendin tonë.

    Ishim të rinj, ishim studentë,
    Punonim, bënim garë,
    Për çështje letërsie,
    Debatonim ditë e natë.

    Debatonim gjatë e gjatë,
    Na lodhej goja nga diskutimi,
    Sytë, shtegtonin diku larg,
    Mëndja, fjalës i jepte kuptimin.

    Kush mendoni, se është më i madh,
    Dritëro Agolli apo Ismaili ?.
    Kjo ishte pyetja që bëhej,
    Kaq duhej të fillonte diskutimi.

    Palët ndaheshin të ndezur,
    Shigjetonin njeri tjetrin,
    Me politik e lidhnin fillin,
    Harronin, që ata, veç poet ishin.

    Kur më erdhi radha të flisja,
    Me kokën lart u shpreha,
    Do të them mendimin tim,
    Për poetët dhe poezinë.

    Për mua, Dritëroi është muza,
    Që i këndon aq bukur Shqipërisë,
    Në poezitë e tij, ndjen popullin,
    Ndjen gëzim dhe hidhërim.

    Por Ismaili është Kadare,
    Është biri i Homerit,
    Më përngjan me Naimin,
    Më duket si Migjeni.

    Kjo është fjala ime .., supet ngrita,
    Palët ulën armët .., të qetë u larguan,
    Histori aksionistësh.., tha dikush,
    Histori Studentësh…, ja preu një tjetër.

    *****************************************

    Genc Llakaj

    PA TY, ZOGJTË KEQ KËNDOJNË

    Ndërsa ti ikën për pak ditë,
    koha po rrjedh më ngadalë,
    rifutem në monotonin e hirtë
    aty, mes zhurmës së përdalë

    Pa ty, çdo gjë më duket pa sens
    dhe vera e kuqe s’më shijon,
    bezdi dhe zgjimi në mëngjes
    madje dhe zogjtë keq këndojnë.

    Pa ty, ndihem i huaj në qytet,
    i vogël dhe i pambrojtur fare
    rikthehu, të lutem, sa më shpejtë
    mos më ler të varur në dritare!…

    TI JE TANGO

    Ti je muzika ime, ajo perfekte,
    kur mbi nota lodron kaq bukur,
    më fut në ato kujtime pendese,
    në kohën pas, më rikthen të lumtur…

    Je ti melodia, ti je dhe vet ritmi,
    sa fine vallëzon mbi takat e larta,
    çdo pasi yt akorduar nga shpirti
    në tango derdhur, në hapa të gjata…

    Nga qindra sy, të sheh veç kitara,
    dhe unë xhelozuar bie në zhgënjim,
    por frymën ma merr si në përralla
    në notën finale tek lidhesh në trupin tim…

    FLOKËT DHE FEMRA

    Flokët po të rrjedhin,
    mbi relievin tënd,
    Zoti ju ka falur,
    qiellin blu me hënë…

    Zoti ju ka falur
    dritën dhe folenë,
    ku ata të shtrihen
    mbi lulen të flenë…

    Mbi lulen të enden
    si ujvarë kristali,
    në gjumë le të ngjiten,
    si zanat te mali…

    Të shtrihen mbi gjinjtë,
    si dy topa bore,
    të qetësojnë dhe sytë,
    natyrës përrallore…

    GJUMI NUK MË ZË

    Gjumi nuk më zë,
    ç’të jetë vallë kjo natë,
    ndoshta është e shkurtër,
    mos vallë shumë e gjatë?!

    Po sikur të zbardhë,
    nata të mërzitet,
    keq të inatoset,
    me ditën të vritet?!

    Të jetë dashuria,
    që ditës ia vodhi,
    orët e saj natës,
    pa pyetur ia mori?

    Ndoshta është kështu,
    I ditës është faji…
    Ç’faj ka dashuria
    Që natën e zbardhi?!

    ********************************

    Besnik Bedollari

    VALA DHE SHKËMBI
    Valët e detit ngatëruar hapave, faqen copëtuan në ashpërsinë e shkëmbinjve. Lëshuar trup prej dhimbjeje e ndalën valën, heshti dhe shkëmbi,rrinte pa fjalë… Përkëdheljet ishin harruar me lotët që i la vala, kishte luajtur një jetë pranë shtatit të saj.

    DIKU, SI DIKUR….
    Erdha pranë, diku me ty të isha,diku,si dikur…
    Me mallin e pashuar shpirtit,
    me lotin si krua bjeshkëve
    erdha me heshtjen time mbetën shpirtit dy kujtime.
    E jetës i thurëm dramën që luajtëm aq kohë.

    STINËVE TË JETËS
    Fjala mbeti zhveshur trotuareve të braktisura. Ndjenja u fsheh… diku me kohën nën gjethet e kafta,lakuriqësinë që sjell vjeshta. Puthjet u heshtën në fundditët e saj.

    MALLI I VONËT
    Nëse eci kalldrëmeve si një plak i kërrusur,
    mos mendo se zemra ime është plakur!

    Nëse dhimbja dhe malli më ndjek nga mbrapa,
    mos mendo se do të thahem si lulja vjeshtës së vonë!
    Dikur dhe malli ty do të të ketë rrokur, nëse… do thuash por do të jetë vonë.

    PRITJES
    Zbehtësia e kësaj nate buzëqesh përmbi valë,
    thyhet bregut në copëza si pasqyrë,
    ne të përqafuar prej fatit paqësonim ndjenjën.
    Dikur prej ëmbëlsisë,prej orëve të vona nën hënë.

    Poetja Miradije Ramiqi është një krijuese e njohur me identitet letrar të emancipuar artistik dhe estetik.
    Shpirtëzim poetik

    VIOLETA ALLMUÇA

    Mundësia që vështrimi kritik të jetë një element reflektues mbi veprën letrare, mandej një analizë e thellë e kritikut letrar mbetet sot e kësaj dite lidhja mes lexuesit dhe veprës së mirëfilltë krijuese. Letërsia e sotme shqiptare, e cila vuan nga mosdeklarimi i veprave të vërteta letrare është arsyeja që kemi një numër kaq të madh shkrimtarësh e librash të botuar, një sprovë komercializmi të botuesëve dhe krijuesëve, e cila ka bërë diçka krejt të kundërt, i është kushtuar publikimit, ose le të themi një prirje të shkrimit te librit pa mendimin kritik. Edhe pse ky është një model tjetër, shkrimtarët që e njohin sadopak shkrimin artistik përpiqen të mos i kundërvihen dilemës për atë çka ndodh në veprën letrare. Realitetet e tashme letrare në gjini të ndryshme, veçanërisht në poezinë e krijuesëve shqiptarë duke përfituar edhe nga liria krijuese, e cila mungonte në të shkuarën, na sjellin vepra të ndryshme, që do të duhet së pari të kenë mundësinë e analizës dhe kritikës letrare për të formuar identitetin e tyre krijues. Qëllimi i vetëm në vështrimin kritik është njohja e veprave me vlera të cilat shtegëtojnë tek lexuesi duke mbetur në truallin e vërtetë të veprave me vlerë qoftë si materie poetike apo sendërtimit letrar. Duke u angazhuar në këtë proçes kritika letrare bëhet pjesë e realitetit artistik dhe estetik të veprës me të cilën nis e vazhdon angazhimi i çdo krijuesi. Poetja Miradije Ramiqi është një krijuese e njohur me identitet letrar të emancipuar artistik dhe estetik. Mund të ndodhë që edhe pse ke lexuar disa poezi të kësja shkrimtareje, ku ajo shfaq gjininë e saj të kultivuar deri tani, pra trendin e poezisë në vite, të analizuar edhe nga kritikë edhe studiues të njohur, botuar në disa antologji në gjuhë të huaja, më duhet të rizbuloj një marrëdhënie të pazgjidhshme të cilën edhe e kisha supozuar se do ta gjeja në krijmtarinë autores nëpër vite. Lidhja mes poetikës dhe pikturës krijohet si një linjë dashurie superiore, ku duket qartë si drita e diellit se Miradije Ramiqi është dashuruar me poezinë si art i së bukurës po aq sa edhe me pikturën dhe mesa shihet ajo nuk ka tradhëtuar as veten as gjinitë artistike. Ndoshta rrënjët janë poezia dhe pema është një pikturë. Kjo mbetet për t’u hulumtuar ende. Të zbulosh elementët dhe konstruktin e veprës letrare është në fillim një meritë e autorit dhe pastaj një objekt i kritikës së mirëfilltë letrare. Nëse kam lexuar mbi 100 poezi të autores në librat e saj, “Hirësi Përrallore” 2010, dhe përmbledhjen me poezi të zgjedhur, “Dashuria flet me zemrën e diellit”, 2013, shihet një realitet dhe një botë e brendshme e veshur me jetë, e shkrirë në pikturë sa çdo lexues do ta çonte në përjetimin e gjallë të vargjeve poetike po aq sa edhe në pasurinë e ngjyrave frymëzuese. Në të gjitha vargjet poetike, fjala e bukur, derdhur me art mbi fjalë, vjen si një përjetim i imazheve, të përbërë nga një dashuri e plotë njerëzore dhe frymëmarrje e autores Miradije Ramiqi, e cila nëpërmjet vargjeve e ngjyrave i jep dashuri, njeriut, atdheut, pikturës, diellit, tokës, shiut, duke mbjellë aty dashurinë poetike. Kjo nuk është as e lehtë as e pamundur. Duke jetuar në mes dy botëve që autorja nuk mund t’i ndajë, poezisë dhe pikturës, ajo ka arritur të dashurohet me të vërtetën e fjalës poetike brenda njerëzores. Nuk është e çuditshme që kjo krijuese kërkon dashuri deri në përjetësi! Këtë e kanë bërë poetë të njohur në të gjithë botën, një enigmë që tashmë ka krijuar mbretërinë e fjalës. Ky kreativitet i cili na tregon se misioni i vargjeve mbetet të hyjë deri atje ku nuk arrihet kurrë e shpirtëzon poezinë me dritën e shpirtit, përtej dhimbjes jetësore, vuajtjes, shprehjes së dashurisë apo pezmit. Poezia kërkon dashuri. Metafora për dashurinë në vargjet e poetes Ramiqi shpaloset thuajse në të gjitha poezitë si një ndjenjë e lartë njerëzore deri në dhimbje duke përçuar pothuajse edhe bashkëjetesën me vargjet dhe ngjyrat. (Shih: Poezia, “Dhimbje e Bardhë”, “Dardani”, Enigmë Ulqinake, nga libri me poezi “Hirësi Përrallore”). Dhe ka ndodhur ajo që shkruam më lart, skicat apo grafikat shkrihen me ashtin poetik, ku autorja me metaforat e sinqerta, ndjenjat e thella për njeriun dhe jetën, shpreson tek dashuria, e gjen atë cep më cep të botës, në Arbëri, në vendlindje, në fatin shqiptar, kërkon azil deri në kthim në Prishtinë etj. Poeti është qartësisht i vërtetë dhe i përjetshëm me poezinë, një pasuri e madhe e tij që nuk shteron kurrë. Ai nuk e shprish dashurinë, jeton dhe vdes i dashuruar. Mjafton kjo metaforë e shkëlqyer që përshkon poezinë e Miradije Ramiqit për të thënë se fjalët dhe dashuria janë fjalë gruaje të lindura në shpirtin njerëzor. Ka ndodhur pra tek poezia e saj, të përputhet më së miri shpirtëzimi i vargut me ngjyrën si një element i veçantë i shkrimit poetik. Mesa duket Miradije Ramiqi i përkulet ligjërimit poetik brenda dashurisë dhe dhimbjes ashtu siç guri i përkulet tokës. Këtë ajo e shpalon me dritën e vargjeve edhe në ciklin, “Shpirti Pikturë e Heshtur”, gjë të cilën me koncepte të dukurive letrare në zhvillim kohor dhe hapësinor e ka realizuar edhe me dritën e ngjyrave. Duke qenë në një konstrukt paralel mes poezisë dhe pikturës ajo ka bërë sprovën e duhur me realitetin jetësor për të zbuluar kohën dhe thelbin e poezisë moderne. Kur krijuesin e frymëzon e bukura ngjizja e kësaj ëndrre të përjetshme bëhet po aq reale, sa e prekshme dhe domethënëse me dimensione krijuese duke përfaqësuar me dinjitet poezinë shqipe në trojet shqiptare. Ndjeshmëria e shkrimit poetik dhe bota mendore e kësaj shkrimtareje mbizotëron gjithashtu në përmbledhjen me poezi të zgjedhur 2013, “Dashuria flet me zemrën e diellit”. Edhe në këtë libër, sintetizohet një pjesë e veçantë e poezive ndër vite, në një liri dikur të munguar, krijime që i përshkon niveli i beftë artistik dhe estetik ku fiksohet gjerësia e shprehjes poetike me figurat letrare, si metafora dhe simbolika. Duke përshkruar lidhjet e vetvetes me atdheun dhe botën, motivet intime me jetën duke mos iu larguar zbulimit emocional të artit të fjalës si urëkalim për tek lexuesi , autorja arrin që nëpërmjet simbolikës të zbulojë të veçantën brenda të përgjithshmes. Natyrshëm Miradije Ramiqi ka në brendi forcën e përgjithësimit duke gjetur thelbin e vërtetë poetik ku pasqyron veten dhe jashtë saj njeriun me të cilin përjeton atmosferën e kontrasteve poetike. Shih, poezitë: (Skalitja e Buzëqeshjes. Në dritëhijen time, Deri në Breg të Jetës, Tek Zemra Ime, Kujtime të Ndrydhura, Ti vetëm Derën Lëre Hapur, Lëshoje Atë Yll, Dardani, Thashë Rozafë, Prishtinë, etj). Edhe pse autorja ngjan me heroin, ajo thërret në vargjet e saj njerëzoren e shpirtëzuar në vetmi për t’ ju përkushtuar dashurisë. Në konceptimin origjinal nga pikëpamja e vargjeve kjo shkrimtare përfaqëson simbolikisht botën njerëzore në të cilën sheh “UNIN” në brendinë e harmonizuar të hapësirës së lirisë poetike duke e bërë më ndikues njeriun. Miradije Ramiqi nuk zhurmon rreth vetes dhe poezive të saj, por kërkon të ngjitet në vazhdimësi për të hyrë brenda shpirtëzimit me dëshminë e vlerës poetike. Gjatë kësaj përsiatje të çuditshme kam vënë re se autorja pasi ka ndëshkuar vuajtjen me dashurinë ka kërkuar një grimë lumturie duke e sendërtuar materien poetike drejt lirizmit dhe humanes edhe me shpirtëzimin artistik nga një magji bashkëkohëse për fenomenet qenësore letrare. Kjo tregon se edhe poezia shqipe do të ketë tendenca evropiane, një rend përfaqësimi cilësor vlerash estetike. Miradije Ramiqi një Zonjë e Rëndë me vitalitet jetësor e krijues e ka nisur udhën e krijimit duke mbajtur në sy qenien dhe botën shqiptare, lëvrimin e një poezie të shpirtëzuar me pikturën. Ajo shënon edhe një veçanti në përmasën e poezisë së sotme shqiptare duke rendur pas artit të fjalës në ligjërimin e gjuhës shqipe, si mjeshtre drejt shtegëtimit universal.

    Një mënyrë e mirë për të vdekur
    ( Tregim )
    Istref Haxhillari

    Pasi la rrugën kryesore, makina u fut në periferi drejt katrorëve të ndriçuar që shquheshin në sfondin e ngatërruar të degëve të zhveshura. Kohë pas kohe, perde të pluhurosura bore u dilnin përpara, pengonin lëvizjen. Strukur në ndenjësen e parë, Blegina ndjente mantelin e rëndë t’i bëhej përqafim. Parkuan larg vilës së vetmuar. Rrugicën e kalldrëmtë e bënë shtrënguar pas njëri-tjetrit, po flokët e plogëta të borës ua gjenin qepallat.
    Në kuzhinë, tavolina e shtruar për festë, lule, qirinj. Flaka e oxhakut përkundej në flladin e mbingopur nga ngrohtësia, flatra të holla vibronin, duke vesuar leskra pluhuri rreth abazhurëve.
    Lorani nxori një unazë ari me gur të vogël, të kuqërremtë.
    – Pranon për burrë një plak të pafat? – e pyeti i përkulur në gjunjë.
    Pamja groteske nuk e bëri të qeshë. Ngutja e tij e frikësoi. Nuk priste të rridhnin kaq shpejt punët. E mendonte pa pushim fejesën e vonuar, po gjithnjë e kundërshtonte. Numëronte meshkujt me të cilët pati shkuar dhe përpiqej të gjente sfidantin e radhës. A do mundej të përballej me të gjithë? Do të duronte gjatë? E shkuara del një ditë në sipërfaqe të kujtesës.
    Nuk donte dramë tjetër, ishte velur me to.
    – Nuk të duket se po nxitohesh? – e vështroi tërë përqendrim si t’ia ngulte sytë fatit.
    – Sa duhet të presim?
    Kapi sytë e tij të lumtur dhe zemra ndërroi marsh. Nuk ishte aq e keqe sa mendonte. Të paktën një herë në jetë donte të ishte gruaja e një burri. Uli kryet, pëshpëriti një “po” të vakur. Atij i mjaftoi. E zuri për mesi, e ngriti pupël. Ndjeu shkarkesën e mishit të tij në të sajin dhe u rrëqeth. Humbi pas shtatit të bëshëm.
    Ishte dita e saj, lumturia e shumë pritur, përse të ngurronte? Largoi imagjinatën, të vetmin armik të pranishëm, u dorëzua. Lorani i ngjeshi gjuhën brenda, gishtat zunë të gjezdisnin përpjetë kofshës. Prekja e tronditi si shok elektrik, trupi i etur u përgjigj i tendosur.
    Zot, ç’ditë!
    – A mund të presësh pak?
    Ai u ngjeth nga përfytyrimi.
    – Si jo, uroj të kesh sa më shumë dëshira, – ndodhej në fushën e vet, bënte shakara, kënaqej.
    Blegina e puthi sërish. U shkëputën për t’u mbushur me frymë.
    – Pesë minuta, – i pëshpëriti në vesh me frymëmarrje të rënduar.
    Banja e priti të dehur, kraharori po i çahej. E shijonte çastin, sikur do t’i ikte dhe ajo të mos e kapte dot paskëtaj. Provoi të kuqin rozë. Iu duk i shpëlarë, e zëvendësoi me të ndezur. Ndërroi të brendshmet, këmishën, veshi fustanin e hollë lela, shumë seksi. I shkrepi të këpuste një trëndafil kundërmues nga buqeta. E shkoliti, i shpërndau të gjitha fletët nëpër trup. Deshi të shikohej sërish në pasqyrë, pa atij çasti ikën dritat.
    “Mirë je, mjaft u vonove,” – i tha vetes. Nxitoi të kthehej.
    E gjithë lagja zhytur në errësirë, simfonia dimërore prekte apogjeun, po brenda ishte ngrohtë, qirinjtë e festës ndriçonin të patrazuar.
    – Erdha, zemër, – thirri te pragu.
    Ishte kaq e mbushur!
    U habit kur e pa të flinte në divan. Gërhiste lehtë sa mezi dëgjohej. Gjumë i plotë, pa ndonjë zhurmë, apo ëndërr. Dhoma lahej në dritën e zjarrit, fytyra herë i ndriçohej, herë i fshihej nga errësira. Nënqeshja mbi buzët e palëvizshme e qetësoi. Thithi pamjen si e përzhitur nga etja pranë ujit të burimit.
    “I lodhur, i emocionuar!” – i qau hallin dhe rrëmoi në dollap, gjeti një kuvertë.
    E shtyu pak e nga pak zgjimin. U kujdes të mos bënte zhurmë, duke luftuar prirjen natyrale të femrës, derisa heshtja u zgjat, u bë mbytëse.
    – Ngrehu, gjumash, për se më ke thirrur sonte, – e preku lehtë në ballë. Ai nuk lëvizi. E shkundi ngadalë, pastaj gjithnjë e më fort, asnjë shenjë zgjimi.
    Pritja u var e rëndë, ndjellakeqe si re e zezë ngarkuar me mëkate. I hyri frika, nuk e dinte në ishte gjendje të fikëti, apo… mijëra pandehma e sulmuan.
    Zemra i thoshte se vuante nga ndonjë sëmundje e panjohur.
    Gjeti celularin, filloi t’u bjerë numrave me radhë. Për çudi askush nuk u përgjigj, dilnin fikur ose të paarritshëm. Hodhi aparatin, shkoi të hapte portën. Pulti i komandimit nuk funksiononte pa energji elektrike dhe tërhoqi me forcë dorezën. As bëhej fjalë, dera e blinduar nuk donte t’ia dinte.
    U kujtua të merrte ambulancën.
    – Dikush po vdes, – u tha, – ejani sa më shpejt.
    – Ku të vijmë, zonjë? – u përgjigj një zë i përgjumur.
    Hera e parë që shkelte aty, s’e kishte idenë ku gjendej. U mundua të sajonte vendndodhjen, po nuk arriti. Telefoni u mbyll. Mallkoi veten që u tregua aq e pavëmendshme, në sytë e angështuar regëtiu një ndjenjë faji. Sa me fat njerëzit! Nuk dinin çfarë ndodhte fare pranë tyre. Dhe i urreu të gjithë.
    Iu kthye telefonit, provoi përsëri. Dikur kapi sinjal.
    – Lor, këtej nga ne është kulmi i punës, – u përgjigj një zë i largët, – si e ke hallin?
    – Është sëmurë, – u përgjigj Blegina.
    – Shërojeni, doktor nga Amerika kërkoni?
    – Në djall vajtshi! – mbylli telefonin. Vuri duart në kokë, ia krisi të qarit me zë të lartë, po lotët nuk e ndihmuan.
    Hapi dritaren, mori frymë thellë të gjente zërin e humbur.
    – Ndihmë, Lorani po vdes, – bërtiti sa mundi.
    Nga shtëpia përballë doli një burrë i shkurtër me xhup të trashë dhe kokore sharrëxhinjsh. Në duar vërtiste elektrikun me bateri.
    – Cila je ti? – i lëshoi konin e dritës.
    Nuk dinte si t’i përgjigjej.
    – Nusja, – thirri së fundi.
    – Ç’nuse moj, ai është i ndarë, – u kthye mbrapsht i inatosur që e shqetësuan në mes të natës. Shaka bajate!
    – Sapo u fejuam, – u mundua ta zbuste.
    – Të satin e ke?
    – Të lutem, – gulçoi me zë të shuar.
    Ai pothuaj s’e dëgjoi. Mbase nuk donte ta dëgjonte.
    – Kurvë e mutit! – bërtiti. Zëri i ngjirur kumboi në errësirë si ogur i zi.
    Ktheu sytë nga i sëmuri që nuk jepte shenja jete dhe u ndje e kapur në faj. Qindra mendime e sulmuan, sa mundohej të kapte njërin, i ikte tjetri. E hallakatur, e çorganizuar, mbeti me vështrim mbi fytyrën e padeshifrueshme, sikur donte të mbyllte në kujtesë profilin. Truri nuk i bindej, idetë i shteruan, e kaploi një pafuqi e thellë, rraskapitëse. Çdo pjesë e qenies tejçonte ankth. Zjarri i pa ushqyer ronitej ngadalë, sikur donte vdiste.
    Mëngjesi sapo nisi të çapitej me të njëjtën pamje vrastare të natës që po ikte, kur ndjeu praninë e energjisë elektrike. Shpresa i vërshoi nëpër trup, shkundi plogështinë, u sul të gjente pultin.
    As e vuri re portën që u mbyll menjëherë pas saj.
    Qyteti i ngrirë rënkonte nga fshikujt e erës, masa të ngadalta bardhësie rrëshqisnin prej çative, mbushnin oborret. Fustani i hollë futi ngricën në çdo pore të trupit, u desh fare pak të mpihej. Bëri mbrapsht me vështirësi, duke kërcitur dhëmbët, lëvizi disa herë dorezën, ndonëse e dinte që porta nuk hapej.
    E topitur, nuk ndiente asgjë, as të ftohtin e llahtarshëm, as erën e marrë. Vështrimi iu vesh nga një perde e padepërtueshme. Buzët iu nxinë, zëri i humbi, këmbët nuk donin të bindeshin.
    Iu dorëzua mjerimit të vet…
    U zgjua në një dhomë spitali me fytyrë të zbehtë, buzë të thara, fytin të nxehtë e të ashpër. Sytë e mugët nisën të shquajnë konturet e sendeve; aparatin e serumit, krahët e zbuluar, tubat plastikë, shiringat e ngulura në llëra. Një objekt i zi madhosh i bllokonte pamjen. Puliti sytë, derisa masa e murrme u kthye në një plakë të bëshme, shumë të vjetër. Mbi faqet e rrudhura, palosur për tmerr, vijëzonin lot.
    Priste ta sqaronte dikush, t’i thoshte ç’kishte ngjarë në të vërtetë, po asgjë nuk pipëtinte.
    As nëna e Loranit, ngrirë si gur varri mbi krye.

    Istref Haxhillari
    Valter Dauti
    PUTHJE SKENIKE.
    -Tregim-.

    ‘’Kërkoj Edën-i thashë asaj që quhej kujdestare e godinës tetëmbëdhjetë’’. .Ndërprerja e rrufitjes së kafes u shoqërua me kthimin nga unë të dy palë faqeve buçka dhe një vështrimi pyetës me bezdi brenda.
    -E ka dhomën te njëzet e gjashta-plotësova nëpërdhëmbë.Viti i katërt,juridik! Se ç’kisha një ndijesi turpi dhe besoj se isha bërë flakë i kuq.Këtë e shtonte edhe prania e gjithë asaj gruaje.
    -E mo,e njoh unë-tha njëra nga vajzat brenda dhomës dezhurn, rrethuar me xham dhe u ngrit.Ishte e vockël dhe e hollë si sardele,me dy sy të kaltër që shponin si gjilpëra qëndisjeje-Ç’ti them mo djalkë,kush e kërkon.Ë,ë ? Apo sekret ?
    -Thuaji që vetëm e kërkojnë –mërmërita fshehurazi, duke përvjedhur vështrimin andej nga mund të ishte dhoma njëzet e gjashtë.Sardelja fluturoi nëpër shkallë dhe pas një minute erdhi pranë duke dihatur.-I thashë!Do zbresë!Sa të vishet!Apo e do të zhveshur?Nga kraharori i vockël seç doli një aromë e butë gjethesh të sapoçelura.Sytë e saj të kaltër po më hetonin.-‘’E ke gjë ti?Pyeta ngaqë ti s’je juridiks,je filoqyls.Filoqyls nga ata që këndojnë me kitarë të dielave në taracën e godinës gjashtë.Edhe në zbor,në Drojë’’! Sytë e vajzës qeshën:-“E po ti qenke shumë djalkë i urtë, de!Kur këndon s’dukesh kaq i shenjtë…-‘’Lela, kush më kërkoi mua’’?-një vajzë ezmere ishte shfaqur te hyrja e godinës.Lela më shkeli syrin çapkënçe,ngriti gishtin drejt meje dhe u gjend si fugë pranë vajzës që duhet të ishte Eda.Në ecje e sipër pati cicëruar-‘’Ky shenjti këtu!I bëra
    njëçikë shoqëri, që të mos ndihej vetëm,por s’ditka të flasë.Mësoja fjalët Edushkë se nuk është memec’’!
    Eda u afrua me pasigurinë e një njeriu të panjohur.Ishte një vajzë e zakonshme.Nuk ishte as e bukur! Këtë ia shtonte dhe e veshura shpejt shpejt,se ndoshta,ai i afërmi që e kërkonte, mërzitej dhe ikte.I zgjata dorën.’’Nuk njihemi-fola qetësisht-por dua të njihemi’’! Isha zhgënjyer nga ai përshkrimi që i pata bërë vetë, gjithë ato orë,teksa bluaja se si dhe kur do ta takoja.Koka e saj u mënjanua kërcënueshëm dhe nga buzët e trasha si buzë afrikanësh doli një tingull i ëmbël, tallës:-‘’Ouu,dhe ti më kërkon në orën pesë të pasdites,këtu ,përballë godinës që të njihesh me mua ?!Qënke i lezeçëm!Mos më ke parë me tabelën ‘’SHITET’’ ,në shpinë?Ik o artist dhe shih punën!Ajo po qeshte.Po qeshte?Po tallej me gjithë shpirt.Mendova ta lija fare këtë dreq kokëshkrepje.Jo vetëm aq,por nga xhami i dhomës së kujdestares,hera-herës,ajo rabecka e vogël që quhej Lela,shtypte hundën
    pas xhamit gjithë kureshtje.Nuk doja të shihja atë, por sytë më përvidheshin vetë.Ajo, sa e ndiente vështrimin gurgullonte të qeshura duke shfaqur një palë dhëmbë të plotë, që ndoshta qelqi ia bënte më të bukur.Mistrece e dreqit!Ç’dreqin donte? ‘’Vetëm për inatin tënd unë do miqësohem me Edin’’-iu hakërrova vetes dhe me zë fola butë:-Dëgjo Edi !Unë të kërkova sot pasi e mendova mirë më parë që mund të jemi miq.Ti më pëlqeve…Papritmas vajza ishte shtrembëruar në fytyrë dhe nga sytë rrëshqitën lotë.Sytë e saj ishin çmendur.”Ptu-pështyu ajo-ptu! E mora me mend që të ka dërguar ai maskarai!Turikali të paska gjetur ty!Ha ha ha!Të paska thënë edhe emrin!Kuptova diçka kur më thanë që më kërkon një i pa emër,por se besova! Zhduku që këtej dhe mos guxo më .I thuaj dhe atij”!
    Ishte kthyer në një luaneshë-shtrigë.”Dëgjo të lutem-mora zemër, i nxitur nga tufa e vajzave që tani ishin shtuar pas xhamit.Unë jam ai djali që më ke marë dy strofa poezie në tregimin që botove para disa ditësh.Besova se ishe vajzë me shpirt.Unë jam Elvis Luari.Erdha të të takoj dhe të të them që mund të më kishe marrë lejë edhe mua…vargjet janë të miat…”
    Shtrëngata në sytë e Edës ishte qetësuar.Dy sy të pafajshëm dhe të hutuar më vështronin çuditshëm.Ajo heshtte e nemitur.”Nuk e di-pëshpëriti-nuk e di.Unë s’të njoh fare.Edhe ato vargjet nuk e di të kujt janë.Thjesht më pëlqyen dhe i kopjova në një copë letër.As nuk e di nga i kam marë… I mora për t’ia dhuruar dikujt…Më fal,të lutem…mendoj…mendova se…Po ti nga më gjete? Ç’ne që më thirre Edi dhe jo Eda”?
    -“Personazhi I tregimit ashtu e kishte emrin, Edi.Të thirra pa dashur kështu”!
    Ajo po qante.Ashtu çiltër, fare pa pasur ndrojtje nga vajzat që hynin e dilnin gjithë kurershtje.M’u mbështet në sup.Dukej e drobitur,pa gjak,si një krijesë në grahmat e fundit.U ulëm në stolin përkrah.U mbështet sërish në supin tim.-“Duhet të jetë i vëllai”-dëgjova dy vajza që kaluan pranë.I buzëqeshja.I buzëqeshja me synimin për ta qetësuar dhe të largohesha për të mos ardhur më kurrë te kjo krijesë. “Mirë-pëshpëriti me buzët që i dridheshin.Mirë ! Po shkoj të vishem dhe dalim! Pimë një kafe”!Të gjitha këto i tha duke u dridhur,edhe pse fundshtatori ishte I nxehtë.Ishte mirë të ikja.Gjithçka mori drejtim të gabuar.Një vajzë që kishte përdorur disa vargje të miat,botuar në një gazetë. I pat marrë pa ndrojte,duke thënë se diku kishte lexuar një poezi që i pëlqente dhe ia recitonte të dashurit të saj në tregim.Një ndijesi mashkullore përzierë me kureshtjen vlerësuese të
    studentit të letërsisë, më pat drejtuar tek Eda apo Edi.Të dyja ndijesitë i kuptova,ndaj duhet të ikja.I kapa dorën miqësisht.’’Edhe kjo ishte e bukur-i thashë me sinqeritet.Ishte njohje e bukur.Ti duhet të qetësohesh Ed!Të premtoj se do të vij për të pirë kafe.Edhe të bisedojmë për tregimin.Nëse ke të tjerë,m’i. jep.Unë do të sjell poezi”.Shtrëngimi i dorës sime ishte kaq i beftë sa u tremba.Pëllëmba i rrëshqiti mbi faqen time dhe më drejtoi kokën mbi fytyrën e saj.Dy sytë i ngjanin me dy shpella të errëta plot zgavra të frikshme, ku ca fuqi të çuditshme instiktesh grindeshin për të dalë përjashta,por s’i linin rradhë njëra-tjetrës dhe përpëliteshin, duke u kafshuar dhunshëm.-“Dje desha të vrisja veten-pëshpëriti.Ndoshta e vras sot,pasi të ikësh ti”.E tha thjesht,pa u dridhur.Ftohtë si të bëhej fjalë për të grisur një latë studentësh.I buzëqesha i turbulluar. “Ti je vajzë
    e bukur-i pëshpërita.Je me intelekt.Shkruan tregime të mrekullueshëm,vazhdon juridikun.Ke një shok të mirë si unë,që do të shkruajë poezi edhe për ty.Të premtoj”! Isha ngritur nga stoli gati për ta mbyllur këtë mbrëmje me një shtrëngim duarsh.-“Me brisk rroje-murmuriti ajo-ja tek e kam”.Hapi dorën tjetër dhe tregoi një gjysmë ‘’Astra’’. “Ose, edhe mund të varem.Natën.Ja,te plepat e kaldajës përballë.Mjafton një çarçaf.S’e di si mund të jetë,por do ta provoj.Unë jam kot.Të gjithë më shohin çuditshëm.Ndoshta edhe nga kjo mund të jem vërtet e çuditshme…Edhe ti e di.E di se po tallesh.Po më thua broçkulla poezish.Ha ha ha!Pse ç’jam unë,fëmijë?Ikë,ikë!Ikë, poet!Faleminderit!Je djalë i mirë.Si të gjithë djemtë që njoh unë! Ikë se do zerë edhe shi…
    Tej,mbi malin e Dajtit,një re e ngarkuar plot ngjante me një plakë gërmuqe që meziçpriste të derdhte zemërim,e fyer nga kushedikush,mbi fundshtatorin e Tiranës.-“Ti do vish me mua, e zura për krahu.’’-“Jo,ikë,nuk vij’’.-“Ti vetë ma kërkove”!-“U pendova tani”!E tërhoqa pas vetes.E përqafova butësisht.-“Ikë vishu!Po të pres.Mos u vono…”Iku duke kthyer kokën pas disa herë.Nxitimthi.Edhe pse u vonua shumë,e ndieja që hera-herës më kontrollonte nga cepi i dritares së saj, që kushedi në ç’anë të godinës ishte…
    Doli njëkohësisht me pikat e para të shiut.Në qytetin e studentëve kishin nisur të fikeshin dritat e para të dhomave.Me dorën shtërnguar rreth belit të Edit u gjendëm para Korpusit.Edi vraponte dhe qeshte.Edi kushdi ku vraponte së bashku me mua nëpër Tiranë.Në krah të Korpusit,heshtte muzeu arkeologjik.Më ngjante me një gojë të shqyer që dihaste frymë kohërash.U mbështetëm pranë kolonave të ftohta, të bërë qull.Edi më hodhi dorën në qafë dhe më puthi.Qeshi dhe më puthi sërish,duke vështruar drejt meje,si të vështronte një kafshëz të vockël të mbyllur në kafaz.Më puthi me dy buzët e ftohta prej akulli, si dy buzë afrikanësh.Çuditërisht trupi i avullonte një mjegull jo edhe aq të këndshme.-“Të lutem-u largova paksa nga turbullimi i diçkaje që se dija ç’ishte.Ti je vajzë shumë e mirë dhe ekspresive!Ti ke shpirt,unë të kam shoqe të mirë.Të respektoj dhe do të më kesh krah gjithmonë.Ne
    duhet të jemi vetëm shokë të mirë…Vështroja sytë e Edës që çuditërisht shkëlqenin me një energji që të mekte dhe të tërhiqte pas vetes…
    Ajo u tërhoq pak në ndriçim,sikur të dilte para një skene,krehu me gishtrinj flokët e lagur dhe më buzëqeshi.-‘’Mirë-foli me një zë të sigurt.Mjafton me kaq.Tani të prezantohemi.Mirgena ! Mirgena Alushi,studente e dramaturgjisë!Ose, Mira.Motra e madhe e Pranvera Alushit.E asaj vajzës që dërgove për të thirrur Edin tënd!E asaj rabeckës së vogël që gjithë kohën vetëm cicëron vjershat e tua dhe psherëtin e dashuruar!Të ka Perëndi! Vetëm për këtë më duket pak budallaqe! Imagjino! Të ruan nga dritarja, kur del me shokët për të shkuar në mensë dhe fluturon pas teje! Por vetëm fluturon,ama!Se goja i ikën!Gjithë ajo gjinkallë që s’i pushon goja,kur ka zjarrmi më të fortë se ajo e korrikut dhe duhet të të shurdhojë,fiket dhe hesht.Ta thashë artistikisht që të do!”-“Po brisku…brisku i vetëvrasjes,gjithë ata lotë…?”-Të thashë artist! Jam student që do të mbroj diplomën.pikërisht
    me këtë romancën e sotme!
    Pravera erdhi në dhomë duke fluturuar.”Erdhi,erdhi,bërtiti.Mira,erdhi,është aty poshtë dhe kërkon Edën që u fejua para një jave me atë studentin si gallof! Budallai i gjorë! Eda s’do fejohet me dy burra!Në atë çast po prisja me brisk disa fletë projekti.U vesha shpejt dhe luajta një minidramë!Një minidramë me të cilën do mbroj temën e diplomës.Besoj se do marr dhjetë! Uroj që të të ketë pëlqyer edhe ty Elvis Luari.”Nisi të recitonte.
    Ne,bashkë kurrë s’jemi puthur,/Veç,shijen buzëve u a dimë,/S’e di.Se ç’është një puthje e bukur/Nga sytë që ndizen vetëtimë!/Ne,bashkë kurrë s’jemi prekur,/Veç,ndiejmë(Çudi!) çdo drithërimë,/S’e di.Se ç’ lind një puthje e strukur,/Te sytë që ndezin vetëtimë!-“Të dëgjosh me sa shpirt i reciton Lela këto vjershat e tuaaaa!”Të dashuron çmendurisht!Shikon ëndërra me ty!Po të mos të ta thosha unë,ndoshta s’do ta merrje vesh kurrë”!
    Vështroja i çuditur atë figurë femërore, gjysmën në dritë,gjysmën në errësirë dhe s’e kuptoja ku niste drita dhe ku errësira.Ç’dreq pjese po më tregonte Mirgena?Misterin femëror apo çiltërsinë?Apo të dyja bashkë?Fytyra e saj tanimë ishte çliruar dhe dukej e bukur.Ndoshta, ngaqë një dritë buzëqeshjeje rrezatonte te cepat e syve mirësi.Më dukej vetja personazhi i një pasditeje studentore,i një pasditeje të mistertë mbushur me botë të trazuar njerëzore ku dita ia pat lënë vendin natës.”Por…ti më puthe…dhe jo njëherë”!-pëshpërita,duke vështruar dy buzët e plota të Mirës.Sikur të guxonte ta bënte sërish këtë!S’do qëndroja më ashtu,sikur po më zhvirgjëronin.Do ta puthja,do të ngopja edhe motrën e saj si sardele,Pranverën…-Të thashë që jam aktore djaloooosh!Quhet puthje skenike,që ta dish ti!Pa,të putha edhe për Lelën…” “Sigurisht!-mërmërita për të kushedi të satën
    herë.Prandaj edhe ishte puthje e ftohtë si akull, që më ngjethi…”

    Qazim D. Shehu

    SIKUR MË KËRKON RINGJALLJE
    QAZIM D.SHEHU
    S`jam romantik, liqenin e pëlqej,
    Kur ajrin e ftohtë ndjej në dej,
    Hijen e drurëve mbi shkëmbenj,
    Hedhur në hapësirën e tij të ngrohtë,
    Aty ku ndrin një yll i plotë,
    syri i një vajze veshur me lotë.

    Të jem poet kur shoh si valëzon,
    Kërkon një shteg e dot s`kalon,
    Dënuar mbetet në këto brigje,
    Veç të valëzojë e mos gjejë shtigje.

    Prandaj dhe valët i përplas,
    Tek këmbët tona pa tallaz,
    Tek fryn e shfryn prej fundësishë,
    Një ëndërr zogu e deh fuqishë.

    S`jam romantik liqenin e pëlqej,
    Më deh e më josh pandalur,
    Tek vala e tij në shkëmbej,
    Sikur më kërkon të ringjallur…

    E DUA DASHURINË TË SHKËLQEJË..
    E dua dashurinë të shkëlqejë,
    Me pishtarë kështjellash,
    Të bukurën duhet ta rrëmbej,
    Në heshtje kurthesh e dilemash.

    Po kështu dot s` dashuroj
    Një dashuri rreziqesh,
    Atëhere pse e dua dhe e mbroj
    Në rrezatim mitesh?

    Dhe shpesh herë hidhem
    Tek e shkuara romantike,
    Se dashuritë urbane villen
    Në lajme panoramike…

    SHEKSPIRI…
    Anglia male s`ka,
    Një mal prej floriri,
    Botës i dha.
    Shekspirin…
    Vende të tjera kanë male,
    Diamante plot.
    Diamantin e një fjale
    Të Shekspirit, s`e thonë dot…
    KËNGA QË KËNDOJ
    Kënga që këndoj më përket vetëm mua
    Ka të tjerë që këndojnë më bukur,
    I njenjtë me një ftua s`është çdo ftua,
    Dhe një flutur e njenjtë s`është me çdo flutur.

    Dhe kënga ime s`dua të jetë e e huazuar,
    Edhe pse të tjerë këngën blejnë,
    Ata u ngjajnë burrave të mashtruar,
    Kur me hijen e grave të tyre flejnë…

    ********************************
    ME KË MUND TE KËMBEHET QIELLI I FERRIT?

    Vjollca Tiku Pasku

    Muzgu çeli vjollcën e zakonshme, në kufirin midis dritës dhe errësirës.Eshtë ajo pjesë e ditë-natës që më pëlqen më shumë.Të gjitha bimët, lulet ,lëshojnë një erë karakteristike si një flash i tejdukshëm i gjelbërimit.Këto çaste i kaloj në kopshtin e shtëpisë sime.Kisha mbjellë trëndafila nga të gjitha ngjyrat.Kur shkëndija e yllit të mbrëmjes ndizte muzikën e bulkthit krijohej një platformë mikro-kosmosi e vallëzimit lulor.Për çudi sot ato dukeshin të shqetësuara. Nuk kishin paqen dhe vezullimin e zakonshëm. Muzgu u vyshk dhe errësira i mbuloi, pa më dhënë kënaqësinë e zakonshme të gjallërisë që i karakterizonte para se të mbyllin petalet e gjumit. Ndeza dritën e verandës, dhe për çudi vura re, se në mes tyre qëndronte një trëndafil më i zi se errësira.Ishte krejtësisht i vetëm sepse të gjitha lulet ishin mënjanuar.U afrova si për ta pyetur’nga ke mbirë këtu trëndafil i zi’.Ai lëshoi një aromë mbytëse. Gjithshka m’u rrotullua.Si rekuem më lëvizën përpara syve degë me petale errësire dhe më rrëzuan …
    Jam konturi i një sfere të vogël,e mbrojtur si me cipë hyjnore që i ka të gjitha ndijimet.Po bija poshtë me shpejtësinë e rënies së një komete. O Zot ku po shkoj.. vallë në labirinthet e ferrit.Tinguj të zvarritur,sikur dilnin nga një folder thellësie,.Ndaloj buzë grykes së humneres së zjarrtë që ndizej prej rrufeve të mallkimeve të zemrave të djegura.Shpirtra në formën time ,pa frymën mbrojtëse zhyteshin thellë e më thellë.Shikimi im ishte aq i mprehtë sa në çdo shkallë të thellësisë mund të shikoja.Helmet mbytëse që çliroheshin prej dhimbjeve të shpirtrave dukej sikur kënaqte këtë ferr të zjarrtë.Impulset e organeve të errësirës dilnin në sipërfaqe dhe shfaqnin vegimet kur ishin në jetë. Ndjeshmeria ime u afrua në dy shpirtra.Njëri qëndronte pak më lart se tjetri.Ata kishin vrarë mizorisht një familje pa kursyer as jetën e një foshnje,për të vjedhur.Gjaku i derdhur kthehej në thika qorre dhe godiste qënien e shpërfytyruar të tyre.Ata ndjenin gjithë dhimbjet që kishin ndjerë trupat e ngrohtë kur linin jetën.Era e zjarrtë ndërronte stacionet e vegimeve , dhe plagët e hapura thëthinin si magnet zjarret e ndezura. Shpirti përpëlitej në mjerimin e pafund.Në pafuqinë e ndryshimit të vendodhjes shpirtrat luteshin për një pauzë…Çastet ndaheshin në proporcion klithmash zjarri.
    Një shpirt tjetër kishte vrarë një vajzë që e kishte përdhunuar dhe lënë shtatzanë..Qielli i zi i ferrit lindte embrione gjarpërinjsh që rrotulloheshin dhe mbështillnin shpirtin.Çdo shpirt digjej në zjarre pa dritë.Arsenalin e ferrit e kanë fronëzuar pasionet e çmendura në jetë duke rendur pas lakmisë,parasë,qefit, pushtetit, e lavdisë.
    Afrova ndjeshmerinë time në një rreth tjetër shpirtrash.Copat e ekstazave të tradhëtisë bashkëshortore eksitoheshin dhe ktheheshin në skorpionsa helmues,lëshonin pickimin e helmuar dhe ricikloheshin për tu kthyer në një llavë helmuese që mbinxehnin ferrin më shumë.Ulurima dihatjesh dëgjoheshin të cilat ktheheshin në valë gjigande të dëshpërimit.
    Në një rreth tjetër,shpirtra hajdutë lakmitarë të pasurive të botës,villnin babëzitë e jetës,në detin e qelbur të krijuar prej tyre.Ushunjzat torturuese pinin gjak shpirti.Llumrat e qelbura i zhysnin në ultësinë më të madhe dhe larvat krijonin audiencën e jetës së tyre.
    Ndjeshmëria e tyre ishte zjarri dhe shpirti llava që rindizej… Pikjatë në mesin e katranit rrëzoheshin shpirtrat e fjalës torturuese, me gjuhën rrumbullakosur si metastazat e kancerit. Atëherë më lindi pyetja;kush i ka dënuar?
    Përgjigja më erdhi; Ndërgjegja e tyre krijon gjithshka, edhe dënimin e shpirtit…
    Pas një lutje u gjenda lart, por këtë radhë e mbrojtur nga drita e fortë. Era e lumtur më tëhiqte drejtë dritës së furishme.Vala e kaltërsisë më lau me aromë lulesh.Shqiponja me krahë hëne lindi buzëqeshjen e mirëseardhjes. Meloditë e nuancave të oqeanit të paqtë ,të sikronizuara me bukurine e ngjyrave të larmishme të luleve , të reflekseve koralore të agimit, rrezatonte orkestrën e parajsës.Në këtë melodi çdo ajet është dritë dashurie.Çdo zemër drite,lindte thesare ku vishej qielli e shndërrohej në njëmijë ngjyra..Lulet, diamantë të butë petalesh vezullonin kudo ku afroje ndjeshmërinë.Shpirtërat si engjëjt, me mantelin e bardhë prisnin vetëm borë gëzimi. Çdo fludhë e bardhë ishte medaljoni i lajmeve të mira nga qielli prodhues..Në tokë përjetuan vuajtje të ndryshme fizike-shpirtërore, dhe kurdoherë dolën më të kalitur.Të gjitha virtytet dhe ndjenjat e bukura lindnin nga rrezet e diellit pa perëndim e bëheshin gjerdane të shpirtrave.Lum ata që u formuan si njerëz me yjet e virtytit, qoftë edhe në varfërinë më të madhe. Ata kanë krahë engjëjsh dhe banojnë në universe dritash.Qënia ime u magjeps, nga kjo gjithësi e ëmbël,mikpritëse , paqeje ,rritje shpirtërore. Këtu niste embrioni i pafundësisë..
    PETRIT SHEHU
    ——————–

    PËR ÇFARË TË BETOHEM?

    Për çfarë të betohem, që të dua,
    për dy zogj në fluturim?
    për stinën e pranverës?
    për qellin pa mbarim?…
    Për çfarë të betohem, më thuaj,
    për kaltërsinë e detit?
    për blerimin e pyllit?
    për dritën e yllit?
    Më thuaj për çfarë,
    për ngjyrat e ylberit?
    për dy pika lot?
    për ato miliona fjalë
    që nuk t’i thashë dot?….
    Më thuaj,
    për sytë e tu plot dritë,
    ku fshihen tërë magjitë?
    Të betohem, që të dua,
    Si asnjë tjetër grua!…

    KUR TË IKËSH

    Kur të ikësh, lere derën hapur,
    le të hyjë mëngjesi,
    kur të ikësh.
    Var një puthje në buzën time,
    kur të ikësh.
    Ta dish, do ngelem vetëm,
    me negativin e trupit tënd të vakët,
    me jehonat e zërit tënd,
    përthithur nga muret bojë bari…
    Kur të vish,
    s’ka nevojë të trokasësh,
    mallin tim do gjesh aty,
    duke të pritur ty!…

    U FLAS REVE

    U flas reve me gjuhë ere,
    ato më kuptojnë, ikin ngadalë,
    herë zbardhen si zambak pranvere,
    herë nxihen e lëshojnë pika loti.
    U flas reve në mbrëmje,
    ato struken pas malit tutje,
    përflakjen e qiellit
    na e hedhin pa ngutje.
    U flas reve me gjuhë qielli,
    ato më kuptojnë në çast,
    s’presin si njeriu sa të nxjerrë
    fjalorin e madh në çantë…

    DO T’I SHUAJ TRISHTIMET

    Unë s’dua të tregoj për atë
    që grisi ëndrrat e mia
    dhe zemrës i dha një brengë.
    Do mblidhem në veten time,
    do t’i shuaj trishtimet
    dhe qiellin e kaltër do të sjell
    përsëri në ditët e mia.
    Unë s’dua të tregoj për atë,
    si keqpërdori lotin tim atëhere
    dhe iku largësive,
    pa pyetur se la pas,
    plagë të hapura, kratere…

    TI DHE QIELLI

    Kjo dritë që të shqetëson sytë,
    ky qiell i pafundmë, i tëri blu,
    si ti nuk ka një tjetër të dytë…
    Nuk e di pse më ndodh kështu,
    kur retë e bardha transparente,
    rrinë lart mbi kodër, lart mbi mal,
    unë ty, e dashur, të kam në mendje,
    e ndiej kurdoherë së tepërmi mall…
    Akoma mbetur pa lule lëndina
    dhe pemët ende janë pa gjethe,
    ne udhëkryqe ndjenjash të prita,
    doja të kisha veç për vete…
    Zogjtë akoma s’janë kthyer,
    të zbrazëta ende janë foletë,
    flokët e tu, në të verdhë ngjyer,
    ti për mua, një magji e vërtetë.
    Kjo dritë që të qorron sytë,
    ky qiell i pafundmë, i tëri blu,
    mendoj si ty nuk ka të dytë,
    tani kuptoj pse ndodh kështu…

    ****************************************

    MEVLUD BUCI

    VARGJET E TUA…
    Basir Bushkashit

    Vargjet e tua shkrepëtima bjeshke,
    Si valë Mati e Drini,
    Sikur zbriti kësaj ane në heshtje
    Vetë Esenini.

    Deja e Korata në horizont
    Embajnë qiellin me rreze,
    Ndërsa vargu jot gëzon,
    Nga një fjalë,një buzëqeshje…

    DRITA E HISTORISË
    Dilaver Kurtit

    Zemra e shpirti prehen në muze
    Kur historinë mblodhe në kulla baruti,
    I lidhur me tokën si Ante,
    Dilaver Kurti…

    Të rendësh në tokën tënde si maratonomak,
    Duke mbledhur këngë e ligjërime,
    E prapë mbetet aq pak,
    Se shpirti i popullit ka aq gjëmime.

    Mblodhe e mblodhe aq histori,
    Tradita,vlera që nuk shuhen,
    Në emrin tënd plot madhështi,
    Ato ruhen…

    MAT I BAROTIT
    Në notat e mia të këngës,
    Në krye të sfratit,
    Si dritë e diellit e hënës
    Më rri emri i Matit.

    Si kastërnip i Matit,
    Në sofër të rrallë të Kastriotit,
    Më ndriti dritë e fatit,
    Të falem, Mat i barotit.

    Nga Gur i Bardhë,Lis e Koratë,
    Ti biesh Matit cep më cep,
    Kudo historia u përkund me shpatë,
    Dhe fëmija u bë burrë që në djep..
    KUR NGJITESH LARTËSIVE
    Lartësive në maja,
    Atje ku retë fjalosen,
    Mbi gryka e thepaja,
    Ku rrufetë kullosin;
    Të ngjitesh lartësive të maleve,
    Atje ku rri fytyrë e të parëve,
    Lartësive të ngjitesh,
    Ndjen si përtëritesh…

    NËNA E MËRGIMTARIT
    Buzëdrithëruar,lot nëqepallë,
    Nënë e mërgimtarit mendon për larg,
    Djali është mirë ,çfarë e mundon
    Ç`andrallë.
    Dhe i maban sytë tek shtegu,
    Mos vallë i biri vjen,
    Vjen në vjeshtë vetëm lejleku,
    Kërkon folenë dhe s`e gjen…

    SEBRENICË
    Kush vrau vallë,kjo dihet,
    Në heshtje bota gdhihet.
    Sebrenicë,kasaphanë ngjethëse,
    Vrasësit kupat me gjak i thyejnë
    Në dehje feste.
    Dhe ndonjëri në përvjetor
    tenton të vijë për gjasme ndjesë,
    zërat e të vrarëve në kor,
    ngrihen e dridhen në dënesë…
    Sebrenicë…

    O MOJ HËNËZA NNË AGIME
    Erë tërfili tek shtegu,
    Dhe erë e lehtë tek balli,
    Zë i dashuruar që meku,
    Një këngë djali.
    O moj hënëza në agime
    Zanë e urtë, manare,
    As e merr këngën time
    Ndriçon hone e drizare.
    Ti e bardhë si plat bore
    Ngjitesh bjeshkës në livadhe,
    Si brerim i një kurore
    Plot me lule e petale…

    NËNAVE
    Në rrudha pleqërie
    Ka dritë hyjnie,
    Ato ,nënat,
    Zëëmbla
    me më të bukurën melodi,
    dashuria më e madhe
    në zemrën e tyre rri…

    Fran LLeshi (Cikël poetik)

    QORTIMET E ËMBLA

    SHËNGJINI – NJË PELIKAN I BARDHË
    Shëngjin,
    O pelikan i bardhë!
    I shenjti gji , ti puthesh
    Në dy fllade,
    Njërinkrah,buzëvalëve-nderur
    Tjetrinpërmbi-shpate.

    Këtu,
    Zemra thirrka-Ke rubinin
    Të shenjtëroji-Projektuesin e Madh,
    Gjirit t`i flatëroj në bekimet e njerëzve
    Nga kjo Mbretëri dedmalë.

    ROMI I VOGËL
    Mes turmës së nxënësve turrej tek lasa
    Dhe fjalën shkollë s`e shqiptonte dot,
    S`ja arrinte mësueses-krahët
    Veç-gjunjët ja shtërngonte fort…

    Se mos i thotë: ti je i vogël
    I ndrojtur shihte –derën,
    Më parë se abetaren, Romi
    Mësueses i lexonte –zemrën.

    DHEMBJA E NËNËS
    Harroi veten
    çfar`e priste…
    Nga lëngimet atje në shtrat.
    Gjysmëzëri belbëzoi:
    Shko bir-o, mbështetu pak!…

    Ndoshta s`deshi t`ia shoh
    ikjen,
    N`ato caste agonie…
    Sa pikëllim u derdh
    Mbi mua,
    Kur ju shua drita e syve.

    Tani ndiej se po më nis plakja
    Kur e di se Ty s`të kam…
    Hidhërimi s`u shueka
    Si flaka,
    Pak ngapak
    Na djeg o Nënë!…

    QORTIMET E ËMBLA
    Më ka marrë malli
    Të dëgjoj qortime të ëmbla,
    Të gabueshëm jemi
    Se s`jemi hynorë…

    Veç nga shkarjet e gjuhës
    Sakaqherë,
    Kohën lënduam
    Ne të papërkorët.

    Se na mungokan fjalët magjike
    Si dikur na i thonin të urtët
    Prindërit tanë.
    Dhe s`ndodhte kurrë t`ju idhnonim
    Dhe s`bëheshim inatqarë.

    Edhe pse tani-prindër
    Dhe nxorëm jo pak në jetë,
    Na ndjek qortimi i tyre i ëmbël
    Dhe përulësia e shtrenjtë.

    Asgjë,
    S`do të çmoja më shumë
    Te Njeriu,
    asgjë,
    Se sa në mënyrën e sjelljes
    Të jetë ”arkitekt”.

    Hamdi Hysuka

    MBRETËROJ NË FRONIN TIM

    Vite ka që jemi ndarë,
    ç’ke që sot më fton aty,
    plot kujtime zgjoj më parë,
    në qytet kërkoj me sy.

    Krejt pa pritur më ndal porta,
    s’e kuptoj pse sillet ftohtë,
    s’ecin dot këmbët e forta,
    as korriku s’është i ngrohtë.

    Gjurmë jete kam përballë,
    s’ta braktisa dot vetminë,
    kot takimi, si përrallë
    nuk ma solli dashurinë.

    Jo si humbës kthehem prapa,
    s’më dhemb gjë, nuk ndjej trishtim
    për të djeshmet s’po bëj hapa,
    mbretëroj në fronin tim.

    PA TITULL

    Këtej Urës së Qabesë
    me azilantë linjat plot,
    nga sytë-këmbët për një shpresë,
    udhës së pa udhë e pa Zot…

    Dallëndyshe foleprishur,
    shtegëtim nën qiell me shi,
    prapadiellit duke ikur,
    hesht foleja në vetmi.

    Sikur s’paska gjurmë jete,
    pikëllim në muzën time,
    bij e bija mbush me derte,
    nënëlokja mbet jetime.

    S’JETOJ PËR TY

    S’jetoj për ty, s’jeton për mua
    tjetërkund gremisa sytë,
    por jam thirrur të të dua
    në një dashuri të dytë.

    Di ç’të bëj, s’drogohem lehtë
    dot me ty s’e prek parajsën,
    të vërtetën e vërtetë
    fjalë Bible ma përplasën.

    Kot moj dreqe më shastise
    dhe po them, nuk të kam motër
    s’më tha truri “jetën grise“,
    dashurinë s’e bëj lodër.

    KU JE SHOK?

    Dikur mora dhe një ftesë
    shok besnik që të më kishit,
    afrom kohën, ti kujtesë
    kur ia pimë gjakun gishtit…

    Kur e kisha shok të zgjedhur,
    kur s’na ndante dita as nata,
    dhe forcohu, pa më trembur
    shoqëri të pastër pata…

    Ç’u mbush bota me mistere,
    a je gjallë mor lum miku,
    ndjej zhgënjim dhe rënie vlere,
    tjetërsohet më besniku.

    Nga Xhevahir Cirongu
    Esse
    Hëna

    E bukura hënë çdo mbrëmje rrezaton dritën e saj mbi tokën tonë. Ajo zbret ngadalë nga kupa qiellore rrezet drejt nesh të ngarkuara me ngjyrën e argjend dhe na ‘’puthë’’ ëmbëlsisht ëndrrrat tona të përgjumura. Hedh shikimin tim buzëmbrëmjeve atje ku hëna mban në gjirin e saj miliona yje , dhe u buzëqesh atyre si mbretëreshë e qiellit tonë. Edhe unë, ti, ajo , të gjithë ne frymorët e tokës e prekim atë qënie të bukur që e cila na dhuron mbarësi e fat. Ajo është udhërrëfyesja e jetës sonë. Tek ‘’mbretëresha’’ e qiellit tonë vallzojnë s’bashku me hënën yjet e ëndrrat tona. Vrapoj pas dritës së argjend të hënës për ta kapur edhe unë, sepse aty është fati im, atje jam unë me ëndrrat e jetës sime!… Pa hënën e dritën e saj, bota jonë do të ishte e zbraztë dhe kaotike. Hëna ka mbi vete shumë mistere të fshehta. Nga gjiri i saj, valëzojnë për te toka jonë ëndrrat e dashurisë së jetës.!
    Po, kjo është e vërtet, sepse shumë legjenda janë thënë e shkruar që nga leshtësia e gjer sot për ‘’nënën e qiellit tonë’’ hënën ! Sa bukur do të ishte që në dorën time të kisha një buqetë me lule të arta nga drita e hënës sonë!? Vrapoj ‘’fushës’’ së globit tonë për të mbledhur një tufë rrezesh të arta nga hëna jonë që ato t’i vendos tek pragu i shtëpisë e t’u them ‘’Tunjatjeta’’ edhe gjatë ditës….! E lash gjumin e natës dhe vrapova nëpër kontinente për t’u thënë rrezeve të argjenda të hënës se’’ jam me ju, sepse jeni juve të parat që flini çdo natë me mua!.
    -E ku ka më bukur, që sapo bie mbrëmja, toka jonë vesh kostumin e argjend të hënës!
    Bie të fle gjumë….! Qepallat e syve mbyllen ngadalë si dy kanata porte të drunjtë të lodhura nga pesha e kohës, apo nga lodhja e ditës; e mbulojnë dy ‘’oqenet’’ e qelqta për të pushuar në valën e dritës së syve. Si një anije me vela shpalosen në lundrim e sipër edhe ëndrrat e mija të përgjumura! Unë fle gjumë aty në shtratin tim….bashkë me mua bjenë të flenë edhe ëndrrat …! Marr frymë në qetësinë e natës, ku yjet rrinë roje për mua. E ndjej veten të lehtë, si një gjethe vjeshte që ka humbur klorofilin e saj , e cila shkëputet nga dega e pemës pas një flladi ere të natës, e merr udhën drejt ëndrrave të jetës. Ja ,edhe ajo ëndrra ime, atje te bregu i detit kaltërosh është ulur e bisedon me dritën e hënës. Ajo e përqafon rrezen e argjend të zbritur nga hëna Mbretëreshë, e bashkë me valët e bardha të detit buzëqeshin gëzueshëm e marrin fluturim drejt kupës së qiellit me pulbardhat për te Hëna!
    -Sa bukur,- them me veten!
    …Eci drejt gjurmëve që lë pas drita e hënës! Zgjas njërën dorë për ta kapur dritën e saj. Ajo herë më afrohet e herë më largohet duke më buzëqeshur ëmbëlsisht. Provoj edhe një herë duke zgjatur duartë drejt rrezeve të argjenda, por më kot. Ato vetëm më buzëqeshin, e ashtu me butësinë e tyre më përkëdhelin trupin tim duke lënë ngrohtësinë e dashurisë në ‘’Oqeanin’’ e syve të mi. Miliona petale të bardha mirësie bjenë nga kupa qelliore mbi tokën tonë, nga rrezet e argjenda të hënës! Mbi këllëfin e bardhë të jastëkut ku fle gjumë; s’bashku me mua flenë edhe rrezet e hënës të cilat kanë hyrë nga dritarja e dhomës e bisedojnë çdo natë me ëndrrat e mija. Me hënën bisedojmë çdo natë të gjithë ne, duke filluar nga njerëzit e gjithë gjallesat e tjera të globit tonë. Te hëna Mbretëreshë, ngrihen e thyhen baticat e zbaticat e oqeaneve….por edhe ëndrrat tona jetdhënse aty kanë zanafillën e tyre! Jemi dashuruar me dritën e hënës të gjithë ne, sepse drita e saj që depërton netëve të errta mbi rruzullin tokësor, ndikon fuqishëm me valët zanore drejtpërdrejt në qënien tonë të jetës, duke lartësuar vetdijen dhe forcën mendore me thurjen e gërshetit të ëndrrave në hapsirën kosmike.
    E dua hënën, sepse ajo më zgjon nga gjumi të bukurat ëndrra! Si mos ta duash e të shkruash qoftë edhe një fjalë të vetme për këtë dritëjetëdhënse që i jep gjllesave të globit, ngaku jemi edhe ne pjestarë të saj!?
    Zgjohem nga gjumi me ëndrrën e falur nga drita e hënës. Sa bukur më shfaqet para syve bota e ëndrrave! Aty është gjithë qënia ime…!? Pse jo, udhërrëfyesja e jetës sime, por edhe e jotja, merr krahët e shqiponjës e fluturon me dritën e hënës së argjend duke thithur vesën e mëngjesit e oksigjenin drejt hapsirës qiellore për te hëna! Atje gjen qetësinë trupi im, aty në gjirin e hënës së argjend flenë ëndrrat tona. Thërrmijat e trupit tim janë gatuar edhe me dritëargjendën e hënës Mbrtëresh na bën roje atje në qiell. Ah, hëna jonë, që veç puthjes tënde nga rrezet që hedh si vello nusërie mbi tokën tonë, edhe unë preka me ëndrrën time trupin tënd me plot misterejete që na dhuron këtu në tokë! Të erdha një ditë aty me ëndrrën time pas kaq shekujsh, dhe u ula në ‘’gjirin’’ tënd ku piva sisën e argjend të jetës sonë. Ashtu në heshtje, edhe ti më përqafove fortë nga malli i thellësive të shekujve duke më thënë ‘’ Eja o njeri i mirë të kuvendojmë këtu të dy sepse je shëmbëlltyra e imja dritëjete që dole nga drita e argjend e imja!’’
    -Me hënën u përqafova dhe ëndrrat morën udhën e jetës…!
    Në parmakun e dritares sime, prapë do vijë nesër dria e hënës ,do të ulet e do bisedojë me mua, pastaj qetësisht do flemë në livadhin e bukur të ëndrrave, …do kuvendojmë gjatë ku hëna me dritëzat e saja përcjell fat, lumturi për të gjthë ne.Prandaj e adhurojmë Hënën!

    Liliana Shkodrani Baçi

    IMAGJINATE E GUXIMSHME

    Eshtë si ka qënë gjithmonë

    Për imagjinatë të guxuar

    Kur bën sikur symbyllur prek

    Magjinë e flirtit të dëgjuar.

    Eshtë llogjik që s’zë vënd, se

    Njerëzit përreth nuk pranojnë ,

    Nëse se s’je burrë

    S’ dridhet shikimi në qerpik të lagur,

    … … … … … …

    Unë për këtë moment

    Në duart e vdekjes

    Lumturinë mbeshtesë.

    IN MEMORIAM

    (të dashurve të mi që u ndanë nga jeta…)

    Kur ike s’më dorëzove mbi gjoks

    Vetëm përshëndetjen finale

    Po papritur gjith universin e lotëve.

    I mbështete mbi parajsë trasparente

    Që ti shoh kur sytë e mi, të tuat të kerkojnë.

    Lëri pak qerpikët hapur,edhe

    me aq dritë ti di të shikosh

    po të xhvesh at’të vërtetë që ende sta kam thënë,

    -U përmbush qielli yt me yje të tjerë

    Ne s’ishim vigjilentë

    Errësira , ëngjëllin të solli në gji.

    Sa punëtore ishte vdekja me ne o nën

    Akoma qarje desh… jo larg

    As mbi qylym bari

    Po me furi inati—ç’pati që rrinte pas portës tonë?!

    Tët bir , të afrojë.

    Me falje infantile, me mall per ty,

    Edhe për t’ anë… dy muaj më pas i vajti pranë.

    Tash më jeni kthyer , yje xixëllonjë

    që nga larg shikojnë

    Ferrin që vazhdon…

    Maskat e hijeve të hipokrizisë
    Maskat mbi puthje e buzëqeshje
    Janë hekur i nxirë
    Ngjyejn faqet me bojë
    Me buzët e hipokrizisë.

    Maskat mbi buzëqeshje e puthje
    S’kanë ëmbëlsi
    Janë porta që çojnë, në rrugë pa shtrojë
    Ku s’çel e verdha xanë, bashkë me trëndelinë.

    Po ç’bëjmë?
    Nën urat e shikimit,
    si bindës të mirë
    Kalojmë hije të shtuara të hipokrizisë
    Stampën e buzëqeshjes kalibrojmë,
    Për çfarë?!
    Që gëzimit të rremë t’i përulim një copë
    Një tjetër
    Akoma , tjetër copë
    I mbledhim si kupë triumf rrenash
    nën ujvarën e hijeve të trasha,i lëm
    ashtu qull…

    Si ditën e lindjes ne
    Mbetemi njëllojë të pafajë.

    Ka ardhur koha të krijojmë degën e historisë-juridike

    Nga Kujtim Mateli
    Kemi ndër duar librin më të ri të studiuesit Xhafer Sadiku, “Shqipëria 1978-1928” një përpjekje
    serioze për të depërtuar në një periudhë të rëndësishme të historisë së popullit tonë siç ishte
    shekulli i XIX dhe fillimet e shekullit të kaluar ( XX). Për këtë periudhë historike janë shkruar
    dhjetra e qindra libra të autorëve të ndryshëm, tekste shkollore apo tekste zyrtare të

    institucioneve tona shkencore të cilat sjellin kronologjinë e kësaj periudhe me të cilën ne jemi
    njohur qysh në bangat e shkollës. Këndvështrimi me të cilën është parë kjo periudhë historike
    prej autorëve të deritanishëm ka qenë ai i historianit politikan apo i politikanit historian. Në këtë
    mënyrë historia është shkruar deri tani për t`i shërbyer njërës apo tjetrës forcë politike që vinte në
    pushtet duke e deformuar realitetin sipas interesave të caktuara. Kjo lloj historie me të cilën ne u
    mësuam, na bënte që t`i shihnin aktorët politikë që kanë vepruar në periudha të ndryshme
    historike bardhë e zi: ose atdhetarë, ose armiq e tradhëtarë. Kjo ka bërë që aktorët politikë që
    kanë vepruar në Shqipëri të kenë tek brezat e shqiptarëve dy qasje të kundërta emocionale: Ose
    të adhurohen e të hymnizohen, ose të urrehen.
    Këndvështrimi i studiuesit Xhaferr Sadiku është i ndryshëm. Profesioni i tij është ai i juristit. Si
    jurist ai e ka parë individin në optikën e profesionit të tij: ishte veprimtaria e një aktori politik në
    përputhje me interesat e atdheut apo nuk ishte? Në këtë këndvështrim studiuesi ai i shikon
    aktorët e politikës shqiptare si alternativa të ndryshme që individë apo dhe grupime njerëzish
    kanë përfaqësuar shtresat e shoqërisë shqiptare në periudha të ndryshme historike. Ky
    këndvështrim është një risi në historiografinë shqiptare. Kjo risi është dhe vlera reale që e bën
    këtë libër të çmuar dhe të vlerësuar. Mbase ka ardhur koha që fakulteti i Histori- Filologjisë dhe
    veçanërisht dega e historisë t`i shohë dhe t`i vlerësojë aktorët e politikës shqiptare të këtyre tre
    shekujve të fundit edhe në planin juridik, nëse veprimtaria e tyre ishte ose jo në përputhje me
    interesat e atdheut dhe, nisur ka ky rezultat, të bëhet vlerësimi i njërës apo tjetrës figurë politike.
    Studiuesi Xhafer Sadiku i ka parë me vëmendje të gjitha trevat shqiptare dhe ka sjellë për
    lexuesin të gjitha përpjekjet e shqiptarëve, të elitës së saj politike, që kanë punuar dhe luftuar për
    të ruajtur tërësinë tokësore ku banonin shqiptarët, e cila në disa kongrese dhe konferenca
    famëkeqe iu dha fqinjëve lakmitarë. Autori e ka përcjellë me detaje konkrete gjithë këtë luftë të
    pabarabartë midis copëtuesve të tokave të shqiptarëve siç ishin malazestë, serbët apo grekët dhe
    mbështetësve të tyre që grupoheshin nën emërtimin “Fuqitë e Mëdha”. Ajo që e bën këtë libër të
    besueshëm është se autori ka shfletuar disa qindra libra e dosje dhe ka marrë prej tyre 1932
    citate, të cilat japin një tablo të plotë të asaj që ka ngjarë në ata dy shekujt e fundit (XIX-XX).
    Ato janë në radhë të parë dokumente arkivore, por është përdorur dhe shtypi i atyre viteve dhe
    autori për të arritur në një konkluzion sa më të drejtë ka përdoruar sa më shumë burime. Të një
    rëndësie të veçantë janë dhe burimet në gjuhën italiane të cilat i ka përzgjedhur me kujdes dhe i
    ka sjellë për lexuesin për ta parë më mirë jo vetëm qëndrimin e qeverive italiane, por edhe të
    atyre shteteve evropiane që kishin interesa në Ballkan dhe një plan konkret për trojet shqiptare.
    Ngjarjet në Shqipëri ky autor i ka parë në një plan sa më të gjerë. Aty do të gjesh marrëveshjet
    midis shteteve ballkanike dhe atyre evropiane, lidhjet e një shteti ballkanik me ato të kontinentit
    e më gjerë. E kemi patur deri më sot të paqartë se si Anglia, Franca dhe Rusia, tre shtete që kanë patur
    interesa të kundërta me njëra-tjetrën të bashkoheshin në një qëllim të vetëm përsa u përket
    interesave shoviniste të grekëve për t`u shkëputur trojeve shqiptare Shqipërinë e Poshtme. Po tek
    ky libër e gjen mjaft të qartë përgjigjen e cila nuk vjen nëpërmjet konkluzionit të autorit, por
    nëpërmjet një dokumentacioni të plotë që gjendet në arshivat e vendeve evropiane dhe që
    pasqyrohet dhe në këtë libër. E kemi patur të paqartë se si midis krahinës së Sulit në Çamëri dhe Ali Pashë Tepelenës që
    sundonte vilajetin e Janinës pati një luftë për jetë a vdekje, kur të dy kampet i përkisnin së
    njënjtës popullsie që ishte ajo shqiptare. Lexojeni këtë libër dhe aty do të gjeni mjaft mistere që
    deri tani kanë mbetur të pazbardhura dhe që ky libër hedh mjaftueshëm dritë për të zbardhur
    historinë e Shqipërisë dhe të parëve tanë.
    E kemi patur të vështirë të kuptojmë se si arsimi në gjuhën shqipe mbeti në nivele të ulta deri në
    Shpalljen e Pavarësisë, kur në krye të Perandorisë Osmane ka patur disa kryeministra shqiptarë,
    qoftë dhe ky i fundit, Ferit Pashë Vlora, i cili i shërbeu Perandorisë në vitet 1903-1908 Lexojeni
    këtë libër dhe do të gjeni aty përgjigjet për mjaft nga pikëpyetjet që na kanë shoqëruar deri më
    sot. Ky libër është një enciklopedi e aktorëve politikë shqiptarë përgjatë dy shekujve të kaluar. Ata
    janë parë në plane të ndryshme në të gjithë veprimtarinë e tyre. Ajo çfarë i bashkon është ngjarja
    historike dhe aty shohim qëndrimin e njërit e të tjetrit. Në planin kombëtar janë qëndrime të një
    patrioti e atdhedashësi që kërkonte lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, pavarësisht se mendimet e
    tyre nuk përkojnë me njëri-tjetrin apo dhe vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Kjo ndodhte se

    në territorin e Shqipërisë vepronte e gjithë struktura diplomatike evropiane. Në këtë kuadër nuk
    ka se si të mos ketë ndodhur që individë të caktuar të jenë joshur nga njëra apo tjetra fuqi
    evropiane dhe të jenë mbështetur prej tyre. Sot, pas një shekulli, e kemi të qartë se çfarë synonte
    njëra apo tjetra fuqi evropiane. Sot, pas një shekulli, mund të mos gënjehet dhe një njeri që ka
    minimumin e njohurive politike. Por kur në territorin e Shqipërisë vepronin shtete të fuqishme
    evropiane si Anglia dhe Franca, Austro-Hungaria dhe Italia, Gjermania dhe Rusia, cilido aktor i
    politikës shqiptare do ta kishte të vështirë të besonte se cili midis tyre ishte miku dhe cili armiku.
    Sot ne mund të rendisim si përkrahëse të Shqipërisë Italinë dhe Austrinë dhe deri diku
    Gjermaninë. Sot mund të rendisim si shkatërruese të trojeve shqiptare pjesën e mbetur, por në
    kushtet e pushtimit, kur qëllimi fshihet pas fjalëve të bukura, zbardhja e së vërtetës është e
    vështirë. Mënyra se si studiuesi Xhaferr Sadiku i ka trajtuar ngjarjet në Shqipëri pas Shpalljes së
    Pavarësisë gjer në vitin 1928, është një ndihmesë për historiografinë shqiptare. Disa figura
    politike, sidomos pas Shpalljes së Pavarësisë, që janë përbaltur deri më sot apo u janë faturuar
    faje, më shumë se sa ata mund të kenë kryer në realitet, ky autor i sheh në optikën e tij dhe këtyre
    faturime u zbret ato që u kanë ngarkuar aktorët politikë të kohës. Nuk mundet,-nënvizon autori
    në të gjihë veprën e tij,- që të marrësh për bazë akuzat e ndërsjella të aktorëve politikë kur dihet
    që ata e akuzonin njëri-tjetrin se kishin si synim marrjen e pushtetit. Për vlerësimin e një figure,
    autori ka patur si mbështetetje dokumentet arkivore, ndaj mund të themi se ky libër është një
    prurje me vlerë që duhet të zërë vend jo vetëm në bibliotekën e lexuesit, por mund t`i shërbejë
    dhe studiuesit e historianit për një vlerësim sa më real për ngjarjet dhe aktorët që kanë vepruar në
    politikën shqiptare. Do të veçoja si vlerë të veçantë dhe mënyrën se si i ka përcjellë aktorët e politikës evropiane që kanë vepruar në Shqipëri dhe sidomos Konferencën e Londrës të vitit 1913.
    Ky studim depërton më thellë se ajo çfarë është arritur deri tani. Mbi këto kongrese dhe
    konferenca evropiane që copëtuan trojet e Shqipërisë vëzhgon jo vetëm syri i historianit, por
    edhe ai i juristit. Vendi, i cili kërkon që Kongresi i Berlinit 1878 dhe Konferenca e Londrës 1913
    duhet të rishihen, është Shqipëria. Deri tani e kanë kërkuar politikanët dhe historianët. Madje në
    këto 100 vitet e fundit vendimet famëkeqe të tyre janë denoncuar si nga historianët dhe
    politikanët, por pa sukses. Studiuesi Xhafer Sadiku ka futur me këtë libër një përmasë të re në
    rishikimin e këtyre ngjarjeve.

    Pullumb Ahmeti

    ZEMRA E GURIT

    Bisedë dëgjova,jo,s’isha në gjumë,
    zëri gjëmonte trondiste tokën
    shkëmbi ngurosur s’bënte zhurmë
    mbi shpinë rrufetë i derdhnin llohën

    Unë të krijova,tha, s’ke zemrën gur
    shpatën e syrit nga mylli e nxorri
    në vite e mote pikonte si kurr
    me pikën e lotit ngadalë e krijoi…

    Hidhi një sy, dëgjova nën zë
    a s’është zemra jote e fshehur në gji?
    nga dhimbja të qan e lot më nuk nxë
    dhe zemre burrit kështu është si ty.

    PUTHJA

    Puhizë pranvere mledhur aromat
    ndjeva buzëve ngjyrë manushaqe
    aty buzë detit vorbulla s’njeh mosha
    kristale kripëzash mbetur në faqe.

    Deti s’më ndali të puthja dy buzë
    dy buzë të ëmbla nektare mbuluar
    bletare mëngjesit ,gjumë s’fle kurrë
    aromë lëndinash ndër hoje mjaltuar.

    Stinët ti putha buzës njomëzake
    të ftohtin dimër e largoi pranvera
    vera më dogji si prushi një vatre
    frutdashurie puthjesh fali vjeshta.

    Frutputhje shijova buzës cipëhollë
    deti sa rreket të na rrëmbejë në gji
    puthja vjeshtake thotë ,dashuromë
    dashuromë,më thoshte zemra për ty.

    BARDHE E ZI

    Bardh’ e zi, jeta
    bardh’e zi dhe muret
    pas një fashë drite
    dora ngjitet shkulet.
    Mugëtirë trupi rrethuar
    mugëtirë shpirtin mbështjell
    mes dy muresh përfunduar
    zemra veçse dhimbje nxjerr.

    Bardh’ e zi, jeta
    bardh’ e zi dhe bota
    ndarë shpirti në mes
    ndarë bërë dy copa.
    Shpinën bota kthyer
    shpinë kthyer dhe jetës
    mbërthyer mes muresh
    plagë i hapje zemrës.

    Lehtë kërciti dera
    kokën jo s’e ktheve
    lot pikonte syri
    brengat e një zemre.
    Eh muret e nxirta
    shpirtin s’ta burgosën
    mëngjeset dhe drita
    plagët ti mjaltosën.

    Drita s’ra në sy
    drita gjysëm vinte
    me mëngjeset bashkë
    zhdukte ëndërrimet.
    Mbyllur trupi brenda
    muresh lagështirë
    për ëndrrat e ëmbla
    vrarë për dashurinë.

    Bardh e zi, jeta
    bardh e zi dhe muret
    nga drita e pakët
    shpirti zë lëkundet.
    Në liri del trupi
    zemra rri burgosur
    dashuri e vrarë
    jetës sy përlotur……

    Liriku i talentuar fierak Petrit Shehu, këngëtar i zjarrtë i dashurisë
    TOKA DHE QIELLI, TË SHKRIRË NË DYQINT LIRIKA

    Është pikërisht kështu. Liriku i talentuar fierak Petrit Shehu, këngëtar i zjarrtë i dashurisë, ka shkrirë bashkë të gjithë elementët figurativ të tokës dhe të qiellit, për të ndërtuar lirikat e librit të tij “LIRIKA TË PURPURTA”. Një përmbledhje poetike që të befason me fuqinë ideoemocionale, me ëmbëlsinë e vargut dhe bukurinë e stilit eseninian. Era, shiu, ylberet, zogjtë, lulëkuqet, trëndafilat, pulëbardhat, vajzat buzëqershi, sytë jeshil, qielli gri e blu, perëndimet kuq e zi etj, janë elementet shumëngjyrësh të fjalorit poetik në lirikat e tij, ku përzierja e ndjesive njerëzore me gjendjen atmosferike, harmonizohen bukur brenda logjikës së idesë që ai përcjell te lexuesi. Kjo mënyrë e ndërtimit poetik, bën që poezia të marrë përmasa hapësinore. Pasi brenda të gjitha dimensioneve të saj, merr pjesë edhe njeriu, si krijesë e natyrës. Kësisoj, gjendja shpirtërore e heroit lirik, pa asnjë dyshim, është në lidhje të ngushtë me gjendjen e përgjithshme, të krijuar herë pas here nga dukuritë e fenomeneve natyrore: “Kjo dritë që të shqetëson sytë, ky qiell i pafundmë, i tëri blu, si ti nuk ka një tjetër të dytë… Nuk e di pse më ndodh kështu, kur retë e bardha transparente, rrinë lart mbi kodër, lart mbi mal, unë ty, e dashur, të kam në mendje, dhe ndjej kurdoherë së tepërmi mall…” Femra është për autorin një qenie gati hyjnore, me një bukuri të rrallë në të gjithë qenien e saj, te flokët, buzët, sytë. Puthja e saj është shëruese, është vetë mrekullia e kësaj bote. Ku shkel ajo, çelin trëndafilat, mbushet ajri me aroma, gëzon qielli dhe retë. Autori i thotë asaj “ti magjiplota, perla, me emrin grua…” Dashurinë për të, ai e shpërthen në mjaft poezi me tone të fuqishme shpirtërore e me ndjesi te madhe emocionale: “Do të dua pakufi sa deti do tokën, e qielli do yjet, asgjë s’më ndan nga ti, as shirat e rrëmbyer, as era e bubullimat. në shpirt do të kem sytë e tu, fytyrën tënde të ëmbël. mendimet e kthjellëta të tua, buzëqeshjen diell, e buzët zjarr… Do të dua pa kufi, aromën tënde pranverë, dhe shpirtin si re e bardhë”… Kur mungon gruaja, jeta është bosh për poetin, është zbrazëti e thellë, shpirti i tij vuan nga malli i tmerrshëm, që e gërryen për së gjalli. “O mall që më brengos e më vret !” Edhe pak çaste po të iki ajo nga shtëpia, ai zbraz thirrmën: “Kur të ikësh, var një puthje në buzën time! Kur të ikësh. Ta dish, do ngelem vetëm me negativin e trupit tënd të vakët, me jehonat e zërit tënd, përthithur nga muret bojë bari…” Te femra është burimi ku mbushet me frymëzim gjoksi i poetit. Autori gjen aty muzën e zjarrtë. Kur mungon ajo, pena e tij nuk rrëshqet do as mbi letër: Ah, sot s’më bëhet për të shkruar, s’më vjen vargu, nuk kam muzë, më mungon syri yt i gjelbër, dy buzët e tua, ndezur shpuzë…” Largimi nga atdheu, për në emigrim, e bën poetin të parandjejë rreziqe të errëta për dashurinë e tij. Këtë dyshim, ai e derdh me nota të forta dhembshurie: “Do iki larg, në tokë tjetër, qiell me tjetër ngjyrë, ti mos u trishto, dhimbje mos lejo në fytyrë, e di, mall e trishtim, prapa do të lë, kur të mungoj, e dashur, mos qaj me zë!… E di, fatin dhe shpirtin, do vë në ankand, po s’di ç’sjell e nesërmja me status emigrant…” Malli dhe pasioni i flaktë për njeriun e dashur, që ka lënë në atdhe për të shkuar në emigrim derdhet në shumë poezi: “Më mori malli për ty, më mori, dua t’i shkurtoj largësitë… Kush emigrimin, kush e nxori, pas porte, ty të pres përditë… bregut të pres, aty në rërë.. pres mbrëmjeve mos bie dera, zemra copash më është bërë…” Përveç përdorimit të elementeve që përmendëm më lart, Petrit Shehu përdor shpesh edhe enumeracionin, duke renditur detaje intime nga çastet dashurore, si mjet për të krijuar vërtetësi me efekt emocional: “Kur qielli i syve të tu, të zbrazet në të druajturit sytë e mi, kur gishtat t’i kryqëzojmë bashkë e puthje të japim pa doganë… Kur ngjyrën t’ia marrim qiellit, e ditët t’i numërojmë një nga një, kur frymëmarrjet t’i bashkojmë e zemrat të rrahin me një komandë atëherë, them, do jemi bashkë…” Por poeti, në disa poezi, krijon edhe alternativën negative të ndjenjave, kur dashuria nuk ecën gjithmonë mes barit dhe luleve, sepse ka edhe raste kur ajo, për arsye të ndryshme pengohet dhe mes të dashurve ka pllakosur heshtja e ftohtë: “Asgjë s’dëgjohet, ka pllakosur heshtja, në dritare s’dëgjohet më shiu, në gjethe vjeshte përhapur vdekja, një syth i ri, në shpirt na mbiu… Të heshtura janë foletë s’ka cicërima, bari është tharë, ka ngjyrë gri, në rrugë rrëshqasin makina, në fytyrë fryn dimri i ri…” Krahas poezive me tema lirike, poeti nuk qëndron indiferent për problemet e mëdha të kohës dhe hallet e njerëzve të thjeshtë. Ai ngre zërin e tërthortë të artit, për ata që kanë veshë të dëgjojnë: “Grindet e zihet me vete poeti, e në bar me fund kthen një gotë, në fund të shpirtit një qiri ndezi, njerëzit e rrugës t’i mbaj ngrohtë. Bërtet e klith e drejta në çdo anë, po vesh s’kanë, askush s’e dëgjon kërcënimi i lirisë bie si kambanë, po askush s’çan kokën, se po mbaron… “ Kam mendimin, se këtë përmbledhje poetike të Petrit Shehut, është mirë ta ketë në bibliotekën e tij çdo poet, fillestar apo me përvojë, si shembull se si në poezi, ashtu si në pikturë, duhen përdoruar të gjitha ngjyrat e spektrit të dritës që shpërndan dielli në qiell e në tokë, për të pasur krijimi poetik, një kolorit artistik me diapazon të gjerë, por edhe për të krijuar paralelizmin figurativ dhe similitudën, (krahasimin e zgjatur) që vë përballë dy dukuri, dy sende a dy frymorë të ngjashëm nga ana e jashtme, për të ndriçuar më mirë njërin prej tyre dhe i jep poezisë bukuri e ndjesi emocionale të veçantë.
    Vullnet Mato- shkrimtar-redaktor i librit.

    REMZI GJIKA dhe romani “Në rrugën pa kthim”
    Dr. Leka Skëndaj

    Në përmbledhjen me rrëfime “Porta e mundimeve” të Remzi Gjikës, ne të gjithë: miqtë, shokët, dashamirësit e tij e pikasëm tharmin narrativ të penës së tij. Ndoshta edhe ardhja në dritë e librit të dytë, e romanit “Rrugë pa kthim”, ishte si një nxitje dhe shtysë nga fjalët dhe vlerësimet që iu bënë edhe ditën e përurimit. Hamendësitë mund të jenë të shumta. E rëndësishme është që ai mendon se ka diçka për t’u thënë njerëzve. Dhe kjo duhet respektuar deri në mirënjohje. Kësisoj, Remziu u shfaq i beftë si njeri i letrave, me një vrull frymëzimi si rrjedha e Shushicës. Me sa duket, përvoja jetësore dhe leximet e vazhdueshme dhe me tepri paskan rezervuar në ndërgjegjen e tij prej vrojtuesi të hollë shtresëzime jo të fosilizuara, por të pasura me lëng jete, ndoshta siç ruhet vera e vjetër dhe që vjen një ditë e serviret në tryeza miqsh për t’u shijuar. Në një këndvështrim tjetër, mbase e papritura qëndron tjetërkund. Nëse në librin e parë me rrëfenja Remziu na parashtron përjetimet e tij për emigrimin e pasviteve ’90, që ishte një plagë e re “në trupin e përvuajtur të shqiptarit”; këtu, në romnanin “Rrugë pa kthim”, ai merr guximin për të trajtuar temën historike dhe pikërisht atë të viteve pas Pavarësisë e në prag të Luftës së Parë Botërore. Në qoftë se në përmbledhjen me rrëfenja kishim personazhe, episode dhe ngjarje të përjetuara me nuance dhe ngjyrime reale, të prekshme; nga ato që autori na i ka përshkruar me dashuri dhe realizëm të gjitha hallet dhe peripecitë, që nga rreshti në rresht lëvizin natyrshëm para syve të lexuesit, sa që të duket se je në mes tyre; ndjen vuajtjet dhe mundimet, gëzimet dhe zëmërimet, cilësitë dhe bukuritë shpirtërore; romani është fryt i fantazisë, që, me sa duket, e kanë ngacmuar prej kohësh autorin dhe ndoshta shtysë është bërë edhe qasja me jetët njerëzore të të njohurve apo të afërmve të tij. Të gjitha këto kanë vendin dhe rëndësinë e tyre, por në roman autori ka patur qëllime të qartë kreative dhe intelektuale për atë periudhë historike që ka mbetur e errët në ndërgjegjen shoqërore të kohës dhe më tej. Autori përpiqet të jetë i vëmendshëm, për të qenë sa më i qartë me lexuesin për aq sa e njeh atë periudhë dhe njëherazi për t’i treguar se është në gjendje të depërtojë në karakteret dhe zhvillimet e kohës. Para lexuesit levizin skena dhe dialogje “…biseda trishtimi të pafund që mbushin boshllëkun… të gjithë luftonin kundër të gjithëve… popujt nuk kuptonin as nga gjuha as nga politika që ndiqej…njerëzit prisnin me ankth lajme nga fronti…historia na paska dënuar…”. Me të tilla situata operohet në roman. Ndoshta paksa deklarative, që mbeten jashtë kornizave të gjinisë së vështirë të romanit, por gjithsesi janë episode, situate dhe histori si pjesë e ekzistencës së kohës. Janë edhe pyetje që u lindin personazheve, por që u trokojnë si shqetësim dhe si nevojë për njohje edhe lexuesve. Pikërisht, romani që kemi në duar kërkon të ravijëzojë një prej periudhave më dramatike të historisë së popullit tonë. Një çast shumë delikat, gati në teh të briskut. Ky çast bëhet kryemotivi i romanit. Nëpër faqet e librit ndihet si një jerm që edhe autori është i përfshirë në këtë shqetësim. A do të rrënjoset në ndërgjegjen e çdo shqiptari ndjenja shtetformuese? Si do të përjetohet kjo nga shtresa të ndryshme të shoqërisë? Ç’trashëgimi përcjellim dhe si pasqyrohen këto konflikte brenda shoqërisë? Për të gjitha dhe të tjera si këto autori vendos para lexuesit personazhe konvecionalë si Betim Mali dhe Guriu, duke e ndier veten të përfshirë në bëmat dhe fjalët që thonë, aq sa të duket sikur nuk i ndan dot nëse janë fjalë të aurtorit apo të personazhit. Gjithsesi, nëpër faqet e romanit lexuesi kërkon dhe gjen një realitet gati të materializuar, të prekshëm. E ndien sikur baret nëpër rrugë e monopate, sa në Janinë e Paramthi, në Lumin e Vlorës e në Livadhja, nëpër Vreshtaz, apo sokakëve të Vlorës. Dhe aty shkojnë e vinë luftëtarë e udhëtarë të zakonshëm, qytetarë e fshatarë, ushtarakë apo dërgata popullore; por edhe ministra e tregtarë, taksidarë e malësorë të sertë, vajza të drojtura e zonja të dyerve fisnike të qytetit…Epiqendrën e romanit e përbën ashku i pavarësisë, pa të cilën kombi nuk rron dot e nuk shkon përpara. Është një komb që kërkon mbrojtje, që zien i tëri në prushin e lirisë. Dhe në kohezion me të është dashuria e Guriut me Florën. Këto janë faqe të shkruara me ndjenjë dhe përgjegjësi njëkohësisht, një histori dashurie përmes dhimbjes. Dhe ju do t’i shikoni ato vetë e do të bindeni për fjalët e autorit, se ata “kishin ecur gjatë, në një RRUGË PA KTHIM”…

    ******************************
    Adem Zaplluzha

    NJË PALË KËPUCË TË ARNUARA

    Mbrëmë dola nga lëkura ime
    Shëtita nëpër shëtitoren e vetmuar
    Pash se njerëzit kishin humbur udhën
    Në shtëpitë e veta
    Ishin të vetmuar
    U ngjanin somnambulëve të dehur.

    Si zvarranikë pamjet groteske
    Shtriheshin pranë trotuareve
    Një palë këpucë të arnuara
    Me një bastun të vjetër vraponin
    Si të çmendura pas një këmishe
    Që s’i përkite askujt.

    Një freski pranvere derdhej
    Mes gjetheve të fishkura
    Gishtat e hollë të natës çuditërisht dukeshin
    Si gjelbërimi i përgjumur i livadhit
    Stoli në parkun e vjetër
    I shkundte shpatullat
    Edhe trishtimet.

    Kjo natë e gjatë nuk kish të sosur
    Në kafenetë e vjetra pihej
    Dhe shitej me çmim të lirë
    Vera e zezë
    Mëngjesi ishte shumë larg
    Këndesat s’dëgjoheshin askund.

    NUK DIHET KU I ZË MËNGJESI

    Me valixhe të etura dhe të zbrazëta
    Udhëtojnë mjegullat
    Shkojnë diku në ndonjë qiell
    Të panjohur të askundësisë.

    Nuk dinë çka i pret pas atyre maleve
    Por të ngarkuara me dertet e skamjes
    Si lejlekë kanë marrë botën në sy
    Shkojnë matanë hapësirës së verbët.

    Një shtrezë e verdhë imcake
    Zbret nga qerpikët e thyer
    Herë hëna
    E herë dielli u bëjnë hije.

    Për të dalë nga errësira ecin
    Me kokë të ngritur lart
    Herë u përngjajnë rosakëve
    Herë strucëve të pikëlluar.

    Miqtë e mi të fëmijërisë bredhin pa menduar
    Mbase nuk dinë të ndalen
    Ose nuk kanë se ku të shkojnë
    Ecjet janë të pandalshme, të gjata
    S’dihet ku i zë mëngjesi
    E ku nata.

    2

    Ecin edhe valixhet
    E nuk ndalen askund
    Këto shtegtare të mjerimit
    Shpejtojnë diku
    Ku as vetë nuk dinë se ku.

    KËTU KU FËMIJËT ECIN LAKURIQ

    Muzikë vajtuese
    Zë i trishtuar i natës
    Del nga rropullitë e një altoparlanti
    Edhe kur ka mort
    Këndohet nëpër lagjet e evgjitëve.

    Këtu ku fëmijët ecin lakuriq
    Të vegjlit e lagjes
    Asnjëherë nuk vdesin horizontalisht
    Vdekjet e këtyre njerëzve janë madhështore
    Me një rropulli cjapi dehen shtatë lagje.

    Pas përfundimit të rropullive
    Dhe verës dehëse
    Secili burrë
    Shtrin kokën mbi një gur varri
    Dhe disa ditë nuk i del dehja.

    Dalin gratë e evgjitëve
    Me nga një fshesë
    Prej dëllinje
    I fshijnë të vjellat e natës
    Ajo muzikë e trishtuar
    Shtatë ditë reshtë nuk e ndalë cijatjen.

    MBI LËKURËN TONË TË REGJUR

    Kur ecim pa ëndrra
    Rrugëve të zbrazëta të qytetit
    Dukemi si rosakët në ikje
    Lëvizim kokën djathtas majtas
    Ashtu siç boçat e orës së murit.

    Nga tejdukshmëria jonë
    E boshatisur
    Dallohen vetëm rropullitë e erës
    Ecim të shpërfillur
    Nuk dimë kah të degdisemi

    Po u ndalem përngjajmë me drurët
    E tharë në rrënjë
    Asnjë degë pa gjethe
    Nuk merr frymë
    Vetëm nëpër zgërbonjat e viteve
    Dëgjohet melodia e erës së çmendur.

    Mbi lëkurën tonë të regjur
    Pamëshirshëm pikojnë pikat e shiut
    Trokasin çmendurisht
    Mbi xhamat e shpirtit të thyer
    Përtej lumit askund nuk mund të shkojmë
    Vërshimet e tërbuara i shembën urat

    Azem Baliaj

    FOLEJA E PARË
    Flisnin e qeshnin, harruar në ciltërsi,
    Si femijë naiv, herë pas here putheshin,
    Ngacmonin kujtimet me muzikë e poezi,
    Fërshëllenin “Margjelën”, recitonin Lasgushin.
    Belbëzonin tinguj me buzë e duar,
    Sikur mbinin lule, në palcë të dimrit,
    Herë ngjallnin Moxartin e trishtuar,
    Herë ngjallnin “çmenduritë” e Pushkinit.
    Si dy adoleshentë, që s’dinë të mplaken,
    Rinonin shpirtrat me zjarrin e syve.
    Në Olimpin e ndjenjave ndiznin flakën,
    U shpallnin sfidë gjithë perëndive…
    Nuk kish se si të ndodhte ndryshe,
    Në kulm të pasionit , dy ish moshatarë,
    Endrrat e hershme, porsi dallëndyshe,
    I kthenin ngutshëm në folenë e parë…

    PRITA…
    Me Zef Seremben
    Të dolëm në pritë
    Të dy, për ty ,
    Me nga një lirikë

    Të pëlqyen , e kuptova
    Me endje i lexove,
    Por nuk e deshifrova
    Cilin dashurove?!…

    JANE DO SHERRE…

    Janë do fjalë, fort rrallë thuhen
    Janë do ndjenja, si shpesh ndruhen
    Janë do zjarre, pak shpejt shuhen
    Janë do sherre, me sherr kruhen!

    Janë do mendje, vetë ngatrrohen
    Janë do zemra, thellë trishtohen
    Janë do kangë, me lot këndohen
    Janë do sherre, idht’ sherrohen!

    Janë do lidhje, besën harrojnë
    Janë do buzë, kot tradhëtojnë
    Janë do lule, nuk po lulëzojnë
    Janë do sherre, sherr sherrojnë!

    Janë do faje, dënim s’po marrin
    Janë do hove, gjoksin kallin
    Janë do flakë, e ndezin malin
    Janë do sherre, dreqit ia falin!

    Janë do erna, prapë fikin qirin
    Janë do vatra, gjatë ruajnë hirin
    Janë do gurë, prapë ndajnë kufirin
    Janë do sherre, vrasin ma t’mirin!

    Janë do andrra, po zhgandrrohen
    Janë do shpresa, thom’ gjallnohen
    Janë do flatra, lart flatrohen
    Janë do sherre, do zot, shterrohen…

    Raif Rexhepi

    NDJENJA E DASHURISË

    Vështrimi yt edhe larg më përcjell
    Nuk di si të të shikoj, natën pa hënë
    Zemra nis të kërkon në qiellin e pritjes
    Shpirti im rënkon dhe i lutet yjeve.

    E vështirë qenka ndjenja e dashurisë,
    Tërë trupin si në ankth ma shtrëngon.
    Mendimet brenda meje zhveshin natën
    Ti mbetesh përsëri një ëndërr që më zgjon.

    Bërtas dhe askush nuk do të më dëgjojë
    Të arrij deri tek malli yt që më ringjall
    Dhe pres sonte, se mos ndoshta vallë
    Vetëm një Zot mund të më shpëtojë…

    Ti vjen me frymën, fjalët kanë peshë
    Ndjenja e dashurisë është si shenjtëria
    Nëse planetin e saj do ta mbërrinim
    Atje, jeta e njeriut është veç dashuria…

    PËR TY

    U vyshkën fjalët duke folur për ty
    As zëri tek unë më nuk mbeti,
    Ecja duke e shkruar emrin tënd
    Në çdo gur e në çdo valë deti!

    Edhe zemra ime u bë copë
    Siç bëhet copë një pasqyrë
    Duart e mia më nuk shtrëngojnë
    Ashtu siç të shtrënguan ty!

    Në buzët e mia, buzëqeshja ngriu
    Brenda dëgjoj klithjet e zbrazëtisë ,
    Më përcjell një dashuri e humbur
    Ti ike dhe më le në hijen e vetmisë.

    Tani dridhem nga flladi i erës
    Fluturuan zogjtë dhe befas u kthyen
    Pi kupën e hidhur bashkë me dëshirën
    Dhe mik të paftuar kam errësirën.

    TI JE LARG

    Seç po më shtrëngon zemra
    E fryma do të më zihet këtu,
    Dhe sytë më janë arratisur
    Duke kërkuar sytë e tu!

    Më janë tretur mendimet
    E më nuk mund të duroj,
    Sa keq po ndjehem e dashur
    Që ty nuk të kam e të kërkoj !

    Të të puth si dielli puth hënën
    E të përqafoj si toka pranverën
    Të të them nën zjarrin e epshit
    Se vetëm ty të shikoj në ëndërr!

    Milazim F. KADRIU

    NËSE KTHEHESH NJË DITË

    Nëse kthehesh një ditë
    Rrugës nga po shkon
    Mos u çudit nëse shtegu është mbyllur
    Dhe këtej s’ un kalon.
    Rruga nuk do të shpie
    Deri tek dera ime
    Sepse do shndërrohet në labirint
    Por rastësisht nëse shtegun kalon
    Dhe labirinti i rrugës
    Tek dera ime të sjell
    Kot troket se është mbyllur
    E shef vetëm drynin
    E ndryshkur,çelësi është hedhur
    Në humnerë,kurrë s’do ta gjesh.

    STACIONI I FUNDIT

    Fishkëllima e trenit
    Orë e çast dëgjohet
    Stacionin e ri tregon
    Dikush hip e dikush zbret
    Secili rrugës së vetë shkon.

    Unë qëndroi aty
    Më gjatë se të tjerët
    Sepse nuk do të zbres
    Deri në stacionin e fundit
    Aty ndoshta dikush më pret.

    HAPE DERËN

    Mos lejo që çelësi të ndryshket
    Që hapi derën tënde
    Duhet thithë aromën
    E luleve tua në dritare.

    Nëse dera nuk hapet
    Të hyj freski verore
    Lulet në dritare
    Do ti thajë ftohtësia dimërore
    ********************************************

    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe ëord).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” Nr 21..

    DATË: 21 shtator, 2015
    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Poezi nga Martin Camaj, Sejmen Gjokoli, Genc Llakaj, Harallamb Kota, Vjollca Koni, Pullumb Ahmeti
    02- Ese dhe tregime nga Vilota Allmuça, Valter Dauti, Vjollca Pasku, Istref Haxhillari, Xhevahir Cirongu,

    03- Botime dhe kritika nga, Remzi Gjika, Adem Zaplluzha, Petrit Shehu, Mevlud Buci, Qazim Shehu

    Kryesore
    Martin Camaj, krijuesi i heshtur me shpirt të theksuar atdhetar

    Lart 1
    Sejmen Gjokoli
    Anës detit në Himarë

    Lart 2
    Vjollca Koni
    Nënë të ngrejmë dolli

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.