Suplementi Pena Shqiptare, datë 18 Maj

    624
    Valter Skot, 1771-1832
    Shkrimtar anglez
    Skoti nuk bënte kurrë ndonjë plan për romanet e tij.
    -E mbarova mbrëmë në darkë një kapitull të romanit. Nesër në mëngjes duhet të filloj një roman tjetër të ri dhe nuk kam asnjë ide se si do të mbarojë ngjarja. Jam si një i humbur në një vend të panjohur. Dhe ajo që më pëlqen është që ta mbaj sa më interesante dhe dëfryese kapitullin që jam duke shkruar, ç’farë mbetet ia lë fatit.
    Atij që i thoshte për rrezikun e kësaj ecurie ai i përgjigjej:
    -E di edhe unë, por liria e veprimit është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër. Më duket se në qoftë se e shkel më përpara rrugën, nuk do të ketë më diell në truallin tim. Nganjëherë e humbas shpresën se do të dal nga gjendja ku jam zhytur. Atëherë, në vend që të vras mendjen për të gjetur zgjidhjen futem në shtrat. Fle me kënaqësi dhe të nesërmen në mëngjes në orën 7 më vjen ideja menjëherë. Skoti nuk i duronte dot lajkat dhe zemërohej shumë me miqtë, të cilët e krahasonin me Shekspirin.
    -Ç’budallenj,-thërriste ai,-po unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh lidhësen e këpucës atij.
    ******
    Skoti në moshën 50 vjeçare humbi papritur gjithë pasurinë e tij. Ai uli kokën por nuk e përkuli kurrizin. Një mikut të vet i tha me thjeshtësinë më të madhe:
    -Dora që po të shtrij është e një leckamani. Jam i shkatërruar plotësisht. Më ka mbetur tashmë pena ime dhe me të do të bëj një jetë tjetër duke punuar si kafshë. Të nesërmen e fatkeqësisë së madhe iu shtrua punës dhe shkroi gjithë ditën.
    -Mirupafshim pavarësi e dashur. Mirupafshim shëtitjet e mia të ëmbla, mëngjese me plot ide të gëzuara, – thoshte ai. Ky qe i vetmi kujtim i përmallshëm.
    Migjeni
    MELODI E KËPUTUN
    Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
    i një grues së dashun…
    andje e përplasun,
    xhevahir i tretun,
    një andërr e shkelun,
    buzë e paputhun
    në melodin e këputun.
    Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
    verbojnë nga zbardhimi…
    e ther, ther hidhnimi
    për çastet e rrëshqitun,
    për fatin e ikun,
    për gëzimin e humbun
    në melodin e këputun.
    Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, 
    ftyrë në shplakë e fundosun:
    Qan grueja e pikllueme
    me zemër të piskueme
    (një kitarë e gjymtun,
    za kange i mbytun
    në buzë nga dhimb’ e puthun
    në melodin e këputun).
    Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
    syni i venitet
    në të loti vërvitet,
    diçka nxjerr nga xhepi
    grues ia lë – dhe së shpejti
    e len gruen e humbun
    në melodin e këputun.
    Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
    gjaqet turbullohen,
    përzihen, përvlohen,
    çohen peshë, tërbohen
    … e vetëm ndëgjohen
    ahtët e molisun
    në melodin e grisun.
    TË BIRTË E SHEKULLIT TË RI
    Na të birtë e shekullit të ri,
    që plakun e lamë në “shejtnin” e tij
    e çuem grushtin për me luftue
    ndër lufta të reja
    dhe me fitue…
    Na të birtë e shekullit të ri,
    filizat e një toke së rimun me lot,
    ku djersë e ballit u dikonte kot –
    se dheu ynë qe kafshatë e huej
    dhe në marrzi duhej shum shtRejtë t’u paguhej.
    Na të birtë e shekullit të ri,
    vllazën të lindun e të rritun në zi,
    kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë
    edhe fatlumë
    ditëm me thanë :
    S’duem me humbë
    në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
    jo! jo! s’i duem humbjet prore –
    duem ngadhnim!
    ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
    S’duem, për hir
    të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,
    të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
    që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
    kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis –
    të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
    Na të birtë e shekullit të ri,
    me hovin ton e të ndezun peshë,
    ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
    dhe për fitore kem’ me ra fli.
    BARDI I BREGUT, Lefter Çipa
    Nga Sejmen Gjokoli
    Nuk mundi në të parën, të dytën, të tretën, të katërtën, të pestën, të gjashtën por, në të shtatën ditë, erdhi…
    Nuk mund të rrinte pa ardhë, pa e prekur qoftë edhe për një ditë Festivalin e shpirtit të Kombit të Tij,të Kombit për të cilin shkroi e këndoi aq shumë.
    Lefter Çipa erdhi prapë në Kala, siç vjen ay në këtë sheshmejdan këngësh e ngjyrash…
    Nuk ka ardhë dot si më parë, si vinte me bilbilat piluriotë, këtë radhë ka ardhur vetëm, si një gur a valë bregu, i tëri kthyer në këngë e melodi…
    Në këtë edicion që renditet i 10-ti, shumë shokë pene e malli i mungojnë ndaj duket se ka ardhur edhe për ta.
    Për Gjok Becin,Frrok Haxhinë, Maliq Lilën, Dule Havarin,Sokol Arifin, Sali Manin e të tjerë që tani s’janë më.
    Po edhe për Muhamet Tartarin, Feti Brahimin, Mark Gjokën me shokë që këtë radhë nuk u panë në Kala.
    Lefter Çipa erdhi prapë se s’mund të mungonte gjersa frymon në Himarë,si shkëmb në valë.
    Erdhi…mbase për të ” bekuar” Festivalet e tjera që do vijnë…
    Po kurrë për ti thënë Kalasë së Argjirosë lamtumirë !
    Ka kohë që Kalaja e ka skalitur një gur qoshelli me emrin e Tij…
    Përherë në Kala do të jetë, si kënga e pa përsëritshme piluriote, si kënga e Bregut e Labërisë, si kënga e shpirtit të shqiptarëve kudo që rrojnë.
    Lefter Çipa këtë radhë e për të parën herë në Kalanë e këngës u ngjit duke mbajtur mbi krye një borsalinë europiane.
    Si për të thënë ; në Europë por me vlerat dhe visaret tona kombëtare.
    Vjollca Koni
    O Bilbil i Tomorrit
    Kur këndonte Xha Demiri
    Mbeçë more shokë mbeçë
    Qante foshnja në bark të nënës
    E mbulonin qiellin retë
    Zëri i tij brilant i rrallë
    Oshtinte mbi Tomorr
    Abaz Aliu hipur mbi kalë
    Duke qeshur e bekoi
    O bilbil i Tomorricës
    Fryma jote melodi
    Mbi Kanionet e Osumit
    Dhimbje ,mall e hijeshi
    Xha Demir ty t’qofsha falë
    Për atë çka na dhurove
    Zëri jot do jetojë në shekuj
    Si legjendë e asaj Zone
    Kushtuar Bilbilit të Tomorricës Artistit të popullit Demir Zukos
    2) POSEIDON KY MALLI IM
    Ç’po ndodh me mua kështu, vallë?
    Tek deti i bruztë e me shumë dallgë,
    Malli për ty godet si valë,
    Lotët më bien si shi në plazh.
    Kjo valë kaltëroshe sikur më flet,
    Që sytë i kam të rimtë si det, 
    Dhe kthjelltësinë si qielli blu,
    Andaj trishtimi s’ka vend këtu.
    Unë kridhem thellë si një delfinkë,
    Kërkoj Delfinin, por lodhem kot,
    Dallgë – lozonjare që vjen si kalë,
    Çomë shpejt atje, të shuaj mallë!
    Ti ike larg, po mallin sot,
    Po e shoh gulç e s’e nxjerr dot,
    Papritur deti nis turfullon,
    Një dallgë cunami me forcë gulfon.
    Është malli im; Tomorr i lartë,
    A thua, e mban kjo dallgë – kalë?
    Përplasen valët me lotët e mi,
    Sot, Poseidon, ky malli im.
    3) NJË VARG PËR TY POET
    I trisht’ më vjen vargu kur shkruaj për Ty!
    Më djeg loti, dhimbë kam n’zemër,
    Nga Tomorri një shkëndijë,
    Vjen e ndalet mbi tëndin emër.
    Përulem para portretit të Mozartit,
    Ç’do kaçurrelë nxjerrë një melodi,
    Kur gjendem para portretit tënd-Poet,
    Ç’do fije floku frymon me të bukurën poezi!
    Jam e vogël para teje!?
    Një pikë loti në oqean!
    Trembem nga madhështi e jotja,
    Po fjalët që nxjerr, nga zemra i kam,
    Në luadhin e shpirtit tënd,
    Ke mbjellur me mijëra ulli!
    Nëse s’arrij të hedhë dot shtat,
    Shkurre a dafinë pranë teje do të rri.
    4) LARGËSIA, AI DHE UNË
    Largësi, moj shuuumë e largëta, largësi
    Largësi që vetëm shpresa të afron,
    Luaj, moj luaj menç! Luaj me lotët e mi,
    Luaj se të ka ardhur dita të më kesh në dorë.
    Po ta dish se:
    Do të bëhem rreze dielli që ta ngroh,
    Do të bëhem jugë, t’i shkoj pranë,
    Do të futem mes gonxhes së kaçes,
    Do të shkrihem me vesën si në maj.
    E t’i futem si ajër i freskët pishash në mushkëri,
    E të luaj si shqerëz e në gjoks të më mbajë,
    E si nuse me vello t’i shtirem natën në ëndërr,
    E mëngjesin tjetër të më zgjojë me puthje – afsh.
    ******
    Mërgim Osmani – Vjenë
    Kohë e çmendur 
    Kohët sot kanë ardhur të zbrazëta 
    Në shpirtra Njerëzish tundohet lakmia 
    Mirësia lakohet në kohët e largëta 
    Në sy sot ulërinë zilia … 
    Kohët sot janë dallgë deti 
    Përplasën fuqishëm mbi shkëmbinj zemërimi 
    Në buzë fjala pa fjalë mbeti 
    Nga frika e lumturisë ka humbur gëzimi.. 
    Kohët kanë humbur arsyen 
    Me talljen dhe përbuzjen janë përqafuar 
    Të ftohta të akullta … 
    pa jetë Kohë e çmendur … 
    MJEGULLA …
    Aty ku ka mjegull mungon liria 
    Zemër plasurit gjakun pijnë 
    Në mjegull vetëm 
    Ujqërit trimërohen 
    Në errësirë të Natës a të ditës ulërijnë …
    Aty ku ka mjegull jeta tjetërsohet 
    Fryma ndalet shikimi verbon 
    Nga mjegulla Dielli i frikësuar largohet 
    Rrezet e tij të ngrohin harrojnë …
    Aty ku ka mjegull mungon liria … 
    Në mjegull Jeta vdes pak e nga pak … 
    Të pangopurit nuk ngopen nga uria … 
    Qielli humb kaltërsinë zhytur në këtë mjegullnajë …
    Mjegulla një tymnajë pa jetë …
    Grykës së Bilbilave…
    Grykës së Bilbilave 
    Seç ecje belëhollë 
    Me kularin dhe shoshën në kokë. 
    Rrush e dardha mbushur plot
    Seç të kishin hije Dimijet veshur…
    Shkëlqeje si rrezedrite 
    Me mëngët përveshur… 
    Kur ecje nëpër ara… 
    Zogjtë këngën ndalnin 
    Unë në krah të merrja 
    Dhe ta puthja ballin 
    Tani seç kam mall 
    Për atë kohë të shkuar
    Për Grykën e Bilbilave 
    Kur ecnim përqafuar….
    Ngjarjet e romanit janë dramatike, por edhe joshëse e interesante, çka e bën lexuesin të ndihet mirë 
    ROMANCIERI ÇLIRIM HOXHA DHE KONTRIBUTI I TIJ NË LETËRSINË MODERNE SHQIPTARE
    Në Bibliotekonomi, ose në shkencën e Bibliotekës, (ku unë jap kontributin tim modest profesional), funksionon parimi: “Me hierarki numerike reflektohet hierarkia e koncepteve” dhe “KDU (Klasifikimi Dhjetor Universal është klasifikim hierarkik”. Mirësia letrare dhe cilësia artistike e brumit jetësor, që na sjell në trajtën e prozës së gjatë, në gjininë e romanit, autori tashmë i njohur në botën e letërsisë shqiptare, Çlirim Hoxha, më jep të drejtën të shprehem se, të gjashtë romanet e botuara prej tij janë klasifikim hierarkik, që rijnë bukur dhe hijshëm, krahas autorëve me emër të regjistruar në Gjendjen Civile të Krijimit Shqiptar. Çlirim Hoxha është drejtor i Bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës. Ndërkohë, kontributi i tij është konturuar në dy nënfusha të prozës, në publicistikë, ku shquhet për gazetarinë e tij të mprehtë dhe në prozën e gjatë, ku ndihet zot i romanit të kohës, me temë sociale, më saktë nga dramat e shoqërisë së sotme shqiptare. Libri i tij i fundit, romani “Bebi skafisti” është një vepër letrare, që ka korrur sukses, sepse kërkohet me interes dhe lexohet me kërshëri nga lexuesi i kohës. Unë punoj në Bibliotekën Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Një ndër treguesit, se sa vlerë ka një libër, sa i mirë, i bukur e i dobishëm është libri, për mendimin tim, është leximi në sallë apo huazimi, tërheqja e tekstit, shënuar në kartelën e lexuesit, me firmë. “Ditari i një murgeshe” dhe ky i fundit “Bebi skafisti” janë ndër librat më të lexuar, më të kërkuar dhe më mbresëlënës jo vetëm tek studentët, por edhe nga stafi, gjë që e vërej në kërkesat e shumta të punonjësve të universitetit, ku unë punoj. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Ejani, shikoni kartelat e lexuesit në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit të Vlorës! Do të befasoheni, sepse “Bebi skafisti” është vërtet një roman me dramë të pashlyeshme, me subjekt nga ’97 – a, që mos ardhtë kurrë e as mos u kujtoftë kurrë me ngjarjet e saj të zeza për nënat vlonjate e shqiptare dhe për bijtë e bijat e saj fatkeqe, por që s’u thanë… Rimbinë. Rilulëzuan. U ngritën. Ecën. Përpara. Ecin…Befasohet lexuesi, sepse “Bebi skafisti” është, siç po vërejmë, një roman modern që trondit letërsinë shqiptare. Ky libër u kushtohet të gjithë atyre shpirtrave që u mbytën në detin Adriatik në këto dy dekadat e fundit të viteve 1990 – 2000, të gjithë atyre shqiptarëve, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, pleqve dhe fëmijëve, që nuk e panë dritën e diellit, me gjithë përpjekjet sizifiane për një jetë më të mirë. Po ashtu, me këtë libër kujtohen edhe ata klandestinë të shumtë nga vende të ndryshme të botës, që zgjodhën Vlorën si trampolinë për të kaluar drejt Perëndimit gjatë kohës së trafiqeve të mëdha. “Bebi skafisti”. Policia italiane dhe mediet apenine kështu e quajtën Altinin e vogël, që u bë personazhi kryesor i romanit të madh të Çlirim Hoxhës. Merita e autorit qëndron se në sotmëri pasqyron, përmes letërsisë moderne, ngjarjet e epokës së vet, si një dëshmi për brezat që do të vijnë. Ky libër është pjesë e historisë sociale dhe tragjedisë së pamerituar shqiptare të periudhës së paqartë postkomuniste. Romani është dokument artistik dhe historik, ka fakte, për aq sa i takon racionit të kësaj proze të gjatë letrare, për atë çka ndodhi gjatë viteve të tranzicionit. Ngjarjet e romanit janë dramatike, por edhe joshëse e interesante, çka e bën lexuesin të ndihet mirë dhe të udhëtojë në kohë me një gomone misterioze, që endet në dimensione ku tragjeditë, dashuritë, joshja dhe pendesa janë pjesë e dhimbjes shqiptare të epokës ku jetojmë. Romani na njeh me ngjarjet e Vlorës gjatë viteve 1990 – 2000, vite të trafiqeve të mëdha. Një dekadë kolumbiane në një xhep të Mesdheut! “Bebi skafisti” denoncon lidhjet e policisë me trafikantët e qenieve njerëzore, ku protagonist kryesor është Altini, një fëmijë 14 vjeçar, mustaqe ende padirsur. Altinin e kanë thirrur për të drejtuar një gomone oqeanike me katër motorë “Jamaha” me 250 kuaj fuqi secili!… Edhe emri “Bebi skafisti” nuk është rastësi, por një emër i gjetur nga mediet italiane, pasi trafikantët e asaj kohe (ndërkohë, na kujtohen “Bosët e dollarit” të Artur Hejlit) kishin vendosur t’ua besonin adoleshentëve drejtimin e gomoneve për të dërguar në brigjet e Italisë, në Brindizi, Otranto, Bari a në fund të detit- klandestinë, bimë narkotike, mish të bardhë (prostitute)… 
    Fundvjeshta e vitit 2014 u zbukurua me ngjyrë lirie në Shqipëri. Në Tiranë mori dhe ngjyrën e praruar të letërsisë së përvitshme me Katalogun e botimeve Toena 2014 i cili përmban 64 autorë të huaj dhe shqiptarë, të cilët përfshihen me veprat e tyre në Letërsi Shqipe, Letërsi Shqipe për Fëmijë, Letërsi e Huaj, Fjalorë dhe Metoda, Ditarë, Histori, Shpjegues praktikë, Libra Studimorë, Aforizma, Publicistikë, Kujtime, Monografi dhe Librin Muzikor. Një ndër ta është edhe Çlirim Hoxha, i cili lëron në fushën e Letërsisë Shqipe, në Arën e Romanit. Autori ka botuar 6 romane deri më sot dhe përkatësisht: “Lëngata e shpirtit”, 2003; “Rrugë e vithisur”, 2003; “Nëndetësja e plagosur”, 2005; “Ushtarët e botës”, 2008; “Ditari i një murgeshe”, 2010 dhe “Bebi skafisti”, 2014, të gjitha botuar te “TOENA”. Ndershmëria profesionale, si mjeshtër i artit të fjalës, e ka pajisur autorin Çlirim Hoxha, që lëndinën dramatike, mbi të cilën është ndërtuar romani ta veshë me një kostum të trëndafiltë dashuror, apo kur hedh si farën në tokë fjalë të lokalitetit, ku banon, dialektizma, por me masë, që e shëndoshin lëndën, që e bëjnë më të bukur notin gjatë leximit në detin e “Bebi skafistit”.
    Pullumb Ahmeti
    DY MAGJI
    *****NJË DASHURI
    Dy magji a bëhen një?
    kur dy sytë shohin një pik
    e dy duar marrëzitë
    mbledhin e shpërndajnë fuqitë.
    dy magji dy pika vetëm
    një zjarr ndezin mes stuhish
    secila do bëj të vetën
    do vij të pushoj mes gjinjsh
    Dy magji ,një dashuri
    e një vorbull që zmadhohet
    digjen buzët prushërisht
    thithin afshet që çlirohen
    thithin afshet musonike 
    trupit poresh Saharaje 
    bardhësi çarçaf dëbore
    ka më tej se Himalajet?
    Dy magji te marrëzishme
    ku dy sy shkrepin rrufe
    zbresin poshtë asaj gushe
    s’ndalen dot ,bëhen rrëke.
    e rrëketë s’kanë të ndalur
    përplasen si dallgë deti
    çmendurisht mbi gjinjtë e zbardhur
    vullkanet e trupit ndezin
    si lumenj ne gji të detit
    aty prehen marrëzisht
    aty ku fuqitë i shkrehin 
    aty prehen paqësisht
    dy magjitë ,një dashuri
    s’është ëndërr po mrekulli.
    ********************************
    E LIDHA HËNËN
    Unë sonte ,s’ju besohet
    me litar kam hënën, lidhur 
    dilni e shifni ne ballkone
    si vjen pas vash e pabindur.
    Çudi ,vërtet çudi, dhe për mua
    pas diellit, më rendte me vrap
    e unë i çmendur gjer në thua
    isha betuar në ty hënë, të të kap.
    Të mbaj pas vetes lidhur me litar
    të të liroj ,jooo se ti më ikën prapë
    me re, të më gënjesh është me zarar
    yjet t’i kam mbledhur, rreth e qark.
    Kërkon t’a djegësh?eh, nuk bën pune,
    eja vashës hëne e urtë dhe manare
    ja dhe pak sonte nata sjell furtunë
    ne të dy pra, takohemi nën dritare
    Pse me gjithë mend ju çfarë kujtuat?
    mos hënën kisha lidhur me litar?
    ballkonit rrija me vashën dashuruar 
    qeshnim,puthjet pleksëm ne me zjarr .
    Ikni kureshtar, mos rrini kot në ballkone
    ishte një lojë e vogël dashurie e pa zarar
    pleksur flokë e ëndrra dashnorësh,sonte
    ku puthjet jepnin nën rrezehënës së artë
    Me ta ikëm bashke dhe ne të dy
    paçka s’e mosha jonë kish kaluar
    ecnim të qet bahçes me trëndafil 
    gëzoje rini,ne filluan të na dridhen duart.
    Ylli parë i mëngjesit na gjeti zgjuar
    ulur divanit të vjetër në ballkon
    ku pinim kafen e ngrohtë të sapo bluar
    kalëronin kujtimet rinore të dashurisë ton.
    ********************************************
    Vera Peçi
    Doja të qaja dikur
    Kur trishtimi dhe plagët e rënda mbuluan shpirtin tim
    kur gjithçka rreth meje ishte bërë hije e zezë
    kur dëshira për jetën mu pat venitur
    doja të qaja por pa zë.
    Nuk doja kush të dëgjonte e të shikonte
    se si shpirti im venitej si pranë vdekjes
    nuk doja kush për mua të rënkonte
    apo psherëtima të dëgjoja rreth vetes.
    Nuk po kuptoja si rridhnin vallë
    hallet duke pasuar njëra-tjetrën
    u bashkuan sa një trastë me qindra kuintalë
    dhe prapë nuk qaja por mblidhja veten.
    Doja të bërtisja e dërmuar nga halli
    përse unë kaq rëndë trastën të mbaja
    se mu kish lodhur shpirti e djegur xhani
    Por rrugën e ngarkuar përsëri vazhdoja.

    Dalëngadalë filloj të lehtësohej
    po se pesha shumë nuk po rëndonte
    ktheva kokën e pashë e habitur
    trastën dikush po ma lehtësonte.
    Ooooo Zot thërrita e kapitur
    të gjeta e po të lutem me shpirtin tim të vrarë
    të falenderoj gjithmonë e gjithkund o, rrezendritur
    më lehtësove barrën e lotin ma ke tharë.
    doja të qaja por tani nga gëzimi
    se gjeta rrugën e parajsës në largësi
    gjeta ngushëllimin në dritën e Zotit
    e barra e rëndë mu hoq për gjithnjë.
    2-Dua te jem dikush
    Tani po ndihem e madhe
    çdo gjë e mendoj ne thellësi
    ne jetë s’do më pengojnë më hallet
    mbi çdo dije timen të hedh dritë.
    Nuk dua jeta të më shkojë kot
    te bëj diçka, të jem dikush
    nuk dua unë të harrohem
    sapo varri me dhe ra u mbush.
    Dua të më kujtojnë për atë çka jam
    sado pak te jetë ta shohin mirë
    të mos i qoj ditët e jetës dëm
    të jetoj dhe pak mbasi të mbyll sytë.
    Ju them të gjithëve ju që lexoni
    vargjet e mia ndoshta të habitur
    ditët e jetës dëm të mos i qoni
    shtrydheni mendjen nga diçka nxitur.
    Çdokush ka diçka për të dhënë
    në mënyrën e vet të studiuar
    thërrisni mendjen mos lini të flejë
    veç për bukë jeta s’do jetuar.
    3-Oshtima ne luginën e malit
    Dola diku larg në një luginë dhe po thërras
    eeej ku jeni se me ju dua të bisedoj
    ushtoi vetë mali e më ktheu përgjigje
    duke përsëritur fjalët që nga unë dëgjoi.
    Dhe kështu e shova pak mallin
    në majën e lartë në një grykë oshtime
    vetë me vete flisja e mali më përgjigjej
    dhe unë si padashur u ndjeva në malësinë time.
    ndala dhe dëgjova disa herë të thoshte
    e përsëriste fjalët e thirrjet prej vajit
    që unë me lot e mall disa herë rreshtova
    ato fjalë e biseda që më digjnin xhanin.
    jam këtu thoja dhe mali më përgjigjej
    dhe unë e ndjeja veten ne mesin tuaj
    shumë më ka marrë malli përsëri vazhdoja
    dhe prapë përsëriste të njëjtat fjalë thuaj.
    thërrisja prindërit dhe me ta bisedoja
    se malli shpirtin më ka vrarë
    nuk doja të dëgjoja të njëjtat fjalë që thoja
    por ja që përsëritja e tyre vazhdonte pa ndalë.
    Eeeh ky është kurbeti për ju që nuk e dini
    dhe kurrë me shpirt nuk uroj ta provoni
    të ndrin çdo qelizë e shpirtit si ngricat e dimrit
    dhe nuk vjen kurrë vera ngrohtësinë të shijoni.
    Se vere ka vetëm atje nga ku unë vi
    dhe më saktë e thënë nga ku unë linda
    në atë majë mali, e atë fshat të brishtë
    atje merr krejt jetën bash çdo fjalë e imja.
    **************************
    **********************
    Ky libër lajmërohet si një univers i hapur, ku mund të zbuloni në mënyrë të përkorë botën tuaj ekzistenciale 
    “Përrenjtë e Prillit” dhe Martin Cukalla
    Ilirian Zhupa
    Kur Martin Cukalla më kërkoi të merrem me përzgjedhjen e poezisë së tij, unë pranova ta kryeja këtë punë pa asnjë mëdyshje, pavarësisht se isha i ndërgjegjshëm që do më duhej të shoshisja një mal me poezi, për të nxjerrë prej tyre një grusht gjë. Kjo jo për shkak të mungesës së lëndës së dorës së parë, por në respekt të bindjes sime se një libër i zgjedhur është një përqëndrim shijesh dhe esencash në masë, që kur konsumohen japin veç kënaqësi dhe mundësi të pafundme përjetimesh. Në shqisën dhe kujtesën time të lexim-përjetimit, rast pas rasti, i kam ndjerë shenjat, shijen dhe trazimin që është e aftë të lërë poezia e vërtetë, e cila komunikon në një mënyrë të pakuptueshme e të brendshme, siç komunikon ndjenja nga qenia te qenia, nga natyra te qenia, nga përjetësia te qenia. Shenja të tilla janë të ngjashme me ato që lë era, shiu dhe zjarri te toka. Që lënë stinët me një çrregullsi të përpiktë, që shpesh edhe pse nuk mundemi ta shpjegojmë, edhe pse se kemi parë, dëgjuar e prekur, ja rrokim gjer në imtësi kuptimet dhe kumtimet e përjetshme. Martin Cukalla nuk është poet i një a dy shkollave letrare, siç nuk është rob i një a dy modeleve të afirmuara. Në rafshin e teknikave të përdorura, ky libër na bën me dije se autori i njeh dhe i ka eksperimentuar të gjitha teknikat, që nga ato të fillimeve të këtij arti të madh e gjer tek ato moderne e posmoderne. Kjo punë e palodhur ka bërë që lëndën poetike t’a derdhë në forma të ndryshme vargu duke përdorur sipas ngasjes dhe kumtit herë vargun klasik me ritëm e rrimë, herë vargun e lirë dhe herë formën e prozës poetike. Në parathëniet e botimeve apo në përurimet e librave, është bërë zakon që të përmenden disa tituj poezish dhe disa vargje të cilat sipas thënësit japin shpirtin dhe magjinë e krijuesit. Më ka ndodhur edhe mua në mjaft raste të bie në këtë grackë. Pastaj, kur e kam rilexuar të njëjtin libër dhe të njëjtin autor, në të shumtën e herëve, kam parë se sado dashamirës dhe i kualifikuar të ketë qenë nënvizimi paraprak, sado i saktë dhe i pa të metë, më është dashur të bëj nënvizime të tjera dhe të rrok kumte e magji të tjera. Ndjesitë dhe përjetimet e leximit, pavarësisht sa të vërteta janë, gjithherë janë të paplota. Dhe kjo veçanërisht te poezia, ku edhe pas shumë leximeve njeriu mund ta “konsumojë” sërish një poezi si për herë të parë. Edhe tani që sapo e artikulova pohimin e mësipër, më bëjnë presion dhe jam gati t’i përmend mjaft poezi, figura, detaje e gjetje që duke qenë pjesë e këtij libri, janë bërë edhe pjesë e gjendjes sime përjetuese. Pikërisht për këtë arsye, për t’i shpëtuar këtij tundimi, po nxitoj të nënvizoj ato pohime që më duken më të qënësishme. Pohimi i parë është se ky libër që po merrni në dorë shfaqet në mënyrë të njëmendtë si një qëmtim esencash të vërteta, materja e të cilave do u lerë një shije të mirë, siç mund të lënë vetëm gjerat e njëmendëta, të cilat po rrallohen gjithnjë e më shumë në këtë botë. Pohimi i dytë është se ky libër lajmërohet si një univers i hapur, ku mund të zbuloni në mënyrë të përkorë botën tuaj ekzistenciale e përjetuese dhe, ku lexim mbas leximi, mund të bini në një mendje me mua, se udhëtimi nëpër poezinë e Martin Cukallës është një udhëtim rizbulues në viset e shpirtit dhe të emocioneve tuaja. Pohimi i tretë është se krijimtaria në vargje e autorit, ka një përputhshmëri të plotë midis unit poetik dhe qenies, pra shqetësimi poetik dhe materja që e shpreh atë, janë larg mishelës së dendur që përgjithësisht mbush hapësirat e vargëzimit shqip dhe jo vetëm, ku rrallëherë mund të mësojmë se kush e shkruan poezinë, e kujt është lënda poetike, çfarë e lidh autorin me atë dhe, me atë ajër, me atë gjuhë, në të cilën shkruan. Pra, pema e tij poetike është një bimë që rritet në një truall konkret, dhe jo një mirazh me rrenjët në ajër. Dhe pohimi i fundit, në poezinë e Martin Cukallës, ka shumë nga ajo që mund të përkufizohet si ekzistence artistike e qenies humane, në daç quajeni kontekst ku lëviz jeta e tij dhe e bashkëqytetarëve (e jona), e më tej ka shumë nga ajo që lajmërohet si ekzistencë historike e këtij populli të veçantë në këtë cep të botës, ekzistence kulturore e më tej gjeografike, politike, ekonomike, shoqërore, zakonore, gjuhësore etj., etj. Për shkak se poezia e Martinit nuk është një produkt laboratori, ajo ka një gjuhë të pasur e të zhdërvjelltë, gjuhë e cila jep më së miri përjetimet dhe mesazhet poetike në këtë libër. E thashë që në krye të kësaj parafjale që shoqëron librin, se në këtë zgjedhje prej meje janë qëmtuar poezitë që unë mendoj se e përfaqësojnë më mirë dhe më plotmërisht autorin. Gjatë muajve që kam bërë seleksionimin, më ka shoqëruar gjithmonë meraku se mjaft poezi të tjera të arrira kanë ngelur jashtë, mjaft vargje e imazhe, mjaft kumte e përjetime poetike. Edhe tani që po e mbyll e kam atë ndjesi. Po në fund të fundit, ky është një libër i zgjedhur ku zgjedhësi u bindet ca kritereve të vetëvendosura paraprakisht. Dhe nuk është Martin Cukalla sipas atij vetë, por është Martin Cukalla sipas meje. E falenderoj për besimin dhe pajtimin me këtë zgjedhje.
    Hamdi Hysuka
    PAK SHETITJE
    Lava sytë në ujin e borës së maleve,
    një drenushë më solli peshqirin për tu fshirë,
    me yje flokët e zinj ‫i spërkata,
    para pasqyrës së qiellit u kreha mirë.
    Këmishën e kaltër të mëngjesit kam veshur
    dhe pantallonat e hekurosura që të dielën,
    shoqërisht ua mora zërin bilbilave
    sa të shetisja pak me pranverën.
    DËSHMORI IM
    Si takim qe rastësor
    aq sa lajm askush s’e dha,
    por në fakt mbete dëshmor
    jo për vepra të mëdha.
    Tej kufirit të vërtetë
    prapa skenës në ring dole,
    erdhe ndezur zjarr i nxehtë,
    me fitil fjalët i fole.
    Tunde kthetrat para meje,
    çarmatose dhe poetët,
    bota sillej veç rreth teje,
    Kadaresë ia grise fletët…
    Një spektakël teatral,
    para kafes mbete “i vrarë”,
    s’të tha goja dot “më fal”,
    nuk të ngrita lapidar.
    Tek e vjetra s’more mend,
    keq e reja të ka dehur,
    fluturon vend e pa vend,
    s’e gjen shtegun për të ecur.
    MESAZH
    Rrugës për në histori,
    kuvendohem me një trim,
    është i njohur si gjeni
    dhe hero i kombit tim.
    Nuk nguroj, ia them hapur
    nëpër gojë keq e morën, 
    kur dërgata cipëplasur
    te një Mbret shiti kurorën.
    Mbret… 
    pas Zogut fronbraktisur
    Perandor, emër fashisti
    ai tringjyrësh
    i harlisur,
    kuq e ziu nuk valviti.
    Prapa diellit për shpëtim
    dhe pse deshi Perandorin,
    Zogu zgjodh kapitullim,
    Mbret Viktorit* ia la fronin.
    Kalë Troje me zinxhirë,
    një rrëzim i tiranisë,
    adresim, mesazh i mirë
    e re busull drejt lirisë.
    *Viktor Emanueli III, Mbret i Italisë 
    dhe Perandor i Etiopisë
    FATION PAJO
    1. Jo kurrë…
    ——————
    Miopisht një diktaturë
    Censuron, burgos e vret
    rrugës së ekzistencës.
    Me shtatë palë kyçe
    prangos lirinë e fjalës
    të shpirtit, jo kurrë… 
    2. Dashurisë…
    ——————
    Kush njohu një ditë dashurinë
    dhe s’u druajt për një çast
    para zjarrit të saj…
    Në atë burim vumë buzët
    në vend të shuanim etjen,
    u ndezëm në çdo skaj.
    3. Intime
    —————
    Mbrëmja e ftohtë
    kudo zbrazëti
    Dy gjysma ëndre ne
    Unë me mirësi të ngroh
    Ti me dashuri…

    4. Nata
    ————–
    Orët e saj ngadalë i shtjell
    me mua luan nëpër terr.
    si anijet mjegullës tretur
    në të ikur ëndrën më merr.
    Marjeta Musaraj
    Zjarri i zemrave
    Lumi i shpirtit ndër vena më vërshon.
    Dallgë ortekësh,jehoinë me gëzim,
    Krahët e mallit kam dalë përqafoj,
    Dashuria jonë më fal lumturinë.
    Po dehem me prushin e këngës time,
    Të kam si yll dhe diell do të quaj,
    Ti nuk je flaka e një drite vetëtime.
    Je dhembja e bukur që më bën Të vuaj.
    Unë rrahjet e zemrës akoma ti ndjej,
    Busti i hijes time brënda të ka mbetur.
    Mbi shtratin e ëndrrave pushtojme qiej,
    Zjarri i zemrave kurrë ska për tu tretur.
    MALL
    Si zogu në stinën e verës
    Shpirti im pret me përmallim
    Të nderem në krahët e erës
    Tek valët e detit të gjej qetësin.
    Pastaj të zbres si një ujvarë
    Atje,tek gurët e mallit të rëndë
    Me zjarrin e lotit të shuaj mall
    Në kopshtin e yjeve të mbjell këngë!
    O ëndrra e vargut tim.
    Ejani ma shkundni nga letargjia.
    Nga shpirti me tresin mërzinë
    Të ngrohet edhe poezia!
    Dua të fluturoj si zog qiellit
    Dhe yjet t’i puth me dorë
    Të përshëndes me sy diellin
    Dhe hënën ta mar për kurorë
    Mëndafshin e reve e dua për shall
    Të ndizen flakë nga vetëtimat
    Në u djegsha e tëra në zjarr
    Do mbeten këto vargje mbi rimat.
    **********************************************
    BREDHARAKU
    Skicë nga Vjollca Tiku Pasku
    BREDHARAKU
    Ai ecte në rrugë duke mbajtur në shpirt një kupë vuajtjesh. Aromat e pranverës që kishte shpërthyer, i dukeshin si aromat e luleve që do kishte arkivoli i tij. Këngën e bilbilave e kthente në një muzikë funebër, që do ta shoqëronte deri në banesën e fundit. Në qiell ku dominonte kaltërsia, thellë thellë fshiheshin ato re të errta që do zbraznin vrerin e lëngët në kokën e tij. Zogjtë i imagjinonte sikur ishin lajmëtarët lidhës mes qiellit dhe tokës. Asnjë mëkat nuk mund të fshihej dot, sepse këngëtarët e shkruanin në këngën e tyre, dhe e kthenin në melodi. Trëndafilat ulnin kokën kur kalonte ai. Më pas i pëshpëritnin me njëri -tjetrin. Furtuna e mbledhur se shpejti do të shpërthente. Kapakët e syve i përloste vazhdimisht dhe kripa ia bënte syrin të kuq. Hidhërimi i tretej përmes dhëmbëve të shtrënguara. Imagjinonte se vdekja po i vinte dhe fashoja e bardhë do i qarkonte nofullat e do të ishte vula përfundimtare. Ah sikur mendimi se”ishte i sëmurë dhe vdekja ishte pranë” endur për ditë dhe net me radhë të ishte i gabuar. Ishte tridhjetë vjet, emigrant në Greqi. I vetëm kishte bredhur në çdo skutë të Greqisë. Ishte qejfli i madh femrash. Kishte shijuar gra të ngjyrave dhe racave të ndryshme. I ishte fiksuar se kishte AIDS. Tani qëndronte para derës së laboratorit të analizave njësoj si përpara portës ku do të dilte dënimi me vdekje. U mbajt fort pas kangjellave që rrethonin lulishten e vogël, zgjati dorën dhe këputi një zambak të kuq. Drita e kuqe iu duk si një qiri i ndezur në dorë e tij, dhe qenia e tij po pëshpëriste një lutje.
    “O Zot më fal. Nuk do bredh më. Do krijoj një lidhje serioze , dhe të kem një familje të shëndoshë. O Zot mos ma pre jetën në mes, do të bëhem njeri i mirë.” Hapi derën e laboratorit si derën ë ekzekutimit dhe hyri brenda. 
    -Dua te flas me doktoreshën –i pëshpëriti ai infermieres, duke iu marrë goja. Doktoresha një grua e urtë e shtruar dhe mbi të gjitha një profesioniste e zonja e dëgjoi me durim dhe e qetësoi me zërin e saj karakteristik.
    -Nëse keni marrë masa mbrojtëse çdo rast kur keni kontaktuar , rreziku është i vogël, megjithatë analizat do ta tregojnë. Por sido që të tregojnë analizat ato duhen përsëritur pas gjashtë muajve –tha ajo.
    Ai u ul gjysmë i qetësuar dhe infermierja i mori gjak nëpërmjet një pickimi të lehtë fluture.
    Flutura gjigante e vdekjes po i largohej ngadalë nga zëri shërues i doktoreshës.
    Teksa shikonte atë masë të vogël të gjakut që rridhte nga damari i tij mendonte se “pikërisht ajo masë ndante dimensionet e jetës me vdekjen. Viruset vrasëse fshiheshin dhe prisnin ta kafshonin , ta godisnin, ta mundonin derisa ti merrnin jetën, duke shfrytëzuar epshin e kënaqësisë dhe ndoshta pakujdesisë në ndonjë rast. Kështu diafragma e frymëmarrjes do ndalej dhe jeta merrte fund. Jo nuk është e vërtetë. Kërma ime nuk do të hahet që tani nga krimbat”
    Pas katër orësh ankthi, mori përgjigjen e analizave. Ishin negativ. Falënderoi doktoreshën dhe i gëzuar ngriti sytë drejtë qiellit e tha.
    “ O Zot nuk e kisha seriozisht atë lutje” dhe iku.
    VIKTOR GJIKOLAJ
    TRENDAFIL I BARDHE
    Ka do ditë qe nuk flas me një njeri
    Kjo pak a shumë, do të thotë
    Në refrenin e Këngës së përditshme 
    Të të mungojë një notë…
    Ka do ditë që nuk flasim me një shoqe
    Kemi murosur fjalën, buzëqeshjen
    Një trëndafil i bardhë te buzë e saj
    Sot , paditi heshtjen…
    DHORË MOJ, DHORKË E VOGËL
    Të mbaja pranë, si mbahet një motër
    Të prushonin mollëzat, Dhorë moj, Dhorkë e vogël
    T’flisja për shkrimtarë, flijsa për poetë
    Në dy sy bojë qielli, t’hajnoi një sekret…
    Përmbi kurba valësh lozte një pulëbardhë
    Ti edhe ajo, si perlat mbi valë…
    Deti leshterikët sillte mbi tallaz
    Trok’ i hapit tënd, bregut më ndjek pas.
    Ç’i hip atij kali ngarkuar me ëndrra
    Mos i thuaj ushtarit, atë që t’thotë zemra
    Zbres nga Mirdita, nga bjeshkët vij unë
    Kur shkrep syri i çikës, ndizet një furtunë
    Eci përgjatë bregut, deti ka tallaz
    Ç’ke, moj Dhorkë e bukur,përse më ndjek pas?!..
    T’a lexoj sekretin në dy sy bojë qielli
    Më don një vajzë fshati moj, porsi dritë dielli…
    Të mbajta pranë, të desha si motër
    Ç’e lëndove zemrën, Dhorë, moj Dhorkë e vogël!…
    FRASHËRLIES
    Ëmbël-o, ç’më ëmbëlsove, frashërlie!
    Më lëndove, më bukurove, hënëz Dangëllie.
    Flakë më ndezje ,kur ti qeshje, butësisht
    Oh! Si digjeshim nëpër dehje , paqësisht.
    Nëpër gjethe, nëpër bar, aft’ i mbrëmjes fëshfërinte
    Zgjaste dorën hënë e artë dhe na krihte…
    Bukuronim bukurisht, buzëngjitur
    Qielli qeshte ëmbëlsisht, yjëstërpikur.
    Si u ndamë e më s’u pamë, frashërlie?!…
    Ç’më rri ndezur mall’ i parë, prush djalërie!..
    Ahmet Osmani
    LUNDRO BARKA IME
    Velat tua të bardha çarë e kanë 
    terrin shekullor
    stuhitë detare duke i urtuar 
    netëve me peshkaqej
    të egërsuar
    dritë diellit duke i shtuar
    Lundro barka ime
    lundro
    Ndryshe kush s’ ka për të lakmuar.
    .
    SHPIRT NJERIU
    Madhësia e një njeriu
    nuk matet nga trupi
    por nga shpirti
    Pak rëndësi ka mosha
    Të jesh shpirt njeriu
    e kërkon koha.
    NGJYRA E STINËS
    Dimri thenë dhëmbët 
    rreth trupit tënd
    pranverë
    Toka
    ngjyrën e stinës merr.
    GLLABËRUESI
    Gjithnjë e më shumë
    shtohen orekset e tua
    Kahdo që shikon
    urretje ndjell
    sofra varfëron
    Edhe sa do të zgjas
    etja jote 
    për të gllabëruar
    Apo vetëm mbi varr
    kur të ketë mbuluar.
    NJË FILLIM I RI
    Nuk ka derë
    as dritare për t’ u mbyllur
    Një fillim i ri
    nis rrugës kah unë e ti
    Amanet i vjetër
    pret për t’u përmbushur.
    Enkelejda Masseboeuf Kondi
    1-Në Paris
    U mbyta në dallgën e mendimeve të tua,
    Në mbrëmje ngjyrë blu dashurish.
    Hodha hapa të ngatërruara anës Senës,
    Përqafova qiellin tënd
    Dhe lëshova ajrit frymën e shpresës.
    Vallëzova me melodinë që më shushuriti ëmbël te veshi,
    Dashurova fytyrën tënde në dehjen e pranverës, 
    S’u lodha së prituri prekjen tënde… 
    Le të humbas tani në gjirin tënd, Paris,
    Në frymën tënde le të humbas.
    2-Çast
    Si një zjarr i beftë digjet dhe çasti,
    Me rrëshqet prej duarsh fjala,
    Më trembet nëpër errësirë vështrimi…
    S’e di më se ç’pres,
    S’e di…
    Në një rrotullim të marramendtë përqafoj ditën që shkoi,
    Natës nuk ia fal fajet e mbrëmshme të ankthta,
    Nën një trup të plogësht marr rrugën pa kthim të moralit,
    Largohem, pranoj të largohem prej këtu, tepër krenare.
    3-Para teje
    Para teje ndihem e heshtur,
    Aty ku perënditë patën folur
    Kolona të bardha e të larta
    Dhe njerëz modernë rrotull.
    Aty ku maratonomaku
    Solli lajmin legjendar të bekuar,
    “Fituam!” – atë betejë të përgjakur,
    Në libra historie të shkruar.
    Aty pak shumë ka mbetur,
    Një pjesë e jotja, antikitet,
    Statuja të bardha të akullta,
    Kolona dhe gurë përreth.
    Dhe unë para teje e menduar,
    Shestoj për t’largëtin qytetërim,
    Të sotmen moderne, këtë kohë,
    Ç’do lemë ne, vallë, si kujtim.
    I -SHKRIMTARËT SHQIPTARË KËTA DISHEPUJ TE BRAKTISUR
    Nga VASIL TABAKU 
    Të lënë në hije, te papërfillur, të braktisur tërësisht, shkrimtarët shqiptarë, heshtin brenda madhështisë së tyre të pamatë, fisnikë, dinjitoz dhe stoikë…Ata nuk përfaqësohen në këtë vend nga asgjë serioze dhe gjithëpërfshirëse, nga ndonjë organizëm serioz apo instancë zyrtare…Ata janë lënë kështu për afro njëzet vjet të këtij tranzicioni pafund. Askush nuk interesohet apo tregon vëmendje qoftë edhe minimale për këta korifenj të mendimit dhe letrave shqipe, për këta demiurgë madhështorë me shpirt te madh e të mrekullueshëm që çdo ditë flijohen pak e nga pak për Atdheun, për Çështjen Shqiptare, për të bukurën dhe artin, për letërsinë kombëtare…Ata ashtu të pafjalë, me një buzëqeshje proverbiale plotë dinjitet dhe mirësi njerëzore, enden nëpër Tiranë dhe rrethe, ta pavlerësuar, të papërfillur dhe të lënë pas dore nga ca zyrtarë mediokër, cinikë, shpirtëzinjë dhe përbuzës të shkrimtarëve, këtyre gjigandëve të mendimit dhe artit të fjalës që me librat e tyre, tentojnë t’i japin dritë shpirtit njerëzor dhe të ngrenë në lartësitë e vlerave bashkëkohore letrat shqipe me të vetmen ambicie njerëzore për të thënë se Shqipëria është pjesë e thesareve të Kulturës Botërore dhe ka kontribute të çmuara në vepra letrare që kalojnë kufijtë dhe shndërrohen në vepra të vlerësuara maksimalisht dhe të përkthyera në dhjetëra gjuhë të Botës… Një libër më shumë është një pasuri e vërtetë dhe që nënkupton dritë, dashuri, kulturë dhe mençuri, por padyshim që u trishtova shumë…përurimet e librave në Tiranë por edhe kudo nëpër Shqipëri bëhen nëpër lokale dhe restorante, sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër, asnjë alternativë dhe asnjë interesim nga ana e Ministrisë së Kulturës si i vetmi institucion përgjegjës për librin dhe shkrimtarët e lënë në harresë dhe të papërfillur. Në Shqipëri është më i përfillur një domateshitës apo gjithfarë tregëtarëucësh se një artistë, piktorë, skulptorë shkrimtarë, poetë dhe krijues arti. A do të ketë ndonjëherë sadopak interesim nga shteti dhe institucionet përkatëse për krijuesit?! A do të ketë ambiente së paku dinjitoze për të përuruar veprat e shkrimtarëve shqiptarë? A do të ketë ndonjëherë në Shqipëri një vlerësim I merituar për shkrimtarët dhe krijuesit e artit në përgjithësi?! Shkrimtarët shqiptarë që me disa qindarka në xhepat e zbrazët, ulen në kafene dhe meditojnë se…valllë a do të bëhet ndonjëherë ky vend? A do të eci përpara Shqipëria ? A do të ketë dikur një vlerësim për mundin dhe punën e tyre prej galere…? Dhe në fund të fundit…a do të jenë ata të përfaqësuar diku dhe të kenë dinjitet, vlera dhe nderimin e merituar…? Ndoshta. Dikur…Mbase, një ditë…Këta mjeshtra të fjalës dhe mendimit do të meritojnë atë që i mohohet padrejtësisht , ndërsa përballë tyre kapardisen kokoroshët shtetarë me kostume firmato dhe vetura luksoze…që në fund të fundit këtij vendi të mjeruar jo vetëm që nuk i dhanë asgjë por përkundrazi e kanë plaçkitur barbarisht gjer në dhimbje. Ndërsa ata Shkrimtarët me xhepat boshë dhe paga qesharake, apo edhe më keq të papunë…kalojnë para nesh me veprat e tyre madhore mbi shpinë si Hamejtë më të lavdishëm dhe më të shquar të Kombit me kontribute të çmuara qe do t’iu mbeten shekujve… 
    *************************************
    NIKOLLA SPATHARI
    TË HUMBA TE MUZGU
    Tëhumbatemuzgu
    E te muzgu 
    Përsëri të gjeta,
    Në oborr ishin tharë aq herë trëndafilat 
    Dhe lejlekët kishin ikur aq herë nëpër vjeshta.
    Nuk di 
    Nëse ndërroheshin 
    A nuk ndërroheshin stinët.
    Si ndodhi 
    Që në pyjet e zhveshura,
    Gjelbërimi aq shumë u vonua?
    Sonte kur të prita te pragu i muzgut,
    Ishin dhe lejlekët me mua…

    VETMIA 
    Mirëmbetshi kafene 
    Dhe ju sheshe gjysmë të çmendur !
    Sa shumë kohë
    Për të arritur deri te vetmia!
    Mirëmbetshi dhe ju salla ku çirrën mediokrit 
    E ku ndahën tituj e çmime, me mijëra!
    S’e kisha ditur 
    Që vetmia
    Mund të merrte formën e një vjeshte,
    Dhe unë të dashurohesha me këtë vjeshtë
    Larg atyre që mburren pa bërë asgjë,
    Mirëmbetshi !
    Aty, te ”lavdia“ po ju lë.
    Dhe atdheu 
    Sigurisht ju mban,
    Siç ka mbajtur në shekuj çdo brengë,
    Ashtu si lisat që mbajnë bilbila,
    Por mbajnë edhe zogj pa këngë…
    DHIMBJA E FUNDIT
    – Për 26 të vrarët në Gërdec –
    Nuk kam ku ta fshehë dhimbjen
    Nën këtë qiell, 
    Ku hëna pret të bëhet e plotë
    Duke numëruar netët,
    Ku erërat vijnë çdo mbrëmje tek drurët 
    Dhe i lenë psherëtimat te fletët .
    Zëri im bëhet elegji 
    Po prapë s’e arrin pikëllimin.
    Ai bie mbi qiell të kraterit 
    Dhe kthehet në gërmadhë,
    Nuk di nëse tulipanët i rrëzoi shpërthimi i asaj dite
    Apo u rrëzuan vetë, siç rrëzohet një mall!
    Gjithsesi qielli i natës është aty
    Dhe Afërdita digjet 
    Si një kasolle mbi zjarrin e shuar.
    Horizontet s’e hedhin dot erën e shkrumbit,
    Ne e kishim plot oazin e dhimbjes,
    Por erdhët dhe ju, dhimbja e fundit.
    Edlira Xhani Velaj
    KOHA E SHKURTER 
    Është kohë e shkurtër ,
    tepër e shkurtër .
    Njohjet janë të pakta 
    tepër të pakta për të qenë vetëm .
    Është si punë e bisedave të gjata ,
    pa fund, me një mike të vjetër .
    Që e ke dëshiruar aq shumë 
    dhe kur e takon harron fillin e bisedës 
    sepse nuk ke kohë ti thuash të gjitha .
    Pastaj bie qetësia .Ajo qetësia e frikshme 
    që të bënë të thuash:”Sa të pakt janë miqtë! ”
    Janë si ditët kur ikin ,
    ikin dhe nuk e kthejnë kokën mbrapa.
    E në buzë të ngelet fjala :
    ”Sa shumë kisha për të thënë dhe nuk i thash.!”
    Gjithçka lexohet nën një ditë prilli 
    të mbuluar me një tis pranvere ,
    Është si kafazet e përjetshme të kanarinave 
    dhe keq ardhja kur ato ngordhin .
    Është kohë e shkurtër 
    tepër e shkurtër .
    Aq sa vitet mbi supe e ngjarjet, 
    më duken sikur më kanë ndodhur dje .
    E unë nga ajo kohë kam hedhur vetëm 
    një gjysmë hapi .
    Dëshirat zhyten në muzg
    si shishet e hedhura në mes të detit .
    Sa kohë e shkurtër është për të gjetur veten.
    2 FQINJA IME 
    Më duhet të mbaj ndonjëherë sekrete
    herë të thjeshta ,herë të vështira .
    Përshembull ,fqinja ime ,Athina ,
    që bëhet tap çdo mbrëmje ,
    ne lokalin ku unë shërbej .
    Duhet ta nxjerr përkrahu 
    para se të mbyll derën 
    e duke i thënë se ty të presin ashtu si mua .
    Ajo do të këpus gjysmën e borzilokut 
    që është tek dera ,do ti marri erë fort 
    dhe pastaj do ta fus në mes të gjoksit .
    Do të pëshpëriti duke thënë se borziloku
    rritet më shumë kur ajo e masakron llahtarshëm …
    Do të thotë se të sajët flen 
    e atë nuk e pret asnjë, përbe .
    Do të ngrihet mbi takat e saj dymbëdhjetë pondshe 
    dhe për të humbur gjurmët, 
    do të thotë :”A më shoqëroni ju vajzat e mira !”
    Mua dhe pronares sime që nxinë e sterron nga inati 
    ”Deri tek vendi im .
    Jo për gjë po kështu nuk më kupton lagjja ..
    .’Ju e dini !Është punë fati …
    Aman dhe ju të dyja gjithë paragjykime !”
    Ndërsa të nesërmen në mbledhjen e prindërve 
    do t`më bëjë namin duke thënë :”Si guxon djali jot 
    dhjetë vjeç të puthi vajzën time !
    3 ENDERR PRANVERE 
    Ëndrrat e pranverës,mbajnë erë jaseminë .
    Mbështillen mbrapa dritares së mbyllur 
    e pëshpëritja …si atëherë .
    E dua lagjen time të vjetër 
    me muret e lyera me gëlqere 
    me lulet e qershive si një borë e kristaltë
    shpërndahej kudo ,
    mbi flokët e vajzave që nën tufat e trëndafilave 
    kërkonin dashurinë,
    Era e bukës së pjekur 
    kur del nga furra dhe zhukatja e bletëve 
    simfoni e një jete që kërkon vazhdimësinë .
    Kur portat e shtëpive hapeshin kanat më kanat 
    ashtu si shpirti që endej në duart e mrekullueshme 
    të mjeshtërve kur gdhendnin gurin .
    E shtroheshin oborret e shumta …
    Ku lulëzonin dashuritë e fshehta ,
    e puthjet e para mbas mureve të shtëpive .
    E lulëkuqja e famshme e humbiste të kuqen e saj .
    Më vjen të qesh pa fund …
    Sa e thellë që ishte jeta …
    Ëndrrat e pranverës mbajnë erë borzilok .
    si kënga e burimeve që është e dashur dhe sot .
    Ëndrrat e pranverës të mbledhura në një ditë prilli.
    **************************************************************
    Milazim F. KADRIU
    SHQIPONJAKur e shohim krahëhapur
    Në flamur kur valon
    Shqiponja jonë krenare
    Zemrat na i gëzon.
    Nga Mollë e Kuqe
    Deri në Çamëri
    Gjithmonë krenare qëndroi
    Në luftërat tona për liri.
    Që nga Skënderbeu e këtej
    Gjithmonë në flamur qëndrove
    krenare
    Në luftëra dhe dasma
    Shqiponja jonë e madhe.
    MËSUESI KUJTON TRIMIN E LIRISË
    Një ditë maji
    Mësuesi nga dritarja shikoi
    Humbi në mendime
    Sikur ne na harroi.
    Ishim kureshtar
    Të dinim mendimin e tij
    Shikonte fusha e male
    Që ishin plotë gjallëri.
    Maje malit
    Rreze një lapidar lëshonte
    E mësuesi ynë i dashur
    Trimin e rënë për liri kujtonte.
    Nxënës i mësuesit tonë kishte qenë
    Edhe trimi i rënë për liri
    Luftoi pa ndalë robëruesin shekullor
    Deri shkoi në pavdekësi.
    E tash mësuesit tonë
    I kujtohej trimi i lirisë
    Kur ishte si ne ulur në bankë
    Në këtë vatër të diturisë.
    JU DËSHMOR
    Ju, që asnjëherë
    Me okupatorin s’u pajtuat
    Ju, që vendin e lirë
    Gjithmonë e dëshiruat.
    Ju,që tym baroti thithët
    E pushkën armikut ia drejtuat
    Ju, që robërinë e Kosovës
    Të zgjatë më shumë nuk lejuat.
    Ju, që burrërisht luftuat
    Historinë e re e shkruat
    Ju, që as jetën se kursyet
    E pavdekësinë fituat.
    Ju,që të skalitur në lapidar
    Anekënd Kosovës qëndroni
    Ju, që thatë ne po biem
    Pasardhës lirinë ta gëzoni.
    LULET E KUQE 
    Nëpër fusha e male
    Me mijëra lule po lulëzojnë
    Me kurorën e kuqe
    Lartë qëndrojnë.
    Janë të kuqe si gjaku
    Se nga gjaku kanë mbirë
    I ujit gjaku i të rënëve
    Që e solli këtë liri.
    Lulet e kuqe
    Gjatë do të qëndrojnë
    Janë lulet e lirisë
    Që gjaku i dëshmorëve do t’i ujisë
    “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane” libër interesant i autorit HYSË HASA
    Nga: Prof.Murat Gecaj
    1.Nuk është hera e parë, që autori Hysë Xhemali Hasa vjen në Atdhe “duarplot”, nga vendbanimi i tij i tanishëm, pra Filadelfia e Amerikës. Kur kemi biseduar lirshëm, në ndonjë lokal të kryeqytetit, ai na ka thënë, me sinqeritet e dashamirësi, se është rikthyer “me pushime”, në vendlindje, në Tiranë a diku tjetër. Ndërsa, në fakt, nuk është plotësisht i saktë ky pohim. Pra, këtë mik tonin të përbashkët e shohim çdo ditë, sa në Tiranën tonë, ku takon e pi kafe dhe çmallet me të afërm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë, por dhe në vendlindjen e tij, pra në Vilaë a Kukës, si dhe deri në Vlorë. Me suiguri, ndër të tjera, ai ka qëmtuar për dëshmi e të dhëna tjera, të cilat nesër do t’i shërbejnë, në shkrimet e botimet e reja. Vite më parë, Hysë Hasa ka shkruar, në Filadelfia dhe i ka përuruar pikërisht në mjediset e Muzeut tonë Historik Kombëtar, katër libra:“Vila, pjesë e krenarisë lumjane”(2008), “Mes emigrantëve shqiptarë, në Amerikë”(2009), “Nga Filadelfia, në Tiranë” (2011) dhe “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”(2011).
    Shumëkush e di që ky autor ka shërbyer ushtarak (veç ka studiuar dhe për letërsi). Por kjo gjë nuk e ka “penguar”, bile e ka ndihmuar, që të shkruajë dhe publikojë libra me vlera të veçanta. Sigurisht, ndonjëri edhe ka tematikë të tillë, nga vitet e shërbimit në Ushtrinë tonë. Përsëri sot ai erdhi duarplot, në sallën e tejmbushur “Unesco”, të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Aty u bë tubimi përurues i 2 librave të tij, të cilët ishin si “simite të ngrohtë”, që sapo kanë dalë nga shtypshkronja. Ja, pra, për këta librat të tij u fol dhe u diskutua sot, me respekt e dashamirësi.
    Që në pamjen e parë, librat e rinj të Hysë Hasës të tërheqin, si për tëmatikën, përmbajtjen e pajisjen me mjaft fotografi, por dhe me sasinë e faqeve. I pari, e ka titullin “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, me 545 faqe. Ndërsa i dyti, me 483 faqe, mban titullin “Kontribute atdhetarie-I” (Portrete ushtarakësh kuksianë). Pra, nënkuptojmë që libri i dytë do të ketë dhe pjesë të tjera, në të ardhmen. Para syve tanë, në këta dy libra, sikur “parakalojnë” ngjarje e dukuri, atdhetarë e burra të shumtë e të mençur kuksianë, por dhe sa e sa miq e të njohur të tij, me të cilët ka qenë, në vite pune e shërbimi, për mbrojtjen e Atdheut. Në librin e parë, “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, shpalosen të dhëna me interes për figura të mendimit intrelektual fetar dhe në atë të fushës së arsimit, po dhe për të tjerë, që dhanë ndihmesën e tyre për zhvillimin ekonomik e kulturor, për ata lumjanë që iu përkushtuan kërkimeve e studimeve shkencore dhe, së fundi, për autorët e veprave të ndyshme me tematikë historike, artistike e kulturoree, në Lumën e Kukësit.
    Në librin e dytë, “Kontribute atdhetarie-I: Portrete ushtarakëshkuksianë”, në gjashtë pjesë të librit të tij, autori shpalosë para lexuesit vlerat e shumanshme të ushtarakëve të vendlindjes, që nga vitet e luftës për çlirim dhe, në vazhdimësi, në armë të ndryshme të Ushtrisë sonë.
    2.
    Përurimin e çeli moderatori dhe publicisti Izet Duraku. Ai u ndal shkurtimisht në punën e përkushtuar, krijuese e botuese, të Hysë Hasës, birit të përkushtuar të Vilës, në rrethin e Kukësit. Në vazhdimësi, për vlerat atdhetare e kulturore të dy librave të rinj të këtij autori, folën: Prof. Murat Gecaj; gjenerali (në pension) Kudusi Lame; dr.Fajzulla Gjabri; general-leitnant (në pension) Rrahman Parllaku-“Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”; veprimtari i arsimit Beqir Shehu; autori i disa librave, Fatos Daci; prof.Dritan Spahiu-kryetar i Shoqatës “Luma”; krijuesi e publicisti Rexhep Shahu dhe prof.Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”. U duartrokit ngrohtësisht përshëndetja e dërguar për pjesëmarrësit në këtë tubim përurues dhe autorin Hysë Hasa, nga Shoqata emërmirë “Bijtë e Shqipes”, e cila vepron në Filadelfia të Amerikës. Ajo ishte nënshkruar nga kryetari Tajar Domi, por brenda saj kishte dhe dashamirësinë e shprehur nga kolegë e miq të tij, si Llazar Vero, Vlashi Fili, Sadik Elsahani etj. Ndërsa prof.Hektor Veshi i dhuroi H.Hasës librin e tij të ri, kushtuar dukurisë së gjakmarrjes në Shqipëri, e cila duhet të ndërpritet sa më parëqë të jetë e mundur. Tematika e këtij libri sikur i bënte jehonë mësazhit, që ka shkruar Hysë Hasa, në mbyllje të njërit nga librat e tij: “Dashuri, dashuri e respekt për prindërit, për familjen, për fëmijët tuaj, për vëllezër e motra, për njërëzit e gjakut, për mikun e shokun, për bashatdhetarin, për vendlindjen, Atdheun, gjuhën e Flamurin Shqiptar, për simbolet e shqiptarizmës, për Kombin Shqiptar!”
    Nga AGIM JAZAJ
    POEZI, POSTULATE 
    NË KËTË BOTË TË VITHISUR…
    KUSH?..
    Kush më ka njohur, 
    Shpirtin më ka ndjerë, 
    Nuk e ngre lavdinë, 
    Kurrë mbi të tjerë! 
    Kush më ka dalluar, 
    Me mendjen e ndritur, 
    Nuk më lypset fama, 
    Kurrë mbi të pa ditur ! 
    Kush më ka parë, 
    Rrugës më ka ndjekur,
    S’dua pasurinë,
    Kurrë mbi të vdekur ! 
    FILL E GJILPËRË
    Dua një gjilpërë, 
    Të lypset një fill,
    Jam vetëm i tërë,
    Si nata, pa yll! 
    TË VIJ…
    Njeriu fatkeq,
    Le të vij tek mua,
    Rasatin e keq,
    Gjynah qoftë, se dua!
    NJË QËN…
    Filozof Sokratin,
    Një qën e kafshoi,
    Ish qën me dy këmbë,
    Ndaj nuk reagoi!
    Një qën para meje,
    Shkon e hunguron,
    Qëni nuk kafshohet,
    Qëni të kafshon!
    Pak me vonesë,
    Më erdhën mend,
    Kur i njoha njerëzit,
    Më shumë dua qëntë!
    Më mirë një qën mik,
    Se sa një mik qën,
    Të dytët pa frikë,
    Me bollëk i gjen!
    MASHTRIMI…
    * Ata që, gënjejnë,
    I “besojmë” më shumë,
    “Talentin” shpërthejnë.
    Mashtrimet si lum!
    *Babain në qosh,
    Dhe në krah e ngre,
    Votën s’e hedh bosh,
    S’votojë për atë!
    *Këtu pranë meje,
    Vdiq një njeri, 
    S’më flasin me gojë,
    S’u dua lot në sy!…
    *Jetojnë në këtë botë,
    Ëngjëlli dhe Djalli,
    S’i dallojme dotë,
    Nuk shënojnë te balli! 
    *************************************************
    Remzi Gjika-skicë
    FATI I KOPËSHTARIT
    Nikua kishte kohë që shërbente në një familje. Vila e madhe me kopshtin e gjerë si dhe 2-3 makina, ishin fronti kryesor i punës për disa ditë në javë. Në fillim ju duk e lehtë Nikos, por puna nxjerr punën dhe lodhej pakë më shumë nga ç’e mendonte. E fillonte nga kopsht, që ishte mbjellë me bar dhe duhej ta pastronte e qethte javë për javë, kurse me zorrën prej llastiku e vadiste përherë të rritej uniformë. Kopshti ndahej nga rruga që të çonte te hyrja kryesore e cila shërbente si shëtitore. Anës rrugës kryesore dhe rrugicave kishte lule të bukura lloj – lloj, të cilat ndaheshin nga një bordure çimentoje dhe një mur i ulte me likustra. Ishte vërtet një bukuri e madhe, lum ata që jetojnë këtu, thoshte, Nikua me vete. Bënte pak pushim, ku filipinezet e shkathëta i sillnin ndonjë tost me kokakola ose portokalltë dhe mendonte :
    -Po edhe unë i shijoj këto, jam këtu gjysmën e javës, pse të mos u shërbej. Fundja, unë edhe paguhem të zotët duhet të jenë të kënaqur. Me këto i jepte kurajo vetes sepse dita i kalonte në këmbë, pa ngritur mezin. Ditët e tjera merrej me punë çti dilnin për të siguruar diçka më tepër. Herë kënaqej nga kjo punë, here e mbërthente mërzia si dare. Këto punë, në qytetin e tij i bënte për qejf, në shtëpinë e tij. Lulet i kish pasë pasion që i vogël dhe gjithë hapsirat rreth shtëpisë i kishte bërë si kopësht botanik, për të patur zili. Në emigracion, bëheshin për hall, për të mbajtur familjen. Kishte lënë shkollën se rroga nuk i dilte dhe mori rrugën për në kurbet. Mbas tij erdhën gruaja dhe fëmijët dhe gjetën strehë të thjeshtë në një shtëpi me qira të arsyeshme. Nikua çohej shpejtë, përgatitej por edhe mendonte, a e kishte zgjidhur si duhet problemin e jetës, për të rritur fëmijët dhe arsimuar më pastaj? I ndërpriste këto mendime se duhej të shkonte në punë në kohë. Sa arrinte te vila, bënte ritualin e zakonshëm: paraqitej te zonja për ndonjë porosi dhe merrte veglat e punës. Kur kishin nevojë për pastrimin e makinave, merrte llastikun dhe fillonte ti lante nga jashtë. Nga ora nëntë dilte zonja dhe zotëria, një avokat i njohur në këtë qytet. Ata mbanin makina të shtrenjta që shkëlqenin kur laheshin.
    -Zoti Jani, si të duken, i kam bërë xham fare!
    -Mirë, lambera ( shkëlqen) është dhe bënte sikur nxitonte se e di çfarë do ti kërkonte argati.
    -Po Nikua i shkretë, që është bërë ujë, si do thahet ? Jani e kuptonte , ku qëllonte fjala, reagonte me buzëqeshje, fuste dorën në xhep dhe çfarë i kapte dora ia zgjaste Nikos.
    -Faleminderit të vaftë mbarë dita – përshëndeste Nikua!
    Të zotët e shtëpisë, shkonin në punë të tyre dhe, kur ktheheshin e gjenin Nikon përsëri në punë kënaqeshin. Me ndonjë humor u zhvaste ndonjë pesare.
    -Njeriu, sipas vendit do të bëjë edhe kuvendin, – mendonte Nikua me vete. Nuk i shkonte kurrë në mendje t’i kërkonte njeriu lekë, por dynjaja kishte ndryshuar, parja shkonte dorë me dorë e xhep në xhep.
    Zoti Jani dhe Ana ishin ishin avokatë siç më kishin thëne në muhabet e sipër, kur kish rënë rasti, nuk merrnin ndonjë para me shume mundim. Hallexhinjtë paguanin për të shpëtuar nga burgu ose për të fituar në ndonjë konflik civil. Kishin vënë, me vite gjithë këtë pasuri dhe gjithnjë rridhte. Në shtëpi kishin grafio dhe klientë hallexhinj hynin dhe dilnin. Mulliri bluante dhe ato që më jepte mua ishin thërrime, mendonte Nikua!
    U bënë disa vite me ta dhe kishte krijuar familjaritet dhe besim, të gjitha dyert ishin hapur.
    Një mëngjes, zonja Ana e priti e alarmuar. Nikua mendoi se ndonjë gjë s’e kishte bërë mirë, ndonjë gabim tjetër, që nuk ia priste mëndja. Por për fat, nuk ishte asnjëra e as tjetra.
    -Pondiqi, pondiqi, pedhi mu !Është futur kudo, kemi frikë se na futet në krevat! Lëre që ata shtohen aq shumë, sa duhet të lëmë shtëpinë minjve!
    -Mos u shqetësoni, – qetësoi Nikua, do ta kapim kudo të jenë futur Veç miu nuk bie në çark pa paguar, kështu e kemi ne në vendin tonë. Kini bërë ndonjë mëkat, zonjë, si duket.
    -Të lutem, Niko, mos e merr me shaka, do të vish për ditë dhe do të kesh edhe shpërblim ekstra, po i kape sa janë brenda.
    -Endaksi, zonjë, do të rri dhe jashtë orarit deri sa t’i zërë çarku deri tek i fundit.
    Nikua u dinte folenë se e kishte parë një derro mi që bridhte nëpër oborr, por nuk u kishte vënë rëndësi, se minj kishte kudo. Si duket miut të madh, i ishte mërzitur jeta nëpër rrëza dhe një ditë u ngjit shkallëve për të provuar edhe jetën në vile.
    -Niko!- thirri zonja gjithë autoritet dhe shqetësim, merri lekët dhe bli çfarë të duhet dhe vendosi atje ku ke dyshim se kanë folenë. Nikua bëri ashtu si e urdhëruan, bleu dy çarqe, djathë kaçkavall, biskota etj. Vendosi çarkun te foleja që e dinte se përshëndetej çdo ditë me ta dhe filloi të merrej me punë tjetër në pritje të gjahut. Pa kaluar shume një miush i vogël, nuhati erën e djathit dhe biskotat dhe u sul i pari, pa ardhur shokët, i erdhi e mira te dera! Menjëherë, çarku u shkreh dhe mbeti brenda fatkeqi që u nxitua. Nikua e la brenda sa të vinte zonja, që të merrte lavdërimet dhe paratë, siç e kish lënë. Zonja atë ditë u vonua dhe Nikua priste jashtë dhe miu brenda në kafaz. Të dy ishin të qetë, miu u ngop me djathë e biskota, por edhe Nikua nuk do dilte keq. Më në fund u dëgjua zhurma e BMV-së dhe zonja zbriti nga makina gjithë ankth:
    -Hë mor Niko! A kape ndonjë sot?
    – Po zonjë, s’ka pak që e kapa një – dhe i tregonte kafazin me miun brenda i cili lëvizte për të dalë.
    -Bravo! – tha gjithë gëzim, – vrite dhe vure prapë. Merri dhe këto se u vonove sot, dhe nxori një kartëmonedhë.
    -Nikua u nda gjithë qejf nga zonja, shikoi një herë rreth e rrotull dhe e lëshoi miushin që i kish sjellë fat. E vuri çarkun përsëri, tek foleja nga dilnin çdo ditë dhe u nis për në shtëpi.
    -Sa larg jemi, ne kemi sa e sa halle, kurse këta për një mi apo mizë japin alarmin, mendoi Nikua , duke ecur rrugës për te stacioni i urbanit. Të nesërmen, sa arriti te vila, shkoi drejt e te çarku. Çarku ishte shkrepur përsëri dhe brenda kishte mbetur miushi që mbeti i kënaqur nga ushqimi. Dukej që rreth çarkut kishin ardhur dhe të tjerë, por dera ishte mbyllur dhe atyre u lëshonte goja lëng, kur shihnin vëllain që hante për shtat pale qejfe, pa e prishur terezinë. Zonja që e kishte zakon të fliste Nikos çdo mëngjes, tani kish një arsye më shumë. Donte të shihte për ndonjë gjah që kishte kapur çarku. Thirri Nikon për ta përshëndetur, si bënte zakonisht, por sytë i mbante nga çarku. Niku, si triumfator, nuk fliste por i tundte çarkun me miushin brenda që nuk e prishte terezinë. Zonja u kënaq shume, që operacioni shkonte me sukses dhe hapi portofolin dhe kësaj here kapi një kartëmonedhe njëzetëshe. 
    -Vendose prapë Niko! Ata të mëdhenjtë e dine hilenë dhe nuk kanë dale akoma nga strofka, por s’kanë nga vene!
    -Duhet të ketë shumë zonjë, se tani kanë pjellë , si duket keni shumë mëkate zonjë – ndërhyri gjuetari i minjve.
    -Leri shakatë, – thotë zonja që nuk i pëlqeu humori, mos u merr me punë tjetër, sa të exafanisen oli.(sa të zhduken të gjithë)
    Nikua priti sa u largua zonja, shikoi një here për rreth dhe e lëshoi mandarin e tij, se meritonte me urtësinë e tij. Vendosi prapë çarkun si më pare dhe filloi të bënte ndonjë punë nga lulishtja. Kur u kthye pas dy orësh, pa që çarku ishte mbyllur. Miushi që ishte mësuar, rrinte i qetë dhe po përtypej. Ishte po ai, që u bë miku i kopshtarit. Nikua e la në çark dhe u largua për në shtëpi. Miu hëngri djathin dhe fjeti për shtatë pale qejfe. Me zonjën vazhdonte i njëjti ritual, shikonte miun, jepte ndonjë kartëmonedhe dhe ikte në punë të saj. Kaluan dy tre javë, e njëjta stuatë : çdo ditë nga një mi.
    -Ore Niko, po nuk mbaruakan këto vromadhia pragma (gjëra të ndyra), kaq shumë paskan qenë?
    -Zonjë , ndjejnë erën e djathit dhe vine edhe nga gjitoni. Kështu që do të vazhdojnë,sqaroi Nikua.
    Miushi mezi priste, të vendosej djathi dhe sulej i uritur për të mos ja kalonte ndonjë tjetër. Hante djathin dhe priste ta nxirrnin nga çarku për të bërë një shëtitje, por edhe kur e lëshonin nuk largohej.
    Nuk ishte e ndershme, të përfitoje nga naiviteti i këtyre njerëzve që e donin e respektonin,-, le ta quajmë një shaka që duhet dhënë fund, – mendoi me pjekuri Nikua.
    VIJË HORIZONTI
    QAZIM D.SHEHU
    Në klithjen e një zogu shpaloset 
    Vijë e horizontit,
    Mbi kurriz malesh soset,
    Vetëtimë e ndrojtur.
    Sa herë më duhej ta mendoja
    Shkop kërcënues fati,
    Po ku ishin duart që e mbanin 
    Së gjëri e së gjati.
    Tufa fjalësh nisja,
    M`i kthente zogj të hutuar,
    Përzhiste kurrizë malesh,
    Kjo vijë zjarrduruar.
    Agimi e mbante ndezur,
    Mbrëmja e shuante me mundim,
    Këtë vijë trafik ëndrrash 
    Plot përdëllim…
    KAFAZ
    Për Ezra Paund a ishte e drejtë,
    Për një vajzë përse duhet,
    Pse për bilbilin e të madhit Mjedë,
    Kafazi thuret?
    Shfryjë zemërimin si në shi, përrenjtë,
    Dhe s`e gjej që s`e gjej 
    Pse
    Në kafaz të mbyllen
    Të dobëtit dhe të mëdhenjtë,
    Liri marrin maskarenjtë…
    BREGU
    Nga shpatulla e tij hidhesha shpesh,
    Në gropën e një hurdhe,
    Bregu qeshte si një shenjt,
    Fluturimet m`i ruante.
    Vonë atë hurdhë s`e pashë më,
    E kishte zhbërë lumi,
    Bregu tundte kokën pa zë,
    Në një jerm prej gjumi.
    Ajo hurdhë ia thirrte fëmijët,
    Farfurima peshqish nën diell,
    Gëzohej bregu si njeri,
    Si një njeri që kërkon thellë..
    EMBLEMË
    Emblemën që duhej të mbanim,
    Na e vodhën mbretërit,
    Na mbeti vetëm emri jonë,
    Vënë nga etërit.
    Tani s`dimë ç`të bëjmë me emrin tonë,
    E ngremë me një vështrim të qorruar,
    Po edhe mbretërit që hipën në fron,
    U harruan…
    PIKA
    Ditët rrotullohen,
    Vihen në radhë,
    Midis tyre një pikë rri:
    Pulëbardhë.
    Mbi det të halleve lëviz,
    Gjer zhduket krejt,
    Ditët sërë – sërë mund të radhis,
    Pika midis u rrëshqet.
    Të jetë pulëbardhë apo mos jetë,
    Kjo pak ka rëndësi,
    Po për pulëbardhë e marrim vërtetë,
    Pikën që sipër na rri..

    Nikolin Gurakuqi
    ROZAFËS
    Kurorë mbi kokën e Shkodrës antike!
    Relike magjiplotë për vështrimet kureshtare,
    trashëgimi krenare në kohërat moderne,
    ardhur prej thellësisë së shekujve,
    dëshmitare e gurtë e pushtetit dhe shkëlqimit,
    të një qytetërimi lavdimadh,
    gjendur sot bibliotekave të lindjes dhe perëndimit,
    ngjitem tek ti e të përulem madhështisë,
    lavdisë së mjegullës se zymtë,
    si një qytetar i thjeshtë e kureshtar,
    që ecën mes hijeve të kohërave,
    që tek ti lanë gjurmë.
    Dëgjoj zërat e heronjve të tu strategë,
    që mes mureve, kolonave, vërtiten fuqishëm,
    kundër hordhive shumëkombëshe,
    që shekujve nuk pushuan së sulmuari,
    por kurrë së pushtuari,
    ty o e magjishmja ROZAFË.
    Rojet bedenave valëvisin flamujt sinjalë,
    atje tej princeshën Teutë shikoj ulur mbi fron,
    Që urdhra u jep komandantëve ilirë.
    Më tutje Kara Mahmud Pasha nën rrezet e hënës,
    me zjarr lajmëron malësorët fshehur maleve rrotull Shkodrës.
    Muret e gurtë, portikët vajtues, kolonat e trishtuara,
    sheshi i dallgëzuar, gërmadhat e çvirgjëruara,
    rrënoja memece, gurë të nxirë kohrave gurëgërryese,
    janë më të famshme e lavdimadhe,
    sesa ne modernët, por si jetimë më duken,
    lënë në mëshirë të fatit.
    Zërat e profetëve antike, dalin prej rrënojave,
    e bashkohen me suferinën melodioze,
    që fishkëllen një melodi antike,
    të gjitha së bashku, misteri, magjia, mistikja, çudia,
    fuqia, fama, kujtimet,
    varen si gjerdanë të paçmuar,
    mureve të tua madhështore,
    përmbi petkat e tua,
    që vezullojnë më shumë se lavdia,
    e ashtu si e bukura e dheut,
    mbi piedestal qëndron,
    duke vështruar mallëngjyese ujerat e argjendta,
    që nën këmbët e tua si një tapet lundrues janë,
    që rrjedh e që udhëton.
    VRIMAT DHE MINJTË
    Vrima të dëshpëruara të mbetura në vetmi,
    kokë me kokë mblidhen,
    kanë mbetur pa minj,
    të gjorët minj s’dihet ku kanë shkuar,
    ose i kanë vrarë, ose i kanë droguar.
    Vrimat mblidhen në kuvend,
    minjtë për të shpëtuar,
    vrimat gjithnjë i duan minjtë,
    me ta janë dashuruar,
    minjtë modernë shumë kanë ndryshuar,
    vrimat nuk i duan më,
    me të tjerë janë dashuruar,
    nga vrimat e vogla 
    ato janë larguar
    këmbëkryq janë ulur
    në sofrën e shtruar.
    Tani sofrat e gjora 
    Plot me minj janë mbushur
    Të zotin e sofrës
    Tej e kanë zhdukur.
    DUA TË VALLZOJ ME PERËNDITË
    Sa shumë kam dëshirë të vallëzoj,
    por jo me njerëzit, por me perënditë,
    njerëzit të pabesë janë,
    si krokodilët nuk të dëgjojnë, por të kafshojnë,
    në fakt unë s’kam pasur kurrë dëshirë të vallëzoj,
    më dukej një harbim i gënjeshtërt,
    ndaj gjithnjë në festa, ditëlindje e dasma,
    kurrë nuk kam vallëzuar,
    por vetëm kam soditur harbimin e të tjerëve.
    Tani dua vetëm të vallëzoj,
    me qiellin, me retë, me yjet,
    me erën, me detin, me stinët e harruara,
    me fushat e gjelbëruara,
    me malet e larta me borë të përjetshme,
    e në fund një tango lirie të pafund,
    dua të vallëzoj me perënditë,
    ata e mbajnë fjalën, ata të dëgjojnë,
    ndaj dhe unë që s’kam vallëzuar kurrë,
    tani me ta dua vetëm të vallëzoj
    KRIZA ( ekonomike) EDHE NË FAMILJET E EMIGRANTËVE
    NDODHI E VËRTETË
    JAKUP.B. GJOÇA
    ” Sot në darkë largohem përgjithmonë. Po munde, takohemi te autobuzi në orën 17-00. Gëzimi.”
    Mesazhin në telefonin tim e pashë vonë, ngaqë e kisha harruar celularin në makinë. Dhe ora është 15.30. E para që më shkoi ndërmend, ishte të merrja telefon Gëzimin. Por e kotë. Telefoni i tij është i mbyllur. Po të shkoja në shtëpi, e të ndërrohesha, nuk do të mundja të arrija orën e takimit. “… largohem përgjithmonë…”, lexoja për të sajtën herë mesazhin, duke dashur që të mos i besoja germave, fjalëve, e fjalisë. Dhe përpiqesha që në lëmshin e togfjalëve të shpjegoja edhe largësinë ndërkohore- ndoshta shumëmujore- të mostakimit, të mosbisedimit, të mosmësimit të të rejave të mikut tim, Gëzimit. Sa dola nga shkallët e metrosë, përballë, në shkallët e hyrjes të pallatit, pashë Gëzimin. Kokëulët, dhe përbri një valixhe. Që të më dëshmonte largimin e tij.
    -Çfarë është ky largimi yt i përgjithmontë – e pyeta zëlartë, sikur të doja më shumë që ta zgjoja nga dërmitja.
    Gëzimi ngriti sytë, më pa dhe nuk shprehu asgjë. As një ndjenjë. Largoi më tutje valixhen dhe më tha me një zë të dobët.
    -Ulu.
    -Çtë ulem?
    -Në këmbë do të më dëgjosh?
    -Ulemi diku. Hajde të ikim këtej.
    -Jo, jo. Më mirë këtu. Ja shikoj njerëzit që hyjnë e dalin nga shkallët e metrosë dhe më vjen mirë.
    -Çthua? 
    -I shikon? Të gjithë nxitojnë. Diku duan të shkojnë. Dikush i pret. E, ndërsa unë, nuk di ku të shkoj. E mua askush më nuk ka kush të më presë.
    Mora valixhen e tij dhe hodha hapat nga rruga për në qendër. Nuk ktheva kokën, për të parë nëse Gëzimi më ndiqte.
    Veçse ndjeva hapat e tij.
    Në një lokal të veçuar, ndalëm. U ulëm në një cep, që të ishim sa më të larguar nga klientë të tjerë.
    Gëzimi nuk pranoi të pinte si çdo herë birrë. Preferoi një “neskafe”.
    -Me këtë vapë, çuditem që nuk kërkove birrë.- unë doja të shkëputja sadopak Gëzimin nga mërzitja.
    -Të falënderoj që erdhe. Je i vetmi që mund të më përcjellësh.
    -Ç’thua? Nuk më flet hapur. Ku ke humbur kaq kohë? Të kam kërkuar edhe në telefon, por asnjëherë nuk ma ngrite. Dhe unë kujtova ndoshta ke ndonjë qejfmbetje nga unë.
    -I humba të gjitha. Të gjithë e të gjitha. 
    -….- sytë Gëzimi m’i vidhte dhe zëri ishte i mekur. Nuk doja ta pyesja. Më dukej sikur do ta gërmoja dhe do t’i shkaktoja edhe më shumë dhimbje.
    -Më ndoqi nga shtëpia. Edhe fëmijët nuk më kanë më nevojë tashmë. – Gëzimi fshiu me dorë sytë.
    Nuk e di përse nuk ndjeva surprizën e të papriturës. Jo se e prisja këtë. Jo, jo! 
    Përvoja e hidhur e mërgimit, më ka mësuar që tashmë të mos habitem, të çuditem për asgjë që mund të ndodhë në sekondën, minutën, orën, ditën që vjen.
    Ndaj edhe heshta. Braktisjen ndaj njeriut unë e pashë, e ndjeva dhe e pësova për njeriun tim më të dashur…Te ajo braktisje kuptova, mësova që çdo lidhje njerëzish ka këmbë druri. Edhe lidhja bashkëshortore nuk është përjashtim, përkundrazi. Është një zakonshmëri.
    Që çdo lagështi i kalb këmbët e drurit dhe njeriu i pa mbështetë rrëzohet edhe nga një erë vjeshte, sikurse rrëzohen gjethet e verdha, të cilat kanë humbur klorofilin.
    Bashkëshortja braktis “njeriun e jetës”, sa mëson që ai nuk mund të çohet më në këmbë….Nuk ka as durimin që të presë. Të paktën “Ikjen” fizike”.
    -Zana ma bëri jetën varr. Çdo ditë sherr. Edhe në sy të fëmijëve. Sa edhe fëmijët ma thanë. “Ty nuk punon. Përse të të ushqejë mami? Përse nuk ikën nga shtëpia?”.
    Kësaj here unë u mundova që ti fshihja shikimin tim Gëzimit. E kaluara ime, ajo e kaluar që unë mundohesha ta strukja në skëterrën e harresës time erdhi dhe më rëndoi në sy, sa ndjeva turbullimin e sendeve që shikoja.
    -Më dëgjon?- Gëzimi kapi dorën time, si për të më sjellë në vete.
    E pashë në sy. Qesha, ashtu pavetëdije. Pa kuptim. Si i kapur në faj? Apo, për t’i provuar që e ndiqja fjalën e tij?
    -Çdo të bësh tani?
    -Tani?…Ku ta di.
    – Largimi është zgjidhja jote?
    -I papunë jam këtu. Çtë bëj?
    -Sa kohë je i papunë?
    -Mbi një vit e gjysmë!
    -Zana punon?
    -Kjo është e keqja ime. Që ajo punon, e më thotë përditë që nuk më ka më nevojë. I jam barrë, më ushqen ajo. Këtë më thotë përditë.
    -E kam të vështirë të them diçka. Më njeh, i urrej moralizimet boshe. Po të gjykosh se mund të të ndihmoj, më ke pranë.
    -Që erdhe tani, më ndihmove. Nuk dua të ndjej që më kanë braktisë të gjithë.
    U çova. I rraha shpatullën me dashamirësi.
    -Nuk besoj në ndarjet. Ndaj edhe nuk dua të jem te autobusi e të të shikoj përtej xhamit të autobusit.
    U largova. Siç ndahemi me shokun, me mikun, pa ceremoninë e përcjelljes, me shpresën se e nesërmja do të jetë sërish një pritje.
    ATHINË, KORRIK 2011
    Sigal