Suplementi “Pena Shqiptare”, datë 12 tetor 2015

    712
    Sigal

    Nazim Hikmet (Ran)
    Në Shqipëri i njohur edhe si Nazim Hiqmeti, ishte shkrimtar, poet e dramaturg turk. Ai njihet si themeluesi i lirikës moderne turke dhe si një nga poetët turq më të njohur.
    Nazım Hikmet u lind në vitin 1902 in në Selanik si bir i një zyrtari të Ministrisë së jashtme. Datëlindjen e tij e gjejme edhe më 20 nëntor të vitit1901. Ai u rrit kryesisht tek gjyshi i tij, që ishte gouverneur i sulltanit në Aleppo dhe më vonë Diyarbakir. 1921-24 studion në Moskë, ku bie nën ndikimin e Majakovskit dhe komunizmit. 1925-26, jeton në Stamboll ku publikon në disa revista të kohës. Në vitin 1926 dënohet me 15 vjet punë të detyruar e exil për shkak të një poeme e arratiset në Moskë. Më 1928 ai kthehet në Turqi e dënohet me 7 muaj burg. Në vitin 1934-35 arrestohet sërisht e në vitin 1938 dënohet me 15 vjet burg. Veprat e tij janë të ndaluara në Turqi deri ne vitin 1965. Ato botohen vëtem jashtë vendit e shpërndahen nën dorë. Ai lirohet nga burgu në vitin 1950 mbas disa protestave ndërkombëtare. Menjëherë mbas lirimit nga burgu emërohet në ushtri dhe kërcënohet me vrasje. Nâzım Hiqmeti arratiset përseri me një varkë përmes Detit të Zi. 1950-63 jeton kryesisht në Moskë. Mbas kritikes së hapur drejtuar Stalinit në Kongresin e shkrimtarëve sovjetike syrvejohet nga KGB-ja. Nazım Hiqmeti vdiq në Moskë.

    ********************************************
    Haki Stermilli
    Haki Stermilli – shkrimtar patriot dhe demokrat. Lindi në Dibër të Madhe ku mori mësimet e para, kreu gjimnazin turk në Manastir. Në vitet 1920-1924 hyri në lëvizjen demokratike dhe u bë një ndër drejtuesit e shoqërisë “Bashkimi”. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorit 1924 si emigrant politik në Bashkimin Sovjetik, Itali, Austri, Jugosllavi e gjetkë, e vijoi luftën kundër regjimit zogolian dhe bashkëpunoi në faqet e “Lirisë kombëtare” dhe “Federacioni Ballkanik”. Më 1930 policia jugosllave ua dorëzoi autoriteteve të Ahmet Zogut që e dënoi me burgim. Haki Stërmilli mori pjesë si partizan në Luftën ANÇ, ishte anëtar i KANÇ-it. Haki Stermilli-ishte kryengrites i luftërave të Dibrës.

    Veprimtaria
    Hapat e parë në letërsi i bëri në fillim të viteve 20, me dramat (“Dibranja e mjerueshme”, 1923, “Dashuni e besnikri”1923, etj.), në të cilat i bëhet jehonë luftës heroike të dibranëve kundër shovinistëve serbë. Shkroi edhe librin “Burgu” (1935). Vepra e tij më e shquar është romani “Sikur t’isha djalë” (1936), ku kritikohen rreptë despotizmi familjar, normat e moralit sundues që ndrydhnin personalitetin e femrës shqiptare. Romani u prit mirë nga shtresat demokratike dhe shpejt u bë një nga veprat më të lexuara të kohës. Më 1968 u botua romani “Kalorësi i Skënderbeut”. Në të dy këto vepra autori ka bërë përpjekje për një pasqyrim me vërtetësi të jetës, por nuk i ka shpëtuar një fryme sentimentaliste. Problematika e re e gjeti pasqyrimin në dramën për fëmijë “Trashëgirntarët tanë” (1950), ku trajtohet pjesëmarrja e fëmijëve krahas të mëdhenjve në luftën kundër zgjedhës fashiste. Mbajti një ditar që u botua me titullin “Shtigjeve të lirisë” (1966), me vlera njohëse e letrare. Në të autori rrëfen për ngjarje të rëndësishme të historisë së Luftës ANÇ në vitet 1943-1944, për patriotizmin dhe heroizmin e popullit. Haki Stërmilli la të papërfunduara disa vepra letrare e historike. Është autor i këtyre veprave: Dibranja e mjerueshme, 1923, (dramë); Dashuni e besnikri, 1923; Burgu, 1935; Sikur t’isha djalë, 1936 (roman); Trashëgimtarët tanë,1950 (dramë për fëmijë); Shtigjeve të lirisë, 1966 (ditar ku nder te tjera ka folur dhe per familjen LIKA); Kalorësi i Skënderbeut, 1968.
    Romani “Sikur të isha djalë”
    ese
    ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale.Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj. Dashuria për Shpendin, të cilin e njohu rastësisht te shoqja e saj, megjithëse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze të mbuluar me ferexhe, kthehet në një tragjedi për të. Nga njëra anë dashuria e saj bëhet tepër dramatike për shkak të fanatizmit të egër, izolimit brenda mureve të shtëpisë, nga ana tjetër, mungesa e ndonjë shprese se mund të bashkohej ndonjëherë me Shpendin në kushtet kur për gjithçka duhet të vendoste i ati, i cili as që mendon se vajza mund dhe duhet të ketë ndjenjat dhe dëshirat e saj që duhen nderuar. Vendimi i tij për ta martuar Dijen me një burrë të moshuar, sepse është tregtar i pasur, e shkatërron përfundimisht jetën e saj. Gjithnjë e hajthme, e dobët, e trishtuar, e zhytur në mendime të zymta e munduar nga pamundësia për t’u takuar me të dashurin e saj Shpendin, dhe me parandjenja se gjithçka do të përfundonte keq, e fyer vazhdimisht nga njerka e saj, e fyer nga i ati, e papërfillur dhe e përbuzur nga shoqëria, ajo sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe vdes, pak kohë pasi e kanë martuar me përdhunë. Edhe përpjekjet e disa njerëzve me pikëpamje përparimtare të fisit të saj, edhe përpjekjet e Shpendit për ta rrëmbyer e për të kur nga Shqipëria dështojnë. Fati i çdo vajze ishte përcaktuar ; nënshtrimi dhe bindja ndaj ligjeve patriarkale, mbytja e dëshirave dhe e dashurisë, ndryshe e priste turpërimi dhe asgjësimi fizik. Por kjo kundërvënie tragjike e humbet, deri diku, forcën e saj për shkak të disa dobësive artistike të romanit siç janë p.sh. mendimet e zgjatura, arsyetimet moralizuese ; që janë dhënë nga pozita sentimentale e jo realiste, të cilat shpesh zëvendësojnë veprimin konkret të personazheve me ankime, psherëtima etj. Megjithatë vepra, sidomos në kohën kur doli, e tronditi opinionin publik dhe pati një jehonë të madhe te lexuesi shqiptar, pasi heroina e tij tregohet e vendosur në luftën e vet kundër botës së vjetër, kundër normave etiko-morale të saj, pavarësisht se nuk arrin dot dhe s’kishte se si, në mënyrë individuale, të gjentë një rrugëzgjidhje për një problem aq të rëndësishëm shoqëror. “Duhet të luftojmë në daçim të rrojmë si njerëz” – shkruan ajo në ditarin e saj. Por dihet që kundërvënia individuale ndaj shoqërisë është gjithmonë dramatike ose tragjike. Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit jashtë vendit. Po, në të vërtetë, ky nuk është një gjykim i saktë. Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s’mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinionin e egër e të prapambetur shoqëror. Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare. Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.

    ****************************
    Mina Çaushi

    TRISHTIM VJESHTE.
    Zogjtë mbetur në ballkon
    klithin gjith trishtim,
    Telat mbetur bosh,
    zgjaten pa mbarim.
    Shoh ndonjë,
    tek- tuk. ikën
    dhe ai fshihet nëpër pem,
    si pëlqen asgjë,
    me të bëj çudi,
    ikën e largohet,
    se këtu s’je ti.
    Bashkë nuk na sheh,
    e s’ka për t’na parë,
    as gjë nuk do jetë.
    as gjë si më parë.
    Le të qajë e le të çirret,
    le të të kërkojë.
    as gjë midis nesh,
    nuk do të ndryshojë..

    THELLËSITË PA FUND.
    Yjet që ke Ti,
    dua ti thërrmoj.
    Ta nis nga varg- malet
    e të të kafshoj,
    gjuhën kur flet hidhur Ty,
    të ta këpus,
    diku në një xhep
    ta marr e ta fus.
    Tastier’ që me mollzat,
    më bën nat e dit’
    të bësh dhe me mua
    e të mos kesh frik,
    me mollzat’ e tua
    të më prekësh leht,
    puthjet marramënd’se
    të mi bësh buqet,.
    ëmbëlsia e dalldisjes
    të bëhet furtun,
    të mbetesh i gjallë
    në thellësin’ pa fund’…!

    GRUA, PENA QË FIRMOS ME GJAK!

    Grua diell’ i ditës,
    Jet. grua,
    Libër që lexohesh për dit’
    Aty ku shpërthejn dashurit’ grua,..
    ku frenohen stuhit, grua,
    vesë që freskon thatësirat,
    grua,
    ku nuk frenohen shirat,.
    grua,
    në kërkim të blerimit,
    grua që largon trishtimin.
    Grua, bukuria e luleve!
    Grua, shpërthimi i sytheve!
    Grua sirenë jete,
    grua, ajër, vet jeta,.
    grua, ku burri përplaset ,..
    në muret e tua,
    ku hynë e dalin,
    me dijet e tua,
    nëse dikush të trishton,
    e të hedh maraz,
    ndryshon si tallaz,..
    paralajmëron në çast,
    më rri larg ! ..
    Se Jetën…
    Ta kam firmosur me gjak!

    *****************************
    Adem Zaplluzha

    KY SHI I ANKTHSHËM

    Drurët e fshatit tim
    Me nostalgji përtypin heshtjen
    Agimet shigjetarë shikojnë hapësirën,
    Në syrin e vëngër të ditës
    Tretet kripa e djersitur e ullukëve të vjetër

    Ky shi i ankthshëm që po bie sot
    Orë e çast troket në xhamet e kujtesës
    Jashtë në oborr këndojnë degët
    Një serenatë të vjetër dardane
    Ankthi zgjohet në shpirtin e gjetheve

    Ky zë që fle tek unë me shekuj
    Mbase është zëri i kitarës
    Era këndon një melodi të lashtë
    Nga buzët e zhuritura të pemëve
    Si dhembja pikon nostalgjia

    Nën pemët e përziera
    Me vite s’pushon kori i kërminjve
    Ethet e drurëve kanë hyrë në arenë
    Dhe si luanët e plagosur
    Hungërojnë pranë shkallëve të rrënuara

    MOS MA PREKNI KUJTESËN

    O dhembja ime
    Sapo të pashë lakuriqe
    Në zërin e kujt u fundos dita
    Kur iu thyen sinorët e heshtjeve?

    Dua të rri sonte nën heshtjen e kujtesës
    Të qëndroj deri në agim
    Me ankthin tim
    Kështu luleve ua shtoj guximin

    Mos ma ngacmoni të kaluarën
    Më lini të përsiat në heshtje
    Kjo flakë që ndizet tek unë
    Vetëm dhembja mund ta çkyçë dhembjen

    Si të kuvendoj në këto çaste
    Me flokët e shprishura të shpirtit
    Kur era dremit si e dehur
    Në kafenenë e kujtimeve të etjes

    E KUJT ËSHTË KJO MELANKOLI?

    Pamja ime harkore
    Humbi në errësirën e tunxhtë
    E kujt është kjo melankoli
    Që më zgjon kaq herët?

    Si ta dëgjoj këtë zhurmë
    Kur heshtja tragjike mbytet brenda meje
    Një dru i lagjes ka rënë në gjunjë
    Dhe iu lutet të panjohurve paganë

    Kot i dëgjoj zërat e drurëve
    Kur zëri im i plagosur zhytet në qenien time
    Si gjarpri i zi
    Një gjeth i fishkur shpohet në vrimë

    I humba të gjitha udhët
    Në sytë e molisur të natës si kripa
    Tretet largësia
    Çfarë të bëj sonte me plagën time

    ROLAND GJOZA (NJU JORK)

    Kur poetët falsë ishin ushtri dhe të vërtetët numëroheshin me gishta

    Kur flitet për një VAN GOG Myzeqar
    “Faslliu impresionist, një Van Gog myzeqar, qё pikturon çuditshëm si askush mё parё fushёn e kaltёr tё Myzeqesë, flak penelin me dell demoniak, se ia hanё shpirtin “rrёkerat” dhe nis e “kruhet” ose më mirë i kruhet e i ha kurrizi me ca çatira tё kombit qё pikojnë e trarët kalben. Ku tё çon mushka, Faslli Haliti. I paske besuar apo s’i paske besuar vërtet demokracisë sё diktaturës sё proletariatit? Hëngre 10 vjet nё kanal, nё fushën tёnde tё artё me peligorga qё ta qanë hallin muzgjeve, le penelin impresionist, aq delikat, dhe more nё dorё shatin dhe kazmёn”. Ah, ç na mori më qafë moda! Sa nazike dhe ndjellëse është, seç ka diçka tё magjishme megjithatë, është tejet e freskët sido që të jetë, dhe për më tepër rrok ditën me shijen e saj, i thyen hundën rutinës, skemës dhe i zbardh faqen sё resё. Për fat tё keq, kjo zgjat rëndom fare pak, njeriu zhgënjehet dhe i rikthehet sërish vlerës se qëndrueshme. Kur lexova përmbledhjen me poezi Sot , të Faslli Halitit, u befasova këndshëm nga freskia e kapjes, emocioni brilant, detaji kaq i gjetur e i pakonsumuar kurrё. I pari që ka folur për poezinë e Halitit ka qenё Kadare. Pse?- pyesja veten atёherё. Për freskinë e konceptimit, figurave tё thjeshta, Haliti ishte aq larg plagjiaturës dhe frymës libreske, gangrenat e asaj kohe. S’kishte skemё. Dhe kjo një dukuri mbytёse. Po ç kishte? Fshat, shumё Myzeqe, këneta, kanale tё ndritshme me shumё qiell, diej tё mbjellё nё ugare bashkё me farën, karpuzë tё çarё, pastaj një copëz asfalt, ku vërtitet ai njeriu me kobure prapa, qё pret erёn tё fryjё e t i ngrejë fundin e xhaketёs. Faslliu impresionist, një Van Gog myzeqar, qё pikturon çuditshëm si askush mё parё fushёn e kaltёr tё Myzeqesë, flak penelin me dell demoniak, se ia hanё shpirtin “rrёkerat” dhe nis e “kruhet” ose më mirë i kruhet e i ha kurrizi me ca çatira tё kombit qё pikojnë e trarët kalben. Ku tё çon mushka, Faslli Haliti? I paske besuar apo s i paske besuar vërtet demokracisë sё diktaturës sё proletariatit? Hëngre 10 vjet nё kanal, nё fushën tёnde tё artё me peligorga qё ta qanë hallin muzgjeve, le penelin impresionist, aq delikat, dhe more nё dorё shatin dhe kazmёn. Dhjetё vjet s janë pak. Dhe për çfarё, o mik, o vëlla? Për ca rrёkera. U harrua poeti apo e harruam. Kinse e harruam. Atëherë dhe Lasgushi ishte harruar, madje dihej i vdekur. S merrej njeri me tё. Poeti mё i madh lirik. Poet botëror, pa dyshim. Po nganjëherë arti yt, ajo qё ke shkruar, pra fjala jote, bёhet shpëtimi yt. S’të duhet miku, se nё art miku është për një çmim e artikull gazete, po jo mё shumё. Duhet fjala jote. E mbyllur. Dhunshëm e mёnjanuar. Duhet ajo provё. U shfaqe sërish, na i bёre me dorё, tё pamё, iu rikthyem librit tёnd. Kadare s’kishte gabuar. Ishe po ai. Nё top-listё ishe, nё top-listё mbete. Pse tё mos u kujtosh harruesve se si ishin punët? Ta dinё. Jo për gjë, po për t’u thënë tё uruarve se kanali, kazma, shati, nuk i bëjnë kurrgjë poezisë sё vërtetё. Ia mbyll gojën sot, po ç’do t’i bёsh nesër? Kështu lufton poet profetvёrteti me poet falsprofetin. Këta t¸ dytët janë ushtri, tё parёt numёrohen me gishta. Pa dyshim, te ky numërim sa një marrje fryme është Haliti. Sa e pashё te Milosao shkrimin U hap dosja e rebelit Faslli Haliti , thashë me vete se poeti ka nevojё tё pyesё pse e degdisёn nё kanal? Ato dhjetё vjet ai i ngarkoi si njё hamall me shumё padrejtёsi dhe poshtёrim. Nisej nё mëngjes nё punё, pa aguar mirë, qё tё mos e shikonin njerëzit, se s dinte ç’t’u thoshte dhe kthehej kur vinte errësira, vonё krejt vonё, kur s’kishte njeri as nё shkallёt e pallatit. Trokiste, po s ishte nevoja se dera rrinte njё grimё hapur, qё fare tё mos bёhej zhurmё, pas rrihte një zemër, që ai e shikonte si rrihte, e ndiente dhimbjen e saj, merakun dhe turpin e saj. Ishte gruaja. Ç’e priste nё dhomë? E gjeni dot? Jo, s keni si ta gjeni. As qё ju bie ndërmend. Njё legen me ujë tё valuar dhe një grusht me kripё tё zezё. Tё parat ishin këmbët qё futeshin nё ujё. Duart e saj, ëmbëlsia e fërkimit tё saj, psherëtima, qё edhe ajo s’duhej tё dëgjohej kurrsesi, fjalët o sa mё dhembin, s’janë mësuar tё nxirat tё rropaten kaq shumё pa u çlodhur një minutё. Ç’kam bёrё? Vetëm pse përmenda rrёkerat, po ato s’janë rrёkera, po lumenj, det, oqean, ç’m u desh, lëre mbretin lakuriq. Shëët, se na dëgjojnë. Dhjetё vjet kjo histori. I vunë dhe fletёrrufe, “dacibao”, ju kujtohen, letra sa një çarçaf shkruar me brushё parullash ku tё bënin armik. Ku e kanё vёnё? Te muri i mapos, nё qendёr. Ah! Po tjetrën? Te gjimnazi. O ç mё paskan bёrё. O zot, ç’tё kam borxh?! Kështu. Pse duhen harruar kёto? Kujtoi, miku im Faslli, shkarko barrёn. Është koha. Dhjetё vjet nё cilin rreth tё ferrit tё hodhёn? Ku janë ata qё tё rrokullisën poshtё? Zelltarёt, rrobaqepësit e mbretit. Mos i kemi disa prej tyre nё Amerikё, me letra, azilantё politikё, mos ulemi nё kafe me ta, mos u qajmё hallin, na kripin kokёn me gёnjeshtra, se sot ka shumё disident, miku im. Kushedi i kemi. Duke kujtuar atë kohё pa harruar asgjё, jepi poezisë, siç tё jep ajo ty, qofsh fatlum siç je, sepse ajo tё ka qёlluar dashnore. Zili tё kemi sa s’ ka, po ç’t i bëjmë, se mos e kemi ne nё dorё. Ne bëjmë përpara nё moshё, ti zbret, o poet rebel, po dhe dashnor rebel. Kur e ke lёnё takimin sonte?
    Ah!

    **********************************
    Nexhip Onjea
    VOTA NE ATDHEUN TIM

    E shenjtë thonë,
    është e shenjtë,
    me gojën kamare,
    tribunë më tribunë,
    si kukudha natën,
    bëjnë plane vetë,
    se si t’i vjedhin,
    s’vënë në sy gjumë.

    Me vota të vjedhura,
    blihet lirë Atdheu im,
    si mall i firmës ”GABI” në trotuar,
    pjellin parlamentin e më pas qeverinë,
    mbushur kriminelë,
    injorantë dhe kusar.
    Milionat e parave,
    vetëm në ca duar,
    vemje klanesh gjakpirëse për fukarenjtë,
    nënat shamizeza,
    çjerrin faqet mbuluar,
    do t’u sosen apo kthehen të gjallë djemtë.

    Në morte të gëzuar pushtetarë-maskarenjtë,
    i falin qindarkat për rrobat e zeza,
    të vishen nënat, të ”nderojnë” djemtë,
    në ”autostradën” ogurzezë,
    shtëpi-varreza.
    Të tjerë që hidhen sa andej këndej,
    nje dorë në revani,
    tjetrën në bakllava,
    peshqesh i lënë kombit për brezat që vijnë,
    brengat, varfërinë dhe hallet e mëdha.

    DIALOG ME EREN …….
    .Në ditëlindjen e nënës

    Mallin ta nisa me këngë,
    të ta sillte,ja dhashë erës,
    për buqetën e ditëlindjes,
    zgjodha lulet e pranverës.

    Era s’deshi të m’i merrte,
    jo më tha,me mua eja,
    nëna ka dalë dhe të pret,
    krahëhapur tek xhadeja.

    -Mallin nuk e shuan dot,
    një tuf’ lule dhe një këngë,
    atëher’ ç’kuptim do kishte,
    në gjith’ botën emri nënë.

    -Mirë më tha,ti si të duash,
    fjala në grykë më mbeti,
    por kur i çoi peshqeshet,
    në prehër të saj më gjeti.

    NEKTAR NGA SHPIRTI IM

    Udhëtoj me vargjet hapësirave pafund,
    në labirinthet e jetës i fut pa u ndier,
    bashkë me ta shërojmë plagë,
    dhe ngrejmë ura miqësie.
    Më pas vargjet i kthej në këngë,
    me nota gëzimi pentagramesh pa mbarim,
    dhe derdh për njerzit që ma pranojnë
    nektar nga shpirti im.

    Mimoza Çobo

    Bukuria burrërore
    Bukuria e burrit fshihet në butësinë e tij ,
    tek buzeqeshja që i ngjan një ngazëllimi ,
    tek sytë që flasin çfarë ka në shpirt ,
    tek ligjërimi i fjalëve si rrjedhë e burimit .
    Tek puthjet që rrjedhin lëngëzuar në gjuhë
    si tingujt e brishtë të një sinfonie,
    tek menyra se si e dashuron një femër,
    tek afshet e nxehta me bukuri burrërie .
    Tek përqafimi i madhështisë femërore ,
    gatuar me shpirtin e të qenit unik ,
    atje ku mbeshtillet me ndjenjat mashkullore ,
    ku burri pagëzohet me emrin FISNIK .

    Të jesh luftëtarë i jetës tënde
    Ndodh që jeta s’të buzëqesh ,
    të hedh përtokë me rrokullimë ,
    të ngulë thonjtë thellë e më thellë,
    ta ha dhe shpirtin me dëshirë,
    Të shkel me këmbët si rrebesh ,
    të nxin më keq se natë e zezë,
    të pi gjakun dhe të përqesh ,
    ta merr jetën serbes ,serbes.
    Të vjedh buzëqeshjet e dashurisë ,
    të heq dhe këngën nga buzë e mjerë,
    ta zverdh besimin e shoqërisë,
    të bën si rrecka që s’ka më vlerë.
    Por vjen dita hapet një derë ,
    troket në zemër pranverë e madhe ,
    shpresa mbrohet me shigjetë ,
    godet frikën dhe hedh valle .
    Dhe mërzitja verë të kthehet ,
    në shpirtin e trazuar nga jeta ,
    nëpër vena gjaku të derdhet ,
    aty ku vreri mbrohet me helmeta .
    Mbijetove luftëtarë i jetës ,
    triumfator që përmbys malet ,
    Maratonomak me pishtarë shprese ,
    mbuluar me lavdinë që s’falet .

    Vjeshta më ka pushtuar
    Gjethe vjeshtës s’më ka harruar ,
    gjithmonë pas verës troket në prag ,
    ngjyrë ari flokët ka zbukuruar ,
    si gjethet e lofatës në vjeshtën e parë .
    Qilimin shtroi për të më takuar ,
    atje mes pyllit mbi një zall ,
    pranë liqenit të vjeshtuar ,
    ku shpirti del e bredh mbi valë .
    Mijëra gjethe mbi trup më ranë,
    si yjet në qiell të mrekulluar ,
    ma lagën buzën që ishte tharë ,
    me freskinë e njomë ndër duar .
    Vrapova si gjethet pas erës vjeshtake ,
    e ndoqa nga shkoi për të dimëruar ,
    më puthi si një puhizë buzët e faqet ,
    pas saj mbeta marrëzisht e dashuruar .
    Dicka le mangut moj vjeshtërake ,
    nëpër kopshtijet e zemëruara ,
    mbi buzët e vajzave ftujake ,
    tre stinë do presin për të shijuar .

    Liliana Ruço

    Kush e shpiku këngën?!

    Cila ish shtysë e arsyeja që filloi,
    Njeriu i parë këngën për të kënduar?
    Kur atij i lindi fëmija këndoi ninullën,
    Apo kur ai këndoi si i dashuruar?

    Kur shkuma e dallgëve lante bregun,
    A kur lule-çeljet s’ngopnin dot mëngjeset?
    Kur dielli gjithësinë mbështillte në krahët e tij,
    Kur gjelbërimi dehës brerohej nga pika vesë?

    Se mbetet i famshëm,
    paçka se emri gjithnjë s’dihet,
    Se kush shpiku rrotën, relativitetin, ADN-në,
    Por kurrë nuk u emërua se kush ish,
    Ai i famshëm që shpiku KËNGËN!

    Se nëse rrota shtyu përpara shkencën,
    E relativiteti përshkon gjithësinë,
    Kënga në jetë të jetëve do mbetet:
    Rezonanca me shpirtin, që përsos njerinë!

    Mos fli
    Mos fli, se është herët, s’është koha e ëndrrave,
    Rri afër meje, rehatohu butë mbi sup,
    Mbështetem dhe unë lehtë mbi kokën tënde,
    .Por gjumi gënjeshtar diku na humb.
    Ty të mjafton një mbulesë ireale,
    Sa mirësia e një fjale të sinqertë,
    Sepse të ngroh kur shiu çmendet,
    Dhe era mbledh mbeturinat në një cep.
    Diçka sajova me përgjumjen time,
    Ndërkohë që pranë teje nanuritem,
    Pafundësisë le t’i falemi në këto çaste
    Por këto çaste…kurrë më s’përsëriten

    E imja.
    Ish një ditë që kish edhe re,
    Por ishte ditë me diell dhe me fllad,
    Një ditë që nuk harrohet lehtë
    Dhe unë … me fat!
    Ish ajo ditë kur befas nisa unë,
    Të numuroja valët e detit plot kaltërsi,
    Aq sa u lodha që s’dita të numuroj më,
    Dhe m’erdhi çudi!
    Ish ajo ditë …e vetmja, e vërteta,
    Që çastet dashur padashur – ngatërruar,
    Në grackën e tyre mbërthejnë,
    Dhe unë …ngazëlluar.
    Ma fale ndryshe ditën sot,
    Ish dita ime flakërimë dhe dëborë,
    Rrjeta e thurur nga këto fije më mbështolli….
    Dhe unë …e përkorë!

    Niko Gjoni
    Nuk kam njerëz për varrim
    -tregim humoristik-
    Në traditën tonë, si në gëzime dhe hidhërime, shtëpia mbushet plot. Madje dhe komshinjtë mbyllin dyert për të ndihmuar në kësi rastesh. Dhe lokalet janë ën shërbimin tonë me të gjitha të mirat. Dinë sit ë të nderojnë para pjesëmarrësve. Fillon me sallatërat, mezet, bërxollat, me lloje të ndryshme pijesh…Por problem nuk është aty. Tani e ke të vështirë të gjesh njerëzit, ata të cilët duhet të jenë pranë në raste të tilla hidhërimi që të ndash me ta këtë dhembje, por edhe të respektosh ata që ndërrojnë jetë. Kur ndodhin vdekjet njerëzit janë më të paktë. Atëherë punoja në uzinë. Mbaj mend se si I ndodheshim shokut apo shoqes në çdo sebep dhe kishte lezet. Në oborrin e shtëpive bëheshin dasmat, por kënaqësia ishte e madhe. Dhe në vdekje, kishe mundësi të njiheshe me lloj lloj njerëzish duke krijuar miqësi të reja. Ka vite që ky ritual nuk duket më. Në dasma madje hë, se dhe nuk je në siklet, por ëpr varrime….rrallë e më rrallë gjen njerëzit e duhur. Gjyshi I mishte në prag të vdekjes. Më tregoi se në faqen e fletores kishte shënuar emrat e miqve e të shokëve të tij që duhet ti njoftoja menjëherë dhe të merrnin pjesë ën varrim, të përcillej siç e kishte zakoni dhe të bëhej dreka pa I munguar asgjë. Bisedova dhe me tim vëlla për këtë por ai e kaloi lehtë duke më thënë të meresha me lajmërimet se me të tjerat merrej ai vetë. Epo, në fillim e mora lehtë. Pas pak ditësh gjyshi ndërroi jetë. Edhe pse në moshë të madhe me të kishim lidhur shumë ngjarje të jetës. Madje na kish mbështetur për ti dhënë karar shumë problemeve të shumta të jetës. Kish qenë njeri shumë I mirë, një nga luftëtarët më në zë të Brigadës së 8 Sulmuese. Ishte dhe I dekoruar. Në valixhen që mbante mënjanë na kishte treguar dhjetëra dekorata. Në shërbimet e ndryshme ushtarake kishte pasur mundësi për njohje dhe për të zënë miq të mirë. Emrat e tyre tashmë ishin vendosur në atë fletore. Në krah të secilit emër ishin vendosur dhe numrat e tyre të telefonit. Dhe nisa të bëj detyrën time., Angazhova dhe nipin. Fillova të telefonojë.
    -Alo jam djali I Nazarit, ju jeni fmailja Keni?
    -Po dëgjohej një zë nga larg…”Gjyshi im Sokrat Mëni ndërroi jetë. Ma ka lënë amanet të lajmëroj miqtë e tij më të mirë që të marin pjesë ën varrim. . “Unë jam Noçja gruaja e Ganiut. E di që kanë qenë miq për kokë. Por edhe Ganiu ka ndërruar jetë para një viti. E sit ë të them…Nuk kam njeri në shtëpi. Djemtë janë në emigrim. Më kanë lënë vetëm mbesën 6 vjeçe këtu. T’;ju ketë lënë uratën, e t;ju rrojnë të gjithë ç’keni për zemër…Dhe aps pak dëgjoj sinjalin e mbylljes së telefonit.
    “Hë, njoftove I Dhe buzëqeshi. kishim porositur për 200 vende. Pra, në tavolina do vendosëshin 200 racione. Kështu e kishte menduar gjyshi dhe ne nuk do t;ja prishnim amanetin. Eh, kotë nuk thonë se amanetin nuk e tret as dheu.
    -Ç’bëre me thotë im vëlla, ndërsa ishte I qetë se detyra ishte realizuar. Unë dridhem I gjithi.
    -Nuk ka njeri, Miço.
    -Si nuk ka njeri?- habitet ai.
    .Në numrat e telefonave të miqve që ka lënë dalin vetëm plaka apo vajza e djem të vegjël. I ka përlarë kurbeti, emigrimi. -Po atëhere si do t;ja bëjmë? Mos kini merak, më afrohet Agroni, një nga shokët e mi të punës. Jo më gjeti edhe mua para katër muajsh. Por kam bërë një varrim madhështor, sit ë varrosej jo gjyshi por një princ apo faraon.
    -Gjete kohën për të bërë shaka, ia ktheu vëllai.
    -Jo nuk bëj shaka. Shkojmë aty ku mblidhen të papunët. Hë mo, siç thuhet tek “Ushtari i panjohur”. Ata lënë lopatat dhe vijnë pa merak fare edhe ën varrim edhe në drekë. E ku dihet në sytë e të afërmve se kush janë. Miqtë tanë dhe kaq. . sa njerëz ju duhen?-pyeti Agroni
    -Po njëqind e njëzetë po, -Ua sjell unë pa merak. Vijnë ata për një orë. I mbajmë dhe për drekë, apo jo?
    -Dhe ëpr drekë sigurisht-përgjigjet im vëlla. Atëhere…ata kërkojnë një mijë lekë secili.
    -Ua japim u them unë. Vetëm na nxirë nga kjo situatë..
    Punë e mbaruar, shton Agroni dhe fluturon për të mbledhur njerëzit e duhur për varrim. Pas dy ore, gjysmë ore para nisjes së ceremonisë së varrimit, në fund të rrugës mbërritën tre autobusë të mbushur me njerëz. Kishte nga ata punëtorë që kishin marrë dhe gratë e tyre. Të veshur si jo më mirë. Po ishin apo s’ishin miq që të nderonin. Kur i pashë aq mirë, u gëzova. Ata kërkonin të dinin se si quhej I vdekuri dhe me se ishte marrë në kohën e tij. Mësuan, sigurisht mësuan shumë nga bëmat e gjyshit tonë. U nis vargu I veturave nga më të afërmit dhe më pas tre autobusët e mbushur plot e përplot. E ç’rëndësi kishte pagës, rëndësi kishte vargu i gjatë i pjesëmarrësve që shkonin për të nderuar dhe respektuar të vdekurin dhe pse nuk e kishin njohur kurrë. Gjyshi u varros i respektuar. Dreka u bë e madhe ashtu siç e kish dëshiruar ai vetë. Shumë nga të pranishmit thanë fjalët më të mira për gjyshin. Në të djathtë të restorantit, afër banakut, një burrë I gjatë, me flokë pis të zeza filloi të qajë me të madhe. Të gjithë lanë bukën. Ata që ishin afër filluan ta qetësonin.
    -Po më lini mor burra, më lini të qaj. Unë jam një solist qarist dhe paguhem për këtë punë. Paguhem më shumë se ata që janë në korr. I tha që këto fjalë me dialekt verior. Ne të gjithë mbetëm të habitur. Eh, thashë me vete. Kudo gjen njerëz për të qarë, për të qeshur, për të fërkuar, kruar, qethur, dhe rruar. Kudo gjen tani këtu, njerëz që duhen paguar për kohën që vënë në dispozicion sepse miqtë e vërtetë janë rrugëve të botës. Mos u shqetësoni dhe për varrimet. Bëhen dhe bëhen mirë. Vetëm lek të kesh dhe autobusët mbërrijnë të mbushur plot me njerëz. Ja kështu ia plotësuam amanetin gjyshit të mirë dhe pse ata pjesëmarrës kishin emra dhe adresa të panjohura asnjëherë më parë.
    **********************************************************
    Basir Bushkashi
    PEISAZH I ZYMTË

    Dehur retë
    Në vraprendje.
    Shtrijnë pëlhurën
    T’zezë e t’madhe
    Tretet dielli,
    Fshihet qielli,
    Shfryn shtrëngata
    Me tam-tame…

    Plazhi-shkretë
    Pa këmbë njeriu.
    Qielli shkrep
    E bubullon.
    Qielli sterrë
    Deti sterrë
    Zotëri shiu…
    Gjithçka zotëron…

    MOS U TREMB!

    Mos u tremb!
    S’të puth
    Me të pabesë…
    E ç’puthje
    Është
    Të kërkosh ndjesë…?!

    Kur flaka e puthjes
    Të pushtoi dhe ty:
    Le të ndezim
    Një zjarr
    Dhe të digjemi
    Të dy…!

    ZJARRET E SAJ

    U shtanga keqas nga bukuria:
    Një vajzë e ylltë më la pa mend…
    Kur ngultaz i hodha vështrimet e mia
    Shigjetat e syve m’goditën n’çdo vend…

    -Bobo, ç’më gjeti! -thashë me vete.
    Gati si i dehur, sa s’dija nga t’mbaj…
    Dhe e di se kurrë, jo, s’do gjej prehje
    Pa u djegur i tëri zjarreve të saj…

    TË LUTEM MË FAL
    -Mësuesit tim të dashur, Bajram Murati

    Lëngon rëndë, shtrirë në krevat.
    I shtrenjti, mësuesi im i parë.
    N’shtëpinë e re rrethuar me pemë.
    Atje në fshat, si murg i bardhë…

    Ja ndjej dhimbjet që nga larg.
    Si vallë kaq kohë pa e parë?!
    S’ndjehem i qetë, mërzia më kap
    Mua nxënësin e tij 60-vjeçar…

    …Në kohëra të errëta, me dritë kandili,
    Kur hundët na mbusheshin me blozë.
    Shtrirë mbi lëkura shkruanim detyrat
    Dhe mësonim gjer vonë për shkollë…

    Pas njëri-tjetrit, të ngrënë e t’pangrënë
    Me çanta lecke hedhur mbi shpinë,
    Si zogj të vegjël rendnim mëngjeseve,
    Në diell, dëborë e suferinë.

    Dhe dora jote, mbi dorën tonë
    Tek shkruanim germat e para
    Fllad e dritë djerrinave të mendjes
    Portat e dijes na hapte përpara…

    Herë-herë në shkollë vinte im atë.
    E prisje ngrohët: o, erdhi Shahini!
    Dhe e përcillje te dera kryelartë:
    -Do të bëhet i ditur, patjetër, Basiri!

    Disi, vërtet, u bëra i ditur,
    Siç thoje ti, me shpirt, dikur.
    Veç, të lutem, më fal, o mësues, Bajrami,
    Që kaq vonë, për ty, këto vargje po thur…

    Nxore kaq nxënës, ndjehesh krenar.
    Punën plot zell s’ta shkuam kot…
    Ti ishe i dashur e aq i çmuar,
    Sa ne asnjëherë s’ta shpërblejmë dot…

    DHE PAS NJË MIJË VITESH

    Me të puthura të mbulova:
    Në buzë,
    Faqe
    E flokë.
    Po dhe n’supin e njomë.
    Aromë e tëra,
    Aromë…

    Dhe pas një mijë vitesh
    Kujtomë, moj,
    Kujtomë!
    Kur shpirtrat do enden
    Qiejve, pëtgjithmonë…

    VLERA BYTYÇI EJUPI

    NDËRGJEGJA

    E mira u shfaq para meje si puhizë e bregut të ngrohtë
    Duke përkëdhelur flokët e masës së hutuar
    Nga bërthama e tokës doli zëri i ëmbël, magjepshëm duke jehuar
    E bardha mirësi, rri këtu dëshpërimin e akullnajeve për të shporrë…
    Dëshpërimi i akullnajeve jam unë vetë, i tha masës mirësia
    Dhe toka gllabëroi masën dhe mirësinë, atë të vërtetën, duke hedhur zinxhirë
    Dhe retë e vetëtimat hodhën mbi ajrin të ftoftin e pështirë
    Dhe ndërgjegjen e torturuan me egoizmin dhe misterin e vdekjes
    E shkreta ndërgjegje u fut në kallëpet e zjarrit duke flakur ato të mendjes.

    DO TË JETË VONË….

    Edhe dielli filloi te pikojë pika gjaku
    Përderisa qielli i ngrysur nga lart gjëmonte me mllef
    Këndej gjarpërinjtë gjithë helm dhe gogolët vlonin – ky qenka shkaku
    Gjakatarë shekullorë, mllef dhe vrer ,kur tu kujtohet mbi ne bëjnë bef….
    Perdhet e dritareve u bënë çarshafë vdekje për foshnjet e palindura
    Dhe kështu na kalon koha, me këta që kanë folur gjuhën tonë
    Dhe e tradhëtuan veten si bisha të çmendura
    Në gjirin tonë për tu këthyer, më çdo herë do të jetë vonë….

    GJETHI DHE MENÇURIA

    Dhe më në fund ra poshtë në dheun e etshëm dhe gjethi i fundit
    Ambicja e kreu të veten me drurin lakuriq, i cili urrente erën e fuqishme
    Dhe po ky dru i tha natyrës që të shpërblejë virtytin
    Ta ushqejë dhe mos ta harrojë sakrificën e drurit
    Lëngun e jetës nëpër shpirtin e tij le ta shndërrojë në kënaqësi të dëfrimit
    Dhe druri mos të quajë shpresën marrëzi dhe dritën terr i zi…..
    Por le të gufojë në gjelbërimin e tij, nga natyra të jetë kjo dhuratë-mençuri
    Mençuri e shpërbërë në epitafe, dhimbje, pluhur, koka plot dinakëri…

    PËLLUMB GORICA

    FJALËT

    Fjalët janë të pafundme në një flet të bardhë
    Ëmbëlsia surreale e zhurmës në shpirt
    Gjeste të pakuptimta si fryma mbi xham
    Gjykime të fshehura prej të vërtetës larg.

    Fjalët janë ngushëllimi më i madh që njihet
    Thellësi e dhimbjes së heshtur në det pasioni
    Ikona të kalemendura ku davariten mendimet
    Shkëlqim i hershëm sa as mund ta besoni.

    Fjalët janë udhë në trokun e hapave
    Zëra pikture qiellit të plurosur me re
    Rendje tej humbëtirave me pulitjen e buzëve
    Tempuj të pasosur gdhendur atje ku vdesim ne.

    ZHGËNJIMET U BËNË THINJË

    Më kishin folur pa fund për ikjet
    Por ti ike vërtet këtë vjeshtë
    Dhe s’vrapova udhëve me dremitje
    Se çdo gjurmë të çonte në humnerë.

    Si udhëtar kërkoje brenda meje
    Dhe dot s’mendoja pabesinë
    Unë të flisja veç për fllade
    kurse ti kërkoje historinë.

    I vesha dhimbjes fotokpje,
    Plagosur keqas brinjë më brinjë,
    Nnë ikjen tënde kësaj dhimbje,
    Një zhgënjim, në kokë një thinjë.

    NË TROKËLLIMËN E HAPAVE

    Si gur i rëndë nga mali i lartë
    U shkëpute një mbrëmje edhe ti
    Me qeleshe të bardhë në një ndjajnatë
    Dhe me xhamadan e tirq të zi.

    Me bubullima shoqëruar nga prapa
    E dorën në brez prej hijes zgjatur
    Tingull çjerrë nga këmbana
    Me mëndje të mpirë dhe të ndotur.

    Në përkëdheljen e flladit të ujrave,
    Toka të lexoi fatin e vërtetë,
    Nën trokëllimën e rëndë të hapave
    Me emrin tënd rendi koha e tretë.

    KY ËSHTË MASHTRIM

    Si fytyrë e lotëve të ditës,
    Më fute në mijra labirinthe,
    Asosacion ngjyrë gri i jetës,
    Më ngjall brengën këlthitëse.

    Ti shpesh më errëson dhe ditën,
    Trazon e heq fantazinë e këngës,
    Unë jam sfungjer ngopur me kthimën
    Lermë të tretem nga shiu pakëz.

    Në shpirt më ulesh si ky shi,
    Me sy të shuar gjithë pendim,
    Rënkon për kohën gjithë mërzi,
    Por nuk bindem… është mashtrim.

    NË SINORIN E POEZISË

    Mëngët e kuqërremta të dritës
    Më tërhoqën drejt gëzimit
    Ishin veshur nga shkëlqimi i hënës
    Dhe lanë pas çastet e trishtimit.

    Natës i rrëmbeva një ëndërr
    E trazuar ajo vërtitej përqark
    Më këndonte një këngë të vjetër.
    Fjalë dhimbjesh e tinguj endacak.

    Mes heshtjes flinte fshehtas malli
    Si kalimtar me sy indiferent
    Nën qiellin e kaltër ai ndali
    Dhe në sinoret e poezisë gjeti vend.

    Shënim me pikë pyetje e pikëçuditëse
    Sinan Garo
    -ese-

    Në qoftë se zyrtarët, gazetarët e policia thonë e shkruajnë me kokëfortësi “pedonale” në vend të fjalës shqipe SHËTITORE, shqiptarët u thonë: Ju ose jeni injorantë (të paditur) ose jeni snopë (shtirakë).
    Për fjalën italiane “lungomare”, e futur kjo në përdorim zyrtar edhe nga Kryeministri, i kujtojmë Kryeministrit se deklarata e tij e parë që bëri ishte: “Do të vendosim në çdo ministri e institucion redaktorë gjuhësorë“, që për habi ende nuk është realizuar. Dhe këtu nuk është fjala për një problem teknik, për një ë e për një ç që shkruhen e dhe c, që zgjidhet me dy qukime (klikime), po për pastërtinë e gjuhës shqipe, kur në gjuhën shqipe i kemi fjalët përkatëse. Nuk po futemi te problemet e sintaksës shqipe. Ismail Kadare te një poezi e tij thotë se të huajt “kështjellat e sintaksës s’i morrën që s’i morrën”, kur ne vetë sot po i rrënojmë edhe këmbëzinat. Ne, domethënë arsimi e institucionet që e kanë për detyrë atdhetare e shtetërore për ta mbrojtur. Shumë herë të tjera janë ngritur në shtyp e media këto shqetësime, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr, çka do të thotë: “Grini ju, grini, ne po na digjet koka për hallet e popullit, ju kërkoni krehër për flokët.”
    Por për inat të atyre që nuk e vënë ujin në zjarr ose nuk e çajnë kokën për gjuhën shqipe, pasurinë tonë më të vyer kombëtare, jemi të bindur se kjo do ta kapërcejë, si ndër shekuj, edhe këtë shpërfillje institucionale.
    *********************************************

    DRITAN LLOGONE

    THELLËSISË SË SYVE

    Më vështro në mundësh thellësisë së syve.
    Fundit të retinës së tij, dashurinë kam futur.
    Në qëndrofsh përballë me jep një çast të vetëm,
    të mund të shohësh botën tënde,në timen strukur .

    Të shtrenjtat gjëra i ruajë thellë,
    mbuluar me të shpirtit mandil ngrohtësie.
    I pikoj të hënës dritë çdo natë edhe nëpër terr
    dhe të mëngjezet, si vesa, njomështi dashurie.

    DRITA E MBRËMJEVE TË MIA

    Dritaren e mbyll qetësishëm mbrëmja,
    e rraskapitur dita, tretet detit të zi.
    Por mua përherë më ndiçohet nga brenda,
    zjarri që për shumë vite kishe ndezur ti.

    Edhe pse mbrëmjet tashmë as i numëroj,
    ti mundesh kaqë magjishëm të qëndrosh e rrëzuar.
    Si hije torturon çdo natë të miat mendime,më beso!
    Ndaj në mundësh ,shuaje atë dritë,që më mbanë ende zgjuar.

    ERDHËN DHE KËTË VJESHTË

    Erdhën ! Erdhën edhe këtë vjeshtë krahëzinjtë,
    me të tyrin fluturim të lehtë mbi atë pemë.
    Edhe diku tjetër, atje tejë nën një strehë,
    atje ku ende shiu në rënie, s’është një stalakdide mbi ne.

    Erdhën ashtu pa zë dhe kurr s’dua diku të shkojnë,
    sepse thellësisht vështroj botën,si një të vetëm ballkon.
    Ti o shtegtarë i zi,ti që si mua mërgon,
    ndalë dikur në një vend,e në mundësh ndale dhe këtë të zezë botë.

    Eltion Saraj

    Kosova
    Ese
    Atdheu është gjëja më e shtrenjtë në jetë, ai është vendi ku linda dhe u rrita. Nuk ka gjë më të shtrenjtë se atdheu ynë Kosova. Edhe po të vizitojmë tërë botën, edhe po të jetojmë me vite në një vend tjetër, ne prapë do të përmallohemi për atdheun tonë Kosovën. Shpirti ynë ka ndjenjë të veçantë për vendin tonë, Kosova është vendi më i ëmbël që ka vend në zemrën tonë. Edhepse vendi ynë ndoshta nuk është mjaft i zhvilluar apo nuk ka një ekonomi krahasuar me vendet botërore, nuk ka as det, ndoshta nuk ka as shumë vende të mëdha turistike, por prapë se prapë ajo është atdheu ynë Kosova. Ne nuk duhet ta duam vendin tonë vetëm për interes, siç thonë edhe të tjerët “Më mirë i varfër e i lumtur, sesa i pasur e i palumtur” sepse lumturia është gjëja më e shtrenjtë që dikush mund ta ketë pas lirisë. Atdheu im i dashur po vazhdon që të ngritet lartë për gjithçka, ajo u pavarësua dhe sëshpejti do ta arrij edhe bashkimin evropian dhe nesër ndoshta edhe ne do të jemi si e gjithë bota, sepse edhe ne i kemi meritat tona. Por unë ju këshilloj që t’a dëshironi atdheun dhe kurrë mos t’ia kthyeni shpinën.

    Lufta dhe Paqja
    Esse
    Mjaft më shkruajta për luftën, mjaft më shkruajta për dhimbjen, thjesht i takojnë të së kaluarës dhe gjithmonë do të mbesin si kujtime të trishtueshme brenda zemrës. Tani erdhi koha t’i shkruaj paqës, se si do ta ndërtojmë një botë ku do të mbizotërojë paqja. S’ka më luftë kundër armikut që vodhi shumë jetëra, e vetmja luftë që do të ekzistojë është lufta dreht paqës, por që ta fitojmë këtë betejë duhet të harrojmë urrejtjen, mallkimin, trishtimin, përbuzjen e shumë gjëra tjera që na bëjnë të ndihemi keq. Po vetëm një njeri të filloj t’i harrojë këto so t’i harrojmë të gjithë, dhe po vetëm një filloj të mendoj për paqen dhe dashurinë do të fillojmë të gjithë, e sheh pra sa lehtë është ta fitosh paqen? Gjithçka do të ishte ndryshe po të mbretëronte paqja, edhe i pasuri do t’i zgjaste doren të varfërit, edhe urrejtja do të shndërrohej në dashur, mu ashtu sikur një lule e vyshkur që kur e ujisim qelet e merr dritë. Ne si popull shqiptarë, është vështirë që ta fitojmë paqen, nga që njeriu të ligat kurr nuk i harron dhe se e kaluara dua ta lë si kujtim e të mendoj për të ardhmen, jo vetëm për të ardhmen time, por edhe për të ardhmen e popullit tim e cila varet nga ne. Ne jemi çelësi i kësaj bote, andaj ta ndjejmë si përgjegjësi qysh nga tani se vetëm ne mund ta sjellim paqen dhe qetësinë qoftë ajo edhe në fund të botës.

    ****************************
    Flamur Luta

    POEZISË

    Trupi im prej kali të harbuar
    Më është aq i rënduar me ty,
    Sa në garën për karrierë del gjithnjë i fundit.

    Nëse unë tek ti zotëroj plantacionet e mirësisë,
    Ti tek unë zotëron plantacionet e unit.

    ZOTIT

    Pyetjes “ç’është jeta”, drejtuar Ty që në fëmijëri,
    Ia ktheve shpinën si varfanjak përvoje-rreze drite,
    Me shumën e sekondave të rrojtura deri tani,
    A do të marr dot prej Teje përgjigjen e pritur me vite?

    DJALOSHIT TË SHTHURUR

    Porositë e tët eti, të dala prej kujtesës,
    Një nga një i var në litarët e harresës.

    NGJARJEVE TË BUJSHME

    Përshtatshmëria ime e strehuar
    Në ndryshimin e rrjedhjeve tuaja plot furi,
    Më qenka aq e ndjeshme,
    Sa te barazimi i njerëzve në pasuri
    Shoh embrionin e dallimit
    Midis skamjes dhe dëshirës për progres.

    Çmimin e rënë të vlerës së djersës së derdhur
    E shoh prej luhatjes
    Së vlerësimit të njeriut të punës.

    Shkakun e mbylljes së çezmës së ardhmërisë
    E shoh tek ata,
    Që me kartëmonedhën-bulëza djerse,
    S’kanë shlyer faturën e ëndrrës.

    E shoh famën time
    Të kalërojë mbi jelet e këngës.

    SHPIRTIT TIM

    Brenda teje personazhet e vargjeve
    Nën rrezet përvëluese të mallit
    Për djalin në kurbet,
    I ka kapur i madhi panik.

    Thua se aty
    E ndiejnë veten si në Afrikë.

    POETIT DEMODE

    Vargut tënd-lojë fjalësh si prej belbëzaku
    Tajsoni yt plot tërbim i leh për së largu.

    Mendimi foshnjor aty është mbështjellë për bukuri
    Me pelenën e përshtypjeve të bëra lesh e li.

    Midis copave të mëdha akulli të indiferencës
    Si një anije e mjerë merr goditje njëra pas tjetrës.

    ************************************

    Jorgaq Pirika

    SHKENDI DASHURIE

    Në rininë e hershme
    Një vajzë kam dashur
    Ishte e sjellshme
    E urtë e matur

    U lidhëm pa kuptuar
    Me shpirtë e me sy
    Si rrufe e shpejtuar
    Unë, Tatjana e të dy

    Ajo mua më fali
    Shikimin e rrallë
    Zemra ime më ndali
    Dashuri të jetë vallë ?

    Më afrohet si oksigjen
    Kur largohet ndjej azot
    Flokverdhë si kjo s’gjen
    Pyes veten, do ta mbaj dot ?

    Frikë kam se do ta humb
    Tatjanën me sy bojë qielli
    Si bleta me thumb
    Do të më duket dielli

    Më foli “ Jago” si në paqe
    Tatjana nuk është për ty
    Një shenjë ka në faqe
    S’mund të jeni çift të dy

    U tërhoqa dhe me gojë hapur
    Më ndryshoi graviteti
    Hapat mbi rërën e lagur
    I fshiu batica e detit

    S’patëm fat t’i bënim ballë
    Me njerëz si “ jago” shpirtzi
    Tatjana e lumtur është vallë
    Nuk e di !.. Nuk e di!..

    ALBANA – METEORI QË U FIK!

    Gëzimi trokiti në pranverë
    Lindi vajza fëmija e parë
    Të gjithë t’afërmit si përherë
    U kënaqën duke e parë

    Njëri fliste më ngjan nua
    Ka tiparet të bukura shumë
    Tjetra pyeti çfarë po thua?
    Ndërkohë vajza fjeti gjumë

    Fëmijë e bukur zemra ime !
    Çfarë emri do të ketë?
    Lindën shumë propozime..
    Do ta gjejmë siç duam vetë

    Bukuroshes Tamara i shkon
    Emër shqip ndoshta ruse ?
    Por Albana e zbukuron
    Sikur të jetë e veshur nuse!
    Fytyrë qeshur , fytyrëqarë
    Është Albana vajzë e “rritur”
    Na mbushet dita duke e parë
    Këtë prindërit e kishin pritur

    Vajzë tërheqëse, vajzë e zgjuar
    Foli një grua në autobus
    Me fëmijën e saj luante me duar
    Albana qeshte buzë më buzë!

    Një natë vjeshte mos ardhtë kurrë!
    Albana jonë shumë po qante
    Si pa pritur ? e sëmurë ?
    Kur ajo pinte e hante ?

    Na plagosi kur nuk duhej
    Kjo lulekuqe e pranverës
    Meteori nisi të shuhej ..
    Të ndjek fati hera herës.

    Jeta ecën është e bukur !
    Me tre yje që ndriçojnë..
    Po vazhdojnë në drejtimin e duhur
    Të sigurtë ata vrapojnë

    Albana kujtohet, nuk harrohet
    Një mesazh ajo ka lënë..
    Ta lexojmë, të respektohet
    Të shkojmë, lule duke dhënë

    Njerëzit e mi që fort më doni
    Malli shumë më ka marrë
    Ejani te “shtëpiza” më takoni
    Të çlirohem nga kjo barrë.. !

    PJETÊR CARA

    MOS MA ZËR DIELLIN!

    Mos ma zër diellin,
    se më verbon drita e qirinjëve!
    Dhe kur mugëtira e braktis qiellin,
    Ai i zgjon ngadal’ ëndrrat e fëmijëve.

    Mos ma zër diellin,
    se nuk ka më ëmbëlsi flladi!
    Dhe gëzimet aspak nuk të velin
    kur buzqeshjet lozin te plazhi.

    Mos ma zër diellin,
    se end pëlhurën e saj errësira!
    Dhe korbat klithmat i mbjellin
    në syt’ e dashurisë nëpër rrëpira.

    Mos ma zër diellin,
    se vdes përgjithmon’ ngjyra e klorofilit!
    Dhe tingujt e kohës më nuk i vjelim,
    as shpirtin s’e deh kënga e bilbilit.

    Mos ma zër diellin,
    se imazhin e së bukurës ma tret!
    Dhe sëmundjet vdekjen e ndjellin
    kur në vend të ylberit muzgu zbret.

    Mos ma zër diellin,
    se rrugën e ardhmja honeve e humb!
    Dhe fara s’ e përgatit më miellin
    e jeta të keqen kurrë nuk e mund.

    Mos ma zër diellin,
    se më verbon drita e qirinjëve!
    Dhe kur mugëtira e ngrys qiellin,
    Ai ngadal’ ëmbëlson gjumin e fëmijëve.

    D Y Z I M I…

    Ankthi m’ tërhiqte si karremin mbi filispajë
    që të mësoja mir’ si krijohet refraktimi,
    si vrapojnë hijet atje poshtë në ograjë,
    qysh për figurat ndër filma bëhet Dyzimi.

    Tersllëku i jetës e plotsoi këte boshllëk
    me yryshin e ngjitjeve dhe t’ brengave të saja.
    Si fantazëm nëpër kohëra me mjaft ustallëk,
    ndërgjegjes i ngjitej Dyzimi porsi damllaja.

    Shpeshherë ai të ledhaton me një buzqeshje
    e t’ lanë e të lyen me parfum lëvdatash.
    Kur urtsia i kthen shpinën, e shpon me ngërdheshje,
    dhe intrigat kakarisin porsi karvan patash.

    Kujtesa e din që koha nuk peshohet me ar,
    veç fytyrën e disave e bën si teneqe
    që në mëngjes duket bukur si krishti mbi kalvar,
    kurse në dark’ ulurinë si mostër e keqe.

    Kujdes, ore kujdes, më thon’ njerëzit e mirë!
    Ne zvarritemi n’ shekullin e elektronikës,
    ku karakteri shfaqet si ylberi n’ zefirë
    dhe burrëria po dergjet tek arat e Dikës…!

    Çudia e mërzitur pëshpëriti tek ura:
    sëmundja e Dyzimit ka prekur shumë veta!
    Pastaj s’ ka gjë në dalin një apo dy figura,
    pas të vjelave përsëri do t’ kujtohet jeta…!

    I M I T I M I

    Je i dashur, je i ëmbël, je i mirë!
    I them shpeshherë një miku të vjetër.
    Gjithmonë luftove të ishe i lirë
    dhe s’ ia ke lën’ asnjë njeriu tjetër.

    “Mos ma vrugo qeren me tis euforie,
    se thyej qafën në mes të sokakëve.
    Donin t’ isha dordolec i çdo miqësie
    dhe korrier nëpër zyrat e burokratëve.

    Të mendoja e të flisja si eprori,
    të bërtisja e t’ ecja si kryetari.
    Por zemrimi në çengel te kraharori
    shtegut t’ jetës imitimin seç e vari.

    Shpesh kokfortësia është gjetur n’ hall
    para zgërdhimjes së disa servilëve.
    Prisnin mjeranët t’ bëhesha si papagall,
    për t’ ua kreh bishtin të gjitha hileve.

    Por ç’ e do, se virusi i imitimit,
    u mbuall zyrave në sfera të larta.
    Dhe kalbëzoi rrënjët e gjelbërimit,
    duke e vrarë ndershmërin’ me lëngata.

    Ç’ ma ke shpuar me hosten fort kujtesën
    të të them se si kam rendur në rrëpira!
    Mbijetesa për lirinë dhe për besën
    paska qenë dhe do t’ jet’ më e vështira!

    P Ë R C J E LL J E…

    Mënyja e humorit tim sot ishte mërzia,
    oreksi s’ i binte fare grepit të urisë.
    Pickoheshin midis tyre mendimet e mia,
    se nuk i duronin dot hilet e ligësisë.

    Mos e kruaj me parinë, se ajo të han kokën,
    më thoshte me të madhe njëri si më pizeveng.
    E po njëqind herë nuk përkulem të puth tokën,
    prandaj të dalë ku të dalë, nuk më mbetet peng.

    Të lutem, ky është kushriri i kushririt tim,
    Ka një hall…por nejse, nejse, të vemi te klubi…
    Donte t’ ma hante kokën me llokume shoku im
    që ndërgjegjja të gdhihej me çizme hajduti.

    Një syverdhë bënte bilancin e dashurisë:
    “Ej, murg, kulloti pak sytë, apo s’ ke dëshirë?”
    M’ fal, e kam mbyllur rrubinetin e kënaqsisë,
    kështu më urdhëron Hankeja ime e mirë.

    E ke kokën, si gdhëri i pishave të Shkretës,1
    m’ thoshte eprori zevzek kur e gjuaja me shpoti.
    Luftova t’ i fshija me pecetën e t’ vërtetës
    jargët e intrigantit, se m’ jepnin shum’ alergji.

    Kështu brodha gërxheve t’ jetës me mirësjellje
    nga piramidat deri te shtegu i katundit…
    Por a do të mbarojë ndonjëher’ kjo përcjellje?
    Patjetër, kur t’ na përcjellin n’ banesën e fundit!

    *********************************************
    Hyqmet HASKO

    Përmendore për dhimbjen e një nëne
    PROZ POETIKE.

    Hyqmet HASKO

    Një nënë qëndron në muzg, me duar të kryqëzuara e me profilin e deformuar në formë të një dhimbje klithëse.
    Para hotel “Grand” në Prishtinë, në një cep trotuari, nën shi, qëndron ajo mbështjellë me një shami të zezë, ndërsa lotët i derdhen si ujëvarë nga faqet e vyshkura e të thara nga pesha e kohës.
    Lotët bashkohen me pikat e shiut dhe shumëfishohen në formë rrëkeje!…
    Me vështrimin lart në formë lutje, sytë e saj të njomur nga vërshimi i lotëve dhe klithjet që busin nga shpirti i lënduar, duken si oaze dhimbje. Një dhimbje e pa cak e mbështjellë këtë nënë të vetmuar, që qan e lëngon para atij hoteli luksoz, ku dyndën ofcerë të KFOR-it e nëpunës të administratës vendase, prishtinas e të huaj.
    Një çift të dashuruash kalojnë pranë saj dhe dhimbja e nënës i bën të ndjeshëm, të prekshëm, i nxit të ndalojnë e ta pyesin me njerëzillëk:
    -Çfarë ke moj nënë?!
    -Të lutem na thuaj çfarë ke e… nëse mund të të ndihmojmë a…!
    Nëna hesht e lotët në faqet e saj ku rrudhat duke si izoipse dhimbjeje lëvizin në formë pykëpyetje.
    Vajaza nxjerr nga kuleta dhjetë euro dhe ia hedh në prehër.
    Nëna ngre kokën dhe e vështron me mirëdashje e qortim në të njëjtën kohë.
    -Faleminderit, moj bijë, por nuk dua para…
    Vajza zihet ngushtë dhe këmbën me të dashurin vështrime të dëlira, që kanë brenda brengën për vuajtjen e nënës, dilemma për refuzimin e saj.
    -Merri, thotë vajza.-Mos janë pak? Dhe nxjerr nga kuleta ngjyrë rozë dhe një dhejtëshe tjetër, një tjetër e…
    -Mos u harxho, moj bijë, se të thashë, nuk dua para! Unë dua diçka që as ti dhe askush tjetër në këtë botë nuk ma jepni dot, nuk ma ktheni dot.
    Çifti rri në heshtje e nuk guxon të thyejë zemëratën e nënës, në sytë e së cilës lotët tani janë shumuar, si ujët e pakët të përrenjve malorë kur bashkohen me të tjera ujëra, me të tjera dhimbje.
    -Më është vrarë djali në luftë, i miri im, djali ma i mirë i Kosovës loke! A ma ktheni dot!?
    Nuk është pyetje, por një transferim i dhimbjes në trajtë pyetjeje retorike, në trajtë qortimi për dikë a diçka që ndodhet përtej atij trotuari të elektrizuar nga dhimbja. Përtej atij muzgu të ngarkuar me qeshje, brengë, vetmi, mungesë, lot, ankth, pritje, përjetësi…
    Dy të dashuruarit largohen të kontraktuar, të penduar, të traumatizuar nga vetmia e nënës, nga mungesa e saj, që nuk mund t’ia zëvëndësojë askush. As trupat e KFORI-t që ikin në rresht drejt detyrës së re, as ish ushtarët e UÇK-së që janë tubuar në një demonstrim para kryeministrisë për të drejtat e tyre të harruara nga qeveritarë të pashpirt…
    Atë çast, nga një foristradë dikush e vështron dhe e njeh, ajo është nëna mikut të tij të llogoreve të luftës, nëna e heroit nga Gjilani, që u vra në betejën e Koshares. Ky burrë është një qeveritar i lartë, që zbret me vrull nga makina dhe i afrohet nënës përmendore, e cila vazhdon të lotojë vetmitare në muzgun e tejngarkuar me psherëtimat e saj.
    -Nënë! Të lutem ngrehu! E di që dhimbja ta ka këputur shpirtin, por… Të lutem, eja të pijmë një kafe… të flasim për Nadirin!
    -Nadiri im nuk është më… E çfarë mund të flasim ne të dy? Atë që e kisha dritën e syve, ti nuk ma kthen dot!…
    Qeveritari zihet ngushtë dhe kërkon me çdo kusht ta bindë, që ajo të ngrihet nga trotuari ku është ulur e qëndron si përmendore pikëllimi…
    -Nuk vij, nuk kam ku shkoj. Ti ec. Ec… se ke punë për të bërë! Keni shumë punë ju qeveritarët… për të mos lënë asnjë gjurmë të atyre që si im bir derdhën gjakun për liri… Gjakun e tyre ju e kthyet në vila dhe numra llogarie!
    Qeveriatri ikën i mbështjellë me vetmi dhe klithje…
    Pas një ore, ai e harron nënën e shokut të tij të armëve, nënën e heroit. Duhen bërë projekte, duhen kollandrisur punët e qeverisjes së madhe…
    Ndërsa nëna vetmitare vazhdon të qëndrojë aty, në muzgun e trazuar të pritjes pa cak, përballë hotel “Grand”, në një cep të ronitur trotuari, me duar të kryqëzuara dhe shpirt të copëtuar nga dhimbja!…

    Harallamb Kota
    VENDI IM

    Shqipëri, në truallin tënd u linda,
    U rrita unë që ndjeva vuajtje e uri,
    Në frytet e pemëve, që baballarët mbollën,
    Erën e barutit e gjakut ndjej.

    Në grushtet fëminore, baltën shtrëngova,
    Baltën e tokës time të lirë,
    Atëherë, në ngrohtësinë e saj ndjeva,
    Heroizmin e popullit tim.

    U ngritën mbi baltën e mbrujtur me vuajtje,
    Me qindra filiza të rinj,
    Sytë u ndriçojnë, e buzëqeshin,
    Çuditet bota prej buzagazit tim.

    Kujtoja kur isha i vogël,
    Se balta ishte e njëjtë kudo,
    Dhe pse e ftohtë, ajo më ngroh,
    Më ngroh balta e vendit tim.

    SHQIPÉRI

    Ky është shekulli yt i njëzet,
    Shekulli i paradave industriale.

    Marshimet na bëjnë të mendojmë,
    Mendohemi thellë për Migjenin.

    AGIMET

    Agimeve të kuq,
    Lindjen e diellit shikojmë,
    Fushat që zbardhin pambarim,
    Errësirë e natës, e trembur largohet,
    Mendon të fshihet diku,
    Të mbrohet.

    Agimeve të kuq,
    Në errësirë marshojmë,
    Çuditet bota,
    Si nuk gremisen thonë.

    ZBOR

    Marshojmë shteg më shteg,
    Si dikur partizanët,
    Që luftonin me armikun,
    Me pushtuesin dhe tradhtarët.

    Marshojmë shteg më shteg,
    Në grykat e maleve,
    Rrëpirat i lëmë poshtë,
    Ngjitemi majave.

    Në fund të çdo marshimi,
    Ndalojmë në një krua,
    Kujtojmë gjakun e trimit,
    Rrjedhën e këtij burimi.

    Në beteja me armikun,
    Fort u gjakosën,
    Me trup i dilnin plumbit,
    Dhe shpëtonin shokun.

    Jemi bijtë e tyre,
    Nuk na lodh marshimi,
    Këndojmë me zë të lartë,
    Këndojmë këngën e trimit.

    DASHURISÉ

    Dashuria,
    Ajo,është e madhërishme,
    Të pushton ngadalë, me ëmbëlsi,
    Të mbërthen në zëmër fort,
    Të pengon të vështrosh.

    Dashuria,
    Vërshim i vrullshëm,rrahje zëmrash,
    Më e ëmbla ndjenjë njerëzore.
    Kur je i vetëm, mendon,
    Rreth abstraksionizmash vërtitesh,
    Dhe se kupton, se sa larg saj qëndron.

    Dashuria,
    Trokitjet e saj dëgjoj, në hapësira honesh,
    Humbje vullneti, shkrirje dëshirash.

    Dashuria,
    Fryt i dimensioneve natyrore,
    Më e gëzueshmja, më e fuqishmja,
    Ndjenjë rinore.

    Namik Selmani

    1.Monolog

    Me kërbaç ma goditën historinë
    Në qilarë të fshehur
    Firma gjaku hodhën mbi truallin e gjyshit…
    E dhimbja i bëri sa një grusht fushat
    e deti i shtoi lotët e kripur
    E qiellit iu thyen brinjët nga goditja…

    Gjallimin e lisit mendova
    E shpirtin ma bekoi Rilindja.
    Me kërbaç ma goditën gjoksin, këmbën
    Me një hell të nxehtë ma qorruan syrin
    Për të mos parë rrugën e kthimit.
    Kockëthyer mes ngërçit nuk qava
    Me dorën cung të prerë
    Dhe me dhëmbë flamurin nga sepetet e nxora
    E Zotit në qiellin e sterruar, iu fala.

    2. Një zemër në treg????

    Në tregun me drita, me tezga, me thirrje tregtarësh
    Mos kërko më kot të blesh një zemër të mikut të mirë
    Mund të të afrojnë florinj dhe thasët e dollarëve
    Po kurrë, kurrë nuk ta qetësojnë shpirtin e kristaltë, të dlirë
    Në spitalin e transplantit mes mjekëve vendas e të huaj
    Mund të të japin dhe një zemër të pastër e të re qelibari
    Po dije , o mike, një zemër që të bën të duash e të vuash
    Nuk e gjen dot në asnjë tezgë ku flitet veç për cilësi malli.
    Te shtrati mund të të joshin me florinj, lule, tantella
    Ca zarfa dollarësh mund të të lënë në tryezë
    Po dije, s’gjen dot një zemër që të të dojë në vitet e egra
    Në emër të një dashurie që nuk vyshket asnjëherë

    3.Mall

    Malli po t’ju marrë, more si të shkruar
    Hidhuni nga malet, me ullinj mbuluar!
    Hidhuni nga pragjet, me bar të mbuluar!
    Hidhuni nga fushat, me plagë plaguar!

    Hidhuni nga deti, me dallgë trazuar!
    Hidhuni nga varret, me lule mbuluar
    Hidhuni nga këngët, me lot të gatuar!
    Hidhuni nga djepet, asnjëherë boshuar!

    Malli po t’ju marrë, more si të shkruar
    Shihni nga xhamitë gur më gur guruar!
    Shihni nga shtëpitë me buhar rrëzuar!
    Shpleksni varg kujtimet asnjëherë harruar!
    *********************************
    MEVLUD BUCI

    QËNDRESA
    Një këngë mbiu nga dheu
    Shpatë Skënderbeu,
    Ne krahë prej çeliku
    Peizazhit të bardhë,

    Një re u bë lutajë.
    Stuhi.
    Mes rrebesheve të kohës
    Rrallëkush
    Mbetet njeri.

    ATJON ZHITIT
    Ti prehesh,o engjëll
    Në parajsën dritëpraruar,
    Atjon,
    Sikur me flet,
    Më thërret
    E këndon,
    Më uron.
    Shpirti jot
    Bleron.
    O pëllumb i bardhë pendëshkruar
    Me lot,
    Që përvëlon.
    I paharruar
    Në panteon.

    RRËZIMI

    Në maja ngjitur
    Shiko me siguri,
    Vetëm atje
    Mirësinë ke kërkuar.
    Zbrit në rrafshe
    Në blerim, kroje, gurrë.
    Në dallgëzim të tyre
    S`rrëzohesh kurrë…
    VRULL
    Ec e ec shpejt,
    Shpejtësinë merr revan.
    Pengesat vijnë ngado
    Para ,pas ,lart.
    As kundruall
    Jeta s`është e sheshtë.
    Ka edhe të tatëpjetë…

    FLAKADAN ÇAMËRIE
    Agim Bajramit
    Pena jote ngjyer në zaje përmallimi
    Gdhend legjenda dhembshurie,
    Fluturon në fllade blerimi;
    Agim Bajrami-flakadan Çamërie…

    BULËZA POEZIE
    Ikën ajo nën
    Pështjellimin e hënës.
    Ndez magjinë e ëndrrës.
    Mos bëhet kurorë bjeshkë,
    Apo gjethe e zverdhur bjeshke.
    Ku ta dishë?
    Afër duhet t`i rrishë…

    GRYKËSI
    Një div veç rrokulliste gurë
    Mbahej i forte në një gjini,
    Sa u ngjit bëri katrahurë,
    U pasurua vetëm me grykësi…
    FUND
    Kur erdhi një shtërngatë
    U pendua ulkonja me këlysh,
    Mbeti e vetme nëpër natë
    Prej rrufesë u nda më dysh…

    SHPRESË
    Lulojnë të zjarrtat dashuri,
    Të duket vetja lis a fortesë,
    Jeta ka dhimbje,lumturi,
    Ne dy shina ecën: durim sdhe shpresë…

    KRYENEÇËSI

    Një cjap u printe dhive
    U shkëput nga bariu;
    Mu tek shteg i lajthive
    Ujku tinzar e griu.
    Që atëherë doli urtësia;
    Të fundostë kryeneçësia…
    ***********************************

    Hysen Grajqevci

    AMANETI I HOMERIT

    Sot flas me Homerin,

    Gjuhë kam Pellazgjishten,

    Ndryshe, si ta lexoj Iliadën?

    Flas me gur me varre!

    Hieroglifet më thërrasin!

    Toka ime thesar.

    Historia mua më mbeti në vepra,

    Germat shumë herë mi vranë!

    Dëshmi kam Artanën, Vushtrrinë,

    Prizerenin,

    Shkodrës, Rozafa roje i bën,

    Dhe kudo që shkel, ngado që shkoj,

    Marr me vete dëshminë.

    Lezha, Kruja, Durrësi, Butrinti

    Apollonia, Berati…

    Janë këto disa që më bëjnë historinë.

    Homeri nuk më pa,

    Po dora i punonte

    Dhe me të shkruar të asaj gjuhe

    Shumë amanete na la !

    COPËZA JETE

    Gjej vetën time të shpërndarë
    Në copëza flete
    Si vetë jetën,
    Në pjesëza fjalësh,
    Gjej kuptimin e frymimit
    Të një dite të re .
    Kalldrëm i sokakut të vjetër
    Bart peshën e hapave në kohë,
    Për shpërblim kam
    Kujtimin për ç’do portë.
    Mbi mure avllish qëndrojnë
    Ende të njejtat
    Ngjyra të trëndafilave.
    Aromë e tyre të mbush,
    Pas çdo këndi
    Buzëqeshja të përcillte
    Me shkëlqim të syve
    Të një dashurie
    Kur ende se njihnim .

    ZVETËNIM

    Ngrehinave boshe rropatem pa shpresë,
    Fanfare të zhurmëshme dalur bojet,
    Në djepat e kotësisë përkunden ëndrrat,
    Dhimbshëm ndergjegjja rrugëve troket.

    Humbur thellësive zëra të mekur,
    Nata m’kot iluzionet mbulon e mbjellë,
    Mbushur udhëkryqet me retorikë shterpe,
    E nesermja rrezen e pritur nuk sjellë.

    Në zvarritje atavike arnohen motet,
    Në zbrazëtira ekstazash fshihen gjurmët,
    Në hije fantazmash dergjet dhimbja,
    Lëngata mbërthehet skutave t’mjerimit.

    Agim Jazaj
    VAJZA PLOTË STOLI…

    *Me nallane veshur,
    Zgjon nga gjumi fshatin.
    Çupa fytyrë qeshur,
    Në thua të atin!

    Me gjymin në dorë,
    Fët i’a bën dhe hënës.
    E gjitha gatuar,
    Si me duart’e nënës!

    Në buzët e çupës,
    Kosherja e bletës.
    Ëmbëlsir’e buzës,
    Aroma e jetës!

    Dola një mëngjez,
    Të prita në krua,
    U zgjata serbes,
    Këputa një “ftua”!

    Poezitë ke hedhur,
    Vello nusërie.
    Ylber përmbi “Tartar”,
    Diell- Labërie!…

    NËPËR ËNDËRRA

    Ecëm nëpër vite,
    Nëpër tramundanë.
    Ëndërrat a i trete,
    Po lotët u thanë?

    Erës fortë i folëm.
    Ku shkuan ata zëra?
    Bisqe në shpirt mbollëm,
    A u zun të tëra?

    Shkuan kaq vjet,
    Su pam e dëgjuam.
    E kishim të lehtë,
    Vallë, kë mallkuam?

    Para iknin shokët,
    Në qëndronim mbrapa.
    Rrugët mbajtën lotët,
    Nuk i thahu as vapa.

    Kë nuk kam pyetur,
    Dhe erës i thash.
    Pëllumbat kam ndjekur,
    Letër për ty dhashë!

    Ëngjëlli më foli,
    Kur u pam në sy.
    Prap të re e solli,
    U puthëm të dy.

    Në sy gjumë s’vura,
    Edhe t’i besoj.
    Plotë vargje thura,
    Shpirti t’i këndoj!

    Nëpër rrugë të gjata,
    Ecëm nëpër hone.
    Sikur me vjen mbrapa,
    Më qepesh si kone.

    Të të puth në buzë,
    Se nuk më zë gjumi,
    Janë ndezur shpuzë.
    Nuk i shuan as lumi!

    BUZËTRNDAFIL

    Mbi kokën tënde,
    Ka folenë bilbili.
    Në buzët e tua,
    Çelur trëndafili.

    Mbi gjoksin tënd,
    Ka kosheren bleta.
    Në gjuhën mjalt,
    Mer ymbër jeta.

    Nga fryma jote,
    Jetën e shijoj.
    Në zerin e dridhur,
    Botën e shikoj.

    Në çdo tregim,
    Lëndon e vërteta.
    Ti tek shpirtit im,
    Tek shpirti yt mbeta.

    DIL…

    Dil moj dil, atje te shkalla,
    Dil të të shikoj nurin,
    Ke frikë se të sheh mëhalla,
    Dil moj, se më lujte trurin….

    *****************************************

    Nga Pierre-Pandeli Simsia
    Oh, sa shumë po vuaj!

    Tregim

    “Ne ishim një familje e shkëlqyer…” kujtoj shpesh fjalët e babait tim të dashur. “Jeta na kishte ardhur me gjithë të mirat, ashtu si ç’dokush do ta dëshironte; Zoti na gëzoi me ju, tre djemtë tanë të mrekullueshëm, si yje, azganë. Mamaja juaj dhe bashkëshortja ime njëkohësisht, ajo nënë, ajo grua e rrallë siç e quaja unë, u gëzohej juve, mirëpo, mbante një si, brengë; donte të kishte edhe një vajzë. Jemi shumë mirë grua, i thohja unë. Jemi familje e lumtur dhe, dëshira jote do të plotësohet. Vitet ikin shpejt. Djemtë do na rriten, do martohen, do na sjellin tri nuse të mira dhe ti do ndjehesh mamaja më e lumtur në botë; mama me gjashtë fëmijë. Tri nuset e djemve do jenë edhe tri vajzat tona të shtëpisë. Ajo, siç e kishte zakon kur i pëlqenin bisedat e mija, më përqafonte nga kënaqësia e asaj që dëgjonte, më puthte dhe, ashtu të përqafuar me njëri tjetrin, ne qendronin disa çaste të lumtura duke shijuar lumturinë bashkëshortore. Ti G., më thoshte babai mua, ishe tre vjeç atëhere, kur mamaja juaj u ankua nga një sëmundje e pashërueshme”. Unë, nuk e mbaj mend fare mamanë tonë, por nga fotografitë që kemi në shtëpi, nga gjithë ato ç’na fliste babai shpesh, e imagjinoja atë grua, si mamanë më të mirë në botë. “Ju ishit fare të vegjël, përsëriste shpesh babai. Ti, i drejtohej vëllait tim të madh, ishe 10 vjeç; ti, i thoshte vëllait tjetër, ishe 6 vjeç. Ndërsa ti, kolopuçi i babuçit, më drejtohej mua, ishe 4 vjeç e 5 muaj.
    Babai, e ndërpriste bisedën; një ofshamë dhimbje i dilte nga thellësia e shpirtit. Me sy të përlotur dhe me zërin që i dridhej, mundohej ta përmbante veten përpara nesh dhe, pas një heshtje, vazhdonte: Ja, në atë moshën tuaj fëminore, iku njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë bashkëshortja ime, mamaja juaj e pazëvendësueshme. Ooooohhh! – përsëri psherëtima nuk e linte të vazhdonte.
    Ne e shikonim dhimbshëm në sy. Trupi na dridhej, zemra na rrihte fort. Ndjenim një gulç në fyt që na dukej se na pengonte frymëmarrjen. Unë, nuk mbaja mend dhe nuk dija se ç’është ledhatim përkëdheli nëne. Kisha dëgjuar nga moshatarët e mi që i zinte gjumi nga dora e ngrohtë e nënës mbi trupin e tyre duke i ledhatuar. E ëndëroja edhe unë një dorë të ngrohtë mamaje që të ndjeja dorën e ngrohtë, ledhatimet, përkëdhelitë e saja. Vëllai i madh, mes dhimbjes së asaj që dëgjonim, si për t’ia lehtësuar dhimbjen, ia merrte dorën babait, ia shtrëngonte mes duarve të tij. Vëllai i mesëm, mbante kokën ulur dhe qante në heshtje, ndërsa unë, e përqafoja, e puthja dhe nuk doja të largohesha nga ai trup, nga ajo fytyrë e përlotur.
    “Nuk u martova, bijtë e mi edhe pse isha i ri në moshë. Ju kisha juve, tre yjet, për të rritur dhe edukuar tre djemtë, jetgjatët e mi. Jeta mizore, fati im i pamëshirshëm, më dënoi dhe më detyroi të isha burrë edhe grua në këtë shtëpi; mama dhe baba njëkohësisht, që ju të rriteshit dhe të mos ju mungonte asgjë edhe pse ju mungoi gjëja më e shtrenjtë, më e ëmbël në jetë, dashuria e mamasë”.

    * * *
    Në moshën tonë të adoleshencës, ne, tre vëllezërit, filluam të bënim ushtrime gjimnastikore në palestër. Trupat tanë muskuloz dalloheshin nga trupat e moshatarëve tanë. Nuk kishim mundësi financiare; një shoku i vëllait tonë të madh na ndihmoi të shkonim në palestrën pronë e biznesit të tij.
    Babai na shikonte me kërshëri. I qeshte fytyra. Ne e kuptonim atë, bashkë me fytyrën, atij i qeshte edhe shpirti. I kishim ngjarë babait, trupa me shtat mesatarë. Edhe ai në rininë e tij, thoshte, se ishte marrë me sport. Ishte e papritur, por edhe dëshpëruese për të tre neve, kur nji ditë, vëllai i madh na tha, se nuk do shkonim më në palestër. As ai vetë nuk e kuptoi pse shokui tij na e ndërpreu stërvitjen në palestër.
    Ishim që të tre të papunë. Pensioni i vogël që merrte babai ishte qesharak për vetë shtrenjtësinë e jetës së përditshme. Vëllait të madh prej kohësh i kishte lindur një ide dhe, një ditë vendosi ta bisedojë edhe me ne dy vëllezërit e tjerë; ose të largoheshim nga atdheu në një shtet tjetër për një jetë më të mirë, ose të rrinim në atdhe, të merremi me kultivimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Atë vendim të tijin, na porositi ta mbanim sekret, pa i treguar askujt, veçanërisht, babait. Unë e mora me shumë naivitet propozimin e vëllait të madh. E imagjinoja veten, ashtu siç na kishte folur vëllai, në një shtëpi, vilë të madhe tre katëshe të mobiluar bukur si shumë shtëpi vila të tjera që kohët e fundit kishin marrë shpejtësi përhapjeje. Në imagjinatën time, përpara syve, m’u shfaqën duart me një shumë të madhe parash. Gëzimi dhe kënaqësia që po ndjeja në ato çaste kishin kapur gjithë qënien time trupore. Nuk po mund të duroja, isha gati ta fillonim atë aventurë sa më parë. Vëllai i mesëm nuk foli, rrinte i menduar. Pas një heshjeje, e refuzoi propozimin e vëllait. Vëllai i madh e qortoi, madje për t’ia mbushur mendjen, i tha, se ti duhet të jesh mbështetja ime kryesore duke parë edhe gjendjen e vështirë ekonomike të familjes.
    Pas pak ditësh, çdo gjë midis ne tre vëllezërve u vendos. Dy vëllezërit e mi më të mëdhenj do largoheshin nga atdheu, ndërsa unë, si më i vogli, do kujdesesha për babain si edhe për anën financiare që do më dërgonin ata. Vëllai i madh e mori guximin për ta biseduar me babain vendimin tonë. Babai e hodhi menjëherë poshtë atë çfarë i tha vëllai: “J’u kam dritën e syve të mi, bij – fliste babi me ton lutës. – J’u dua këtu pranë, në shtëpi, në tokën, në atdheun tonë. Unë tani nga ju pres ditën e shumëpritur, martesën tuaj, gëzimin, për të na ndritur shtëpinë, për të më ngrohur shpirtin tim të përvëluar, bijt e mi.
    Fjalët lutëse të babait nuk na kthyen në vendimin tonë që kishim marrë.

    * * *

    Ikjen e dy vëllezërve jashtë shtetit, babai e përjetoi shumë dhimbshëm. “M’u boshatis shtëpia! Nuk më vjen të hyj në shtëpi, më duket e shkretë…” fliste shpesh babai me mua. Unë e shikoja, e dëgjoja, më dhimbsej shumë, por, menjëherë mendoja shumën e madhe të parave që do na dërgonin vëllezërit, ndërtimin e shtëpisë vilë tre katëshe…Gjatë gjithë jetës sime nuk e kisha parë asnjëherë kaq të vrarë shpirtërisht babain edhe atëhere, kur ne të katër rrinim ulur në dhomën e ndenjies dhe babai na fliste për vuajtjet e jetës së tij, veçanërisht, kur kujtonte dhimbshëm humbjen e mamasë sonë, bashkëshortes së tij.
    Unë, nuk kisha forcë t’ia qetësoja atë dhimbje të thellë shpirtërore që e kishte kapluar gjithë trupin dhe qenien e tij. Një ditë, një burrë i panjohur për ne, trokiti në derën e shtëpisë sonë. Për fatin e mirë, babai nuk ndodhej në shtëpi. Burri më dorëzoi një çantë të zezë brenda së cilës ishte një si pako e mbështjellë mirë me letër ngjitëse. Çanta vinte në emrin e dy vëllezërve të mi. Sipas porosisë së vëllezërve që më kishin shkruar një copë letër, e hapa pakon. Ç’të shikoja! Një shumë e madhe parash! Po fluturoja nga gëzimi. Po ndjehesha djali më fatlum në jetën time. Ëndra jonë po bëhej realitet. Që nga ai çast, po më dukej se varfërinë e kishim shkelmuar njëherë e përgjithmonë. Kur babai erdhi në shtëpi dhe mësoi për pakon që na kishte ardhur nga vëllezërit, ndryshe nga ç’e mendoja unë, ai u zbeh në fytyrë. I hodhi një shikim përbuzës pakos që unë mbaja në dorë përpara tij dhe më tha: na mjafton pensioni im që marr. Unë, nuk u kushtova shumë rëndësi atyre fjalëve të babait, vazhdoja të isha i dehur nga gëzimi dhe kënaqësia. Nuk kisha patur asnjëherë rast në jetën time të mbaja në duart e mija një shumë të madhe parash. Unë, jo vetëm që po i mbaja në duart e mija, por edhe i kisha në shtëpi, ishin pasuria jonë. Gjatë ditëve në vazhdim, babai nuk më pyeti kurrë për paratë. E shikoja çdo ditë të menduar dhe të vrarë shpirtërisht. Jeta ime kishte filluar të ndryshonte, jo vetëm në veshjen e rrobave të trupit, por unë po bëhesha i preferuar edhe i pijeve të shtrenjta alkoolike. Disa herë kisha shkuar i dehur në shtëpi.
    Babai ishte dobësuar shumë. E shikoja dhimbshëm shëndetin e tij.
    Nuk e kisha menduar kurrë, madje, as më kishte shkuar ndonjëherë në mendjen time, ta shihja babin të qante si fëmijë kur merte përpara duarve fotografitë e vëllezërve të mi. E kishte marrë shumë malli për ta.
    Një natë, u çova nga krevati për të shkuar në banjë. Në koridor, në errësirë, poshtë derës së dhomës ku flinte babai, pashë një fashë të hollë drite. Nuk doja ta shqetësoja, të trokisja në derë edhe pse meraku për shëndetin e tij nuk po më linte të qetë. Përkula kokën në vrimën e çelësit të derës. Ç’të shihja! Nuk doja t’u besoja syve të mi. Gjunjët, i gjithë trupi filloi të më dridhej si purtekë. Babai ishte ende zgjuar; ishte ulur në mes të dhomës. Përpara kishte hapur disa fotografi të mamasë sonë dhe të vëllezërve të mi. Ia pash syt e përlotur që herëpashere i fshinte me pëllëmbët e duarve. Fytyra i kishte marrë ngjyrë të trëndafiltë. Mbytyrazi, ia dëgjova zërin. Po fliste, po bisedonte me fotografitë si të ishin qënie të gjalla. Nuk po duroja dot më. Nuk doja të bëja zhurmë t’ia tërhiqja vëmendjen babait. U ktheva. Me hapa të ngadaltë, me hapa të rënduara nga pesha e madhe e dhimbjes, shkova drejt shtratit tim të fjetjes. Mbulova kokën me çarçaf. Nuk po mundesha t’i përmbaja lotët; po qaja me ngashërim. Në veshë më trokiste zëri i mbytyr i babait tek fliste me fotografitë. Doja të çohesha prap nga shtrati, t’i trokisja në derë, të rija pranë tij, ta puthja ta përqafoja, ti thoshja se je babai më i mirë në botë. Por nuk e bëra. Nuk po mundesha dot. Nuk po e përmbaja dhimbjen e madhe që më kishte kapuar shpirtin. Nuk doja të mendonte babai, se unë e përgjoja.
    Që nga ajo natë, e vendosa, nuk do largohem kurrë nga babai, nga shtëpia, nga atdheu.
    Një lajm i keq, i rëndë si bombë, tronditi shtëpinë tonë. Nuk donim ta besonim, por ishte fakt: Në shtetin e huaj, dy vëllezërit e mi, ishin arrestuar nga policia e atij shteti ku jetonin prej disa muajve, si përdorues dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Lajmi i zi u përhap rrufeshëm në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike. Disa media, shpejtuan në njoftimet e tyre, duke shtuar edhe akuzën e trafikimit dhe shfrytëzimit të vajzave të reja. Pamjet filmike dhe fotografike të arrestimit të vëllezërve të mi në shtetin e huaj, e rënduan shumë gjendjen shpirtërore të babait dhe timen bashkë. Më vonë, mësuam edhe për dënimin e vëllezërve. Vitet e gjata të burgut do t’i kalonin në shtetin ku edhe u arrestuan. Njerëzit tanë, miqtë, të afërmit, pothuajse ishin larguar, nuk na vinin më në shtëpi. Po ndjeheshim të vetmuar, të përbuzur. “Përse m’i shpërblyet kështu vuajtjet dhe sakrificat e jetës sime në rritjen dhe edukimin tuaj, bijt e mi! Përse! Përse!” fliste shpesh babai nëpër shtëpi. Daljet jashtë shtëpisë, babai, pothuajse i rralloi fare.
    “Nuk e kuptoj, përse duhet vazhdoj të jetoj akoma…” përsëriste shpesh me veten e tij këto shprehje.

    Po kthehesha në shtëpi. Një shok më thotë, babai yt ndodhet në spital. M’u duk se qielli më ra mbi kokë; bota e tërë m’u shpërfytyrua. Me të shpejtë, shkova në spital. Sytë m’u errësuan kur hyra në dhomën ku rinte shtrirë mbi një krevat babai. Nuk po u besoja se, ai që po shihja përpara, shtrirë në krevat, ishte babai im. Fytyra i kishte marrë ngjyrën e dyllit. Buza i kishte shkuar shtrembër nga ana e majtë. Syt i mbante gjysëm të hapur, më tepër dukej si i përgjumur. Dy punonjëse të spitalit me bluze të bardhë, seç po i bënin në krahun e majtë me shiringa dhe tuba llastiku. Mbi kokën e krevatit i varej shishja me serum. M’u errësuan syt. Nuk durova dot: Babiiii! Bërtita fort dhe iu hodha sipër trupit tij. Babushi im. Jam unë, djali yt, kolopuçi yt, siç më thërrisje ti kur isha i vogël. Hapi syt babi; më shiko. Dua të të shikoj syt, ato syt e tu të bukur, baba. Ai u mundua t’i hapte pak sytë. Mua m’u duk sikur më pa në sy, sikur pamë njëri tjetrin në sy. Lëvizi kokën majtas djathtas si për të më thënë diçka. Unë e kuptova ç’donte të më thoshte në ato çaste; ishte e njëjta lëvizje e kokës kur babai fliste shpesh me veten e tij dhe me mua: “Përse m’i shpërblyet kështu vuajtjet dhe sakrificat e jetës sime në rritjen dhe edukimin tuaj, bijt e mi! Përse! Përse! Nuk e meritoja unë, babai juaj, këtë shpërblim nga ju!”. Dy punonjëset e spitalit më thanë, se duhet të dilja jashtë. Iu binda. Duke ecur me ngadale, me kokën e kthyer prapa duke vështruar babanë, dola jashtë dhomës. Në koridor, drejt meje po vinte një mjek. E dallova që ishte mjek nga stetoskopi që mbante varur në qafë. E pyeta për shëndetin e babait. Ai ma spjegoi me të shpejtë sëmundjen e pashërueshme të tij; goditje cerebrale. Nuk ia kuptova mirë fjalën e fundit se ku ishte goditja cerebrale, në tru, apo në zemër edhe pse kisha dëgjuar që goditjet cerebrare janë në tru. Por, më duket, se dëgjova nga mjeku edhe fjalën atak në zemër. Nuk dija ku të shkoja. Nuk dija me cilin njeri të afërm të bisedoja. Po ndjehesha më i vetmuar se asnjëherë në jetën time. Pa vetëdije, me gjunjët që po më dridheshin, këmbët më çuan jashtë spitalit. Buzët më mërmërisnin vetëm fjalën e shenjtë, baba. Përpara syve më qendronte pamja e babait që e kisha parë shtrirë në shtratin e spitalit.
    Pas disa ditëve, ndodhi ajo që unë nuk e dëshiroja kurrë ta besoja. Ndërsa isha nisur për në spital të vizitoja babain, në hyrje të derës së spitalit, mjekët më dhanë lajmin e dhimbshëm. Babai im kishte ndëruar jetë…Babain e përcollëm në banesën e fundit. Nuk kisha parë ndonjëherë në jetën time, kur njeriun e dashur, pjesëtar i familjes, por, që tashmë i pajetë i mbyllur brenda arkës mortore, e fusnin poshtë një grope të madhe, të thellë, të hapur në dhe’ me emrin e frikshëm, varr. Babai që nga ai çast, do rrinte përgjithmonë brenda atij varrit…
    Unë po ndjehem i vetmuar, krejt njeri i vetmuar. Të gjithë miqtë, shokët, njerëzit më janë larguar. Edhe paratë që na dërguan vëllezërit po më mbarohen. Oh, sa shumë që po vuaj!

    Xhemile Adili

    NJË KAFE ME UJË QEPALLASH

    Në orët e vona të natës,
    Të gjithëve u them “natën e mirë”,
    Dhe teksa vishem me rroba gjumi,
    Një zë i mekur dëgjohet
    Aty në dhomë
    Dhe thotë:
    A do të më lësh vetëm sonte,
    Unë që jam mikja jote,
    Më e mirë prej kaq vitesh.

    Ishte vuajtja, mikja ime,
    Që vetëm ajo më njeh
    Shpirtin kurrë nuk ma akuzon
    Sa herë nuk më merr gjumi,
    Vjen e rri me mua
    E sa herë i del gjumi
    Vjen e më ulet
    Mbi kokë, te divanit e më zgjon
    Flasim për të tashmen,
    Për të shkuarën,
    Kujtojmë ato që s’janë.

    Shpeshherë agimi na gjen zgjuar
    Shpeshherë kur unë jam në gjumë,
    Ajo zgjohet para meje e më thotë “mirëmëngjesi”.
    Ditën e nisim bashkë
    Dhe kafen e mëngjesit e pimë bashkë,
    Të hidhur, pa hiç sheqer,
    Të zier me ujin që na bie nga qepallat.

    NGJAJ ME FIJE BARI

    Hedh hapat mbi barin e njomë,
    Sa lehtë që ec,
    Për të mos lënë gjurmë,
    Duke mos dashur,
    Që asnjë fije të vetme bari ta lëndoj.

    Ka gjysmë shekulli që ngjaj me fije bari
    Dhe nuk e paskam ditur.

    Të dy kemi lindur nga shpirti,
    Të dy vdesim nga këmbët e njerëzve,
    Ndërsa as stuhitë e mëdha
    Rrënjësh s’na nxjerrin nga toka jonë.

    Të dy kemi dëshirë të jetojmë mes lulesh,
    Të na përkëdhel erë e lehtë maji,
    Pak ditë para ditëve të qershive,
    Kur durojmë të ka shkelin fëmijët,
    Me qershi në dorë.

    Unë dhe bari
    Kemi dëshirë veçmas
    Të na shkelin muzat,
    Që gjysmë shekulli më papë
    I kemi lënë mënjanë.

    Po, ç’më duhen mua muzat,
    Kur me një fije bari,
    Arrij atje lart në Olimp
    Dhe bëj legjendën e Olimpit shqiptar.

    Unë dhe bari jemi një,
    Porse unë zbres nga Olimpi,
    Kurse bari udhëton drejt majës së tij,
    Ai më lëmon flokët me bojë,
    Unë rrënjët me dhe ia mbuloj.

    Unë dhe bari ka gjysmë shekulli që ngjajmë,
    Por kurrë s’ia mësova magjinë e bukurisë,
    As kur si flutura u ula mbi blerimin e butë,
    Për t’i dhuruar këngët e mia të dashurisë.

    Donika Hamitaj

    SFIDAT PËRBALL JETËS
    —————————————
    Vlerësimin ta bëra pa komplekse jetë!
    Kur në lëndinat e blerta lirshëm vrapoja…
    Por edhe atëherë kur strukesha ndër net,
    Teksa shihja silueta të frikshme mbi rrënoja!…
    Të përqafoja çiltër në çdo buzëqeshje,
    me naivitet e brishtësi porsi fëmija!
    Pa llogaritur mundësinë e një përleshje
    dhe pozicionin nga i cili mund të bija…!
    Pa marr me vete torbë a trastë,
    kryqëzoja duart drejtë t’ tuve sy,
    Nuk e kuptoja ç’ishte të hidhje bast…
    as si mund t’ ndahej e luhej një lojë në dy!…
    E shtangur nga sa pash u hutova,
    kur u gjenda brenda skenës improvizuar!
    Së fundi mbeta jashtë se nuk pranova,
    duartrokitjet dhe lulet që cikshin mijëra duar…!
    Nuk gjej dot fjalë, s’di se çfarë të them jetë…
    më fute në shtigje u përballa me brigje,
    por asnjëherë me fytyrën tënde të vërtet…!
    Mos do t’më fshehësh në Xhungël mes tjerash ligje !?…

    BABAIT
    ————-
    Portretin tënd mora në duar,
    Por sytë gozhduar papritur mbetën!
    Dhe rrodhën lotët, vet, pa kuptuar…
    Vallë, brenda xhamit; dhimbjet u tretën!?
    Kurorë vuajtjet, unë do ti thurë!
    Ëndrrën e pa sosur, rrotull stolisur!
    Do ti bëj thinjat, dritë në abazhur!
    Dhe mundin tënd, mbi të qëndisur!
    Kurrë, baba s’të kam harruar.
    Gjaku yt, ruhet pastër ndër vena,
    Aty ku struket zemra e drithëruar!
    Je brenda Shpirtit, jo lartë tek skena!…

    PRINCESHA ODI
    (si mbas variantit të një përralle)
    ——————————————–
    Nga ballkoni teksa vështroja…
    Sytë fushuan tek një përrallë!
    Kopsita vitet që ti shfletoja,
    Mu ç’faq një princeshë e gjallë!…

    Unë e dija që kishte vdekur,
    Nëpër ëndrra, kohë më parë…
    Çudi…si nuk ishte tretur…!
    Pash dhe thikën që e kish vrarë!

    Asnjëherë s’ kish qen e lumtur,
    Ndonëse ishte një princeshë…!
    Në fron me yjet qe më e bukur,
    Po zbriti poshtë, fronin se desh!

    Tek po sodiste oqeanin…
    Aty shkau, i rrëshqiti këmba…
    Kaloj era ja rrëmbeu fustanin,
    Pastaj e zhyti në thellësi brënda.

    Në sirenë ç’u kthye vasha,
    Bashkë me t’ tjerat po këndonte,
    Por në bisht se mbajti masha!…
    Prapë tek bregu dilte t’ vështronte…

    Sheh një varkë që po mbytej,
    Bukuroshja, shkoj ta shpëtonte…
    Por kuptoj që vet po zhytej…
    Trupi saj, drejt fundit shkonte!

    Ndjehu dhimbje tek kraharori,
    U ndez prej gjakut gjithë oqeani!
    Një thikë brenda në zemër mori
    Si shpërblim dhënë nga vatani!…

    LOTËT NË DITAR
    —————————–
    Unë s’kam vjedhur ndonjëherë…
    Por sot zemrën e tradhtova,
    si hajdute hapa atë derë,
    hyra brenda dhe kërkova.

    Mbështjellë në cep të odës,
    rrinte mbyllur një ditar!
    Brenda disa pika lotësh,
    nëpër fletët ishin tharë…

    Desha unë ti shkundja lotët,
    ti shkërmoqja ashtu të thar.
    por të tjera ranë mbi fletët…
    lagën shkronjat si më par…

    AGIM BAJRAMI
    Impresione Struge

    Kur jam këtu, më çel fytyra
    Ndaj vij e shkoj, e vij sërish
    Se s’janë veç ujërat si pasqyra
    Por një banket prej mrekullish.

    Nuk janë veç peshqit me miliarda
    Kur pas më vijnë me ledhatime
    Është vallja e valëve të kaltra
    Që i gëzohen ardhjes sime.

    Kjo tufë prej rosash varkëtare
    Që grisin heshtjen me “kuak”
    Narcistët unë s’i dua fare
    Por këtu, kam qejf të bëhem pak.

    Kur jam këtu, më zbutet zemra
    Prej uji vetveten bëj me duar
    Në rrugë nuk dal të shikoj femra
    Por blirë me sy të dashuruar.

    Dhe mbrapa tyre në çdo cep
    Do ndesh ca vajza si Demetër
    Im bir që kurrë shpjegime s’jep
    Me një të tillë puthet patjetër.

    Mes gjolit bredh gjer natën vonë
    Mbi një varkë ëndrrash
    i shtyj netët
    Këtu trupi, gjumin s’e pranon
    Ndalohet gjumi për poetët.

    Kur jam këtu, mbetem pa fjalë
    Me mendje vij, pa mendje shkoj
    Ky breg, këto yje, këto valë
    Jam rob me fat, nuk e mohoj.

    Fillim tetori në plazh

    Mbi ëndrra shiu shkoi kjo verë
    S’ka më shezlong e smog pa ngjyrë
    Në rrugë si vajzë, lëviz një erë
    Dhe deti merr tjetër fytyrë.

    U tret rrëmuja, mijëra zëra
    Prej tallavash, e fryme të pistë
    Përveç një jevge, aty tek rëra
    Që bën “pazar” me një turist.

    Në breg tashmë zbardhojnë guackat
    Mbi njëra – tjetrën bërë vandak
    Si një varrezë kohërash të lashta
    Ku gjurmë kufomash, s’gjen aspak.

    Tek shkel çdo natë mbi to
    menduar
    Më e lehtë më ngjan një mushkëri
    Kjo verë sivjet më ka tmerruar
    Me zheg e djersë gjer në bezdi.

    S’arrita dot t’i puthja valët
    S’provova dot, as plazh, as qejf
    Veç një e dy mallkoja vapën
    Dhe bëja me vetveten self.

    S’më josh dot më ky plazh i mardhur
    Larg tij shpeshherë, marr arratinë
    Në majë të hundës më kanë ardhur
    Kjo turmë prej shalësh që gromësin.

    Diçka më ndryshe do kish qenë
    (Këtë e them me siguri)
    Sikur mes turmës, ndonjëherë
    Të ish dikush, që të ngjan ty.

    Atëherë dhe unë mund të ndërroja
    Se ç’s’bën njeriu i përmalluar
    Pranë saj, patjetër do vrapoja
    Do hapja udhë me këmbë e duar.

    S’ka gjë se turma do më shtypte
    Me këmbë gjithë rërë e qesëndi
    Për dashurinë unë flijoj vitet
    Jo më ca ditë, në plazhin gri.

    Por askërkënd si ti s’dallova
    Nuk pashë asnjë të të
    ngjasojë
    Jo më nga flokët dhe nga boja
    Por fatkeqësisht, as dhe nga thoi.

    Mbi ëndrra shiu, u tret kjo verë
    (Më mirë do ish , të mos kish ardhur)
    Në breg guackat
    bëjnë poterë
    Dhe diçka thonë me zë të zbardhur.

    Në Përmet në mbrëmje

    Naimi s’është, Abdyli flë
    Nuk ndrin as mjekra e Samiut
    Veç era reciton pa zë
    Një strofë nga flaka e qiriut.

    Tek zbres i vetëm në stacion
    Diçka më prek mbas qafe
    Është valë e Vjosës që më fton
    Të pij me të, një kafe.

    Qyteti del nga shtrati i mbrëmjes
    Me ngazëllim fëmije
    Më deh me flladin e Nemërçkës
    Dhe me gliko qershije.

    Dhe unë i dehur nuk mbaj mend
    Në shtrat se kush më shpuri
    Por di të them, se në atë vend
    Erëmonte edhe guri.

    Ca trëndafilë thyejnë saksitë
    Me dyzet lloje ngjyre
    Në do të dish ç’janë dashuritë
    Puthu me një prej tyre.

    Unë s’ta kam thënë
    Se ti do qeshësh me mua
    për çdo natë
    Mbas puthjes sonë
    Disa petale
    I mbaj nën buzë për fat.

    Dhe bashkë me to fus krahërorit
    Si dekorata nderi
    Një varg prej Lumos dhe Ligorit
    Dhe një kaba Laveri.

    Naimi s’është, Abdyli fle
    Nuk duket as Samiu
    Veç era fërshëllen me nge
    Një këngë me flakë qiriu.

    Nga Çelik Petriti
    Ç’do të thosha për Shuteriqin?!

    Nëse në konferencën përkujtimore të Shuteriqit në 100-vjetorin e lindjes së tij, pas kumtesave të gjata e të shkurtra shkencore profilizuese, mikrofoni do të zbriste nga podiumi edhe në sallë, për Shuteriqin do të thosha shkurtas:
    Diku, aty nga fillimi i Viteve ’70, kur, herë ballas, herë skutash, në krijimtari (veçmas në poezi) gëlonte një Luftë Brezash, ndezur e fryrë nga Lart e nga Poshtë duke anashkaluar e mospërfillur vetëm mendimin e mirfilltë intelektual të “Mesit të Artë” (gjë që është ricikluar përafërsisht në çdo dhjetë vjet), Shuteriqi botonte në gazetën qendrore të Partisë një cikël poetik të gjatë që rrokte dy gjysma faqesh, prej të cilit më pat mbetur në mendje dhe e kam përdorur disa herë nëpër debate të shkruara, apo të folura, për mesazhin që lexoj në të, kjo më e shkurtra:
    Disa i rrok malli i poezisë në pleqëri,
    Disa i le qysh në rini.
    Kush është më i plakur, unë, apo ti?!
    Me siguri që ti.
    Tashmë që kanë kaluar mjaft vite (dhe sa më shumë që të kalojnë), gjithkush që është afër Letërsisë e ka të qartë se ai poet ishte aq sa ishte; romancier gjithashtu; ndërsa si studiues shumëdimensional në fushë të Letrave Shqipe dhe si tregimtar (në shumë proza në një farë mase praktikum i gjallë i pasurisë leksikore të gjuhës sonë) kemi mësuar të gjithë.

    Petrit Malushi
    Tregim
    Inspektoria . E fundit javë, e muajit të parë të vitit mësimor, ishte në ditën e katërt. Ora e tretë. Me regjistër e ditar në duar hyra në klasë. Përshëndeta dhe hapova për te katedra. Pa arritur ta mënjanoj karriken, për të vendosur mbi syprinë ç’kisha në duar dhe, pa u shuar fëshfëritjet e uljes së nxënësve, ndjeva se u hap dera. “Ju kemi planifikuar për të vëzhguar një orë mësimi “,- topiti pyetjen time të pashprehur ende , fjalia e dalë prej buzëve të një zonje me trup mesatar. “Vij nga drejtoria arsimore”. “Jeni e mirëpritur. Urdhëroni , uluni te karrikja se, zakonisht e zhvilloj mësimin në lëvizje”. E sapoardhura me hapa të shkurtër u drejtua për nga fundi I klasës. U ndal te rreshti I mesit,
    u bëri shenjë me dorë dy nxënëve që të shtyheshin më pranë njëri-tjetrit dhe, u ul. Fytyra e rrumbullakët , balli I sheshtë, sytë kaf nën qerpikët e tonifikuar, mollëzat e faqeve më tepër të verdha se të kuqe , të ndara nga një hudë hollake, pakëz e ngritu në majë, midis flokëve të prerë shkurt, të çngjyrosur si kashta e grurit nga dielli I korrikut, përhumbeshin prapa shpinës së nxënësve. Shënova datën në faqen e majtë të regjistrit, bëra të njëjtin veprim edhe në faqen e djathtë, hodha temën e mësimit, përfundova apelin dhe ia çova fletoren e ditarit vëzhgueses. Ajo kishte filluar nga mbajtja e shënimeve dhe as e ngriti kokën. . Shkolla ishte me drejtim muzikor nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën dhe, tregimi bënte fjalë për përpjekjet dhe arritjet e një muzikanti të verbër në moshën fëmirore. “Ju përherë shquheni për
    përgatitje në orët e mësimit, por sot duhet të ligjëroni si ato veglat tuaja muzikore nëpër koncerte”, -fola për ta familjarizuar situatën dhe, për t’I çliruar nxënësit nga emocionet, prej pranisë së inspektores. U rikujtova temën e re të mësimit të ditës, pasi më gjatë kishin marrë porosi në orën e mëparshme. Pas leximit të organizuar të pjesës, aktivizova tre prej tyre për të përshkruar emocionet e përjetuara gjatë leximit në shtëpi dhe në klasë. Pyetjes sime se, cili do të dëshironte të ngrihej në mësim, iu përgjigjën thuajse të gjithë me duart e ngritura si lule shumëngjyrëshe. Përzgjodha dy prej tyre, pasi kishim dy tablela të zeza, njëri të shtjellonte temën, idetë dhe motivet, tjetra të analizonte situatat, ligjërimet dhe veprimet e personazheve. Tre të tjerë do të punonin në fletoret e klasës për të përcaktuar vendin, kohën, fjalët kyçe dhe fjalët e reja, ndërkohë që mblodha pesë fletore detyrash shtëpie për qortim dhe, pjesën tjetër e udhëzova të përqëndroheshim te figurat letrare dhe pyetjet e aparatit pedagogjik. . Përgjigjet e dy të ngriturve në tabelë nuk lanë vend për ndonjë plotësim nga të tjerët. Sipas renditjes së emrave në regjistër, lexuan e folën edhe nxënësit që punuan në tavolinat e tyre. Fakti që në shkollën tonë kishim dy nxënës të verbër, një vajzë në klasën e nëntë dhe tjetri , djalë, në klasën e njëmbëdhjetë , por që shkëlqenin në interpretime , e bënin më të lehtë analizën dhe konktrezimin e pjesës së leximit. “Autori duhet të ketë qenë nxënës në ndonjë shkollë si kjo jona, – u shpreh një nxënëse që ishte fituese e koncerteve me violinë në nivel qyteti ,- sepse, po të zëvendësosh emrat e personazheve me të nxënësve tanë duket se ngjarja zhvillohet këtu”. Për të qenë e gjithë klasa aktive, sipas katër rubrikave, për të dymbëdhjetë pyetjet, u përgjigjën po aq nxënës, duke plotësuar njëri – tjetrin, kur ishte e nevojshme. Komunikova vlerësimet , tre dhjeta dhe dy nënta, ndërkohë që të tjerët I motivova me fjalë për aktivizimet. I njoha dhe orientova për temën pasardhëse. Tre minutat e fundit I mbushëm me shprehje mendimesh dhe diskutime rreth realizimit të orës së mësimit. Secili nxënës, çiltërsisht artikulonte fjalë, si për të bindur klasën se, u ishte dhënë rasti të shprehnin diçka nga jeta e tyre reale. “Ta mbajë mend kjo pjesë leximi si e kemi copëzuar e zbërthyer ”, – tha me shaka një djalë I ulur në bangën e dytë te rreshti I mesit. Tingujt e zgjatur të ziles elektrike na kujtuan se ora e mësimit, edhe pse ne kishim dëshirë të ligjëronim akoma, kishte përfunduar. Vetëm atëhere, inspektoria që gjatë gjithë kohës kishte ngritur kokën tre-katër here dhe e kishte ulur sërish mbi bllok, pa nxjerrë asnjë fjalë, mbylli dosjen e u drejtua për nga dera. “Një orë mësimi tradicionale pa ritëm. Ju duhet shumë punë për të arritur te modernja”, – lëshoi dy fjali të thata, duke më zgjatur ditarin që e kishte në dorën e majtë. “Më vjen keq. Më të detajuara vërejtjet do t’I lë në drejtori !”
    Kush më qëlloi ? Pse po më djeg faqja ?
    Mu duk sikur një krah I shtrirë më goditi fort me pëllëmbë. Preka faqen e djathtë me dorë , por jo, ishte vetëm instikti ndaj asaj që dëgjova. Ndërkohë inspektoria kishte dalë në koridor e po çapitej si një hije. Zilja e telefonit nuk po pushonte. “Po, hë mor koleg, hape të shkretën “, – dëgjova nga ana tjetër zërin e mësuses së Edukatës qytetare. “E unë mburrem se, ti je ndër më të mirët shokë që mbaj në kartën e memores”,- shtoi me shaka, pa më lënë mundësi të shpjegohesha se aparatin e kisha lënë në dhomë, ndërkohë që për atë moment ndodhesha në kuzhinë. “Ja, më në fund më ke në linjë. Urdhëroni, me se mund t’ju shërbej?” “Me shëndet je mirë se u pamë paradite në shkollë. Që mos të të lodh me hyrje të gjata, të
    kam përzgjedhur për të më bërë një nder…” “Nder prej meje ?! Po unë shkumsa mbaj në dorë “,- e ndërpreva. “S’gjete ndonjë shaka tjetër …” “Jo,jo s’të mora për shaka. Më dëgjo pak me vëmendje, por të lutem mos më zhgënje para dikujt tjetër”. U përqendrova pa hamendësuar asgjë. “Një shoqja ime e ngushtë që nga fakulteti, ka djalin maturant, jo te shkolla jonë. Nuk ndihet mirë në letërsi, a më troç është dobët. Do të bëjë disa seanca intensive në këtë lëndë, këto dy muaj, deri para provimit”. U stepa. Në duar kisha një studim mbi veprën në prozë të një autori rreth huazimeve të përdorura nga personazhet. Kohën pas mësimit e kisha të mbushur. “Të më falësh dhe të më kuptosh. Këto kohë jam I angazhuar me diçka tjetër, dhe ti e di që s’bëj kurse. Shoqes së ngushtë zgjidhja problemin me ndonjë mësues tjetër….” “Dy mësues I ka
    ndërruar deri tani e, djali sërish nën nivelin mesatar. Koha po vrapon e provimi po vjen. Ajo e shkreta bashkë me të shoqin janë bërë me dhimbje koke. Të lutem , se si, se kur , gjeje vetë… Që nesër do të ta dërgoj. Por aman mos e kthe !” Eh, thashë me vete se, telefoni në anën tjetër ishte mbyllur. Sistemova materialet për të krijuar hapësirën e nevojshme për konsultim. . “E, profesor kemi urim. Eja se kemi kohë sa për një kafe. Javët mësimore u mbyllën dhe tani punojmë më qetë në shkollë”,- më tha ,pa më lënë të kapërceja portën e shkollës, atë mëngjes , mësuesja e Edukatës qytetare. Fytyrën e kishte më të qeshur se herët e tjera dhe gëzimin në nivelin sipëror. “Mua më ke nderuar më shumë se veten”. Ende
    nuk po rrokja dot me mend se, cili ishe thelbi I kësaj situate dhei lumturimit të koleges. U mata dy-tri herë ta kapja fillin, por bashkëbiseduesja nuk më krijojë asnjë hapësirë. Fliste vetëm ajo. U ulëm te lokali përballë shkollës dhe, sapo kamerieri u largua për t’I dhënë porosinë tonë banakierit ajo u zbraz : “Janë publikuar pikët e maturës për letërsinë dhe “maturanti ynë” ka arritur te nota nëntë. Hajde profesor, hajde ! Për ty mbase s’është ndonjë gjë shumë e veçantë, por mua më ke ngritur atje lart ndaj shoqes së ngushtë”. Vala e gëzimit po kalonte edhe mbi mua, por jo sa te ligjëruesja. “Të gjithë u përpoqëm të arrinim diçka. Gjithsesi merita është e djalit”,- u shpreha I qetë. “Mirë, more mirë djali. Ama mos ta kishim sjellë tek ti … ëhë ! Para teje ai I kishte ndërruar dy profesorë të tjerë. Por dëgjo, rrugës më telefonoi e ëma dhe po vjen vet
    këtu për të të falenderuar”. . Ende s’arrita të mbaroj fjalinë se, kjo s’ishte e nevojshme pasi, fjalë më komplimetuese se ç’po thoshte ajo nuk mund të shprehte askush tjetër, kur pashë një dorë të shtrirë dhe dëgjova një “Mirëmëngjes ! Si jeni ?“ të vakët. Ngrita kokën. Nga fytyra që m’u shfaq , edhe pse kafen e pija me dy tableta sheqer, atë çast m’u duk shqeto. Bosh ishin dy karrike. E ardhura fillimisht u troshit tek ajo pranë meje e, më pas kaloi te tjetra afër shoqes. “Më falni !”,- tha, por a për ngatërresën e karrikeve, a për diçka tjetër, nuk arrita ta kuptoj. Kolegia po e shikonte habitshëm, pastaj e kaloi vështrimin nga unë , që isha tjetërsuar. Ajo dukej më e hutuar se ne të dy dhe
    fjalët I ishin arratisur. Kamerieri solli kafen e tretë. Në tavolinë, me ne, ishte ulur inspektoria e “orës tradicionale”.

    Mimoza Bici

    Vjen një moment

    Vjen një moment
    kur ” loja ” argëtuese mes dy hijeve
    shndrohet
    në duel mishrash të tymosur .
    Etur
    mes zjarrit të epsheve
    mbi hiret mashtrim.
    Shtrat nuk ka dashuria
    dashuria dehet ajrit
    Shtrat ka vetëm mashtrimi
    sekondash endur ledhatimit…
    Sa lindi femra dhe mashkulli
    lindi engjëlli me djallin
    Tek kush trup ?!
    Ende se dimë…
    Ngjizja është bekim apo mallkim
    Kështu po ec jeta ime
    trazuar në vegim …
    Hije mishrash diellit pjekur
    Natën zhveshur hënës fjetur…
    Sa shumë …sa shumë
    këto hije janë shtuar
    kërkojnë të më mbytin
    apo,
    me mua janë dashuruar. !!!

    Ding- dong

    Kanë filluar
    t’më buçasin veshët
    Ding-dong , ding-dong…
    Mos shpirti kumbon?!

    Nuk ka sesi
    U shfaqën rastësisht
    Ding-dong ,këmbanat
    Mbi kulla kishe…
    Njeriu ,
    kështu ndërtoi fantazitë…

    Pagjumësi

    Ndonjëherë,
    dita
    është më e bukur se ëndrra.
    Ëndrra,
    ka më shumë ngjyra se dita…

    Ndonjëherë ,
    dita dhe nata
    më ngjeshin mes tyre,
    tek ndjej drithërima frymëmarrjesh
    duke më ngritur shpirtin peshë ,
    më shumë,
    se kur bëj dashuri
    me ty i dashur !
    Kujt i përket trupi im ?!

    Ndonjëherë
    nuk jam Njeri.
    Bluaj mendjet
    i përtyp
    e si shkop i drunjtë
    ngulem
    thellësive të harresës
    për t’u përpirë
    pas një rrënje.
    Përse ?!
    Përse kur dua të harroj…
    të vdes?!

    Ndonjëherë
    Unë jam Ti
    Dhe pse nuk të njoh
    Ndaj lindin tradhëtitë ,
    ëndrrat , pagjumësitë…
    Ndonjëherë malli më ndez
    Përqafuar krahëve të drunjta
    Ku je ?!

    Valter Dauti.

    NJË BJONDE QË E NJOHA VJET…

    Dha shpirt dhe vjeshta e sivjetshme,
    Në shtrat të heshtjes shtrihet shkretë,
    Veç shkrep si flirt në buzëqeshje,
    Aty-këtu një gjeth i blertë.

    Tani u shprish krejt qetësia,
    Në prehër dimri mërmëron,
    Ja, që nga fusha nis zgjon stuhia,
    Si zë që fundit i këndon.

    U shkreh dhe shkëmbi i përmotshëm,
    Ndër lotë të stinës dimërore,
    Dhe unë, që nuk jam i sotshëm,
    Një gjethe jam, stinës vjeshtore.

    Ajo që iku,vdiq ndër gjethe,
    E zëri jot se ngjall dot më,
    Dhe nëse dridhesh si ndër ethe,
    Flet kot, se buza s’nxjer dot zë.

    Ti hajde mor rojtar i vjeshtës ,
    Në pyllin tënd që vdes i shkretë!
    I bëj një zë,të vijë,dhe Edës,
    Të shohë ç’qëndisi ajo vetë !

    Të shohë ç’bënë flokët si zjarr dielli,
    Ah, diell që djeg e përvëlon…
    Vështro, me blozë është mbushur qielli,
    Grind veten pylli si demon…

    Dha shpirt kjo vjeshtë…ra shkretëtirë,
    si gjeth vërtitem pyllit-skelet
    Kërkoj në pyll një vajzë të mirë,
    Një bjonde që e njoha vjet…

    S’FLASIN NJERËZIT ME NJERËZ…

    (Mozaik babelian.)

    Një plakë bastunin grind me pllakat
    dhe i gërmushet trotuarit.
    Një zonjë më tej trokëllit takat
    dhe derdh një dritë si të shandanit.

    Një djalë, sportiv, seç i thotë shishes,
    e tund, e shkund, e puth në grykë…
    një bos, bekim i derdh valixhes,
    një prostitutë, rri drejt, si pykë…

    Një lypës, fshehur paska krahun,
    dhe i pështyn mëngës jetime.
    Një i pa punë, si shtupë e rrahur,
    Lëviz si prift e derdh lëngime…

    Një djalë…një lypës…një plakë me derte,
    një prostitutë si semafor…
    Gjithë kohës flasin veç me vete!
    Nga njëri-tjetri u vjen zor…!

    ÇUDI !

    (Sigurisht,që kjo është për ty!)

    Ajo e di që unë e dua,
    Dhe bën sikur s’e di !
    Se,paskam familje dhe grua,
    Se s’qënkam për të’’fri’’!

    Kur syri ndez zjarre prej flirtesh,
    Më sheh dhe ëmbël qesh,
    Lëshon ca zëra pëshpëritjesh,
    …të gjithin…vjen më zhvesh…

    Të gjithin më tundon,pashpirtshëm
    …e loz…e qesh…më puth…
    Pastaj,më ikën krejt çuditshëm,
    E prapa…le veç duf…

    Rrëkezat-fije-dritëdiellore,
    I derdh ndër flokët ar,
    Dhe…derdhet vetë…krejt ëngjëllore…
    Më ndez…e ndizet zjarr…

    PA FAJ.

    Të marrka malli i marrë, të marrka,
    Për kohët që ikën, dhe pse u qullëm keq…
    Telefoni, fle si fole me milingona,
    E, unë germuqur, si ata lisat pleq.

    S’e di a transferohen numrat përtejjetës,
    Ferr e parajsë, për mua janë njësoj.
    Le të më shpien dhe në honin e Sketerres,
    Mjaft që të mund të të telefonoj.

    Të marrka malli i robit, të grika,
    Për kohët që ikën, si mjellmat ç’do skaj…
    Veç, tani, sepse bëhet më e bukur frika,
    Dhe dashuria…sikur është më e pafaj…

    **********************************************
    NJOFTIM!
    Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
    – Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
    – U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
    – Kritikat letrare, Ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe ëord).
    – Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
    – Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
    – Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
    [email protected], [email protected], [email protected]
    Ju faleminderit!
    Redaksia e gazetës “Telegraf”!

    *******************************
    Përshëndetje!
    GAZETA TELEGRAF ju sjell pranë Suplementin letrar “Pena shqiptare” Nr 21..
    DATË: 18 MAJ, 2015

    Kryesore
    Haki Stërmili, shkrimtari patriot dhe demokrati i spikatur

    Lart 1
    Mimoza Çobo
    Të jesh luftëtar i jetës tënde

    Lart 2
    Niko Gjoni
    Nuk kam njerëz për varrim

    Në këtë numër do të lexoni:
    01-Tregime dhe skica nga, Haki Stërmilli, Niko Gjoni, Hyqmet Hasko, Eltion Saraj
    02- Poezi nga, Mimoza Çobo, Mina Çaushi, Nexhip Onjea, Liliana Ruço, Basir Bushkashi
    03- Ese dhe kritika nga Roland Gjoza, Sinan Goliku, Erion Kosova, Namik Selmani
    04- Botime nga Harallamb Kota, Mevlud Buci, Pëllumb Gorica, Pjetër Cara, Flamur Luta

    Mirëkuptim!
    Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është e pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen të gjitha, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente, për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë ku, çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
    Ju Faleminderit.! Redaksia e “Telegraf”.

    *******************
    ZAHO VASILI

    LARGIM

    Atdhe,po e lë mëmën,Atdhe,po e lë babën,
    Me dhembje po e lë zemrën,iki duke marrë shpagën.

    Unë të kërkova punë,t’ua mbaj frymën me një frymë,
    Të kërkova bukë më shumë,që me djersë ta mbaj shtëpinë.

    Të kërkova një shtëpi,ta kisha,të lija kokën,
    Të kërkova dashuri,kurse ti më ktheve lotët.

    Të kërkova veç një fjalë,si balsam t’ia vija zemrës,
    Që të mbetesha i gjallë,ndën ngrohtësinë e nënës.

    Nuk e gjeta një copë tokë,ku ta vija këmbën time,
    Të rrija me miq e shokë,një lastar plot me gëzime.

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,ata që mendojnë për vete,
    Nuk m’i dhe, se të thanë:Jam unë,e unë do mbetem…

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,ata që kanë pasurinë,
    Nuk të lanë ata që kanë,ata që gëzojnë lavdinë.

    Nuk m’i dhe,se nuk të lanë,ata që forcojnë miqësinë,
    Ata që asgjë s’të dhanë,por të morën dhe të grinë.

    Nuk m’i dhe se nuk të lanë,padrejtësia në sistem,
    Ata që me bulçi hanë,varfëria në ekstrem.

    Nuk m’i dhe se nuk ti dhanë,ata që kanë privilegje,
    Politikë,politikanë,që të rropën me ndërgjegje.

    Ndaj po iki i trishtuar,nëpër botë për një copë bukë,
    Ndaj po iki hidhëruar,porsi lypsi nëpër rrugë.

    Unë po ndjehem i vetmuar,brenda në pëqinë e nënës,
    I fyer dhe i dërrmuar,po më dridhet palcë e këmbës.

    Po largohem i malluar,nga kjo tokë që quhet mëmë,
    I zbrazur në të dy duart,zemrën mbrapa duke lënë.

    Merr uratën,bir, prej meje,o Atdhe, ma thuaj ti,
    Se më fute gjak në deje,të dua moj Shqipëri.

    O Atdhe,më jep bekimin,se me ty në shpirt do rroj,
    Për ty s’e humbas besimin,më mësove mos vajtoj.

    E di që do të vijë një ditë,duarplot i “pasuruar”,
    Të kenë rënë “perënditë”,të vijnë ata që të duan.

    Ti më prit me përgjërime,o Atdhe,të dy sytë,
    O Adhe i mëmës time,mbase do bëhesh një ditë…

    MONOLOGU I SHQIPONJËS

    Nuk mbaj mend se kur kam lindur,kush qe nëna ime e parë,
    Për një gjë jam veç e bindur,se jam nga sua Shqiptar.
    Nuk mbaj mend kur më dhanë vlerë,nuk e di në çfarë moti,
    Po më ngriti lart një portë,porta e fisme e Kastriotit.

    Flatrat që në trup më mbinë,syt me dritën e gjithë shekujve,
    Unë mbetem simbol e frymë,i të gjallëve dhe i të vdekurve.
    Këtë vlerë ma dha Gjergji,lart më ngriti Skënderbeu,
    Më gdhëndën në ballë të djepit,në krye të Mëmëdheut.

    U ula në supe burri,në çdo ballë luftëtari,
    Komitve,s’ju thye gjuri,ranë për mua,mbajtën zjarrin.
    Shtriu krahun Ismaili dhe iu ula në pëllëmbë,
    Më goditi turk katili,Maloja më ngriti në këmbë.

    Vërtet fluturoja e lirë,nga askush s’më trembej syri,
    Por s’e kisha pavarësinë,ma dha plaku zemërfloriri.
    Që atëhere hodha rrënjë,mbeta zonjë në fole,
    Në flamur si kryekëngë,porsi miti për Atdhe.

    Për mua sa shumë u vranë,për mua sa shumë u prenë,
    E vërtetë që ata ranë;por sërisht në këmbë u ngrenë.
    Kalova halle të rënda,po mbeta zonja e zonjës,
    Po pres që të futem brenda,te flamuri i Kosovës.

    Të bashkuar,të fituar,flamuri kërkon dy duar,
    Si dy kokë të një shkabe,Evropa na ka kërkuar.
    O shqiponja me dy krerë,ti linde në Shqipëri,
    Ti na bën e të bëjmë nder,fluturofsh në përjetësi…