Sulmi me 4 të vrarë në Suedi, mediat: Drejtuesi i kamionit, simpatizant i ISIS-it

573
Personi i arrestuar nga policia suedeze “me gjasë” është ai që drejtoi kamionin e vdekjes në Stokholm, po nuk përjashtohen arrestime të tjera.
Pasditen e djeshme, policia suedeze tha se ka kapur atentatorin e Stokholmit. Sipas të dhënave të saj, personi i arrestuar të premten në mbrëmje (07.04) duket se ka drejtuar kamionin, është shprehur zëdhënësi i policisë suedeze, Lars Byström të shtunën.

“Nuk mund të përjashtojmë, se mund të arrestohen edhe persona të tjerë, por nuk shohim se ka të dhëna për një rrezik për opinionin”, tha zëdhënësi.

Pas sulmit me kamion në Stokholm, të shtunën (08.04) në orët e para të mëngjesit është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar për „akt terrorist”. Gazeta suedeze, “Aftonbladet” shkruan se bëhet fjalë për një person nga Uzbekistani, 39 vjeçar, përkrahës i milicëve të të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.

Ky person dyshohet po ashtu për „vrasje përmes një akti terrori”, u shpreh zëdhënësja e prokurorisë suedeze, Karin Rosander. Ajo nuk specifikoi, nëse tek i arrestuari bëhet fjalë për personin që drejtonte kamionin. Po ashtu të premten në mbrëmje u arrestua një person tjetër, sipas të dhënave të policisë ekziston një lidhje mes dy burrave, sipas televizionit, SVT.

Kontrolle kufitare
Të premten pasdite (07.04) një person u vërsul me një kamion të vjedhur nga një fabrikë birre në një rrugë blerjesh në Stokholm dhe pastaj në një qendër tregtare. Katër persona humbën jetën, 15 të tjerë u plagosën.

Autoritetet e sigurisë suedeze vazhdojnë të jenë në gjendje alarmi. Në mbrëmjen e së premtes, qendra e Stokholmit ishte braktisur. Suedia ashpërson kontrollet kufitare. Kryeministri Stefan Löfven tha, se do të kryhen kontrolle kufitare për të gjithë udhëtarët 10 ditë me radhë, pritet zgjatja e tyre edhe me 20 ditë të tjera. „Kjo duhet bërë, me qëllim që autori i vrasjes apo bashkëpunëtorë të tij të mos largohen nga vendi.” Nga e gjithë bota erdhën reagime të tronditura për sulmin në Stokholm. Qeveria suedeze bëri fjalë për një sulm terrorist. Të shtunën flamujtë në Stokholm janë vendosur në gjysmështizë.
Sigal