Sulejman Mato:Çmimet vjetore të letërsisë së këtij viti, një ndarje pazaresh mes jurisë së Ministrisë së Kulturës

    410
    Sigal

    Ministri Bumçi, “zero” transparencë për paratë e çmimeve, të klani të Ali Aliut dhe Amih Kacaruhos

    Ky konkluzion nuk është vetëm imi por dhe i drejtorit të shtëpisë botuese “Buzuku” Avdulla Zeneli, i cili i ka përmendur këtë konstatim në shkrimin e tij të 4 marsit tek gazeta e Kosovës “Bota sot” Çmimet vjetore në fund të një viti, për shkak të mosmarrëveshjeve që lindin tek ata që i vendosin paraprakisht këto çmime, asnjëherë nuk i kam vlerësuar seriozisht, përveçse, më kanë lënë  një shije të keqe, sikur të bëhet fjalë për një biznes. As unë dhe as  lexuesit shqiptar  nuk i mungon  as shija dhe as mosnjohja e standardeve të vlerave të një letërsie. Kjo s’ka nevojë për koment. Paaftësia e plotë për të gjykuar për letërsinë si letërsi, paaftësia e plotë për të zotëruar kodet elementare, pjell lista emrash që nuk maten me nivelin mediokër të letërsisë shqipe, sipas parimit,lista pjell listën dhe kështu diçka do të mbetet” shkruan në nj shkrim kritik për këtë problem Gazmend Krasniqi. Dhe më poshtë shton se, për letërsinë “Thembra e Akilit” nuk është krijimi, por gjykimi. Kur miratohet një juri e përjetshme për të diskutuar për dy-tri vepra letrare duke anashkaluar rreth 500 vepra letrare, të botuara vitin e kaluar  në trevat shqiptare, ky veprim skandaloz e i papërgjegjshëm,  jo vetë ata që kanë marrë përsipër të lozin “kompetentin”, por dhe vet autorët “beniaminë” do t’i bënin të skuqeshin. Unë personalisht këtë vit nuk pata botuar ndonjë libër letrar, kështu që jam dhe flas  jashtë “konfliktit të interesit”. E kam për autorët e tjerë, por kam parasysh që ky nuk është rasti i parë që ngrihet një juri dhe bën vlerësime autorësh pa i lexuar veprat e tyre. Disa syresh i kemi parë të japin leksione e të pozojnë para mediave si personalitete të letrave, mirëpo, i gjithë ky mund afirmimi dhe i kritikës dhe i autorëve, shfryhet si një tullumbace sa merr në dorë veprat e tyre dhe lexon  faqen e parë. Të pretendosh të jesh një shkrimtar i njohur, do të thotë të prekësh tema sociale, të sjellësh risi me origjinalitetin tënd, të merresh me karaktere njerëzorë dhe  të arrish të kuptosh  se çfarë është ajo që e bën një vepër pronë të një lexuesi të gjerë, e çfarë ajo që e  dallon një shkrimtar nga pjesa tjetër e shkrimtarëve që furnizojnë rreth 200 shtëpi botuese që operojnë në vendin tonë

    Ky vit

    Debati i këtij viti midis anëtarëve të jurisë së Ministrisë së Kulturës, në ndarjen e çmimeve vjetore. Ishte një shprehje e qartë  e një lufte klanore, për emrat e zgjedhur paraprakisht  dhe çmimet e vendosura po paraprakisht. Kaq e vërtetë është kjo sa që, në denoncimin që i bënte kësaj jurie akademiku Ali Aliu, ish- pjesëmarrës i kësaj jurie, e tha haptazi , as ai dhe as Juria nuk  kishin lexuar më shumë se dhjetë vepra, nga pesëqind botimet letrare të vitit. Kjo juri nuk kishte marrë mundimit  të bënte një seleksionim paraprak. Ishte gjetur rruga më e thjeshtë. Emrat e autorëve që do të merrnin çmime ishin të përcaktuar (nga kush, një Zot e di…) kështu  që kjo  “Juri” u mor vetëm me dy-tre emra shkrimtarësh  që do t’u jepej çmimi i karrierës, pas së cilit fshihej  një shumë e madhe parash. Kjo që ndodhi këtë vit nuk ishte as e re as e papritur. Ka vite që lozet kjo lojë, me miratimin e Ministrisë së Kulturës, në kurriz të vlerave letrare të  një viti. “Fama, -thotë Rilke, – është një shumë keqkuptimesh”. Më duhet t’i kujtoj këtyre zotërinjve të nderuar, anëtar të përjetshëm jurish, se ju kini vite që  e bëni këtë lojë, kini vite që lini jashtë listave qindra vepra letrare, kini vite që në kokat tuaja boshe vërtiten vetëm disa emra shkrimtarësh të cilët janë nën mesataren e letërsisë sonë, madje kini vite e vite që as nuk begenisni t’i lexoni shkrimtarët e mirëfilltë të letërsisë shqipe, as i kini lexuar e as u shkon mendja se, midis pesëqind veprave letrare të vitit të kaluar, do të gjenit vepra, padyshim  shumë më të mira se ato të beniaminëve tuaj.

    Problemi i çmimeve

    Problemi qëndron në emrat e “kompetentëve” që kanë të drejtën të gjykojnë të tjerët, madje të gjykojnë keq ? Ç’ janë  këta individë , tepër të diskutueshëm për vlerat e veta, që marrin guximin të gjykojnë  veprat e të tjerëve? Për çudi, janë individë që as nuk lexojnë. Unë dua t’i  them asaj Ministrie se ky fenomen duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Në garën e tyre të gjithë shkrimtarët janë të barabartë. Nga ana tjetër ata që gjykojnë duhet t’i marrim sot në gjykim për mediokritetin e tyre. Së paku, zotërinj të nderuar, e kishit për detyrë që t’i kishit lexuar, të kishit lexuar së paku një të dhjetën e asaj krijimtarie që botohet sot në trevat shqiptare dhe të mos grindeshit me njeri-tjetrin  për çmimin e karrierës, t’i jepej  Zija Çelës apo  Visar Zhitit (!?)

    Kritiku Ali Aliu, një njeri i qetë dhe i përgatitur, por i kudondodhur në të gjitha juritë e trevave shqiptare, kësaj radhe nuk di pse u rebelua aq shumë dhe braktisi jurinë? Kaq shumë të jetë i bindur ky zotëri se shkrimtari Zija Çela qenka një shkrimtar i madh dhe se romanit të Zija Çelës i qenka ngrënë haku për çmimin e karrierës? Zoti Aliu le të na bindë me ndonjë shkrim të gjatë se ku qëndrojnë këto vlera, ashtu siç kërkojmë të na bindi pala tjetër e asaj jurie se ku qëndronin vlerat e mëdha të kolegut tjetër. Në një intervistë, që ju zoti Aliu patët te “Nevv 24”, thatë se jeni kërcënuar me jetë nga disa autorë. Nuk e kuptova mirë këtë gjë…Me sa kuptova unë, gjithë konflikti  i këtij viti ishte një luftë klanesh brenda jurisë. Kolegu juaj Amik Kasaruho, bashkëvuajtës dhe mik i V. Zhitit, kishte vendosur paraprakisht, t’ia jepte çmimin e karrierës Visarit, ndërsa ju, mik i z. Çela, po paraprakisht kishit vendosur, mbase dhe i kishit premtuar z. Çelës, që ai do ta merrte Çmimin e Karrierës, gjë që përkthehet në shumën e dhjetë mijë dollarëve. Madje, në fjalën tuaj prekët si konflikt interesi dhe bashkëshorten e V. Zhitit, e cila punon në Ministrinë e Kulturës. Të gjitha ato që thoni ju mund të jenë të vërteta, veçse duhen argumentuar, mirëpo, në fund të fundit, çfarë u duhet shkrimtarëve  të dinë se ç’ndodh në këto lloj jurish, kur ju nuk i lexoni veprat  e tyre, kur ju nuk jeni në atë nivel që të konstatoni se ku qëndron letërsia bashkëkohore, ndërkohë që,  ngrini mediokritete e grindeni për mediokritete, duke lënë jashtë listave tuaja qindra shkrimtarë  të nderuar  nga mbarë treva shqiptare. Nëse do të isha unë në atë juri, i dashur Ali dhe i  dashur Kasaruho, si një lexues i letërsisë shqiptare dhe si një studiues  pa paragjykime, do të kisha sjellë së paku një duzinë me romane e një duzinë tjetër me libra me tregime, të cilët e pasqyrojnë shumë më denjësisht letërsinë shqipe të vitit që kaloi.

    Replika

    Në shkrimin tuaj replikë ju sensibilizonit problemin, se pse nuk u paraqitën vepra nga trevat e tjera të Shqipërisë, nga Kosova dhe Maqedonia…Kjo kërkesë e domosdoshme,  i dashur Ali, duhet të ishte ngritur me forcë, prej jush qysh në fillim  të konkursit dhe jo pas pilafit. Ju duhet ta kishit braktisur jurinë kur nuk patë vepra ta bashkëvendësve tuaj, dhe jo për shkak të mosmarrjes së çmimit të karrierës, të favoritit tuaj. Kjo nuk ju justifikon në sytë e kolegëve tuaj shkrimtarë.

    Nga  shkrimi juaj unë mora vesh se në këtë konkurs nuk ka pasur asnjë kriter letrar. Nuk ka pasur asnjë kalim të veprave të botuara gjatë një  viti, asnjë mbledhje seleksionuese, asnjë përzgjedhje, asnjë diskutim “Përse” e “Për çfarë”. Kjo vërejtje vlen dhe për anëtarët e asaj të ashtuquajture jurie e cila me paturpësinë më të madhe mblidhet dhe loz rolin e “kompetentit”  për 500 vepra letrare të një viti.

    Drejtori i shtëpisë botuese “Buzuku”, Abdullah Zeneli, për sa i përket kësaj çështjeje, pra, ndarjes së çmimeve letrare, thotë që M. K. R. S-ja ka pasur zero transparencë. “Transparenca është zero! Nuk u bënë të ditur deri në kumtesën zyrtare të M. K. R. S-së as autorët e propozuar, as shkallët e seleksionimit, as juria dhe asgjë tjetër rreth një ecurie që do të duhej të ishte normale dhe e frytshme. Çmimet nuk jepen me zor, as me ndonjë detyrim, por konform propozimeve dhe vlerësimeve objektive dhe profesionale (do të duhej të ishte e tillë. Por, juria e fundit ishte vetëm juri numrash!), pastaj ndarje pazaresh mes beniaminëve të M. K. R. S-së  ose vetë jurisë  për të cilën paguhen jo pak para (5 anëtarë x 500 euro) dhe as që lexohen librat. Lexohen vetëm emrat e të preferuarve, asgjë më shumë” Zeneli më tutje shton se këto çmime u ndahen njerëzve të afërt me M. K. R. S-në. “Shikoni kush është vlerësuar sivjet për t’u bindur se të njohurit e mëhallës apo diletantët marrin çmime, gjë e cila reflekton në hutinë e lexuesit. Kudo në botë, pas ndarjes së ndonjë çmimi kombëtar, lexuesit ngarendin pas librave të vlerësuar. Këtu te ne nuk ndodh dhe as do të ndodhë diç e hairit, pikërisht për faktin se të shumtën e herës librat janë të pabotueshëm, se për t’u lexuar jo se jo. Shihni kush u vlerësua për prozë, një roman që s’ka bir nëne që mund ta lexojë më shumë se dy faqe! Për poezi, si mos më keq, për kritikë, elozhe 400-faqesh për krye romanin e realizmit socialist, të ngopur e stërngopur me “vlerësime” 50 vjet! Për përkthim, absurdi i absurdeve.( Abdullah Zeneli “Kosova sot” 4 mars 2013)