Studentët: Ku shkojnë paratë tona znj.Anila Shehu?

    461
    Sigal

    Kaldajat e Qytetit Studenti në përdorim vetëm nga administrata

    Studentëve që strehohen në konviktet e Qytetit Studenti këtë vit iu është dashur të paguajnë 50 mijë lekë më tepër dhe nuk ka asnjë shpjegim për këtë rritje çmimi, ndërkohë që, kushtet janë totalisht të njëjta me ato të një viti më parë. Kapaciteti i ambienteve të qytetit “Studenti” arrin në rreth 6000 persona, të cilët këtë vit kanë paguar tarifën prej 450 mijë lekësh të vjetra, pra rreth 12 % më shumë se vitet e kaluara. Gjatë viteve të shkuara ata kanë paguar 400 mijë lekë të vjetra për strehimin e tyre përgjatë një viti akademik, dhe këtë vit janë përballur me çmimin  e ri. Dhe realisht nuk mund të konsiderohet një rrije e papërfillshme duke qenë se arrin në 12.5% më tepër.

    Çmimi i “kripur” nuk është shoqëruar me përmirësim të kushteve pasi studentët që jetojnë aty pohojnë se problemet janë të njëjta me ato të një viti më parë dhe më gjatë. Kalvari i problematikave i ka shoqëruar këto studentë nga viti në vit dhe as këtë herë nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ata shprehen se, nuk kanë asnjë lloji informacioni se ku shkojnë paratë që ata paguajnë çdo vit kur studentët vijojnë të jetojnë në kushtet më minimale. Kjo rritje e çmimit sipas tyre është e pajustifikueshme dhe e padrejtë pasi ata nuk e dinë ku përfundojnë paratë e tyre.

    Energjia, përdoret apo shpërdorohet?!

    Megjithëse, në të gjitha bujtinat është instaluar sistemi i ngrohjes me kaldaja, këto të fundit ndizen vetëm për zyrat e punonjësve të administratës dhe asnjëherë për studentët. Në këmbim studentët përdorin dhe “kallin” bujtinat me rezistenca elektrike të cilat i përdorin për ngrohje dhe për gatim, duke rrezikuar kështu edhe ambientet e bujtinës në rastet e ndonjë shkëndije elektrike. Për përdorimin e këtyre rezistencave studentët kanë marrë miratimin e drejtuesve dhe punonjësve të qytetit “Studenti” të cilët e kanë bërë tashmë të lejueshme përdorimin e tyre. Përsa iu përket kaldajave, për studentët ato nuk ndizen edhe në ditët më të ftohta të dimrit, ndërsa një nga punonjëset e administratës shprehet se “ janë dhomat e vogla  dhe ngrohen shpejt, nuk është shumë ftohtë”, ndërkohë që në zyrën e saj kaldaja qëndron e hapur përgjatë gjithë ditëve të dimrit.

    Studentët edhe pse të detyruar të qëndrojnë aty, vazhdojnë të jenë të pakënaqur me kushtet që u ofrojnë bujtinat, duke i shtuar kësaj edhe rritjen e tarifës vjetore, pakënaqësia këtë vit është e dyfishtë. Panorama e qytetit “Studenti” është krejtësisht ndryshe nga ajo që kanë pritur të gjejnë rreth 1800 studentët e akomoduar këtë vit për herë të parë.

    A.L është studente e vitit të dytë dhe studion në degën gjuhë-letërsi, ajo shprehet se, dhomat janë me lagështirë dhe plus kësaj asaj i duhet të zbresë nga kati i tretë në të parin për të bërë një dush, pasi në bujtinën ku ajo jeton të gjitha dushet janë në katin e parë. Të shumta janë edhe këtë vit problemet me të cilat përballen banorët e qytetit “Studenti”, të cilët pas mesnate janë të detyruar të durojnë zhurmat e shumta që vijnë nga lokalet ,të cilat organizojnë herë pas here festa.

    Studentët: S’e dimë ku shkojnë paratë tona!

     Problemeve të shumta të bujtinave në Qytetin Studenti këtë vit i është shtuar edhe rritja e çmimit të tarifës. Studentët në mungesë të përmirësimit të kushteve, shprehen se nuk e dinë se ku përfundojnë paratë e tyre dhe për çfarë përdoren. Në dy vitet e fundit pagesa për bujtinat ka qenë 400 mijë lekë të vjetra ndërsa këtë vit është bërë 450 mijë lekë, deklarojnë studentët. Kjo ka rritur pakënaqësinë e studentëve, të cilët jetojnë në kushte jo të favorshme dhe përballen çdo ditë me probleme të ndryshme, ku ndër më të rëndin ata cilësojnë atë të ngrohjes dhe mosndezjen e kaldajave.

     ***

     Ndërpritet energjia, studentët  e Filologjikut, pa mësim

     Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ditën e djeshme nuk u zhvillua mësim për shkak se pati një ndërprerje të energjisë elektrike. Gjendja ishte konfuze, pasi të gjithë studentët dolën nga godina me pasigurinë nëse duhej të qëndronin deri në ardhje të energjisë elektrike apo të iknin. Kjo situatë që ende nuk po zgjidhet nga askush , bie ndesh me perspektivat dhe arritjet e universitetit, ku mes të tjerave në Portalin e UT thuhet : “Universiteti i Tiranës është një universitet i përgatitur dhe i motivuar për të përballur sfidat e ndryshme të shekullit të ri. Ku sfidat kryesore janë ato të integrimit dhe globalizimit të arsimit të lartë duke marrë parasysh dhe stadin e zhvillimit të shoqërisë dhe shtetit shqiptar me hapa të sigurt që janë ndërmarrë për t’u integruar në familjen e madhe europiane që ne i përkasim”. Burime për gazetën “Telegraf” pohojnë se, situata të tilla të ndërprerjes së energjisë elektrike, përsëriten herë pas here, duke sjellë anomali në mësimdhënie dhe procesin mësimor. Ata kanë kërkuar tek drejtuesit e institucionit marrjen e masave që situata të tilla të evitohen.

    Gerjola Çaushi