Studentët e grevës takim me Nishanin: Jo luftë me policinë

    352
    Sigal

    Studentë të Mjekësisë, të transferuar nga universitetet private (të mbyllura) në shtet, të cilët një ditë më parë përfunduan grevën e urisë kanë zhvilluar një takim me presidentin Bujar Nishani. Takimi me kreun e shtetit ka nisur në orën 10:00 dhe ka zgjatur për rreth 1 orë e 15 minuta. 
      
    Pas këtij takimi studentët kanë deklaruar për mediat se presidenti Nishani u dha garanci për mbrojtjen fizike dhe ligjore. Studentët theksuan se po shqyrtojnë mundësinë për të vijuar grevën, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

    “Presidenti mbajti një qëndrim shumë mbështetës brenda ligjor. Tha se do të lajmërojë organet kompetente për këtë, do të komunikojë me prokurorin e përgjithshëm. Na tha të mos kemi asnjë ndrojtje për çështjen më të vogël. Kemi parë mundësinë e vijimit të grevës, deri në plotësimin e kërkesave tona”, deklaroi njëri nga studentët

    Një tjetër student tha se ata kërkojnë të marrin të njëjtin trajtim si dhe paguajmë njësoj si studentët e tjerë. “Përfaqësojmë vetën tonë jo partitë politike, ne nuk jemi në luftë me policinë. Kërkojmë trajtim të barabartë me studentët e tjerë dhe ulje të tarifave. S’kemi firmosur asnjë kontratë me Ministrinë e Arsimit”, deklaroi një tjetër student.. 

    PD: Interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama
    Nga ana tjetër Partia Demokratike ka dorëzuar kërkesën në Kuvend për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, për këtë çështje. Duke e konsideruar këtë një shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon kryetarit të kuvendit të përfshijë në seancën e së enjtes më 5 mars, interpelancën urgjente me kryeministrin. 

    “Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për përsëritjen e vazhdueshme të dhunimit të të drejtave të shqiptarëve, nëpërmjet përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian që  të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik mbi punën e kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit”, thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë.

    Kërkesa është bazuar në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Një Kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë mund të kërkojë zhvillimin e një interpelance për çështje urgjente”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë nga Kryeministri për rrahjen e dhunimin brutal të studentëve, të rinjve e të rejave, natën e 28 shkurtit duke u gdhirë 1 marsi.

    Greva e urisë e studentëve të mjekësisë është ndërprerë nga policia e cila ka ndërhyrë dhe ka liruar ambientet e godinës së Infermierisë. Studentët pretendojnë se janë keqtrajtuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë pas aksionit. Në një video amatore duket ndërhyrja e policisë dhe shoqërimi i dhjetëra studentëve nga ana e uniformave blu. Asnjë prej studentëve nuk ndodhet aktualisht në komisariate. Ata janë lënë të lirë në orët e para të paradites së të dielës, ndërsa thonë se protesta e tyre do të vijojë.

    Mbrëmjen e së premtes, studentët të cilët kanë kaluar në universitetin publik pas mbylljes së disa universiteteve private dhe që kundërshtojnë tarifat e shkollimit, u takuan në mjediset e grevës edhe me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, por bisedimet nuk sollën asnjë marrëveshje.