“Strategjia për sigurinë kombëtare”, drejt Kuvendit

    434
    Sigal

    Kolonel Kroi: Rreziku i krijimit të blloqeve të reja ushtarake

     Kolonel Zaimi: Ministrat tanë të Mbrojtjes kanë bërë politikat e partive dhe jo ato ushtarake

    Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Por ushtarakët në rezervë e në lirim shprehen se Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli nuk ka marrë mendimet e specialistëve që janë marrë me sigurinë dhe as me grupet e interesit të cilët kanë në gjirin e tyre profesionistë që kanë dhënë shumë për ushtrinë shqiptare. Kolonelët Pëllumb Zaimi dhe Zyhdi Kroi, nëpërmjet gazetës “Telegraf” kanë dhënë sugjerimet e tyre përsa i përket Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.

    Strategjia

    Në Draftin e ri të Strategjisë Kombëtare që pritet të miratohet, thuhet se me gjithë tendencën e qartë pozitive, siguria e vendit vijon ende të jetë e varur ndjeshëm edhe nga rreziqe me natyrë të brendshme. “Ato burojnë mbi të gjitha nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilat cenojnë shtetin e së drejtës, institucionet tona kombëtare dhe prosperitetin e ekonomisë. Këto rreziqe komplekse mbartin, gjithashtu, edhe komponentë të jashtëm, duke krijuar sfida të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kohezionin social. Rreziqet e jashtme nuk janë më vetëm konvencionale, por edhe me natyrë hibride, rrjedhojë e veprimtarive të organizatave kriminale ndërkombëtare, grupeve terroriste, forcimit të aktorëve jo shtetërorë, si dhe ndryshimeve klimaterike dhe demografike globale”, thuhet në projektligj.

    Ajo që bie në sy në këtë strategji është se shërbimet e huaja sekrete rrezikojnë Shqipërinë. “Veprimtaritë agjenturore në Shqipëri mund të kërcënojnë sigurinë e informacionit të klasifikuar dhe përpiqen të ndikojnë mbi vendimmarrjen politike, infrastrukturën kritike, median, ekonominë dhe administratën, kohezionin dhe bashkëjetesën sociale. Statusi i vendit si anëtar në NATO e rrit interesin e shërbimeve inteligjente të huaja ndaj Shqipërisë”, theksohet në draft. Gjithashtu vend të veçantë në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes zë edhe lufta fetare. “Ekstremizmi me frymëzim ideologjik, fetar apo nacionalist ushqen veprimtaritë terroriste. Ideologjitë e skajshme mbështeten tek padija, varfëria, mungesa e shërbimeve shtetërore dhe lidhjet e shumëfishta rajonale dhe ndërkombëtare. Këto shkaqe krijojnë terren për rekrutimin e individëve vulnerabël, të cilët marrin pjesë në konflikte ndërkombëtare. Për shkak të prirjes së tij ekspansioniste, ekstremizmi mund të përbëjnë rrezik për kohezionin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare dhe të rajonit”, theksohet më tej në projektligj.

    Kolonel Pëllumb Zaimi: Mungon një qendër koordinatave, ku të përqendrohet informacioni

    A është konsultuar Ministrja me ushtarakë që merren me sigurinë, apo me grupet e interesit (shoqatat e ushtarakëve) para se të hartojë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare? Nuk di të jenë konsultuar dhe në dijen time as i ka pyetur fare. A është konsultuar me bazën? Në kohën e Mehmet Shehut për të hartuar Tekstin e Sigurisë (ta quajmë kështu) shkuam repart më repart për të marrë mendimet e bazës. Dhe pasi dhanë mendimet me gojë, ku ne mbajtëm shënimet përkatëse, u kërkuam dhe zyrtarizmin e këtyre sugjerimeve. Diskutimi në atë kohë, (edhe pse në diktaturë), u shtrua nga strukturat më të ulëta në strukturat më të larta të Forcave të Armatosura. Pra, mendimi profesional dhe i përvojës është abandonuar nga ministrja Kodheli.

    Por dua të theksoj që për doktrinarët ushtarakë arma më e fortë e sigurisë është ajo morale (kohezioni shoqëror). Çfarë thotë kjo strategji për kohezionin shoqëror? Si duhet siguruar ky kohezion?

    Një çështje tjetër kryesore është se strategjia duhet të paraprihet nga politikat ushtarake, detyra nr. 1 e Ministres së Mbrojtjes. Nuk kam parë që ministrja Kodheli të ketë hartuar ndonjë politikë ushtarake. T’ju jap një shembull, ushtria amerikane futi në Luftën e Parë Botërore në 1919 psikologun në ushtri. A ka menduar ministrja jonë për të bërë pjesë të ushtrisë, psikologë? Ne jemi pjesë e Koalicionit Ndërkombëtar Antiterrorist. Nuk kemi asnjë politikë ushtarake për të zbërthyer këtë. Ministrat tanë të Mbrojtjes kanë bërë politikat e partive të tyre dhe jo politika ushtarake. 1751 herë ka dalë ministri Mediu në media, por vetëm 2-3 herë ka folur për politikat ushtarake.

    Në kushtet e sigurisë hyjnë dhe ndotjet mjedisore. Cili është ai grup vëzhgimi që merret me ndotjet mjedisore?

    Ku do përqendrohet informacioni? Duhet një organ që të grumbullojë informacionin dhe më pas të analizohet dhe të përcaktohet rrezikshmëria dhe masat. Mungon një qendër koordinative dhe e gjithë siguria identifikohet me Ministrinë e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Kur informacioni përqendrohet, edhe vendimmarrja është më e shpejtë.

    Këtu po flasim për një strategji sigurie legale, por Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë edhe një strategji ushtarake sekrete, ku përcaktohen se kush përgjigjet në raste incidentesh. Shteti ka sekrete, jo çdo gjë del në pazar. Kjo strategji ka karakter politik, se tregon politikën e strategjisë që miratohet në Parlament dhe ministria e Mbrojtjes pas kësaj, miraton Strategjinë Ushtarake, nga kjo dalin doktrinat ushtarake dhe ato zbërthehen më tej, derisa ushtaraku, marinari dhe piloti të njohin mirë detyrat e veta.

    Kolonel Zyhdi Kroi: Ne s’kemi Forca të Armatosura. Kemi vetëm 3 000 ushtarë me kallashnikovë

    Është e pritshme që strategjia e re të ketë risi, se që nga viti 2004 kanë ndodhur shumë ndryshime: si futja e Shqipërisë në NATO, ndryshime në strukturat e Forcave të Armatosura, etj..

    Mesa unë jam në dijeni, Ministria e Mbrojtjes do që të ruajë forcat tokësore, detare dhe ajrore, ndërkohë që sipas mendimit tim duhet të hiqet termi “forca” detare dhe ajrore dhe të vihet “shërbime” detare dhe ajrore, pasi ne nuk kemi as anije luftarake dhe as avionë apo helikopterë luftarakë. Dhe nuk duhet që të jenë strukturë më vete, derisa nuk kanë mjete luftarake.

    Çështja e rrezikut nga shërbimet e huaja është risi. Ne kemi histori të hidhura në të shkuarën nga shërbimet e huaja. Mjafton të shohësh tani sesi vlojnë mediat që hedhin dritë mbi dokumentet që tregojnë se shërbimet e huaja kanë vepruar në të kaluarën tonë për të rrëzuar diktaturën.

    Gjithashtu, ekstremizmi fetar duhet marrë në konsideratë, pasi po shohim se si klane të feve të caktuara përbëjnë rrezik në sigurinë e kombeve.

    Një rrezik tjetër, që duhet vënë, është dhe rreziku nga krijimi i blloqeve të reja ushtarake. Për shembull, me zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe ekonomike, askush nuk e përjashton faktin se në të ardhmen mund të krijohen  blloqe ushtarake të shteteve arabe, ose aziatike. Ndaj ky fakt kërkon studime serioze dhe kujdes.

    Në strategji duhet të hiqet termi “Presidenti është Komandant i forcave të Armatosura”, ne s’kemi Forca të Armatosura. Kemi rreth 3000 ushtarë (forca tokësore), ende me kallashnikovë.

    Duhet të shihet krijimi i një strukture rezerviste në FA. Sipas strategjisë së 2004-s duhej të kishte 20 000 forca rezerviste. U ngrit një kompani në Korçë, por u hoq, madje pa bërë ndryshimet në strategji. Vendet e tjera kanë strukturë me forcat rezerviste. Për një ekonomi të dobët si kjo e jona, kërkohen forcat rezerviste të cilat kanë një kosto 3 herë më të vogël se ushtarakët aktivë.

    Një element tjetër është krijimi i një strukture në raste emergjencash që të jetë e përgatitur, trajnuar mirë dhe e pajisur me mjete përkatëse. Vendi ynë rrezikohet vazhdimisht nga fatkeqësi natyrore siç janë tërmetet, përmbytjet etj..

    Në përfundim dua të them se ministria e Mbrojtjes e di mirë që ka një kontingjent oficerësh me kualifikime jashtë shtetit, profesionalistë dhe në hartimin e projektligjeve dhe Strategjisë nuk ka denjuar të marrë mendime nga profesionistë që kanë dhënë gjithçka për ushtrinë shqiptare.