Stili i partisë-shtet pas fasadës së demokracisë

    441
    Sigal

    Debati politik për vlerësimin e rolit të Enver Hoxhës në Luftën NacionalÇlirimtare të 1941-1944

     Enver Hoxha është figura kryesore e luftës së popullit shqiptar kundër fashistëve e nazistëve

    Pas 20 vjetëve të tranzicionit, që kalojmë, ishte hera e parë që një politikan në Shqipëri guxoi dhe publikisht shprehu mendimin për vlerësimin e rolit dhe kontributit të Enver Hoxhës në Luftën Nacional Çlirimtare. Kryetari i LSI-së, pikërisht, nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, deklaroi se duhet dhënë meritë edhe Enver Hoxhës për kontributin që dha në Luftën Nacional Çlirimtare. Shikoni trajtimin e Ahmet Zogut! Me shumë ka ngjallur reagime urrejtjeje, pikërisht, sepse mundohen vetëm që ta lartësojnë, duke mos i përmendur TRADHËTINË KOMBËTARE! Sido që të jetë, Enver Hoxha, e ka vendin në Histori, dhe e majta bën gabim fatal që hesht, dhe tregohet e trembur, po ta përmendë! Asnjë popull në Europë nuk ka mohuar luftën antifashiste dhe anti-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë popull nuk ka mohuar heronjtë e kësaj lufte, asnjë popull nuk ka mohuar Udhëheqësit e kësaj lufte antifashiste, pavarësisht nga biografia politike e pasluftës. Sikurse, asnjë parti demokratike në Europë, nuk ka bashkëpunuar, pas lufte, por edhe në ditët tona,  me partitë politike që kanë qenë në Luftën e Dytë Botërore bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit.

    PS-ja nderon çdo 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, luftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë e LANÇL, por ata dëshmorë ranë në betejën e luftës, duke thirrur: “ Rroftë PK”, ata dëshmorë kishin Komandant të Përgjithshëm, Enver Hoxhën! Nuk mund të nderosh partizanët, pa i njohur meritat Komandantit të Përgjithshëm të  LANÇL. Po të pranojmë që LANÇL  e vendosi Shqipërinë në Kampin e Fituesve të Luftës së Dytë Botërore, ishte Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane Enver Hoxha që e udhëhoqi këtë luftë. Ky kontribut i Enver Hoxhës mjafton që të njihet e vlerësohet  roli i tij në Historinë e Shqipërisë. Socialistët tremben t’i referohen rolit të Enver Hoxhës në Luftën Nacional Çlirimtare, sepse duan të shkarkojnë nga vetvetja akuzat e Berishës, se janë pasardhës të partisë së Punës, kur, ndërkohë, Berisha ka në maxhorancën e vet qeverisëse partitë politike që kanë qënë bashkëpunëtorë të fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë në LANÇ.  Edi Rama, si Kryetari i PS-së, i takon që të flasë hapur, edhe për kontributin e Enver Hoxhës në LANÇ, sepse kjo luftë nuk është trashëgimi ideologjike e PS-së, por pjesë e Historisë së Shqipërisë. Ndërkohë, Berisha, edhe pse ishte pjesë e strukturave partiake të PPSH-së për më shumë se 25 vjet, nuk lë rast për të mohuar çdo meritë e kontribut të Enver Hoxhës në LANÇ dhe këtë politikë më shumë e bën, që të largojë nga vetvetja gjynahet politike, që mund t’i hedhin kundërshtarët politikë, për përkatësinë e tij komuniste 25-vjeçare, sesa e ka bindje politike dhe historike që Enver Hoxha-siç thotë tani Berisha- nuk ka meritë. Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Enver Hoxha janë tre personalitetet më të mëdha të Historisë shqiptare, deri tani. Në demokraci, rotacioni politik, nuk formon Udhëheqës, por vetëm kryeministra me mandat të kufizuar!  Ndaj në demokraci historia nuk mund të shkruhet nga direktivat e kujtdo kryeministri të radhës. Të përmendësh të mirat dhe të këqijat e personaliteteve historike të Historisë, do të thotë se ke edukatë demokratike dhe emancipim modern kulturor, politik!

     Ilir Meta, Kryetari i LSI-së, më 29 Nëntor 2012: “Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte nuk ka arsye pse të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës, sidomos përsa i përket drejtimit të luftës. Nuk është detyrë e politikanëve për të bërë historinë, pasi politikanët kanë edhe interesat e tyre politike, por mendoj se koha bën historinë dhe vlerësimin më të mirë të këtyre figurave”.

    Eltar Deda, deputet i PS-së: “Për mua çdo figurë, e cila ka drejtuar shtetin shqiptar gjatë gjithë këtij shekulli pavarësie, duhet parë realisht në lidhje me kohën dhe rrethanat në të cilat ai ka drejtuar shtetin. Por ky vlerësim në asnjë moment nuk duhet bërë nga politikanë, ose individë të ndikuar nga politika. Gjithmonë duhet të jetë vlerësimi i historianëve dhe institucioneve akademike, të cilat vlerësojnë realisht momentet dhe personalitetet që kanë drejtuar në vite shtetin tonë.”

    Erjon Braçe, deputeti i PS-së: “Por vetëm për muaj, sa të marrë votat e majta, se pastaj dallimi për Enver Hoxhën fshihet, kur të bëjnë qeveri të përbashkët, si sot!”

     Auron Tare, deputeti i PS-së:  “Figura e Enver Hoxhës është figura kryesore e shekullit të 20-të për shqiptarët”

    Kreu i Komunistëve, Muharrem Xhafa

    Unë nuk jam i  një mendjeje me ata që thonë se, figura e Enver Hoxhës duhet rivlerësuar. Jo. Enver Hoxha është i vlerësuar dhe unë mendoj se kush vlerëson Enverin, është edhe vetë i vlerësuar. Kështu u shpreh dje për “Telegraf”, Sekretari i Parë i PPSH-së, Muharrem Xhafa. Më tej ai shtoi se: Askush nuk mund t’ia mohojë meritat atij udhëheqësi të madh që i dha një emër të nderuar vendit dhe kombit të tij. Disa përpiqen të lartësojnë figurën e Ahmet Zogut për të ulur figurën e Enverit. Gabohen rëndë. Ahmet Zogu nuk mund të krahasohet me Enver Hoxhën, sepse ata nuk kanë të bëjnë me njeri-tjetrin. E tha bukur akademiku i madh Rexhep Qosja : Zogu është një despot oriental, tradhtar i vendit të tij, ndërsa Enver Hoxha është ndërtues i një shteti bashkëkohor. Sado ta zbukurojnë dhe me çfarëdo boje që ta lyejnë, Enver Hoxhës nuk i bën dot hije as Ahmet Zogu e as zogjtë e tjerë rreth mbretit. Në historinë e kombit shqiptar, askush tjetër nuk i ka dhënë vendit të vet sa Enver Hoxha. Figura e këtij burri të madh shteti dhe udhëheqësi komunist të përmasave botërore  nuk ka nevojë për ofiqe e monumente, veprën e tij nuk mund ta çmojnë as bijtë e atyre që u përmbysën me revolucion dhe as sharlatanët e socializmit, që i thurnin hosanara sa ishte gjallë. Nderin këtij burri të kombit me përmasa të tilla ia bën populli ynë i thjeshtë, ia bëjnë komunistët e vërtetë, ia bëjnë shqiptarët në trojet e veta amtare dhe në diasporë, ia jep fitorja e LANÇ-it, që i riktheu Shqipërisë Pavarësinë e ndërprerë nga pushtuesit e huaj, ia jep vepra 50-vjeçare e socializmit, gati e gjatë sa gjysma e 100-vjetëve të jetës së Pavarësisë së atdheut, e cila i dha vendit tonë zhvillim të gjithanshëm bashkëkohor dhe dinjitet të njohur ndërkombëtarisht. As kjo nuk duhet harruar.

    Kurt Kola, kreu i Shoqatës të së Përndjekurve Politikë

    Enver Hoxha nuk mund të vlerësohet për Luftën patriotike kundër fashistëve dhe nazistëve, sepse atë luftë nuk e udhëhoqi Enver Hoxha, por dy jugosllavët që kishte dërguat Tito në Shqipëri, Popoviç dhe Dushan Mugosha dhe Enver Hoxha nuk lëvizte një presje nga urdhrat e tyre. Ishte ajo puna e tyre, që donin të bënin Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Ahmet Zogu gjatë qeverisjes 15 vjeçare vrau 4 personalitete,  e po t’i vihet kjo si akt negativ, le ta vëmë në kandar  me  Enver Hoxhën, i cili  vrau 5.000 kundërshtarë të tij. Nuk mund të vihet në një kandar Ahmet Zogu me Enver Hoxhën, sepse edhe në 7 prill 1939, Zogu nuk e tradhtoi Atdheun, sepse organizoi mbrojtjen kundër fashistëve. Abaz Kupi e Mujo Ulqinaku ishin oficerët e tij, që luftuan, me urdhrin e Zogut. Zogu u detyrua të largohej, sepse italianët kishin thënë, që po ta kapnin Ahmet Zogun në Tiranë,  Konti Çiano do t’i merrte  gruan e tij për grua për vete, e këtë turp nuk mund ta duronte asnjë shqiptar.

    Adriatik Alimadhi, kryetari i Ballit Kombëtar

    Në konceptet e BK-së nuk hyn asnjë lloj liri e demokraci për të gjitha ata që kanë vrarë e pushkatuar fytin që del mendimi i lirë. Për ne ka vetëm një titull. Janë kriminelë. Çfarë roli duhet t’i vlerësosh Enver Hoxhës për luftën? Akoma nuk kanë dalë në dritë faktet sesi Enver Hoxha ka pushkatuar pa gjyqe 4-5.000 patriotë në ato vite të luftës. Edhe tani më shumë flitet për vitet pas lufte, sesa për vitet 1943-44, kur Enver Hoxha pushkatoi dhe zhduku familjet më patriotike, kudo në gjithë Shqipërinë.

    Zamira Çavo

    Së pari mendoj që hapja e këtij debati është jashtë kohës dhe vendit dhe për rrjedhojë nuk sjell asnjë dobi, përveçse shpërnguljen e vëmendjes nga politika e ditës. Do kishte qenë e udhës që ky debat të bëhej paralel me nderimin që politika i bëri Ahmet Zogut. Kjo nuk ndodhi, ndaj dhe e quaj të dështuar në thelb, hapjen e këtij debate. Së dyti, do të duhet kohë që periudha e Enverit të studiohet mbi baza reale. Dhe këtë nuk e bëjnë dot politikanët tanë, as opinionistët. Duhet ta bëjnë specialistët. Madje, specialistë të çdo fushe rreth të cilës do duhej të debatohej. Po të njëjtën gjë mendoj dhe për periudhën e Zogut. Nuk veprohet me pasione dhe as me modele arkaike debate. Ndaj uroj shumë që shqiptarët të mos merren me figurën e Hoxhes apo Zogut, por të vërejnë me kujdes diktatorët e kohës që po jetojmë.

     Majlinda Keta: “Pse nuk bashkohet dot demokracia me Partinë -Shtet dhe 1″shat” fuqiplotë autokratik”

    Teza e Ilir Metës  ka hapur një debat tjetër publik. mendoj se është një teze e vonuar për të kaluar dhe t’u vlerësuar nga rrethe historianësh profesionistë. Kjo kërkon qëmtimin e fakteve, ngjarjeve, figurave, vlerësimeve të dokumentuara të kohës dje dhe sot, nga jashtë dhe brenda Shqipërisë. Ne nuk mund të fshijmë 45 vite histori tonën sepse politika e 2 partive të mëdha ende rreshtat që njëra të bindë se nuk ka asgjë të përbashkët në vijimësi nga 91/shi apo tjetra ende mban zgjuar tezën antikomuniste me ish-komunistë brenda. Ashtu si vitet e të qënurit komunistë janë pjesë e jetës së shumë prej figurave më protagoniste të politikës sot ashtu edhe kjo periudhë dhe udhëheqësi i saj politik është pjesë e historisë sonë. Kjo periudhë në vite e kontribut është shumë herë më me ndikim se periudha e Zogut. Përpos këtij tipi kundërshtarësh të kësaj teze a mund të më thoni në të rrëfyerin tonë të historisë, në atë të shkruar KUSH do jetë Komandanti i Luftës Antifashiste? Kontributi Antifashist i Nacional Çlirimtare shqiptare është i njohur dhe i respektuar në kuadrin dhe të aleatëve tanë strategjikë sot. Përtej Ditës së Lirisë, në vitet më pas deri në 22 marsin e Demokracisë cilët do të ishin liderët politikë të 45 viteve histori , ku për 40 prej tyre dhe të huajt, analistë kritikë dhe dokumentarë të Perëndimit flasin për Shqipërinë e Enver Hoxhës ? Si çdo periudhë ka arritjet dhe gabimet e saj….Personalisht mendoj se ne ende jemi tranzitivë përtej saj por më shumë mendësi e fenomene të mbartura prej asaj kohe pasi ajo ka lënë gjurmët e saj në formimet dhe sjelljet politike të politikanëve të sotëm nga e kaluar dhe për fatin e keq dhe të atyre që po vijnë si ristarë në moshë, por në mendësi janë edhe më keq. Nëse atëherë të ngjyrosnin në të kuq në votimet 99.99% pro Partisë dhe Frontit Demokratik SOT liderët politikë tentojnë të thellojnë ndarjet Rozë e Blu të një popullate që gjendet në traumë papunësimi e pasigurie sa herë ka rotacion politik.”…nuk pyet kush as për zotësi as për moral institucional….bile kur i takojnë këto tentojnë të të fusin në vrimë të miut. Pastrimet rotacioniste janë bërë të rrezikshme edhe brenda të njëjtës ngjyrë politike siç qe rasti i rotacionit Topi Nishani në Presidencë. A nuk ka kjo metodikë përjashtimi dhe injorimi vlerash quhet kjo ngjasi me atë që bënte regjimi i Hoxhës me pasardhësit e atyre që kish titulluar të deklasuar, ndonëse jo rrallë luajti me dhënien e të drejtës për studim për brezat e dytë? Në mos JO luftë klasash e mirëfilltë po lufte kastash politike të 20 viteve a nuk mund t’i quajmë? I kthehem këtij fakti sipërfaqësor pasi dua të pohoj se jemi ende në mendësi të armikut të klasës……Për këto e shumë e shumë të tjera NE si komb, si shtet, duhet t’i kthehemi analizës së asaj kohe se Historia nuk njihet dhe nuk ofrohet me segmente dhe nën oreks politikanësh. Por mbi të gjitha DUHET të mësojmë për të mos gabuar kurrë më. Shihni dhe vlerësoni ngjarjet dhe fluksin informatik pothuaj në anarki në prag të 100- vjetorit të shtetit për figurën e Ismail Qemalit apo Zogut. Ne nuk mund të vazhdojmë me inkoherencën e politikës apo atë interpretim shkencor të profesionistëve historianë, brenda dhe jashtë vendit. Ishte një rast i paprecedent ai i Presidentit Nishani, në 29 nëntor dhe interpretimin e nderimit të Ditës së Lirisë të shprehet “Jam këtu se respektoj ligjet e miratuar nga Parlamenti që njeh këtë datë si Ditë e Çlirimit” kur deri para pak muajsh ishte pjesë e trajtimit politik të saj, në frëngji politike blu! Kujt i shërben inkoherenca në sjelljet e tij politike apo parimet morale që e udhëheqin në të bërit politikë partie a kombëtare qoftë… Mos harrojmë Presidenti është një model publik nga veprimtaria e të cilit mësohet e ofrohet historia. Ne nuk mund të shkojmë me një identitet historik anarkik drejt BE-së. Ndaj duhet t’i kthehemi me analizë asaj kohe të Enver Hoxhës ku të kuptojmë thelbësisht historinë që bëri populli dhe ndikimin e individit lider në të. Kjo për të vërtetën historike, të ëmblën dhe të hidhurën, por mbi të gjitha për të mos gabuar më dhe për të kuptuar pse nuk bashkohet dot Demokracia me Partinë Shtet të 1 shave fuqiplotë. Meta guxoi ta hidhte këtë tezë, Qosja ju qas në trajtesë, historianët profesionistë duhet të marrin përgjegjësitë.

    Feim Ruka: “Erdhi një moment pyetja është e drejtpërdrejtë. Kush ka qenë më atdhetar Zogu (mbreti ) apo Enver Hoxha? Kush ka vrarë më shumë shqiptarë Enver Hoxha apo Sali Berisha? Ose pyetja mund të jetë edhe kështu. Kur janë vrarë më shumë shqiptarë gjatë kohës së Enverit, apo nga 1991 e deri më sot? Sot divorcet shkatërrojnë familjet, lindjet janë pakësuar se nuk i ushqejnë dot,familjet janë pakësuar se morën arratinë nëpër botë për të siguruar një copë bukë, gjakmarrja po bën kërdinë në kohën e Enverit u harrua dhe krimin më të madh pas 1991-it e kemi që stimulohet urrejtja veri – jug nga politikanë antikombëtarë dhe për të mbuluar këto krime jeni ngritur në kor të shani Enver Hoxhën, për t’u treguar se jeni të moderuar shani Enverin! Enveri nuk zvogëlohet me të shara, Enveri vete në vendin që i takon kur ju popullin ta bëni më të kënaqur se në kohën e Enverit? Ju politikanët e sotëm ose hiqeni si politikanë Enverin e doni ta shfrytëzoni për vota por keni frikë të thoni të vërtetën. Ju të majtët (politikanët) nxirreni kokën nga guaska dhe mos na mashtroni duke na marrë votën dhe veprimet shkojnë djathtas.

    Ali Haruni: “Po si nuk duhet më u vlerësuar figura e ENVER HOXHES po sa qe ai gjallë asnjë nuk mundi me shit as tok as det as nder si po shitet Saliu me qeverinë e tij.

    Fejzo Sinani: Kur ka qenë më e pavarur Shqipëria në kohën e Enverit apo tani? Kur ka qenë më i punësuar ky popull në kohën e Enverit apo tani? Kur ka qenë diferenca më e ulët midis pagës më të lartë dhe më të ulët në kohën e Enverit apo tani? Sa e kishte rrogën Enveri dhe sa e ka Presidenti, Kryeministri, deputeti sot? Si është e mundur që udhëheqësit komunistë rrinin me shtëpi me qira dhe sot jeni bërë me 3 dhe katër vila? Në  ç’shkallë ishte korrupsioni në kohën e Enverit në Shqipëri, a njihej SIDA dhe droga, a njihej prostitucioni që sot vajzat shqiptare kanë mbushur Evropën, këto plagë të sotme të shoqërisë shqiptare nuk njiheshin në kohën e Enverit. Kur ishte më dinjitoze familja shqiptare dje apo sot?