Stekat e vjetra të LSI-së në Elbasan, të pakënaqur me Haxhinaston

464
Sigal

Anëtarët shprehen: “Nuk kemi marrë atë që meritojmë, do të braktisim fushatën zgjedhore në qershor”

Në Elbasan dega e LSI-së mbetet aktualisht nën presionin e drejtuesve të emëruar, vetëm 30 ditë pas formimit të qeverisë së koalicionit, të cilët kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre lidhur me tejkalimin e afateve dhe mungesën e respektimit të marrëveshjes së firmosur për bashkëqeverisje.

Baza e LSI-së ankohet te Haxhinasto, por ai mbyll veshët

 Shumica e drejtuesve, pavarësisht se janë të kontestuar nga baza e LSI, pavarësisht se janë edhe me probleme, të cilat janë evidentuar pas verifikimeve nga dikasteret qendrore (si shkollimi dhe formimi profesional), kanë disa kohë që kanë shprehur pakënaqësitë e tyre tek deputeti i këtij Qarku, Edmond Haxhinasto, i ngarkuar për të ndjekur dhe zgjidhur problematikat, që dalin dhe kanë vështirësi për t’u zgjidhur. Pothuajse në të gjitha mbledhjet e kryesisë së kësaj dege, apo edhe me bazën e kësaj partie, janë ngritur probleme, janë akuzuar dhe denoncuar jo vetëm bashkëqeverisësit lokalë, por janë shfaqur edhe pretendime lidhur me postet që mbajnë aktualisht të emëruarit nga LSI-ja.

Ministri Haxhinasto ka emëruar persona me zero kontribute

Sipas një burimi për gazetën “Telegraf” nga dega e LSI-së në Elbasan mësohet se “pretendimet lidhen me mungesën e meritokracisë, mungesën e treguar nga i ngarkuari i kryesisë qendrore, Haxhinasto, të transparencës për emërimet dhe punësimet në Qarkun e Elbasanit, pasi po zënë vende pune persona me zero kontribute, me zero formim profesional, duke pranuar të bëhen vegla qorre të shefave të tyre”. Ndasitë dhe fryma e përçarjes që ka nisur të shfaqet tek dega e LSI Elbasan, duket se do të ketë pasojat e veta edhe në fushatën e 21 qershorit 2015, për kryetarë bashkie dhe komunash.

Pasojat- Do bojkotojnë fushatën zgjedhore të LSI-së në qershor

 Të pakënaqurit e LSI-së në Elbasan e kanë deklaruar hapur  se “në fushatën zgjedhore të qershorit nuk marrim pjesë, jemi lënë pas dere, jemi punësuar në vende pune që nuk na takojnë, dhe kanë marrë poste drejtuese ata që nuk kanë dhënë, apo nuk kanë votuar fare për LSI-në dhe kjo situatë pavarësisht se njihet nga qendra, vazhdon të rrisë frymën e largimit  nga ne dhe afrimit me PS-në”. Pavarësisht mundësisë së fitores, LSI-ja e Elbasanit ka shfaqur pretendimin e nxjerrjes së kandidaturave të saj për të gjitha bashkitë dhe komunat e Qarkut, duke synuar madje edhe bashkinë Elbasan, Librazhd dhe Përrenjas, apo në 18 komunat, gjë e cila është kundërshtuar nga qendra.

Kërkesa e parespektuar për bashkëqeverisjen

Ndër kërkesat e vazhdueshme të LSI-së Elbasan ndaj Haxhinastos,  mbetet edhe respektimi marrëveshjes së bashkëqeverisjes, duke veçuar pikat më kryesore të saj, si marrja e postit të drejtorit të  DAR, ZRPP, Doganës, apo edhe Ujësjellësit, gjë e cila mbetet akoma ndër pretendimet e tyre për  të ulur tensionet dhe sheshuar përfundimisht  mosmarrëveshjet e brendshme. Fakti është se në ndarjen e “tortës” së pushtetit, stekat e vjetra të LSI në këtë qytet, kanë marrë poste të papërfillshme, gjë e cila i ka bërë ata sa të pakënaqur dhe të zhgënjyer, aq edhe inatçorë për vendimet që janë marrë dhe merren pas kuintave për të vlerësuar njerëz anonimë, apo edhe të dyshimtë në veprimtarinë  dhe të kaluarën e tyre jetësore dhe profesionale.

Ben Delimeta